• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Kryetari i Vatrës u prit në takim nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta

May 27, 2022 by s p

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha, miku i madh i kombit shqiptar, z.Christopher Hyland dhe ekipi i tyre u pritën në takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta. Në faqen e tij në FB, kreu i shtetit shpërndau këtë shënim: “🇦🇱🤝🇺🇸 Kënaqësi të takoja sot Kryetarin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, z.Elmi Berisha dhe mikun e madh të kombit shqiptar, z.Christopher Hyland, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Clinton.Mirënjohjen më të thellë vatranëve, diasporës dhe miqve të sinqertë të shqiptarëve në SHBA për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, për kontributin shumë të vyer të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e palodhur në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane” shkruan Presidenti Meta.

Filed Under: Featured

Strategjia Kombëtare – 2035: “Vizion, Vullnet dhe Përgjegjësi e Lartë Shtetërore”

May 27, 2022 by s p

Gjeneral ® Piro AHMETAJ/

Me definicion: “Strategjia eshte shkenca dhe arti i parashikimit, vlerësimit dhe balancimit të rreziqeve dhe oportuniteteve, për zhvillimin e integruar të 4 shtyllave të fuqisë kombëtare si dhe përmbushjen e objektivave strategjike të vendit”. Pothuajse çdo vend ka një dokument të SSK (Franca Librin e Bardhë) e cila harmonizon ‘objektivat, mënyrat dhe mjetet’ për garantimin e sovranitetit territorial si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. E thënë edhe më qartë, pas Kushtetutës, SSK është dokument thelbësor i përgjegjshmërisë shtetërore ndaj vendit.Dokumenti i fundit i SSK të RSh është miratuar në 2014. Rishikimi perodik i saj mbetet jo vetëm parim bazë, që “imponohet” nga dinamika e ambjentit te sigurisë, nevoja e peshimit te kërcënimeve dhe oportuiniteteve strategjike por edhe e përcaktuar në ligjin përkatës: “SSK rishikohet jo më vonë se 3 vite nga data e miratimit të saj ! Rishikimi ciklik i SSK mbetet domosdoshmëri për të përditësuar sistemin, konsoliduar instrumentet dhe modernizuar kapacitetet e sigurisë kombëtare, për të reflektuar ndryshimet e konceptit strategjik si dhe përmbushur detyrimet në kuadër të NATO dhe UN.Në ditët e sotme, rishikimi i SSK imponohet si “emergjencë” pas riciklimit të rreziqeve tradicionale (rasti i sulmit barbar të Rusisë ndaj Ukrainës) dhe para së gjithash për të përditësuar një standart të ri të demokracisë dhe sigurisë së qytetarëve në raport me lirinë. Dokumenti i ri i SSK po formulohet nga një grup pune i ngritur nga Kryeministri, i cili drejtohet nga Zv/MPJ dhe ka si anëtarë zv/ministra, dhe zyrtarë të sigurisë nga të gjitha institucione/Agjensitë. Besoj të gjithë e dimë, nuk duhet dhe nuk mundet të bëhet kështu një dokument nga më themelorët të seriozitetit të shtetit. Në kapacitetin e eksperiencës ne reformat e Sigurise Kombetare, Rajonale dhe NATO-s, dhe si kontributor teknik në formulimin e SSK 2004 dhe 2014, po paraqes gjetje, parime si dhe 12 domosdoshmeri/këshilla kritike që shpresoj të konsiderohen ne procesin e hartimit dhe miratimit të SSK 2035: 1. Vullnet, atmosferë, përpjekje dhe masa gjithëpërfshirëse jo vetëm në rrafshin e vendimarrjes politike, por në të gjitha hallkat dhe fazat e përgatitjes së draftit. E thënë më qartë, grupi i punës nuk do duhet të përbëhet dhe as drejtohet nga thjesht “burokratë të emëruar”, por nga strategjistë/personalitete te mirënjohur, shtetarë të përgjegjshëm, patriot të ditur si dhe me eksperiencë te spikatur në fushën e mendimit strategjik.2. Gjithëpërfshirjë dhe konsensus sa më i gjerë mbeten jetike për SSK. Në 30 vjet e kemi mësuar se një strategji pa konsensus dhe e prodhuar në frymë konfliktuale, mbetet një dokument i padobishëm pra një dokument inventar, që dublikon “pa kurrfarë lidhje” programin e qeverisë. Gjithesesi unë vijoj të besoj se është plotësisht e mundur që për çështje të vendimarjeve strategjike të arrihet konsensus i gjere.Thënë këtë, nuk e kam fjalën vetëm për numrat në sallën e Kuvendit, por përgjatë gjithë procesit të përgatitjes së produktit/draftit të Strategjisë që i paraqitet për miratim Kuvendit. Nga ana tjetër, në shumicën dërrmuese të ekperiencave objektivat strategjike tejkalojnë mandatin e një qeverie. Pra është potencialisht e mundshme që objektivat e SSK të vijojnë të përmbushen nga një maxhorancë ose koalicioni tjetër. Është po ashtu fakt se në 3 dekada të përpjekjeve për ndërtimin e modelit shumë-partiak, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithë-pranuara që duhet te “gjunjëzohet” klasa politike shqiptare për qëndrime të përbashkëta për sa përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, anëtarësimi ne NATO, BE, etj. Kjo qasje do të demonstronte pjekuri dhe përgjegjshmëri të klasës politike dhe po ashtu do kishte qenë një mesazh i fortë pozitiv për aleatet strategjik, SHBA, NATO, BE etj.3. Vizion strategjik, për te peshuar dhe balancuar skenarët e kërcënimeve të mundshme me potencialet e zhvillimit ekonomik si dhe projektuar Shqipërinë moderne përtej 2035. Prandaj në draftimin e SSK 2035, duhet angazhuar personalitete me ekspertizë të spikatur në fushen e politikes, ekonomisë, diplomacisë, inteligjencës, informacionit, mbrojtjes, gjenerale, emergjencave civile, policisë shtetit, akademia e shkencave, etj. 4. Konsultim me aktorët e shoqërisë civile, qëndrat e studimeve strategjike, akademikë të mirënjohur dhe grupet e interesit është jo vetëm një “kërkesë në modë”, por para së gjithash një detyrim dhe provë e përgjegjshmërisë shtetërore, për të ndërtuar ura komunikimi ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë dokumentit frymën e kohezionit kombëtar. Vendet perëndimore, për zhvillimin e dokumenteve strategjikë angazhojnë personalitete dhe institucione civile të specializuara. P.sh NATO, për konceptin Strategjik angazhon “grup të urtësh” dhe ekspertë me peshë strategjike dhe jo grupe pune nga “burokracia/zyrtarë të emeruar”! 5. Kohezionit mbarëkombëtar që konsideron lirinë, bashkëjetesën fetare dhe pronat, për të mbjelle harmoni me sfidat dhe oportunitetet që afron mjedisi mbarëkombëtar, rajonal, Mesdhe dhe ai Global. Nuk po them se do pyetet “çdo delinkuent i gjithëditur as puthadorët e shefit të radhës”. Organizimi i konferencave shkencore apo debateve publike për strategjinë, duke hapur edhe website të posaçëm, si ndodh në vendet e tjera, ku çdo qytetar i interesuar shpreh opinionet e veta. Konsideron dhe konsultohet me vendet, Kolegjin e NATO-s Romë, “Qendrën Marshall”, per të nxjerrë një produkt që ka “certifikatën” e institucioneve elitare ne fushen e mendimit strategjik. E parë nga sa sipërpërmendur: çdo strategjie burokratike, qe do i mungonte gjithëpërfshirja, konsensusi dhe konsultimi “do mbetej në klasë si dokument inventar” dhe do ti shkonte shprehja Amerikane “breathing new life into dead reckoning”, ose e përkthyer, “të konsiderohet i/e vdekur pa e lindur ende” !? 6. Peshon rreziqet konvencionale dhe dinamikën mjedisit të sigurisë. Ukraina na tregoi qartë, se jetojmë në një realitet, ku krahas riciklimit te rreziqeve konvencionale ndaj integritetit territorial, kërcënimet po sofistikohen nëpërmjet përdorimit të formave të reja si referendumeve të mbështetura nga jashtë, rreziqet kibernetike, fondamentalizmit fetar, destabilitetit financiar, krimit të organizuar, qeverisjet e dështuara, etj. 7. Anetarësimi në BE, mbetet të rikonfirmohet si një aspiratë, mision, opsion i vetëm dhe projekt që i bashkon mbarëshqiptaret, rreth vlerave perëndimore, të drejtën e jetës, fjalës së lirë, besimit në fe, pronës dhe tregut te lirë. E thënë nga “Profesor Sami Repishti, një mendje me kthjelltësi Atërore”, integrimi në bashkësine Euro-atlantike dhe vlerave demokratike (BE/27 vende me 450 milion banorë) është shprehje e aspiratës dhe «Fat i bardhë i së ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës”! E ri-vendosur kështu ne dokumentin e SSK – 2035, ky përcaktim strategjik mbetet detyrim kombëtar i panegociushem për aktoret dhe pushtetarët e pertej 15 viteve që vijnë !8. Angazhimet në operacionet e mbështetjes së popullsisë civile në raste të emergjencave natyrore, industriale dhe njerëzore është e mirë përcaktuar ne kushtetutën dhe paketën ligjore të RSh. Ndërsa mbetet te përmirësohen mekanizmat e kontrollin civil demokratik te strukturave/agjensive te SK pa lenë hapësira të përdorimit te pakontrolluar, të devijimit nga misioni kushtetues, si dhe për me keq për te shmangur shpërdorimit nga klientet e politikë të burimeve te mbrojtjes kombëtare.9. Objektivat të shoqërohen me një Plan/matricë veprimi me aktivitete, masa, pergjegjesi shtetërore të matshme dhe burimet financiare adekuate. Prandaj ndër gjetjet thelbesore mbetet konfirmimi i konceptit DIME (Diplomacy – Intelligence – Military -Economy). SSK-2035 do duhet te të projektoje ngritjen e nje mekanizmi (p.sh Agjensi e Sigurise Kombetare), e cila do të shërbejë për t’u siguruar në kohë reale, Ekzekutivit/Autoriteteve shtetërore, peshën e kërcënimeve, si dhe do të luajë një rol thelbësor në formulimin e dokumentave të Sigurisë Kombëtare (SSK, SU, PAZH), përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve nderinstitucionale, që i bashkëngjitet SSK !10. Kohezion te pakushtezuar, permbushje e detyrimeve dhe permiresimi i kredibilitetit te RSh ne NATO. Shqiptaret e kane tejkaluar perceptimin e NATO-s si «robot alienësh qe garanton falas paprekshmërimë teritoriale të 30 vendeve anëtare! Nderkohë që Aleanca ndan barren si dhe balancon përballjen me kercënimet dhe interesat e perbashketa. Thene kete, si shembull, RSh duhet te ri-Konfirmojë në Samitin e radhes se do të mbajë premtimin e rritjes se Buxhet të Mbrojtjes në 2% të GDP deri në vitin 2024. 11. Të presë dhe reflektojë gjetjet e Konceptit te Ri te NATOs që do të miratohet në Samitin e radhës (28-30 Qershor 2022). Sami që për herë të parë mbas 73 vjetësh (1949), do të adresojë Aleancën në raport me “sulmin banditesk të Rusisë kundër sovranitetit teritorial të Ukraines”, si dhe duke shkelmuar paqen dhe sprovuar jo vetem rendin global por edhe solidaritetin, fuqinë ushtarake interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike ( USA & NATO & BE)12. Në shtesë, do t’i riKëshilloja publikisht dhe vllazërisht aktorët politik dhe faktorët institucional në Tiranë (dhe Prishtinë,) që për interesa jetike kombëtare, “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore, duke projektuar dhe zyrtarizuar nje qasje te drejte, te forte dhe historike në SSK-2035: “Dy shtete sovrane një komb i vetëm” mbështetur mbi konceptin “Smart/mënçur” mbi sovranitetin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare. E ritheksoj se kjo “qasje e forte por e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë funksionale për paqen afatgjate të rajonit. 13. E thënë më qartë, në SSK-2035 (më tej edhe ne Kushtetutë) do duhet të përcaktohet se: “çdo sulm kundër sovranitetit territorial ne Republikën e Shqipërisë, konsiderohet e njëjtë edhe për Republikën e Kosovës dhe anasjelltas” ! Për të tejkaluar nje “kujdes të tepruar diplomatik”, sjellim shembullin e vendeve skandinave (Norvegji, Suedi, Finlandë); atyre Balltike (Lituani, Letoni, Estoni) dhe të Vishegradit ; qasjen zyrtare te Turqisë dhe Greqisë në raport me Qipron ; rastin e marreveshjes USA me Islandën (1951), etj. Në mënyrë të përmbledhur, SSK-235, kërkon domosdoshmërisht: “vizion afatgjatë dhe ekspertizë elitare; vullnet dhe konsensus politik të cilësuar; gjithëpërfshirje dhe konsultim të gjerë; kohezion mbarëkombetar; kurajo dhe përgjegjshmëri të lartë shteterore”.Thënë sa më lartë, ripërsëris detyrimin për të kontribuar me ekspertizë, përulësi dhe përgjegjshmēri shtesë në modernizimin e sistemi te Sigurise dhe zhvillimin e interesave mbarëKombëtare.*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,Senior Expert për SK, Rajonin & NATO-n;Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh;Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike Tagged With: Piro Ahmetaj

Dalip Greca dhe Misteri i Federatës Vatra

May 27, 2022 by s p

Nga Dritan Mishto

Ish Kryetar i Federatës Vatra 2017-2020

Ikja e Dalipit ishte e papritur dhe e beftë, si ato shpërthimet e tij kur nuk duronte ndonjë padrejtësi apo vendim të marrë nxitimthi. Por, Dalipi gjithmonë qetësohej dhe pas dallgës së shpërthimit duhet të kishe durimin të duroje valët e parreshtura të argumenteve të tij.

Dalip ishte i mirë. Kjo është një fjali e thënë thjesht, por nuk mund të gjesh në gjuhën tonë ndonjë vendosje fjalësh që të mund të përmbledhë aq shkurt cilësinë më të lartë të njeriut: Të qënurit i mirë.

Dalipi është i vecanti mes editorëve të Diellit, të cilët kanë bërë shumë në raport me kohën kur punuan. E themeluan Diellin, e vunë në majën e shpatës së kritikës në momente dhe epoka të rëndësishme të kombi tonë. Por, Dalipit tonë i ra në pjesë të ishte Editor i Ringjalljes, procesit më mistik që mund të hasë historia. Dalipi filloi Editor i një gazete, që ishte e mbyllur dhe që numrin e fundit nuk dihej kur e kish nxjerrë, ashtu si ai plaku i lagjes që del më të rrallë në gurin e portës, e që nuk dihet jeton a ka vdekur. Dalip Greca doli në rrugën e madhe të gazetarisë shqiptare dhe e ktheu sërish Diellin në shkëlqimin e tij, në një botë gazetareske ku ka shumë diej të rremë.

Dalipi ishte përparimtar, epitet ky që këto ditë, kur shqipja jonë për të cilën janë vrarë e prerë sa e sa gjuhëdashës, është mbushur plot me fjalë të huaja e moderne, mund të duket si një fjalë e pagjetur. Por, në fakt është e vështirë të jesh përparimtar dhe të tregohesh i tillë në momente kyce të historisë së jetës tënde. Dalipi, me një forcë të thellë karakteri e tregoi këtë cilësi, jo vetëm në hapjen e gazetës ndaj cilitdo apo forumeve të debatit, por edhe në vetë ngjarjet e Federatës Vatra, ku spikat përgatitja nga ana e tij e frymës për ndryshim dhe reforma të thella, që pasuan Kuvendin Historik të Federatës VATRA të vitit 2017, e ku të gjithë së bashku me anëtarët e simpatizantët e ngritëm Vatrën tonë në një nivel më të lartë, e ku të mëpasmit po e ngrejnë edhe më. 

Dalip ishte i fortë dhe na provoi se për të qenë i fortë nuk duhen muskujt, mustaqe, mjekra, xhamadan apo qeleshe. Duhet Fjala. Dalipi ishte njeri i fjalës së dhënë dhe të mbajtur, i bindjes dhe tërheqjes kur e shihte se argumenti tjetër qëndronte. Dalipin e kishe në krah kurdoherë që mbështetja e tij të duhej.  

Festimi i 110 vjetorit të Diellit më 2019 ishte një ngjarje e madhe, që u festua si e tillë falë Dalipit dhe nuk kaloi e mbyllur në muret e një salle, si ajo e dekadës së shkuar, por ushtoi në Kongresin Amerikan dhe në mbarë botën gazetareske shqiptare.  Ishte dita e Dalipit, dita e të gjithë editorëve ndër dekada, të cilët Dalipi i donte e vlerësonte pandarazi.

Kam bashkëpunuar prej afro pesëmbëdhjetë vjetësh, e së fundi si dy ish drejtues, unë i Federatës Vatra e Dalipi i Gazetës Dielli. E si ecën punët, sillnim gjithmonë ndërmend shprehjen, që u kthye në postulat jashtë vullnetit tonë: Është më e vështirë të jesh “ish” kryetar i Federatës Vatra dhe “ish” Editor i Diellit se sa të jesh Kryetar e Editor. Sepse duhet ruajtur dinjiteti i drejtuesit, për të cilin dinjitet sikur të mos kujdesesh përditë, e sheh tek të shket këmbëve pakthimurazi.

Gjithnjë në biseda mes miqsh shtrojmë pyetjen: Cfarë misteri ka Vatra, që vazhdon të jetojë dhe as ka ndërmend të shuhet? E ju mund të pyesni cfarë e lidh këtë mister me Dalipin tonë të dashur? Ai ishte njeriu i vetëm që kishte informacionin më të plotë për historinë e Federatës Vatra që nga themelimi e deri më sot. Kishte skeda, shënime, skema të detajuara për pothuaj cdo gjë. Dukej sikur zotëronte këtë sekret. Dalipi po punonte për botimin e një libri historik mbi jetën e punën e Editorëve të Diellit, të ndërthurur me periudhat e drejtimit të Vatrës nga kryetarët e saj. Do të ishtë një libër jo vetëm interesant, por i pashoq, që do të hidhte dritë edhe mbi Misterin e ekzistencës së Federatës Vatra. Fatkeqësisht, Dalipi iku  duke marrë me vehte edhe këtë mister. Duket si një provë që ky mister nuk do të dalë kurrë, ashtu sic Vatra e Dielli nuk do të shuhen kurrë.

I përjetshëm kujtimi i mikut tonë Dalip Greca!

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, dritan Mishto

Pika e Ujit

May 26, 2022 by s p

Nga Naum Prifti/

Ishte një vajzë e vogël që kishte një emër të çuditshëm dhe ndryshe nga gjithë emrat e tjerë. Ajo quhej Pika e Ujit sepse ishte vërtet e bukur si një pikë uji që shkëlqen në rrezet e diellit. Të gjithë ata që e shikonin thoshin se Pika e Ujit kur të rritej do të bëhej artiste, aq mirë dinte të kërcente. Ajo vetë nuk e dinte se ç’do të bëhej kur të rritej, po tani për tani i pëlqente të mësonte këngë të reja, të dëgjonte përralla dhe të shëtiste.

Pika e Ujit shtëpinë e kishte në malin e Tomorrit, në një shpellë të madhe, ku drita e diellit mezi hynte nga çatia prej shkëmbi. Ajo kishte dëgjuar se në botë ka qytete të mëdha dhe ura të larta. Kishte dëgjuar se ka një vend të madh plot me ujë të kripur, të cilit i thonë ‘det’. Por ajo vetë s’i kishte parë dhe bënte ç’bënte i thoshte mamasë:

-Eja të dalim shëtitje dhe ta shikojmë atë detin me ujë të kripur!

Po mamaja gjithmonë kishte punë qe s’mbaroheshin kurrë dhe e shtynte shëtitjen nga java në javë.

-Mos ki merak, kur të rritesh do ta shikosh detin.

-Unë dua ta shikoj tashti.

-Epo tashti je e vogël. Më mirë shko fli që të rritesh.

Dhe Pika e Ujit shkonte menjëherë të flinte sepse donte të rritej sa më parë.

Një ditë prej ditësh, atëherë dinte të numëronte deri në njëqind dhe njihte shkronjat, ajo i kërkoi leje mamasë të dilte të shëtiste.

-Ku do vesh? – e pyeti mamaja.

-Deri te burimi në mal. Mirë?

-Mirë, – i tha mamaja, – vetëm mos u vono!

-Jo, nuk do të vonohem. Sa ta shikoj burimin dhe do të kthehem prapë këtu.
Kështu pika e Ujit doli nga shtëpia në drejtimin që të çonte te burimi i malit. Kur arriti te burimi, ajo vuri re se aty çdo gjë shkëlqente dhe çdo send i ri i tërhiqte vëmendjen dhe zgjonte kureshtjen edhe më shumë. Aq shumë feksnin gurët, zaret madje edhe fijet e barit aty sa që Pika e Ujjit mbyllte sytë që të mos ia vriste drita e diellit.

Me ngadalë hapte një sy, pastaj edhe tjetrin. Dhe duke ngritur kokën lart drejt qiellit e kuptoi se një rruzull i ndritshëm lëshonte dritë mbi të gjitha sendet në tokë. Ajo pa pemët e larta, shkëmbinjtë e mëdhenj, gjithfarësoj lulesh ngjyra-ngjyra dhe nga gëzimi s’u përmbajt dot por thirri:

-Sa bukur qenka këtu! Sa më pëlqen të shikoj edhe ca gjera të tjera… Vallë ç’do të ketë pas këtij burimi?

Pika e Ujit pa zogjtë që fluturonin dhe tha me vete: “Sikur të mësoj edhe unë të fluturoj!” Kur një trumcak përplasi krahët kaq pranë burimit sa puplat e tij e çikën Pikën e Ujit mu në faqe, asaj ju duk se mund ta kapte por ai sakaq u fsheh në pyll.

-Atje duhet të ketë edhe shumë zogj të tjerë sepse cicërimat e tyre dëgjohen gjer këtu, – mendoi ajo.

Pika së Ujit aty për aty thuri një këngë që filloi ta këndonte me ngadalë nën zë e druajtur se mos e dëgjonte dikush:

“Zog i bukur,

Krahëshkruar

A më merr me vete mua?

Tok me ty

Të fluturoj

Shqipërinë

ta shikoj!

Merrmë e shpjermë

Gjer te retë!…

Ajo do të kish kënduar edhe më gjatë sikur të mos e kish tërhequr një flutur aty pari me krahët me cikla të kuqe dhe anët të zeza nga e cila Pika e Ujit u mahnit.

Duke ndjekur fluturën që ndalonte te një lule pastaj te një tjetër ajo mendoi se flutura i kishte ato shoqe prandaj po i kalonte me radhë, kurse Pikën e Ujit as që e njihte fare.

-Eja të bëhemi shoqe! A të pëlqen të më kesh shoqe mua?

-Mirë, – i tha flutura, – veç kij mendjen mos më lagësh krahët me ujë, se pastaj nuk fluturoj dot.

-Po si fluturon ti? A më mëson edhe mua të fluturoj që të shëtisim së bashku.

-Në qoftë dëshrion të fluturosh, përpiq krahët, ja kështu si unë, – i tha flutura  dhe duke thënë kështu, filloi të vallëzonte në ajër.

Pika e Ujit s’kishte krahë prandaj s’kishte si t’i përpiqte. Ajo lëvizi duart gjersa i dhembën, po nuk qe e mundur të fluturonte. Ndërkohë flutura ishte prapa bregut dhe sado që Pika e Ujit u mundua ta ndiqte nuk arriti dot.

“Po mirë, – tha Pika e Ujit me vete, – unë do të pyes dikë tjetër që të më mësojë si të fluturoj”.

Ktheu kokën të shihte rreth e qark.

Vallë ç’kishte pas atyre pemëve të larta? Po pas këtij bregu çfarë mund të  shikoje? Ku ishte ai vendi me ujë shumë të cilit i thoshin det?

Ajo filloi të zbriste tatëpjetë përroit duke u mbajtur pas fijeve të barit e pas fletëve të luleve. Në ajër ndjeu dritherime të lehta nga një dallëndyshe me bishtin si gërshërë. Ajo i kishte dëgjuar përshkrimet e mamasë për zogjtë dhe natyrën por tani i shikonte për herë të parë.

-Dallëndyshe, – i tha Pika e Ujit, – a më mëson edhe mua si të fluturoj? Flutura që takova pak më parë më tha “përpiq krahët dhe do të fluturosh”.

-Ti nuk ke krahë prandaj nuk mund të fluturosh. Më mirë mëso të vozitësh me varkë. A ke hipur ndonjëherë në varkë? – e pyeti dallëndyshja.

-Asnjëherë.

-Atëherë do të të sjell unë një varkë, – i tha dallëndyshja dhe sakaq i humbi nga sytë.

Pas pak ajo i solli me sqepin e saj një lëvozhgë arre. Në vend të lopatave dallëndyshja i dha dy fije kallamishte. Varka përkundej në ujë por Pika e Ujit s’kishte hiç frikë. Me anë të lopatave kallamishte Pika e Ujit voziste në një vijë uji përmes një lugine të gjelbër. Prej andej shihej mali i Tomorrit dhe përrenjtë që shkisnin faqeve të tij.

“Andej kam zbritur unë, – mendoi Pika e Ujit duke parë atë me admirim. Atje janë shtëpia ime e bukur dhe mamaja. Pastaj menjëherë u kujtua. Ua! Po unë i premtova mamasë se do të kthehem shpejt në shtëpi… Kushedi sa vonë është bërë tashti!”

Pika e Ujit deshi të kthente varkën e të merrte rrugën e shtëpisë, po ishe e pamundur, sepse guaska e arrës nuk mund të voziste kundër rrymës. Rryma ishte shumë e shpejtë dhe Pika e Ujit e kuptoi se nuk mund të kthehej në drejtimin e kundërt. Ujërat shkisnin gjithmonë tatëpjetë dhe çdo çast e largonte edhe më shumë nga shtëpia. Pika e Ujit u tremb dhe duke vënë gishtin në gojë zuri të mendohej.

“Po sikur të mos e gjej rrugën e shtëpisë dhe të humbas këtej?…” Ajo u hidhërua shumë dhe gati zuri të qante. Por mamaja e kishte porositur se fëmijët që dinë emrin dhe mbiemrin e tyre nuk humbasin. Dhe atëherë ajo tha me zë të lartë që të dëgjohej sa më larg:

-Unë jam Pika e Ujit!

Vijës së ujit tani i qenë shtuar edhe vija të tjera dhe bregu mezi dukej ndërsa mali kishte mbetur prapa. Mbase ky do të ishte lumi i madh sepse shtrati kishte shumë ujë dhe brigjet shiheshin me vështirësi.

Pika e Ujit shikoi e habitur një urë prej guri që shkonte nga një breg i lumit te tjetri dhe vërejti lagjet e një qyteti të vjetër, me shtëpitë të ngritura në faqe të kodrës ndërsa një grup me fëmijë me grykëse të bardha këndonin me zë të lartë për një vend me emrin Berat. Pika e Ujit i përshëndeti dhe donte t’i pyeste më shumë për Beratin, po ata s’e kishin mendjen dhe s’e vunë re.

Anës rrugës, përgjatë lumin ku po voziste Pika e Ujit kalonin automjete. Në njërin prej tyre dukej një tabelë e madhe ku shkruhej me shkronja të mëdha Fusha e Myzeqesë. Atje tej boçet e pambukut ngjanin nga larg si flutura të bardha. Më tutje në një trase mbi lumë, grupe të rinjsh flisnin me pasion për një urë prej hekuri, dhe ajo dëgjonte fjalë të shkëputura, si: tren, Rrogozhinë-Fier. Ndonëse nuk arrinte t’i kuptonte të gjitha, ishte mbushur me një ndjesi të veçantë.

-Sa i bukur qenka vendi ynë! – tha Pika e Ujit me zë të lartë.

Në lumë zhabat llafazane bënin zhurmë dhe disa peshq sykuq e shikonin me çudi guaskën e arrës që lundronte drejt detit.

Pika e Ujit s’mbante mend sa kishte udhëtuar, po ishte kaq e lodhur sa e zuri gjumi. Të nesërmen në mëngjes erdhi një gaforre budallaqe që nisi ta shikojë varkën me lakmi dhe për të parë se mos kishte brenda dicka për të ngrënë, u zgjat dhe e kapi në anë.

-Ngadalë, ngadalë, – i thërriti Pika e Ujit, – se do të më rrëzosh!

Po gaforrja s’dëgjoi dhe e përmbysi varkën. Pika e Ujit ra brenda në det dhe ndoshta do të ishte vrarë po të mos e kish pritur një peshk në kurriz.

-A ke qejf të shëtisësh? – e pyeti peshku.

-Hip mbi kurrizin tim dhe unë do të të shpie ku të kesh qejf.

-Me shpjerë në shtëpi, – e luti Pika e Ujit.

-Ku e ke shtëpinë ti?

-Shtëpinë e kam në mal.

-Oh, më fal, – i tha peshku, – po unë s’di të eci në mal, bile as në tokë. Ç’është e drejta unë nuk mund të ec vetëm notoj. A nuk e shikon, unë s’kam as këmbë!

-Ku jemi këtu? – e pyeti Pika e Ujit.

-Këtu jemi në det. E ndjen shijen e ujit të kripur?

Oh, pse kështu qenka deti! – tha me habi Pika e Ujit. – Qenka vërtet i bukur. Po më pëlqen shumë, po i kam dhënë  fjalën mamasë se do të kthehem shpejt në shtëpi.

-Eja të të shëtis pak – i tha peshku, se po më dukesh vajzë e pastër dhe e zgjuar. Veç të lutem mos m’i vër këmbët këtu te verzat, se s’marr dot frymë.

Pika e Ujit e dëgjoi dhe u kap pas pendës se kurrizit. Peshku i tregoi plot gjëra të çuditshme: peshkun çekan dhe peshkun shpatë, ca korale që dukeshin si bimë, kalin e detit, një fokë me mustaqe si të maçokut dhe një breshkë uji me samar. Të gjitha këto Pikës së Ujit i pëlqyen shumë, po megjithatë, mendjen e kishte te shtëpia, prandaj e pyeti sërish peshkun:

-Po rrugën e shtëpisë sime e di ti?

-Unë s’e di, – i tha peshku, – por për këtë është më mirë të pyesësh diellin që ndriçon mbi det edhe mbi tokë. Tashti kur të jemi në sipërfaqe ti mund ta pyesësh vetë.

Deti ish i qetë dhe i butë dhe atje ku binin rrezet e diellit uji vezullonte. Pika e Ujit, kur pa se deti ishte tamam si  një pasqyrë e madhe e lëmuar, tha me mend se këtu ishte vendi më i mirë për të vallëzuar sa të kishte qejf.

Ajo vuri duart në mes, u ngrit në majë të gishtave dhe filloi të shkiste mbi atë syprinë uji si një mrekulli e vërtetë. Ndërsa vallëzonte, fustani i hapej si në çadër me ngjyra ylberi dhe gjallesat e detit filluan ta sodisnin me kërshëri vallen e balerinës së vogël.

Pika e Ujit vallëzoi sa filluan t’i merreshin mendtë, pastaj zgjati duart drejt Diellit dhe i tha:

-Diell, o Diell! Unë dua të vallëzoj me ty, merrmë atje lart se do të pyes edhe diçka.

Dielli i mirë zgjati rrezet e tij si duar të ngrohta dhe e ngriti Pikën e Ujit lart. Ajo ndjeu se tani ish bërë fare e lehtë. Dhe sa më lart ngjitej aq më avullore teksa pluskonte në qiellin pa fund.

Ku ishe ajo flutura që i pat thënë të përpiqte krahët po të donte të fluturonte? Ja tani, Pika e Ujit pa përpjekur as krahët, as duart po fluturonte mbi detin pa anë. Sakaq ju kujtua burimi dhe prej burimit mendja i vajti te shtëpia. Pika e Ujit u ndal e menduar.

-Pse po rri e menduar? – e pyeti Dielli i mirë.

-Më ka marrë malli për mamanë dhe për shtëpinë, – i tha Pika e Ujit. – A e dini ju shtëpinë time?

-Po si jo, – iu përgjegj Dielli. – Unë rri lart mbi tokë e mbi det dhe i shikoj të gjitha.

Dielli thërriti Renë e Bardhë si pambuk dhe i tha ta merrte Pikën e Ujit dhe ta shpinte në shtëpinë e saj në mal. Reja u nis fluturimthi nga deti drejt malit.

-Sa lart që jemi! – tha Pika e Ujit. – Ne po fluturojmë më lart se zogjtë dhe se fluturat, por kam pak frikë sesi do të zbres.

-Mos ki merak, – i tha Reja e Bardhë, – ti bjerë e fli se je e lodhur. Nesër në mëngjes ne do të arrijmë tek mali i Tomorrit.

Kur Reja e Bardhë e zbriti Pikën e Ujit, ajo as që e ndjeu uljen në tokë se Reja e vendosi mbi një gjethe dhe nga gjethja u lëshua ngadalë si një parashutë.

-Po tani si ta gjej shtëpinë time? – pyeti veten ajo.

Pika e Ujit filloi të zbriste nëpër një të çarë shkëmbi me shpresë se do ta gjente rrugicëzën për në shtëpinë e saj. Pa e ditur mirë sa rrugëkishte bërë ajo u ndodh ballë për ballë portës së shtëpisë. Rendi me vrap në oborr dhe pastaj çeli derën.

-Mami, mami! – i tha ajo duke e përqafuar, – sa më ka marrë malli për ty!

-Edhe mua, bijë e dashur, – i tha mamaja.

-Mos u vonova shumë? Ta dish sa gjëra të bukura që kam parë!

Ajo filloi t’i tregonte për rrugëtimin e saj.

– Ishte me të vërtetë udhëtim shumë i bukur. A do më lejosh të shkoj përsëri?

– Tani që mësove rrugën do të lejoj gjithnjë, – i tha mamaja. Po tani fli se u bë vonë.

Pika e Ujit mbështeti kokën në prehërin e mamasë dhe nga që ishte e lodhur e zuri gjumi menjëherë. Po kur të çlodhej ajo dëshironte të nisej përsëri në udhëtimin e mrekullueshëm që nuk mund të ketë emër tjetër përvecse “Rrugëtimi i Pikës së Ujit”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS

May 26, 2022 by s p

Një patriote dhe profesioniste e shkëlqyer Dr. Elisabet Peraj iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u shpreh shumë e gëzuar që i bashkohet profesionistëve e patriotëve të tjerë në Vatër dhe shprehu gatishmërinë që të ndihmojë Vatrën në të gjitha proceset dhe organizimet patriotike në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Dr. Elisabet Peraj punon si mjeke në spitalin St Barnabas Hospital në Bronx New York. Ajo u befasua me historinë e jashtëzakonshme të Federatës Vatra dhe të gazetës Dielli. Në bashkëbisedim me Editorin, Dr. Elisabet Peraj u mrekullua nga kontributi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës në 110 vite histori për kombin, kulturën e shtetin shqiptar. Dr. Elisabet Peraj vjen nga Vermoshi, ka lindur në Amerikë dhe vjen nga një familje e arratisur nga regjimi komunist në Shqipëri. Ajo është pjesë shumë aktive në rininë e Kishës Zoja e Shkodrës, e Shoqatës së Mjekëve Shqiptaro-Amerikanë dhe ndihmon komunitetin shqiptar, mjekët e rinj dhe studentët në fushën e mjeksisë. Vatra i uron mirëseardhjen dhe e falenderon për mbështetjen edhe me mjekë e profesionistë patriotë që falë Dr.Elisabet do të vijnë ti bashkohen Federatës Vatra. Shqiptarët patriotë e profesionistë janë krenari kombëtare. Vatra rritet çdo ditë, shqiptarizma forcohet çdo ditë.

Filed Under: Analiza Tagged With: elisabet peraj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT