• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

Dalip GRECA, -Ti shkrove për të gjithë…ike… dhe na le ne në borxh…

June 29, 2022 by s p

In memoriam

Nga Raimonda MOISIU 

Në historinë e kombit dhe të lidershipit tonë popullor, njerëzit që kanë bërë historinë meritojnë vendin e nderit në kujtesën dhe vetëdijen e identitetit kombëtar shqiptar. Të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, të shndërrohesh në më shumë se një figurë popullore dhe vlerë qytetarie,  të meritosh vëmendjen dhe respektin e gjithkujt. Për herën e parë emrin e Gazetarit dhe Publicistit Dalip Greca e kam  lexuar në shtypin pluralist, ishin  fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri, si Kryeredaktor i gazetës “Republika” dhe më tej si gazetar në gazetat e kohës. Më pas me Dalipin jemi takuar si dy mërgimtarë në aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York, Dalipi me statusin kryeredaktorit të gazetës historike fort të njohur të shqiptarëve të Amerikës, “Illyria”, dhe më pas kaloi kryeredaktor i gazetës historike “Dielli”. 

Dalip Greca i përket  brezit të artë të gazetarëve të lëvizjes “New Journalism” e kapërxyellit  të  shekullit  të kaluar – thënë ndryshe –e  dy epokave, që  i dhanë muzë, jetë dhe kuptim marrëdhënieve shoqërore, social-politike dhe kulturore, në fillimet e lëvizjes demokratike në vitet ’90-të, dhe bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional dhe historik të Gazetarisë Shqiptare  pas viteve ’90-t,  në vazhdim dhe deri më sot, -pra bënë historinë e Gazetarisë Shqiptare! 

Me stilin e tij publicistik, Dalipi ishte vet-kërkues dhe i vet-dijëshëm për c’ka shkruante, i vendosur dhe i vëmendshëm për “makinën” prodhimtare të mendimit të  maturur dhe të mëncur publicistik. Dalip Greca  na la pas një kontribut të freskët e të patjetërsueshëm për kujtesën e kohës që jetoi, ai   ringriti dhe trashëgoi ndër breza ato vlera kombëtare, atdhetare dhe patriotike të projektuara në idealin që vetë ai besonte, ai artikulonte me aftësi depërtuese dhe mjeshtërisht, me sinqeritet, entusiazëm dhe kredibilitet të cmuar, dëshmi këto të njerëzores dhe karakterit të një kryeredaktori dhe publicistiti fort të  njohur dhe profesionist sikundër ishte Dalip Greca.  

Pena publicistike e Dalip Grecës  tërhoqi vëmendjen jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan , por edhe të botës amerikane, dhe mbeti model  i ndjeshmërisë që e ka vendosur atë mes integrimit të  vlerave dhe e kanë shëndrruar në një figurë popullore, të dashur, të admiruar dhe të shquar në krejt Diasporën Shqiptare këndej e përtej Atlantikut  dhe Botën Shqiptare.  Dalip Greca ishte një nga intelektualët më në zë të Diasporës Shqiptare në Amerikë dhe -një nga “mbikëqyrës-it” më të mëncur dhe të respektuar që posedonte mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore shqiptare, publicist dhe gazetar fort i njohur këndej dhe përtej Atlantikut. Greca, kjo penë e spikatur e gazetarisë në momentet më të vështira të cështjes kombëtare të vendit, Kosovës dhe Camërisë, nuk u pajtua kurrë me paligjshmërinë e padrejtësinë, porse na befasoi me universin e tij profesional, publicistik dhe interesant, -historia u përsërit sipas ndryshimit dhe zhvillimit të “epokave” falë përkushtimit intelektual,  frymën e modestisë dhe të pjekurisë që e karakterizonte.  

Me bujarinë dhe mbështetjen e mërgimtarëve, gazetari dhe publicisti i njohur Dalip Greca projektoi: Rilindjen e Gazetës historike të Nolit e Konicës; DIELLI! 

Rilindja e kësaj gazete të themeluar nga mërgimtarët e hershëm historikë, në dekadën e parë të shekullit të kaluar, disi larg, porse afroi kufijtë mes historisë dhe krenarisë kombëtare, mes përjetësisë dhe lavdisë, pra-Vatra dhe Dielli në Amerikë! 

Me Rilindjen e Gazetës historike Dielli, jo se Dalip Greca kërkonte  famën, porse ai ishte unik, njerëzor, modest, dhe kreativ në rolin dhe përkushtimin e tij si publicist, studies, gazetar profesionist, analist, atdhetar, intelektual dhe vatran në respekt të parimeve, vlerave kombëtare dhe identitetit  të kombit të tij shqiptar. Dalip Greca meriton mirënjohje të thellë morale, shpirtërore dhe qytetarie nga bashkëatdhetarët, kolegët dhe krejt bota shqiptare, vecmas për Rilindjen e Gazetës DIELLI të Nolit e Konitzës, për dritën e veprave, shëmbujve e penës studiuese publicistike dhe dorëshkrimeve që ai na la pas.  Ai shkroi për të gjithë, solli në vëmendje dhe në kujtesë, gdhendi me respekt, mirënjohje dhe dashuri, figura historike dhe kombëtare që kanë bërë historinë, shkroi për vatranët e rinj, që me vullnet, guxim e dashuri punojnë e jetojnë, për integrimin e tyre, të vlerave kombëtare dhe historike ashtu si kanë bërë vatranët e vjetër me Nolin e Konitzën në krye. Dalip Greca shkroi për emigrantët e suksesshëm, ata të vjetër dhe të rinj të Diasporës dhe… iku në amëshim duke na lënë ne në borxh….

Dalip Greca ka shkruar dhe botuar me sukses mijra faqe publicistike në gazetarinë shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane, ka lëvruar të gjitha zhanret e publicistikës,  që nga kronika, shkrime dhe reportazhe, kolumna, intervista, esse, përsiatje, analiza dhe studime të hollësishme, historike dhe monografike; ka mbuluar rubrikën e politikës, redaktor dhe kryeredaktor gazetash, ku  dëshmohet qartshëm veprimtaria e tij e palodhur në shërbim të publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. 

I pranishëm në median dhe shtypin shqiptar, shtypin shqiptaro -amerikan, në penën publicistike të Grecës lexohet plotësisht jeta dhe filozofia e saj, ndjeshmëria kombëtare dhe e identitetit shqiptar, e vlerave kombëtare dhe cështjes kombëtare,  guximi për ta shprehur dhe ruajtur atë. Erudicioni i Grecës si publicist, Kryeredaktor i Gazetave historike të shqiptarëve të Amerikës “Illyria” dhe “Dielli” ka hedhur dritë në shumë aspekte të jetës social-ekonomike e politike dhe kulturore të Diasporës Shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, ka sjellë në fokus afër e larg jetën e shumë figurave popullore dhe njerëzve të shtresave të ndryshme, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, një ndihmesë e domosdoshme dhe e pazvendësueshme për t’i sjellë në kohën e duhur dhe pasqyruar realitetin dhe jetën me të mirat e të metat e një shoqërie demokratike.  Me ritmin e pasur të krijimtarisë së tij dhe  me madhështinë e bukurisë së përditshmes njerëzore, Greca ndërtonte qartshëm të kaluarën, pasuronte të tashmen dhe i hapte udhë të ardhmes, dëshmi e një kontributi të freskët i njerëzores dhe shpirtërores, emocionuese dhe edukative, duke e vlerësuar  Kryeredaktorin Dalip Greca – si Ikona e MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË! Teksa do të kthejmë kokën pas ndër vite , edhe ndër epoka; emëri i Kryeredaktorit historik dhe i Publicistit të njohur  të Gazetës Dielli , Dalip Greca, do të zerë vend në arkivën e  “Muzeut historik” të integrimit të vlerave kombëtare  dhe kockës së fortë intelektuale të mëncurisë e kujtesës jo vetëm të Diasporës Shqiptaro-Amerikane por edhe të kombit shqiptar në tërësi,  midis  editorëve historikë që themeluan e drejtuan Diell-in ndwr kohëra, që nga Noli dhe Konica, Qerim Panariti, Peter Prifti, Andon Frashëri, Dr. Athanas Gegaj, Bilal Xhaferi, prof. Arshi Pipa, Kristo Floqi, Anton Cefa, etj. 

 Mbase e kam vërtet të vështirë që në pak rreshta të përshkruaj kontributin e shquar të Ikonës së Medias Shqiptare në Amerikë, Dalip Grecës, i cili  na fali kohë nga koha e tij, i cili bashkërendoi ngjarjet, vitet, botimet e vjetra dhe të reja, si një  mbikëqyrës dhe punëtor i palodhur  i informacionit përkatës  i arkivës dhe  bibliotekës së Vatrës.

Dalip  Greca iku në amëshim pranë Nolit, Konicës, editorëve vatranë që tashmë janë në amëshim, mbase aty janë mbledhur bashkë, dhe Dalipi me atë sqimën e mëncur  u tregon historinë e paskëtaj të Vatrës, Diell-it dhe përjetësimit të vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar,  ashtu si patën  bërë “Ata”shumë patriotë dhe atdhetarë të tjerë dikur, Dalipi u tregon për kontributin e shquar të tyre  dhe 110 vjetorin e Vatres dhe Rilindjen e Gazetës Dielli!.

Prehu në Paqen e Amëshuar, Dalip ynë!

Ti kurrë nuk ke për t’u harruar! 

Të qoftë Dheu i Amerikës i Lehtë, Mik, Shok, Koleg, Baba, Bashkëshort Shëmbullor! 

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA 

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, Rajmonda Moisiu

SHTETI PËRBALLË KRIZAVE; SHQIPËRIA NGA SHEMBJA E KOMUNIZMIT DERI TE LUFTA E KOSOVËS

June 29, 2022 by s p

Nga Eris Jashari/

Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri në vitin 1945 imponoi një mbretërim terrori që zgjati 45 vjet (Mehmetaj 2014, 507). Shteti shqiptar u izolua totalisht nga arena ndërkombëtare për pothuasje gjysmë shekulli, pra një gjeneratë e tërë, duke (mos) ecur nëpër kohë si shtet i vetëm. Struktura pronësore e ekonomisë shqiptare prej 45 vitesh ishte e dominuar nga pronësia shtetërore. Deri në mesin e viteve 1960, të gjitha format e aktiviteteve ekonomike private si në industri ashtu edhe në bujqësi u reduktuan gradualisht në minimum, e që ky proces kulmoi me Kushtetutën e Re të vitit 1976, e cila legalizoi konceptin e një “ekonomie socialiste” të bazuar në pronësinë shtetërore të të gjitha mjeteve të prodhimit, përfshirë tokën bujqësore, duke ndaluar edhe format minimale të pronës ose veprimtarisë private (Muço 1997, 9).

Edhe pse e izoluar ekonomikisht e kulturalisht nga bota, ndikimet dhe rrjedhojat gjetiu nëpër vendet tjera bënë që edhe në Shqipëri të fillonte të instalohej një frymë e re vlerash që ishin të kundërta me vlerat e sistemit komunist. Ekonomia e centralizuuar e mbyllur kishte dështuar si sistem qeverisës sepse kushtet e rënda, uria, papunësia, si dhe shkeljet e ndryshme të të drejtave të njeriut ishin përditshmëri e jetesës së qytetarëve në Shqipëri. Një shtet i dështuar është një vend qeveria e të cilit nuk funksionon në mënyrën e duhur (Jusufi 2017, 87).

Ramiz Alia, si kryetar i Partisë së Punës dhe njëherit Shef i shtetit, nuk pranonte të bënte hapa progresi drejt pluralizmit deri në fund të vitit 1990, kur shpërfaqi konceptin e një “pluralizmi idesh” (Chiodi 2012, 7). Gjysma e parë e vitit 1990 ishte e karakterizuar me përpjekje për organizime protestash nga studentët, por që regjimi ende ishte i aftë t’i kontrollonte rreptë dhe t’iu përgjigjej me qindra arrestime në Shkodër, Kavajë dhe në kryeqytetin e Tiranës (Chiodi 2012, 7). Kaosi veçse ishte shpërndarë në krejt vendin qysh verës së vitit 1990, duke u bërë endemik në shumë qytete. Të futur në dimër me kushte matieriale të rënda, pa ushqim dhe furnizime të rregullta me rrymë, kjo veç se e rëndoi situatën. Trupat ushtarake ishin të vendosura në qytete të mëdha për të mbrojtur institucionet shtetërore, të cilat herë pas here, involvoheshin në përplasje me protestues. 

Më 13 nëntor 1990, në një ambient të ftohtë dhe aspak simpatik, Kuvendi i Popullit ishte mbledhur në sesionin e fundit të mbajtur si parlament njëpartiak (Luarasi 1997, 7). Tani Shqipëria po përgatitej për një fazë tranzicioni nga ekonomia centraliste e mbyllur, në një ekonomi të decentralizuar të hapur, ku vlerat si liria e individit dhe prona private ishin themeltare. Por, a do të mund të bëhet për së mbari një kalim i tillë prej një sistemi tërësisht ndryshe vlerash në tjetrin, duke qenë të njëjtit njerëz me përgjegjësi udhëheqëse në pushtet? Ngjarjet në vijim e dëshmojnë të kundërtën.

Palët e përfshira në trazira

Brenda një periudhe të shkurtër në Shqipëri, kalohet nga komunizmi, në një demokraci pluraliste në tranzicion, me rezultat përfundimtar të një shteti anarkik, kur për një moment thuajse asnjë institucion shtetëror nuk funksiononte. Përplasjet fillojnë në mes të atyre që ishin në pushtet përgjatë ish-sistemtit dhe atyre që erdhën në pushtet. Në lojë hyjnë përfituesit e skemave mashtruese piramidale të cilët e shfrytëzonin rastin e një kaosi insititucional si dhe mosdijen elementare të njerëzve në përgjithësi se si funksionin të bërit biznes në ekonominë e tregut. Shërbimet sekrete të huaja të ndryshme që favorizonin një Shqipëri të trazuar në kaos, luanin gjithashtu një rol kyç në përshkallëzimin e konfliktit, pa i lënë anash as grupet mafioze që tregtonin me drogë, armë, kalime ilegale kufitare të mallërave dhe njerëzve si dhe bënin vrasje të ndryshme për motive hakmarrëse. 

Një nga dimenzionet e padrejtësisë në Shqipëri nisej nga ndarjet e reja sociale që ishin shfaqur midis “fituesve” të sistemti të ri (fermerëve, pronarëve të kioskave, shitësve me pakicë dhe biznesmenëve) dhe “humbësve” (pa toka, ish-pronarët e tokave, ish-elita komuniste dhe punonjësit e shtetit) (Miall 1997, 77). Qysh në start krijohet një ndarje e thellë që kishte të bënte direkt me ekzistencën personale të secilit, sepse kur dikush ngarend verbërisht pas pushtetit, dhe për një moment e humb atë, tentativat për t’u rikthyer në një pozicion të tillë do të shkonin përtej sjelljes së arsyeshme njerëzore. Në anën tjetër, të shtypur e të persekutuar deri dje nga kamxhiku i shtetit, tani me kamxhikun e shtetit në dorë, pala në pushtet do të rezistonte po në të njëjtën mënyrë, duke bërë kështu një ndarje të shoqërisë në dy tabore ekstreme. 

Njëri tabor përfaqësohej nga partia e parë jokomuniste Partia Demokratike e Shqipërisë, që u formua në mes të disa anëtarëve të lëvizjes protestuese studentore dhe përfaqësuesve të dërguar nga Ramiz Alia për të ndërmjetësuar, në mes tyre edhe kardiologun e asaj kohe Sali Berishën.(Chiodi 2012, 8), kurse tabori tjetër ishte Partia e Punës, e cila e ndërroi emrin dhe simbolet dhe u bë Partia Socialiste, me udhëheqës të saj Fatos Nanon (Chiodi 2012, 9). 

Partia Demokratike (PD) fiton zgjedhjet e 1992-tës dhe lideri i opozitës, Sali Berisha, u bë President i Shqipërisë. Kësaj radhe Perëndimi dhe veçanërisht SHBA-ja dhanë mbështetje të gjerë për fushatën e PD-së sepse me të synoheshin reformat. Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë, rreth 80%, ku PD-ja fitoi me 62% të votave dhe fitoi 92 nga 140 mandate në parlamenti, kurse Partia Socialiste fitoi 25.7%, pra 38 mandate (Chiodi 2012, 9). Gjatë viteve 1994-1997 vetë kryetari i PS-së Fatos Nano u arrestua dhe u dënua me vendim të formës së prerë nga organet gjyqësore për korrupsion (Krasniqi dhe Hackaj 2014, 75). Pa dashur për të aluduar nëse ishte real gjykimi apo jo, vetë fakti që kur vije në pushtet në 1997, Fatos Nano kërkon rigjykim dhe shpallet i pafajshëm, lë për të dyshuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor kundrejt politikës.

Sipas Nicholson (1999) qyteti jugor i Vlorës, ishte zemra e të gjithë rebelimit të madh kundrejt qeverisë (Jusufi 2017, 89). Ky indikacion tregon që konflikti buronte nga një zonë me përkrahje të madhe të Partisë Socialiste, në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Por cilat ishin shkaqet që çuan në një rebelim që solli pasoja të mëdha qoftë në jetë njerëzish, në dëme institucionale, e në eksode të mëdha të popullësisë kundrejt vendeve tjera? A ishte lufta e pastër për pushtet, apo keqqeverisja e qeverisë në pushtet ajo që nxori njerëzit në rrugë kundër institucioneve shtetërore? Si dhe më e rëndësishmja, cili ishte roli i skemave piramidale mashtruese në rënien e plotë të funksionimit të shtetit?

Skemat piramidale Ponzi

Skemat piramidale u shfaqën për herë të parë në vitin 1993 dhe filluan të shfaqnin dobësinë e tyre në vjeshtën e vitit 1996 (Austin 1998, 62). Sistemi financiar shqiptar ishte ende i thjeshtë, në të vërtetë kishte pak banka private dhe vetëm tre banka shtetërore. Si bankat private ashtu edhe ato publike nuk ishin në gjendje të plotësonin kërkesat e sektorit privat për kredi, dhe si derivat i këtij defekti në sistemin financiar, lindën kompani depozituese që investonin në llogarinë e tyre në vend që të jepnin kredi (Balestri 2018, 1). Kështu këto kompani, nga fillimi i viteve 90 deri në fillim të vitit 1997, u shndërruan në skema piramidale të titulluara Ponzi, sipas Charles Ponzit, biznimsen i famshëm për këtë lloj mashtrimi në Amerikë (Michigan.gov). Më saktësisht, një skemë Ponzi është një mashtrim investimi që paguan investitorët ekzistues me fondet e mbledhura nga investitorët e rinj. 

Si funksionojnë skemat piramidale?

Skemat piramidale funksinojnë në parimin që paratë e paguara nga investuesit e fundit, shërbejnë që të paguhen ata që kanë investuar më herët. Invesitorët e mëparshëm janë tërhequr nga reklamat ku premtohen përfitime të mëdha, me ç’rast si rezultat i investimit, kthimi i parave ose fitimi do të jetë shumë i madh. Lajmet e fitimeve të mëdha shpërndahen nga vetë investuesit, dhe më shumë njerëz vijnë dhe investojnë. Pagesat e atyre që vijnë, përdoren për të paguar ata që kanë investuar më herët. Shpesh ndodh, që ata që i kanë tërhequr fitimet, të investojnë prapë, sepse duan të fitojnë më shumë. Por në një moment, kur nuk ka më kush të investojë që të paguajë ata më sipër, aty veç fillon shembja e tyre. Ndodhë që, dikush që e njeh skemën e tillë, ose ata që e krijojnë vetë skemën, në momentin që i lexojnë shenjat e para të ndaljes së investimeve, tërheqin shuma marramendëse fitimi, duke lënë të djegur ata që kanë investuar të fundit (Jarvis 1999, 9).

Si ilustrim i kohëve moderne në të njëjtën logikë mashtrimi funksionojnë edhe paratë elektronike si Bitcoin. Dallimi esencial është se te këto para, nuk ka adresë ku të ankohesh dhe se skema e mashtrimit është globale, pra çdoherë përtërihet numri i atyre që investojnë në nivel botëror, dhe vazhdimisht fitojnë ata që e kontrollojnë skemën në kurriz të atyre që kanë investuar të fundit. Por kështu nuk mund të ndodhte në Shqipëri atë botë. Si një vend me popullësi të vogël, ishte tejet e pritshme që këto skema piramidale të shembeshin sepse hallka e invesitorëve të rinj do të këputej shumë shpejt, në momentin që nuk do të kishte më kush të investonte. Kur piramidat u shembën në janar dhe shkurt 1997, më shumë se gjysmë miliona shqiptarë humbën kursimet dhe burimin e vetëm të të ardhurave (Austin 1998, 62). Sipas Vickers (1998) pothuajse çdo familje shqiptare kishte investuar para në një skemë piramidale ose tjetër dhe thuajse secila familje kishte humbur kursimet e fituara me mund (Jusufi 2017, 94). 

Injorimi i qeverisë ndaj paralajmërimeve

FMN-ja dhe Banka Botërore paralajmëruan se këto kompani ishin të pasigurta, por qeveria e Berishës, e cila përfitoi politikisht nga rritja e tyre spektakolare, nuk iu bind paralajmërimeve të tyre (Miall 1997, 80). Madje sipas autorit De Waal (2005), në mars të vitit 1996, qeveria përjashtoi piramidat nga një ligj bankar që do t’i kishte rregulluar ato dhe kjo bëri që firmat piramidale të tërhiqnin miliona para prej popullit që ishte i zhytur në borxh dhe në papunësi, me bindjen e fituar se vetëm droga, armët, nafta dhe kontrabandimi me njerëz do t’ua bënte të mundur kthimin e parave të tyre (Jusufi 2017, 93). U thyen depot e armëve, institucionet e shtetit si policia dhe ushtria ranë së funskionuari, madje kishte edhe ndër ta që kishin investuar e që ishin të prekur nga mashtrimi, burgjet me të burgosur u thyen, imazhet me tenka rrugëve, me fëmij, gra e burra me armë mbizotëruan gjithandej. Shqipëria u zhyt në një gjendje pa shtet, në një anarki të plotë pa asnjë institucion shtetëror në këmbë.

Shërbimet sekrete të huaja

Në 2 Mars 1997, Presidenti Sali Berisha shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shtetit dhe deklaroi: “Rebelët komunistë të armatosur, të ndihmuar dhe të financuar nga shërbimet e huaja të spiunazhit, kanë filluar veprimet ushtarake për të përmbysur Qeverinë me forcë dhe për të vendosur sundimin e tyre në të gjithë vendin (…) Ata shumë shpejt do të ndjejnë dorën e hekurt dhe ndëshkimin e plotë të ligjeve të këtij shteti (Holtom et al 2005, 5). Po ashtu nga qarqe të PD-së, bëhej thirrje se revolta që u organizua nga Partia Socialiste (PS), ishte e mbështetur nga Greqia, për të shkatërruar shtetin e Shqipërisë. Në anën tjetër, kjo e fundit shprehej pro të drejtës së popullsisë për të rrëzuar një qeveri, nëse është e nevojshme me forcë, kur nuk respekton të drejtat e njerëzve (Jusufi 2017, 91). A ka ndonjë të vërtetë në këto deklarata politike të pushtetarëve të asaj kohe sa i përket shërbimeve sekrete, dhe nëse po, a janë ndërhyrje për të rrëzuar partinë në pushtet, apo kanë pasur qëllime tjera destabilizuese për të konrektizuar planet e tyre? 

Zani Qaushi, “i arratisur” nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi, ku u dënua për vrasje me 101 vite burg, ishte një ndër personat më me ndikim në konflikt, madje si faktor që ishte, mori në mbrojte në atë kohë Kreyministrin e Italisë Romano Prodin sa ishte në vizitë në Shqipëri (DOSJA 2020). Në një intervistë për një televizion grek, i transmetuar në Top Channel me përkthim shqip, i njëjti deklarohet se “…Unë po ndihmoj popullin e Vlorës, të Vorio Epirit dhe të gjithë Shqipërisë…” (Top Channel 2020). Termi Vorio Epir, përdoret vetëm nga qarqet greke si shprehje e hises në pjesën jugore të Shqipërisë, si të tyren. Në 5 mars 1997, disa gazetarë grekë, jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e “Vorio-Epirit” (Dragoj 2018). Nëse shtohet edhe fakti që kryeministrja e Turqisë Tansu Chiller paraljmëroi shtetin grek se nuk do të toleronte ndërhyrjen e shteteve të huaja në çështjet e brendshme të Shqipërisë atëherë lë shumë për t’u nënkuptuar se ka pasur tentativa jashtë Shqipërisë, në përshkallëzimin e këtij konflikti (Greco 1998, 7).

Nëse analizohet një raport i komisionit të ngritur në qershor të vitit 1998 për të hetuar trazirat e 1997-tës nga Kuvendi i Shqipërisë, komision ky i kryesuar nga deputeti i PD-së asokohe Spartak Ngjela, nga të gjeturat u konstatua se: 

“Disekuilibrimi total i shoqërisë shqiptare ka ardhur si pasojë e konkurrimit të dy pakënaqësive: Pakënaqësisë së shoqërisë për humbjen financiare, dhe pakënaqësisë së opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të majit ‘96, pakënaqësi këto që erdhën dhe konverguan në një pikë ndaj një shteti intransigjent që nuk diti të përdorë mjetet politike për të shpëtuar shtetin dhe shoqërinë nga anarkia.” (Gazetatema 2021).

Në këtë raport, përgjegjës kryesor për trazirat e 97-tës bëhet ish-shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede, dhe propozohet që Shërbimi Informativ Kombëtar të mos jetë më brenda strukturave të forcave të armatosura. Lufta në Kosovë po ashtu përbënte një faktor tjetër ndikues në gjithë katrahurën e krijuar gjatë vitit 1997. Thyerja e depove të armëve dhe municioneve bëhej edhe me qëllim të përkrahjes së UÇK-së si lëvizje popullore për çlirim. Në disa raste, forcat ushtarake dhe policore jugosllave janë grumbulluar pranë kufirit shqiptar dhe helikopterët jugosllavë kanë fluturuar pranë kufijve shqiptarë (Austin 1998, 68). Kjo bëhej për faktin se, teritori shqiptar nuk shërbente vetëm si teritor mbrojtës por edhe trajnues e përgatitës ushtarakisht për celulat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëmet e trazirave dhe operacioni ALBA

Shifrat zyrtare për numrin e njerëzve të vrarë ndërmjet 1 Marsit dhe 20 Shtatorit 1997 ishin 1,311 dhe 1,450 të plagosur ndërsa ishin shkatërruar 1,200 depo ushtarake, me rreth 652,000 armë të kalibreve të ndryshme, rreth 1.5 miliardë municione, 3.5 milione granata dore, 3,600 ton pajisje eksplozivi dhe një milion mina të grabitura nga këto depo (Holtom et al 2005, 6) Nga ngjarjet më tragjike ishte ajo e 27 marsit 1997, ku anija luftarake italiane Sibilla përplasi barkën patrolluese shqiptare Kateri i Radës që ishte grabitur nga trafikantët dhe përdorej për kontrabandim me njerëz, gjersa ishte futur në ujërat italiane (Balestri 2018, 4). Barka e cila ishte e destinuar për ekuipazh prej 10 anëtarësh u fundos, dhe 81 nga rreth 120 njerëz që ishin në të, humbën jetën. 

E shqetësuar për stabilitetin në një rajon dhe duke vepruar si në interesin e saj ashtu edhe në atë të komunitetit ndërkombëtar, qeveria italiane vendosi, gjatë periudhës 24-28 mars, të drejtojë një forcë të ndërhyrjes ndërkombëtare në Shqipëri (Miall 1997, 81). Greqia, Turqia, Austria, Danimarka, Franca, Rumania dhe Spanja me trupat e tyre gjithashtu kontribuan në të, kurse Sllovenia dhe Belgjika dërguan njësite mjekësore dhe Portugalia një avion. Në mënyrë ad hoc, aty për aty, operacioni Alba hyri në veprim me mandatin e krijimit të një mjedisi të sigurt për ndihmën humanitare dhe asistencën civile nga ana e OSBE në monitorimin e zgjedhjeve. Ajo mori një mandat nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Rezolutat 1101 dhe 1114 (Miall 1997, 81).  

Vendosja e Operacionit Alba bëri të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997 pasuan trazirat e rënda në vend të cilat u karakterizuan nga një kulturë politike e polarizuar me antagonizma të thella ndërmjet forcave politike të grupuara rreth partive kryesore, asaj Socialiste dhe Demokratike (ODIHR 2001). Por që në fund, Sali Berisha dhe PD- ja humbën zgjedhjet, që rezultoi me dorëheqjen e tij nga posti i Presidentit. Kjo bëri që gradualisht të qetësohej situata dhe gjendja e tensionuar në vend. Sa i përket përgjegjësve të skemave piramidale, shumë prej tyre u dënuan me burg e disa u arratisën jashtë Shqipërisë, por që pak ka rëndësi kjo, sepse bilanci i viktimave dhe i dëmeve materiale nuk rikuperohen me asnjë dënim ligjor të mundshëm që mund të jep një gjykatë. 

Përfundimi

Shtetet lindin, rriten, zhvillohen nëpër etapa sikurse njerëzit. Ato madje dinë edhe të shuhen së ekzistuari sepse janë krijime sociale, që kanë zanafillë dhe tepër lehtë mund të kenë përfundim. Në gjenezë, qytetarët e tij janë ata që e përbëjnë secilin institucion shtetëror të secilit vend kudo në botë. Në thelb janë Kushtetuta dhe ligjet e buruara nga fryma e popullit siç thotë Monteskje, ato që kanalizojnë jetën sociale, kulturore, ekonomike e politike në atë vend. Dhe përvojat e së kaluarës, sikurse në aspektin individual te njerëzit, edhe te shtetet janë ato që e rryejnë dhe e kalitin atë në rrugën e së ardhmes, çdo herë me shpresën që të shërbejnë si mësime për të mos u përsëritur gabimet prapë. Shqipëria e 1997-tës do të jetë një nga përvojat më të hidhura që ka mundur të përjetojë një popull nga vetë duart e tij. Ajo do të mbahet mend si një nga plagët më të rënda përgjatë historisë që s’do të harrohet kurrë.

Bibliografia

Austin, Robert C. 1998. “Albania and Kosovo: Roots of Instability.” Canadian Foreign Policy Journal 6(1): 61–72. http://dx.doi.org/10.1080/11926422.1998.9673163

Balestri, Di Luca. 2018. “Out of Albania: The Albanian Civil War and the Second Albanian ‘Migration Crisis’ (1997) Matricola 533082.” Unipi.it. https://eumomi.sp.unipi.it/wp-content/uploads/2021/09/LUCA-BALESTRI.pdf

Chiodi, Luisa. 2012. “Mass Migration, Student Protests and the Intelligentsia Popullore in the Albanian Transition to Democracy.” https://cadmus.eui.eu/handle/1814/26175 

DOSJA. 2020. “Tmerri i ‘Çoles’ drejt lirimit nga burgu/ Zani Çaushi kërkesë Gjykatës: Kam fëmijë të mitur, më lironi të gjej pun.” DOSJA.AL. https://dosja.al/lajmi-i-fundit-tmerri-i-lagjes-se-coles-zani-caushi-kerkon-te-dale-nga-burgu-me-nxirrni-nga-burgu-qe-te-punesohem

Dragoj, Nuri. 2018. “Greqia Nuk Ka Hequr Dorë Nga Vorio-Epiri.” Bota Sot. https://www.botasot.info/opinione/981290/greqia-nuk-ka-hequr-dore-nga-vorio-epiri/

Gazetatema.net. 2021. ““97-a është vepër e CIA-s amerikane”: Kur Spartak Ngjela masakronte Berishën e Gazideden, për vrasjen e shqiptarëve”. https://www.gazetatema.net/2021/03/05/97-a-eshte-veper-e-cia-s-amerikane-kur-spartak-ngjela-masakronte-berishen-e-gazideden-per-vrasjen-e-shqiptareve/

Greco, Ettore. 1998, “DELEGATED PEACEKEEPING: THE CASE OF OPERATION ALBA” Iai.it. https://www.iai.it/sites/default/files/iai9801.pdf

Holtom, Paul. Smith, Henry. Mariani, Bernardo. Rynn, Simon. Attree, Larry dhe Sokolova, Juliana. 2005. “Hapja e një faqeje të re: Armët e Vogla dhe të Lehta në Shqipëri”. Org.uk. https://www.saferworld.org.uk/downloads/pubdocs/Albania%20ALB%20prelims.pdf

Jarvis, Christopher J. 1999. “The Rise and Fall of the Pyramid Schemes in Albania.” IMF Working Papers 99(98): 1. http://dx.doi.org/10.5089/9781451852127.001

Jusufi, Islam. 2017. “Albania’s Transformation since 1997: Successes and Failures.” Croatian international relations review 23(77): 81–115. http://dx.doi.org/10.1515/cirr-2017-0003

Krasniqi, Afrim dhe Hacak, Ardian. 2014. “SHQIPTARËT DHE MODELI SOCIAL EVROPIAN Demokracia e Brendshme Në Partitë Politike Shqiptare.” Fes.de. https://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/11316.pdf

Luarasi, Aleks. 1997. “Legal and Institutional Reform in Albania after the Democratic Revolution (1991 -1997).” Nato.int. https://www.nato.int/acad/fellow/95-97/luarasi.pdf

Mehmetaj, Jonida MA. 2014. “The impact of political culture in political system and rule of law: Albania case.” 1st Mediterranean Interdisciplinary Forum on Social Sciences and Humanities, MIFS 2014, 23-26 April, Beirut, Lebanon. https://doi.org/10.19044/esj.2014.v10n10p%25p

Miall, Hugh. 1997. “The OSCE Role in Albania: A Success for Conflict Prevention?” Helsinki monitor 8(4): 74–85. http://dx.doi.org/10.1163/157181497×00052

 Miller-Jones, Edward R. 2010. Ponzi Schemes. Fastbook Publishing Ponzi Schemes (michigan.gov)

Muço, Marta. 1997. “Economic Transition in Albania: Political Constraints and Mentality Barriers.” Nato.int. https://www.nato.int/acad/fellow/95-97/muco.pdf

ODIHR. 2001. “REPUBLIKA E SHQIPËRISË ZGJEDHJET PARLAMENTARE” Osce.org. https://www.osce.org/files/f/documents/a/1/13560.pdf

Pata, Ylli. 2020. “Berisha Mohoi Manipulimin e 26 Majit 1996? Ja Si i Rrëzoi Zgjedhjet OSBE-ODIHR Dhe Denoncoi Dhunën Ndaj Opozitës.” Gazeta-shqip.com. https://www.gazeta-shqip.com/analize/berisha-mohoi-manipulimin-e-26-majit-1996-ja-si-i-rrezoi-zgjedhjet-osbe-

 “Theoretical Approaches I – Core Theories.” 2016. Conflict Analysis and Resolution Information Services. https://carisuk.com/theories-i-core-theories/

Top Channel, Albania. 2020. “ZANI ÇAUSHI Duke Folur Greqisht Në 1997. Përmend VORIO EPIRIN.” https://www.youtube.com/watch?v=wpd4XXyQOdU

Web, Fjala. 2020. “A Ka Gisht CIA Në Trazirat e Vitit 1997? Përgjigja e Berishës.” https://www.youtube.com/watch?v=Txo_ZUT69tM

Zyrtare.net. 2020. “A ka gisht CIA në trazirat e vitit 1997? Përgjigjia e Berishës A ka gisht CIA në trazirat e vitit 1997? Përgjigja e Berishës – Zyrtare.net 

Filed Under: Analiza Tagged With: eris jashari

NË VILËN E DIKTATORIT RUMUN DHE POEZIA IME PER POETIN UKRAINAS DMYTRO CHYSTIAK…

June 29, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti

– Do të shkojmë në vilën e Çausheskut.

– Të diktatorit?

– Po. 

– Po ai s’është më?

– S’dihet…

Kështu po dëgjoja të flitej përreth meje, Më shumë se kërshëri, po ndjeja mërzitjen e parakohëshme, herë njërën më shumë dhe herë tjetrën, pastaj të dyja bashkë goditshëm. Sikur nuk ka vende më të mira, po mendoja, apo aty mund të na shfaqet fantazma e tij, ndjellëse për poetët, sidomos për ne që lëvrojmë dhe prozën, i thashë vetes.

Ishte mbrëmja e tretë a e katërt, njëlloj ishin bërë të këndëshme si banketet më pas të festivalit botëror të poezisë në Craiova.

Erdhi Radu me veturën e tij në hotel për të na marrë mua me Edën dhe Luanin. Me kostum dhe kravatë si përherë, Edhe pse intelektual, drejtor, përkthyes, etj, po bënte shoferin për ne, me një natyrshmëri magjepsëse. Kaluam qendrën me pallatet klasike, njoha teatrin “Marin Soresku”, edhe atë vetë e kisha njohur dhe shumë shpejt arritem. Kaq afër? Edhe në këmbë mund ta kishim bërë. E kisha menduar vilë misterioze në rrethinë te kodrat, nëse kishte a pas ndonjë pylli buzë liqenit. Vila m’u duk e rëndomtê, dy kate, por e gjerë, madje pak si tepër si magazinat e ushtrisë, e rrethuar me mur dhe kangjela, portë e madhe hekuri, aty futeshin jo vetëm veturat, por edhe autobuzi… i poetëve. Kishte blerim, por vende vende zbehte si me qëllim. Një si lapidar me një citat të Presidentit francez De Gaulle përsipër. Nëpër shkallë kishte thyerje si në pallatet tona në Tiranë të Realizmit Socialist. Pas xhameve brenda po shtrohej darka. Muret si të lënë pas dore, përveç atij në ballë, me piktura të vogla në qeramikë.

– Janë të reja? – pieta Luanin. Duhej ta dinte se ai në Bukuresht jeton.

– Jo, janë të asaj kohe. E vetmja vlerë që i ka mbetur… 

– Vila e Enverit në Tiranë, në “Bllok” është më e mirëmbajtur… ashtu si dhe Enveri vetë… – thashë. Dhe s’desha të bëja asnjë foto me cellular siç nuk i bëra dhe jashtë ngrehinës. Ishte pêrbuzja ime kështu. Rumania ka plot vende të mrekullueshme për poezinë që janë dhe vete poezi. Pse na sollën këtu apo për dënim? 

Brenda sundonte një si e verdhëllemtë e sëmurë, mbase prej ndriçimit allasoj, por gallërinë dhe ngjyrat e tjera i solli autobuzi me poetët, që sapo mbërritën, me bisedat e tyre shumë gjuhëshe, veshjet, sidomos të grave që ndryshonin bashkë me pamjen nga paraditja. U futën në grupe. rrëmujshëm Vetëshërbehej nëpër tryezat e mëdha, të rrumbullakta. Ca dolën dhe jashtë si për më freskët, edhe andej kishte tryeza. 

Si fillim ne u bashkuam me poetin turk, Ataol Behramoglu dhe të shoqen e tij, Hülya, po vazhdonim bisedat që s’i kishim mbaruar te parku i madh, te shtatorja e Emniescut. Po tregonim për burgjet tona, por grate tona janë ish të burgosurat e vërteta, tha Ataol dhe plasi e qeshura. Eda qeshi e para, ashtu kumbueshëm. Kur u bashkuam me grupin e italianëve, poeti amerikan, i kudogjendur, me aparatin e tij fotografik tytëgjatë si armë, na merrte një nga një pas murit për një foto tjetër, duke na rregulluar me duar se si t’i mbanim kryet. Fliste zëlartë ashtu siç lexonte dhe poezitë. M’u ndërmend se në një qytet në Veri të Italisë, në një takim poetik në një hotel termal, na thanë se ajo tryezë e drunjtë, e madhe dhe e rëndë, me gdhëndje të errësirta, rreth së cilës po rrinim, kishte qenë e diktatorit fashist, Mussolini-t. Aq më mirë, kisha thirrur, po e pushtojmë me poezi. Kjo po ndodhte dhe me vilën e Causheskut. Poetët nisën të lexojnë poezitë e tyre pa ndonjë rend të caktuar, dilte para të tjerëve cilido që dëshironte, madje dhe me gotën e verës ndër duar a me pjatën, po të donte.

Tani duhet të ishte radha e poetit nga Ukraina, Dmytro Chystiak, i thashë Edës pranë. Por sonte s’kishte radhë, as disiplinë, çfarë dispilne thua? Ndërsa ai s’kishte ardhur fare. Lufta në vendin e tij, jo se e kishte penguar, por nuk donte t’i shmangej. Tani po bënte luftëtarin. Ndërkaq po lexoheshin poezi në gjuhët që s’i kuptonim. 

–  Ndonjëher:e është më mirë burgu, – thashë. Poeti turk qeshi me të madhe. Edhe Luani.

– Mos folë kështu… – më tërhoqi vërejtjen Eda si zakonisht.

Një gjë e zezë pas xhamave në kopsht ngjasonte me çizmen e Stalinit në erë a ishte ndonjë shpend i zi, i çuditshëm. Ka ardhur ai këtu? Ta ketë lënë njërën nga çizmet? Se si u mufat… si fytyra e Putinit…  m’u bë si një bombë ovale që avitej përreth e do të plaste… Mos, o Zot! Kishte kat të nëndheshëm këtu. Ajo dera atje mos të çonte në ferr? Aty të jetë kufoma e Çausheskut të vrarë?

Doli guximshëm të recitojë poeti i pushkatuar shqiptar Trifon Xhagjika! Në ballë kishte një vrimë plumbi. Që aty i rridhte poezia. Na mahniti të gjithëve. Është nata e poezisë shqipe, se kush mërmëriti pranë meje. E poetëve të pushkatur. Më jepni një top t’i bie Komitetit Qendror të partisë, sistemit tuaj, bërtiti Trifon Xhagjika. Në mur u shfaqën të kapur dorë për dore Vilson Blloshmi me Genc Lekën. Bashkë i kanë pushkatur? Po, po… Rrëkera gjaku rrëshkisnin si gjarpërinj të kuq. Duartrokitje të stuhishme. Prezantuesja e bukur si vetë Rumania thirri emrin tim, do të recitoja unë, më prezantoi anglisht. Por s’jam i pushkatur, thashë me turp. Po, po, edhe ti je, por nuk e di… Poeti nga Ukraina, Dmytro Chystiak, s’erdhi dot nga shkaku i luftës, thirra duke u nëpërmendur. Ai do të lexonte pas meje…

– Kam një poezi për të, – u ktheva rrëmbimthi nga poetja italiane Laura Garavaglia. Aha, me flokët e saj të verdhëllemta ta lyejmë murin, që ta shpëtojmë nga e mëparshmja, mendova për një çast. 

– Lexoje! – më tha ajo menjëherë.

– Është vetëm shqip… 

Luani e ka përkthyer rumanisht, por s’e ka për sonte… S’na lanë bombardinet…

– Cosa? Çfarë?

– E përkthejmë bashkë italisht, tani, anglisht, frengjisht, – këmbëngula. – Latinisht, në greqishten e vjetër, ilirisht, kinezçe… Të shpikim gjuhën e dhëmbjes, të dashurisë, se këto s’mjaftojnë… Ajo e kishte mik Dmytro-n më shumë se sa unë. Prej saj e kisha njohur në festivalin e Como-s, kur ishim bashkë me Edën dhe poetin nga Kosova, Jeton Kelmendi, sapo kishte mbaruar lufta e tyre. Po ato janë luftrat tona, janë për Europën, më shkruante Dymtro. Sikur ngajnin me njëri-tjetrin, ukrainasi me kosovarin, të dy të rinj…

– Cominciamo, – tha poetja italiane. Fillojmë. – Ku e ke poezinë?

Nxora nja dy fletë të palosura, kisha shkruar me dorë, nga pas tyre ishin të printuar poezitë në shqip dhe rumanisht që kisha menduar se do të lexoja. Ajo hapi celularin, e gatshme të përkthente. Nëpër tryeza përreth pinin verë apo birrë, poetët lëvrinin sa andej këndej, dilnin në kopshtin nator, futeshin, pa u trembur nga fantazma diktatorësh. Erdhi dhe një këngëtar opere. E filloi me një si “O sole mio”.

Ne u shtymë më në qoshe si për më qetësi. Si për t’u mbrojtur më shumë. Aty bombat do të na kapnin më pak. I thashë rreshtin e parë me italishten time të burgut dhe ajo e shkruajti shpejt. Rreshti tjetër. Shkon më mirë kështu, tha. Ti e di, italishtja është jotja. Pyeta Edën për një fjalë që nuk po e gjeja. Ja, poezia ime e gjithë:

NUK PO MBAROJ DOT 

NJË POEZI PËR UKRAINËN

(Poetit Dmytro Chystiak, i ftuar në festival 

në Rumani, por që s’mundet të vijë nga shkaku i luftës…)

Nuk po mbaroj dot një poezi për Ukrainën,

por të mbarojë lufta më parë, po lutem,

atje po luftojnë,

                            po vriten…

Dielli lind pas gërmadhave si një plagë e madhe 

dhe perëndon te mua si një plagë tjetër e madhe,

​ djeg lëkura ime si lëkura e kohës. Është një dritare

e një poeti të ri, e mbuluar me libra e gjithë, 

që natën të mos duket drita jashtë 

                 dhe pushtuesi të mos e goditë

                                                                        me predha,

janë dhe librat e tij aty dhe imi me autograf

                                                           si në një barrikadë.

Ai po shkruan, nuk duhet ta shqetësojnë.

Ndërpriteni luftën! – dua të bërtas. – Ai po shkruan!

Dhe unë e di cila është poezia e tij tani:

t’u sjellë për të ngrënë fëmijëve

                    nëpër bodrume  dhe metro,

duhen ndihmuar dhe qentë e braktisur,

a e di ç’do të thotë të mos lehin qentë e tmerruar,

​​​                    se po buçasin bombat,

dhe në gropat që hapen, të fshehim statujat, 

se edhe ato i vrasin.

Ja, ai plaku me bastun po mban macen e fqinjit

        dhe qan, vajza e tij po i bie pianos për herë të fundit

mes pluhurit në sallonin e shkatërruar. O Zot,

          dhe pianoja po ngjan si e dalë nga rreshti i tankeve.

U çmenda prej ankthit,

                                              kam haluçinacione,

requiemet e vdekjes janë ky shi që bie 

                                  për të larë baltën dhe gjakun

                                            nga një fytyrë e masakruar,

është fytyra e qytetit. Po duhet dhe një buzëqeshje

                                           patjetër për jetën e shpëtuar,

le ta marrë ku të dojë ai poeti i ri,

     nga e ardhmja

                    që është përtej frontit të luftës, le ta kërkojë 

bashkë me zjarrfikësit te lagjet e djegura

me pemë të djeguara

e zogj të djegur,

tek ajo përralla

    që s’u dogj e gjithë, t’ia marrin një molle, 

të kafshuar vetëm një herë,

      që e mban një dorë e këputur.

Dhe poezia e tronditur duhet t’u japë kurajo luftëtarëve

dhe lajmin e mirë se të gjithë jemi me ta,

se liria e Ukrainës sot është liri e botës. Poezia,

              që la pashkruar poeti i ri, – ka fytyrën e tim biri ai, – 

nuk e vazhdoj dot unë, atij i takon,

se ndoshta kështu

                                    mbaron dhe lufta.

Deri atëhere ma jepni mua diellin e plagës

dhe atij plagën e diellit,

nuk janë dhe aq njësoj,

        po rëndësi ka drejtësia

                                      dhe në poezi…

………………………………………………………………………

– E bukur!

– Më tmerron fjala “e bukur”! Nuk e shpëton dot botën…

Nuk e mbaruam dot poezinë. Kishte ardhur autobuzi i poetëve. Duhej të iknim. Te porta na numëronte fantazma e Çausheskut. Ata që hipnin në autobus, i mbante shënim fantazma e Enverit, Si oficerët në burg. Shofer ishte një i myrrëtuar me mustaqe staliniste a vetë ai. Natë ishte, kur gjërat nuk janë aq të qarta, as reale. 

Unë me Edën dhe Luanin vendosëm të ktheheshim në këmbë për te hoteli ynë. Te sheshi i madh shatërvani hidhte përpjetë ylbere uji si një frymëzim. Plot të rinj shëtisnin jashtë, futeshin lokaleve të natës nga ku dhe dilnin, po atje ku dritat llamburisnin më tepër dhe fytyrat tona shquheshin, një çift i kapur dorë për dore, ndali dhe se si na pa. Se si do i jemi dukur. Nga po vinim ashtu?

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations

June 29, 2022 by s p

Tirana, June 28th 2022

THE FIRST HISTORIC VISIT OF A US PRESIDENT TO ALBANIA.

On the 15th anniversary of the visit of President George W. Bush to Tirana, the Council of Albanian Ambassadors, with the support of the Council of American Ambassadors, organized on June 28 the commemorative conference “The first historic visit of an American President to Albania.”

This event, held in the framework of the celebrations of the 100th anniversary of the establishment of diplomatic relations Albania – US, aimed to restore the deserved echo of a unique visit to our bilateral relations and the decisive support that President Bush gave from Tirana for membership of Albania in NATO and the declaration of independence of Kosovo.

As Mr. Besnik Mustafaj, President of the Council of Ambassadors, pointed out in his keynote address, we do not intend to write or rewrite history on this occasion, but to nurture the memory of Albanians.

President Bush’s visit to Tirana was not accidental, but was the result of a clear Euro-Atlantic orientation and towards Western democratic values.

The speakers were from Tirana, Pristina and the US, former senior diplomats as well as well-known international relations scholars.

A special greeting was conveyed by the Council of American Ambassadors through its President, Ambassador Timothy Chorba and the senior Vice President Ambassador Philip Hughes, stating: “15 years ago, President George W. Bush paid the first visit of an American President to Albania. “Pro-American sentiment in Skanderbeg Square, a few meters from where you are meeting, was really impressive and touched the hearts of the American people.

Professor Daniel Server from the Institute for Foreign Policy in Washington, in his video message noted that: “President Bush’s visit was an appreciation of your commitment to the West and an incentive to continue on the Euro-Atlantic path.”

In this spirit were brought rich experiences and analyzes regarding the decisive impact that this visit of President Bush had on the Euro-Atlantic perspective of Albania, Kosovo and our entire region.

Albania in NATO was not a gift, but the result of three main achievements: the determination to stay on the Euro-Atlantic course, the deep reforms for the democratic transformation of the country and the close strategic partnership with the USA.

Drawing attention especially to the stages of Albania’s NATO membership process, and the commitment of Albanian governments over the years, former Foreign Minister Arta Dade stressed the great importance of this fact today in the context of aggression Russian in Ukraine.

The serious threat posed today by Russia’s unjustifiable aggression against Ukraine has prompted countries such as Sweden and Finland to join NATO, while Albania is within this security perimeter, Minister Dade said.

Frank Shkreli, former director for Eurasia at the time in “Voice of America”, described the wide echo of this visit in the American media and consequently the improvement of the image of Albania and Albanians.

He stressed that pro-Americanism among Albanians should be translated into commitment and embrace of the values ​​represented by the United States, as the largest and strongest democracy in the world.

Former Deputy Prime Minister of Kosovo Edita Tahiri, in her statement, said that for the irreversible path to independence it was vital to create strategic alliances, the preservation of which is just as troublesome and necessary. She underlined that the best service we can do to our countries is the strengthening of institutions, the rule of law and the development of the economy.

The same topic was also focused on Dr. Albert Rakipi, Chairman of the Albanian Institute for International Relations, who stressed that Albania’s membership in NATO is the greatest achievement in 30 years, after the fall of the dictatorship.

As for Kosovo, he noted that President Bush announced from Tirana the end of the dangerous status quo, clearly deciding on independence, while the EU should do the same in terms of the dialogue taking place in Brussels.

While Avni Spahiu, former Kosovo’s first ambassador to Washington, praised the consistent US policy with military intervention to end genocide, support for the declaration of independence and international recognition, and further with the extraordinary assistance of the US government for strengthening the state of Kosovo.

Ambassador Arben Cici shared moments of state protocol work in order to realize in the most perfect way the visit of the President. He recounted the exciting moments of President Bush in Fushë Krujë when he went outside the official protocol to meet the crowds of people who had come out to greet him.

Our former Ambassador to the UN Adrian Neritani also brought back memories of the positive response that this visit brought to the diplomatic circles there.

Ambassador Gashi shared with the participants the extraordinary echo that President Bush’s visit to Tirana had in the Albanian diaspora. Mr. Gashi stressed the special importance of visits to the Albanian diaspora in the United States, as well as their extraordinary contribution, over the decades, through the pan-Albanian association Vatra and the Dielli newspaper, to strengthening the Albanian-American friendship.

Ambassador Gashi also brought back memories of the establishment of the international media accreditation center, under the special care of former Prime Minister Berisha. This center recorded 683 journalists and correspondents from all over the world who directly followed this historic visit.

///////////////////////////////////////////////////////////////////////////////

Festimi i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

Tirane, 28 Qershor 2022

VIZITA E PARE HISTORIKE E NJE PRESIDENTI SH.B.A. në SHQIPERI

Në 15 vjetorin e vizitës së Presidentit George W. Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, me mbështetjen e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, organizoi më 28 qershor konferencën përkujtimore “Vizita e parë historike e një Presidenti Amerikan në Shqipëri”.

Kjo veprimtari, e zhvilluar edhe në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, kishte për qëllim të risillte jehonën e merituar të një vizite unike në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të mbështetjes vendimtare që Presidenti Bush dha nga Tirana për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Siç vuri në dukje në fjalën e tij çelëse Besnik Mustafaj, President i Këshillit të Ambasadorëve, ne nuk synojmë me këtë rast ta shkruajmë dhe as ta rishkruajmë historinë, por të ushqejmë kujtesën e shqiptarëve. Vizita e Presidentit Bush në Tiranë nuk qe e rastësishme, por ishte rezultat i orientimit të qartë euro-atlantik dhe drejt vlerave demokratike perëndimore.

Folësit ishin nga Tirana, nga Prishtina dhe nga SHBA, ish – diplomatë të lartë apo studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një përshëndetje të veçantë përcolli Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë nëpërmjet Presidentit të tij, ambasadorit Timothy Ҫorba dhe zv Presidentit ambassador Philip Hughes ku theksohej: “15 vite më parë, Presidenti George W. Bush zhvilloi vizitën e parë të një Presidenti amerikan në Shqipëri. Vërshimi i ndjenjave pro-amerikane në Sheshin Skënderbej, pak metra nga ku po zhvilloni takimin tuaj, ishte vërtet mbresëlënës dhe preku fort zemrat e popullit amerikan”.

Ndërsa eksperti i njohur Profesor Daniel Server nga Instituti për Politikë të Jashtme në Uashington, në videomesazhin e tij vuri në dukje se: “Vizita e Presidentit Bush ishte vlerësim i përkushtimit tuaj ndaj Perëndimit dhe një nxitje për të vazhduar në rrugën euroatlantike”. Në këtë frymë u sollën përvoja dhe analiza të pasura lidhur me ndikimin vendimtar që pati kjo vizitë e Presidentit Bush në perspektivën euroatlantike të Shqipërisë, të Kosovës e të krejt rajonit tonë.

Shqipëria në NATO nuk ishte një dhuratë, por rezultat i tri arritjeve kryesore: vendosmëria për të qendruar në kursin euro-atlantik, reformat e thella për transformimin demokratik të vendit dhe partneriteti i ngushtë strategjik me ShBA-të.

Duke tërhequr vëmendjen veçanërisht tek etapat që përshkoi procesi i antarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe angazhimin ndër vite të qeverive shqiptare, ish – ministrja e jashtme Arta Dade theksoi rëndësinë e madhe që ka ky fakt sot në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë. “Kërcënimi serioz që paraqet sot agresioni i pajistifikueshëm i Rusisë kundër Ukrainës ka nxitur vende si Suedia dhe Finlanda që t’i bashkohen NATO-s, ndërkohë që Shqipëria gjendet brenda këtij perimetri sigurie”, theksoi znj. Dade.

Më tej Frank Shkreli, ish – drejtor për euroazinë asokohe në “Zërin e Amerikës”, përshkroi jehonën e gjerë të kësaj vizite në mediat amerikane si rrjedhim edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ai theksoi se pro-amerikanizmi ndër shqiptarët duhet të përkthehet në përkushtim dhe përqafim të vlerave që përfaqëson SHBA, si demokracia më e madhe dhe e fortë në glob.

Ish – zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, në kumtesën e saj, u shpreh se për rrugën e pakthyeshme drejt pavarësisë ishte jetike krijimi i aleancave strategjike, ruajtja e të cilave është po aq e mundimshme dhe e domosdoshme. Ajo nënvizoi se shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vendeve tona është forcimi i institucioneve, shtetit ligjor dhe zhvillimit të ekonomisë.

Në po këtë temë u përqendrua edhe Dr. Albert Rakipi, drejtor i Institutit Shqiptar për Marrëdhenie Ndërkombëtare, i cili theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe në 30 vite, pas rrëzimit të diktaturës.

Sa i përket Kosovës, ai vuri në dukje se Presidenti Bush shpalli nga Tirana fundin e statuskuosë së rrezikshme, duke vendosur qartë për pavarësinë, ndërkohë që BE duhet të bëjë të njëjtën gjë sa i përket dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Ndërsa Avni Spahiu, ish – ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, vlerësoi politikën konsistente amerikane që me ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund genocidit, me mbështetjen për shpalljen e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare, dhe në vijim me ndihmën e jashtëzakonshme të qeverisë amerikane për forcimin e shtetit të Kosovës.

Ambasador Arben Cici ndau momente të organizimit shtetëror në funksion të realizimit në mënyrën më të përsosur të vizitës së Presidentit. Ai rrëfeu momentet emocionuese të Presidentit Bush në Fushë Krujë kur doli jashtë protokollit zyrtar për të takuar turmat e njerëzve që kishin dalë për ta përshëndetur.

Gjithashtu edhe ish Ambasadori ynë në OKB Adrian Neritani solli kujtime lidhur me jehonen pozitive që solli kjo vizitë në qarqet diplomatike atje.

Ambasador Gashi ndau me pjesëmarrësit jehonën e jashtëzakonshme që vizita e Presidentit Bush në Tiranë pati në diasporën shqiptare. Z. Gashi theksoi rëndësinë e veçantë që pati vizita për mërgatën shqiptare në ShBA, si dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, ndër dekada, përmes Vatrës dhe Diellit, për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Ambasador Gashi solli gjithashtu kujtime nga ngritja e qendrës së akreditimit të medias ndërkombëtare, nën kujdesin e veçantë të ish Kryeministrit Sali Berisha. Kjo qendër regjistroi 683 gazetarë e korrespondentë nga e gjithë bota që ndoqën drejtpërdrejt këtë vizitë historike.

Filed Under: Politike

“ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”

June 28, 2022 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Pa kontributet dhe pjesëmarrjen aktive të mërgatës shqiptare kudo në botë, as që mund të mendohet se sa do të vonohej Pavarësia e Shqipërisë, por edhe gati pas një shekulli, pavarësia e shumëpritur e Kosovës.

Në kapërcyell të shekullit të kaluar mërgata shqiptare në Kalabri dhe Siçili të Italisë, në Kairo dhe Aleksandri të Egjiptit, në Stamboll të Turqisë, në Bullgari, në Bukuresht e në mbarë Rumaninë, sidomos në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte promotori i Lëvizjes Kombëtare, së pari i Rilindjes sonë Kombëtare e pastaj, edhe i Pavarësisë së Shqipërisë së sotme.

Kur fatet e trojeve tona dhe kombit tonë në përgjithësi, kur përçarja fetare dhe krahinore po nxitej në të gjitha mënyrat e mundshme nga pushtuesit, por edhe nga synimet ekspasioniste të fqinjëve tanë, ishte mërgata jonë ajo që e zgjoi dhe e ngriti lart vetëdijen tonë kombëtare.

Jeronim De Rada në Kalabri, Thimi Mitko në Egjipt, vëllezërit Frashëri në Stamboll, nga Elena Gjika e deri te Asdreni në Rumani, Faik Konica në Belgjikë, e më vonë së bashku me Kristo Dakon, Fan Nolin dhe shumë patriotë të tjerë të mbledhur në “Vatrën” e Amerikës dhe gazetën “Dielli”, hodhën dhe përbëjnë themelet e zhvillimeve kulturore dhe politike të kombit tonë, atëherë kur fatet e tij ishin në zgrip të ekzistencës.

Mërgata jonë botojë librat, gazetat dhe revistat e para në gjuhën shqipe, shkroi librat e parë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, solli bandën e parë muzikore nga Amerika dhe krijoi grupin patriotik e kulturor “Lira” në Korçë, por ata erdhën dhe rrokën armët në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Mblodhë paratë e para për bugjetin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Morën pjesë më pushkë në dorë në luftën e Vlorës.

Nga takimi me mërgatën shqiptare të Rumanisë dhe me ndihmën financiare të tyre, Ismail Qemaili erdhi në Vlorë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut si dhe shpalli Pavarësinë tonë. Po aty, në Bukuresht, u shkrua edhe i pavdekshmi “Himn i Flamurit” nga Asdreni.

Mbi të gjitha, mërgata shqiptare është në themelet e çdo vlere të lartë kombëtare që kemi sot, si në gjuhë, kulturë, arte, politikë dhe shtet-formim.

Pa rolin e mërgatës shqiptare në botë, sot fatet e kombit tonë do të ishin krejt ndryshe, në përgjithësi.

Do të duheshin muaj dhe vite të flitej, shkruhej dhe të vihej në pah i gjithë roli i mërgatës sonë për trojet shqiptare në vite e shekuj.

Në ditët e sotme, një gjë është e qartë si drita e diellit, se pa rolin e mërgatës sonë nuk do të kishim Shqipëri të pavarur, nuk do të kishim liri, pluraliziëm dhe demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90-të, madje as çlirim dhe pavarësi të Kosovës.

Një rol të veçantë dhe te jashtëzakonshëm ka luajtur mërgata jonë e vjetër dhe e re në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara të Amerikës.

Dëshmia me e freskët dhe kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA me Batalionin “Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të fundit që ndodhën në trojet tona etnike.

Kontributi i mërgatës sonë në SHBA me penë dhe pushkë në dorë, por edhe me financime vullnetare, dhe mbi të gjitha me njohjet dhe lidhjet miqësore me politikanë dhe drejtues të lartë shtetërorë në SHBA, bën të mundur që lidhjet në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan të jenë kaq të forta dhe të mëdha siç i kemi sot.

Që nga takimi i parë i Imzot Fan Nolit dhe grupit të mërgatës shqiptare me Presidentin Woodroë Wilson, e deri të vizita historike e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, si pika kulmore të lidhjeve shqiptaro-amerikane, kemi pasur hendekun e madh të 50 viteve diktature komuniste në Shqipëri dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, por për fatin tonë të madh kishim mërgatën tonë në Amerikë që asnjëherë nuk i ndërpreu, por çdoherë e më shumë i forcoi marrëdhëniet me popullin dhe institucionet amerikane.

Vizita e Presidentit Bush në Tiranë na dha sihariqin e shumëpritur, paralajmëroi dhe shpalli jozyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ëndërr që u bë realitet vetëm pak kohë më pas.

Në të njëjtën kohë kjo mërgatë, punoi për mbijetesën e vet, ngritjen e mirëqenies ekonomike, shkollimin e fëmijëve, por asnjëherë nuk e la mënjanë luftën për demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë e pavarësinë e trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Në 30-vitet e fundit, veprimet e drejtuesve më të lartë të SHBA-së për shqiptaret janë të jashtëzakonshme, çdoherë dhe në çdo hap është prania e mërgatës tonë në tokën amerikane.

Ia vlen për t’u përmendur vizita e Sekretarit të Shtetit Xhejms Beker III, me ftesë të liderit të opozitë së sapoformuar dr.Sali Berisha, vetëm disa muaj pas rivendosje së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, kërcënimin e Krishtlindjeve të Presidentit Xhorxh Herbert Bush, vendimin e Presidentit Klinton për ndërhyrje ushtarake për lirinë e Kosovës, vizitat e Sekretares Ollbrajt, Sekretares Klinton, Sekretarit Ramsfeld, Gjenerali Klark dhe shumë personaliteteve të tjera të rëndësishme shtetërore amerikane, deri të vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush dhe vizita të personaliteteve të tjera pas tij në Shqipëri dhe Kosovë, pa dyshim që është edhe roli i mërgatës sonë në SHBA.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aleancën më të fuqishme ushtarake dhe polike që ka njohur ndonjëherë bota si dhe Kosova e pavarur, realizimi i të drejtave të shqiptarëve kudo në trojet e tyre, është vepër edhe e mërgatës sonë në SHBA, që loboi dhe lobon pandërprerë te miqtë e tyre kongresmenë e senatorë amerikanë, për fatet e kombit tonë në Ballkan.

Sidoqoftë, 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe shumë i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona.

Ky 100-vjetor është përvjetor simbol miqësie dhe bashkëpunimi midis dy kombeve dhe shteteve tona, pas një armiqësie absurde 50-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara, dhe në themelet e kësaj miqësie qëndron i palëkundur edhe kontributi i paçmuar i mërgatës tonë në SHBA.

Pas pothuaj një gjysmë shekulli komunizëm, 15 marsi i vitit 1991 shënon edhe lidhjet e para zyrtare Shqipëri-Amerikë, dhe nuk kishte se si mos të ishin aty të pranishëm shqiptaro-amerikanët në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, ku u firmos “Memorandumi i Mirëkuptimit”, i cili rivendosi, zyrtarisht, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona.

Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit pas një gjysmë shekulli, një javë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve erdhi në Shqipëri për dy javë, në mars/prill, 1991dhe patjetër që pjesë të delegacionit kishte edhe shqiptaro-amerikanë të shquar të mërgatës tonë në SHBA.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane dhe kultivimi i tyre ka qenë një objektiv, për të cilin kanë punuar shumë breza shqiptaro-amerikanësh nga të gjitha trojet shqiptare gjatë 100-viteve të kaluara.

Le t’i kujtojmë ata atdhetarë sot dhe t’i falënderojmë me gjithë zemër, se edhe me gjithë dështimet për shkak të refuzimit të regjimit komunist për t’i rivendosur ato marrëdhënie gjatë dekadave të shekullit të kaluar, këta atdhetarë shqiptaro-amerikanë, nuk u dorëzuan kurrë dhe as nuk u tërhoqën asnjëherë nga idea e miqësisë së fortë amerikano-shqiptare, më gjithë propagandën anti-amerikane që vinte nga Tirana e kuqe dhe ideologjia e dështuar staliniste.

Shqiptaro-amerikanët nuk pushuan kurrë se punuari për këto marrëdhënie diplomatike. Ata u përpoqën tërë jetën e tyre për të angazhuar Shtetet e Bashkuara për bashkëpunim me kombin shqiptar.

Fatkeqësisht, disa prej këtyre atdhetarëve shqiptarë, akoma edhe sot në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA dhe 30 vjet pas rivendosjes së këtyre lidhjeve, ata ende konsiderohen si armiq e tradhtarë në Atdheun e tyre të origjinës, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin e Enver Hoxhës.

Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se është ndër ambasadorët më të mirë që mund të ketë pasur dhe ka Kombi shqiptar gjatë dekadave.

Le të kujtojmë në këtë 100-vjetor se në mungesë të marrëdhënieve normale diplomatike shqiptaro-amerikane gjatë komunizmit, mërgata shqiptaro-amerikane, me dinjitet dhe plot atdhedashuri, ka mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo në trojet e tyre në Ballkan, duke luajtur rolin jozyrtar të ambasadës dhe të ambasadorit të kombit shqiptar në Washington!

Marrëdhënie diplomatike 100-vjeçare nuk janë pronë as meritë e vetme e ndonjë kryeministri a presidenti, apo ambasadori cilido të jetë ai.

Ato janë lidhje historike në interes të përbashkët të dy kombeve tona!

Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane janë të shenjta, në interes madhor të çështjeve kombëtare që nuk duhet të lejohen kurrë të jenë subjekt abuzimesh, manipulimesh as përfitimesh të përkohshme personale ose partiake nga autokratë të caktuar ose individë të papërgjegjshëm, nga cilado palë qofshin!

Garanci e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve dhe jetëgjatësisë së tyre është mërgata jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe në fund fare, pa shqiptarët e Amerikës dhe angazhimin tyre për vizitën e senatorit Bob Dole në krye të një delegacioni të përbërë nga kongresmenë dhe senatorë në vitin 1989 në Kosovë, vizitë e cila u bë e mundur kryesisht nga mërgata jonë dhe veçanërisht zoti Xhim Xhema dhe personalitete të tjera të mërgatës, si dhe vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tiranë, për të lajmëruar pavarësinë e Kosovës dhe për të vulosur miqësinë e përhershme shqiptaro-amerikane, ndryshe do të ishin sot fatet e kombit tonë.

Fjala e mbajtur në Konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), në respkekt të:

“100 vjetorit të vendosjes së marrëdhenieve diplomatike Shqipëri-SHBA”

dhe “15 vjetorit të vizitës së Presidentit Xhorxh W. BUSH nê Shqipëri”

Filed Under: Politike Tagged With: Flamur Gashi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT