• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Nju Jorku, “Vatra”, dhe paraardhësit e mi

May 25, 2022 by s p

PhD Can. Haris Vongli/

Kjo është vizita ime e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbërrita në tokën amerikane me një kuriozitet fëmije, me nostalgji dhe emocione që s’mund të shpjegohen me pak fjalë. “Mirë se erdhët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës“ – më tha oficeri kufitar pasi vulosi pashaportën time. Udhëtimi nga Londra në Nju Jork zgjati mbi shtatë orë. Nga shumë lart, nga ku gjithnjë ndiej pasiguri të shoh gjatë, hidhja sytë herë pas here mbi oqean. Mu duk i pafund oqeani, sikur ëndrrat, sfidat, historitë e cilido që ka marrë rrugët drejt Amerikës, për t’ia nisur nga zero, për ta kthyer një tokë të huaj në çati, në shtëpi.Ende sot e kësaj dite, ime më vesh palltot që gjyshi i saj, stërgjyshi im Misto Ligor Gjoshe, i kishte sjellë nga Filadelfia, para 60 vjetësh. E ndiej prezencën e tij në ajër, trashëgiminë e tij në vlera e mall, shumë mall për familjen e tij, të cilën nuk pati mundësi ta vizitonte për mbi 25 vjetë. Kolonja asokohe kish burra të mëdhenj në kurbet. E tërë Shqipëria, e plotë apo e copëzuar. Kushdo ka rrënjë në këtë vend, sikurse unë, e ndien se çfarë pushteti ka mbi njeriun ajri i Amerikës ku kanë jetuar ëndrrën amerikane paraardhësit e tu.Kam gjakun tim kudo nëpër Amerikë, edhe se shumë prej tyre nuk i kam takuar kurrë. Kushërinjtë e babait tim janë njerëz të shquar dhe kjo më bën të përmend emrat e tyre sa modestisht aq edhe me krenari – Goerge Tenet, ish drejtuesi i CIA-s dhe John Vonglis, zyrtar i niveleve të larta, pranë qeverisë amerikane. Vizitën timë të parë e mbajta pranë ambienteve të Vatrës, Federatës Panshqiptare në Bronks, Nju York. Aty në ambientet e saj dhe të gazetës “Dielli“ mu duk sikur dëgjoja hapat e rëndë dhe debatet pasionante të Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Floqit, Paskal Aleksit, etj. Madje mu bë sikur dëgjova Mid‘hat Frashërin tek u drejtohej shqiptarëve me një ton të fort zëri, me urtësi duke i‘u imponuar, me forcën intelektuale të një burri shteti: “Shqiptarë!! Hapni Sytë! Shkoi shtrëngata e ligësisë, tani po fryn veriu i urtësisë, i vëllazërisë dhe i dashurisë! Mblidhuni, mblidhuni, nën krahët e arta të Lirisë dhe thërrisni të gjithë: Rroftë urtësia, rroftë bashkimi, rroftë vëllazëria”!! (Mid’Hat Frashëri Gazeta Iliria , 11 Korrik 1908). Fotografitë e tyre e bënin edhe më të lehtë për mua përfytyrimin e takimeve të para një shekulli. Ato ishin takime që vendosnin pikat mbi i, ishin takime në formë e përmbajtje të pakrahasueshme me sot, takime ku çështja shqipëtare ishte buka e përditshme për Nolin, Konicën e shumë personalitete të tjera. Të mendosh se Federata Panshqiptare Vatra në vitet 1912 – 1915 i ngjante një qeverie në mërgim. Çështja shqiptare vlonte thuajse në çdo vatër, jo vetëm në Federatë. “Më 1913 Federata Vatra, me udhëhqës si Noli dhe Konica, me anën e gazetës Dielli, mitingjeve të fuqishme, momerandumeve dhe telegrameve të shumta, protestoi me vendosmëri, kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilat përgjysmonin territoret e Shqipërisë.“ (Gazeta Dielli)Dhuratën e parë që mora pranë Vatrës ishte një spilë me simbolin e Gazetës “Dielli“. Nuk ndieva ndonjë emocion naiv. Ishte e thjeshtë, u ndieva si në shtëpi. Mora edhe disa kartvizita të nderuara. Shqiptarët e Amerikës, me të cilët bisedova, i njihnin kushurinjtë e babait tim, ndoshta do më çojnë tek ata. Ndoshta do shkoj edhe ne Filadelfia, ku në Hotelin e stërgjyshit kalonte shpesh kohë Çarli Çaplin. Sa do doja të ktheja kohën pas, të jetoja pranë tyre ato kohë që sot stërmundohem t‘i shoh me sytë e mendjes.

Filed Under: Opinion

Feliks Haxhija, shqiptari i suksesshëm në fushën e zbulimit, detektivi më i kërkuar në Dallas, pronar i një agjencie survejimi

May 24, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj/

Shqiptarët, larg viseve të tokës amë, në çdo skaj të botës, njihen si njerëz punëtorë, arsimdashës dhe të suksesshëm. Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë diplomuar në shkollat më të mira jashtë vendit, duke shkëlqyer në profesione e tyre dhe mbajnë poste të rëndësishme në vendet ku jetojnë. Komuniteti shqiptar shkëlqen si drita e diellit, duke ndriçuar jo vetëm veten, por duke lartësuar edhe kombin shqiptar. Një ndër ata shqiptarë, që na bën të ndihemi krenarë, është Feliks Haxhiaj, i cili është mjaft i suksesshëm në fushën e zbulimit. Ai është vlerësuar me shumë çmime si detektivi më i kërkuar në Dallas. Feliks Haxhija jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej moshës 16 vjeçare, pasi fitoi lotarinë amerikane. Ai jeton tashmë prej 22 vitesh në Amerikë. Kreu studimet atje në fushën e Kriminalistikës; përfundoi Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Më pas filloi punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapi agjensinë e tij “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapi Feliks Investigations Group LLC në 4 shtete. Puna, profesionalizmi, suksesi i çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, na nderon si komb dhe na shtyn akoma më shumë për t’i dhënë prestigj emrit Shqipëri.-Përshëndetje Feliks! Ju tashmë jeni identifikuar si detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe na vjen mirë të dëgjojmë kur shqiptarët shkëlqejnë në profesionet e tyre edhe jashtë vendit, duke u vlerësuar gjithashtu si njerëz punëtorë dhe të suksesshëm. Të ftoj të bësh një prezantim të shkurtër për veten, për të gjithë ata që ende nuk ju njohin. Unë, së bashku me familjen, kemi emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22 vjet më parë. Pasi fituam llotarinë amerikane, ka qenë dhe mbetet ëndrra e çdo shqiptari, emigruam drejt “tokës së premtuar” për një jetë më të mirë. Pasi përfundova gjimnazin, vazhdova studimet në fushën e Kriminalistikës; përfundova Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Me përfundimin e studimeve dhe marrjen e diplomës, fillova punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapa agjensinë time “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapa Feliks Investigations Group LLC, në 4 shtete. -Sa vite keni që ushtroni profesionin si detektiv dhe çfarë ju ka tërhequr t’i përkushtoheni fushës së zbulimit?Unë kam më shumë se 10 vjet që ushtroj këtë profesion. Zbulimi është një punë që e bëj me shumë pasion, më jep emocion, dhe e bëj me shumë përgjegjësi, duke u ardhur në ndihmë çdokujt që ka nevojë për një detektiv privat. Unë jam gjithmonë i gatshëm të ofroj ndihmën time, të jap maksimumin tim si një profesionist, me devotshmëri, punë dhe pasion. Dua të them se këtë punë e kam në gen, pasi edhe babai im ka punuar në polici në Shqiperi. Pasi bëra një kurs në Shkollën e Mesme për policinë, aty më lindi pasioni menjëherë për fushën e zbulimit. -Jeni detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe për këtë jeni vlerësuar me shumë çmime. Cila është puna rutinë e një detektivi privat? Unë jam detektivi më i mirë në Neë Hampshire, edhe në zonën e Massachusets. Tashmë jam edhe një nga 5 më të mirët në Tampa, Florida. Unë kam punuar në shumë me agjensitë më të mëdha në Amerikë, dhe, gjatë punës kam mësuar shumë gjëra të reja, që më kanë bërë më profesional në punë time dhe të suksesshëm. Puna rutinë e një detektivi është çdo ditë survejim. Unë përgatitem një natë më përpara se çfarë do të bë, ndërsa në orën 6 të mëngjesit filloj survejimin. -Çfarë ju bën juve kaq shumë të kërkuar nga njerëzit si detektiv? Janë shtuar rastet që kanë nevojë për zbulim, apo është edhe profesionalizmi juaj që sjell rezultate?Uë kam prodhuar rezultatet më të mira për klientët. Nëse do të bëni një kërkim në NH dhe MA, unë dal i pari me 5 stars revieës. Njerëzit, zakonisht marrin në telefon detectivët me revieës më të mira ose janë të referuar nga avokatë. Sigurisht, pasioni për punën, dedikimi, profesionalizmi, më bën mua më të kërkuar si detektiv, dhe si rrjedhojë do sjellë edhe rezutate të mira. -A janë të mirëpaguar detektivët?Unë jam i kënaqur, është mjaftueshëm. Për çdo rast është minimumi 16 orë survejim. -Sa ua jep mundësinë Amerika individëve për t’u bërë të suksesshëm, apo është puna dhe këmbëngulja që të çon drejt rrugës së suksesit? Për të arritur suksesin dhe rezultate të mira, hapi i parë është shkollimi, pasi gati çdo shtet kërkon Bachelors degree in Criminal Justice për këtë fushë, edhe 4 vjet eksperiencë. Kjo fushë është shumë e vështirë, duhet edhe pak talent dhe aftësi, pasi 50% e njerëzve dështojnë. Shpesh herë ndodh që nuk munden të rrinë ulur në makinë për 10 orë në ditë, dhe kanë shumë frikë të ndjekin njerëzit, pasi mund të konfrontohen. -Cilat janë rastet më tipike që ju ndiqni? Shumica e rasteve që ndjek unë janë ëorkers compensation, infidelity, and child custody. Pra, për punëtorët që kërkojnë kompensim nga pronari, për incidente gjatë punës ose arsye të tjera, rastet e tradhtisë dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, kur jetojnë me një prind. -A ka raste kur ju nuk e merrni përsipër një çështje, dhe pse?Po, në qoftë se shikoj që një rast nuk ka shumë informacion, fakte apo të dhëna, apo është ongoing investigation nga policia, nuk e marr përsipër pasi nuk më lejohet. -Sa e vështirë është puna në terren e një detektivi, dhe a mund të veçoni një rast kur u është dashur shumë mund për të arritur rezultatin?Është një punë e vështirë që kërkon sakrificë dhe shumë mund. Pothuajse çdo ditë mund të konfliktohesh me njerëzit; afrohen edhe të pyesin pse ndodhesh aty dhe çfarë pune bën. Shpesh herë nuk ua hap dritaren e makinës njerëzve që vinë e pyesin se çfarë po pres apo çfarë po bëj këtu, dhe kjo bën që ata të sjellin edhe policinë. Pra duhet durim, forcë brenda vetes dhe të mundohesh të shmangesh konfliktet me njerëzit, që përballesh gjatë zonave të survejimit. -Një nga çështjet më interesante që njerëzit presin të dëgjojnë, është tema e tradhtisë. Sa për qind të rasteve mbulojnë këto çështje?Gati 50% të rasteve janë raste të tradhtisë. Një nga rastet më të çuditshme ka qenë kur kam zbuluar një person nga Tampa FL në South Carolina, që shkonte me kunatën, gruan e vëllait. Vëllai i kishte vdekur, dhe kishte edhe fëmijë me kunatën. Takova detektiven tjetër, e ndoqëm për një orë. Kaluam Florida-n, hymë në Georgia dhe për tre orë të tjera vetëm po ecte. Nuk e dinim se ku do të përfundonim. Pasi kemi ngrënë darkë, thashë që duhet të kontrollojmë dhe njëherë sepse dukej e çuditshme pasi personi kishte ngarë shumë. E kapëm duke u puthur me një vajzë tjetër. Ishte errësirë, targetin nuk e shihja dot. I bëmë një background dhe doli që ishte kunata. Gruaja e vëllait që kishte vdekur para disa vitesh. Kur e mori vesh gruaja u habit pasi tha se kur i vdiq vëllai u afrua shumë me të por mendonte se e bënte për ta ndihmuar. Ka qenë një ndër rastet më të çmendura.-Cila është ëndrra juaj më e madhe që doni të realizoni sa i takon gjithmonë fushës suaj për të cilën jeni diplomuar?Pothuajse ëndrrën më të madhe e kam arritur! Tani kam një mundësi të takoj Dog The Bounty Hunter, me të cilin do të bëjmë disa bashkëpunime.-Cila është qasja që kanë amerikanët për të punësuar një detektiv?Amerikanët e kanë në kulturën e tyre të kërkojnë ndihmë te një detektiv privat. Për çdo problem që ata kanë, na telefonojnë dhe ne u ofrojmë ndihmën tonë si profesionistë. -Shoqëria amerikane e ka qasjen shumë të afërt dhe të pranuar ndaj një detektivi, siç edhe ju e thatë. Është shoqëria amerikane më e korruptuar, e pandershme, apo është bërë pjesë e kulturës së tyre për të mbledhur fakte me ndihmën e një detektivi, për të shkuar drejt një hapi më të sigurt?Unë mendoj se të gjithë mund të kemi nevojë për ndihmën e një detektivi, sipas rasteve, por amerikanët janë më të gatshëm për të telefonuar dhe për të kërkuar ndihmën tonë. Ata kanë shumë besim te ne, pasi edhe çdo rast mbetet kofidencial. -A kanë nevojë shqiptarët për një detektiv privat apo i zgjidhin vetë çështjet e zbulimit?Shqiptarët nuk janë shumë të gatshëm për të kërkuar një detektiv, ndoshta nuk na është bërë ende pjesë e kulturës. Unë jam i gatshëm të ofroj ndihmën time ndaj çdo qytetari, por kjo do të varet edhe nga rasti. -A do të donit që profesionin e detektivit ta trashëgonit te fëmijët tuaj?Jo! Unë kam 3 vajza, nuk do të doja t’ua trashëgoja këtë profesion, pasi është punë e lodhshme dhe e rrezikshme. -Sa të suksesshme janë detektivet femra në krahasim me meshkujt?Unë mendoj se femrat nuk janë shumë të afta për ta realizuar këtë punë, pasi kjo ka të bëjë edhe me natyrën e brishtë të tyre. Gjithashtu, survejimi të merr shumë kohë gjatë ditës, dhe femrave do t’u duhet të qëndrojnë shumë kohë jashtë shtëpisë, duke lënë pas dore gjëra të tjera akoma më të rëndësishme, siç është përkujdesi ndaj fëmijëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj

Mark Gjonaj sjellë Gjergj Kastriot Skënderbeun në kalë në Bronx të Nju Jork-ut

May 24, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Qindra shqiptare me flamuj kuq e zi dhe amerikanë, me veshjet kombëtare, me plisa dhe qylaf të bardhë në kokë vërshuan në lagjen “Arthur Avenue” e “Rescent Avenue” Bronx, një zonë e populluar nga shqiptarë.

Ishte ftesa e dërguar nga zyra e z.Mark Gjonaj që iu kishte bërë gjithë shqiptarëve për të marrë pjesë në këtë ditë të madhe kombëtare, emërimin e një rruge me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.  Z.Mark Gjonaj është dishepull i Fan Nolit dhe Rilindas i kohëve moderne duke treguar me punë kolosale dhe tejet dinjitoze dashurinë dhe përkushtimin për Kombin shqiptar dhe Amerikën.  Premtimi i tij u bë realitet dhe sot e gëzuam me duartrokitje dhe lot gëzimi emërimin e kësaj rruge duke na bërë të ndihemi shumë krenarë si shiqptarë. 

Vlen të përmendet puna e përkushtuar e ekipit të tij tejet mbështetës si dhe e zonjës Vera Mjeku që punuan fort për të realizuar këto projekte madhështore.   

Ja i shikoja kalorësit dhe ndjeja rrahje të forta të zemrës, në mendje më vinin vargjet e Atit të poezisë Naim Frashërit i cili i ka kënduar Kryeheroit si: 

Krujë, o qytet i bekuar,

prite, prite Skënderbenë!

Po vjen si pëllumb i shkruar,

të shpëtojë Mëmëdhenë.

Ja vjen një ditë pas plot 6 shekujsh dhe Skënderbeu vjen hipur në kalë në Bronx, në Amerikë të përshëndes Mark Gjonaj dhe gjithë shqiptarët që ishin mbledhur sot aty për ta mirëpritur dhe për t’ju thënë qëndroni të bashkuar.  Jini bashkë gjithmonë u tha Gjin-ave shqiptarë, sepse kështu edhe pa mua do të fitoni.  

Programin e ka hapur humanisti i nderuar z.Aleks Nilaj nga shoqata Shqiptaro Amerikane “Duart e hapura”.

Hymnet Kombëtare Amerikane dhe Shqiptare u interpretuan nga mjeshtrja e madhe Merita Halili shoqëruar nga Maestro Raif Hyseni.  

Aktivitetin e moderoi me kulturë dhe profesionalizëm z.Ardhmir Dula një djalë me perspektivë dhe plot të ardhme.

Me shumë duartrokitje janë mirëpritur grupi “Shqiponja” nga Arbëreshët e Italisë, të cilët e kanë ruajtur më shumë se pesë shekuj Gjuhën Shqipe.  Midis të tjerash ata sollën këngën 600 vjecare: “Moj e bukura More” që këndohet si:  Si të lash e më ngë të pash/ Si të lash, si të lash/ siç të gjeta ngë të lash/ Atje kam unë zotin At/ atje kam unë zonjën Mëmë/ atje kam dhe tim vëlla/ gjithë mbuluar/ nën dhe/ Ah e bukura More!

Një performancë të shkëlqyer solli artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu e cila ishte e ftuar enkas për këtë aktivitet. 

Është e pamundur të flasësh për morinë e personaliteteve më të larta që morën pjesë në këtë ditë kombëtare shqiptare ata ishin të shumtë dhe folën plot respekt dhe dashuri për shqiptarët që kanë një vend të veçantë në zemrën e amerikanëve.  

Nderoi me pjesëmarrjen e tij udhëheqës i shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Chuck Shumer, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut z. Eric Adams, 

z.Erion Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës i cili përshëndeti plot krenari këtë aktivitet tejet të rëndësishëm.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut z.Adams tha: “Ne jemi në shtëpinë më të madhe të komunitetit shqiptar në Amerikë. Shqiptarët janë pronarë biznesesh të vogla, punëtorë të vijës së parë dhe familje punëtore që e bëjnë qytetin tonë të gjallë. Është një nder të bashkohem sot me ju për të nderuar Heroin Kombëtar Shqiptar si Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Letra përshëndetje erdhën nga Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama letër të cilën e lexoi z.Ferid Hoxha Ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.  Letrën përshëndetëse nga Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti e lexoi Konsulli i Kosovës në Manhattan z.Lulzim Krasniqi.

Në këtë ceremoni të inagurimit morën pjesë kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” z.Elmi Berisha,  biznesmenë të suksesshëm dhe aktivistë të shquar z.Harry Bajraktari me bashkeshorten fisnike znj.Lisa Milicaj, z.Richard Lukaj, z.Sal Rusi etj, si dhe një numër shoqatash nga gjithë New Yorku dhe më gjerë. 

Program i pasur artistik

Në këtë program të pasur debutuan me plot dashuri Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, përgatitur nga mësueset e dashura Tafaj, Krasniqi, Shiqerukaj, Hasanaj etj, dhe koordinatorëve Xhaferri dhe Gjocaj.  Debutuan gjithashtu Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Grupi i valltarëve “Rozafati” nga Angjelina Nika,  Merita Halili dhe Raif Hyseni Mjeshtër i Madh, Denis Delia, Agron Maqellara, Barbara Dini, Arben Krasniqi, Shoqëritë Ana e Malit, Kraja, Ulqini valle grup, Shoqata “Rugova”, nxënësit e shkollës “Children of the Eagle”, Qendra Rinore Shqiptare në Greenwich etj. Arbërie Hetemi dhe Ernest Muhaxhiri, grupi i valleve Nora e Kelmendit, Bukurije Funici, Xhemi Nokshiqi Muzai, Kristina Marku, Bashkim Vushaj,, Fran Vulaj, Besim Murriqi, Faikije Zogaj, Lisa Bujaj etj…

Fëmijët u argëtuan me lodra të ndryshme sjellë dhe organizuar perfekt për këtë ditë të rëndësishme kombëtare.

Heroi Kombëtar na mblodhi të gjithëve bashkë ashtu siç e la në porosinë e fundit të tij: QËNDRONI BASHKË SE BASHKIMI BËN FUQINË.

15 Maj, 2022

Pranë rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo

Kosova para 30 viteve-24 Maj 1992: Zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Ibrahim Rugova  President Republike

May 24, 2022 by s p

 -Po para 30 viteve, raportimet që bëja  për zgjedhjet e para pluraliste të 24 Majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën në intervistën e parë ekskluzive Presidenti historik Ibrahim Rugova fliste për pavarësinë e edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës,  për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën/

 -Fjala e plotë e Presidentit Rugova para 20 viteve në 4 Mars 2002, i rizgjedhur nga Kuvendi i zgjedhjeve të para parlamentare të Kosovës së lirë: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 24 Maj  2022/ – Kosova para  30 viteve, në 24 Maj 1992, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.

Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 30 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot – në Ditën e Presidentit, bashkë me ekipin e saj ka bërë homazhe te Shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë.

“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, ka theksuar Presidentja në kujtim të kësaj dite.

Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani pasdite zhvillon një vizitë në familjen e Presidentit historik  të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova.

 Në 23 Maj 1992 – një ditë para votimit në zgjedhje, gazeta kosovare e rezistencës  “Bujku” në ballinë me mbititullin “Programi i Dr. Ibrahim Rugovës, kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës” dhe kryetitullin “Kosova – Shtet i Lirë dhe i Pavarur” shkruante:

“Në konferencën e djeshme për shtyp të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i vetmi kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës, në pika të shkurtëra, paraqiti para gazetarëve programin e vet si kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës.

Si kryetar i Republikës së Kosovës, tha dr. Ibrahim Rugova, do të përpiqem ta zbatoj programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive politike shqiptare në Kosovë, do të përpiqem të zbatoj edhe programin e të gjitha partive të tjera politike në Kosovë si dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që Kosova të jetë republikë e pavarur e neutrale dhe që të vendosim institucionet demokratike dhe pushtetin demokratik në Kosovë, punë kjo që do të shkojë në të mirë të shumicës shqiptare, të serbëve, të myslimanëve dhe të turqve dhe që Kosova të jetë shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë.

Këto zgjedhje, tha Rugova, i çmoj edhe si një hap para në politikën dhe rezistencën tonë paqësore për të realizuar të drejtat tona demokratike.”

Kryetitull tjetër i gazetës në ballinë ishte “Përgatitjet për zgjedhje u kryen me sukses”, ku në raportimin nga konferenca për shtyp e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Kosovës theksohej: “Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të votojnë nëpër vendvotimet e tyre nesër, prej orës shtatë deri në orën 19. – Janë përgatitur mbi 900 mijë fletëvotime për deputetë dhe po aq për kryetar të Republikës së Kosovës në tri gjuhë. – Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë si dhe përcjellin delegacione të shumta nga bota, si dhe gazetarë të shumtë të redaksive dhe agjencive botërore”.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

 “Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në vitin 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se zgjedhjet e 24 Majit 1992 janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë. 
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke. 
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme. 
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind. 
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament. 
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez. 
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës. 
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konfiskoi një pjesë të materialit zgjedhor. 
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës. 
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota. 
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve. 
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 Majit 1992 në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se,  gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë. 
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.

Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën. 
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para 30 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare  që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në Kosovë. 

Raportimet nga Kosova për ATSH-në nisën pas një thirrje nga Tirana, para 30  viteve, në mëngjesin e hershëm të një dite historike.

Mëngjesin e 24 Majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin në Kosovë.

Një telefonatë e hershme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në Lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga kolegë të mi gazetarë në Tiranë, ku isha në 1 Maj dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.

Një Maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 Mars 1996.

Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë Maji do jetë i hapur kufiri për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku bashkë me gazetarin e Rilindjes Bedri Sadiku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…

Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës sime në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.

U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po  kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.

“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”

Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…

Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i Rilindjes, në Tiranë – në telexin e Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë – ATSH…

Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH  edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan më shumë se çerek shekulli – nëpër vitet e para luftës e të luftës, të lirisë e të pavarësisë së Kosovës,  në më shumë se gjysmën e këtyre viteve pa pagë – vullnetarisht…

Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para 23 vitesh, në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 Tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, me Kryeministër Hashim Thaçin, më dha zyrë në Prishtinë me kërkesën që bëra si korrespondent  i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.

“Në bazë të kërkesës së korrespondentit të ATSH-së, zotit Behlul Jashari, të datës 1.10.1999 lëshojmë këtë:

LEJE PUNE

I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së Zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti mu dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën.

Në kohën e luftës në Kosovë, atëherë drejtori i përgjithshm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare – ATSH, Frrok Çupi,  në intervistë për Gazetën Flaka të Shkupit të datës 4-5 Korrik 1998-ditë e shtunë dhe e diel, lidhur me informimin e korrespondentin nga Kosova me vlerësimet më të larta deklaronte mes tjerash:

“Që në momentin kur filluan ngjarjet më dramatike në Kosovë ATSH-ja ka ngritur një redaksi me katër ose pesë veta në Veri, në Tropojë, të cilët informojnë çdo ditë me një buletin të veçantë.

Ndërkohë ne kemi korrespondentin tonë të instaluar në Prishtinë, i cili edhe në sytë e gazetarëve botërorë është shfaqur si një gazetar i saktë dhe me tërë parametrat e gazetarisë.

Kjo është njëra punë që bëjmë për të informuar opinionin. E dyta është se, kemi arritur të kthehemi në një qendër të shtypit botëror që vjen nga bota në Shqipëri. Pjesa më e madhe e gazetarëve të botës, miqësisht ose profesionalisht kalojnë nëpërmjet nesh. U ndihmojmë që edhe bota nëpërmjet burimeve të veta të mësojë se çka po ndodhë në Kosovë.”

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë, i cili ishte edhe seli e dy zyrave të raportimeve për ATSH, në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë, Ismail Qemalit, në një ceremoni ku mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në prag të 17 Shkurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ATSH  hapi zyrë në Grand Hotel Prishtina në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, bashkë me Dhomen e Tregtisë Tiranë.

Në mbrëmjën e 26 Janarit 2008 në ceremoninë e hapjes së Zyrës ishte edhe Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Bamir Topi. Kjo zyrë, që pastaj u mbyll, ishte e fundit, por vazhduan raportimet e korrespondentit nga Kosova…

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që e kam zhvilluar para 28 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste për pavarësinë e edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidentin Rugova e kam pyetur edhe për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 e që u pasua me zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992. Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo:

“Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”…

Zgjedhjet e dyta presidenciale e parlamentare Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.

Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova në liri ka mbajtur 8 palë zgjedhje parlamentare, 5 prej tyre pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete anëtare të OKB-së.

Para 20  viteve, në 4 Mars 2002, Kosova zgjodhi Presidentin dhe Qeverinë e parë të pasluftës.  Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga Qershori 1999 u mbajtën në 17 Nëntor 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë, derisa u arrit dhe nënshkrua marrëveshja e tre liderëvve kryesorë të partive, Ibrahim Rugova – LDK, Hashim Thaçi – PDK dhe Ramush Haradinaj – AAK.

Pas marrëveshjes, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme e festive, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet: President i Kosovës u zgjodh Ibrahim Rugova (LDK), ndërsa Kryeministër Bajram Rexhepi (PDK). Sipas marrëveshjes, zgjedhja e institucioneve u bë në paket, në votimin e hapur 88 deputetë votuan pro, 15 abstenuan e 3 ishin kundër. Seanca kryesohej nga Kryeparlamentari i atëhershëm, Nexhat Daci, i cili ishte zgjedhur më herët në konstituimin e Kuvendit të Kosovës menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithëshme.

Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për liri e pavarësi, i zgjedhur në 24 Maj 1992 në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare,  u zgjodh edhe President i parë i Kosovës së lirë.

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte para 15 viteve, në 5 Mars 2002, në kryetitull balline gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës.

Të posazgjedhurit, Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi, në 4 Mars 2002 folën para gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit të Kosovës, ku në ambientet për mediat  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm  të gazetës historike, të mbyllur kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim nga Pallati Rilindja rreth dy javë më parë në 21 Shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 Shkurt.

Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në funddhjetorin 2002  për gazetën Rilindja, e cila vazhdoi të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm,  Presidenti historik Ibrahim Rugova theksonte: “Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë…Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta Rilindja, t’i sigurohet vendi”.

“Është shumë mirë që gazeta Rilindja edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt”, shprehej Rugova.

 Në fund të intervistës, në falënderimin dhe urimin për Vitin e Ri 2003, Rugova u përgjegj: “Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për Rilindjen, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit”.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 77 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

 ARKIV – FJALA E PRESIDENTIT RUGOVA PARA 20 VITEVE NË 4 MARS 2002, I RIZGJEDHUR NGA KUVENDI I ZGJEDHJEVE TË PARA PARLAMENTARE TË KOSOVËS SË LIRË:

Ibrahim Rugova: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë

Prishtinë, 4 mars 2002 (QIK) – Presidenti i posazgjedhur i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, lexoi një fjalim para gazetarëve që përcillnin punimet e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e Presidentit Rugova.


Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.


Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.

Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.


Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit ë Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia dhe të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.


Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.


Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.


Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.


Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.


Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
 

Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.


Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.


Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.


Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.


Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.


Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.


Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.


Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre.


Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.


Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.

Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.


Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.


Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.


Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.


Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

***

ARKIV – TETOR 1999:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-10-02.ata.html

[04] ATA to open office in Prishtine soon

-Minister Kosumi allows its opening-

TIRANE, Oct 2 (ATA)-The Albanian Telegraphic Agency (ATA) will soon open its office in Prishtine.

The Minister of Information in the Kosova Interim Government, Bajram Kosumi, has approved the request of ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari, to open an office of this agency in Kosova.

“This agency is allowed to work in the territory of Kosova as well as to officially establish its personnel in the centre of Kosova,” the permission issued by Minister Kosumi says.

The ATA office in Prishtine will temporarily be located in the premises of the former-Diamant Bank, near the Press Palace in Prishtine. It will be further provided with cameramen, operators and others.

The Albanian Telegraphic Agency is the first media of Albania installed in Kosova. /a.ke/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU NE BRONX

May 24, 2022 by s p

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT