• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Kosovë – Mbahet Ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian

December 14, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 14 Dhjetor 2022/  Republika e Kosovës këtë javë aplikion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sot në Prishtinë, në Presidencën e Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Kryeministri Kurti janë deklaruar për media.

Gazeta DIELLI sjell të plota deklaratat:

PRESIDENTJA VJOSA OSMANI: DITË HISTORIKE PËR KOSOVËN

Të nderuar të pranishëm, 

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

I nderuar kryetar i Kuvendit, 

I nderuar kryeministër, 

Të nderuar përfaqësues të mediave, 

Sot është një ditë historike. Ky është një moment historik.

14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë – në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Të dyja këto, akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euro-atlantik. 

Së bashku me Kryetarin Konjufca dhe Kryeministrin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne jemi sot së bashku për të sjell vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuar po kështu që edhe Bashkimi Evropian të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe.

Për Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. 

Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet.

Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë – Evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovouesve të vlerave evropiane. Por mbi të gjitha, ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës të cilët sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci gjersa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid.

Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër; promovues dhe garantues i të drejtave demokratike; vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira; garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve joshumicë; Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Rruga jonë përpara është e qartë. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses.

Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që Bashkimi Evropian ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet. Në këtë rrugëtim, ne do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne sot po bëjmë një hap historik, në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik. Na priftë e mbara!

KRYETARI I KUVENDIT GLAUK KONJUFCA: HAPI I PARË ZYRTAR NË RRUGËN E ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

– E nderuara Presidente Osmani-Sadriu,

– I nderuari Kryeministër Kurti,

– Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

-Të nderuara medie,

Sot, në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim të nënshkruajmë letër kërkesën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Më lejoni të filloj këtu duke cituar z. Jean Monnet, një vizionar i njohur politik dhe diplomat francez i përkushtuar ndaj kauzës së integrimit evropian, i cili tha “Nuk ka të ardhme për njerëzit e Evropës, përveçse nëpërmjet bashkimit.” 

Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Për këtë arsye, sot po nënshkruajmë kërkesën zyrtare që do të nisë një proces anëtarësimi dhe integrimi të Kosovës në Bashkimin Evropian. 

Për Kosovën dhe gjithë rajonin, anëtarësimi në këtë Union është i rëndësisë së veçantë. Union i cili ofron stabilitet, demokraci, siguri dhe prosperitet zhvillimor, ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj.

Një Union i cili stimulon rritjen ekonomike, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe mirëqenies dhe na mbështet në rritjen e tregut dhe kërkesës sonë të brendshme, duke përfshirë qasjen për 450 milionë konsumatorë.

Zonja dhe zotërinj, ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit në BE, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë. 

Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian, nga i cili presim të rekomandojë që BE-ja t’i japë këtë status Kosovës, por ku vendimi i takon qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht për të dhënë miratimin e tyre.

Republika e Kosovës ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj, të hartuara në përputhje me legjislacion (acquis) të BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Prandaj ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë rekord.

Marrja e statusit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane.

Për këtë arsye, ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që të demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe në këtë mënyrë të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma të cilat e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët dhe zyrtarët publik, ashtu që ta forcojnë sigurinë në Evropë dhe ta mundësojmë së bashku zhvillimin ekonomik dhe bashkimin e kontinentit tonë.

Ju faleminderit!

KRYEMINISTRI ALBIN KURTI: APLIKIMIN DO T’IA DORËZOJMË PRESIDENCËS ÇEKE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË PRAGË

E nderuara presidente e Republikës,

I nderuari kryetar i Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Të nderuar punonjës të mediave,

Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;

Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;

Besimin në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian;

Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;

Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madh të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.

Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.

Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.

Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.

Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.

Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.

Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.

Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.

Ju faleminderit e urime të gjithëve.

Filed Under: Interviste

110 VITE PAVARËSI, VATRA E DIELLI NË THEMEL TË SHTETIT SHQIPTAR

December 14, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Vatra, gazeta Dielli e mërgata shqiptare e Amerikës ka dhënë një rol të jashtëzakonshëm në Pavarësinë e Shqipërisë dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Në planin politik, në planin diplomatik, në planin ekonomik, kulturor e social, Federata Vatra i ka dhënë gjithçka shtetit shqiptar. Gazeta Dielli përveç se ka shënuar çdo moment historik të shtetit shqiptar, ka luajtur një rol shumë të madh informimi, publikimi, promovimi e ndërgjegjësimi për fatet e kombit e shtetit shqiptar. Federata Vatra dhe gazeta Dielli janë një aset i jashtëzakonshëm kombëtar që edhe sot pas 110 vitesh pavarësi të Shqipërisë punojnë fort në mbrojtje të interesave të larta të kombit shqiptar. Një shekull e një dekadë në veprim për shqiptarinë e bëjnë Federatën Vatra e Gazetën Dielli një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme në gurin kilometrik të përpjekjeve për zhvillimin e Shqipërisë dhe mirëqënien e popullit shqiptar. Vatra e Dielli kanë qenë aty në çdo përpjekje për të dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm në çdo fazë dhe etapë të shtetndërtimit shqiptar. Sakrifica e shqiptarëve në shekuj për liri është frymëzuese dhe epike në historinë e popujve. Lobimi i shqiptarëve në Amerikë për Pavarësinë, njohjen e Shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë që rrezikohej seriozisht ka pasur një rëndësi specifike në historinë tonë. Veprimtaria patriotike për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëtimi duke organizuar takime me autoritete të larta në Arenën Ndërkombëtare ishin të shumta, organizuar nga Vatra. Intelektuali i madh, Faik Konica, konsideronte me vlerësimet më të larta Vatrën për rolin e saj në mbrojtje të Shqipërisë, i cili shprehej se, Vatra zëvendësoi shtetin e “vdekur” shqiptar. Po ashtu kontributi financiar i vatranëve për Shqipërinë ishte një ndihmesë e madhe. Në Dhjetor të vitit 1917 delegatët e Vatres i dërgojnë një kërkesë nga Bostoni Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Britanisë së Madhe, Arthur Balfur dhe i kërkojnë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë me kufijtë e saj etnike. Ata i rendisin një sër faktorësh me padrejtësi në dem të tokave shqiptare të përgjysmuara. Vatranët shpreheshin se të sigurosh pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnografik, nuk është vetëm t’u japësh të drejta popullit shqiptar, por është mbi të gjitha të hedhësh bazat e një paqeje jetëgjatë në Ballkan. Përsa i përket luftërave, shqiptarët nuk kanë pasur qellim tjetër veçse të mbrojnë tokën e tyre. Pa ndihmën e jashtëzakonshme të Vatrës dhe rolin e gazetës Dielli në promovim, ndërgjegjësim dhe informim, këto përpjekje nuk do të ishin njësoj. Nëse i referohemi dokumenteve historike rreth rolit të Vatrës e Diellit në historinë e Shqipërisë kujtojmë “Memorandum i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dërguar Presidentit Wilson, lidhur me protektoratin italian mbi Shqipërinë miratuar në mbledhjen e saj të mbajtur në Boston më 15 Mars 1918, apo Rezolutë e Kuvendit të jashtëzakonshëm të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, drejtuar qeverisë së SHBA, Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë Boston, më 4 Janar 1919, apo Memorandum i Mihal Turtullit dhe përfaqësuesve të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, drejtuar Presidentit të SHBA Willson, lidhur me mbrotjen e të drejtave të kombit shqiptar ndaj pretendimeve territoriale të fqinjëve ballkanikë më 1919 apo Letër e Kostandin Çekrezit, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme Mehmet Konica, lidhur me veprimtarinë e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar si dhe qëndrimin e qeverisë së SHBA ndaj Shqipërisë, Washington, më 10 Qershor 1920 e shumë raste të tjera që dëshmojnë rolin e jashtëzakonshëm të Vatrës për të mbrojtur shtetin shqiptar. Sot më shumë se kurrë me qëllim që shteti ynë, populli ynë e kombi ynë i shtrenjtë të përparojë, të zhvillohet e të lulëzojë duhet që të bashkojmë kontributet e përpjekjet tona, të bashkohemi si kapital e si shpirt me qëllim që të shkrijmë gjithçka për kombin, shtetin e popullin e dashur shqiptar. Federata Vatra e gazeta Dielli janë lider të padiskutueshëm në veprimtaritë patriotike, kulturore e atdhetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Federata Vatra e gazeta Dielli janë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës dhe kombit shqiptar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Sokol Paja

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë dhe standardet e dyfishta diplomatike

December 14, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet.

Rezoluta 1244, në të cilën thirret shpesh Vuçiqi, nuk e përmendet aksund Serbinë. Kjo rezolutë nuk ka fare të bëjë me Serbinë, sepse ajo i dedikohej një shteti tjetër – RFJ-së, i cili pushoi së ekzistuari në vitin 2006, kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i ri.

Mirëpo kjo nuk po e pengon Vuçiqin që të paralajmërojë një dislokim të forcave ushtarake serbe ne veri të Kosovës, duke u thirrur gjithmonë në rezolutën e sipërpërmendur.

Kjo retorikë luftënxitëse e Vuçiqit ka detyruar shumë kancelari të botës të reagojnë duke kërkuar nga ai që as të mos e mendoj një aventurë të tillë të rrezikshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Serbia që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës. Në një intervistë për televizionin “France 24”, Stoltenberg ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave në Veri nga serbët atje.

Sipas tij , NATO përmes trupave të saj në Kosovë në kuadër të KFOR-it është e gatshme, e aftë dhe vigjilente dhe po monitoron nga afër situatën në terren me shumë kujdes.

Stoltenberg, gjatë deklarimit ka kërkuar edhe që Kosova e Serbia të përmbahen nga retorika që rrjedhimisht mund të ushqejë përshkallëzimin e situatës në terren.

“Deutsche Welle”, ka raportuar pas një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-të në Bruksel, të cilët shqyrtuan tensionet në veri të Kosovës, me ç’rast Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas mbledhjes me ministrat ka thënë se “kjo situatë duhet të marrë fund”. Ai është shprehur se BE-ja është e gatshme të dërgojë më shumë personel për misionin e EULEX-it.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Ndërkaq, shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, duke iu referuar tensioneve në veri, ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm“, ka shkruar Baerbock në llogarinë e saj në Twitter. “E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE“, shtoi ministrja e Jashtme gjermane.

Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxitur retorikat politike. Pas deklartës së Presidentit Vuçiq se do të kërkonte nga KFOR dislolim të forcave ushtarake serbe ne veri, vjen reagimi i Kurtit. Ai thotë se Serbia po kërkon kthimin në kohën e Millosheviqit dhe kthim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). “Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi… Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, shprehet Kurti ndër të tjera.

Në mbledhjen e sotme (e martë) të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti gjithashtu ka folur për vendimin e Kosovës që këtë javë të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të raporteve me BE-në. Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve që besojnë se e ardhmja jonë është BE-ja”, ka thënë Kurti.

Situata në Kosovë i ka dy dimensione: në njërën anë kemi dimensionin e brendshëm, të cilin e përbëjnë institucionet ligjzbatuese dhe dimensioni i jashtëm është Serbia me shantazhet e aj, e cila synon të faktorizohet aq shumë në Kosovë, sa që çdo vendim legjitim kosovar duhet paraprakisht ta merr aprovimin e Beogradit.

Duke qenë një çështje më vete, që ka pësuar evoluim historik, deri në pavarësimin e saj, Kosova paradoksalisht po rëshqet në çështje të brendshme të Serbisë. Sepse thelbi i dialogut Kosovë-Serbi, sipas politikës së Beogradit, nuk përbën rregullimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, por falimentimin e Kosovës si shtet. Serbia po i përdor serbët lokal si vegëza për të lidhur sa më shumë nyje mbi qafen e Kosovës, sepe vetëm në këtë mënyrë realizohet plani për ta parandaluar bërjen e Kosovës shtet me të gjitha parametrat ligjorë e kushtetues.

Megjithatë, situata nuk do të dukej aq kaotike, sikur të mos ndikonin edhe deklaratat kontradiktore të diplomatëve të huaj, të cilët jo gjithmonë kanë qëndrime parimore mbi atë çka po ndodhë në Kosovë. Në retorikën e diplomatëve të huaj ekziton një prirje për të vendosur njëfarë simetrie të fajit dhe përgjegjësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, qasje kjo që i ka trimëruar bukur shumë bandat serbë në veri që të ndërmarrin veprime destruktive kundër shtetit të Kosovës.

Shpesh na ka rënë të dëgjojmë kritika, bie fjala, të ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, mbi politikat qeveritare të Kosovës kundrejt Serbisë, të cilat ai i shikon me një sy kritik, ndërkohë që nuk na ka rënë të dëgjojmë kritika të tilla në adresë të Serbisë nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier.

Kosova dhe populli i saj besojnë fuqishëm në politikën e drejt amerikane, por kjo nuk do të ishte pengesë që të bëhet publikisht pyetja se si është e mundur që dy ambasadorë amerikanë kanë qasje pak a shumë të ndryshme mbi situatën në Kosovë dhe mbi faktorët destabilizues që vijnë nga Serbia.

Gjeopolitika e konfliktit në Kosovë nuk do të ishte dramatike sikur të mos ekzitonte një tendencë e hapur ruse që përmes Serbisë të destabilizojë gjithë Ballkanin. Por, këtij destabilizimi mund t’i kontribuojë edhe aplikimi i standardeve të dyfishta që po përdorin diplomatët e huaj, duke i vendosur padrejtësisht në një peshore të njejtë fajësie dhe përgjegjësie Kosovën (viktimë) dhe Serbinë (agresore).

Prishtinë, 13 dhjetor 2022

Filed Under: Komente Tagged With: Mehmet Prishtina

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Vatra nderojnë Dalip Grecën më 22 Dhjetor 2022

December 14, 2022 by s p

Union i Gazetarëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA do të nderojnë Dalip Grecën, Editorin e Diellit (2009-2021), Pas Vdekjes, me çmimin Karriera.

Pjesë e kësaj ceremonie do të bëhet edhe promovimi i librit të Kryetarit të Unionit të Gazetarëve z.Aleksandër Çipa “Dheas të fjalës”.

Ceremonia do të zhvillohet në Selinë Qëndrore të Federatës Vatra: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, ditën e Enjte, 22 Dhjetor 2022, ora 6 PM.

Ftohen mediat dhe komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca

“Nga historia e shqiptarëve në Egjipt”

December 13, 2022 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Historia e “Shqiptarëve të Egjiptit”, ose “Shqiptarët e Misirit”, siç ishin të njohur në traditë, është pjesë e historisë kombëtare nga se kolonia shqiptare e Egjiptit, që u formua qysh nga fillimi i shek. XIX dhe u zgjerua dukshëm në gjysmën e dytë të shek. XIX, paraqet një nga vatrat më të rëndësishme të Rilindjes kombëtare shqiptare. Mjafton të shënohet këtu “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, e cila u botua në Aleksandri më 1878, por, gjithashtu, mjafton të përmenden këtu se sa rilindës shqiptarë jetuan krejtësisht ose pjesërisht në Egjipt, nga se disa u kthyen në Shqipëri pas 1912 për të kontribuar në ngritjen e shtetit kombëtar: Thimi Mitko, Spiro Dine, Thoma Krei, Milo Duçi, Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Thanas Tashko, Jani Vruho, Fan S. Noli, Aleksandër Xhuvani, Sotir Kola, Loni Longeri e të tjerët.

Ndonëse në literaturë përmendet si “Kolonia e Kajros”, në të vërtetë shqiptarët u vendosën në shumë qytete të Egjiptit nga veriu deri në jug: Aleksandri, Roseta, Dimjat, Mansura, Shibin el-Kom, Zekazik, Kajro, Fajum, Beni Sueif dhe Megaga (Asjut). Megjithatë, shqiptarët u përqendruan më shumë në veri: Aleksandëri, Roseta dhe Kajro. Në bazë të asaj që tregon S. Dine në veprën “Valët e detit”, botuar më 1908, del se shqiptarët e Egjiptit me përqendrimin e tyre, me ruajtjen e identitetit, me botimet në gjuhën shqipe, krijuan një “Shqipëri të vogël” në atë vend të Lindjes së Mesme.

Ç’është e vërteta, ardhja e mijëra ushtarëve shqiptarë në Kajro në fillim të shek. XIX, që u bënë fuqi kryesore në vend në krye me Mehmet Ali pashën, e shndërruan Kajron me kohë në një bazë të kolonisë shqiptare. Kështu, kolonia shqiptare u formua nga gjysma e shek. XIX me ardhjen e dendur të shqiptarëve nga jugu i Shqipërisë për arsye ekonomike, pasi që Egjipti nën sundimin e dinastisë shqiptare në atë kohë dukej si pjesë e Evropës. Me zhvillimin e infrastrukturës (Egjipti u bë vend i dytë në botë me hekurudhë pas Anglisë) dhe e ekonomisë erdhën dhe u vendosën në Egjipt shumë evropianë, sa që, bie fjala,Aleksandria kishte më shumë pamje e popullsi evropiane se sa orientale. Ardhja e vendosja e shqiptarëve në Egjipt vazhdoi deri më 1912, pra me Shpalljen e Pavarësisë, kurse me stabilitetin e shtetit kombëtar nga viti 1920 një pjesë e shqiptarëve u kthyen në atdhe. Vet Tirana zyrtare kërkonte prej disa intelektualëve të Egjiptit të kthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e vet, si Sotir Koleja, i cili u thirr më 1929 për të organizuar e drejtuar Bibliotekën kombëtare. 

Mirëpo, në anën tjetër, në periudhën midis dy luftërave botërore, ka pasur edhe një valë shpërngulje për në Egjipt, me çka numri i shqiptarëve arriti në kulm. Kështu, sipas një raporti të vitit 1936 në Arkivin Qendror të Shtetit, numri i shqiptarëve në Egjipti arriti në tetë mijë, me potencial të madh në ekonominë e vendit, me çka kolonia shqiptare zinte vendin e pestë në Egjipt, pas atyre greke, italiane, franceze e angleze.

Kjo temë e pasur për historinë tonë më tërhoqi me kohë gjatë studimeve për magjistraturë në Degën e historisë të Universitetit të Prishtinës 1974-1976, kur kam shkruar e botuar një punim seminarik për Mehmet Ali pashën, kurse gjatë verës 1979 kam qëndruar në Egjipt një muaj për kërkime shkencore me një bursë të Bashkësisë Krahinore për Shkencë, ku pata fat të takohem me disa veprimtarë të shquar të kolonisë shqiptare (Qerim Haxhiu, Musa Shehu e të tjerët), të cilët më ofruan materiale burimore (botime origjinale, fotografi të rralla etj.). Në bazë të materialeve të grumbulluar, kam botuar një fejton me titull “Shqiptarët e Egjiptit” në gazetën Rilindja në korrik-gusht 1979, i cili zgjoi interesim dhe më nxiti të vazhdoj hulumtime në këtë fushë dhe ta paraqes temën për disertacion të doktoratës me titull “Shqiptarët në botën arabe gjatë shekujve XVIII-XIX dhe në fillim të shek. XX. ”Shqiptarët e Egjiptit” u mblodhën në një kaptinë të këtij disertacioni që u mbrojt më 1986 dhe u botua në Prishtinë më 1990.

Ndërkohë, më 1984 u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim kulturor midis Shqipërisë dhe Egjiptit dhe, në bazë të saj, Patrika Thëngjilli dhe Jorgo Bulo shkuan në Egjipt për kërkime shkencore në lidhje me shqiptarët e Egjiptit që sollën rezultate të mira. Kështu, u zbulua një fond i pasur me dorëshkrime të Thimi Mitkos që arrin në 5-6 mijë faqe, i cili u konsiderua si “një nga fondet më të mëdha që është gjetur deri me sot për Rilindjen Kombëtare, gjë që solli risi në studimet për figurat e kolonisë shqiptare në Egjipt.

Në fillim të viteve 90, pas botimit të librit “Shqiptarët në botën arabe”, u shtua interesimi për këtë temë në kushtet e reja pas shuarjes së Jugosllavisë. Kështu, në Shkup doli më 1993 udhëpërshkrimi i gazetarëve Sh. Halimi dhe E. Azemi “Shqiptarët e Egjiptit”, që solli freski në këtë fushë. Po ashtu, në atë kohë (1993-1997) në Kajro shërbeu ambasadori i ri i Shqipërisë demokratike, Faruk Borova, i cili tregoi interesim për shqiptarët e Egjiptit gjatë mandatit të tij, kurse më vonë, më 2012, botoi librin “Dinastia shqiptare që sundoi Misirin 1805-1952”, kurse më 2018 librin tjetër “Rrugëtimi i një ambasadori në Lindjen e Mesme”, në të cilën kemi një kaptinë për punën e tij në Kajro dhe lidhjet e tij me shqiptarët e Egjiptit.

Me kalimin në punë më 1989 jam bërë më i afërt i Egjiptit, pra kisha më shumë shanse të shkoj atje për konferenca e kërkime shkencore në lidhje me shqiptarët e Egjiptit. Si pasojë, kjo vepër u planifikua për 100 vjetorin e Pavarësisë, pra për 2012, por gjendja e re në Egjipt nuk lejoi të kryhen hulumtimet e planifikuara. Mu për këtë vepra doli në versionin e parë me titull “Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX” në botim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë më 2016. Mirëpo, me botimin e tij filloi puna për një versioni të ri më të gjerë dhe më të plotë, duke shfrytëzuar fondin e pasur për shqiptarët e Egjiptit në Arkivin Qendror të Shtetit, që doli në gjuhën arabe në Kajro më 2018 në botim të Shtëpisë botuese Sar al-Shorouk. Kuptohet, vetë mbititulli (Kolonia e fshehur) që e zgjodhi botuese tregonte domethënien e këtij botimi për lexuesin egjiptian, pra për një koloni me rol të madh që mbeti “e fshehur” për vet Egjiptin.

Pas botimit shqip të versionit të parë dolën disa botime me peshë që ofruan të dhëna të reja në bazë të burimeve të ndryshme, që është dashur të merren parasysh. Në mesin e këtyre vlen të përmenden këtu dy prej tyre. I pari është “Operacioni shqiptar” që u planifikua dhe u zhvillua si aksion i përbashkët midis CIA amerikane dhe MI6 britanike në kuadër të Luftës së ftohtë gjatë viteve 1949-1953 për zbarkimin e çetave të armatosura në Shqipëri, me qëllim që të krijohet një kryengritje kundër regjimit komunist. Në këtë libër janë botuar për herë të parë dëshmi të oficerëve dhe pjesëmarrësve të gjallë, që ndriçojnë rolin e Kajros si një prej qendrave të këtij “Operacioni shqiptar”, i cili përfundoi më 1953 në saj të “tradhtisë së madhe” dhe mbeti sekret deri vonë. Nga ana tjetër, pas historianit egjiptian, Antoni Surjal, i cili e botoi më 1984 librin në Kajro për Lidhjen e Prizrenit 1878-1881, i cili mbeti i vetmi libër në arabisht për këtë ngjarje të madhe të historisë shqiptare, kohëve të fundit u paraqit historiania egjiptiane, Prof. Dr. Fajze Meluk, e cila botoi një kontribut origjinal për praninë e shqiptarëve në Roseta dhe rolin e tyre në jetën ekonomike e shoqërore, që na solli të dhëna të reja, të vjela nga regjistrat e gjykatave të sheriatit të qytetit që mbajnë të gjitha kontratat për shitblerje, martesa, themelimin e objekteve ekonomike-shoqërore në kudër të vakëfeve etj.

Sa për materialin e përpunuar dhe paraqitur këtu, mund të them se puna u përqendrua në kronikat e veprat e historianëve egjiptianë të shekujve XV-XIX, të cilat ofrojnë të dhëna nga burimi për praninë shqiptare në Egjipt. Kështu, vetëm në bazë të këtyre burimeve u zbuluan për herë të parë dy sulltanë shqiptarë të shekullit XV, pra para fillimit të sundimit osman në Egjipt. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh monumentet që i ngritën shqiptarët në Egjipt, që kanë vlerë historike, janë shfrytëzuar dy burime specifike: vakëfnamet ose dokumentet themeluese të këtyre monumenteve që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Vakëfit, si dhe regjistrat e gjykatave të sheriatit në Kajro e Aleksandri, që mbajnë të dhëna të ndryshme në lidhje me themelimin dhe funksionimin e këtyre monumenteve. Po ashtu, kemi shfrytëzuar Arkivin e Shtypit Egjiptian në Kajro, kur ruhen gazetat e shekullit XIX, duke filluar nga al-Ahram dhe fillimit të shekullit XX, të cilat kishin të dhëna të vlershme për shqiptarët. Nga ana tjetër, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, është shfrytëzuar fondi i pasur “Shoqëritë shqiptare në Egjipt”, por ende ka punë në thesarin e rilindësve shqiptarë të Egjiptit që akoma është në përpunim.

Për gjithë punën më duhet të përmend në mënyrë të veçantë mikpritjen e të ndjerit Qerim Haxhiu, i cili më ofroi botime origjinale dhe fotografi të rralla të kolonisë shqiptare në Egjipt, si dhe mirëkuptimin e të ndjerit, Vehbi Ismajlit, i cili në shumë letra më ofroi informacione për koloninë shqiptare në Egjipt, pasi që ai jetoi aty gjatë viteve 1939-1949. Në mënyrë të veçantë duhet ta falënderoj Princin Leka II, i cili më ofroi albumet e familjes mbretërore që kanë të bëjnë me qëndrimin në Egjipt 1946-1955, dhe më lejoi të zgjedh disa fotografi që botohen për herë të parë. Po ashtu, duhet përmendur me një falënderim të posaçëm Skënder Zogun, nip i mbretit Ahmet Zogu, i cili ka ruajtur shumë kujtime nga qëndrimi në Aleksandri gjatë asaj kohe, duke m’u përgjigjur në çdo pyetje.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT