• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Dimensioni dituror në veprën e shkrimtarinë e Pjetër Bogdanit*

December 10, 2022 by s p

Nga prof. asoc. dr. Evalda Paci/

Dimensioni kulturor e dituror në personalitetin e Pjetër Bogdanit përbën një prej argumenteve qenësore që orientojnë ndaj kontekstualizimit të shekullit në të cilin ky i fundit jetoi, i shënuar në historinë e shkrimit shqip prej veprës madhore të tij, të titulluar “Cuneus prophetarum”.

Si një vepër që del nga shtypi falë mbështetjes së një prelati të kishës së Romës, që ka një emër të shquar për kohën e vet, por dhe një simbologji domethënëse e mjaft motivuese për autorin tonë, “Cuneus prophetarum” (Patavii, 1685) ka marrë në dekada të tëra një sërë vlerësimesh dhe emërtimesh që e rendisin këtë të fundit ndër realizimet më të rëndësishme të letërsisë kishtare të shkruar në gjuhën tonë.

Në të vërtetë, vetë letërsia e vjetër shqipe shënohet ndjeshëm nga një kulmim i mirëfilltë me një vepër të tillë, që me një sërë kushtesash e dedikimesh, me krijime që evokojnë modele të kortezisë së kohës, por dhe të kulturës përkatëse, me një aparat mbështetës të cilit i është kushtuar vëmendje e kujdes nga vetë autori, me një artikulim të arsyetuar në pjesë e kapituj, u afrohet ekzemplarëve të kohës, të ngjashëm me veprën tonë në jo pak elemente.

Për Bogdanin shkruhet gjerësisht në dokumentacionin e kohës e ajo që mund të receptohet pa ndonjë vështirësi të madhe është pikërisht fakti i një jete mjaft të vështirësuar, të gërshetuar me rrethana jo përherë të favorshme, që hedhin dritë mbi një kontekst aspak të lehtë në të cilin do të duhej të merrte udhë ungjillëzimi dhe forcimi i hallkave të hierarkisë kishtare. I përfshirë ndjeshëm në zhvillimet e kohës, i gjendur para zgjedhjesh të ndërlikuara, prelati ynë u tregua qëndrestar dhe i vendosur ndaj thirrjes baritore e meshtarake, së cilës i shërbeu deri në përmbyllje të jetës së tij.

Vetë vepra e Bogdanit, me pjesët që e ndërtojnë, me ndarjet që ndjekin një linjë studimore që rreh nga teologjia e krishterë dhe historia e librave më të rëndësishëm biblikë, përbën një gurrë vështirësisht të shterrueshme, duke parë dhe përkushtimin e këtij të fundit për ta përmbyllur atë në mënyrën më të denjë të mundshme.

Tipografia e Seminarit, e cila ndërmendet në pjesët përfaqësuese të veprës së sipërcituar, duke u evokuar dhe në imazhet që introduktojnë brendinë e saj, në të vërtetë gëzon një historik të pasur të ekzistencës së vet (me zanafillë në vitin 1684), të shënuar si nga zhvillimet e kulturës librore në qendra të rëndësishme të lëvrimit të kësaj të fundit në Gadishullin Italik, si dhe nga vetë veprat që do të dilnin prej saj, ndër të cilat duket qartë që ajo e Bogdanit ishte ndër të privilegjuarat. Ka një lidhje të qartë mes motivimit të prelatit tonë, Bogdanit për të realizuar një vepër me një tematikë të orientuar nga kanonet kishtare dhe nocionet e teologjisë së krishterë dhe mbështetjes që ky i fundit gëzoi në kohën kur u strehua dhe kaloi kohë të mira të jetës së tij pranë kardinalit Barbarigo (1625-1697), themelues i tipografisë në fjalë, mecenat, ipeshkëv i qytetit të Padovas, reformator aktiv në gjirin e kishës së Romës dhe ideator i një platforme të mirëfilltë botimesh e programesh edukative.

Interesimi i kardinalit Barbarigo nuk ishte i lidhur me zhvillime të ngushta që do të merrnin udhë në pak vite, por me një projekt afatgjatë që do të shihet se më tej do të orientohej ndaj shtrirjes në qytete të afërta me librari funksionale, si dhe me ndërmarrje që do të konkretizoheshin me leksikone të rëndësishme për nga autorësia, si dhe nga përmbajtja, por dhe me traktate që përfshinin librat kishtarë dhe vetë mësimin e gjuhëve të rëndësishme në të cilat tradicionalisht ishte shkruar e ishte transmetuar Shkrimi i shenjtë. Konteksti në të cilin u përmbyll vepra e Pjetër Bogdanit ka të bëjë ngushtësisht me çka u përshkrua më sipër dhe më tej, me vetë interesimin e një prelati si Barbarigo, emri i të cilit do të shfaqet në jo pak dedikime a letra kushtimi që introduktojnë veprat e kohës. Figura të këtij formati kanë qenë themelore për një sërë rrugëtimesh që lidhen me formimin individual të klerikëve, të forcimit të vatrave të një edukimi kishtar specifik, që në kushtet e Reformave kishtare kishte nevojë dhe më shumë për një bazë të mirë që tekste e programe të veçanta mund ta bënin të mundur. Motivimi i themeluesit, por dhe i vijuesve seriozë të mbajtjes së kësaj tipografie ndaj përhapjes së librave me një tematikë sa të specializuar, aq dhe të afërt me edukimin e formimin meshtarak në Seminarin e Padovas do të mund të gjurmohet konkretisht dhe në sigla tipike në gjuhën latine(e.g., curis Seminarii Patavini; In usum Seminarii Patavini; ad usum Seminarii Patavini ), të vendosura në pjesë të caktuara të botimeve me destinacion specifik e që evokojnë orientimet edukative të kësaj selie aq të nderuar.

Programet e Barbarigos, më saktë projektet e tij në lidhje me një tipografi seminari nuk kufizoheshin vetëm me shtypjen e disa teksteve, por me një panoramë të gjerë që do të kërkonte dhe një suport të mirëfilltë në pikëpamje të teknologjisë së shtypshkrimit, karaktereve e kulturave të veçanta gjuhësore, me të cilat lidhej historia e librave më të kërkuar të botës së bibliofilisë së kohës. Njohja e këtij konteksti rikonfirmon faktin që Bogdani pati fatin e mirë të ishte ndër të parët autorë që u renditën me vepra në realizimet e tipografisë së sipërcituar, e përuruar shpejt dhe e përmendur si një nga entet më me rëndësi për botën librore të asaj kohe.

Njohja e historikut të kësaj tipografie mbetet në të vërtetë një prej rrugëtimeve më interesante kulturore që përtej vështirësive të kuptueshme në kushtet e zhvillimeve teknologjike të Gjashtëqindës, por dhe mëdyshjeve që ushqeheshin dhe nga pamundësi të natyrës financiare, ofron të dhëna të vyera dhe mbi tematikat e librave që dilnin prej saj. Angazhimi i kardinalit Barbarigo mund të ndiqet në itineraret e ndërrmarra në vatra të tjera të edukimit në trevat italike, disa prej të cilave kontribuan drejtpërdrejt në pasurimin e tipeve dhe të mjeteve të tjera teknologjike të punëtorisë së tij. Një hartë e tërë kërkimesh, një pjesë e të cilave rezultoi mjaft fatlume për kardinalin tonë, do të mund të gjurmohet dhe falë biografëve të tij, të cilët rendisin përkushtimin për forcimin e një qendre tipografike në Padova krahas angazhimeve të këtij të fundit për t’i shërbyer doktrinës dhe dijeve teologjike në katedra dhe kontekste të edukimit seminarial.

Regestet e disponueshme mbi arritjet e kësaj të fundit, bashkë me të dhënat që hedhin dritë mbi orientime në fusha të dijes dëshmojnë që kjo tipografi ishte një ent i rëndësishëm që ndikonte në zhvillimet kulturore të kohës e që do të vijonte të ishte i tillë në krejt ekzistencën e vet. Një ndikim i tillë përforcon faktin që trevat italike qenë pararojë në përurimin e teknologjisë së shtypshkrimit jo vetëm në lidhje me libra e tekste që shkruheshin në gjuhë si latinishtja, por dhe në të tjera idioma, fakt që dëshmohet nga vetë tipet e shkronjave që ruhen në dokumentacionin përkatës arkivor mbi këtë tipografi. Mbi të gjitha, në vetë hapat e parë të themelimit të kësaj tipografie, orientimet konkrete të kardinalit Barbarigo janë një dëshmi dhe më e qartë e një perspektive që kishte në thelb të vet instituimin e një hallke të rëndësishme që do të luante në këtë seminar një rol të rëndësishëm edukativ dhe didaktik.

Në një vështrim analitik të historikut të kësaj tipografie, për studiuesin e historisë së librit e të shtypshkrimit përbëjnë ndërmarrje të një përmase të qartë lapidare përpjekjet për të sjellë e vënë në përdorim karaktere të traditave më të largëta shkrimore, por që ishin të rëndësishme në proceset e ungjillëzimit në atë kohë.

Padija, mosnjohja e shkrimit, e kulturës së të jetuarit, rrezikimi i humbjes së vlerave identitare në kushtet e një sundimi përherë e më shtypës për popullsitë arbërore shpinte drejt një abisi që cilësohet krejt qartë në përmbajtjen e Prefationës së veprës së prelatit tonë, i cili shkrin krejt energjitë e mendjes e të diturive në arsyetimin e parashtresës para Letërarit. Modeli i parashtresës së përzgjedhur prej autorit tonë përbën një tekst ekzemplar për t’u rimarrë dhe në ditët e sotme, në kushte të nënvizimit të rëndësisë së njohjes së teksteve në të cilat dëshmohet një kulturë e spikatur e lëvrimit të gjuhës sonë e të mjeteve të saj.

Formimi kompleks i një autori si Pjetër Bogdani, rrugëtimi jetësor që shpesh u shoqërua me vështirësi që përbënin sprova të një natyre serioze, dijet e përforcuara dhe gjatë qëndrimit pranë figurave më me peshë në zhvillimet kulturore të kohës mund të gjinden të reflektuara në krerët e veprës së tij, për nënndarjet e së cilës është folur gjerësisht nga studiuesit e shkrimtarisë, por dhe të teksteve që përmbahen në këtë të fundit. Ka tekste të përveçme në të cilat përgatitja kulturore e teologjike e Bogdanit receptohet qartë; ka fjali e fraza me një referencë të qartë biblike që dëshmojnë njohjen dhe pasqyrimin e pjesëve nga Vulgata latine në kapitujt e veprës; ka autorë e vepra që bëjnë të mundur që ai të paraqitet dhe si analist i një historie të mendimit filozofik nga antikiteti në përpilimet më me emër të patrologjisë.

Me gjithë kohën që i kushtoi autorit tonë përgatitja përfundimtare deri në daljen në dritë të shtypit dhe arsyetimi në krerë i një pune që cekte fushat më të rëndësishme të mendimit teologjik e të çështjeve të doktrinës, vepra e tij paraqitet si ndër më fatlumet, krahasuar me të tjera realizime të traditës shkrimore e letrare së cilës natyrshëm i përket. Për të mund të evidentohen e krahasohen ribotime, rreth saj mund të flitet qartësisht për çështje të ndërtimit, historikut të jo pak fjalëve e përveçimeve, veçanërisht duke u nisur nga vetë përmbajtja e veprës.

Kjo përmbajtje flet shumë dhe për autorin e saj e për orientimet e tij, për një formim dituror që e reflekton në çdo pjesë e hollësi të saj, por dhe për një motivim bindës të cilin ai e dëshmon qartësisht që në hyrjen e veprës së vet. Me krahasimin me një prej autorëve të kohës së Augustit, që mbyll jetën në vise të largëta (P.Ovidius Naso), në të vërtetë Bogdani dëshiron të evokojë dhe një tjetër arsye për të cilën veprën e vet e përmbyll në një vend tjetër e jo në selinë e vet. Rreshtat e fundit të Prefationës së tij në të vërtetë përafrojnë me një admonitio de erroribus, që shfaqet koncize dhe e përmbajtur dhe në veprën paraardhëse në kohë, në Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit (Romë, 1635).

Dedikimet (në një pjesë të konsiderueshme dhe në gjuhën latine, të përpiluara nën skema metrike e artistikisht të kujdesuara, me citimin e vendndodhjes së dedikuesve) që kanë marrë shkas nga dalja në dritë të shtypit e kësaj vepre rinënvizojnë çka u tha më sipër në lidhje me motivimin e Bogdanit për të vënë në shërbim të një kauze madhore dijet dhe energjitë e tij krijuese, si dhe trajtesa origjinale që cekin çështje të doktrinës dhe të reflektimit përkatës në krerët e saj.

Me botimet më të fundit që lidhen si me vetë veprën, si dhe me leksikun themelor të vjelë prej saj, institucionet albanologjike shqiptare kanë rikonfirmuar përkatësinë intelektuale e shpirtërore të kësaj të fundit, si një dëshmi nga më të hershmet mbi vlerat e trashëgiminë kulturore e letrare të gjuhës sonë në shekullin XVII, në një kohë kur dhe kultura e librit, e shtypshkrimit dhe e përhapjes së tij po kalonte një fazë të re në kontekstin evropian. Modelin e letërarit, por dhe të xgedhësit, ashtu siç e percepton autori në kohën e vet nuk është dhe aq e lehtë ta rigjesh në ditët e sotme, dhe pse dija e kultura e të jetuarit me të janë përherë mjeti më i mirë dhe më i afërt në përditshmërinë e aktualitetit tonë.

*Ligjëratë e mbajtur në “Ditët e Bogdanit”, Prishtinë-Shkupt, 5-6 dhjetor. Botohet me shkurtime

Filed Under: Histori

Gjykata Kushtetuese detyron shtetin shqiptar të sigurojë votën e diasporës

December 10, 2022 by s p

Diaspora për Shqipërinë e Lirë/

Diaspora për Shqipërinë e Lirë lajmëron se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi në favor të padisë së lëvizjes për çështjen e ngritur kundër Shtetit Shqiptar me objekt “Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.””.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkeljen e Kushtetutes në zgjedhjet Parlamentare të Prillit 2021 duke realizuar brenda afateve kohore Votën e Diasporës dhe njëkohësisht Gjykata DETYRON Kuvendin e Shqipërisë të plotësojë boshllëkun ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit!

Gjithashtu Gjykata Kushtetuese konstaton gjithashtu paligjshmërinë e vendimit të Komitetit të Covid19 pranë Ministrisë së Shëndetësisë për ti privuar Shqiptarëve me banim në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut për karantinim të detyruar përgjatë periudhës së zgjedjeve parlamentare.

Të gjithë shqiptarët e Diasporës duhet të jenë krenarë!

Cënimi i votës së tyre tashmë ndodhet i skalitur në librat e pa-kushtetueshmërisë dhe shteti shqiptar si dhe aktorët kryesorë politikë vendosen me shpatulla pas murit për t’a mundësuar këtë të drejtë kushtetuese!

Partitë politike të mos vonojnë proçesin e realizimit të kësaj të drejte kushtetuese!

Ky vendim shënon një pikë kthese për të gjithë ne dhe numërimi mbrapsht ka filluar.

Falenderojmë përzemërisht Fondacionin “Halimi“, vecanërisht z. Eduard Halimi e avokatin z. Marash Logu për punën e palodhur me këtë cështje si dhe Gjykatën Kushtetuese që u shpreh pro kërkesës tonë.

Lajmërimi i Gjykatës gjendet këtu: https://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_P_R_SHTYP_2337_1-1.php

#votaediaspores

#diasporavoton

#krenariaediaspores

Filed Under: Analiza

SI TË MOS PAJTOHENI ME DIKË, PA E BËRË TË VIHET NË POZITA MBROJTJEJE

December 9, 2022 by s p

Nga Rafael Floqi/

Ka mënyra për të zhvilluar një bisedë produktive me dikë edhe pse me të nuk biem dakord.

Të pyesësh dikë pse po bëhet kaq mbrojtës, gjatë një debati, rrallë ndihmon në zgjidhjen e situatës. Në fakt, shpesh i bën gjërat më keq. Është e natyrshme që të dëshironi të mbroni veten, nëse mendoni se opinionet tuaja po kërcënohen. Sidoqoftë, është e mundur që të keni një bisedë në të cilën edhe pse nuk jeni dakord, të mos bëni që personi tjetër të bjerë në pozita mbrojtëse, shkruan Shelby Scarbrough, ish-zyrtare e protokollit ndërkombëtar dhe e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe autore e “Rregullave të Qytetërimit! Krijimi i një praktike të qëllimshme civilizimi”.

“Ajo që ne nuk mund ta kontrollojmë dot është reagimi apo sjellja e dikujt tjetër. Prandaj, ajo që ne sjellim në tryezë është gjëja më e rëndësishme. Nëse të gjithë do të vijnë në tryezë me atë koncept, duke dashur të jemi civilë dhe të kemi një bisedë normale, bota do të ishte një vend i mrekullueshëm.”

Ndërsa Scarbrough pranon se jo të gjithë hyjnë në një bisedë duke dashur të jenë të qytetëruar, megjithatë ka gjëra që mund të bëjmë në mënyrë më proaktive, për të ndihmuar shmangien e një reagimi mbrojtës.

Kujdes me gjuhën 

Së pari, shmangni përdorimin e terminologjisë akuzuese, me fjalë të tilla si “duhet”,” Nuk e kupton” ose turpërimin ose fajësimin e personit tjetër. Nëse veproni kështu “Atëherë kjo është një mënyrë e sigurt që ata të kthehen me një përgjigje që është mbrojtëse ose e zemëruar edhe nëse janë fare të ndjeshëm në lidhje me pozicionin e tyre për diçka”, thotë Scarbrough. “Dikush që është jashtëzakonisht i rehatshëm dhe i sigurt në pozicionin e tij shpesh nuk është mbrojtës, sepse nuk ka nevojë pse të jetë. Kështu me ata mund të bëjmë një bisedë për çdo temë dhe të mos shqetësohen se nuk është një gjë e vogël personale.”

Përqendrohuni në përvojën tuaj

Më pas, mos i tregoni dikujt se çfarë të bëjë dhe mos jepni këshilla. 

“Nëse duam të angazhohemi me dikë në një nivel më të thellë, kuptimplotë, kjo nuk ka të bëjë që ne të nxjerrim gjithnjë në pah pikëpamjet tona,” thotë ajo. “Kjo është ajo, ku ne disi gabojmë në shoqëri këto ditë. Ne jemi kaq të prirur për të nxjerrë mendimin tonë të parin, dhe për ta nxjerrë atë si të vërtetë apo fakt në vend që të kuptojmë, se ky është një këndvështrim dhe se ka perspektiva të tjera.”

Në vend të kësaj, ndani përvojën tuaj. Ka një dallim midis mendimit tuaj dhe përvojës suaj, thotë Scarbrough. “Mendimi juaj është bindja juaj,” thotë ajo. “Në teori, bazohet në përvojën tuaj, por kur thjesht ndani mendimin tuaj, nuk tregoni përvojën tuaj pas tij.”

Ndarja e përvojës suaj. ilustron se si keni arritur në pikëpamjen tuaj. Filloni fjalinë tuaj me: “Kjo ka qenë përvoja ime”. Jini të gatshëm të jeni të pambrojtur dhe të hapur për të shtyrë prapa, bisedën thotë Scarbrough.

“Personi mund të thotë: “Po, por” dhe kjo është në rregull,” thotë ajo. “Kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni gjithashtu në mbrojtje. Ju mund të thoni, ‘Unë mund të shoh se kjo është duke goditur një nerv dhe ky nuk është qëllimi im. Kjo nuk është ajo që po përpiqem të bëj. Do të doja shumë të bëja një bisedë për këtë. Dhe nëse është e pakëndshme për ju, nuk kemi pse të flasim për këtë.’ Kjo mund të ndihmojë në qetësimin e situatës, në mënyrë që personi tjetër të ndihet i sigurt.”

Kontrolloni motivin tuaj

Pyesni veten, a doni të keni një bisedë për diçka apo thjesht dëshironi një mundësi për të shtyrë pozicionin tuaj. Nëse është kjo e fundit, zakonisht është një mënyrë e mirë për ta bërë dikë të marrë një pozitë në mbrojtje, gjë që krijon një bisedë pa rrugëdalje.

Nëse dëshironi të bëni një bisedë, futuni në të me kuriozitet të hapur. Scarbrough sugjeron të thotë: “Më trego më shumë për këtë. Do të doja t’i kuptoja pikëpamjet tuaja.”

“Ju nuk duhet pse të pajtoheni, por ardhja në një bisedë me një perspektivë përulësie, do të ndihmojë në hapjen e një bisede dhe për ta bërë personin tjetër të ndajë pikëpamjet e tij,” thotë ajo. “Ne mund ta mbajmë bisedën në një nivel interesi. Nuk duhet të zemëroheni. Nuk duhet ta bëni atë të keqe.”

Ju nuk mund ta parandaloni dikë që të kthehet në mbrojtës, por ndryshimi i mënyrës se si hyni në një bisedë mund t’u ndihmojë, thotë Scarbrough. “Kush jam unë që të them se duhet të besosh një gjë apo një tjetër? Kjo është shumë arrogante nga ana ime”, thotë ajo. “Në vend të kësaj, bëni çmos që të vini në bisedë me përulësi dhe hir, dhe çiltërsi, kureshtje dhe bujari shpirtërore. Dhe nëse e bëjmë këtë, ne kemi shumë më pak shanse për të pasur një përgjigje që është mbrojtëse. Qëllimi i mirë është gjysma e betejës.”

Filed Under: Kulture Tagged With: Rafael Floqi

Takimet e Mynihut 2022 – Simposium shkencor

December 9, 2022 by s p

Enela Markja

Nëntor 2022/

Mynih 19.11.2022 – Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA e.V., në bashkëpunim me Institutin shkencor mbarëkombëtar Alb-shkenca si dhe Ministrin e Punëve të Jashme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës organizuan në Mynih simposiumin shkencor me temë: „Sfidat dhe mundësite e inkuadrimit te Diasporës në bashkëpunime shkencore kombëtare dhe mbarkombëtare“

Në Qendrën Internacionale të Takimeve Shkencore (IBZ) në Mynih u takuan më tepër se 100 pjesmarrës, profesor të Institutit Alb-shkenca dhe drejtues të institucione me objektivën e konkretizimit të projekteve në dobi të vendeve tona të origjinës nëpërmjet rrjetizimit dhe bashkëpuninimit shkencor.

Takimi hapet me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqërisë së akademikeve dhe njëherit zëvëndësdrejtorit të përgjithshëm të Institutit Alb-shkenca Dr. Eshref Januzaj, i cili theksoi domosdoshmërinë e transferit te dijes si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të Diasporës akademike me vendet e origjinës. Gjithashtu Dr. Januzaj përmendi rritjen e numrit të Diasporës në Gjermani dhe njëkohësisht fokusoi problematikat dhe arsyet pse ndodh ky migrim.

Pjesmarrësit e siposiumit u përshëndetën nga konsulli i Republikës. së Shqipërisë Dr. Dashnor Ibra dhe Konsulli i Përgjithëshëm i Rep. së Kosovës z. Afrim Nura.

Për të qenë konkurues duhet të ketë një lidhje të Diasporës shkencore. 

Prof. Dr. Gentian Zyberi që ushtron veprimtarinë e tij akademike dhe shkencore në fushen e shkencave juridike në Universitetin e Oslos në Norvegji, parashtroi problematikat aktuale të Universiteteve në rajon. Ai thekson mangësine e botimeve shkencore si dhe rëndësinë e mbështetjes financiare të bibliotekave. Kanalizimi i duhur i fondeve si p. sh. krijimi i një reviste online për punime shkencore do të ishte motiovues. Mungesa e fondeve për kërkime shkencore është pengesë thelbësore. Kjo ilustrohet edhe me faktin se buxheti për shkencë që shteti shqiptar e ndanë përbën vetem 0,2 % të GDP-së.

Prof. Zyberi theksoi gjithashtu rëndësinë e angazhimi të Diasporës akademike për të rritur nivelin e punës shkencore në nivele europiane dhe ndërkombëtare.

Disa nga impulset e tij rreth temës së simpoziumit vunë kështu para përgjegjësive institucionet tona në vendet e origjinës:

  • krijimi i një programi ERASMUS+ për vendet tona në rajon
  • Shkenca dhe kërkimet shkencore duhet të jenë shumë afër studetëve
  • Rritja e stafit akademik në universitete tona
  • stimulim ekonomik në cilësi dhe në sasi
  • përmendja e shembujve të mirë 
  • mbeshtjetje morale e studiuesve të rrinj

Integrimi i venedeve tona në familjen europiane ka nevojë dhe do të përshpejtohet nëse cilësia e Diasporës do të rritet, citoi Prof. Zyberi në fjalën e tij. Me këtë impuls ai parashtroi një platformë për krijimin e urave të bashkëpunimit.

Nje komb nuk ka zhvillim nëse nuk zhvillon dhe nuk mbështet shkencën! 

Nga Shteti i Washington-it në ShBA përshëndeti gjithashtu nëpërmjet platformës ZOOM me një Keynot edhe Prof. Dr. Niko Qafoku. Ai theksoi rëndësine e themelimit të Institutit Alb-Shkenca para 17 viteve me bashkëthemeluesit Prof. Dr. Bajram Berisha, Dr. Januzaj dhe Prof. Dr. Gentian Zyberin nëpërmjet të cilit u krijuan urat e bashkëpunimit të Diasporës shkencore. Prof Qafoku foli për nevojën e ndërtimit të një infrastrukture për studimet shkencore duke spikatur rolin e Diasporës shkencore me fjalët: Ne flasim shqip!

Në panelin e parë „Bashkëpunimi dhe rrjetizimi i shkencës” u takuan Prof. Dr. Bajram Berisha, Prof. Dr. Evan Rroco, Prof. Dr. Bashkim Ziberi dhe Prof. Dr. Lulzim Dragidella. Në bashkëbisedim ata trajtuan problemet nga dy këndvështrime, si Akademikë në Universitetet gjermane dhe në vendet e origjinës. Duke vënë në pah problematikat, si: 

  • Mungesën e një qëndrueshmërie në kërkimet shkencore
  • Financimi jo i mjaftueshëm
  • Mungesa e regjistrimit të Diasporës shkencore

Njëkohësisht u shyrtuan dhe ide për konceptimin e stukturave të qëndrueshme të bashkëpunimit. Konceptimi i një Masteri të përbashkët në vëndet shqipfolëse dhe ndërtimi i laboratorëve me nivel te lartë shkencor, do të ndikonin si indikatorë për më shumë rrjetizim dhë bashkëpunim. 

Dobësia e Diasporës shkencore është, që ajo nuk është ë organizuar në rrjete dhe organizata

…theksoi në ligjëratën e tij Dr. Ilir Gëdeshit nga Qendra për Studimet Ekonomike e Shoqërore, i cili bëri një pasqyrë të Diasporës bazuar mbi statistika. Sipas shifrave konstatohet që 97% e doktorantëve që kanë promovuar jasht vëndevë të origjinës, punësohen në institutet dhe universitetet ku kanë promovuar. Nga këta vetëm 21% marrin pjesë në organizata dhe rrjete sociale. Gjithashtu rezulton që patriotizmi është motivacioni i angazhimit të Diasporës shkencore kosovare për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ajo është tepër e lidhur me Kosovën dhe beson në kompetencat sociale, drejtësinë sociale dhe të pa korruptuar. 
Edhe në këtë ligjeratë u theksua domosdoshmëria e Diasporës shkencore dhe zgjerimi I rrjeteve të tyre nëpërmjet njësive Diplomatike.

Në panelin e dytë me teme „Projektet dhe strategjitë institucionale“ diskutuan znj. Liza Gashi – zëvendësministre për Punët e Jashme e Diasporën e Republikës së Kosovës, Drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Diasporës në Shqipëri znj. Sonila Hysi dhe Nenkryetarja e Këshillit Koordiniues te Diasporës znj. Anila Hyka.

Identiteti jonë ndërlidhet me gjuhen shqipe

Znj. Gashi pasi bën një analize themelore të Diasporës duke vlerësuar kontributin e saj në rrugëtimin e Kosovës. Pasi vë ne dukje heterogjinitetin dhe shpërndarjen e Diasporës si dhe vakuumin mes dijes së vjetër dhe te re, pranoi mungesën e strukturave të përshtatshme bashkohore për bashkëpunim e rrjetizim. 

Ajo që znj. Gashi kërkon nga Diaspora shkencore është KOHA për ndërtimin e prototipave dhe krijimin e strukturave të bashkëpunimit per sfidimin e pengesave.

Misionet tona – vazhdon znj. Gashi – duhet të jenë çelësi I hyrjes në Diasporë. Me 32 Misione Diplomatike dhe 16 Konsullata u krijua bazamenti i pionierve të Diplomacisë kosovare.

„Ne nuk duhet t‘i largohemi por duhet të ballafaqohemi me të vërteten tone“ – me këto fjalë hapi znj. Gashi dyert për cdo bashkëpunim e rrjetizim të mundshëm në ndihmnë të ndërtimit të stukturave për konsolidimin e transferit te dijes.

Bashkëpunimi me Shoqërinë DIJA është i domosdoshëm

Znj. Hysi prezanton strukturat e ngritura për organizimine Diasporës si dhe strategjinë e organizimit të një baze tëdhënash për regjistimin e Diasporës. Pasi u vu re mungesa e një Këshilli Koordinues për Diasporën shkencore, ajo vendosi në bashkëpunim me znj. Gashi realizimin e shpejtë të këtij projekti.

Me qëllim thellimin e bashkëpunimit drejt integrimit të diasporës shkencore dhe profesional në procese të zhvillimit të vendeve tona si dhe për të hapur edhe rrugen institucionale të bashkepunimit, Drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Diasporës të Shqipërisë, znj. Sonila Hysi dhe Kryetari i Shoqërisë së akademikëve shqiptarë DIJA e.V., z. Eshref Januzaj, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në mes të Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Shoqërisë DIJA nga Mynihu.

Kjo marrëveshje do të krijoj hapësira për rrjetizimin e expertëve dhe angazhimin e Diasporës shkencore dhe profesionale në zhvillimin e projekteve në vendet e origjinës.

Të ushtrojmë metodologjinë e bashkëpunimit në grup

Në fjalën e saj gjatë diskutimit në panel, Anila Hyka theksoi rëndësine e Këshillit të Koordinimit të Diasporës dhe mundësite që ofrohen përmes tij.

Në panelin e tretë „Shembuj nga praktika“ u diskutua mbi praktikat konkrete të bashkëpunimit e rrjetizimit me znj. Suela Kalia dhe Xhelal Dërgutoi nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, zyrat në Shqipëri dhe Kosovë, z. Rrahim Trepça nga Qendra Gjermane e Informacionit për Migrim, Aftësim Profesional dhe Karrierë (DIMAK), Zyra Kosovë, znj. Sihana Bejtullahu nga GERMIN, znj. Shegë Bahtiri nga Instituti i Europës Juglindore për Politikat shëndetësore dhe sociale dhe znj. Dr. Aurora Dollenberg, Kryetare e Federatës së Mjekëve shqipëtarë në Europë. 

Simposiumi u mbyll duke hapur rrugën për struktura e platforma bashkëpunimi, të cilat do të kontribuojnë në mobilizimin e Diasporës shkencore për konkretizimin e projekteve në vendet e origjinës. Bashkëpunimi ose edhe „Themra e Akilit“, siç u gjuajt gjatë simposiumit, është sfida me të cilën duhet të ballafaqohemi. 

Kemi shumë për të thënë, por shumë më tepër kemi për të bërë!

Nga DIJA për Ju

Enela Markja

Nëntor 2022

Filed Under: Mergata Tagged With: Enela Markja

Letër falënderuese…

December 9, 2022 by s p

Nga: Nusret PLLANA/

Deputetes shqiptare në Zagreb, znj.Ermina Lekaj – Perlaskaj dhe Gjeneral Esat Çollakut – Kryetar i Unionit të Bashkësisë Shqiptare në Kroaci!

Falënderojmë Bashkësinë shqiptare në Rijekë dhe Pulë, si dhe znj. Dorotea Kerni, Kryetare e Shoqatës së grave shqiptare “Drita” në Zagreb, për organizimin e suksesshëm më, 3 dhe 4 dhjetor 2022, të promovimit të veprave publicistike e dokumentare të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj.

Ne si autorë, Ishim tejet të nderuar me organizimin e mrekullueshëm të organizatorëve të Shoqatave të lartëpërmendura, për të marrë pjesë aktive në shënim të Festave të Nëntorit të Madh, për të dhënë edhe ne kontributin tonë, përmes promovimeve të librave “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999” dhe “Mos harro kurrë”, si dhe të filmave dokumentarë “Kush i vret fëmijët” dhe “Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999”, të autorëve: Nusret Pllana e Esat Shala.

Falënderojmë nga zemra prezencën aktive të Ambasadorit të Republikës së Kosovës, z.Martin Berishaj, në Rijekë e në Zagreb, deputeten shqiptare, znj.Ermina Lekaj – Perlaskaj, e cila gjithashtu na nderoi me prezencën e saj aktive në Rijekë e në Zagreb, për të na lënë mbresa të paharrueshme në kuadër të manifestimeve “Ditët e kulturës shqiptare” në Kroaci.

Për sukseset tona të përbashkëta në Rijekë, falënderimet u takojnë udhëheqësve të Bashkësisë shqiptare në Rijekë, z.Valentin Lleshi – Kryetar dhe anëtarëve të kësaj kryesie, z. Gjergj Lekaj, z.Toni Marku, Gani Xharrahu e Remzi Bajraktari.

Për organizimin e mrekullueshëm në Pulë, u jemi mirënjohës dhe falënderues, z. Rok Lekaj, Kryetar i Bashkësisë shqiptare në Pulë, z.Selim Mulliqi -sekretar dhe Gjeneral Esat Çollakut – Kryetar i Unionit të Bashkësisë Shqiptare në Kroaci.

Ndërkaq për organizimin e mrekullueshëm të promovimit të veprave tona në amfiteatrin e bukur të “shtëpisë së gazetarëve”në Zagreb, falënderimi i takon deputetes shqiptare, znj.Ermina Lekaj – Perlaskaj dhe Shoqatës së grave shqiptare “Drita” në Zagreb, përkatësisht znj. Dorotea Kerni – Kryetare dhe drejroreshë e Bibliotekës shqiptare në Zagreb, ku përveç shumë dashamirëve të librit e të filmave dokumentarë, ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës, z.Martin Berishaj dhe zv.Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Alma Kasa, të cilët i vlerësuan lartë veprat e autorëve N.Pllana e A. Aliçkaj. 

Kontribut të çmueshëm me këtë rast dhanë edhe z.Gëzim Olluri – gazetar, z.Sejfedin Prekazi – fotoreporter dhe gazetarja kroate, znj. Slavica Sharoviç, të cilët i falënderojmë përzemërsisht dhe u jemi shumë mirënjohës!

Bashkëautori i librit “Mos harro kurrë”, z.Agim Aliçkaj kishte ardhë enkas nga Amerika mike, pëkatësisht New Yorku, së bashku me bashkëshorten e vet, znj.Sadete Aliçkaj, për të marrë pjesë aktive e për të na i bërë edhe më madhështore promovimet e veprave tona në Gadishullin Ilirik, në Rijekë, Pulë e Zagreb, e të cilët meritojnë një falënderim të veçantë për kontributin e tyre të çmueshëm gati dyzetvjeçarë, në shërbim të çështjes kombëtare atdhetare!

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT