• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Ambasador Skënder Durmishi priti në takim Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”  të Suedisë

October 16, 2022 by s p

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Shkëlqesia e Tij z. Skënder Durmishi priti në një takim pune delegacionin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”  të Suedisë, në përbërje të të cilit ishin z.Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës dhe z.Viron Kona, shkrimtar dhe anëtar nderi i Shoqatës. 

Gjatë takimit u diskutuan çështje me interes të ndërsjellë mes Ambasadës së Kosovës në Shqipëri dhe Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, e cila është rezidente në Mbretërinë e Suedisë.

Kryetari i Shoqatës informoi gjerësisht z. Ambasador për veprimtaritë social-kulturore dhe letrare që zhvillon Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, siç janë probleme të ruajtjes së gjuhës shqipe, veçanërisht për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë; çështje të botimeve letrare e publicistike, të traditave dhe të trashëgimisë kulturore e popullore shqiptare; çështje të integrimit sa më të mirë të mërgimtarëve shqiptarë në Suedi; përkujtimin dhe kremtimin e ngjarjeve madhore e festive të kombit shqiptar, etj.       

Ambasadori i Republikës së Kosvës z. Skënder Durmishi shfaqi interes për veprën “Thesari Kombëtar”, e si rrjedhojë u zhvillua një bashkëbisedim interesant rreth përurimit që iu bë kësaj vepre në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më 15 korrik 2022 dhe vlerësimeve të kryesisë së Akademisë për këtë vepër me rrezatim të gjerë kulturor, letrar, gjuhësor dhe atdhetar.

Ambasadori Durmishi siguroi anëtarët e delegacionit për mbështetjen e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë nga ana e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes tyre, si dhe shprehi dëshirën për të marrë pjesë në ndonjë nga aktivitet kulturore të Shoqatës që do të organizohen në të ardhmën në Suedi.

I gjithë takimi u zhvillua në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe vëllazërore.

              Administrata e Shoqatës   

Filed Under: Emigracion

LE COURRIER EUROPÉEN (1907) / KY ËSHTË MEMORANDUMI QË SHQIPTARËT U DËRGUAN DELEGATËVE TË FUQIVE TË MËDHA NË KONFERENCËN E PAQES NË HAGË

October 16, 2022 by s p


Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë, 1907. — Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë (Salla e Konteve), 1907
Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë, 1907. — Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë (Salla e Konteve), 1907

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Tetor 2022

“Le Courrier européen” ka botuar, të premten e 9 gushtit 1907, në faqen n°12, një shkrim në lidhje me memorandumin e shqiptarëve drejtuar asokohe delegatëve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Hagë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Memorandumi shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një memorandum nga shqiptarët e tri feve u është dërguar delegatëve të Fuqive në Konferencën e Hagës. Ata formulojnë kërkesa në favor të krijimit të shkollave shqipe, të administrimit më të mirë të drejtësisë në trevat shqiptare dhe dhënies së lirive të përputhshme me progresin modern :

“Ne duam shkolla shqipe, ku fëmijët tanë të mësojnë; ne duam shkolla kombëtare, ku të mësohet gjuha jonë, e shtypur dhe e ndaluar deri tani.

Ne duam reforma të thella administrative. Të lodhur nga presioni dhe shtypja e zyrtarëve të paskrupullt dhe të papërgjegjshëm, ne kërkojmë një administratë autonome, të ndershme; një administratë e denjë për një komb të qytetëruar.

Këtu përqendrohen kërkesat tona. Prej vitesh ushtarët e uritur të Sulltanit të Kostandinopojës dhe hordhitë e vrasësve grekë kanë kryer një gjueti të tmerrshme në Shqipëri. Pa dallim race apo feje, vrasin, masakrojnë, burgosin, internojnë…

Kërkesat tona nuk janë të tepruara. Ne nuk jemi, thënë në mënyrë të qartë, revolucionarë, thjesht jemi të lodhur duke jetuar në anarki dhe na vjen turp të shohim se vendi ynë i bukur përbën një plagë dhe një të keqe të turpshme në krah të Evropës.

Ne duam që Shqipëria të jetë e shqiptarëve. Ne pretendojmë të drejtën e qytetërimit. Ne duam të çlirohemi nga barbaria; ne duam të thyejmë matricën që na rrethon, me një fjalë, duam të jetojmë.”

Filed Under: Histori

Për fëmijërinë që u zëvendësua nga plumbat, dhunimet, torturat, njerëzit pa koka, flaka e tymi

October 16, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Dafina Buçinca para lexuesve doli me librin e saj të parë autobiografik, të shkruar në formë romani, i titulluar “ Fëmijë në luftë”. Brenda librit lexuesi do të hasë në gjurmët e një historie jo fort të largët, të një historie të trisht, të tmerrshme, që ende është e gjallë me të gjitha të këqijat e saj. Nuk janë rrëfime të përseritura sikurse në veprat tjera me këtë karakter, përkundrazi  ajo na jep më shumë të dhëna për personalitetin e fëmijëve në rrugëtimin dhe përjetimin e tyre në golgotën e fashizmit serb. Me një fjalë, Dafina  hynë suksesshëm në botën dhe imagjinatën e fëmijëve. Lexuesi që në fillim e vëren se autorja nuk e kishte lehtë të shtjellon këtë temë, ngaqë duke përjetuar vetë luftën, ajo bëhet personazhi kryesor i librit me rrëfimet e saj tronditëse. E lindur gjatë proceseve më delikate dhe rrezikimit të ekzistencës të popullit shqiptar të Kosovës, Dafina sikur ka mbajtur mend në imtësira çdo gjë që ia vlen të shkruash  dhe që, pa dyshim, se zgjon interesim edhe tek lexuesi.

Autorja në fillim të librit përshkruan rritën e saj në familjen Buçinca nga fshati Zabel i Poshtëm i Drenasit, babai i së cilës ishte një veprimtar i madh i çështjes kombëtare dhe duke qenë i tillë kujdesi për t’u marrë edhe me fëmijët sikur ishte lënë anash, sepse ishte kohë kur ndërgjegja kombëtare thërriste të gjithë patriotet e popullin mbarë për t’iu bashkuar kauzës për çlirim nga okupatori serb. Një trohë hapësirë në këtë libër zë edhe braktisja e atdheut nga mijëra shqiptar etnik të Kosovës, që ishte bërë brengë e preokuptim i të gjithëve, por edhe i kësaj familjeje kur fëmiu i parë kishte vendosur të marrë rrugën e kurbetit. Babai këtë hap të të birit e kishte kundërshtuar me tërë forcën, bile e kishte quajtur edhe “ tradhëtar” të përpjekjeve të tij gjithandej për të ndalur këtë fenomen të rrezikshëm pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira ekonomike, shkaku i të cilave as Beli, vellau i Dafinës, nuk mund t’i vazhdonte studimet. Megjithatë, Beli edhe pse kishte qendruar disa muaj në Shqipëri, nuk kishte arritur të mërgonte dhe ishte kthyer sërish në shtëpi, duke shuar edhe dëshirën e Dafinës që pas një kohe edhe ajo do të mund të shijoj një jetë më të mirë në botën e premtuar perendimore.

Duke shfletuar e lexuar me kujdes këtë libër, lexuesi mëson shumë nga shembulli i familjes Buçinca se sa e vështirë ishte jeta në Kosovë sidomos në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kur regjimi fashist serb kishte shkatërruar në themel ekonominë e vendit dhe ekzistencën shqiptare në truallin shekullor e kishte vënë në pikëpyetje.

Vaji i qyqës kompozim i momentit që ndanë njeriun nga kjo botë

Në pjesën e dytë të librit Dafina Buçinca shpalos me kujdes e aq bukur përjetimet e tmershme gjatë vitit 1998, atë vit kur nisi lufta e përgjakshme në Kosovë e provokuar nga barbaria serbe. Frika ishte bërë pjesë e pandashme e Dafinës dhe anëtarëve tjerë të familjes. Sa herë që dëgjonte granatimet, mendonte për vdekjen. Bile edhe kur për çdo natë  këndonte qyqja në shtëpinë e braktisur të lagjës, vajtimi aq i zymtë i saj, Dafinës i ngjante sikur ishte kompzuar enkas për momentin që ndan njeriun nga kjo botë. Me një fjalë, ajo këngë e qyqës e trishtonte shumë, ndërkaq terri i ngjante në vdekjen. I dukej sikur ajri po i hargjohej, djersitej dhe sikur fryma i ndahej. Ajo në vazhdimësi shikonte motrën Abetaren se si flinte e qetë. E thërriste që ta shoqëronte zgjuar, ndërkaq ajo e përgjumur ia kthente: “ Flej se baba asht jashtë e na run”, Sorollatej nën jorgan, por prapë gjumi nuk i vinte.

Rrëfimi i mëtëjmë i Dafinës është shumë prekës, i dhimbshëm, tmerrues. A ka më vështirë për një fëmijë kur për shkak të gjumit të pakët e kequshqyerjes humb shumë në peshë, kur sytë dukën më të mëdhenjë, faqet tkurrën, buzët rrinë të thata, që marrin ngjyrën e bardhë, kurse qafa zgjatët. Ajo vazhdon tregimin e takimit të saj të parë me tankët e soldateskës vrastare serbe. Kur kolona e madhe e tankeve ishte ndalur në fshatin e saj Zabel të Drenasit, ajo ishte shastisur, shtangur, mpirë. Ndërkaq, ndjenjat e ushtarëve barbar serbë ishin kthyer në zbavitje, në kënaqësi dhe lojë dreqërish me fëmijët. Këta të pashpirt sikur krenoheshin që tankun e kishin drejtuar kah Dafina, ndërsa tyta e gjatë e tij iu kishte afrua gojës së saj.Dafina përjetoj çaste të rënda në atë rast. Dridhjet e saj ishin të pandalshme, ndërsa një perde e errësuar i kishte ra para syve. Prisre që barbari ta ndrydhte sustën dhe trupi i saj të hidhet në ajër dhe copat e trupit të fluturonin në qiellin e hapët të asaj dite të ngrohtë prilli. Kjo nuk ndodhi, por fashistët fillojnë të tregojnë barbarinë dhe paedukatën e tyre  me sharje të nënës shqiptare. Tmerri ende mbretëronte në trupin e këtij fëmiu dhjetë vjeçar, që i lutej shumë Zotit  që të shpetoj nga kthetrat vrastare të kriminelve serbë.Gjithë kjo situatë frikësuese kishte ndodhur para shitorës së fshatit, në të cilën kishte ardhur Dafina me motrën e saj, që gjendej brenda gjatë asaj skene trishtuese, për të blerë ca artikuj ushqimor. 

Oshtima e tankeve dhe rafalet e mitrolozëve serbë ishin të vetmet tingëllima të pranverës

Në prill të vitit 1998 Drenica ishte rrethuar nga të gjitha anët. Luftimet ishin të përditëshme dhe kësisoj oshtima e tankeve dhe rafalet e mitrolozëve serbë ishin të vetmet tingëllima të pranverës së atij viti. Kur krismat e pandërprera të armve të ndryshme i dëgjonin frikësoheshin shumë, sidomos, fëmijët, por kur mbretëronte qetësi atëherë frika shtohej më shumë sepse prisnin kur porta e oborrit do të shkelmohej e hapej nga gjakëpirësit serbë, që më pastaj pa mëshirë do t’i vrisnin të gjithë. Lufta ishte kryefjala e çdo bisede, bile edhe para syve të fëmijëve, duke lënë gjurmë të hidhura shpirtërore.

Në këtë vorbull të një ankthi të përgjithshëm që ishte i pranishëm në çdo shtëpi të Kosovës, edhe në familjen Buçinca kjo luftë kishte lënë gjurmë të thella shpirtërore e  e besa edhe shëndetësore. Si shembull, autorja e këtij libri, që është edhe personazhi kryesor i tij, e merr babain e saj, i cili kishte rënë në peshë, mjekrra iu kishte thinjur më shumë dhe ashtu i dëshpruar e i pikëlluar kishte kohë që nuk i kishte prerë flokët. Ndërkaq, vëllau Elmiu, kishte humbur nga vetja dhe Dafina koshte harruar kur e kishte parë duke qeshur. Thënë konkretisht. Të gjithë ishin të pikëlluar dhe tepër të lodhur nga pritja që nuk kishte të sosur. Asnjëri nuk ishte i sigurt për jetën. Nëse sot ishin të gjallë e nesërmja për ta ishte e errët.

Shpresa se do të mbijetojnë sikur u shua me tetë prill të vitit 1998 kur granatimet e fuqishme filluan në Drenicë nga ushtria barbare serbe, nga të cilat toka dridhej aq shumë sa që fitohej bindja se ajo po çahej. Frika iu kishte hyrë në palcë. Ishin ulur afër njëri- tjetrit në qoshe të dhomës të frikësuar e të trembur tej mase. Dridheshin e qanin, ndërsa nëna herë qante e herë lutej. Nga dridhjet e fuqishme të tokës luanin nga vendi dyert e dritarët e shtëpisë, ndërsa disa xhama të dhomave ishin thyer sikur të kishte rënë termeti. Dafina kishte mbyll sytë dhe me dy duartë mbante veshët, i ndrydhte fort që të mos i dëgjonte krismat. Ishin të sigurt se atë ditë të gjithë do t’i vrisnin. Pavarësisht se Dafina dhe anëtarët tjerë të familjes ishin mjaft të uritur, frika që përjetuan gjatë gjithë ditës kishte ndikuar që atë natë të mos ngrëjnë , por as të mos pijnë e fjetur tërë natën.

Të nesërmen duhej ta braktisnin shtëpinë. Qanin e rënkonin Pyesnin se ku po shkojnë e kur do të kthehen sërish në shtëpi. Dafina ndalon në qoshe të oborrit për t’ia hedh sytë edhe njëherë shtëpisë, ku ishte lind e rritë, duke i thënë lamtumirë në heshtje fëmijërisë së saj. Largohej nga ai truall pa e patur më të voglën shpresë se do të kthehej edhe njëherë aty. Ishin tubuar fshatar të moshave të ndryshme, të gjithë qanin me zë, por burrave që ecnin në heshtje iu kishte rënë një hije nuri, mërzi e madhe e pasiguri jo vetëm për familjet e tyre, por për tërë popullin shqiptar të Kosovës. Babai i Dafinës nuk iu bashkua familjes, edhe pse anëtarët e saj e lutën aq shumë që ai të shkonte së bashku me ta. Traktori u vu në lëvizje, ndërsa sytë e Dafinës ishin ngulitur në drejtim të Babait. Secili rrotullim i rrotave të traktorit atë e largnte edhe më shumë nga prindi. Qante fort dhe mes lotëve e përshëndeti me dorë. Ai mbeti i ngrirë dhe figura e tij humbi pas rrugës dredharake të lagjës. Pas disa orësh udhëtim, Dafina me familje arritën në lagjën Kolovicë të Prishtinës. Atje qendruan 4- 5 muaj dhe pas arritjes së një armëpushimi u kthyen me gëzim të madh në shtëpinë e tyre. Mirëpo, ai gëzim përmenjëherë u kthye në mërzi, në pikëllim, në dhimbje të madhe. Aty i gjetën rrobat e kryefamiljarit që dikush i kishte kthyer pas varrimit të tij. Kriminelet serb e kishin vrarë babain e Dafinës sikurse edhe shumë dreniarë të tjerë. Kësaj vajze eshe sa ishte në Prishtinë babai i kishte munguar shumë, ndërsa me vrasjen e tij ajo prindin e kishte humbur përgjithmon dhe do t’i mbetët pikë e zezë në shpirtin e saj për jetë e mot. 

Ëndrra se si dukët jeta pa bomba, pa granatime të njëpasnjëshme, pa gjuajtje me armë!

Në pjesën e tretë të këtij libri autobiografik autorja Dafina Buçinca përfshin periudhën e vitit 1999, fillimi i së cilës e gjeti me frikën dhe ankthin e vjetër. Në të vërtetë, sa do që vinin informacione se luftës po i vinte fundi, kjo nuk përkonte me të vërtetën e zhvillimit të ngjarjeve në terren, sepse luftimet vazhdonin me tërë ashpërsinë, fshatrat granatoheshin, vriteshin njerëz të pafajshëm. Bile edhe në male vriteshin  shumë të strehuar, që ishin të pafajshëm. Çdo ditë e re konsiderohej si fitore për shkak se ende ishin të gjallë, ndërsa frika e ankthi ishin gjithnjë të pranishëm, sepse nuk e dinin se çfarë i pret në të ardhmen e afërt.

Bora që kishte rënë në janar të atij viti  nuk ishte më gëzimi i madh për fëmijët siç ishte më parë. Asnjëri syrësh nuk kishte guxim të dilte as në oborr nga frika se ndonjë plumb mund ta godiste në trupin e tyre të njom. Jeta ishte bërë e pakuptimtë, e padurueshme. Me 17 janar ndodhi masakra e Reçakut. Këtë lajm të hidhur Dafina e lexoi në gazetën “ Koha ditore”, të cilën e kishte sjellur vëllau i saj Beli.Pamjet në faqet e kësaj gazete ishin trishtuese. Shiheshin  kufoma me koka të prera, pa këmbë e pa duar, krime këto të rënda që i kishte kryer makineria fashiste serbe. Pikëllimi ishte i madh në gjithë Kosovën, ndërsa këto pamje e rrëqethen, e tmerruan, e shtangën edhe Dafinën. Ishte hera e parë që kishte parë një masakër, njerëz të prerë në fytë, pa gjymtyrë, pa koka. Dafna kishte fituar bindjen se policët, ushtarët dhe paramilitarët serb do t’i vrisnin, mirëpo në këtë form makabër as që e kishte imagjinuar. Ato pamje trishtuese sikur ia nxorën zemrën nga vendi. Kjo masakër ishte shkaku kryesor që avionët e NATO-s me 24 mars të fillonin bombardimet e caqeve serbe. U bombardua edhe Goleshi që ishte vetëm shtatë kilometra larg fshatit Zabël i Ulët. Popullata shqiptare këtë sulm të NATO-s e kishte pritur me gëzim të papërshkruar. Këtë ndjenjë e kishte edhe Dafina,pr edhe pse e re në moshë, ajo kishte disa rezerva. Megjithatë Dafina nisi të ëndrrojë se si mund të dukët jeta pa bomba, granatime të njëpasnjëshme, pa gjuajtje me armë/ Këto ëndrra i fashiti përmenjëherë një kundërofenzivë e forcave ushtarake serbe në disa qytete e fshatra të Kosovës, ku pati të vrarë e të plagosur.  

Me 27 prill 1999 shkijet kishin hyrë në fshatin e Dafinës dhe po kallnin shtepitë . Koha ishte e ftohtë, por shtëpinë duhet braktisur shumë shpejt para se të arrijnë kriminelet serb. Vraponin arave të gjithë banorët për të shpetuarnga kthetrat e gjakatarëve barbar. Të frikësuar tej mase kthenin kokën pas mos po i shihnin ushtarët serb të ishin drejtuar kah tura e njerëzve që tashmë ishin fshehur pas lisave e shkurrave. Nëna e Dafinës qante. Të njëjtën gjë e bënin ede gratë tjera. Të gjithë sytë i kishin drejtuar kah fshati dhe shikonin me dhimbje se si shtëpitë digjeshin nga zjarri që iu kishin vënë bishat e ardhura nga Karpatet. Flaka e tymi shkonin drejt qiellit duke krijuar re të mëdha e të zeza.

Qendruan aty derisa errësira ra në horizont, pastaj të lodhur e të mbushur frymë, mes baltës, urisë e frikës sërish u kthyen në shtepitë e tyre. Shtëpia e familjes së Dafinës nuk ishte djegur, por aty gjetën xhama të thyer e gjurmë gjaku, që bënte të kuptohet se ndonjë qytetar i pafajshëm është rrahur rëndë. Të nesërmen  dëgjonin vetëmlajme të këqija. Granatime në shumë pjesë të Kosovës, vrasje dëbime masive të familjeve nga shtëpitë e tyre. Duke parë se situata po përkeqësohet udhëheqja ushtarake e NATO-s ishte e vendosur që të vazhdojnë sulmet mbi caqet serbe.

Mëngjezi i vranët e pa jetë

Dafina Buçinca në rrëfimet e saj të mëtejme shpërfaq talentin e saj letrar e artistik, qoftë në shtjellimin pörmbajtësor të ngjarjeve, apo thënë më mirë, joshjes se lexuesve për të mësuar në çdo rrjeshtë përjetimin dramatik të luftës së fundit në Kosovë, duke shkruar:

“ Mëngjezi i një prillit 1999 ishte një nga mëgjezet e vranta. Ishte një atmosferë që nuk i ngjante jetës. Nuk vërehej asnjë shenjë se pranvera kishte ardhur. Këtë atmosferë e vërtetonte edhe mosardhja e zogjëve shtegtar. Të vetmet qenie të gjalla ishim ne që kishi mbetur në fshat pasi nuk kishim kah t’ia mbanim, sepse ishim të rrethuar nga të gjitha anët/ Ushtarët serb sërish kishin hyrë në fshat dhe unë shpejt mbatha këpucët, zgjova mptrën Abetarën që ishte afër meje. Mora torbën me ushqim, që ma kishte lënë nëna në përgjegjësi. Beli mori ëllaun e vogël, Rexhepin, në krahror, që po flinte dhe nuk vërente se çka po ndodh. Nëna e motrat nuk morën asgjë sepse Beli urdhëroi, duke thënë se nuk ka kohë.”

Kjo familje dhe shumë të tjera u takuan në sokak që shpiente në arat dhe fushat e fshatit. Disa ishin të zbathur, disa me pizhame e me flokë të shprishura, ashtu siç kishin fjetur natën, disa qanin, disa ishin të hutuar. Vraponin pa e ditur cakun, të trembur e me plot frikë. Flora kishte lënë nënën të palëvizshme në shtëpi. Ajo vetë iu kishte thënë “ ikni se nashta pshtoni, Nuk i dihet e keni jetën përpara”. Pas pak kjo turmë njerëzish u përballen me pritën që ua kishin bërë ushtarët serb. Me këtë rast u bashkuan ulurima e tankeve dhe e këtyre njerëzve të frikësuar. Edhe pse ishin të rrethuar secili syresh bënte përpjekjet e fundit për të shpetuar nga vdekja. Dafina, e frikësuar deri në palcë, kishte mbyll sytë me duartë e saj, duke mos dashur që të shihte njerëzit që do të përplaseshin për tokë kur të goditën nga rafalët e soldateskës vrastare serbe. Një grua e kishte ngrehur krahrori këtë vajzë të përhumbur dhe e kishte rrëzuar përdhe, pastaj e kishte tërhequr pranë vetes.Pas pak erdhi tanku tjetër me zhurmën lemritëse. Gjithë kjo skenë e llahtarshme, Dafinës i dukej si në ëndërr. Ushtarët serb vetëm shumoheshin para syve të saj, të cilët jepnin urdhëra kërcenues për t’u kthyer mbrapshtë. Askush nuk i dëgjonte thirrjet për ndihmë të këtyre njer[zve me halle të mëdha. Ishin të harruar nga të gjithë. Aty ishin vetëm këta njerëz, ushtarët serbë dhe vdekja mes tyre. Ata filluan t’i binden urdhërave për kthim, ndërkaq ushtarët shanin dhe i godisnin ata që i kishin afër. Nga goditja e fuqishme Alberti ishte rrëzuar përtokë, tjetrit i rridhte gjak nga hundët e kështu me radh.. Në atë skenë të paparë Dafina iu bashkua familjes. Ia kapi dorën nënës dhe i tha, se nëse i vrajnë dëshiron me qenë me të, se kur është afër saj nuk po frikohet. që mos t’ia lëshonte dorën kurrë më, se dëshironte që nëse i vrajnë me qenë bashkë. Kur arritën tek fshati, ushtarët serb i urdhëruan që të ndalen. Më pas i ndanë meshkujt nga gratë fëmijët dhe pleqtë. I urdhëruan në tokë përkundër faktit se ishte e lagur, ndërkaq burrat, kishte edhe fëmijë 12- 13 vjeç, i kishin renditur të gatshëm për t’i pushkatuar. Dafinën kjo skenë e kishte goditur thellë në zemër aq më shumë kur në mesin e atyre burrave ishte edhe vëllau i saj Beli. Situata bëhej gjithnjë e më e tensionuar. Një ushtar serb hyri në mesin e grave për t’i plaçkitur, për tua grabitur arin. Një grua nuk mund ta heqte unazën nga gishti, ndërsa ushtari nxori thikën për t’ia prerë gishtin. Në momentin e fundit ajo nxori unazën dhe e shpetoj edhe gishtin. Unazën e mori plaçkitësi serb, i cili me thikë në dorë kontrollonte edhe gratë tjera për t’ua marrë arin. Një gruaje ia shqeu veshin për t’ia marrë vathin, e cila lëshoi një britmë plot dhimbje dhe të gjithë kthyen kokën nga ajo. Gjaku i rridhte duarëve, me të cilat mbante veshin e shqyer. Qante e uluritej nga dhimbja e madhe që përjetonte. Edhe ushtarët tjerë plaçkitnin gratë e vajzat. Gratë që nuk kishin gjëra të vlefshme hanin shpulla e dajak. Shumë prej tyre ishin gjakosure alivanosur. Kjo dhunë ndaj gjinisë femërore ishte shkas që për një moment të harroheshin burrat që ndodheshin para syve të grave që nga çasti në çast mund të pushkatoheshin. Ushtarët që me automatik qendronin para tyre, shanin vazhdimisht këta burra duarthatë e të pafajshëm. Jetën këtyre njerëzve, që rrinin para tytave të automatikëve ua shpëtoi një i ri shqiptar, i cili iia dha një shumë të madhe parash komandantit.

Epshet shtazarake serbe që donin t’i shrynin me fëmijë

Pasi i morën parat e majme ushtarët serbë i liruan burrat dhe ata së bashku me gratë, vajzat e pleqt ia mësynë shtëpive të fshatit. Nuk ishin kjo turmë e madhe njerëzish banorë të Zabelit të Ulët. Kishjte aty edhe shumë të tjerë nga fshatrat perreth. Të nesërmen Dafinja përjetoi një frikë të tmerrshme, një përjetim që nuk do ta harroj tërë jetën, Kishte dalë në oborr që me një kovë të nxirrte ujë nga bunari.  Duke tërhequr kovën e mbushur plot me ujë, papritmas kishte hetuar se dikush po i qendron pas shpine. E trembur kishte kthyer kokën dhe para saj u dukë një njeri me sy të skuqur, sikur nuk kishte fjetur me ditë të tëra, flokët e thinjura i kishte hedhur në një anë, një trup mesatar e bark paksa të lëshuar, i cili iu drejtua Dafinës me këto fjalë në gjuhën serbe: Je aq e vogël sa nuk mund ta bësh këtë punë! Ajo nga frika u step. Kur e pa që po dridhej e tëra ai i foli shqip: “ Mos ki frikë, nuk të lëndoj”. Ia kapi litarin dhe e nxori kovën. E trullosur nga frika një copë herë nuk arriti të bëj asnjë veprim. Kur e kuptoi se Dafina nuk po mund të lëvizte, ai buzëqeshi dhe lëshoi kovën në rrethin e bunarit dhe i tha : “Me dukësh si vajza ime”! Kësaj vajze të trembur tej mase nuk mund të gjykonte se mos vallë ky njeri është shqiptar, ngaqë flet rrjedhshëm shqip. Por, thoshte vetmevete, jo nuk mund të jetë shqiptar sepse i ka veshur teshat e shkijëve.  Pas pak erdhën dy ushtarë, që dilnin nga shtëpia e familjes Buçinca. Ata u afruan dhe njëri që ishte një trashaman ishte shumë i vrazhdë dhe shante vazhdimisht nënën shqiptare, ndërkaq ai që ishte më i ri iu drejtua ushtarakut tjetër që bisedonte me mua me fjalët: Çfarë po bënë me këtë fëmijë, edhe fëmijët shqiptar kë filli t’i …”, duke iu afruar Dafinës dhe duke i thënë se “ është e mirë kuçka”. Me një zë të nervozuar  ia largoi flokët nga fytyra, kurse me dorën tjetër ia ledhatoi faqën, duke e ndalur në gushë dhe duke e tërhequr nga vetja. “ Eëëëë kukçkë e vogël, apo të pëqen kjo…”, i tha vajzës 11 vjeçare. Këtij njeriu shtazarak i vinte era raki e duhan që t’i shponte hundët. Dafina e largoi fytzrën e tmerruar. Ai vazhdoi të fliste, por ushtari që iu kishte dukur Dafina si vajza e tij, e ndaloi. E shtyu, duke i thnënë” ikë tash”. Ushtari i ri e kundërshtoi duke ia kthyer të shtyrat, duke tentuar që prapë ta prekte këtë vajzë. Nërhyri edhe trashamani dhe në mes të të sharave ndërmjet veti u larguan, ndërsa i riu kzheu kokën duke i dërguar puthje me dorë. Dafina e humbur, e hallakatur nga ky tentim dhunimi, u fut brenda në shtëpi. Askush nga familjarët nuk e kishte parë këtë skenë. 

Gjatë tërë asaj dite vinin lajme se ushtria e policia serbe p dhunonin gratë e vajzat shqiptare dhe shi për këtë kjo gjë i shkaktonte goditje të rëndë shpirtërore kësaj vajze të re, sepse frikësohej se edhe ajo mund të jetë njëra ndër. Sa mëshumë që thellohej rreth mundësisë se mund të jetë e dhunuar nga ndytësirat barbare, aq më shumë ajo ishte e vendosur se do të bënte vetëvrasje e n uk do të pranonte të jetë viktimë e dhunës seksuale. Po të ndodhë kjo, thoshte me vete ajo: “ krejt kanë me kesh me të, askujt nuk do mund t’i del përpara, më mirë e vdekur se më me fëlliq shkau në nderin tim”. Kjo gjë këtë vogëlushe e dërgonte në çmenduri. Megjithatë ajo për një moment filloi të meditoj se se ata nuk mund të dhunojnë një fëmijë 11 vjeç. Por, frika i kishte hyrë në palcë se e mund të shpetojnë mortat, që ishin më të mëdha, nëna.

Në këtë gjendje tensionuese shpirtërore erdhi nata dhe anëtarët e kësaj familjeje ranë për të fjetur, kuptohet, me rroba veshur. Ishte terr, qetësi, të gjithë ishin në gjumë. Papritmas dera kryesore e shtëpisë u përplas me sa fuqi që kishte. Të gjithë u zgjuan, përveç Rexhepit të vogël. Nëna përpiqej të gjente baterinë e vogël që e kishte gjithnjë afër. Nga frika Dafinës iu dukë se zemra o i delë nga krahrori. Ndiente në shpirt se ishte ai ushtari që kishte ardhur për ta dhunuar. Nga frika ajo futet nën krevat. Nga aty shihte dritën e zbehur që ndriqonte tavanin. Nëna e shkretë iu kishte urdhëruar që ta fusin kryet nën jorgan. Ende pa e përfunduar fjalën, dera e dhomës fluturoi nga vendi me një goditje këmbe. Dafina në atë dritë të zbehtë dallonte nga qizmet se ishin dy ushtarë që u futën në dhomë, duke menduar se athua janë ata të njëjtit. “ Ku i ki çikat?” e pyeti nënën njeri nga ta, gjuhë këtë që ajo nuk e kuptoi, por qëllimin e tyre gjithësesi. “ Dilni prej k’tuh, m’i tranut fminë bre Zoti pa ju vra mos e lashtë!” i mallkonte kjo gruashumë e frikësuar për fatin e fëmijëve të saj. Njëri prej këtyre ushtarve e godit këtë gruas, duke sharë Kosovën e NATO-n. Ai vazhdonte të pyeste se ku janë çikat, ndërsa njëri ia hoqi jorganin njerës motër të Dafinës. U dëgjua një britmë rrëqethëse e përcjellë me të qara. Beli e Abazi nuk u dëgjuan fare. Sepse kishin ikur nga dritarja. Ushtari vazhdonte t’i hiqte jorganët, sikur kërkonte dikë që ishte fshehur nën ta. Bërtitje, flakaresha, lutje në shqip, ishin krejt çka mund të dëgjonte Dafina e fshehur nën krevat, që dridhej nga frika dhe që priste momentin kur do ta gjenin edhe atë. Me pas edhe disa këmbë ushtarësh u futën në dhomë dhe shpresat për jetë për Dafinën u shuan, e cila mallkoi veten pse ishte fshehur që në atë situatë të shihte anëtarët e familjes të dhunoheshin e të vriteshin. Atë çast kur shpresa e saj po shuhej, një zë burri iu dukë i njohur, i cili thirri me të madhe: “ Ndalu i poshtër, i droguar, se të vrava!”. Filloi një përleshje me fjalë, të shtyra e grushte. Situata filloi të dilte jashtë kontrollit dhe disa plumba që u shkrepen rikthyen qetësinë në dhomë. Ky moment Dafinës iu dukë sikur krevati i ra mbi kokë. “ I vranë”, tha ajo me vete. “ O zot ma varanë familjen, o Zot ma vranë nanën, o Zot ma vranë Rexhën e vogël, thoshte e trembur ky fëmijë që nuk mund të ngopej me frymë, që kishte mbyll sytë dhe priste plumbin e radhës.

“ Hajde ikni, ti nuk duhej të lish ardhur ktu…” Ky zë i dikej i njohur Dafinës së vogël! “Po, është ai shkau i mirë, thoshte me vete ajo!” “ Hajde, ikni!” Pas ajo pa çizmet e zeza të largoheshin, ndërsa motra Abetarja kishte futur kokën nën krevat dhe e ftoi Dafinën të dilte. Kryefamiljarja dhe vajzat e saj iishin përqafuar dhe nuk nxirrnin zë. 

Zullumi ndaj kësaj familjeje dhe banorëve të Zabelit të Ulët sa vinte e bëhej më brutale. Nata e 30 prillit 1999 ishte më e rënda, ngjarje kjo që do të mbahet mend gjatë tërë jetës. Në shtepinë e Dafinës kishin ardhur edhe familje tjera dhe gjithsej ishin bërë 18 veta. Në mbrëmje ishi ulur rreth sofrës për të ngrënë bukë kur pa u bërë pesë minuta të plot dersa e jashtme u përplas nga një goditje këmbe ushtari. Shumë shpejt dy ushtarë serb u futën në kuthinë ku ishin duke darkuar. Njeri që kishte të lidhur kokën me një shami nuk ia ndante duke sharë dhe duke i mallkuar këta njerëz të frikësuar. “ Ne NATO po na vret e ju po hani bukë, hë nënën shqiptare…”, bertisteky njeri i hallakatur nga bombardimet e kësaj force ushtarake. Me pas e futi këmbën nën sofër dhe e rrotulloi. Sofra e goditi motrën e Dafinës, Buqën, nga dora e së cilës rridhte gjak. Ky ushtar iu afrua nanës së shtepisë dhe tytën e automatikut ia mbështeti për kurrizi. Djalin e vogël Rexhën e kishte në dorë dhe lute këtë barbar që mos ta prekte se ishte fëmi që nuk i kishte mbushur ende katër vjet, ndaj edhe do të duhej të kishin “rahmet”. Gjakatari serb qeshte me përpjekjet dhe lutjet e kësaj nëne. Për t’u argëtuar më shumë, ky ushtar e kapi për xhemperi Rexhën e vogël, i cili qante e bërtiste, duke u përpjekur të kapte dorën e nëns, nga të cilat u shkëput dhunshëm. Nëna me sy të lemeritur, u ngrit në këmbë, tentonte ta kapte djalin që po çmendej nga frika. Të gjithë qanin e bërtisnin më të madhe. Kjo e frikësoi edhe më shumë këtë vogëlush. Përpjekja e nënës u pengua shpejt pasi ajo u godit me automatik në dorë. Ushtari qeshi ndërsa ajo u rrëxua për tokë. Nga fytyra e saj e zverdhur lehtë mund të kuptoje se sa dhimbje të madhe kishte  në dorë. Më në fund Rexhepi u shkëput nga duartë e ndyra të këtij shkau gjakëpirës. Vrapoi dhe iu hodh nënës përmbi duke ulëritë me sa zë që kishte. Dafina nuk u durua, u ngritë dhe vrapoi drejtë nënës për ta ndihmuar, mirëpo këtë gjë nuk arriti sepse i njëjti ushtar e kapi për flokësh dhe më nuk mund të luante nga vendi. Këmbët e holla nga frika i dridheshin dhe filloi të qante. Ushtari vazhdon me vrazhdësin e tij, duke ia vënë automatikun në gushë

Filed Under: LETERSI

VATRA PRITI SHKRIMTARIN VISAR ZHITI

October 16, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 15 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA priti në një takim të përzemërt e vëllazëror shkrimtarin e shquar Visar Zhiti. Një bashkëbisedim i ngrohtë, i sinqertë e i paqtë si shqiptarë e si vatranë për shqetësimet tona të përbashkëta, idetë dhe vizionet për të ardhmen tonë. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës duke i uruar mirëseardhjen, falënderuar për kontributin dhe shërbimin që Visar Zhiti i ka dhënë kulturës e kombit tonë. Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Vatra është tempulli i shqiptarisë, nder i veçantë të vizitosh Vatrën. Gazeta Dielli është pasuri që duhet mbajtur, aty është fjala shqipe, shpirti shqiptar, pasuri e veçantë, trashëgimi e shkëlqyer. Mbajeni, mbështeteni e forcojeni Diellin. Kur u thashë poetëve ndërkombëtarë se ka shkruar Dielli për ne, të huajt u entuziazmuan shumë, imagjinoni unë si shqiptar çfarë emocioni ndiej për Diellin.Vatra është fat i madh, kështu duhet ta shohim. Vatra duke qënë sa më miqësore me veten, do jetë po aq miqësore edhe me të tjerët. Vatra është nderi ynë, historia jonë, identiteti ynë” tha ndër të tjera Visar Zhiti. Në bashkëbisedimin vëllazëror në Vatër, Visar Zhiti kujtoi mesazhin e paqes nga Papa Françeku për vëllazëri fetare në Shqipëri, detaje nga Festivali i Poezisë Ndërkombëtare në New York më 13 tetor dhe shpjegoi se para Festivalit të Poezisë ai kishte folur për Migjenin, Dritëroin dhe Pano Taçin, jeta në burg dhe disidenca e poetit kundërshtar të regjimit dhe përkujdesja e veçantë e Lasgush Poradecit për të. Shkrimtari Zhiti u ndal te Noli e Konica si figura të shquara të kulturës e historisë sonë kombëtare dhe leximi i librit “Fije Bari” i Uitman i cili ndalohej në komunizëm dhe leximet në burg me Hasan Bajon e të dënuar të tjerë. Në fjalën e tij Visar Zhiti përmendi kujtimin e Dalip Grecës dhe Zef Balës. Zhiti tha gjithashtu se Shqipëria nuk dënoi as diktaturën as diktatorin. U duk sikur nuk pati fitimtar, dhe shpjegoi për të pranishmit peripecitë sesi bashkëvuajtësit e tij ruanin poezitë e tij në burg. Ai e përmbylli takimin me historinë e poetit Lasgush Pogradecin me sekretarin e partisë: “Sekretarët vejnë e vijnë, poetët bëjnë Shqipërinë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu falenderoi dhe kërkoi që të mblidhen të gjithë bashkë për të paraqitur vlerat më të mira të kombit tonë, ajo i përcolli urimet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj. Zonja Veliu i shprehi mirënjohje Visar Zhitit për çfarë ka bërë për kombin shqiptar në letërsi dhe diplomaci. Disidenca kombëtare mbajti gjallë frymën e kombit, përfundoi Zonja Veliu. Ambasador Mal Berisha në fjalën e tij theksoi se Visar Zhiti është kronikan i historisë më të dhimbshme të kombit tonë. Visari shkëlqeu në të gjitha periudhat. Z.Berisha kujtoi në fjalën e tij episode të ndryshme të punës e bashkëpunimit me Visar Zhitin në Ministrinë e Jashtme dhe promovimin në Nëntor të platformës audiobooks nga Avni Ponari, së bashku me Vatrën dhe shkollat shqipe në New York. Bashkëvuajtësi i Visar Zhitit, Hasan Bajo në fjalën e tij u ndal te paralelizmi i Skënderbeut që sakrifikoi kombin e tij për Perëndimin. Merita e Visarit është se shkroi poezi në kushte të pa imagjinueshme në hetuesi. Shkrimi i poezive në hetuesi ishte në kushte të tmerrshme, kujtoi z.Bajo. Marjana Bulku në fjalën e saj theksoi se letërsia shkollore ka nevojë për veprën e Visar Zhitit, Vatra ka nevojë për Visar Zhitin, historia shqiptare ka nevojë për z.Zhiti. A mjafton veç poezia apo letërsia për të treguar atë kohë? Z.Zhiti iu përgjigj se letërsia është përjetim, është emocion, ajo bën një efekt si uji i nëndheshëm. Poezia nuk është termet as revolucion, ajo na ndihmon të bëjmë veten. Nëse çdo kush e bën këtë, ne kemi bërë vendin, theksoi z.Zhiti. Kejvi Mirakaj i kërkoi poetit një frazë për të kristalizuar bashkimin e shqiptarëve dhe zërin e tyre të përbashkët. Shkrimtari Zhiti theksoi se historia, e kaluara duhet të kalojë nga rrëfimi në përvojë. Vatra duhet të afrojë të rinjtë, t’u dëgjojë zërin, të gjejmë të mirat te njëri-tjetri për t’u bashkuar. Në këtë takim diskutoi edhe Eduart Aranitasi, Drita Vushaj dhe Ibrahim Shabaj, treguan përsekucionin e familjes dhe dhanë mesazhe paqeje, bashkimi e vazhdimësie. Mark Mërnaçaj dhe Anton Raja gjithashtu falënderuan poetin për vizitën e veçantë në Vatër. Para vizitës në Vatër, Visar Zhiti mori pjesë në Festivalin Botëror të Poezisë në New York ku kishte përfaqësues nga Amerika, Europa, dhe Amerika Latine. Visar Zhiti ishte i vetmi poet shqiptar pjesëmarrës në këtë festival poezie, si poet, autor, diplomat dhe disident politik.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Visar Zhiti

Xhevat Kallajxhi një histori kontributesh të vyer

October 16, 2022 by s p

Nga Eliton Baba Pashaj/

Xhevat Kallajxhiu është ndër njerëzit e rrallë të Shqipërisë, i cili sikundër disa nga personalitetet më të njohura të dijes shqiptare e ndau jetën e tij mes dy kontinenteve, Shqipërisë dhe Amerikës. Duke qenë një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i lidhur fort me vendin e tij, me historinë e hershme të Shqipërisë dhe me vendlindjen, ai kudo dhe kurdo mbajti lidhje të forta me atdheun, me njerëzit, me fatet e kombit. Një njohës i mirë i historisë në thelbin e saj, një histori që është e lidhur fort me sakrificat njerëzore ndër shekuj, me gjakun dhe djersën e mijërave që kanë vënë jetën e tyre në kurbanin e mbijetesës së Shqipërisë, Xhevat Kallajxhi e ktheu në një mënyrë jetese këtë sakrificë dhe njohjen e madhe që ai kishte për njerëzit dhe ngjarjet madhore të atdheut të tij. Kjo lidhje e fortë, ky përjetim i thellë i një morali prej luftëtari dhe intelektuali dijeplotë, e bënë Xhevat Kallajxhiun të gjente gjithmonë një rast, një mundësi, një detaj dhe një formë të komunikimit me atdheun. Dhe jeta e tij mbeti e tillë, një luftëtar i skalitur në të gjitha mënyrat e sakrificave që kërkon atdheu dhe që mund t’i bëjë një njeri i denjë shpirtërisht dhe moralisht.

Të njehsuar me çdo lëvizje kombëtare në shekujt e nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë në Jugun e Shqipërisë, brezat e Kallajxhinjve, me një edukim shpirtëror të mirëfilltë bektashian, pa zhurmë e bujë, përmes një përulësie të mahnitshme që të dhuron ky tarikat i Islamit, u përpoqën dhe vendosën zemrat e tyre, forcat e tyre, sakrificat sublime me përbërje të betejave për formimin e identitetit tonë. Me të drejtë historiografia shqiptare ka shënuar se “zgjimi i ndjenjave kombëtare në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë në trevën e Gjirokastrës lidhet me dy emra të mëdhenj bektashian Shefki Kallajxhiu dhe i krishteri Koto Hoxhi nga Qestorati. Këta të parët dhe të tjerë pas tyre, e kuptuan se përpara se të ishin të krishterë apo myslimanë nën zgjedhën otomane, vinin nga një histori iliro – shqiptare dhe kishin një gjuhë e një farë, prej Mitrovice në Prevezë…”.

Fëmijëria e Xhevatit, do t’i kapërcente kufijtë gjeografikë të qytetit, përmes përshkrimeve të të atit, Rasim Kallajxhiu, i cili ndonëse kish shërbyer në disa qendra të zhvilluara të perandorisë otomane, u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij atdhetar. Por ajo, çfarë mendoj se ka mbushur me kuptim dhe dashuri për dijen, jetën e Xhevat Kallajxhiut, është padyshim dita fatlume kur u takua me vërsnikun e tij, shenjtorin baba Rexheb, krijuesin, frymëzuesin dhe mësuesin shpirtëror të mijëra shqiptarëve brenda viseve shqiptarë, deri këtu në teqenë bektashiane të Detroitit – Michigan. Qysh nga mosha dhjetë vjeçare dhe derisa u larguan nga kjo botë e përkohshme këta rrëfyen besnikërinë e tyre të përjetshme ndaj besimit, ndaj detyrave kombëtare, ndaj njëri – tjetrit. Unë besoj se ende sot, ata shëtisin së bashku në kopshte të xhenetit, si shembulli i shkëlqyer i trashëgimisë së tarikatit të rrëfyer në ajetin kuranor: “Ashtu siç ju ka krijuar, ashtu edhe do të ktheheni tek Ai…”

Pjesa e parë e jetës së tij është e lidhur fort me zhvillimet sociale, politike dhe kulturore të vendit të tij, ku dhe kaloi një pjesë të jetës. I lindur në Gjirokastër në vitin 1903, Xhevat Kallajxhiu nëpër fëmijërinë e tij ka prekur realitetin e ngjarjeve madhore të vendit të tij, që nga Pavarësia (1912), luftërat e shumta në Veri dhe në Jug që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj Lufta e Parë Botërore, e cila përmes pushtimit nga Italia të Jugut të Shqipërisë e preku mjaft rëndë Shqipërinë, dhe në moshën rinore ka përjetuar Luftën e Vlorës, Kongresin e Lushnjës, ngjarjet e vitit 1924, atë lloj pluralizmi që u krijua gjatë kësaj kohe në Shqipëri. Ai jetoi Mbretërinë, prerjet e caktuara kulturologjike shqiptare, zhvillimet politike me krahët politik të majtë dhe të djathtë, pushtimin fashist të vendit në vitin 1939, dhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 Kallajxhi ishte 42 vjeçar, një burrë i pjekur dhe një njohës i mirë i gjithë asaj që kishte ndodhur në Shqipëri.

Xhevati ynë qysh herët, përmes botës së letrave, kish kaluar në radhët e atyre atdhetarëve, që u shndërrua në interpret të mendimit dhe veprimit të ndjenjave kombëtare, madje me një perceptim të qartë për të ardhmen e vendit, kështu që largimi i tij nga Shqipëria, për shkakun e luftës politike në vend ku ai ndjehej i rrezikuar, ishte i dhimbshëm por i detyruar. Gjatë gjithë kësaj periudhe të zhvillimeve të mëdha, në hapësirën e viteve 1900-1945 nga gjithë faktorët politik, kulturorë dhe shoqërorë, Shqipëria kishte shpalosur një dëshmi të veçantë të shtresave të popullsisë, të klasave, qëndrimet, rrymat politike dhe kulturore, raportet dhe marrëdhëniet me të huajt dhe tendencat e zhvillimit. Kështu që për një njohës të mirë si Kallajxhiu, kjo tablo disa herë rrëqethëse ishte një mësim i rëndësishëm, të cilin ai e ruajti gjatë gjithë jetës.

Largimi i Xhevatit nga atdheu, në nëndorin e vitit 1944, së bashku me Mid’hat Frashërin, baba Rexheb Beqirin, imam Vehbi Ismailin dhe dhjetëra personalitete të tjerë të nacionalizmit shqiptarë, nuk ishte vetëm i dhimbshëm. Ashtu siç provuan kohërat pas kësaj tragjedie, misioni i mërgimtarëve u shndërrua në një zë të fuqishëm, therës, për çfarë ndodhte brenda telave me gjemba të diktaturës komuniste, e cila nuk kish asgjë të përbashkët me ëndrrën e evropiane të bashkëkombësve të tyre në mjerim. Zëri i këtyre mërgimtarëve, i përcjellë plot seriozitet dhe kërshëri nëpër dyert e kancelarive evropiane deri këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpesh herë ka qenë i vetmi akt proteste që lidhej me aspiratën e shqiptarëve për të drejtat esenciale njerëzore dhe demokraci. Brenda këtyre zërave, ai i Xhevat Kallajxhiut, ka spikatur për tonet e duhur kombëtarë, për mirënjohjen e thellë ndaj SHBA, për kurajën qytetare në kërkim të lirisë universale.

Shpesh, në faqet e shkruara prej penës së tij, shfaqet edhe një përmasë tjetër, ajo e nënshtrimit trishtues përballë fatit njerëzorë. Për Xhevatin, të rritur përmes kumteve bektashianë, të mëkuar me atë dashuri për vëllazërinë e Hakut, është plotësisht e kuptueshme se jeta e kësaj bote, është vetëm një akt i dramës ngjethëse që ka lindur përpara lindjes dhe vazhdon përtej vdekjes. Ndërsa bashkëkombasit e tij, ata, nacionalçlirimtarët bolshevikë, nuk kanë kuptuar asgjë prej këtyre gjendjeve hyjnore dhe “si Juda do të dëgjojnë në shpirt vuajtjet e mëkateve dhe nën kulmin e dëshpërimit do të bredhin andej – këtej, të ndjekur vazhdimisht nga britmat e një populli të tërë dhe nga mallkimi i të vdekurve, viktima të terrorit të tyre…”. A nuk thuhet për mëkatarët: “Dëshmitë e tyre do të shkruhen dhe ata do të merren në pyetje.”

Xhevat Kallajxhi kishte qenë gjithherë një njeri i lidhur fort me lirinë dhe fatet e vendit, një person aktiv në luftën për çlirimin vendit nga pushtuesi, por dhe një njeri i hapur për vlerat, të cilat ishin në të gjithë anët e politikës dhe të kulturës. Dhe pse ishte i larguar nga Shqipëria, në kohën kur i duhej më shumë vendit, ai kishte lënë mjaft nga vlerat e tij në Shqipëri, për t’u marrë më fondamente të rëndësishme po kaq dhe në SHBA-të, ku kaloi pjesën tjetër të jetës dhe ku zhvilloi më tej personalitetin dhe profilin e tij prej publicisti, gazetari, monografisti, poeti dhe intelektuali, zemra e të cilit rrahu deri në çastet e fundit për fatet e atdheut.

Duke u larguar nga Shqipëria, Kallajxhiu mori më vete virtytet e çmuara të shqiptarit, mendjen e kthjellët për të kuptuar se ku e kishte burimin liria e njerëzve, në kushtet e një zhvillimi absurd të luftërave dhe burimin e dijes, nevojës që shqiptarët kishin për tw thithur ajrin e shëndetshëm të dashurisë për njëri – tjetrin si edhe për arsim e kulturë. Këta universe të përgjegjshmërisë nacionale të cilat i shërbyen gjatë gjithë jetës ishin Amerika, një mbrojtës dhe trashëgues i padiskutueshëm i lirisë së popujve dhe shkolla, e cila e kishte lidhur shumë me besimin bektashi, për të cilin do të kontribuonte gjatë gjithë jetës.

I dalluar në brezin e atdhetarëve të asaj periudhe Xhevat Kallajxhi, përveç punës si gazetar, publicist, kontribues vlerash në komunitetin shqiptar në Amerike për nismat në mbështetje të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, rrëfen thellësisht tiparet si studiues, monografist dhe poet. Rreth këtyre tri fushave të veprimtarisë dhe kontributeve të Kallajxhiut edhe ne do të reflektojmë idetë dhe mendimet e kthjellëta përmes të cilave arriti deri në majën e medies amerikane për një kohë relativisht të shkurtër.

Ndërkaq, nuk ka asnjë dyshim pse Kallajxhi kishte një raport jo të mirë me politikën që ndiqej në Shqipëri gjatë kohës që ai punonte në kryeqendrën e mendimit politik dhe gjeo-strategjive politike të globit, në Zëri i Amerikës, pasi në një lloj kuptimi edhe ai ishte njëri nga viktimat e sistemit politik që ishte instaluar në Shqipëri pas vitit 1945, por në çdo rast, në mendimin e tij shfaqet gjithmonë koncepti fondamental i shtetit amerikan, ai që lidhet me lirinë njerëzore, ku sistemi demokratik është shprehje e mundshme e demonstrimit të saj.

Konceptin mbi lirinë, e cila buron nga historia e vetë Amerikës dhe që e kanë jetësuar njerëzit e këtij vendi të bekuar, e kanë përcjellë mjaft mirë të gjithë shqiptarët që e kanë prekur dhe kanë jetuar në Amerikë. Në librin e Kallajxhiut, i cili titullohet “Bektashizmi dhe teqeja shqiptare në Amerikë”, që në rreshtin e parë të parathënies, të cilën e ka bërë baba Rexhebi, një figurë e njohur bektashiane shkruhet: “Amerika është vendi ku pothuaj të gjithë ëndrrat mund të bëhen realitet”, gjë e cila tregon qartë rrethanat, klimën dhe nevojën e botimit të një libri të tillë, në kushtet specifike në të cilat gjendeshin shqiptarët në Amerikë, por dhe në Shqipëri.

Libri ka në vlerën e tij më së pari themelimin e teqesë së parë bektashiane në Amerikë dhe pastaj vlerat e rëndësishme fetare historike dhe kulturore, deri në esencën e lirisë që bektashizmi ka në historinë e popullit shqiptarë. Në qershorin e vitit 1957 në inaugurimin e xhamisë në Uashington, ish Presidenti amerikan Eisenhauer ka thënë: “Është një privilegj për mua të marr pjesë në këtë inaugurim. Mbledhja me ju, në ballin e njërës prej godinave më moderne e më të bukura të Uashingtonit, përbën një rast të përshtatshëm për ne që ta rikushtojmë veten ndaj përparimit paqësorë për të gjithë njerëzit ndën Një Perëndi…” dhe : “Amerika ka mbrojtur dhe do të mbrojë kurdoherë me gjithë fuqi të drejtën e çdo njeriu që të ketë këtu faltoren e vet dhe të lutet sipas ndërgjegjes së tij.”

Është kaq e kuptueshme marrëdhënia që Amerika ka me lirinë njerëzore, me njërën nga gjërat më të shenjta, besimin që njerëzit në botë e marrin dhe e përftojnë në rrethana të ndryshme, me lirinë për të besuar, siç kishte ndodhur dhe me besimin bektashi të shqiptarëve, ndërkohë kur në Shqipëri lufta kundër besimeve fetare kishte arritur kulmin me prishjen dhe shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë ligjit të besimeve fetare në vend. Amerika ishte vendi për të besuar, për të gëzuar lirinë dhe për të ushtruar besimin. Jo pak shqiptarë të besimit katolik, ortodoks, myslimanët dhe bektashinjtë çelën vendet e tyre të adhurimit, kishat, xhamitë dhe teqetë, duke e bërë akoma më të mrekullueshëm mozaikun fetar të këtij vendi.

Mes shqiptarëve dhe SHBA-ve kishte një histori marrëdhëniesh vëllazërore kur Kallajxhiu filloi jetën si emigrant dhe më vonë si një aktor i rëndësishëm, jo vetëm i komunitetit shqiptar por edhe i shoqërisë amerikane, pasi kjo është e vetmja në botë, e cila nderon dhe funksionon përmes vlerave, pavarësisht nga vjen një kontributor apo një tjetër. Xhevat Kallajxhiu pa dyshimin më të vogël është produkti i kësaj shoqërie që është liberale në zbulimin vlerave.

Bektashizmi është një nga vlerat dhe kontributet që iu shtuan komunitetit shqiptar në Amerikë. Duke pasur në vetvete një kumt hyjnor, një frymë që universialisht e njeh Zotin si të vetmen fuqi të mbinatyrshme, si të gjithë besimet e tjera në botë, në kushtet historike të Shqipërisë dhe të arkivuara në një letërsi brilante të Rilindjes sonë, si esencë shpirtërore të njerëzimit, bektashizmi ka lënë gjurmët e pashlyera në Shqipëri dhe në të gjithë peizazhin fetar ballkanik, lidhur me dijen, kulturën dhe shkollën, me ç’rast mjaft nga klerikët bektashinj dhe teqetë në jugun e Shqipërisë në veçanti, u kthyen në vatra dijeje dhe në shkolla ku fëmijët mësuan shqip dhe u vetëdijësuan në udhëtimin e tyre drejt lëvizjes autonomiste kombëtare.

Koncepti substancial dhe mjaft i rëndësishëm deri në ditët e sotme, se gjuha e kombit njehsohet me identitetin kombëtar, përbën motivin më të rëndësishëm që jo pak bektashinj patën parasysh në të gjitha reformat e tyre brenda dhe jashtë hapësirave të tarikatit. Teqetë bektashiane në Shqipëri gjatë pushtimit otoman dhe politikave të ashpra për të shkombëtarizuar dhe për të shkatërruar identitetin e shqiptarëve, kryesisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bënë ndër qendrat më të rëndësishme për përhapjen e idesë shqiptare, po ashtu për shpërndarjen e librit shqip, për strehimin dhe mbrojtjen e luftëtarëve shqiptarë, ato ishin dyer të hapura për përparmin dhe idetë progresive të zhvillimit shoqërorë të vendit.

Libri “Bektashizmi dhe teqeja shqiptare në Amerikë” e studiuesit Xhevat Kallajxhi është një libër i ndërtuar mjeshtërisht me një strukturë mjaft funksionale, pasi ai është botuar rreth një çerek shekulli pas vendosjes së sistemit totalitar ne Shqipëri, ndërsa brezi i fëmijëve të të larguarve nga Shqipëria në Amerikë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishin në moshën njëzetë e pesë vjeçare. Ishte një brez të rinjsh shqiptarë, të cilët kishin nevojë për ta njohur trashëgiminë e vendit të tyre, historinë dhe vlerat e çmuara që bektashizmi ka demonstruar dhe ka lënë në historinë e kombit tonë.

Hapja e teqesë së Detroitit është një ngjarje e shënuar, jo vetëm pse ajo përçonte historinë e bektashizmit në Shqipëri, por hapja e dyerve të saj në Amerikë, ku kishte një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh, krijonte një dimension tjetër në shtetin më të madh të botës nga njëra anë, por përbënte dhe një pengesë të sigurt përballë sulmit që shteti i kohës në Shqipëri kishte filluar ndaj institucioneve fetare dhe kulteve të besimit, të cilët kanë rëndësinë e vet në historinë kombëtare.

Është një ditë e shënuar në komunitetin shqiptar të Amerikës, veçmas ndër bektashinjtë dhe klerikët bektashinj shqiptar të cilët kishin emigruar në Amerikë pas viti 1945. Rreth kësaj vatre kombëtare u mblodhën njerëz dhe kontribues të shumtë, duke i dhënë jetë idesë dhe objektit të besimit bektashi në një vend si Amerika. Dalja në dritë e organit të saj “Zëri i Bektashizmës” në gjuhën shqipe dhe angleze ishte një tjetër vlerë e çmuar që teqeja afronte për të hyrë dhe kuptuar bektashizmin, parimet, filozofinë dhe misticizmin bektashian, por edhe lirinë njerëzore në SHBA.

Autori përshkruan me një gjuhë mjaft komunikuese një realitet dhe mjedis bektashi si vazhdimësi e vendeve të adhurimit të doktrinës paqësore, ku teqeja ka pronën e saj, mjediset e mrekullueshëm dhe kremton festat e shënuara, ato janë të hapura dhe baballarët kanë një dëgjesë të përhershme ndaj njerëzve që duan të dinë dhe të besojnë. Xhevat Kallajxhi është njëri nga publicistët më të mirë dhe më të njohur të kohës, i cili e ka filluar profesionin e gazetarit dhe të botuesit që në Shqipëri. Si i tillë ai është dhe një mjeshtër i krijimit të kronikës, që sjell në libër me rastin e hapjes së teqesë bektashiane në Amerikë, duke krijuar një informacion të rëndësishëm përmes personazheve të njohura dhe njerëzve që kanë kontribuar dhe frekuentojnë këtë objekt të kultit, nga shqiptarë besimtarë, por dhe të huaj.

Kjo vatër e të gjithë shqiptarëve në vendin e ëndrrave të tyre, pa dallim besimi dhe ideje ka qenë lajm dhe kronikë veprimtarish dhe në gazetat më të njohura të SHBA-ve, pasi ajo është ngritur me një kontribut të çmuar të shqiptarëve të Amerikës, myslimanë dhe të krishterë, ku përçohet dëshira e mirë në misionin që ka një objekt kulti bektashi, siç thotë dhe një kontribuues i krishterë, se:” Jam tepër i gëzuar, që në Amerikë, krahas me kishën dhe xhaminë, u ngrit dhe një teqe bektashiane. Teqetë në Shqipëri kanë qenë pararoja e përpjekjeve kombëtare për liri e pavarësi. Kanë simbolizuar gjithashtu tendencat liberale dhe ndjenjat e kulluara për forcimin e vëllazërimit midis shqiptarëve…”

Pas kësaj kronike, studiuesi dhe publicisti Kallajxhi, i ka afruar lexuesit shqiptar dhe të huaj një histori të mrekullueshme të integruar me historinë dhe kontributet madhore të bektashizmit në Shqipëri, e cila mbart vlera njohëse, koncepte përparimtare mbi “doktrinën” bektashiane, mbijetesën e bektashizmit përballë pushtuesit, por dhe të ideve të shumta që kanë qenë të pranishme në Shqipëri, aktivitetet dhe vlerat kombëtare që ka përcjellë bektashizmi si me ndërtimin e një vëllazërie mbi bazën e devocionit të pashembullt ndaj Zotit të Lartësuar, ashtu edhe në një bashkëjetesë të qëndrueshme fetare në të gjitha viset shqiptare, pavarësisht trilleve të fatit historik të tyre.

Xhevat Kallajxhiu arriti të krijojë një raport të rëndësishëm me shtetin e madh amerikan përmes punës intelektuale dhe kontributeve të shënuara shkrimore të tij në tokën e premtuar. Është raport që shumë shqiptarë, të cilët e njohën dimensionin e lirisë përmes jetës në Amerikë, u përpoqën t’ia shpërblejnë asaj përmes librave të shkruar dhe mundësive të tjera që të krijon toka amerikane. Ndër librat monografik të Xhevatit, është dhe ai që i kushtohet njërit nga presidentët më të suksesshëm, më tragjikun dhe më të rëndësishmin në kohën e lirisë, A. Lincolnit, botuar së pari këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundmi në Tiranë. Ky është një libër që përveç analizës, kronikës së gjerësishme, mbetet një dashuri e demonstruar pa kushte jo vetëm për Linkolnin, por dhe vendin e tij.

Libri ka natyrën monografike, por në thelb ai krijon një marrëdhënie të brendshme që përmes një stili analitik shpalos një kronikë të rëndësishme zhvillimesh, jo vetëm për Linkolnin, por dhe shoqërinë njerëzore në vlerat më të spikatura të saj. 150 vjetori i Linkolnit (1961), siç dhe kuptohet, ka përbërë një mundësi të admirueshme komunikimi nga Kallajxhi, për të folur për presidentin e ndjerë, për Amerikën, por përmes këtij komunikimi ai ka arritur të shtrojë paralele të rëndësishme me fatin e popullit të tij dhe të popujve të tjerë. Libri “Lincoln” ngjan të jetë dhe një mirënjohje e shqiptarëve të SHBA-ve në vazhdën e veprimtarisë dhe të atdhetarëve të tjerë si: K. Çekrezi, F. Konica, K. Dako, F. Noli, N. Drizari, P. Qiriazi dhe të tjerë, të editorëve të “Vatrës” apo “Diellit”, që kanë shërbyer dhe kanë mbetur një urë lidhjeje mes vendit të vogël të Ballkanit dhe shtetit të madh amerikan, dhe që jetësohet tek kontributi dhe i teqesë bektashiane në Amerikë. Në këtë kontekst, mendoj se nuk mund të ketë qenë e rastësishme, por i menduar së thelli dhe thënë si një përgjërim, kushtimi i Xhevatit në hyrje të librit: “Teqesë bektashiane shqiptare në Detroit, e para në Shtetet e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë kombëtare që zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë, këtë vepër modeste, autori ia kushton me admirim.”

“Kur qiriri im të shuhet në Lindje, do të ndizet në Perëndim” kish thënë dikur, Piri i tarikatit bektashian, Haxhi Bektash Veliu. Gati shtatë shekuj më pas, profecia e tij do të realizohej, çuditërisht nga një dervish shqiptar që la teqenë e Zallin në Gjirokastër, që u përndoq nga vëllezërit e tij të ndryshëm në ideale, që jetoi me frymën hyjnore të paraardhësve në Rexhio Emilia të Italisë e më vonë në teqenë bektashiane të Kajgusës Sulltanit në Egjipt, për të zbritur në këtë tokë të realizimit të çdo ëndrre të mundshme. Erërat dhe ngricat e Anadollit, regjimet ideologjike të Ballkanit, stuhitë ateiste shqiptare, nuk e kishin fikur dot çirakun e tarikatit tonë, në gurëthemelet e të cilit mbetet e pranishme jetë e mot, sentenca shekullore e mistiçizmës islame “Ashku është jeta e zemrës”. Vepra e bektashiut të shquar Xhevat Kallajxhi në jubileun e dhjetë vjetorit të ngritjes së teqesë së parë bektashiane në Detroit – Michigan, mbetet dëshmi e ashkut të përjetshëm të një grupi të vogël besimtarësh të cilët mbajtën mbi supe peshën kozmike të misionit ngadhënjyes të tarikatit, sigurisht duke qenë në bashkëjetesë të plotë me tipologjitë e universializmit shoqëror e moral në SHBA.

Duke qenë një libër i shkruar me shumë dashuri monografia kushtuar Linkolnit, përveçse shpërfaq të gjithë jetën e presidentit më të rëndësishëm të historisë së Amerikës, shërben dhe si modeli më i mirë dhe më bashkëkohor për popujt dhe kombet, pasi përçon në thelb konceptin e “nevojës së bashkimit”. Përveç vlerave të tjera Lincolni mbetet një gjeni, i cili pasojat e rënda të Luftës Civile në ShBA, të vitit 1863, ku pati shumë viktima, i shndërroi në një rast unikal për t’i bashkuar amerikanë, pasi viktimat nga të dy anët e konfliktit u varrosën me nderime, të vëllazëruar në amshim.

Në këtë rast filozofinë e tij e përçon një ndjenjë dhe një raport substancial për Amerikën dhe njerëzimin, ekuilibri dhe zhvillimi i të cilës vjen vetëm përmes vëllazërimit. Fjalimi i Lincolnit (Gettysburg) në këtë rast, mbetet ndër më të shënjuarit në jetën politike të SHBA-ve, ku thotë: “Jemi mbledhur për të kushtuar një pjesë të kësaj lufte, si vend çlodhjeje të përjetshme, për ata që dhanë jetën e tyre këtu, që ky komb të mund të jetojë. Kjo që bëjmë ne është një gjë me vend dhe e përshtatshme. Por, në një kuptim më të gjerë, ne nuk mund ta kushtëzojmë, nuk mund ta shenjtërojmë këtë truall. Të gjithë heronjtë, të gjallë dhe të vdekur, që luftuan këtu, e kanë shenjtëruar aq shumë, sa fuqia jonë e varfër nuk mund të shtojë e as të pakësojë asgjë. Bota do ta vërë re fare pak dhe nuk do ta mbajë mend për shumë kohë atë që bëjmë ne këtu, por nuk do ta harrojmë kurrë atë që bënë ata trima në këtë vend…”

Është një moment ideal, dhe pse në dukje është në pikun e luftës civile, që Lincolni, një personalitet i jashtëzakonshëm, një president i cili më shumë se çdo president tjetër i SHBA-ve kuptonte rolin e tij në këtë ngjarje, bëri gati të pamundurën, tragjedinë e një lufte të brendshme e ktheu në favor të unitetit dhe të mbijetesës së kombit të vet. Populli amerikan dhe gjithë struktura e shoqërisë amerikane e mori mjaft mirë mesazhin që përcolli një mëndje e ndritur si Lincolni, me ç’rast ai u “referua” si armiku i betuar i skllavërisë, për të cilën punoi gjatë gjithë jetës. Kjo ditë u quajt dhe “Shpallja e çlirimit”, në metaforë domethënëse, e cila u njoh nga Kushtetuta amerikane, si një ligj i rëndësishëm dhe që ka vepruar gjatë gjithë kohës në SHBA.

Xhevat Kallajxhi ishte një mëndje e hollë, i cili mbartte në vetvete një traditë kulturologjike dhe atdhetare të njohur, pasi që në fëmijërinë e tij, ai kishte marrë edukatën dhe kumtin e të parëve të tij, të cilët kishin qenë kaq shumë të lidhur me vëllezërit Frashëri, dhe pjesëmarrje aktive në ngjarjet e mëvonshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por dhe të ngjarjeve të Kongresit të Berlinit, për të ndaluar cungimin e tokave shqiptare për lakmi të fqinjëve, duke krijuar paralele me zhvillimet në Shqipëri, e cila ishte përfshirë në një luftë të brendshme (lufta e klasave) dhe ku konfliktet politike po e dëmtonin shumë unitetin kombëtar, po zvetënonin atë trashëgimi të shkëlqyer të dashurisë për njëri – tjetrin, duke gërryer kodet tanë të shqiptarizmit, për t’i zëvendësuar me prirje ideologjike të importuara.

Ai ishte deklaruar që në krye të herës si kundërshtari politik i regjimit shtypës të vendit, pas 1945, ndërsa jeta në shtetin më demokratik të botës ishte një shembull i mrekullueshëm, pasi kontrastet mes formacioneve historike – politike në vendin e tij ishin të thella dhe në një armiqësi të përjetshme, njëra palë nderohej ndërsa tjetra ishte në ndjekje të vrazhdë dhe të asgjësueshme deri në jetët fizike. E gjithë kjo marrëdhënie që Kallajxhi krijoi me të shkuarën e Shqipërisë dhe me kohën, tregonte sa i lidhur kishte mbetur ai me tokën e të parëve, ndërsa objekti i studimit të tij, në një stil të thjeshtë komunikues, elegant, ku tërësia ishte ndërtuar mbi elemente dhe detaje analitike nga jeta dhe veprimtaria e Lincolnit, ku shquajnë aftësia si burrë shteti dhe raporti i plotë me të gjithë shoqërinë amerikane, i barabartë me të gjithë dhe për të gjithë, pa dallim politik, ishte një ëndërr që ai nuk e pa dot qysh në gjallje. Një lidhje të tillë e demonstruan gati të gjithë shqiptarët e njohur në Amerikë.

Në zbulesën që Kallajxhi i kishte vënë vetes për ta prurë njërën nga figurat më epike dhe më të rëndësishme presidenciale të SHBA, ai ka përdorur hulumtime dhe përsiatje filozofikë, bazike, nga media, studime, interpretime, opinione dhe personazhe të jetës politike amerikane, të cilët e njohin nga afër jetën, punën dhe veprimtarinë e një presidenti në Amerikë. Kissinger, njëri nga njohësit më të mirë të politikës amerikane dhe të diplomacisë botërore, në një deltë të gjerësishme dakordësish dhe kundërshtish, shquan në personin e Limcolnit aftësinë e tij për të diktuar dhe kuptuar sfidat që i shfaqen vendit të tij dhe aftësinë e shkëlqyer për t’i përballuar.

Dhe kjo përvojë presidenciale dashur pa dashur shndërrohet në një sfidë për çdo figurë politike që merr përsipër të drejtojë një vend, të madh apo të vogël. Në të gjithë kontekstin e gjerë të librit, Kallajxhi, në parathënien e tij shkruan:”Abraham Lincolni është një nga figurat më të shquara të historisë amerikane dhe një nga njerëzit e rrallë të botës. Jo vetëm në historinë e republikës së re Amerikane, por në krejt atë të njerëzimit kanë qenë të paktë ata burra që kanë lënë gjurmë të thella të veprës së tyre, gjurmë të cilat nuk mund t’i mbulojë kurrë pluhuri i kohës. Midis këtyre burrave të paktë, ngrihet lart me madhështi figura e Lincolnit, si njeri dhe si patriot. Prandaj populli amerikan e nderon kujtimin e Lincolit pa rezervë dhe pa ndryshim besimesh politike, pasi …., Lincolni mbrojti gjithnjë në jetën e tij me vetëmohim kauzën e lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë.…”.

Duke qenë ndërkohë dhe presidenti që i dha besim konceptit jetësor amerikan përmes politikës së tij presidenciale “qeveri e popullit”, ai pa dyshim themeloi dhe bëri të veprueshëm përmes qeverisjes dhe ligjit, praktikën që iu siguron të drejtat e qytetarëve të Amerikës. Ai ishte armiku i shpifjes dhe gënjeshtrës, për të cilën tekstualisht thotë: “Në qoftë se veprimet tona shkojnë mbarë, suksesi ynë për të mirën e popullit është përgënjeshtrimi i plotë i shpifjeve; në qoftë se nuk mbarojmë dot punë, atëherë sikur dhjetë engjëj të dëshmojnë në favorin tonë, s’kemi për të shpëtuar nga dënimi”. Ndërsa për gënjeshtrën dhe gënjeshtarët ai thotë: “Të gjithë njerëzit mund t’i gënjesh për disa kohë. Disa njerëz mund t’i gënjesh për gjithë kohën. Por nuk është e mundur të gënjesh gjithë njerëzit për të gjithë kohën”.

Suksesi i librit në fjalë, pavarësisht fundit tragjik të Lincolnit, është aftësia e tij për të kuptuar thelbin e gjërave, një studim analitik që është racionalizuar dhe referuar në të gjashtëmbëdhjetë detajet strukturore, një analizë dhe kronikë e interpretuar shkëlqyer, një model i jashtëzakonshëm për të zbuluar njërin nga presidentët më të suksesshëm të Amerikës. Qëmtimi i fakteve jetësorë, kujdesi për të skicuar paralele të largët mendimi, midis kohërave dhe meraku për të transmetuar sa më kthjelltësisht tek lexuesi bashkëkombas “atë që dhimbshëm i mungonte popullit të vet… që në Shqipëri kishte marrë forma të shpërfytyrimit të skajshëm, ku nuk njihej familja, shkolla e shoqëria, në emër të aventurës për pushtet”, shfaqen përmes një sqimeje letrare prej gjirokastriti të mençur.

Me një aftësi unike, për të nxjerrë në pah dhe për të shpjeguar “në dritë të diellit” situata të ndërlikuara të historisë së kombit vëlla amerikan dhe vetë Lincolnit, Xhevat Kallajxhi u ofron lexuesve në të njëjtën kohë botëkuptime të traditës dhe të filozofisë njerëzore të asaj epoke. Gjithsesi ai nuk e lë emocionin apo mendimin e beftë ta marrë me vete dhe ta çojë ku të dojë, por me thjeshtësi të dukshme, çdo fjalë, çdo ide, çdo qëndrim dhe veprim të Presidentit të nderuar Lincoln e sheh kurdoherë nga optika e perspektivës së atij qytetërimi, i cili jo vetëm pati nevojë për burra të tillë, por e kish kuptuar në thelb të tij se çdo ide përparimtare lidhej pikërisht me idetë dhe frymën vepruese të këtij lidershipi.

Duke e parë urtësinë dhe guximin e Lincolnit, si një tërësi perspektivash intelektuale me vlefshmëri të përhershme, autori në fjalë ka përcjellë me një ndjenjë të qartë ngazëllimi rigorozisht atë forcë madhore që e shenjtëron jetën e këtij burrështeti, dhe që lidhet me besimin e tij të pakontestueshëm në asnjë moment, tek Krijuesi. Me tri – katër rreshta, kur ende nuk kish ulur në karrigen e rëndë, në Shtëpinë e Bardhë, Lincoln zbulon kredon e vet dhe të paraardhësve kur thotë: “Mbi mua rëndon detyrë e madhe dhe e vështirë se çdo detyrë që ka provuar tjetër njeri, pas Washingtonit. Ai nuk do të kishte mundësi të dilte faqebardhë pa ndihmën e Perëndisë… Lutjuni o miq të mij, që të më ndihmoj edhe mua…”. Këto fjalë se Linkolnit kanë qenë dhe mbeten të përjetshme, siç është e përjetshme dhe pazëvendësueshme në asgjë tjetër, dashuria e jonë për Zotin e Lavdëruar.

Të nderuar bashkëkombës, lexues të bibliotekës bektashiane!

Ribotim i librit të Lincolnit dhe përcjellja që të gjithë ne po ju bëjmë veprimtarive në kuadër të njëqind vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – SHBA, përbëjnë akte tepër domethënës. Nuk duhet të harrojmë se nga këta njëqind vjet, gati gjysma e tyre, u përdor nga Tirana bolshevike, për të derdhur vrerë dhe helm ndaj rendit demokratik, vlerave njerëzore dhe fetare të këtij vendi të mrekullueshëm ku dallgët e fatit na kanë mbledhur të jetojmë sot. Ngjarjet e trishtuara të pasvitit 1944 në Shqipëri dëshmuan diktaturën më të dhunshme të ngritur në sistem, mohimin e të drejtave më elementare, si edhe grabitjen e shenjtërisë së saj, lirinë njerëzore. Vitet 1945 – 1990, në këtë kuptim do të shpresoja dhe dëshiroja sinqerisht, të mbeten të paharruar për të gjithë brezat tanë, që historia të mos përsëritet me dramat e përgjakshme të saj. Por edhe përtej mureve ideologjike dhe telave me gjemba që rrethuan tokën shqiptare, pati edhe dritare, kur breza besimtarësh shihnin qiejt e lirë të besimit të tyre. Teqeja jonë, ato vlera të rralla shpirtërore që rrëfyen baba Rexhebi, baba Bajrami, dervish Lytfiu dhe dervish Arshiu gjatë periudhës në fjalë, por edhe brezat e myhibanëve dhe dashamirësve të tarikatit, shërbyen për të mbajtur gjallë besimin tek Krijuesi dhe dashurinë për atdheun.

Realiteti i gjallëruar prej parimesh moralë, mistik dhe hyjnorë, në teqenë tonë të sotme, përveç të tjerave mendoj se duhet të shihet si një mrekulli e Zotit dhe e këtij vendi të bekuar ku jetojmë. Ndër perlat, të cilat Kallajxhiu ka zgjedhur të personifikojë Lincolnin është edhe një shprehje nga William Taft në momentin e inaugurimit të monumentit të tij më 30 Maj 1922: “ Një tempull në të cilin mund të falen të gjithë; një altar mbi të cilin u bë sakrifica supreme për liri; një strehim i shenjtë fetar në të cilin mund të gjejnë frymëzim e çlodhje të gjithë ata që dashurojnë kombin dhe perëndinë”.

Duke falënderuar bektashiun tonë të shquar për këtë vepër (midis të tjerave) që u la brezave, bashkëkombasve të vet, ne u bashkohemi sot miliona njerëzve në botë, të cilët u janë mirënjohës SHBA-ve, për kontributin madhor në ndërtimin e paqes universale dhe promovimin e vlerave më të shenjta njerëzore dhe hyjnore. Çdo bukuri e shfaqur në faqet e librit në fjalë, çdo ngjarje në aspektin vetëdijësues, është në të vërtetë pohim i përpjekjeve sizifjane të secilit prej nesh, për t’iu afruar mirësive të Krijuesit.

Amin, ashtu qoftë!

Detroit, gusht – shtator 2022.

Filed Under: Politike Tagged With: Eliton Baba Pashaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT