• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

ETËRIT FRAÇESKANË NË SHQIPËRI PËRGJATË TETË SHEKUJVE ZHVILLIMET E FURISHME HISTORIKE TË KËTIJ URDHËRI

October 29, 2022 by s p

Vula e Provinces Franceskane te Shqiperise-Maqedonise se vjeter
Shen Jeronimi

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Është bërë tashmë i njohur nga shumë studiues roli shumë pozitiv i Urdhërit të Françeskanëve në Shqipëri për ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe traditës shekullore shqiptare përgjatë sfidave 500-vjeçare të sundimit osman dhe më vonë edhe atij komunist. Shkollat e niveleve të ndryshme akademike në gjuhën latine në territoret shqiptare janë të njohura gjatë gjithë mesjetës, ndërsa mësimi edhe në gjuhën shqipe, sipas dokumenteve të njohura deri tani, në shkollat e hapura nga françeskanët daton që nga viti 1638 (Palaj, Mitologji …, 150). Natyrisht që studimet dhe kërkimet për këtë Urdhër duhet të thellohen, duke ballafaquar gojëdhënat, legjendat me dokumenta, dorëshkrime e burime të tjera që ruhen si në arkivin e Urdhërit Françeskan, ashtu edhe në arkiva dhe në biblioteka të tjera, natyrisht pa lënë mënjanë literaturën e shumtë të botuar nga anëtarët e Urdhërit dhe studiues e hulumtues të tjerët.

Sipas legjendës, françeskanët për herë të parë në Shqipëri i gjejmë që në fillim të Urdhërit të tyre, përkatësisht që në kohën e vetë shën Françeskut, i cili duke u kthyer nga Siria në vitin 1220, ndalet në Lezhë, dhe vë themelet e Urdhërit të tij në Shqipëri. Te Kuvendi i Zojës shën Mëri, në fakt, në gurin sipër derës së saj, ishte gdhendur mbishkrimi: Hoc templum Fratrum Minorum aedificatum est anno Domini MCCXXXX, gjë që të bën të mendosh se kisha është ndërtuar në vitin 1240, por sipas një dorëshkrimi nga viti 1720, të at Lorenzo-s, kjo kishë është më e vjetër sepse mbishkrimi fillimisht sipas tij duhet të ketë qenë në greqisht, e më vonë të jetë përkthyer e gdhendur edhe në latinisht. Po sipas legjendës, Shën Françesku mori me vete nga Lezha një fidan pishe të cilin e mbolli në Venedik në kuvendin Eremo. Kjo pishë, për shekuj me rradhë, u njoh me emrin “Pino di San Francesco”. (Shih Gubernatis, Orbis, lib. V, 414; Fabianich, Storia, v. II, 337; Sirdani, Françeskanët, 12; Gurakuqi, Françiskanët …, 88).

Nëse nuk duam të bazohemi në legjendën e sipërpërmendur,  por duam të argumentojmë në bazë të burimeve dokumentare, atëherë mund të themi që françeskanët e filluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri të paktën në fillimin e vitit 1236. Këtë e vërteton bula e papës Gregori IX (1227-1241) e lëshuar më 22 maj 1236 (viti i dhjetë i pontifikatit të tij), në të cilën shkruhet se atje ka “disa rregulltarë të cilët tani vonë kanë shkuar në atë krahinë, me dëshirën e tyre” (Farlati, Illyricum Sacrum VII, 35; Marković, Dukljansko, 98-99). Megjithatë, të gjithë studiuesit dhe historianët që merren me historinë e këtij urdhëri janë të një qëndrimi se, së paku që nga viti 1240 Urdhëri i Françeskanëve ishte aktiv dhe vepronte në territoret shqiptare. (Civezzam, Fabianich, Gonzaga, Gubernatis, Holzapfel, Malaj, Sirdani, Šufflay, Thalloczy, Wading, etj). 

Figura e parë qendrore françeskane e njohur në Shqipëri është Gjoni nga Plano Karpini që ishte edhe kryeipeshkëv i Tivarit (1248-1252, Eubel, Hierechia…, v. I, 92). Kur Gjoni nga Plano Karpini u emërua nga papa Inocent IV (1243-1254) si kryeipeshkëv i Tivarit, ishte koha kur pas përpjekjeve të shumta për autonomi nga Raguza (sot Dubrovniku), Veriu i Shqipërisë po i piketonte ndjenjat e shqetësimit jo vetëm kundër Raguzës, por edhe kundër papatit, i cili për shkak te mosnënshtrimit ndaj kryeipeshkvisë së Raguzës kishte çkishëruar disa ipeshkvë të Tivarit. Në këtë kohë, të gjitha ipeshkvitë e Shqipërisë Veriore ishin sufragani të kryeipeshkvisë së Tivarit: Arbëria, Balleci, Deja, Drishti, Prizreni, Pulti, Shasi, Shkkodra, Shurdhahu, Ulqini, ndërkohë që sufragani të kryeipeshkvisë së Durrësit ishin: Kruja, Lezha, Stefanika, Kunavia, Vregu, dhe Vlora. Në këtë situatë Gjoni nga Plano Karpini kishte detyrën e vështirë që jo vetëm të përmirësonte marrëdhëniet e shqiptarëve me papatin por edhe t’i fitonte shqiptarët për papatin dhe t’i drejtonte ndjenjat dhe interesat e tyre kundër armikut të papatit. Shuflai thotë që Gjoni nga Plano Karpini ishte pararendës i një sistemi që më vonë nuk do të zbatohej në asnjë vend tjetër me aq efektivitet sa në Shqipëri: me ndihmën e selisë papnore, Tivari, dhe më vonë e gjithë Shqipëria, do të shndërrohej në një bazë operative të perëndimit kundër ortodoksisë dhe sllavizmit, dhe vetë Gjoni nga Plano Karpini u bë luftëtar i vendosur i të drejtave metropolitane të kryeipeshkvisë së tij.

Gjoni nga Plano Karpini, i zgjedhuri i kurisë papnore për të drejtuar kishën dhe kryeipeshkvinë e Tivarit në shek. XIII, është vërtetuar tashmë që mund të cilësohet pa frikë si një ndër diplomatët më të zotë të këtij shekulli. Kryeipeshkvia e Tivarit iu dha atij si shpërblim pasi kishte kryer me sukses një mision shumë të rëndësishëm diplomatik me mongolët. Këta të fundit, në shek. XIII, ishin ushtarakisht kërcënues shumë seriozë të Evropës. Fakti që kryeipeshkvia e pakonsoliduar e Tivarit u konsiderua dhuratë e denjë si shpërblim për një ndër misionet më të sukseshme të këtij shekulli, flet vetë për rëndësinë universale që kjo kryeipeshkvi kishte për katolicismin dhe më konkretisht për papatin. Ai në fakt kishte qenë vazhdimisht në kontakt me Romën, por papati kishte nevojë për një njeri krejt të besueshëm në krye të kësaj kryeipeshkvie që të mund ta përdorte Tivarin si bazë për të vepruar me sukses të sigurt në Ballkan. Durrësi do të kishte qenë po ashtu një bazë mjaft e mirë, por deri në shek. XIII, me gjithë lidhjet latente me Romën, ai ishte një kështjellë e fortë e ortodoksisë, dhe investimi aty nga ana e papatit nuk ishte krejt i sigurtë. (Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Gjoni nga Plano Karpini (1182-1252) kishte lindur në Perugia, në Piano di Carpine (sot Magione) dhe ishte bashkëkohës i shën Françeskut prej Azizit, murg françiskan që luajti një rol të madh për përhapjen e urdhërit të françeskanëve në Evropën qendrore dhe lindore. (Šufflay, A. Alb. v. I nr. 191; nr. 222; Theiner, Mon. Slav. v. I, nr. 100; Farlati, Illyricum… v. VII, 36-41). Bashkë me Cesarius nga Speyer, ai shkoi në vitin 1221 në tokat gjermane dhe themeloi shumë kuvende franceskane atje. Ne fillim e zhvilloi aktivitetin e tij në Rheinland dhe Sachsen si themelues kuvendesh dhe organizator i urdhërit të françeskanëve dhe prej vitit 1228 udhëhiqte provincat e gjithë urdhërit në Teutoni dhe Saksoni duke e shtrirë aktivitetin e tij deri në kufijtë më në veri dhe në lindje. (Marković, Dukljansko, 189-190; Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Misioni i Plano Karpinit nuk ishte më pak i lehtë në Tivar. Emërimi i tij në këtë kryeipeshkvi nuk ishte as i rastësishëm dhe as privilegj përsa i përket komoditetit. Tivari ishte ndoshta pika e dytë e nxehtë në politikën papnore, pas shmangies së përkohshme të sulmeve mongole. Gjeografikisht Tivari ishte pika më strategjike për luftën kundër ortodoksisë. Kjo ishte pika më jugore që do të mund të shërbente si bazë për aksionet katolicizuese të papatit në Ballkan. Tivari, pra, do të ishte grep për Ballkanin ortodoks, i cili njëkohësisht mund të ishte shumë lehtë i prekshëm nga sulmet e myslimaneve, dhe të bëhej një urë kalimi e tyre për në Evropën perëndimore. 

Në shek. XIII, vetë kryeipeshkvia e Tivarit ishte mjaft e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme që i kanoseshin qoftë nga kryeipeshkvia e Raguzës (Dubrovnikut), qoftë nga interesat e Serbëve. Kryeipeshkvia e Raguzës ishte e interesuar që Veriun e Shqipërisë ta mbante nën jurisdiksionin e saj dhe për këtë qëllim ajo ishte përpjekur vazhdimisht gjatë shekujve të fundit, dhe jo pa sukses, që të fitonte përkrahjen e papëve. Serbët e kërkonin Tivarin për shkak të pozitës së favorshme gjeografike që do t’u bënte të mundur daljen e drejtpërdrejtë në detin Adriatik. Forcimi i Republikës së Raguzës dhe i Kotorrit, po i detyronte sllavët e jugut që të kërkonin rrugë të reja më pak të kushtueshme për të dalë në Adriatik, dalje këto që në mesjetë ishin vitale për mbarëvajtjen e një vendi.  Përsa i përket interesave fetare, ortodoksët ëndërronin ta kishin Tivarin pikënisje të shtrirjes së autoritetit të tyre në Dalmacinë katolike dhe pse jo edhe në Evropë. Megjithatë ky interes i sapopërmendur nuk mund të artikulohej qartë për shkak të shpresave të pakta që linin zhvillimet pro-latine të interesave të kësaj zone. 

Duke qenë i emëruar nga vetë papa me një titull shpërblim, Plano Karpini pati gjithë mbështetjen papnore për ta ngritur kryeipeshkvinë e Tivarit me sukses në rangun e kryeipeshkvive shumë të rëndësishme. Ai vetë u bë një luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e kryeipeshkvisë së tij. Si kryeipeshkëv i Tivarit ai arriti të mbledhë nën jurisdiksionin e tij poste të tilla si  primat i Serbisë dhe metropolitan me sufragani Ulqinin, Budvën, Shasin, Shkodrën, Drishtin, Pultin, Sapën, Danjën, Lezhën dhe Arbërinë. Përveç këtyre dioqezave ekzistonin edhe abaci benediktine, pothuajse po kaq të rëndësishme sa edhe ipeshkvitë, por që ishin të varura nga ipeshkvitë respektive. Abacitë benediktine ishin: shën Gjoni i Shtojit në dioqezën e Drishtit, shën Kolli i Bunës në dioqezën e Ulqinit, shën Maria e Rotecit në kryiepshkvinë e Tivarit, shën Mria e Ndërfandënës në dioqezën e Lezhës, shën Pali ose Shpali në dioqezën e Lezhës, shën Sandri i Malit në dioqezën e Lezhës, shën Sandri i Molendinës në dioqezën e Arbërisë, shën Shirgji dhe Baku në dioqezën e Shkodrës, shën Shtjefnit, e Pultit, shën Sofia e Danjës, të cilat i zhvilloi shumë si nga pikpamja e zellit fetar, ashtu edhe nga pikëpamja e ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre. (Lala, Roli i Kryeipeshkvisë…, nr. 26, f. 88-91).

Pas vdekjes së Gjoni nga Plano Karpini (1 gusht 1252), në selinë e kryeipeshkvisë së Tivarit kemi në vazhdim edhe dy kryiepshkvë nga radhët e françeskanëve: Gufridon (1253-1254) dhe Laurentin /Hortanus de Portugalia/ (1255-1270), të cilët me sukses vazhdojnë rrugën e filluar nga pararendësi i tyre Gjoni. (Eubel, Hierachia…, v. I, 92; Gams, Series…, 393; Marković, Dukljansko, 190).

Që nga krijimi i kuvendeve të para françeskane e deri në vitin 1402, të gjitha këto i ishin bashkangjitur kustodisë së Raguzës, Provinca e Sllavonisë, me seli në Split përkatësisht në Zarë. Më 13 dhjetor të vitit 1402, papa Bonifaci IX (1389-1404), pas lutjes së provincialit të Zarës, Nikollës, i ndan nga kustodia e Raguzës, Durrësin Shasin, Shkodrën, Ulqinin dhe Tivarin duke themeluar Kustodinë e Durrësit dhe njëkohësisht për territoret të tjera ku vepronin misionarët françeskanë themelohet Provina e Maqedonisë, e cila nënkupton Shqipërinë. Nga viti 1464, pas kapitullit të mbajtur në Pashman të Kroacisë, territoret e kuvendeve të lartëcekura shqiptare, iu bashkangjitën kustodisë së Kotorrit, deri në vitin 1585, kur për territoret e Shqipërisë themelohet një Komesariat me autorizime të veçanta, [Malaj. Djelovanje…, 226], i cili  kishte edhe vulën e tij të veçantë me tekst: Sigillum Comissari provincae Ordinis Minorum Regula. Observancie. Lart ishte e shënuar AGP dhe figura e shën Mërisë, ndërsa poshtë S.B. dhe figura e shën Vllahut, shenjtit mbrojtës të Raguzës. [Shih ilustrimin dhe Gonzaga. De origine…, v. I, 53]. Si Komesariat i themeluar i urdhërit françeskan, ai ishte i 31-të me radhë, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit të urdhërit /gjeneralit/ dhe kishte pesë kuvende: Sebastin, Lezhën, Rubikun, Mamlin, dhe Kepin e Rodonit. Pas pushtimit turk, Provinca e Maqedonisë /Shqipërisë/ për shkak të vështërsive të shumta dhe numrit shumë të vogël të kuvendeve, /kishin mbetur vetëm 5 të tilla/, shndërrohet në Kustodinë e Shqipërisë, [Gonzaga, De origine…, 624; Sirdani, Françeskanët…, 35], e cila në vitin 1592, kthehet përsëri në Provincë, me dekretin e papa Klementit VIII (1592-1605), të cilit i paraprijnë vendimet e Kapitullit të Përgjithshëm të Françeskanëve mbajtur në Napoli, në vitin 1589, që kishte një shtrirje territoriale mjaft të gjërë dhe madje përfshinte gjithë provincën e Bosnjës, të Dalmacisë, Dubrovnikut për të arritur deri në detin Jon e në Akajë. [Fabianich, Holzapfel, Sirdani]. 

Sipas Gubernatis (Orbis Seraphicus…, lib. IV, 414), më 13 dhjetor të vitit 1634, pas kërkesës së ripërsëritur të ipeshkvit të Sapës, Gjergj Bardhit, dërgohen në Shqipëri misionarë françeskanë, për shkak të mungesës së priftërinjve, sepse urdhërat e tjerë ishin larguar nga Shqipëria për shkak të përndjekjeve nga turqit. Mundësimi i qëndrimit të françeskanëve në Shqipëri ndoshta ka lidhje me një ferman të sultan Mehmetit II, një fragment të të cilit po e botojmë më poshtë edhe pse ne jemi të prirur ta shikojmë atë me rezervë. Arsyet për një veprim të tillë janë të shumta. Një ndër kryesorët është se tani për tani nuk disponojmë dokumenta dhe të dhëna të tjera burimore që do të mund të na bindnin për efektshmërinë, zbatueshmërinë dhe aplikimin real të këtij fermani në kohën kur është lëshuar, kur në anën tjetër janë të njohura dhuna, raprezaljet, vuajtjet dhe shkatërrimet në masë të ushtruara jo vetëm ndaj objekteve të kultit, por edhe ndaj klerikëve të të gjitha rangjeve në atë kohë. 

Fermani në fjalë, i sulltan Mehmetit II, është lëshuar më 28 maj 1463, origjinali i tij ruhet në Kuvendin Françeskan të Fojnicës, në Bosnje. Sipas këtij fermani, françeskanët gëzonin, të paktën në letër, një lloj të drejte dhe mbrojtje formale. Në ferman ndër të tjera thuhet: “Unë Fatih Sulltan Han shpall para gjithë botës se françeskanët e Bosnjës dhe Shqipërisë, për të cilët del ky ferman, janë nën mbrojtjen time dhe urdhëroj që as njerëzit, emrat e të cilëve shpallen këtu dhe as kishat e tyre të mos shqetësohen e të mos dëmtohen. Ata le të jetojnë në paqe e të qetë brenda perandorisë time. Të gjithë këta njerëz të rënë në gjendje refugjati le të jetojnë të lirë e të sigurtë. Le të kthehen ata në çdo pjesë të Perandorisë e të vendosen e të sistemohen pa frikë nëpër manastiret e tyre. Askush nga rrethi i nderuar i padishahut, nga vezirët dhe nga nëpunësit e mi, nga shërbëtorët dhe qytetarët e perandorisë nuk do të cënojë dinjitetin e këtyre njerëzve dhe nuk do t’i dëmtojë ata. Askush të mos cënojë jetën, pasurinë dhe kishat e këtyre njerëzve, të mos i shohë e trajtojë keq dhe të mos i rrezikojë ata.” [Përkthimi dhe redaktimi i tekstit të fermanit të Sulltan Mehmetit II është marrë nga Shqipëria Etnike. Shkodër, 4. VII. 2001, nr. 2. (http://www. shqiperia-etnike.com)]. 

Nëse kthehemi disa dekada më herët, p.sh. në shek. XIV, do të vërejmë se misionarët shqiptarë [por jo vetëm këta], shërbenin në tërë territorin e Dalmacisë dhe të Puljes. Sipas burimeve dokumentare vetëm gjatë shekujve XIV-XV, në territorin e Raguzës shërbyen më shumë se 30 priftërinj të urdhërave të ndryshëm benediktinë, domenikanë, françeskanë etj. Këta vinin nga territoret shqiptare si Balleci, Deja, Drishti, Durrësi, Lezha, Pulti, Sarda, Shasi, Shkodra, Tivari, Ulqini. [Šufflay, Jireček, Sirdani, Malaj, Lala, etj.]. Nga Urdhëri i Françeskanëve kanë shërbyer ndër të tjerë: Cipriani nga Tivari në vitin 1288, i cili shkoi te mbretëresha Helena si i dërguar i papës Nikolla IV; Shtjefni nga Shkodra në vitin 1300, i cili është vikar i kuvendit Male Braće në Dubrovnik; Luka nga Tivari më 1340; Ndreu nga Shkodra, guardian në Dubrovnik më 1347; Ndreu nga Durrësi, guardian në Dubrovnik, më 1348, 1371, 1382; Dhimitri ishte kustos në Dubrovnik më 1348, i cili më vonë u emërua ipeshkëv i Stefanikës më 1354 dhe pastaj kryeipeshkëv i Durrësit më 1363; Nikollë Marku nga Ulqini më 1349 dhe 1354; Gjini nga Arbëria më 1349; Minori dhe Sergji nga Durrësi më 1355 dhe 1384; Arnoldi nga Shkodra më 1362; Minori nga Durrësi, mësues i teologjisë dhe provincial i Dubrovnikut më 1377-1385; Gjergji nga Tivari misionar në Tokën e Shenjtë më 1382; Shtjefni nga Shkodra lektor i teologjisë më 1395; Nikolla de Samaxiis, më 1395, ambasador i Gjergjit II Balshës në Venedik, që njëkohësisht ishte dhe doktor i teologjisë; Margarizi (!) nga Drishti më 1406; Nikolla nga Durrësi provincial i Dubrovnikut më 1432, 1437, 1445; të cilit Senati i Dubrovnikut i kërkon në vitin 1432 që të kthente disa libra, që kishin qenë në pronësi të kuvendit të Male Braće; Mateu nga Tivari më 1434, i cili dëbohet nga Dubrovniku për pesë vjet; Ndreu nga Durrësi, doktor i shkrimit të Shenjtë, provincial dhe inkuizitor i Dubrovnikut në vitin 1438, më vonë ipeshkv i Senjit 1443-1456, i cili në vitin 1436, ishte dëshmitar me rastin e promovimit për doktor në Padovë të Gjon Gazulit (ky i fundit ishte për shumë vite rektor i kuvendit të domenikanëve në Dubrovnik), etj. [Malaj, Djelovanje…, 227]; Nikolla nga Arbëria më 1440, provincial i Dalmacisë. Këta priftërinj, në udhëheqjen e kryeipeshkvit, Ndreut nga Durrësi, (1388-1393) në vitin 1391, në Dubrovnik themelojnë “shoqatën” e tyre me emrin: “Sodalitas presbyterorum sub patrocinio S. Petri.” 

Me pëlqimin dhe këshillin e Urdhërave të Domenikanëve dhe Françeskanëve në vitin 1291, u rindërtuan dy dioqeza të pastra shqiptare, ajo e Shurdhahut dhe e Sapës. Por veprat bamirëse nuk kanë munguar asnjëherë prej dhe ndaj tyre. Si ilustrim sjellim dy shembuj shumë domethënës, për kohën dhe vetë personalitetet që bënë këto vepra. Helena, mbesa e Enrik Dandolës, dogjit të Venedikut, ishte martuar me Shtjefnin, zhupanin e madh të Serbisë (Stjepan Prvovjenčani); Helena tjetër, e martuar me Uroshin I, mbretin e Serbisë, ashtu sikurse edhe e para, shquhen për bamirësi dhe favore të ndryshme ndaj Urdhërit të Françeskanëve, në Shqipëri, ndër të tjera edhe për rindërtimin e kuvendeve, abacive, kishave dhe manastirve të ndryshme, p.sh. në vitin 1288, Helena, mbretëresha e Serbisë, së bashku me të motrën e saj, Maria de Chau, ndërtuan kishën dhe kuvendin françeskan të shën Mërisë në Shkodër, kuvendin e shën Markut në Ulqin, kuvendin e shën Françeskut në Tivar, etj. [Sirdani, Françeskanët, 16, 19, 66), dhe shumë institucione të tjera religjioze të cilët Balaan i numëron deri në 30.

Pas vitit 1677, misionarët françeskanë filluan të vepronin në katër prefektura apostolike. Në atë të Kosovës (Serbisë), Maqedonisë, Pultit dhe Kastratit. Sipas relacionit të V. Zmajeviqit, nga viti 1702, [Bartl. Quellen…, v. 20/II dhe AFP, SR. Albania, v. IV], provincial në Shqipëri, me seli në Kepin e Rodonit ishte at Martin Gjonima. Nga vdekja e këtij në vitin 1719 e deri në vitin 1827, Provinca humb autonominë e saj dhe provincialët emërohen direkt nga udhëheqësi i rendit, [Malaj. Apostolsko…, f. 268]. Gjatë kësaj kohe kemi 37 provincialë të ndryshëm, në mesin e të cilëve ishte vetëm një shqiptar, at Anton Kryeziu nga Lezha, më vonë edhe ipeshkëv i Lezhës.

Një gjendje e tillë zgjati deri më 3 tetor të vitit 1832, kur papa Gregori XVI (1831-1846) me Bulën e njohur: Felicis recordationis, e shndërroi këtë provincë në Mision Apostolik, i cili mandje ndahej në Prefektura. Me një dekret të udhëheqësit të përgjithshëm të Urdhërit Françeskan, at Luigj Lauer, bashkon më 31 janar 1898 tërë Misionin Apostolik Françeskan në Shqipëri nën një Komisar të Përgjithshëm Provincial “ad instar.” Këto misione ishin të ndara në këtë mënyrë: Epiri: me Durrësin, Lezhën dhe Sapën si dhe kuvendet në Bizë, Laç, Lezhë, Rubik dhe Troshan; Pulti në dioqezën me të njëjtin emër me kuvendet në Dushman, Kir, Nikaj-Merturi, Planë, Shalë, Shosh, Toplanë dhe; Kastrati, në kryeipeshkvinë e Shkodrës me kuvendet në: Bajzë, Grudë, Kastrat, Kuç, Podgoricë, Rapsh, Selcë, Traboin, Triepsh, Vukël, dhe; Maqedonia me seli në kryeipeshkvinë e Durrësit me kuvendet në: Bajzë, Bishkash, Lurë, Pëdhanë, dhe Janinën në Jug të Shqipërisë dhe prefektura e Serbisë me qendër iepshkvinë e Shkupit me kuvendet në: Gjakovë, Pejë dhe Zym afër Prizrenit. Gjatë kësaj kohe kemi 12 prefektë, nëntë nga Italia dhe tre nga Bosnja. Meqenëse Urdhëri Françeskan e kishte marrë veten mjaft mirë, me anë të një dekreti të veçantë të Selisë së Shenjtë, më 23 prill të vitit 1906 (i cili u zyrtarizua më 6 qershor 1906) Misioni i Françeskanëve në Shqipëri, përsëri shndërrohet në Provincë Misionare me emrin e vjetër SS. Annuntiationis. [Sirdani]. Provincial i parë shqiptar i kësaj province ishte at Pal Doda.

Në vitin 1638, françeskanët në Pëdhanë hapin shkollën e parë, për të vazhduar pastaj në vitin 1639 në Blinisht të Zadrimës; po në këtë vit (1639) hapet edhe një Gymnasium në të cilin mësohej gjuha shqipe. Këto vatra diturie u mbyllën nga turqit në vitin 1648. Në vitin 1698, në Shkodër, at Filipi, hap një shkollë tjetër, ku po ashtu mësohej veç italishtes edhe gjuha shqipe si dhe shkrim-lexim e katekizëm. Një pohim të tillë, mjaft domethënës e gjejmë edhe sot kur shkruhet: “… qenë pikërisht priftërinjtë dhe klerikët françeskanë … që hapën shkolla ku u mësuan njëkohësisht edhe italishtja edhe shqipja.” (K. Çefa, Të dhëna…, 2007, 18).

Kontribut të veçantë për Urdhërin e Françeskanëve në Shqipëri kanë dhënë edhe pjesëtarë të tjerë, joshqiptarë, të këtij Urdhëri, të cilët jetuan dhe vepruan në këto troje, duke ndarë të mirën dhe të keqen me popullin dhe besimtarët e devotshëm. [Për kontributin e françeskanëve shqipatrë të shihet studimi ynë në dorëshkrim për Urdhërin e Françeskanëve në pëgjithësi]. Për shkak të natyrës së këtij shkrimi, po përmendim vetëm disa më kryesorët, së bashku me ndonjërën nga veprat e tyre më kryesore, ndërsa për të tjerët do të flitet në studimin i cili është në dorëshkrim. Këta janë: Leo da Citadella. Dictionarium epiroticum. 1671; Bernardino Quintiano. Dottrina cristiana epirotica. 1675; Francesco Maria da Lecce. Dizionario italiano-albanese. 1702; i njëjti: Osservazioni gramaticali nella lingua albanese. 1716; Didaco da Desio. Gramatica albanese. 1722; Onofrio. Akte pagëzimi. 1739; Bonaventura Prucher. Manuale catechistico italiano-epirotico. 1752; Dario Bucciareli. Gramatica della lingua albanese, 1862; i njëjti: Udha e Krygjës. 1862; Dotrina e krishtenë. 1877; Francesco Rossi da Montalto Ligure. Regole gramaticali della lingua albanese. 1866; i njëjti: Vocabolario epirotico-italiano. 1875; i njëjti: Vocabolario italiano-epirotico. 1876, me 2.353 faqe; Leonardo de Mardino da Greci. Mundimi i Jezu Krishtit. 1875; i njëjti: L’arpa din un italo-albanese. 1881; Tommaso Marcozzi da Rapino. Kempis o t’oergiaamit e Jezu Krishtit nga Gersena. 1881; i njëjti: Moji i Majit i Nançe. 1881; Francesco Melchiori da Bieno. Sulle e rregulla e të Tretit Urdhën. 1896. 

Sprova jonë për këtë studim përfundon në fillim të shekullit XX, përkatësisht vitin 1906, kur aktivozohet përsëri Provinca e Shqipërisë. Natyrisht edhe pas këtij viti ka shumë ngjarje, personalitete dhe veprime të shumta të Urdhërit Françeskan, të cilat më vonë do të botohen në një studim të veçantë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

STAMBOUL (1908) / KLUBI “BASHKIMI SHQIPTAR” : VENDI I KRIJIMIT, PJESMARRËSIT, QËLLIMI

October 29, 2022 by s p


Eqrem bej Vlora (1885 – 1964)
Eqrem bej Vlora (1885 – 1964)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Tetor 2022

“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 29 gushtit 1908, në ballinë, një shkrim në lidhje me krijimin e Klubit “Bashkimi shqiptar” në Stamboll, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Bashkimi shqiptar”. — Dje pasdite, fisnikët shqiptarë u takuan në zyrën sipër lokalit Yanni, në Pera. Ata hodhën themelet e një shoqate me emrin “Klubi i Bashkimit shqiptar”.

Ishin të pranishëm : Prenk Bib Dodë Pasha, Fazil Pashë Toptani, Halil Pashë Gjirokastra, Nexhet Pashë Vlora, Mehmet bej Frashëri, Çako efendiu, Shukri beu, Partew beu, Mexhi efendiu, Dr. Rifat bej Frashëri, Sulejman bej Korça, Hysen bej Vrioni, Dr. Xhmal beu, Sulejman bej Delvina, Mustafa beu, Filip Noga efendiu, etj.

Qarkulluan një listë abonimesh për të mbledhur fondet e nevojshme për zgjedhjen e një ambienti dhe mobilimit të tij. Totali i kësaj liste të parë mblodhi 120 lira turke.

Eqrem bej Vlora u emërua përkohësisht si arkëtar.

Zgjedhja e një lokali (zyre) do të rregullohet shumë shpejt. Menjëherë do të takohen sërish për të bërë aranzhime të reja me synimin për të hapur një abonim, të ardhurat e të cilit do të synohen pjesërisht për të ndihmuar shqiptarët në nevojë që banojnë në Kostandinopojë dhe pjesërisht ata që ndodhen jashtë vendit.

Komiteti shqiptar nis me punë filantropike. I urojmë “Bashkimit shqiptar” jetë të gjatë dhe begati.

Filed Under: Kronike

Gazetari Orest Çipa dhuroi 40 libra për Bibliotekën e Vatrës

October 29, 2022 by s p

Gazetari Orest Çipa dhuroi 40 libra për Bibliotekën e Vatrës. Një kontribut shumë i rëndësishëm për komunitetin shqiptar, kërkuesit shkencor dhe studentët shqiptarë që studiojnë në Amerikë. Vatrani Çipa, aktiv në komunitet, në mediat shqipfolëse, në gazetën Dielli e Federatën Vatra, dhuroi tituj të rëndësishëm në fushën e filozofisë, letërsisë moderne, historisë dhe shkencave humane.

Biblioteka Shkencore e Vatrës nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha do rikonstruktohet për të qenë një aset i rëndësishëm për kërkuesit shkencorë e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

Festa iliro-shqiptare, Darka e Lamës shtrohet në Kosovë

October 29, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Tetor 2022/ Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, tradicionale e Kosovës, u shtrua në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Presidentja Osmani tha se, “Darkën e Lamës, festën tonë tradicionale, të cilën e organizojmë në përfundim të të korrave, sivjet e shtruam për më të dashurit tanë, të moshuarit, të cilët qëndrojnë në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, për t’ua shprehur mirënjohjen e respektin tonë të thellë për ta”.

Ajo shtoi se, duke e shtruar sofrën e bukës me ta, ne treguam solidaritetin tonë për gjithë ata breza, të cilët i mblodhën bereqetet e kësaj toke, duke e mbajtur gjallë jetën tonë të përbashkët.

“Ata meritojnë më shumë se çdonjëri që t’ua shprehim mirënjohjen tonë”, u shpreh Presidentja Osmani.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, e cila është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…

Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës.

Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.

Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar (në vitin 2002) e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.

“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.

“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.

Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.

“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.

“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës në 23 Tetor 2003.

Filed Under: Komente

DEGA E VATRËS JACKSONVILLE NË FLORIDA FTON SHQIPTARËT PËR 110 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

October 29, 2022 by s p

Dega e Vatrës në Jacksonville-Florida, fton të gjithë patriotët shqiptarë në shtetin e Floridës e më gjërë të bashkohen për të festuar festën e Flamurit Kombëtar dhe 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Një ftesë vëllazërore dhe shumë e përzemërt për çdo vatran, anëtarë të komunitetit shqiptar në Florida, grupet patriotike, sociale e kulturore, sipërmarrjet shqiptare, veprimtarët e shquar të komunitetit shqiptar, miqtë e shqiptarëve pa dallim. Ky eveniment artistik përkon dhe me 10 vjetorin e themelimit të degës së Vatrës në Jacksonville Florida. Këtë mbrëmje madhështore e nderojnë me pjesëmarrjen e tyre figura të shquara të politikës, artit, biznesit, dijes e kulturës.

Mos e humbisni këtë festë të bashkimit e gëzimit të shqiptarëve në festën më të rëndësishme kombëtare, atë të Flamurit të kombit tonë.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT