• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

MISIONARI I SË VËRTETËS…Nderim At Zef Pllumit

September 7, 2022 by s p

Eugjen Merlika/

Thonë se në lashtësi, në një nga vendet e Lindjes, një mbret i ri, i sapo kurorëzuar në moshën njëzet vjeçare, ishte i etur të njihte historinë e njerëzimit. Thirri pranë tij dijetarët e mbretërisë  dhe i ngarkoi atyre detyrën t’a shkruajnë atë. Mbas dhjetë vitesh pune para mbretit u paraqitën dijetarët me një karvan prej njëqind devesh të ngarkuara me rrasa guri, në të cilat ishte shkruar historia. Mbretit i u duk një punë shumë e lodhëshme leximi i tyre e kërkoi përmbledhjen e saj.

Dhjetëvjeçarët kalonin. Historianët e moçëm e pasonin detyrën tek te rijtë. Pakësohej numuri i deveve me rrasa guri por mbreti, tashmë i përthyer nga problemet e qeverisjes e pa entuziazmin e djaloshit njëzet vjeçar, nuk vendoste të mësonte historinë aq shumë të dëshiruar. Në shtratin e vdekjes, me sytë e shuar  dhe flokët e zbardhura, i cëmbonte në tru mendimi se po largohej nga kjo botë pa njohur të shkuarën e saj. Mblodhi si dikur dijetarët e mbretërisë e u kërkoi që, me pak fjalë, t’i bënin të mësonte historinë e njerëzimit. Atëhere më i moshuari i tyre u afrua pranë shtratit dhe i tha: “ Madhëri, njeriu lind, jeton dhe vdes. Kjo është historia e njerëzimit.”

Në këtë hark kohor, në të cilin dy pikat anësore përfaqësojnë ardhjen dhe largimin nga kjo botë, rrjedhin në të gjithë larminë e tyre jetët e njerëzve të cilat, të bashkërenduara nga kode rregullash e ligjesh, bashkohen si vijat e ujit në shtratin e një lumi për të formuar shoqëritë e kombet. Rrjedhat e tyre përfundojnë në detin e gjërë që është njerëzimi e ndërthurja tyre përbën atë që quhet historia e njerëzimit. Çdonjeri prej nesh është një pikë uji në oqeanin e madh të njerëzimit, por jetët dhe personalitetet e njerëzve nuk shëmbëllejnë si pikat e ujit. Ata kanë secili të veçantën e tij, duke filluar që nga pamja e jashtëme për të përfunduar tek bota e brëndëshme e padukëshme e mendimeve, ndjenjave, fantazisë, vullnetit, aspiratave, sendërtimi i të cilave përcakton rolin dhe vendin që secili ze në bashkësinë në të cilën jeton. Ai rol e ai vend janë tregues të jetëgjatësisë së individit në kujtesën e përgjithëshme gjatë jetës dhe mbas fundit të saj tokësor. Ndërsa mbi shumicën e stërmadhe të emrave bie pa mëshirë pluhuri i harresës, mbi pak prej tyre ai nuk ve shtresë, nuk arrin t’i mbulojë.

Një prej këtyre emrave është ai i At Zef Pllumit, jeta tokësore e të cilit u ndërpre në mbrëmjen e vonë të 25 shtatorit, në një nga spitalet më të njohura të Romës, në Polikliniko Gemmelli. Parabola e jetës së tij filloi në mars 1924, një vit fatal për demokracinë shqiptare, në zemrën e Arbërisë së lashtë, në malësinë e Lezhës, ku Skënderbeu thirri Kuvendin themelues të Lidhjes shqiptare dhe përfundoi në kryeqytetin mijravjeçar të botës antike, në Romën e përjetëshme. Ajo qe një varg i gjatë mundimesh, vuajtjesh, dhimbjesh e sakrificash të pafundme që dhuna komuniste pa mëshirë i hodhi mbi shpinë, si orteqet e borës së Alpeve të Shqipërisë, që kur ishte një djalosh i ri e deri sa trupi u kërrus nga pesha e tyre dhe e moshës. Gati gjysma e jetës burrërore të  tij kaloi nëpër burgjet politike të Shqipërisë komuniste.

Ishin ata kampe vdekjeje e pune të detyrueshme, në njëzet vitet e para të diktaturës, tempujt e shqiptarizmit ku ishin mbyllur mëndjet më të vyera e më cilësore që kishte Shqipëria edhe se të kthyera në kavie sprovash nga kriminelë me pushtet, para të cilëve Jozef Mengele ishte një kopje e zbehtë. Prej bisedave të tyre prifti i ri mësonte historinë dhe bëmat e tokës amtare, i depozitonte thellë në kujtesën e tij të pazakontë, për t’i rrjeshtuar më vonë në veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”. Ata njerëz, dikur elita kulturore e kombit, me trupa të shtrembëruara nga torturat, uria e puna shtazore, ishin për te si hojet e bletëve ku ai gjente nektarin e dijes njerëzore dhe substancat e koncentruara të karakterit e të moralit të shqiptarit.

At Zef Pllumi ishte një personalitet shumëplanësh. Ishte prift katolik, i vendosur të predikonte fjalën e Krishtit e të zbatonte mësimet e tij. Ishte një vrojtues i hollë i njerëzve, i jetës e dukurive të saj, cilësi këto që përbënin humusin e mjeshtërisë së shkrimtarit. Por ai nuk ishte vetëm shkrimtari katolik, ishte dhe tribuni i fjalës së lirë, ishte qytetari demokrat që jetonte me problemet e përditëshme të Vendit të tij, që nuk merrej me politikën aktive por e shikonte atë me syun kritik të atdhetarit, të dashamirësit të  fateve të popullit të tij. Si meshtar katolik i takoi të përballonte, së bashku me kolegët e tij, furtunat më të fuqishme që historia bashkëkohore ruajti për Kishën katolike. Besoj se nuk ka  institucion, në botën e diktaturave të shekullit të shkuar, të meritojë titullin e martirit më shumë se Kisha katolike shqiptare. At Zef Pllumi ishte një shërbyes i bindur e besnik i saj. Si i tillë ai e mbajti kryqin mbi shpinë gjatë gjithë jetës. Kalvarin e tij e përballoi me guxim, përvuejtëri, kurajo e stoiçizëm, duke qëndruar në këmbë, pa u rrëzuar, me besim të patundur në ndihmën e Zotit, me shpresën e palëkundur në fjalën e Krishtit. 

Ishte afër të shtatëdhjetave kur rifilloi të predikojë në kishën e Shën Andoit në Tiranë. Në atë proçes të gjatë e të fuqishëm që ishte ringjallja e Kishës katolike shqiptare At Zef Pllumi mbeti një famullitar i thjeshtë, nuk u ngjit në hierarkinë e krijuar rishtas e, thuhet, se marredhëniet me të nuk ishin idilike. Nuk jam në brendësi të atyre marredhënieve, por nuk më duket bindës fakti që një martir me curriculum vitae dhe aftësitë intelektuale të tij të mbetej një famullitar i thjeshtë në një vend si Shqipëria, Kisha katolike e së cilës kishte pësuar valën asgjësuese më shkatërrimtare që kishte njohur në historinë e saj dymijëvjeçare. Të mbijetuarit e asaj vale meritonin më shumë vëmëndje….

Sot Zefi është takuar me etërit e tij shpirtërorë, ata klerikë, atdhetarë e demokratë të masakruar nga komunizmi, që aq shumë ndihmesë i dhanë formimit atdhetar të shqiptarëve e kulturës së tyre. Ai ka shkuar ballëhapët dhe ata e kanë pritur me shumë dashamirësi, mbasi Zefi i vogël, që ata e kishin patur nxënës në bangot e Kolegjit françeskan, e kaloi provën më së miri. Ai arriti në majat e jetës kulturore të popullit të vet dhe amanetin e tyre për të dëshmuar të vërtetën e sendërtoi plotësisht. “Rrno vetëm për me tregue” kishte qënë porosia e atyre që patën largpamësinë të parashikonin tragjedinë e dhimbëshme që do të përplasej mbi Shqipërinë. At Zefi e tregoi atë mbas një gjysëm shekulli, thjesht, pa shtesa e zbukurime, duke na lënë një vepër të pavdekëshme. Në të ai na tregoi historinë tonë të vërtetë, me hollësitë e saj të llahtarëshme, atë histori që, ende sot, shumë kujt në Vendin tonë nuk i vjen për mbarë t’a shohë të shkruar e, aq më pak, të nxënë nga brezat e rinj.  

  Nëpërmjet shkrimeve të tij e faqeve të Hyllit të Dritës, revistës të të madhit At Gjergj Fishta, të cilën ai e ringjalli për lexuesit shqiptarë, At Zefi foli me gjuhën e meshtarit e të martirit të fesë, të apostullit të kulturës e kultivuesit të vlerave të pavdekshme të popullit të vet por, mbi të gjitha, me gjuhën e së vërtetës. T’a respektojmë të vërtetën, mos t’a dhunojmë e shtrembërojmë atë, t’i qëndrojmë besnikë pasqyrimit të saj edhe atëherë kur nuk shkon në dobinë tonë, këta ishin mësimet që At Zef Pllumi na la si porosi nëpërmjet jetës e veprës së tij.

Ai e shpalli dhe e mbrojti të vërtetën në të gjitha format dhe shfaqjet e saj, në shkrime, predikime, biseda e sugjerime për politikën e mbarëvajtjen e shtetit dhe te shoqërisë. Ishte ky parim që e bëri veprën e tij jo vetëm dëshminë më të fuqishme artistike të dikaturës komuniste shqiptare, por edhe bartëse të një mesazhi të fortë moral, jo  vetëm për lexuesin e sotëm por edhe për brezat që do të vijnë.

Prandaj ne sot nderojmë me gjithë zemër kujtimin e tij e ndjejmë një kënaqësi të veçantë kur dijmë se ai pati sodisfaksionin për së gjalli të vlerësohet si “Nder i Kombit”, vlerësim që shpërblen jo vetëm personin, por edhe historinë e tij dhe ndihmesën e dhënë në kulturën e shqiptarëve. Sot Shqipëria e fesë dhe kulturës ka veshur petkun e zisë. Sot ajo përciell në banesën e fundit, në tokën e Shkodrës së lashtë, një bir të saj të shquar, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.

                                                                                                                 Shtator 2007                                                                                  

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Eugjen Merlika

MIGJENI NE REALITETIN E SOTËM SHQIPTAR….

September 7, 2022 by s p

C:\Users\Administrator\Desktop\Migjeni.jpg

HASAN GREMI

Në tërë yllësinë e letërsisë mbarëshqiptare ka edhe meteorë me shkëlqim komete, siç është Migjeni ynë i Madh, i cili ridimensionohet në çdo kohë, sepse në qendër të krijimtarisë së tij trajtoi probleme madhore që mbeten aktuale për cdo periudhë të shoqërisë sonë dhe, me kodin e tij poetik e pasuroi letërsinë shqipe me vlera të reja në pasqyrimin artistik. Prandaj edhe në këtë 80-vjetor të vdekjes ai vjen si përherë i rizgjuar e me mendime të freskëta e gjigante në truallin mbarëshqiptar. Ky poet është një gjeni i letrave shqipe dhe, që t’i afrohesh thelbit migjenian, është diçka gati e pamundshme, si diçka titanike, sepse ai zotëroi hierarkinë e vlerave të mëdha ideore të kohës dhe me dorë mjeshtërore i veshi ato me shëlqim të ri artistik, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Me syrin e një vëzhguesi të hollë e me ndjeshmëri njerëzore të thellë, ai dha peizazhin shpirtëror të kohës së vet, të cilin e derdhi atë epokë në vargje bronci që mbetën monumentale në rrugën e zhvillimit shoqëror dhe letrar. Askush si Migjeni, në letërsinë shqipe dhe rrallë herë në letërsinë ballkanike apo dhe në në atë botërore, nuk e ka goditur me aq forcë nëpërmjet sarkazmës therëse, mjerimin , që po rritej i tejskajshëm në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, deri në atë shkallë, sa njeriu po humbiste trajtat njerëzore dhe po kthehej në një qënie e mistershme. Në këtë realitet kaq të rëndë , e ngjeu penën poeti, për të dhënë drithërimat që perjetonte, bashkë me njerëzit e thjeshtë, atë dhembje të madhe e të llahtarshme. Nën efektin e groteskut, që ndërtoi me mjeshteri artistike, dha skena tepër rrënqethëse, të jetës së përditëshme dhe, me larminë e dritëhijeve që krijojnë figurat artistike nëpër vargje apo në prozë, vizatoi portrete njerëzish realë, me sy të mbërthyer nga trishtimi, të shpërfytyruar nga skamja e rëndë. Në këtë pamje kaq të kobëshme dhe të dhembshme, jo vetëm që e bëri të dukshëm këtë anë të errët të jetës, por edhe kryqëzoi shkaktarin e kësaj plage të thellë e të madhe, rendin sundues të asaj kohe që qeveriste me hipokritët e servilët e tij, të cilët po shkatërronin moralin në tërësi të shoqërisë dhe mjerimi po merrte jetë fëmijësh të pafajshëm dhe moralin e femrës shqiptare. Për këtë realitet të kobshëm e të padurueshëm që po i merrte frymën kombit, poeti klithi me tërë forcën e shpirtit në kryeveprën e tij “Poema e mjerimit” , ku ai shpalos me ngjyrim të fortë emocional hendekun e pabarazisë shoqërore dhe karakterin çnjerëzor të klasës në fuqi, së cilës i çorri maskën, që të bëhej e dukshme e vërteta dhe të ndërgjegjësoheshin njerëzit e thjeshtë për shkaktarin e vërtetë të kësaj tragjedie të rëndë shoqërore, ku gruas i hiqej e drejta për të qenë nënë, e ndërsa nëna s’ kishte me se t’i rriste fëmijët. Malësorja shiste nderin bashkë me qymyrin. Luli i vocërr shkonte zbathur , i veshur keq e i pangrënë, mes dimrit teacart,por me një dëshirë që ia ngrohte shpirtin, të merrte dije e ta ndryshonte atë gjendje të mjerueshme. E kush më fortë se Migjeni ngriti zërin dhe dha me ndjeshmëri dhembjen njerëzore në këto vargje monumentale, me efekt të fuqishëm të hiperbolës , të groteskut e urrjtjes së papërmbajtshme, dha këtë tablo të dramës së rëndë në jetën e njerëzve të thjeshtë që jetonin zhytur në një mjerim të thellë tërë jetën, deri në vdekje?! E japin të qartë vargjet: “… Kafshatë që s’ kapërdihet asht , or vlla mjerimi , / kafshatë që të mbetë në fyt dhe të zë trishtimi, / kur shef figura të zbehta dhe sy të jeshilta, / që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert’ e mpita, / edhe ashtu të mpita mbrapa teje mbesin / të tanë jetën e vet, deri sa të vdesin…. Dhe poeti e mpreh mirë artistikisht ironinë therëse të antitezës, kur jep pamjen e tragjedisë së rëndë të jetës së njerëzve të thjeshtë, në antitezë me zotërinjtë që jetojnë të lumtur në shëlqimin e luksit, e vizaton qartë vargu: “që flejnë në shretënt e lumnisë…” Poeti është biri i kësaj toke klasike malesh dhe mali në krijimet e tij, nuk është me atë hijeshi mahnitëse, me ujëvariat e ylberuara mes gjelbërimit të magjishëm, nuk është vendi i eposit të kreshnikëve të paepur që ndesheshin me rrufetë dhe i ëndërrave të bukura, por poeti në fjalë, përtej mitit shqiptar për malin, qe i pari që e cmitizoi atë duke e tjetërsuar në një metaforë me flakërim të fuqishme, për ta dhënë malin si një hieraki sunduese të pamëshirëshme ndaj njerëve, zotërues, urdhër vënës i pakundërshtueshëm, e kthen atë në një iluzion të turpshëm që i gllabëron vendit relitetin e tij të kohës duke e kthyer atë në një dramë të rëndë çnjerëzore për jetën e tyre. Kjo gjendje e padurueshme e bën poetin që t’i shpërthejë fuqishëm nga thellësitë e shpirtit human, thirrja apostrofike: “Si nuk kam një grusht të fortë…” këtu ai flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore që kishte gllabëruar tmerrësisht shpirtin e shtresës së thjeshtë e cila dukej gati e pathyeshme në atë ngërthim të tmerrshëm e të gjithëanshëm që i kishte bërë jetës. A nuk gjejmë edhe sot këtë mal migjenian të korrupsionit me përmasa gjigante që ka shtrirë tentakulat në tërë jetën e shqiptarëve? …“grusht ndaj malit që s’ bzan”… është politizimi absurd për të përcarë shqiptarët, që të mos jenë të vëmendshën ndaj jetës së tyre të rëndë , por të jenë në shërbim të militantizmit partiak…”…. mali që s’ bzan” është kriminalizimi i realitetit tone, ku krimi lëviz lirshëm kudo dhe merr jetë njerëzish si pa të keq, “…. mali që s’ bzan” është braktisja e tokës mëmë që nuk i mban bijtë e vet, të cilët enden nëpër botë për një jetë më të mirë. Dhe Migjeni vjen i rizgjuar në kohën tonë me idetë etij të mëdha si mund të shpëtohet nga kjo gangrenë që ka mbërthyer kombin. Edhe në skicat, dhe tregimet autori sjell skena reale të jetës së përditëshme të moralit dhe të ekonomisë, nga të dyja shtresat antagoniste shoqërore të kohës së tij, të marra nga jeta e përditëshme, ku përmes simbolit dhe alegorisë, ai nuk la jashtë vemëndes edhe problematikën filozofike të cilën e shtjellon deri në shkallën e ironisë ku ai portretizoi dallueshëm në skicën: “Sokrat i vuejtun, – apo derr i kënaqun?” duke vënë ballëpërballë dy botë, në njërën anë atë të virtytit, vlerat që formojnë moralin e shoqërisë, dhe në tjetrën atë të poshtërsisë që drejtohej nga interesa egoiste dhe të ulëta të mishëruara alegorikisht te një derr. Duket sikur filozofët e ekzistencializmit ; Hajdeger, Hyserli dhe Sarti konkurrojnë në shkrimin e këtij teksti migjenian. Migjeni me një inteligjencë të mahnitëshme beson te utopia, fitoren e së e së resë mbi botën e mykur patriarkale dhe mediokriteti të neveritshëm. Prandaj edhe nuk harron të tundë edhe flamujt e besimit për të ardhmen , e cila kërkon ndryshimin e kësaj bote të perënduar, dhe per këtë ndryshim ka besim te rinia, te energjitë e saj të pashtershme dhe te mendmi bashkëkohor që ajo duhet të përqafojë, se e ardhmja i takon asaj. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: hasan gremi

Kosova më 7 Shtator 1990: Republikë me Kushtetutë

September 7, 2022 by s p

KALENDARI HISTORIK

Drejt Lirisë e PavarësisëKosova para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992/

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2022/  Para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë: Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, Ramajli për median kosovare theksonte se ndonëse për shkak të rrethanave Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme e më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 13 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 14 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 14 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës së vitit 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 14 viteve në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Filed Under: Rajon

Mendime për librin e Prof. Thanas L. Gjikës “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re”

September 7, 2022 by s p

Dr. Thoma Qendro/

Leximi i librit “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e “Dhiatës së Re” (Botimet Jozef 2022) të Prof. Thanas Ligor Gjikës më ndihmoi të kuptoj më mirë traditën tonë rreth përhapjes së krishtërimit në trojet ilire.

Ndonëse nuk jam specialist i mirëfilltë i studimeve biblike, as teolog dhe as historian i Krishtërimit, por po jap disa vlerësime për këtë libër, sepse e njoh lëndën e “Dhiatës së Re” duke qenë se jam marrë me hartimin e botimit të parë të “Biblës” në gjuhën shqipe titulluar Të Shkruomitë Shenjtë, ku bashkova fragmentet e librit Meshari të Gjon Buzukut (botim i SHBNSH, Tiranë, 2010). Po ashtu jam marrë me transkriptimin, përgatitjen dhe botimin me shpjegime gjuhësore të Dhiatës së Re të përkthyer nga Vangjel Meksi e të botuar në Korfuz më 1827 nën redaktimin e Grigor Gjirokastritit prej Shoqërisë Biblike Britanike dhe për të Huajt (botim i SHBNSH, Tiranë, 2016), si dhe të Ungjillit të Shënt Mattheosë nga të njëjtët persona më 1824 (botim i SHBNSH, Tiranë, 2021). Ndërkohë, ashtu si Profesor Thanas Gjika edhe une kam marrë të njëjtin formim filologjik e historik në Fakultetin Histori – Filologji dega Gjuhë Shqipe Letërsi, ku kemi qenë bashkëstudentë.

Paraprakisht e përgëzoj me gjithë zemër autorin si dhe botuesin e bashkëpunëtorin e hartave, z. Aurel Kaçulini, dhe mund të them se studiuesi Thanas Gjika ka bërë një punë titanike, të denjë për një institut të tërë të kompletuar me specialistë të të gjitha fushave të studimeve biblike. Në këtë libër është njëkohësisht puna e filologut, e historianit jo vetëm të fesë, e teologut dhe e filozofit që me argumente logjike nxjerr përfundime të arsyeshme dhe bën sugjerimet përkatëse. Metodologjia e përdorur në këtë studim është për t’u admiruar. Analiza është e përsosur. Përdorimi analitik i mjeteve gjuhësore, i njëjësit dhe i shumësit të përemrave vetorë e të foljeve, i mënyrave e kohëve të foljeve në funksion të ngjarjeve konkrete (sidomos të librit “Veprat” të shën Lukës) që patën ndodhur në praninë ose jo të tij, janë shumë domethënëse.

Hulumtimi dhe udhëtimi logjik që ndjek studiuesi janë interesante dhe mendoj se në një të ardhme ndoshta jo edhe të largët mund të hapin debate teologjike e historike. Unë si shqiptar jam i prirur të ndjek me interes ngjarjet biblike që ndodhin në Shqipëri, dhe si durrsak të shoh me interes ato që kanë ndodhur në Durrës, ashtu si një lezhjan p. sh. do të ishte i interesuar për ngjarjet në Lezhë, etj.

Historia e feve është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e një vendi dhe populli, pasi shpesh ato përcaktojnë edhe zhvillimet shoqërore dhe ekonomike, ideologjike dhe politike, aleancat, miqësitë dhe armiqësitë me popujt dhe vendet e tjera.

Nuk është gjë e lehtë të komentosh në mënyrë krijuese e të sjellësh risi në studimet biblike, me të cilat janë marrë e merren për rreth 2 mijë vite, me miliona studiues të të gjitha fushave e nga të gjitha vendet. Prof. Thanasi e ka arritur këtë. Në veprën e tij ka aq shumë fakte, argumente, gojëdhëna, analiza, përfundime e sugjerime, ngrihen aq shumë çështje, shtrohen aq shumë teza, sa për secilën prej tyre mund të komentosh, të diskutosh e të shkruash edhe shumë më gjatë, e pse jo, një njeri i përkushtuar mund të frymëzohet e të shkruajë edhe studime e monografi të veçanta.

Në pamundësi për t’u marrë me hollësi në një diskutim promovues si ky, do të ndalem shkurt në dy aspekte që trajtohen drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë libër, por që janë të lidhura ngushtë midis tyre:

E para, përforcohet teza se Krishtërimi në Iliri, pra rrjedhimisht në territoret e sotme shqiptare, nuk u importua as nga Greqia dhe as nga Roma, por është me prejardhje apostolike dhe u përhap në të njëjtën kohë me këto vende. Bashkësia e krishterë e Durrësit, p. sh., që ishte një nga qytetet më në zë të antikitetit, u krijua drejtpërdrejt nga vetë apostull Pali gjatë udhëtimeve të tij misionare. Këtë të vërtetë historike Profesor Gjika e ka formuluar edhe në botimet e tij të mëparshme, por në këtë studim edhe më bindshëm.

Nga ana tjetër, puna e shën Palit në trojet ilire ka qenë pranuar edhe nga historianë objektivë të huaj e vendës edhe para studiuesit Thanas L. Gjika, ndonëse ka disa që ende për arsye të ndryshme, të cilët nuk është as rasti dhe as vendi t’i përmend këtu, e paraqesin Krishtërimin në Shqipëri si fe të importuar e të imponuar nga të huajt.

“Historiani italian Danijele Farlati, – shkruan profesor Thanasi, – duke u mbështetur në shënimet e një Menologu greqisht të përkthyer italisht prej Kardinalit të Sirletit, ka shkruar se – Sh. Pali krijoi kishën e Durrësit dhe se kjo kishë në vitet 57-58 kishte 70 familje anëtarë …” (f. 79).

E pikërisht këtë të dhënë Prof. Thanasi e plotëson me argumente e fakte të reja, vlerë e pakundërshtueshme e punës së tij, e pranuar dhe prej studiuesish amerikanë e shqiptarë.

Duke folur për hartimin e dy pjesëve të Letrës kanonike drejtuar Romakëve, pasi analizon me hollësi udhëtimin misionar që kishte bërë Pali në kushtet e asaj kohe (meqenëse Durrësi ishte pikënisja lindore e Adriatikut që lidhte nëpërmjet rrugës tokësore “Egnatia” Lindjen e Mesme, pra dhe Jeruzalemin, dhe nga ana tjetër Romën, nëpërmjet rrugës më të shkurtër detare duke kaluar te gadishulli italik), prof. Thanasi arrin logjikisht në përfundimin se gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar Pali kishte ndalur në një qytet të madh “ku kishte pasur kohë të mendonte e meditonte disa javë. Një ndalesë e tillë ishte kryer në qytetin Dyrrach (Durrës), ku Pali krijoi kishën e krishterë …” (f. 171).

Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi edhe në vendet përreth Ilirisë, në gadishullin italik dhe në gadishullin e sotëm ballkanik, si dhe në vetë vendet e atëhershme hebraike, Krishtërimi sapo kishte lindur e po përhapej në kushte mjaft të vështira, drejtpërdrejt përmes apostujve, ndërsa zyrtarisht nga autoritetet shtetërore përndiqej egërsisht dhe dënohej me vdekje mizore cilido që e përqafonte. Kjo gjë ka qenë pranuar edhe nga historiografia e periudhës komuniste, pavarësisht interpretimit materialist marksist që i bëhet përhapjes së Krishtërimit në Shqipëri. “Gjendja e vështirë e skllevërve dhe e shtresave të tjera të shfrytëzuara krijoi kushte të favorëshme që edhe në Iliri të përhapej krishterimi si fe që u premtonte njerëzve një jetë të lumtur pas vdekjes. Si besim i atyre që vuanin dhe shfrytëzoheshin, si besim i të varfërve dhe i skllevërve, kjo fe e re gjeti në fillim një rezistencë të madhe nga ana e perandorëve dhe e klasës sunduese të qyteteve. Predikuesit e saj bile u persekutuan. Por nga shek. III dhe veçanërisht në shekujt e mëpastajmë rritja e numërit të besimtarëve dhe ndryshimi gradual i përbërjes së tyre sociale ndikoi shumë mbi organizimin e fesë së re si dhe të ideologjisë së saj.” (Historia e Shqipërisë, I, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituri i Historisë dhe i Gjuhësisë,Tiranë, 1959, f. 126).

Së dyti, autori jep hollësi, argumente dhe gojëdhëna të shumta për udhëtimet e Palit. Natyrisht, gojëdhënat nuk janë fakte historike, po kur ato u kanë rezistuar me shekuj tallazeve të ngjarjeve historike, aq më tepër kur përkojnë me këto ngjarje, qoftë edhe pjesërisht, apo simbolikisht, ndihmojnë për të hedhur rreze drite mbi disa të vërteta historike. Në Durrës, p. sh. gojëdhënat për shën Palin, shën Cezarin dhe shën Astin kanë mbetur e gjalla deri sot dhe ato janë të lidhura dhe me faktet historike. Kepi i Palit, i transformuar ndër shekuj në gojën e mbarë popullit në emërtimin Bishti i Pallës apo Bishtpallë, që përmenden edhe në librin që po promovohet sot, është një dëshmi e qartë për këtë. Po kështu për këtë flet edhe fakti që të krishterët durrsakë e të rrethinave të qytetit, e kanë ruajtur ndër shekuj në traditën e tyre kujtimin e shën Astit: emrin e këtij kryepeshkopi martir të Durrësit, që u gozhdua në kryq në këtë qytet nga sundimtari i Durrësit Agrikoli, gjatë përndjekjeve të të krishterëve nga perandori romak Trajan në vitet 97-117 pas K. Emrin e tij e trashëgojnë edhe sot e kësaj dite mjaft durrsakë, ortodoksë apo katolikë. Dhe nuk është rastësi që ky emër përdoret vetëm në Durrës e në trevat rreth tij.

Libri që po promovohet sot i Profesor Thanas Gjikës është i mbushur me hollësi dhe burime dokumentare e gojëdhanore për udhëtimet e Palit nëpër Shqipëri, për qëndrimin, predikimet dhe shkrimet e tij e të bashkëpunëtorëve e shoqëruesve të tij misionarë në qytetet e vendbanimet e trevave ilire. Deri më sot shumë pak është bërë për të hulumtuar e studiuar rreth ngjarjeve të asj periudhe nga studiuesit shqiptarë, siç ka bërë profesor Thanasi. Përshkrimi dhe studimi që ai bën për udhëtimet e Palit, sidomos udhëtimi i tretë që pranohet kanonikisht nga të gjitha Kishat e krishtera, dhe udhëtimi i katërt, për pranimin e të cilit ka edhe debate historike, meritojnë, për mendimin tim, të zënë vend në diskutimet e rretheve teologjike e historike kishtare, sidomos në kolegjet e fakultetet teologjike e më pas, pse jo, ndoshta edhe në organizmat vendimmarrëse të Kishave, siç janë konferencat, sinodet apo koncilet.

Studimi i Thanas Gjikës nuk është thjesht studim mbi Fenë e krishterë, por është një analizë e shumanshme historike, filologjike, logjike, e të dhënave mbi udhëtimet e Palit. Luka, në librin Veprat e Apostujve, të përfshirë në librat kanonikë të “Dhiatës së Re”, përshkruan disa nga vendet ku ka kaluar, qëndruar, predikuar e punuar shën Pali, dhe natyrisht nuk shkruan me hollësi për çdo milje rruge që ai dhe grupi i tij i shoqëruesve patën bërë. Mbushja e këtyre zbrazëtive, sidomos gjatë udhëtimeve nëpër viset ilirike, është detyrë e historianëve shqiptarë që t’i plotësojnë. Pikërisht këtë ka bërë profesor Thanas Gjika dhe shpresoj, që ato të zënë vendin e merituar në historinë e Kishës së Krishterë të Shqipërisë e më gjerë edhe në historinë e përgjithshme të vendit tonë.

Së fundi i shpreh urime dhe përgëzime profesor Thanasit për gjithë veprën e tij, dhe inxhinier Aurel Kaçulinit, për punën e saktë plot pasion që ka bërë në bashkëpunim me autorin e librit, për përcaktimin e vendkalimeve dhe vendqëndrimeve të shën Palit nëpër trojet që i përkasin sot Shqipërisë. Shpresoj, që hartat e përgatitura prej tyre, sidomos ajo e Udhëtimit të tretë e të katërt, të gjejnë vend edhe në botimet e ardhshme biblike shqiptare dhe të huaja.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Thanas Gjika, thoma qendro

Kryeministri Kurti takon Damir Marusic dhe Rachel Rizzo, hulumtues të lartë në Këshillin Atlantik

September 7, 2022 by s p

Prishtinë, 7 shtator 2022/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sot hulumtuesit e lartë në Këshillin Atlantik (Atlantic Council), Damir Marusic dhe Rachel Rizzo.

Përgjatë takimit, u diskutua për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me njohje reciproke në qendër të saj. Kryeministri Kurti dhe hulumtuesit e lartë Marusic dhe Rizzo ndanë këndvështrimet e tyre edhe mbi agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë, pasojat për kontinentin e Evropës dhe sigurinë e rajonit.

Si një nga vendet e para që iu është bashkëngjitur sanksioneve të BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Federatës Ruse, kryeministri Kurti u shpreh se Republika e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë se është aleate e vlerave demokratike dhe partnere e aleancës euro-atlantike të cilës synon dhe duhet t’i bashkohet.

Me seli qendrore në Washington D.C., Këshilli Atlantik, i themeluar me 1961, është një think-tank amerikan që mbulon fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT