• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

NË GRACKËN E INTERNETIT, TË MITURIT DHE ADOLESHENTËT NË RREZIK

July 23, 2022 by s p

Eva Marku/

Vetëm 15 vjeçe! E përndjekur nga një 32 vjeçar i martuar, që kishte arritur ta mashtronte, e më pas të abuzonte me të. Videot intime me adoleshenten i kishte shpërndarë te katër persona të tjerë. Ky ishte fillimi i makthit për 15 vjeçaren.

Kërcënime e shantazhe ndaj saj për të kryer marrëdhënie seksuale, ndaj të cilave u dorëzua. Marrëdhëniet seksuale të përsëritura e kishin shkatërruar psikologjikisht adoleshenten, që më në fund kërkoi ndihmë. Të pestë personat e përfshirë në këtë skandal, u vunë në pranga. Por makthet e vajzës nga Mirdita nuk kanë për t’u larguar kurrë. Ashtu si edhe rastet e tilla, në një botë që ka ndryshuar kryekëput, që kur interneti u bë pjesë e pandalshme e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Bota virtuale nga dita në ditë bëhet më e pasigurt. Për këtë mjafton vetëm një kërkim në Google për të parë rastet e shumta që kanë bërë xhiron në mediat online dhe rrjetet sociale, që lidhen me abuzimin dhe shantazhin ndaj të miturve, veçanërisht ndaj vajzave minorene, të cilat bien pre e rreziqeve të shpeshta që teknologjia moderne iu ofron atyre.

Raporti i Policisë së Shtetit

Krimet kibernetike pothuajse janë trefishuar në dy vitet e fundit dhe po targetojnë një numër në rritje të miturish në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit.

Numri i krimeve në internet u rrit nga 166 raste të raportuara në vitin 2019 në 440 raste në vitin 2021, ndërsa gati 3 për qind e të dëmtuarve janë fëmijë.

Ekspertët e lidhin lulëzimin e krimeve kibernetike me pandeminë e COVID-19, e cila shtoi numrin e të miturve me akses në internet. Ata thonë gjithashtu se shifrat zyrtare janë vetëm “maja e ajsbergut”.

“Rastet e ngacmimeve dhe abuzimeve online me të miturit nga viti në vit kanë një rritje të frikshme” paralajmëron eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.

“Një nder problemet kryesore në Shqipëri është padija e prindërve mbi teknologjinë dhe rreziqet që ajo sjell. Gjithashtu një pjesë e madhe e viktimave nuk bëjnë denoncim dhe kjo pamundëson organet kompetente në ndjekjen e këtyre rasteve,” shtoi ai, ku ndër të tjera këshillon si zgjidhje të këtij problemi ndërhyrjen e shtetit edhe në sektorin e arsimit për edukimin e të rinjve në parandalimin e shtimit të viktimave të krimit kibernetik.

“Shteti duhet me patjetër të bëjë pjesë të kurrikulave shkollore mbrojtjen online dhe çdo shkollë të japë seminare me detyrim për prindërit ku të diskutohen të gjitha tipologjitë e këtij krimi bashkë me rrisqet që paraqet për çdo te mitur”- përfundon Semanaj.

Nga fronti tjetër, psikologët dhe punonjësit socialë që përballen në përditshmërinë e tyre në ambientet e shkollës, me të tilla raste, pohojnë se janë ngritur instanca të posaçme, grupe pune për t’u ofruar mbështetje dhe seanca këshillimi të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaz për rreziqet e internetit. Pjesë e kësaj nisme, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, janë përfshirë edhe prindërit, që sipas psikologes Enerisa Guberaj, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori”, kanë rol kyç në parandalimin e të tilla rreziqeve.

“Në fillim prindërit e kanë të vështirë ta besojnë një incident që i ka ndodhur fëmijës së tyre. Duke e lidhur dhe me një situatë që më ka ndodhur para disa vitesh dhe kanë qenë të dyzuar midis asaj që duhej ta besonin siç është versioni real që na ka thënë vajza apo ajo që na kanë thënë të tjerët. Por unë jam gjithmonë dakord me versionin që prindërit duhet të besojnë fëmijën e tyre dhe t’i krijojnë siguri e mirëkuptim që mos të kenë frikë të shprehen. Sepse nëse nuk e tregojnë të vërtetën kjo ndodh për shkak të tyre, prej presionit të madh që i krijojnë duke i bërë të kenë frikë të tregojnë e kërkojnë mbrojtje. Prindërit duan më të mirën për fëmijën e tyre dhe kur unë ua kam treguar gjendjen se si po ndihet fëmija në ato momente ata e kanë përkrahur 100%. Nëse në fillim kanë qenë 20%, më pas kanë reflektuar”- tregon ajo, duke theksuar se nga viti në vit, nxënësit e kanë humbur interesin për të komunikuar, për të mësuar pasi janë të përqendruar në rrjetet sociale.

Të njëjtin vlerësim të situatës jep edhe kolegia e saj, punonjësja sociale, Erminda Meshini, e cila thekson se fëmijët me prindër të divorcuar, janë më të rrezikuar.

“Përpos pjesës së divorcit janë dhe problemet e sjelljes së fëmijëve pasi janë të pakontrolluara. Mungesa e autoritetit tjetër, kryesisht të babait, pasi kryesisht fëmijët qëndrojnë me nënën sipas ligjit deri nën 18 vjeç. Nëna është e detyruar të punojë për një kohë të gjatë dhe fëmija e humb kontrollin, është i ekspozuar ndaj teknologjisë, rrjeteve sociale, rreziqeve të tjera që vijnë nga interneti ku ata navigojnë. Ne, si institucion, shkollë, bëjmë pjesën tonë, që është e rëndësishme gjithashtu, por kujtojmë që prindërit kanë një rol shumë më vendimtar në mirërritjen e fëmijës”, tregon zonja Meshini.

Ndërsa instancat arsimore presin më shumë nga përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, nga ana tjetër këta të fundit shpresojnë pikërisht te këto institucione. Besa, është njëra nga mamatë, që punon me turne, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili gjithashtu e ka të vështirë që t’i qëndrojë “mbi kokë” vajzës së vogël, 13-vjeçare, që çdo ditë i duhen para për në shkollë, sepse përndryshe bullizohet nga shoqëria. Ashtu sikurse edhe psikologia na tregoi në një intervistë të gjatë, se bullizmi është çështja më problematike te fëmijët.

“Është shumë e vështirë të kontrollosh në ditët e sotme, një fëmijë në moshën e adoleshencës, pasi punojmë me turne dhe më shumë fokusohemi te shkollimi dhe mirëqenia e tyre; duke u kujdesur për t’i siguruar një jetë komode me aq mundësi sa kemi. Ndonjëherë e kemi edhe të vështirë që të ulemi dhe të flasim me to për çështjen e adoleshencës sepse nuk jemi në një brez të tillë. Çdo gjë është ndryshe, por fatmirësisht mundohem ta kuptoj dhe ta këshilloj si një nënë, duke e ditur edhe ndryshimin e sjelljes në këtë moshë”, – tregon zonja Besa.

Raporti i CRCA-së

Fatkeqësisht faktet na pohojnë një të vërtetë të dhimbshme, që rastet nga viti në vit veçse sa shtohen, në vend që të ulen apo parandalohen. Edhe pse janë ngritur struktura të posaçme në ndihmë të çdolloj personi që ndihet i kërcënuar apo bullizuar në jetën e tij, siç është edhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).

Në raportet e tri viteve të fundit, që kjo organizatë ka bërë, vihet re që ka rritje nga viti 2019-të në 2020-ën, ku janë 104 incidente të raportuara, 111 faqe të denoncuara në të parin dhe 193 raste, 6273 faqe në të dytin (2020-ën). Ndërkohë në 2020-ën, në platformën online ISIGURT.AL (të CRCA-së), janë denoncuar 93 raste, përfshirë 2885 faqe me përmbajtje të papërshtatshme për të miturit.

55% e rasteve janë raportuar përmes rrjetit social “Instagram”, 20% nga “Facebok” dhe pjesa tjetër nga Youtube, Tik-Tok, Snap Chat, Telegram dhe aplikacione të tjera.

Ankesat përkundrejt platformave apo faqeve të tjera janë më të ulëta, edhe pse disa prej tyre janë të lidhura me pornografi të fëmijëve, nuditetit apo gjuhën e urrejtjes ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. 25% e rasteve janë pikërisht viktimë e gjuhës së urrejtjes, ndjekur pas nga vjedhja e adresave apo postimi i fotove të tyre të papërshtatshme në rrjetet sociale. Në 2020-ën janë 8 fishuar rastet e pornografisë me të mitur, krahasuar me 2019-ën. Gjithashtu edhe në 2021-in, 97% e faqeve të denoncuara kanë përmbajtje pornografike.

Mosha më e prekur është ajo 15-17 vjeç, ku vitin e kaluar 64% e denoncuesve kanë qenë djem, 32% vajza, por sikurse raporton edhe CRCA, tipologjia e ankesave është më e rëndë nga ana e të rejave, të cilat bien viktimë e shantazheve, vjedhjes së fotove, ngacmimeve seksuale, kërcënimeve dhe përndjekjes.

Tirana është qyteti që kryeson në të tilla raste, ndjekur nga Elbasani, Peqini, Vlora, e të tjera qytete.

Rastet abuzive

Shqipëria është tronditur nga krimet seksuale të ndryshme ndaj minorenëve. Një prej tyre është rasti i Abaz Dokut, 64 vjeçarit që abuzoi me nxënësen 15 vjeçare, të shkollës ku ai punonte si roje në Babrru.

Në 5 shkurt të këtij viti, katër djem të rritur, mbi 19 vjeç, kanë shantazhuar një 17 vjeçare përgjatë një muaji dhe i kanë marrë shuma të ndryshme parash në shumën 200 mijë lekë të vjetra deri në 8 mijë euro.

Apo rastin e tmerrshëm të Kavajës, ku një e mitur u përdhunua në grup nga moshatarët e saj, nxënës po në të njëjtën shkollë dhe klasë ku ajo ishte. E shumë të tjerë, që nuk mungojnë të pasqyruar ndoshta edhe në formën më të patetike në mediat sociale.

Të tilla raste kanë shokuar shoqërinë shqiptare, por rritja e numrit të rasteve tregon që duhet bërë më shumë. Në të kundërt, media shqiptare do të vazhdojë që të raportojë për abuzimet e monstrave!

Filed Under: Opinion Tagged With: eva marku

SI E TRAJTOJMË NJERIUN (NJËRI – TJETRIN)

July 23, 2022 by s p

Prend Ndoja/

Ne, si komb, kemi shumë veti të çmuara që burojnë nga vetë gjeneza jonë, edhe pse ndonjëherë ato mund të duken të vjetëruara, apo larg vezullimës së kohëve moderne. Megjithatë, këto veti në vete përmbajnë shpirtin tonë, janë afër me natyrën tonë, por edhe me peripetitë e vërteta të njeriut. Këto vlera të larta njerëzore gjatë rrjedhave të etnisë sonë kanë hyrë thellë në brendinë tonë, në karakterin tonë, për të mos ikur kurrë më. Ato janë elemente që e mbajtën afër familjen, fisin, kombin, por edhe ballin hapur për ta shikuar njëri-tjetrin me plot dashuri dhe respekt; qëndresën para sfidave, mirësinë, drejtësinë, sinqeritetin, karakterin, respektin, ruajtjen e thesarit dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Këto, dhe shumë elemente tjera që e shndrisin jetën tonë është e dhembshme kur shikon se ndonjëherë po zbehen pa ndonjë shtysë të fortë. Nganjëherë të ndodhur në vorbullën e ngjarjeve të pakëndshme, kur para syve tanë përbalten vlerat kombëtare, apo ato njerëzore, fatkeqësiht më lehtë i anashkalojmë dhe nuk ballafaqohemi me to ose e fajësojmë kohën për dukuritë e pakëndshme që i hasim në jetën tonë.

Kemi dëgjur shpeshherë: S’kem ç’të bëjmë, koha i ka sjellë! Jo, koha, përpos të reshurave, nuk sjell asgjë tjetër! Ne i pranojmë të mirat apo të këqijat në ditët tona. Ne e pranojmë në kohën tonë dashurinë, por edhe urrejtjen. Si pasojë e neglizhencës, në raste të shpeshta dashuria si element rrënjësor në jetën tonë merr një pamje të zbehur. Në mungesë të një dashurie që shkëlqen si rreze, krijohet zbrazëtia në brendinë tonë. Në një brendi të boshatisur, aty edhe përqafimet dhe buzëqeshja marrin pamje “artistike”; ato më tepër shfaqen për dukjet e tyre, apo ndonjë pozim, se sa për vlerën reale të tyre. Në vendet ku dashuria merr udhën e braktisjes, afërsia dhe dashuria me të tjerët mbetet formale. Një mori gjërash të kota hyjnë në jetën e njeriut dhe qetësinë e gjejnë duke u distancuar krijuar mure nga njeriu, duke filluar nga më të afërmit. Aty ku mungon dashuria janë prezente cilësitë negative që i gëzohen së keqes, nxisin fjalë të kota, gënjeshtra… Pastaj brendia e humbë forcën që të kultivojë dashuri. Çdo brendi e boshatisur është rrjedhë e një mendjeje të gabuar; çdo mendim i gabuar është një dritare e mbyllur; çdo dritare e mbyllur kërkon një dorë që ta rihapë përsëri.

VEPRAT E KËQIA NUK I TAKOJNË NJERIUT

Dashuria dhe urrejtja e kanë gjenezën e përbashkët që nga zanafilla, por gjatë udhës së zhvillimit kurrë nuk janë ushqyer në të njëjtën sofër. Të dyja trokasin në mendjen e njeriut dhe presin raste të volitshme që t’u hapet dera e të hyjnë në brendinë e njeriut. Por, te porta e mendjes, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm e vigjilent. Është përgjegjësia dhe aftësia jonë që t’i filtrojmë dhe t’i marrim ato që na takojnë. Nuk është edhe aq e rëndësishme sasia, se sa shumë marrim dhe sa shumë japim, por çfarë cilësie marrim dhe çfarë cilësie japim. Nëse japim dashuri, paqe e sinqeritet do të triumfojmë mbi të keqen, mbi urrejtjen. Nëse nuk ruhet që nga burimi, uji do të ndotet gjatë rrjedhës së tij. Pra, që nga fillesa duhet të jemi të kujdesshëm ndaj mendimeve të panevojshme apo të dëmshme, për ne e, pastaj edhe për gjithë shoqërinë.

E keqja nuk mund të largohet duke e goditiur personin e gabuar; të keqen nuk e shëron e keqja, andaj këtu është edhe formula e ngadhënjimit ndaj së keqes. Fitorja ndaj së keqes është duke e fituar njeriun, duke e larguar atë nga e keqja, duke e goditur aktin, e jo personin; duke e goditur atë që e sjell të keqen te njeriu, duke e goditur Djallin (Demonin). Djalli është tradhtar që nga fillimi e deri në fund. ndërsa Zoti është burimi i të gjitha të mirave, i të gjitha gëzimeve.

Njeriu lind i pastër, i dëlirë nga fajet dhe çdo e metë. Fajet dhe gabimet i gjeti këtu, në këtë botë. Pra, fajet apo gabimet dhe çdo e keqe nuk është pjellë e njeriut. Njeriu nuk i solli ato në këtë botë, e as nuk i krijoi që nga fillimi i jetës së tij. Pra, as nuk i solli në këtë botë, e as nuk filloi me to, por të gjitha të këqiat janë pjellë e Djallit dhe atij i takojnë ato.

Djalli, dinakërisht, nga një derë e hapur gabimisht nga ne, i hedh në jetën e njeriut të bëmat e tij. Andaj, arma më adekuate në luftën kundër Djallit është dashuria dhe mirëkuptimi në mes njerëzve.

Pra, me dashuri dhe mirësi duhet ta fitojmë njeriun dhe ta dënojmë djallin. Mos ta luftojmë njeriun, sepse në atë mënyrë vetëm e ndihmojmë djallin. Njeriu është i mirë, por ne duhet ta gjejmë gjuhën e tij të komunikimit. Në të shumtën e rasteve, njeriu është viktimë e paaftësisë së tij; ai struket brenda embrionit të mbuluar nga fuqia negative dhe në vend që ta gjejë derën e daljes nga ai ankth, ai e sulmon njeriun. Por, prapë njeriu është i mirë, sepse edhe në një gjendje të tillë, Ai, kurrë nuk e sulmon njeriun i lumtur, me ëndje, me dashuri, por gjithmonë atë e bën me aktin e dhuruar nga djalli, me mllef, urrejte e ankth… Pra, ai nuk vepron me cilësitë e qenies së tij njerëzore-me dashuri.

Përmes mendjes së pazgjuar depërtojnë bëmat e Djallit. Ato e ngrisin kokën lart dhe tejkalojnë normat normale të njeriut; dalin jashtë vetes së njeriut dhe bëhen pengesë dhe e iritojnë rrethin shoqëror, pretendojnë të ulin dhe përçmojnë njeriun tjetër; njeriu bëhet vegël e ndikimit të djallit. Duke e zgjeruar sa më shumë hapësirën e dukurive në mënyrë jonjerëzore, e ngushtojnë hapësirën e dashurisë dhe respektit. Nga pakujdesia dëmtohet aroma e shijes së vërtetë natyrale të dashurisë për njeriun. Atë nganjëherë e ngatërrojnë duke e kërkuar jashtë natyrës njerëzore, dashurisë ndërnjerzore dhe i japin kahje që, kinse shija e dashurisë së vërtetë qenka zhveshur nga njeriu dhe qenka veshur me gjëra materiale apo gjesende tjera.

Dashuria e vërtetë që nuk duhet të shuhet kurrë, që fuqizon jetën është dashuria ndaj familjes, të afërmve, shoqërisë dhe të gjithë njerëzveit. Dashuria është rreze që e shkrin urrejtjen. Në praninë e kësaj dashurie njeriu është i plotë dhe shijon një jetë të vërtetë. Pesha e dashurisë natyrale njerëzore shfaqet që në pamjen e parë dhe nuk zbehet që nga mëngjesi gjer në mbrëmje; fillon me familjen, të afërmin dhe shpërndahet te të gjithë njerëzit. Dashuria është një forcë më vete, është shtyllë qendrore e jetës që ndihmon të ecësh drejt përparimit e së vërtetës. Pra, duhet ta kujtojmë dhe, pse mos ta ringjallim në jetën tonë atë dashurinë, siç ishte dikur në atë botën tonë të “vogël”. Fëmijët, si engjëj, përpos në afërsinë e prindërve, shkriheshin në dashuri në prehrin e dajës, axhës dhe të afërmve të tyre, por edhe në hapësirën e natyrës së lirë. A është edhe sot kjo dukuri? Ajo ishte vlera e vërtetë e jetesës, ishte pesha që në mes të varfërisë së tejskajshme e mbante lart forcën dhe nivelin e jetesës. Trajtimi njerëzor, pa marrë parasysh ku dhe kë, është ushqimi më i këndshëm i dashurisë. Kuptimi i gjendjes shpirtërore të tjetrit është prodhimi i parë që rrjedh nga dashuria, e, që të dyja bazën e kanë në thjeshtësinë e njeriut. Forca e faljes është çelësi që i hap dyert e mbyllura. Kur ne i falim armiqtë, ata vdesin si armiq për ne, sepse nga ai moment nuk do të kemi më armiq. Lirohet Ai dhe lirohemi Ne. Kur i hapim dyert e kthimit nga e keqja, në të njëjtën kohë mbyllen dyert e ndikimit të djallit në jetën tonë. Të dhurosh dashuri për të tjerët, do të thotë të dhurosh shëndet të mirë në shpirtin tënd. Por, edhe në dashuri ka dhembje, ka mall; s’ka gojë, por më në fund ka dritë. Në botë kurrë nuk do të kemi paqe, nëse nuk kemi dashuri. Dashuri pa kufij duhet të kemi për të gjithë njerëzimin. Por, dashuri dhe BESIM TË PLOTË duhet të kemi vetëm në Zotin.

Filed Under: Komente Tagged With: prend ndoja

ARISTIDH KOLA – STUDIUESI DHE VEPRIMTARI ARVANITAS

July 23, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Aristidh P. Kola lindi në fshatin Kaskaveli të Tebës (Thiva) të Greqisë qendrore, më 8 korrik të vitit 1944, ndërsa ndërroi jetë më 11 tetor të vitit 2000. Zona ku lindi, banohet kryekëput prej arvanitasve. Shkollën e mesme e kreu në Tebë. Studioi drejtësinë në Athinë.    Studimet universitare i kreu në vitin 1968 dhe deri në vitin 1985 punoi si avokat në Athinë. Pas kësaj u mor me përkushtim me traditat kombëtare të shqiptarëve në Greqi. Po atë vit (1985), u zgjodh kryetar i Lidhjes së Arvanitasve. Ishte studiues, atdhetar dhe arvanitas i shquar. Në vitin 1985 themeloi Qendrën e Studimeve Pellazge dhe Qendrën e Kërkimeve Arvanitase. Themeloi edhe shtëpinë botuese të vet “Thamiris” (nga shqipja: e tha mirë).       

Prejardhjen shqiptare të bashkëkombësve të tij e mbrojti me përkushtim. Vdekja e tij para dy dekadave, krijoi një zbrazësi në hapësirën arvanitase. Vepra e tij është model i mbrojtjes së të drejtave të arvanitasve në Greqi. Me fjalë të tjera, është vepra që e lartëson këtë personalitet. 

Në vitin 1983 Aristidhi botoi revistën kulturore “Besa”, kurse në vitin 1998 revistën periodike “Arvanon”. Këtu publikoi thirrjen e shqiptarëve të Greqisë, të bërë në fund të shekullit XIX, që hidhte dritë mbi lidhjet e shqiptarëve të gadishullit, të cilët kërkonin një shtet të bashkuar që fillonte nga veriu i Shqipërisë së asaj kohe, në Nish e deri në Selanik. 

Në vitin 1985 organizoi me bashkëpunëtorët e tij “Festivalin e parë të këngës arvanitase”. Në vitin 1988 e përktheu në greqisht dhe e botoi “Proklamatën e Lidhjes Arvanitase” të vitit 1899. Aristidhi ishte kryetar i Shoqatës “Marko Boçari” të arvanitasve të Greqisë. Në kuadër të saj, ai e mbronte të vërtetën për shqiptarët në Greqi. 

*   *   *

Librat më të njohur të tij janë përkthyer dhe janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Në vitin 1983 botoi veprën me vlerë “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Libri pati një jehonë të madhe në Greqi, por edhe ndër grekët që jetojnë jashtë saj. Libri është botuar mbi 14 herë, kurse në vitin 2002, doli edhe në gjuhën shqipe. Me fakte dhe argumente historike, ky libër të ngjallë krenarinë e të qenit shqiptar.  

Në vitin 1989 botoi librin “Gjuha e harruar e perëndive”, i cili në vitin 2003 doli edhe në shqip. Këtu flet për shqipen si vazhdim i ilirishtes.  

Si nj publicist i shquar, ishte mbrojtës i palëkundur i kauzës shqiptare në Ballkan. Për çështjen e Kosovës shkroi veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviqit”, Athinë 1995. Në vitin 1998 libri pa dritën edhe në gjuhën shqipe. Si njeri i paqes, dëshironte që midis dy popujve më të vjetër të gadishullit të mbizotëronte miqësia dhe mirëkuptimi. Popujt nuk janë shkaktarë të luftërave. Ata e pësojnë nga politikat hegjemoniste të kastave dhe të qarqeve ekstremiste.  

Në vitin 1995 botoi librin “Fjalori krahasues i gjuhës arvanitase”. La në dorëshkrim librin “Prometeu dhe Zeusi”. 

Aristidhi ndoqi tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe dhe lidhur me këtë u përpoq të sjellë argumente dhe dëshmi të reja. Trajtoi edhe rolin dhe ndihmesën e rëndësishme të arvanitasve në historinë e Greqisë, sidomos në luftën e saj për pavarësi.   

Aristidhi mbante lidhje dhe bashkëpunonte me shqiptarët e ShBA-së; me patriotin arbëresh Antonio Bellushi*; si dhe me personalitete të shkencës, të kulturës dhe të artit në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.  

*   *   *

Gjatë bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, Aristidhi iu kundërvu mediumeve greke që mbanin anën e Sllobodan Millosheviqit. Në studiot televizive greke dhe në mjetet greke të informimit, mbrojti trimërisht luftën e UÇK-së kundër pushtuesve serbë. Iu kundërvu propagandës antishqiptare të qarqeve shoviniste greko-serbe. Demaskoi masakrat barbare serbe në Kosovë dhe mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe paramilitare pushtuese serbe. Për këtë arsye dhe për mbrojtjen e së  vërtetës për Kosovën, qarqet ultranacionaliste greke e akuzuan dhe e quajtën agjent të Shqipërisë, të ShBA-së dhe të NATO-s. U ndëshkua edhe ligjërisht dhe nuk iu lejua të dilte jashtë Greqisë.

Me artikujt e tij nëpër gazeta dhe me paraqitjet nëpër televizionet private, mbrojti dinjitetin dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Për të njohur vendin e të parëve, në Shqipëri ka ardhur dy herë – në vitin 1984 dhe në vitin 1995.    

Shovinistët grekë i kanoseshin me vdekje. Siç u tha edhe më lartë, e hodhën edhe në gjyq. Në maj të vitit 2000, Aristidhi u sëmur. Ndërroi jetë më 11 tetor të atij viti. Me gruan Nansi pati dy fëmijë – vajzën Polikseni dhe djalin Pano. Veprat që la pas, e bëjnë atë të pavdekshëm në historinë e arvanitasve, që është pjesë e historisë së kombit. 

*   *   *

Sipas atyre që e kanë njohur nga afër si dhe bazuar në veprën e tij, Aristidhi ishte një tribun i madh i arvanitasve. Përkundër trysnive që ushtronin mbi të, të qenët shqiptar e bënte të krenohej. Nuk nguronte për ta thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur ndër arvanitasit e Greqisë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. E donte atdheun e të parëve dhe shqiptarët në gadishull dhe në diasporë, pa i harruar kurrë arbëreshët e Italisë. Si një intelektual i ndërgjegjshëm, u vu në shërbim të ruajtjes dhe të afirmimit të identitetit të arvanitasve. Me veprimtaritë që i zhvillonte, përpiqej të mbante gjallë kulturën dhe traditat e popullit të vet. Për mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve në Greqi, e la edhe profesionin e avokatit. U mor me studime dhe kërkime në lëmin e kulturës popullore dhe të historisë. Për kauzën të cilës i besonte, flijoi çdo gjë. Ndonëse i kanoseshin me vdekje, ai nuk u spraps dhe s’u mposht dot. Njeri me dinjitet dhe integritet, ai është burim frymëzimi për shqiptarët në Greqi dhe më gjerë. 

  Me krijimtarinë dhe me veprimtarinë e Aristdhit janë marrë shumë studiues. Të dhëna  të hollësishme për të, mund të gjenden te grupimi “Miqtë e Aristidh P. Kolës”.

*   *   *

Për kontributin e dhënë për kauzën shqiptare, Aristidhi u dekorua nga presidentët Sali Berisha dhe Rexhep Mejdani. Në vitin 1995 u dekorua me Urdhrin “Ismail Qemali” të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2004, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, gruas së Aristidhit, Nansi Kola, ia dha mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës, për mbrojtjen e kauzës kosovare nga burri i saj, Aristidhi. Kuvendi Komunal i Skënderajt i akordoi Aristidhit titullin “Qytetar Nderi i Skënderajt”.

Me Dekretin Nr. 13816 të datës 18.07.2022, kryetari Ilir Meta i akordoi Aristidh P. Kolës – pas vdekjes – titullin “Nderi i Kombit”. Ky akt i z. Meta u mirëprit në mbarë botën shqiptare – në Shqipëri, në Kosovë, ndër arvanitasit në Greqi, ndër arbëreshët e Italisë dhe gjetkë. Dekorimi iu dha Aristidhit me arsyetimin e poshtëshënuar:  

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm, si personaliteti më i madh arvanitas i shekullit të XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë, mbrojtës i zjarrtë i rrënjëve të lashta të identitetit arvanitas dhe arbëror. Me mirënjohje për vullnetin, këmbënguljen, sakrificën dhe kurajën e lartë, duke u bërë model i intelektualit të pashembullt kurajoz, thënës unik i të vërtetave, luftëtar dhe mbrojtës i kulturës, gjuhës, prejardhjes dhe historisë shqiptare.”

Një rrugë në Gjirokastër mban emrin e tij. 

Filed Under: Kulture

PATËR LEKË LULI, ATDHETARI E FETARI NACIONALIST, I VRARË PABESISHT E MIZORISHT NGA KOMUNISTËT

July 23, 2022 by s p

(Në vëmendje 78 vjetori i vrasjes) 

NGA  NDUE  BACAJ    

C:\Users\user\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.MSO\202EEDE3.tmp

Foto e Pater Lekë Lulit

Malësia e Madhe ka qënë përherë “çerdhja” e patriotizmit  shqiptar ku lindën e u rriten atdhetarë e fetarë, që nuk kursyen as jetën për lirinë, të drejtat njerzore, zakonore dhe trojet etnike shqiptare. Në Malësi të Madhe ndër mote e shekuj, lindën dhe u rriten edhe simbole kombëtare të binomit jetdhënës Fe dhe atdhe. Një ndër simbolet e shquara të binomit Fe dhe Atdhe është edhe nacionalisti kastratas Patër Lekë Luli , i vrarë pabesisht e mizorisht nga komunistët e pa fe e pa atdhe me 16 korrik 1944… 

J E T S H K R I M I :

Patër Lekë Luli ka lindur në Katund të Kastratit të Malësisë së Madhe me 8 mars 1908 , me nanë Lenen dhe babë  Lul Markun (fisi Vulaj). Familja e Lul  Markut do të zbriste heret në qytetin e Shkodrës, para krijimit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile (1929-1930) nga mbretëria e Shqiptare. Kjo familje kastratase figuron në regjistrin e gjendjes civile në Shkodër që në vitin 1930.1. Patër Lekë Luli qysh i vogël do të regjistrohej në Kolegjin Franceskan në Shkodër , ku kryen arsimin fillor dhe  atë të mesëm , ndersa në Troshan bënë noviciaten. Arsimimin e lartë për teologji e kryen në kolegjin e Shna Ndout në Romë-Itali. Në vitin 1935 shugurohet  meshtar. Meshen e parë e thotë me 28 dhjetor 1935.  Pas kthimit të tij në Shqiperi Patër Lekë Luli punon në gjimnazin “Illiricum”, si docent në gjimnaz  dhe Drejtor i Shoqërisë Antoniane të Shkodrës me 1938-1939.(Shoqeria Antoniane u krijua me nismen e Patër Ambroz Marlaskaj i cili ishte Drejtor i urdhërit tretë. Kishte si qellim ti jepte  djelmënisë shkodrane  mjete e lehtësinë , në edukimin moral e fetar). Patër Lekë Luli shumë shpejtë do të bëhej një person i njohur e dëgjuar per Shkodren , Malësinë e më gjërë , veçanarisht pë atdhetari e gojtari. Me rastin e 25 vjetorit të  shpalljes së pavarësisë (nentor 1937), në Shkodër do të  organizohej një miting madhështor , ku me këtë rast u mbjaten disa fjalime, si ai i kryetarit të bashkisë Ndoc  Çoba, Ymer Ruzhdia , Nush Topalli dhe Patër Lekë Luli. Tre të parët  fjalimet i kishin të shkruara në letër , ndersa Patër Leka si orator që ishte foli pa letër , duke u brohoritë e duartrokitë më shumë se asnjë nga ata që folen në këtë miting. Ai kishte qenë edhe inisiator për ngritjen e një monumenti , per dëshmorët e Shkodrës , vepër të cilës ju futen themelet , por që nuk u realizua per arësye të pushtimit fashist të Shqipërisë.2.  

Ashtu si dhe shumica e popullit shqiptar , edhe françeskanët  të edukuar dhe ushqyer me idealin Fe-Atdhe , nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë nga Italia… Madje drejtuesit e shkollës kishin rezerva dhe kundërshtuan  që në programet shkollore të futej lënda e edukates fashiste. Per këtë arësye qeveria e asaj kohe (qeveria fashiste e Shqiperisë N.B.) , për vitin 1939-1940 e mbylli gjimnazin Françeskan . Patër Gjon Shllaku , Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , ishin ata që demaskuan më me forcë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe propoganduan si në mënyrë individuale ashtu edhe në predikimet e tyre, që rinia të mos aderonte në Partinë Fashiste. Patër Gjon  Shllaku kishte arritur të shtinte në dorë një matrial sekret, ku paraqitej pergatitja e pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia. Ai vë në dijeni Patër Athanasin dhe Patër lekë Lulin , ku Patër Leka merr përsipër  ruajtjen e këtij dokumenti. Pushtetarët fashist të informuar për këtë , urdhëruan arrestimin e tyre. Arritën të burgosin vetëm Patër Gjon Shllakun , ndërsa Patër Lekë Luli dhe Patër Athanas Gegaj , arriten të ikin në Jugosllavi…3. 

Patër Lekë Luli qendron në Jugosllavi gati një vit , deri në pushtimin e Jugosllavisë nga Gjermania.  Kthehet në Shqiperi  së bashku me Abaz Kupin , dy vëllezrit Kryeziu dhe majorin anglez Hill dhe rreth treqind nacionalist  dhe zogist të ikur në Jugosllavi.  Me daten 5 prill 1941 në prani të treqind malësorëve  në Bogë të Malësisë së Madhe ngrejnë flamurin shqiptar. Patë Lekë Luli , me oratorinë e tij të jashtëzakonshme mban një fjalim shumë të bukur atdhetar…4.  

Patër Lekë Luli shfaqte haptas pikpamjet e tij antifashiste. Për këtë burimet informative italiane e  perkufizonin edhe si “frat revolucionar”. 

Pater Lekë Luli i kishte dorzuar Legatës Angleze në Beograd një perkujtesë  në janar 1941  , që perfaqësonte një akuzë të drejtperdrejtë kundër agresionit Italian në Shqipëri..5.  Ngajarjet do  të rrokolliseshin në mënyrë të tillë që Patër Lekë Luli të arrestohet nga fashistët dhe të internohet në krahinën e Toskanës në Itali. Edhe  në internim ai nuk reshti së shfaquri ndjenjat e tij patriotike. Në internim Patër Lekë Lulit i takon një “ditë” të zevendësojnë famulltarin e e asaj zone , dhe kur një vajzë italiane shkonë për t’u rrëfye , ajo gjatë rrëfimit i tregon Patër Lekës për një mëkat që kishte bërë. Ndëkohë vajza tregon pendesë dhe i kerkon ndihmë Patër Lekë Lulit per ta shlyer mëkatin. Patër Lekë Luli i thotë vajzës ke për të thënë tre herë në ditë fjalët: “Viva l’Albania” (Rroftë Shqipëria).6.  Mbasi kryen denimin e internimit kthehet në Shqipëri dhe drejtohet për në shtabin e Legalitetit. Atje (në mal ,N.B.) qëndron pranë Abaz Kupit dhe kryen funksionin e sekretarit të OKLL (Organizatës Kombëtare të Lëvizjes Legalitetit), duke mos hequr asnjëherë petkun e fratit dhe gjithmonë duke u udhëhequr nga ideali “Fe – Atdhe”.7.  Patër lekë Luli ishte ndër të paktit meshtar që kishte perkrahur krahun zogist së bashku me Imzot Nikollë Deden e ndonjë tjetër , në kundershtim me shumicën më të madhe të klerikëve , që i perkisnin “Ballit Kombëtar”….

Pater Lekë Luli si nacionalist e antifashist i klasit parë do të velrsohej edhe nga  delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar në takimin e zhvilluar me 26 korrik 1943 në Tapizë të Tiranës , në shtepinë e Ihsan Toptanit , ku u vendos  që edhe Patër Lekë Luli të pranohet si konsulentnë. Takimin kishte karakter pergatitor  per konferencen e Mukjes… Delegacioni i Këshillit të pergjithshëm  nacionalçlirimtar perbehej nga shumë figura pa dallime partiake , si  major Abaz Kupi , Dr. Ymer Dishnica, Myslim Peza , Mustafa Gjinishi, Mit’hat Frashëri , Faik Quku e Hasan Dostit…8.  Pater lekë Luli do të merrte pjesë në konferencen e Mukjes me 1-2 gusht 1943, me statusin e vezhguesit , me vote konsultative. Në konferencen e Mukjes merrnin pjesë figura të njohura të Ballit Kombëtar me në krye Av. Hasan Dostin , Mit’hat Frashërin, Prof. Isuf Luzaj e tjerë… Ndersa nga Këshilli i Pergjithshëm i Nac-Çl. Merrnin pjesë Abaz Kupi , Muslim Peza , Gogo Nushi , Dr. Ymer Dishnica e tjerë…9. Pas konferencës së Mukjes u bënë tubime e kuvende  sipas krahinave, ku lidhen besen per të luftuar kundër okupatorëve nga njëra anë dhe kundër rrezikut sllav nga ana tjetër. Tipike për këtë është kuvendi i Kalishtit… Ai u zhvillua prej  2 deri me 12 shkurt 1944 , nën kryesinë e Muharrem Bajraktarit .  Sipas dokumenteve gjermane .V.Mann , informon eprorët e vet në seksionin Dom Lc 297 Div.Inf., me 19 shkurt 1944, se është bërë bashkëtakimi i krerëve shqiptar në një konferencë në Kalisht, ku moren pjesë ;Muharrem Bajraktari , Haxhi Lleshi , Cen Elezi , Faik Shehu , Patër Lekë Luli e tjerë…Në konferencë muaren pjesë edhe tre officer anglezë. Këtu u vendos të luftohej bashkërisht kundër çetnikëve serbë , kundër okupatorëve gjermanë dhe qeverisë kuislinge. Një kuvend burrash pa dallim ideje , feje e krahine , një lidhje bese sin ë Mukje, e njohur nga aleatët…10.  

VRASJA MIZORE  E  PATËR LEKË LULIT NGA KOMUNISTËT… 

Patër Lekë Luli si nacionalist i klasit parë , si intelektual e zotrues i disa gjuhëve  europerendimore , i ngarkoheshin detyra të rendësishme nga Abaz Kupi dhe Levizja e Legalitetit , për të takuar e komunikuar me misionet antifashiste të aleatëve , siç ishte Misioni anglez në Shqipëri. Pikrisht në një mision të till, vritet pabesisht e mizorisht Patër Lekë Luli, vritet në Bytyç të Tropojës nga komunistet e spiunët e tyre me 16 korrik 1944. 

Batalioni komunist “Perlat Rexhepi” vrau dhe dogji në zjarr Atë Lekë Lulin…Ish komandanti i batalionit “Perlat  Rexhepi”, komunisti Rexhep Haka , në librin e tij per aktivitetin e këtij batalioni shkruan: “…Ne e kapëm spiunin Lekë Luli dhe e pushkatuam”. Ndersa sherbëtori i zellshëm i komunizmit Ragip Beqaj , në librin e tij me titull: ”Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar” e paraqet Patër Lekë Lulin me “fotografi” të veshur me petkun e meshtarit dhe me automatik në krah , si dhe shkruan: “Lekë Luli ishte perfaqësues i Demokristianes, pranë organizatës tradhtare të Legalitetit. Duke zbatuar vijën e dhënë nga Papa , kleri katolik krijoj lidhje të ngushta edhe me “Legalitetin”. Ashtu siç kishte krijuar më parë me “Ballin Kombëtar” dhe me “Indipendentët”. Me kerkesen e Abaz Kupit për një kordinim më të mirë të veprimeve, pranë shtabit të tij u emrua si perfaqësues i Klerit Katolik…”.11.  Ndersa ish drejtori i arkivës të Ministrisë së Brendëshme  , studiuesi e historian Kastriot Dervishi , duke u bazuar në dokumentet e kesaj arkive , dhe pershkrimin e partizanit kryesor vrasës të Patër Lekë Lulit , ndër të tjera shkruan: “Atë Leka udhëtoi nga Kastrati i Malësisë së Madhe në Tropojë për të marrë pjesë në një mbledhje të forcave politike. Komunistët si injorantë edhe në shpjegime, e justifikuan vrasjen sikur ndodhi nga shkaku se kleriku ishte “ndërlidhës midis gjermanëve dhe britanikëve” (!). Në fakt, vetëm komunistët mund të bëjnë aleatë gjermanët dhe britanikët në vitin 1944. Partizani vrasës kryesor, e ka përshkruar në këtë mënyrë krimin makabër:“Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ish dërguar nga armiku i popullit Abaz Kupi që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës, për të ndaluar forcat e ushtrisë NÇL, për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli u vu në zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë, shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga kleri reaksionar i Shkodrës për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.12. Një e dhënë interesante per vrasjen e Patër Lekë Lulit  e ka marrë Patër Zef  Pllumi nga nacionalisti e luftëtari i njohur i lirisë Nikë Sokoli. Nika ishte i informuar mirë  se djali i bajraktarit të Tropojës ishte komunist dhe bënte pjesë në batalionin “Perlat Rexhepi” . E mori persiper per ta çuar  Patër Lekë në misionin anglez , por u tregua i pabesë  dhe i urdhëroi dy shoqëruesit që ta vrisnin rrugës, dhe ata e zbatuan.  Abaz Kupi sa mori vesh këtë vrasje dhe tradhti , i pikëlluar e i indinjuar thellë, i dergon një mesazh shumë të ashpër Sali Manit  duke i thënë: “ Na preve në besë , o bajraktar dhe se do të pergjigjesh për këtë”.13. Vdekja (vrasja) e Patër Lekë  Lulit në Nekrologun e provinces shqiptare të Zojës Nunciatë pershkruhet: “Me 16 korrik 1944 ka vdekur , fra  Lekë Luli nga Kastrati , meshtar.  Qe varë nga një bandë partizanësh dhe aty qe varrosur  në një vend të panjohur.  Ishte predikatar i aftë , plot dashuri ndaj atdheut . Qe docent  në gjimnaz , drejtor i Shoqërisë  Antoniane të Shkodrës. Jetoi 36 vjet.14.  

PAK NGA DËNIMI I VËLLAIT TË  PATËR LEKË LULIT, PROF.  GJELOSH  LULIT   

Vlenë të kujtohet se pas ardhjen në pushtet të komunistëve, vëllai i Patër Lekës , prof. Gjelosh  Luli do të ishte një nga antarët e organizatës nacionaliste e antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Prof. Gjelosh Luli në tetor të vitit 1945 do të perkthente në frëngjisht memorandumin që përpiluan seminaristët në Shkodër, për t’ia dërguar misionit Anglo-Amerikan. Memorandumi përshkruante hollësisht situatën e vajtueshme kriminale-terroriste,  që kishin krijuar komunistët në Shqipëri.15.  Prof.Gjelosh Luli së bashku me antarët e tjerë të “Bashkimit Shqiptar”, do të arrestoheshin dhe me 19 shkurt 1946 fillon gjyqi ndaj antarëve të kesaj organizate nacionaliste. Për 11 antarë  të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, duke perfshirë edhe prof. Gjeloshin  , prokurori komunsit , kap.Aranit  Çela kerkonte dënimin me vdekje… Ndërsa gjykata ushtarake e kryesuar nga toger Mustafa Iljazi  në seancën e 17-të dhe të fundit të 22 shkurtit (1946) , e dënon prof. Gjelosh Lulin me burgim të përjetshëm.16.  

NË VEND TË  EPILOGUT:  

Në vend të epilogut mendova të citoj një poezi të publikuar në një trakt të vitit 1942, shpërndarë nga Balli Kombëtar gjatë Luftës dytë Botërore. Poezia (apo më shumë…) pershkohej nga  “nota” të forta patriotizmi, të shkruar nga nacionalisti simbol i binomit Fe dhe Atdhe Pater Lekë  Luli, kur ai ndodhej në mal me pushkë në krah kundër pushtuesve fashistë. Poezia titullohej “Zani i shqipes”… 

  ZANI  I  SHQIPES   

 Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u tjetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!…”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mbulue,

sa mos t’mundni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris me ja sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se ca poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash katër vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mirt, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ken n’konop, ken grijë n’batare,

Ken ndryj n’burg t’tjerë  n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerzt vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vegjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!…

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë

E mbi krye me i vu kunorë

Për mbrapshti, çi po veprueka,

Atme e shpi kur t’i zaptueka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushkën e lenje shpin,

Kapni pushkën e bashk me mue:

Kapni pushkën pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë për me librue!!!

S’asht nevoja për me pvetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’Shqipnis në dorë

Aty u pret ju…

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju fitoni,

Si fituen t’part tuej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italijanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija për rreth tij

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi shoit zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”…

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt anmikut

pa ju shmang kurrnji rrezikut

Si ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet, Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me hasm t’Kombit. për Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!…

Vetëm at herë pra n’shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jetë shue, e shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.17.  

REFERENCAT:  

1.E dhënë e marrur nga nipi i Pater Lekë Lulit , Sander Gjelosh Luli (Vrrini) me banim në Shkodër.

2.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9. 

3.Dëshmi  Namik Kruja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9,+At Zef Pllumi, Histori kurrë e shkrueme , fq.134, Tiranë 2006.

4.Dëshmi-Dr. Zyhdi Zekja, Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  

5.R. Maroco della Roca , Kombësia dhe feja në Shqipëri , fq.273 , Tiranë 1994.  

6.https://kujto.al/dokumenti-i-1942-pater-lek-luli-nje-vajze-italiane-thuaj-tre-here-viva-l’albania qe-te-te-falen-mekatet/ Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.    

7.Dëshmi -Namik Kruja , Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9, + At Zef  Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, fq.56, Ribotim 2006.

8.Uran Butka  MUKJA , Shans  i bashkimit , peng i tradhtisë , fq.25-26, sh.b.”Naim  Frashëri”, 1998.

9.Uran Butka, po aty , fq.2.

10.Uran Butka , po aty , fq.91-92.  

11.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.

12.Kastriot  Dervishi http://www.panorama.com.al/foto-si-komunistet-vrane-dhe-dogjen-at-leke-lulin-ngjarja-e-tmerrshme-ne-pyllin-e-erret-te-valbones/.

13.Dr.Pjetër  Pepa , Gaz.”55” , dt.23 .11.2005 ,fq.9.  

14.Urdhëri i Fretërve Minor , Nekrologu i provinces  shqiptare të Zojës  Nunciatë , nën kujdesin e fra Flavio  Cavalini mbi bazën e nekrologut  të fra Marjan Prelaj me qortime dhe shtesa  të fra Vinçenc  Malaj , fq.193 , Shkodër A.D.-MMI.  

15.Gjovalin  Zezaj, Gjenocid  mjesjetar në shekullin XX , -kronikë- fq.18, Shkodër 2007.  

16.Gjovalin Zezaj , po aty, fq. 50 dhe 54. 

17.https://kujto.al/dokumenti-i-1942…  Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

JOURNAL DES DÉBATS POLITIQUES ET LITTÉRAIRES (1935) / POLITIKA E NDËRTIMIT TË RRUGËVE NË KOHËN E MBRETIT ZOG

July 23, 2022 by s p


Ahmet Zogu – Mbreti i shqiptarëve
Ahmet Zogu – Mbreti i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Korrik 2022

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të martën e 2 korrikut 1935, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me politikën e ndërtimit të rrugëve në kohën e Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Politika e rrugëve në Shqipëri.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zyra e shtypit shqiptar na komunikon shkresën në vijim :

“E dimë që mungesa e rrugëve ka qenë prej kohësh një pengesë për zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare që kalon nga Shqipëria.

Që tani e tutje, qeveria shqiptare, e frymëzuar nga dëshira e mbretit Zog I, ka vendosur t’i japë një zhvillim të konsiderueshëm ndërtimit të rrugëve të reja që depërtojnë në zemër të vendit përmes peizazheve piktoreske. Është e panevojshme të thuhet se këto rrugë komunikimi kanë interes strategjik të rendit të parë.

Kështu rruga e re kryesore do të çojë në qytetin (komunën) e Pulajt, i cili ndodhet mbi lumin e Bunës, në Shkodër. Jo vetëm që kjo rrugë do t’i lejojë vizitorët të admirojnë vendet e bukura të atdheut, por ideja e sovranit është t’u japë më shumë avantazhe fshatarëve për të shitur mallrat e tyre në Shkodër.”

Filed Under: Politike Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT