• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Lëvizja e Qershorit dhe Qeverisja gjashtëmujore e Nolit

December 2, 2022 by s p

Ledio Xhoxhi, Historian/

Fan Stilian Noli është një nga figurat me njohuri të thella në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha. Noli ishte shkrimtar, filozof, publicist, poliglot, përkthyes, orator, diplomat, politikan, historian, muzikant e teolog. Ai është themelues i Federatës Vatra, si dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.  

Figura politike e Fan Nolit mbetet një nga më të shndritshmet në panteonin shqiptar të baballarëve të kombit. Ai vazhdoi veprën e tyre të lavdishme si një nga bashkëkohësit e denjë të rilindësve tanë. Ai u mor me pothuajse të gjitha fushat ku kombi dhe shteti shqiptar kishin nevojat e tyre. Ai u mor me përkthimin në gjuhën shqipe të librave të shenjtë, u shugurua prift në SHBA në kohën kur kërkohej themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare duke e çuar punën e tij deri në konsolidimin e autoqefalisë së kësaj Kishe. Noli shkëlqeu në veprat historike për Skënderbeun, i cili ishte guri i themelit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Diplomatin Fan Noli e gjeje në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai përktheu kryeveprat e letërsisë botërore duke mbetur edhe sot një nga përkthyesit më të mirë dhe njëkohësisht iluministi i elitave shqiptare drejt ideve të Perëndimit.

Fan Noli hyri fuqishëm në jetën politike të viteve 1920-1924 duke qenë edhe kryetar i Shoqatës Panshqiptare “Vatra”. Përplasjet e shumta që karakterizuan periudhën pas Kongresit të Lushnjës bën që situata në Shqipëri të degradonte deri në buzë të anarkisë totale. Shembulli i kësaj është ndërrimi i disa qeverive në harkun e katër viteve. Parlamenti shqiptar i kësaj periudhe u bë arenë e përplasjeve të rrymave të ndryshme politiko-sociale, krahinoro-fetare, si dhe i lojërave të ndryshme parlamentare që shqiptarët deri atëherë pa përvojë kishin filluar t‘i mësonin.

Copëtimi i Shqipërisë që kishte sjellë ndarjen nga trungu shqiptar të viseve më të pasura dhe të asaj popullsie që kishte dhënë kontributin kryesor në shpalljen e Pavarësisë, shto këtu edhe odisenë e gjatë të njohjes dhe të përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar, po e kthenin Shqipërinë në një “tokë të askujt”. E gjithë kjo kishte sjellë krijimin e dy blloqeve kryesore në skenën politike shqiptare. Blloku i parë ishte ai i bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave, të cilët duke përfituar nga pushteti ekonomik, si dhe përvoja e gjatë administrative që nga koha e Perandorisë Osmane, kërkonin me çdo kusht ruajtjen e pushtetit politik si garantues të interesave të tyre ekonomike, duke kundërshtuar çdo lëvizje ose reformë liberale. Ahmet bej Zogolli, me plot ambicie për pushtet, ishte figura kryesore e këtij grupimi. Ahmet Zogolli ishte një bej shumë i vogël krahasuar me oxhaqet e mëdha shqiptare që e mbështesnin dhe që ai i përfaqësonte. Në bllokun tjetër që ishte mjaft heterogjen bënte pjesë borgjezia e re shqiptare, intelektualët e rinj të shkolluar në Perëndim, rinia shqiptare e inkuadruar nën shoqërinë “Bashkimi” me në krye Avni Rustemin, si dhe emigrantët kosovarë të tubuar rreth Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Me këtë bazë sociale e strukturore opozita mblodhi rreth vetes figura të shquara që kishin luajtur një rol të dorës së parë në shpalljen e Pavarsisë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau e tjerë. Përplasjen kryesore këto dy grupe e patën në vjeshtën e vitit 1923 për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, e cila kishte si detyrë përcaktimin e formës së regjimit, caktimin e kryeqytetit dhe në njëfarë mënyre caktimin e rrugës nga do të shkonte Shqipëria. Sistemi i votimit në dy shkallë, si dhe shfrytëzimi i pushtetit nga Ahmet Zogu në postin e kryeministrit, bën që situata paszgjedhore të ishte e nderë. Nuk munguan as akuzat e të dy palëve për shantazh, vjedhje dhe blerje votash. Megjithë pretendimet e opozitës, rezultatet e zgjedhjeve ofruan një grafi të saktë të klimës politike në Shqipëri. Asnjë nga grupet nuk siguroi dot shumicën. Në Asamblenë me 102 vende kandidatët e opozitës fituan 39, ndërsa Zogu me të tijët 44 vende. Të tjerët ishin kandidatë të pavarur konservatorë që anonin nga krahu i Zogut. Ajo çka për fat të keq treguan këto zgjedhje ishin dasitë e mëdha krahinore e fetare. Opozita fitoi në Jug dhe në Veri, ndërsa Zogu me pasuesit e tij në Shqipëri të Mesme dhe në Dibër. Atmosfera e nderë paszgjedhore u zhvendos në sallën e Parlamentit. Më 24 shkurt të vitit 1924 Kryeministrit Ahmet Zogu iu bë atentat në hyrjen e Parlamentit nga matiani Beqir Valteri. Meqënëse atentatori ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, pasuesit e Zogut e lidhën atentatin me dhe kryetarin e saj Avni Rustemin. Zogu u tërhoq nga posti i Kryeministrit duke ia lënë vëndin vjehrrit të tij, Shefqet Vërlacit. Pavarësisht prej këtyre lëvizjeve politike, situata ishte mjaft e nderë. Në marsin e vitit 1924 qeveria kishte dy kundërshtarë të vendosur, forcat përparimtare të mbledhura rreth Fan Nolit dhe Komitetin e Kosovës.

Ajo që ndezi flakë situatën ishte vrasja e Avni Rustemit, një figurë mjaft popullore, e cilësuar si trubuni i rinisë shqiptare. Vrasësi, Isuf Reçi ishte mbështetësi i Esat Pashës i cili “mori hak” për vrasjen e pashait. Sipas Eqrem bej Vlorës, ky ishte qenë një akt hakmarrjeje që përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, si dhe pajtonte dy rrymat e ndara politike, esadizmin dhe ahmetizmin. Vrasja e Avni Rustemit solli acarimin e të gjitha grupeve heterogjene të opozitës rreth Fan Nolit, si figura qendrore e saj. Varrimi i Avni Rustemit u kthye në sinjalin e fillimit të kryengritjes. Futja në lojë e dy garnizoneve ushtarake, të atij të Shkodrës nën komandën e Rexhep Shalës, dhe atij të Përmetit, komanduar nga Kasëm Qafëzezi, si dhe mësymja e forcave të Bajram Currit nga Kruma, bënë që qeveria të largohej nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun dhe pasuesit e tij. Më 19 qershor 1924 qeveria e koalicionit, e kryesuar nga Noli, shpalli programin e saj ku përfshiheshin reforma të thella sociale dhe politike që kërkonin kthimin e shtetit shqiptar drejt Perëndimit për t’u bërë si kombet e qytetëruara.

Kur Noli mori postin e Kryeminisrit, gjendja ekonomike dhe politike në Shqipëri ishte e vështirë. Në aspektin ekonomik, Shqipëria vuante nga një prapambetje e theksuar. As që bëhej fjalë për zhvillim industrial, dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia. Në fshat ekzistonte një e çarë e madhe mes fshatarësisë dhe klasës sunduese, bejlerëve. Pjesa më e madhe e tokës ishte në pronësi të një numri të vogël familjesh çifligare, që ushtronin dhunë ekonomike mbi fshatarësinë e varfër. Gati 85% e popullsisë jetonte në fshat, vetëm 9% e tokës ishte e punueshme, shtatë familje të mëdha çifligare (Vrioni, Vërlaci, Zogu, Toptani, Libohova, Vlora, Këlcyra) zotëronin 2000 ha tokë, kurse shumica e fshatarësisë kishin në zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare.

Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, ushtrisë, bejlerëve, liberalëve, progresistëve dhe lobit shkodran. Ndërsa Komiteti i Kosovës nuk u përfshi në qeveri. Kabineti qeveritar përbëhej nga:

– Fan Noli, Kryeministër;

– Sulejman Delvina, ministër i Jashtëm; 

– Luigj Gurakuqi, ministër i Financave; 

– Stavro Vinjau, ministër i Arsimit; 

– Kasëm Qafëzezi, ministër i Luftës; 

– Rexhep Shala, ministër i Brendshëm; 

– Qazim Koculi, ministër i Bujqësisë; 

– Xhemal Bushati, ministër pa portofol.

Anëtarët e kabinetit përfaqësonin interesa të kundërta, mes tyre mungonte kohezioni, e vetmja gjë që i kishte bashkuar ishte qëndrimi antizogist. L. Gurakuqi ishte i moderuar, Noli dhe Vinjau ishin më radikalët, Shala dhe Qafëzezi ishin thjesht karrieristë me bindje antiçifligare, por nuk ishin për ndryshimin e sistemit të vjetër.

Në 19 qershor qeveria e Nolit shpalli programin e saj, një program reformash me 20 pika, të cilat ishin:

1) Çarmatimi i përgjithshëm dhe papërjashtim;

2) Dënim i shkaktarëve të kësaj vëllavrasje dhe i agjentëve të tyre kryesorë me përjashtim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera sipas masës së përgjegjësisë së secilit;

3) Ristabilizim i qetësisë, i rregullit dhe të ligjit;

4) Lartësim i autoritetit të Shtetit mbi ç’do fuqi personale ose ekstralegale;

5) Çrrënjosje të feudalizmit dhe vendosje e demokracisë në Shqipëri;

6) Reformë radikale e të gjitha degët e administratës civile e ushtarake;

7) Heqja e burakracisë tek nëpunësit;

8) Sigurimi i të drejtave dhe caktimi i përgjegjsis së nëpunësve me ligj;

9) Organizim i fshatrave duke përmirësuar gjendjen e tyre dhe fshatarve;

10) Kursime radikale t buxhetit;

11) Ndryshim i sistemit të taksave për lehtësuar popullin;

12) Përmirësim i gjendjes dhe ekonomisë së bujkut;

13) Lehtësim i hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtje e organizim i kapitaleve të vendit;

14) Lartësim i figurës së shtetit në botën e jashtme;

15) Pavarësi e vërtetë e gjyqësorit;

16) Reformë radikale e kanunevet gjyqësore të vjetëruara;

17) Rregullimi i rrugëve dhe urave, si dhe kujdes i veçantë për të gjitha komunikimet e shtetit;

18) Organizim i Degës së Shëndetësisë për të luftuar sëmundjet;

19) Organizim i Degës së Arsimit mbi baza moderne, kombëtare dhe praktike;

20) Marrëdhanje miqësore me të gjitha shtetet e veçanërisht me fqinjët.

Noli ishte i bindur se me qeverinë e tij demokratike do t’i dhuronte Shqipërisë një sistem demokratik që nuk e kishte patur më parë. Pavarësisht ambicies dhe dëshirës së madhe, Noli solli një demokraci të brishtë. Dështimi i saj vërtetoi se programi ishte më shumë teorik sesa praktik për kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Ai u përpoq të organizonte forcat kundër botës së feudalizmit, për ta nxjerë popullin nga errësira.

Programi i hartuar nga Noli dhe qeveria e tij është vlerësuar nga bashkëkohës dhe studiues. Nolit nuk i mungonte as dëshira dhe as vullneti për ta vënë në jetë programin e tij, por pati një sërë faktorësh që ndikuan negativisht, si:  mungesa e fondeve, mosdhënia e nje kredie nga Lidhja e Kombeve apo shtetet e zhvilluara, përçarjet brenda vetë qeverisë, harxhimi i energjive dhe i një kohe të gjatë për problemet në politikën e jashtme. Por për kushtet e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit shqiptar ishte i parakohshëm dhe siç e tregoi koha i vështirë, për të mos thënë i pamundur për t’u realizuar. Ai ishte një sfidë përballë së cilës Noli dhe qeveria e tij dështuan. 

Pavarësisht nga kjo, nuk mund të mohojmë arritjet që pati qeveria e Nolit. Në aspektin financiar qeveria arriti të balancojë buxhetin e shtetit. Qeveria e Qershorit trashëgoi nga qeveritë e mëparshme një defiçit prej 7 milion franga ari dhe rroga të papaguara prej shtatë muajsh. Për të zvogëluar borxhin, qeveria pakësoi 25% të nëpunësve dhe rrogat i zbriti në 40%. Në fushën e arsimit u bënë përpjekje për të zgjeruar rrjetin shkollor dhe për të ngritur nivelin e përgatitjes së arsimtarëve. Më 10 nëntor u themelua në Vlorë një shkollë tregtare. Në kuadër të luftës për çrrënjosjen e feudalizmit u morën disa masa me qëllim lehtësimin e shfrytëzimit të fshatarësisë. U miratua dekretligji për shitjen e taksës të së dhjetës së prodhimeve bujqësore fshatit, jo myltezimëve.  

Një vëmendje të madhe, Noli i kushtoi çështjes së mbrojtjes së kufijve dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në këtë drejtim ai tregoi aftësi të mëdha diplomatike dhe arriti suksese. Noli ishte i vetëdijshëm se mënyra se si erdhi në pushtet, (me kryengritje, jo me zgjedhje popullore) e bënte të domosdoshme njohjen ndërkombëtare. Përveç kësaj Noli nuk arriti të kënaqte askënd duke krijuar një situatë amullie të brendshme. Vështirësitë ishin po kaq të mëdha edhe në politikën e jashtme. Marrëdhëniet me vendet fqinje mbeteshin të tendosura, ndërsa Fuqitë e Mëdha vazhdonin të ndiqnin rrugën e mosnjohjes së qeverisë së Nolit. Noli u përpoq (që përpara se të bëhej Kryeministër) në vendosjen e marrëdhënive miqësore me disa shtete perëndimore. Në kohën kur ai kishte postin e minsitrit të Jashtëm, SHBA-ja vendosi marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë në vitin 1922, vetëm falë këmbënguljes së Nolit, por nuk mbajti të njëjtin qendrim ndaj qeverisë demokratike të tij; kjo ndodhi sepse kishte dyshime për ligjshmërinë e saj.

As shtetet fqinje, Greqi e Jugosllavi, nuk e njohën qeverinë e Nolit. Greqia dhe Jugosllavia, në atë kohë aleate me njëra- tjetrën, punuan së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit. Noli bëri thirrje për marrëdhenie të mira me shtetet fqinje. Ai dwshironte marrwdhwnie fqinjësie të mirë me shtetin jugosllav me qëllim që të dy shtetet të jetonin në miqësi, si shtete fqinje me interesa të përbashkëta.

Qeveria e Nolit mbajti një qëndrim thellësisht kombëtar në politikën e jashtme. Në muajt shtator-tetor 1924, Noli në krye të një delegacioni shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Çështja kryesore që mbrojti delegacioni shqiptar në sesionin e Lidhjes, ishte ajo e kufijve me fqinjët ballkanikë. Jugosllavia pretendonte të merrte Shën Naumin dhe Vermoshin. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve, Fan Noli hodhi poshtë pretendimet shoviniste të qeverisë serbe-kroate sllovene dhe të asaj greke. Qeveria e Nolit mbrojti me forcë të drejtat e popullsisë çame dhe kosovare dhe mori masa për pritjen e refugjatëve të persekutuar nga qarqet shoviniste.

Përfundime

Noli është një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai, në bashkëpunim me patriotë të tjerë shqiptarë, zhvilloi një veprimtari të dendur atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kryesisht në SHBA, për një periudhë afro gjysmëshekullore.

Duke analizuar të gjithë veprimtarinë e tij atdhetare dhe politike mund të themi se Noli ishte i pari që solli për herë të parë parimet e një demokracie të mirëfilltë, të cilat e patën të vështirë të mbijetonin në një shoqëri anarkike, feudale dhe të prapambetur siç ishte shoqëria shqiptare e asaj kohe.

Lëvizja e Qershorit pati një rëndësi të veçantë pasi ishte përpjekja e parë në shkallë kombëtare për çrrënjosjen e mbeturinave feudale në vend dhe vendosje e demokracisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Lëvizja e Qershorit është trajtuar edhe si kryengritje e armatosur e forcave demokratike kundër atyre konservatore, si përpjekja e parë e armatosur për të zhdukur mbeturinat feudale brenda vendit dhe për kryerjen e reformave të shpejta me karakter perëndimor e demokratik.

Noli, në gjashtë muajt e qeverisjes së tij pati suksese, dështime, gabime, në fund të fundit si të gjithë udhëheqësit e çdo kohe, e çdo vendi. Noli, ndonëse larg, në mërgim, asnjëherë nuk e shkëputi vëmendjen prej atdheut. Ai, me punën e kryer, dha një kontribut të rëndësishëm për çështjen shqiptare, në momente mjaft të vështira për këtë të fundit.

Bibliografia

  1. Aleks Buda, Fan Noli-individualiteti i alternativave, në studime mbi Fan S. Nolin, Vepra VII, Dudaj, Tiranë, 2008.
  2. Arben Puto, Demokracia e rrethuar, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, faqe 40.
  3. Blendi Fevziu, Si ndodhi Revolucioni i Qershorit, Korrieri, Nr. 40, 19 shkurt, 2004, faqe 14 – 15.
  4. Eqrem bej Vlora, Kujtime (1885-1925), Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2003.
  5. Kaliopi Naska, Fan Noli kryeministër; një libër për kryeshtetarin erudit, akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, Shqiptarja.com, nr. 66, 22 mars, 2015, faqe 22-23.
  6. Masar Kodra, Fan Noli në rrjedhat politike të shoqërisë shqiptare (1905-1945), Rilindja, Prishtinë, 1989.
  7. Mehmet Gëzhilli, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 2003); 120 vjet jetë dhe veprimtari, Argeta-LMG, Tiranë, 2003. 
  8. Naim Zoto, Fan Noli kryeministër; akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, M&B, Tiranë, 2015.
  9. Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër i qeverisë demokratike 1924, Tirana observer, nr. 2778, 25 qershor, 2014, faqe 10 – 11.
  10. Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër në muajt e parë të qeverisjes; 90 vjetori i revolucionit të qershorit; debati historik, Shqiptarja.com, nr. 146, 23 qershor, 2014, faqe 18 – 19.
  11. Nasho Jorgaqi, Ligjërime (1906-1964), Dudaj, Tiranë, 2002.
  12. Nasho Jorgaqi, Për Fan Nolin e të tjerë, Dudaj, Tiranë, 2001.
  13. Nasho Jorgaqi, Udhëtim me Fan Nolin, Dituria, Tiranë, 1994.
  14. Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit; (demokracia shqiptare në vitet 1920-1924), Albin, Tiranë, 2003.
  15. Valentina Duka, Histori e Shqipërisë (1912-2000), Tiranë, SHBLU, 2007.

Filed Under: Histori Tagged With: Ledio Xhoxhi

PËR FORMIMIN E GJUHËS LETRARE SHQIPE KËRKESA ISHTE E KAHERSHME

December 2, 2022 by s p

Gani I. Mehmeti

50 vite nga Gjuha Letrare Shqipe

Nevoja për Gjuhën letrare shqipe nuk êshtë e vonshme. Kërkesa  e tillë është ende para se të themelohej Alfabeti i shqipes. Për këtë ishte shkruar që në numrin e parë te  « Albania » e Faik Konicës në Bruksel në vitin 1896 dhe 1898. Këtu, përveç nevojës, ipet edhe arsyeja po edhe propozimi cili nëndialekt a e folme duhej të merrej për bazë, që është e folmja e ELBASANIT, pra, aty ku gërshetohen dy dialektet kryesore të shqipes. Autori i kêtij shkrimi, përveç nevojës pêr një Gjuhë letrare shqipe, merr shembuj edhe gjuhë të tjera qê kishin gjuhën letrare.  

Kërkesa e tillë është thënë e përsëritur vazhdimisht nëpër kohë, deri sa ajo u bë në Kongresin e drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nga 20 deri më 25 Nëntor 1972 në Tiranë. Në  formimin e gjuhës së njësuar letrare shqipe kishin marrë pjesë gjuhëtarë e historianë nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Kjo ishte një e arritur e madhe, pse në të ardhmen, pa vështirësi do të mirren vesh të gjithë shqiptarët e të gjitha krahinave a vendbanimeve të tyre ku do që ishin. Përveç kësaj, shqiptarët që ishin të ndarë në gjashtë shtete të Ilirikut dhe diasporës, konsideronin  një bashkim shpirtëror midis tyre, ani pse fizikisht ishin të ndarë në mënyrë të hekurt dhe nuk mund të kontaktonin lehtë ose fare, sidomos me shtetin amë, Shqipërinë dhe me shqiptarët e Greqisê, ndêrsa shqiptarët brenda Jugosllavisë qê ishin në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ishin brenda një federate dhe nuk e kishin atë mungesë të kontaktit mesvete, por bashkëpunimi ishte në nivelet mê të kënaqshme, sidomos të atyre që studionin në Un iversitetin e Prishtinës.

Të gjithë shqiptarêt brenda Jugosllavisë, përveç në Strugë, flisnin në dialektin e gegërishtes. Mirëpo,  të gjithë këta ishin për një gjuhê letrare shqipe, së cilês edhe i kishin prirë me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës katêr vite më përpara, mê 1968. 

GJUHA LETRARE SHQIPE MË 1972 NË TIRANË PËR NE KISHTE EMOCIONE KOMBËTARE E SHPIRTËRORE

Ne si gjeneratë e asaj kohe, që vuanim nga shtypja serbe deri më 1966, po sidomos të viteve të 50-ta, Njësimin e Gjuihës Letrare Shqipe e merrnim simbolikisht edhe si njësim apo bashkim të gjithë shqiptarëve, pra jo vetëm të gjuhës dhe e kishim pritur me një dashuri shumë-shumë të madhe e  krahëhapur.

Na dukej disi, si të rinj që ishim, shumë interesante pse tani e tutje do të flasim, e sidomos, do të shkruajmë njësoj të gjithë andej e këndej kufirit Kosovë – Shqipëri, por që me Kosovën ishin të gjithë shqiptarët në Jugosllavi, numri i të cilëve ishte më i madh se në Shqipëri. Nga dashuria  e madhe dhe ndjenjat që kishim për Gjuhën letrare, si shumë shpejt edhe e Mësuam, sepse ishte vullneti i fortë. Shpejt i gjithë shtypi, tekstet e gjithçka e shkruar kaloi në Gjuhën letrare, ashtu edhe nëpêr radio e televizione. 

Pas pak vitesh, nxënësit e të gjitha niveleve, më lehtë lexonin në tekstet e shkruara në Gjuhën letrare se sa në tekstet e shkruara në të folme, apo në dialekte, siç ishte krijimtaria popullore e gojore. 

Me demokratizimin  e vendeve, tani iu hap goja secilit të flasë e shprehet lirshëm, për çka ishte një sukses në këtë drejtim. Mirëpo, çdo gjë paska efektetet pozitive dhe negative të saja. Kjo, sespe me demokratizimin erdhën edhe mendime e ide të ndryshme të disave nga studiuesit ose jo, u ankuan në Gjuhên letrare shqipe, pse kjo qenka formuar në bazën e dialektit të Toskërishtes dhe na paskan mbetur forma e trajta gramatikore të Gegërishtes pa u përfshirë, siç janë vêrtet format e pashtjelluara tê shqipes : skajore, përcjellore, e në veçanti paskajora. Kjo shkoi aq larg, sa disa nga « studiuesit » hoqën dorë fare nga letrarishtja shqipe, tani së voni të quajtur gjuhë standarde.

Thënë të drejtën, është një e metë pse këto nuk janë përfshirë, por disi si vështirë të përdoren atje ku kemi dyzanorshin –ua+r = uar, si shkuar, lexuar, punuar, etj. Pse nuk shkon për me lexuar, për me kënduar etj. në vend për të lexuar, etj.

Për këtë problem, unë mendoj se duhet të mendohet mirë e gjatë se si të veprohet. Po pati mundësi, përse të mos përdoren të dy variantet – edhe ai i toskërishtes, për atë që dëshiron ta përdori, por edhe për varinatin e Gegërishtes, i cili nuk është në veprim, por duhet të normohet më parë.
Përndryshe, nuk jam i mendimit që të heqet njëri variant e të futet varianti tjetêr. Vetëm, nëse ka mundësi të vehen në veprim të dy variantet, që ende nuk e kam një ide se si.

Për fund, po ofroj shkrimin e parë të paraqitur në « ALBANIA » e Konicës, Numër 1 1896 , faqe 4. Pa ndërhyrje, përveç që e kam përshkruar në alfabetin e sotëm, nga ai që është në gazetë.

PER THEMELIMIN E GHUHËS LETRARE SHQIPE

Të gjitha vendet e botës kanë nga një gjuhë letrare, domethënë tê pastruar e të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat e punët; fliten edhe në mënyra tjera gjuhët, por vetêm në të folur. Për këtë, Venecianët thonë , në Kuvend ; «Come a Venezia», se kështu e jep gjuha letrare e italianëve. 

Hispanasit kuvendojne në njëqind mënyra nëngjuhe (nëndialekte, por vetëm gjuha (dialekti a e folmja) e kastilishtes flitet. Për të mos shkuar larg, Shqipërisë, le të kujtojmë se në Greqi të vjetër kishte shumë të folme (nëngjuhë) – nga gjuhë që quheshin te përgjitheshmé (f. xonn:), në të cilën shkruajtën më shumë Plutarku edhe Straboni, dhe me të cilën bisedonin bashke dy Helenë që nuk janë të lindur në një shtet (dhé). 

Vetëm Shqipetarët s’ kanë një gjuhë të tillë (letrare); edhe kështu vjen se kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqia, për neve të mjerët. Është nevoja dhe shtrengimi të hedhim themelin e një gjuhe letrare; është nevojë dhe duhet të shkruajmë të gjithë sa jemi, për shembull : «bora», jo ndryshe; po pastaj le të themi, në kuvend (të folur), zbora, dbora, vdom, vdora, xbora, vora, çvora, kjo s’ bën gjësendi. 

E rënda e punës është se duhet të marrim një të folme (nëngjuhë) shqipe për shtypin e gjuhës letrare (letrarishtes) të Kombit – është frikë nëse nuk merret nga ata që bisedojnë (kuvendojne nenegjuhërat) nëndialektet a të folmet e tjera. Perëndia na shpëtoftë me kokën që kanë Shqiptarët! Është edhe e vërrtetë që, veç Elbasanishtja mundet, me nëndialektin a të folmen (nëngjuhen) është mjaft e pastër për t’u bërê letrarishte nga të tjerat. Duhet nga pak edhe nga të tjerat nëndialekte; dhe jo te marrim si të bjerë, po simbas këtyre rregullave (kanuneve):

  1. Kur një fjalë perdorhet në shumë mënyra, po mban gjithmonë afrërsisht një zë  (rrënjë) – si bora, zbora, dbora, etj. – atëherë duhet te mbajmë atë fjalën, që buza afrohet në formë më shumë (rhezes).
  1. Kur dy a më shumë fjalë kanë kuptim të përafërt (afro ni shpirt), si: shoh, vështron,shikon, – atëherë duhet  te zgjedhim për çdo fjalë kuptimin e vet (ç’do fjales shpirtin e véçte);
  2. Kur nuk e njohim rendin dhe kemi liri të zgjedhim, atëhere kuptohet pa thënë që është nevojë të mbajmë atë fjalën kujt zëri tingëllon më ëmbël veshin.

 Një tjetër here do të tregojmë dhe rregullat sipas të cilave lypset: të nxjerrim (krijojmë) fjalë të reja, të përpunojmë gjuhën. 

Tani, meqenese që e Përkohshmja Shqip do të këndohet prej letrarëve më të shquar të Shqipetarëve, nëse ndonjërit i ndodh e t’i duket se ne mashtrohemi, ai ka nevoje të na shkruajë që të mundet të vejë mbarë puna.

Shkruani gjithmonë ne bora, jo ndryshe : se kjo fjala, si duket ka shoqëri me : 0ope!l.=, d. m. th. era që fryn nga ana e borës. 

Shoh d. m. th. «sytë e mi kuptojnë diçka» (tq. gjonéq, gr. vlépo, frengjisht : voir). Vështroj d. m. th. «kthej sytë drejt në një vent» (gr. paratiro, tq. bakmak, fr. regarder). Shiko d. m. th. «mendohem duke vështruar» (gr. paratiro silhojizoménos a me dréqt silhoji zomé paratiron, tq. nazar-i-itibara alhmak, fr. considérer).

Tri është e gjinisë femëroree, tre është e gjinisë mashkullore: Tri gra, tri pula, tri here; tre pleq, tre peshq, tre ulurima. 

Ni është mashkull, nja është femërore (nuk ka ne): Na hére :ni mbrét kish ni vella, ni motre : ni-zét djém é : ni-zét vasha; djémte dojin njani tjéterin, dhé vashat nara tjéteren. 

Qi është në vent të «i cili, e cila» : qeni qi ka emër Grek, etj. Që d. m. th. : «të cilin, të cilen», qenin që e thonë Turk;. iuv·, gr. dhia na, lt. ut, tq. ta qeh, p. t. : priftërit punojnë që të na çojnë (klhasin) në varr. 

                                                              T. S. B.

25 Nëntor 2022

1. Perthenjé =· tq~lé ffuz ; gr. profora. 

2. Sot per sot duhét te ndertojme me te névojshümat; andaj, ato qe shkrojmë ketu jane jo mbas raclhes se grammatikes, po mbas radhes se névojes.

Filed Under: Reportazh

ROLI DHE KONTRIBUTI I KRISTO FLOQIT NË PAVARËSINË E SHQIPËRISË DHE NË NDËRTIMIN E INSTITUCIONEVE TË SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR

December 2, 2022 by s p

BESIM MUHADRI
Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë

BEDRI MUHADRI
Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë

Juristi, politikani, publicisti, e para së gjthash dramaturgu e komediografi Kristo Floqi, është pa dyshim një nga figurat interesante të periudhës para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse ai ka lënë gjurmë të pashlyera në këto fusha, megjithatë pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas instalimit të regjimit komunist dhe diktatorial në Shqipëri, ai jo vetëm që u harrua, por u eleminua tërësisht nga jeta publike, madje edhe u persekutua dhe vdiq në gjendje tepër të mjeruar, ashtu sikurse edhe shumë personalitete të rëndësishme të të tjerë të Shqipërisë.
Kjo figurë kaq komplekse e kaq e rëndësishme, por mjerisht e fatkeqësisht e harruar nga shteti komunist shqiptar dhe e përmendur apo e prezantur vetëm me ndonjë komedi në Kosovë, doli nga arkivii i harresës dhe mjaft e kompletuar, me anë të librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” të Prof. As. Dr. Jonela Spaho, pedagoge në Universitetin “Fan. S. Noli” të Korçës.

Kristo Floqi lindi në Korçë më 15 nëntor 1920. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. U diplomua për drejtësi në Athinë, ku punoi në profesionin e avokatit më 1899, ndërsa në Korçë hapi një zyre avokature, ku punoi gjatë viteve 1902-1908. Gjatë kësaj kohe ai punoi si avokat edhe nëManastir, por edhe në Dibër, si anëtar i gjyqit të shkallës së parë.
Siç dihet, në kohën kur studioi dhe filloi të punonte Kristo Floqi, Shqipëria ende ishte nën pushtimin turk, prandaj i duhej të mësonte turqishten. Dhe, për të mësuar turqishten, iu desh të kalonte një kohë në Stamboll. Atje, si shqiptar dhe atdhetar që ishte, nuk mundi të rrinte indiferenet ndaj zhvillimeve dhe aktiviteteve kombëtare që po bëheshin nga intelektualë dhe atdhetarë të shquar shqiptarë të saj kohe. Prandaj, pa humbur kohë, u aktivizua në lëvizjen Kombëtare, duke njohur personalitete të njohura të kohës, atdhetarë e shkrimtarë shqiptarë të asaj kohe. ky aktivitet atij do t’i shkaktone telashe me pushtetin turk, prandaj, me shumë vështiërsi, iu desh të ikte dhe, më pas të lëshonte edhe Shqipërinë dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimi në Amerikë -kontributi i tij në botimin e gazetës “Dielli” dhe në themlimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”

Në Amerikë, shumë shpejt do të inkuadrohet në zhvillime të rëndësishme dhe aktivitete kombëtre të shqiptarëve, duke fituar një autoritet dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga ana e mërgatës shqiptare. Për një kohë ai drejtoi gazetën më të vjetër të shqiptarëve, “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe tani. Ai nuk është vetëm vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe iniciatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Ndonëse Faik Konica dhe Fan Noli konsiderohen nga ata që hodhën farën e bashkimit, mirëpo thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai Floqi, më 11 dhjetor 1911, përmes gazetës Dielli,të cilën e drejtonte ai në atë kohë. Pra, si editor i “Diellit” Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit dhe duke eleminuar apo luftuar përçarësit. Ajo qëështë edhe më e rëndësishme, edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga Kristo Floqi.
Të gjitha këto aktivitete e organizime në komunitetin shqiptaro-amerikanë, kishin një qëllim: Përgatitjen e shqiptarëve për punë të mëdha të zgjidhjes së çëshjes kombëtare, në këtë rast, të procesit të pavarësisë së Shqipërisë. Përveç Nolit, Konicës, Sotir Pecit e disa të tjerëve, ndër figurat kyçe të këtyre zhvillimeve shohim të ishte Kristo Floqi, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte shkuar në Amerikë.
Akti i Pavarësisë dhe i formimit të shtetit shqiptar Kristo Floqin, ashtu sikurse edhe Konicën, Nolin dhe të tjerët i gjeti në Amerikë. Këtë akt ata e pritën me entuziazëm, ndonëse nuk ishte ajo që ata kishin punuar dhe ëndërruar. Tani duheshin punë të tjera, siç ishte çështja e ndërkombëtarizimit dhe të pranimit të shtetit të saposhpallur të pavarur shqiptar. Duheshin punë, angazhime në arenën ndërkombëtare. Takime me burrështetas të shteteve të mëdhe dhe kyçe të botës dhe të Evropës, për të bërë diçka për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Gjendja ekonomike dhe shumë aspekte të jera të jetës dhe të rrugëtimit të shtetit të saposhpallur ishin si mos më keq, prandaj dueheshin angazhime nga të gjithë e veçamas nga ata që kishin bërë emër e miq nëpër botë. Ndër ta ishin edhe Noli, Konica, por pse jo edhe Floqi.

Në ndërkohë, njëKongres panshqiptaar u mblodh në Trieste. Kjo u bëme iniciativën e Austro-Hungarisë, e cila dëshironte që shqiptarët të kërkonin mbretin e tyre nga dinastia e Habsburgëve. Nga “Vatra” si përfaqësues në këtë kongres u zgjodh Konica, ndërsa ortodoksët dhe klerikët e Amerikës zgjodhën Nolin si përfaqësuesin e tyre, i cili do të bashkohej me Konicën në Trieste. Shumë shoqëri shqiptare në Amerikë i kërkuan edhe Floqit që të shkonte në Trieste, por për shkak se Konica me Nolin ishin larguar, i mbetej atij që të merrej me çështjet patriotike në Amerikë. Megjithatë, ai do të niesët për të marrë pjesë në këtë kongres, në kjohën kur ai veç kishte përfunduar punimet me rezuktate të suksesshme për çështjen e Shqipërisë, duke njohur qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit dhe duke shprehur mbështetjen e patundur për të. Po ashtu në Kongres u dikutua edhe puna e kufijve etnikë të shtetit të ri, prej nga edhe u dërguan rezoluta të fuqishme kryeqyteteve europiane dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që ishte në punimee sipër, ku u bëhej thirrje për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe heqjen e bllokadës greke”.
Aty Floqi u takua me Nolin dhe Konicën me të cilët diskutoi për rezultatet pozitive të kongresit, në dobi të çështjes shqiptare.Pas kësaj kohe, Floqi dëshironte të shkonte në Vlorë, mirëpo ishte i penguar nga forcat greke që e kishin bllokuar hyrjen për në Vlorë. Prandaj ai shkon edhe në Venecia, mirëpo prapë kthehet në Trieshë e së fundi, me propozim të Nolit, shkon në Napoli, që të takonte dukën e Napolit, Montespier, pretendentin e fronit të Kastriotëve, i cili kishte mundësi të çante kufirin me jahtin e tij dhe t’i çonte ata në Vlorë.

Në Napoli mësuan se qarqet qeveritare italiane ishin zemëruar për shkak se shqiptarët nuk e bënë kongresin në Itali, por në Austri, sepse sipas tyre, Italia e kishte ndihmuar shumë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për bisedime konkrete, ata dërguan agjentët e tyre, të cilët u takuan me Floqin dhe Nolin në Napoli. Italianët iu propozuan të qëndronin në Napoli, duke iu premtuar një zyrë shtypi, e cila të drejtohej prej tyre në favor të çështjesshqiptare. Kjo ishte e rëndësishme sepse duke pasur një zyrë dhe një organ shtypi, mund të ndihmonin propogandën shqiptare dhe mbrojtjen e qyteteve kryesore të Shqipërisë; Shkodër, Korçë dhe Gjitokastër, të cilat rrezikoheshin të aneksoheshin prej Serbisë dhe Greqisë. Ky propozim i italianëve iu ra në ves austriakëve, të cilët shqiptarëve zyra dhe një shtypshkronjë, me qëllim që shqiptarët tëqëndronin në Trieste. Në ndërkohëFloqi u thirr nga Drejtori i Sigurimit Publik të Triestes, i cili i premtoi krijimin e të gjitha lehtësive që gazeta të dilte brenda tre muajsh. Por ai nuk e pranoi këtë propozim, në emër dhe të shqiptarëve të tjerë, sepse prej kohësh ju kishin kërkuar autoriteteve austriake që të hapnin një gazetë shqip në Trieste por ata kishin refuzuar,ndërkohë që kur nuhatën qëllimet e Italisë u zgjuan dhe kërkonin të rivalizonin me ofertat e tyre.
Shqiptarët kërkuan prej italianëve vetëm agjensinë e lajmeve “Tefani” dhe akomodimin, për një periudhe prej 3 muajsh, të 6 shqiptarëve që do të punonin atje, me mendimin se këto shpenzime do t’i paguante një ditë qeveria shqiptare. Kështu Hil Mosi që ndodhej atë kohë në Milano, pasi hyri në bisedime me autoritetet qeveritare italiane, iDërgoi Floqit një shumë prej 150 koronash, me qëllim që ai të vinte në Milano. K.Floqi u nis për në Milano me shpresën që të tërhiqte me vete, së shpejti, e dhe shokët.
Në Milano e pritën Hil Mosi dhe Xhuzepe Skiroi, të cilët i propozuan të formonin një shoqëri shqiptare, bashkë më shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, me shpenzimet e qeverisë italiane.Floqi kundërshtoi duke thënë se nuk pranonte as ai, as shokët e tij të holla nga qeveria italiane, sepse ata nuk ishin aventurierë por patriotë që do punonin për çështjen e Shqipërisë, por Skiroi e bindi se Italia do të ishte shumë e kënaqur të ndihmonte patriotët shqiptarë që të punonin për çështjen e Shqipërisë, sepse në fakt ekziston te dhe rivaliteti meAustrinë. Pas disa ditësh K.Floqi thirri në Milano shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, rreth 16 veta, midis të cilëve, Nolin, Gramenon, Sotir Gjikën, Spiridhon Ilon dhe së bashku dhe me Skiroin dhe Kozmo Seremben, themeluan komitetin shqiptar “Shqipëria e re”.
Pas disa kohësh Fan Noli u largua për në Rusi dhe Rumani dhe më pas edhe Hil Mosi. Ata shqiptarë që mbetën filluan punën. Floqi tregon se rezultati i punës i solli dobi çështjes shqiptare. Telegramet dhe apelimet që ju dërgoi komiteti qarqeve qeveritarte europiane, por dhe Shteteve të Bashkuara, shpëtuan Shkodrën, Korçën dhe Gjirokastrën, nga thonjtë e Serbisë dhe Greqisë. Ndërkohë, Duka Montpensier kishte mundur të çante bllokun në Vlorë dhe të silltenë Napoli Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Ismail Qemali pasi mësoi për ekzistencën e komitetit shqiptar në Milano, bisedoi në telefon më Floqin i cili i raportoi për punën e komitetit dhe programin e veprimit. Ismail Qemali do të shkonte në Vjenë duke kaluar nga Venediku dhe Kristo Floqi i propozoi të ndalej në Milano, për t’u takuar e biseduar më konkretisht. Ai e pranoi propozimin. Ismail Qemali ndenji katër ditë në Milano dhe u nis prej andej në Vjenë, por duke e njoftuar se Vlora dhe rrethinat e saj po rrezikoheshin nga uria, për shkak të bllokimit të kufirit prej flotës greke, prandaj i porositi anëtarët e komitetit që të gjenin një mënyrë për zgjidhjen e krizës.
Pas ikjes së Ismail Qemalit, Floqi hyri direkt në bisedime me qeverinë italiane dhe me anë të Ministrit të Jashtëm të kësaj qeverie u arrit që të jepej urdhër për nisjen në Vlorë të një vapori me mallra ushqimore, madje u garkua dhe një ekip për shpërndarjen e tyre.
Qeveria italiane i propozoi Kristo Floqit që të nisej në Vlorë për të shoqëruar anijen. Floqi këtë propozim e priti me një entuziazëm të madh, jo vetëm se pas kaq kohësh do të shkelte prapë në atdheun e tij, por për më tepër që do të shkonte për të shpëtuar popullin e Vlorës nga uria. Në Vlorë shpërndarja e ndihmave u bë në mënyrë të rregullt, sipas listave të paraqitura nga Bashkia e Vlorës, dhe pas mbarimit të misionit ai u bë gati të nisej për në Milano.
Në këtë kohë, ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Ismail Qemalit, Petro Poga, i nënshkroi menjëherë dekretin me anë të të cilit e ngarkonte me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, si dhe me misionin për organizimin e sistemit gjyqësor në gjithë vendin, detyrë të cilën e pranoi.
“Unë u ndesha në një pozitë delikate, se si patriot s’mund të refuzonja një shërbim zyrtar me të cilin më ngarkoj e para Qeveri Shqiptare, sado e vogël që qe rroga. Po nga ana tjetër, si i ngarkuar me mision nga ana e qeverisë italjane, me një qëllim mirbërës për shqiptarët e Vlorës, s’munt edhe të mos kthehesha në Milano ku kisha dhe detyrat eKomitetit tonë përsipër, do të shprehet në mes tjerash Floqi në kujtimet e tij..

Pas kthimit në Atdhe, Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit.
Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqion Postolit etj.
Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve, ku ka ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik.
Me gjithë këto kontribute në fusha të ndryshme, si në aspektin jurdik, ashtu edhe politik e letrar, Kristo Floqi pat një fund tragjik. Vdekja e tij ishte tepër tragjike dhe e dhimsbhme. Vdiq një vit pas daljes nga burgu (1951), në një gjendje plotësisht të mjeruar, i braktisuar e i harruar. Askund nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Mendoj se libri i botuar i studiueses Jonela Spaho, është një ndër kontributet më të rëndësishme që hedh dritë mbi jetën dhe kontributet e Kristo Floqit, këtij eruditi e patrioti të madh shqiptar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: BEsim Muhadri

CIKËL ME POEZI NGA JERIDA KULLA – MALL QË VETËM RRITET!

December 2, 2022 by s p

PO VI…

Po vi me peshën e ditëve të munguara,
me çastet që rendnin përgjatë kalldrëmit të mallit…
Po vi me zjarrin që digjet në oxhak të shpirtit.
Po vi me shpejtësinë e frymës,
Me pulitjen e syrit,
me rrahjen e zemrës…
Po vi me çantën e emigrantit mbi supe,
që e mbart mbi shpinë,
si breshka zguallin..
Pak plaçka,
Shumë mall e lot…
Pak gjëra, për ju, të vogla fare…
çdo gjë për ju duket e vogël,
vetëm malli e mungesa është si mal.
Kur vi, kilometrat shkurtohen…
Mezi po pres t’ju rrok në qafë,
t‘ju ndiej erën…
Era ndeu krahët e saj,
për të më sjellë më shpejt…
Oh, ky mall që nuk shuhet kurrë,
një mall ku fundoset e zhytet dhimbja…

MIRË U TAKOFSHIM SHENJTËRIA IME!

Gurin e shtëpisë me vete e mora.
Mbrujtur me kujtimet e vajzërisë.
Mallin e shkrova në pragun e derës,
si sy vigjilent të më ruante nënën dhe babanë.
Mbi shpinë mora lotët e patharë të nënës…
Heshtja e babait flet me fjalët e zemrës.
Dridhërimën e motrave në sy e ula,
që lotin të ma fshinte.
Mungesën e aromës së shtëpisë
në shishkën e vitit e mbylla.
Të parfumosem me të,
ta ndiej veten si në prehrin e nënës,
si në krahët e babës.
Dielli ndrin fort sot.
Shkrin borën e akullt,
rrëzë luginës,
në shpatin e maleve.
Ndrin, po nuk më ngroh.
Asgjë nuk e ngroh largesën nga mëma, asgjë.
Nënë, më prit,
do të kthehem sërish te ty.
Do të kalojnë ditë, javë e muaj.
Do t’u gëzohemi ditëve me bisedat tona.
Valët shtrihen në thalb të zemrës
e rrahin me të njëjtin ritëm.
Ritëm i malltë.
Ju rrok me dashurinë time.
Ju shoh me sytë e zemrës.
Mirë u takofshim shenjtëria ime…

TAKIMET ME TY AT, JANË MALL!


Bisedat me ty tashmë janë heshtje
Malli gërryen fjalën,
lidh me penjtë e ditës mungesën tënde.
Mungesë e dhimbshme.
Boshllëk që shtyp me peshën e askundit.
Në ajër frymon fjala jote.
Në eter endet shpirti yt.
Në sy pikon loti i kripur e zhurit faqen.
Në buzë këndohet vaji i ikjes tënde…
E unë nuk di me ç’gjuhë të të flas,
që të më dëgjosh,
Të më flasësh si dikur, si miq të mirë.
Takimet me ty, At, janë pritje.
Ashtu si e prisje agun e mbrëmjen me shpresën e gjallnimit.
Unë të flas me gjuhën e shpirtit,
si vajza atit,
si “fmiu” yt,
që më përkëdhelje pa fund…
Takimet me ty, At, janë mall!
Mall që vetëm rritet!

SOT E PASHË TIM ATË NË ËNDËRR

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I qetë, me një buzëqeshje në fytyrë.
Erdhi nga mungesa e ditëve të ftohta të dimrit,
të më ngrohë me dritën e tij,
të ma qetësojë shpirtin.

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I zgjasja duart ta përqafoja,
si dikur, kur kthehesha në shtëpi
e rrotulloheshim në krahët e njëri-tjetrit
për t’u ngopur me mungesën e largët.
Ai më shikonte me sytë e tij të qelqtë
e më fliste me heshtjen e përkohësisë.
Jam këtu bijë!
Mos u step në hapat që hedh.
Lëvizi kokën,
sikur miratoi atë që zemra foli.

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
Më shumë më dogji malli.

Filed Under: LETERSI

Vjosa Osmani: Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj

December 2, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka thënë se sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre.

Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT