• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

Parlamenti shqiptar, rezolutë kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

July 21, 2022 by s p

  • ZERI I AMERIKES – Armand Mero / https://www.zeriamerikes.com/a/6668174.html

Parlamenti shqiptar
Parlamenti shqiptar

Në Shqipëri parlamenti diskutoi sot për miratimin e një rezolute të propozuar nga shumica, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë. Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve të ndryshme në Kosovë

Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty ishte zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë. Mes akuzave të shumta raporti ngrinte pretendime për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik organesh njerëzore, të shtrirë deri dhe në Shqipëri.

Pas 11 vitesh, parlamenti shqiptar, në një rezolutë të posaçme, vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe se vetë aktakuza e ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimitare, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Rezoluta kërkon që Këshilli i Evropës të rishikojë aktin e miratuar prej tij në 2011, dhe kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg. “Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë dhe do ta bëjë këtë me dinjitet deri në fund me aq sa ka mundësi. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg për këtë çështje dhe Dick Marty sot nuk më anëtar i Asamblesë. Ne s’e kemi fare me Dick Martyn tani, ne e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një asambleje të Këshillit të Evropës që është çuar dhe e ka votuar”, deklaroi zoti Rama.

Kryeministri mbizotëroi skenën e diskutimeve mbi këtë çështje duke ushqyer polemika të ashpra me opozitën e cila nga ana e saj ka propozuar paralelisht dhe dy rezoluta të ngjashme për dënimin e genocidit serb në Kosovë. Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën se e kanë përdorur Kosovën për lojërat të politikës së brendshme.

“Varret masive dhe gjaku dhe nderi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë menu ku fut hundët gjenerali juaj i ushtrisë së vdekur që do të mbledhë këtu të tëra kockat e Ballkanit, për ti bluar me demek në emër të kombit dhe të dinjitetit kombëtar”, u shpreh zoti Rama dukje ju drejtuar opozitës.

Akuzat e shumta të tij sollën dhe momente tensioni në sallë, mes tij dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Më pas zoti Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, e quajti të turpshëm qëndrimin e shumicës ndaj rezolutës së opozitës kundër gjenocidit serb në Kosovë: “Ky akt është çnjerëzor, është antikombëtar. Me asnjë lloj qëndrimi, me asnjë lloj rrugaçerie e shpërfytyrimi që kreu i juaj bën këtu në platformë, nuk mund të mbulojë këtë qëndrim çnjerëzor para së gjithash, pale pastaj antikombëtar”.

Por sipas shumicës, parlamenti shqiptar ka miratuar disa rezoluta e deklarata që nga viti 1998 për këtë çështje.

Filed Under: Rajon

MARIA…

July 21, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Më kishte kaluar orari i kafes atë mëngjes. Dallova vendin bosh dhe vrik u ula në qoshen time. Pa më pyetur pyetur, në tavolinë u ul një grua rreth të pesëdhjetave. Binin në sy flokët e gjatë në të zezën e korbit nga ku vinte një aromë e lehtë parfumi. Me zgjati gjithë elegancë dorën me gishtat e gjatë, tepër të hollë e  delikatë, ku tek i mesit shndërriste një unazë me gur diamanti. Nën lëkurën e lëmuar të pëllëmbëve gati të tejdukëshme dalloheshin damarët blu nëpër të cilët rridhte ritmikisht në mënyre të pandërprerë  lëngu jetëdhënës. Thonjtë e gishtave,  ishin të lyer me një të kuqe të fortë por jo vulgare. Në fytyrën e gjatoshe, mbi mollëzat dallohej një e kuqe, e zbehtë trëndafili…. Kishte diçka midis bukurisë së statujave greke në muzetë e Athinës dhe ëmbëlsisë së gruas persiane të përshkruar plot art e shpirt nga Esenini. 

– Nuk po më njef profesor,- buzëqeshi gruaja, duke lënë të shndërrisin dhëmbët e bardhë e të plotë. Më përqafoi dhe mbajti kokën disa sekonda mbi sup. Ka ca kohë që në trurin tim, rryma e vazhdimësisë në sektorin e kujtesës ndërpritet dhe vjen pas pak çastesh ose vonon edhe me orë. Po gruaja bukuroshe nuk më la të mendohem: “Jam Maria, e shkollës profesionale.“ Më mirë të më kishte qëlluar me shuplakë fytyrës sesa më kujtoi atë ngjarje, që edhe pas dyzetë vjetësh, gjumi më ikën kur e kujtoj…

 Ishte hera e tretë që mblidhej Këshilli Pedagogjik për një lidhje të supozuar midis dy të rinjve, Marisë në vit të dytë dhe një djali maturant. Sekretari i partisë së shkollës me detyrë karrocier, një njeri plot vese, me një ballë si njeriu e Neadertalit, kurrizo dhe çalaman, që bënte furnizimin e mencës dhe konviktit të shkollës, drejtonte seancat “gjyqësore”. U nisën disa telegrame në fshatin e thellë verior, të Maries, ku i kërkohej të atit të paraqitej urgjent në shkollë,  por prej andej nuk erdhi kurrë përgjigje. Merita ishte e imja, që guxova të ndërroja vetëm një germë te emri i fshatit. Prej andej vinte përgjigja e shkruar: Nuk ka banor të tillë në fshatin tonë. Doli që Maria e bukur me sy larushë  e pantallona burrash si thes, i kishte kthyer përgjigje djalit në një një letër fletoreje, me vijën e kuqe anash ( kurrë nuk e mora vesh si ra letra në dorën e karrocierit) pas propozimit: “ Unë pranoj me u dasht me ty. Sa me mbaru shkollën e pastaj do t’i tregoj babës…”  Kaq ishte letra. Po ku mbahej çalamani: “Jemi para një rasti flagrant të shfaqjeve të huaja. Nëse e lemë rininë të livadhisë kështu, nesër do na mbushet shkolla me dobiça. Ligji nuk lejon që në shkollë të mesme të rinjtë të dashurohen.”  Maria dridhej si ajo fija e rigonit në shpat, kur e rreh era e malit. U hodhën në votë dy proprozime: Përjashtim përgjithmonë nga shkolla dhe përjashtim për një vit. Fitoi mendimi i dytë. E shkreta Mari: mezi e kuptoi vendimin e organizatës bazë të partisë dhe të këshillit pedagogjik. Fytyra iu bë e bardhë si shkumësi, ngriu nga tmerri, hodhi vështrimin e pikëlluar me sytë gjithë lot, që kërkonin ndihmë, mbi trupin pedagogjik dhe shqiptoi më zërin e mekur: “Ban me mar vesh baba ke shpia, ka me më myt.”  

Në shtator Maria, nuk u kthye në shkollë megjithëse dënimi kishte mbaruar. Si mësues më brente mendimi se nuk kisha bërë sa duhej për të mbrojtur atë engjëll bukurie të papërlyer. Maria nisi të tregonte me pak fjalë jetën e saj: “ I thashë babës që ashtë shkollë e vështirë dhe nuk e bëj dot. Nana qau. Baba më rrahu sa mezi jam çuar nga shtarati pas një jave. Tre vjet kullota bagëtinë në mal e ndihmoja nanën. Sa u përmbys sistemi ika pa e kthyer kokën prapa. Kam parë tmerr, mbi gomone e kamiona, me njerëz që jetonin poshtë urave dhe bënin gjithçka për mbijetesë, por ia dola. Urreja gjithçka më lidhte me dheun tim. Edhe bari i fushave edhe lulet më dukej se mbanin ngjyrën e zezë. Një copë fëmijë isha, vija nga zonat e thella dhe më dënuan me vdekje. Është hera e parë, që kthehem pas 40 vjetësh për disa dokumenta dhe nuk besoj se do të kthehem më. Jetoj në Gjermani me familjen time. Kam dy fëmijë, nuk dinë shqip. Shumë pallate e supermarkete këtu, por njerëzit pak kanë ndryshuar, ende ka shumë varfëri e urrejtje… Erdha të të them faleminderit për atë germën, që ndërrove  dhe telegramet nuk mbërritën kurrë në atë fshat të humbur. Nëse baba do të vinte në shkollë kisha vendosur të hidhesha nga tarraca.” Asnjë fjalë nuk munda të them. Më dukesh vetja si idjot, dhe kisha ngrirë si ato statujat pa jetë të realizmit socialist. Pasi më përqafoi sërish, Maria iku. Dy harabela kërcyen mbi tavolinë nga ana, që ishte ulur gruaja e bukur. Çukitën disa thërrime dhe u larguan mbi pemën aty afër. Mora filxhanin e kafesë dhe fillova të gjerb gjithë zhurmë lëngun e hidhur… 

Filed Under: Kronike

L’ÉCLAIR (1919) / LETRA E KOMANDANTIT FRANCEZ : “GREKËT DUHET TË KUPTOJNË SE EDHE SHQIPËRIA KA TË DREJTË TË EKZISTOJË…”

July 21, 2022 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Korrik 2022

“L’Éclair” ka botuar, të hënën e 15 shtatorit 1919, në faqen n°2, letrën e Felix Holtz, ish-komandantit francez të Batalionit të Parë të kombësorëve shqiptarë në Korçë, në lidhje me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë,  të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja e Shqipërisë

Një popull që pretendon të drejtën e tij për të ekzistuar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme nga komandanti Felix Holtz, ish-komandant i Batalionit të Parë të kombësorëve së shqiptarëve. Ne nxitojmë ta botojmë atë :

“Ndër çështjet që i interesojnë Gadishullit Ballkanik, është një që ende pak njihet, por që gjithsesi do të duhet të zgjidhet : bëhet fjalë për çështjen shqiptare.

Shqiptarët formojnë një grup etnik të përcaktuar në mënyrë perfekte dhe Konferenca e Londrës ka vendosur tashmë shumë qartë kufijtë e vendit : në veri, mirditorët dhe malsorët katolikë; në qendër, gegët myslimanë; në jug, toskët, që përbëjnë tre të katërtat e popullsisë ortodokse greke.

Por shqiptarët, qofshin katolikë, myslimanë apo ortodoksë, pretendojnë vetëm kombësinë shqiptare; gjuha e tyre është me origjinë latine; veshja dhe zakonet e tyre janë të veçanta.

Nëse deri më tani shqiptarët nuk janë dukur të kërkojnë energjikisht të drejtën e tyre për ekzistencë, kjo është sepse ata shpresojnë se pushtetet do të marrin parasysh të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe se ato do t’u lënë atyre autonominë e tyre.

Dikush mund të pyesë veten nëse shqiptarët janë të aftë të administrojnë veten; megjithatë, nën Princin Vidin, revolucioni shpërtheu pikërisht sepse në krye ishte vënë një i huaj, i cili nuk dinte të kuptonte mentalitetin e tyre. Por ata që kanë banuar në Shqipëri gjatë luftës e dinë se në të vetmen zonë të Korçës, të pushtuar nga trupat tona, shqiptarët, nën mbrojtjen tonë, kanë organizuar dhe administruar në mënyrë të përsosur punët e vendit të tyre, kanë krijuar shkolla kombëtare, kanë menaxhuar financat në në një mënyrë kaq të ndershme, saqë, të privuar nga 700.000 franga nga grekët të cilët u detyruan të largoheshin nga Korça, ata mundën, pas disa kohësh, të rimëkëmbnin kapitalin e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga pikëpamja ushtarake ata mundën, me ndihmën e disa oficerëve francezë, të organizonin një forcë policie dhe një batalion që kontribuoi në tërheqjen (largimin) e austriakëve dhe bullgarëve. Batalioni është cituar, për më tepër, në urdhërin e ushtrisë.

Ushtria trime shqiptare, duke përparuar në tokën shqiptare, përjetoi ndjenjat e alzasienit (banor në Alsace) që luftonte për Alsace-Lorraine; shumë të guximshëm, shumë luajalë, besnikë ndaj fjalës së tyre, ata e kanë vendosur besimin tek Franca. Ata e njohin atë si çliruesen e të gjitha kombeve të shtypura. Franca, duke u dhënë atyre ndihmën e forcës së saj morale, do t’u kthejë atyre ndihmën që i sollën trimërisë së oficerëve, dhe grekët, që në të kaluarën kishin nevojë për mbështetjen e Francës dhe aleatëve të saj për të patur të drejtën e tyre për të ekzistuar, duhet të kuptojnë, nëse udhëhiqen vetëm nga parimet e drejtësisë, se edhe Shqipëria ka të drejtë të jetojë.”

Komandanti FELIX HOLTZ

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

HISTORIA  E  ARSYETUAR

July 21, 2022 by s p

Nga EUGJEN MERLIKA/

Debati i ditëve të fundit tek Bota Shqiptare, në sajë të prirjes së dukshme të studjuesit Ardian Vehbiu për të trazuar ujrat e ndenjura të mendimit shumëplanësh shqiptar, sjell para opinionit këndvështrime interesante e të hapura për t’u tfilluar jo vetëm në rrahje mendimesh por dhe në kujtesën historike e ndërgjegjen e shqiptarëve.

Në përgjigjen “Arsyeja historike”, studjuesi në fjalë shtron disa pyetje të karakterit historik e mundohet t’u japë shpjegime mjaft dukurive që kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve të qindvjetës së shkuar jo vetëm në fushat politike e shoqërore. I nisur në kuadrin e mendimrrahjes mjaft të shtrirë në shtypin e shkruar e jo vetëm në të, në lidhje me gjuhën standarte dhe problemet e saj të së shkuarës, së sotmes e së ardhmes, objekti i diskutimit zhvendoset në një plan tjetër dhe rrok një sferë të gjërë të jetës politike, kulturore, shoqërore e institucionale të Kombit shqiptar në shekullin që lamë pas, me ngjarjet e tij të dëndura e të një peshe të pazakontë.

Z. Vehbiu, në qendër të idesë që shtjellon në shkrimin e tij, vë ndryshimet ndërmjet Gegërisë e Toskërisë në një vështrim shumëplanësh që i lejon atij të arrijë në një përfundim, që le shteg për diskutime të thella e të hapura. Ai është i kënaqur, me të drejtë, që temat dhe konceptet që shtron krijojnë terren për diskutime. Këto, në kornizën e debatit të qytetëruar në formë e të argumentuar në kërkim të së vërtetës në përmbajtje, nuk mund veçse t’i sjellin dobi jetës intelektuale të shqiptarëve në atdhe e jashtë tij.

Një kundërvënie toskë-gegë në planin shoqëror e kulturor të jetës së shqiptarëve, si një mjet për të shpjeguar dukuri të përmasave të mëdha të rrjedhës së saj, nuk më duket aspak bindës e ndoshta as edhe shumë i përshtatëshëm për interesat e Shqipërisë. Por, pavarësisht nga kjo konsideratë, duke dalë jashtë skemave të njohura e të trashëguara të dogmave të “unitetit” të shqiptarëve dhe interesave kombëtare të tyre, nëse dukuria ka një themel në të vërtetën e mira është që të dalë në logun e bisedave.

Mendoj se ka ardhur koha që historia tek ne të fillojë udhën e gjetjes së tempullit të saj si shkencë, pa u kushtëzuar nga politika dhe interesat e saj, pa u paragjykuar nga konsiderata ideologjike të rrënjosura në kohë të ndryshme që përcaktonin vlerësime të parafabrikuara, të kthyera në dogma. Shkenca e historisë duhet të njohë vetëm një kriter, atë të së vërtetës objektive. Në këtë këndvështrim, çdo lloj rrahje mendimi që kryhet mbi dukuritë dhe ngjarjet e saj të mëdha e të vogla, është e pranueshme, madje e kërkuar. Duke u nisur nga këto kritere a ka qënë i pranishëm një hendek në Shqipëri mes Veriut e Jugut të saj e deri në ç’masë ndryshimi ka ndikuar në ngjarjet madhore dhe fatet e Kombit?

Z. Vehbiu në arsyetimin e tij arrin në një pohim origjinal, për mua të padëgjuar:

“…në kuadrin e këtij debati vetë regjimi i Hoxhës duhet konsideruar si produkt i zhvillimeve sociale në Shqipëri të nisura që me Naum Veqilharxhin, Lidhjen e Prizrenit dhe Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në 1912…”. Para këtij pohimi ai shtron disa pyetje që janë të prirura të shkaktojnë diskutime edhe të forta n’opinionin publik shqiptar: “….Pse komunizmi dhe në përgjithësi antifashizmi i patën rrënjët kryesisht në Toskëri e ndër toskë, në një kohë që gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse ( italianët dhe gjermanët)?Pse edhe gjatë kohës së mbretërisë ishte elementi tosk që tregoi gjallëri më të madhe në kulturë- po të shihet numri i faqeve të librave dhe të gazetave të botuara- dhe në ekonomi? Pse Rilindja Kombëtare, që politikisht dhe ushtarakisht dukej e rrënjosur mirë në Gegëri, përfundoi kulturorisht në duar të Toskëve?…”

Më duket se pyetjet meritojnë vëmëndje e vlejnë të shtjellohen gjërësisht.  Sigurisht, siç thotë edhe autori, këto presin një debat në nivel akademik. Por, në pritje të tij, që po le shumë për të dëshëruar, mbasi ende nuk duket në horizont objektiviteti  shkencor, mendoj se biseda mund të zhvillohet lirshëm edhe në nivele më të ulta.

Ndërtesa e arsyetimit të autorit mbështetet mbi një themel, që për të është i fortë e i qëndrueshëm, mbi “epërsinë” kulturore e sociale të një të tretës së shqiptarëve, banorë të Jugut të Vendit, të quajtur toskë, mbi dy të tretat që gjenden në veri të Shkumbinit e që njihen me emrin gegë. Themeli i tij është mjaft i diskutueshëm e, për pasojë, edhe kulla e arsyetimit që ngrihet mbi të është mjaft e luhatëshme. 

Pa vënë në dyshim veçori të ndryshme, rrjedhojë e proçesit gjeohistorik të ecjes në shekuj, nuk më duket shumë e saktë ideja e “epërsisë” së madhe të Jugut ndaj Veriut. Nëse si njësi matëse merret zhvillimi i pakët i disa krahinave malësore të tilla gjënden në Veri po ashtu si në Jugë. Nëse njësi matëse është zhvillimi social e kulturor i qyteteve, gjatë gjithë rrjedhës së historisë deri në ditët e sotme, jam i bindur se, edhe në këtë drejtim, gjëndja është e barazpeshuar. Në do të gjykojmë për përfaqësuesit e elitës kulturore të Kombit, fatmirësisht ata kanë dalë nga të gjitha trevat shqiptare dhe një numurim i thjeshtë matematik nuk është tregues epërsie i një pale apo i një tjetre. Ndoshta, në nivel mase, Jugu i prirur më shumë për mërgimin e, për pasojë, i ballafaquar më shumë me botën e huaj, ka fituar më shpejt disa shprehi të qytetërimit; por që këtu të flitet për një epërsi që arrin të përcaktojë dukuri historike me përmasa të mëdha, më duket diçka e nxituar.

Fatmirësisht kundërvënia Jugë-Veri nuk ka patur kurrë përmasa dramatike në historinë shqiptare. Kanë ekzistuar rivalitetet e zakonëshme, në nivel prijësash por, në çastet vendimtare të jetës së Kombit, pesha e tyre nuk ka arritur të përcaktojë ngjarjet e vendimarrjet. Është e vërtetë se na ndjek prej shumë qindvjetësh mallkimi i paaftësisë për t’u organizuar në bashkësi të qëndrueshme me rregullat e Shtetit, por kjo i detyrohet natyrës sonë krenare deri në arrogancë e të prirur më shumë për të urdhëruar e sunduar se sa për t’u bindur e për të dëgjuar arsyet e të tjerëve.

Ngjarjet madhore të historisë sonë që nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë janë zhvilluar kryesisht në Veri, por janë farkëtuar në kudhrën e inteligjencës mbarëkombëtare e kanë patur ndihmesën e  përfaqësuesve më në zë të saj. Madje dhe Qeveritë e Shtetit shqiptar të pavarur, duke filluar nga e para, e kryesuar nga Ismail Qemali, kanë patur si kriter themelor e të dorës së parë barazpeshën mes krahinave e besimeve të ndryshme. Ky ishte tregues urtije i asaj klase drejtuese, por edhe dëshmi e faktit se nuk kishte një krahinë apo një trevë që të kishte epërsinë mbi të tjerat e, për pasojë, të drejtën e udhëheqjes së padiskutueshme.

U ndryshuan stili e kriteret e drejtimit të Vendit kur në fuqi erdhën komunistët që, të paisur me armën famëkeqe të “luftës së klasave”, shkatërruan nga themelet kodin etiko-politik të deriatëhershëm, duke bërë dhunën të vetmin motor lëvizës të jetës së Vendit. Komunistët në Shqipëri nuk erdhën në pushtet si pasojë e një evolucioni të “ zhvillimeve sociale” të një qindvjetori që sillte si “domosdoshmëri” sprovën marksiste-leniniste në brigjet e Adriatikut. Komunizmin e solli lufta e dytë botërore, kompromiset e fituesve të saj mbi  fatet e popujve, por edhe papërgjegjshmëria e miopia politike e pjesës më të madhe të politikanëve shqiptarë që, në rrethanat e krijuara, nuk patën aftësinë të shmangnin katastrofën e pritme.

Evolucioni i shqiptarëve në dy qindvjetat e fundit pati si bosht drejtues vetëm idenë kombëtare. U luftua nga njerëzit e ditur në Veri e në Jugë me të gjitha mundësitë për të formuar ndërgjegjen kombëtare, aq shumë të domosdoshme n’atë kohë ballafaqimesh të kombeve e aq shumë të drobitur nga katër shekuj pushtimi osman e mungese të shkrimit e shkollave shqipe. Mbas fitores së Pavarësisë të tjera probleme të krijimit e të forcimit të Shtetit e të ndërgjegjes qytetare, së bashku me zhvillimin ekonomik e kulturor të Vendit, ishin përparësitë e shoqërisë shqiptare. Me Mbretin Zog Shqipëria filloi ecjen e ngadaltë por të sigurtë drejt një shoqërie të qytetëruar dhe, në atë kohë nuk kishte një mbizotërim të toskëve ndaj gegëve e anasjelltas. Sikur të mos kishte qënë pushtimi italian e lufta e dytë botërore komunistët në Shqipëri nuk do të kishin qënë në gjëndje as të krijonin një parti që të merrte pjesë në lojën demokratike, jo më të fitonin qeverisien e Vendit.

Mendoj se pohimi i z. Vehbiu, i cituar më sipër, nuk më duket i bazuar. Po ashtu sikurse edhe pyetjet që ai shtron nisen nga premisa jo të sakta e përmbajnë në vetvete kundërshti të dukshme.

Nëse komunizmi, duke gjykuar nga përvoja e sendërtimit të tij gjysëm shekullor, ishte rreziku më i madh që i kanosej Shqipërisë në atë kohë, përkrahja e tij a duhet quajtur një tregues urtije, zhvillimi e largpamësie politike? Është e vërtetë se një pjesë e Toskërisë u tregua më e gatshme të përqafonte idetë e mbjella nga Miladini dhe Enver Hoxha, po ashtu sikurse popullsia e Veriut dhe Kosovës, për arsye që dihen, nuk i pranoi me dëshirë ato në pjesën e saj më të madhe. Nëse do të bëhej fjalë për “epërsi”, në kuptimin e plotë të fjalës, në këtë rast ajo është në anën e atyre që nuk i besuan sirenave të komunizmit, që ditën të dallojnë në atë kohë të turbullt cili ishte interesi i vërtetë i shqiptarëve, që ditën të ndajnë grurin e antifashizmit nga egjra komuniste, që iu kundërvunë me të gjitha mjetet “murtajës së kuqe”, edhe nëse dolën të mundur nga beteja e tyre.Të tillë pati në të gjithë Shqipërinë e z. Vehbiu është i pasaktë kur i atribuon luftën civile vetëm “arealit tosk”. Ndoshta ai nuk e din se rezistenca antikomuniste me armë, në malet e Shqipërisë së Veriut u zgjat edhe disa vite mbasi ishte instaluar në Tiranë “guberna”  e Enver Hoxhës. Ai kundërshton veten kur pohon se “elitat katolike gege…nuk arritën dot të pikasin natyrën e vërtetë të dinamizmit tosk në ekonomi, në kulturë dhe në politikë, njëlloj sikurse nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria” . 

Ngushtimi i termit Gegë vetëm në Shkodër dhe në sferën katolike, megjithëse pjesa më përfaqësuese e elitave veriore, nuk e jep të plotë kuadrin, për të cilin flitet, përgjithësimi i dukurive në stil bardh e zi i heq objektivitetin gjykimit. Nga një anë pretendohet se “..gegët gjatë Luftës së Dytë mbetën në pozicione më prudente, për të mos thënë pasive e pa folur për ato raste kur bashkëpunuan hapur me palët humbëse (italianët dhe gjermanët)”, ndërsa nga ana tjetër pohohet se “nuk mundën të kuptonin shkallën e rrezikut komunist për një vend si Shqipëria.” Nëse një pjesë e klasës politike,  kryesisht gege por edhe toske në përqindje më të vogël, nuk iu bashkua luftës me armë kundër pushtuesve por bëri me ta marrëveshje në dobi të Vendit, pati vetëm një arsye madhore. Ajo ishte përpjekja për të shmangur rrezikun që Shqipëria të bëhej pre e sllavo-komunizmit. Pikërisht sepse e kishin kuptuar se çfarë i kanosej shqiptarëve, nëse Vendi i tyre do të bëhej pjesë e Perandorisë së Kremlinit, në kushtet e pushtimit të huaj dhe të luftës që kishte përfshirë gjithë kontinentin, pushtim dhe luftë që nuk i deshi asnjë shqiptar, ata pranuan bashkëpunimin me dhimbje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Në atë strategji hynte ruajtja e Vendit nga shkatërrimi dhe sigurimi i tërësisë tokësore të shqiptarëve të vetadministruar, një projekt që kishte mbetur një ëndërr që nga 1913 e që ende sot vazhdon të quhet një “mëkat” i madh” e një “rrezik” nga Evropa demokratike.

Qëndrimi i “mefshtë”, për të cilin pa të drejtë akuzohen gegët, ishte antikomunizmi i tyre. Nëse komunizmi i solli Shqipërisë lirinë, mirëqënien dhe përparimin, ata që luftuan atë duhet të vihen edhe post mortem në bangën e t’akuzuarve nga historia, ashtu siç u vunë në gjyqet dhe institucionet e terrorit të Shtetit të Enver Hoxhës. Në të kundërt ata meritojnë piedistalin, edhe nëse historiografia evropiane ende sot nguron t’u njohë meritat. Historiografia shqiptare, në analizën e saj të ftohtë të së shkuarës së Vendit të saj, duhet të mbajë parasysh të veçantën që e karakterizonte, specifikën e kuadrit gjeografik e historik që kishte përcaktuar, në mijëvjeçarin e fundit, rrjedhën e ngjarjeve. Një analizë shabllone, e bazuar në kritere të përgjithëshme e në tabu të së shkuarës, tashmë të diskredituara plotësisht, nuk mund të japë ndihmesën e saj në zbulimin dhe interpretimin e të vërtetave historike, do të thotë të vazhdojmë të ecim nëpër mjegull, pa sqaruar idetë, pa nxjerrë mësimet e duhura nga e shkuara jonë e dhimbshme.

Filed Under: Rajon Tagged With: Eugjen Merlika

NJË FILLIM I MBARË ME NJË HAP TË MBRAPSHTË!

July 21, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person wearing glasses

Description automatically generated with medium confidence

Kjo klasë politike shqiptare është aq e pa shpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar sa që edhe po të duam të gëzohemi për një rast të gëzueshëm, këta nuk të lenë as të gëzohemi si shqiptarë kudo që jemi. E kam fjalën për hapjen, zyrtarisht, të bisedimeve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, megjithse ky proces, sipas zyrtarëve të BE-së, është një rrugë shumë e gjatë. Megjithkëtë, nuk na lenë të festojmë as për një ditë, të pakën derisa të këtheheshin në Tiranë, që ta na bindnin se asgjë nuk ka ndryshuar. 

Shqipëria dhe shqiptarët kudo, kishim nevojë të dëgjonin një lajm të mirë për Kombin tonë, përball grindjeve dhe konflikteve, përballë korrupsionit që është jashtë kontrollit në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të shoqërisë, përball drogës dhe vrasjeve të përditëshme midis grupeve kriminale, çmimeve të larta, papunësisë dhe zbrasjes së vendit nga rinia. Të gjithë u gëzuam kur morëm lajmin se Bashkimi Evropian ka vendosur të çel, zyrtarisht, negociatat me Shqipërinë, pa marrë parasysh se kush sundon sot në Tiranë dhe megjithë rrugën e gjatë përpara.  

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Z. Oliver Varhelyi gjatë fjalës së hapjes zyrtare të procesit të negociatave me Shqipërinë u shpreh gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Shqipërisë Z. Rama se në këtë rrugë të gjatë nevojitet një “konsensus mbarë-ndërkombëtar” dhe se për të dalur me sukses na “duhen të gjithë në Shqipëri”.  Pyetjes së një gazetari se pse në delegacionin e Shqipërsië nuk kishte asnjë përfaqsues të opozitës, Kryeministri — të pakën në letër i të gjithë shqiptarëve — u përgjigj me ironi: nuk dimë kushë është opozita, “Nuk e dimë se kush është në krye të partisë”, tha ai.

 Z. Varhelyi u shpreh se procesi kërkon dhe nevojitë gjithpërfshirje, duke shtuar se, “Negociatat kanë natyrë shtrënguese. Do ketë një ndikim madhor, pozitiv te shoqëria dhe na duhet që gjithsecili të bëhet pjesë e kësaj rruge”, ka thenë ai.  Duket se Z. Rama nuk është në të njëjtat valë me Bashkimin Evropian sa i përket gjithpërfshirjes në procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE, pozitë, opozitë, shoqëri civile, e tjera grupe të interesit.

Kjo dukuri në Bruksel dje më solli në kujtesë nënshkrimin e Memorandumit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara më 15 mars 1991.  Kur për këtë qëllim në SHBA kishte ardhur delegacioni shqiptar me në krye Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe, Z. Muhamet Kapllani, komuniteti shqiptaro-amerikan vuri re se në atë delegacion nuk kishte anëtarë të opozotës së re të posa themeluar në Shqipëri. Si përfundim, komuniteti nguli këmbë që Memorandumi të mos nënshkruhej për derisa të mos ketë në atë ceremoni edhe përfaqsues të opozitës shqiptare, të posa formuar. Me fjalë tjera, që ceremonia në Departmentin e Shtetit të ishte një akt mbarë kombëtar, gjithëpërfshirës shqiptar. Ashtu edhe ndodhi, kërkesa e komunitetit tonë këtu u pranua nga Departmenti i Shtetit dhe pak më vonë edhe  Ministri Kapllani ra dakort se kërkesa e komunitetit shqiptaro-amerikan ishte e justifikuar.   Ceremonia e nenshkrimit u vonua derisa në Washington arrijtën përfaqsuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të posa themeluar, zotërinjtë Dr Sali Berisha dhe Gramoz Pashko.

Arsyetimi i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte se Washingtoni nuk duhej të rivendoste marrëdhëniet me një regjim komunist i cili për 50-vite vetëm urrejtje shprehte ndaj Amerikës, por duhej të përfshinte në delegacionin shqiptar edhe përfaqsues të segmenteve të tjera të shoqërisë shqiptare, që në atë kohë ishin të paka ose jo-ekzistuese.  Sepse — në prak të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri me shembjen e Murit të Berlinit — këto nuk ishin marrëdhënie të Amerikës vetëm me një regjim diktatorial në Tiranë, por ishte një ceremony për ri-vendosjen e marrëdhënieve historike, popull-me- popull, pa marrë parasysh se kush sundonte në Tiranë, në atë kohë.

Mungesa e opozitës shqiptare në Bruksel të martën nuk mund të bindi askënd dhe më pak vet BE-ën, se Kryeministri Rama është vërtetë serioz për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sepse Bashkimi Evropian nuk pranon vende mono-partiake, siç është Shqipëria. Për këtë arsye, rruga  e antarësimit të Shqipërisë në BE — edhe nëqoftse ndodhë eventualisht — do të jetë shumë më e gjatë se ç’pritet normalisht.  

Fatkeqsisht, mos përfshirja qyshë tani e opozitës shqiptare në këtë proces është një fillim i mbrapsht i këtij procesi të gjatë gjatë.  I para-destinuar të dështojë dhe i cili nuk premton shumë për antarësimin eventual të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Është vështirë të thuhet nëse — çelja zyrtare e negociatave të BE-së me Shqipërinë pardje në Bruksel — është “fillimi i fundit apo fundi i fillimit”, i nuk di se çkaje. Fatkeqsisht, të martën Zoti Rama ishte në Bruksel për propagandën e radhës, por sytë e mendjen i ka gjithnjë të drejtuar kah nisma “Ballkani i hapur”, ruso-serbe, e shpinën ia ka këthyer Bashkimit Evropian me kohë! Mungesa e cilëve do përfaqsues të opozitës shqiptare në Bruksel, të martën që kaloi, nuk është një shenjë pozitive as nuk tregon vullnet të mirë nga autoritetet e Tiranës që negocitatat midis Shqipërisë dhe BE-së në të ardhmen, do të dalin me sukses. Mos ftesa e përfaqsuesve të opozitës politike shqiptare në Bruksel, ishte një hap tepër i gabuar, sido që ta shikosh. Një mentalitet ky i një republike bananash, i padenjë për Kombin shqiptar! Si gjithmonë, edhe punët e mbara – siç është nënshkrimi i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian – politika shqiptare i fillon për mbrapshti.

Frank Shkreli

Konerenca

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT