• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Kalendari historik-11 Tetor 1991: Tre opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare

October 11, 2022 by s p

 -Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi. “Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, Tetor 2022/ Në Prishtinë para 31 viteve, në 11 Tetor 1991, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata e 11 partive politike kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Në vitin 1991, Referendumi për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 Shtator me  99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990,  pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 Majit 1992.

Presidenti historik i Kosovës, i zgjedhur atëherë, Dr. Ibrahim Rugova,  në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para çerek shekulli për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  shprehej se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”,  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

-“Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”, ishte një nga pyetjet gjatë intervistës, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

-“Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

DOKUMENTI I PLOTË:

DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:
Deklaratë politike
 A)     Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;
  B)     Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave;
 C)     Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë përsovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;
D)     Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpërprocedurë policore.
E)      Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët eKuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën përPavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.
Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:
1.    Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.
Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.
Prishtinë, 11 tetor 1991
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi
Dr.Ibrahim Rugova, kryetar
1.     Lidhja Demokratike e Kosovës
2.     Partia e Prosperitetit Demokratik
3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi
4.     Partia për Veprim Demokratik
5.     Partia Fshatare e Kosovës
6.     Partia Shqiptare Demokristiane
7.     Partia Parlamentare e Kosovës
8.     Partia Socialdemokratike e Kosovës
9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
10.     Partia Popullore Shqiptare
11.     Partia Demokratike Shqiptare

MË 22 KORRIK  1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS

Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera. 
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë. 
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

Filed Under: Politike

Gjeneral * Ahmetaj me Ambasadorin e Ukrainës: “Nderim dhe mbështetje pakushtëzuar ndaj kombit martir”

October 11, 2022 by s p

“Shumë i privilegjuar të pritesha nga Ambasadori i Ukrsinës, Sh.T.Z Volodymyr Shkurov si dhe mundësinë për të ndarë Konsiderata Strategjike për disa nga opinionet e publikuara, mbi:

Dinamikën e përballjes përgjatë 235 ditë/netë luftime heroike; marrjen nga Rusia të inisiativës strategjike të luftës si dhe riciklimin e kërkesës zyrtare të Ukrainës për t’ju bashkuar NATO-s.

Solidaritetin, kohezionon historik si dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Aleancës Transatlantike, USA/NATO/BE dhe mbarë bota e qytetëruar.

Referendumet nën tanke, mobilizimin me pranga dhe sulmet fashiste (rashiste) mbi popullsinë civile, spitalet, shkollat dhe banesat e civilëve janë prova të bishës së tërbuar nga humbja turpëruese që e pret Kremlinin për pushtimin nje vendi sovran, por dhe të diskretitimit gjeopolitik të Rusisë Putiniste në mbarë Botën, përfshi Detin e Zi, Mesdhe, Ballkan, etj!

Shqipëria mbështetje jo vetëm me solidaritet të pakushtëzuar dhe ndihma më shumë se modeste por edhe të aspiratës zyrtare të Ukrainës për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO)!

Përulje për të renët në luftë, respekt për sakrificat sublime dhe nderim për qëndresën martire të kombit Ukrainas !

Ret.Gen Piro Ahmetaj,

Expert për SK, Rajonin & NATO;

Zv/President i AtlanticCounsil”!

Filed Under: Emigracion

STUHIA  E  BALLKANIT     

October 11, 2022 by s p

( Këto janë gjëra që i kam përjetuar në lëkurën time, si viktimë i një procesi të krijuar në saje të shpifjeve dhe akuzave mashtruese, të kurdisura nga djajtë e epokës kominternist , ose vetë Djalli  që quhej : UDB). 

Nga  Nafi  Çegrani

( Dinjiteti i njeriut të devotshëm përballë intrigave  të nëntokës udbashiane dhe që u bëri sfidë prangave, i përballur me dënimin me vdekje-pushkatim! A thua, përse kështu, vallë?) 

Ne shqiptarët si  racë e veçantë që jemi, gjithmonë kemi jetuar dhe luftuar me sakrifica e guxim, kemi qenë zemërgjërë dhe tolerues në kohë dhe rrethana mjaft të rrezikshme për të  ndihmuar të tjerët, dhe shpesh jemi bërë viktimë. Madje duke e ndihmuar edhe ardhjen e sistemik komunist, në beteja të  ndryshme, ose edhe për të mbetur gjallë. Në ato dekada trishtuese të sistemit monist, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, madje edhe gjatë epokës së UDB-s,  e cila ishte  agjencia më e sofistikuar e spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë, e ne shqiptarët kemi qënë edhe të zhgënjyar, edhe kurban ballkanit,- do të thoshte shkrimtari I shquar Luan Starova. Madje e kemi paguar shtrejtë edhe lojërat e tyre tinzare dhe të fshehta me prapavija provokuese dhe të tensionuara, të cilët në kurriz të shqiptarëve janë bërë edhe manipulime dhe zhvillime të egra operacionesh të frikshme, duke mbajt mbi shpinë Gurin e Sizifit! Dhe kemi qënë përherë në antagonizma edhe me vetvehten.Mjerisht ! Por, mund të jemi të BASHKUAR  si  KOMB   në shtrirjen e shtigjeve tona, sidomos tani pas shembjes së sistemit të frikshëm komunist dhe udbs, të cilët mbi ne shqiptarët ngritën strategjinë e paparë antishqiptare dhe të shovinizmit të tyre të egër, me misione perfide, duke vënë në jetë një veprimtari të çuditshme operative me mekanizma mashtrimi dhe lufte të fshehtë. E tani, ne shqiptarët, mund të jemi të bashkuar si një trung,vetëm atëherë kur të na vetëdijesojë dhe mësojë Amerrika, NATO  dhe BE, sepse jemi një popull i veçantë në shtigjet ballkanike që kemi një gjuhë, kulturë, zakone dhe një histori, dhe  kështu jemi të CAKTUAR   nga Zoti. Megjithatë, përsëri them: mjerisht në kohë dhe hapësira kemi qënë dhe akoma jemi edhe shumë të përçar, jo pse jemi popull që kemi tri fe. Kurse fenë, të jesh myslimanë, katolik apo ortodoks, është çështje tjetër që në shekuj e kemi zgjedhur  vetë. Feja nuk ka të bëjë me racën e gjakun, me kombin. Ajo është çështje tjetër, sepse NE jemi  një TRUNG që ka rrënjë të thella në këtë tokë të lavruar me kopita kuajsh dhe të mbjellur me kafka njerëzish në  histori shekujsh  sa është vetë jeta…! Nuk ka dyshim se  kjo ka të bëjë me një realitet të brendshëm të përndezur ndjenjash  jete në kohë dhe beteja , ka të bëjë me të qënurit si komb  i lashtë me shumë sakrifica dhe i viktimizuar, si popull me një histori të bujshme dhe tradita që na dallojnë nga popujt tjerë, edhe në luftëra që nga kohërat iliro-dardane, të kohës së Skënderbeut dhe më pas, ku shqiptarët gjithmonë kanë qënë të ngërthyer me baticat dhe zbaticat e shekujve, duke u përlesh egërsisht me jetën dhe vdekjen, mes rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta ose të hakmarrjes, nderit  dhe  dashurisë, e që na bëjnë të mendojmë thellësisht për sfidat dhe brengën për të mbijetuar dhe mbetur  gjallë në këtë cep të Ballkanit. Sepse UDB-a dhe KOS-i jugosllav si një makineri e madhe dhe e tmerrshme me vite e dekada, me kombinimet e veta operative dhe të spiunazhit shovinist antishqiptar, ishin katandisur me një SY  të madh djalli ndaj shqiptarëve duke angazhuar rrjete të tëra informatorësh me emra të koduar dhe misione secrete të cilët vepronin në të gjitha republikat e Jugosllavisë, e veçmas në Kosovë… 

***  

 Ne ishim pesë  vëllezër e një motër!- i thash  në deklaratën time hetuesit. Nëna jonë, një grua e thjeshtë me ndjenja të mira, po bëhej çdo ditë  më krenare kur ne vazhdonim mësimet, dhe unë do diplomoja për mësues në Normalen e Shkupit. Ajo sakrifikonte çdo gjë për shkollimin tone. Vëllau i madh Syla  iku në Amerikë për një jetë më të mire. Tre të tjerët pas meje, Irfani njashtu u diplomua për mësuar, por edhe ai vajti në Amerikë. Vllau Tefiku u diplomua si jurist në Prishtinë, por nuk e gjente veten dot në një shoqëri të korumtuar dhe nga KQ i Lidhjes  Komuniste trajtohej si jo  i ,,volitshëm,, ose më mire të them  i  ,,papërshtatshëm,,!  Vllau më i vogël vazhdoi studimet në degën e sociologjisë, por mbeti pa perspective! E ëma jonë, disi dukej e shqetësuar, dhe gjatë gjithë jetës  mbeti  e heshtur. Ne çuditeshim tek e shihnim të rrinte  e tillë dhe e mvrojtur… Ajo e fshihte arsyen e grevës së saj, që të arrinte të mos na shihte ne të uritur. Ndërkohë vraponte me trasta në duar  në rrugëtimet e gjata me tren gjer në Zenicë të Bosnë, duke pritur me ditë e netë të tëra para portë së burgut, ku i biri i saj, Kreshniku,  dergjej i dënuar me vdekje. Dhe duke qarë pa zë, duke ngulshuar e lodhur dhe e rraskapitur nga lodhja dhe maltretimet që ia bënin, gdhinte  sërish net të tëra pa gjumë, pa ngrënë e pa pirë… 

,,… Një ditë kur fëmijët u kthyem  nga shkolla,  në der të banesës erdhi  një polic  i cili në dorë mbante një letër dhe një kuti prej kartoni e adresuar ne emrin tim!,,- rrëfen gruaja e Kreshnikut. Polici na tha që  ta nënshkruanim letrën- vërtetim se e kemi pranuar pakon. 

,,Çfarë është kjo?- e pieta policing. Por ai nuk i përgjegj, vetëm duke murmurit, tha se do e shikoni vetë. Dhe iku kokëulur duke murmurit diçka në gjuhën e tij  serbosllave ose sllavomaqedonase. Porsa  e hapëm me fëmijët kutijën prej kartoni, sytë na mbetën të ngulitura në teshat: një palë kostumi, nja dy këmisha dhe disa cikërime të tjera të  bashkëshortit tim të cilat na vinin nga burgu… E hapëm edhe një cope letër e shkruar zyrtare dhe e vulosur nga Gjykata e Zenicës, dhe duke e lexuar, mbetëm të shtanguar. Në letër thuhej: ,,Këto janë të gjitha që la Kreshnik Kalaja sa ishte gjallë. Pushkatimi u krye me date kaq e kaq në orët e hershme të mëngjesit të atij dimri!,, Fëmijët nisën të qanin me zë. Dy vajzat nisën të shkulnin flokët…

,, A thua e kanë pushkatuar  lidhur me pranga  babain  tone?,,- kishin pyetur fëmija. 

Por, ajo,gruaja e Drajfusit, Qama, e cila ishte një grua e vuajtur dhe me moral shumë të lartë, kishte hesht si një malësore e vërtetë e cila ishte mësuar t’u bênte ballë stuhive dhe rrebesheve të jetës ! 

Filed Under: Analiza

GJURMË TË REJA PËR FISIN BOJAXHIA – NËNË TEREZA

October 11, 2022 by s p

Kolec Çefa/

Me dobsue e zhdavaritë mjegullën e historisë së fiseve tona d.m.th. me hjedhë dritë e me ndriçue historinë e popullit tonë. E vështirë, jo vetëm per mungesën e dokumentave, por edhe per faktin se fiset tona kanë ardhë duke ndërruar mbiemrin familjar nga ndeshtrashat e jetës.

Madje, nder regjistrime mesjetare ka raste kur dy vëllazen mbajnë mbiemra familjarë të ndryshem: Giac Angeli vëlla i Andrea Kabashit; Andrea Angeli detto Abrashi etj. Ose njëri vëlla a degë fisi, mbante mbiemrin sipas profesionit, vëllai tjetër mbiemër fshati nga ka shtegtuar, sidomos herën e mbrame, vëllau tjetër ruante atë të fisit).

Në këtë hulli, unë po kërkoi gjurmët e fisit Bojaxhia, per të dalë me gëzim te dita e paharrueshme 26 gusht 1910, që na dha Nënën e dashurisë, Nënën e shquar Tereze, a mrekullinë hyjnore të kohës moderne, Nënën me gjak shqiptar, nderuar në tërë botën, që solli në vatrën shqiptare çmimin Nobel.

Më kujtohet ajo plakë e moçme: e shkurtër, e thatë, e brishtë, por çuditnisht me vitalitet race: mënçuri praktike, ide krijuese, e forcë të rrallë vullneti zbatues. Virtytet etnike, si pasuri trashiguese shpirtërore, i pasuroi me virtytet teologale, dhe hyri si ndriçim i ri në qenien tonë, në jetën tonë të perditshme, duke ndezur dimensionin shpirtëror tashmë mjaft të ftohur nga diktatura. Ajo hyri si realitet i ngrohtë, jetësor e frymëzues, e duhet të vazhdojë me ne, në historinë tonë, sidomos në këto kohë europiane, sepse Ajo kishte frymëzimin hyjnor në shpirt e “fjalët e jetës së pasosur” ndër buzë!

Në mënyrë panoramike, po hetoi rrënjët e fisit, trungun familjar e frutin më të pjekur të këtij fisi shqiptar, me kombësi, me gjuhë, me karakter!

Rrënjët e fisit

Biografët e Nënë Terezës nuk janë thelluar për fisin e saj, veç permendin në mënyrë evasive hapësirën gjeografike të Bojaxhive tanë, madje nuk njohin çiftin antroponimik Bojaxhia-Bianki. (që Bojaxhia-Bianki janë një fis, këtë e dëshmojnë dokumentat arkivore, edhe korespondenca e familjes Suma, të cilën ma ka pasë dhënë trashiguesi i kësaj korespondence i ndjeri Karlo Suma. Sot korespondenca është te mjekja Terezina Suma).

Ç’lidhje ka ky fis me Abat Pjeter Biankin e kohës së Koncilit të Arbënit, apo me Biankejt e Nenshatit, a Dom Mark Biankin a Imzot Biankin, kryeipeshkvin e Durrësit etj. mbetet për t’u hetuar.

Në fillim të shekullit XVII, në arteret e Shkodrës sonë, po nisë të qarkullojë një gjak i ri energjik kombtar. Fiset tona malore po i afrohen qytetit tonë verior e bashkë me palcin kombtar të lagjeve periferike po i rrasën qytetit, po e zmadhojnë atë, duke shkruar historinë e tij, stoike e të dhimbshme. Shiroka, Ana e Malit, Shtoji, Rëmaji sherbyen si katapulta nga hidheshin në qytet, në fillim, pjestarë familjesh malësore, pastaj familje e fise, duke i dhënë qytetit jetë e gjallëri.

Me këto edhe fisi Bojaxhia, mbiemrin e parë të të cilit, si duket, popullsia e qytetit ia ka ndërruar, duke e emërtuar me emrin e profesionit të fisit, njëpërnjë, si: Kovaçi, Saraçi, Tenexhiu, Qerraxhia etj. Apelativi Bojaxhia, huazim nga turqishtja, e zbuloi veten relativisht vonë në gjuhën shqipe. Kolë Ashta,  studiuesi i vëmendshem i leksikut historik të gjuhës shqipe, nuk e gjenë fjalën bojaxhi në shumë vepra mesjetare shqipe. P.sh: nuk del kjo fjalë te Fjalori i Buzukut, as te Fjalori i Pjeter Mazrekut, 1633, as Fjalori i Frang Bardhit, 1635… ndersa te Fjalori i veprës së Bogdanit “Cuneus Propfetarum”, del apelativi bojë. Gjithashtu nuk del as në dokumente të tillë, si: “Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë v.I (1507-1592) përgatitur nga Injac Zamputi, as në “Dokumente të shekujve XVI-XVII, për historinë e Shqipërisë,v.III (1603-1621) përgatitur nga Injac Zamputi.

Çabej, duke studiuar prapashtesën xhi, nder emra vepruesish, si huazime nga turqishtja, thekson se disa emra profesionesh janë bërë nëpër qytete emra familjesh. Në gegërishtën mbarojnë me –a, (bojaxhia), edhe në serbokroatisht, me –a; në toskërishten me –u, (bojaxhiu). (shih: Çabej, Studime gjuhësore, v.III).

Studiuesi më i thelluar, botuesi më i vëllimshem e biobliografi më i njohur, njohësi personalisht i Nënë Terezës, Dr. Dom Lush Gjergji ka shkruar: “Mbi prejardhjen e familjes Bojaxhiu, per fat të keq, nuk kemi burime të shkruara, dokumente historike, por vetëm traditën e gjallë gojore dhe shumë kujtime historike. Një gjë është më se e sigurtë: ishin nga Prizreni. Ja dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Gonxhe Bojaxhiut: “Në familjen tonë gjithmonë ka qenë e gjallë tradita dhe bindja se jemi nga Prizreni… Disa kanë mbetur atje në (Egjypt), të tjerët janë vendosur në Shkodër apo ngjeti, si, p.sh. në Shkup, kurse një pjesë e vogël ka mbetur në Prizren”. Z. Kaçulini, për origjinën tonë, më tha kështu, vazhdon Lazër Bojaxhiu, sipas Dr. Dom Lush Gjergjit, “Bojaxhia ka qenë familje e madhe tregtarësh dhe tregtia e tyne arrinte madje deri në Misir. Një pakicë mbeti në Prizren apo u vendos në vende tjera, si p.sh. Shkup. Edhe pse ishin të shperndarë në vise të ndryshme ata prapëseprapë vazhduen traditën e tyne familjare, fetare e kulturore. Kujtimi për Prizrenin u mbajt gjithmonë i gjallë”.

Dihet me siguri se është fis shqiptar

Me gjuhën e dokumentave ne flasim kështu:

Sipas Regjistrit të pagëzimeve të Imzot Pal Kamsit (rreth vitit 1737) nder familjet katolike që banojshin në qytet, shënohet edhe familja Bianki…edhe Bojaxhia. (Lexuar më parë nga revista jezuite “Perparimi”, shih edhe Gj.Sheldija, “kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës e dioqezat sufragane, f.62. Dr. Nevila Nika në veprën me vlerë “Dioqeza e Shkodrës gjatë shekullit XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore”shënon se, personat e krezmuar në famullinë e Tophanës, më 10 gusht 1789…Anton Bianki. Permendet, tashmë, si nunë (dëshmitare) edhe Luçia Bianki.

Potencialin ekonomik të kësaj familjeje e ka studiuar edhe Dr. Adrian Papajani dhe e ka paraqitur në veprën “Veprimtaria ekonomike e firmave tregtare shkodrane Çoba dhe Bianki (1795-1912). “ Dokumenti i parë, i cili hedh dritë mbi blerjen e pronave tokësore nga familja Bianki është një akt shitjeje që i takon vitit 1773.

Jak Bojaxhiu në këtë vit blenë një kopësht me vlerë 36000 akçesh… Gjatë viteve 1773-1859 brenda një periudhe 87-vjeçare rezulton se familja Bianki ka blerë 14 copë ara dhe 1 kopësht”. Pra, lehtë xjerret perfundimi se gjatë shekullit XVIII ky fis, kjo familje a pjestarë të kësaj familjeje jetojnë e punojnë në Shkodër. Madje zhvillon një veprimtari të gjallë tregtare dhe ka krijuar një pasuri të admirueshme, si pronare tokash, arash, livadhesh, kopështesh, dyqanesh brenda në qytet dhe në fshatrat perreth.

Por pemën gjenealogjike të familjes Bianki (Tab. B) dhe shtrirjen e saj, mendojmë se nuk e ka dhënë të plotë. Në vazhdim të pohimit tonë se fisi Bojaxhia (përkthye në Bianki gjatë veprimtarisë tregtare me vendet e hueja, sikurse edhe familja Zezaj, perkthyer në Negri, etj.), perveç regjistrimit të padyshimtë e të pagabueshëm të Imzot Pal Kamsit, regjistrim i njëkohshëm, kemi edhe të dhëna tjera që e vertetojnë ekzistencën e tyre në Shkodër. U ka ikur syrit të studiuesve një dokument që gjëndet në AQSH, një testament italisht i bërë në Shkodër, më 30 janar 1781 ku: Stefan (Shtjefen) Bojaxhia shëndosh mendërisht, por i rënduar fizikisht u lë me testament pasurinë e tij gruas (pa përmendur emrin) pavarësisht nëse do të rrijë a nuk do të rrijë me fëmijët e mi… si edhe hisen e shtëpisë që është e saja… Fëmijët e mi i lë në duar të vëllaut tim Jakut… Dëshmitarë janë …, Jak Bojaxhia,…, Pjetri i Jak Bojaxhisë, famullitari Dom Françesko Borzi (Borci). Kështu, ky dokument tregon qartë se pema gjenealogjike dhënë për këtë fis, nuk është e plotë, sepse nuk përmendet i vëllai më i madh i Jakut, Shtjefni e linja e tij, si dhe linja tjetër në Tiranë. Sa per Tush Biankin, që shënon Dr. Papajani, martuar me Filipen, shënojmë se Tush e Pjeter është i njëjti emër, i njëjti person.
Studiuesi Stavri Naçi, që më 1956 duke botuar “Testamente të Shkodrës”nga fondi i klerit katolik që gjëndet në AQSH, përmendë disa emra tregtarësh, nder të cilët, më 11 gusht 1798, Anton Bojaxhia, si edhe tregtar  që duhet të paguajë taksat doganore, si:…

Jak Bojaxhia, viti 1834-1848.

Nga Regjistri i Kompanisë së Shën Rrokut, të Shirokës, (filluar më 1791, i shkruar italisht, regjistër i panjohur, i pastudiuar, po nxjerrim çka do të na interesonte:

Më 1 gusht 1852, Z. Jak Bianki lë 500 piastra me detyrën me thanë meshë, katër në vit, sipas ndjetit të tij.

Më 1 qershor 1858 Filip e Shtjefen Bianku lënë  500 piastra për shpirtin e së ndjerës nënës sonë Luçia Bianki, lindur me mbiemrin Mesi… Më 18 nëntor 1858 Jak Bianki i ka lënë për shpirtin e tij Kompanisë së Shën Rrokut për me celebrue meshë… Po, më 1870 përmendet Luçia Mesi, Stef Bianki… Kështu pra, si duket kjo familje a këta pjestarë familjeje në këto vite gjëndeshin në Shkodër a Shirokë. (Atëherë Shiroka ishte si lagje e Shkodrës)

Gjurmët e kësaj familjeje në Shirokë, i ka hetuar inxhinier Ndoc Rakaj, prej Shiroke që shkruan se familja Bojaxhia ka banuar në Shirokë të Shkodrës, në lagjen Buza e Gegës.(“Mbas Teje, nr.110, viti 2003). Shtoj: a thue ka lidhje toponimi Buza e Gegës, me emrin e Gegë Bojaxhisë?

Nikë Pavaci (si më kumton Anton Benusi) ka deklaruar: “Në një darkë festive, në familjen Pavaci, ku janë prezent edhe P. Anton e Pader Mark Harapi, Pader Antoni na ka thanë: “Një vajzë që asht pershkue në katundin tonë dhe sot ndodhet në Indi, mendoj se do të bahet shejtneshë”. Edhe në hipotekë të Shkodrës, siç kumton z. Benusi, figurojnë prona të familjes Bojaxhia, në krye të Pazarit të Vjetër, afer mullirit të Dan Hasanit. Edhe unë ia kam arritur rrugicës Bojaxhijej, tabela për të cilën ka qenë deri vonë. Kjo familje ka patur lidhje me familjen (me origjinë kosovare) e Kolë Margjinit, mësuesit të denjë për t’u nderuar. Madje, meqë “shpija e Bojaxhijejve nuk kishte oborr, si tregon Antoni, Lazri e lente kalin e vet te kjo shpi”.

Familjet Bojaxhia a Bianki u permendën deri tashti si familje tregtare e bamirse dhe me prirje fetare. (Në disa dokumenta, Terezës Bianki i kërkojnë lëmosha, qoftë për kisha, apor të ndryshme dhe Tereza ka filluar të shperndajë pasurinë e vet, si duket edhe nga që nuk kishte trashigimtar).

Më poshtë po japim të dhëna që vërtetojnë se kjo familje ka qenë edhe familje patriotike. Familja Bianku është numëruar si  ndër familjet e para (të përmendura) të Shkodrës. Gjatë Lidhjes së Prizrenit mund të shohim interesin e këtij fisi për çështje patriotike, dhe ndihmën e dhenë për çështje kombëtare, sado që ishte në Venedik me filial. Në një letërkëmbim intim Gasper Çoba njofton Stef Biankin, në Venedik, më 1878 se popullsia katolike, nga ana e saj, ka zgjedhur katër vetë për çështjen e Lidhjes së Prizrenit, se “me këto katër të kështenë që janë në komision deri tashti jena fort konden prej sish se kanë ditë me kodhanis punen fort mirë per vend tonë e kastan gjindena rahat e sherbes çmos kurr”. Ejell Çoba i shkruan nga Shkodra më datat 10 e 20 prill 1880: “…Tue kontrastue kishin thanë që keni kollaj me vu, se Filipit Jakut nuk e gjenë kurrgja me i vu (me pague k.ç.) 10 a 12 mijë grosh, edhe Stefës (Biankit, k.ç.), Sums, Parrucs e disa tjerve… Shpiave të para 2000… Stef Biankit, Parucës, Dajës Filip (Biankit k:ç.) vll. Shiroka”, … “ e katër shpijave të para i ka vue 8 mijë pj.(astra), d.m.th. dajs Filip, ty (Stef Biankit), Gjon Sums, Parucs)”…“Mramë erdh Gjoka e Sima prej Tuzit edhe Malcija po del per Ulqin… Na pa gjak s’dona me i lshue”. (Shkodër, 21.IX.1880).

Gjurmët e familjes Bojaxhia në Tiranë na i zbulon i pari, persa dimë ne deri sot, Imzot Ambrozio, kryeipeshkev i Durrësit, :“Pashko Gegë Bojaxhiu,… djali i tij Kola ishte zgjedhur nga Imzot Rafael D’Ambroziu në vitin 1864, prokuror personal i tij pranë Qeverisë Otomane të Tiranës dhe per këtë lëshoi edhe prokurën si vijon”: “Në bazë të nenit 9 të Rregullores së re, nënshkruar nga Porta e Lartë, në marrëveshje të plotë me Legatat Europiane në Konstatinopojë misionet kishtare dhe mugadet e huaja kishin të drejtën e një prokurori dhe përkthyesi, nënshtetas otoman. Këta gëzonin të drejtën e nëpunësave konsullorë dhe privilegjet e mbrojtjes kohore. Kolë Pashk Gegë Bojaxhiu ishte nënshtetas i qeverisë otomane dhe katolik i Tiranës, i cili, për sa kohë që do të qëndronte në atë zyrë, gëzonte të drejten e mbrojtjes, perjashtuar nga taksat personale (Bedëllija), moskryerje angarish dhe perjashtim nga shërbimi ushtarak. Këtë prokurë Imzot Rafael D’Ambrozio ia lëshoi Kolë Bojaxhiut, më 28 maj 1864.

Në vitin 1864 emrat e Kolë e Rozë Bojaxhiut shkruhen në regjistrin  e Shoqërisë së Përshpirtshme të Kurorës së Artë me këtë motivacion: “Për mirëkryerjen e detyrave martesore. (shih materialet e Imzot D’Ambrozio në Arkiv dhe Dom Mark Dushi, Tirana dhe rrethinat e saj, T. 2005, f. 40-43). “Në gushtin e vitit 1865 Stefan Herceku bleu në Tiranë kopshtin e shtëpisë së Kolë Pashk Gegë Bojaxhisë që ishte afer me kishën katolike të Tiranës”. (D.Mark Dushi, Tirana e rrethina e saj, T. 2005, f. 43).

Atëherë: Familja Bojaxhia-Bianki e fillon jetën e vet të dokumentueme në Shkodër-Shirokë që nga viti 1737. Mendimi i studiuesit Dr. Papajani se:”…familja Bianki (Bojaxhia) ishte me origjinë nga Berati…”, mbështetur te pohimet gojore të një nga pjestaret e fisit Bianki të quajtur Jelena Bianki e cila është martuar me Mikel Çobën”, kërkon studim e vërtetim, se ndoshta kjo i perket periudhës para vitit 1700. Gjithashtu duhet rishikuar edhe pema e dhënë gjenealogjike, mbasi ka pikëpyetëse. Potenciali ekonomik i fisit, mbrenda dhe jashtë vendit, si edhe virtytet e fisit, fetare e kombëtare, tashmë janë bërë të njohura. Lëvizjet e këtij fisi të përmendur nga Shkodra, Tiranë, Prizren, Shkup e ndoshta në ndonjë vend tjetër, duhen parë më hollësisht.

Trungu i fisit

Kolë Bojaxhia, (1873-1918) i nderuari i Shkupit, gëzonte respekt për kontributin burrëror, për patriotizmin e tij, për ndjenjat e tij fetare e shoqërore, burrë i pjekur, bujar pa masë e trim sa ta duesh, i aftë për të dhënë këshilla. Martuar me Dranden besnike, (1889-1972) ai merrej me punën e tij të përditshme, me tregti, (ishte ortak me një shoqëri italiane, si edhe me një tregtar venedikas, bënte tregti me madhëra koloniale, me sasi të mëdha. Puna dhe jeta i ecnin mbarë, pa harruar detyrat e përditshme familjare e shoqërore. Kolë Bojaxhia kishte dy vajza: Agen (Agata) 1905-1974 e Agnes (Anjeze), e cila thirrej Gangje (1910-1997). Kishte edhe një djalë, që, sipas zakonit shqiptar, kishte trashiguar emrin e gjyshit, pra Lazer (1908-1981). Edhe ky, me gjithë të shoqen, merreshin me tregti.

Sipas kujtimeve, Kola ishte patriot i madh, ishte militant për bashkimin e Shqipërisë. Krerë fisesh mblidheshin në shtëpinë e tij e bisedonin punë Shqipërie. Ai ndertoi të parin teater në Shkup.

“Një herë, kujton i biri, bashkë me bashkësinë e Shkupit, shkoi në mbledhje në Beograd. Kur u kthye, ishte shumë i sëmurë… vdiq në rrethana të dyshimta”.

Heret i filluan hallet Drande Bojaxhisë: ishte nga Prizreni, me prejardhje nga Bernaj, i shoqi i vdiq i ri, fëmijët qenë të vogjel, ndonëse nga një familje me gjendje të mirë ekonomike, ajo filloi të varfërohej ekonomikisht. Lazri kujton: “Ishte grua e qëndrueshme, aktive, shumë e fortë, e pathyeshme. E butë, e dashur, shumë bujare, zemër për të varfër, shumë e divoçme. Më duket se Ganxhja është shumë e ngjashme me nënën Loke”. Më në fund, më 1934 Drandja vjen e jetoj në Tiranë, bashkë me djalin e saj Lazrin e vajzen e madhe Agen. Më 1937 i shkruan së bijës letër: “E dashur bija ime, mos harro se shkove në Indi për t’u ardhë në ndihmë të vorfenve”. Më 1972, vdiq në Tiranë, pa mundur të shihte bijën e saj të dashur, vdiq me emrin e Gangjes në gojë! Ganxhja nuk u lejua të vinte as te varri i saj!

Lazri “ishte njeri i mirë, i dashur, i përzemërt”. Ndoqi studimet në Austri, zotëronte italisht, frengjisht, gjermanisht, kroatisht. Më 1939 shkoi në Itali, si refugjat politik, aty u martua dhe lindi Agen. Para se të vdiste, i bëri një vizitë Nënë Tereza. Vdiq, më 1981.

Agia studioi për ekonomi. “Në fillim punoi si përkthyese nga serbo-kroatishtja në shqip, si pohonte i vëllai, më vonë u ba spikere e radios. Deri në pension ishte anëtare e korit të Radio Tiranës. Edhe Agia vdiq pa parë as Ganxhen, as Lazrin.

Arrijtëm te fryti më i pjekur i fisit

Nëna Tereze për familjen e vet shprehej kështu: “Kemi qenë një familje tejet e lumtur, me plot gëzime dhe dashuri, me një fëmijëri të qetë”. Në këtë familje të vërtetë e të shëndetshme, lindi më 26 gusht 1910 vajza e Kolë Bojaxhisë që u pagëzua në Katedralën e Shkupit me emrin Agnes (Anjeze) Bojaxhia e njohur me emrin perkdhelës Ganxhe, ndersa, si nunë krezmimi pati Z.Tereza Muzhanin, grua me aftësi të rralla tregtare e bamirëse e madhe. Shkollën fillore e kreu shqip me mësues shkodranin e njohur Engjell Ndocaj. Menjëhërë, ra në sy si nxanëse e mirë, si vajzë e talentuar si veprimtare aktive. Kryesisht, kishte prirje për letërsi dhe këndonte shumë bukur.

Në Shkup kaloi fëmijërinë e parë, e gëzuar në familjen e vet të mirë. Ky fëmijë jo i zakonshëm e zbuloi heret vetveten: në Kishë, prirjet e saja të forta shpirtërore; në shkollë, të dhënat e qarta intelektuale; në mjedisin shoqëror, dëshirën e sinqertë për t’u sherbyer tjerëve. Dallohej si fetare e divoçme, si nxënëse e mirë e si këngëtare e veçantë. Qe e bukur, e talentuar, e shkathtë, e shoqërueshme, bamirëse. Më 1928 e shtangu familjen e vet, kur i tregoi thirrjen e fshehtë për t’u bërë motër e të gjithëve, merziti shoqërinë me lajmin se do të largohej nga Shkupi, e varfëroi veprimtaritë e famullisë së vet. Për çudi, Shkupi e përcolli te stacioni i trenit, i dha një përshëndetje të ngrohtë, të përmallshme, të përlotur: familja me lot ndër sy, shoqëria me mërzi në zemër. Vetëm prifti qe i gëzuem. Shkupi mbeti pa Gangjen, Ajo do të shperthejë hiret e saj të çmueshme shumë larg.

Në tren, gjatë udhëtimit, shkroi poezinë “Lamtumirë”. Kishte qejf të shkruante poezi!

Me petkun e saj të ri, sarin e bardhë, anash blu, me rruzaren në dorë, shkoj në lagjën e të vuajturve.“Çdo të diel unë vizitoj të varfërit e lagjeve të varfëra të Kalkutës. Nuk mund t’u ndihmoj gjë, se nuk kam gjë prej gjëjë, por shkoj për t’i gëzuar”. Dhe shkoj tek ata që kishin uri e etje, tek ata që kishin nevojë për ushqim e strehim, tek ata që donin mjekim e ilaçe. Dhe të vuajturit, të varfërit, të sëmurët, të braktisurit, të zhveshurit, të papërkujdesurit, handikapatët, fëmijët me të meta, iu afruan të pikëlluar e fituan ngushëllim, iu afruan me shpresë e fituan buzëqeshje, iu afruan me lutje e fituan ndihmë, pa kurrfarë dallimi, as feje, as race, as krahine, as gjuhe. Ajo pohonte: “…duke jetuar në harmoni me  të gjitha besimet, mund të bëhesh një katolik më i mirë, nji indu më i mirë, një musulman më i mirë … sepse dashunia është universale, i jep lavdi Zotit e i sherben njeriut”.

Citoj: ”Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem, pa dyshim,  një shenjëtëreshë e fshehur, do të mungoj  vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”. Ajo e dinte se buzëqeshje e saj u lehtësonte dhimbjet, përkdhelja e saj u gëzonte zemrat, fjala e saj u ushqente dëshirat.

Nëna Tereze dhe Shqipëria

Nëna Tereze ishte shqiptare e vërtetë: me gjakun tonë, me gjuhën tonë amtare, me karakter shqiptar. Dhe kjo është aksiomatike. E ka deklaruar vetë shumë e shumë herësh, me zë e me shkrim. “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane…”. Së fundi: në një letër që i dërgon Presidentit, ( dy artikuj për këtë ka shkruar edhe Prof. Shaban Sinani), më 1989 i shkruan: “I dashur Zoti President i vendit tonë të dashur Shqipëri, Pas kaq vitesh…më në fund i miri Zot më dha këtë dhuratë të bukur të vij dhe të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu… dhe këtu vdiqën. Dhe unë pata mundësinë të vizitoj varret e tyre…

Edhe në bisedën me Presidentin, Nëna shprehet: “Unë jam shqiptare dhe në të njëjtën kohë lidh Shqipërinë me Indinë…”. ..

Sh.Ramiz: Ju e kuptoni mirë gjuhën shqipe.

Nënë Tereza: Sigurisht e kuptoj, po nuk mund të flas.

Vëllait të vet, Lazrit, në Itali i shkruante edhe shqip. Dhe ajo vetë u shpreh: “Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flas shqip”. Referuesi ka pasë fatin të rrijë me Nënë Terezën gjithësaherë ka ardhë ajo në Shkodër, kuptohet, jo vetëm për vetëm me Të, por mbaj mend mirë që ajo e kuptonte gjuhën shqipe, por nuk e fliste. Njëherë e provokova: I fola shqip, ajo u pergjigj anglisht. Edhe Pader Aleksi i foli shqip (“Do të hapim edhe kishën e fretenve”) dhe ajo u pergjigj anglisht. (“ Kishat i hapim na, ju shtini njerëzit mbrendë”).

Shkodra i hyri në qejf, edhe Shkodra e desh e e nderoi me zemër.“Një herë, siç tregon Anton Benusi, vizitoj Bankën e Shtetit Shkodër, aty pau shumë nëpunëse. Njena bante muhabet, tjetra po piqte kafe, një tjetër po thekte rriskën e bukës… Atëherë Nana Tereze, sillet e u thotë: “Më duket se jeni tepër këtu, bani mirë, gjysa me ardhë e me sherbye te shpija jeme”.

E njohur në të tëra gjuhët e botës me emrin Madre Tereze, pritej e percillej pa kufij shtetërorë. Vetëm në atdhe të vet nuk e lejuan të kthejë, qoftë edhe për të vënë një kurorë në varret e nënës e të së motrës. Qeveria shqiptare nuk e njohu, nuk pranou, madje e shau. Edhe kur fitoi çmimin “Nobel”, nuk dërgoi as formalisht një delegacion a një përfaqësues.Vetëm Imzot Nikë Prela, shkodran, ipeshkëv i Prizrenit, shkoi me sekretarin e tij Dr. Dom Lush Gjergji për ta uruar, se kishte  lartësuar emrin e atdheut tonë. “Në  Oslo, shkruan Dom Lushi, përbënim një familje të vogël shqiptare: Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, vëllai i Nënës Tereze, Lazer Bojaxhiu, bija e tij Age Bojaxhiu dhe unë”. Erdhi në Shqipëri, më 15 gusht 1989 për herë të parë, qëndroi deri 18 gusht. U kthye më 1990, kërkoi të sjellë motrat e veta, por u kundërshtua në emër të ligjit. “Ndërroni ligjin”, pati replikuar. Në dialogun e Nënës me Presidentin, po shkëpusim:

– Shoku Ramiz Alia: “Ne e kishim detyrim ndaj jush si bijë e popullit shqiptar.

Ne nuk japim çmime Nobël”.

– Nënë Tereza: “Ju më jepni një shtëpi!”.

Ktheu më 1991dhe erdhi përsëri, pruni motrat e veta, herën e fundit më 1995.

Në letrën e saj, më 16 gusht 1989 i shkruan: ”Presidentit të vendit tonë të dashur Shqipëri … Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat dhe shpresoj që së bashku do të bëjmë diçka të bukur per Zotin dhe popullin tonë” Dhe Presidenti, iu përgjigj, më 2 shtator 1989: “Të jeni e bindur, se ky shqetësim i juaj për njerëzit e varfër, përbën dhe detyrën humane e patriotike për mijëra e mijëra djem e vajza të popullit tonë, që si mjekë e infermierë si kujdestarë e edukatorë i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSSH e dekoroi me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasës I. Në motivacionin e dekorimit nuk ka asnjë motiv fetar, katolik, për të cilin ajo zhvilloi tërë atë veprimtari të paharrueshme, por thjeshtë si “e frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit… si shpirti i rrallë i sakrificës me ndjenjen e lartë të humanizmit…”. Pastaj: Urdhëri kombëtar “Naim Frashëri” a nuk është pak per një personalitet botëror si Nënë Tereza?

Ndër këto kohë moderne e të emancipuara, shembull më edukues, më bindës, më frymëzues, se te kjo femër e madhe, nuk gjej; gjurmë më të thella, më të skalituna, më të pashlyeshme, se te kjo motër e shquar, nuk shoh; emër më të përhapur, më të ndritshëm, më të vlerësuar se te kjo Nënë e dashur, nuk dëgjoj: Është kontributi katolik në atdhe, kontributi shqiptar në botë.

Nuk gaboi Kardinal Paskaj, kur tha: “S’mund të jetë popull i vogël, ai që ka dhënë një Nënë kaq të madhe, Nënën Tereze”!

Pëgatiti për botim: 

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Filed Under: Fejton

Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari po marrin pjesë në konferencën dhe panairin vjetor “AUSA 2022” në SHBA

October 11, 2022 by s p

Me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2022” në Washington.

Me këtë rast, përveç pjesëmarrjes në sesionet e konferencës dhe panairit vjetor, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari u takuan me përfaqësuesit e kompanive më të njohura prodhuese të industrisë amerikane të Mbrojtjes, respektivisht pajisjeve ushtarake dhe po ashtu u njoftuan me zhvillimet më të fundit teknologjike në këtë fushë, përmes prezantimeve informuese si dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Nga aktivitetet përkatëse, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari theksuan rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka kjo pjesëmarrje për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake, avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate, të kemi në proporcion edhe investimet tona në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Gjithashtu me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se gjatë vitit 2021 kemi investuar në këtë drejtim 96% më shumë sesa në vitin 2019, ndërsa deri në fund të këtij viti pritet që investimi të jetë 99% më i lartë. Synimi ynë është që Ushtria e Republikës së Kosovës të jetë e pajisur me armatimet më moderne ushtarake, e gatshme për të përballuar të gjitha sfidat e sigurisë.

Përveç takimeve gjatë panairit me përfaqësues të kompanive të industrisë amerikane të mbrojtjes, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari do të kenë takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit, me Zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl, Drejtorin e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), James Hursch dhe Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjeneral Daniel R. Hokanson. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite ditore pritet të takohen edhe me personalitete tjera të larta politike e ushtarake, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Vizita përkatëse e Ministrit Mehaj dhe Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpreh fuqishëm partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT