• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

PËRVJETORË  DHE  STRATEGJI

September 4, 2022 by s p

“Nuk është e paktë koha që na është dhënë, është e shumtë ajo që kemi humbur” – Seneka

Nga Eugjen Merlika

Kaluan dhjetë vite nga ai mëngjez i ngrohtë i 26 korrikut të 1996-ës kur, nga një breshëri automatiku, ndërroi jetë drejtori i përgjthshëm i burgjeve të Shqipërisë, Bujar Kaloshi. Vitet kaluan por emocioni dhe dhimbja mbetën të njëjta për ata që e panë të rritej e të burrërohej në kampin e Gradishtit, por jo vetëm për ta. Kujtimi i tij mbeti i gjallë edhe për ata që e njohën në atë kohë që shërbeu në një detyrë sa të vështirë aq edhe delikate.

Bujari ishte bir i kampeve të internimit, të atyre qëndrave që hierarkia komuniste i kishte projektuar për të varrosur jetët, shpresat dhe ëndërrat e breznive të pasardhësve të atyre që nuk e kishin dashur komunizmin. Mallkimi e gjëma do të rëndonin pa mëshirë deri në “pafundësi”, deri sa të jetonte sistemi.

Bujari ishte një nga të parët fëmijë që lindnin në kampet e Lushnjës, te cilat kishin zëvendësuar Tepelenën në strukturat makabre të strategjisë së shfarosjes të “klasave të përmbysura”. Rridhte nga një familje e njohur e Dibrës. Babai i Tij, Xhevdeti, ishte një kollos me fuqi proverbiale për brezin e tij. Nëna e tij, Shkurta, ishte një grua e heshtur dhe e urtë. Ishin nga ata njerëz, pragmatikë e guximtarë,  që e merrnin jetën ashtu si t’u vinte, pa i bërë lak problemeve të saj, por duke u përleshur çdo ditë me to. 

Në kushtet tejet të vështira të jetesës  ky çift nxori në jetë katër fëmijë, i rriti me mund e sakrifica, me mungesa nga më të ndryshmet, por me një pasuri të madhe si trashëgimi: shëmbullin e ndershmërisë vetiake e të respektimit të normave shoqërore të moralit njerëzor. Bujari qe i pari e mbi shpatullat e tij të njoma, që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, rënduan më shumë sakrificat sepse ai deshi të marrë një pjesë të barrës së prindërve.

Në Gradisht, ku Bujari u rrit, u shkollua e filloi punën, jetonin shumë t’internuar që kishin qenë pjesë e elitës intelektuale të Shqipërisë. Prej tyre ai huazoi etjen për dije, dëshirën për librat, për horizontet e pakufishme të kulturës. Këto bënë që, në thellësi të qënies së tij, të kultivohej një farë idealizmi të cilin e nxori në dukje dhjetori  1990 kur ai, me të gjithë entuziazmin rinor u zhyt në betejën për fitoren e demokracisë. Rasti e solli që shpejt të njihte Dr. Sali Berishën e rezultati qe një besë e fortë, si ato të qëmotit. Këtë besë e mbajti dhe e mbrojti deri në frymën e fundit, deri në mëngjesin tragjik të 26 korrikut 1996.

Bujar Kaloshi nuk u fut në PD me llogari për të ardhmen, me synimin për të fituar pozita, para e privilegje. Ai u fut me entuziazmin dhe naivitetin e idealistit, të të riut që mendonte se kishte ardhur çasti fatlum i fitores së lirisë mbi tiraninë, të ndershmërisë mbi poshtërsinë, të së mirës mbi të keqen. Në ata çaste ai nuk mori parasysh rreziqet, nuk u tremb, nuk bëri shumë llogari për veten, por shkoi përpara duke ushqyer në përfytyresë pamjen e ndryshuar të Shqipërisë së re, të Shqipërisë demokratike dhe evropiane. Atij iluzioni ai i fali gjithshka, forcat, guximin, vullnetin, shqetësimet e mendimet, besimin në të ardhmen. Kjo qe merita e tij më e madhe, qe plazma që formonte personalitetin e tij gjithënjë në rritje.

Ndoshta ishte ky personalitet që shtyu Kryetarin e atëhershëm të Shtetit të ngulmonte t’a bindëte Kaloshin të pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë. Burgjet kishin qënë vëndet më tipike e shëmbullore të laboratorit të përbindshëm të diktaturës komuniste, dëshmitarët më elokuentë të krimit pa cak të regjimit. Emërimi në krye të tyre të një djali të ri të rritur në internim ndoshta ishte një nga gjetjet më të mira të Dr. Berishës në atë kohë. Kaloshi e mori përsipër atë detyrë dhe ajo u bë për të sinonim i qënies së tij. Qe korrekt e i guximshëm në zbatimin e asaj detyre. Në rrugën e tij hasi mjaft pengesa e vështirësi të mëdha që trashëgoheshin nga praktikat e vjetra dhe njerëzit e tyre. U përpoq të ndryshojë stil pune e njerëz e, gjatë këtij misioni, krijoi miq e armiq. Bujari ishte i ndërgjegjshëm për këtë, por për të ishin të huaja kompromiset e pandershme dhe shkelja e idealeve. I qëndroi me fanatizëm besnik kësaj rruge, por duke nxjerrë në pah edhe vetitë e tij njerëzore. Punën e tij e kryente me një besim të madh tek partia ku bënte pjesë, tek politika e saj, tek drejtuesi i saj. Ndonjë miku të së shkuarës që i shprehte mosbesimin e tij për veprimet dhe politikën e PD-së i përgjigjej me frymën e besimit në shmangien e të metave dhe të optimizmit për t’ardhmen….

Pranvera dhe vera e vitit 1996 ishin të ngarkuara me tension të lartë. Në mars kishte ndodhur atentati në supermarketin VEFA në qendër të Tiranës, ku humbi tragjikisht jetën Vera Dume, një vajzë që vinte nga një tjetër vënd internimi, nga Grabiani, ku kish kaluar, e dënuar, pesëmbëdhjetë vite të jetës së saj. Vendi jetonte në dehjen e fitimit të parave pa mundim. Pjesa më e madhe e kursimeve të shqiptarëve ishin grumbulluar në kompanitë “rentiere”, që premtonin e jepnin interesa marramendëse. Votimet e qershorit, me parregullsitë e tyre dhe tërheqien e socialistëve në ditën e votimit, nuk ndihmuan në kthjellimin e ideve. Shqiptarët përkundeshin në ëndërrat e pasurimeve të lehta dhe i ngjanin udhëtarëve të Titanikut, që vazhdonin të dëfreheshin nën tingujt e orkestrës, ndërsa anija mbytej.

Krimi i organizuar, mbas fitimeve prrallore në sajë të trafiqeve të paligjëshme, kërkonte t’imponohej në jetën shoqërore e politike. Vrasja e Bujar Kaloshit ishte shprehje e kësaj prirjeje dhe paralajmëruese ogurzezë e kataklizmës, që do të vinte mbas disa muajsh, me shëmbjen e Shtetit dhe kthimin e Shqipërisë në vitin zero.

Nga ato kohë të zymta kaluan dhjetë vite. Bujari, Vera e të tjerë viktima të terrorizmit shqiptar mbeten ende plagë të hapura jo vetëm për familjet e tyre, por për të gjithë ata shqiptarë që duan t’a shohin Atdheun e tyre  një vend normal, në gjëndje të frymëzojë besim e shpresë. Drejtësia shqiptare nuk arriti dot t’u japë qytetarëve qetësinë e të jetuarit në një Vënd ku krimi dënohet dhe viktima mbrohet e dëmshpërblehet.

Sot përsëri re të zeza lundrojnë në qiellin e Shqipërisë. Kuvendi i saj, zemra e veprimtarisë politike të Shtetit, na paraqet një pamje tepër trishtuese: në vend të njerëzve të përkushtuar çështjeve të përparimit të Atdheut e arritjes së synimeve madhore të tij, shohim “politikuca” profesionistë të interesave vetiake që, në emër të Kushtetutës, janë gati të ligjësojnë paudhësitë më të mëdha, që nuk njohin as parimet më fillestare të edukatës njerëzore, që tempullin e vullnetit politik të popullit të tyre e kanë kthyer në një treg, ku hyhet e dilet simbas qejfit, ku flitet si të vijë për mbarë larg kodit etik të domosdoshëm, ku tregohet fuqi fizike në vend të argumentave.

Seanca e fundit e Kuvendit, me pamjet e saj skandaloze të një huliganizmi tepër të rëndomtë, është një faqe turpi për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Shokët deputetë të Opozitës duhet të mbajnë parasysh se, për fat të keq, përfaqësojnë jo vetëm një pjesë të shqiptarëve që i kanë votuar, por dhe një pjesë të imazhit të Shqipërisë në botë. Ai Kuvend, i kthyer në një stallë derrash nga një dhunë e pajustifikuar, nuk nderon asnjërin prej nesh e besoj se asnjë prej nesh nuk e meriton këtë paraqitje. Më shumë dëshpëruese bëhet kjo gjëndje kur vihet re se këtë skandal, në kufijtë e vandalizmit më të keq, e shkaktojnë deputetë relativisht të rinj në moshë.

I kam besuar me bindje idesë se ndërrimi brezor do të sillte normalitetin në politikën shqiptare. Me keqardhje të thellë konstatoj se paskam gabuar, se këta të rinj, sot drejtues të partive të Opozitës, nuk i lenë asgjë mangut etërve të tyre shpirtërorë. Madje këta janë më agresivë (kush guxonte të fyente apo t’i turrej Kryetarit të Kuvendit në kohën e diktaturës?) ndoshta sepse jetojnë në një tjetër periudhë ku kolltuku nuk mund të jetë i përhershëm, siç ishte për brezin parardhës. Këta “zotërinj”, që evokojnë vazhdimisht 1997-ën si një medalje trimërie në biografinë e tyre, a thua se flasin për kohën e Skënderbeut, harrojnë se ai vit, me bëmat e tij të zeza, mund të krahasohet vetëm me “vitin e mbrapshtë” 1914, për dëmet që i ka shkaktuar Shqipërisë. Ata dy vite na kanë larguar më shumë se gjithë historia jonë nga rruga e zhvillimit dhe qytetërimit. Një përsëritje e përvojave të tyre do të ishte një goditje fatale e projekteve të integrimit të Shqipërisë n’Evropë.

Duke kujtuar me dhimbje të thellë sot Bujar Kaloshin, martirin e rënë në mrojtje të idealeve të demokracisë shqiptare, uroj që fundi i tij tragjik të zgjojë tek secili prej nesh zërin e ndërgjegjes, vetëdijen e përgjegjësisë para fateve të Vendit tonë.                                 

                                                                                                                  Gusht 2006

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

#SiSot, më 2 shtator 1925, u themelua Banka Kombëtare e Shqipnis me qëndër në qytetin e Durrësit

September 2, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Kjo bankë vinte si një nevojë e menjëhershme pas Pavarësisë së vendit, kohë kur në tregun shqiptar kishin filluar të shfaqeshin filiale bankare të shteteve të ndryshme, të cilat kryesisht kishin shtrirje lokale dhe nën patronazhin e bashkive përkatëse. Bisedimet për krijimin e Bankës Kombëtare filluan që në vitin 1921, kur pjesë përbërëse e monitorimit të krijimit të bankingut shqiptar do të bëheshin ekspertet më të mirë të kohës të dërguar nga Lidhja e Kombeve. Eksperetet e panë të udhës që Banka Italiane do të mundej më mirë të ishte tutori i krijimit të bankingut shqiptar dhe për këtë arsye, nisën bisedimet dypalëshe që u finalizuan pas 4 vjetëve me hapjen e bankës. Për palën shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Mufid Libohova dhe për atë Italiane Mario Alberti. Komiteti Administrativ do të kishte qendrën në Romë dhe paraja që do të emetohej në shkurt të vitit 1926, do të ishte “frangu i arit”, me nënfishat e tij, “lekë”. Kapitali i bankës do të ishte 12.500.00 franga ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve. Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë. Vetëm në vitin 1938, pala Italiane që mbizotëronte në terma aksionesh, vendosi që godina e re e bankës duhet të ndodhej pranë kryeqytetit dhe jo më në Durrës, në një ndërtesë të projektuar nga arktitekti Morpurgo.

Më poshtë, dy imazhe të Bankës Kombëtare të Shqipnis, përkatësisht në vitet 1928, dhe 1940, një relacion i shkurtër mbi bankingun shqiptar, si edhe dekretligji për krijimin e bankës.

Filed Under: Ekonomi

Armiq për vdekje – Ngjarje e vërtetë

September 2, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Kanan Seiti, një ish-i dënuar politik po martonte nipin e vet. -Shyqyr që ja arrita kësaj dite! Lermë o zot, të rroj dhe ca kohë,- thoshte me vete, me sytë e përlotur. Pinte nga pak, shikonte çiftet që kërcenin, këndonin, krejt të shpenguar dhe zemra i bëhej mal. Muzika u ngrit deri në qiell dhe në hyrje të lokalit ia behën njerëzit e nuses. U vendosën përballë me krushqit e djalit dhe ahengu u ngrit disa shkallë më lart. I ra në sy një burrë i moshuar me kasketë, por ende i fortë, energjik, shtatlartë, kockëgjerë, trupmbushur, me një hundë të madhe në formën e tehut të sëpatës, me kostumin fringo, këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe këpucët lustrafin, që udhëhiqte vallen. Burri u shkëput nga vallja, nxorri një tufë pesëmijëshe nga portofoli prej lëkure dhe për disa çaste daroviti çiftin, duke tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve. Kanani e shoqëroi me sy deri sa u ul, përballë tij, dy-tri karrige më tej. Ishte e pamundur të gabonte. Ai ishte Balil Gozhina, ish partizan, ish prokurori i diktaturës, avokat i njohur tashmë siç i kishin thënë. Balili nxori një puro, i preu me nge majën me biçakun e vjetër me këllëf briri, e ndezi me një çakmak të florinjtë, thithi fort puron, filloi të shpërndaje shtëllunga tymi të bardhë gjithandej, duke parë gjindjen me një lloj krenarie të shtirë. Kananit iu shua gjithë hareja, që e kishte kapluar në fillim… 

Në kohën e luftës njerëzit e tij ishin rreshtuar me Ballin ndërsa ata të Balilit me Partinë. Pas lufte komunistët u grabitën gjithçka dhe i lanë të jetonin në një kasolle pranë shtëpisë së tyre. Edhe kaq e keni shumë si armiq të popullit, u kishin thënë. Burrë e grua rropateshin në ndërmarrjet bujqësore. Aty nga vitet shtatëdhjetë hapnin toka të reja sipas udhëzimit të partisë: “Ti bëjmë malet e kodrat pjellore si fushat.” Në pushim, duke ngrënë drekën (sikur më shtyu shejtani, tha më vonë) bukë misri, qepë e ca kokrra ullinj, foli pa të keq: – Pse i hapin këto skërka për tokë buke? Këtu mezi rriten shkurret e jo të bëhet gruri e misri? 

Gjashtë muaj në hetuesi, pyetje e tortura nuk pranoi dhe nuk firmosi asgjë. Akuza: Sabotim me qëllim i ekonomisë popullore. Ndërkohë “lajmi’ mbërriti edhe në hetuesi. Gruan dhe fëmijët ia degdisën në fshatrat e Lushnjës…  Atëherë vendosi:  -Bjemë një letër të bardhë ta firmos. Shkruaj ç’të duash mbi të!- i tha prokuror Balilit. Tashmë e kishte marrë ferra uratën dhe çdo rezistencë ishte e kotë. Dymbëdhjetë vjet u dënua, që i bëri kokërr më kokërr në miniera. Shenjat e torturave dhe mundimeve i kishte ende në trup. Balili kërkonte të shmangte vështrimin e kundërshtarit por Kanani vazhdoi ta shikonte ngultas. “ Si ka mundësi që këta njerëz të jenë në krye përsëri?!” iu drejtua vetes. Kishte parë ish hetues, prokurorë, spiunë, drejtues burgjesh, madje edhe ministra të kohës së diktaturës, që kishin zënë vende kyçe në parlament, ministri dhe në majat e shtetit. “ Të paktën të kishin kërkuar falje për të gjitha të zezat që na bënë, pa për drejtësi nuk bëhet më fjalë.” I hipi gjaku në kokë, por u mundua ta mbajë veten: 

– Balili je zotrote? Prokurori që më dënoi me 12 vite burg për një fjalë goje?

– Ai jam. Të dënova se shkele ligjet e shtetit! Vet pranove e firmose… erdhi aty për aty përgjigja harbutërisht. Kajtazi e humbi gjakftohtësinë, u ngrit në këmbë dhe thirri: “ Për ç’ligje e firmë flet?! Po më ngordhe në dru, more kriminel, më more jetën, më le fëmijët jetim me babën gjallë, më internove vëllezër e motra për një fjalë goje…” Vazhduan të grindeshin me zë të lartë, duke qëndruar secili në të tijën. Balil komunisti, u bë si i marrosur. Nuk ishte mësuar ish-prokurori, tashmë avokat i dëgjuar,  t’a kundërshtonin e jo më ta akuzonin haptaz me zë të lartë si kriminel e vrasës. Kishte bërë ç’kishte dashur dhjetëra vite me fatin e njerëzve dhe ja tani po e turpëronte në mes të dasmës një hiç, një palo ballist.

-Mba gojën kulish ballisti!- shpërtheu Balili. –Ah, kur s’të vrava atje në hetuesi! Vuri dorën në brez dhe kapi revolverin, relike nga koha e luftës.

“Fute në b… atë o Balil, e mbaje shtrënguar, se mua nuk më trembe dot dje e jo sot! Leri këto, e mos u prish dasmën njerëzve se nuk ta kanë borxh!- u përgjigj ish i dënuari politik, duke menduar se ai diskutim në dasmë duhej mbyllur. 

– Ah, nuk ma paske më frikën mua ti more tradhëtar ëë? Shkoi e vate koha ime ë? Po unë të vras tani, ja këtu mu në mes të dasmës. Për ideal të partisë! 

Fliste dhe shkumbëzonte, duke përhapur gjithandej nga protezat që i lëviznin, copa të mëdha pështyme, përzjerë me qepë e thërrime buke. E bardha e syve filloi të merrte të kuqen e gjakut, si atëherë kur jepte dënimet me vdekje, e pushkatonte me dorën e tij armiqtë e partisë. Hoqi nga rripi i mezit revolen dhe ia drejtoi. Kanani sa dëgjoi: – Të vras tani!- ngriti vetullën i habitur, por vetëm kaq. Nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Dy krisma njëra pas tjetrës ja bënë kokën copë, duke ja shpërndanë trutë gjithandej. E shpuar tej e tej nga plumbat, koka iu var mbi gjoks dhe gjithë trupi u shemb mbi tavolinë, duke stërpikur me gjak dasmorët e tmerruar. Një njollë e madhe filloi të përhapej dalëngadalë, duke skuqur mbulesën e bardhë të tavolinës. Gratë ia dhanë ulërimës. Balili dyllë i verdhë, me duart që i dridheshin, vendosi koburen në tavolinë, pa nga njerëzit, që pasi dëgjuan krismat, lanë vallen të tmerruar dhe deklaroi: S’jam fare pishman. Këtë gjë duhet ta kisha bërë kohë më parë…

                                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

Zonja me perla – Poezi nga Lulëzime Malaj

September 2, 2022 by s p

Zonja me perla

Dehje dallge – buzëqeshja e saj,

Fërfërim’ e flokëve – fushë me grurë,

Krahë që imitojnë përqafime fluture,

Që pres të kthehen e s’mbritën kurrë!

Ajo s’mbante në qafë bizhu të çmuar,

Sytë blu i kish përmbytur krejt perla!

Misteret dhe magjin e saj enigmatike,

I ngarkojn’ marinarët anijeve në skela!

Po s’di nga cila galaktikë ajo u arratis,

Ra tek unë rastësisht apo erdhi vet’?

O Zot, po pse m’dha puthje t’Nefertitit…

Dhe më detyron të rrëkëllej një det!?

Spirancë e fundosur tani heshtje saj,

Po unë si guask’ mos kam vdekur vetë?!

Mjafton të shoh një anije në horizont,

T’gjallërohem, që kjo s’është e vërtetë!

Po ti një ëndërr, rrëmbeja Luther King

E dashur, shtroje krejt urë përmbi det,

Pastaj, në djall le t’ikin vitet e vetmisë,

Dhe e gjithë bota le të ik në dreq!

S’po ngazëllehem se larg feks një vel,

Që ngjet me udhëtimin tipik surreal,

Në ritualin e përditshëm pres zonjën,

Me perla, me mjekrën time të bardh’!

****************************************************

Letër nga New York-u

Mbi rrasën e pusit pran’ shtëpisë,

ulur rri e mendoj;

për kujtimet e fëmijërisë,

që m’trokasin fort’ në portë.

Ç’rastësi!

Një mesazh në celular më befasoi,

vjen nga im kushëri,

që banon në New York!

A e mban mend motër, më thotë;

– Kur ishim fëmijë,

kur luanim me porta,

me topin tonë prej lecke?!

Sa herë ti më bëje hile

në gjuajtje penalltije,

edhe hëna mërzitej

e ndukte faqet si rrecka!

Kur gjarpëronte

makina – postë tej në xhadetë,

në barkun e saj të bardhë,

zienin; lajme, mall,

derdheshin n’ato letra;

hallet, brengat, dashuritë,

ne e ndiqnim me sy,

atje, rrëz’ një pllaje në mal!

Kur ngjiteshim,

ndër degët e manit në avlli,

me gjethe na puthte

në gushë e faqe!

A e di? Për ato perëndime

t’purpurta m’ka marr malli,

për të bukurat vashëza,

që binin erë manushaqe!

A të kujtohet motër,

kur laheshim te gjoli,

dhe një ditë mendova

t’i bija me not n’bregun tjetër?

Porse në mes të gjolit,

shkuma më doli,

ndërsa ti qeshje,

perëndimi digjte shallin e vjetër!

Këtu më zihet fryma,

nga rrëmuja molisëse…

Rrokaqiejt,

pronësojnë kaltërsirën an’ e kënd.

Për aty m’rri mendja,

nën kuben e drurëve në harlisje,

pezull si mjegull e tejdukshme,

e avullt, e ergjendtë…!

************************************************

Kam parë heshtje…

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece dhe maskuar syrin e verbër!

Heshtja ime i ngjet një melodram-e,

Nga të qeshurat, brinjët lidh me shall,

Pastaj rebelohet, i bie me grusht ajrit,

Dhe duket, sikur më çon në djall!

Ndodh, që heshtja rri tek unë mërzitur,

Lamtumirën më lë, ngritur dorën shtizë!

Por në muzg, kthehet sërish tek unë,

Ka pasaportë, po nuk ka vizë!

Ajo seç ka ca gjëra të çuditshme, etruske;

Sytë e saj të dashur me kod i deshifroj

Me të qeshurat e saj, ndërtoj mëngjeset

Dhe gjithë botën, ndërtoj!

Unë gëzohem, kur ju shoh kaq të heshtur,

Në heshtje rrin’ dhe yj’t e ndrijn’ një botë,

Kësaj bote të heshtur që lëngon në borë,

I falni dashuri dhe klimë të ngrohtë!

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece, dhe maskuar syrin e verbër!

*****************************************************

Casa di Giulietta

Mëngjesi më çoi në shtëpinë e Zhuljetës,

Muret, rëndojnë nga letrat: – Të dashuroj!..

Me to unë poeti, mund të ndërtoj mijëra libra

Dhe mijëra librari mund të ndërtoj!

Në oborr kumbonin vringëllima shpatash,

Romeo, dashurinë e marrë e kish bër’ litar,

Dhe kacavirrej në ballkon si Robinsoni,

U çmendën yjet, kush të ik më parë!

Po se po dhe hëna, krejt jeshil u fsheh,

Në një çast tragjik u mbytën serenadat,

Befas, Zhuljeta e përqafoi me ato krahë,

Të rën’ nga qielli, si prelude të kristalta!

Derën, ma hapi Zoti Uiliam Shekspir,

Natyrisht, në studio do e gjeja gjithsesi;

Tok me Hamletin dhe kafkën e të atit,

A mund të mendohet Shekspir pa tragjedi?!

Hyra në dhomën – marroke të Zhuljetës,

Atje, në fund të shtratit me harqe – gotike,

Këmish’ e natës dukej ende e ngrohtë,

Përzier me aroma lulesh ekzotike!

Ika në panik, se Shekspiri nuk të kursen,

Po sikur t’i ngjasoja me personazh të vet?!

Dhe vendoste, të më vrisnin Montague-t

A ndoshta, të fisit Capulet?!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: lulezime malaj

Qeveri e re apo  zgjedhje te parakohshme parlamentare

September 2, 2022 by s p

Nail Draga/

Pas rënies  së Qeverisë së Malit të Zi si opcion për të dalë nga kriza qeveritare është formimi i qeverisë  se re apo vazhdimi i ekzistuesës si teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, andaj iu mbetët partive politike të vendosin për të dalur sa ma parë  nga kriza qeveriare e parlamentare siç veprojnë vendet e qytetëruara

Pas 12 orëve debat me 19 gusht Qeveria e 43-të e Malit të Zi humbi votëbesimin, e paralajmëruar me herët nga 36 deputet nga shumica parlamentare (PDS,PL,SD,PSD, UDSH)  që iu janë bashkangjitur edhe deputetët  nga PB, si dhe janë mbeshtetur  edhe nga një pjesë e opozitës aktuale(Demokratët e Malit të Zi). Nga votimi dual qartë se kemi të bëjmë me shumicën e re parlamentare (Gjukanoviq-Beçiq) e cila në ditët në vijim do të dëshmohet si votim i rastit për rënien e Qeverisë, apo do të jetë një koalicion qeverisës në të ardhmën. 

Votimi i mocionit të mosbesimit do të mbesë në historinë e Malit të Zi, sepse Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviqi, është  me afat më të shkurtë prej 113 ditësh(28 prill-19 gusht)!

Nëse Qeveria e parë e dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020 ishte e ekspertëve, kjo e dyta ishte e pakicës por nuk pati jetëgjatësi edhe pse tregoi gadshmëri  e guxim për tu ballafaqur me korrupcionin e kriminalitetin si asnjë qeveri deri më tash. 

Por, në agjendën e programit qeveritar kishte edhe  çështje të cilat nuk janë zgjidhur me herët, duke mbetur pezull vite më radhë. Në këtë aspekt bën pjesë nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe(KOS), çështje e cila nuk është vetëm teologjike por edhe politike në raportët malazezo-serbe, sidomos nga viti 1918 kur Malit të Zi ia mohuan shtetësinë. 

Duke marrë parasysh se nga viti 2006, Mali i Zi ka rikthyer pavarësinë e humbur, ka qenë e udhës qe nga ajo kohë Qeveria të angazhohej  në zgjidhjen e kontekstit me KOS-in.Por, siç duket qeveritë e mëparshme kanë pasur në fokus të veprimtarisë së tyre çështje tjera më të rëndësishme duke e margjinalizuar këtë çështje e cila ka peshë të veçantë për popullsinë ortodokse kryesisht serbe në këtë mjedis. Por, në sajë të ndryshimit të pushtetit nga 30 gushti 2020 dhe ardhjës së opozitës në pushtet  kjo çështje me peshë politike ishte me përparësi në agjendën qeveritare. Por, pas formimit të Qeverisë së pakicës me  kryeministër Dritan Abazoviqin ai  nuk hezitoi por u angazhu në  realizimin  praktik te saj.

Marrëveshja me KOS-in shkak për rënie të Qeverisë

Ndonëse kryeministri Dritan Abazoviqi është paralajmëruar më herët nga partia e presidentit Millo Gjukanoviq(PDS) së nëse e nënshkruan marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe(KOS) ai do të shkarkohet përmes mocionit të votëbesimit nga Kuvendi i Malit të Zi, ai vërejtjet e tilla nuk i ka vlerësuar si reale, i bindur së nuk është duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. 

Por, pikërisht në ditën kur e nënshkroi në Podgoricë me 3 gusht 2022, marrëveshjen me patriarkun e KOS-it, mediat njoftuan se disa orë më pas PDS-i ka nënshkruar kërkesën për mocion të mosbesimit të Qeverisë dhe e kanë deponuar në sekretarinë e kuvendit. 

Duhet cekur me këtë rast si nga ana e presidentit M.Gjukanoviq por edhe nga partitë tjera parlamentare është kërkuar që teksti i marrëveshjes të përmirësohet si dhe  nënshkrimi i saj  të shtyhet për disa muaj deri në fund të vitit por çdo tentim ka qenë i kotë. Andaj, shikuar në këtë aspekt, për rënien e Qeverisë si shkas është Marrëveshja me KOS-in, edhe pse ka edhe shkaqe tjera, siç janë lufta kundër korrupcionit e kriminalitetit, burgosja e individëve në pozita shtetërore etj., të cilët kanë qenë pjesë e qeverisjës shtetërore vite më radhë.

Rezultate për 100 ditë

Por, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviqi, për këto ditë ka arritur disa suksese të cilat më herët nuk i ka arritur asnjë Qeveri me mandat të plotë. Përveç nënshkrimit të Marrëveshjës me Kishën Ortodokse Serbe, që ai e cilëson si të arritur në favor të pajtimit të popullsisë ortodokse në Mal të Zi, e arritur e veçantë është lufta kundër korrupcionit dhe krimininalitetit, që dëshmohet me burgosjën e disa individëve në piramidën e pushtetit, por edhe disa grupeve të ndryshme të narkodilereve etj.

Pasi mocioni i mosbesimit të Qeverisë është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, në kanalin parlamentar, qytetraët kanë pasur mundësi të përcjellin diskutimet e deputetëve. Pa dashur të analizoj paraqitjet e tilla që ishin me interes sidomos nga kryeministri Dritan Abazoviqi, i cili ofroj të dhëna për luftën kundër korrupcionit dhe kriminalitetit duke cekur emra të individëve tnë ë lidhur me pushtetin vite më radhë ku një numër janë në paraburgim. Edhe kundërshtarët politikë me fanatik nuk mund të mohojnë të arriturat por çështja qendron të animoziteti politik qofshin ata personale apo partiake. 

Ulqini në mes shpresës dhe zhgënjimit

Me zgjedhjen në pozitën e kryeministrit  të Qeverisë së Malit të Zi qytetarët e Ulqinit  mënjëherë vërejtjen se ka shpresë  për  investime të cilët kanë munguar viteme radhë nga ana e PDS. Ndërsa tani në vitin 2022  disa projekte  janë bërë pjesë e programit vjetor të qeverisë siç është ura mbi lumen Bunë, investime në infrastrurën rrugore, hotele, ndërsa nuk duhet harruar rikthimin e ullishtës së Valdanosit qytetarëve përkatësisht ish pronarëve në Ulqin, pastaj statusin e kryporës, projekti për çërdhen e fëmijëve në fushë  Ulqinit etj. Janë këto projekte qe janë pjesë e agjendës qeveritare, të cilat kanë munguar  në qeverisjen e PDS-it për tridhjetë vite. Andaj largimi Dritanit nga pozita e kryeministrit do të ketë efekte negative sepse do të paraqitën pengesa të ndryshme byrokratike e subjektive si më herët, sepse e kaluara ka qenë dështuese dhe jashtë interesimit të pushtetit për investime në Ulqin.

E dhëna se nga ana e PDS-it për tredhjetë vite të qeverisjës nga Ulqini nuk ka qenë i emëruar asnjë ministër shqiptarë apo në pozita të rëndësishme qeveritare dëshmon mjaft gjoja  për konsideratën e treguar ndaj shqiptarëve, ndërsa e kundërta ndodhi për kët mandat të kufizuar të kryeministrit D.Abazoviqi, i cili duke emëruar një numër të konsideruar shqiptarësh në ministri të ndryshme, ndikoi në ndryshimin e strukturës kombëtare në fushën e punësimit, që paraqet një moment që duhet të vlerësohet.

Zhbllokimi i institucionëve

Pavarësisht rrëzimit të qeverisë përbërja aktuale e parlamentit i ka të gjitha mundësitë të bëjë zhbllokimin e institucionëve të vendit përmes  shumicës së kualifikuar, sipas rekomandimeve nga Bashkimi europian. Fjala është për zhbllokimin e institucioneve të drejtësisë, në zgjedhjën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, antërarëve të Këshillit Gjyqësor, Prokurorin Suprem Shtetëror të cilat kanë mbetur pa u realizuar tash dy vite duke dëshmuar jo seriozitet në punën e partive parlamentare, që do të jenë me pasoja për qytetarët.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare si zgjidhje 

Sipas paralajmërimeve të disa partive politike del se për të dalur nga kjo krizë qeveritare ekzistojnë disa opcione, ku një nder ta është edhe formimi i qeverisë së re  nga fituesit e zgjedhjeve të 30 gushtit 2020. Kemi të bëjmë me  mundësi  logjike por duke marrë parasysh animozitetin në mes subjektëve politike(URA-Demokratët)  vështirë të realizohet. Ndërsa  nga URA kanë njoftuar se nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie te re, ndërsa ajo të formohet nga shumica e re parlamentare nga partia e M.Gjukanoviqit(PDS) dhe Beçiqit(Demokratët).

Por, nëse nuk arrihet të formohet Qeveria e re, si opcion mbet që qeveria aktuale në cilësinë e asaj teknike të vazhdojë deri në organizimin e mbajtjën e zgjedhjeve parlamentare, nëse nuk ndodhë ndonjë kombinim i pa pritur, sepse partitë parlamentare duan të fitojnë në kohë duke ruajtur pozitat e tyre. 

Në sajë të përvojës së deritashme nëse në ditët në vijim e më së largut deri me 18 shtator nuk do të arrihet deri të emri i mandatarit për formimin e Qeverisë së re, atëherë presidenti  i vendit M.Gjukanoviqi duhet të marrë vendim për shpërndarjën e Kuvendit dhe të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Një vendim i tillë do të ishte i logjikshëm, sepse pas formimit dhe dështimit të dy qeverive në afat prej dy viesh, zgjedhjet parlamentare janë zgjidhje për të dalur nga kriza qeveritare e parlamentare si kudo në vendet demokratike.

Filed Under: ESSE Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT