• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

NJË VEPËR E SHKRUAR ME PËRKUSHTIM PËR HYJIN E MIRËSISË DHE TË SHQIPTARISË

November 17, 2022 by s p

Tomë Mrijaj, “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe”, New York, U. S. A, 2009

Prof. Dr. Muhamet SHATRI

Njohja me një personalitet të veçantë, me vendlindjen dhe paraardhësit e tij

Libri monografik i publicistit, veprimtarit dhe humanistit Tomë Mrijaj me titull “Monsinjor dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” (Jetëshkrim), është një lloj enciklopedie gjithëpërfshirëse dhe mjaft kuptimplote, për kontributin e madh atdhetar e fetar të meshtarit, mjeshtrit të letrave, arkitektit të institucioneve fetare, monsinjor dr. Zef Oroshi.  

Veprimtaria e tij në afirmimin e çështjes shqiptare në Mirditë – Shqipërinë e Veriut, në Kosovën martire, në Itali dhe në SHBA, ka qenë deri diku e njohur, por jo aq sa ofron kjo vepër monografike studimore.  

Zef Oroshi, ka qenë jo vetëm udhëheqës shpirtëror, por edhe drejtues i qëndresës popullore antikomuniste për disa muaj me radhë në Shqipëri, kurse në botën e jashtme është angazhuar me tërë qenien për ndërlidhjen e fijeve të mërgatës shqiptare, për organizimin e mobilizimin më të mirë të saj, për kultivimin e fesë, kulturës dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare, përgjithësisht.  

Autori i librit Tomë Mrijaj, ka qenë vazhdimisht në kontakt me protagonistin kryesor të studimit të tij, prandaj e ka njohur nga afër më mirë se shumë të tjerë. 

Ai ka përcjellë dhe shënuar në ditarin e tij veprimtarinë kulturore, fetare, letrare e publiçistike të Monsinjor dr. Zef Oroshit, të cilën ia la trashëgim botës shqiptare, në përgjithësi, dhe mërgatës sonë, në veçanti.  

Autori e kishte mik shtëpie dhe kumbar të katër fëmijëve, prandaj ishte vazhdimisht pranë tij, të thuash, në të gjitha aktivitetet e rëndësishme, por dhe në mbrojtjen dhe sigurinë e tij.  

Në ekspozicion (parashtrim) të veprës, autori përshkruan jetën e Zef Oroshit që nga lindja (më 23 nëntor 1912, pra pesë ditë para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë), fëmijërinë e rininë, shkollimin në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku u dallua me përkushtimin e dashurinë ndaj punës, librit, njohurive të reja etj.  

Një rol të madh në edukimin e mbarë, në zgjerimin e horizontit dituror, në përgatitjen dhe formimin e tij intelektual etj., ka luajtur mësuesi patriot, poeti model, gjuhëtari i shquar dhe bariu shpirtëror – dom Ndre Mjeda. 

Gjatë shkollimit në Shkodër, Zef Oroshi pati fatin të njohë e të marrë mësime edhe nga Homeri shqiptar, at Gjergj Fishta.  

Pas përfundimit të Seminarit me rezultate të larta, shkoi në Itali, ku u regjistrua në Universitetin e Urbino-s, në të cilin u diplomua po ashtu me rezultate të shkëlqyera në Teologji dhe Filozofi. 

Më 1946, abati i Mirditës Frano Gjini e emëroi këshilltar në dioqezën e Mirditës, ku, nëpërmjet meshtarisë, veç të tjerash, u përqendrua në zhdukjen e problemit të gjakmarrjes, të kësaj plage të hapur hemorragjike, e cila ende nuk është shëruar në Miditë dhe në Shqipërinë e Veriut dhe vazhdon të kullojë dhembje e gjak.  

Në pjesën vijuese, autori Tomë Mrijaj na prezanton Mirditën e stërgjyshërve të tij, hedh dritë në vendlindjen e protagonistit famëmadh, shpalos historinë e saj të dhembshme, por edhe krenare, trajton çështje etnokulturore, duke folur për bajraqet, doket, zakonet e, me theks të veçantë, për peshën e Kanunit të Lekë Dukagjinit.  

Duhet theksuar se sa i përket të dhënave për Mirditën, autori i kompleton me shënimet interesante e shteruese të abat imzot Preng Doçit, që është një nga figurat më markante kishtare e atdhetare të historisë shqiptare. 

Kundërshtar i komunizmit dhe përpjekja për fe e atdhe

Autori, ndalet dhe rrëfen, për qëndresën antikomuniste të Grupit Nacional Indipendent, të Lidhjes së Shkodrës, me kapidan Mark Gjonmarkun, në krye dhe të grupacioneve të tjera antikomuniste, përfaqësuesit e të cilave në Kuvendin Themelues, më 6 nëntor 1946 në Romë morën vendim për krijimin e Bllokut Kombëtar Indipendent. 

Ndër nënshkruesit e proçesverbalit të themelimit figurojnë: Kapidani i Mirditës Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjonmarkaj, Qazim Mulleti, dr. Xhemil Dino, Nebil Dino, prof. Sotir Kozmo, kapiten Asllan Libohova, Pandeli Papalilo, Luigj Gjergjola, Safa Vlora, Jak Koçi, dr. Eduard Liço, dr. Ismail Vërlaci, prof. Ernest Koliqi, Nexhmedin Vrioni, dr. Xhelal Mitrovica, prof. Namik Resuli, dom Frano Karma, kapiten Jorgji Ruço, kapiten Kapllan Libohova, Theofan Qesari, dr. Kadri Myftiu, dr. Lin Shkreli, prof. Stefan Gazulli.  

Në vazhdim, Tomë Mrijaj shkruan për misionin e parë të zbarkimit me avion italian në malet e Mirditës, më 15 shkurt të vitit 1949, të grupit të përbërë nga Ndue Pjetër Gjonmarkaj, Ndue Mëlyshi, Alush Lleshanaku dhe Xhevdet Blloshmi, të cilët ishin stërvitur në Qendrën Amerikane të Zbulimit në periferi të Romës.  

Kapidan Ndue Gjonmarkaj nga Mirdita, i biri i Kapidan Gjon Markgjonit një antikomunist i njohur, që kishte organizuar Mirditën kundër komunizmit, në fillim të vitit 1944 dhe pas vrasjes së vëllezërve të tij Mark e Llesh Gjonmarkaj, ai nga Italia u vu në krye të përgatitjes së planeve të zbarkimit në terren (Malet e Mirditës etj.) të grupeve parashutiste antikomuniste. 

Ai gjithashtu cakton Ndue Pjetër Gjomarkun në krye të forcave profesioniste parashutiste si dhe e emëron me detyrën e n/kryetarit të nën komitetit Krahinor të Mirditës, në “Lidhje Kombëtare të Maleve”. 

Ndue Mëlyshi ishte i biri i bajraktarit të Kthellës, Gjon Mëlyshit, një prej familjeve më të njohura të asaj zone, ku disa prej djemve të atij trungu familjar, kishin shërbyer si ushtarakë të Monarkisë së Zogut.  

Alush Lleshanaku (ish-profesor në Normalen e Elbasanit), i cili pas vitit 1944, doli në mal dhe u vu në krye të një çete antikomuniste, që vepronte në rrethinat e Elbasanit, Peqinit, e pyjet e Martaneshit.  

Xhevdet Blloshmi, (ish-kapiten i Monarkisë së Zogut), nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës së Librazhdit, i cili gjithashtu që në dhjetorin e vitit 1944, kishte dalë në mal në arrati, në krye të grupit të rezistencës antikomuniste, duke vepruar në zonat e Librazhdit e Elbasanit, deri sa u arratis nga Shqipëria.  

Më pas jepen të dhëna shumë interesante të ish ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, studiuesit dr. Pjetër Pepa, lidhur me përgatitjet për arrestimin e prelatit guximtar, për mbështetjen që i dhanë besimtarët, për ta shpëtuar nga rrethimi i egër komunist, si dhe për bashkimin e tij me grupet e qëndresës atdhetare në malet e Mirditës, me vëllezërit Mark e Llesh Gjonmarku në krye, të cilët u vranë nga forcat e Sigurimit.  

Dom Zef Oroshi kishte punuar me grupet antikomuniste të drejtuara asokohe nga Dera e mirënjohur e kapidanëve të Mirditës, deri në vrasjen e dy vëllezërve: kapidan Markut dhe Llesh Gjonmarkut.  

Në një shkrim me kujtime: “Homazh për Monsinjor dr. Zef Oroshin”, autori Bep Kuqani me banim në SHBA, ish i burgosur politik në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, kujton: “Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antokomunist i vendosun.”.  

Në vazhdim, autori i librit, Tomë Mrijaj përshkruan arratisjen e prelatit guximtar në Jugosllavi në vitin 1952, bashkë me meshtarët: at Daniel Gjeçaj O.F.M., at Ambroz Martini O.F.M, dhe dom Nikollë Kimza, të cilët organet e pushtetit jugosllav i vendosin larg kufirit të Shqipërisë, në Mitrovicë. 

Prej andej, prelati Zef Oroshi, më 3 shkurt 1953 i dërgon një letër kapidan Ndue Gjomarkut, i cili asokohe gjendej në Romë. Përmes saj e informon imtësisht për gjendjen e rëndë në të cilën gjendej Mirdita e Shqipëria para arratisjes së tij. 

Ai arrin të vlerësojë drejt se si klika komuniste e Tiranës ia kishte dalë që të fuste përçarje ndërmjet toskëve dhe gegëve, se si Shqipëria kishte humbur independencën e saj karshi perandorisë së ferrit të popujve (Bashkimit Sovjetik) etj.  

Është mjaft prekës fragmenti i letrës, ku shkruan për mungesën e gjërave elementare ushqimore, për vdekjet e njerëzve nga torturat, nga uria, nga sëmundjet etj. 

Krahas kësaj, letërshkruesi shënonte se në Tiranë e kishin lartësuar Stalinin, duke i ngritur pesë monumente. Kështu, thekson ai, ishte vepruar edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë. 

Një fakt tjetër shqetësues dhe i dhembshëm ishte se në shkolla mësimi zhvillohej sipas programeve të pedagogjisë sovjetike; ndërsa me dekret-ligjin e gushtit të vitit 1952, ndaloheshin të gjitha librat e shtypur para vitit 1944, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhët e huaja.  

Në vazhdim jepen të dhëna për shtypjen fetare dhe qëndresën e kishës katolike në Mirditë, duke sqaruar pse qëndresa e saj ishte aq e fuqishme. Kemi këtu të dhëna për riorganizimin e Nënkomitetit të Mirditës, që drejtohej nga Llesh Gjonmarkaj dhe për ndërlidhjet e tij me udhëheqësit e krahinave të tjera. Në fund të letrës evidentohet terrori e dhuna e paparë, por edhe qëndresa spartane e luftëtarëve të lirisë.  

Me doktoratë të filozofisë dhe teologjisë në Romë drejt Amerikës

Në vitin 1954, dom Zef Oroshi bashkë me meshtarët at Daniel Gjeçaj dhe dom Nikollë Kimza, me garancinë e kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni dhe djalit të tij, Ndue Gjonmarku, shkuan në Itali. Atje, sipas autorit Tomë Mrijaj, dom Zefi ndoqi studimet në Universitetin Katolik “Angelicum”, duke i finalizuar ato me mbrojtje të tezës së doktoratës, me notën më të lartë.  

Gjatë qëndrimit në Romë, krahas meshtarisë, filloi të bashkëpunojë me botuesit e “Shejzave” prof. Ernest Koliqin dhe redaktorin prof. Martin Camajn. Në Romë përktheu veprën “Shkrimi i Shenjtë, Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve”, të cilën ia kushtoi mësuesit të paharruar dom Ndre Mjeda. 

Një kapitull i veçantë i monografisë së Tomë Mrijajt për atdhetarin dom Zef Oroshi, është ai që pasqyron jetën dhe veprimtarinë e tij në SHBA. 

Në vitin 1961, dom Zef Oroshi shkon në Amerikë. Fillimisht vendoset në Boston, ku qëndron disa muaj dhe njihet më për së afërmi me “kryeqytetin” e shqiptarëve të Amerikës. Këtu viziton shpesh imzot Fan S. Nolin, me të cilin ka pasur kontakte edhe më parë. 

Monsinjori e pohonte me mburrje se peshkopi Fan Stilian Noli ishte një patriot i vërtetë, se gjatë takimeve të shpeshta ekumenike kishin shfaqur idenë e afrimit të Kishës Ortodokse Shqiptare me Kishën Katolike Shqiptare, por pas vdekjes së peshkop Nolit (më 13 mars të vitit 1965), aktiviteti që ndërmorën bashkësitë fetare të krishtera shqiptare me qëllim të pajtimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit të tyre, mbeti vetëm një ide, që koha e harroi dhe zbehu ngadalë.  

Angazhimi në çështje atdhetare, fetare, kulturore dhe artistike

Një punë të madhe ka bërë Monsinjor Oroshi sidomos nga viti 1962, kur u shpërngul në New York, ku themeloi “Lidhjen Katolike Shqiptaro-Amerikane” dhe më vonë gjithashtu themeloi dhe drejtoi revistën “Jeta Katholike Shqiptare”, që doli për 12 vjet rresht (1966-1978 dhe sot vijon me këtë emër).  

Si bazë mbështetëse për pasqyrimin e kësaj veprimtarie dhe angazhimeve të tëra shumëdimensionale, studiuesi Tomë Mrijaj, i ka shërbyer një vështrim i prof. Zef Nekës për revistën “Jeta Katholike Shqiptare” dhe për rolin e madh të imzot Zef Oroshit si drejtor i saj. 

Nga këto shënime del se, pos çështjeve fetare, ai i ka mbajtur në dijeni të plotë lexuesit mbi veprimtarinë e shenjtores për së gjalli, Nënës sonë të madhe Tereze Bojaxhiu.

Historikisht janë trajtuar tema mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, sidomos me rastin 500-vjetorit të vdekjes së tij, mbi arbëreshët, ngritjen e flamurit, mbi përvjetorët e figurave të patriotëve, letrarëve, klerikëve të shquar etj.  

Sipas publicistit Mrijaj, dr. Zef Oroshi ishte i mirëpritur edhe në qendrat fetare islame. Duke qenë një atdhetar i flaktë e vizionar, njeri i afrueshëm e racional, ai ka bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e komunitetit mysliman, si: imam Sali Myftinë, kryetar i fesë islame në Detroit dhe Kanada, imam Vehbi Ismaili, imam Isa Hoxhën, hoxhë Hamit Perollin, sheh Halilin, baba Rexhepin, kryetar i Teqesë Bektashiane në Detroit etj. 

Pra, ai punoi pa u kursyer për kultivimin e traditës e harmonisë fetare shekullore, për mbjelljen e dashurisë e respektit për njëri-tjetrin. Ky përcaktim dëshmohet edhe me faktin, se Monsinjori mendjendritur e bamirës, bëri fushatë për grumbullimin e mjeteve financiare, për ndërtimin e qendrave katolike e islame.  

Një vend të spikatur autori Tomë Mrijaj i kushton angazhimeve të monsinjor Zef Oroshit kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës. Meshtari shqiptar, nëpërmjet takimeve me miqtë amerikanë si kongresmeni Mario Biaggi dhe shumë senatorë dhe kongresmenë të tjerë, e kanë ndihmuar mons. Oroshin për çdo ankesë që ai ka paraqitur për komunitetin shqiptaro-amerikanë dhe çështjen shqiptare në përgjithësi, si për lirinë e fesë dhe kundër komunizmit në Shqipëri dhe çështjen e lirisë së Kosovës, kundër pushtuesve serbë. 

Ai gjithashtu, gjatë tubimeve e protestave para Selisë së OKB-së, ka stigmatizuar pushtetin dhe ideologjinë komuniste, që e kishin sjellë Shqipërinë dhe popullin shqiptar në një gjendje të mjerueshme ekonomike, arsimore, shëndetësore etj., ku mbretëronte zhgënjimi e po perëndonte shpresa, për një të nesërme më të mirë. 

Aty evidentohet edhe reagimi i Vatikanit dhe i agjencive prestigjioze të lajmeve italiane, austriake, amerikane, angleze etj., për dënimin me pushkatim të dom Shtjefën Kurtit, të cilat protestuan fuqishëm ndaj këtij akti terrorist. Evidentohet raporti i Misionit Shqiptar pranë OKB-së ku theksohet: “Më datën 1 prill 1973, pranë Selisë së Misionit Shqiptar në New York, prifti Zef Çoku (Oroshi) organizoi demonstratë në shenjë proteste, duke shfrytëzuar si pretekst vrasjen e priftit Shjefën Kurti dhe “persekutimet fetare në Shqipëri”.  

Për këtë veprimtari antikomuniste nëna, vëllezërit dhe motra e Monsinjorit në Shqipëri e kishin pësuar shumë rëndë nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. 

Përkundër këtij preokupimi parësor, prifti atdhetar gjente kohë për t’u kujdesur edhe për gjendjen e punëtorëve shqiptarë të krahut në Amerikë. Ishte mjaft aktiv edhe në sferat kulturore e letrare, duke marrë pjesë në Këshillin Drejtues të “Vatrës”; angazhohej që të mbante gjallë ndjenjat kombëtare e fetare; këshillonte rininë shqiptare të ecte me kohën, angazhohej për ruajtjen e mirëbesimit e ndërlidhjes midis gjeneratave, ose prindërve e fëmijëve të tyre etj.  

Për të gjitha këto dhe sferat e tjera të veprimtarisë atdhetare e fetare, Monsinjor Zef Oroshi konsiderohej si bari i urtë e atdhetar i zjarrtë. Ai ka marrë pjesë edhe në përkujtimin e 25-vjetorit të persekutimit të Kishës Katolike Shqiptare, më 5 mars të vitit 1972 në New York.  

Gjatë këtij aktiviteti inxhinier Xhafer Deva, kryetar i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, përkujtoi virtytet dhe karakterin e martirit patër Anton Harapi O.F.M., të cilin i ngarkuari gjerman për punët e Ballkanit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Herman Neubahuer, e vlerësonte si figurë poliedrike, patriot stoik, filozof, orator dhe shkrimtar të spikatur shqiptar.  

Është me shumë interes të përmendim faktin se si imzot Oroshi mori pjesë dhe bekoi martesën e Leka Zogut II, i biri i Ahmet Zogut (në Spanjë) më 10 tetor 1975, në prani të 1500 pjesëmarrësve, përfshirë këtu rreth 100 personalitete të huaja; ambasadorë, princër, mbretër, dukë e dukesha, Ai, në krye të Lidhjes Katolike Shqiptare, më 26 tetor 1975 organizoi një mbrëmje kulturore shoqërore, kushtuar përkujtimit të botimit të veprës së parë letrare në prozë në gjuhën shqipe të imzot Pjetër Bogdanit. 

Nderimi për Nënën Tereze dhe personalitete të tjera kombëtare

Një vend mjaft të dukshëm, autori Mrijaj i kushton ftesës dhe mikpritjes së Nënës Tereze që i bëri monsinjor dr. Zef Oroshi në Kishën Shqiptare në New York, më 25 korrik 1976 dhe efekti që pati prania e saj në mesin e shqiptarëve në Amerikë.

Autori, në vazhdim shkruan se si më 24 shtator 1978 bëhet inaugurimi i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx, N. Y., të ndërtuar me ndihmat e shqiptarëve të këtij qyteti të madh, me çka u përmbyll një periudhë e lavdishme veprimtarie, për mërgimtarët katolikë shqiptarë në Amerikë. 

Në vitet në vazhdim, përkatësisht në vitin 1982, monsinjor dr. Zef Oroshi ishte i ftuar nga Universiteti “Santa Clara” në Kaliforni, ku celebroi një meshë për nder të martirëve shqiptarë ndër shekuj.  

Autori Tomë Mrijaj, shkruan edhe për takimin e monsinjor dr. Oroshit me dr. Anthoni Athanasin në Boston, në maj të vitit 1982, ku bashkë me të ka qenë edhe prof. Zef Neka.

Kështu, autori, duke qenë pranë tij në momentet më të rëndësishme të veprimtarisë, ka arritur të japë momente mjaft interesante dhe nganjëherë shumë prekëse veçanërisht kur Monsinjori merrte lajme të këqija për familjarët e tij në Shqipëri. Për fat të keq, këso lajmesh pikëlluese merrte shpesh jo vetëm ai, por edhe emigrantë të tjerë shqiptarë.  

Vdekja e vëllezërve, Prendit dhe Ndues, motrës Luke ishte kulmi i tyre tmerrues. Janë me shumë interes edhe pjesët ku flitet për nderimin që Monsinjori i bëri figurës madhore të Abaz Kupit pas vdekjes. Ai u lut për të jo vetëm gjatë ceremonisë mortore, por edhe dy vite rresht pranë varrit të tij. 

Autori i librit ishte i pranishëm gjatë vizitës që monsinjor dr. Zef Oroshi i bëri Memorialit të shërbëtorit të kombit, Mit’hat Frashërit, duke shprehur kështu respektin e thellë për atdhetarin e shquar. Ai, duke njohur personalitetin, angazhimin atdhetar, kulturor e politik, shpirtin e dëlirë të gjeniut të kombit, ka bërë një paraqitje shteruese për jetën dhe veprën e tij.  

Është shumë e njerëzishme dhe kuptimplote pasqyrimi i raporteve tepër të afërta të monsinjor dr. Zef Oroshit me Tomë Mrijajn, autorin e librit kushtuar këtij personaliteti të rëndësishëm. 

Disa tablo me tema të ndryshme pasqyruese: “Si u bëmë kumbarë”, “Ikja dhe ardhja e një engjëlli” etj., e plotësojnë dhe begatojnë gjithnjë e më mirë kontributin e Monsinjorit, që ka dhënë në disa fusha të veprimtarisë së tij. 

Në një tablo pasqyrohet edhe profecia e admirueshme e monsinjor Zefit, e cila më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, duke ma kthyer kujtesën në në kohë mjaft të largët, në gjysmën e dytë të viteve ’60, kur punoja si mësimdhënës në shkollën tetëvjeçare të Gurrakocit. 

Kjo ma kujtoi tragjedinë e familjes së Jakup Salih Gjedisë, një emigranti nga Bytyçi i Tropojës, i vendosur në fshatin Veriq të Istogut, të cilit malazezët ia paten therur djalin, Hilmiun (1954-1969), i cili ishte nxënës imi ndër më të mirët, një djalë i zgjuar dhe shumë i edukuar. 

Derisa po e lexoja këtë pjesë të librit, sakaq para sysh m’u shfaq Hilmiu i zbehtë në fytyrë e me sy gjysmë të perënduar. E kam parë me sytë e mi se si shuhej në duart e prindërve të tij, Gjylës dhe Jakupit në qendër të Gurrakocit, teksa po prisnin ndonjë mjet për ta dërguar sa më shpejt në spitalin e Pejës. 

Kjo vrasje makabre pat pikëlluar nxënësit, mësimdhënësit, madje edhe të gjithë banorët e Podgurit e më gjerë. Duke parë solidaritetin kaq të madh dhe bujarinë e fisnikërinë e njerëzve të këtij mjedisi, Jakup Salih Gjedija dhe familja e tij e kthyen dhembjen në forcë, ndjellakeqësinë (pesimizmin) në ndjellamirësi (optizmizëm), zhgënjimin në shpresë se në jetë shpejt do t’u vije një fëmijë tjetër që do të marrë kuptimin e vazhdimësisë, pavdekësisë së fisit të tyre, që do të jetë sinonim i pathyeshmërisë e qëndresës së përjetshme në këto troje. Kështu, po atë vit familjes Gjedija ia fali Zoti një djalë. U gëzuan jo vetëm njerëzit, por edhe trarët e shtëpisë…  

Gjithashtu është shumë prekëse edhe përshkrimi i tragjedisë tjetër, që kishte përjetuar familja Gjedija në Amerikë.  Në vitin 1972, ajo është shpërngulur nga Kosova në Itali, për të vazhduar një vit më vonë rrugëtimin për në SHBA. Atje, më 28. IX. 1981, humbi jetën Hilmiu (emër i përtërirë), nipi i vogël i Jakupit e djali i Azemit. Pikëllimi ishte tepër i madh sepse ishte i vetmi vëlla i pesë motrave. Shumë njerëz, në mes tyre edhe monsinjor Zefi bashkë me autorin e kësaj vepre, Tomë Mrijajn, morën pjesë në ceremoninë mortore për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë forcë qëndrushmërie familjes së Azem Gjidisë, që ta përballoj dhembjen e madhe. 

Lidhur me këtë autori shkruan: “Me këtë rast Monsinjori pasi qendroi para kufomës dhe dha uratën e përshpirtshme, iu drejtua të pranishmëve: ”Me erdhi shumë keq për fatkeqsinë e papritun”. Dhe pa me sy Azemin, babanë e të ndjerit. “Kjo ka qenë vullnesa e Zotit, por e ndiej thellë në zemrën time se s’shpejti Zoti do ta gëzojë familjen me nji djalë!”

Mbas një viti parashikimi i imzot Oroshit u bë realitet. Vullneti i Zotit vendosi që kjo familje atdhetare të shtohej më një djalë. Shumë të pranishëm, që e kishin dëgjuar lutjen e bariut shpirtbardhë e zemërluan, thoshin: “Monsinjor Zef Oroshi ka shumë parandjenjë. Atë, që ia ndjen zemra Zoti ia bën realitet!”   

Në vazhdim përshkruhet momenti kur Monsinjori me autorin u gjendën përpara shtëpisë së amshimit, ku ishte skalitur rrasa e varrit të tij, me fjalët si tek rrasa e Moisiut. 

Autori, duke qenë një mik i shpirtit të monsinjor dr. Zef Oroshit dhe njeri shumë human me zemër të bardhë, i ka qëndruar si gardian mbrojtës, madje edhe kur i adhuruari i tij kaloi në amshim, ai luajti rolin kryesor në organizimin e ceremonisë mortore. 

Në vitin 1985, del në pension, me çka, sipas autorit, monsinjor Oroshi ishte i qetë për realizimin e qëllimit të popullit të vet në Amerikë. Me daljen në pension të imzot Oroshit, vendi i tij u zëvendësua nga dom Rrok Mirdita. 

Në këtë libër, lexuesi gjen edhe një mal me të dhëna plotësuese për jetën dhe veprën e monsinjor dr. Zef Oroshit dhe të miqve të tij të shumtë si prof. Rexhep Krasniqi, prof. Luan Gashi, gazetares Nexhmie Zajmi etj. Këto të dhëna kompletohen edhe me shënime (referenca të kompletuara përmbajtësore) që do t’u shërbejnë edhe studiuesve të tjerë.  

Autori e ka kompletuar me mjeshtëri figurën dhe veprimtarinë e protagonistit kryesor të tij, duke portretizuar edhe disa prelatë të tjerë të shquar, si: imzot Vinçenc Prennushi, të cilin e vlerëson si shërbëtor të devotshëm të fesë dhe si njohës të thellë të letërsisë, pastaj figurën e imzot Rrok Mirditës, që shërbeu dhe u ngrit në Tivarin tonë, në skajin më verior të Arbërisë.  

Libri, pasqyron në detaje ringjalljen e hierarkisë së kishës katolike në Shqipëri, Kosovë dhe në trevat e tjera etnike. Kjo kompletohet me jetëshkrimet e imzot Rrok Mirditës, at Andrea Nargajt O.F.M., dom Lazër Sheldisë, dom Pjetër Popajt dhe dom Nikolin Përgjinit.  

Në këtë vepër, lexuesi has në të dhëna shtesë për imzot dr. Oroshin, për revistën “Jeta Katholike Shqiptare” etj. Ka këtu edhe shkrime të dr. Rexhep Krasniqit, për gjendjen e bashkësisë së mërgimit politik shqiptar në New York (1967) dhe për inaugurimin e Kishës së re moderne të “Zojës së Këshillit të Mirë”, më 24 shtator 1974, që është një ngjarje më rëndësi të madhe jo vetëm për bashkësinë katolike shqiptare amerikane të New York-ut, por edhe për mbarë mërgimin politik shqiptar në Amerikë.  

Autori Tomë Mrijaj inkorporon (përfshin) në libër edhe kumtesën e tij shkencore me titull: “Me zemër të madhe për Atdheun”, paraqitur në Sesionin shkencor në Prizren, më 26-27 nëntor 2004, pastaj “Kujtimet e hidhura nuk fshihen…” dhe “Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjedja”. 

Në referencë jepen të dhëna me shumë interes, për studiuesin e mirënjohur, dr. Mentor Qukun, autorin e disa veprave për dom Ndre Mjedën. E gjithë kësaj duhet shtuar edhe intervista me publicistin veteran, Tonin Mirakaj, me titull: “Imzot Zef Oroshi, themelues e drejtues i shtypit katolik shqiptar në Amerikë” etj. 

Publicist dhe letërkëmbyes (epistolar)

Figura poliedrike e monsinjor Oroshit kompletohet edhe me kontributet e tij në publicistikë, të cilat pasqyrohen nëpërmjet artikujve: “Nji oazë rilindjeje kombëtare në diasporë” pastaj “Fiket Ernest Koliqi, nji pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”; “Përgatitja dhe prodhimet letrare”, Përkthime marrë nga revista “Shejzat”. 

Autori i librit ka mishëruar a trupëzuar (inkorporuar) këtu edhe shkrimin nekrologjik (përkujtesën) e monsinjor dr. Zef Oroshit “Vdiq profesor Karl Gurakuqi, veteran i arsimit shqiptar” dhe shënime të tjera si “Shtëpia e Zotit dhe Dera e Qiellës”, “Bashkatdhetarë Shqiptarë” etj. 

Autori Tomë Mrijaj e kompleton librin edhe me një fragment të novelës “Çohaja” të Monsinjorit, e cila është botuar e plotë në revistën “Shejzat”.  

Në vazhdim autori evidenton përmbajtjen e Letërkëmbimeve të monsinjor dr. Zef Oroshit me personalitete të shquara kishtare shqiptare e amerikane dhe me veprimtarë të komunitetit shqiptar, përfshirë këtu edhe Halim Begenë, Xhevat Kallajxhiun, Rrok Malokin, Marash Ndoc Shkrelin, imam Isa Hoxhën, episkop Stefan Laskon, prof. Rexhep Krasniqin, Baba Rexhepin etj.  

Një pjesë me shumë vlerë e librit është edhe kapitulli: “Titujt e shkrime të botuara nga imzot dr. Zef Oroshi”, të cilat pasqyrojnë ngjarjet historike që lidhen me këtë figurë madhore fetare e kombëtare. Aty janë përfshirë artikuj të botuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar dhe të huaj në Amerikë dhe jashtë saj.  

Autori, ka botuar edhe shumë materiale dhe artikuj, që Monsinjori i ka shkruar ose i ka lënë në dorëshkrim, amanet atij personalisht dhe personave të ndryshëm me të cilët kishte lidhje miqësore e intelektuale. Të gjithë këta u treguan të gatshëm t’i publikojnë këto materiale duke mundësuar kështu që të lexohen dhe të ruhen si thesare të krijimtarisë shumëdimensionale të meshtarit të papërsëritshëm.  

Në fund, si zakonisht, jepet një listë e literaturës së pasur, që është bazë mbështetëse e këtij libri enciklopedik e me shumë vlerë. 

Përfundim  

Mund të përfundojmë se, autori i këtij libri dhe miku im me besë të fortë ia ka dalë që protagonistin e tij, këtë personalitet të shquar të jetës kishtare, intelektuale e atdhetare ta bëjë shumë të njohur, jo vetëm për qarqet shkencore, por edhe për rrethin e gjerë të lexuesve.  

Studiuesi, publicisti dhe veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare Tomë Mrijaj e ka arritur këtë edhe falë kualiteteve të veta humane e atdhetare, të trashëguara nga rrënjët e moçme të trungut shqiptar, që të ndihmojë e t’i gjenden pranë mikut dhe sidomos atyre që tërë jetën ia kanë kushtuar atdheut, kombit, njerëzve të fisit dhe të tjerëve.  

Nisur nga kjo dhe pa asnjë interes personal është bërë edhe njohja, bashkëpunimi dhe nderi, që i ka bërë ky njeri i mirë dhe i papërsëritshëm, protagonistit të librit, Hyjit të Mirësisë dhe të Shqiptarisë, të pavdekshmit monsinjor dr. Oroshit. 

Shënim: Kumtese e mbajtur me 13 qershor 2022, në Lezhë në Simpoziumin Shkencorë kushtuar intelektualit të shquar mons. dr. Zef Oroshit.   

Filed Under: Histori

Fitorja do t’i takojë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

November 17, 2022 by s p

Gjatë qëndrimit dy ditorë të Ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në Holandë, ai ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë.
Ministri Mehaj ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa ka biseduar shkurt edhe me, Hysni Gucatin i cili ishte duke u përballur me probleme shëndetësore.

Në takimet që ka realizuar me secilin, ai i ka njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë.

Ata të gjithë ishin me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Me tej Ministri Mehaj është shprehurës se: “Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë.

Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt.

Ditët e së ardhmes së Republikës sonë qofshin sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!”

Filed Under: Komente

PAVËRTETËSIA E NJË SHKRIMI HISTORIK

November 17, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më 31 tetor 2022 gazeta e kryeqytetit “Dita” ka botuar një shkrim me sfond historik  me titull “Aspekte shqiptare nga lufta italo-greke” me një porosi të veçantë të redaksisë: “shpërndaje”.

“Lufta italo-greke, 82 vite më parë, e cila filloi më 28 tetor 1940 dhe përfundoi në prill 1941 nuk ka gjetur një pasqyrim të plotë në historiografi”. Kështu fillon artikulli, që është më shumë një renditje këgësh popullore mbi atë periudhë se sa një studim i mirëfilltë historik. Më poshtë autori i artikullit, z. Dilaver Goxhaj, shkruan: “Ajo klasë politike kolaboracioniste e vunë vëndin tonë me akte zyrtare në gjëndje lufte me Greqinë, akte që, veç firmës së Mbretit Viktor Emanuel III, mbanin dhe firmën e kryeministrit kuisling Mustafa Kruja duke e quajtur një okazion për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”….

Si rrjedhojë e atij nënëshkrimi nga Mustafa Kruja, Shqipëria pas okupacionit italian po vihej edhe nën okupacionin grek, që do t’i kushtonte veçanërisht Jugut të Shqipërisë. Duke u rreshtuar në anën e agresorit, kolaboracionistët e bënë Shqipërinë, nga një vënd viktimë e agresorit në një palë ndërluftuese, pjesëmarrëse në sulmin kundër Greqisë në krah të Italisë”.

Ky është thelbi i shkrimit të z. Goxhaj. Mund të shmëzohet me zero nga ana historike kur thotë se Mustafa Kruja ishte kryeministri që firmosi aktet zyrtare për gjëndjen e luftës me Greqinë, si pasojë e sulmit të saj nga ana e Italisë. Është një pohim krejtësisht i rremë, sepse n’atë kohë Mustafa Kruja kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare dhe ishte senator i Mbretërisë italiane, duke mos patur asnjë post qeveritar. Dihet mirë se Mustafa Kruja u emërua kryeministër më 13 dhjetor 1941 dhe dha dorëheqjen më 3 janar 1943.

Sigurisht autori i artikullit nuk e ka quajtur të rëndësishëm  këtë fakt, mbasi në pasigurinë do të kishte hapur historinë e Shqipërisë, në të cilën studjues më të kujdesëshëm për të vënë datat e sakta do t’a kishin ndihmuar për të mos rënë në një gabim të rëndë përsa i përket së vërtetës historike. Apo ndoshta ndonjë paragjykim johenik ndaj personazhit e ka shtyrë të verë në qëndër të mërisë së tij emrin duke menduar se askush nuk do t’a verë re. Në fakt redaksia e gazetës “Dita”nuk e ka parë dhe e ka porositur lexuesin t’a “shpërndajë” sa më shumë këtë xhevahir të publiçistikës. Ky fallsitet historik e kthen në pluhur gjithë qëllimin e autorit për të vazhduar traditën e hershme të shtypit komunist në poshtërimin e personaliteteve atdhetare jo komuniste, që kanë vënë interesat e atdheut mbi gjithshka tjetër, mbi vuajtjet e tyre e të familjeve, mbi flijimet, mbi interesat e tyre vetiake.

Duke u kthyer në pohimet e mësipërme të shkrimit, e vërteta është se nuk ka asnjë dokument të nënëshkruar nga ndonjë shqiptar, duke filluar nga Mbreti Zog deri tek Opozita kundër-zogiste jashtë Shqipërisë, pra tek i gjithë qarku i plotë i politikës shqiptare t’asaj kohe, që të ketë “mbështetur pushtimin e Shqipërisë nga Italia” siç mëton z. Goxhaj. Askush nuk e ka dashur pushtimin dhe askush nuk ka qënë në gjëndje që t’a ndalojë.

Nëse ka ndonjë miratim të detyruar nga qeveria e Vërlacit kundrejt sulmit të Italisë kundër Greqisë, ai nuk ka patur si qëllim skllavërimin e popullit grek, por shpresën për bashkimin e trojeve shqiptare në Shtetin shqiptar. Por nëse ky synim u sendërtua për Kosovën, Dibrën e Zonën e Liqejve apo disa pjesë të Malit të Zi, nuk u arrit të kryhej për trojet e Jugut, Çamërinë dhe Epirin e Veriut, toka që kishin qënë që nga lashtësia territore të Arbërisë e të Vilajetit të Janinës  nën pushtimin otoman.

Ka një të vërtetë në pohimet e z. Goxhaj kur ai thotë se Mustafa Kruja përpiqej për “Shqipërinë e Madhe”. Është një pohim i bërë me qëllim poshtërimi të figurës së atdhetarit krutan, në një zë me paditë që i ka bërë atij propaganda sllavofile sërbe e shqiptare. Ai dhe miku i tij Qazim Koculi, ashtu si dhe shumë atdhetarë të tjerë patën si synim kryesor të veprimtarisë politike pikërisht Shqipërinë etnike dhe shmangien e ardhjes së partisë komuniste në pushtetin e Shqipërisë. 

Nëse, mbas tetëdhjetë vitesh, ka ndonjë studjues shqiptar që i quan ende këta synime si të padobishme, madje edhe të dëmshme për interesat e vërteta të Shqipërisë, ky fakt na çon në përfundimin se, fatkeqësisht, dogmat e historiografisë komuniste çuditërisht  mbeten ende më të fuqishme se sa ligjet më parake të logjikës njerëzore.       

Filed Under: ESSE

KRYETARI I VATRËS U TAKUA ME ISH KRYEMINISTRIN E KOSOVËS AVDULLAH HOTI

November 17, 2022 by s p

Prishtinë, 17 Nëntor 2022 – Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha u prit në një takim të përzemërt e vëllazëror nga ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Avdullah Hoti. Pikat e diskutimit dhe shqetësimete përbashkëta ishin: zhvillimet politike në Kosovë, nevoja e ruajtjes së partneritetit tonë me SHBA, që ka qenë dhe mbetet gardiani dhe mbështetësi kryesor i shtetit të Kosovës e kombit shqiptar në Ballkan, u diskutua për rolin e Vatrës, si një institucion në vete, që është zëri shqiptar pranë institucioneve amerikane.

Filed Under: Politike

STUDIM I RËNDËSISHËM HISTORIOGRAFIK NGA KËNDVËSHTRIMI ARKEOLOGJIK

November 17, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/

Me librin “Ilirët deri te shqiptarët”, arkeologu i njohur, Neritan Ceka, historiografisë sonë i dha një vepër kornizë thuajse fundamentale nga sfondi arkeologjik, fokusimi i së cilës nis te parahistoria, koha historike, për të vazhduar, me qëndrime dhe konkluzione gjithëpërfshirëse, deri te koha jonë. Kundrimi bazik mbi antikitetin si themel të një etnosi historik, i cili nëpërmes dëshmive materiale nxjerr në pah kompleksitetet etno-socale, ato etno-kulturore e deri te definimet politike, pasqyron vazhdimësinë ilire deri te ajo shqiptare jashtë klisheve të njohura të shekullit të kaluar, atyre sllaviste të Vjenës dhe të ilirologëve jugosllavë, të cilat, për arsye objektive (mungesa e hulumtimeve gjithëpërfshirëse arkeologjike dhe të disciplinave të tjera nga shqiptarët) si dhe limiteve ideologjike (atyre serbomëdha edhe më tutje të pranishme), e kanë shtrembëruar atë në përputhje me konceptet e njohura shtetomëdha nga Kriza Lindore e këndej me ç’rast vendi i shqiparëve në hartën e re europiane duhej të ishte i mjegulluar dhe sa më i margjinalizuar, në mënyrë që të mos e fitonte dividentën e merituar shtetërore.

Në këtë studim, përnga metodologjia – sintetik, bie në sy pretendimi i autorit, që reliefi i trashëgimisë materiale, të kapërcejë kornizat shtetërore dhe kufizimet e njohura tek ajo e një shtrirje gjeografike çfarë i kishte nga antikiteti e deri te koha jonë.

Natyrisht, se zgjerimi i kësaj game, që ishte i domosdoshme, me konceptin e qartë që të ndërtohet një diskurs historiografik te një fizionomie te Ilirëve, si një etni ndër më të rëndësishmet e antikitetit dhe rolit të saj vendimtar në kohën historike në të gjitha fazat e zhvillimeve politike, shoqërore dhe kulturore që përcaktuan elementet identitare të qytetërimeve që njihen për deri te shqiptarët e sotëm, ka për fokus dëshmimin e rrënjëve të kombit shqipar nga gërmimet e para arkeologjike në vitet 1916-1924, të ndërmarra nga arkeologë të huaj, për të vazhduar me ato të viteve 1947-2014. Kjo ecuri ishte e domosdoshme për të participuar në sfondin e përgjithshëm të trashëgimisë europiane dhe për të aticipuar në të.

Përcaktimi i tillë, pra që arkeologjia shqiptare të nxjerrë në syprinë lashtësinë ilire nga prehistoria, nga koha historike e deri te ditët tona, kërkonte përkushtim institucional si dhe infrastrukturë të caktuar profesionale, e cila mungonte në fazat e hershme të themelimit të shtetit shqiptar. Profesor Ceka, jo rastësisht ndalet te ky zhvillim, me ç’rast pasqyrohet rruga nëpër të cilin kaloi nga viti 1947 deri në vitin 2014, kur arkeologët shqiptarë (Hasan Ceka, Prendi e të tjerë) në bashkëpunim me arkeologë të jashtëm, i vunë themelet arkeologjisë shqiptare. Me gërmimet në lokalitetet e njohura në disa pjesë të Shqipërisë, harta arkeologjike shqiptare filloi ta plotësojë mozaikun e pamjes së neolitit dhe të asaj në eneolitit në Shqipëri (midis viteve 6000-2100 para Kr.), pamje kjo e ndërlidhur me preilirët dhe protoilirët, me ç’rast, dëshmitë arkeologjike në trevat brenda shtetit shqiptar, do të inkorporohen në tablon e përgjithshme europiane, duke i dhënë asaj dëshmi tepër të rëndësishme. Me eksponatet e gjetura në shumë vendbanime (Koman, Fier, Apolloni dhe pjesë të tjera), protoilirët (nga epoka e bronzit 2100-1200 p.kr) si dhe Ilirët e Epokës së Hekurit nga vitet 1200-450 para Kr.), shfaqen si faktor dominant i qytetërimit antik të kohës. Duke u mbështetur mbi këto gërmime, profesor Ceka, rekonstruon fizionomin e etnosit ilir në kuadër të strukturave shoqërore, politike dhe kulturore nga koha e formësimit të tyre, me ç’rast ato dalin në përputhje me modelet e njohura të organizimeve fillimisht fisnore e deri te ato mbrtërore. Gjithnjë duke u bazuar në zbulimet arkeologjike në Shqipëri si dhe ato të njohura përreth e deri te tërësia euro-aziatike, Ceka, ndryshon diskursin e deritanishëm të ilirëve “të shkapërderdhur” dhe nën ndikimin e helenëve dhe të kulturave të tjera mediterane, tek ajo e një etnosi të organizuar me një shtrirje të gjerë euro-aziatike, që edhe e ka ndikuar atë. Ky përcaktim, gjithësesi se ndryshon edhe imazhin e deritanishme pseudoshkencor të shumë qendrave, të cilat etninë ilire e kanë pasqyruar si të shkëputur nga vazhdimësia me arbërorët (në mesjetën e vonshme) dhe me atë shqiptare, etni kjo e cila, përkundër proceseve të njohura të etnocideve dhe të gjenocideve që përjetoi në shekullin e XIX dhe XX, përkundër rrudhjes së saj shtetërore dhe shkapërderdhjes në shtetet të tjera (Greqi, Serbi e Mal të Zi), ia doli që në masë të madhe të ruajë faktorin etnik thuajse në përmasat që kishte nga trinomi i njohur i mbretërive ilire në antikitet: Maqedonisë, Dardanisë dhe Epirit. Në këtë perceptim të Cekës, të mbështetur mbi gjurmimet arkelogjike në Shqipëri, po edhe atyre në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi që ruajnë kredibilitetin shkencor, konfirmohen dy teza të rëndësishme.

E para, ka të bëjë me atë se vazhdimësia ilire për te arbërit në mesjetë e deri te shqiptarët, si një kapërcim, shihet si zhvillim i natyrshëm i një etnie historike, politike dhe kulturore, që u transformua në përputhje me rrethanat identitare kulturore dhe gjuhësore, të ndikuara nga krishtërimi, të ngjashme nëpër të cilat kaluan italianët, francezët, rumunët e të tjerë nga latinët; grekët nga helenët; gjermanët nga germanët. Pra, shqiptarët dhe shqipja dolën nga ilirët, ndërkohë që edhe lashtësia e ilirëve nuk përjashtohet nga ajo e preilirëve dhe protoilirëve që ndërlidhet edhe me atë pellazge. Në këtë perceptim, bota ilire, shfaqet e formësuar me dy “shtresime”: atë bregdetar (ku kolonitë luajnë një rol të rëndësishëm) dhe atë të brendisë, njëherësh pjesë të epiqendrës që lidhin mediteranin me Europën Qendrore dhe lindore. Këto sfera gjithësesi kanë ndikuar edhe jetën shoqërore, politike dhe atë kulturore.

E dyta, ka të bëjë me atë, se karakterin e shtresimit të brendshëm të botës ilire me shtrirje të gjërë hapsinore nga qendra deri te pjesët lindore, e ka përcaktuar faktori dardan, si epiqendër tepër e rëndësishme, që nga mbretëria dardane (shekulli IV para erës sonë deri në shekullin I pas erës sonë) kur Iliriku bie nën pushtimin romak. Nuk është e rastësishme që Ceka një pjesë të mirë të librit (kapitulli IX) ia kushton Dardanëve si ilirë të parë dhe të fundit.

Te sintagma “Dardanët – ilirët e parë dhe të fundit” gjithësesi gjendet ajo që paraqet kthesë në historiografinë shqipare, por jo vetëm shqiptare, meqë si mbretëri nga shfaqja e tyre në shekullin IV para erës sonë e deri te shekulli I pas erës sonë, Dardanët luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e gjithmbarshëm të rrethanave të kohës. Me këtë rast, Ceka, tumir vlerësimet e deritanishme të F. Paspazogllu, N. Garashaninit, Georgievit, Budimirit, Mirditës e së voni edhe të Përzhitës, të cilët mbretërinë dardane e shohin si epiqendër të botës ilire dhe të qytetërimit të saj, që ndikoi gjithë antikitetin, po edhe mesjetën e hershme dhe atë të vonë, veçmas pas shfaqejs së krishterimit, ku edhe u zyrtarizua në shekullin IV nga perandori Konstandin i Madh me prejardhje ilire-dardane.

Për ndryshim nga studimet e deritanishme dardane, që atë ose e kanë anashkaluar, ose minimizuar në përputhje me konceptin e shkollës sllaviste të Vjenës ose të disa ilirologëve jugosllavë, të cilët në mjesjetë konstruuan të ashtuquajturin “Shtet mesjetar serb”, Ceka, duke u mbështetur në faktet arkeologjike, mbretërinë Dardane e portreton si ndër më të zhvilluarat e kohës, me qytete, xehetari dhe prodhime bujqëre. Madje, sipas Cekës, xehetarët dardanë ishin ndër më të njohurit e kohës, të shpërndarë edhe nëpër xeherorët tutje mbretërisë dardane, deri në Daci, gjë që demanton në tërësi tezën antishkencore se në mesjetë, në mungesë të traditës vendore të kësaj zeje, xeherorët e Dardanisë (Novobërdo, Zveçani e të tjera) u shfrytëzuan nga kolonët sas ose rraguzianë. Apropo kësaj, Ceka, rrëzon edhe tezën se disa ngulime katolike në disa pjesë të Kosovës (Novobërd) dalin si “koloni” të shkëputura raguziane kur ato datojnë në kuadër të krishtërimit të përbashkët në këtë pjesë. Po ashtu, Ceka, gjithnjë duke u mbështetur mbi zbulimet e deritanishme arkeologjike (tumave ilire, kështjellave si dhe kulteve fetare) nxjerr përfundimin se të gjitha kishat e ndërtuara në pjesën e Dardanisë në mesjetën e vonë dhe veçmas pas ndarjes së krishterimit në shek. XI, janë ndërtuar mbi ato paleokristianje, gjë që si të tilla i takojnë trashëgimisë kishtare ilire-dardane.

Ky interpretim, po ashtu, përjashton çfarëdo ndikimi sllav në epiqendër të Dardanisë meqë kulturalisht ishin në nivelin primitiv. Madje, edhe në pjesët rurale, ku ruhen disa gjurmë toponomastike të kohëve të vonshme, kanë të bëjë me praninë e tyre si blegtorë. Shtrija e disa enklavave sllave në Zahumle, Pohumle dhe Posavinë (sipas Porfirogentit), dhe të paraqitjes së tyre fragmentare në pjesën e Dalmacisë, gjithnjë sipas gjurmimeve arkeolgjike, dëshmon për një akomodim të tyre në ato pjesë. Por, mungesa e tyre në Dardani, shpjegohet me atë se Dardanët në vazhdimësi penguan ngulimet avarë-sllave në pjesët qendrore. Ndërkohë që edhe akomodimi i tyre në krishterim, në enklavat e mbetura, u bë nëpërmes faktorit dardan.

Në përgjithësi për librin “Ilrët deri te shqipatarët” mund të thuhet se është një kontribut i rëndësishëm i pamjes historike, shoqërore, politike dhe kulturore të shqipatarëve, në një vazhdimësi të përhershme, nga antikiteti deri te koha jonë i fokusuar mbi faktorin arekeologjik si më kredibilin në përcaktimin e lashtësisë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT