• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

90 vjet me pare…1 shtator 1932

September 1, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Inagurohej spitali i Tiranës, “Zogu i I”, sot “Nënë Tereza”…

Fjalen e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari.

Drejtori i pare i ketij spitali ( asokohe me 200 shtreter) ishte Dr. Osman Jonuzi.

Historia e Spitalit të Tiranës.

Pas caktimit Kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës më 1920-tën, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik.

Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase (prone e familjes Bimbashi).

Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi.

Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spital prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati.

Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku , Dr. Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqipëtare), gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si: Dr. Kristo Kristidhi (okulist), Dr. Besim Zyma (otorino-laringolog), Dr. Jorgo Jorgoni (pediatër),Dr. Vasil Laboviti (kirurg ndihmës), etj.

Duhet theksuar qe ne kete kohe, nepermjet kontributit te jashtezakonshem te Dr. Jani Bashos, u projektua spitali civil dhe ai ushtarak (Nr. 1 e 2) nga profesori i arkitekturës së Universitetit të Vjenës Köhler.

Projektet i ka sjellë në Shqipëri Dr. Jani Basho (sipas marrëveshjes së bërë në janar 1925 me Presidentin Ahmet Zogu). Pikërisht ndërtimi i spitaleve ishte kushti që ai u kthye në Tiranë e ndërtoi më pas spitalin e parë privat në Shqipëri, ku punësoi edhe një pjesë të mjekëve me te njohur qe ishin asokohe ne Shqiperi. Por per disa aresye dhe problematika te kohes ndertimi i spitalit civil nuk u realizua.

Me pas me këmbënguljen autoriteteve te nivelit lokal dhe qendror te asaj kohe, në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit Zogu 1, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës (Zogut) bëri pagesën e të gjithë pronareve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 ku fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë shqiptare.

Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavijonin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefiku-t në 1937-tën me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska.

Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano-dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr. Questler, Dr. Demner, Dr. Schlesinger, Dr. Lehman, Dr. Kalmar etj.

Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr 1, 2, 3, 4 dhe 5 të cilat vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, por të grupuara në një kampus me administrim të përgjithshëm të përbashkët.

Siç njihet dhe funksionon sot, QSUT u krijua në vitin 1993 dhe me VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”.

Filed Under: Fejton

KTHIM NË HISTORI, SI U SHPALL MBRETËRIA SHQIPËTARE DHE AHMET ZOGU U ZGJODH MBRET I SHQIPTARËVE

September 1, 2022 by s p

Shpëtim Axhami/

Nga kronika e kohës, orë pas ore e ditë pas dite, me vendime historike për një sistem legjitim mbretërorë.

Për Shqipërinë ishin kohë të trazuara dhe vendi kishte nevojë për burra shteti.

Ahmet Zogu kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe i gabimeve të rënda që bën kundërshtarët.

Po të donte ai ishte bërë mbret që në vitin 1924, madje i sigurt ishte në janarin e vitit 1925, por nuk u ngut. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm.

Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925).

Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e mbretërive.

Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit.

Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar.

Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese.

Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative.

Më 7 qershor 1928, ndryshimi i Kushtetutës (Statutit)

Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit sipas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente sipas Art.47 të Statutit.”

Më 16 qershor 1928, dekretohen zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese

Në mbështetje të nenit të mësipërm, u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.

Më 17 gusht 1928, bëhet votimi direkt.

Me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë

23 gusht 1928, festë në Durrës dhe në Tiranë ende pa u kurorëzuar

Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike.

Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte.

Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë.

Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese

Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri.

Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve (mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00, betimi i deputetëve

Mbledhja e dytë e Asamblesë Kushtetuese, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, nënkryetar; Fiqri Rusi – kujdestar; Ejëll Serreqi – sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit.

Më 29 gusht, në orën 17.00, lexohen letrat e popullit

U zhvillua mbledhja e tretë, ku u lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve.

Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm

Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim për Mbretin

U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë.

Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve.

Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Pallati Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

PSE MBRET I SHQIPTARËVE DHE JO I SHQIPËRISË…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…DHE PSE ZOGU I PARË DHE JO AHMET ZOGU

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ashtu siç del qartë!

Vendosje e kesaj forme regjimi, nuk ishte imponim, rastesi opo deshirë e dikujt, por ishte domesdoshmeri absolute e parapercaktuar që me Shpalljen e Pavaresise dhe që në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit te shtetit e kishte lozur Keshilli i Larte i Regjences.

Ne keto momente politike te trazuara, ne nje shtet te ri, ku nuk po gjendej si duhet as stabilitet i brendshem dhe as i jashtem, ishte domosdoshmëri dhe e padiskutueshme te vendosej kjo formë regjimi, si thame me siper, e parapercaktuar me pare dhe më e përshtatshmja për ne.

Fjalimi i parë i Ahmet Zogut si Mbret.

Dalshim faqebardhë para historisë

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit Shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër. Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit.

Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

Koha e lavdishme e bërjes së shtetit modern shqiptarë tashmë kishte nisur🇦🇱

1-Shtatori, Ditë Historike Kombëtare🇦🇱

Data 1 Shtator, Dita e Shpalljes Mbretërisë, duhet të përkujtohet zyrtarisht, si një ditë historike kombëtare.

Ndërkohë, ne jemi të bindur, se nuk do të jetë e largët dita që do të kemi një datë tjetêr historike, atë kur mbretëria do të rikthehet përsëri në Shqipëri.

Si sot para 94 vitesh, me 1 Shtator të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese Parlamentare e shpalli ligjërisht Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashigueshme dhe Ahmet Zogun Mbret i Shqiptarëve.

Për shumë arsye kjo është dhe mbetet një datë me vlera të larta historike kombëtare e si e tilë duhet të përkujtohet zyrtarisht.

-Kjo mbretëri vinte si një trashigimni prej kohës e nēn kurorën e Skënderbeut.

-Bënte de facto atë që de jure ishtë parapërcaktuar në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit të shtetit do e luante Këshilli i Lartë i Regjencës deri në forcimin e shtetit shqiptar dhe zgjedhjen e mbretit të ardhshem.

-Atë që perendimi dhe Fuqitë e Mëdha, pas shpalljes së pavarsisë, vendosën ta kryenin nëpërmjet Princ Vidit, tashmë shqiptarët po e realizonin vetë nëpërmjet birit të tyre, që patjetër edhe i takonte, duke u nisur nga origjina e hershme dhe çfarë përfaqësonte familjare e Tij për kombin shqiptar, ky ishte Ahmet Zogu.

Kjo ditë ka rëndësi dhe vlera të veçanta për kombin tonë gjithashtu sepse.

Nëpërmjet formës regjimt mbretëror, shpallir në këtë ditë, nën drejtimin e Mbretit Zog I, interesi kombëtar dhe bashkimi kombëtarë ishin më të sigurta se asnjëherë tjetër.

Shqipëria filloj të ndërtonte institucionet e saj demokratike moderne me standarte perendimore.

Statuti i Mbretërisë Shqiptare mbetet një vlerë e madhe, kjo jo vetëm për kohën, kujtojmë para 100 vitesh, por në shumicën e vet, zbatimi i tij edhe sot do bënte një mirëfunksionim të shtetit shqiptar, disa ligje dhe nene janë të mbartura akoma prej tij.

Reformat e gjithanshme të kryera në këtë periudhe, sollën zhvillim ekonomik, pavarsisht krizave nderkombtare të kohës, civilizim dhe integrim, rend e qetësi, drejtësi dhe barazi,

U vendosën standarte të atilla që e bënë qutetarin shqiptar, më dinjitoz, më të lirë e më krenar se kurrë ndonjëherë tjetër. dmth sollën ato standarte të cilat edhe sot po kërkohen dhe nuk po arrihen dot.

Ndryshimi i formës regjimit pas Luftës Dytë Botërore erdhi me dhunë e diktat, duke bërë të mundur instalimin e diktaturës së egër komuniste tek ne, shqiptarët vuanin diktaturën e kujtonin kohën e Mbretërisë Zogut.

Pluralizmi politik i pas ‘90 nuk erdhi ashtu siç duhet për shumë arsye, ai duhet të vinte mbi bazën e çmontimit të gjithë asaj mbi të cilën u ngrit regjimi monist komunist, duke krijuar sistem tjetër qeverisëse dhe klasë tjetër politike, klasë e cila të vërtetë ishte e prirur për të vendisur standarte tjera demokratike në Shqipëri.

Në vitin e mbrapsht 1997 u krye Referendumi i ndryshimit të formës së regjimit, shqiptarët folën qartazi PRO sistemit qeverisës mbretëror, por ata që akoma ëndërronin Kongresin e Përmetit dhe yllin e kuq, si edhe dihet, i manipuluan rezultatet.

Sot, më tepër se kurrë, duke u nisur edhe për çfarë ka ndodhur dhe rruga nēpër të cilën ka kaluar Shqipëria që prej vitit 1939 e deri sot, gjendjen aktuale ekonomike, politike e sociale ku jemi, kanë bërë që shqiptarët të kërkojnë gjithnjë e më tepër kthimin e mbretërisë në Shqipëri.

Prandaj, vetëm shkurtimisht për sa tham më dipër, është gjëja minimale e detyrim prej të gjithve, që data 1 Shtator të shpallet dhe përkujtohet si ditë historike kombëtare.

“ATDHEU MBI TË GJITHA”🇦🇱

Filed Under: Histori Tagged With: Shpetim Axhami

Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu u takua me Doktor Berishën

September 1, 2022 by s p

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA zonja Nazo Veliu e dekoruar nga Presidenti i Republikës z.Ilir Meta me Titullin e Lartë : “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm me liderin historik të demokratëve shqiptarë Prof.Dr. Sali Berisha. Në takimin e përzemërt Doktor Berisha shprehu vlerësimet e tij më të larta për zonjën Veliu si gruan e hekurt të drejtësisë shqiptare të pas viteve 90-të dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm e rolin e saj në Vatër e komunitetin shqiptar e çështjen kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Në profilin e tij Doktor Berisha shkroi: “Takim me Zj. Nazo Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Federatës Panamerikane, Vatra.

Të dashur miq, këto ditë prita në një takim të veçantë Zj. Naze Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Organizatës atdhetare shqiptaro-amerikane, Vatra.

Në këtë takim shrytëzova rastin t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë udhëheqjes së Vatrës, Zj. Veliu dhe të gjithë vatranve për mbështetjen e tyre tejet të çmuar që i kanë dhënë çëshjes shqiptare, çlirimit të Kosovës, vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj e gjerë më sot.

Në takim diskutuam mbi zhvillimet në Shqipëri dhe për bashkëpunimin e PD-së me Vatrën” shkruan në profilin e tij Dr. Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Nazo veliu

Tjetërsimi i shesheve historike në Vlorë, vepër antikombëtare

September 1, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Për Vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është adhurim hyjnor, shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim, që ndryshon rrjedhën e historisë, kur  tradhëtarët e nxjerrin Atdheun në Pazar, ose kërcënohet liria nga pushtuesi i huaj. Mbi të gjitha Vlora është Frymë guximi dhe Atdhetarizmi. 

Çvendosja, ndryshimi, zhdukja e simboleve nga vendet historike, që kanë të bëjnë me themelimin e shtetit të parë shqiptar dhe luftërat e tij heroike për liri e pavarësi nuk janë tallje, apo teka të një njeriu mendjemadh, mburravec e kokëbosh, që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët. Për Vlorën kjo do të thotë t’i zhdukësh apo tjetërsosh historinë e saj unike, traditën, trashëgiminë, frymën patriotike që vlonjati e ka të rrënjosur në gjak. Do të thotë të godasësh në zemër krenarinë kombëtare, të kthesh simbolet e themelimit të shtetit shqiptar, Sheshin e Flamurit, dhe atë të Pavarësisë në Skelë, në lodra, që çvendosen gjithandej, duke ndërtuar simbole të reja betoni pa kuptim, pa lidhje me ngjarjet, mesazhet patriotike e të kthesh flamurin kombëtar në një leckë pa vlerë. Këto veprime përbëjnë një akt të qëllimshëm antishqiptar . 

Vlorën koha e solli të jetë kryezonjë e historisë moderne me dy ngjarje që i vunë vulën shtetit të ri shqiptar dhe vazhdimësisë së tij: Shpalljen e Pavarësisë dhe Luftën e Vlorës më 1920. Sheshi i Flamurit ishte një ansambël i plotësuar me Varrin Monumental të Babait të Kombit, Ismail Qemalit, Monumentin e Ushtarit të Panjohur, Shtizën e Flamurit, Monumentin Madhështor të Pavarësisë, kompleksin e rrallë me katër sferat (topat) që përfaqësonin Shqipërinë etnike me katër vilajetet e saj dhe shatërvani që hijeshonte gjithçka rreth e qark. Gjithë hapsira nga Monumenti gjigand i Pavarësisë ishte e hapur dhe harmonizohej me kodrinën përballë, ku ndodhen Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Heroike të Vlorës më 1920 dhe atyre të Luftës së Dytë Botërore.  Po ç’bëri KM-ja ynë me rilindasit e rinjë!? Rrafshoi piedestalin e Monumentit të Pavarësisë 17 metra të lart, e vendosi mbi “rrota” si shtëpi arixhiu, aty rrotull dhe po nuk i pëlqeu të mund ta çvendosë sërish. Zhduku ansamblin e sferave, katër vilajeteve, simbol i Shqipërisë etnike, amanet i përjetshëm i rilindasve,  me një mendjelehtësi dhe urrejtje të çuditëshme. Ndërpreu lidhjen organike të Monumentit të Pavarësisë me Varrezat e Dëshmorëve, duke ndërtuar një ngrehinë me kollona betoni për stacion autobuzi. Në një intervistë, Muntaz Dhrami, i vetmi nga tre skulptorët mbetur gjallë, do të deklaronte plot trishtim: “…vetëm unë jam gjallë, por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e Monumentit të Pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosjeje, që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin. Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzovalleje …”

Ndërhyrja në sheshin “Pavarësia,” në Skelë,  paraqet një rrëmujë rrathësh betoni pa kuptim. Piramida e dheut, gropa para shtëpizës, ullinjtë e portokallet azmatike, pishat mbërthyer në hekurishte, lisharse e tubo kalamajsh, një kolonadë betoni 200 metërshe, të çojnë në një botë tjetër, që nuk kanë kurrfarë lidhje me Shtëpinë Muze, ku vendosi selinë, qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e “gjallë,” nga ajo kohë e papërsëritshme. U zhduk pa dhënë asnjë shpjegim monumenti i luftëtarit aq të dashur për vlonjatët, Isa Boletini. Ndërtimi së shpejti, duke filluar nga vija e ujit e ndërtesave shumë të larta, fshin nga pamja këtë shtëpizë dykatëshe, që do të duhet busull për ta gjetur në të ardhmen. Shtëpia Muze, zoti KM, duhet të ishte kryeqendra e Sheshit Pavarësia: gjithçka tjetër duhet të vihej në funksion të saj. Ishte rasti (Kjo do të ndodhë!!!) kur mund të ndërhyhej, duke ndërtuar një kompleks muzeal, që i mungon Vlorës e Shqipërisë, në përputhje me arkitekturën e kohës, që të pasqyronte luftën me pushkë e penë të rilindasve tanë nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë me kryengritjet dhe heronjtë e shumtë. Kjo nuk ndodhi prandaj mendoj, që shndërrimi i këtij sheshi është vepër antikombëtare. 

Sheshi tjetër i përçudnuar, është ai para Bashkisë. Para se të fillonte Lufta e Vlorës, organizatorët e kryengritjes i dërguan Ultimatum gjeneral Piaçentinit ( godina e bashkisë sot) dhe kërkuan që trupat italiane të largoheshin nga qyteti dhe rrethinat brenda 48 orësh, ndryshe do të sulmoheshin e do të hidheshin në det. Tekstin e Ultimatumit e përgatiti Avdul Kuçi, jurist, dhe deputet.  (Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi si kriminel lufte, me vdekje.) Ultimatumi iu dorëzua  italianëve nga luftëtari Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Ky gjest i rrallë trimërie e burrërie të trondit dhe sot. Shqiptari trim, që përfaqësonte një ushtri vullnetarësh prej 4.000 vetësh, i kërkon gjeneralit të ushtrisë prej 20.000 vetësh, me armët më moderne të kohës të largohej menjëherë ndryshe pushka do të vendoste drejtësinë. A nuk të mahnit ky veprimt? A nuk të bën krenar, si vlonjat, si shqiptar!? Por në atë shesh mungon simboli, mungon historia, mungon dëshmia, mungon Selim Mallkeqi, luftëtarët e Vlorës dhe mesazhi: Këtu i thonë Shqipëri, i thonë Vlorë! Japim jetën po Vlorën nuk e lëshojmë! Sa herë që njerëzit të kalojnë nga ai shesh të mos harrojnë kurrë ata trima, që mundën një perandori të kohës vetëm me vullnetin dhe dashurinë për atdheun, flamurin dhe lirinë. Doni ta mbani gjallë patriotizmin dhe historinë zoti KM? Doni të dini si luftuan vlonjatët për flamur e për atdhe? Doni që mesazhi i dashurisë për atdheun i Luftës së Vlorës të nderohet e lartësohet? Ndërtoni një monument për luftëtarin trim, Mehmet Selimi mbi kalin e tij, me fustanellë e qylaf, në sup mavzerin dhe në dorë ULTIMATUMIN, duke dhënë mesazhin e përjetshëm: Vlorën nuk e japim! Për Vlorën e derdhim gjakun lumë! Hiqi ato shkallë e pllaka betoni se edhe në Surrel nuk shkojnë e jo në Vlorë, ku çdo pëllëmbë tokë flet për trimëri e heroizëm. Ke ende kohë të korrigjosh e sjellësh në gjendjen e mëparëshme Sheshin e Flamurit e të plotësosh Sheshin e Pavarësisë në Skelë. Nëse jo, jam i sigurt, që herët ose vonë pasardhësit e vlonjatëve, që shkruan faqet heroike të historisë së Shqipërisë, do të kuptojnë se Atdheu është para partive të kuqe apo blu dhe drejtuesve të tyre sharlatanë, të korruptuar dhe delirantë. Ata do të rindërtojnë Sheshin e Flamurit siç ishte madje do ta plotësojnë me ndërtimin e sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri, do të ndërtojnë kompleksin Muzeal te sheshi Pavarësia dhe do të ngrenë monumentin e Mehmet Selimit para sheshit të Bashkisë. Kjo do të ndodhë sepse gjaku i vlonjatëve dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim.   

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja

EDISONI, FROJDI, BETHOVENI, AINSHTAJNI…

September 1, 2022 by s p

Prof.Dr. Ylli Pango

(Të Parët)

…Llampat u përmirësuan shumë pas tij. Çfarë s’u bë me to. Që nga llampa verbuese, projektorë, ekrane televizorësh…Ku s’u futën llampat. Edisoni zbuloi atë më të thjeshtën. Pas mijëra eksperimentesh…Më të thjeshtën…por të parën…

…Frojdizmi u ripa e u rinovua. U korigjua dhjetra herë pas vdekjes së Frojdit.Lulëzuan dhe neofrojdistët. ( me Frojd brenda). U revizionua e gjithë teoria.

Pati dhe që e hodhën poshtë…Po ai foli i pari.Tronditi gjykime e paragjykime. Besime e bindje. Mënyra të menduari. Moralin e Psikologjinē. E fëmijës. Të birit. Të bijës…Të mbarë familjes. Të një shoqërie të tërê…

…Muzika e Bethovenit, nuk ju dukej muzikë njerêzve tê salloneve. Parive të shoqêrise e të artit aso kohe. Ç’ishte kjo zhurmë. Ky gjëmim. Krejt ndryshe nga ajo çka njihej a quhej me “përkufizim”, muzikë…Ishte kundër çdo rregulli e kornize.

Më vonë e njohën. Kuptuan. Paskej qenë gjeni. Simfonitë e tij-pavdekësi

…Për Ainshtajnin po i kursej rradhët. Ka ende shumica që nuk e përtypin dot…

…Shumë hēngrën bukë pas tyre, prej tyre. Me përpunimin, “nënproduktet”, derivatet e veprave të tyre. Me dekada. Me shekuj…

Të tjerë, (konsumatorë), pak me vonesë, por u ndriçuan edhe ata. Panë qartë. Kuptuan. Ose së paku përfituan.

…Ama kur gjithshka para syve të verbuar, të mbuluar, ishte kaçubishte e ferra, ishin ata që e hapēn rrugën e re. E pastruan. E ndriçuan. E çanë me tru e me forcë vullneti. Me gjeninë e tyre të pamposhtur…

…Nuk duhen mohuar as të tjerē që rrahēn e rirrahēn pas tyre, udhët e hapura syresh. I bēnë bulevarde. Autostrada…

…Ama të parët ishin prapë ATA

Nuk është kollaj të jesh I Pari. Duhet me qenë i rrallë. I çmuar. Super.

Të tjerët janë pasues. Të shumtë

Prandaj mos e lëshoni ashtu kollaj si ndër ne, atë:” Ai është gjeni…”( edhe i vogël pa le)…

Shumë shumë ca njerëz, janë talente. Nuk janë aq të shpeshtë edhe talentet. Janë më të veçantë se të zakonshmit. Krijojnë a interpretojnë muzikë të bukur. Bëjnë zbulime shkencore( më të vogla). Japin ide. Përsosin teknikat…Edhe këta janë të rrallē. Por ja aq të rrallë sa gjenitë.

…Gjenitë dalin një herë në shekull.

E fusin tërë njerëzimin në rrugë të reja zhvillimi…Janë gjigandë…

Bëjnë Epokë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ylli Pango

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT