
Anila Nicklos, M.Ed., CDP. Këshilltare për Organizatat Partnere në Kabinetin e Kryetarit të Vatrës dhuroi 1.500 Usd për 110 vjetorin e Vatrës

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

by s p

Dr. Skender Lutfiu/
Themelimi i Gjykatës speciale ka qenë ndër veprimet më të padrejta dhe kësisoj të gabuara që ka ndërmarrë diplomacia ndërkombëtare në raport me Republikën e Kosovës dhe me shqiptarët në përgjithësi. Që nga ideja e saj e deri tek vendimi për themelimin e saj dhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës më 2015 e kanë përcjell parregullsi dhe probleme që vështirë mund të rikuperohen në periudhën e tanishme, ngase jo vetëm që po mbahen të arrestuar në Hagë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të institucioneve kryesore të vendit, por ndaj dy prej tyre (Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit), tashmë është shqiptuar dënimi me nga 4 vjet e gjysmë heqje lirie (burg).
Së pari, ideja e krijimit të Gjykatës speciale është totalisht e gabuar, për shkak të disa arsyeve. Njëra ndër to ishte se ka ekzistuar një gjykatë që është marrë me krimet e kryera në ish Jugosllavi, dhe ka qenë e pa nevojshme të krijohet një tjetër. Për më tepër, ideja e Gjykatës Speciale është e gabuar edhe për faktin se është një etnike, pra është krijuar vetëm për të dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si e tillë, është e pa drejtë dhe kësisoj e papranueshme. “Arsyet” për krijimin e saj janë po ashtu të pabazë. Kjo sepse, Raporti i Dick Martit, “gjetjet” e Carrla Del Pontës për krimet e kryera nga shqiptarët etj, janë vërtetuar se janë të inskenuara dhe me qëllim devijimin e fakteve dhe të vërtetës historike. Pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime ndaj popullsisë civile serbe dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë janë dëshmuar se janë të pa vërteta. Në asnjë moment dhe rrethanë, asnjë dokument apo urdhër çoftë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, apo shtabeve të zonave operative, nuk është gjetur ku është dhënë urdhër për vrasjen e civilëve në Kosovë. Pra, asnjë vrasje gjatë dhe pas luftës në Kosovë nuk është kryer me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Rastet sporadike që kanë ndodhur janë të palidhura me njëri-tjetrin, ngase janë kryer për motive personale. Është e kuptueshme që në periudhat e trazirave të mëdha mund të kryhen krime nga individ me motive të ndryshme si vrasje për hakmarrje, për prona, etj. Por, këto krime duhen gjykuar si raste individuale dhe jo si krime me bazë etnike. Madje, kryerësit e tyre duhet të dënohen nga gjykatat vendore, pse jo edhe nën mbikëqyrjen e gjyqtarëve ndërkombëtar. Por, është krejtësisht i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm themelimi i një gjykate një etnike, me qëllim dënimin e kryerësve të krimeve të pretenduara me bazë etnike.
Së dyti, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale është vepër e agjenturave serbo-ruse, të cilat kanë gjetur mbështetje tek individ të caktuar edhe brenda organeve të drejtësisë ndërkombëtare. Qëllimi i tyre është krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se në Kosovë në vitet e Luftës (1998-1999) nuk kanë kryer krime forcat ushtarake dhe policore serbe me direktivat e institucioneve politike të Beogradit, por ushtarët e UÇK-së, me qëllim destabilizimin e Jugosllavisë së mbetur. Pra, një lloj përpjekje për të balancuar krimet e shtetit të Serbisë ndaj civilëve shqiptarë, me luftën çlirimtare që kanë zhvilluar UÇK. Kjo ushtri çlirimtare ka buruar nga gjiri i popullit, si rezultat i shtypjes sistematike të Serbisë përgjatë gjithë shekullit XX, që arriti kulmin me suprimimin e Autonomisë së Kosovës (23 mars 1989), dhe dhunën dhe terrorin shtetëror përgjatë viteve 90-të dhe në veçanti në vitet 1998-1999.
Është mjaftë kontradiktor fakti se si ka mundësi, që të krijohet një gjykatë një etnike dhe përfaqësuesit e një lëvizjeje çlirimtare të arrestohen, të mbahen dhe të dënohen, duke u mbështetur në skenarë dhe “fakte” të pa vërtetuara, ndërsa të mos dënohen të gjithë krerët e shtetit dhe të organeve të drejtësisë, ushtrisë dhe policisë serbe që kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptarë. Vetëm brenda dy viteve të luftës kanë vrarë dhe ekzekutuar mbi 13 mijë civilë, ndër të cilët foshnjë disa muajshe dhe pleq mbi 90-vjeç, pastaj gra dhe vajza e djemë të rijnë anekënd Kosovës. Janë kryer rreth 400 masakra masive, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza të reja shqiptare, janë rrënuar qytete e fshatra të tëra në gjithë Kosovën, janë shkatërruar objektet dhe monumentet kulturore, arsimore e religjioze etj. Pra dëmet janë të pa llogaritshme. Pa diskutim që Serbia ka kryer krime deri në shkallën e gjenocidit, kulturocidit e urbocidit. Të gjitha këto janë kryer me direktivat e politikës së shtetit serb, që politikën e tij e ndërton mbi të “arriturat” e Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe Klerit Ortodoks Serb. Këto dy institucione brenda dy shekujve (shek. XIX dhe XX) kanë hartuar mbi 25 projekte, elaborate e memorandum antishqiptare, zbatimi i të cilave është dëshmia më e fortë që Serbia në mënyrë institucionale ka kryer gjenocid mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, si e tillë.
Pra, lufta që është zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999, nga drejtësia ndërkombëtare me ose pa qëllim trajtohet njëanshëm. Duhet theksuar faktin se në Kosovë shqiptarët morën armët dhe dolën në male për të luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviqit, i cili në vitet 90-të e kishte shndërruar Kosovën në një koloni të Serbisë. Ndërsa, Serbia në Kosovë kishte qëllim të qartë: 1. Spastrimin etnik, që e realizoi në vitet e luftës ngase u dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë (gjysma e popullsisë së përgjithshme) dhe 2. Popullimin e Kosovës me elementin sllav me qëllim ndryshimin e strukturës etnike, për të fituar më pas të drejtën historike për ta mbajtur Kosovën nën tutelën e saj.
Së treti, arsyet e ratifikimit të Gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës (gusht 2015) janë dëshmia më e mirë se shqiptarët në Kosovë nuk kanë frikë nga asnjë lloj gjykate apo drejtësie për faktin se ndjehen ashtu siç janë të pastër sa i përket krimeve të pretenduara. Prandaj, për të dëshmuar se janë të hapur dhe të sigurt në shumicë kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, ndonëse që të gjithë e dinin se kjo gjykatë është e pa nevojshme dhe për më tepër e pa drejtë. Duhet të shtohet fakti se shumë nga krerët kryesor të UÇK-së ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës, të cilët e votuan këtë gjykatë, që natyrshëm kuptohet si fakt, se ishin të bindur për veprimet e tyre dhe të UÇK-së se nuk janë kryer krime ndaj popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës nga asnjë prej strukturave të këtij formacioni ushtarak, që në analet e historisë bashkëkohore shqiptare ka hyrë si formacioni më i suksesshëm, për faktin se arriti të çliroj (në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar (NATO-n)) Kosovën pas 87 vjet robërie nga Serbia.
Shkruar nga Dr. Skender Lutfiu, bashkëpunëtor shkencor për shek.XX në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe asistent i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik-Departamenti i Historisë.
by s p


Nga: Mr.Sc.Lulzim Mulliqi/SHBA/
Keto dite ne organizimin e Shoqates se Grave Shqiptaro-Amerikane te Arizones, pastaj te Qendres Kulturore shqiptaro-amerikane “Shqipe e Arizones” dhe Shkolles shqipe ne Arizona,u mbajt nje Akademi perkujtimore kushtuar jetes dhe vepres jetesore te presidentit te pare dhe themeluesit te Qendres kulturore shqiptare-amerikane” Shqipe e Arizones”,Remzi Barolli ,i cili nderroi jete keto dite ne qytetin e Phoenix-it,ne SHBA.Ne kete eveniment, ku ne emer te nikoqirit pershendeti zonja Jeta Hajra,merrnin pjese disa dhjetra bashkeatdhetare qe jetojne e punojne ne kete shtet te larget te Amerikes.
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se z. Remzi Barolli, një nga veteranët e komunitetit tonë nderroi jetë , duke lënë në pikëllim të thellë Bashkëshorten Mary, familjen, dhe të gjithë të njohurit dhe dashamirësit e tij,u tha ne njoftimin e dhene nga Qendra kulturore shqiptaro-amerikane ” Shqipe e Arizones” ne qytetin e Phoenix-it,ne SHBA.
Remzi Barolli që ditën e parë që shkeli në Arizona, luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Shqiptarëve të Arizonës. Ai ishte themeluesi i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Shqipe e AZ” duke u zgjedhur Presidenti i parë i kësaj organizate. Nën udhëheqjen e z. Barolli QKSHA ndihmoi në bashkimin e shqiptarëve të Arizonës,ai ndihmoi me aq sa kishte mundesi në punësimin e tyre, organizoi protestat dhe ndihmat,si dhe sensibilizimin e anëtareve të Kongresit dhe Senatit Amerikan në përkrahje të luftës në Kosovë, organizoi festimet e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosoves. Ai ishte gjithashtu ideatori dhe njëri nga veprimtaret me te dalluar te te gjitha aktiviteteve te komunitetit Shqiptare në Arizona. Duhet të themi se çdo punë e mirë që është bërë nga QKSHA dhe anëtarët e komunitetit Shqiptaro-Amerikan të Arizonës ka shpirtin dhe vepren e z. Barolli.
Remzi Barolli ishte një bashkëshort shembullor, i cili, muajin e ardhshëm, do të festonte 93-vjetorine lindjes. Ai ishte një baba I dashur, një gjysh e stërgjysh i dedikuar në edukimin e një familje të denjë me traditat më të mira Shqiptaro-Amerikane,theksoi nder te tjerash djali i tij,Dan Barolli.
Ne, si miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të z. Barolli jemi të pikëlluar thelle nga kjo humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme. Zemra e tij e mirë dhe shpirti bujar dhe i gjerë ishin gjithmonë të hapur për cdo shqiptar të komunitetit tonë. Ai ishte një dritë dhe udhërrëfyes i qartë për të gjithë ne miqtë e tij.
U preftë në paqe shpriti i këtij njeriu madhështor! Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt vepren e tij humane dhe kontributin e tij madhor te dhene per ceshtjen tone kombetare,u shpreh nder te tjerash,prof.Shahin Berisha.Me pas fjalen e mori ish presidenti i QKSHA “Shqipe e Arizones”,dr.Arben Lasku,i cili tha se organizimi i kesaj akademie perkujtimore per veprimtarine jetesore te z.Remzi Barolli eshte per te kujtuar dhe nderuar prore kontributin e tij madhor qe ai ka dhene per shume vite me radhe per komunitetin tone shqiptar ne Arizona.Ai ishte nje personalitet i rralle dhe i jashtezakonshem,me vyrtyte te larta njerezore,morale dhe kombetare per me shume se dy dekada,duke qene gjithmone aktiv ne te gjitha aktivitetet e komunitetin tone shqiptar ketu ne Arizona,u shpreh ne fund,dr.Arben Lasku.Nderkaq, ne fjalen e tij,gazetari mr.Lulzim Mulliqi tha se “Remzi Barolli do kujtohet gjate dhe do te jetoje ne mbamendjen e secilit shqiptare te komunitetit tone kudo ne SHBA .Per kontributin e tij nder vite,i shprehim nga zemra mirenjohjen e perjetshme dhe falenderimin e thelle per vendosmerine dhe misionin e tij titanik ne sherbim te avancimit te kauzes sone kombetare”.Me pas gazetari Lulzim Mulliqi me nje fjalim te shkurter perkujtoi edhe dy figura te shquara te komunitetit shqiptaro-amerikan,te cilet nderruan jete keto dite ne Nju Jork,dr.Gjon Buçaj ish kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes “Vatra” dhe editori i gazetes “Dielli”, ne Nju Jork,Dalip Greca.
Ai tha se keto figura te cmuara te komunitetit shqiptaro-amerikan,na iken si nje meteor ne boten e amshuar,por veprat e tyre kombetare,humanitare e solidare do te shendrisin e rrezatojne gjithmone krenari dhe bujari shqiptare.
Me pas nga Shoqata e Grave Shqiptaro-Amerikane te Arizones e mori fjalen,dr.Elonia Lasku,e cila foli me pietet te larte,per jeten,figuren dhe vepren e aktivistit te devotshem te komunitetit shqiptar te Arizones,z.Remzi Barolli.Ajo me kete rast evokoi kujtime nga pergatitjet e para para shume vitesh,per organizimin e festave tona kombetare sic ishin:festa e Pavaresise se Shqiperise dhe festa e Pavaresise se shtetit te Kosoves.Me pas me fjalimet e tyre u paraqiten edhe Merita Kraja,Marinella Papà,Jeta Hajra,Qerime Kobeci etj. Ne vazhdim,permes videoprojektorit u paraqit me nje fjalim mjaft emocionues nga Florida edhe studiuesja dhe aktorja,Rina Hajra,e cila ngjalli emocione tek te pranishmit ne salle.
by s p

Julia Gjika/
I dashur Frank, realizimi i aktivitetit për mbledhje fondesh për kampin veror të fëmijeve pranë kishës ishte një sukses që vetëm ti mund ta bëje dhe e bëre. Të lumtë! Vërtet u lodhe, por ia dole me sukses.Të urojmë shëndet dhe clodhje të shpejtë.
Sa i urtë që është babai yt! Na pëlqen shumë, zotni i vërtetë, pa mburrma, vetëm punë dhe përballim hallesh shëndetesore të familjes. I ngjan nga karakteri. Jepi të fala nga unë dhe Julia.
Mirë u pafshim e javë të mbarë. Të urojmë shëndet dhe clodhje të shpejtë.
Ky ishte urimi dërguar nga ne në një mesazh dhe padyshim nga cdo pjesmarës , me mendje, me zemër për organizatorin, punonjësin e palodhur të “Ilirian Gardenit” pranë Kishës shqiptaro-amerikane, “Fjetja e Shën Marisë” në Worchester MA, z. Franklin Zdruli., për mbrëmjen festive të datës 4 Qershor 2022, në orën 6PM-10.PM
E kemi ndjekur nga afër dhe kemi parë me sy aftësitë organizuese të z. Frank edhe më parë kur janë zhvilluar Festivalet shqiptare këtu në Worchester MA, pranë Kishës shqiptaro-amerikane. Kemi parë punën e palodhur dhe rezultatin. pëkushtimi i tij ka sjellë suksesin. Këtë radhë pamë përkushtimin e gjithë familjes së tij, që nga bashkëshortja, znj. Ina Zdruli, dy djemtë dhe babai i nderuari z. me kamerë në dorë nga tavolina filmonte mbrëmjen e gëzuar festive..
Qëllimi i këtij aktiviteti i ideuar nga organizatorët u bë për mbledhje fondesh në hapjen e kampit të fëmijëve për muajt e verës pranë Kishes “Fjetja e Shën Mërisë”,dhe në kuadrin e 100 vjetorit të mardhënieve midis Worchesterit dhe Amerikës. Kampi veror do të funksionoje për fëmijë të moshës nga 7-10 vjec dhe nga 11-13 vjec, për muajin Korrik në dt 5-8; 11-15; 18-22;25-29. Për cdo fëmijë pagesa do të jetë $150.
Organizimi i mbrëmjes festive me këngëtaren e talentuar të ftuarën e nderit znj. Ermira Babaliu, lindur në Korcë dhe ritur në Pogradec, e palodhura, e qeshura e ëmbla, për katër orë, nuk pushonin bilbilat në zërin e saj. Orkestra e mbrekullueshme që e shoqëronte, me serenatat korcare, ishte mahnitëse, percillte mall e dashuri për cfarë kanë lënë përtej oqeanit emigrantët e rinj pas vitit 1990. Skena me dekorin fliste nëpërmjet zbukurimeve, ishte Korca, qyteti i serenatave, shtëpitë e bukura me ballkone, rrugicat me kalldrëm , pikturuar trëndafilat që derdheshin mbi avllitë, mbi kangjallat të cdo shtëpie.Imazhi sillte kaq pranë vendlindjen e shumë të pranishmëve që ishin në sallë. Këngëtarja do të hapte programin pikërisht me këngët më të bukura të këtij qyteti, me serenatat korcare që i kanë dhënë famën qytetit dhe këngëtares znj. Ermira Babaliu. Kënga “Dua më shumë Shqiperinë”,’Një ditë Maji ty të takova” u duartrokitën nga të gjithë pjesëmarsit nxehtësisht duke bashkuar zërat me këngëtaren, për të vazhduar me shumë këngë të tjera që ngritën peshë pjesëmarsit. Shpesh herë këngëtarja ndau mikrofonin me pjesëmarsit, si psh me Jani Kotnanin, Andrea Keithi nga Korca disa herë bashkuan zërat e përcollën mallin për Korcën.
Më shumë se 150 bashkëkombas ardhur nga Bostoni dhe rethinat, Michigani, New Yorku, Albani, Filadelfia, krijuan atmosferën e këndshme e cila u regjistrua në memorien e cdo pjesëmarësi si edhe u fiksua nga kameramanët e New Yorkut, Michiganit dhe Worchesterit.
Gjithë elegancë e dashuri, shtruar- shtruar, dorë për dore, jo vetëm korcarët e serenatave, por krahina të Shqipërisë, kërcyen vallet popullore. Pjesëmarja në to e grave dhe vajzave ra në sy për lëvizjet e tyre, treguan edhe njëherë mallin për vendlindjen, e kemi marë me vehte dhe e shpalosim në cdo kohë e vend kur na jepet mundësia, ndërsa burrat i pamë në vallzime burrërore, .spektakël trimerie për të na kujtuar trimëritë shqiptare ne shekuj. Nga orkestra që shoqëronte këngëtaren, u shkput këngëtari Alket Nickaj I cili pasuroi repertorin me zërin e tij të vecantë..
Ciftet ngriheshin në kërcim njëri pas tjetrit si Albano Lubonja me bashkëshorten,Gjergji Disho me bashkëshorten Kreuza, Andrea Keithi me bashkëshorte Kozetën, Ilir Danga me bashkëshorten Brixhidën e tjerë. Kërcimi i tyre me elegancë bëri që të duartrokiteshin gjatë nga të pranishmit
Pas një pushimi të shkurtër Father Mark Doku përshëndeti organizatorët dhe pjesëmarsit duke i bekuar në një lutje, bekoi ushqimin dhe ata që kishin punuar në kuzhinë për përgatitjen e darkës. Pas lutjes, të gjithë morën ushqimin, shijuan mishin e pjekur nga vullnetari Klodi Melka dhe ndihmësi Gaqo dhe Pavlina Ghylapi, zarzavatet e pjekura dhe sallatën me spinaq, domate, kastravec e qepë.
E gjithë darka ishte dhuruar nga Edi dhe Eva Postol Boomer’s Pizza Sub &Deli si edhe pijet e bollshme. Znj Ina Zdruli, bën sutprizën mv të bukur në këtë mbrëmje me një dhuratë në duar fton Father Markun dhe gruan e tij për të uruar 25 vjetorin e martesës së tyre. Të gjithë respektuan duke u ngritur në këmbë dhe uruar jetë të gjatë dhe shëndet..
Tani vec energjive që kishin shpenzuar duke kërcyer, biseduar , aroma e ushqimit ju kish dhënë kënaqësinë tjetër e të qenit sëbashku, e bisedave që nuk mund te mbaroheshin, miqësi të reja të sa po lindura aty për aty, të tjera që u takuan pas shumë vitesh si takimi ynë me komshiun e rinise Vangjo Loli i cili tregoi për miqësinë e nënave tona të mira. Janë këto aktivitete që bashkojnë dhe forcojnë komunitetin . Pas ushqimit nën tingujt e muzikës u shpallën dhe fituesit e llotarisë tradicionale që bëhen në këto aktivitete.
Nga shporta e vogël prisnin të tërhiqeshin numurat e llotarisë nga dora e mbarë e djalit të vogël të z. Frank . Ai lexoi numurat e fituesëve. Të lumturuar nga fitorja, të kurorëzuar me një dhuratë përgatitur nga znj Ina, falenderuan organizatorët. Piktori Shkodrani erdhi nga Bostoni me gjithë bashkëshorten, nje grua zonjë e respektuar na afroi bisedë të ngohtë ku mësuam për jetën e tyre në Boston pranë fëmijëve, Piktori Shkodrani fali për llotarinë një prej pikturave të tij e cila u fitua nga një person i ardhur prej New Yorkut. znj Ina Zdruli kishte përgatitur dy pako të mëdha, bukur, me kulturë dhe dashuri duke kënaqur kështu dy fitues të tjerë dhe pjsëmarsit sigurisht, Fitoren e duartrokasin të gjithë.
U larguam nga kjo mbrëmje e bukur me një qëllim të madh , për fëmijët e komunitetit, të arthmen tonë, për tu siguruar pushime të gëzuara gjatë verës, clodhje aktive, pranë shkollës së Kishës Fjetja e Shën Mërisë . Ndjemë nga afër kënaqësinë që të jep një komunitet i bashkuar, organizatorët e përkushtuar për të ndihmuar cdo njeri që është në nevojë, për të forcuar mardhëniet, miqësitë, për të lënë emerin e nderuar këtij qyteti i cili na priti, na dha strehë, punë, edukim, shkollim. Si të parët tanë emigrantë që erdhën nga fundi i shekullit 19-të, aty nga viti 1915, ne erdhëm pas 1990, kohë ku jetuam, punuam, ritëm dhe shkolluam femijët tanë të cilët na nderuan dhe po bëhen dikushi këtu në Atdheun e ri, duke nderuar vendlindjen nga erdhëm. Falenderojmë Amerikën, vendin e të gjitha mundësive për të ecur përpara. Zoti e bekoftë këtë vend përparimtar, paqedashës që nga hici të ngre atje lart dhe të vesh me dinjitet.
6/8/2022
by s p

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës doli në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002, për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja/
-Para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull: Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura/
-Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar e miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia/
-Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës në 11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri në 11 Qershor 2008/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, Qershor 2022/ “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga fundi i vitit 2002, pak kohë pas doli me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës, në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një intervistë ekskluzive, në prag të Vitit të Ri 2003, që pata zhvilluar atëherë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, pjesë të së cilës ka botuar edhe Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë, një nga pyetjet drejtuar Presidentit Rugova ishte: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet.
Ndërsa, përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.
Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen.
Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë.”
Kështu fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që zhvilloja para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002.
E para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull: Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura.
Dhe me këtë tekst:
Ekipi i Unitetit sot ka miratuar kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës dhe që nga e mërkura mund të shpallet konkursi. Këtë e bënë të ditur Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i grupit punues për simbolet, Hajredin Kuçi. Konkursi do të jetë i hapur dhjetë ditë, e pastaj do të bëhet përzgjedhja nga një ekipë vlerësuese e spektrit të gjerë politik e profesional. “Kriteret për simbolet respektojnë Paketën e Ahtisaarit”, ka thënë Sejdiu, ndërsa Kuçi paralajmëroi se “do të jepet mundësia edhe për nivel ndërkombëtar, por bazamenti i konkursit do të jetë kombëtar”. U bë e ditur se fillimisht do të bëhen zgjidhjet për flamurin dhe stemën, ndërsa për himnin më vonë meqë është vlerësuar se nevojitet më shumë kohë. Siç merret vesh, mendohet që konkursi për simbolet të ketë tri çmime.
E në 27 Shtator 2007, po për Agjncinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, kam raportuar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim, pas shqyrtimit të parë, dy projektligje të rëndësishme nga Paketa e Ahtisaarit: Projektligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës.
“Projektligji për simbolet shtetërore rregullon mënyrën e përdorimit të Flamurit, Stemës dhe Himnit të Kosovës, ndërsa sanksionon me dispozita ndëshkuese të gjithë ata që i keqpërdorin. Simbolet shtetërore do të aprovohen në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë janë në procedurat e përzgjedhjes Flamuri dhe Stema nga më se 1.000 aplikime në konkursin publik, ndërsa do të shpellet konkursi edhe për Himnin”, theksoja mes tjerash.
Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar dhe miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia.
Para 14 viteve, në 3 Mars 2008 – më pak se tre javë pas shpalljes së pavarësisë kisha një bisedë ekskluzive me disanjuesin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, reportazhi që kam shkruar ashtu si është botuar në numrin e jashtëzakonshëm të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të datës 30 Dhjetor 2008, është ky:
Mbititulli: TRIMI I SIMBOLEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Titulli: FLAMURI I SHPALOSUR NË DITËN HISTORIKE TË SHPALLJES SË SHTETIT TË KOSOVËS
Prishtinë, 3 mars 2008 – Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, Trimi i luftës për lirinë e Kosovës përjetoi “më shumë se gëzimin më të madh në botë”: Për shpalljen e Pavarësisë. Dhe për miratimin e propozimit të tij – Flamurit dhe Stemës së shtetit më të ri në botë – Kosovës.
“Ai gëzim nuk mund të tregohet me fjalë”. Festa e shpalljes së Pavërsisë, e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve, për Muhamer Ibrahimin – Trimin ishte edhe festa e fatit më të madh. “Konkurrenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Kanë qenë mbi 1.000 aplikues me më se 5.000 propozime. Sa kam mund të shohë edhe konkurrentë të tjerë kanë pasur elemente të ngjashme për simbolet e shtetit. Po unë e kisha atë fat të madh që e kam fituar konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit”.
Trimi, disanjues i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, sot eksluzivisht ka treguar idetë dhe punën e tij për simbolet shtetërore të Kosovës, që e bënë edhe emër e njeri të historisë. “Flamuri dhe Stema dolën nga shumë ide. Edhe trendet politike të Kosovës më kanë dhënë drejtimiun dhe idenë për të krijuar simbolet e shtetit tonë”.
Trimi më tej thotë se ideja fillestare ishte se shteti i ri, Kosova, duhej ta ketë flamurin e vet, si simbol identiteti, dhe korniza ishin kriteret e Konkursit të shpallur nga Ekipi i Unitetit, bazuar në Paketën Ahtisaari. “Konkursi e ka pasë të trasuar rrugën pak a shumë, ishin kriteret e bashkësisë ndërkombëtare që duhej repektuar”.
Nga shumë e shumë ide Trimi ka ndarë tri elemente. “Një element i ideve ishte harta e Kosovës që e identifikon në flamur e në stemë shtetin dhe simbolizon integritetin territorial të shtetit. Ngjyra e artë – e verdhë e hartës simbolizon pasuritë e Kosovës, pasuritë nëntokësore e mbitokësore, dhe mbi të gjitha qytetarët e saj, popullin, që me shumicë është rini, e cila e përtërinë dhe rritë. Ngjyra blu paraqet përkatësinë evropiane të vendit dhe popullit, aspiratat e qytetarëve të Kosovës për integrimet euroatlantike. Gjashtë yjet paraqesin komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe barazinë e tyre, ngjyra e bardhë e yjeve të ardhmen e ndristshem të tyre në këtë vend të lirë e demokratik”.
I pyetur cilat janë gjashtë komunitetet, Trimi thotë: “Janë shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët dhe romët. Ka edhe nënetni të tjera, por këto janë etnitë kryesore”.
Kemi shkruar edhe në Studion e Trimit, ku për më se një muaj ka punuar, ka menduar thellë kreacione për Flamurin dhe Stemën. Në studion e tij Trimi kishe të shpalosur bashkë falmurin kombëtar shqiptar – shtetëror të Shqipërisë dhe flamurin e shtetit të Kosovës. “Këtu kam punuar ditë e natë. Konkretisht, me mendime, me realizime kam punar më se një muaj. Kam menduar për idetë edhe para se të shpallej konkursi, që paralajmërohej në media. Dhe, pak para mbylljes së konkursit, në momentet e fundit jam përcaktuar përfundimisht për ngjyrat në simbolet e shtetit.”
Trimi tregon për vetën: “Pseudonimin e kam që nga lindja, nga gjyshi, ai më kishte quajtur Trim nga gëzimi se familja u bë edhe me një djal. Gjyshi më ka thirrë gjithmonë Trim. Kështu më thërrasin edhe familja, farefisi, miqtë, shokët, dashamirët, kolegët…Më duket se më njohin më shumë si Trimi sesa si Muhamer Ibrahimi.
Jam i lndur në Prishtinë më 26 prill 1975, këtu jam rritur në lgjen Bregu i Diellit. Edhe jam shkolluar në Prishtinë. Shkollën fillore e kam kryer në ‘Ismail Qemaili’, të mesmen – degën e elektros në ‘Gjin Gazulli’, në Univeristet regjistrova Elektron po e përfundova Fakluletin e Arteve, që poashtu e kisha regjistruar. Vitin e parë e kreva para lufte, tri vitet e tjera të studimeve pas luftës për çlirimin e vendit. Tani mirrem aktivisht me disanjin grafik. E kam një studio timen në Prishtinë. Kam marrë pjesë edhe në konkurse të tjera, i kam disa shpërblime të fituara, si për logo, pulla postare, për disanje tjera. Në luftën e UÇK-së kam qenë në Zonën e Pashtrikut. Më parë isha në Shqipëri për trajnim”.
I pyetur si e ka menduar Kosovën e të ardhmes në kohën e luftës, Trimi thotë: “Kemi pasur një ideal dhe një vizion të qartë, gjithë rinia, gjithë luftëtarët e lirisë, gjithë populli. Prandaj, ishte lufta për një Kosovë të lirë, të çliruar nga okupimi serb. Për Kosovën vend i lirë, i pavarur, demokratik, si të gjitha shtetet e Evropës”.
Trimi tregon se për simbolet e shtetit kishte menduar edhe më herët se në qershorin e vitit të kaluar, kur u shpall konkursi nga Ekipi i Unitetit. “Pas lirisë së Kosovës, pas hyrjes së forcave të NATO-s, kur është folë se Kosova duhet prezantohet gjithësesi me simbole të reja të vetat, që atëherë kam pasë disa ide e mendime për simbolet e Kosovës”.
Konkursi për simbolet shtetërore të Kosovës ishte i hapur 15 ditë dhe u mbyll më 27 qershor 2007. Ndërkohë, 17 ditë para shpalljes së pavarësisë, më 31 janar 2008 Qeveria në koordinim të plotë me të gjitha partitë politike formoi Grupin për përzgjedhjen e simboleve shtetërore të Kosovës. Nga më se 5.000 propozime fillimisht u përzgjodhën 1.736. Më 5 shkurt 2008 pesë propozimet finale të Grupit Përzgjedhës u dorëzuan për procedura të mëtejme në Kuvendin e Kosovës, ku Flamuri dhe Stema me autorësi të Trimit u miratuan po në seancën historike të shpalljes së Pavarësisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ditë më parë në një takim Muhamer Ibrahimin – Trimin. Duke e uruar për disanjimin e flamurit të Republikës së Kosovës kryeministri tha se “ndihet shumë mirë që shpirti, mendja, sakrifica, ideja, ideali por edhe dora e ish-luftëtarit të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka prezantuar dhe e ka dizajnuar simbolin e ri të Kosovës, flamurin shtetëror të Kosovës, që do të valojë edhe në OKB edhe në gjithë botën për jetë të jetëve”.
“Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për disanjimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Trimi me këtë rast i dhuroi kopjen e parë të disanjuar të flamurit të Republikës së Kosovës kryeministrit Thaçi dhe i uroi atij dhe qeverisë së Kosovës shtetin e ri dhe të pavarur.
KOSOVA 14 VJET ME HIMN SHTETËROR, I MIRATUAR NË 11 QERSHOR 2008
-Himni i Kosovës ka edhe tekstin/
Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës në11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.
Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 14 viteve në 11 Qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn Shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.
Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 Qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.
Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.
“Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.
“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta, duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.
“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.
“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.
HIMNI I KOSOVËS
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
Kosova para 14 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 2022-tën e 23 vjetorit të Lirisë e të 14 vjetorit të Himnit Shtetëror, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri tani nga 117 shtete të botës – anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
AMBASADORI AMERIKAN HOVENIER: KOMPOZITORI MENGJIQI PËRDORI TALENTIN E TIJ MUZIKOR PËR T’I DHËNË ZË PAVARËSISË DHE SOVRANITETIT TË KOSOVËS
Në këtë muaj Qershor 2022, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka pritur në takim kompozitorin Mendi Mengjiqin. Pas takimit ambasadori ka shkruar:
Kënaqësi të shoh Mendi Mengjiqin, kompozitorin e njohur kosovar. Pasi e përdori talentin e tij muzikor për t’i dhënë zë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, kompozimet e tij të reja, “Symphonic Pain” (Dhembje Simfonike) & “To Breathe Again” (Për të marrë frymë përsëri), sjellin vëmendjen ndaj çështjeve të përbashkëta mjedisore, duke përfshirë ngrohjen globale.
Pata kënaqësinë të ndiqja shfaqjen premierë të “Për të marrë frymë përsëri” kur u interpretua nga Orkestra Filarmonike e Kosovës në Shkurt 2022.