• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

DITA SI PËRJETËSI E POETIT CESAR IVÃNESCU

July 4, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti/

…kisha marrë me vete librin “Fryt”, të poetit Cezar Ivãnescu dhe sikur kisha mbartur shpirt nga vendi i tij, Rumania.

Të vjen ta lexosh gjithkund, në natyrë, mes blerimesh si pjesë e tyre dhe ndërkaq të përftohen caqet, muret e shtëpisë së jetës dhe e vazhdon leximin në shtëpi, teksa të përtërihet natyra, pafundêsia e saj.

Dhuratë e bukur e shqipëruesit virtuoz, Dr. Luan Topçiu, e kam fjalën dhuratë për lexuesin shqiptar, poezisë tonë si një prurje të re nga bota, plot me ato ndjesi jete e vdekjeje e dashurie…

Është një botim dygjuhësh i “Ombra GVG”, mjaft cilësor, me skica, me një biobibliografi nga e bija, Clara Arustei, dhe parathënie nga Daniel Cristea-Enache, me një pasthënie nga përkthyesi, ndërsa poezitë midis si copa ditësh e netësh, përjetimesh me nerva e gjak e përsiatje të thella, lutje dhe muzikë njëherësh, himne e requime, thjeshtësi parake e modernitet, ritme ku përditësia bashkohet më divinen, ku e zakonshmja është dhe e pazakonshme.

Poeti, i dëshiruar mynxyrshëm për dritën e jetës, e do vdekjen, me të fillon dhe pavdekësia. Jeta dhe vdekja janë shumë bashkë pa antagonizëm në poezinë e tij, ndërkallshëm te njëra-tjetra dhe si vazhdime. Janë këngë hare-trishtuese dhe gjej se ai gjithsesi ka kultin e mëmës, domethënëse kjo, sikur mban ndër duar ikonën e amësisë dhe ecën në mugëtirë, të agut apo pasdites së vonë, nuk ka rëndësi, rëndësi ka magjia e ecjes.

Ishte shqiptare e ëma e poetit, na tregohet në libër, nga Korça. Nga adhurimi për nënën, poeti kaloi natyrshëm dhe në adhurimin për Shqipërinë. Dy herë e vizitoi mëmëdheun Ivanescu, në diktaturë dhe në postdiktaturë, qëndronte mbi to dhe ai i ngazëllehej si një fëmijë përkthimit në shqip, na dëshmon Dr. Luan Topciu, i cili vazhdimisht forconte miqësinë me të, vëllazêrisht dhe si kolegë në kulturë. Është poet atipik, i veçantë, shpjegon Luani, që s’përshtatej dhe i të papriturave, me një sinqeritet sublim, i kollajkonfliktueshëm. “Nuk zinte vend qendror në sistemin kulturor të kohês, – shkruhet në parathënie, – donin ta shtynin në zonat e harrimit… në një epokë të kontrolluar ideologjikisht…”, por “meriton plotësisht të jetë në krye të piramidës së homologimit…”. Cezar Ivanescu i refuzoi kompromiset dhe, sipas studiuesve, justifikimi me kontekstin dhe alibinë historike nuk funksion më…

Shumë interesante kjo dhe një porosi që vlen dhe për të gjykuar në autorët dhe letrat shqipe sot, një çelës që na i jep kritiku i shquar Luan Topçiu.

Ndërkaq nuk mund të rri pa treguar dhe befasinë, që më emocionoi, kur po lexoja pasthënien. Ivanescu, në shtratin e vdekjes, librin e fundit që lexoi, ishte romani im “Funerali i pafundmë”, i përkthyer rumanisht po nga Luan Topçiu, që do t’i thoshte për autorin: “Është një shkrimtar plot forcë dhe me një imagjinatë turbulluese”.

Unë nuk e takova kurrë, por ai është i gjallë në poezinë e tij plot mistikë dhe muzikë, dije dhe natyrshmëri, një bashkëbisedim që nuk të vjen të ndahesh dot, ai është siç shkruante. Librin i tij, ndër më të mirët e poezisë në botimet tona, është, si të thuash dita e tij, që ai e shndërron për të gjithë ne në copëz pêrjetësie

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta uron Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 246-vjetorit të Pavarësisë

July 4, 2022 by s p

I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj Joseph R. Biden Jr.,

Viti 2022, shënon 246-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, dhe përkujtimit të udhëtimit dhe sakrificave të popullit të madh amerikan, në rrugën e lirisë, demokracisë dhe begatisë.

Arritjet mbresëlënëse të vendit Tuaj, kanë qenë dhe mbeten një burim frymëzimi për të gjitha kombet e tjera që aspirojnë për parimet universale të demokracisë, lirive dhe dinjitetit njerëzor.

I nderuar Zoti President,

Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot më 4 Korrik, në këtë ditë të shënuar, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe popullit amerikan “Gëzuar Festën e Pavarësisë”, si dhe t’Ju shpreh urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e sigurtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Ky mesazh urimi iu shkon edhe të gjithë shqiptaro – amerikanëve, të cilët kanë kontribuar pa rreshtur në forcimin e marrëdhënieve tona duke shërbyer si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.

Kam kënaqësinë t’Ju përcjell i dashur zoti President, në këtë përvjetor të 246 të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që përkon edhe me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vëndeve tona, vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar në krah të SHBA, në shërbim të interesit të përbashkët të dy kombeve tona miq.

Në këtë ditë të shënuar të Pavarësisë së vendit Tuaj dhe një shekull marrëdhëniesh diplomatike mes nesh, uroj forcimin e pandalshëm të lidhjes dhe miqësisë tonë të bekuar!

Ju lutem pranoni zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë” përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta.

Filed Under: Opinion

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu uron Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 4 Korrikut

July 4, 2022 by s p

4 Korrik 2022

Prishtinë, Republika e Kosovës

I Nderuari Joseph R. Biden Jr.

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I nderuar President Biden,

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme.

Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.

Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë.

Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.

Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira. Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet.

Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun.

Ju lutem, zoti President, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj.

Sinqerisht,

Vjosa Osmani Sadriu

Presidente e Republikës së Kosovës

Filed Under: Politike

Federata Vatra: Amerikë Gëzuar 4 Korrikun, 246 Vjetorin e Pavarësisë

July 4, 2022 by s p

Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e 246 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron të gjithë popullin amerikan, shqiptaro-amerikanët e vatranët: Gëzuar 4 Korrikun. Në këtë ditë të rëndësishme për mbarë popullin e shtetin Amerikan, Vatra nderon e kujton heronjtë e lirisë së shtetit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në historinë, lirinë, zhvillimin e demokracinë e Amerikës. Ne ndihemi me fat që jemi pjesë e këtij shteti e kombi të lavdishëm, të lirë, të fortë, të begatë e të dashur nga e gjithë bota. Kombi shqiptar i detyrohet përjetë shtetit amerikan, popullit e kësaj toke të bekuar për gjithçka që Amerika ka bërë për Shqipërinë, Kosovën e kombin tonë. Le të festojmë këtë ditë të veçantë me miqtë tanë amerikanë e komunitetin shqiptar kudo në Amerikë, familjet dhe të afërmit në këtë Shekull të Lavdishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti i bekoftë shqiptarët e Amerikës. Zoti i bekoftë të gjithë bashkëkombasit tanë.

Gëzuar 4 Korrikun. Gëzuar Amerikë.

Mirënjohës përjetë

Me vlerësim të veçantë

Kryetari i Federates Pan Shqiptare të Amerikës VATRA

Elmi Berisha

Filed Under: ESSE Tagged With: 4 korrik, Elmi Berisha

Një këndvështrim shqiptar mbi Amerikën, shtetin e njerëzve të lirë!

July 4, 2022 by s p

Dr Bledar Kurti

Lektor i Historisë së SHBA,

Studiues vizitor në New York University, Nju Jork, SHBA/

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një. Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Po, vërtetë, mbi 56 mijë! Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta! Një realitet magjepsës për çdo vend tjetër, por jo për SHBA-në, ku diversiteti dhe madhësia është bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur!

“Nga shumë, një” është një markë unike amerikane! Një realitet ndërshekullor që nuk gjendet askund tjetër! Emigrantë nga e gjithë bota kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në tokën e lirisë dhe të bollëkut, por pavarësisht diversitetit gjuhësor, kulturor dhe racor, ata janë një. Ata janë amerikanë! Ata jetojnë ëndrrën amerikane dhe përpiqen të jenë “amerikanë të mirë”, një koncept tjetër që i përket vetëm Amerikës.

“Nga shumë, një” dallohet edhe në shoqërinë amerikane, një shoqëri që ka arritur një harmoni të jashtëzakonshme të marrëdhënies midis individualizmit dhe bashkësisë. Dy binome të kundërta që shkrihen në mënyrë të përsosur dhe të natyrshme në një. Individi rezervon plotësisht të drejtat e tij/saj personale e megjithatë është i lirë dhe i përgjegjshëm në komunitet, dhe pjesë e një përkatësie më të gjerë kombëtare.

“Amerikanët janë aq të dashuruar pas barazisë, sa që ata do të preferonin të ishin të barabartë në skllavëri sesa të pabarabartë në liri,” shkroi Alexis de Tocqueville në vitin 1835 në librin e tij klasik Demokracia në Amerikë. Edhe sot, pa dallim prejardhjeje dhe përkatësie, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit! Dhe çdo individi i ofrohet mundësia të jetë kushdo që ai ose ajo dëshiron të jetë. Çdo individ trajtohet si i denjë dhe i vlefshëm për shoqërinë.

SHBA është progresive në zbatimin e ideve dhe avangardë në të drejtat e njeriut, gjinitë dhe mundësitë e barabarta, të përkushtuara në luftën kundër racizmit, paragjykimeve dhe diskriminimit në çdo hallkë të zinxhirit të shoqërisë!

SHBA ka gjithashtu sistemin më unik të qeverisjes në botë. Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes u hartuan pikërisht për të mos lejuar që një individ të bëhet mbret apo tiran.

Ashtu siç ka dinamikë në jetën e amerikanëve, po ashtu ka dinamikë në qeverisje. Kjo është evidente në ekuacionin e rotacionit të kongresmenëve, senatorëve, kolegjeve zgjedhore dhe mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Hartuesit e Kushtetutës përcaktuan se pushteti legjislativ, pra Kongresi, përbëhet nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Çdo shtet dërgon një numër përfaqësuesish në Dhomën e Përfaqësuesve sipas popullsisë së secilit shtet. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga secili shtet, pavarësisht nga madhësia e popullsisë. Qëllimi është të ruhet ekuilibri ndërmjet përfaqësimit të drejtpërdrejtë dhe udhëheqjes së elitave.

Për më tepër, Kushtetuta parashikon që zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të mbahen çdo dy vjet, për Presidentin çdo katër vjet, për Senatin çdo gjashtë vjet dhe që mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të jetë i përhershëm, me qëllim që gjyqtarët të mos ndikohen nga rotacionet politike. Kështu Kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo Presidentit kalon në një proces rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Paragrafi 3, i Kushtetutës së SHBA-së thotë se: “(Senati) do të ndahet në tri kategori. Vendet e senatorëve të kategorisë së parë lirohen në mbarimin e vitit të dytë, të kategorisë së dytë në skadimin e vitit të katërt dhe të kategorisë së tretë në skadimin e vitit të gjashtë, në mënyrë që një e treta të mund të zgjidhet çdo dy vjet.” Ndërsa Presidenti, me një mandat katërvjeçar, nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli por nga një grup përfaqësuesish nga çdo shtet, i njohur si Kolegji Zgjedhor.

Amerika është Republikë e njëkohësisht Demokraci! Edhe kjo një vlerë dalluese amerikane!

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është krejtësisht e ndryshme nga vendet e tjera. Asnjë vend tjetër nuk është aq i fiksuar pas ndarjes së pushteteve sa në Amerikë. Në sistemet presidenciale dhe parlamentare, për sa i përket ndarjes horizontale të pushteteve, apo trias politica, është Presidenti, Kuvendi apo Kryeministri që kanë më shumë pushtet mbi degët e tjera. Edhe një institucion kolegjial ​​si Kuvendi mund të shndërrohet në absolutizëm pasi kryeministri dhe ministrat e qeverisë zgjidhen në Kuvend me shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare në asnjë vend tjetër nuk përballet me aq vështirësi sa presidentët amerikanë për t’i kthyer projekt-propozimet e tyre në ligje. Zakonisht qeveria e paraqet legjislaturën e saj drejtpërdrejt në Kuvend. Është qeveria ajo që kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative.

Kjo është krejtësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga Presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë kryesisht produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit, sesa midis Kongresit dhe Presidentit.

Ky sistem balancash në çdo nivel e ka bërë SHBA-në vendin më transparent, më demokratik, më të zhvilluar dhe më lider në botë.

Po Kushtetuta?

Eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane.

Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan.

Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Si një Republikë e ndërtuar mbi sundimin e ligjit dhe një demokraci e konsoliduar dhe frymëzuese, Amerika ka shërbyer si një fener drite dhe shprese në mbarë botën. Shqipëria, një vend i pushtuar dhe i shtypur në histori për shumë shekuj, deri në rënien e regjimit diktatorial në vitin 1990, por edhe gjatë tre dekadave të fundit të tranzicionit demokratik, e ka parë gjithmonë Amerikën si simbol të lirisë. Shqiptarët, si një popull liberator me vokacion perëndimor, janë ndër popujt më proamerikanë në botë. Ata kanë një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një lidhje që daton që nga themelimi i shtetit shqiptar.

Gjatë Konferencës së Paqes në Paris të vitit 1919, Shtetet e Bashkuara ishin vendimtare në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë. Presidenti i SHBA-ve Woodrow Wilson e kundërshtoi ndarjen e saj, prandaj ai konsiderohet miku i madh i Shqipërisë. Fan Noli, një figurë e shquar e shtetit shqiptar, e vlerësoi atë si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare”, ndërsa një tjetër figurë e rëndësishme, Faik Konica theksoi se “Të gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë në zemrat e tyre një monument të pavdekshëm Presidentit Wilson.”

Shqiptarët vuajtën për gati gjysmë shekulli nën diktaturën e Enver Hoxhës, regjimit më mizor në Evropë. Në vitin 1955 Shqipëria iu bashkua Traktatit të Varshavës, një aleancë e vendeve komuniste që qëndronin kundër NATO-s, por falë mbështetjes së SHBA-së, në vitin 2009 Shqipëria u bashkua me Traktatin e Atlantikut të Veriut, duke hyrë në një epokë të re dhe duke u pozicioniar krah vendeve perëndimore në mbrojtje të paqes dhe lirinë.

Ka një diasporë të madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara, me kontribut të madh në shoqërinë, kulturën, politikën dhe sipërmarrjen amerikane. Këta njerëz të talentuar dhe punëtorë e forcojnë edhe më shumë lidhjen mes dy popujve.

Me siguri mund të thuhet se “Ëndrra Amerikane” është bërë ëndrra e shqiptarëve, në vendlindjen e tyre apo kudo që ata jetojnë jashtë vendit, është një ideal që në fakt ka frymëzuar të gjitha kombet!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë, qyteti mbi kodër, ëndrra e gjallë!

Korrik 2022, Nju Jork, SHBA.

Filed Under: ESSE Tagged With: bledar kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT