• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

SHQIPËRIA NË RREZIK

July 5, 2022 by s p

– Të gjithë në protestë me 7 Korrik në Tiranë

NGA MA. AGIM ALIÇKAJ

E pabesueshme, por e vërtetë. Shqipëria është në rrezik, nga vetë Kryeministri i saj Edi Rama dhe përkrahësit e tij. Veprimet e tij anti-shqiptare anti-evropiane dhe anti-amerikane janë të qarta si dita me diell, para syve tanë, pa pikë turpi a ngurrimi, dhe shtrihen në shumë drejtime:

-Korrupsioni i pa fund, kultivimi dhe shpërndarja e drogës, rrënimi i ekonomisë dhe i demokracisë, shkelja e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit në Shqipëri. Kjo ka krijuar gjendje të paprespektivë dhe po ndikon në ikjen masive të të rinjve nga vendi.

-Mbrojtja, harresa e kujtesës historike dhe falja e krimeve serbe, si dhe përpjekja për rehabilitimin e shtetit racist, jocivilizues serb.

-Arsyetimi për përkrahjen serbe të agresionit rus në Ukrainë.

-Propaganda mashtruese për krijimin e utopisë së oazës së “paqes dhe mirëqënies” “Ballkani i hapur” si në kohën e komunizmit, projekt ky që synon dominimin serb dhe shtrirjen e hegjemonizmit serbo-rus në Ballkan dhe daljen në detin Adriatik.

-Paaftësia e tj që Shqipërinë ta udhëheqë në rrugë të drejtë kah Unioni Evropian dhe Amerika, orientimi i tij kah shtetet anti-demokratike dhe fashiste Serbia dhe Rusia.

-Përpjekja për shkatërrimin e Republikës së Kosovës dhe ndarjen e saj për interesa të Serbisë.

-Krijimi i përqarjes në mes popullit shqiptar të Shqipërisë dhe atij të Kosovës si dhe Trojeve tjera etnike shqiptare në Ballkan.

-Nxitja e urrejtjes ndaj mërgatës shqiptare, moslejimi i pjesëmarrjes së saj në proçesin zgjedhor dhe vështirësimi i investimeve në Shqipëri.

Edi Rama po përpiqet për ta kopjuar mentorin e tij, kriminelin Aleksandar Vuçiq, anim kah Lindja me shpresë se do ta përkëdhel Perëndimi pakufi. Që të dy do të dështojnë. Amerika është duke e toleruar përkohësisht Edi Ramën, por në momentin kur e tepron me keqbërje dhe e humbë përkrahjen e popullit shqiptar, si çdo autokrati tjetër, do të ia jep shqelmin, kryengul teposhtë. Shembull eshte Noriega.

Kjo ditë nuk mund të jetë e largët sepse ai e ka kaluar çdo kufi. Ai duhet të rrëzohet sa më parë për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe botës së civilizuar dhe demokratike.

Ata që mendojnë se ky Rama do të ja “lëshojë” atij Vuçiqit, do të befasohen dhe zhgënjehen keq. Z.Rama do të ja sheh sherrin trash Serbisë dhe Vuçiqit sepse ai është më kopil se Rama.

Vendimi për të marrë pjesë ose jo në këtë protestë duhet të bazohet në faktet e lartpërmendura, në interesa shtetërore e kombëtare dhe jo në urrejtje apo inate personale ndaj Dr. Sali Berishës. Ai me bashkëpuntorët dhe përkrahësit e tij të shumtë anë e kënd botës shqiptare, në këtë moment, paraqesin të vetmen forcë e cila mund të ia ndalë turrin rrënuesit të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, Edi Rama.

Dr. Sali Berisha, si çdo lider tjetër, nuk është i pagabueshëm. Por, në punë madhore kombëtare ai e ka dëshmuar përkushtimin e tij për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Revolucioni demokratik dhe rrëzimi i komunizmit duke e evituar luftën vëllavrasëse, futja e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i rrugës së Kombit dhe vizita e Presidentit Bush në Tiranë jan vetëm disa prej arritjeve të tij të mëdha.

Roli i Dr. Berishës në suksesin e jashtëzakonshëm të promovimit të librit të xhepit për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve 1844-1999 “Never Forget” të autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj në Tiranë ishte vendimtar. Me te shkëlqyen edhe mendjet e ndritura të kombit tonë, Dr. Enver Bytyçi, Znj. Edit Harxhi dhe ideatori i këtij promovimi, Ambasador Mal Berisha.

Duhet shpresuar se shumica e shqiptarëve, nga të gjitha Trojet tona, do ta kuptojë drejt situatën e vështirë në të cilën gjendet nëna Shqipëri dhe do të merr pjesë në këtë protestë me rëndësi jetike për mbarë kombin shqiptar. Kombi shqiptar është i pamposhtur.

Filed Under: Analiza Tagged With: AGIMA ALICKAJ

“Riedukimi mediatik” si formë staliniste e censurës, shantazhit e kontrollit mediatik

July 5, 2022 by s p

Sokol Paja/

Kryeministri i Shqipërisë Rama publikisht dënoi me “riedukim 3 mujor” gazetarin Klevin Muka, një linçim tipik komunist si armiqtë e popullit para Koperativave Bujqësore, Frontit Popullor, Organizatave të Masave apo Revolucionarëve të Partisë e Pushtetit Popullor. Partia-shtet e personifikuar me Kryeministrin Rama, njësoj si në diktaturën e proletariatit, e fton gazetarin në spektaklin e qeverisë dhe nëse nuk i pëlqejnë pyetjet, shpallet direkt armik i partisë, popullit dhe pushtetit popullor, dënohet me riedukim, kombinuar me internim në prodhim, në fshat, në kooperativë bujqësore, qarkullim kuadrosh siç bënte dikur nëna parti. Një sistemik i neveritshëm bolshevik në epokën digjitale. Njësoj si dikur, partia të fton, partia të vlerëson, partia të gjykon, partia të dënon, partia të riedukon.

Një praktikë kjo tipike staliniste e censurës, shantazhit e kontrollit mediatik mbi veprimtarinë mediatike të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligjet, Kodet Mediatike dhe Liritë e të Drejtat Themelore të Njeriut. Këto sulme e ndëshkime janë këmbanë alarmi jo vetëm për gazetarët por për të gjithë shtetasit e Republikës që i besojnë medias. Në të gjithë aktivitetin e tij politik, sjelljen publike, menaxhimin e pushtetit dhe raportin me median, Rama ka demonstruar të gjithë arsenalin e tij prej një stalinisti brutal.

Sharës, kërcënues, ofendues, shantazhues, denigrues dhe dënues në vazhdim si me gazetaren Ambrozia Meta apo shkartisjet ndaj gazetarëve në studio mediatike, dëshmojnë sikletin dhe fundin ku ka rënë Kryeministri. Rama pasi ka zaptuar të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura në Shqipëri, po tenton të gllabërojë dhe 5% të mediave që ende nuk janë në shërbimin e tij për ta kthyer në monizëm institucional dhe mediatik. Pasi qeverisja e Ramës ka shpartalluar konceptin e shtetit dhe funksionimit të institucioneve, sulmet mbi gazetarët janë një rrezik për shtetin demokratik, për shoqërinë, për lirinë e medias për imazhin e Shqipërisë në botë. Një shtet i rënë në prehrin e krimit, korrupsionit e shpërdorimit, një shtet i kapur që do të kapë dhe mediat.

Një qasje denigruese e Kryeministrit Rama tashmë të zhytur në korrupsionin e Inceneratorëve, që sillet si bandë grabitqare mbi paratë publike, duhet larguar një orë e parë nga drejtimi i shtetit. Rama paraqet rrezik të shtuar për mediat, për shtetin për kombin. Kush prek mediat, ka prekur vijën e kuqe. Të gjithë tiranët që janë përplasur me median, kanë pasur fund të dhimbshëm. I tillë duhet të jetë dhe fundi i Kryeministrit më të keq të tranzionit 30 vjeçar.

Sulmet e Ramës mbi mediat, masat ndëshkimore ndaj gazetarëve, presionet e shantazhet duhet të neveriten me përbuzje prej gazetarëve e mediave në Shqipëri. Gazetarët në Shqipëri përveç se duhet ta bojkotojnë Ramën, është detyrë patriotike ti ekspozojnë korrupsionin qeveritar, keqqeverisjen, shkatërrimin e shpopullimin e Shqipërisë, lidhjet me bandat dhe oligarkët që e mbajnë në pushtet.

Foto: Gazeta Panorama

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

4 Korriku

July 4, 2022 by s p

Albin Kurti/

Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”

Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Rawls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.

Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?

Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.

Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Filed Under: Mergata

Debati Bullgari – Maqedoni e Veriut nën lenten shqiptare

July 4, 2022 by s p

Nga Akri Çipa*/

Mbledhja e fundit e Këshillit Europian (KE) dështoi ta zhbllokojë rrugën integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se dy vjet, të dy vendet kanë ngelur peng e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, nisur nga konflikti për interpretimin e çështjeve historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.

Teksa ka një përpjekje të orëve të vona për ta hequr veton dhe zhbllokuar procesin, binjakëzimi absurd i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut në këtë stad të rrugëtimit drejt BE-së (binjakëzim i paargumentuar deri më sot nga Brukseli) ka shkaktuar një bllokim të pajustifikuar për Shqipërinë.

Shumë komente dhe analiza u shpenzuan në javët e fundit për procesin integrues të të dy vendeve. Pashmangshmërisht ishte kështu edhe për faktorin që përcaktoi zyrtarisht mungesën e progresit në këtë drejtim – mosmarrëveshjen e bartur ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, çuditërisht vazhdon mungojë një reflektim shqiptar në raport me substancën e debatit identitar ndërmjet dy vendeve, mbi të gjitha për impaktin që ka mbi interesat më të gjerë të shqiptarëve në Maqedoni dhe përtej.

Në gjithë këtë situatë, kryeministri Edi Rama mori kohët e fundit një pozicion përkrah Shkupit për tejkalimin e konfliktit me qëllim heqjen e vetos për rrugëtimin drejt BE-së. Megjithatë, nëse impakti më i drejtpërdrejtë aktualisht lidhet me ngërçin për fillimin e negociatave, nuk do të duhej të neglizhohej as thelbi dhe mbi të gjitha rezultati i mundshëm i një debati identitar në një shtet ku gati 30% e popullsisë (në mos më shumë) është shqiptare.

Debati ndërmjet Shkupit dhe Sofjes ka ardhur në një farë forme dhe më herët në Shqipëri, përpara se ta prekte drejtpërdrejt integrimin në Bashkimin Europian. Në vitin 2017, ligjvënësit në Shqipëri po punonin për një ligj mbi pakicat kombëtare dhe gjatë asaj kohe Bullgaria ushtroi trysni për njohjen e “minoritetit bullgar” në Shqipëri. Ky pretendim u kundërshtua nga minoriteti maqedonas në vend.

Kjo temë u përmend rishtazi edhe nga kryeministri Rama në kuadër të vetos bullgare, por duke ofruar një lavdërim të pakuptueshëm për zgjidhjen e atëhershme të “çështjes së minoritetit bullgar”. Kjo për faktin se një telefonatë ndërmjet tij dhe kryeministrit të atëhershëm bullgar Boyko Borisov, sikurse u pohua nga vetë kryeministri shqiptar, mjaftoi që të neglizhohej çdo lloj konsultimi faktologjik për ekzistencën ose jo të pakicës. Në mënyrë arbitrare u njoh një minoritet bullgar në Shqipëri, nën trysninë edhe të Komisionit Europian dhe madje edhe përkundër qëndrimit mospajtues të vetë kryediplomatit të atëhershëm të Shqipërisë.

Prandaj, pathosi i tanishëm i kryeministrit të Shqipërisë për të ndërhyrë në çështjen identitare ndërmjet dy vendeve të tjera të Ballkanit është më së paku i pavend. Mbi të gjitha, diçka e tillë nuk duhet të bëhet pa marrë parasysh implikimet e mëdha të debateve të tilla.

Rishtazi, profesori amerikan Edward Joseph nga Johns Hopkins University parashtroi në një shkrim në Foreign Policy idenë se për ta tejkaluar ngërçin ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, SHBA duhet të “afirmojë identitetin maqedonas”. Ai sugjeron që kjo të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje kulturore nën petkun e procesit të Dialogut Strategjik, të cilin SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut e njoftuan para pak javësh. Si shembull për referencë, Joseph merr Marrëveshjen e Prespës, në të cilën bëhet një diferencim i popullsisë për t’i ndarë banorët e shtetit, që u pagëzua me emrin Maqedoni e Veriut me banorët e rajonit të Maqedonisë antike.

Problemi është se — megjithëse profesori Joseph nuk e artikulon këtë në mënyrë eksplicite — një gjë e tillë do t’i vishte një identitet “maqedonas” vetë Republikës së Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare. Nëse në vetvete çështja identitare ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve i takon tjetërkujt për ta debatuar dhe zgjidhur, sugjerimi për ta imponuar këtë identitet “maqedonas” nga jashtë ndaj vetë shtetit nuk mund t’i anashkalojë shqiptarët. Këtu jo vetëm për shkak të natyrës thelbësore shtetformuese të faktorit shqiptar në Maqedoni, por edhe për hir të trendeve demografike.

Nisur nga shifrat, nuk është i paimagjinueshëm një realitet në të cilin, në censusin e radhës, maqedonasit e vetëdeklaruar të jenë ende komuniteti më i madh në Maqedoninë e Veriut, por jo komunitet shumicë. Largpamësia është në paraprirjen e një fakti të tillë dhe të pasojave që mund të ravijëzohen për shtetin, për komunitetin shqiptar, por edhe për gjithë rajonin.

Debatet dhe kundërshtitë e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, sikurse dhe ato mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut më herët, ndikojnë jo vetëm në formësimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe në ndërtimin e realiteteve ballkanike. Për këtë arsye është pak shqetësuese mungesa e artikulimit të një pikëpamjeje shqiptare në raport me këtë debat. Mbi të gjitha kur marrim parasysh se, sikurse në rastin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarëve në Maqedoni u kërkohet përgjithësisht të luajnë një rol të dorës së parë në finalizimin e proceseve të ndërlidhura me zgjidhjet e konflikteve.

Largimi nga pushteti i ish-kryeministrit Gruevski dhe zhvillimet politike të viteve të fundit kanë parë krijimin e një realiteti politik të ri për shqiptarët e Maqedonisë. Në qasjen ndaj atij momenti, që ishte tepër delikat për vetë stabilitetin e Maqedonisë dhe të të gjithë rajonit, Tirana zyrtare tregoi një maturi për t’u admiruar dhe një aftësi brilante për të parë drejt së ardhmes.

Qëndrimi i Tiranës është zbehur disi kohët e fundit, ndoshta për hir të të ashtuquajturave nisma të bashkëpunimit rajonal, që po tërheqin më shumë vëmendje dhe energji sesa duhet. Në këtë moment kyç për Maqedoninë e Veriut, por dhe për të gjithë rajonin, duhet ripërtërirë ajo aftësi.

*Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa

Gëzuar Pavarësinë SH.B.A

July 4, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë.

Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike dhe stabilitetin e saj.

Madje, edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste, ku vendet kishin qenë në dy kampe të kundërta politike, sa herë që ishte diskutuar tërësia territoriale e Shqipërisë nga fqinjët e vet problematikë dhe të mbushur gjithë pasione shoviniste, SHBA-ja qoftë në Konferencën e Paqes, më 1946 apo dhe më vonë në kuadrin e doktrinave të NATO-s, kishin vënë veton për të përmbysur këto plane të mbrapshta, pasi për to si në fillim të viteve 20’ apo dhe në vitet 60’ e deri tani stabiliteti i Shqipërisë ishte dhe mbetet një paritet kryesor i politikës së jashtme të tyre.

Ky fakt është dëshmuar jo vetëm që gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar, por dhe në aksionin e madh që ndërmori NATO në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb ndaj Kosovës, aksion që solli lirinë për shqiptarët dhe riformatoi sërish ekuilibrin e forcave në Ballkan në formimin e shtetit më të ri të Europës – Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: Dorian Koci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT