Ndriçim Kulla/
Ne jemi nga europianët më të lashtë, kemi qënë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar ashtu siç rigjenerohet një plagë. Kur u shkëputëm me dhunë nga Europa i fshehëm në gji veglat e ndërtimit të shpirtit europian, që i morëm nga tryeza e Rilindjes Europiane, ku ishim pjestarë me karrigen tonë në kohën e Skënderbeut. Me këto vegla improvizuam diçka të re, një shpikje tonën, harmoninë dhe tolerancën mes katër feve, a ndoshta pesë apo gjashtë, nëse do të shtojmë sot edhe hebrenjtë e Shqipërisë që janë ringjallur si komunitet dhe protestantët. Ne jemi një popull i kontrasteve. Kontrastet ekzistojnë dhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar por individualistë, bujarë, por vuajmë nga kotësia, mikpritës, por edhe hakmarrës, e mbajmë fjalën por jemi edhe dyshues, mund të shkojmë deri në fund të botës, por nuk duam t’ ia dimë çfarë bëhet pas gardhit të shtëpisë sonë, jemi trima, por në betejat që i zgjedh vetë secili nga ne. Akoma doni të dini kush jemi ne shqiptarët? Për t’ ju përgjigjur kësaj pyetjeje, nëse nuk besoni ato që themi ne shqiptarët, duhet të lexoni Bajronin, Ismail Kadarenë, si dhe të bëni atë që bëhet në çdo vend të botës, kur kërkohet të njihen banorët e tij, të kërkoni për të lëxuar libra që i përgjigjen kësaj pyetjeje. Nëse ky libër imi është i vetmi në qarkullim që i përgjigjet kësaj pyetjeje ky nuk është faji im, është në njëfarë mënyre një pjesë e përgjigjes së pyetjes se kush jemi ne shqiptarët? Ne mendojmë shumë se çfarë thonë të huajt për ne, por nuk mendojmë shumë për të kuptuar vetveten. Të gjithë popujt sigurisht janë të interesuar se çfarë thonë të huajt për ta, por ato që thonë të huajt i gjykojnë me sy kritik. Ashtu siç e gjykojnë edhe veten. Ne akoma nuk kemi mësuar ta bëjmë këtë gjë. Nëqoftëse unë kam arritur ta bëj pak këtë gjë në këtë libër atëherë ia kam arritur objektivit tim modest që kisha kur shtrova për përgjigje pyetjen aspak modeste antropologjike “Kush jemi ne shqiptarët?”