• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

Kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

July 5, 2022 by s p


Athinë, 5 korrik 2022

Në ditën e parë të Tryezës së Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe The Economist, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, diskutoi në panelin me temë “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

Zgjidhja për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, dhe drejt kësaj ne kemi nevojë për Procesin e Berlinit, theksoi kryeministri Kurti në fjalën e hapjes.

Procesi i Berlinit mund të sjellë një valë që do të ngriste të gjitha varkat në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht një iniciativë me Bashkimin Evropian  si vlerë dhe mekanizëm, e jo jashtë BE-së, shtoi ai.

Kryeministri Kurti tha se ne kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, por duhet t’i sjellim vlerat e BE-së brenda, duke bërë reforma demokratike gjithmonë si prioritet drejt stabilitetit politik. Reformat demokratike mbi stabilitetin politik sigurojnë që të mos shfaqen autokratët, potencoi ai.

Republika e Kosovës është një sukses i dyfishtë: së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb, dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar refugjatëve kthimin dhe rindërtimin e shtetit tonë. Dhe së dyti, është një tregim suksesi për sa i përket rritjes ekonomike dhe demokracisë cilësore, që funksionojnë krah për krah, tha Kryeministri.

Duke folur për luftën në lidhje me narrativën, kryeministri Kurti tha se ka disa superfuqi që duan të tregojnë se autokracia është më e mirë për zhvillimin ekonomik. Dhe Kosova po tregon se në fakt, me reforma demokratike mund të arrihet sukses, edhe kur është fjala për rritjen ekonomike.

Për shkak të ndryshimeve demokratike që ndodhën vitin e kaluar, Kosova përjetoi rritjen më të lartë ekonomike që nga pavarësia me 10,53%, eksportet tona u rritën 83,6%,  dhe investimet e huaja u rritën 21%. Ne tani renditemi të parët në rajon në Projektin Botëror të Drejtësisë; jemi ngritur për 17 vende në Transparency International dhe Indeksin e Lirisë së Shtypit, tha ai.

Ne po tregojmë se me reformat demokratike, nga njëra anë bëmë rritjen e ekonomisë sonë, por edhe e rishpërndamë këtë rritje përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, tha kryeministri, duke theksuar se demokracia dhe ekonomia shkojnë bashkë, dhe se Kosova ndonëse nuk është një vend i madh është  një shembull i shkëlqyer për këtë.

Duke folur për dënimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, kryeministri tha se nuk mund të jemi neutral. Neutraliteti në këndvështrimin tonë është cinizëm dhe do të thotë kërkim i rehatisë në kohë krize.  Por shpresa dhe pasioni duhet të kapërcejnë çdo lloj cinizmi, shtoi ai.

Agresioni i Kremlinit ishte një luftë e zgjedhur, por solidariteti në Evropë nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrë, theksoi Kryeministri Kurti.

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri tha se kemi një rrethanë fatkeqe ku fqinji ynë Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Duke theksuar se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin, kryeministri theksoi synimet Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku këtë vit do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat si dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës. Ai tha se shpreson që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të merret në konsideratë së shpejti, që do t’u mundësonte qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Krahas kryeministrit Kurti, në panel diskutuan edhe  Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli u drejtua nga Joan Hoey, drejtore për Evropë, The Economist Intelligence Unit, redaktore, The Democracy Index.

Kjo tryezë, e 26-ta me radhë, është organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist”, me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Me temën “Antiteza, transformime, arritje në një botë në ndryshim”, në këtë tryezë po marrin pjesë liderë shtetesh, ministra kabineti, drejtues të organizatave ndërkombëtare, drejtues nga biznesi, financat, profesionistë nga akademia dhe mediet.

Filed Under: Politike

Në përkujtim të 50 vjetorit, të sulmit në lojërat Olimpike në Mynih edhe LAPSh-i në Bavari

July 5, 2022 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Një imazh që përmban pemë, qiell, person, i jashtëm

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

  Sot, më 02.07.2022, në Mynih të Republikës (Landit) së Bavarisë në Gjermani u mbajt manifestimi përkujtimor i 50 vjetorit të sulmit, që ndodhi gjatë lojërave Olimpike në Mynih, më 5 shtator 1972. Ku një grup atentatorësh palestinez, atë kohë, ekzekutuan njëmbëdhjetë atletë Izraelit, të cilët pasi i morën peng dhe i vendosën në aeroportin e Fürstenfeldbruck pranë Mynihut fatkeqësisht i vranë. Po ashtu në këtë sulëm u vra edhe një polic bravares, në përpjekje për t’i shpëtuar pengjet. U vranë dhe pesë palestinez, atentatorët të cilët ekzekutuan ekipin e atletëve të Izraelit.

Në 50 vjetorin e kujtimit të këtij sulmi, qyteti i Mynihut ka organizuar shumë evenimente kulturore e sportive, po ashtu ka organizua edhe paradë, ku morën pjesë të gjitha komunitetet jo gjermane, bashkë me to edhe komuniteti shqiptar.

Në këtë eveniment, për ta përfaqësuar komunitetin shqiptar, mori pjesë shkolla shqipe në Bavari me nxënësit, mësimdhënësit dhe kryesin e LAPSH-it

Kjo pjesëmarrje e nxënësve na bënë të ndihemi krenar dhe na dëshmon se sa e duan atdheun dhe se si ruhet vlera dhe kultura kombëtare. Po ashtu kishin organizuar përpos këngës, valles edhe ecjen e rreshtuar me kostume kombëtare, me të gjitha veshjet e krahinave shqiptare, e ndritshmja mbi kokat e tyre qëndronte kësula dhe shqiponja.

Nga nxënësit e shkollës shqipe, me Mësimi Plotësues në Gjuhën shqipe, doli pyetja: “Bashkëkombës a do të ishte krenari që të gjithë fëmijët mërgimtarë-shqiptarë të jenë përkrah shokëve të tyre, nxënësve të Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe, që përmes këngës, valles po na identifikojnë kulturën, veshjen kombëtare dhe mbi të gjitha e ruajnë gjuhën amtare”.

Në këtë eveniment i pranishëm ishte edhe instrumentisti e këngëtari, Hysen Hoti dhe këngëtarja Shkurte Hadërgjonaj.
Grupit të paradës të komunitetit shqiptar i paraprinte logoja e shkollës shqipe “edhe pse nuk jemi në vendlindje, ne mësojmë gjuhën shqipe!”, të përcjellë në tërë rrugëtimin me valle, kërcime të nxënësve, e me këngën dhe muzikën shqiptare.

Për të shkuar ky eveniment si është më mirë u angazhua kryesia e LAPSh-it, mësimdhënësit, në veçanti Arif Arifit, i cili u mor me anën teknike, këngëtarët dhe instrumentistët, në bashkëpunim me kryetarin, Milazim Ukaj!

Në përfundim të këtij evenimenti thirrja ishte: “Shkolla shqipe ju pretë fëmijë të dashur, ejani në shkollë bashkohuni me shokë, që të mos e harroni gjuhën amtare, sepse kjo na nderon dhe na bënë të jemi shqiptar, me bujari, që ta përcjellim te brezat e ardhshëm amanetin e heronjve, rilindësve: Ta ruajmë atdheun, gjuhën shqipe!”

Një imazh që përmban tekst

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Filed Under: Analiza

Shoqata “SKËNDERBEJ USA” në NY-NJ në festë për 4th of July Garefield NJ

July 5, 2022 by s p

Veri Talushllari  

E diel, 3 korrik 2022

Nën tingujt e Himneve Kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë, ushtarakët shqiptarë (të liruar ose në pension), me banim në NY e NJ, që para pesë vitesh kanë krijuar Shoqatën e tyre me emrin e Skënderbeut, kanë filluar edhe këtë vit festën për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një traditë kjo e krijuar këto vite në shenjë nderimi e mirënjohjeje për vendin që i priti si emigrantë, u krijoi mundësi jetese e shkollimi atyre vetë, por në radhë të parë fëmijëve të tyre, por edhe për kontributin për mbrojtjen e përparimin e kombit shqiptar, çlirimin e Kosovës, demokratizimin e dy shteteve shqiptare. Është ky dhe një rast të takohen me njëri tjetrin, pasi kanë qënë shokë shkolle e kolegë, kujtojnë rininë, por edhe të flasin për hallet e problemet, për fëmijët, nipërit e mbesat, për jetën në atdheun e dytë. 

Presidenti dhe zv. presidentja e Shoqatës, Bujar Hasani dhe Nadire Xhakolli bëjnë mikpritësin në një lokal të këndshëm shqiptar në Harrison av, pronë e mikut të hershëm të Shoqatës dhe kuzhinjerit të talentuar Arben Xhambazi. Folësit vunë në dukje rëndësinë e 4 Korrikut, një datë që jo vetëm shënoi Pavarësinë e një kombi të ri, por edhe hodhi themelet e vendit më demokratik, e në këto 246 vjet, vendit më të përparuar, që ka ndikuar e ndikon zhvillimet më të mëdha politike, ekonomike, kulturore, teknologjike, shkencore etj. 

Për kombin shqiptar, pa dyshim kombi më pro amerikan në botë, lidhja dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qënë një shpëtim, një bekim, pasi sot, në fillim e në mbarim të shekullit të XX-të kemi dy shtetet tona, kemi momentin më të mirë të ekzistencës dhe mbarësisë së kombit tonë. Amerika na u gjet në momentet më të vështira, kur vihej në dyshim pikërisht kjo ekzistencë. Emrat e Presidentëve Wilson e Clinton, janë emra të shenjtë për shqiptarët, për atë që bënë për Shqipërinë më 1919 dhe për Kosovën më1999. E kjo mbështetje dhe ndihmë ka marrë përmasa të reja në ditët tona, kur Shqipëria është anëtare aktive e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, dhe po bën hapa të mëdha në zhvillimet demokratike e ekonomike, drejt një shteti modern demokratik. Edhe në fuqizimin e modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe Forcave të Sigurisë të Kosovës, ndihma e përvoja amerikane janë të një rëndësie jetike. 

Pas përshëndetjeve të rastit, mjedisi mbushet nga tingujt e muzikës së këngëve e valleve shqiptare. Dikush ka dëshirë të thotë dy fjalë. Me gotë në dorë avokatja Mimoza Ferraj, vajzë ushtaraku, një nga ato pak vajza e djem studentë të guximshëm që në vitin1990 nisën dhe udhëhoqën Lëvizjen Studentore, Pishtare e Demokracisë, shpreh gëzimin që është në këtë festë, mes shokëve dhe kolegëve të babait e që i sheh ata të ingranuar në jetën amerikane e që edhe këtu janë të bashkuar e i gjenden njëri tjetrit. Ndahen çertifikata mirënjohjeje për veprimtarët e Shoqatës por edhe për miqtë që kanë marë pjesë në veprimtaritë e saj. Ja, një “Mirënjohje” për z.Adem Malellari, kryetar i Degës së Shoqatës “Vatra” të New Jersey-t, një mik i Shoqatës “Skënderbej USA”. Dhe një tjetër” Mirënjohje ” për Akademik Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave. Prof. Kodra, i sapokthyer nga një udhëtim me plot veprimtari shkencore e atdhetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, flet me entuziazëm për pritjen që i bënë atje. E njëherësh bie dakord që në muajt e ardhshëm të organizohet një veprimtari e përbashkët mes Akademisë dhe Shoqatës “Skënderbej USA”. 

U fol për promovimin e dy librave të nivelit akademik nga dy anëtarë të Shoqatës, për Mërgatën Shqiptare të Amerikës nga Shefqet A. Saliu dhe Album Historik i Kongresit të Manastirit nga Engjëll Zerdelia. Mes festuesve ka dhe miq të Shoqatës, si dhe anëtarë të rinj. I kërkohet poetit Hekuran Miraka të thotë diçka, mbase dhe përmes vargjeve të poezive të tij. Por ai i kërkon DJ të luajë një këngë me vargjet e tij që pritet me duartrokitje. Ndërsa të ardhurit rishtas në Shoqatë, Gëzim Mehmeti, Bashkim Dobrusha, Naim Elezi, Gëzim Canaj, shprehin kënaqësinë për takimin me kolegë të hershëm dhe miq të rinj, si dhe për organizimin e synimet e Shoqatës. Nga Shqipëria një dhuratë e veçantë: studiuesi dhe poeti ushtarak (P) Avni Skënderaj ka dërguar dy libra, një Historik të Mbrojtjes Kundërajrore dhe Portrete të Ushtarakëve të kësaj arme, që bëhen pjesë e Bibliotekës së Shoqatës. 

Përsëri këngë, valle e vallëzim, dolli e shëndete sipas traditës shqiptare. E ndërkohë nëpërmjet rrjeteve sociale, pasi hidhen fotot e videot e para, vijnë urime e përgëzime nga kolegë, miq e shokë, si dhe nga shoqatat e ushtarakëve në Shqipëri e nëpër botë. Të gjithë urojnë me zemër “4-th of July”, ditëlindjen e Amerikës dhe kështu, për festa e gëzime u mbledhshim gjithnjë!

Filed Under: Analiza

DHUNA DHE DINJITETI

July 5, 2022 by s p

Nga EUGJEN MERLIKA

( Duke lexuar romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos)

“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti.”

Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një  ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes” të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjërë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditëshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore.

Ngjarjet zhvillohen në Vloçisht, ndofta më famëkeqi i kampeve të punës, më mizori, më i eturi për gjak e jetë njerëzish. I vendosur diku, në buzë të kënetës së Maliqit, përballë fshatit me të njëjtin emër, për disa muaj u kthye në një përbindësh të llahtarshëm që çdo ditë bluante trupat dhe shpirtërat e banorëve fatkeqë të tij. Një nga përfaqësuesit më të përkryer të terrorit të kuq shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga takimet me botën që e rrethonte, ishte një ishull torturash, dhimbjesh e vdekjeje.

Autori i veprës, atëhere djalosh idealist, i dënuar nga gjyqi komunist si “armik i popullit” dhe i dërguar së bashku me shokët e tij normalistë në kampin e shfarosjes, na paraqet me një vërtetësi rrënqethëse mjediset, ngjarjet, personazhet që lëvizin në atë mikrobotë të errët e që shkruajnë në kujtesën e tyre “historinë” e saj. Mbas më shumë se katër dhjetëvjeçarësh ato bëma dalin nga kafazi i blinduar i kujtesës e derdhen në letër, nëpërmjet një pende që i ka vënë vetes një qëllim të shenjtë: të dëshmojë tragjeditë e një kampi shfarosjeje, një “gulagu” në stil të njohur bolshevik, të nderojë kujtimin e atyre dhjetra të rënëve në të, të mbushë një zbrazësirë në njohjen e së vërtetës historike, të masakruar për gjysëm qindvjete.

Në këto synime fisnike duket se udhëhiqet nga mësimet e princit të Danimarkës, kur ai shprehet se “ qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë t’i tregojë fytyrën e vet virytit, pikturën e vet poshtërsisë…”. “Këneta e vdekjes” është një roman i shkurtër, një vepër arti në gjininë e saj të re në moshë. Eshtë pjellë e dhjetë viteve të fundit, kur shembja e sistemit diktatorial komunist solli domosdoshmërinë e paraqitjes së tij në dritën e vërtetë. Letërsia zyrtare e profesioniste, që kishte qënë zëdhënëse e tij, nuk u tregua e gatëshme t’i paraprijë këtij proçesi. U desh që viktimat e terrorit,  që arritën të mbijetojnë mbas kalvarit të gjatë të ndëshkimit proletar, të marrin pendat e t’i venë në shërbim të kujtesës së drobitur nga pesha e viteve dhe vuajtjet fizike e shpirtërore. Kështu lindi një rrymë e re, nje farë neorealizmi i vonë, që kishte si objektiv fotografimin e një realiteti tashmë të tejkaluar nga ngjarjet, por të pranishëm në të gjitha qelizat e jetës së Vendit dhe të banorëve të tij. Kështu panë dritën  “Burgjet e mija”, “Rrno për me tregue”, “Shpellja e vrasjes”, “Këneta e vdekjes”, “Rrugèt e ferrit” e plot libra të tjerë që u bënë si fenerë ndriçues të skutave të errëta të së vërtetës së një regjimi, që e bazoi qënien e tij mbi mashtrimin, padijen e krimin.

Mendoj se në këtë pikëpamje romani i zotit Makensen Bungo meriton një vëmëndje të veçantë për objektivitetin që e karakterizon. Lexuesi ka përshtypjen se shikon një film dokumentar, të xhiruar prej së largu nga një person i tretë, vëzhgues i paanshëm i ngjarjeve që “rrënqethin erën”. Episodet e romanit ndjekin njëri tjetrin në një harmoni të plotë, personazhet lëvizin natyrshëm në përputhje me historinë e tyre, bindjet, formimin moral. Autori hyn në thellësi të ngjarjeve e psikologjisë së tyre, i shmanget retorikës së tepërt, por mundohet të kalojë nën rrezet e gjykimit gjithshka vrojton. Ai është i vetëdijshëm se është i pranishëm në një skenë tragjedish pa fund të shkaktuara nga një regjim mizor, se në këtë skenë zhvillohet në vazhdimësi lufta e përjetëshme ndërmjet së mirës e së keqes.

Në qendër të romanit është historia e pesë të rinjve, shokë shkolle në Normalen e Elbasanit, pjestarë të një organizate jo komuniste me emrin “Shqipëria e lirë”, të arrestuar e të dënuar me pesë, katër e dy vjet burg. Janë të gjithë me ide liberale, në kundërshtim me ideologjinë e regjimit në fuqi, ëndërrojnë një Atdhe të lirë, një popull të përparuar, të bashkuar e të begatë në kufijtë e tij natyrorë. I kanë qëndruar dhunës së hetuesisë e kurtheve të saj. Gjykata ka dënuar me vdekje një nga pjestarët e grupit dhe me burgim të përjetshëm një tjetër. Pesë të tjerët caktohen në kampin e Vloçishtit, për të punuar në tharjen e kënetës së Maliqit, që do të trumbetohej më vonë si një “dhuratë” e vyer e partisë për popullin e Korçës. Ajo kënetë, që do të gëlltiste në llurbën e saj lulen e rinisë intelektuale të Vendit, do të mbetej e “pavdekëshme” në sajë të një romani, që do t’ju servirte shqiptarëve për një kohë të gjatë  një nga mashtrimet e zakonshme të regjimit.

  Sopoti, Vullneti, Ahmeti, Hasani dhe Sala vijnë në kënetë nga burgu i Elbasanit e aty gjejnë të tjerë të dënuar nga vende të tjera si Tirana, Korça etj. Kanë në anën e tyre vrullin e rinisë, forcën e karakterit, vetëdijen e gjëndjes, ngrohtësinë e çiltërsinë e shoqërisë mes njëri tjetrit, besimin në drejtësinë e idealit dhe në të ardhmen e popullit të tyre. Gjejnë një mjedis mbytës, në të cilin çdo ditë ju duhet të përballohen me punën e rëndë, ushqimin krejtësisht të pamjaftueshëm, kushtet higjenike shkatërruese, shqetësimet për familjet me të cilat kanë humbur çdo lidhje e mbi të gjitha me mizorinë e pashembullt të personelit të kampit. Para të burgosurve ngrihet si një mal misioni i qëndresës. Është një luftë e pabarabartë mes një grushti banditësh që trupëzojnë krimin e kthyer në institucion dhe njëmijë e pesëqind burrave të ndryshëm nga mosha, formimi, niveli, por të ngjajshëm nga fatkeqësia, idealet e karakteri.

Komandant Tasi, togeri, kapterr Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi janë në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin kush shpik torturën më të dhimbëshme për t’a provuar mbi banorët e detyruar të kampit. Ata përfaqësojnë majën e diamantit të “pushtetit të popullit”, partizanët që dolën maleve për “lirinë” e Atdheut. Janë ushtarët më besnikë të revolucionit që do t’i sillte Shqipërisë barazinë, mirëqënien e përparimin. Në të vërtetë janë kampionë të mizorisë, të mungesës së çdo parimi njerëzor, të padijes. Janë automatë të dhunës më të egër, lloje bishash me fytyra njerëzish, xhelatë për të cilët jeta e njeriut nuk ka as vlerën e një pike uji. Janë ata e të ngjajshmit e tyre, me verbërinë e sadizmin që ju shkon për shtat, garancia e sistemit, shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet ai. Janë ata ose shokët e tyre “heronjtë e heshtur”, për të cilët një letërsi e tërë shkroi një mori veprash, duke i lartësuar deri në madhështi… 

Për ta të burgosurit nuk janë njerëz, nuk janë shqiptarë, nuk janë vëllezër të një gjaku e të një gjuhe, por armiq “jashtëtokësorë” që kërcënojnë “qytetërimin” e tyre. Për ta dhe ata që i mësojnë ata quhen derra të ndyrë, reaksionarë të poshtër, qelbësira, dhelpra plaka, qena, kriminelë, vrasësa, ndyrësira, caristë. Simbas komandantit të kampit, që ishte një gjysëm analfabet me dy klasë shkollë, vëllai i një udhëheqësi të lartë të partisë: “…që të gjithë janë armiq populli. Këta na burgosën, këta na torturuan, na dogjën, na vranë. Njëzet e tetë mijë dëshmorët këta i kanë vrarë. Këta e dogjën dhe e bënë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta do t’i paguajnë krimet e tyre. Këtu do t’a lenë lëkurën këta reaksionarë…”

Duke patur këto bindje, këta udhëzime, këtë urrejtje, vetëkuptohet se çfarë trajtimi i është bërë të dënuarve. Episodet e torturave të përshkruara në libër janë të shumta, zbulojnë një egërsi të pashoqe. Rrahjet me shkop, zhytjet në llucë, mbytjet, dënimet pa bukë, fyerjet, vrasjet janë bërë praktikë e përditëshme. Torturat janë në përpjestim me karakterin e të burgosurvet, me personalitetin e tyre, me vendosmërinë për të mos u përkulur. Në këtë drejtim “shpikjet” e policëve në plotfuqinë e tyre pasurojnë rezervën e madhe të torturave “Prodhim Shqipërie”. Kështu përshkruhet pështyrja nga ana e gjithë të dënuarve të njërit prej tyre, më parë të rrahur e të masakruar nga policët, zhytja në baltë deri në grykë e tregëtarëve korçarë, detyrimi peqinasve për të ngrënë bishtat e cigareve e për të rrahur njëri tjetrin, rrahja për vdekje deri në çastin e fundit të një babai në sytë e të birit, lënia në diell lakuriq mbasi ishte zhytur në llurbën e trashë e deri tek mbajtja varur e njeriut në një shtyllë për gjashtë ditë e netë me rradhë. Duket se strumbullari i këtij mjedisi të zi është kapterr Zeneli, për të cilin autori shkruan: “ Gëzimi i atij përbindëshi ishin torturat dhe lumturia për të ishin vuajtjet që u shkaktonte njerëzve. Ai nuk e kuptonte jetën pa dhunë dhe nuk ndiente qetësi, po të mos kishte torturuar, të paktën një njeri në ditë.”

Në qendër të kampit ishte një barakë që mbante emrin “bibliotekë”, ishte vendi i tmerrit ku kapterr Zeneli dhe kolegët e tij “edukonin” nëpërmjet hurit të burgosurit. Emërtimi është maska që fsheh të vërtetën, si “riedukimi” që mbulon shfarosjen. Këto janë aftësitë dhe meritat e një sistemi që, nëpërmjet fasadës së propagandës, ka bërë përkrahës dhe idhtarë në të gjithë botën. Ka prej tyre që ende sot nuk dijnë apo nuk duan të pranojnë se ç’fshihej mbas asaj fasade.

“Këneta e vdekjes” është një pjesë e vogël e atij realiteti që qe diktatura e proletariatit në Shqipëri, një nga më të errëtat e tij. Autori është i vetëdijshëm për të por ka meritën të mos bjerë në prehërin e dëshpërimit. Mesazhi i romanit është optimist, jeta vazhdon dhe nëse forcat e së keqes e të vdekjes duket se kanë epërsinë. Njerëzit nuk arrijnë të zvetënohen shpirtërisht, siç dëshiron diktatura. Ata vuajnë, pësojnë tortura, në ndonjë rast edhe thyhen, në ndonjë tjetër, me një dinjitet të admirueshëm arrijnë deri në vetëflijim, por në përgjithësi qëndrojnë. Është kjo qëndresë filli i padukshëm që përshkon gjithë veprën, siç ka përshkuar jetët e shumë shqiptarëve në këtë gjysëm qindvjete provash të jashtzakonshme. Është kjo qëndresë që autorin e bën të jetë krenar për shokët e vuajtjeve e për popullin e tij, sepse populli nuk mund të njëjtësohet me një grup kriminelësh që koha i solli mbi krye dhe as me veglat e verbëra të tyre.

Qëndresa ndaj dhunës ishte shumëplanëshe. Ajo fillonte me sytë e përlotur të nënave, grave e bijave që shikonin nga larg bijtë, burrat, baballarët, vëllezërit që, të lidhur me zinxhirë, niseshin për rrugë të largëta. Gruaja shqiptare qe, në këtë provë madhore, heroina e vërtetë e kohës e meriton një pjedistal të lartë. Ajo, femra shqiptare, e nëpërkëmbur nga një mendësi prapanike e trashëguar nga pesëqindvjetori osman, tregoi se qe forca e vërtetë jetësore e kësaj shoqërie. Qe ajo që mori përsipër barrën e familjeve pa meshkuj, të rritjes së fëmijëve pa baballarë, të rrugëve me trasta në dorë për t’i çuar pakë shpresë e pak ushqim të hequr nga goja e fëmijëve të afërmëve të dënuar anekënd Shqipërisë. Qe ajo që i qëndroi trysnive nga më të ndryshmet, në të cilat e vinte një sistem që kishte si synim prishjen morale e gjymtimin fizik të asaj pjese të popullsisë që nuk mund të bëhej e kuqe. Qenë gra shqiptare ato që pësuan burgjet e interrnimet pa fund, të filluara në lulen e moshës e të përfunduara në pleqëri. Ato përballuan punën e rëndë e privacionet pa mbarim në emër të një koncepti nderi e dinjiteti, që prindër të një tjetër kohe ua kishin futur në gjak.

Atyre që njëjtësojnë dukuri të sotme të mbrapshta të një pakice shqiptarësh me popullin tonë, duhet t’u tregojmë me zë të lartë se cila është në të vërtetë gruaja shqiptare, çfarë provash kaloi ajo në të “uruarin komunizëm”. Ja vlen të kujtojmë bashkë me autorin:

“Ç’kanë pësuar këto nëna!

Nuk harrohet llahtaria e tyre, kur u sollën rrobat e djemve nga birucat, të llangosura me gjak! Nuk krahasohet dëshpërimi i tyre, kur mësuan se sa u dënuan djemtë e tyre të pafajshëm! U demaskuan në lagje. I shanë, i përbuzën, i lanë pa punë, i internuan. I përqafuan djemtë vetëm në ëndërrime. U harruan edhe zërin djemve të tyre. Nga vuajtjet u thinjën para kohe; nga tmerret u rrudhën në moshë të re. Çdo thinjë një vuajtje; çdo rrudhë një tmerr. Në çastet e fundit, në agoni, këtyre nënave u mbetën sytë nga dera, duke vështruar se mos vinin djemtë, për t’i parë për herë të fundit. Por ata ishin larg, shumë larg: në Spaç, në Burrel, në Bulqizë, në Ballsh.”.

Qëndresa na shpaloset në roman jo vetëm nëpërmjet durimit të torturave të përditëshme, të urisë, morrave, fyerjeve, shkopinjve, lodhjes, por dhe të mbrojtjes së botës së brëndshme e përbërësve të saj, të respektit ndaj vetes, ndaj shokut, ndaj kujtimeve, ndaj familjarëve, ndaj vlerave të vërteta që i japin kuptimin fjalës “njeri”. Kështu si qirij në errësirën e batakut të mizorisë ndriçojnë dashuria e Sopotit për vajzën mësuese, amaneti i Daut Burmës “ u thuaj djemve të mi se nuk i kam turpëruar asnjëherë… që për mua të mos e mbajnë kokën poshtë”, mbarimi i at Josifit, misionar i fjalës së Krishtit që deri në frymën e fundit ngjallte shpresën në shembjen e regjimit, solidariteti mes njeri tjetrit, ndarja e racionit të bukës apo çajit me shokët e dënuar, ndërgjegja e vrarë e Salës, dorëzimi fshehtas i pakos shokut, etj.

Qëndresa ndaj së keqes nuk është cilësi vetëm e të dënuarve. Për autorin bota është komplekse e ky vizion e bën të dalë nga skemat manikeiste të të parit të realitetit bardh e zi dhe i jep forcë e vërtetësi mesazhit të romanit. Një nga figurat më të goditura e më tërheqëse, ndaj të cilit ja vlen të ndalemi, është ajo e gjeometrit. Eshtë një djalë rreth tridhjet vjeç, që ka qënë partizan e që është bir dëshmori. Eshtë i ngarkuar të drejtojë teknikisht punimet e Vloçishtit. Dikur i ka besuar idesë se komunizmi do të shërojë plagët e njerëzimit e do të sjellë përparimin e Shqipërisë. Idealizmi i tij hyn në krizë kur sheh dhe kupton të vërtetën. Socializmi i tij me “fytyrë njerëzore” thërmohet nën shkopinjtë e policëve mbi trupat e të dënuarve. Sinqeriteti i natyrës së tij nuk mund të pranojë kompromisin e detyrueshëm të të bërit shurdh e qorr. “ Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në paqe si vëllezër” i tingëllojnë ende në veshë fjalët e komisarit kur ishte partizan. Por para syve të tij tetar Aliu i kishte futur thonjtë në fyt një plaku të burgosur, derisa e le të vdekur përtokë gjithë qejf se tashmë kishte “një armik më pak”. Në një rast tjetër arrin t’i ndalojë dorën policit që kërkon të godasë përsëri Sokolin e shtrirë për tokë pa ndjenja nga rrahja. Dyshimi për ndershmërinë e motiveve të luftës, i le vëndin shkëputjes mendore e ideale prej tyre dhe mjedisit që i ka kultivuar e në të cilin është dhe familja e tij. “ Gjeometrit ju kujtuan Vullneti që e pështynë, Sopoti që e torturuan, Ahmeti që e futën në llurbë. Psherëtiu thellë. Në fytyrën e tij u duk një keqardhje e madhe. Tha ngadalë: pse për këto luftuam ne?” (Thonë se të njëjtën shprehje e pati thënë një ish gjeneral e luftëtar i Spanjës, në plenumin e famshëm të Tiranës më 1956, duke treguar fustanin e Nexhmije Hoxhës që ishte ulur pranë tij.)

Shkëputja bëhet fillimisht në familje, në bisedat e ndezura me vëllanë. Megjithëse autori nuk na e thotë drejt për së drejti, ndofta aty nis dhe rrëzimi i tij. Besnikëria ndaj partisë, në kodet e saj,  detyronte paditjen qoftë dhe të vëllait, kur ai nuk është i një mëndje me të. Drama është e fortë por dhe këtu fiton ideja  e qëndresës dhe e ruajtjes me çdo kusht të dinjitetit, qoftë dhe me humbje të mëdha vetiake. Gjeometër Petraqi mbetet njeri, shpreh atë që mendon duke përfunduar i dënuar në rrjeshtat e atyre që do të gërmojnë kanalin e tharjes së kënetës. Eshtë një Andrej Taganov në ton të ulët që, së bashku me polic Tafilin, i cili nuk pranon të vrasë të burgosurin që gabimisht i është drejtuar rrethimit, bëjnë pjesë në atë masë jo të paktë shqiptarësh që u zhgënjyen nga socializmi enverian. Shënjat më të vogla të këtij zhgënjimi patën për pasoja nxjerrjen jashtë rradhëve e jo rrallë përndjekjen politike.

Dukuria e daljes jashtë rradhëve është e pranishme dhe në kahun tjetër. Figurat e Myqeremit, të Salës e ndonjë tjetri dëshmojnë një të vërtetë të provuar: pati dhe nga ata që për arsye të ndryshme, të dhunës, mungesës së karakterit, të dobësive, kushteve familjare, ndjenjave etj., u vunë në shërbim të shtypësve e punuan kundër shokëve të vuajtjeve. Nuk është vetëm dukuri shqiptare, por përpjestimet e saj tek ne lenë gojën e hidhur. Autori i romanit nuk e paraqet në përmasa shqetësuese dukurinë, por ai i referohet një periudhe kohore të shkurtër e të largët. Me kalimin e kohës ajo u bë më e plotë e më e dukëshme, duke lënë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes njerëzve deri në ditët tona.

Sado i veçuar nga Vendi e bota kampi i Vloçishtit, ashtu si gjithë Shqipëria, nuk mund të mos pësonte pasojat e ndryshimeve që ndodhnin në majën e piramidës e që lidheshin me zhvillimet e kampit socialist. Ishte viti 1948, kur Informbyroja bëri të njohur raportin e saj, që i ve “vulën e zezë” Titos dhe udhëheqjes jugosllave, të cilët kanë meritën të parët të kërkojnë pavarësinë e mendimit dhe të veprimit nga Moska. Regjimi hoxhist, pagëzuar që në lindje nga të dërguarit e marshallit, që për shtatë vjet kishte qenë në rolin e shërbëtorit të tij  besnik, pëson një tërmet të fuqishëm. Ministri i brendshëm dhe sekretar organizativ i partisë, së bashku me pasuesit e tij, përfundojnë në hekura. Paniku kapi efektivat e Ministrisë së brendshme, ndërmjet të cilëve dhe xhelatët e Vloçishtit, që mundohen të japin përshtypjen se do të ndryshojnë qëndrimin ndaj viktimave të përditëshme të tyre. 

“Të burgosurve iu shtuan shpresat se liria nuk ishte më e largët. Ajo kishte filluar të trokiste lehtë dhe ata sikur e shihnin tani në të gjithë bukurinë e saj. Në këtë kamp ata të burgosur vetëm shpresa e lirisë i mbante gjallë, vetëm ajo ua mbante lart moralin. Ata ishin të sigurt se një ditë liria do t’u vinte, do t’i buzëqeshte, do t’i përqafonte; shpresa e lirisë herë zgjohej, herë dremiste në ndërgjegjen e tyre, po kurrë nuk shuhej. Tani ajo u zgjua…”

U duk sikur ajri ndryshoi e të dënuarit filluan të mendojnë për kthimin në shtëpitë e tyre. Por kjo frymë nuk zgjati shumë e dhuna rifilloi kursin e saj. Sa herë në atë gjysëm qindvjete u ndërsjelltuan shpresat me zhgënjimet. Pothuajse gjithmonë këto ndryshime humori përkonin me çaste të ashtuquajtura “solemne” të historisë së Partisë-Shtet, si prishje marrëdhëniesh me vëllezërit e mëdhenj, kongrese apo vdekje të çudiçme drejtuesish të lartë. Në të gjitha këto çaste secili bënte llogarinë në vetvete mbi atë që kishte për të dhënë apo për të marrë, nëse ndryshimi do të sillte një kohë tjetër, mbasi komunizmi i kishte kthyer shqiptarët në huazues krimesh e huajtës dhimbjesh. Në bisedat e të burgosurve shpalosej mëdyshja e veprimit të mundshëm në çastin kur xhelatët do të humbnin pushtetin. Mjegulla e hakmarrjes turbullonte shpirtërat e Zenelit me shokë që ishin të vetëdijshëm se sa thellë kishin hyrë në llumin e krimeve.

“ Kapterr Zeneli e humbi trimërinë e mëparëshme… Nuk u bërtiste të burgosurve si më parë….Kishte filluar të mos qëllonte më.. Nuk dënonte më kot. Nuk linte më njeri pa drekë. Kishte hequr dorë nga torturat në bibliotekë. Po e vriste ndërgjegja, apo i lindi frika e hakmarrjes?..” 

Zenelët do të kuptonin se sa shpirtmëdhenj ishin viktimat e dhunës së tyre vetëm atëhere kur dielli i tyre perëndoi e kur asnjërit prej tyre nuk i hyri as ferra në këmbë prej tyre. Por dhe atëhere, në poshtërsinë e tyre, nuk patën kurajon t’a njohin këtë fakt e të kërkonin faljen, për të vdekur të pajtuar me ndërgjegjen e tyre të krimbur ose më mirë të paqenë… Ndërsa Sopoti me shokë lirinë e donin për të shpëtuar nga ferri, në të cilin vegjetonin, për t’u kthyer në familjet, për të bërë një jetë normale, për të shkruar e për të luftuar ” …që kjo ideologji shkatërruese të shfaroset nga vendi ynë dhe në Shqipëri të vendoset një demokraci e vërtetë.”

Mjerisht, për ta ato ditë ishin tepër të largëta, ndërsa ju desh të përballonin tragjeditë e vdekjes së shokëve. Vullneti, i dërmuar nga ndëshkimet pa arsye, viktimë e poshtërsisë së karakterit të një të burgosuri spiun që, për inate vetiake, shkarkonte mbi të gjithë mërinë e dhunën e komandës, nuk mundi më të përballojë fizikisht e psiqikisht të keqen. Bota i u errësua në lulen e rinisë, sythet e shpresës u venitën, nëna dhe motra e vogël që prisnin në shtëpi nuk patën fuqi t’i forconin durimin e qëndresës. Kështu një natë të vonë, ndërsa shokët flinin, në vetmi, i ngushëlluar vetëm nga tymi i duhanit, ai mori vendimin fatal. Ju drejtua telave të rrethimit, nga ku breshëria e plumbave të  “rojes së revolucionit” do t’a niste për në botën e përtejme.

  Tepër i trishtueshëm është dhe rasti i Salës. Ndërgjegja e vrarë për pozitën e vet prej spiuni të komandës fiton mbi përfitimet që i vijnë nga ai shërbim. Ai e quan të padenjë jetën e tij e, në vetvete, vendos t’a ndërpresë atë. Kapitulli i veprës, që përshkruan tragjedinë e tij, ndër më të bukurit e më prekësit e romanit, titullohet “Martesa”. Ajo na sjell ndër mënd një këngë popullore të kurbetit: “ Në të pyettë nëna për mua Thoni djali t’u martua Në të pyettë se ç’nuse muar Mori dy plumba në kraharuar…” Para martesës, siç e quan me qesëndi ai vdekjen, ndjeu nevojën  të takojë shokët, me të cilët marrëdhëniet ishin ftohur mbas ndryshimit të tij. Vetëdija e fajit, e poshtërimit, e shkeljes së parimeve, të idealit, të besës shkaktojnë dhimbje të papërballueshme. Para se të paraqitet në gjyqin më të lartë Sala ndjen nevojën e brëndshme të rrëfehet me shokët. Kështu ai thyen akullin e shkon e ulet në mes të Sopotit e Hasanit, shokëve të shkollës, të hetuesisë, të gjyqit. Ju flet atyre me zemër në dorë: ”…. Por dijeni, ama, se këtë punë të ndyrë unë kurrë nuk e kam bërë me dëshirë, por vetëm nga e keqja, nga vuajtjet, nga tmerri. Unë nuk rezistova dot. U përkula, u mposhta, u zhyta në llumin e turpit….Por dijeni mirë se për ju nuk kam thënë asnjë fjalë të keqe, asnjë, asnjëherë. Edhe më kanë frikësuar për ju, edhe më kanë rrahur, edhe më kanë torturuar, por nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë për ju. Asnjë. Për të tjerët kam thënë, por jo ndonjë fjalë që t’i rëndonte, kurrë, në asnjë rast. Këtë e di Zoti që është lart në qiell…”   

Sala i penduar, gjykatës i paanshëm e i rreptë i vetvetes, kërkon faljen e shokëve. Burrëria shqiptare e njerëzore ndoshta sugjeron këtë zgjidhje si më të mirën e gjykimeve mbi këto plagë të hapura që na ka lënë ende një e shkuar e dhimbëshme e shpesh e turpëshme. Shokët e falin, e quajnë përsëri shok, e fusin në gjirin e tyre. Për të ky gjest është shelbues dhe e bën që të shkojë  i qetë drejt “ nuses shumë të bukur, yll e hënë, të veshur me të bardha”. Është një skenë tragjike, e denjë për penelin e një kryemjeshtri të pikturës: Sala hedh hapat drejt telave, shokët të shtangur i luten të kthehen, ndërsa ai vazhdon duke kënduar “ këngën e mjellmës”. “ Unë kurrë s’kam qënë i poshtër. Kurrë! Të lig e të poshtër më bëri komunizmi. Vëllezër! Kurrë mos e harroni komunizmin ! Kurrë!” Eshtë porosia e fundit e një njeriu, të cilin regjimi në të cilin jetoi, i shkatërroi gjithshka, i vrau respektin për veten, i mori jetën në lulen e moshës. Mesazhi i kësaj skene është tepër i fortë. Ai i ngjan një simfonie bethoveniane që nuk njeh kufij kohe e hapësire, që hyn thellë në shpirt  e bën të mendosh gjatë mbi thelbin e saj.

“Mallkimi i nënës” titullohet kapitulli i fundit i romanit. Është meritë e autorit që, nga ana emocionale dhe artistike, romani shkon në rritje. “Një tis dëbore po shtretëzohej edhe mbi kënetë. Ata punonin në mes të kënetës së ngrirë si fantazma dhe në kamp ecnin ngadalë, të heshtur, të raskapitur, si hije në muzg. Të moshuarit filluan të lenë amanetet e fundit…”

  Në këtë pjesë jepet bukur ideja e një diçkaje që shkon drejt fundit. Afrimi i dimrit bën të pamundur vazhdimin e punimeve. Të burgosurit gëzohen kur marrin vesh se do të kthehen në burg, në dhomat e paajrosura e të qelbura. Atje nuk do të kenë për detyrë normën e përditëshme, as për dënim të përditshëm shkopinjtë e policëve. Por fytyrat e tyre nuk e shprehin gëzimin. Shikimet e tyre treten lart në qiell, madhështinë e të cilit do t’a dëshërojnë, e poshtë nën tokë ku duan të përshëndeten me shokët e mbetur përjetë aty, në baltën e kënetës.

Ata, të rënët e baltrave të Maliqit, ishin kurbanët që duhej t’i thereshin tharjes së kënetës, siç ishin të tjerë që u flijuan në të tjera kampe, në të tjera “vepra të socializmit”. Numuri i tyre është i panjohur, siç janë të panjohura dhe varret e tyre, siç është e panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe historia e tyre.

  • I lamë në këtë kënetë, por jo për t’i harruar.
  • Me siguri do të vijë një ditë që ata do të kujtohen.
  • Dhe populli do të ngrejë një memorial.

Se sa profetike ishin këto parashikime të shokëve që mbijetuan mund të vërtetohet nga fakti se asnjë përmendore nuk u ngrit për ta, asnjë rrugë apo shkollë në Shqipëri nuk mban emrin e tyre. Ata mbetën “armiq” siç mbetën “heronj” varrmihësit e tyre. Shqipëria zyrtare “demokratike” e njehsoi historinë e tyre me disa letra… pa vlerë. Madje dhe Europa tërthorazi na thotë se kujtimi i tyre nuk i shërbeka ecjes përpara, mbasi kujtesa historike duhet të funksionojë, por për viktimat e nazifashizmit…

Ata mbetën në kujtesën e shokëve, të bashkëvuajtësve, të familiarëve, por dhe në kujtesën e Kombit, mbasi Kombi është i përjetshëm. Kësaj kujtese i shërben dhe romani i zotit Makensen Bungo, që përfundon me një mallkim, me mallkimin e një nëne, e nënës së Vullnetit, që nuk u kthye me shokët në burg, që mbeti larg, përtej urës së Qabesë të Shqipërisë komuniste.

Romani ja ka arritur qëllimit në tërësinë e tij. Ai e ka realizuar porosinë e Hamletit. Lexuesi ngulit në mëndje një të vërtetë të hidhur, të trishtuar, por gjithmonë një të vërtetë, larg paçavureve të një tjetër “Kënete”, që mund të quhet një manual i përsosur dizinformimi. Jam i mendimit se përkthimi e botimi në gjuhë të huaja do të ishte mjaft i dobishëm. “Këneta e vdekjes” , me stilin e saj realist e dinjitoz, do të shërbente për të shpërndarë mjegullnajën e mashtrimit që mbulon të vërtetën e një epoke. Më duket e udhës të falënderojmë shkrimtarin për punën e tij të lëvdueshme e të urojmë që sa më shumë vepra të këtij lloji të shohin dritën në letrat shqipe.

                                                                                                            Maj 2002                                                                                                                  

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar

July 5, 2022 by s p

Duket se koha ka ecur mbrapsht kur shoh se si ende duartrokitet me ekzaltim ,servilizëm dhe nënshtrim udhëheqja e kujtdo krahu qoftë ajo.

Është fatkeqësi kur sheh se si udhëheqja ulet sërish këmbëkryq mbi hallet e pupullit duke numëruar suksese imagjinare .

E çuditëshme pra që populli ende duartroket në vend që të dëgjojë, serviloset në vend që të kërkojë llogari, hesht në vend që të revoltohet dhe ngrejë zërin.

Është e dhimbshme teksa sheh se si demokracia vdes sa herë që ekranet pushtohen nga udhëheqja që çdo shërbim e reklamon si “fitorje” kur në fakt e ka për detyrë shërbimin për sa kohë që është në atë detyrë.

Vdes demokracia sa herë që populli manipulohet, hesht , dorëzohet .

Pamje jo pak e njohur kjo për ne që u lindëm dhe u rritëm nën atë lloj kulture nënshtrimi ndaj fuqisë.

Dhe kur fuqia u dorëzua , guxuam të urrenim pa cak të këqijat por edhe të mirat që prodhoi sistemi i kultivuar keq.

Lindte demokracia sa herë që logjika njerërore zgjohej nga tulatja e gjatë.

Dhe zgjimi popullor nënkupton vetdije qytetarie, të drejta, liri dhe përgjegjësi por edhe detyrime, kreativitet, rregulla.

Kështu demokracia do të rritej duke i dhënë popullit frymëmarrje e peshë përballë pushteteve që edhe më të përgjegjshëm i bën qytetaria aktive…

Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar që kur pretenduam se e prekëm Demokracinnë .

A e prekëm vallë ?! Pyes veten teksa shoh se asgjë nuk paskërka ndryshuar .

Nuk ka ndryshuar asgjë as në sjelljet qeveritare që riciklojnë të njejtat mëkate , as në reagimin popullor që di vetëm të nënshrohet apo të reagojë kur partia ia do, as në kulturën individuale të nënshtrimit ndaj të keqes .

Tabloja shqiptare e vitit 2022 me puçe e grushte pushtetesh që synojnë jetgjatësi a ndoshta edhe përjetësi dhe popull i nënshtruar që në dukje është i çorientuar por në thelb është i njëjtë ; fajtor i pa faj.

Është fajtor sepse hesht , duartroket dhe serviloset dhe paradoksalisht është pa faj sepse menuja e detyruar që ka përpara është vështirë të ndryshohet .

Duket se asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh se si zhverësohet puna e ndershme .

Vlerën e saj ( dikur e zinte ajo kolektive ) sot e ka dhunuar mania kolektive për tu pasuruar padrejtësisht dhe me çdo mënyrë madje pa punuar.

Asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh një popull që është në ikje permanente nga trojet e veta , në një proces braktisje si me dhunë( të padukshme) nga vendin i vet.

Asgjë nuk ka ndryshuar kur ndjek se si ikjet ndjekin njëra -tjetrën zinxhir ( gjyshi im u arratis në vitin 1959 duke thënë “ nuk rri dot në një shtëpi me stola dhe oxhak”, ndërsa unë /ne u larguam në 6 korrik 2011 kur mbeta pa punë në vendin dhe kohën ku kishim investuar aq shumë ).

Të vjen keq për fjalën që nuk u tha , mbeti peng ndërkohë që ajo kullonte drejtësi edhe pse ajo gjithmonë e drejta pritet në mes, të vjen keq që folëm aq pak për lirinë, për idhujtarët e saj , të vjen keq që i lamë në vetmi dhe pa rrugë produktet tona të nderit dhe dinjitetit që sillte puna me nder , por të paktën ato ekzistojnë përsa kohë ka kujtesē.

Êshtë fjala dhe vetëm fjala ajo që e mban gjallë mendimin, qëndrimin dhe të drejtën .

Jo prapë burg asaj! (Fjalës).

Asgjë nuk ndryshon nëse nuk kuptohet se Demokracia është një guidë të drejtash jete, një lloj vetqeverisje që porsi trupi njerëzor, prej të cilëve ajo funksionon, mat , kalkulon, krahason , analizon dhe gjykon gjithçka që evidentohet në procesin e gjatë dhe të pandalshëm që quhet jetë.

Marjana Bulku

4 korrik 2022

Filed Under: Analiza Tagged With: Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT