• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

110 VJETORI I KUVENDIT TË  JUNIKUT

May 31, 2022 by s p

NGA NDUE  BACAJ

HYRJE:

110 Vite më parë, (21-25 maj 1912) në Junik të Gjakovës zhvilloi punimet Kuvendi i Junikut. Ky kuvend “lindi” si rezultat i nevojës historike të daljes zot të trojeve shqiptare, në një kohë që perandoria pushtuese rreth 450 vjeçare turke-osmane kishte marrë tatpjetën , por për interesa të saja ishte e gatshme të mohojnë të drejtën e trojeve shqiptare etnike për t’u bashkuar në një shtet autonom shqiptar. Kryengritjet kundër turke-osmane në këto vite kishin marrë një hov të paparë deri atëherë, nga veriu në jug ,  nga lindja në perendim. Trojet shqiptare të “paktën” nga viti 1908, 1910, 1911, 1912 i ngjanin një votre të madhe “zjarri” që ngrohte zemrat e shpirtin e patriotëve shqiptar, por edhe kërkonte të digjte pushtuesin shekullore turko-osman dhe ata fqinjë shoven, që ndonse kishin grabitur deri atëherë jo pak troje etnike shqiptare, (mjerisht  edhe me bekimin e Europës plakë dhe “heshtjen” e pushtuesit turko-osman), nuk kishin të ngopur. Në këto kushte, ende pa u tharë gjaku i kryengritjes kundër turke-osmane të Malësisë së Madhe e më gjërë të vitit 1911, si dhe dhe pa u tharë mirë boja e kuvendit të Greçëss (10-23 qershor 1911),  që “prodhoi” memorandumin” e autonomisë substanciale me 12 kerkesa, në Junik të Gjakovës do të mblidhej ai kuvend , që në histori njihet (me emrin e vendit ku u zhvillua) Kuvendi i Junikut. Kuvendi i Junikut ishte “pasardhës” i kuvendit të Greçes dhe pararendës i kuvendit të Vlorës të 28 nëntorit 1912 , që shpalli mvehtësinë e Shqipërisë nga perandoria turke-osmane. 

KUVENDI  I JUNIKUT !

Përhapja e kryengritjes bëri të nevojshme bashkërendimin e forcave dhe krijimin e një qendre të vetme drejtuese. Për këtë qellim me  nismën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u mblodh me 21 maj 1912 në Junik të Gjakovës një kuvend i posaçëm.  Në Kuvend do të merrnin pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit, si dhe disa përfaqësues nga trevat e jugut të Shqipërisë. Disa nga emrat më të spikatur të kuvendit të Junikut ishin perveç Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit edhe Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca, Salih Hoxhë Hidri etjerë patriot. Qeveria turke-osmane duke parë se kuvendi i thirrur i Junikut do të ishte një organizim e mobilizim i kryengritësve shqiptar, ajo me anën e ministrit të brendëshëm do të deklaronte  në parlament se ” kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Në kuvend moren pjesë edhe krerë turkomanë, që mbronin interesat e xhonturqëve , si dhe përkrahës të partisë turke “Hyrjet Itilaf” (Liri e Marrëveshje) që quheshin Itilafistë… Këta element turkomanë me përpjekjet e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit nuk  do të arrinin të pengonin e ndryshonin punimet e vendimet e  kuvendit të Junikut.  Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, për këtë  u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme. Vlenë të cilësohet se pati kundërshtime për programin politik të kryengritjes. Megjithatë, përkrahësit e autonomisë ia parashtruan atë Portës së lartë. Programi në përgjithësi përmbante kerkesa për autonominë e Shqipërisë.1.  

MEMORANDUMI ME 12 KERKESAT , DREJTUAR QEVERISË OSMANE PËR T’I NJOHUR SHQIPËRISË TË DREJTAT E NJË PROVINCE AUTONOME.2.  

1.Të njihet kombësia shqiptare edhe gjuha të jetë shqipja, duke patur atë të drejtë që ka edhe turçja.

2.Katolikëvet dhe ortodoksëvet t’u nderohen të drejtat fetare.

3.T’u epet e zotuar që kurrë të mos veprohet nga qeveria qëndrore edhe nga nënëpunsit me vepra kundra konstitucionit. 

4.Të kenë liri të plotë për të zgjedhurit depytet e tyre,  pas shumicës së vendasve.  

5.Të qeverisunit të jetë pas zakonit dhe dëshirës  të vendit.  

6.Të zgjidhet valiu dhe nënëpunsit e lartë nga më të mirët edhe më shumë nga ata që dine gjuhen edhe zakonet e vendit.  

7.Të dorëzohet (të caktohet) një përfaqësonjës i sulltanit , i cili të jetë guvernator i përgjithshmë  për të kontrolluar të mbushurit të momeve nga nënëpunësit.  

8.Gjuha zyrtarishte të jetë shqipja edhe të perdoret edhe nëpër hyqametet (administratë).  

9.Sherbimin ushtarak ta bëjnë gjithë shqiptarët po në kohë të paqës mos largohen nga kazatë e tyre. 

10.Të ardhurat e Shqipërisë të prishen (shpenzohen) për vendin, perveç të postes, të duhanit, të pirave (pijeve alkolike) edhe ca si këto. Të tepruarit do të prishen për shkollë, udhë të hekurta, udhë qerre e të tjera gjëra të nevojshme.  

11.Këshillat e vilajeteve të rregullojnë buxhetin duke mbajtur  llogari.  

12.Nga të ardhurat  një shumicë të përdoret për të ndërtuar shtëpitë që janë prishur dhe djegur nga lufta. 3.  Është me vlera të cilësohet se edhe një memorandum tjetër, por me gjashtë kërkesa, shkruhet se është miratuar nga Kuvendi i Junikut , por ky memorandum nuk shënon datën  veçse maj 1912.  Memorandumi i është drejtuar qeverisë xhonturke dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkup me kërkesen për t’i njohur Shqipërisë të drejtat e provinces autonome. Memorandumi ndonse është me vetëm gjashtë kërkesa është më konçiz , dhe me vlera më të qarta autonomie, ndaj unë mendova që kërkesat e memorandumit t’i citoj si vijon: 

1.T’i jepet Shqipërisë autonomi.

2.Në tërë Shqipërinë të ngrihet flamuri i Shqipërisë. 

3.Gjeneral guvernatori i Shqipërisë të zgjidhet nga stërnipërit  e prensërve (princërve) shqiptarë. 

4.Nëpunësit të cilët nuk janë shqiptarë të nxirren nga buka (nga puna) dhe të këmbehen me shqiptarë.

5.Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombiar (kombëtar). 

6.Mbarimi i këtyre kërkimeve të sigurohet prej Fuqive të Mëdha.4. 

Nga kuvendi i Junikut u drejtua edhe thirrja për kryengritje të armatosur, thirrje që u nënshkrua nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani (i cili ka qënë edhe pjesmarrës në kuvendin e Greçës 1911 si perfaqësues i Ismail Qemalit). Me vendimet e Junikut do të bashkohej edhe Riza bej Kryeziu, ndërsa misioni “i paqes” i dërguar në Junik nga mytesarifi i Pejës nuk arriti t’i bindte pjesëmarrësit e Kuvendit të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur….

KUVENDI I JUNIKUT DHE PËRHAPJA E KRYENGRITJES KUNDËR TURKE-OSMANE. 

Kuvendi i Junikut me vendimet e tij , si dhe thirrjen për kryengritje të armatosur ndikoi fuqishëm në përhapjen e kryengritjes në trojet shqiptare, ku thirrjes iu përgjigjen mijëra luftëtarë. E ndodhur përballë një kryengritje më të fuqishme dhe më të organizuar , qeveria xhonturke mori masa dhe dërgoi në Kosovë forca të  mëdha ushtarake nën drejtimin e Fadil Pashës. Në fund të muajit maj dhe gjatë qershorit (1912) , kryengritësit të udhëhequr nga Hasan Prishtina , Bajram Curri , Isa Boletini , Idriz Seferi , Islam Spahiu etjerë zhvilluan veprime luftarake në të gjithë Kosovën , në Lumë e në Tetovë.  Luftime të ashpra pati sidomos në Qafën e Prushit (në jugperendim të Gjakovës), ku kryengritësit e komanduar nga Bajram Curri sulmuan dhe shpartalluan forcat turke-osmane që ishin përqendruar aty, si dhe tek Ura e Sinicës (afër Mitrovicës), ku kryengritësit shpartalluan dy batalione ushtarësh . Si rezultat i kësaj lufte të kryengritësve shqiptarë operacioni i ndërmarrë nga forcat e shumta të Fadil Pashës dështoi. Veprime  luftarake zhvilluan gjithashtu kryengritësit e udhëhequr nga Gjeto Coku , Zef Arapi etjerë në zonen e Lezhës, Mirditë, Bregu i Matës dhe ata të zonës Tiranë-Shijak-Krujë të udhëhequr nga Abdi Toptani. Në Shqipërinë e Jugut u formuan çeta të udhëhequra nga Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Sali Butka, Muharrem Rushiti etjerë. Në muajin korrik kryengritja ishte shtrirë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, që nga Mitrovica e deri në Çamëri në jug. Forcat kryengritëse çliruan qytete e krahina të tjera , sidomos në treven e Kosovës. Repartet ushtarake turke-osmane në Shqipëri u paralizuan. Ngjarjet e Shqipërisë e detyruan qeverinë xhonturke të jepte dorheqjen me 17 korrik 1912…. Me 22 korrik u formua qeveria nga kundërshtarët politik të xhonturqëve e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha, që ndërpreu veprimet ushtarake në Shqipëri, dhe vendosi të hynte në bisedime me kryengritësit… Bisedimet u nderprenë pasi perfaqësuesit e qeverisë nuk i pranuan kërkesat për autonomi të paraqitura nga Hasan Prishtina. Në këto kushte kryengritësit vazhduan luftën pë çlirimin e trojeve shqiptare. Vlenë të shënohet se me 12 gusht 1912, kryengritësit çliruan Shkupin. Çlirimi i Shkupit , qëndres të vilajetit të Kosovës përbënte një fitore të rëndësishme dhe pati jehonë në mbarë vendin. Veprime luftarake u zhvilluan edhe në krahina të tjera dhe kryengritësit çliruan Peshkopinë, , Fierin, Përmetin, Leskovikun dhe Erseken… Në fillim të gushtit kur kryengritja kishte arritur kulmin , Mali i Zi bëri disa provokacione të armatosura në fshatrat kufitarë në drejtim të Shkodrës e Pejës…5.  

Megjithse kryengritja e këtyre muajve perfundoi pa i arritur objektivat e caktuara , ajo pergatiti truallin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912. Nëse kryengritjet kundër turke-osmane të filluar nga Malësia e Madhe në 1911 e vijuar pas kuvendit të Junikut, por edhe memorandumet (e Greçës e Junikut) ishin pararëndëse “e platëformës” të programit politik të shpalljes së pavarësisë. Ndaj keto kuvende dhe protagonistët e tyre duhen  perkujtuar,  nderuar e vlerësua në perjëtsi, sepse kështu kujtojmë, nderojmë e vlersojmë historinë tonë, gjakun e sakrificat e të pareve tanë, që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për trojet etnike shqiptare edhe pse sot të ndara, por me shpresa se të bashkuar do të jenë “mot”… 

REFERENCAT:

1.Historia e Popullit Shqiptar për shkollat e mesme, fq.130, redaktor përgjegjës Hysni Myzyri, Sh.b.e librit shkollor, Tiranë 1994. 

2.Memorandumi në përmbajtje është i ngjashëm me atë të miratuar në  Greçë (të Malësisë së Madhe) me 23 qershor 1911… Gazeta “Koha” që e boton thotë se e ka marrë nga gazeta “Neue Freie Pressë” e Vjenës…(Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912 (memorandum, vendime, protesta, thirrje) Akademia e Shkencave  e Shqipërisë, Instituti i Historisë, pergatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë 1978, fq.234-235.  

3.Kërkesat janë botuar në gazetën “Koha” , Korçë 27 qershor / 10 korrik 1912.- Po aty, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912.  

4.Memorandumi është botuar në gazetat “Liri e Shqipërisë”, Sofje me 31 maj dhe 2 qershor 1912, gazeta “Dielli” Boston me 13 qershor (1912) , “La Nazione Albaneze “, Pallagorio (Catanzaro) me 31 maj (1912) në Italisht. Gazeta “Liri e Shqipërisë në botimin e dytë thotë se memorandumi është nënshkruar edhe nga Ismail Qemali. Këtë e shkruan edhe gazeta “Dielli” i Bostonit (SHBA) , që thotë se e ka marrë nga gazeta “Times” e Londres… Po aty, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, fq.240.  

5.Historia e Popullit Shqiptar, po aty, fq.130-132. 

Malësi e Madhe me 25 maj 2022.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

Buzëqeshja në fytyrat e nxënësve dhe jehona e këngës shqipe “xhamadani vija-vija”

May 31, 2022 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Një imazh që përmban bar, person, i jashtëm, njerëz

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Më 28.05.2022, në parkun e lojërave „Voglsam“ në Schönau të Mynihut, në kuadër të aktiviteteve për vitin shkollor 2021-2022, të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH-i) u realizua ekskursioni i nxënësve të Shkollës Shqipe në Bavari.

Në këtë ekskursion përpos nxënësve, mësimdhënësve, e pranishme ishte edhe kryesia e LAPSh-it me disa prindër, të cilët kishin për qellim përcjelljen e nxënësve. Në këtë eveniment morën pjesë 135 nxënës nga shkollat: e Mynih-ut, Holzkirchen, Starnberg-ut, Freising-ut, Mainburg-ut, Rosenheim-it, Deggendorf-it, Nürnberg-ut, Abensberg-ut, Landau-t, Fürstenfeldbruck dhe Dingolfing-ut.

Për organizimin e këtij ekskursioni u kujdes grupi për Kulturë i Këshillit të Arsimtarëve, në bashkëpunim me mësimdhënësit, kryesuesin e Këshillit të Prindërve dhe kryesin e LAPSH-it. Por, ajo që zgjoi një dashur të këndshme ishte udhëtimi me autobus i nxënësve, të cilët posa u ulën nëpër vendet e tyre filloi të buqas  kënga shqipe, tashmë këngë e preferuar “xhamadani vija-vija”.

Ekskursioni u realizua sipas  agjendës së grupit për kulturë, duke filluar  që nga  lojërat për fëmijë e deri te surprizat e shumta, që i bënin nxënësit e lumtur dhe të buzëqeshur. Përpos lojërave, nxënësit filluan shkëmbimin e bisedave mes tyre, diku të buzëqeshur, diku në lojëra e vrap së bashku. Por më në fund në një lendinë të parkut u shtrua sofra me përgatitjen e ushqimit tradicional shqiptare nga nënat e nxënësve dhe mësimdhënëset. Duke filluar nga flija, pitja, djathi, byreku, ëmbëlsirat e etj.,  gjë që kjo i bashkoi nxënësit, mësimdhënësit dhe kryesin e LAPSh-it rreth sofrës së madhe të improvizuar. Pas mbarimit të drekës nuk mungoi as kafja në xhezve, biseda e mësimdhënëseve, hedhja e valles nga nxënësit, kënga që i dhanë një shkëlqim parkut, por ajo që i bëri më të kënaqur nxënësit ishin lojëra të ndryshme, që në kthim për në shtëpi të gjithë nxënësit e shprehnin me admirim këtë ekskursion.

Për mbarëvajtjen e ekskursionit u përkujdes grupi për kulturë, mësimdhënësit dhe kryesia e LAPSH-it, po ashtu kontribuuan: „Besa Foundation“ dhe „Sozialreferat München“ për mbështetjen financiare. Kompania e autobusëve „Polluzha Tours“, Xhamia e Nürnberg-ut, Firma „Tafa“ për pijet dhe ushqimin dhe prindërit që i shoqëruan fëmijët për gjatë tërë ditës.

Ekskursioni përfundoi me kënaqësinë, buzëqeshjen e nxënësve dhe me thirrjen e shokëve të tyre,  që t’ju bashkohen për ta vijuar shkollën shqipe!

Një imazh që përmban transport, portokall, trap, disa

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Filed Under: Emigracion Tagged With: Mustafe Krasniqi

PËRSQATJE SOCIOLOGJIKE MBI MONOGRAFINË “INTEGRIME HARMONIKE TË PAKICËS MAQEDONASE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

May 31, 2022 by s p

Shkruar nga Dr. Maria Dojçe

Udhëhequr dhe korrektuar nga Prof. dr. Zyhdi Dervishi

Populli shqiptar ka një traditë të vyer në bashkëjetesën, në komunikimet dhe bashkëpunimet e shumanshme me minoritarët. Shqiptarët janë ndoshta të vetmit në botë që, jo vetëm nuk e kanë diskriminuar dhe nuk i diskriminojnë minoritarët, por i mirëtrajtojnë më shumë se njëri-tjetrin. Nëse i referohemi kodeve kanunore të shqiptarëve ka norma kulturore shumë të rëndësishme, të cilat i detyronin shqiptarët të trajtonin në mënyrën më miqësore të mundshme individin, familjen, fisin joshqiptar që përkohësisht ose përgjithnjë banonte në një zonë të caktuar. Në paragrafin 1907 te “Kanuni i Skanderbegut” thuhet: “Si çdo shtëpi e katundit edhe shtëpia e ardhur risht i ka të gjithë të drejtat e përgjithta në katund e bajrak, për sa i përket kohës që gjendet aty”. Opinioni i shoqërisë tradicionale shqiptare e përçmonte më shumë një anëtar të fisit, një banor të mëhershëm të krahinës, i cili nuk ndihmonte me bujari të skajshme të ardhurit, dhe aq më tepër, nëse në një formë ose tjetër, sado të parëndësishme, keqtrajtonte ata që përbënin një pakicë fare të vogël dhe sidomos nëse pakica të tilla janë me përkatësi tjetër racore, etnike, fetare etj. Ndër shqiptarët e shoqërisë tradicionale kanë qenë mjaft të përhapura mendësitë se “është paburrni e shëmtuar të mos ndihmosh fiset me pak burra”, se “është paburrni koritëse nëse shpërfill anëtarët e një familje jabanxhije se “është shëmti për burrat nëse shpërfillin njerëzit në gjendje të vështirë” etj.

Në Republikën e Shqipërisë pas vitit 1990, në procesin e demokratizimit të shoqërisë u ristrukturuan marrëdhëniet dhe perceptimet e ndërsjella ndërmjet popullsisë shqiptare në shumicë dhe pakicave etnike ose kulturore. Ndryshime të tilla kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të fushave të ndryshme si historianë, etnografë, antropologë, sociologë etj. Studimi i realizuar nga znj. Maria Dojçe mbi dinamikën e marrëdhënieve shumëplanëshe, sidomos i atyre kulturore ndërmjet popullsisë shqiptare në shumicë dhe minoritetit etnik maqedonas në Qarkun e Korçës, është i pari në profilin sociologjik i realizuar në përmasat e gjera e të thelluara të një punimi monografik. Orientimi drejt kësaj problematike me rëndësi teorike e praktike për të tanishmen dhe të ardhmen përbën përparësinë e parë të këtij studimi sociologjik.

Ky studim i vështirë në shumë rrafshe atë teorik, strukturor dhe konceptual të përpunuara nga sociologët më në zë, të traditës dhe bashkëkohës, si R. Williams, P. Bordiu, T. Parsons etj. mbi marrëdhëniet ndërmjet popullsisë në shumicë dhe minoriteteve etnike dhe kulturore, mbart “mekanizmat” e difuzimit kulturor të ndërsjellë në linjat e marrëdhënieve të tilla. Gjithashtu në këtë studim janë studiuar me vëmendje edhe fondet e literaturës shqiptare, ndonëse jo të pasura dhe të profiluara kryesisht në rrafsh etnografik e historik për minoritetet etnike që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Materiali jetësor që shqyrtohet e analizohet në këtë punim monografik është qëmtuar duke përdorur me profesionalizëm disa metoda të kërkimeve sociologjike si intervistat sociologjike të llojeve të ndryshme dhe bisedat e lira me anëtarë të minoritetit maqedonas dhe shqiptarë, me studiues e shkrimtarë të këtyre etnive, banorë të Qarkut të Korçës, që kanë pasur më shumë komunikime dhe bashkëpunime të ndërsjella në rrafsh ekonomik, politik, arsimor, kulturor etj. Në këtë rrafsh është arritur të interpretohet me profesionalizëm, në mënyrë të integruar të dhënat e grumbulluara me metoda të ndryshme konkrete të studimeve sociologjike dhe me të dhënat e ofruara nga studime të tjera, të realizuara më parë, madje duke i paraqitur ato në mënyrë kritike dhe krahasimore.

Marrëdhëniet komplekse ndërmjet popullsisë shqiptare në shumicë dhe minoritarëve maqedonas në Qarkun e Korçës janë shqyrtuar në disa nivele dhe në disa rrafshe si në atë ekonomik, politik, arsimor dhe sidomos kulturor. Marrëdhënie të tilla janë testuar si shkallë integrimi të minoritarëve maqedonas në shoqërinë shqiptare. Janë interpretuar në rrafsh krahasimor reagimet e shqiptarëve dhe të maqedonasve ndaj 16 vlerave kulturore kryesore të tilla si toleranca, korrektësia, ndershmëria, bujaria, vullnetarizmi, respekti i ndërsjellë, prakticizmi, shpirti konkurrues, optimizmi, mbajtja e fjalës së dhënë, humanizmi, vlerësimi i arsimit, sinqeriteti, të qenët racional etj.

Në vijim të kësaj monografie argumentohet se shqiptarët dhe minoritarët maqedonas kanë reagime të përafërta ndaj vlerave kulturore kryesore, çka përbën një bazë të qëndrueshme për të sfumuar psikozat etnocentrike të ndërsjella dhe për integrim të natyrshëm, pa sforcime të minoritetit maqedonas në shoqërinë shqiptare. Në këtë punim monografik citohet disa herë shkrimtari i shquar Sterjo Spasse, i cili ka gjak maqedonas, por i përket letërsisë shqiptare. Ai ka shkruar një korpus veprash letrare për shoqërinë shqiptare, njëlloj sikur të ishte shkrimtar shqiptar. Ai ka qenë shumë i nderuar në komunitetin e artistëve shqiptarë që gjatë gjysmës së dytë të viteve 1930 deri në ditët tona.

Në sfond të gjerë dhe me detaje të profileve të ndryshme ky studim zhbën paragjykime të shumëllojshme për shqiptarët dhe maqedonasit dhe argumenton idenë se shqiptarët tradicionalisht dhe aktualisht nuk i kanë keqtrajtuar minoritarët, përkundrazi, i kanë trajtuar si shqiptarët, madje më mirë se shqiptarët. Diskriminime të tilla pozitive janë më të dukshme në rrafshin ekonomik, arsimor dhe politik. Pavarësisht nga forma e regjimit politik, struktura përkatëse të shtetit shqiptar kanë favorizuar në forma të ndryshme përmirësimin e gjendjes ekonomike të minoritarëve maqedonas, mirarsimin e tyre në të gjithë nivelet e shkollimit. Pothuajse gjithnjë shkalla e përfaqësimit të minoritarëve maqedonas në strukturat politike të Qarkut të Korçës ka qenë më e lartë se pesha specifike që zënë ata në strukturën e popullsisë së këtij qarku. Në këtë punim monografik argumentohet në mënyrë të detajuar ideja se diskriminimet pozitive të minoritarëve maqedonas kanë krijuar një sfond favorizues për difuzimin e ndërsjellë të kulturës së tij në kulturën shqiptare dhe anasjelltas.

Filed Under: Interviste Tagged With: MARIA DOJCE

Presidentja  e Kosovës:  NATO-n e shohim si një garanci për siguri e paqe

May 31, 2022 by s p

-Presidentja Osmani në Samitin për Demokraci të Evropës Juglindore me temë “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi: NATO-n e shohim si një garanci për siguri e paqe të qëndrueshme në rajon dhe përtej/

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Prandaj, sipas Presidentes Osmani, BE-ja duhet të jetë e qartë, azhure dhe e guximshme.
“Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci  sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, ka potencuar Presidentja Osmani.


Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se vlerat e BE-së janë të mishëruara në ADN-në e shoqërisë kosovare dhe se “rruga e integrimit evropian shërben si udhërrëfyes për zhvillimin tonë institucional dhe qeverisjen e përditshme”.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se zvarritja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të krijojë terren të përshtatshëm në mënyrë që aktorët malinj ta rrisin ndikimin e tyre në rajon.


“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.


Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani lufta e para dy dekadave në Kosovë i ka bërë kosovarët ta kuptojnë më së miri luftën që po zhvillohet sot në Ukrainë.


“Kosova menjëherë dhe në tërësi i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet demokratike. Gjithashtu kemi hapur dyert për refugjatët dhe gazetarët, mu sikurse shumë nga ju bëtë për popullin tim në fund të viteve të 90-ta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë dhe të japim edhe më shumë po që se është nevoja”, tha Presidentja Osmani.


“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka përmbyllur fjalimin e saj, Presidentja Osmani.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëkryeministrja, njëherësh ministrre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Vjosa Osmani

PAPRITMAS DHE PARA KOHE, NDËRROI JETË PRESIDENTI BUJAR NISHANI LAMTUMIRË NGA AMERIKA E LARGËT!

May 31, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Mjerisht, kohët e fundit po na bjen shpesh herë që të marrim ose të japim lajme kalimi në amshim të miqëve, kolegëve, dashamirësve ose personaliteteve me të cilët, në udhëtimet e kësaj jete, kemi pasur rastin, nderin dhe privilegjin të njiheshim ose të takoheshim. Lajmi i fundit për një vdekje të papritur, ishte njoftimi i hidhur se ish-Ptresidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka ndërruar jetë.  Ndonëse ishim në dijeni të disa problemeve të tij shëndetsore, prap se prap, nuk mendojshim se Bujar Nishani do ndahej kaq shpejt nga kjo botë, përgjithmonë.  Me kalimin e tij në amshim, ai la në mjerim bashkshorten e tij dhe dy fëmijtë, familjen dhe farefisin më të gjerë, por edhe familjen e tij të madhe politike, Partinë Demokratike të cilës i përkiste, pa përjashtuar, natyrisht, edhe partitë e tjera dhe personalitetet politike shqiptare, si rrjedhim i të qenët president i Republikës për 5 vjetë dhe falë pjesëmarrjes së tij në arenën politike të 30-viteve të fundit, të tranzicionit post-komunist në Shqipëri.

Me shkuarjen e tij të papritur në amshim, përveç familjes së ngushtë dhe miqëve të shumtë në Shqipëri, Presidenti Bujar Nishani varfëroi edhe shumë miqë e dashamirë edhe në diasporë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në mbarë diasporën shqiptare të përhapur, anë e mbanë botës.  Lajmi i zi për vdekjen e tij që u përhap si rrufe, na pikëlloi të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara që e kishim njohur dhe që e donim dhe e çmonim President Nisahnin për qëndrimet e tia, sidomos për respektin që kishte për diasporën shqiptare në Amerikë, pa dallim, por sidomos për diasporën e vjetër të para vitit 1990, e cila, me aq sa ka dijtur e sa ka patur mundësi, ka luftuar për dekada për një Shqipëri, vërtetë të lirë e demokratike.  I ndjeri Nishani, takimet me diasporën shqiptaro-amerikane i kishte bërë traditë kurdoherë që vinte në Shtetet e Bashkuara.  Presidenti Nishani nderon një numër shqiptaro-amerikanësh (zeriamerikes.com).  E respektuam gjithashtu për qëndrimet e tija ndaj krimeve të komunizmit dhe për deklaratat e tija, të herë-pas-hershme — si asnjë tjetër politikan shqiptar deri më sot — për nevojën e doemosdoshme të Shqipërisë për t’u ballafaquar me krimet e komunizmit—megjithëse si individ i vetëm nuk mund të bënte shumë për këtë çeshtje pasi detyra e presidentit e kufizonte.

Mbi të gjitha, e kujtojmë sot Presidentin Nishani për nderimin dhe respektin që ka treguar gjatë viteve – sidomos kur ishte në detyrën e Presidentit — për të gjithë ata individë, shqiptaro-amerikanë, por sidomos për respektin ndaj një numër personalitetesh të politikës dhe diplomacisë amerikane. Me fjalë dhe me vepra, Presidenti Nishani ka njohur kontributin dhe rolin e tyre në promovimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike midis Kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlen të kujtojmë dekorimin e ish-Senatorit të ndjerë amerikan, Robert (Bob) Dole, me çmimin më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahësin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.”

Ia vlen të kujtojmë në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – rëndësinë që Bujar Nishani u kushtonte këtyre marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe respektin që ai kishte për diplomatët amerikanë — si Ambasadori Christopher Hill – që ka shërbyer në Shqipëri në fillim të 1990-ave. Presidenti Nishani, në mirënjohje të thellë për punën e Ambasadorit Hill i ka dorëzuar atij, Dekoratën, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-ta, si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Më në fund, por jo me më pak rëndësi, unë dhe shumë malësorë në trojet tona dhe në diasporë, nuk harrojmë respektin që Presidenti Nishani — kur ishte në detyrë dhe më vonë — ka treguar ndaj trojeve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze – sidomos nderimin dhe respektin që ai ka treguar ndaj Malësisë së Madhe dhe sakrificave të atyre trojeve: “Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani për qëndresën historike të malësorëve ndaj pushtuesve shekullorë turko-sllav. 

Për këto dhe shumë merita të tjera, kujtojmë sot jetëshkurtin ish-Presidentin e ndjerë, Bujar Nishanin, me zemër thellësisht të prekur nga rreziku i pashoq që preku familjen dhe farefisin Nishani. Largimi i parakohëshëm nga kjo jetë e Presidentit Bujar Nishani, ka lënë një zbrastësi të pazëvëndsueshme në gjirin e familjes së tij të ngusht e fisnike, farefisisn e tij pore dhe në bashkësinë shqiptare në pëergjithësi, përfshir diasporën shqiptaro-amerikane, pranë të cilës ai gjëndej shpesh.  I prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe — miqësisht i paraqes familjes së ngusht të Bujar Nishanit, farefisit brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe të gjithë miqëve dhe dashamirësve të tij kudo – përdhimtimet e mia më të sinqerta, duke iu lutur Perëndisë që t’ju japë forcë e durim në këtë moment të vështirë të humbjes së njeriut më të dashur për ju.   Ngushëllimet e mia më të sinqerta,

Frank Shkreli 

Presidenti Nishani me ish-Senatorin e ndjerë dhe mikun e madh të shqiptarëve, Robert (Bob) Dole — Washington Maj, 2017 —  Frank Shkreli/ Një nderim i merituar: Presidenti Nishani dekoron ish-senatorin Bob Dole | Gazeta Telegraf

A person shaking another person's hand

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga VOA – Presidenti Nishani me Ambasadorin Christopher Hill — Tiranë, Tetor, 2016

foto-dekorata-frank-shkreli-presidenti-nishani

              Autori me Presidentin Nishani, New York City, Shtator, 2016

        A picture containing text, person, outdoor

Description automatically generated“Malësia e Madhe ndoshta përbën shembullin më të gjallë, më jetësor dhe më domethënës të rrugëtimit historik përmes sakrificave, rezistencës dhe përmes ruajtjes së identitetit për gjithë Kombin shqiptar”, ka thënë me një rast Presidenti Nishani. Në foto Presidenti Nishani me lahutarin e njohur shqiptaro-amerikan, Vasel Shkrelin, në Malësi të Madhe 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT