• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Shqiptarët në Jacksonville Florida festuan 110 vjetorin e Pavarësisë, Ditën e Flamurit dhe 10 vjetorin e Degës së Vatrës

November 23, 2022 by s p

Nga Lek Gjoka/

Sigurisht që muaji Nëntor është muaji i shenjtë për shqiptaret kudo në botë. Një frymë ngrohtësie me e madhe ndjehet tek shqiptaret në mergim sepse mungesa fizikë e Memedheut është e përhershme. Të Shtunën me 19 Nëntor 2022 në një nga sallat e hotelit Ramada në Baymeadows Road I-95 Dega e Vatrës në Jacksonville Florida organizoi ceremoninë e festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Flamurit dhe 10 vjetorin e themelimit të Deges se Shoqates Pan Shqiptare Vatra. Salla ishte mbushur plot e përplot. Kryetari i Deges se Vatrës z.Adriatik Spahiu mori fjalën i ftoi të gjithë në këmbë dhe nën himnin e Flamurit Amerikan filloi sipari i hapjen. Pas tij salla gumezhiu nën Himin e Flamurit shqiptar. Gjithashtu z.Spahiu foli shkurtimisht për punën 10 vjeçare të deges se Vatrës ketu në Jacksonville. Falënderoj të gjithë ato që kontribuan si në forcimin e deges, në hapjen e shkollës shqipë, të deges së grave etj. Gjithashtu ai ftoi të gjithë të pranishmit të ngrihen në këmbë dhe të mbajnë një minutë heshtje në nder të të gjithë atyre shqiptareve anëtare dhe jo antarë të deges që kontribuan në rritjen e kësaj foshnjë tashmë dhjetëvjeçarë që fatkeqësisht pushojnë në Paqen e perjetshme. Salla u ngrit në këmbë dhe mbajti një minutë heshtje. Z.Adriatik Spahiu falendoj të gjithë të pranishmit dhe në mënyrë të veçantë është një nder për komunitetin e shqiptareve të Jacksonville Florida pjesëmarrja e ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Zonja Floreta Faber, gjithashtu falënderoi grupin e valleve “Shqiponja” mundësuar nga z. Doktor Ardian Kraja i cili ka dhënë një kontribut të çmuar për komunitetin shqiptar në Clearwater si dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me degen e Vatrës atje. Gjithashtu z.Spahiu falënderoj poetin e shkrimtarin shqiptaro-amerikan z . Lek Gjoka për pasqyrimin plot vërtetësi në Gazetën Dielli të aktiviteteve të Vatrës. Gjithashtu Z. Spahiu falenderoi pronaret restorantit D&G DELLI & GRILL për ushqimet plot pikante me shijë shqiptare që kishtë gatuar sontë për të pranishmit.

Në falënderim të veçantë ishte edhe për sponsorit e Degës së Vatrës në shume evenimentë qe nga themelimi që janë Vicens Jubani Andi Opari Ilia Mato , Sander Martini etj.

Nga Fort Lauderdale kishtë ardhur edhe z.Kolec Ndoja kryetari i deges atje dhe kryetar i Këshillit të Vatrës në New York i cili mori një falënderim të veçantë nga zoti Spahiu si sponsor i një qeku prej 1000$ për degen e Vatrës në Jacksonville për mbulimin e shpenzimeve të festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë. Me pas zoti Spahiu ia dha fjalën ambasadorës së Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Zonjës Floreta Faber. Pas ambasadorës së Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Zonja Floreta Faber fjalën e mori Shefit të Kabinetit të Vatrës zoti Dr. Pashko R. Camaj, Dr. Camaj falendoj zotin Spahiu për ftesën dhe foli për frymën e bashkimit që Vatra ka për gjithë Diasporën shqiptare të Amerikës pa dallime fetare, politike e kulturore. Ai falënderoj degen e Vatrës në Jacksonville Florida dege që punoi tash sa vitë pa zhurmë pa rrahje gjoksi.Vatra në Jacksonville tha ai nder të tjerave nuk është si ajo pula që polli një veze dhe i gjithë fshati e merr vesh por si peshku që ben miliona veze në heshtje. Nder të tjera ajo tha se ngelur shumë e suprizuar nga vizita e komunitetit shqiptar në Jacksonville Florida. Dikur kisha vetem një kontakt në Jacksonville me kryetarin aktual të Vatrës z.Spahiu i cili gjithmonë me ka ftuar për të vizituar komunitetin shqiptar në Jacksonville Florida. Madje me thoshtë ke takur pothuajse të gjithë diasporën shqiptare të Amerikës perveç Jacksonvilles. Me të vërtete paska pasur shumë të drejte sepse sot u njoha me mjaft shqiptare të komunitetit të konsoliduar gjithnjë në rritje të cilët jo vetem që i bëri miq por me ftuan dhe besoj që do të rikthehem perseri me plot kenaqesi ketu jo vetem si perfaqesuese e shtetit shqiptar në Amerikë por edhe si një bijë e Shqipërisë.

Pas zonjës Ambasadorë Zonja Floreta Faber zoti Spahiu ftoi grupin e valleve “Shqiponja ” që nën ritmin e valleve shqiptare të bëjnë hapjen e kësaj feste madhështore të 110 vjetorit të Pavarësisë, Ditës së Flamurit dhe 10 vjetorit të themelimit të Deges së parë të Vatrës në Florida ketu në Jacksonville. Salla u ndez flakë dukë u rikthyer si një copez Shqipëri. Pas grupit të valleve “Shqiponja ” salla u elektrizue me zërin dhe këngët plot atdhedashuri nga këngëtarja e njohur shqiptare Arberie Hardegjonaj. Askush nuk e kuptontë se sa shpejtë fluturonin minutat.

Në një pushim të shkurtër Dr. Pashko R. Camaj, Shef i Kabinetit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” në emer të shoqates shpërndau falënderimet për disa nga shqiptarët e Jacksonvilles për kontributin e çmuar në sherbim të Vatrës dhe kombit shqiptar të cilet janë Ariatik Spahiu, Ali Lushnja, Vicens Jubani, Gjergji Lacuku, Shpresa Gallaj, Lavdie Mato, Hasan Hakrama , Sander Martini, Boroba TV si dhe pas vdekjes zoterinjte Bukurosh Cure dhe Mark Dukaj. Gjithashtu edhe z.Kolec Ndoja dhe doktor Ardian Kraja e morën fjalën dhe përshendeten komunitetin shqiptar për festen e Pavarësisë , Ditën e Flamurit dhe degën e Vatrës në Jacksonville për për 10 vjetorin e themelimit. Erdhi mesnata dhe askush nuk e kuptoi se sa shpejt po kalojnë orët nën zërin brilant jo vetem të këngëtares Hardegjonaj por edhe këngëtarit të komunitetit shqiptar në Jacksonville Florida zoti Franc Palaj me mbështetjen e palodhur të muzikantit të talentuar Hermes. Kishte kaluar mesnata dhe 20 Nëntori kishtë trokitur por askush nuk dontë të largohej nga kjo atmosferë shqiptare e cila dukej sikur do të vazhdojë në pafundësi…

Jacksonville Florida

20 Nëntor 2022

Filed Under: Vatra Tagged With: Adriatik Spahiu, Lek Gjoka

Leonardo da Vinci Ringjallet Pas 500 Vjetëve

November 23, 2022 by s p

Naum Prifti/

500 vjet pasi Leonardo da Vinci vizatoi skicën e një ure të etiketuar të pandërtueshme, projekti i tij erdhi në jetë në Oslo të Norvegjisë. Adhuruesit e quajnë atë “Mona Lisa e Urave” ndërsa inxhinierët thonë se ndërtimi i një ure të tillë do kishte sjellë një revolucion në arkitekturën e kohës. Mjeshtërit të madh nuk ju pranua skica nga bashkëkohësit dhe kundërshtarët ia quajtën idenë të gabuar. Hulumtuesit dhe inxhinierët në Institutin e Teknologjisë në Masacusets (MIT) në Boston në 2020 tentuan të venë në provë një dizanjo tjetër të vitit 1502 nga Leonardo duke ndërtuar një moket ure në shkallën 1:500 sipas modelit që mjeshtri ia kishte paraqitur Sulltan Bajazitit I. Aso kohe sundimtari i Perandorisë Osmane dëshironte të lidhte qytetin e tij Gallata me kryeqendrën Konstandinopol (Stambolli i sotëm) në të dy anët e ujrave të Bririt të Artë. Në letrën drejtuar Sulltanit mjeshtri e siguronte se ura i plotësonte të gjitha kërkesat përfshirë qëndrueshmërinë e elementeve strukturale si edhe lejonte kalimin e anijeve nën të. Por kundërshtarët e hodhën poshtë si të pandërtueshme dhe projekti mbeti vetëm në letër për pesë shekuj me radhë. Inxhinierët e sotëm e ndërtuan urën bazuar në modelin e Leonardo Da Vincit dhe konfirmuan se ura jo vetëm do t’i bënte ballë forcës së gravitetit por edhe elementeve atmosferike të natyrës, një nga faktorët më me rëndësi për struktura të tilla. Hulumtuesit janë kureshtarë të dinë nëse mjeshtri e vizatoi skicën brenda disa sekondave apo ishte punë që i kushtoi orë e ditë të tëra.

Leonardo Da Vinci shkruante se mund të krijonte ura të transportueshme dhe të lëvizshme, si dhe parashtronte ide e shumë koncepte për makineri e shpikje të tjera. Për Leonardon të gjitha njohuritë qenë të lidhura me njëra tjetrën dhe dituritë e një fushe e ndihmonin në një tjetër. Për shembull mendonte se arkitektura kishte lidhje me anatominë e trupit dhe se ndërtesat u ngjanin trupave. Sa më shumë të dinte për anatominë e trupit të njeriut aq më i mirë do ishte si arkitekt. Leonardo qe studiues direkt i natyrës dhe admirues i saj. “Asgjë nuk mund të gjendet në natyrë që nuk është pjesë e shkencës,” shkruante ai. Sipas tij, “Shkenca është kapiteni dhe praktika ushtarët e saj.” Sot mund të duket e çuditshme qe krijimi i veprave të artit nuk qe qëllimi i tij kryesor. Pikturat qenë të dobishme si një platformë që mund ta shpinte në fusha të tjera të dijes dhe shkencës.

Arkitekti i Metodologjise Shkencore

Viti 1482 ishte një pikë kthese në jetën e Leonardos kur ne moshen 30 vjeçare u largua nga Firence për në shtetqytetin e pasur të Milanos dyqind milje në veri. Ai ishte krejt i huaj në një qytet me popullsi dy herë më të madhe se Firence. Ndonëse ishte një nga qendrat për botimin e librave italisht, Milano ishte më i famshëm për risitë në shkenca dhe dituri të natyrës sesa për art. Një nga krenaritë e qytetit ishte Universiteti i Pavias me nëntëdhjet profesorë të shquar dhe me një nga libraritë më të mira në gjithë Italinë. Leonardo nisi të mbante shënime për fushat që eksploronte në botën natyrale. Te seria e shkrimeve të njohura si Ditaret Fantastike Leonardo trajtonte subjekte me interes të veçantë për matematiken, optikën, botanikën, astronominë, gjeologjinë, fizikën, anatominë. Duke pasur me pak artistë sesa Firence, në Milano mund të kishte më pak rivalitet për talentet mendore. Me këtë pikënisje Leonardo përpiloi një kërkesë tashmë të famshme drejtuar sundimtarit të Milanos Dukës Ludoviko Sforza. Duka ishte diktator me ambicje të mëdha luftarake por i vlerësonte artistët dhe mendimtarët. “Unë mund të shpik një varietet të pafund makinash,” shkruante Leonardo në letrën e tij për Dukën, ku shpaloste zotësitë e tij në teknikën e ndërtimit të bombarduesve, anijeve me topa ushtarake, makina të karrocuara, katapulte dhe pajisje të tjera lufte, ura të transportueshme, si edhe mund të ndërtonte skulptura në mermer, bronz dhe gips. Me shkathtësi, letërshkruesi premtonte sundimtarit të ndërtonte një kalë të madh prej bronzi, që Sforza e donte si memorial për babanë.

Leonardo hyri në shërbim të Dukës Ludovico Sforza të cilit i shërbeu për vite me radhë si inxhinier ushtarak dhe si arkitekt ndërkohë që ishte angazhuar me një varg me punë që nga piktura e skulptura, te një projekt parku, shpikja e armëve të reja, dhe prodhimi i produkteve qe nga parfumi deri te vaj ulliri i rafinuar.

Shënimet e tij hapin një dritare nga e cila duket natyra e eksperimenteve vizatimore dhe prirjet e Leonardos si filozof e shkencëtar. I nxitur nga kureshtja e tij e pafundme, ai pyeste veten për gjithçka: Çfarë është qumështi? Kush e shkakton të vjellët ose teshtitjen? Pse qielli është i kaltër? Çfarë lloj makine mund të fluturojë? Nga vijnë lotët? Çfarë është e dehura, marrëzia, ëndërrimi?

Leonardo besonte se të vërtetat shkencore arrihen duke përdorur pesë shqisat tona. Sipas tij, përvoja vërteton teoritë dhe përvoja e drejtpërdrejtë është më e rëndësishme se përvoja e të tjerëve. Ai çmonte gjithçka që mendjet e tjera kishin zbuluar para tij, por kjo nuk do të thotë se me doemos pranonte idetë e tyre. Çdokush që argumenton duke iu referuar të tjerëve nuk përdor trurin e tij, por vetëm kujtesën, thoshte ai. Disa të shkolluar i quante budallenj që në veprat e tyre mbështeteshin në punimet e të tjerëve. I frymëzuar nga Aristoteli, mjeshtri planifikonte mundësinë e botimit të shënimeve si një enciklopedi të njohurive shkencore, një sistem për të kuptuar gjithçka. Kërkimet dhe shkrimet e tij do ta mbanin atë të okupuar edhe për tridhjet e shtatë vjet të tjera por ashtu si shumë projekte të tij edhe ky projekt nuk u përfundua kurrë. Megjithatë ajo që la pas qe tej madhështores.

Trembëdhjetë mijë faqe shënime që studjuesit dhe shkollarët më vonë i ndanë në dhjetë asortimente, në të cilat mes të tjerave jepen hapat e para drejt metodave moderne të shkencës. Leonardo da Vindi qe vëzhgues dhe studiues i shkëlqyer i botës natyrore, të cilën e shikonte të pandarë nga bota shkencore. Nuk është rastësi që konceptet e tij që nga arkitektura deri në mjekësi rikthehen në jetë në shekullin 21.

Filed Under: Fejton Tagged With: Naum Prifti

LUIGJ GURAKUQI – DORË E DJATHTË E ISMAIL QEMALIT  NË 110-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 23, 2022 by s p

“Shqiptari dëshiron të jetojë i lirë dhe i lumtur”

Nga Frank Shkreli  

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
No photo description available.

                                                 “Shqiptari dëshiron të rrojë i lirë dhe i lumtur”

“Pak ndër prijsa e udhëheqës janë ata që mundohen t’a zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që t’i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen t’a drejtojnë në udhë të mbarë. Ka, mjerisht, ma shumë asish që thonë se vullneti i popullit nuk duhet marrë parasyshë, e që ndonëse e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lihet e të drejtohet prej atyne, pse ata vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me e përgatitun për fatbardhësinë e tij.” (Luigj Gurakuqi, Ora e Malevet, Nr. 37-sipas Revistës Shëjzat)  

No photo description available.

                    Luigj Gurakuqi, shembull i një demokrati të vërtetë

Në vigjilje të 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria osmane le të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit — dorën e djathtë të tij — parlamentarin dhe opozitarin shqiptar, “par excellence”,  njërin prej figurave më të shquara të Kombit shqiptar, i cili për sa jetoi, ”Nuk ka pasur ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, sipas historianit Stefanaq Pollo.  Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “Po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Megjithëse është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të Kombit shqiptar, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues. Profesor Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën ”Shëjzat”, nënvizon për lexuesin, fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit, si njeri dhe si politikan:  ”S’kam pa ndër Shqiptarë… një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aq të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëreshë, e të huaj që interesoheshin për Shqipëni, qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…besonin në përpjekjet e tij, të çdo lloji…”, ëshët shprehur Koliqi. 

Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkëpunëtor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, kujtonte se Luigj Gurakuqit, i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas tij, vetia që e dallonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij: “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi njerëzit me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë klerikësh të ndryshëm, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qëndronte”!

Parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë sot, pozitë dhe opozitë, po t’ia donin të mirën Shqipërisë dhe Kombit shqiptar, do bënin mirë të marrin shembull tek Gurakuqi: “Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shenjtë që ia kishte besuar populli”.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tija duke shkruar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, (zëra) të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës kundërshtonte me matuni:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuese jo rrënuese…”, ka shkruar Ernest Koliqi për Guralkuqin parlamentar. 

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe.  Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.

Megjithëse vlerësimet e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të Kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, fjalë të cilat sikur jehojnë edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime themelore politike, shoqërore dhe ekonomike në Shqipërinë e asaj kohe, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, se si përfaqësues të shqiptarëve, “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam (si popull) bani ligjet themelore që të mund të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”

“Të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar!”, janë fjalët e Luigj Gurakuqit, që pasqyronin atëherë dhe sot dëshirën e mbarë popullit shqiptar, dëshirën ende të parealizuar plotësisht, që më në fund shqiptari të rrojë në shtëpinë e vet, “I lirë dhe i lumtur”, të mos marrë rrugët e botës në kërkim të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe lumturisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin  2022, fjalët e tija edhe sot tingëllojnë si largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, nëqoftse vërtetë do të bëhet Shqipëria, si fjalë udhëzuese. Ai këshillon që në këtë “Ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një”, ndërsa ka paralajmëruar se, “çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës” dhe botës.  (Luigj Gurakuqi: “Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913).

Ndonëse fjalët dhe këshillat e Luigj Gurakuqit janë folur ose shkruar më shumë se 100-vite më parë, ato për fat të keq, tingëllojnë aq aktuale sot, kur të marrim parasysh aktualitetin politik në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë. Në prag të 110-vjetorit të Shqipërisë, Luigj Gurakuqi bën thirrje për reflektim dhe për pendim. Një thirrje kjo që politika shqiptare, në përgjithësi, do bënte mirë po të reflektonte se ku e ka çuar Kombin, pas 30-vite tranzicioni “post-momunist”, ku shumica dërmuese e shqiptarëve e kërkojnë jetesën – “lirinë dhe lumturinë” në perëndim – duke zbrazur kështu trojet shqiptare, si rrallë herë në historinë tragjike të Kombit shqiptar.

Luigj Gurakqui i bën thirrje sot klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare për reflektim dhe për pendim serioz, për faktin se në çfarë gjëndje politike dhe ekonomike është sot fisi i shqiptarit: Në një artikull që Gurakuqi shkruante nga Parisi në prag të 28 Nëntorit  të vitit 1919, këshillonte: “E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut.  T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Po i sjell këto citime të Luigj Gurakuqit në këtë 110-vjetor të Pavarsisë së Shqipërisë, jo se kam ndonjë iluzion se klasa politike aktuale do reflektojë dhe të “pendohet” siç këshillonte dikur Luigj Gurakuqi, sepse me të bëmat dhe të pa bëmat e tyre gjatë tre dekadave të fundit, na kanë bindur se nuk janë as reflektues as të penduar. Por, besoj se ia vlen të kujtohet Luigj Gurakuqi jo vetëm në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, por gjithmonë, sepse ai ishte dhe mbetet njëri ndër më të Mëdhenjtë e Kombit shqiptar, një shembull i një patrioti të flakët dhe një demokrat i përkushtuar pro-perëndimor.  Fjalët e Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por edhe për të tashmen dhe për të ardhmen – do duhej të shërbenin si një fuqi frymëzuese për të gjithë, sidomos për klasën politike shqiptare të shekullit XXI, e veçanërisht në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve. 

Frank Shkreli

No photo description available.
May be an image of 6 people
No photo description available.

                                            Në krah të Ismail Qemalit

No photo description available.

                                 Pandeli Cale me Luigj Gurakuqin

May be an image of 3 people

                       Me më të mëdhejt e Shkodrës dhe të Kombit

No photo description available.
No photo description available.

                                                         Luigj Gurakuqi, demokrat i vërtetë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

NAIM FRASHËRI, EDUKATORI I KOMBIT

November 23, 2022 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Gjuhëtarët, historianët, kritikët, kulturologët, leksikologët, antropologët, intelektualët përgjithësisht dhe historianët e letërsisë, kanë dëshmuar disa rrafshe të vendit dhe të rolit të Naim Frashërit në jetën e popullit shqiptar. Prej teksteve kryesisht përgjithësuese, ata janë përpjekur të shpjegojnë përmasën e gjuhës së pasur të teksteve të tij, dimensionet estetike të veprave letrare të tij, misionin prej edukatori të kombit të tij në të gjallë dhe ndikimin e veprës së tij edhe pas vdekjes.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë ndikimi i veprës së tij në jetën e popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi ishte posaçërisht i madh dhe shumëdimensional. Nëse fillimisht vepra e tij ndihmonte emancipimin kulturor, letrar e gjuhësor të popullit shqiptar, më pas, kryesisht, pas vitit 1981 ajo u bë engjëlli mbrojtës i identitetit kombëtar, i shqipes standarde, i shkollës shqipe dhe i përpjekjeve për liri dhe bashkim kombëtar.

Naim Frashëri është personaliteti më i madh dhe më me ndikim në bashkësinë e popullit shqiptar pa dallim feje, krahine apo të folmeje dialektore. Ai është personaliteti më emblematik i botës shqiptare, para të cilit janë përulur mbretërit, diktatorët dhe demokratët; heronjtë dhe luftëtarët; intelektualët e hapësirës rurale dhe asaj urbane. Ai është personaliteti universal, i cili përballë hapësirës së errët ballkanike ka rrezatuar humanizëm, i cili përballë feudalizmit oriental rrezatonte demokraci perëndimore; i cili me gjuhën e veprës së tij u bë reformatori i madh i shqipes standarde; i cili gjatë përpjekjeve për ta ndaluar gjuhën, shkollën dhe identitetit shqiptar në Kosovën e robëruar, u bë engjëlli mbrojtës i tyre.

Filed Under: Kulture

Dialogu Kosovë-Serbi, në Bruksel qëllimi i madh u hoq nga axhenda

November 23, 2022 by s p

–Nga Adresimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e 109-të të Qeverisë më23 Nëntor 2022/

-Komuniteti serb në Kosovë është komuniteti më i mbrojtur e më i priveligjuar në Kushtetutë të Republikës dhe kjo është rezultat i marrëveshjes gjithëpërfshirëse të ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisarin, i cili ishte udhëheqës i ekipit ndërkombëtar- ndërmjetës. Të drejtat për pakica në Kushtetutën e Kosovës nuk i gjen në atë të Serbisë, por nuk i gjejmë as në shumë e shumë vende të tjera anë e mbanë botës, përfshirë këtu edhe kushtetuat në vendet më të avancuara të Bashkimit Evropian/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Të premten që shkoi u ftova nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell, për një takim të organizuar në Selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, të nivelit të lartë me Presidentin e Serbisë. Ftesa e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafe që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund.

Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim, me urgjencë, në “Propozimin e Bashkimit Evropian”, të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve.

Në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit të vitit 2023.

Natyrisht, këtë propozim të z.Borrel unë e kam mirëpritur dhe tashmë ishim deklaruar që “Propozimi Franko-Gjerman”, të cilin z.Borrel insistonte në takimin në Paris më 11 nëntor që tash e tutja ta quanim “Propozim të Bashkimit Evropian”, paraqet një bazë të mirë për diskutim.

Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me çështjen e garancioneve për komunitetin serb, të cilët do të diskutoheshin në “Propozimin e Bashkimit Evropian”, pra në marrëveshjen për normalizim dhe gjatë tetë orëve i zhvilluam gjashtë takime, tri takime bilaterale e tri trilaterale. 

Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë, në versionin inicial. Ne ishim të pajtimit që, për t’i dhënë hapësirë bisedimeve për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, mirëpo natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale, sepse nuk ka kuptim të mos vazhdohet faza e dytë, të kalohet nga vërejtjet e qortimet te gjobat, të mos ekzekutohen gjobat, e në anën tjetër të vazhdohen të lëshohen targat KM, PR, GL, PE, UR, e kështu me radhë. Ky propozim u pranua dhe besoj që ishte një e arritur e rëndësishme e takimit.

Më lejoni të them, që komuniteti serb në Kosovë është komuniteti më i mbrojtur e më i priveligjuar në Kushtetutë të Republikës dhe kjo është rezultat i marrëveshjes gjithëpërfshirëse të ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisarin, i cili ishte udhëheqës i ekipit ndërkombëtar- ndërmjetës. Të drejtat për pakica në Kushtetutën e Kosovës nuk i gjen në atë të Serbisë, por nuk i gjejmë as në shumë e shumë vende të tjera anë e mbanë botës, përfshirë këtu edhe kushtetuat në vendet më të avancuara të Bashkimit Evropian.

Tash pas takimit që patëm atje, i cili pra gjithsej në këto bisedime zgjati tetë orë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit të ditës së hënë; në kundërshtim me parimin e propozuar nga vet ai, filloi të insistojë në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”,  por për targat.

Më datën 18 gusht në takimin që kemi pasur ishin dy pika të rendit të ditës. Pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes; pika e dytë çështjet aktuale. Edhe unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve, sepse liderët shtetëror thirren për të bërë marrëveshjen e madhe e finale. Po e ri përsëris, unë nuk jam as nuk as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri, as zyrtar dogane, që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike, të cilët dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione dhe organe përkatëse, të cilat kanë shumë profesionistë të zotë, që i zhvillojnë këso lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshjen finale ndërkombëtarisht  e ligjërisht të obligueshme, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Ky duhet të jetë qëllimi dhe ky është kuptimi.

Ndërkaq, autorët e “Propozimit të Bashkimit Evropian” e braktisën propozimin e tyre, prandaj edhe takimi përfundoi. Sikurse në takimin e 18 gushtit edhe në këtë takim unë isha i fundit që e lëshova ndërtesën e Bashkimit Evropian. Sepse gjithmonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fundit dhe më duhet t’ju njoftoj se ka qenë edhe përpjekja e fundit. Emisari special Lajçak ka ardhur tek dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst, i cili do ta përfshinte edhe propozimin e Bashkimit Evropian. Mirëpo, më pastaj na njoftoi që, Presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë. Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian tashmë ndodhej në konferencë për medie.

Pra, tek ne ekziston edhe qëllimi edhe qëndrimi edhe arsyet edhe argumentet për të arritur marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, por ky duhet të jetë edhe qëllimi i ndërmjetësve.

Vendimi ynë për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit, është vendim i Qeverisë sonë.

Ajo çfarë kemi treguar ne është zemërgjerësinë tonë, që t’i japim shansë jo vetëm ligjshmërisë edhe kushtetutshmërisë, por edhe brengave të atyre për mundësitë e cenimit të paqes e të sigurisë, duke diferencuar qasjen e duke sekuencuar implementimin.

Tri javë të para qortime, vërejtje. Po i afrohemi numrit të 2000 qortimeve dhe vërejtjeve, asnjë incident, asnjë ankesë. Dhe dy muaj pastaj gjobitje. Jo konfiskim të targave, por gjobitje, sepse këtë e parasheh edhe ligji. Pra, ne nuk e negociojmë vendimin. Ne e kemi treguar zemërgjerësinë tonë sa i përket mënyrës dhe kohës së implementimit.

Dhe, shtrohet pyetja, pse e kemi sjellë ne këtë vendim, së pari me datën 28 qershor. Kjo ka ndodhur meqenëse gjashtë muaj është negociuar për targat në Bruksel, prej shtatorit të vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, gjashtë muaj ditë është negociuar për targat në Bruksel dhe në fund kanë qenë tetë opsione. Tetë opsione kanë qenë, prej këtyre tetë opsioneve, tash po ua them midis neve, tri kanë qenë më të përshtatshme për neve, pesë jo, por Serbia s’e ka pranuar asnjë. I ka refuzuar të gjitha tetë opsionet.

Ne luteshim që të mos vinte puna te ato pesë, ndoshta vjen te këto tri, por s’u bë asnjë, sepse i refuzuan të gjitha dhe ne nuk e morëm vendimin në prill, kur i kanë refuzuar tetë opsionet, nuk e morëm as në maj, e morëm në fund të qershorit.

Vendimi ynë vjen dy muaj pas dështimit të negociatave gjashtëmujore me fajin e Serbisë, e cila i ka refuzuar të gjitha tetë opsionet në tavolinë për targat.

Pra, e kuptoni çfarë zemërgjerësie të Qeverisë së Kosovës ka përgjatë këtij viti, por edhe në vitin që shkoi.

Ne nuk kënaqemi teksa gjobisim. As një polic i Republikës së Kosovës nuk gëzohet teksa gjobit. Nuk është dëshirë gjobitja, është detyrë. Jo dëshirë e individit, qoftë ai zyrtar shtetëror, por obligim e detyrë sipas ligjit të shtetit tonë.

Njësoj, siç këto janë çështje të sundimit të ligjit në vendin tonë, nuk mund të jenë dorëheqjet e kthimet e zyrtarëve publikë e shtetërorë çështje të pazareve, sepse që të gjitha janë të rregulluara me ligj. Ju e patë, që deputetët e Listës Serbe dolën nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të tjerë prej tyre u kthyen dhe bënë betimin. Kjo është mënyra se si kthehesh në institucione, duke bërë betimin, duke respektuar Kushtetutën, kushtetutshmërinë, ligjin, ligjshmërinë, rregullat, procedurat.

Pra, nuk jemi një shtet diktatorial, që vendos se kush kur shkon e kush kur kthehet. Shteti ynë ka Kushtetutë, ligj, procedura, organe, institucione, të cilët e mundësojnë atë gjë.

Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta dhe unë natyrisht që pres se kjo do të vazhdojë. Sot në Bruksel ndodhet Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Dialog dhe Zhvillim, Besnik Bislimi. Mbase do të ketë edhe një takim në përpjekje, që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë dhe gatishmërinë e vazhdueshme.

E kam thënë dhjetëra herë se Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian është fati ynë. Gjysma e kombit tonë jeton në vendet e Bashkimit Evropian. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm bashkim në familjen evropiane, por bashkim edhe i familjeve tona.

Nuk kemi as hatërmbetje e as inate. Nuk veprojmë, nuk flasim, nuk mendojmë e as nuk sillemi me cinizëm as me ironi, por me të vërtetën dhe në të drejtën tonë.

Jemi vendi më demokratik i Ballkanit Perëndimor, që përqafon e promovon vlerat më të larta e më bazike të Bashkimit Evropian dhe nuk mund ta gjeni dikë, i cili nuk e konstaton këtë për Republikën e Kosovës.

Sa i përket sundimit të ligjit, sipas Ëorld Justice Project, hera e dytë sivjet që Kosova është e para në Ballkan dhe sivjet është e dyta në botë sa i përket përmirësimit të sundimit të ligjit. Janë tetë kritere se si janë vlerësuar shtetet. Prej këtyre tetë kritereve, në shtatë prej tyre Kosova është para Serbisë. Në vetëm në njërin prej tetë kritereve, Serbia është para Kosovës. Pra, ne jemi vend para Serbisë sa i përket sundimit të ligjit. S’ka dyshim që jemi edhe para Serbisë sa i përket demokracisë e unë jam i bindur që jemi para Serbisë edhe sa i përket pavarësisë. Shteti ynë, institucionet tona janë shumë më të pavarura se sa ato të Serbisë, për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë.

Në dialog, jemi pala më aktive, kreative e konstruktive. E njëjta nuk mund të thuhet për palën tjetër, e cila kërcënon me dhunë dhe mbahet me aukraci.

Ndaj Bashkimit Evropian, si në të kaluarën, si sot, shpesh kam qenë kritik e jam kritik, por po e ritheksoj asnjëherë i hidhëruar. Në këtë drejtim, është edhe deklarata ime në Bruksel këtë të hënë. Kritik ndaj Përfaqësuesit të Lartë dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian, të cilët e braktisën propozimin e Bashkimit Evropian.

Unë jam çdoherë i gatshëm që t’i përgjigjem ftesës për takime, që për temë kanë marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT