• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

VATRA PROMOVOI LIBRIN “DHEAS TË FJALËS” TË PUBLICISTIT ALEKSANDËR ÇIPA

December 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Dhjetor 2022 – Në Selinë Qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra u promovua libri i gazetarit, analistit, poetit e publicistit Aleksandër Çipa. Me pjesëmarrjen ekskluzive të të gjithë drejtuesve të Vatrës e të shumë vatranëve, veprimtarëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetarëve e anëtarëve të shoqatave kryesore në New York e më gjërë, libri “Dheas të fjalës” e ktheu promovimin në një festë të vërtetë letrare duke lënë mbresa të veçanta tek të gjithë pjesëmarrësit. Në fjalën hapëse të promovimit Editori i Diellit theksoi se ky libër është një ekskursion kulturologjik dhe historik në botën e medias, të letrave shqipe dhe mendimit filozofik, poetik dhe mediatik shqiptar.

Studiuesi Savdai Kastrati në fjalën e tij vuri theksin te veçoritë e publicistikës, kritikës dhe eseistikës në punimin më të ri të Aleksandër Çipës. Autori i librit Aleksandër Çipa në fjalën e tij shprehu falenderim dhe mirënjohje për Vatrën e Vatranët për pritjen e ngrohtë dhe bujare. Para të pranishmëve, rreth librit z.Çipa u shpreh: “Dheas të fjalës” është një libër me materie kulturologjike i ndarë në cikle të ndryshme shkrimesh. Në një ndër ciklet kryesore të tij ka qasje kulturologjike krahasimtare mes dy prej periodikëve më të famshëm sikundër ishin revista ” Shejzat” e Ernest Koliqit dhe ” Përpjekja” e Branko Merxhanit. Pjesë e këtij cikli janë edhe shkrimi i qasjes krahasimtare mes dy poetëve të pakrahasueshëm Frederik Reshpja dhe Fatos Arapi. Ndërsa cikli i shkrimeve in memoriam për shkrimtarë dhe personalitete të mendimtarisë shqiptare si dhe një grup esesh grishin lexues dhe studiues të filologjisë. Po aq pretenduese janë për mua edhe recencat për librat e Dritero Agollit, Petrit Rukës, Arben Dukës apo antologjinë e poezisë greke të sjellë në shqip nga Arqile Garo” tha ndër të tjera z.Çipa. Realiteti politik, publicistik, shoqëror e mediatik vijnë të shpalosura më së miri në publicistikën e Aleksandër Çipës i cili në këtë libër nderon figura të shquara të medias shqiptare, poezisë, kritikës letrare e mbi të gjitha i kushton rëndësi ikonës së shtypit të shkruar shqiptar “Përpjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit dhe “Shejzat” e Ernest Koliqit. Shkrime publicistike dhe eseistike kushtuar Frederik Rreshpes, Fatos Arapit, Arbën Xhaferrit, Petrit Rukës, Arben Dukës, Moikom Zeqos e shumë figurave të shquara të letersisë e prozës e poezisë shqipe moderne e shëndërrojnë librin “Dheas të fjalës” në një monument nderimi dhe respekti për figurat tona të shquara të letërsisë, artit e mendimit të thellë politik e kombëtar shqiptar.

Ky libër është një tekst i shkëlqyr edhe për studentët shqiptarë në Universitetet Amerikane. Z.Cipa në përfundim të promovimit i dorëzoi kryetarit të Vatrës si dhuratë për Vatrën e vatranët dy albume me këngë dhe recitime: “Këngët e atdheut tim” dhe “Recitime nga krijimtaria e Lefter Çipës” përgatitur nga “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu. Festa e librit në Vatër zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes mes autografëve të autorit, bisedave vëllazërore e një koktejli të dhuruar nga patrioti bujar Toni Musaj.

Foto: Dritan Haxhia.

Filed Under: Politike Tagged With: aleksander Cipa, Sokol Paja

Në 59-vjetorin e pushkatimit të poetit disident tepelenas Trifon Xhagjika

December 23, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

O jetë, linda në shkreti!  

Sot në 55-vjetorin e e pushkatimit të poetit ushtarak disident, tepelenasit Trifon Xhagjika marr penën nga Nju Jorku me cingërrima të akullta bërë nga çakërdisjet botërore dhe ulem të shkruaj.  E pamundur që në fillim si fqinj më të afërt me Peshtanin të mos më vinë imazhet e një natyre panoramike të Peshtanit, familjet e mrekullueshme ku u lind dhe u rrit poeti disident Trifon Xhagjika.  Si një hymn shkrihen zërat e mezhgoranasve dhe të Peshtanit me këngën aq të kënduar nga bilbilenjtë e këtyre dy vendeve me histori dhe një kulturë të lashtë të miqësisë së pandarë me njeri-tjetrin.  Jehona e kësaj kënge për dy fshatrat malore si Mezhgorani që ka Trebeshinën perballë i ka kaluar kufijtë përtej oqeanit nëpër dallgët e shpirtrave tona si emigrantë duke vazhduar ta këndojmë si: “Në Jugun e Shqipërisë/ Se ç’ janë dy malësi/ Trebeshina me Golikun/ Që të dy janë për karshi./ Përmes tyre shkon një lumë/ Lumi Vjosa është ai/ Përmbi Vjosë një fshat i bukur/ Peshtani, shokë Peshtani!  

Nuk e di si do ta këndonte Poeti Trifon Xhagjika si biri i Peshtanit këtë këngë domethënëse!  Por e sigurtë se shpirti i tij i trazuar nga rrebeshet dhe tufanet e kohës së diktaturës kishte krijuar portretin e rebelit, të disidentit, të poetit që me penën e tij tronditi dhe vazhdon të trondit shqiptarët këndonjës të së vërtetës…  I sjellë këto dy fshatra kaq afër me njeri tjetrin ngase emrin e tij, vëllain doktor dhe familjen e nderuar kujtoheshin brenda mureve të gurta herë pas here dhimbshëm dhe heshturazi nëpër familjet tona. Kujtohej dhe fjala e Dr.Yllit, vëllait të tij, i cili kur pa që vëllait i hodhën prangat në sallën e gjyqit thirri: “Mbaje kokën lart vëlla”! Fshati ka përqindjen më të lartë ortodokse, por gjithmonë në harmoni me bashkëfshatarët e tyre dhe fshatrat përrreth myslimane. 

Trifon Xhagjika ishte pinjoll i derës së madhe të Xhagjikajve.  Xhaxhai i tij Koço Xhagjika ishte mësues i parë i gjuhës shqipe dhe më 1947 u burgos për 15 vjet. Vëllai i tij 

Dr. Ylli Xhagjika, u burgos dhe u internua për 27 vjet rresht.  Vazhdoi persekucioni dhe me internimin e motrës se tij Santa. Vëllai tjeter Anastasi, inxhinier elektrik, u pushua nga puna. 

Ai shërbeu në ushtri pas shkollimit të lartë dhe si sot në një ditë dimri të egër, më 23 dhjetor, 1963 u arrestua bashke me një grup të rinjsh dhe u dënuan me pushkatim.  Poezia “Atdheu lakuriq” është drithëruese: “Nuk mundem,nuk mundem/ E pashë Atdheun lakuriq/ vetëm pa miq e shokë/. Mundohej të këpusë një degë dafinë/ nga lavdia e shekujve./ Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!/ As një degë nuk e këpuste dot”.

Poeti u vra nga skuadra pushkatare nën terrin e diktaturës, nën drithërima të çdo qenie të gjallë që dëgjonte krismat që derdhnin gjak të kuq njeriu, gjak të pastër arbëror.  Dhe kjo tragjedi të kujton shkrimtarin e madh botëror Shekspirin që shkruajti sa vepra dramatike që u luajtën dhe do të vazhdojnë të luhen në skenë sa të jetë njerëzimi.  

Ai u vra me thirrmën e shpirtit duke ju thënë pushkatarëve në fjalën e fundit si: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”  Dhe kjo dëshirë që e çoi në egërsinë e pashoqe sistemin pushkatues të kujton Prometeun që është një martirizim heroik, simboli i përpjekjeve për njerëzimin ku në momente të caktuara ka dhe ndjesi prekëse si: “Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, as vetë nuk di kur mua më dhemb më shumë”…

Por jo poeti disident tepelenas e di mirë ku ishin plagët e Atdheut, plagët që i kishte si Krishti në trup ndaj dhe gjuan me vargun brilant demaskues, të thiktë mbi zemrat e republikës që e kishin bërë popullin vetëm të vuante, të vuante skajshëm.  Vepra e poetit Xhagjika dhe pse u mbulua nga koha e diktaturës, varri i tij ende nuk është gjetur, përsëri ai do të lexohet dhe lexuesit do të gjejnë frymëzimin brez pas brezi.  Trifon Xhagjika është poeti që si ç thotë korifeu i letrave shqipe Faik Konica për Prometeun se: “Se natyra e njeriut nuk ndërron, por një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vertetat e gjithe kohërave të pastajme. 

Plagë të pashëruara ende… 

Dhe mjerisht koha e Trifon Xhagjikes vazhdon, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varfëria e pamëshirshme në qindra e mijëra shqiptarë, analfabetizmi i ulur këmbëkryq, prostitucioni i vajzave nën dhunën e tutorëve, prostitucioni politik, korrupsioni dhe gllabërimi i pasurive nga gropat thithëse të shpirtrave të kriminelëve krijojnë një imazh rrënqethës në sytë tanë.

Këto tragjedi duhet të lindnin një Shekspir të kohës, por fatkeqësisht nuk u lind.  

Shekspirët e kohës shqiptare janë poetët që dhanë jetën për Liri si Havzi Nela, poeti tjetër disident që u var në mes të qytetit të Kukësit nga diktatura.  Ai ëndërronte lirinë duke shkruajtur si:  “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,/Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera/ Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,/Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë/”.

Poezitë e Xhagjikës janë si Pegasi flutures dhe shpërndahen ne çdo zemër njerëzore shqiptare, ato janë dhe si ecja e nje kali të hazdisur për t’i treguar botës mbarë se Shqipëria kishte rënë nën diktaturë, ndaj ai shkruan: “Miq! Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar? Jam unë”!

Këto poezi janë të mbushura me metafora që kane patosin e luftës për Liri, godasin pa mëshirë obskurantizmin dhe diktaturën.

Poeti martir pranon më mirë të vuajë se sa të jetojë pa Liri, ai sfidon pa frikë sahanlëpirësit e sistemit.  Ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në sektorin e botimeve si dhe më vonë në gazetën “Luftëtari”.  Trifon Xhagjika botoi në shtypin letrar si në gazetën “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj.  Verbëria e mbjellë ndër popull u kishte veshur me dyll bebëzen e syrit dhe e pamundur ta hiqnin cipën e trashë të mjegullës ndër sy ndaj ai me indinjatë të thellë shkruan tek poezia “Kënga e verbër” si: “E shkreta ti, o Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë/ Dritën ta shuajnë në terr/ e ditën ta ndezin/ bukën ta shtrojnë në sofër/ e duart t’i presin/ në burim të çojnë/ e gojën ta mbyllin/.  Ata të kthyen në metelikë!

Pena e tij shkëlqen dhe zbardh si bora në malin e Golikut për të vërtetën gënjeshtare të drejtimit udhëheqës, të tiranisë së pabesë që shtypi dhe shfrytëzoi popullin gjer në asht.  Epitetet që i vë Republikës si e pabesë, e shëmtuar, mashtruese janë një thirrmë e shpirtit të tij të vrarë, janë demaskim i shthurrjes dhe korrupsionit të udhëheqësve që shtypnin pamëshirë disidentët dhe elitën intelektuale të Kombit. Ndaj ai i fton ta lexojnë dhe të shkojnë pas Poetit për të vërteten që gjëmon sa tunden malet e Shëndellisë, Trebeshinës dhe Golikut që jane aty rreth shtëpisë së tij si: “Veç me mua ejani/ t’ju rrëfejë të vërtetën që ndrit./ Të dinë udhëheqësit lart dhe e larta Republikë/ se nuk jemi as të verbër/ as të shurdhër në politikë./ O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ po ç’më dhe?/ Dhe diellin do të ma zësh…/ Turp, Atdhe!/ Tek ty jam/ i lirë pa Liri”…  

Poeti kishte qenë në “Shkollën Normale të Elbasanit”, si dhe më vonë për gazetari, por edukatën e lartë, dashurinë për dijen ishin ngjizur nga familja e tij plot kulturë e mirësi në vendlindjen e tij në Peshtan. Më vonë në moshën 8 vjeçare familja e tij u detyrua të jetonte në Tiranë, për shkak të djegjes së shtepisë së tij nga lufta italo-greke më 1941.

Trifon Xhagjika është autori i poezisë që është bërë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos, qysh në vitet 60-të. Breza të tërë oficerësh e kanë duartrokitur atë për vite me radhë, ndërkohë që vjershëtori i saj nuk jetonte.

sipas Wikipedias rreth poetit Xhagjika.

Doemos që ke dhimbje dhe të ndizet një revoltë në shpirt që poezitë e poetit disident të pushkatuar nga diktatura janë tejet aktuale dhe sot, plot pas 57 vjetësh të vdekjes së tij, poetit që akoma nuk i dihet varri.    Çfarë trishtimi dhe mallkimi që ende vazhdon midis nesh për jetën ashtu si tek poezia “Apologjia ime” ku midis te tjerash shkruan: 

“…Marrëzi, dhe mëkate për jetën e tërbuar/ se kur më ndal, o gjeneratë, që vuan rrugës ndonjë natë, më merr për të dënuar dhe, me një zë që vret, ngahera më pyet: -Ku linde, o i ri?

-O jetë, linda në shkreti! 1962.

Fakt është që populli vazhdon sindromën e Stokholmit, si në historinë në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë.  Ajo përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur. 

Edhe pse viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve.  

Prandaj kur populli të çlirohet nga adhurimi për udhëheqësit duke u thurrur këngë e poezi dhe nga dashuria e verbër me sy të dyllta, atëhere do të themi me plot gojën: Se nuk linda në shkretinë e shpirtrave që adhurojnë politikanët mashtrues dhe grabitqarë.  Kjo syndromë të sjellë aq prane vargjet e Brehtit tek “Marshi i viçave” përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc ku shkruhet:  “Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin”.

E kujtojmë sot dhe përgjithmonë poetin disident Trifon Xhagjika me plot nderim dhe respekt në 57-të vjetorin e vdekjes së tij shkaktuar nga skuadra pushkatare me urdhër të udhëqësve të diktaturës komuniste.  E nderojmë për veprën që la pas, poetin disident pa varr që pohoi fuqishëm në poezitë e tij se lindi në vendin që drejtohej nga shpirtrat eshkë të tharë duke lenë një popull në mjerim dhe varferi të tejskajshme ashu siç thote poeti disident se:

 “O jetë, linda në shkreti”!   

23 dhjetor, 2022

New York 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Keze Zylo

Para 33 viteve u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës – lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci

December 23, 2022 by s p

-Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova – themeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës/

-Nga arkivi-6 Gusht 2016: Me Vatranët e SHBA aty ku u themelua LDK…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 23 Dhjetor 2022/ Shënon 33 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës (LDK), e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 17 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.


“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Kur u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës ishte koha kur po para 33 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugova u zgjodh President i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 117 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

AXHENDA – 33 VJETORI I THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Me rastin e 33 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë i kanë bërë homazhe Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari Abdixhiku ka nderuar figurën e Presidentit Rugova, si prijësin e shqiptarëve në periudhën më të vështirë të popullit tonë, njëkohësisht themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në vitin 1989, burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë u rreshtuan krah Rugovës dhe ndërtuan programin më të madh politik shqiptar të fundshekullit XX; lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci. Rruga e Presidentit Rugova dhe LDK-së vazhdon të mbetet e njëjtë dhe ky projekt i nisur 33 vite më parë ende nuk është i përfunduar. Kosova duhet të bëhet shtet anëtar në NATO e BE dhe kështu të plotësohet një endërr e nisur 33 vite më parë.

Sipas axhendës së dërguar nga LDK, sot në mbrëmje zhvillohet ngjarja kryesore për 33 vjetorin e themelimit , ndërsa gjatë ditës mbahen Tryeza e diskutimit “Roli i Gruas në LDK ndër vite” dhe Ekspozita “33 vite LDK”.

NGA ARKIVI-6 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA – ATY KU U THEMELUA LDK…

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU NË TUZ TË MALËSISË! PO ULQINI ÇKA PRET!?

December 23, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
See the source image

Një ditë pasi Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias deklaroi — gjatë një vizite zyrtare në Tiranë — se “Skënderbeu është një hero kombëtar në të dy vendet tona”, u njoftua se Kuvendi Komunal i Bashkisë (Komunës) Tuzi, miratoi të mërkurën vendimin për të vendosur në Tuz, përmendoren kushtuar Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti -Skenderbeut. Natyrisht, se vendimi i ditës së mërkurë për të vendosur permendoren e Gjergj Kastriotit — Skenderbe në Tuz ishte i rastësishëm, sa i përket vizitës së ministrit grek në Shqipëri, por ishte një përgjigje si e porositur nga Perendia për shovinistët grekë –sidomos në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare nga Tirana për të kundërshtuar pretendimet greke, madje edhe ndaj Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë, që zyrtarë të lartë dhe akademikë të huaj të gjitha ngjyrave –sidomos, turqë, serbë e grekë – të cilëve, fatkeqësisht, nganjiherë u bashkohen edhe shqiptarë — që ngrejnë dyshime mbi identitetin dhe historinë e vërtetë të Skenderbeut. Hedhin pretendime të tilla djallëzore, nga koha në kohë, për të provokuar me qëllim për të turbulluar ujërat ballkanikë, në përpjekjet e tyre shekullore për të hedhur dyshime me qëllim zbehjen e historisë dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta. Në të kaluarën, shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, na ndryshonin emrat duke i sllavizuar/grekizuar/turqizuar ato, e ku ta di unë. Përveç ndryshimit të emrave shqiptarë këto hiena anti-shqiptare vazhdojnë të luftojnë identitetin shqiptar duke hapur varreza “heronjsh” të rrejshëm të tyre e duke ndërtuar permendore anë e mbanë Shqipërisë, edhe mu në mes të Tiranës, “heronjve” të huaj, si veç për të ndryshuar dhe për të pretenduar se edhe ata kanë hise në atë tokë. Është e vështirë të merret me mend se si dhe pse qeveria e Republikës së Shqipërisë, por as Republika e Kosovës dhe as akademitë shkencore të dy kryeqyteteve shqiptare nuk reagojnë ndaj provokimeve të tilla greko-turko-serbo-maqedonase, ndaj identitetit të shqiptarëve dhe ndaj të Përgjithëmonshmit të Shqiptarëve, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI, (më rastin e 500-vjetorit të Skenderbeut, 1968) Heroin dhe Kryetrimin e shqiptarëve dhe shpëtimtarin e Evropës — Gjergj Kastriotin -Skenderbe. 

Kush janë, ku janë dhe pse janë “të parët” e shqiptarëve sot që do duhej të reagonin?  Detyra numër një e të cilëve duhej të ishte mbrojtja e sigurisë terriotirale dhe interesave kombëtare, në të gjitha kuptimet dhe nënkuptimet, përfshir mbrojtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqiptare – përfshir edhe Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skenderbe. Turko-serbo-grekët sikurë veprojnë në bashkpunim dhe në garë me njëri tjetrin, kur bëhet fjalë për përvetësimin ose denigrimin e personaliteteve të historisë kombëtare të shqiptarëve, si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe Nënë Tereza. Provokojnë, dinakërisht, në këtë mënyrë, sepse e dijnë se ndaj sulmeve të tyre grabitqare kundër shqiptarëve, nuk reagon askush në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe identititetit të tyre – as në Tiranë, as në Prishtinë.  Për pothuaj një gjysëm shekulli, sllavët e jugut – serbët dhe maqedonasit – e kishin bërë të vetën Nënë Terezën, sepse origjina e saj shqiptare nuk mbrohej nga askush, për arsye që dihen.  Shyqyr që u shemb komunizmi se bota do e “njihte” atë gjithnjë si “sllave” ose “maqedonase”. 

Por, fatbardhësisht, në venat e disa shqiptarëve, pa dallim, vlon ende ai gjaku identifikues i shqiptarit me heroin e tyre të Përgjithëmonshëm, Gjergj Kastriotin -Skenderbe.  Pardje, arrijti një lajm i mirë nga Komuna e re e Tuzit, në Malësinë e Madhe. “Në Malësi është ditë me shumë rëndësi, ditë historike. Kem tri pika dhe tri mesazhe në agjendën e sotëme. Mesazhi i parë është miratimi i buxhetit. Mesazhi i dytë është që të respektojmë të kaluarën. Për këtë, kemi miratuar vendosjen e permendores së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Malësi dhe mesazhi i tretë është se ky institucion, ky pushtet, që jemi këtu, do ta mbrojmë tokën e Malësisë”, është shprehur Nikë GJeloshaj, i pari i Komunës së Malësisë në Tuz.

Kuvendi i Bashkisë Tuz, (nën Mal të Zi) miratoi vendimin për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Tuz, vitin e ardhshëm, “sepse pa të nuk mund të krijojmë të ardhmen”, u shpreh Kryebashkiaku i Malësisë, Nikë Gjeloshaj. Eh, vaj medet, sikur të gjithë udhëheqsit shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare të mendonin, ose të pakën të shpreheshin, si Nikë Gjeloshaj, se pa Gjergj Kastriotin -Skenderbe, Kombi shqiptar nuk ka të ardhme, as drejtim.  Gjergj Kastrioti-Skenderbe, qoftë edhe me praninë e një permendoreje në atë krahinë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, u tregon shqiptarëve rrugën që duhet ndjekur. 

Vendimi i Komunës Tuzi për të ngritur në kryeqytetin e Malësisë së Madhe – në Tuz — permendoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në vet-vete është një hap i parë por i madh që duhet të vlerësohet, pasi dihet se për realizime të tilla, asgjë nuk është e lehtë, në trojet shqiptare – siç është edhe rasti i Ulqinit, ku për një kohë tashti pengohet vendosja e monumentit të Skenderbeut edhe në atë qytet të lashtë iliro-arbëror.  Pyetja ime për autoritetet e Bashkisë së Ulqinit është: Deri kur me këto pengesa dhe pse kështu!?  (Lexoni shkrimin e bashkvendasit tim, Xheladin Zeneli) — Kujt i pengon ndërtimi i monumentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Ulqin? (ulqini-online.com).

Prandaj, në rastin e Tuzit, fjala e dhënë është fjala e mbajtur, për malësorët. Tashti, pasis është marrë vendimi për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, është e rëndësishme që ky projekt të realizohet sa më parë që të jetë e mundur, pa vonesa e pengesa politike ose burokratike, të cilat jam i bindur se janë të shumta, por të shumtë mund të jenë edhe personat që nuk dëshirojnë të shohin një monument të tillë në Tuz.

Nuk jam i sigurt nëse ka një marrëveshje se në cilin mjedis të qytetit të Tuzit do të vendoset përmendorja e Heroit dhe e Simbolit të përjetëshëm të identitetit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Por duke marrë parasysh se largësitë gjeografike nuk janë aqë të prononcuara në ato anë – nuk besoj të jetë shumë larg nga Deçiqi, ku është zhvilluar beteja midis forcave të malësorëve shqiptarë dhe atyre osmane – që sipas historianëve, shënoi një këthesë të rëndësishme në shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Pikërisht, malësorët kishin vendosur që ta largonin njëherë e mirë turkun nga Deçiqi, duke valvitur Flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbe në vend të flamurit të Turkisë. Pas 5 shekujsh, për herë të parë ç’prej kohës së Skenderbeut, në trojet shqiptare me 6 prill, 1911, u ngrit flamuri kuq e zi — i pa njolla — i Gjergjit të Madh – Skenderbeut.  Frank Shkreli: Kreshniku kombëtar Dedë Gjo’ Luli – “Malësori që mujti” | Gazeta Telegraf 

E përjetëshme qoftë trashëgimia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, si dhe kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe.  I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar, një kohë e trazuar për fatin e tij sot — me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot. Këthehu, o Gjergj Kastrioti -Skenderbe!

Frank Shkreli

    Kuvendi i Komunës së Tuzit miratoi me shumicë votash ngritjen e përmendores së Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Tuz, në vitin 2023. (Malësia.org)

No photo description available.
May be an image of 4 people, people standing, suit and indoor

Kryetari i Komunës së Tuzit, Z. Nikë Gjeloshaj

No photo description available.

                                                    Kuvendi i Komunës së Tuzit

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Vatra nderuan Dalip Grecën me çmimin “Karriera”

December 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Dhjetor 2022 – Unionin e Gazetarëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA nderuan Dalip Grecën, Editorin e Diellit (2009-2021), Pas Vdekjes, me çmimin “Karriera”. Në një mbrëmje të veçantë nderimi e vlerësimi në Selinë Qëndrore të Vatrës, me pjesëmarrjen e shumtë të familjarëve, drejtuesve kryesorë të Vatrës, miqve, bashkëpunëtorëve, veprimtarëve të komunitetit e

vatranëve nga disa shtete të Amerikës, u kujtua me nderim, respekt dhe vlerësim puna dhe kontributi i Dalip Grecës në median shqiptare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çmimi “Karriera” iu dha Dalip Grecës me motivacionin: “Gazetar i njohur me një kontribut të shquar në shtypin e shkruar shqiptar të më shumë se katër dekadave të fundit. Me një këmbëngulje dhe pasion të vullnetshëm, la në koleksionin e gazetave vendore dhe kombëtare si dhe ndërkombëtare, materien e pasur shkrimore në disa zhanre të gazetarisë. Raportimet, shkrimet, intervistat dhe investigimet memorialistike të tij, përbëjnë një pasuri profesionale në shtypin shqiptar në tërësi. Kontributi si Editor i “Dielli ” të Vatrës është kulmi i kontributit të tij në diasporë dhe në publicistikën shqiptare”.

Agim Rexhaj, Presidenti i Nderit të Vatrës në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Na mungon shumë Dalip Greca. Ai familjarisht u përkujdes për Vatrën e për Diellin. Ai na deshi shumë të gjithëve. Në zemrat tona do të jetë përjetë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu në fjalën e saj tha se Dalip Greca ishte gazetar profesionist dhe trim. “Sot i themi Dalipit dhe familjes së tij mirënjohje pa kufi për kontributin, rolin e tij në gazetari dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Puna e Dalipit ishte heroizëm. Ai çoi zërin atje ku i dhëmb Shqipërisë e shqiptarëve” tha zonja Veliu. Dr. Pashko Camaj kujtoi në fjalën e tij se Dalip Greca la gjurmë të pashlyeshme për median dhe kombin tonë.

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha para të pranishmëve tha se “Është nder dhe privilegj që punuam me Dalip Grecën. Ai me punën e tij la gjurmë të jashtëzakonshme në Vatër e tek Dielli. S’do ta harrojmë kurrë” u shpreh z.Berisha. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë z.Aleksandër Çipa në fjalën e tij e cilësoi Dalip Grecën si një “Personalitet i shtypit të shkruar. Një gazetar dhe njeri që mishëronte dhe unifikonte në shtyp inteligjencën shqiptare dhe qasjet plurale. Ishte bashkëpunëtor dhe gazetar i shkëlqyer për gjithë gazetarët nga krejt hapësira shqiptare. Kontributi i gjatë i tij në gazetarinë memorialistike dhe atë historike ishte i veçantë. Dalipi do jetë një emër i dashur për emrat që do vijnë në media dhe kryesisht studentët e gazetarisë. Ai bëri një punë madhështore për koleksionin e Diellit” tha ndër të tjera Z.Çipa.

Në përfundim të ceremonisë së dorëzimit të çmimit “Karriera”, z.Çipa i dhuroi familjes Greca dy albume me këngë dhe recitime: “Këngët e atdheut tim” dhe “Recitime nga krijimtaria e Lefter Çipës” përgatitur nga “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu. Në emër të familjes Greca, falenderoi vajza e Dalipit Alma Greca Sharka e cila mes lotësh shprehu mirënjohjen dhe falenderimin familjar për respektin e vlerësimin që iu bë babait, Dalip Greca.

Përgjatë katër dekadave në gazetari, Dalip Greca ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shtypin e shkruar dhe mediat televizive në Shqipëri, trevat kombëtare shqipfolëse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke promovuar gjuhën shqipe, kulturën, historinë, identitin kombëtar dhe çështjen shqiptare. Dalip Greca si gazetar dhe drejtues mediash, kultivoi një stil të veçantë dhe i dha përparësi qëmtimit të fakteve historike, figurave të harruara historike dhe gazetarisë dokumentare dhe arkivore. Dalip Greca ishte gazetar i guximshëm, kurajoz në trajtimin e temave të vështira, i ndershëm në trajtimin e fakteve e provave në gazetari, ishte menaxher i shkëlqyer dhe frymëzues për brezat e gazetarëve të rinj shqiptarë.

Dalip Greca kishte durim dhe maturi të spikatur në trajtimin e problemeve publike në të gjitha mediat ku kontribuoi si gazetar dhe drejtues mediash.

Ky vlerësim është një mirënjohje për trashëgiminë e shkëlqyer mediatike, qytetare dhe komunitare që Dalip Greca na la pas largimit të tij në amshim.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT