• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 13, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. mblodhi anëtarë, të ftuar nderi e miq të saj mu në zemër të Manhattan-it për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. 15 vjet që nga dita kur Kosova frymon e lirë, është një festë tejet e madhe për të mëdhenj e të vegjël. Sa shumë e mbajtëm frymën për ta parë këtë ditë, sa bij e bija nënash e shkruan lirinë me gjakun e tyre. Sa engjëj të pafajshëm u sakrifikuan ende pa ardhur në jetë nga dora gjakatare e pushtuesit serb. Oh, Kosovë, vetëm zemra jote i di lotët e vuajtjet, sakrificat e mundimet që më në fund të bënë ty të lirë e prandaj këta miq të tutë Kosovë, u mblodhën për të festuar lirinë tënde. Gëzuar Kosovë! Gëzuar 15-vjetorin e lirisë të urojmë ne një grup i vogël, por me një zemër të madhe që jemi mbledhur së bashku në Amerikën e largët. Aktivitetin e drejtoi znj. Alketa Veshi, Znj. Veshi ftoi në skenë grupin artistik “Skënderbej”, i cili u përgatit nga znj. Adelina Lacaj për të vallëzuar nën tingujt e këngës “Oh sa mirë me qenë shqiptar”. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili duke i uruar pavarësinë Kosovës ndër të tjera theksoi: “Kosova ka derdhur gjak gjatë gjithë historisë së saj për të arritur këto të drejta të ligjshme. Vetëm 15 vjet më parë edhe me ndihmën e aleatëve të saj veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo fitoi pavarësinë dhe të drejtat e saj për të qenë shtet i pavarur”. Të gjithë shqiptarët kudo në botë sot nderojnë kujtimin e trimërinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve serbë dhe për të fituar pavarësinë që gëzojnë sot”. Pas z. Lacaj, Elisa Qehaja ftoi një mik të veçantë të shqiptarëve për fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. William Walker, i cili demaskoi masakrën e Recakut që ndodhi më 15 janar 1999. Z. Walker është gdhendur në zemrat e popullit të Kosovës, i cili e njeh si trimin që nuk kishte frikë të denonconte të vërtetën dhe si adhurues i të drejtave të njeriut. Ambasadorit Walker iu dorëzua një pllakatë Mirënjohjeje. Përshëndetjet vijuan me z. Fran Shkreli, publicist i njohur në Diasporë, z. Mark Qehaja, kryetar Nderi i shoqatës “Skënderbej” Inc. z, Blerim Gjocaj, luftëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës direkt në luftë, Zamira Lacaj, pjesëmarrëse në forcat amerikane të ruajtjes së paqes në Ferizaj dhe z. David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County.

Qerim Gjocaj dhe Paulin Gega kënduan: “Në Dardani bjen një tupan”.

Pjesa e dytë e programit vijoi me referime.

Referimi i parë u mbajt nga z. Sokol Paja, editor i gazetës më të madhe në Diasporën shqiptare “Dielli”, organ qendror i konfederatës pan shqiptare “Vatra” me temë “Qëndrimet mbi Gjykatën Speciale dhe Pasqyrimi në gazetën “Dielli”.

Referimi i dytë u mbajt nga profesor Paulin Marku me temë: Përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për organizimin e shtetit dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Referimi i tretë vijoi nga z. Shpend Gjocaj, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Kosovë, pjesëmarrës direkt dhe drejtues në luftën për çlirimin e Kosovës me temën: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve rreth UÇK kishte një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.

Anëtari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Edit Dautaj, ish-ushtarak dhe studiues për problemet ushtarake referoi mbi temën: Ndërhyrja ajrore e NATO-s dhe përdorimi i

teknologjisë moderne në luftën e Kosovës.

Një moment sa çlodhës po aq edhe emocionues erdhi nga grupi i valleve “Skënderbej”, i cili luajti vallen e Pavarësisë që i dha ngjyrat e paqes aktivitetit. Në pjesën e tretë të programit u promovua libri “Abdyl Gjocaj, mësues e luftëtar, rrëfime dhe kujtime” shkruar nga Profesor Asoc. Dr. Besim Muhadri, shkrimtar dhe ligjërues në universitetin “Fehmi Agani, në Gjakovë. Rreth librit komentuan z. Sokol Paja editor i gazetës Dielli, z. Mhill Velaj, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për z. Qerim Gjocaj dhe Blerim Gjocaj anëtarë të të shoqatës dhe luftëtarë të UÇK-së dhe z. Mhill Velaj. Certifikatat u dorëzuan nga z. Bashkim Shehu, kryetar Nderi i shoqatës dhe z. Asllan Bushati. Aktiviteti u mbyll me disa poezi të interpretuara nga grupi “Skënderbej” dhe poezi kushtuar Kosovës nga z. Isa Brecani dhe kënga e kënduar nga Qerim Gjocaj: Jem Ilira jem Teuta. Edhe një herë shoqata “Skënderbej” Inc. uron njëzëri: festofsh përjetësisht pavarësinë Kosovë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Luljeta Xhediku

Dashuria në mitet antike greke

February 11, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Ekzistojnë ca ndjenja që përjetohen njёsoj nga njerёzimi, pavarёsisht kohёs apo vendit. Një ndjenjë e tillë është dashuria. Që në mite, pra, që në atë kohë kur instikti dhe dija njerёzore fliste nëpërmjet gjuhës së miteve, njerёzimi krijoi heroin apo heroinën mitike që dashuronte dhe dashurohej. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё transmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë. Helena dhe Paridi u dashuruan me shikim të parë. Po kështu dhe dashuria e Glaukës me Jasonin, Erosit me Psiken, Zeusit me të gjitha gratё që deshi apo bëri dashuri jashtë martese. Alfeu hedh dashuri me shikim të parë ndaj Aretuzёs, Apolloni me Kasandrën etj. etj., e kёshtu me radhё në të gjitha mitet. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter mё shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se, sipas teorisë së Freud-it, dashuria nuk është gjë tjetёr veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize, Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë. Kështu ra në dashuri Apolloni me Dafinën. Dafina, bija e zotit ishte më e bukura prej nimfave. Nga ana tjetër Apolloni, më i bukuri mes perëndive nuk i besonte magjisë dhe fuqisë së dashurisë, ndaj Erosi vendosi ta plagosë me shigjetën e tij të plumbtë. Apolloni bie në dashuri me Dafinën, por kjo dashuri mbeti gjithmonë pa përgjigje dhe Dafina pranon të kthehet në pemë vetëm për të mos iu dhënë atij. Ndërkohë, Apolloni nuk rresht kurrë së zbukuruari pemën e Dafinës. Vargjet më të bukura, mbështetur në këtë mit, i gjejmë tek Ovidi. Sipas frojdizmit dashuria e pareshtur dhe pa përgjigje e Apollonit s’ёshtё gjё tjetёr veçse njё instikt i shtypur qё ngre krye. Kjo do të thotë se sa më shumë Dafina e refuzonte Apollonin, aq më shumë ai binte në dashuri e sa më shumë Apollonit i mungonte Dafina, aq më shumë i ndizej dashuria për të. Një interpretim pak a shumë të njëjtë merr edhe miti i Kasandrës. Edhe me tё dashurohet Apolloni, edhe nga ajo refuzohet. Fati i Kasandrës njihet nga Iliada dhe Odisea e Homerit si dhe vepra e parë e triologjisë së Eskilit Orestia. Miti na tregon se Apolloni hakmerret ndaj Kasandrёs pikёrisht pёr shkak tё refuzimit. Kasandra zhvishet nga zhguni i profetit. Ishte pikërisht kjo hakmarrje e Apollonit që solli pushtimin e Trojës, sepse askush nuk e besoi Kasandrёn kur shkulte flokёt pёr tradhtinё qё sillte nё bark kali i akejve. Ky akt i Apollonit theksohet si prepotencё hyji dhe Euripidi e rendit si akt tё turpshёm qё rrёzon nga froni perёnditё.

Por ndërsa në mitet e sipërmendura kemi Apollonin që bie me shikim të parë në dashuri të pafatё, në mitin e Lules së Diellit kemi dashurinë e pafatё të Klizias, nimfёs që ra në dashuri me perёndinё Diell (Heliosin). Thelbi i mitit në dukje është i thjeshtë. Klizia dashuron Diellin por ky dashuron të bijën e Orkamit , Leukotojёn. Klizia e çmendur nga xhelozia e kallzon Leukotojёn tek i ati, i cili duke mos e duruar dot këtë turp e varros të bijën të gjallë nё rёrёn e shkretёtirёs. Dielli me rrezet e tij tenton tё depёrtojё thellё nё tokё, por ishte vonë, Leukotoja tashmë kishte ndërruar jetë. Nga dёshpёrimi dhe hidhёrimi Dielli hakmerret ndaj Klizias duke e kthyer në lule me kërcell të trashë e me kokë të madhe. Është pikërisht lulja e diellit që ne e njohim të gjithë, e cila gjithmonë e kthen kokën nga dashuria e saj, Dielli. Edhe këtë mit e gjejmё tek Metamorfozat e Ovidit (IV). Klizia është simboli i gruas që me të gjitha drejtësitë dhe padrejtësitë synon të arrijë objektin e saj dashuror. Por morali i mitit është i qartë. Ajo jo vetëm nuk e gëzon dashurinë e njëanshme, por mbetet pre e vetë ndjenjës së saj. Sheh Diellin, lulёzon. Lulёzon, sheh Diellin, lulёzon. Derisa kupton qё lulёzim, jo domosdoshmёrisht, do tё thotё lumturi.

Dëshirat instiktive dhe i dëmtuari i tretë në mite

Helena mbetet figura më e pёrfolur e miteve antike. Ajo ёshtё aq e bukur, sa edhe vetё Homeri nuk arrin dot t’ia përshkruajё bukurinë. Simbol i feminilitetit, Helena ёshtё bёrё objekt i artit tё sa e sa artistëve, poetëve, piktorёve.

Bijë e Zeusit dhe të dashurës së tij Leda, Helena mbahej më e bukura nga të gjithë vdekatarët. Odiseu hodhi mendimin që ajo duhet ta zgjidhte vetë bashkëshortin, pasi situata për kërkimin e dorës së saj po e çonte Greqinë në prag të luftës. Ajo zgjodhi Menelaun dhe të dy u bënë trashёgimtarë të Spartës, derisa një ditë Paridi, princi i Trojës, i vizitoi dhe më pas e rrëmbeu Helenën që shkaktoi dhe luftёn dhjetёvjeçare të Trojës. Një vështrim psikonalitik i figurës së Helenёs, do ta paraqiste atë si një grua ku mbizotёrojnё instiktet, të cilat ajo vetë nuk i lufton aspak, nuk pёrpiqet t’i ndrydhë, por përkundrazi, i stimulon dhe i shpalos sa herё tё jetё nevoja. Freud-i e vendos Helenën në kategorinë e njerёzve qё ushqejnё dёshira tё verbra dhe instikte primordiale, pa asgjё shpirtёrore. Ёshtё rasti tipik i gruas qё epshin e zhvendos sa te njё objekt te tjetri, falё energjive tё saj psikike qё i lёvrijnё vazhdimisht. Kjo është Helena, sipas Freud-it. Dikur dashuroi Menelaun e më pas Paridin. Nga ana e tij Paridi e ka të lehtë të bjerë në dashuri me Helenën, me të cilёn ishin dashuruar të gjithë burrat e Greqisё së lashtë. Përpos kësaj, interpretimin frojdist na e lehtëson edhe arsyetimi se përse Paridi rrëmbeu një femër tashmë të martuar. Sipas Frojdit, në Mbi Psikologjinë e jetës dashurore , kur ndalet tek kushtet dashurore, ai përcakton si kusht të parë atë që ai e quan të dëmtuar të tretë. Sipas tij, burri ka gjithmonë tendencën të zgjedhë si objekt dashurie jo një grua që është ende e lirë, por një femër të angazhuar, ndaj të cilës ka “objektet pronësie dikush tjetër”. A nuk duket ky si një fakt bindës përse Paridi zgjodhi Helenën, përpos bukurisë së saj? Nё fund tё fundit, brazda ishte hapur. Edhe Zeusi rendte pas vdekatareve tё martuara dhe përdorte gjithë fuqinë e tij prej Zoti t’i shtinte ato në dorë.

Ndërsa Helena është dhe mbetet një casus belli, në përgjithësi, gratё në mitet greke jepen shumë të dashuruara dhe tё përkushtuara ndaj dashurisë dhe të gatshme të vetёflijohen për tё. Dashuria që fal femra në mitet greke është epike, ajo bën të qajnë edhe heronjtë si Akili. Mitet mundohen t’i japin forcën këtyre dashurive dhe të shfaqin madhështinë e tyre në forma të ndryshme. Për shembull, nëse nuk do të ishte dashuria e Briseidës ndaj Akilit lufta e Trojës ndoshta do të kishte patur tjetër përfundim. Po kështu kemi Alkesta e cila e dashuruar tmerrësisht ndaj të shoqit, mbretit Admet, pranon të vdesë fisnikërisht në vend të tij. Ajo njihet si heroina më bujare në mitet greke. Ndërsa një tjetër heroinë, Alkiona, tek sheh në breg trupin e pajetë të të shoqit, hidhet ta puth e vdes mbi të. Po kështu Etra, hidhet si e çmendur nga shkëmbi kur shikon të shoqin që digjet në turrën e druve. Të gjitha këto raste në mite janë dëshmi e forcës dashurore të gruas përqendruar tek një objekt i vetëm dashuror. Sapo eliminohet ky objekt, ato vetëflijohen. Të mos harrojmë se mitet greke i takojnë periudhës të konsolidimit të familjes dhe kjo familje çdo ditë e më tepër merr ngjyra patriarkale.

Psika dhe Erosi

Ndoshta ndër mitet më intriguese dhe më me shumë qasje psikoanalitike, është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek Metamorfozat e Ovidit si dhe Gomari i artë i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur na ishte një mbret dhe një mbretëreshë që kishin tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur. Dhe kur mendohej se asgjë nuk mund të ndalonte dot profecinë, dashuria tregoi fuqinë e saj. Ndërkohë perёndesha Afërditë kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thoshnin se ajo i ngjante njё perёndeshe. Kjo e fundit e kishte porositur Erosin ta godiste Psikën me shigjetë. Por Erosi e sheh, mahnitet me bukurinë e saj dhe e sjell në një shtëpi madhështore dhe vetë kthehet nё hije qё tё mos shihet. Ndërkohë Psika habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit qё i thotё të mos kërkojё shpjegime e të mos i rrëfehet askujt. Dashuria shpёrthen nё tё gjitha format e saj tokёsore dhe qiellore, derisa një ditë Psika vendosi t’u rrëfente motrave për vizitorin e natës. Motrat e zilepsura, e shtynë që të zgjidhte enigmën. Nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin çdo natё. Njё pikё e vajit tё nxehtё i bie nё trup dhe e djeg e kёshtu Erosi zgjohet i tërbuar e braktis Psikën.

Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne vёmё re përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, ofrohen edhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza. Le të shtojmë këtu se me të drejtë, sipas Freud-it, psikoanaliza është kritikuar se nuk pyet për anën më të lartë morale, mbipersonale të njeriut. Megjithatë e vërteta është se ajo shpesh të befason me zgjidhjen që u jep fenomeneve të caktuara, për të cilat njeriu i zakonshëm mund të diskutojë gjatë, ndoshta pa arritur në pёrfundime shkencore. E pra, i pari që e bëri këtë, i pari që i tregoi njerёzimit një ishull brenda shpirtit, ishte Sigmund Freud-i . Ai do të mbetet simbol i sinqeritetit të gjeniut.

Ja se si do t’i afrohej psikoanaliza mitit të Psikёs dhe Erosit. Së pari, ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, është rezultat i një fiksimi fёmijёror të brishtësisë ndaj nënës dhe përbёn një nga rrugëdaljet e këtij fiksimi. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në mendje, ku shёmbёlltyra grash qё shkojnё e vijnё, ndërtohen vazhdimisht mbi modelin e nënës Afërditë. Fakti që edhe pas ndarjes, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht te Psika, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e quan zëvendësim nëne, gjë qё e kthen mashkullin në Don Zhuan, gjithmonë në kërkim të imazhit të nënës. Po tek Erosi nëna zëvëndësohet një herë e mirë me Psikën e cila përmbush objektin ideal. Edhe vetë ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve mund tё interpretohet me teorinё frojdiane, sipas sё cilёs ndarja kёrkohet kasten si barrierё artificiale.

Nga ana tjetër, po psikoanaliza do e çonte edhe më larg konceptin e mitit. Me interpretimin e saj ajo do të vërtetonte edhe një herë se njeriu, si ai primitiv ashtu edhe ai modern, priret tё shprehё nënndërgjegjen nëpërmjet mitit, ëndrrave apo artit. Ёndrra, mitologjia, arti rrjedhin të gjitha nga nënndërgjegjja. Ato tregojnё e zbulojnë një botë e cila nuk do të shpjegohej ndryshe.

Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije. Vetё miti nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai thjesht pёrfytyrimi i Psikës për dashurinë, një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj?! Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një fantazi erotike e Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Sipas Freud-it, figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura dhe të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpër shtegun e ëndrrave. Ёndrra është valvula e ndjenjave tona. Ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë saj ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk pranojmë t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi, jo e një vullneti shumë të lartë hyjnor, mbinjerёzor, por shpesh e një dëshire të brendshme e të fshehtë të njeriut. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës, të natyrës së pavetëdijshme. Sipas këtij shpjegimi, i gjithë miti kthehet në një simbol të fuqishëm, në të cilin njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme.

Nё ёshtë shpirti që nxit epshin, apo e anasjellta, këtë mitet e kanё pasur të vështirë ta shpjegojnë. Pёr fatin tonё, ato na e kanë bёrё të qartë, qysh herёt, lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike. Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi).

Filed Under: Kulture Tagged With: Dashuria në mitet antike greke, Iris Halili

Kush jemi ne shqiptarët?

February 11, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Ne jemi nga europianët më të lashtë, kemi qënë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar ashtu siç rigjenerohet një plagë. Kur u shkëputëm me dhunë nga Europa i fshehëm në gji veglat e ndërtimit të shpirtit europian, që i morëm nga tryeza e Rilindjes Europiane, ku ishim pjestarë me karrigen tonë në kohën e Skënderbeut. Me këto vegla improvizuam diçka të re, një shpikje tonën, harmoninë dhe tolerancën mes katër feve, a ndoshta pesë apo gjashtë, nëse do të shtojmë sot edhe hebrenjtë e Shqipërisë që janë ringjallur si komunitet dhe protestantët. Ne jemi një popull i kontrasteve. Kontrastet ekzistojnë dhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar por individualistë, bujarë, por vuajmë nga kotësia, mikpritës, por edhe hakmarrës, e mbajmë fjalën por jemi edhe dyshues, mund të shkojmë deri në fund të botës, por nuk duam t’ ia dimë çfarë bëhet pas gardhit të shtëpisë sonë, jemi trima, por në betejat që i zgjedh vetë secili nga ne. Akoma doni të dini kush jemi ne shqiptarët? Për t’ ju përgjigjur kësaj pyetjeje, nëse nuk besoni ato që themi ne shqiptarët, duhet të lexoni Bajronin, Ismail Kadarenë, si dhe të bëni atë që bëhet në çdo vend të botës, kur kërkohet të njihen banorët e tij, të kërkoni për të lëxuar libra që i përgjigjen kësaj pyetjeje. Nëse ky libër imi është i vetmi në qarkullim që i përgjigjet kësaj pyetjeje ky nuk është faji im, është në njëfarë mënyre një pjesë e përgjigjes së pyetjes se kush jemi ne shqiptarët? Ne mendojmë shumë se çfarë thonë të huajt për ne, por nuk mendojmë shumë për të kuptuar vetveten. Të gjithë popujt sigurisht janë të interesuar se çfarë thonë të huajt për ta, por ato që thonë të huajt i gjykojnë me sy kritik. Ashtu siç e gjykojnë edhe veten. Ne akoma nuk kemi mësuar ta bëjmë këtë gjë. Nëqoftëse unë kam arritur ta bëj pak këtë gjë në këtë libër atëherë ia kam arritur objektivit tim modest që kisha kur shtrova për përgjigje pyetjen aspak modeste antropologjike “Kush jemi ne shqiptarët?”

Filed Under: Sociale

TECHNOLOGY REVIEW (1984) / FJALIMI PËRKUJTIMOR I HAROLD E. EDGERTON NË ZYRAT E TIME—LIFE PËR NDARJEN NGA JETA TË GJON MILIT, MIKUT DHE BASHKËPUNËTORIT TË TIJ MË TË MIRË

February 11, 2023 by s p


Burimi : Technology Review (1980-03), botuar nga Massachusetts Institute of Technology. — Fotografi : © Edward J. Alshut
Burimi : Technology Review (1980-03), botuar nga Massachusetts Institute of Technology. — Fotografi : © Edward J. Alshut

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Shkurt 2023

“Technology Review” ka botuar, në gusht të 1984, në faqen n°63, fjalimin përkujtimor të Harold E. Edgerton (“babai i blicit”) në zyrat e Time—Life me rastin e ndarjes nga jeta të Gjon Milit, mikut dhe bashkëpunëtorit të tij më të mirë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : Technology Review (1984-08), botuar nga Massachusetts Institute of Technology
Burimi : Technology Review (1984-08), botuar nga Massachusetts Institute of Technology

Gjon Mili vdiq në shkurt të vitit 1984 pas një sëmundje të gjatë. Në një shërbim përkujtimor në ndërtesën Time-Life më 11 prill, Harold E. Edgerton bëri komentet e mëposhtme për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të mirë.

“E mbaj mend kontaktin tonë të parë disa vite pas diplomimit. Të dy ne kishim planifikuar të flisnim për pajisjet speciale të ndriçimit me blic përpara takimit të Shoqatës së Ndriçimit (Illumination Society) të mbajtur në M.I.T.

Gjoni ishte i pari në program dhe prezantoi një punim mbi një burim llambe me zhivë (merkur), i cili u ndez në linjë pa “ballast”. Ky prodhoi një blic të dhunshëm të ndritshëm që mund të përdorej si burim fotografie. Rezistenca e linjës kufizoi rrymën maksimale. Fatkeqësisht, linja e M.I.T. kishte një rezistencë shumë të ulët, kështu që rryma e pikut u ngjit në një vlerë anormale dhe shpërtheu siguresat e qarkut të ndriçimit. Errësira mbizotëronte.

Unë isha i radhës në program dhe kisha planifikuar të prezantoj një punim për sistemin e ri elektronik të flashit. Teksa po flisja në errësirë, dikush ndërroi siguresat, dritat u ndezën dhe unë më pas munda të tregoja diapozitivët dhe demonstrimet e mia. Sapo kishim bërë llambat tona të para me argon, të cilat ishin një përmirësim i jashtëzakonshëm krahasuar me llambat e mëparshme të merkurit të ndjeshme ndaj temperaturës dhe boshllëqeve të shkëndijave të ajrit.

Gjon tregoi një interes të madh për sistemin stroboskopik dhe pyeti se si mund të fillonte. I thashë se do t’i jepja një grup dritash (llambash) stroboskopike nëse ai do të hapte një studio në New York City. Siç e dini shumë prej jush, ai e bëri këtë dhe më vonë shkroi për të në librin e tij, “Photographs and Recollections” (1980, N.Y. Graphic Society).

Prova jonë e parë së bashku ishte në Nju Jork në një studio miqsh. Unë mora me vete në tren një blic me dy drita argon nga Bostoni. Mili e përçmoi përdorimin e një drite. Fotografia që rezulton e një balerini tregohet në librin e tij në faqen 20 dhe në faqen 105 të librit tim, “Electronic Flash, Strobe” (M.I. T. Press).

Gjon dëshironte gjithmonë të përmirësonte teknikën e fotografimit. Për shembull, pasi provoi me sukses njësinë e dritës së dyfishtë, ai këmbënguli që pesë drita ishin minimumi për përdorim profesional. Kështu që bashkëpunëtorët e mi Ken Germeshausen dhe Herb Grier nxituan dhe i realizuan atij një strob (blic) të madh me 5 njësi. Unë mendoj se ai u befasua me shpejtësinë. Kjo njësi ishte e mirë për studion e tij, një restorant kinez i braktisur në Rrugën 23, por ishte shumë e madhe për t’u transportuar në misione (punë).

Po mendoja se sa e mrekullueshme do të kishte qenë të kisha pasur një videokasetë të Gjonit gjatë disa leksioneve/demonstrimeve të tij me studentët e M.I.T.-it. Ai ishte gjithmonë shumë entuziast kur bisedonte me ta. Ai do të ishte bërë një mësues i shkëlqyeshëm.

Ekspozitat e shumta të fotografive të tij të mrekullueshme, së bashku me disa libra të tij, kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në shumë e shumë njerëz. Gjon Mili do të na mungojë të gjithëve.” — Joseph C. Burley, Sekretar, Kutia 416 RFD #3, Epping, N.H. 03042; Lawrence B. Grew, Ndihmës Sekretare, 21 Yowago Ave., Branford, Conn. 06405; Prentiss I. Cole, Ndihmës Sekretare, 2150 Webster sr.. Palo Alto, CA 94301.

Filed Under: Histori

LIBRI I PROF. DR. ISAK SHEMËS ‘VEPRIMTARIA E FAIK KONICËS-BRUXELLES 1896-1902’ NJË KONTRIBUT I RËNDËSISHËM NË FUSHËN E KONICOLOGJISË

February 11, 2023 by s p

https://kallxo.com/wp-content/uploads/2019/03/Faik-KOnica.jpg
Image may contain: 1 person

PROF. DR. ISAK SHEMA

https://filolet.com/wp-content/uploads/2017/10/Xhemail-Peci.png

Shkruan: Xhemail Peci

NE DITËLINDJEN E 83-të TË PROFESOR ISAK SHEMËS

Duke përkujtuar Konicën, i cili sipas Apolinerit: “Është shqiptari më erudit i Europës” dhe “enciklopedi lëvizëse”, sot ndjejmë krenari të ligjshme. Fan Noli shkruan në Hyrje të librit “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”:”Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve. Me madhështinë e tij si krijues Konica është prore i pranishëm në jetën tonë kulturore dhe shkencore. Me krijimtarinë e tij letrare ai kthehet ngadhënjimtar në Historinë e letërsisë shqiptare. (Prod. Dr. Isak Shema: ‘Faik Konica personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe evropiane’)

Duke qenë në vazhdimësi i përkushtuar në studimin e vlerave të mirëfillta letrare dhe kulturore, si të traditës e gjithashtu edhe atyre bashkëkohore, por duke shfaqur në vijimësi prirjen e tij të theksuar për të vlerësuar dhe përkujtuar në vazhdimësi këto vlera madhore, prof. dr. Isak Shema me studimin e tij kushtuar veprimtarisë së Faik Konicës, ka ofruar një kontribut të ri dhe mjaft meritor. 

E veçanta e këtij studimi është kundrimi i shumanshëm i figurës poliedrike të Faik Konicës. Ky personalitet me përmasa të mëdha në fushën e letrave shqipe, si dhe në ate të publicistikës, të diplomacisë,  të përkthimeve, të hulumtimeve dhe të gjurmimeve nëpër arkiva, në dritën e studimit të dr. Isak Shemës, jo vetëm që nderohet por edhe me të drejtë lartësohet për kontributin e tij të pamhoueshëm.

Duke e cilësuar atë si eseist dhe pamfletist mjaft të zotin, duke sjellur risi nga jeta dhe krijimataria e tij e larmishme letrare dhe publicistike, sikurse edhe nga veprimtaria e tij e bujshme atdhetare, studiuesi Isak Shema e shpalos figurën e Faik Konicës prej një personaliteti të shquar të kohës, i cili me peshën e mendimit të tij intelektual sikurse edhe me përmasën e guximit të tij atdhetar, arriti që të përfaqësonte çështjen shqiptare duke i njohur mjaft mirë rrjedhat politike të kohës në raport me interest e Turqisë, Italisë, të Austro-Hungarisë, apo edhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

Studiues i përkushtuar i jetës dhe veprës së Faik Konicës

Në këtë vepër me mjaft interes për Faik Konicën, dr. Isak Shema dëshmon se ky shkrimtar dhe erudit shqiptar ka qenë objekt i përhershëm i interesimeve dhe studimeve të tij. Që në ‘Parathënie’ të librit, dr. Isak Shema vë në pah aktivitetin e shumanshëm të Konicës, duke theksuar se:

‘Faza e parë e angazhimit patriotik të Faik Konicës në Bruksel gjatë është ajo e periudhës kohore 1896-1902, kur autori është marrë me krijimtari letrare, kulturore, gjuhësore, me veprimtari publicistike etj., e cila ka qenë shumë e rëndësishme për njohjen e qytetërimit shqiptar, për formimin e lëvizjes shqiptare për liri, pavarësi kombëtare dhe për emancipimin e gjithanshëm kulturor, shoqëror, politik, si dhe për afirmimin ndërkombëtar të popullit shqiptar, të Shqipërisë, të viseve të tjera shqiptare dhe të mbarë diasporës së shpërndarë në Europë, në SHBA dhe në kontinente të tjera të botës’.

Duke e vënë figurën poliedrike të Faik Konicës në një prizëm të tillë vrojtues, studiuesi i përkushtuar i jetës dhe i veprës koniciane, e kundron këtë erudit të rrallë në përmasën e tij të plotë, duke vënë kështu në pah kontributin e veçantë si studiues dhe publicist me një gamë mjaft të gjerë të shkrimeve: ‘Konica shquhet si hulumtues dhe autor i zellshëm i shkrimeve për historinë e Shqipërisë. Duke gjurmuar në arkiva, në muze, në biblioteka të ndryshme, gjen material për ngjarje dhe për figura të ndryshme historike. Artikujt me tema të historisë janë të shumtë dhe janë botuar në organe të shtypit dhe të periodikut shqiptar, por edhe në ato të vendeve të ndryshme në gjuhë të huaja. Të kujtojmë me këtë rast shkrimet për flamurin shqiptar (Konica zbuloi Flamurin Kombëtar dhe më 15 shkurt 1909 botoi punimin “Shqipëria ka një flamur authentik”), për jetën, portretin autentik dhe për armët e Skëndërbeut, portretet për shqiptarë të shquar, artikullin për Patrikun shqiptar, shkrimet për arbëreshët e Zarës, për ngulmimet e tjera shqiptare, për humanistët shqiptarë dhe për mesjetën shqiptare në përgjithësi, për Rilindjen Kombëtare dhe për çështje të veçanta të historisë dhe të qytetërimit shqiptar. Dokumentet e panjohura për Shqipërinë, që i publikon Konica, kanë vlerë të madhe për studimin e historisë së popullit shqiptar. Vlerë të madhe për historinë, për kulturën dhe për shkencën shqiptare kanë shkrimet “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, “Gjermania dhe Shqipëria”, “Shqipëria si m’u duk”, “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës juglindore” etj. “

Nga kjo shkëputje e parathënies së librit, vërehet qartë se dr. Isak Shema parapëlqen të shpalosurit në plotni të veprimtarisë së shumanshme të Konicës. Duke qenë studiues i përkushtuar për të bërë sintezën e figurave të shquara kombëtare, ai e ka dëshmuar zotësinë e tij të admiruar për të mos lënë asgjë mangut në vlerësimin e kontributit të Konicës. Së këndejmi, ai e paraqet Faik Konicën me të gjitha përmasat të cilat e shquanin dhuntinë e tij:

“Faik Konica zhvilloi veprimtari të gjerë kulturore, letrare, publicistike dhe shkencore. Ai shquhet edhe me veprimtarinë e dendur diplomatike.

Në fushën e publicistikës që nga viti 1896 angazhohet me tërë qenien e vet për botimin e organeve të ndryshme publicistike. Kontributi i tij si poet, prozator, kritik letrar, pamfletist dhe si përkthyes është shumë i madh. Njëzet poezitë dhe prozat e tij poetike, sajojnë një vëllim poetik, në të cilin trajton motive dhe tema të larmishme. Portretet letrare dhe prozat e shkurtra, të shpërndara në shtypin dhe periodikun e kohës, si dhe poezia bëjnë një një vepër të veçantë letrare.”

Tek ndalet kështu në meritat dhe në vlerat e veçanta ideo-estetike të Konicës, dr. Isak Shema përkujton me të drejtë se Faik Konica “ka përkthyer disa artikuj të filozofëve dhe dijetarëve botërorë.”, kurse tek proza satirike ai vëren prirjen e Konicës “për humor dhe satirë”. Ndërkaq, lidhur me prozën poetike, me të drejtë thuhet se: “Përshkrimet e bukura të natyrës, lirizmi i theksuar, stili dhe gjuha e pasur, janë veçori artistike të disa prozave që kanë vlerë antologjike. Dashuria e madhe për vendlindjen, për Atdheun, që ka bukuri të jashtëzakonshme natyrore, shkrihen me mallin e pashuar kurrë ndaj atdheut.”

Edhe në shkrimin tjetër, të titulluar “Faik Konica-personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe europiane”, autori i librit pasi përkujton se ai “me të drejtë është quajtur “princi i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare”, shquan meritat e Konicës si kritik: “Konica si kritik letrar i vë bazat e kritikës letrare dhe e afirmon ate në planin kulturor dhe shkencor. Librin e vlerëson si një “monument” të rëndësishëm. I tillë është edhe opusi krijues i këtij autori të famshëm të shekullit XIX.”

Ndërkaq në shkrimin e titulluar “Vlerësime të Faik Konicës për veprimtarinë e Jeronim De Radës, dr. Isak Shem ka përdorur një term nga më të veçantit në vlerësimin e kritikës koniciane:

“Duke dhënë shpjegime lidhur me veprën e dijetarit Dr. Mikele Markiano: “L’Albania e l’opera di Giroliamo De Rada” në shënimet bibliografike dhe sidomos në artikullin “A propos d’un livre italien”, po ashtu vlerëson me sy kritik këtë botim dhe shpreh mendime për De Radën. Në këto shkrime Konica kultivon kritikën e kritikës”.

Konica vlerësohet gjithashtu edhe për meritat e tjera: “Faik Konica është njëri ndër përkthyesit më të shquar.”, “Konica njihet si hulumtues dhe autor i zellshëm i shkrimve për historinë e Shqipërisë”, “Faik Konica ka nohur shumë krijues të shquar dhe ka komunikuar me shumë personalitete të shumta të kohës kur ka jetuar dhe vepruar. Letërkëmbimi i tij është shumë i pasur. Ai u ka dërguar letra dhe materiale të ndryshme bashkëkombësve të vet, diplomatëve, shkrimtarëve, asrtistëve, albanologëve të njohur, publicistëve, shhkencëtarëve, burrave të shtetit, diplomatëve dhe sidomos figurave të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, “Konica mbajti korrespondencë edhe me dijetarë të shquar, profesorë të universiteteve dhe albanologë të njohur, siç janë: Albert Thumb, Emil Legrand, Holger Pedersen, Jan Urban Jarnik, Julius Pisko, Lui Benlev, Max Muller, Mishel Breal, Ogyst Dozon, Viktor Anri, Zhyl Oper etj.”.

Revista “Albania” dhe sfondi i saj

Studiuesi i jetës dhe veprës së Faik Konicës ndalet veçmas tek qendra e kohës, duke theksuar se: “Brukseli, ku doli për herë të parë “Albania” dhe shumë revista e gazeta të huaja, ka qenë në të kaluarën dhe ka mbetur gjithnjë si qendër e rëndësishme midis Parist dhe Londrës. Nëse nuk ka arritur t’u dalë para, së paku i ka imituar, ka qëndruar në hijen e tyre, me të gjitha ngjrat konvencionale dhe moderne të jetës shoqërore, politike dhe kulturore”.

Më tej, duke iu qasur kontributit të revistës “Albania”, vihet në të pah se: “Revistën e mbajtën patriotët e shquar të lëvizjes patriotike kombëtare dhe shkrimtarët e Rilindjes, duke i siguruar asaj karakterin kombëtar dhe rolin pozitiv gjatë kohës së botimit dhe më vonë. Në ato rrethana specifike aty botuan punimet e tyre edhe albanologët e huaj. Konica “Albaninë” e konsideronte si armë të mëmëdhetarëve shqiptarë në luftë për pavarësi dhe emancipim të përgjithshëm kombëtar”.

Fjala vjen, duke e vlerësuar “Albaninë” e Konicës, prof. dr. Isak Shema thekson me të drejtë se ky “thesar i çmuar kulturor u ka mbetur të gjithë brezave, trashëgim nga tradita pozitive e periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.

Revistën “Albania” të Faik Konicës, prof. dr. Isak Shema e vlerëson si “monumentin e puublicistikës shqiptare” si dhe njërën “prej revistave më të njohura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. 

Ky mendim dëshmon sërish predikimin që Konica i kishte bërë revistës së tij, se Albania “këtu e 6 muaj do të bëhet një gazetë aq e vlefshme, sa s’ka nër popujt e tjerë të Ballkanit” (Përparimi i shqipes).

Në mënyrë të veçantë, dr. Isak Shema vë re se: “Nëse shikohet me kujdes piktura që bëri Nocquet për faqen e parë të “Albanisë” vërehet qartazi figura qendrore e vendosur në plan të parë: shqiptari me kostumin kombëtar i cili mban armën në njërën dorë dhe në tjetrën librin e hapur, për të treguar dy synime themelore të rilindësve. Portreti i Skëndërbeut është vendosur në kornizë të rrumbullakët, të cilin e rrethon një shirit me mbishkrimin: Gjergj Kastrioti i thanun Skënderbeg.”

Krahas kësaj, gjithashtu vihet në pah edhe ana tjetër e sfidave të mëdha që kishte Faik Konica:

“Gjatë vitit 1901 dolën edhe disa vështirësi lidhur me botimin e “Albanisë”. Faik Konica ishte i ndjekur nga qeveria turke. Legata e Turqisë për dënimin e Konicës e njofton zyrtarisht Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës. Në raportin nr. 6090 të dates 13 gusht 1901 të sekretarit të përgjithshëm, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, shkruhet se kryeredaktori i gazetës revolucionare “Albania”, që botohet në Bruksel, është dënuar me vdekje nga gjykata kriminale e Konstantinopojës, dhe shton se ky njoftim është i dobishëm për administratën e sigurimit publik”.

Lidhur me këtë, jepet edhe një detaj tjetër: “Kështu për shembull, gazeta turke “Ikdam” e vitit 1901 kishte shpallur dekretin e Sulltanit, ku për shkak të ikjes dhe për shkak të shkrimeve me përmbajtje armiqësore kundër Turqisë, Faik Konicën e kishte dënuar me dënimin më të rreptë, me vdekje”.

Faik Konica zbuloi Flamurin Kombëtar

Në vazhdën e një vlerësimi të tillë prej figure poliedrike, autori i librit e shfaq në plotni përmasën e përkushtimit të Faik Konicës: “Konica shquhet si hulumtues dhe autor i zellshëm i shkrimeve për historinë e Shqipërisë. Duke gjurmuar në arkiva, në muze, në biblioteka të ndryshme, gjen material për ngjarje dhe figura të ndryshme historike. Artikujt me tema të historisë janë të shumtë dhe janë botuar në organe të shtypit dhe të periodikur shqiptar, por edhe në ato të vendeve të ndryshme në gjuhë të huaja. Të kujtojmë me këtë rast shkrimet për flamurin shqiptar (Konica zbuloi Flamurin Kombëtar dhe më 15 shkurt 1909 botoi punimin “Shqipëria ka një flamur autentik”), për jetën, portretin autentik dhe për armët e Skëndërbeut, portretet për shqiptarë të shquar, artikullin për Patrikun shqiptar, shkrimet për arbëreshët e Italisë dhe për arbëneshët e Zarës, për ngulimet e tjera shqiptare, për humanistët shqiptarë dhe për Mesjetën shqiptare në përgjithësi, për Rilindjen Kombëtare dhe për çështje të veçanta të historisë dhe të qytetërimit shqiptar. Dokumentet e panjohura për Shqipërinë, që i publikon Konica kanë vlerë të madhe për studimin e historisë së popullit shqiptar. Vlerë të madhe kanë shkrimet “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, “Gjermania dhe Shqipëria”, “Shqipëria si m’u duku”, “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” etj.’

Dy dashuritë e Faik Konicës: Sophie Annette Hygo (në Francë) dhe Marie Forbes-Rodhna (në Londër). Faik Konica mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, si dhe mes flakëve të Amorit

Përveç ofrimit të të dhënave të dokumentuara arkivore reth qëndimit të Faik Konicës në këto dy epiqendra mjaft të rëndësishme europiane, studiuesi Isak Shema ka shpalosur detaje mjaft interesante edhe lidhur me jetën personale të Konicës, i cili përveç se një njeri me dhunti të veçantë lerare e publicistike, shafqet edhe si ‘anarkist revolucionar’, por gjithsesi edhe si një figurë mjaft komplekse për sa i takon jetës së tij intime.

Duke iu referuar vitit 1901, e në mënyrë të veçantë përndjekjes që i bëheshin një të dënuari me vdekje nga i sëmuri i Bosforit, me një përkushtim të veçantë për të kapur detaje të reja nga jeta personale e Faik Konicës, Isak Shema ka shpalosur detaje të reja mjaft interesante:

“Duke përcjellë lëvizjet që bënte ai në dy vitet e fundit, autoritetet zyrtare të qytetit të Brukselit në shkresat e ndryshme që japin edhe disa shënime, të cilat, përveç të tjerash, tregojnë edhe diçka më tepër për arsyet që e shtynë Konicën të largohet nga Brukseli më 1902 dhe të vendosej në Londër. Po në atë dosje gjejmë edhe disa të dhëna nga jeta private e familjare e Konicës. Gjatë kohës kur jetonte në Francë, kishte njohur një grua të quajtur Sophie Annete Hygon, me të cilën më 1897 kishte një djalë me emrin Henrik. Sipas një raporti tjetër të policisë së qytetit të Brukselit të dates 25 shtator 1901, i cili i dërgohet drejtorit të përgjithshëm të sigurimit publik, Konica gjendej para një ‘problemi tjetër. Zonja Macay Rodhna-Forbes, kishte arritur nga Anglia dhe në administratën komunale të qytetit kishte kërkuar disa informata lidhur me Konicën, i cili sipas fjalëve të saj të shënuara në raport, duke qenë një anarkist revolucionar, ishte redaktor i një gazete po ashtu anarkiste me titullin “Le Scandale”. Ajo pastaj shton se e bija e saj Marie Forbes-Rodhna para një kohe ishte njohur me Konicën. Nëpunësi kishte raportuar më tutje se zonjusha Forbes është shumë e pasur dhe se e ëma e saj supozon që Konica synon shfrytëzimin e pasurisë së saj. Mirëpo nga vajza, thuhet në raport, nuk është nxjerrë asnjë fjalë lidhur me të, përveç se është duke u përgatitur të shkojë për të jetuar me të dashurin e vet.

Në një shkresë tjetër të 29 prillit 1902 gjinden shënimet se gazetari i huaj, i shoqëruar nga një vajzë njëzetvjeçare, shfaq gatishmërinë ta lëshojë vendin për t’u vendosur në Londër. Shkresa e datës 16 gusht 1902 njofton se Konica nuk banonte edhe më tutje në Bruksel. Ai kishte udhëtuar në Londër, ku do të vazhdojë botimin e revistës “Albania”.

Është e udhës të theksohet se në shkrimin e tij “Ese mbi edukimin”, Konica ofron një shënim mjaft interesant, e që mund të hedhë sadopak dritë lidhur me marrëdhënien e tij bashkëshortore: “Duke qenë me një nervozizëm të skajshëm, që më bën të tronditem dhe të vuaj mjaft për shkakun më të vogël, për derisa e kam një djalë – dhe që është me nënë po ashtu nervoze, – bota e jashtme nuk do të jetë për këtë fëmijë veçse një subject trishtimi, zemërimi dhe dhimbjeje”.

Ambiguiteti i Konicës

Duke shpalosur kështu fakte dhe dëshmi të reja, bëhet e mundur të njihet më mirë dhe më gjerësisht Konica dhe pikëpamjet e tij, si pikëpamjet e tij politike, letrare, kulturore, shoqërore etj. Ajo që e shquan këtë figurë markante të letrave shqipe është jo vetëm dhuntia e tij e shumanshme por edhe prirja e përkushtimi i tij prej studiuesi, prandaj është e njohur thënia se: “Faiku ka qenë tërë jetën e tij student”.

Në qasjen e tij të njohur mjaft analitike, studiuesi Shema pohon se: “Veprat më të rëndësishme Faik Konica i ka krijuar gjatë viteve të mëvonshme, kur veprimtarinë e vet e ka vazhduar në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faik Konica ka krijuar veprat me të cilat ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqiptare. Përveç poezive, prozave të shkurtëra, artikujve kritikë dhe eseve, përkthimeve letrare, etj., Konica ka kultivuar prozën e gjatë”.

Dr. Isak Shema pohon se Faik Konica “tregoi një aftësi të rrallë për t’u marrë me gazetari”, por sa u përket pikëpamjeve të tij “politike dhe shoqërore, Konica nuk ishte konsekuent.” 

E njëjta gjë thuhet nga autori i librit edhe për programin e revistës “Albania”, duke theksuar se: “Albania kishte vënë në thumb “Armiqtë e Shqipërisë” dhe veçanërisht kishte hapur front të gjerë për ta demaskuar politikën e Turqisë në Shqipëri dhe synimet grabitçare të shteteve të tjera borgjeze. Por programi i luftës për autonomi i kësaj reviste nuk ishte konsekuent dhe i njëjtë  me atë të simotrave siç janë “Shqipëria” e Bukureshtit, “Drita “ e Sofjes, “Shpnesa e Shqypnisë”, “Kombi”, “Pellazgu”, “Shkupi” etj.”

Ai gjithashtu, në shkrimin “Faik Konica-personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe europiane”, ka vënë në pah qëndrimin paksa kontraverz të Konicës lidhur me dy poetët tanë kombëtarë:

“Në veprën Shqipëria-kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” të Konicës përfshihet vështrimi me titullin “Gjuha dhe letërsia”. Aty jep edhe një pasqyrë të zhvillimit të letërsisë shqipe që nga fillimi i shkrimit të veprave të para letrare dhe deri te opusi letrar dhe i përkthimeve të Fan S. Nolit. Shkruan edhe për letërsinë e shkeullit nëntëmbëdhjetë, “kur u bë rilindja e gjuhës kombëtare”, dhe për romantizmin shqiptar, por nuk jep asnjë informacion shkencor për krijimtarinë e Jeronim De Radës dhe as për atë të Naim Frashërit, të këtyre dy autorëve “të letërsisë individuale apo të shkruar”, për të cilët ka shkruar shkurt në v.shtrimin “Letërsia shqiptare”, të botuar në numrin e parë të revistës “Albania”.

Qëndrimi ndaj Ismail Qemalit

Edhe lidhur me këtë çështje, e cila është rrahur mjaft në fushën e publicistikës shqiptare, dr. Isak Shema paraqet mjaft qartë sfondin e raporteve mes Faik Konicës e Ismail Qrmalit:

“Ismail Qemali duke shkuar në Londër, ishte ndalur në Bruksel. “Albania” nr. 8, e vitit 1990 shkruan nën titullin “ismail Bej Vlora”: “Ky shqiptar i ndershëm vate në London duke shkuar nga Brukseli, dhe patëm pra nderin të piqemi e të kuvendojmë me Z.T. gjer e gjatë për punët e Shqipërisë. Shumë njerëz me shkallë të lartë e kanë për së largu famën më të madhe se vlerën e vërtetë. Ismail Qemal Begu përkundra, sado që e ka të madhe famën, edhe më tepër e ka vlerën, dhe u gëzuam e na u ngroh zemra duke parë se Shqipëria mund të mburret që ka një djalë me mendime aq të shëndosha e me zemër aq mirë të lindur.” Të dhëna të tjera lidhur me qëndrimin e Faik Konicës ndaj Ismail Qemalit nuk ekzistojnë. Por dihet se përpjekjet e Ismail Qemalit për të bashkuar patriotët shqiptarë nuk u pritën mirë nga Konica. Skënder Luarasi pohon përveç të tjerash në monografinë e tij se “në fillim duket sikur redaktori i “Albanisë” u tregua entuziast ndaj Ismail Qemalit, por dihen përpjekjet e tij të mëvonshme e të vazhdueshme për të diksredituar Ismail Qemalin. Në fund të fundit kjo e kishte burimin në pakënaqësinë e Faik Konicës dhe të zotërve të tij të cilët e urrenin Ismail Qemalin për rezervat e shumta që çfaqte ai ndaj politikës ekspansioniste të Austro-Hungarisë në Ballkan”.

Faik Konica për Jeronim De Radën

Një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe mendimit të Konicës për De Radën. Në shkrimin “Vlerësime të Faik Konicës për veprimtarinë e Jeronim De Radës”, dr. Isak Shema i qaset kësaj çështjeje duke e kundruar atë në plotninë e saj por edhe nga prizmi krahasimtar, pra duke përmendur edhe studimet e Jup Kastratit e të Martin Camajt.

Kështu, ai shquan mendimin e Konicës për bardin e madh: “Jeta e Radës-shkruan Konica, është e kulluar si ujët e një kroi ndër malet. I lindur, prej rrënje shqiptare, në Macchia Albanese, katund i vogël i Kalabrisë, më 1814, që në vjetët e djalërisë mendja e tij, zemra e tij e sytë e tij u kthyen në Shqipëri, te vendi i stërgjyshërve”. 

E veçanta e këtij kundrimi është fakti se autori i librit ia ka dalur të kapë pikat kryesore të vlerësimeve të Konicës për De Radën. Ai e ka bërë këtë duke u ndalur me thekse të veçanta tek vlerësimi që Konica i bënte De Radës për atdhedashurinë e tij: 

“Po ku është madhëria e Radës? Një dashuri e nxehtë por kurrë të lodhur për Shqipërinë. Ky plak 90 vjetësh, kish edhe për atdhenë e shkretë një zemër 20 vjetësh djalë. Ç’bukuri në këtë jetë të kthyer tri të katërta shekulli me një mendim të mbështetur me një shpresë. Ç’mësim i madh për ne të gjithë…Poetit të shkëlqyer, Jeronim de Radës, megjithqë koka e tij është bardh si bora nga flokët e thenijur, zemra s’i ka pushuar së luftuari për atdhe…Këtij shqiptari të vërtetë, le t’i falemi, O Shqiptarë!”

Nuk është rastësi pse janë përzgjedhur me një shije shumë të rrallë mendime e vlerësime të tilla të Konicës për De Radën. Duke ndjekur një qaje të tillë, studiuesi i veprës koniciane në të vërtetë riaktualizon vlerësimin dhe përkujtimin e figurave madhore të letrave shqipe. Nga ky prizëm, dr. Isak Shema nënvizon faktin se për Faik Konicën, Jeronim De Rada ishte një shqiptar i madh. E për më tepër se kaq, për Konicën: “Rada, pra është nër ata të rrallët e Italisë që mund të thuhen me të vërtetë jo vetëm shqiptarë, por atdhetarë shqiptarë”. 

Në vështrimin e studiuesit të përkushtuar të jetës dhe veprës së Faik Konicës, poezia dhe atdhedashuria e De Radës shkrihen e bëhen një në vlerësimet e Konicës: “Poezia e De Radës, pohon Konica…me bukuri të madhe…na vë përpara syve një pamje të bukur e të gjallë, na kujton katundet ku, me të rënë të natës, në verë, dyert happen te shtëpiet, dritët ndizen, edhe fshatarët dalin në parqe…”

Megjithatë, autori nuk lë pa përmendur qëndrimin paksa kontradiktor të Konicës në vështrimin “Gjuha dhe letërsia” (në veprën “Shqipëria-kopësht shkëmbor i Europës Juglindore). Me të drejtë pohohet se Konica: “Shkruan edhe për letërsinë e shekullit nëntëmbëdhjetë, “kur u bë rilindja e gjuhës kombëtare”, dhe “për romantizmin shqiptar, por nuk jep asnjë informacion shkencor për krijimtarinë e Jeronim De Radës dhe as për atë të Naim Frashërit, të këtyre dy autorëve “të letërsisë individuale apo të shkruar”, për të cilët ka shkruar shkurt në vështrimin “Letërsia shqiptare”, të botuar në numrin e parë të revistës “Albania” më 1897”.

Më konkretisht, studiuesi Shema ndalet edhe më thellë në zbërthimin e kontardiktës koniciane lidhur me vlerësimin ndaj De Radës: 

“Konica në shkrimin “Giroliamo De Rada” është mjaft kontradiktor në vlerësimin e veprave të Jeronim De Radës, sepse në mënyrën e vet, nuk e ka spikatur sa duhet apo e ka mohuar vlerën e lartë të krijimeve artistike të tij. “Për të folur vërtet, shkruan Konica, vlera e këtyre librave s’na duket aq e madhe”. Edhe për gjuhën e poetit të madh ka pohuar: “Gjuha e Radës është shqip vetëm nga rrënja e fjalëve, po këto fjalë nuk janë aq të ndryshuara ndë pendë të tij e aq ligsh të lidhura, sa merren veshme të vështirë a s’merren vesh fare. E mjerisht – vallë pse? Ndofta nga vobësia – s’vajti as kurrë në Shqipëri, që ta kish ndrequr gjuhën e tij. Sikur të kish bërë një udhëtim gjashtëmuajsh te vendi i të parëve, do të kishim sot në gjuhën tone disa libra që mund të ishin kryepunëra”.

Duke gjykuar midis dy kolosëve të letrave shqipe, dr. Isak Shema tregohet objektiv në vlerësimin e tij. Ai nuk e mbanë anën e askujt por shpalos fakte dhe argumente, mendime dhe opinione të mbështetura në parime të mirëfillta vlerash ideo-estetike. Ai përkujton me të drejtë bashkëpunimin e frytshëm që kishin këto dy figura eminente të kulturës shqiptare: “Bashkëpunimi i Jeronim De Radës me revistën “Albania” që nga numri i parë i saj, tregon përkushtimin e madh të këtyre dy shkrimtarëve të famshëm në veprimtarinë kulturore dhe publicistike. Në letrën e Konicës, drejtuar De Radës më 23 qershor 1897, shprehet admirimi ndaj veprës së poetit arbëresh dhe i kërkon dy fotografi”.

Pikëpamjet e Faik Konicës për gjuhën shqipe:

Duam të flasim e të shkruajmë një shqipe të qëruar: në e trazofshim me greqisht, turqisht, italisht e me të tjera gjuhë, më mirë ta lëmë fare shqipen (1899)

Me thekse të veçanta është ndalur autori i librit tek qëndrimi i Konicës për gjuhën shqipe:

“Konica pohon se kishte ndërmend tërë jetën t’ua kushtonte “mundimeve mendtare” që të mos hyjë në shërbim të Sulltanit. Ëndërronte gjithashtu të merrej me botimin e një gazete apo reviste të përkohshme shqipe, por duke konsideruar këtë punë si shumë të vështirë në ato kushte, nuk kishte pasur guximin t’ia fillonte punës: “…po duke pare dite për dite ngazetat se Schipetaret s’kanë ghue – shkruan Konica – s’eshte deghuar të kete zene ne schiptar të punojë per komin e tij ene mij ter tier ate verteta, m’u ndez ghaku, nuk durova dot, i bëra therore te gjitha e erdha ketu (në Bruksel-I.Sh.) në fund të motit 1896 të nis “Albanien”.

Nga ky prizëm, studiuesi Isak Shema vëren me hollësi se Faik Konica: “Qysh në fillim ishte i preokupuar edhe me problemin e zhvillimit të mëtejmë të gjuhës shqipe dhe të pasurimit të saj. “Gjuhën – shkruan Konica – ashtu si e lanë stërprindërit t’anë t’eger para Krishtit, ashtu e gjeta, pa mundur të thoshe mendimet e tua, pervesh se për t’shkruar lutie e kenege per dërvise”.

Vrojtuar nga ky prizëm, autori vë në pah se: “Çështja e përpilimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe problemi i gjuhës letrare qenë preokupimi i vazhdueshëm i revistës “Albania”. 

Ndërkaq, në shkrimin “Vlerësime të Faik Konicës për veprimtarinë e Jeronim De Radës”, nënvizohet thënia e cila e shpalos gjithë admirimin për prijatarët e gjuhës mëmë: “Qofshin të paharruara për jetë në kujtim të kombit emrat që hapnë udhrat për përparimin e gjuhës shqip”, shkruan Konica”.

Në pjesën e shkrimeve “Për gjuhën dhe letërsinë”, është ofruar gjithashtu një përzgjedhje mjaft e qëlluar e shkrimeve të Faik Konicës për çështjet gjuhësore dhe letrare. Edhe në këto shkrime vërehet dhuntia për gjuhën por edhe zotësia për qasje mjaft analitike si dhe kërkesa e drejtë dhe gjithmonë aktuale për shkrirjen e dy dialekteve.

Në shkrimin “Dialektet e Shqipërisë dhe nevoja e shkrirjes së tyre”, Konica paralajmëronte me të drejtë se: “të përpiqesh të të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij.”

Duke e vënë theksin e tij për një afrim të dy dialekteve, ai vinte në pah qëllimin sublime: “Puna është që të krijohet, përtej bashkëjetesës paralele të të dy dialekteve, një gjuhë letrare e shkruar e cila të jetë e njëllojtë për t. gjithë Shqipërinë”.

Për Faik Konicën: “Rrjedha e gjerë dhe fisnike, sado që pak e rëndë, e gegërishtes duket se i përshtatet ritmit të mendimit dhe të ndjenjave”. Ndërkaq, duke kërkuar një gramatikë të përbashkët ai kërkonte edhe një gjuhë të përbashkët: “E vetmja rrugëdalje, që është edhe më praktikja, do t’ishte përpilimi i një gramatike, e miratuar nga shqiptarët e shkolluar dhe albanologët, në të cilët të gjitha elementet dialektike, të mpleksura në një grup, të pajtuara dhe të bashkërenditura, duke ndjekur një metodë racionale dhe shkencore, do të krijonin një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, siç është Koine glossa e grekëve”.

Faik Konica shprehte gëzimin e tij dhe admirimin për përpraimin e gjuhës shqipe: “Tani, pa fjalë, dëshira e gjuhës shqip hyri në gjithë zemrat e shqiptarëve të mësuar” (Përparimi i shqipes).

Në shkrimin “Letërsia shqiptare”, duke bërë fjalë për prozën, përderisa për Nikolla Naum Naçon shprehet se “kontribuoi në formimin e gjuhës së polemikës në shqip”, tek i ka vlerësuar përkthimet e Konstantin Nelko Kristoforidhit, Faik Konica me të drejtë e ngre në paidestalin që i takon, babain e gjuhës shqipe: 

“Edhe pse në shqip nuk ka vepër origjinale të lexueshme në prozë, megjithatë mund të themi se ajo ka rritur një shkallë të konsiderueshme të përsosjes me përkthimin e Evangjelëve nga Konstantin Kristoforidhi i Elabasanit, përkthim gjenial dhe, kjo fjalë e marrë në kuptim relative, nuk është e tepërt, sepse ka kohë që në gjuhë të tjera, fjala e Dijetarit po dobësohet dhe po bëhet banale, në versionin e Kristoforidhit, ajo ka një fuqi hyjnore dhe një graciozitet mallëngjyes e bindës që na step, e sidomos pasazhi (Predikimi në Mal, për shembull) që këtu me siguri është më superior ndaj tekstit grek. Për të vështruar rëndësinë që ne ia atribuojmë Kristoforidhit, duhet të kemi ndër mend vendin që Amyot, Përkthyes i Plutarcut, mban në letërsinë frënge. Po ashtu i jemi mirënjohës të Madhes Shoqëri Biblike të Londrës, e cila pati mirësinë t’i përkrahë përkthimet e Evangjeleve të Kristoforidhit”.

Ndërkaq, në shkrimin e tij të njohur, të titulluar “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, vërehet sërish gëzimi i papërmbajtur i Faik Konicës për lulëzimin e gjuhës:

“Erdhi më në fund dhe për gjuhën shqip koha e lulëzimit. Kohë e lumtur, kohë e bukur, kohë plot me shpresë! Qofshin të paharruara për jetë në kujtim të kombit emrat e S.H. Frashërit dhe Naim Frashërit, e Kristoforidhit, Pashko Vasë Pashës, e Mitkos, e Radës, e Naços dhe e gjithë atyreve që pak a shumë hapnë udhrat për përparimin e gjuhës shqip. Me të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë, dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dhut tone po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.

Në fund të këtij shkrimi Konica linte një porosi e cila është aktuale sot e mot: “Gjuha të jetë e qëruar, pa ato fjalë që na i kanë mbjellë magjitë e të huajve; të merret vesh lehtë, prandaj hiqni dorë nga togjtë letrash të gjata, të cilat duhet mjeshtri e madhe për t’i përdorur”.

Krahas qërimit të gjuhës, ai i kushte vëmendje të veçantë edhe mënyrës së të shkruarit: “S’është mjaft të marrë pendën njeriu dhe të nxinjë kartë, duhet të mësonjë, të shkruanjë me mjeshtëri se s’arrin të hedhësh gurë më gurë për të ngritur një shtëpi, është nevojë t’i vësh gurët radhë më radhë që të lidhen dhe që të qëndrojnë shëndoshë e bukur…Se po të jetë hyrja si një gërmadhë, shpejt shpejt këndonjëtori kthen fletën…Fund, kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok letrash si një copë muzike”.

Edhe në shkrimin për veprën e Andon Zako Çajupit “Baba Tomori”, Konica e konsideron gjuhën shqipe si gjuhë të qiellit: “Po gjuhën e qiellit, atë gjuhë që të bën të qeshësh e të qash, të gëzohesh e të trishtohesh, e që të vetë mu në zemër, atë sa të pak e flasin! Le të marrim gjuhën shqipe…”

Faik Konica për gjuhën angleze

Në shkrimin e tij emblematik për këtë gjuhë (Bukuri, dobi, vdobësi e gjuhës inglisht), bukurnë e saj ai e lidhte me bukurinë e ligjërimit të poetëve të saj:

“Kur kërkon njeriu shkaqet për cilët kjo gjuhë zjen në të gjith’ anët, më pare gjen bukurin’ e saj. Dhe me të vërtet gjuha Inglisht është nji nga më të bukurat e dheut; gjenia e aedhëtorëve si Shakespeare (këndohet: Shekëspir), Milton, Pope, Byron (Bairën), Shelly (Shele), Tenyson, ka enthusiasmuar mijonëra të ditur dhe artistë. Në krye të XIX shekull poezia mori në Francë një sulmë të re; kryetorët e kësaj sulmës ishin Lamartini dhe Hygua, cilët kishin ushqyer mëndjen e tyre me këngët e Shakespearit dhe Byronit”.

Konica për qytetërinë dhe për lirinë

Liria e mëmëdheut mbetet lajtmotivi kryesor i krijimtarisë së faik Konicës, gjë që shpaloset mjaft bukur në vargjet: Lufta tri her’ e bekuar/Që n aka për të shpëtuar (Flamuri), në thënien: Është detyrë nonjëherë edhe të vdesim për atdhenë (Baba Tomori), apo edhe në shkrimin tjetër Lulia e malevet: “Qytetëria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të mësojmë të vdesim për lirinë. Njeriu është lindur për lirinë. Liria është të jetë njeriu zoti i vetehesë, pa nonjë urdhërimtar mi kokë. Me vdekje të përpiqemi për larine”. 

Poetika e ligjërimit lirik të Faik Konicës

Në copëzat e shkrimeve të tij, në poezitë e tij, në prozat poetike të tij, në skicat e portreteve dhe të peresonaliteteve kombëtare shqipare, të cilat dr. Isak Shema na i ka sjellur në përzgjedhjen e tij përplot shije, shpalosen në të vërtetë pjesët më monumentale nga pena birilante e Faik Konicës. 

Ajo që i shquan këto shkrime është poetika e ligjërimit lirik, stili lakonik, mendimi përplot peshë dhe gykimi i thelluar, meditimi për natyrën dhe malli për atdheun, gjë që vërehet në vijimësi:

“Njëri pas tjatrit, yjtë shpojnë qiellin e pikëlojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi. (Anës liqenit), gjithësia flente, s’dëgjohej gjë veç të psherëtiturit e borës binte gadale-gadale…zëmbëra e gjithësisë këndonte tashi këngën e lulëzisë gjithë…Zëmbëra na mbushet me gas kur shikojmë fustanellat të perëndishme qi flytyrojnë rreth e rrotull kuajve…Ish një zhgarbë e gurtë, e ndrequr dhe e lepirë nga duart’ e Natyrës. Lisa të gjatë dhe të tufëta i bënin një kurorë rreth e rrotull. Një kënetë me ujtë akull ndrinte përpara hyrjes. Zogjtë ligjëronin ëmbël. Era rente nga fletë në fletë…Dy vjet shkojtin, dhe përsëri erdhi e ëmbla verë. Lulet kthejnë drejt diellit fletët e tyre të rea, dhe mbushin brigjet me erëra; po në majat e larta të Tomorit, as një bar s’lulëzon aq bukur sa Shega. Shega është, me të vërtet, ajo m’e mirëershma lule e këtyre maleve; nënqeshja e buzëve të saja gëzon ç’do kohë fletat, drunjtë dhe zoqtë, sytë i janë bërë më të mëdha e më të kordhta, leshërat më të dëndura, qafa m’e zbortë, lëkura e saj çkëlqen nga qërimi…Fle mi lule, ngrehu midis luleve, la sytë në nji mburim të akulltë; ha pemë për mëngjesin, dhe gjah për drekën; ki mi kokë nji qiell gjithnji të qëruar, në këmbë një gjelbësirë të butë; dehu me erëra lulesh, me liri, me dashuri: ç’ëndërr m’i bukur në këtë jetë!…Nata po rrethon pyllet; yjtë e parë dëftehen te qërimi pa pikëllim i zurdit; shpesërat e erësirës derdhin nëpër pushimet kënga të thella dhe të larta…(Lulia e malevet)…Bora shkruan trëndafila të argjendtë (Bora), Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjinesha të bardha, yjtë ëndërronin me trishtim…Mrika ish e vdekur, por e bukur, e qetë, me nj. Nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiq pranë Skëndërbeut!… (Mrika), Dashi vërtitej në hell pranë zjarrit madhtor, te pylli i gjelbër ku javë për javë venim të hamë e të pimë, në mes të lisave, të luleve, të zogjve e të burimeve. (Në dritë të hënës)”.

Në mënyrë të veçantë, në ligjërimin e tij poetik Konica shpalos përmes perlave lirike, mallin e tij ndaj atdheut: “Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë viteve largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij, kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe muret e gurëve I thonë “mir se ke ardhë”, lulet e kopshtës posi vasha bukuroshe duket sikur i zgjatin dorën edhe buzët e hieshme; shkurt; edhe era ngjan sikur është veshur me atë me t’lehtën stoli për ta pritur mikn’ e saj. (Lulia e malevet), “Ah, mall i Shqipërisë, mall i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e t’jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell sin jë cope të atdheut…(Malli i Atdheut).

Edhe në portretet dhe në prozat e shkurta, vërehet një psikologjisje e hollë në portretizimin e figurave emienente të kulturës e të historisë sonë kombëtare. Sërish bie në sy stili lakonik dhe mendimi i hollë: “Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë-dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve dhe forcën e çelikut-dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri” (Abdyl Frashëri), “Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë të tjera, mendjelëruar e mendjehollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura…Me atë mënyrë gjithë bektashizmin e solli e e mbajti në qark të kombësisë së dashur…As frikësimet as vobësia-rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij!-as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë…Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar se, një ditë, do të vijë që shqipëtarët do t’i sjellin të mbeturat e Naimi beut në atë Shqipëri, që deshi e shërbenj aq mirë. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë (Naim H. Frashëri), “Kryeqitja e çlirimi i Greqisë ishin punë shumë të dreqta…Për të gjykuar mire një njeri qi ka pjesë në Histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ai vetë u rrit, u-suall e roiti…Po ç’i mungoi Ali pashës? I mungoj dija, e i mungoj edhe nji komb besnik e jo gati kurdoherë të kthejë mendim për të holla…se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe po vlera ish vlera e tyre. (Ali Pasha i Tepelenit)…

Një zemër-thirrje jashtëzakonsiht fisnike

Edhe në shkrimin e titulluar “Faik Konica-personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe europiane”, dr. Isak Shem përveç se ka shprehur gëzimin e tij për rikthimin triumfal të Faik Konicës në kulturën shqiptare (pas përjashtimit tepër të padrejtë sa dhe të padenjë), duke konstatuar më tej se është shtuar numri i studimeve dhe botimeve për Konicën, ka bërë një zemër-thirrje jashtëzakonisht fisnike: 

“Është me interes të posaçëm të botohet edhe një vepër gjithëpërfshirëse studimore krahasimtare, e cila do të zgjonte edhe më tepër kërshërinë e lexuesve dhe studiuesve të shumtë shqiptarë dhe të mbarë botës”.

Njëlloj fisnike është edhe thirrja tjetër: “Të shpresojmë se në projektin e botimit të veprave të plota, të planifikuar në kuadër të korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar” do të shohë dritën e botimit bibliografia e plotë e Faik Konicës, ku do të përfshihen edhe botimet e tjera që nga viti 1942 e deri më sot”.

Në syrin vroojtues të studiuesit Isak Shema, Faik Konica shfaqet sërish me një qasje origjinale e me një metodologji shkencore bashkëkohore, si njeri i letrave, njeri që besonte fuqishëm se: “Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjetrën” (Ai që është i qytetëruar), njeri që e thoshte hapur se: “Palla ime është penda, atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut (Ai që është gati të vdes për Shqipërinë). Ai ishte dhe mbeti njeriu që besonte se: “Atdheu, pra, ka një rrënjë të forte në zemër të njeriut” (Baba Tomori), dhe që i shërbeu atdheut, gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe, duke shprehur bindjen e tij të patundur se: “Nëse një popull ngacmon kërshërinë e tij, ai do t’i vihet studimit të gjuhës dhe letërsisë së tij.” (Ese mbi edukimin).

Duke lexuar kështu veprën e dr. Isak Shemës për Faik Konicën, jo rastësisht m’u kujtuan epitetet për Volterin: Gazetari gjenial, gjeniu i gazetarisë, gazetari më i madh që kanë njohur njerëzit, Patriarku i Europës intelektuale. E për më shumë se kaq, m’u kujtua epiloguu me të cilin Andre Maurios e përmbyllte librin e tij për Volterin:

“Me violinat e para të Volterit, francezët ndienin t’u gjallërohej shpirti. Mund të pëlqesh muzikë më të rëndë, por ajo e tij duhej të kishte shumë ëmbëlsi, sepse edhe sot mbas gati dy shekujsh, Franca nuk është lodhur nga ajo që e kanë quajtur aq mirë prestisimoja e Volterit”.

E tillë është edhe përmasa e Faik Konicës prej publicist dhe prej eruditi, për Shqipërinë dhe botën shqiptare.  E tillë është edhe përmasa e rikthimit triumfal, e cila ma përkujton si sot vitin e kthimit të eshtrave të Faik Konicës në atdhe, së bashku me atë zemër-klithjen e njohur përmbi varrin e Zhan Zhak Rusoit (nga romani “Sylvia” të shkrimtarit francez Zherar dë Nerval):

“O i Ditur! Ti na fale qumështin e të fortëve dhe ne qemë shumë të dobët dhe nuk ditëm të përfitonim. I harruam mësimet e tua që etërit tanë aq mirë i njihnin dhe e humbëm kuptimin e fjalës tënde, jehonë e fundit e urtësive të lashta. Megjithatë, le të mos dëshpërohemi, dhe ashtu siç bëre ti në çastin e fundit, le t’i kthejmë edhe ne sytë tanë nga dielli”.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT