• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj arriti fitoren e 15-të pa asnjë humbje

February 6, 2023 by s p

Në ringun e boksit “York Hall” në Londër, boksieri i famshëm shqiptar Jurgen Uldedaj arriti fitoren e 15-të radhazi pa asnjë humbje. Ai mposhti bindshëm argjentinasin Bruno Igor Hong. Ky sukses përveç se shton statistikisht arritjet e boksierit Uldedaj, shënon një hap të madh në historinë e boksit shqiptar, si rekordmen dhe boksier me të ardhme të ndritur. Gjatë ndeshjes Uldedaj ishte dominant dhe nuk e vuri në diskutim fitoren. Forcë goditëse, teknikë të lartë dhe taktikë sportive e bëjnë boksierin Uldedaj një kampion të padiskutueshëm në të ardhmen.

Filed Under: Sport Tagged With: Jurgen Uldedaj

Një cikël poetik antologjik me autorë të së njëjtës gjenealogji

February 6, 2023 by s p

Nga Lefter, Aristidh, Kristo, Polo, Aleksandër, Ladi, Orest, Akri – ÇIPA.

Lefter Çipa

( Përjetësisht në Pilur)

O shokë vdeksha nga kënga

(Poemë)

I

O shokë vdeksha nga kënga,

Në një ditë prilli a maji,

Kur derdhet mbi maja hëna,

Në këngë të kthehet vaji.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Aty në brigjet, thëllëza,

Ligjëroftë mëngjes a darkë,

I thëntë këngët të tëra,

I thëntë me bilbilat bashkë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Zogjtë e bukur krahëlehtë,

Ia thënçin me gjuhë të ëmbël,

Shokët e mi, Bilbilenjtë,

Mos paçin plagë në zemër.

Midis lisave të gjatë,

Kurorë ngritur në qiell,

Në çdo festë e në çdo dasmë,

Rëntë e më zgjoftë një fyell.

Kur të fryjë erë e beharit,

Nga deti, a nga Kalbaqi,

Do t’i them “hapu pak varrit!”

Se do shkoj të rri tek Rrapi.*

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

II

Mbrëma, mbrëma kur del hëna,

Kur çdo gjë bie për gjumë,

Lehtë e pa u dëgjuar këmba,

Do t’i puth të gjithë në buzë.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Kur dielli do hapë dritë,

Përkarshi Vanovës sime,

Edhe unë do të jem ngritë,

Të pi ujë në Toçile*,

Aty, të më lahet shpirti,

Dhe të marr penën të shkruaj,

Më ardhtë mbi supe bilbili,

Nga gjumi i rëndë të më zgjuaj.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pas zgjimit të ndez cingarë,

Duke parë malet përpjetë,

Pak nga pak të shuaj mallë,

Zjarri im ndezur do të jetë.

Të dëgjoj vajzat e këngës,

Për ato këngë nga varri dalsha!

T’u shpie gjethe të tëndës,

Zërin t’u ruaj nga vapa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

III

Pastaj avazet e Bejkës,

Do t’i rrëmbejë brenda dheu,

Çobani nga koha e drekës,

Do më thotë:” O Lefter ngrehu!”

Kënga e Ninës me zjarre,

Kur të ngrihet kulme-kulme,

Dhe i tretur të jem fare,

Do bëhem bilbil në Lugje*,

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Ermioni kur t’i derdhë,

Elegjitë në grykë të saja,

Do marr të pi një gotë verë,

Që të më largohet sevdaja.

Dhe pastaj kodër më kodër,

Do kaloj ditët e gjata,

Aty, çdo nënë dhe motër,

Do t’i marr me mall nga qafa.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Pa përtuar në çdo derë,

Do të shkoj e do tund djepe.

Fëmijët që kanë bërë,

T’i bëj poet e poete.

Dhe me ëmbëlsinë e gjuhës,

T’u them këngë arbërore.

T’u mbijnë përsipër buzës,

Si pendë në krahë shqiponje.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

III

Të gjitha këngët e mia,

Qofshin ilaç për të gjallët,

Se m’i deshi Shqipëria,

Kombi im, gjithë shqipëtarët.

Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,

Shokët në këngë i gjetsha!

Me * Janë emra vendesh dhe emrat e këngëtareve të famshme të Grupit Polifonik të Pilurit.

(Botuar së pari në vitin 1983 ne nje cikel te plote tek gazeta “Drita”. Më vonë në librat “Dheun tim përsipër mbaj” 1992, “Kënga që tret lotin” 2002. Dhe “Princi i dashurisë” 2009 Lefter Çipa

Aristidh Çipa

( Vlorë)

Vdekja e poetit

Poeti vdiq,

I nderuar (si burrë shteti),

Pa peng në zemër.

Librezën e kursimit nuk e njohu kurrë.

Njohu vetëm metastazat e skamjes;

Por jetoi me kokën lart,

si pishë rrënjëthellë

Dhe u shua

si një horizont me këngë.

Përsipër i hodhën dekoratat:

Të gjitha të merituara.

Disa i mori vitet e fundit,

kur lypte punë.

Gjithë jetën e shkoi me cigare në buzë

(I ndizte tek njëra-tjetra,

I përtypte me dhembë).

Dhe me gotën e dhimbjes para.

I kamur sa më s’bëhet,

Qeraste majtas dhe djathtas.

Jetë e kafshuar gjer në kockë,

Ku e gjete atë nerv të na falësh forcë?!

Kish kohë që vdekja i qe bërë hije,

Por ai lozte me të si me hijen e vet,

Edhe pse ajo i ngulte dhëmbët thellë e më thellë.

(I thatë, por i thantë! – e lëvdonin dikur.)

Një zë i thosh: perëndoi ylli yt.

Një tjetër vendosmërisht kundërshtonte.

Për një çast ëndërronte: sikur bota

Ta hidhte edhe një herë “hopa” mbi shuplaka të duarve!

Ah, miqtë e vjetër, ç`kujtime, ç`zjarre!

Kujtesa dhemb kudo që ta prekësh

Sikur kohën ta tërhiqte zvarrë!…

Kollitej, pështynte gjak dhe vazhdimisht murmuriste,

Në një vetmi vrasëse, një këngë për nagantin.

Vitet e fundit,

Përmes qiellit të shtatë

Kishte shkëmbyer mesazhe të fshehta me Migjenin.

Askush nuk e mori vesh të vërtetën.

Me gjasa Milloshi

Do t’i gdhendë portretin…

Fjalë thuhen shumë, por ç`duhen ato,

Kur ai u ndie i lumtur? S`duhen shumë gjëra

Për t`u ndjerë i lumtur…

Jetoi botën e vet, krejt ndryshe nga kjo jona,

Plot shkëndijime zjarresh dhe dritë kateklizmash.

Po të mos marrim parasysh një farë humbje të kujtesës,

(Herë-herë harronte në shtëpi protezat e dhëmbëve),

Disa beteja misterioze me mullinjtë e erës,

(Rrallë, kur pihej,- zakon ky i vjetër i poetëve)

Dhe një mllef gati instiktiv ndaj gjithë farës së Uliksit,

(Rudiment psikologjik i kohës së diktaturës)

U mbajt mirë, madje shumë mirë dhe e gëzoi jetën

plotësisht.

Rrallë poetët e vërtetë humbasin fillin…

Por nëqoftëse në botë çdo gjë është e përkufizuar,

Poeti ynë ish’ rebel. Nuk njohu kufij.

Ai kishte lindur poet dhe kalorës njëherësh.

Ëndërr e guxim?! Ç’tundim i epërm!

Qielli pa gjëmime është i vdekur.

Përherë, pra, do gjenden burra që e venë me vdekjen,

Të tillë, që me zell i marrin përsipër të gjitha.

Ç’verdikt zgjodhi heroi ynë?

Në shtegun e rrufeve e ngriti ai llogoren,

Në Malet e Vetëtimës… Atje mblodhi barutin.

Atje i priti shovenët…

Me kohë u bë ikonë

Dhe kur bëhesh i tillë,

njerëzit nxitojnë

Të të veshin aureolën…

Nëse një ditë u prit e u përcoll si një i zgjedhur,

Kjo ndodhi se u rrënjëzua në mushkëritë e dheut-amë.

Falemiderit, poet, për të vërtetat dhe trillet!

Faleminderit, poet, për shërbimet!

Në re, mbi dete, ç’mund të ëndërrosh vallë?

Të çash qiejt si skifter,

Kjo është dëshira më tunduese.

Nëse qiejt s’kanë themele,

Poeti ynë gjeti nga t’u ngjitej.

Për Atdheun, pra! Për flamurin mbi të gjitha!

Aty, pra, gërmo poet, ku është trualli më i fortë!

Aty ndërto, hidh themele këngësh e poemash!

Prej aty sulmo, nis ushtarët në luftë!

Zhvarros, qep e shqep tipa, prototipa,

Shkundu dheun, jepu frymë, i lato

Me durimin e ustait që gdhend gurin!

Në emër të Atdheut, pra, shpall luftë në duhet shpallur

Dhe vdekjen në duhet ta marrësh, në emër të tij prapë.

Kështjellën, pra, ngrihe në mënyrë të tillë

Që, ndërsa ke ikur, luftën ta vazhdosh.

Malet – ikona e fundit që mbeti mbi retinë

U gërrye së brendshmi dalëngadalë dhe ra

Si uragan polifonik që këputet papritur.

Fillimi i ri… rishtresim lavdie …dekorata të reja.

Jetoi aq sa të mos pendohej.

Kredua qytetare: përkushtim e virtyt.

Nuk u përkul kurrë,

-palcë kurrizore e atdhedashurisë.

Sa herë dëgjonte himnin kombëtar,

Çohej në këmbë.

Doni vërtet ta nderoni: mos e qani!

Vini këngët e tij – dritë në dhembje.

Në kini humbur rrugën për një çast, ju siguroj:

do ta gjeni.

Le të jetë ajo lamtumira e fundit.

Bard?!

Një shtrat i vetëm nuk mund ta mbajë.

Guxoi të gërvishte me pendën e bardit qiejt poetikë.

Vdekja me një cironkë në xhep, si De Rada,

është pjesë e fatit të poetit.

Ishte një copë shkëmb, ngarkuar me lule,

Rozmarinë e egër, mbirë vetiu,

midis gurëve të sertë.

08.05.2005

1Seferis, nobelist grek, poezia “Kujtesa”.

KRISTO ÇIPA

( Pilur)

TRETJA E FSHATIT

Nata përtoi, ra e rënduar dheut pa gojë,

Matanë përoit, qeni i vetmuar gjuhën kafshoi.

Zogjtë e hutuar i lidhën krahët e zgjidhën dritën,

Pemët ngarkuar e mbartin natën, të zbresin ditën.

Unë si hije e qeparistë,

Mbështjell lëmshin e qetësisë.

Harruan gurët të përqafojnë këmbët e jetës,

Përtuan drurët të jeshilojnë lëngun e fletës.

Këngë-gremisur shpohen në vesë thëllëzat malit,

Me shpirt të grisur përtyp haresë bilbil i hallit.

Ashtu si reve u lutet Hëna,

Edhe unë heshtjes i kërkoj zëra.

Ujku çartos, shkon i mërzitur xhades së fshatit,

Hënën kanos fytyrë ligur gjatë monopatit.

Godet me bisht yjet krenarë, nata të zgjohet.

Jo! Pa armiq, qen guximtar, jeta s’kalohet!

Rrapi i braktisur vret madhështinë,

Unë kokëkrisur shes historinë.

Zile e këmborë tingujt i hanë! Narkozë kopeja,

Behari-borë, qëron lastarë vetull kafeja.

Gomar i lodhur kërkon kurban t’i bëhet erës,

Pa ngrënë i ngopur, veten e qan tek gjëmbi i ferës.

Kallëz kërkoj zallit me gurë,

Lulet qortoj që s’fjetën kurrë.

Dritat e ftohta! Dyer memece! Qielli i ngrirë.

Rrahjet e forta era kasnece i ka vetëfshirë.

Janë arratisur zërat e tokës. Azile hëna…

Duke zvarritur rrathët e kokës, shtrëngoi gjëma.

Kur frymë jap, marr drithërimë,

Zjarri në vatër, më thotë:- Mbërdhimë!

Kolla e zemrës e grisi heshtjen. Qielli shkriu.

Në gji të nënës e mpiksi qeshjen sot çilimiu.

Zile, këmborë, tingujt i vollën. Qeni ringjalli.

Majat kurorë supet mblodhën, të derdhej halli.

Zërat po vijnë, guri po flet,

Unë zmadhoj sytë. Qerpikët shqep.

Troket bastuni! Godet kambana! Kryqi habitet!

Dërgon katundi nëpër mëhalla tapitë e fiset…

Dhëmbjet e moshës si portë e vjetër në tru trokasin,

Si pendë kaposhi në lëkurë tjetër, gjunjët kërcasin.

Eshtrat e jetës i mbledh në duar,

Pikat e djersës janë ngurtësuar.

Brenga në koma me frymë njeriu. Parmakët ngrihen.

Si vet glukoza era e malit. Rrapi rivishet.

Rrugët u tundën. Avllitë shikuan. Shtëpitë flasin.

Qiejt u shkundën. Yjet nxituan duart t’i zgjasin.

Një kupë shpirt ngrihet më thotë:

-Ikët të gjithë, por prapë jam plot!

Marrë nga libri “ Vesha mjegullën e hollë”

Polo Çipa

( Patra-Greqi)

BALADË PËR NËNËN TIME

Ajo iku një mbrëmje korriku,

kur qielli kish ndezur cep më cep yjtë,

Atje, sipër në qiellin e artë,

e priste një yll i larë, i florinjtë.

-Këtu,-më tha,-më zhurriti dhembja,

një plagë e rëndë që zemra s’ma mban.

Se dhimbja për djalin po ma tret shpirtin,

dhe zemrën më dysh im bir po ma çan.

Kur bëhej gati të ngjitej në qiell,

ma shtrëngoi dorën, me ankth e me mall,

Atë shtrëngim të dorës sate të fishkur,

O nënë e shtrenjtë, unë e ndiej çdo çast.

Një këngë vajtimi i mbeti tek buzët,

Një këngë piluriote e derdhur në vaj.

Ndaj iku nxituar, në heshtje u shua,

me plagën e hapur, pas birit të saj.

I iku shpirti si një dallandyshe,

I lehteëë, i bukur si shpirti i një nëne.

Jeta jote nënë, qe një baladë,

me nota brenge në tingujt e një kënge.

Tani kam kujtimin tënd të bukur,

Kujtimin tënd, më të shtrenjtin në botë,

Po prapë, ndihem si nata pa hënë,

dhe jetën e shkoj me mall e me lotë.

Marrë nga libri me të njëjtin titull

Aleksandër Çipa

( Tiranë)

Dyshoj si i verbër

Bota është një, e re dhe e vjetër/

(Fetë iluzivisht na përshkruajnë një tjetër).

Fetarisht po ta shpreh dyshimin e egër:

Të besoj verbërisht, por dyshoj si i verbër.

( Nga libri “Deti nuk ka portë”, Botimet “Dritero” )

Ladi Çipa

( Paris )

Ka një rrugë në këtë mister

Pak bukë, pak kripë nga e shkuara

Në breg të oqeanit…

I kuq gjaku i të parëve

Të kuq dhe lotët e mallit

Kur fryn era e detit

Pas shkëmbi ku rreh dallga

Rikthehuni dhe pse të ikur …

Në kujtimet e zjarrta!

Kthehuni,

Kundër k’tij shkëmbi

E Lëreni, dallgën t’iu mbulojë

Mbi trup pak kripë do mbetet

Dhe jod që t’iu shërojë

Se vitet, lanë shumë plagë

Po sot ? në të vetmisë

Kujtoni sa lot u derdhën

Të nderit e lavdisë !

Nga pluhuri,

Ngritëm kopshte

I dhamë emër fisit

Ndërtuam fshatrat tona

Me varret përbri lisit

Çfarë më të bukur !?

Ka një rrugë në këtë mister

Prelud… pret ndryshimin

Fatet vijnë për guximtarin

E rizbulojmë agimin

Pak ujë,

Pak zemër nga e shkuara

Në breg të oqeanit

I kuq gjaku i të parëve

Të kuq dhe lotët e mallit

Dhe eci…në breg, i vetëm

Ku varkat përplasen molit

Nën këmbët e zbathura, rëra

Më ngjitet si balta e gjolit.

Orest Çipa

( New York)

Në vjeshtë,

Zemër lektisur është perëdimi i diellit,

I kuqërremtë deri në rënkim.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E ka pasur një brengë,

Njësoj si hallin tim!

Në vjeshtë

Gjethet bien si lotë lamtumire …

Foletë braktisen nga një tjetër fluturim.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E njeh atë shi ..

Dhe të plogështin mallëngjim!

Në vjeshtë

Një tështimë melankolie klith thatë,

Se ndoshta nis të puhi ndopak,

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

E kupton në ka shpirt..

Se i ndizet flakë !

Në vjeshtë,

Dhe deti nis të gufojë,

Lumi rrëmbehet e vërshon me furi.

Kush e di ç’do të thotë kjo stinë,

Nese nuk e di …

T’i verbojë ata sy !

Akri Çipa

( New York)

Nxito Helios në kupë të qiellit

Nxito Helios në kupë të qiellit,

Se pa ty dritë dielli nuk ka,

Ta ndjejmë nevojën, pa njohur meritën,

Mbi ty pesha e rëndë e shërbimit ra.

Nxito Helios në kupë të qiellit,

Më shpejt harboi kuajt-pishtarë,

Se drita e diellit është dhe e njohurisë,

Pa të injoranca na lidh me litarë.

Nxito Helios në kupolën qiellore,

(Ta kërkon detyra këtë nxitim)

Së bashku me kuajt e tu të flaktë,

Ndriçimi ynë është për ty një burgim.

Nga libri ” Në modernitet humbëm”,

Botimet OMBRA GVG, Tiranë

Filed Under: Kulture Tagged With: Akri Cipa, aleksander Cipa, Orest Cipa

“ENDRRA SHQIPTARE” E RIPOPULLIMIT DHE VOTA E DIASPORES

February 6, 2023 by s p

PERPARIM GJEKA/

Unë kam një ëndërr… Nuk është “american dream – ëndrra amerikane” e mundësive të barabarta dhe të pakufishme, as “ëndrra kineze – zhongguo meng” e rikthimit te zhvillimi e lavdia e dikurshme e vendit, por kam një “ëndërr shqiptare” si bashkim i thelbit të dy ëndrrave më të famshme në botë që iu afruan vërtet realitetit.

Endrra ime shqiptare është pikërisht “mundësi të barabarta dhe të pakufishme në vendin tim të zhvilluar e të lavdishëm si dikur para pushtimit turk, i populluar jo me tre por me të 30 milionë shqiptarët në botë që akoma e dinë se gjakun dhe rrënjët e tyre i kanë shqiptare”. Ndoshta unë jam shqiptari i parë në botë që po artikuloj shifrën 30 milionë shqiptarë, kështu që le ta fillojmë duke bërë zhgjëndërr këtë shifër.

Pelin Batu, aktorja dhe historianja turke, autore e shumë librave, ka postuar në rrjetet sociale një fotografi me bustin e Skënderbeut në Zvicër.

“Me stër-stërgjyshin tim, Skënderbeun, në Gjenevë”, ka shkruar ajo duke u bërë personaliteti i radhës turk që zbulon rrënjët e saj shqiptare.

http://www.illyria.com/pelin-batu-aktorja-dhe…/

Askush nuk e ka ditur se ajo ka gjak shqiptar, por ajo e ka ditur, e zbuloi në një moment krenarie. Ashtu si e dinë prejardhjen e tyre shqiptare miliona “turq” në Turqi.

Para disa vjetësh personalisht në qytetin Izmir ku përfaqësoja në panair një firmë kineze të inteligjencës artificiale, thuajse të gjithë më pyesnin “nga je” si i vetmi i huaj mes kinezësh, dhe kur u thosha se une jam shqiptar, ma kthenin me dashamirësi thuajse të gjithë ata me tipare europiane “edhe unë shqiptar jam”.

Në kohën kur është tashmë shumë e qartë nga historiografia botërore e para luftrave ruso-turke se në rajonin europian të Perandorisë Osmane pjesa dërrmuese e popullsise ka qenë shqiptare, kur edhe sot më shumë se gjysma e popullsise greke është arvanite, kur në Maqedoninë e Veriut shumë ortodokse po deklarohen shqiptarë, përfshirë ish kryeministrin Zaev, kur dihet që malazezët janë shqiptarë ortodoks të sllavizuar, ashtu si një pjesë e madhe e serbëve, boshnjakët janë shqiptarë myslimanë të sllavizuar, kur në Bullgari, Kroaci, Rumani e deri në Ukrainë ka akoma edhe sot komunitete shqiptare të pastra, dhe duke ditur që turqit e historisë kanë tipare aziatike, çfarë prejardhje kanë shumica e shtetasve turq me tipare europiane?

Nga 80 milionët e Turqisë sa prej tyre janë shqiptarë arnaut? Sa prej tyre janë autoktonë dhe sa prej tyre janë dëbuar nga trojet e tyre në Kosovë, Cçamëri, etj. si rezultat i traktateve famëkeqe të shkëmbimit të popullsive midis Greqisë dhe Turqisë, Jugosllavisë së pare dhe Turqisë?

Sa shqiptarë ka akoma në Egjipt e në Siri ku kanë sunduar dinasti shqiptarësh e janë nguluar shumë shqiptarë të tjerë?

Sa arbëreshë ka Italia nga jugu në veri? Sa janë shpërngulur në vite në Argjentinë, Amerikën e Veriut, Europe? Sa milionë është Diaspora e re dhe e vjetër e shpërngulur nga Shqipëria dhe Kosova në Europë?

Sa shqiptarë të tjerë nuk deklarohen? Ne nuk do ta dinim kurrë nëse Robert de Niro nuk do ta kishte deklaruar vetë prejardhjen arbëreshe live në intervistë në Itali e të tjerë personalitete kudo.

Prandaj pyetja më legjitime do ishte, “Përse ata nuk deklarohen të gjithë shqiptarë?” Përgjigjen e gjeni nëse do bënim një pyetje ndihmëse, ”çfarë do të ndodhte nëse reputacioni i shtetit shqiptar në botë do ishte i ngjashëm me Zvicrën apo Gjermaninë?” Sa shqiptarë në Turqi, Greqi etj. do të deklaroheshin zviceranë duke gjetur dokumentet e prinderve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre për të marrë pasaportën, privilegjet dhe mundësitë e zhvillimit në vendin amë.

Ritmi i popullimit të vendit do ishte jo vetëm i lartë, por ndoshta i papërballueshëm për Shqipërinë. Sepse ata miliona shqiptarë do ishin krenarë për vendin, per veten, për gjakun dhe prejardhjen e tyre fisnike.

Dhe Shqipëria ka pasur mundësinë të ndërtonte një shtet të tillë të begatë në 30 e ca vitet e fundit, me mundësi të barabarta dhe të pakufishme zhvillimi, me krenarinë e pasardhësve të Lekës së Madh dhe Pirros, Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës, gjak që ka nxjerrë burra shteti që kanë ndërtuar e shërbyer që nga Perandori të lashta e deri te Republika të reja në Europën Juglindore dhe Mesdhe, me kontribute të shquara në shumë shtete si në Greqi, Itali, Turqi, Rumani, Moldavi, Egjipt, etj.

Në vend që të na nderonin dhe ngrinin lart emrin dhe lavdinë e shqiptarëve në botë, kjo klasë politike na ka turpëruar e ulur kokat deri sa edhe shqiptarë të lindur në Shqipëri mohojnë dhe fshehin kombësinë e tyre në Greqi, Itali e gjetkë; në vend se të krijonin begati dhe ekonomi, kanë krijuar varfëri dhe krim; në vend se të mblidhnin gjithë shqiptarët kudo janë në një vatër vëllazërore ku takohen, bashkohen dhe zhvillohen së bashku si i mblodhi Izraeli gjithë hebrenjtë, kanë ndjekur gjithë ajkën e Kombit dhe rininë duke e shpërndarë nëpër botë si ”çifuti në shkretëtirë” e duke katandisur këtë parajsë Perëndie në “”shkretëtirë rinie”.

Cçudia më e madhe është se ka akoma shqiptarë që u shkojnë pas këtyre monstrave qeveritare të tranzicionit. Monstrave me pushtet si në qeveri dhe opozitë nuk u vjen turp, se turpin e hamë ne emigrantët që kudo shkojmë na shohin si delja e zezë dhe e palarë e Europës, po atyre shqiptarëve që nuk janë as pastrues qeveritarësh me benza dhe shtëpi blerë me paret tona nga korrupsioni, si nuk u vjen turp nga vetja që mbështesin akoma këta horra politikë?

Pyetja që duhet t’u bëhet qeveritarëve nuk është pse shqiptarët ikin, patjetër do ikin sipas preferencave dhe mundësive konkrete për gjithsecilin në botën e madhe dhe të lirë, por pse nuk po ka shqiptarë që kthehen të ripopullojnë qytetet dhe fshatrat e tyre. Të gjithëve na qan zemra për vendlindjen, për shtëpinë e vjetër, rrugicën me pluhur, aromën e domates bio, shoqërinë te lokali i lagjes, xhirot e mbrëmjes, për diellin tek perëndon mbi Adriatik… Pasi na vranë shpresën, po na vrasin edhe mallin… të mallkuarit.

E vetmja mundësi për ripopullimin e Shqipërisë është bërja realitet e “ëndrrës shqiptare” – lartësim kombëtar deri në krenari, barazi mundësish për të gjithë shqiptarët deri në zhvillim të lartë ekonomik; investime në edukim, shëndetësi, teknologji etj. deri në begati.

Por të gjitha këto nuk ndodhin pa u larguar me votë këta të mallkuar. Vota e Diasporës së re është shpresa e fundit për largimin e kësaj klase politike nga pushteti, dhe vota e Diasporës së vjetër duke i pajisur të gjithë që do të aplikonin me pasaporta dhe nënshtetësi shqiptare për t’i afruar me vendlindjen është shpresa e fundit për ripopullimin e atdheut të shqiponjave.

Shqiptarët derisa nuk u shuan gjatë shekujve si populli më i sulmuar, i përndjekur, i spastruar etnikisht, i përbuzur kolektivisht nga fqinjët, i copëtuar në gjashtë shtete nga fuqitë e mëdha, si populli i vetëm në Europë e ndoshta në botë kaq i dëmtuar në histori, por i panjohur si i tillë nga historia, do të jenë në gjendje të shuajnë ëndrrat e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm për shpopullim e shkombëtarizim e do të ndezin ëndrrën shqiptare për ripopullim dhe begatim.

Filed Under: Sociale

TURP per Kryetarin e Bashkise dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes!

February 6, 2023 by s p

Flamur Gashi/

Vazhdon nxitja e urrejtjes patologjike ndaj KOSOVES dhe perfaqesuesve te saj me dinjitoz, nga ana e neokomunisteve dhe pinjolleve ideologjik te Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshes ne Tirane.

I ndryshohet emri gjysmes se rruges “Dr.Ibrahim Rugova” dhe i vendoset emri “Deshmoret e 4 shkurti”, me qellimin djallezor per te rikthyer ne skenen e debatit politik nje debat qe e nxiten qe ne krye te heres komunistet jugosllav, per ti futur ne sherr shqiptaret ne mes vete dhe ne menyre te veçante per te nxitur urrejtje per Kosoven dhe te gjithe shqiptaret qe nuk ishin dhe nuk jane perkrahes te komunizmit pro jugosllav dhe pro rus!

Kryetari aktual i Bashkise se Tiranes, pasi per 8 vite nuk lejoi vendosjen ne Tirane te shtatores se presidentit historik te Dardanise dr.Ibrahim Rugova, te derdhur ne bronz e mbante te mbyllur ne nje fonderi ku derdhen ne bronz veprat e artit ne periferi te Tiranes, e kohet e fundit ne Durres ne studion e autorit te vepres. Tani me ndihmen e anetareve te Keshillit Bashkiak i ndryshon emrin edhe rruges qe mbante emrin “Dr.Ibrahim Rugova”!!!.

Kjo eshte fytyra e vertete e Erion Veliajt dhe mbeshtetesve te tij, ne nxitjen e urrejtjes dhe perçarjes brenda kombit tone!

TURPI ka EMER!

Filed Under: Komente

“Barleti i hershëm”, magjepsja e re Nadin -Plasari!

February 6, 2023 by s p

Prof.Agron Gjekmarkaj/

Luçia Nadin e Aurel Plasari kanë krijuar një ngjarje kulturore e cila të fut në shtjella krenarie e kurioziteti të pamatë.

“Barleti i hershëm” një liber i ri, zbulim i pakontestueshëm, një magjepsje e re për botën arberore, për shqiptaret paraosmanë e në perballje me ta. Aty i ndien ato inde që herë u dobesuan në atdhe por u ruajten në Europë, e tjetër herë pulsuan në atdhe dhe u rikonfirmuan në Europë.

Luçia Nadin është një dhuratë nga Zoti për albanologjinë dhe studimet historike shqiptare. Profesoreshë në Venecia , ka zbuluar kaq shumë: “Statutet e Shkodres” , “Statutet e Drishtit” , rrugetimin e shkodranëve në Venedik me librin “Migrazioni e integrazione. Il caso degli albanesi a Venezia (1479-1552)” , gjurmet e lidhjet e Skenderbeut me Republiken, shënjat shqiptare kudo, intelektualet Barletin e Beçikemin, shtypeshkruesin arberor, De Vitali e kontributin e tij per “Mesharin” e Buzukut e shumë të tjetra befasi kulturore.

Aurel Plasari dendi i madh i dijeve shqiptare në luftë me kohen për të zbuluar sa më shumë, për ta shkruar sa më bukur të gjeturen, larg çdo tautologjie vanitoze autori i shumëçkaje cilesore e të patjetersueshme, të dobishme e të pazevendesueshme, mbi të gjitha i “Skenderbeu- Një histori politike” ka bashkuar penden, pasionin dhe dijet me zonjen Nadin për të saknsionuar pozicionin e Marin Barletit në kontekstin europian të kohes dhe po kaq fuqinë e tij themeluese në kontekstin e vijueshem të kohes arberore e shqipetare.

E thotë Prof Mandalà-u në parathënie: Ky liber i shkruar bukur , sherben për ngjitjen e Barletit në vendin parësor, që e metiton dhe që, pas këtij studimi, nuk mund t’i diskutohet më… ! Njëkohshem vjen e plotë hedhja dritë mbi ngritjen dhe shkëlqimin e një humanisti tanimë europian.

Një zbulim i paralajmeruar qysh në vitin 2018 u bë realitet. Në Biblioteken Kombetare të Frances , departamenti i dorëshkrimeve u gjet një tekst i bërë me dorë në latinisht ” De Bello Scodrensi brevissimus libellus” !

Shumë herë e shumë kush nder shekuj e epoka në menyrë analitike e legjendare pat hedhur shpoti e mohime mbi autorësinë e kesaj vepre, mbi aftesinë e nderin intelektual të Marin Barletit per qellime të ndryshme!

Nuk munguan as ata që i vunë në diskutim të qenit a luftetar a deshmitar në betejen e madhe të Shkodres që Venecia nuk e harroi kurrë e shumë më teper pasi e humben s’kishin si ta harronin shqipetaret.

Zbulimi i Nadin dhe Plasarit stabilizon raportin mes Barletit dhe Beçikemit duke provuar se vepra e të parit ishte botuar para “panagjerikut”dhe se nuk ishte Barleti që ka huazuar nga i pari po Beçikemi nga Marin Barleti.

Në vepra të tilla perfundimet janë ato që i imponohen kujteses, teksteve të historisë, katedrave a më gjerë.

Por do të ishte një mekat ta pertypesh atë pa shijuar rrugen , analizen , stilin atë botë arberore të ngarkuar në anije emigrantesh e të mberritur në piacen e “Shën Markut”!

Gjithëaq nese nuk merresh me detajet e perpjekjeve që arberoret si Barleti apo Beçikemi bënë për të rrefyer gjithesa si identitet e autenticitet, si kujtese e mbijetese , si perkatësi po edhe si kontribut të shqiptarve në luften që Europa bëntë për tu mbrojtur e konservuar qyteterimin e vet nën kercenim.

Nadin dhe Plasari me atë stilin që të ndjell e tën të biesh në dashur me librin që s’të lë të ikesh ja dalin të na perkufizojnë , mendjen, doren dhe shpatullat e Marin Barletit, fuqinë e tyre për të mbajtur mbi të kujtimin e një bote që nuk është më, të asaj arberore, me zulmen e vajet e veta që prifti shkodran e ruajti e bashkë me të edhe Gjergjin -Skenderbeun duke i bërë me të madhin sherbim pasardhësve duke ju treguar se kush ishin por mbi të gjitha të drejten për të qënë perseri, një e drejtë kjo sa historike po aq hyjnore, një drejte për të cilen ështe luftuar, e cila është shkruar e dokumentuar, një e drejte që na dhe mundesinë të behemi komb e shtet e të rikthehemi në Europë pas shekujsh.

Merret me mend sa falenderues e mirnjohes duhet të jemi ndaj Luçia Nadin e Aurel Plasarit.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT