• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Revolucioni i ndritur ose Zgjimi i madh kombëtar!

October 31, 2022 by s p

Nga Arian Galdini/

110 vjet shtet shqiptar e ne ende vuajmë nga Kompleksi i Ditës së Parë të Shtetbërjes. 

Edi Rama madje e zyrtarizoi këtë sëmundje të rëndë kolektive që ne kemi, duke rikthyer foton e Ismail Qemalit në çdo zyrë të shtetit.

Jo se Ismail Qemali nuk e meriton, porse qëllimi i Edi Ramës ishte paradoksalisht meskin e kontradiktor në të njëjtën kohë.

Njeriu që flet çdo ditë për shtetbërjen, u fsheh pas fotos së Ismail Qemalit, sepse nuk donte ta respektonte shtetin e tij, duke mosnderuar institucionin e Presidentit të Republikës, cilido të jetë ai.

Fshehja tek e shkuara apo krahasimi me të shkuarën është bërë simptoma më e dukshme e pafuqisë dhe padëshirës së udhëheqësve tanë politikë për tu shkëputur e shëruar nga sëmundja e Kompleksit të Ditës së Parë të Shtetbërjes. 

Ata janë të sëmurë kronikë, të vetëinfektuar me vullnet të lirë dhe infektues të zellshëm të kujtdo rreth e pas tyre.

Nga ana tjetër, kur janë në Opozitë, udhëheqësit tanë vuajnë nga Kompleksi i Revolucionit Personal.

Pothuajse të gjitha Opozitat, në këto 32 vitet e fundit, sapo kanë kuptuar që nuk kanë fituar zgjedhjet e nuk do të jenë në pushtet, ia kanë nisur të flasin për Revolucion.

Cilido të ketë qenë lideri i rradhës i Opozitës, nuk i ka shpëtuar gjuhës fundbotëse dhe mesianike me thirrje për Revolucion e përmbysje me çdo kusht të pushtetit diabolik të cilit i ka ardhur dita marrjes në dorë të frenave të punëve të shtetit e qeverisjes.

Lideri i Opozitës në Shqipëri duket si i magjepsur nga sprova për të pasur edhe ai Revolucionin e tij.

Por që të prodhohet Revolucioni, duhet të shpaloset Djalli.

Asnjë lider opozite ne vendin tonë, kurrë, në asnjë rast, nuk ka zgjedhur rrugën e gjatë, rrugën që të çon e s’të kthen.

Të gjithë, pa asnjë përjashtim kanë zgjedhur rrugën e shkurtër.

Nuk shkojnë vetë të vrasin kuçedrën, por sjellin Djalli këtu.

Të zgjedhësh rrugën që të çon e s’të kthen, do të thotë të rendësh kah sakrifica e vetëmohimi, për ç’ka e beson të vlerë e të rëndësishme.

Në këtë rrugë nuk mer të tjerë me vete, por ti vendos veten tënde në dispozicion të të tjerëve. 

Nuk flet për Djallin, por ushqen me mishin e pulpës tënde shqiponjën që të mban në krahë ndërsa fluturon për të të çuar në përballjen me kuçedrën.

Kurse ajo rruga që të çon e të kthen, është e thjeshtë fare.

Mjafton që ti të flasësh pafund për të keqen e tu thuash njerëzve se Mbretëria e Djallit ka pllakosur.

Mbill depresion, dëshpërim, dekurajim dhe shpreso që, kësisoj do të krijohet edhe ushtria e Revolucionit tënd.

Me këtë reflektim, nuk po dua fare të them se Edi Rama nuk është Djalli që ne Opozita kemi shpallur. Jo aspak.

Edi Rama është një e keqe e pamëdyshtë që pushtetin e ka si vegël dëfrimi e pasurimi pa frerë. 

Edi Rama është Zoti i rradhës në krye të punëve të katrahurës.

Sot, me këtë reflektim në fakt, nuk po merem me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën si njerëz e udhëheqës konkretë tê së derisotmes së paku.

Sot e kam reflektim, me veten time, për veten time, me shoqërinë tonë, për shoqërinë tonë, e për si ne e kuptojmë e përjetojmë, qeverisjen dhe opozitarizmin.

Dua të them, se kemi mbjellë kaq shumë depresion e dekurajim në këtë vendin tonë me kaq shumë skandale e ligësi të cilat burimin e kanë tek kompleksi i pushtetarit si shtetbërës dhe i opozitarit si revolucionar, saqë nuk po lëmë asnjë shans për tu zhvilluar ndonjë bimë a oaz urtësie në këtë vend.

Të gjithë ne që shkruajmë, flasim e veprojmë, të gjithë ne që kemi zë, ndikim e përgjegjësi publike, të gjithë pa përjashtim, duke më përfshirë mua të parin, jemi bërë ose të dorëzuar ose të depresionuar.

Kur jemi dorëzuar, marim anën e njërës prej palëve, ose qëndrojmë larg palëve, sepse kështu dhe vetëm kështu i bëjmë mirë vetes dhe botës sonë të vockël personale e familjare.

Kur jemi të depresionuar, nuk lëmë rast pa bërë garë se kush gjen fjalët e hiperbolat më hidhnake e koniciane, për të përshkruar çdo keqshkuarje e paudhësi në këtë vend.

Gara jonë e dorëzimit dhe depresionimit, janë bërë si holokausti i shpresës dhe besimit ndër ne, tek të gjithë ne.

A e keni vënë re se ne ndjekim, lexojmë, vlerësojmë, klikojmë, pëlqejmë kryesisht e madje dërrmueshëm, dëfryesit e depresionuar ose mendjendriturit e dorëzuar.

Jemi aq cinikë e të ligësht me veten e njëri tjetrin, saqë njerëzit e mirë, aktet e mira, shembujt e mirë, lajmet e mira, i klasifikojmë si shtirje, hipokrizi ose si të parëndësishme ose të pavlera fare e të lehta.

E gjitha kjo ka ardhur si reaksion zinxhir, ngase udhëheqësit pushtetarë nën kompleksin e shtetbërjes dhe udhëheqësit opozitarë nën kompleksin e revolucionbërjes, e kanë helmuar në atë pikë këtë shoqëri, sa shpesh të duket e kotë të ëndërrosh në këtë vend e për këtë vend.

Udhëheqësit dhe matrica e tyre politike, sociale e kulturore kanë degraduar më pas edhe të gjitha hallkat e mendjendriturve, intelektualëve, profesionistëve, artistëve, gazetarëve, etj, etj, duke i katandisur këta, ose në të dorëzuar ose në të depresionuar.

Janë pothuajse të njëjtat gjendra fëlligështie që përdoren prej 3 dekadash ndër ne, për të shpërthyer qelbin e çdo debati që na ka përfshirë e ndarë, duke filluar nga debatet e dasitë politike, deri tek ato fetare, kulturore, për dekonstruktimin e heronjve, personaliteteve, ngjarjeve e çështjeve tona kombëtare, apo mbi përkatësitë krahinore, e gjithfarë temash të kësollojshme.

Janë të njëjtët njerëz që paguhen tejet majmësisht për të shkallmuar çdo pikë reference e çoroditur çdo mendje.

Kjo është edhe arsyeja pse doja ti hidhja në eter këto përsiatje, sepse ne kemi kaq shumë nevojë për një revolucion të ndritur.

Jo revolucion pushteti, por revolucion mendjehapës, çlirues energjish pozitive.

Ky helm masiv, dorëzonjës e depresues, duhet mundur nga një Zgjim i Madh.

Një shpirt i ri i inkurajimit, mirësisë, vlerave dhe besimit duhet domosdoshmërisht të ngjizet, rritet e ngadhnjejë mes nesh.

Asnjë pushtet shteti e asnjë opozitarizëm revolucionar, nuk mund ta mbjellë dot këtë frymë të inkurajimit.

Zgjimin e Madh mund ta sjellin vetëm guximtarët që dinë të maten me vetet e tyre, me makthet e tyre më të këqija, e paskëtaj të shembullizojnë me fjalë, akte dhe vepra të mbara.

Më shumë sesa udhëheqës që mbajnë fjalime të bukura e që dinë të flasin zhdërvjellët, kësaj shoqërie e këtij kombi i duhen udhëheqës nëpërmjet shembullit të tyre personal. 

Revolucioni i ndritur apo Zgjimi i Madh është e vetmja zgjidhje…

Përndryshe, helmi do të na mbysë, dorëzojë, depresionojë apo largojë…

Koha e re po thërret një kulturë të re e veprim të ri.

Filed Under: Analiza

SHQIPTARET NË LUFTËN BALLKANIKE, SFIDAT PËR MBROJTJEN E TROJEVE SHQIPTARE NGA COPËTIMI 

October 29, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

Në fillimet e shekullit XX-të, çështja shqiptare ishte një problem serioz për Perandorisë Otomane. Zhvillimet në viset shqiptare u ndoqën me interes edhe nga Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët ballkanik. Porta e Lartë evitonte me çdo kusht shkëputjen e vilajeteve nga Perandoria Otomane. Ndryshimet legjislative dhe reformimi politik që po ndodhte në politiken e brendshme perandorake, ngjallnin një fare shprese për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për plotësimin e aspiratave të pretenduara prej kohesh. Ndër ta, që shpresonin se mund të ndryshonte në plotësimin e kërkesave ishte edhe popullin shqiptar. Komiteti xhonturk apo siç njihet edhe si lëvizja e “Turqve të Rinj”, organizoi një fushate të gjerë politike në vitin 1908 në të gjitha vilajetet perandorake. Ata, nëpërmjet propagandës xhonturke me premtime elektorale të mëdha për ripërtëritjen e Turqisë, me moton “modernizim evropiane” dhe “reforma të mëdha perandorake”, arritën të fitojnë shumicë parlamentare në Stambollit dhe të marrin pushtetin. Programi politik xhonturk u mbështet dhe nga një shumice e konsiderueshme deputetesh nga viset shqiptare. Kjo mbështetje vinte si pjese e premtimeve të shumta elektorale, duke shpresuar se qeveria e re do të sillte ndryshime të mëdha. 

Qeveria e xhonturke, e dale nga zgjedhjet e vitit 1908, ndërmori disa reforma, të cilat priteshin të kishin efekt pozitiv në popull. Me nisjen e zbatimit të programit politik, pritshmëritë e shqiptare dhe premtimet që ata kishin marrë para zgjedhjeve nuk përkonin me ato çka Porta e Lartë po zbatonte në terren. Nisma e qeverisë me reforma të thella nëpërmjet politikes centralizuese e rendonte gjendjen e shqiptareve dhe ndezi edhe ma shumë ndjenjat e thella të rilindësve kombëtarë shqiptar për çështjen kombëtare. Këto iniciativa xhonturke, shkaktuan debate parlamentare, midis disa deputeteve shqiptar dhe kabinetit xhonturk. Shqiptaret i kundërshtuan edhe nëpërmjet rebelimeve e kryengritjeve nder vite,1910, 1911 dhe me kryengritjen e vitit 1912. Stambolli nuk mundi t’i shtypte plotësisht kryengritjet dhe ishte detyruar të bënte disa lëshime të domosdoshme dhe të jepte shume premtime. Por, marrëveshja e përkohshme me shqiptaret e gushtit të vitit 1912,  nuk zgjati shumë dhe situata në Ballkan sa vinte e përkeqësohej. Po ashtu, përplasja luftarake Italo-Turke dobësonte Perandorinë Osmane. Fuqitë e Mëdha e ndoqën me përparësi luftën dhe situatën në Ballkan. Atyre iu rezultonte se konflikti në Ballkan në vitin 1912 ishte një rrezik i madh dhe ishin të shqetësuar për trazirat. Referuar relacioneve zyrtare dhe raporteve diplomatike, evidentohet se shume prej dokumenteve pohonin se ishin për ruajtjen e “status-quos”. Austro-Hungaria dhe Italia ishin në rivalitet midis shtetesh për të fituar simpati dhe influencë sa më të madhe në territoret shqiptare por kur ishte fjala për mbështetjen e tyre, ato ishin në krah të shqiptarëve. Ambasadori Italisë në Vjene, Avarna njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme për gjendjen në viset shqiptare dhe pohonte “politika austro-hungareze është për ruajtjen e status-quo-së dhe kjo linjë do të vazhdonte të  ruhej”. Po ashtu dhe në njoftimin e ministrit Fuqiplotë italian në Beograd, dërguar Ministrisë së Jashtme përshkruhet situata rreth gjendjes në Shqipëri dhe në Ballkan. Ai e vlerëson shumë serioze gjendjen në Shqipëri, por këto kohë nuk ka vënë re ndonjë fakt konkret që mund ta përkeqësojë gjendjen dhe sipas tij, shqetësimi i krijuar ishte për pasoje të fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 1912. Diplomati italian, Baroli shtonte, citoj: “Në anën tjetër, është shumë e mundshme që shtetet kufitare, pa përjashtuar asnjë, edhe pse kanë shpallur qëllimet e tyre paqësore, kanë kontribuar në furnizimin me armë të popullatës myslimane dhe katolike të Maqedonisë dhe Shqipërisë duke i përgatitur për çdo eventualitet. As këto nuk do të bien dakord dhe duke lënë mënjanë xhelozitë, intrigat, sinqerisht do të tregojnë se nuk duan “status quon” të trazuar. Kështu çështja shqiptare do ngelë dhe këtë vit e lokalizuar”. (BAROLI AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pako 674, dokumenti 7340, 7341) 

Gazeta “Sarajevoer Tagblatt” e datës 12 mars 1912 shprehej se pritej një pranvere me trazira shqetësuese.  Këto shqetësime vinin veçanërisht nga malësorët, të cilët bëjnë mbledhje të vazhdueshme. Për këto organizime thuhet se qeveria e Stambollit është në dijeni dhe po merrte masa serioze nëse do të shpërthejnë trazirat. Por, pritej se sapo të shkrihet bora dhe rrugët të jene të kalueshme, do të këtë shpërthejnë revoltat në të gjithë Shqipërinë. Sipas informacioneve që kishin, qeveria ishte angazhuar për të shtypur kryengritjet shqiptare por do të ishte e pamundur të ndalojnë ngjarjet qe do të ndodhnin patjetër. Shqiptaret synonin daljen e shtetit më vete por rreziqet ishin të mëdha, pasi Shtetet e Aleancës Ballkanike ishin të qarta në objektivat e tyre dhe rreziku që i kanosej trojeve shqiptare nga copëtimi ishte i madh. Ashtu, siç ishte parapërgatitur nga krerët shqiptar dhe përcaktuar dhe roli i tyre në organizimin dhe shtrirjen e kryengritjes, e cila do të shpërthente në Kosove dhe do të përfshinte të gjitha trojet shqiptare. Mund të thuhet se kryengritja shqiptare bashkoi shqiptaret nga treva të shumta në kryengritje por nuk arriti të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare. Por, vera e vitit 1912 shfaqte një gjendje teje alarmante për autoritetet e Stambollit dhe për diplomacitë e huaja, të cilat e ndiqnin me preokupim të madh zhvillimet në rajon. Nga ana e tyre aleancat ballkanike ishin ne kontakte të vazhdueshme dhe prisnin rastin e përshtatshëm me dobësimin e ushtrisë turke që të realizonin synimet territoriale.   

Situata paraqitej alarmante dhe në dokumentet e kohës, edhe pse ne disa raste kemi informacione kontradiktore për gjendjen e trazuar. Por duhet të theksojmë se në tërësinë e tyre, raportet diplomatike evidentojnë se Perandoria Osmane ishte dobësuar për shkak të luftës në Dardanele dhe detin Egje si për shkak te trazirave në Ballkan. Në njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Legatës italiane në Beograd, Rinella, dërguar eprorit te tij, ministrit të Jashtëm, San Giuliano shprehej rreth të ardhmes së Ballkanin. 

Sekretari i Përgjithshëm i legatës italiane në Beograd, Rinella njoftonte ministrin e Jashtëm San Giuliano, mbi pesimizmin që ka kryeministri serb për të ardhmen në Ballkan, derguar nga Beogradi, më 12 maj 1912, Nr. 507/104 AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Citoj dokumentin “Zoti Ministër, Shqetësimet që ka ngjallur këtu situata në Shqipëri, ashtu siç pritej, janë gjithnjë e në rritje për shkak të lajmeve mbi përleshjet mes kryengritësve dhe trupave osmane, të mbërritura në qeverinë serbe nga konsujt e saj. Pikërisht bazuar në vlerësimin e situatës, kryeministri serb më foli dje rreth gjendjes në Ballkan me një shpirt pesimist.” 

Me shpërthimin e kryengritjes së vitit 1912, situata në Portën e Larte shfaqej problematike. Ushtria turke mobilizohej për të përballuar situatën dhe vijonte të dërgonte përforcime nga provinca të ndryshme perandorake. Dezertimet e shumta të ushtareve shqiptar për të mos luftuar kundër bashkëkombësve të tyre ishte problem serioz për Ministrinë e Luftës. Dokumenti i datës 31 maj 1912, AMAE, Turquie, Guerres Balkaniques, II, Vol. 230, mars-maj, 1912, AIH, F 204, raportonte mbi gjendjen në Shqipëri. Konsulli i  Francës në Shkup, raportonte zotin, Poincare, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme për gjendjen në Shqipëri. Ai pohonte se: “janë një numër i madh oficeresh dhe ushtaresh që kanë pohuar se nuk dëshirojnë të shtinë me armë kundër vëllezërve shqiptar”.

Gushti i vitit 1912 shënon një arritje të rëndësishme për kryengritësit shqiptar, të cilët arritën të detyrojnë qeverinë në Stamboll të pranonte 12 prej 14 pikave të paraqitura me shkrim. Shqiptaret pranuan marrëveshje me qeverinë, pa çka se kishte edhe prej atyre qe ishin kundra, por me ndërmjetësimin pajtues të Hasan Prishtinës, ata u binden të pranojnë marrëveshjen. Ftesa e Hasan Prishtinës për shpërndarjen e popullsisë u respektua nga kryengritësit në vilajetin e Kosovës dhe nga pjesa dërmuese e krerëve drejtues në vilajetin e Manastirit dhe të Janinës. Përsa i përket vilajetit të Shkodrës, sidomos Malësia e Mbishkodrës dhe Mirdita nuk pajtoheshin me marrëveshjen e gushtit. 

Qarqet malazeze ishin të interesuar që të përshkallëzonte kryengritja. Autoritetet austro-hungareze akuzonin Malin e Zi se ishte nxitës i malësorëve për masivizimin e kryengritjes. Konsulli austro-hungarez, Zambaur njoftonte kontin Berchtold dhe përshkruante gjendjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe rrezikun e propagandës malazeze. Në botimin Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze, 1912 Vëllimi V, f. 84 Zambauri pohonte për pakënaqësitë e shqiptareve ndaj qeverise dhe shtonte se shpresat e fundit janë të drejtuara tek Austro-Hungaria, dhe se njerëzit e mençur vazhdojnë të shpërfillin ndërhyrjen e Malit të Zi.

Konti Berchtold, i lutej ambasadorit të vet në Kostandinopoje , që t’i thotë Portës “në mënyrë të serte e energjike” t’i plotësojë dëshirat e malësorëve, që kështu, të mos hidhen në anën e malazezëve, dhe në anën tjetër të kënaqet opinioni publik që gëzonte simpati për Austro-Hungarinë. Sipas Berchtold, këto dy kërkesa nuk i sjellin asnjë dëm Turqisë: I- Lirimi i tyre prej detyrimit ushtarak apo duke bërë Malësinë kufi ushtarak dhe shqiptarët e armatosur të shërbejnë vetëm në kufi. II- Të lirohen prej taksash për një kohë të caktuar, duke qenë se popullsia është shume e varfër. 

Në fund të gushtit të vitit 1912, mbreti Nikolla i Malit të Zi kishte propozuar një takim me përfaqësues të lëvizjes shqiptare. Po ashtu, mbreti Nikolla tentoi të bashkëpunoi edhe me klerin katolik me pretekstin kundër Portës së Lartë. 

Ismail Qemali ishte i bindur se shpëtimi i Shqipërisë nuk mund të merrej me mend në një bashkim veprimesh me shtetet ballkanike, pasi diheshin planet e aleatëve Ballkanik lidhur me të ardhmen e Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë Berchtoldt dhe homologu i tij, ministri i Jashtëm i Italisë,  San Giulianno ishin te informuar për qëndrimin e shteteve fqinj dhe për pretendimet e tyre, ndaj tokave shqiptare. Austro-Hungaria dhe Italia ishin rivale midis tyre sepse secili shtet donte të fitonte simpatinë dhe mbështetje sa më te madhe midis shqiptareve duke lidhur objektivat e tyre më lëvizje shqiptare në interes të shtrirjes së influencës në Ballkan. Shqiptaret iu kërkonin ndihme dhe mbështetje në qarqet ndërkombëtare pasi i konsideronin në krahun e tyre si shtete që mund të mbronin interesat kombëtare dhe ishin kundër copëtimit të tokave shqiptare. 

Ndërsa nga ana tjetër, Serbia, Mali i Zi e Greqi, e kishin kërcënuar hapur Perandorinë Osmane. Synimi i tyre ishte të finalizonin me sukses objektivat e vjetra, në dëm të tokave shqiptare. 

Shqiptaret, të udhëhequr nga krerë të lëvizjes kombëtare shqiptare kishin për qëllim që të largonin forcat ushtarake, nëpunësit osmanë dhe të luftonin kundër forcave turke, ndërsa nga ana tjetër kishin për qëllim mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare nga pushtuesit serb, malazez, grek e bullgar. Fuqitë e Mëdha ishin të shqetësuara për Ballkanin e trazuar në prag të një përplasjeje. Austro-Hungaria dhe Rusia propagandonin për ruajtje të “status-quos” dhe për të krijuar ura bashkëpunimi edhe nëpërmjet diplomatëve të tyre. Në një komunikim (të datës 23 shtator 1912, në dokumentet Austro-Hungareze, 1912 Vëllimi V, f. 239) pohohet se ministri i Jashtëm Berchtold udhëzonte diplomatin e tij Von Giesl në Cetinë, se Vjena mbështeste ruajtjen e paqes në Perandorinë Osmane dhe shtonte që të veprojë ashtu siç ka vepruar kolegu i tij rus, që të flasë në mënyrë miqësore dhe me vendosmëri, si me Mbretin Nikolla ashtu edhe me qeverinë mbretërore në mbështetje të ruajtjes së qetësisë. 

Në telegramin nr. 740 dërguar më, 18 shtator 1912 nga ambasadori i Rusisë në Kostandinopojë, Girs, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sazanov dhe i komunikonte se: “për shkak të mobilizimit të shteteve të Ballkanit, Këshilli i Ministrave është mbledhur që në mëngjes dhe pa dyshim do të nxjerre vendimin për mobilizimin e trupave turke”. Sipas tyre, ndoshta ende do te ishte e mundur të parandalohet lufta, pasi Fuqitë iu kërkojnë paqe të dy palëve dhe se do të marrin në duart e tyre reformat në Turqinë Evropiane. Diplomati shprehet se është e domosdoshme që Fuqitë të kenë qëndrim të njëzëshëm. 

Pavarësisht këshillave dhe diskutimeve, aleatët ballkanik nuk e respektuan notën e perandorive, Austro-Hungareze dhe Ruse që i paralajmëronte të ruanin paqen dhe të respektonin status quo-në dhe i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Diplomati Girs, pohonte në telegramin nr. 223, të datës 26 shtator 1912, se i ngarkuari me Punë i Malit të Zi, në Kostandinopoje, Pllamenci, kishte dorëzuar detyrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme me një note, në të cilën deklarohej hapja e veprimeve luftarake dhe ishte larguar nga Kostandinopoja. 

Nëpërmjet telegramit nr. 102, më 3 tetor 1912 diplomati Austro-Hungarisë në Mal të Zi, Giesl von Gieslingen njoftonte Vjenën se qarqet qeveritare llogarisin gatishmërinë e ushtrisë dhe javën tjetër pritet shpërthimi i veprimeve luftarake, në qoftë se Bullgaria akoma nuk do të niste sulmin. 

 Në lidhje me situatën në Ballkan dhe pasojat e mundshme, Pallavicini njoftonte Vjenën se lufta në Ballkan është e pashmangshme dhe se nuk besonte në suksesin e Fuqive për të penguar shpërthimin e luftës. Ai shtonte se uniteti ndërmjet Fuqive është katandisur në mënyrë që, kur flitet për “ruajtjen e paqes” ose të “status quo-së” të duket se behet fjale për fraza boshe.  

Shtetet ballkanike ishin te mobilizuara për të filluar luftën kundër Perandorisë Osmane dhe synimet e tyre ishin të qarta. Një pjese e madhe e interesit të përgjithshëm në këtë periudhe ishte edhe qëndrimi që do të mbanin shqiptaret dhe me kë do të vendosnin të bashkëpunonin në lufte. 

Mali i Zi,  ishte shteti që veproi i pari, më 8 tetor 1912, i mbështetur nga Aleanca Ballkanike, duke i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Sipas njoftimeve zyrtare, malazezet kapërcyen kufirin pranë Gucisë më 8 tetor dhe sulmuan bazat turke duke shkatërruar katër fortifikime.  

Pak ditë më vonë, më 17 tetor 1912 Serbia e Bullgaria deklaruan pjesëmarrjen e tyre në luftë, dhe një ditë më pas koalicionit të shteteve ballkanike iu bashkuan edhe Greqia dhe  kapërcyen kufijtë e Perandorisë Osmane. Tokat shqiptare ishin kthyer në shesh beteje. Shqiptaret u përballën me sfida të mëdha, me beteja dhe kryengritje të shumta kundër Portës së Lartë, luftës për mbrojtjen e  territoreve shqiptare nga fqinjët ballkanik. Austro-Hungaria dhe Rusia evitonin përplasjen e drejt për drejte dhe ngjante se interesat e tyre nuk ndeshen me njëra tjetrën, edhe pse simpatitë e tyre ndaj popujve të Ballkanit ishin të ndryshme. Thirrja perandorake otomane për mobilizimin të përgjithshëm, në përgjigje të shteteve ballkanike për ndarjen e Turqisë evropiane ishte thirrje për çdo njeri të aftë për pushke të mobilizohet të mbroje kufijtë. Malazezet sulmuan Shkodrën. Luftime të ashpra pati dhe në vilajetin e Kosovës, Janinës e Manastirit. Betejat ishin të përgjakshme. Nga fundi i nëntorit luftimet kishin përshkruar të gjitha trojet shqiptare.
Fitorja e ushtrive ballkanike kundër ushtrisë osmane gjatë luftës në Ballkan krijoi një situatë të re për rajonin. Pjesa më e madhe e tokave shqiptare ishte e pushtuar. Elita drejtuese shqiptare, gjendej në rrethana të vështira, pasi Lufta e Ballkanike ishte kërcenim serioz për copëtimin e vendit, si dhe për shkak se konfliktet apo kundërshtitë midis Fuqive të Mëdha mund të shkaktonte një tjetër dëm të madh për të ardhmen e Shqipërisë. Ata shfrytëzuan çdo rrethanë për mbrojtjen e territore shqiptare nga copëtimi dhe për realizimin e ëndrrës shekullore të Çështjes Kombëtare. 

Më 28 nëntor 1912 u Shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u formua kuvendi i Vlorës me një qeveri të përkohshme. Ismail Qemali me cilësinë e kryeministrit, dërgoi telegram drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe e Rusisë me anë të cilit njoftonte Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre. Po ashtu, Ismail Qemali njoftoi Portën e Lartë për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe i dërgoi telegram Ministrave të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me dëshirën për të jetuar në paqe me të gjitha shtetet fqinje.

Filed Under: Politike Tagged With: Paulin Marku

Varfëria dëshmi e pabarazisë sociale

October 29, 2022 by s p

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare te Luftës  kundër   Varfërisë (17 tetor) nga ana e mediave në Mal të Zi  janë prezantuar të dhëna statistikore që dëshmojnë  në mënyrë transparente gjendjën  sociale  se varfëria është bërë dukuri kronike  të një  e katërta  e qytetarëve, që kërkon zgjidhje nga institucionet qeveritare në nivel lokal dhe ate shtetëror.

Nail Draga

Ndonëse sipas kushtetutës Malin i Zi është shtet social, varfëria është e theksuar, duke dëshmuar se një kemi të bëjmë me krizë  ekonimike ku me të rrezikuar janë qytetarët me të ardhura të ulta. Të gjithë jemi dëshmitarë se trajtimi i temave të tilla siç duket është bërë preokupim i mediave  në Mal të Zi, duke prezantuar të dhëna të cilat dëshmojnë pabarazisnë sociale, dukuri e cila është bërë kronike në vend por pa përgjigje nga institucionet qeveritare për të gjetur zgjidhje optimale për këtë kategori  të qytetarëve.

Çdo i katërti qytetar në zonën e varfërisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Varfësrisë, 17 tetorit sipas të dhënave në Mal të Zi në këtë vit 77 qytetarë e kanë pritur me shumë së një milion euro në llogaritë e tyre në banka, ndërsa rreth 140.000 qytetarë varfëria iu rri mbi kokë, nga del se çdo i katërti qytetar është i varfër.

E dhëna se qytetarët më të varfër ne vend nga ana e shtetit  marrin ndihmë prej   një korrikut  të këtij viti   76.56 eurove për indvid si dhe 145.55  euro për familje  me pesë apo më shumë anëtarë. Ndërsa ndihmë materiale në qershor të këtij viti e kanë  shfrytëzuar  6.648 familje me  22.481  anëtarë, që janë në gjendje të nevojës sociale.ndërsa popullsia e pa punë është e kërcënuar nga varfëria, ndërsa institucionet qeveritare nuk bëjnë asgjë për që kjo gjendje të zbutet, dëshmon gjendjen e vështirë sociale të qytetarëve në këtë vend.

Shteti social vetëm në letër

Ndërsa në sajë te të dhënave të mëhershme nga Drejtoria e statistikës (Monstat), është dëshmuar që në Mal të Zi rreth 28.000 qytetarë nuk kanë për ushqim e pije, ndërsa çdo i katërti do të thot 146.000 të qytetarëve janë të kërcnuar  nga varfëria sociale apo 23.6% të tyre, ndërsa në rrezik nga varfëria e përhershme është 15.6% e popullsisë, apo 96.000 individë.
Nga ana tjetër të dhënat janë alarmuese sepse  çdo i treti fëmi është në varfëri, ndërsa një e katërta e qytetarëve gjenden në zonën e varfërisë, ndërsa shumica më e madhe e tyre jetojnë me preokupimet e të jetuarit në kohë të krizës së rritjes së çmimeve të ushqimit elementar  pa llogaritur të dhënat tjera që për kohën janë luks i veçantë.

Nga situata e tillë sociale del qartë se Mali i Zi  nuk shtet i  drejtësisë e barazisë sociale por shtet  i monopoleve politike , ku dominon korupcioni  që është shkak i varfërisësë qytetarëve.

Raportët e përgjithshme shoqëroe  dëshmojnë  se në Mal të Zi  është vend tipik i monopoleve politike, manipulimeve dhe korupcionit, dukuri e cila në mënyrë serike prodhon varfëri të qytetarët.

Kuzhinat popullore si zgjidhje 

Ekzistimi i kuzhinave popullore në Mal të Zi nuk janë risi por dukuri të njohura, të cilat mundohën të zbusin varfërinë e pranishme të qytetarëve të cilët janë të rrezikuar në aspektin social. Kështu në qytetin e Tivarit funksionon kuzhina populllore e cila gjatë ditës ndanë 250 racione qytetarëve në nevojë, numër i cili vjen duke u rritur vazhdimisht.Në lidhje me këtë çështje udhëheqësit e kësaj kuzhine  kanë kërkuar ndihmë për ushqime nga donatorë të ndryshëm dhe kanë pasur sukses, ndërsa nga subjektët shtetërore nuk kanë asnjë ndihmë, jo vetëm në nivel lokal por edhe shtetëror.

Mungon  kartoni social

Eshtë për çdo kritikë qendrimi mohues nga institucionet qeveritare siç Ministria e punës dhe çështjeve sociale  të cilët këtë çështje nuk e kanë trajtuar me seriozitet, për të zbutur kategorinë e qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Madje askush nuk e trajton  implemntimin e kartonit social ku çdo shërbim komunal do të identifikonte qytetarët në nevojë, që iu nevojitet ndihma sociale. 

Por, si më parë edhe tash  ndihma sociale është politizuar, sepse në prag të fushatave zgjedhore, ndihma sociale iu është ndarë familjeve të ndryshme e cila si bazë ka pasur përkatësinë politike, e cila ka siguruar numër të konsideruar votash për subjektet politike, si në nivel lokal dhe ate shtetëror. Raste të tilla ka kudo, ku as  Ulqini nuk paraqet përjashtim, dukuri e cila nuk është e panjohur për qytetarët.

Nxënësit kanë nevojë jo vetëm për libra

Nga viti i kaluar shkollor për të parën here nxënësit në shkollën fillore marrin falas tekstet shkollore që ishte një veprim i qelluar i qeverisë, por duhet theksuar nxënësëve iu mungojnë mjetet mësimore, shujta shkollore, bileta e udhtimit, që do të ishte në favor të politikës sociale. Nga ana tjetër mbulimi i shpenzimeve për çërdhet e fëmijeve si dhe financimi   dhe  ndarja e bursave për nxënës dhe student me gjendje të pavolitshme sociale, do të ishte një impuls për të zbutur problemet e varfërisë. Nga ana tjetër si zgjidhje nuk duhet përjashtuar edhe ndarjën e bonave social për mijëra familje për të siguruar ushqimet elementare.

Dallime në aspektin regjional

Situata aktuale ekonomike dëshmon qartë se dallimet në mes të pasurëve dhe të varfërve vjen duke u thelluar. Në këtë aspekt ekzitojnë dallime të  mëdha edhe  në aspektin regjional, ku veriu I Malit të Zi është në pozitë të pavolitshme. Në sajë të anketimt të qytetarëve, disa nuk hezitojnë të theksojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve të Bijellopolës janë të varfër, sepse kanë vështirësi ta përballojnë muajin, sepse jetojnë nga pensionet minimale dhe ndihma sociale, nga del se kemi situate alarmante, andaj kërkojnë ndihmë nga organet lokale e shtetërore. Dhe nga një situate e tillë për qytetarët  ku papunësia është dukuri e pranishme vite me radhë, ku për të rinjët shpëtimi I vetëm është emigrimi në botën e jashtme.

Shumica e punëtorëve janë raste sociale

Duke marrë parasysh se në periudhën e tranzicionit në Mal të Zi, në emër të privatizimit  janë shkatërruar objektët ekonomike, si ata industriale e ajo e ndërmarrjve e repartëve të ndryshme ku është bërë një plaçkitje e përgjithshme.Një veprim i tillë me mbeshtetjen e qeverisë  ka ndikuar që të pa punë të mbesin më mjiëra të punësuar, qe ka ndikuar në varfërinë e përgjithshme të qytetarëve. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur shumica e punëtorëve janë bërë raste sociale, nga del se në kategorinë e të varfërve është çdo i katërti qytetar në Mal të Zi.

Mungon strategjia e pushtet kundër varfërisë

Ndonëse  në fushatën zgjedhore të zgedhjeve të 30 gushtit 2020 si risi për fituesit e zgjedhjeve ishte miratimi i ligjit kundër pasurisë së paligjshme, përveç fjalëve diçka konkrete deri më tash nuk është realizuar. Sepse nëse një ligj i tillë po të miratohej, nuk ka dilemë se një numër i të pasurve do iu konfeskohej pasuria e cila do të ishte dhuratë për qytetarët e varfër, duke ndihmuar pozitën e tyre sociale.  Por, në këtë aspekt është emërgjente që të punohet strategjia e qeverisë kundër varfërisë, çështje e cila ka munguar deri më tash.

Po ashtu theksojmë se në vendet demokratike tatimohen të pasurit dhe ato mjete  dedikohen për rastët sociale.  Një veprim i tillë do të ishte në favor të kujdesit qeveritar për këtë kategori të qytetarëve  sikurse veprohet në vendet me qeveri dhe pushtet të konsoliduar, duke zbutur nevojat dhe dallimet sociale të qytetarëve. 

(Tetor  2022)

Filed Under: Emigracion

Mërgata shqiptare e Amerikës si aset politik, ekonomik e kulturor i kombit tonë

October 29, 2022 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare e Amerikës është pa dyshim një aset i jashtëzakonshëm politik, ekonomik, social e kulturor i kombit shqiptar. Sa herë ka pasur nevojë shteti e kombi ynë, të parët janë përgjigjur shqiptarët e Amerikës. E filloi Vatra, e vazhdo përgjatë gjithë 110 viteve histori, e kryeson sot bashkë me gazetën Dielli veprimtarinë kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare bashkë me dhjetëra shoqata, organizata e klube patriotike të shpërndarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës me në krye Vatrën përbëjnë grupin patriotik më serioz, më energjik, më potent, më vital duke u shëndërruar në një burim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, Kosovën, e trojet shqipfolëse në proceset që kalojnë shtetet tona e shqiptarët në tërësi. Duke qenë se Kosova është një shtet në rrugëtim e sipër në proceset integruese, ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik, e ka të nevojshme të shikojë në diasporë profesionistët dhe ekspertët që ti ftojë për të kontribuar në qeverisje dhe shtetndërtim. Po ashtu edhe Shqipëria e shpallur e mos varme prej 110 vitesh, në tranzicionin e zgjatur 30 vjeçar, klasa politike aktuale ka dështuar turpshëm përballë aspiratave të popullit e kombit shqiptar në rrugëtimin euroatlantik te shtetit shqiptar. Mërgata shqiptare me profesionistë të spikatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat si arkitekturë, shkenca politike, ekonomi, mjeksi, inxhinjeri, shkenca kompjuterike etj, do të ishin një mundësi e shkëlqyer për shtetet tona që të ndryshojë filozofia e shërbimit publik në institucionet shtetërore publike, performanca e punonjësve, depolitizimi i administratës shtetërore dhe mbi të gjitha ngritja e nivelit të ekspertëve dhe vetë shtetit. Fytyra e shteteve tona sot lë shumë për të dëshiruar, militantët ua kanë zënë vendin profesionistëve. Militantët në poste kyçe, porfesionistët ose të pa punë, ose në profile jo të përshtatshme ose më e keqja mbushin gomonet për në Mbretërinë e Bashkuar. Shteti-Partia-Militanti janë bërë një e vetme dhe e pa ndarë duke e monopolizuar shërbimin publik shtetëror, duke e kthyer në një burim korrupsioni, nepotizmi, arrogance në raport me qytetarin e thjeshtë. Si në Kosovë dhe në Shqipëri ka një nevojë emergjente për ndryshime thelbësore në qeverisje, administratë dhe mbi të gjitha në mendësi e filozinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë. Nevojitet një kastë e gjërë profesionistëtsh nga jashtë shtetit, të pa përlyer, të pa përfolur, me integritet të lartë, që të modernizojnë shtetin dhe qytetarët të ndiejnë ndryshimin real nëpërmjet qasjes së re në politikbërje e shtetndërtim. Mërgata shqiptare e Amerikës është një ndër mërgatat shqiptare në botë më të fuqishme në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe social. Mergata shqiptare e Amerikës është një aset i shkëlqyer që nëse përdoret siç duhet nga qeveria dhe opozita, do të rriste në një tjetër nivel elitën politike të vendeve tona si në Shqipëri dhe në Koosvë dhe mbi gjithçka do të lidhte organikisht mërgatën e Amerikës me shtetet tona në Kosovë e Shqipëri. Nëse bijtë më të shquar, mendjet më të ndritura e profesionistët më të lartë të mërgatës shqiptare që punojnë e veprojnë në Amerikë e më gjërë do të ftohehsin në qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, kjo do të shërbente edhe si një pikënisje për mërgatën e Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës, Britanisë etj. Emigracioni politik i pas viteve 90-të i ka varfëruar shumë shetet tona si në Shqipëri e Kosovë e trojet shqipfolëse. Përditë po emigron elita intelektuale e vendit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Politikës së korruptuar i bëjnë alergji profesionisët e ndershëm. Ikja e intelektualëve është një emigrim i tmerrshëm. Profesionistët ndihen të pavlerësuar e të nënvlerësuar e shumë herë të asfiksuar prej militantëve partiakë. Mërgata e Amerikës duhet të ftohet si prej opozitës dhe prej qeverive. Në rast se nuk gjendet hapsira përmes ftesave, vetë mergata duhet ta ndjejë si detyre patriotike përfshirjen në proceset politike për një qeverisje më të mirë si në Shqipëri e Kosovë dhe mbi të gjitha të jetë një alternativë e re morale dhe politike për qytetarët shqiptarë. Politika shqiptare e ka humbur morain e saj dhe të drejtën për t’i besuar për të ndryshuar fatet e shtetit e popullit tonë. Fatet e atdheut duhet ti marrë në dorë mërgata e Amerikë dhe mërgatat e tjera shqiptare nëpër botë me gjak të ri, me moral të ri, me filozofi të re, me profesionistë të rinj për të çuar përpara përparimin, zhvillimin, lulëzimin, begatimin e kombit shqiptar. Situata politike në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet. Kryeministri Rama ka zaptuar çdo pushtet. Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët. Shqipëria po shpopullohet, vendi po vidhet e po varfërohet. Shqiptarët nuk e meritojnë qeverisjen që i vjedh e i rrënon përditë. Më 12 Nëntor 2022 opozita në Shqipëri, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare do të fillojnë protestat për rrëzimin e qeverisë. Të gjithë opozitarët shqiptarë është shpallur se do të protestojnë kundër keqqeverisjes e korrupsionit. Si kurrë më parë në këto procese demokratike delikate, duhet të përfsihen të gjitha mërgatat shqiptare në botë me qëllimin e vetem jo vetëm luftimin e së keqes në qeveri por edhe ofrimin e një alternative të re politike për shqiptarët. Shqiptarët kanë nevojë për alternativë të re. Shqiptarët duhen zgjuar, duhen nxitur, duhen ftuar, duhen afruar për tu përballur me të keqen që qeveris vendin prej 9 vitesh. Që opozita të jetë e besueshme e të zgjojë dëshirën e nevojën emergjente për dryshim te shqiptarët, duhet pikë së pari të ketë fytyra të reja, energji te rëja, moral të ri e mbi të gjitha filozofi e njerëz patriotë që duan të bëjnë Shqipërinë, ta pasurojnë atë, e jo të pasurojnë veten e tyre nëpërmjet qeverisjes së Shqipërisë. Rama u fron shqiptarëve sot keqqeverisje, korrupsion galopant në çdo qelizë të shtetit e pushtetit, mashtrim, lidhje të shtetit me krimin, trafiqe, emigrim masiv, shpopullim, mungesë transparence e llogaridhënëse, arrogancë dhe monopolizim të të gjitha pushteteve. Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur e të tradhëtuar. Mërgata shqiptare e Amerikës duhet të ndërgjegjësohet që të përfshihet masivisht duke marrë pjesë fuqishëm në të gjitha proceset politike në Shqipëri e Kosovë me qëllim që shqiptarët të kenë një qeveri e shërbim dinjitoz. Shqiptarë të Amerikës, shqiptarë të botës: Shqipëria, Kosova, trojet tona kanë nevojë për ne. Atdheu na thërret…

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

O. Henri – Një Gjeni i Tregimit

October 29, 2022 by s p

Naum Prifti/

Të jetosh në Nju Jork do të thotë të prekësh dhe përjetosh tablotë dhe subjektet e përshkruara nga O. Henri, dhe pastaj të pyesësh veten se për kë shkruante ai. Çmimi O. Henry (O. Henri) u prezantua për herë të parë në vitin 1919 për nder të tregimtarit të madh amerikan nëntë vjet pas vdekjes së tij. Është i vetmi çmim letrar i përvitshëm për “tregimin e shkurtër me cilësi të jashtëzakonshme” që sponsorohet me fondet e Shoqërisë së Artit dhe Shkencave. Vitin e kaluar juria vendosi t’ia akordoi këtë nder letrar njërit prej 20 tregimeve të zgjedhura, të cilat ishin fituese të çmimit O. Henri. Gjatë më shumë se një shekulli në listën e fituesve ka shkrimtarë të njohur si William Faulkner, Saul Bellow, Raymond Carver etj. 

Ndonëse O. Henri ka shkruar poezi dhe ese, emri i tij është sinonim me gjininë e tregimit të shkurtër. Ai filloi të shkruante nga fundi i shekullit XIX – një kohë që afirmoi mundësitë e pakufizuara të kësaj gjinie për t’i vënë subjektet ‘rutinë’ të jetës në qendër të pasqyrimit artistik. Sigurisht shekulli XIX nuk shpiku gjininë e tregimit të shkurtër. Rrënjët e tij shkojnë thellë e zgjaten në drurin gjenealogjik si një nga zhanret më të hershme të pranishme në botën letrare. Modele të tregimeve gjenden të ndërfutura te Odisea i eposit homerik (p.sh. rrëfimi i Eumeut, bariut të derrave) te veprat historike të Herodotit dhe vepra të tjera monumentale, si “Historia e Provonjësit të Krisur” te Don Kishoti i Servantesit. Aty tregimet qenë “të mbuluara’ apo përfshira në hijen e rëndë të gjinive të ashtuquajtuara të mëdha. Lëvrimi i hovshëm i industrisë poligrafike e veçanërisht publikimi i revistave e rriti shumë kërkesën për tregime të shkurtra si zhanër më vete. Meqë revistat hyjnë në çdo shtëpi dhe lexohen me endje si nga shtëpiaket ashtu edhe nga familjarët e çdo moshe, audienca u shumëfishua me anë këtij formati të leverdishëm dhe praktik. Në këtë kohë mjeshtërit më të mëdhenj të penës, që nga Pushkini, Balzaku, Dikensi, Tolstoi, Floberi e të tjerë shkruajnë tregime gjë që e popullarizoi gjininë edhe më shumë, pasuroi format e ndërtimit të tregimeve dhe lartësoi nivelin artistik të tij duke e bërë një zhanër të dashur për lexuesin dhe më pas të domosdoshëm për letërsinë.

Kur filloi të shkruante tregime O. Henri ekzistonte një trashëgimi e pasur e një traditë e fortë por ai me talentin dhe origjinalitetin e tij lëvroi një lloj tregimi që mund të quhet “à la O. Henri”. Ç’është e vërteta, këtë lloj tregimi, që i kanë dhënë epitete a kategorizime të ndryshme, si: “me goditje”, ‘ndriçimvetëtimë”, “fund i befasishëm”, e kanë praktikuar tregimtarë të mëdhenj para tij si Mopasani te “Gjerdani” dhe Çehovi te skicat e tij humoristike, por O. Henri, në sajë të mjeshtërisë artistike e ktheu të papriturën në veçanti të përmbajtjes. Lexuesi ‘rrëmbehet’ nga subjekti edhe kur mendon se mund ta parashikojë të papriturën që do të ndodhë në fund të tij. Megjithëse e papritura është një nga “sekretet” në ndërtimin e tregimeve, autori nuk përpiqet të befasojë në mënyrë të sforcuar. O. Henri nuk kërkon me domosdo dhe kurdoherë të arrijë rigorozisht fundin e lumtur. Përfundimi i trishtueshëm ose edhe tragjik i tregimeve është imponimi i jetës dhe për hir të së vërtetës ai e braktis “happy ending”.

O. Henri gjen një zgjidhje të veçantë e të papritur, por këtë e bën për të arritur një fund që bashkon apo shpjegon subjektin. Në pjesën më të madhe tregimet e tij e ruajnë këtë skemë dhe lexuesi pasi lexon katër-pesë syresh e mëson këtë mekanizëm por megjithatë e pret me endje zgjidhjen dhe shpesh befasohet me përfundimin. Çelësin autori e ruan si një iluzionist i talentuar. Ndonëse lexuesit i pëlqenin tregimet, kritikët e quanin shkrimtar të lehtë, që favorizonte gjetjet e papritura duke shfrytëzuar shumë rastësinë e duke krijuar përshtypjen se në jetë kontradiktat zgjidhen lehtë thuajse në mënyrë farse.

Por O. Henri i kushton rëndësi të veçantë subjektit ose me saktë fabulës apo intrigës mbi të cilën thur ngjarjen. Tipik për mënyrën e ndërtimit të subjektit është tregimi “Roman Dashurie i një Agjenti të Bursës” në të cilin çdo detaj është dhënë në funksion të idesë dhe të një përfundim sa të papritur aq edhe të gjetur, që po e përmbledh në pak rreshta. 

Një mëngjes Harvi Maksuelli hyn në zyrë i shoqëruar nga stenografistja e tij Zonjusha Lesli. Kjo nuk shkon drejt në zyrën e saj, si herët e tjera, por rri pak më gjatë afër tryezës së Maksuellit, sikur pret diçka. Pyetja qortuese e Harvit e largon. Me gjysmë zemre fillon punën, ngaqë pret dhe është e sigurt se atë ditë do ta zëvendësojnë. Në zyrë vjen stenografistja e re, por Harvi Maksuelli i kredhur gjer në grykë në punët financiare jo vetëm e përzë, por edhe habitet pse ka ardhur, duke qenë se Lesli punon shkëlqyeshëm. Por në pushimin e shkurtër të drekës, i ngacmuar nga era e jargavanit, nëpunësi i bursës shkon me vrap në tryezën e Leslit, dhe i propozon të martohet me të teksa i kërkon të falur se s’ka nge të bëjë dashuri. Stenografistja mbetet gojëhapur pastaj i rrjedhin lot – mbase ndihet e fyer – por sakaq qesh – mbase ndihet e gëzuar. Ajo i hedh dorën në qafë – sigurisht po e pranon propozimin – dhe i thotë me ëmbëlsi “Harvi i dashur, harrove? Ne u martuam mbrëmë. Dhe vumë kurorë në orën tetë.” Ç’përfundim tjetër mund të ishte kaq grotesk dhe i papritur? Agjenti i bursës ka harruar se është martuar!..

Pasi qeshim me hutimin e Harvit, fillojmë të mendojmë për dramën e vërtetë. Harvi Maksuell, me të hyrë në zyrë, humb çdo lidhje me botën e jashtme dhe jetën personale e njerëzore e kthehet në një mekanizëm, në një burmë të makinerisë gjigande financiare. Çdo mendim, forcë, a veprim është në shërbim të saj sepse siç pohon autori, “në botën e financave s’kishte vend as për ndjenjat e njeriut, as për bukurinë e natyrës.”

Heronjtë e tregimeve të O. Henrit janë të papunët, vagabondët, endacakët, fermerët, nëpunësit e vegjël të administratës, policët, artistë të talentuar por të pafat etj. Nëpërmjet protagonistëve, lexuesi përjeton shtypjen e qytetit të madh si Nju Jorku, shfrytëzimin e përditshëm dhe dëshirën për t’i ikur banditizmit në një lidhje romantike ose aventurë. Ai solli në letërsi edhe zhargonet e endacakëve dhe të pastrehëve pa i banalizuar ato me anë të shprehjeve paksa ekzotike si “tempull i stomakut” për restorantin. Një nga temat që rivjen në krijimtarinë e tij është batakçiu i vogël që bën çmos t’ua hedhë të tjerëve e në shumicën e rasteve e pëson vetë, siç ndodh tek “Etika e Derrkucëve”, “Fëmijët në Xhungël”. Me anë të ironisë, shkrimtari shfaq mirëdashje por është realist. Ndërsa fshikullon vanitetin, mburrjen, filantropinë borgjeze, me atë mënyrën e tij në dukje të shkujdesur, në thelb është prozator i pakompromis i humanizmit, dhembshurisë dhe dëshpërimit njerëzor, si te “Dhuratat e Magëve”, “Pianoja” e gjetkë.

O. Henri vdiq në moshën 47 vjeçare por krijoi një trashëgimi të hatashme letrare me 600 tregime të shkurtëra veç poezive dhe punimeve të tjera. Jeta e tij personale ishte një përzierje aventurash, dhimbjesh e kërkimesh. O. Henri është pseudonimi letrar i autorit William Sidney Porter, lindur në qytetin Grinsobro të Karolinës Veriore më 1862. Bir i një mjeku, ai mbeti jetim nga nëna në moshën tre vjeçare, dhe e la shkollën në moshën 15 vjeçare. Pesë vjet me radhë punoi në farmacinë e xhaxhait të vet. Për arsye se nuk po i ecte shëndeti u shpërngul në Teksas, ku u punësua si ndihmës në punë bujqësore, postier, llogaritar dhe pastaj si sekretar në një zyrë tokash. Më 1887 u martua e fillon të dërgojë skica të shkurtra në gazeta, nga të cilat nuk siguroi as emër, as të holla. Më 1894 bëhet botues e pronar i një reviste letrare “Rolling Stone” në Austin, Teksas, ku boton satira, pjesë humoristike dhe burleske, si edhe skica e ilustrime të tija. Veç talentit për të vizatuar, O. Henri ishte instrumentist dhe pjesëtar i korit të kishës. Ai u padit dhe u dënua për përvetësimin e një shume të hollash gjatë kohës kur kishte punuar si nëpunës banke. Çështja e fajësisë ose e pafajësisë së tij nuk arriti të sqarohej kurrë plotësisht. Për të shmangur dënimin, Porteri u arratis në Honduras për gjashtë muaj, ku krijoi shprehjen “Banana Republic” dhe mësoi pak spanjisht e gjermanisht. O. Henri u kthye vetë në Amerikë dhe iu dorëzua autoriteteve për të kryer dënimin me pesë vjet burg, që caktoi gjykata. Në Kolumbus, Ohajo, ai është i burgosur shembullor dhe meqë ishte farmacist i licensuar punoi me mjekët në spitalin e burgut. Për të ndihmuar bijën e tij të vetme fillon të shkruajë duke përdorur disa pseudonime. Kur mbaroi tregimin “Dhuratat e Magëve” nënshkruan pseudonimin me të cilin do të hynte në letërsinë amerikane dhe botërore. Në një intervistë me gazetën Nju Jork Tajms ai tregon me humor historinë e përzgjedhjes së këtij pseudonimi fatbardhë. O. Henri nuk është autori i parë që shkruan apo nis të shkruajë kryevepra nga qelia e burgut. Servantesi dhe Dostojevski janë të paktën dy nga shkrimtarët e mëdhenj që kanë punuar me krijimet e tyre më të njohura gjatë kohës kur ishin të burgosur. Pasi lirohet nga burgu dy vjet përpara kohe për sjellje të mirë, krijimtaria e tij letrare është vërtet e hovshme. Ai shpërngulet në Nju Jork ose siç e quan ai Bagdad në Subway për të qenë pranë botuesve dhe shkruan një tregim në javë për gati tri vjet për revistën New York Sunday Magazine. 

O. Henri jetoi në periudhën kur kapitalizmi amerikan po shndërrohej me shpejtësi në një fuqi imperialiste. Si shumë autorë të tjerë, ai ishte syhapët ndaj shkeljeve e nëpërkëmbjeve në shtetet e Jugut dhe kundrejt fiseve autoktone indiane. O. Henri nuk u bashkua as me ndonjë parti politike, as me ndonjë rrymë letrare. Si shumë humoristë të tjerë të mëdhenj, ai vetë qe i trishtuar dhe i vetveçuar nga shoqëria e lartë. Protesta e tij ishte protesta e një njeriu me ndjenja demokratike, e pashkëputur nga ideja se të metat e shoqërisë e kanë burimin te e keqja e natyrës njerëzore. Tregimi “Rrugët e fatit” në vëllimin më të njëjtin titull, ilustron fatalizmin e autorit i cili i besonte shumë rastësisë, që e përdor gjerësisht si mjet artistik. Për disa kritikë tregimet e tij për jetën e pjesës jugore të Amerikës dhe në fermat e Teksasit janë më të natyrshme dhe paraqesin tablo më të gjera të jetës si në vëllimin Zemra e Perëndimit (1907) në krahasim me krijimtarinë e tij ku zbulon jetën e metropolit, por vërejnë se në gjithë veprën e tij teknika e nëntekstit është e thurur me mjeshtëri dhe elegancë të rrallë. Në tregimin “Kuadratura e Rrethit” tema qendrore është gjakmarrja por nënteksti e vendos fokusin te pesha e rëndë e qytetit të madh, mospërfillja shkatërruese dhe dëshira për të gjetur një pikëmbështetje njerëzore sado të vogël. Cilësia më e spikatur e krijimeve të tij është humori. O. Henri ka një gaz të çiltër e naiv, që mënjanon banalitetet nga subjektet e tij. Krahasimet e tij origjinale bashkëvënë objektet më të largëta e më të pangjashme, si për shembull titulli i vëllimit të parë “Lakra dhe Mbretër”. Si shumë humoristë të tjerë të mëdhenj, ai vetë qe i trishtuar dhe i vetveçuar nga shoqëria e lartë. Preferonte të hynte në bujtina, të priste në radhët e të papunëve, në stolat e parqeve ku vërente kalimtarët ose rrinte me orë të tëra në hollet e hoteleve duke dëgjuar rrëfimet e udhëtarëve. Në vitet e fundit të jetës O. Henri ishte shëndetlig, i alkolizuar dhe me telashe financiare.

Krijimtarinë e tij e kanë cilësuar “enciklopedi humoristike e jetës amerikane” dhe O. Henrin e kanë quajtur “Mopasanin Amerikan”. Qëkurse lexova tregimin e parë të tij në Shqipëri kam ndjerë admirim për të si tregimtar dhe një lloj miqësie të pashpjegueshme me dikë që nuk do kisha fatin ta takoja kurrë. O. Henri vdiq në Nju Jork në qershor 1910. Unë erdha këtu në vitet ‘90. Jeta dhe rutina e përditshme e nju jorkezëve është e pranishme në çdo faqe të vëllimeve me tregime të botuara gjatë viteve të jetës në metropolin e madh si te Katër Milionë (1906) Llampa e Reduktuar (1907), Zëri i Qytetit (1908), I korruptuari Xhentil (1908), Rrugët e Fatit (1909), Mundësitë (1909), Vetëm Çështje Biznesi (1910), Rrotullorja (1910). Tri vëllime me tregime dhe shkrime të tjera u botuan pas vdekjes. Në vitin 2011 Presidenti Obama i dha falje presidenciale posthumous – një gjest simbolik – në të njëjtin vit që O. Henrit ju dedikua një pullë postale nga shërbimi postar amerikan. Edhe pse ai prehet në vendlindjen e tij në Karolinën Veriore, në Nju Jork unë pashë nga afër tablotë e jetës që kishte përshkruar O. Henri, mjerimin në mes të luksit dhe vobektësinë në mes pasurisë përrallore, si edhe protagonistët disi të romantizuar të tij si të pastrehët, lypësit, endacakët, shitëset e kioskave. Unë e pata admiruar stilin dhe humorin e O. Henrit përpara se të lexoja tregimet e tij dhe në këtë kuptim afërsia me të nuk është rastësi. Më mjafton të kujtoj proverbin e tij për sekretin e të shkruarit për të cilin natyrisht do binim dakort. “Nëse ajo që ke shkruar nuk të kënaq ty, atëherë nuk ka sesi të kënaq publikun. Por, kur je duke shkruar, harroje publikun.”  

Filed Under: Kulture Tagged With: Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT