• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Glauk Konjufca: 28 shkurti i vitit 1998 shënon fillimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

February 28, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri sot homazhe te varrezat e martirëve në Qirez dhe Likoshan, për të nderuar 24 martirët e vrarë në këto dy fshatra 25 vjet më parë.Me këtë rast kryetari Konjufca tha se 28 shkurti i vitit 1998 shënon edhe datën kur filloi gjenocidi i Serbisë në Kosovë.“Prej këtu e gjithë bota e kuptoi se regjimi i Milosheviqit vret edhe fëmijë, vret edhe gra, edhe pleq. Vret edhe gra shtatzëna, siç ka ndodhur këtu. Dhe pikërisht për shkak të sakrificave të popullit tonë, të cilat janë të mëdha e me përplot vuajtje, bota demokratike e kuptoi edhe më mirë që ne jemi në kauzën tonë të drejtë dhe pikërisht për këtë arsye edhe lufta e UÇK-së, lufta e popullit tonë, ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Pra ishte luftë për t’u mbrojtur nga pushtuesi dhe luftë për ta mbrojtur popullin tonë nga gjenocidi i Serbisë”, tha kryetari Konjufca.Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se institucionet do t’i kujtojnë dhe nderojnë gjithmonë martirët dhe dëshmorët e Kosovës që ranë për lirinë e vendit.

Filed Under: Rajon

LA TRIBUNA (1915) / KU NDODHET ISA BOLETINI ? — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DJALIN E TIJ, ADEMIN

February 28, 2023 by s p


Isa Boletini (1864 – 1916)
Isa Boletini (1864 – 1916)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2023

“La Tribuna” ka botuar, të mërkurën e 24 nëntorit 1915, në faqen n°5, intervistën ekskluzive asokohe me djalin e Isa Boletinit, Ademin, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervista jonë me djalin e Isa Boletinit

Burimi : La Tribuna, e mërkurë, 24 nëntor 1915, f.5
Burimi : La Tribuna, e mërkurë, 24 nëntor 1915, f.5

Para së gjithash, më duhet të protestoj kundër publikimit në gazeta të disa klisheve që paraqesin babanë tim plak të rraskapitur dhe të veshur si një turk nga Azia e Vogël — më thotë i riu Adem Boletini, djali i luftëtarit trim shqiptar, një oficer i pashëm njëzet vjeçar me flokë të zeza në ushtrinë tonë, siç shkruante dje “Tribuna”, dhe tashmë i dërguar që kur la shkollën ushtarake të Modenës, në qytetin simpatik të…

Babai im Isai është vetëm 50 vjeç, ai është shtatlartë, energjik, i drejtë.

— A keni dëgjuar për vdekjen e tij ?

— Jo. Megjithatë, edhe pse tani jam mësuar të lexoj komunikimin e zi në gazetat e të gjitha kombeve, të paktën dy herë në vit, duke formuar kështu një lloj armature kundër skepticizmit më të ashpër, tani jam shumë i frikësuar, sepse meqë babai im nuk është në luftë me askënd, nuk mund të shpjegoj pse një komb që nuk është në luftë kundër tij duhet të përhapë lajmin e vdekjeve. Është e vërtetë që tani në Vjenë i gjuajnë me gurë, në të gjitha mënyrat, por…

— A është me të vërtetë në Cetinje, Isa Boletini ?

Pas marrjes së Shkodrës, ai pranoi ftesën e qeverisë malazeze për të shkuar të vendoset në kryeqytetin e vogël, së bashku me dy vëllezërit e mi të tjerë. Dy vëllezër të tjerë dhe dy motra janë me nënën time Qamile në Mitrovicë, të konsideruar si pengje nga serbët. Këta, meqë im atë nuk donte t’ua njihte sundimin e disa qyteteve shqiptare dhe i kundërshtoi, jo vetëm që nuk lanë të iknin pjesën tjetër të familjes, por konfiskuan pasuritë e shumta që zotërojmë në Mitovicë, Pejë dhe Boletin. Një vëlla tjetër që donte të bashkohej me mua vitin e kaluar në Institutin Ndërkombëtar të Torinos u arrestua nga autoritetet serbe.

— Cili është programi i babait tuaj në një sërë betejash dhe aventurash të tilla ?

— Dëgjoni : Isa dëshiron, për dashurinë e madhe që ka për atdheun e tij, një Shqipëri të pavarur. Ai nuk ka shumë kulturë (formim arsimor). Ai u formua vetë. Ai ka lexuar historinë e pavarësisë italiane dhe do të donte të barazonte tokën shqiptare me Piemonten tuaj, me të gjitha shqetësimet dhe aspiratat e saj. I përbuzte paratë që iu ofruan nga të gjitha anët, i ktheu nderime të panumërta për çlirimin e atdheut. Dhe shumë shqiptarë e ndjekin në synimin e tij. Një vit ai arriti të kishte nën komandën e tij rreth 30.000 shqiptarë që e adhuronin me butësi. Ai ishte mik i Abdul Hamidit sepse ai u jepte lëshime shqiptarëve. Luftoi xhonturqit sepse shtypën dhe tiranizuan me etiketën e qytetërimit. Unë vetë isha dëshmitar i humbjes së pesë batalioneve të Xhavit Pashës, të dërguar për ta ndëshkuar me një ushtri të fortë, kur babai im shoqërohej vetëm nga njëqind luftëtarë. Isa u lidh me serbët për të dëbuar turqit, por kur ata u vendosën në territorin shqiptar ai i luftoi ashpër. Për të patur një atdhe të lirë ai u end gjatë nëpër Evropë, në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër, pasi jahti mikpritës i princit të Montpensier e mori në Vlorë dhe e zbarkoi në Brindizi. Kohët e fundit ai është treguar mik i Princ Vidit, sepse besonte se nën udhëheqjen e tij, Shqipëria, e mbrojtur nga Italia dhe Austria, do të zgjohej dhe do të ngrihej në dinjitetin e një kombi.

— Po pastaj ?

— Pastaj serbët u shfaqën sërish në Durrës dhe malazezët morën Shkodrën. Ai preferoi të ndiqte këta të fundit.

Ademi i ri ka shfajësuar të atin nga akuzat për çdo pjesëmarrje në vrasjen e konsullit rus të Mitrovicës, Techerbine.

— Një ushtar shqiptar mysliman, duke parë vëllezërit e tij të rrethuar nga trupat e armikut, qëlloi në rrugët e Mitrovicës drejt konsullit, për të cilin besonte se ishte autori i shfarosjes së racës së tij.

E pyeta oficerin Adem Boletini për zbatimin e atij projekti të përkrahur ngrohtësisht në gazetën “Tribuna” nga gjermanët tanë. Djali i rebelit këmbëngulës është shumë optimist. Ai beson se nëse austro-gjermanët zëvendësojnë serbët, edhe këta do të kundërshtohen në përparim nga fiset shqiptare.

— Asnjë armëpushim për armiqtë e atdheut, për përdhunuesit e grave tona, për konfiskuesit e pasurisë sonë! Mjafton të dish të organizohesh dhe ushtria vendase, e fortë, krenare, dërrmuese, do të formohej me shpejtësi.

Teksa i thashë lamtumirë Ademit dashamirës, mendova se, nëse Muhamedi nuk e thërret Isa Boletinin në mbretërimin e Urit, do ta shohim sërish atë në krye të fiseve të tij për të luftuar edhe një herë armiqtë e atdheut të tij.

VINCENZO MENGHI

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja

“Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizuan mbrëmje solemne madhështore me rastin e 15 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

February 28, 2023 by s p

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare

Muaji shkurt në shoqatën “Bijtë e shqipes” është mujai i shpalljes së pavarësisë së Kosovës që shënohet e festohet me një varg veprimtarish të llojllojshme. Këtë vitë veprimtaritë ishin më të shumta edhe për faktin se ky ishte përvjetori i 15-të i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ditë më parë u organizua një veprimtari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944, kur u vunë themelet e arsimit shqip në Kosovë. Ndërsa më 17 shkurt për herë të parë u organizua ngritja ceremoniale e flamurit të Kosovës në bashkinë e Filadelfias. Ishte kjo një ceremony madhështore në të cilën mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Uoshington, z. Ilir Dugolli si dhe i tërë personeli i kësaj ambasade. Për të dyja këto veprimtari janë botuar shkrime të detajuara, prandaj nuk është nevoja që të zgjatemi më tepër këty. 

Festimet e shoqatës sonë kulmuan me mbrëmjen solemne, me darkë e muzikë. Salla ishte zbukuruar me flamujt kombëtarë: amerikanë e shqiptarë (kuqezi), si dhe atë të shtetit të Kosovës, tullumbace me ngjyrat e kaltërta e të verdha, Pak nga pak salla u mbush plot me bashkatdhetarë. Gëzimi, krenaria shprehej në fytyrat e qeshura të të gjithë pjesëmarrësve ne këtë mbrëmje festive, nga të gjitha trojet tona etnike. Pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë nga Kosova që jetojnë në Philadelphia e rrethinë ishte e kënaqëshme. Kemi për çka të gëzohemi, sepse pas vuajtjeve shekullore nën thundrën e Serbisë, pas përpjekjeve mbinjerëzore dhe një lufte të pandërprerë 100 vjeçare, shqiptarët e Kosovës ngadhnjyen, dolën fitimtarë dhe më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, shtet i njohur nga fuqitë më të mëdha dhe nga demokracitë më të përparuara të botës. Është ky një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftërave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave përparimtare e atdhetare, luftës heroike të UÇK-së, punës së madhe të diasporës shqiptare të Amerikës dhe Europës dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos ShBA-të dhe aleanca e NATO-s – një bashkëveprim i bashkërenduar mirë i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Mbrëmjen festive e hapi kryetari i shoqatës, zoti Bujar Gjoka, icili u dëshiroi të pranishmëve mirëseardhjen, duke iu uruar atyre këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – ngjarjen e dytë më të madhe të kombit shqiptar, pas shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Pasta jai vazhdoi me një pasqyrë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të disa figurave qëndrore të historisë sonë shumëshekullore. Në vazhdim ai ceku disa të arritura të Kosovës në fushën e sportit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë dhe shprehu dëshirën që udhëheqësit e Kosovës me punë të përkushtuar ta çojnë vendin përpara drejt integrimeve përendimore, organizatave botërore, përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Pastaj z. Gjoka i njoftoi shkurtimisht të pranishmit për punën dhe veprimtaritë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe sidomos për punët dhe përpjekjet këmbëngulëse që shoqata dhe bashkësia jonë janë duke i bërë për meremetimin, rregullimin e godinës sonë të re. Si në çdo takim tonin, edhe me këtë rast, zoti Gjoka u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të mos i kursyer ndihmat për ta kryer me sukses këtë projekt madhështor të një rëndësie të madhe, jo vetëm për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, por për tërë diasporën tonë në Amerikë e gjetiu. Do të krijojmë kushte shumë më të mira për mbarëvajtjen e punës së shkollës, shoqatës dhe të bashkësisë sonë.

Raste te tilla u japin mundësinë bashkatdhetarëve që të takohen me njër – tjetrin, të këmbejnë mendime e përshtypje për cështje të ndryshme. Bisedat vazhdonin në mes të bashkatdhetarëve për çështjet shqiptare, gjendjen në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera shqiptare. Të gjithë pajtoheshin se, historia sado e lavdishme, është histori, tani duhet të përqëndrohemi që të ndërtojmë një shtet modern me institucione funkcionale demokratike, duke përmbushur kështu idealet dhe ëndrrën e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës. Dhe për këtë është i nevojshëm angazhimi i të gjithëvë, sidomos atyre që janë në pozita udhëheqëse. Udhëheqësit e shtetit, organeve shtetërore dhe partive politike duhet të heqin dorë nga zënkat e ulëta, fyerjet, sharjet dhe akuzat e ndërsjella dhe t’u rreken me seriozitet e përkushtim çështjeve madhore të kombit tonë. Përvoja jonë historike me Serbinë dhe ngjarjet e kohëve të fundit janë dëshmi se provokimet, intrigat, kërcënimet, ëndrrat e tyre për Kosovën nuk pushojnë kurrë. Një vemendje e posaçme u kushtohej edhe ngjarjeve më të fundit, bisedimeve me Serbinë, mbyllje së këtij konflikti shekullor.

Kjo mbrëmje solemne madhështore ishte edhe një rast i mirë për t’i nderuar me “Certifikatë mirënjohjeje” disa veprimtarë të dalluar të shoqatës sonë, të cilët me angazhimin e tyre ndër vite, jo vetëm në shoqatë, por edhe në Kosovë, kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar për pavarësinë e Kosovës, ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave tona kombëtare. U nderuan: z. Destan Rukiqi, familja Osmanollaj, z. Maliq Arifaj dhe z. Xhavit Hamza.

Gjatë tërë mbrëmjes atmosfera ishte mjaft e gëzueshme, ngazëlluese, kënga dhe vallja vazhduan gjer në orët e vona. Për këtë u kujdes DJ i gjithanshëm, Renaldo Ramo dhe këngëtari i talentuar, Arjol Shpuza. Jehonin këngët dhe vallet nga të gjitha krahinat shqiptare, sidomos ato nga Kosova.  Por, yjet e vërteta të kësaj mbrëmje ishin vogëlushet: Dea Ismaljati dhe Arita Rukiqi, të veshura me fustana – flamurin e Kosovës, ato i dhanë një bukuri të veçantë kësaj feste, duke kënduar e vallëzuar me atë gëzimin e dëlirë fëmijëror. Arita, nxënësja e talentuar e shkollës sonë, me plot mjeshtëri artistike këndoi këngët: “O mallet e Shqipërisë” dhe “Pse jemi të ndarë”. Edhe ushqimet ishin mjaft të shijshme e të përgatitura si për festë. Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbremje ishin shumë të kënaqur dhe shprehën dëshirën që të organizojmë sa më shpesh mbrëmje të tilla të hareshme familjare.

Në këtë ditë të shenjtë për Kosovën dhe gjithë kombin tonë, shtetit të dytë shqiptar i urojmë mbarësi e përjetësi. Gëzuar!

Philadelphia, më 27 shkurt 2023

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani

Sa dhimbje ndiej nga larg…

February 28, 2023 by s p

Haris Vongli/

Mungesën time në vendin tim unë e shoh tek mediokriteti që ka plakosur atje. E di që i mungoj asaj pjese në zhdukje, asaj kategorie që s’bën kompromis me diktaturën dhe propagandën, me korrupsionin kancerogjen gjithpërfshirës; me ata që u dhëmb realiteti dhe e luftojnë atë.Shqipëria po shkatërrohet nga të vetit, zonja dhe zotërinj; po i bëni gropën, ca me vetëdije të plotë e ca pa busull, të tmerruar nga mjerimi dhe nevoja për bukë. Mungesën time e shoh tek heshtja patologjike e përfaqësuesve të brezit tim (se për brez tollonash s’dua të flas – fajtorë që lindën e rritën të papërgjegjshëm janë); ajo pjesë e brezit tim që ka mbetur në Shqipërinë tonë – politika e së cilës largoi tej më të aftit, më idealistët, ata me shpirtin e drejtësisë. Rrugët e botës janë të rënda, janë të mundimshme, janë pa diellin e shtëpisë tënde. Ju të kollarisur e ju të lënë në injorancë na dëbuat nga krahët e nënave. Si nuk ka një këshilltar (gjitholog) që të bëj kritikë, analizë-sintezë, opozitarizëm, të flasë realitetin? Po si mund të pranoni GJITHÇKA e mos ngrini pikëpyetje për DIÇKA – sado të vogël?! Ndërkombëtarë, organizata, fondacione, media, o shqiptarë, çfarë roli e misioni keni në jetë? Unë nuk bëj dot gjë më shumë se kaq, se ua kam lënë servilave punën, atë punën që po prodhon modelet më amfibe të politikës lokale e qëndrore; modelet më destruktive të politikbërjes, modelet më të shëmtuara e të pashpresë në shoqëri, arsim, ekonomi, media, mjeksi, kulturë, art, KUDO. Sa dhimbje ndiej nga larg. Nuk po e njoh më të mirën në vendin tim! Ju qofshi!

Filed Under: Fejton Tagged With: haris vongli

LAJM “BOMB” NGA TV FOX NEWS USA

February 28, 2023 by s p

Asllan Bushati/

Më 27 shkurt 2023 në emisionin informativ të orës 8 të mbrëmjes, të cilin e drejton, menaxhon e modern gazetari i mirnjohur Tuker Carlson, për 25 minuta ju kushtu problemit të pandemisë botrere të koronavirusit. Gjatë emisionit u sollën në kujtesë qëndrime të pjestarve të shërbimit inteligjent amerikan, qëndrime analistësh, gazetarësh, shkencëtarësh madje dhe të presidentëve Trump e Biden. U sollën fakte nga pandemia botërore për miliona jetë të humbura , triliona mjete monetare, pasoja të rënda shëndetsore pas kovid, stress individual, komunitar, shtetror, kontinental e botror. Humbje vendesh pune, mbyllje fabrikash e institucionesh, shpenzime për vaksina, mjekime, trajtime paskovid etj.Nga të pyeturit e të intervistuarit, ish Presidenti Trump tha hapur e pa ekuivok se virusi erdhi nga Kina. Komunitetit i inteligjencës amerikane ritheksoi përsëri se është akoma e paqartë shkaku i kësaj ndodhije të madhe botrore. Kurse disa analistë dhe shkencëtarë thanë hapur se koronaviruesi erdhi nga laboratori i virologjisë së ushtrisë kineze të Uhanit. Si shumë të tjerë, specialist e analistë dhe unë jam prononcuar në TV Kultura Shqiptare më 11 mars 2020, kam shkruajtur disa artikuj në shtypin e shkruar dhe pjesërisht këtë problem e kam përfshirë edhe në librin tim “Diktati ADM-ve në luftën e ftohtë e pas saj”. Në gjitha shkrimet e mija i kam mëshuar idesë se kronavirusi nuk ishte një fenomen (aksident natyror), por artificial i prodhuar nga dora dhe mendja e njeriut e i përhapur nga laboratori i virologjisë së Uhanit.Në emisionin e sipërpërmendur moderatori Tuker Carlson e pyeti shkencëtaren kineze të virologjisë Dr. Li Meng Yan se cfarë ishte për ju koronavirusi? Ajo u përgjigj se:” ai nuk ishte një fenomen natyror sic përpiqen ta paraqesin disa. Ai është prodhim i laboratotit virologjisë së Uhanit dhe nuk ka dalë aksidentalisht prej këtij institucioni, por me qëllim dhe i përcjellur në marketin e Uhanit qëllimisht”. Ky lajm “bombë” u shoqëru edhe me video. Dilemën time dhe të shumë njerëzve nëpër botë se koronaviruesi ishte aksident apo i qëllimshëm, u tha hapur të TV Fox News.

Filed Under: Komente Tagged With: asllan Bushati

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT