• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Më e madhe se karrierat e politikanëve, është çështja e Kosovës

February 18, 2023 by s p

Secila parti që vjen në pushtet mundohet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe kjo ka ndikuar që të humb sensi i traditës dhe i kontinuitetitit të këtij procesi.

Shkruan Mehmet Prishtina

Sot kur po kremtojmë 15 vjetorin e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, pak kujt i ka shkuar ndërmend se mbi qiellin e atdheut tonë sërish do të paraqiten mjegulla të cilat do ta bënin disi konfuze ecjen tonë si shtet dhe si shoqëri. Kemi ngritur institucione, kemi ndërtuar infrastrukturë, kemi integruar brenda nesh shumë atribute shtetërore, por nuk kemi aritur të krijojmë një strategji të mirëfillt shtetërore e cila do t’iu përgjigjej të gjitha pritave që ngre koha. Dhe kur jemi te koha, ajo nuk matet vetëm me akrepat e orës, por edhe me tiktakun e veprimeve tona shtetndërtuese. Kjo madje është mirë të thuhet pikërisht në këtë 15 vjetor të Pavarësisë së shtetit tonë, sidomos tani kur nuk e kemi një doktrinë të përbashkët shtetërore e cila do t’i mbronte interesat tona nacionale në çfarëdo kohe e rrethane.

Nëse i referohemi rrjedhave aktuala nëpër të cilat po kalon Kosova, do të vërejmë një diskordancë të palejueshme në mes të pushtetit dhe opozitës, në mes të asaj çka nënkupton moment aktual dhe taktizime politike, në mes të unitetit kombëtar dhe politikave partiake etj.

Në demokracitë parlamentare gjithçka është e lejueshme brenda debatit konstruktiv, por kur një debat nuk jep përgjigje kreative pë të dalë nga një situatë e palakmueshme, atëherë sigurisht që nuk është diçka në rregull me atë debat. Atij debati, ose i mungon sinqeriteti, ose vetkritika, ose të gjtha ngapak.

Në radhë të parë, nuk është në rregull me mënyrën se si politikanët tanë iu qasen problemeve, sepse fitohet përshtypja se më e madhe se çështja e Kosovës, janë fatet e karrierave të tyre politike.

Pastaj, fuqia mobilizuese e shoqërisë kosovare ende kalon vetëm nëpër kapilarët partiakë dhe për rrjedhojë ne sot nuk e kemi një reagim popullor, bie fjala, ndaj çështjes së Asociacionit të komunave serbe, apo një dokument akademik që shtron në mënyrë shkencore argumentet pro dhe kundër kësaj çështjeje.

E treta, secila parti që vjen në pushtet mundohet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe kjo ka ndikuar që të humbë sensi i traditës dhe i kontinuitetitit të këtij procesi.

Kur të bëhen bashkë të gjitha këto anomali, nxjerrin si produkt final një ekzaminim socio-politik të shoqërisë sonë e cila ende vuan pasojat e mosrregullimit të statusit të vitkimës së luftës, sepse politikanët tanë gabimisht e kanë përjashtuar komponentën viktimizuese të popullit. Për pasojë ne ende nuk e kemi një Institut apo Muze të gjenocidit mbi popullin tonë. Ne ende nuk e kemi një aktakuzë të plotë që e ka firmën e shtetit të Kosovës kundër Serbisë për gjenocid ndaj popullit shqiptar.

Është detyrë e shtetit të bashkëpunojë me opozitën, me ekspertët dhe shoqërinë civile që të evidentojë dhe sistemojë krimet serbe mbi shqiptarët, kurse detyrë e intelektualëve, akademikëve, kineastëve është të shkruajnë në gjuhë të huaja libra dhe të xhirojnë filma mbi barbaritë serbe në Kosovë.

Kush ua ka ndaluar gjithë këtyre të merren secili në fushën e vet me vënien e Serbisë në shtyllën e turpit për krejt ato maskra, dhunime, djegie e plaçkitje në Kosovës?!

Ka pasur jo pak popuj në botë që nuk janë bërë shtet, prandaj ne duhet të jemi me fat që sakrificat për shetndërtim nuk na shkuan huq. Duhet të jemi me fat që patëm edhe miqë që na ndihmuan në rugëtimin tonë drejt pavarësisë, duke veçuar me këtë rast sidomos miqësinë me Amerikën, e cila u dëshmua se është aleatja më e sigurt e popullit tonë.

Tani kur po shënojmë këtë bilanc të pavarësisë, Kosova ndodhet sërish para sfidave të reja për të na kthyer në kohë të vjetra. Sërish Kosova është e kërcënuar nga idetë famëkeqe për ta bërë atë shtet sa më jofunksional. Prandaj, më tepër se kurdo herë më parë, tani na nevojitet një mirëkuptim brendakombëtar dhe një tejkalim i kapricioziteteve personale për të refuzuar këto ide sot, sa s’është bërë vonë nesër.

Megjithatë, Kosova meriton më shumë përkushtim dhe më shumë dashuri, në mënyrë që e ardhmja e saj të jetë më kuptimplote në të gjitha aspektet.

Prishtinë, 17. 02. 2023

Filed Under: Fejton Tagged With: Mehmet Prishtina

Kryeministri Kurti takoi Kancelarin gjerman Scholz dhe ministren franceze Colonna

February 18, 2023 by s p

Mynih, 18 shkurt 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, u takua me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Në takim u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz. Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit, theksoi kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin tonë për Procesin e Berlinit.

U fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara.

Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.

Filed Under: Ekonomi

15 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë

February 18, 2023 by s p

Ambassador Jeffrey M. Hovenier/

Vetëm një ditë më pas, më 18 shkurt 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zyrtarisht njohën Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në atë rast, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Condoleezza Rice (Kondoliza Rajs) tha: „Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona do të vërtetojë lidhjet e posaçme të miqësisë që kanë bërë bashkë popullin e Shteteve të Bashkuara dhe atë të Kosovës”.

Kosova ka pasur udhëtim të jashtëzakonshëm gjatë 15 viteve të shkuara.

Gjatë kësaj dekade e gjysmë – dhe më shumë – kam pasur privilegjin dhe nderin të jem dëshmitar i kësaj historie të pabesueshme. Personalisht e kam parë përparimin e madh që populli i Kosovës e ka arritur gjatë 15 viteve të shkuara.

Mbani në mend: ky është rezultati i punës së palodhshme dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për të çuar përpara sovranitetin, pavarësinë dhe demokracinë e vendit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare të mbështetjes sonë të hershme dhe të vazhdueshme për Kosovën dhe të partneritetit me popullin e Kosovës përderisa ky vend i ri e merr vendin e saj të duhur në strukturat evropiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare.

Kemi qenë me ju prej fillimit dhe partneriteti ynë mbetet i fortë si guri.

Përderisa shohim përpara, i çmojmë dhe i kuptojmë përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar të ardhme të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Ne jemi këtu për t’ju përkrahur dhe për të bashkëpunuar me ju. Do të vazhdojmë të thellojmë këtë partneritet sepse, në thelb, marrëdhënia jonë ka të bëjë me vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe diversitetit.

Prandaj, sot, përderisa shënojmë këtë rast të paharrueshëm dhe në emër të popullit amerikan, jam krenar që mund t’ju shpreh urimet më të përzemërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!

Filed Under: Kronike

A JOURNAL FOR NURSES (1938) / RRËFIMI I INFERMIERES AMERIKANE HELEN G. DENTON MBI EKSPERIENCËN E SAJ PROFESIONALE NJË VJEÇARE NË SHQIPËRI

February 18, 2023 by s p


Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29
Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Shkurt 2023

“RN, A Journal for Nurses” ka botuar, në prill të 1938, në faqet n°26-29, rrëfimin e infermieres amerikane Helen G. Denton mbi eksperiencën e saj profesionale një vjeçare në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Infermierja e shkollës në Ballkan

nga Helen G. Denton, R.N.

Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29
Zonjusha Helen G. Denton dhe një bari shqiptar. – Burimi : RN, A Journal for Nurses, f.26-29

Dentonët e Caribou (7.600 banorë) në shtetin e Maine janë njerëz të mirë të New England, pa një pikë gjaku cigan në venat e tyre. Pra, unë u befasova po aq sa çdo njëri prej tyre, kur u gjenda rrugës për në Shqipëri, në vendin e vogël ballkanik të udhëhequr nga mbreti Zog.

Unë isha duke punuar në Nju Jork kur mora një letër nga shtëpia ku përmendej se një fqinje, e martuar me drejtorin e një shkolle në Shqipëri, sapo kishte lindur një fëmijë të adhurueshëm. I shkrova shoqes sime, duke e uruar për fëmijën dhe duke e pyetur nëse i pëlqente Shqipëria. Ajo u përgjigj menjëherë dhe më pyeti se si do ta doja Shqipërinë. Ajo përmendi se kishte një nevojë reale për një infermiere të shëndetit publik në shkollën atje dhe më nxiti të aplikoja për këtë vend pune dhe të nisesha me ta. Kjo është pikërisht ajo që bëra.

Udhëtimi ishte i këndshëm. Miqtë e mi flisnin vazhdimisht dhe me entuziazëm për Shqipërinë. Ata folën për frutat tropikale ekzotike, malet e thepisura, Adriatikun paradiziak. Ata nuk përmendën sezonin e shirave.

Përshtypjet e para nga Shqipëria

Ishte natë kur zbarkuam në Shqipëri. Përshtypja ime e parë ishte një makth mes baltës, shiut, fytyrave të errëta dhe vdekjes së papritur. Të gjithë shqiptarët i ngasin makinat me shpejtësi të madhe. Rrugët malore (dhe nuk ka të tjera) janë të përdredhura, të rrëmbyeshme dhe nuk kanë shina mbrojtëse apo mure. Për më tepër, rrugët janë shkëmbore. Në sezonin e shirave, ato kombinojnë rrezikun emocionues të baltës së rrëshqitshme me gungat e mprehta të stinës së thatë. Megjithatë, shoferi shqiptar nuk është i pakujdesshëm. Ai është i vetëdijshëm se vezullimi i dritave të forta gjatë natës ka të ngjarë të verbojë shoferin e një makine që vjen në drejtim të kundërt, kështu që makinat kalojnë njëra-tjetrën pa drita. Kjo dredhi realizohet gjithmonë në një kthesë të ngushtë me një shpejtësi marramendëse.

Kur shkova në shtrat natën e parë në Shqipëri, mendova me përulësi për Perëndinë (Zotin) dhe me dashuri për shtëpinë.

Por ky ishte momenti i fundit i keqardhjes që pata për ardhjen në Shqipëri. Kam jetuar nëpër rrebeshin e zymtë të sezonit të shirave, kam shijuar dy javët e shkurtra të pranverës dhe kam duruar vapën e nxehtë të stinës së “thatë”. Unë kam qenë filozofe për dozën ditore të kininës, zierjen e ujit të pijshëm, gatimin e pothuajse të gjitha perimeve dhe pastrimin e frutave me permanganat kaliumi. Këto shqetësime të vogla ishin një çmim i vogël për t’u paguar për përvojën emocionuese dhe shpërblyese të një viti në Shqipëri dhe miqësitë e shumta të këndshme të krijuara me njerëzit atje.

Puna ime si mësuese-infermiere

Vendasit janë të fortë, inteligjentë, filozofë dhe mikpritës dhe të rinjtë janë shumë të interesuar për Amerikën dhe amerikanët. Të gjitha këto i mësova shumë shpejt në shkollën e vogël pranë Kavajës, ku punoja si mësuese dhe infermiere e shëndetit publik. Tetëdhjetë nxënësit e mi, të gjithë djem, ishin të moshës rreth 15-18 vjeç. Në një kurs trevjeçar ata mësojnë bujqësi, anglisht, aritmetikë të thjeshtë dhe higjienë. Ky është i gjithë shkollimi formal i djaloshit mesatar shqiptar, përveç vitit të tij të trajnimit të detyrueshëm ushtarak. Dikur kishte edhe një shkollë për vajza, por mungesa e fondeve detyroi të mbyllej. Kjo është për të ardhur keq, sepse vajzat janë po aq inteligjente sa vëllezërit e tyre dhe do të jetë përgjegjësia e tyre të mbrojnë shëndetin e brezit të ardhshëm.

Bashkangjitur me shkollën është një spital me tre shtretër dhe një klinikë. Studentët janë të etur për edukim shëndetësor dhe të shpejtë për të adoptuar metodat higjienike të trajtimit menjëherë pasi kuptojnë vlerën e këtij kujdesi. Djemtë duken sikur janë jashtëzakonisht të shëndetshëm. Ata janë nxirë nga dielli i stinës së thatë dhe kanë strukturën e gjatë, shpatullgjerë, karakteristikë e meshkujve shqiptarë. Por të gjithë ata vuajnë nga fatkeqësia kombëtare — malaria. Kjo sëmundje përshkon tokën si miazma nga e ka marrë emrin. Secili prej tyre preket nga ajo. Të gjithë kanë një dhimbje koke kronike. Shumë nga djemtë e mi kishin dhimbje muskulore si pasojë e sëmundjes.

Dobësia që vjen nga malaria, së bashku me kequshqyerjen e shkaktuar nga ushqimi i kufizuar vendas, i bën djemtë të ndjeshëm ndaj infeksionit. Tek një nga nxënësit, pak gojëdhënë që iu shtua këtyre mundimeve, provokoi një infeksion shumë të rëndë. Djali po kulloste delet dhe u kafshua nga një kafshë e sëmurë. Ndërsa kafshimi ishte sipërfaqësor dhe gjithçka mund të kishte shkuar mirë, djali u konsultua me një nga barinjtë që dinte saktësisht se si trajtohej plaga e kafshimit të deleve. Kjo recetë doli të ishte një kombinim i lëngut të barkut dhe organeve të brendshme të një deleje të therur rishtas, për t’u aplikuar në plagë dhe për t’u mbajtur mbi të. Fatmirësisht, pushimet e djalit përfunduan disa ditë më vonë. Kur u kthye në shkollë, krahu i tij ishte tashmë shumë i fryrë. Kaluan gjashtë javë para se infeksioni të shërohej dhe gjatë kësaj kohe djali trajtohej të paktën një herë në ditë.

Disa leksione të hollësishme mbi infeksionet përmes gërvishtjeve rezultuan efektive me djemtë dhe përfundimisht ata vinin tek unë me dëshirën e tyre për të raportuar gërvishtjet dhe mavijosjet e marra gjatë lojës.

Megjithatë, puna ime e shëndetit publik jashtë mureve nuk ishte aq e suksesshme sa puna që munda të bëja në klinikë. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, kisha dëgjuar se nënat nuk u jepnin foshnjave qumësht lope dhe perime, kështu që nisa një fushatë sensibilizimi me një vorbull edukative, krejtësisht jozyrtare. Një nga nxënësit e mi ishte përkthyes dhe më shoqëronte në vizitat e mia në shtëpitë e bukura shqiptare. Këto janë shtëpi fermash tipike dykatëshe mesdhetare, kati i poshtëm vepron si hambar për kafshët, ndërsa familja zë katin e sipërm pas një dritareje të vetme të vogël, të mbyllur ndaj shpendëve endacakë. Brendësia e këtij kati të sipërm është një dhomë e madhe, e mobiluar me një stol, dyshekë dhe një oxhak, dhe është gjithmonë e pastër në mënyrë të përpiktë.

Nënat e shtëpive që vizitova ishin më mikpritëse dhe, dyshoj, kureshtare, pasi më vonë mësova se isha një nga kuriozitetet më qesharake në Kavajë kur ngisja biçikletën. Unë u përpoqa t’u shpjegoja mikpritësëve të mia, me anë të përkthyesit tim të ri, vlerën ushqimore të qumështit dhe perimeve. Ato më siguruan me krenari se fëmijët e tyre nuk ishin kurrë të uritur, se vërtet foshnjat deri në dy vjeç ushqeheshin shpesh me gji. Kur më ra nofulla për tokë (u çudita) në lidhje me këtë informacion, nënat pyetën vazhdimisht me mirësjellje sa fëmijë kisha? Shumë djem? Kur u thashë se nuk kam fëmijë, ato tundën kokën me dhembshuri. Kjo nuk ishte më shumë nga sa meritoja, dhe më vonë mësova një metodë më delikate të propagandës për shëndetin e fëmijëve.

Kushtet shëndetësore

Vdekshmëria foshnjore është e lartë në Shqipëri dhe kjo pavarësisht se nënat kanë një dashuri të butë dhe shumë reale për fëmijët e tyre. Një sëmundje kaq e rrezikshme sa lija është aq e zakonshme sa që shpesh shpërfillet. Unë di një rast të këtij lloji në të cilin viktima ishte një vajzë e bukur katërvjeçare. Vëllai i saj përmendi në klinikë se motra e tij ishte e sëmurë — “shumë e nxehtë, shumë e ftohtë” — dhe tregoi se lëkura e saj ishte e skuqur. Kur e pashë fëmijën, ajo ishte tashmë në fazën “pustulare” dhe me siguri do të ketë shenja për tërë jetën. Lija, e cila dikur ishte e zakonshme tek fëmijët e të gjitha moshave, po zhduket pasi fëmijët më të mëdhenj tani po vaksinohen.

Një pjesë e programit arsimor që tani mbështetet nga Mbreti Zog është kontrolli i malaries, i cili, për shkak të gjeografisë së vendit, do të jetë një detyrë e gjatë dhe e lodhshme. Shqipëria është bukur në planin piktoresk me vargmalet e saj dhe luginat e thella, por transporti është shumë primitiv dhe njerëzit jetojnë e vdesin brenda kufijve të fshatrave të tyre pa dalur  ndonjëherë prej aty.

Ky izolim është veçanërisht i vërtetë për gratë që praktikisht kalojnë gjithë kohën e tyre në shtëpi. Së fundmi Mbreti Zog dekretoi që gratë shqiptare të heqin ferexhenë dhe të dalin jashtë. Ndërsa gratë mendojnë se duhet të binden, dekreti i ka bërë shumë prej tyre të pakënaqura dhe të frikësuara. Ato janë të humbura edhe në botën e vogël të fshatrave të tyre.

Nga sa më sipër del qartë se Shqipëria është një territor i virgjër për infermieren e shëndetit publik. Ajo do të pritej krahëhapur nga qeveria dhe do t’i jepej “carte blanche”. Krerët e fshatit do ta prisnin përzemërsisht dhe do t’i dëshmonin se çdo dëshirë e saj do të zbatohej. Në pamje të parë duket si një botë ideale, por karakteri i njerëzve, i pandryshueshëm si malet e tyre dhe i ndryshueshëm si Adriatiku i bukur, do të prirej ta mposhtte atë.

Jo se njerëzit do të ishin të papërgjegjshëm ndaj përpjekjeve të infermieres së shëndetit publik – përkundrazi. Ata do të pranonin pothuajse çdo sugjerim. Ata madje do të vepronin sipas saj, nëse do ta respektonin infermieren si individ. Por ata nuk do të vazhdonin punën e mirë, nëse ajo nuk do të realizonte një mrekulli përmirësimi brenda dy ose tre ditëve. Kjo “arsyeshmëri e ëmbël” e karakterit është ajo që i shtyn ata të konsultohen me disa mjekë për një sëmundje. Meqenëse shumë nga mjekët vendas kanë qenë jashtë shkollës së mjekësisë për shumë vite dhe nuk kanë parë një libër mjekësor pikërisht për aq kohë, nuk është për t’u habitur që pacientët marrin një diagnozë dhe trajtim të ndryshëm nga secili mjek. Me shpresën më të madhe dhe natyrën e mirë, pacientët marrin të gjitha pilulat dhe ilaçet e ofruara dhe e lënë shërimin e tyre aktual në duart e Muhamedit.

Brezi i ri, siç ilustrohet nga nxënësit e shkollës, i shton mendjehapjes së prindërve kureshtjen e etur të rinisë dhe kjo ndoshta do të jetë shpëtimi i vendit. Ndryshe nga prindërit e tyre, djemtë kanë filluar të kuptojnë se shëndeti i tyre i keq nuk është “vullneti i Allahut”, por në një farë mënyre të paqartë faji i tyre. Prandaj munda t’i bëja që të vinin rregullisht në klinikë. Edhe pse nuk jam oratore e mirë, ata i dëgjonin me vëmendje leksionet dhe bënin pyetje inteligjente.

Në punën e shëndetit publik, brenda apo jashtë vendit, edukimi është i një rëndësie parësore dhe një nga mjetet më efektive për edukimin e grupeve të mëdha është përmes fëmijëve të interesuar. Fëmijët janë më të ndjeshëm nga sëmundjet sesa të moshuarit e tyre filozofë dhe janë më të prirur ndaj ideve të reja. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, më në fund përqendrova përpjekjet te studentët dhe besoj se brenda një viti pata bërthamën e një zyre entuziaste të propagandës shëndetësore.

Kjo punë tani po ecën përpara nën drejtimin e aftë të një vajze të re brilante shqiptare, të shkolluar në Amerikë, e cila ishte mjaft e mirë për të kaluar një pjesë të kohës duke punuar në klinikën e shkollës. Ajo ka mbrojtur doktoraturën në Spitalin e Grave në Jefferson (Woman’s Hospital at Jefferson), dhe megjithëse obstetrika dhe pediatria ka të ngjarë të bëhen fusha e saj e ndërhyrjes, ajo planifikon të bëjë shumë punë në mjekësinë parandaluese (preventive).

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

AKADEMI NDERIMI NË VLORË PËR KOSOVËN E PAVARUR

February 18, 2023 by s p

  • 15 vjetori i shpallje së Pavarësisë së Kosovës 
  • Botimet historike për Kosovës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë

Msc. Albert HABAZAJ 

përgjegjës i Bibliotekës shkencore të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë

17 shkurti është një ditë e ndritshme në historinë e popullit shqiptar, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës apo për ne, të Shqipërisë zyrtare, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo ata të Malit të Zi, por për të gjithë ku jetojnë e janë integruar në Greqi, Turqi, Itali, për të gjithë bijtë e Shqiponjës që përbëjnë diasporën tonë, mërgatën shqiptare deri në Zvicër e Gjermani, Belgjikë e Suedi, Francë e Australi, Angli e SHBA, kudo në botë. Sot është një ditë e shënuar për ndërgjegjen etnike, sepse është Jubileu i 15-të i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga 109 deputetë të Parlamentit të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u bënë firmëtarë të Pavarësisë së Kosovës martire nga Serbia e pushtimit. Ne sot nderojmë yjet e Kosovës, që falën jeten e tyre për lirinë e pavarësinë e trojve amtare që kur jeta është zënë. Pikërisht sot ndihemi më të qetë e krenarë të kujtojmë të 85 heronjtë e Kosovës dhe mbi 2500 dëshmorët e rënë për liri e pavarësi. Historinë e shkruan ata që e bënë, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët, si dhe ata që e rrëfejnë – dëshmitarët, vulë trimërie, që e transmentojnë brezave si Stafetë Kujtese, se nuk ka cep të Kosovës pa lapidarë, përmendore, shtatore, varreza e komplekse memoriale që dëshmojnë jo vetëm robërinë e thellë të këtyre trojeve, por edhe luftën e përjetshme të kosovarëve për liri. 

E derisa të rënët përgjatë historisë janë pa numër, deri në ditët tona kanë mbërritur emrat e vetëm pak prej tyre, apo më saktë, vetëm të atyre që e bënë historinë. 

Ky 17 shkurt është nderim për udhëheqësit e Luftës Çlirimtare, së pari për ideatorin vizionar e të shumëditur dr. Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar Aden Jashari, për Adem Demaçin, Rexhep Qosen, për të gjithë ata strategë të luftës e heronj të gjallë, që nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj., që janë në burg për turp të interesave të vogla e të liga të të mëdhenjve ziliqarë, të zinj e pa dinjitet. 

Nderim për të gjithë ata burra e gra që e bënë Kosovën me emër në Hartën e Qytetarisë Europiane! Mirënjohje e përjetshme për SHBA!

Në nderim të 15 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si një shtet i pavarur, sovran e demokratik, dëshiroj t’ju bëj me dijeni se në Bibliotekën shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ka literaturë njohëse të mjaftueshme për Kosovën dhe nga autorë kosovarë, e cila vihet në shërbim të studentëve tanë, të pedagogëve dhe studiuesve të tjerë, varësisht nga interesat e tyre në fushat e kërkuara për studime profesionale, njohëse, kulturore, universitare, pasuniversitare, apo kërkimore shkencore të thelluara. Në fondin e hapur dhe në arkivin e bibliotekës së Universitetit tonë, e cila mbulon të katër fakultetet me 3 biblioteka specifike ka mbi 100 tituj libra, tekste mësimorë, botime të nivelit akademik jo vetëm nga fusha e historisë, por edhe nga  arkeologjia, ekonomia, folklori dhe etnolgjia, gjuhësia dhe letërsia, mjekësia, shkencat e natyrës, ato teknike etj.

Në këtë fjalëz nderimi, edhe si kujtesë shpirti, mendimi dhe reflektimi në këtë Akademi nderimi për 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dua të shprehem se, vetëm nga fusha e historisë janë mbi 40 tituj të rëndësishëm, një pjesë të së cilave i kemi paraqitur në ekspozitorët tanë në ballë të sallës në kuadër të bashkorganizimit nga Qendra e Kulturës dhe Artit dhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë të kësaj Akademie nderimi për Ditën e Shenjtë të Kosovës dhe mbarë Shqiptarisë. Kohërisht, nuk është e mundshme të bëj një paraqitje të hollësishme të titujve, autorëve dhe përmbajtjes së tyre, por, siç e vëreni, duke shfletuar tekstet që ju kemi paraqitur tekste nga autorët më në zë shqiptarë dhe të huaj, Kosova është pjesë integrale e trupit amë në të gjitha rrafshet me përbashimet e shumta dhe përveçimet e pakta, veçmas në ballë të kurorë së nderit, lavdisë, sakrificave dhe dinjitetit të Mëmës Shqipëri.  Ndër autorët shqiptarë janë përfshirë autoritetet me banim në Tiranë dhe në Prishtinë, që nga akademikët Aleks Buda, Kristaq Prifti, Kristo Frashëri, Myzafer Korkuti, Beqir Meta, Pëllumb Xhufi, Marenglen Verli, profesorët Neritan Ceka, Luan Malltezi, Paskal Milo, Skënder Muçaj, apo Emin Riza, (korçari nga Gjakova, po ashtu profesorët Gjon Berisha, Kosovë; Sabit Syla, Kosovë, drejtor i Institutit të Historisë;  gjithashtu Saimir Shpuza, Luan Perzhita,  Ferid Duka, Adem Bunguri, Apollon Baçe, Sonila Boci, Ledi Dushku, Marenglen Kasmi, Avni Këpuska etj.

Nuk kemi motiv e arsye që të bëjmë histori romantike dëshirore, por të shprehemi se emri i dardanëve lidhet me emrin dardhë – në gjuhën shqipe. Siç shprehet studiuesi dhe përkthyesi Avni Këpuska, që, si jurist ka studiuar në imtësi dhe historinë e përgjithshme të shtetit dhe të së drejtës …“Nga  kjo literaturë shumë e lashtë u konfirmua bindshëm se Dardania – Kosova apo dardanët- pasardhësit e tyre, shqiptarët e sotëm të Kosovës, ekzistuan dhe tani e tutje ekzistojnë me një vazhdimësi të qëndrueshme më shumë se mbi 100 shekuj para e.s”

Përveç autorëve vendës, çështjen e Kosovës e kanë trajtuar edhe mjaft autorë të huaj si Justin Godart, Edit Durham, D. Heaton Armstrong, Ugo Ojjeti etj. “Kudo ku kaluam, në Shqipëri, dëgjuam kërkesat e formuluara nga Kosova, Dibra, dhe gjithashtu ato nga Hoti, Gruda, për një kohë shumë të gjatë nën pushtimin e huaj”- thekson Justin Godart, një ndër të paktët njerëz që, me guxim, në mbrojtje të së vërtetës, nuk i braktisi kurrë shqiptarët.

Historia e Kosovës është pjesë integrale e historisë së popullit shqiptar. Këtë e dëshmojnë të gjitha botimet e mundshme që na kanë rënë në dorë, ku vlen të përmendim botimet e nivelit akademik dhe veçojmë katër vëllimet e historisë së popullit shqiptar, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Historia e Kosovës ka lindur dhe është zhvilluar në kuadër të historisë së Shqipërisë, si pjesë e së tërës. Që nga Ilirët, Mesjetën, Shqipërinë nën Perandorinë osmane gjatë shek. XVI-vitet 20 të shek.XX; me Rilindjen Kombëtare nga vitet 30 të shek. XIX-1912; me historinë e popullit shqiptar, vitet 1913-1939 dhe në e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, vitet 1939-1991, historia e popullit kosovar ecën në një shtrat me historinë e popullit shqiptar. Në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Podujevë e në çdo qendër banimi të Kosovës festohet 15 vjetori i Pavarësisë dhe reflektohet për vijimin e udhës europiane, ne në Vlorë e Flamurit kombëtar nderojmë, kujtojmë, nuk harrojmë dhe mbështesim vëllazërisht Kosovën, që të jemi të denjë në Udhëtimin e përbashkët, të bukur e me sfida në familjen europiane.

Është nisur një udhëtim i vështirë, por i domosdoshëm, qe populli shqiptar i Kosovës dhe klasa politike po i përmbushin çdo ditë e me tepër, duke treguar aftësi shtetformuese dhe botëkutptim europian.

17 Shkurti i vitit 2008 vlerësohet sot në Vlorë si një ditë e madhe jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për mbarë popullin shqipear kudo ndodhet. Pavarësia e Kosovës është shumëdimensionale dhe ajo mund të trajtohet në disa plane:

Si shteti më i ri i pavarur në Ballkan dhe Evropë;

Dhënia fund e politikave shfarosëse dhe genocidiale ndaj popullit të Kosovës;

Realizimi i një aspirate shumë vjeçare të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur në trojet e veta;

Rrugëtim i popullit shqiptar në përmbushje të aspiratave të patriotëve të platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shek. XIX.

Parë në këto plane, Historia e Kosovës është e vjetër, është e pasur, e mbushur me sakrifica – një rrugëtim i larë me gjak deri në realizimin e Pavarësisë. Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon autonom brenda Republikës Federale Serbe, status ky i fituar në Kushtetutën Jugosllave në vitin 1974. Statusi i Krahinës Autonome të Kosovës u shfuqizua prej regjimit të Millosheviç në vitin 1989. 

17 Shkurti 2008 vjen si pasojë e gjeneratave të tëra, të cilat kërkesë të vetme kishin Pavarësinë dhe Çlirimin e saj prej Serbisë. Vlen të përmenden simbolet e rezistencës kombëtare dhe kontributi i heronjve si : Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Bejta e Shote Galica, Shaban Polluzha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Luan Haradinaj e Kadri Zeka, familja legjendare dhe Komandanti Adem Jashari e mijëra dëshmorë të tjerë.

Historia nxori, kënga përjetësoi  dhe librat që ne kemi në përdorim shkruajnë seAbdyl Frashëri, themeluesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është Heroi i parë i Kosovës, e përveç tij ndrisn emrat e Hasan Prishtinës e Azem Galicës.  Heronj të Kosovës janë edhe Shaban Polluzha e Jusuf Gërvalla, sikurse Sali Çeku, Fehmi Agani e Zahir Pajaziti. E padyshim Adem Jashari Abdyl Frashëri, sikurse Sulejman Vokshi, Isa Boletini, Bajram Curri e Shote Galica janë gjithashtu edhe Heronj të Popullit në Shqipëri. Thuhet se në mesin e atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën ka edhe të huaj.Ndërkohë, pohojmë me dhimbje se në këtë vend të shtypur ndër shekuj, vështirë të besuar se ky është numri i saktë i dëshmorëve.

Për vite me radhë deri në qershor të vitit 1999, qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spatrimit etnik prej regjimit të Millosheviçit. Operacionet e ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe gjatë kësaj lufte lanë rreth 13 mijë të vrarë dhe rreth 800 mijë shqiptarë që braktisën shtëpitë e tyre. Kjo datë është gjithashtu një ditë kujtese në popullsinë martire, të cilet u vranë, u masakruan e u terrorizuan nga ushtria dhe policia serbe në masakrën e Izbicës, Recakut, Rezallës, Krushës së Madhe e shumë të tjerave. 

Prej qershorit të vitit 1999, forcat serbe detyrohen të largohen nga Kosova si pasojë e luftës vetëmohuese të UÇK dhe ndërhyrjes së fuqishme ndërkombëtare për të frenuar makinerinë serbe të luftës dhe dhënies fund të genocidit. Prej këtij viti deri në Shpalljen e Pavarësisë, Kosova administrohej prej Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “UNMIK” dhe istitucionet demokratike të Kosovës: KUVENDI, PRESIDENTI dhe QEVERIA, bazuar në Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit.

Më 2 shkurt 2007 ishte i dërguari special për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, i cili dorëzon propozimin e tij në Prishtinë e Beograd për Pavarësinë e Kushtëzuar të Kosovës, gjë që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur demokratik.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombetare e Drejtësisë konfirmon se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Ky akt zyrtarizon dhe procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës, i cili deri me tashmë njihet zyrtarisht prej 117 shtetesh.

Tashmë Kosova është një shtet i pavarur, sapo ka filluar rrugëtimin e vet plot me sfida të reja dhe jo më pak të rëndësishme. Ato janë disa: 

Sfida në aspektin ndërkombëtar. Integrimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare;

Integrimi i Kosovës në institucionet europine dhe liberalizimi i vizave;

Një sfidë tjetër është drejtësia dhe konsolidimi i shtetit ligjor;

Çështja e hartës dhe kufijve të Kosovës, çështjet e fqinjësisë së mirë;

Konsolidimi në aspektin ushtarak;

Konsolidimi i institucioneve demokratike në funksion të zhvillimeve të brendshme ekonomike sociale e politike.

Në faqen zyrtare të Qendrës Kulturore Vlorë shkruhet:

Për Kosovën festohet edhe në Vlorë !

U bëmë bashkë sot, këtu në ambjentet e Qëndrës Kulturore, nxënës, studentë, artistë, historianë, pedagogë dhe qytetarë të Vlorës, për aktivitetin mbresëlënës dhe emocionues për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Lektorët e spikatur, profesorë, studiues dhe historianë ligjëruan rreth jubileut historik të Pavarësisë ! 

Mirënjohës bashkëpuntorëve Albert Habazaj, Ahmet Demaj, Monika Hasani, Edlira Çekrezi, Çlirim Hoxha, Asqeri Llanaj, Eqerem Canaj, 10 Shqiponjat e Tërbaçit, valltarët e vegjël të QKF si dhe mbështetësve, Kryetarit Bashkisë z. Dritan Leli, Rektorit Universitetit “Ismail Qemali” Prof. Roland Zisi, Drejtores së ZAV Vlore Irena Toshkallari, moderatores Alma Binaj dhe kolegët e QK. Vlorë. 

Gëzuar Kosova jonë, përjetësisht Pavarësinë!

E veçantë qe pjesëmarrja e Ansamblit Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me këngën liriko-epike “Himni i Pavarësisë së Kosovës”, me marrëse Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj dhe hedhëse Hava Çelaj Muçaj, si dhe me vallen e kënduar “Bekuar nga Mali i Çikës” me prijëse të valles Shpresa Kapo Çelaj e marrëse Liljana Rapi Kapaj, të dyja tekstet të drejtuesit artistik Albert Habazaj.

U zhvillua një veprimtari shpirti e mendimi vlonjate si për veten, se Kosova në fakt është ne dhe ne jemi sa vlonjatë, po aq kosovarë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT