• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Qëndrimi i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Stambollit për çështjen shqiptare dhe sfidat për Pavarësinë e Shqipërisë

April 3, 2023 by s p

Një kujtesë historike kur deputetë shqiptarë 115-vite më parë kërkonin votën e sovranit për të mbrojtur interesat kombëtare në Parlament në Stamboll, ndërsa deputetët sot kërkojnë votën e popullit për të mbrojtur interesat personale e familjare në Parlamentin e Shqipërisë.

Dr. Paulin Marku/

Në vitin 1908 ndodhen ndryshime të rëndësishme në Perandorinë Osmane. Ashtu si turqit edhe popujt me kombësi të ndryshme nën sundim perandorak, përfshirë edhe 4-vilajetet me shumicë shqiptare e mirëpriten shpalljen e kushtetutës dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1908 si dhe amnistinë politike. Kushtetuta perandorake ishte shpallur tre dekada më parë por ajo nuk ishte zbatur. Në vitin 1908 u shpall zyrtarisht aplikimi i kushtetutës, ndryshimet e legjislacionit, amnistitë politike, hapjen e fushatës elektorale dhe zgjedhjet parlamentare. Studimi do të trajtojë qasjen e qeverisë xhonturke dhe qëndrimin e disa prej deputetëve shqiptarë në seancat parlamentare 1908-1912. Fushata elektorale dhe qasja elitës politike, ndiqej me interes nga diplomacia e huaj dhe nga fqinjët ballkanik. Komiteti “Bashkim e Përparim” apo siç njihet edhe ndryshe me emrin lëvizja xhonturke zhvilloi takime në të gjithë perandorinë dhe shikohej si zgjedhja e duhur për të sjellë ndryshimet e shumëpritura. Fale programit politik dhe premtimeve të shumta, mori mbështetje të madhe në popull dhe fitoi shumicën parlamentare. Pjese e listës që kandiduan me siglën xhonturke apo të mbështetur drejt për drejt prej tyre për mandatin e deputetit ishin dhe disa deputet shqiptar. Ndryshimet kushtetuese dhe platforma politike xhonturke në vitin 1908 u mirëprit dhe mori mbështetje të gjerë. Shqiptarët mirëpriten ndryshimet për fakti se shqiptarëve iu lindi e drejta të votonin dhe të votoheshin për ne parlamentin e Stambollit. Po në gusht të vitit 1908, u shpall amnisti e përgjithshme për të burgosurit politik dhe të dënuarit në mungese për veprimtarinë e tyre politike. Nder shqiptarët që përfituan nga amnistia ishin, Ismail Qemali, Ibrahim Temo, Dervish Hima, etj,,, . Shqiptarët i mbështetën anëtaret e Lëvizjen Xhonturke për disa arsye: a) i bashkonte opozitarizmi kundër regjimit Hamidian; b) premtimet e shumta që morën për përmirësim të situatës administrative, ekonomike e shoqërore në viset shqiptare; c) të kishin përfaqësues, deputet shqiptar në parlamentin e Stambollit për të mbrojtur interesat dhe kërkesat në parlament dhe synonin të arrinin të kishin vet-administrim të vilajeteve shqiptare me drejtues që gëzonin mbështetje në popull dhe për të arritur aspiratat shekullore për të patur një far autonomie.Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara gjatë periudhës, nëntor-dhjetor 1908 nxorën fitues “Bashkim e Përparim” dhe xhonturqit fituan shumicën parlamentare. Ne këto zgjedhje parlamentare dolën fitues emra të njohur, si: Ismail Qemali*, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Azis pashë Vrioni, Shahin Ypi Kolonja, Esat Pashë Toptani dhe disa hoxhallarë shqiptar. Vetëm disa prej tyre përfaqësonin forcat patriotike shqiptare, të cilët edhe shfaqen hapur kundërshtitë e tyre dhe qëndruan në opozitë ndaj politikës xhonturke.Hapja e parlamentit dhe reformat e qeverisë për shqiptarëtHapja e parlamentit ne Stamboll me 17 dhjetor 1908, me një shumice te konsideruar deputetesh shqiptar dhe me premtime te shumta elektorale, ngjallte shpresat ne popullate se gjendja e tyre do te përmirësohej. Sapo u formua Kabineti i ri qeverisës, ndërmori disa reforma të rëndësishme dhe mjaft të debatueshme, te cilat ishin: administrative; ekonomike; taksa dhe tatime të reja të shtuara; kthimi i detyrueshëm i shërbimit ushtarak; çarmatimi i popullsisë, si dhe për ata që nuk pranonin të dorëzojnë armët e municionet me vullnet të lirë duhej të përdorej forca për çarmatimin e tyre. Pikërisht, për këto arsye reformuese, të cilat shkonin kundra interesave të shqiptareve, një grup deputetesh, kryesuar nga Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina kundërshtuan reformat dhe akuzuan qeverinë se nuk iu përmbanin premtimeve dhe programit elektoral xhonturk. Një tjetër ngjarje që thellonte pakënaqësinë ishte çështja e alfabetit për gjuhën shqipe, nëse do të përdoreshin germat arabe ose latine. Porta e Lartë bëri përpjekje të ndryshme për të imponuar alfabeti turko-arab në katër vilajetet me shumicë shqiptare duke e lidhur edhe me besimin fetar islam, me arsyetimin se, meqë shumica e shqiptarëve janë të besimit mysliman duhet të mbështesin propozimin e tyre. Këto veprime preknin sedrën kombëtare në të gjithë viset shqiptare, ndaj edhe qëndrimi i deputetëve opozitar shqiptar, bashkë me popullatën shqiptare, te cilët u bashkuan pa dallim feje e krahine për të vendosur për të ardhmen e alfabetit. Hasan Prishtina i kërkonte me këmbëngulje ministrit të Brendshëm, Talat Beu që t’u ndalohej ndërhyrja nëpunësve të qeverisë në çështjen e alfabetit.Ky qëndrim u mbështet fuqishëm nga intelektualët shqiptar në “Kongresin e Alfabetit” në nëntor të vitit 1908, në Manastir. Vendosja e alfabetit me germa latine shkaktoi pakënaqësi të madhe tek xhonturqit. Po ashtu, u aplikuan disa reforma centralizuese që u kundërshtuan në parlament nga deputet shqiptar dhe nga popullata në viset shqiptare duke u organizuar në protesta, rebelime e kryengritje, gjate vitit 1910 në vilajetin e Kosovës, në 1911 në atë të Shkodrës dhe 1912 në kryengritje të përgjithshme. Reagimet e deputetëve opozitar shqiptar në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve ishin të vazhdueshme dhe pati debate të forta parlamentare me kabinetin qeverisës. Qeveria u përball me reagim të menjëhershëm të trembëdhjetë deputetë shqiptarë, te cilët kundërshtonin ekspedita ndëshkimore ushtarake ndaj shqiptareve. Nexhip Draga e quante të padrejtë dhe dënonte vendimin e Portës së Lartë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali akuzonte qeverinë se po iu mohonte të drejtat kushtetuese dhe cenohen të drejtat e shqiptarëve. Deputetet pohonin nga foltorja e parlamentit se nuk janë gegët që nuk po mbajnë fjalën por janë xhonturqit që nuk zbatojnë premtimet. Deputetet shqiptar vunë në dijeni edhe diplomacitë e huaj. Opozitarizmi parlamentar shqiptar dhe betejat e përgjakshme të popullatës rriten ndjenjat e nacionalizmit shqiptar dhe shtuan protestat dhe rebelimet e shqiptareve, kryesish në vilajetin e Kosovës dhe të Shkodrës. Xhonturqit kishin siguruar një numër të madh deputetesh në zgjedhjet e vitit 1908 por pozitat e tyre po lëkundeshin për çështjen e luftës së Tripolit dhe pakënaqësitë ndaj qeverise shtoheshin gjithnjë e më tepër për shkak të reformave imponuese duke përdorur forma të ndryshme për zbatimin e tyre, si dhe për problemet që shfaqeshin në radhët e ushtrisë. Opozita e bashkuar përbëhej me deputet me kombësi të ndryshme, shqiptar, maqedonas, grek, arab, armen etj, që u përkrah edhe nga disa deputetë osman. Në fund të vitit 1911 kriza në qeveri ishte në rritje për shkak të akumulimit të pakënaqësive tek popujt e shtypur. Deputet të vilajetit të Kosovës, Shkodrës e të Manastirit që kishin qenë deri në atë periudhë anëtarë të Komitetit “Bashkim e Përparim” i paraqiten komitetit Qendror Xhonturk një deklaratë të hapur me nënshkrimet e tyre se hiqnin dorë nga qenia e tyre në lëvizjen e Turqve të Rinj me motivacioni se kishin shpresuar që Komiteti do të sillte drejtësi por mosinteresimi i qeverisë në zgjidhjen e plotë të problemeve të shqiptarëve, i detyronte ata të largohen nga lëvizja xhonturke. Në seancën parlamentare të sesionit të parë, janar 1912, fjalën e mori deputeti Hasan Prishtina, i cili shprehej se fliste në emrin e tij dhe të gjithë shqiptarëve që dëshironin të drejta sovrane. Deputetët shqiptarë kishin mbledhur fakte konkrete që t’i provonte Vezirit të Madh gjendjen e vështirë që përjetonin shqiptarët.Hasan Prishtina shprehej se: “Mjerisht, në këtë vendin tonë shpërdorimi i pushtetit është bërë një gjë e zakonshme; prandaj ndodhemi para një problemi të rëndësishëm; kësaj detyre, sado e vështirë qoftë, ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur”. Kryetari i seancës Ahmet Riza beu i kërkoi deputetit H. Prishtina që të linte të tjerët në punën e vet dhe të mos hapte debate të tilla.Fjalimi i tij u kundërshtua dhe nga deputetë të tjerë që mbështesnin qeverinë xhonturke.Deputetët shqiptar, akuzuan qeverinë për mos mbajtje te premtimeve elektorale, mohimin të drejtave kombëtare nëpërmjet politikës shtypëse dhe centralizuese si dhe për dhunën e ushtruar ndaj bashkëkombësve të tyre duke u shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi dhe kulturore.Përplasjet e qeverise me opozitën e bashkuar parlamentare dhe rritja e vazhdueshme e pakënaqësive në popull detyroi kabinetin xhonturk të reflektonte mbi situatën e krijuar. Para se të fillonte procedura për shpërndarjen e parlamentit, filluan procedurat për të ndryshuar nenin 35 të kushtetutës për shpërndarjen e parlamentit në interes të pushtetit. Propozimi i qeverise u kundërshtua nga deputetët opozitar, përfshirë edhe ata shqiptar kërkonin të respektohej afati i mbarimit të mandatit të deputetit, në vjeshtë të vitit 1912 dhe pastaj të zhvilloheshin zgjedhjet e tjera parlamentare. Qeveria përshpejtoi procedurat për miratimin e projekt ligjeve. Interesi i xhonturqve ishte që së bashku me projekt-ligjet të marrë miratimin në parlament edhe neni 35.Xhonturqit synonin që të mos i japin më kohë që të zgjerohej opozita në parlament dhe të përzgjidheshin kandidatë të bindur të Komitetit në mënyrë që të fitonte një mazhorancë të gjerë dhe të kishte sa më pak kundërshtarë në parlament. Po ashtu një tjetër arsye madhore pse qeveria insistoi me çdo kusht të shpërndante parlamentin ishte se ajo mund të përdorte në interesin e saj, ligjin mbi shtypin, mbi mbledhjet dhe shoqatat, si dhe kishte mundësinë që nëpërmjet pushtetit, mund të ushtronte presion dhe të përdorte forcat ushtarake.Në janar të vitit 1912 u miratua shpërndarja e parlamentit, u vendos për zgjedhje të parakohshme dhe parlamenti i ri duhet të mblidhej brenda 90 ditëve nga dita e shpërndarjes. Porta e larte tentonte të rifitonte besimin e shqiptarëve nëpërmjet ndonjë lëshimi në zona të caktuara dhe ju premtoi malësorëve se do të zbatonte marrëveshjen e gushtit të vitit 1911. Në gazetën “La nazione albanese” me datë 31 janar 1912 thuhej se Porta e Lartë i ndiqte me prioritet ngjarjet në viset shqiptare dhe po angazhohej në rrugë zyrtare që të shuante pakënaqësitë dhe të provonte nëse ia arrin qëllimit të rifitonte besimin e tyre.Pas shpërndarjes së parlamentit në janar të vitit 1912, Porta e Lartë evitonte përplasjet dhe tregohej më tolerante në disa aspekte si: në mbledhjen e taksave, përmbushjen e ndonjë premtimi, qeveria ndiqte nga afër organizimet e shqiptarëve dhe tentonte të shuante zemërimin e tyre. Turqit e Rinj shpresonin të shtypnin me çdo kusht trazirat e shqiptarëve dhe synonin që nëpërmjet lëshimeve të shmangnin përplasjet me shqiptarët. Shpërndarja e parlamentit të Stambollit në janar të vitit 1912, tentativa e qeverisë për bashkëpunim dhe as udhëtimi i ministrit të Brendshëm, Haxhi Adil beu, nuk arritën të parandalojnë rrjedhën e ngjarjeve në viset shqiptare. Pas shumë debatesh parlamentare, me në krye, Ismail Qemal beun, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën etj., me kabinetin e qeverisë xhonturke, ishin disa prej shkaqeve që acaroi më tepër gjendjen në viset shqiptare. Qëndrimi opozitar i elitës parlamentare shqiptare, shtonte bindjen se të drejtat e shqiptareve mund të fitoheshin vetëm me organizimin e popullit shqiptar në një kryengritje të përgjithshme. Si pasojë e një situate të rënduar politike, ekonomike e shoqërore që po përjetonte popullsia shqiptare, në janar të vitit 1912 u organizua takimi i një grupi intelektualesh shqiptarë në lagjen Taksim të Stambollit*. Ata vendosen unanimisht që populli shqiptar nuk kishte rrugë tjetër veçse atë për t’u organizuar në një kryengritje të përgjithshme (duke u iniciuar nga Vilajeti i Kosovës, pastaj në atë të Shkodrës, për t’u shtrire në Jug të viseve shqiptare) me qëllimin për të fituar të drejtat kombëtare, politike dhe ekonomike Lëvizja do të shpërthente fillimisht në Vilajetin e Kosovës dhe çetat kryengritëse do të organizoheshin nga Hasan Prishtina, për t’u shtrirë dhe për t’u bashkuar me Shkodrën, Mirditën dhe Shqipërinë e Mesme që do t’i organizonte Esat Pashë Toptani për të vazhduar me shqiptarët e Jugun, të cilët do t’i organizonin Myfit bej Libohova, Syrja bej Vlora e Aziz pashë Vrioni, ndërsa Ismail Qemali do të shkonte në Evropë për të siguruar mbështetjen e kancelarive diplomatike në çështjen shqiptare si dhe do të takonte kolonitë shqiptare për të iu kërkuar mbështetje dhe ndihma materiale e ekonomike. Në përfundim mund të thuhet se qëndrimi opozitar i deputeteve shqiptar në parlament në Stamboll, betejat e vazhdueshme të shqiptareve në kërkim të një Shqipërie të Lire e të Pavarur, me mbështetje të diasporës shqiptare dhe ndonjë aleati ndërkombëtar u arrit akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Foto: Albanian Time

Filed Under: Politike Tagged With: Paulin Marku

LAHUTARI SHQIPTAR ISË MURIQI (ELEZI) ULET KËMBËKRYQ E KËNDON NË HARVARD

April 3, 2023 by s p

Leonora Laçi

Promovimi i një vendi përmes trashëgimisë kulturore materiale e jo materiale përpara botës asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Më datë 31 mars 2023 në Nju York, mora pjesë në një nga  auditoret e Universitetit të Columbisë(University of Columbia), mes studentëve shqiptar dhe dashamirësve të folklorit, i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Kosovës z.Blerim Reka dhe perfaqësues të Shoqatës Rugova.

Studentët shqiptar të këtij Universiteti kishin themeluar Shoqaten e studentëve shqiptar si për të mbështetur njeri-tjetrin në rrugëtimin e tyre në këtë Universitet.

Pata fatin te ritakohem me lahutarin Isë Elezi(Muriqi) ku sëbashku me profesorin e njohur akademikun Zymer Nezirin na prezantuan librin që ishte promovuar fillimisht në Universitetin e Harvardit e për ta vazhduar në Nju York. Ise Muriqi (Elezi) eshte dëshmuesi ndërsa profesori Neziri shkruesi, një punëtor i palodhur ku i ka kushtuar gjithë jetën e tij njohjes anëkend botës të trashëgimisë kombëtare asaj materiale dhe jo materiale. Te dy bashkë si në simfoni kanë bashkëpunuar edhe me lahutaret e tjerë që të përçojnë vlerat e lahutës si instrument autokton shqiptar deri në Universitetin e Harvardit dhe universitetet e tjetra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lahutari Z.Isë Muriqi (Elezi), i cili është një njohës i këngës e folklorit tonë, i cili njeh më shumë se 5 mijë vargje,  ai ka ardhur nga Kosova pikërisht për këtë rast.

Isë Muriqi Elezi krenar me kostumin popullor të Rugovës nën tingujt e lahutës dëshmon atë çfarë shkruhet në libra. Ai është dëshmia e gjallë e historisë së folklorit tonë. Z.Muriqi (Elezi)me lahutë në krah ka shëtitur cep më cep të botës për të treguar që lahuta nuk është serbe dhe ashtu si historinë duan të na tjetërsojnë dhe këngën, por faktet i mungojnë.

Një burrë që komunikon shtruar dhe ngadalë, e që fjala merr peshë. Kur e pyeta sa vite i ke me tha: -“ 50 vite”. Ndonëse i kishte kaluar të 70-tat.Qeshëm të dy. 

Pozitiviteti i tij dhe perqafimi që me dha më kujtoi takimin tonë në Pejë ku lamë përgjysëm projektet që kishim sëbashku para se të vija në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në një të ardhme të afërt do ta vazhdojmë aty ku e kemi lënë. Një takim që më ngeli në mendje për njohurit e tija që zotëronte dhe dhimbjen që ndjente se s’kishte mundur dot të ua trashëgonte lahuten tek nipat e mbesat e tij.

Sa i takon aktivitetit promovues është bërë një punë kolosale studimore e disa profesorëve  shqiptar e të huaj që mbrojnë folklorinë tonë, ku përmes këngëve dëshmohet vazhdimësia jonë. Siç thotë vetë profesor Zymer Neziri:”Janë 20 vite punë, 300 ditë ekspedita nga 15 deri 500 km secila, në 5 shtete të Ballkanit; 148 lahutarë e 197 rapsodë të regjistruar, muslimanë e të krishtërë, që me lahutën me kryet e dhisë a gjarprin (simbole të lashta ilire), mbajnë gjallë epikën legjendare të kombit teksa krenar promovon librin “Wild Songs, Sweet Songs” (“Këngë të egra, këngë të buta”), publikuar në Universitetin e Harvardit.  
Wild Songs, Sweet Songs — Nicola ScaldaferriMilman Parry and Albert B. Lord collected singularly important examples of Albanian epic song while conducting f…

Profesor Zymer Ujkan Neziri, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kujtoi vlerёn historike qё pёrfaqёson kjo vepёr, e cila pasqyron njё numёr tё jashtёzakoshёm këngësh epike tё trevave shqiptare. Profesor Neziri në fjalën e tij shprehet se:” Sot po e përurojmë librin e këngëve shqip, që janë kryesisht krijime epike, të përkthyera anglisht, mbledhur në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Libri është antologji, sipas propozimit tim, më 2002, kur bëja punë kërkimore në fondet arkivore të Harvardit. Projekti u miratua aty, më 2003. Është botim i Koleksionit të Letërsisë Gojore të Millmen Perit, Univ. i Harvardit. Epikë shqiptare në Koleksionin e Millmen Perit dhe të Allbert Llordit. Pra, këngë të egra, po edhe këngë të ëmbla, se disa sosh nuk janë epike. Përg. për shtyp e librit u bë nga profesorët Nicola Scaldaferri, John Kolsti, Victor A. Friedman dhe Zymer U. Neziri. 

Lahutarët. Janë këngë të kënduara para afër një shekulli nga rapsodët e Eposit të Kreshnikëve, shumica të lindur në gjysmën e dytë të viteve 1800. Ata janë të të dy besimeve. Pa asnjë dallim, se dikur thuhej, pa të drejtë, se ato i këndojnë vetëm rapsodët e besimit islam. Në këtë vëllim janë: Salih Uglla ose Ugljanin (Sanxhak i Pazarit), Fatime Biberi ose Biberoviq (rr. e Prizrenit), Gjergj Pllumi (Dukagjin i Alpeve), Marash Nika (Dukagjin i Alpeve), Sokol Martini (Mërtur), Ali Meta (Rr. i Dukagjinit), Adem Brahimi (Plavë e Guci), Rexhep Zeneli (Rr. i Dukagjinit). 

Përmbajtja. Personazhet, 30 kreshnikë të çetës, i kryesojnë vëllezërit Muja e Halili, me fuqi mitike nga qumështi i zanave. Temat e motivet e këngëve janë nga jeta e tyre në viset e Ilirisë: mbrojtja e kullosave, e bagëtisë, e kullave dhe e nderit të familjes, kryesisht. Mbizotërojnë legjendarja, fantastikja e mitikja, si dhe qeniet mitike: Ora e Zana. Kanë bukuri poetike të rrallë. Kanë vlerë evropiane e botërore. E kanë vendin në UNESCO. Janë hallkë e këndimit epik ilir-arbëror dhe janë jehonë e përgjakjeve me sllavët e Jugut, nga ardhja e tyre në Gadishullin Ilirik.

Rëndësia. Derë e hapur për studiues. E para, materiali shqip e anglisht, që hap një derë të madhe për studiuesit e epikës. Deri më tash ishte derë krejt e vogël për ata që nuk e njihnin shqipen, madje nga vitet ‘60, kur aty u krye disertacioni i parë i doktoratës, nga Gjon Koleci ose Kolsti, student i Llordit. E dyta, në libër tashmë janë katër punime studimore, që kanë peshë për epikologët. Në një të pestën e librit aty janë ndihmesat e Gjon Kolstit, Zymer Nezirit, Nikolla Skalldaferit, Viktor Fridmanit, pos Parthënies dhe Hyrjes, nga Nikolla Skalldaferi.  Ana teknike shkencore. Në këtë libër janë me interes edhe letrat e Llordit, shënimet, fotografitë, hartat, fjalorthi, treguesit e emrave të njerëzve e të vendeve. Pra, ky libër e ruan autoritetin e majave të shkollës me famë botërore, e njohur me emrin Universiteti i Harvardit. 

Ndërsa i lidhur përmes zoom videocall Profesori arbëresh Nicola Scaldaferri, nga Universiteti i Studimeve të Milanos, kujtoi punёn e çmueshme qё kanё bёrё autorёt e librit, tё cilёt kanё pёrshkuar vise tё ndryshme shqiptare pёr tё takuar persona e gjetur kёngёt epike, njё ndёr ta ishte edhe françeskani At Bernardin Palaj.

Kujtojme se folklori shqiptar, përkatësisht poezia epike, kangët për kreshnikët dhe proza gojore, sidomos përrallat ka qene  hulmtuar, mbledhur dhe  botuar nga Eterit françeskane At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti me  titull “ PRRALLA  KOMBTARE” në dy vëllime.  Keto vepra janë botimi më komplet dhe më i  vlefshëm i përrallës shqiptare si për nga cilësia ashtu edhe për nga sasia,  që ishte botuar  deri në atë kohë. Vëllimi  II  me  titull ‘Kangë Kreshnikësh dhe Legenda’ i serisë pesëmbëdhjetë vëllimëshe të ‘Visareve të kombit’ janë mbledhë dhe redaktua nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, një nga perlat e  krijimtarisë gojore epike.

Prof. Scaldaferri në paraqitjen e veprёs, nё anglisht, ‘Wild Songs, Sweet Songs’  nёnvizoi bukurinё dhe vlerёn e tekstit tё kёngёve epika shoqёruar nga tingujt  e lahutës, si mjet qё ka mbajtur gjallё historinё e traditës gojore me atё tё njё populli, si ai shqiptar.

Në këtë promovim u shfaq dhe një dokumentar që kishte mbledhur lahutarët nga të gjitha viset shqiptare në pak minuta për të prezantuar më së miri rendësinë që ka folklori në identitetin tonë.

Aktiviteti u përmbyll me një foto të përbashkët.

Filed Under: Interviste

NDRYSHIMET E KUSHTETUTËS NË RVM, ÇFARË DO TË MARRIN SHQIPTARËT NGA HISJA E VET?

April 3, 2023 by s p

Skënder Karaçica

Populli shqiptar si popull i dytë shumicë në hapësirën etnike në RVM-së ende me ligjet e Kushtetutës ka mbetur në statutin e pakicës kombëtare me shenjën e barazisë me pakicat tjera.

Qysh në fillim kanë dalur zërat e partive politike maqedonase,që trumbetojnë lidhur me ndryshimet e Kushtetutës të këtij vendi multietnik dhe, gati-gati i brishtë në të ardhmen e saj evropiane,kur e kur sajojnë ,,amandamente kuturu (sic!)për shtetin e një populli (lexo:maqedonas,-shënimi ynë,-sk) dhe i pakicave në këto hapësira.

Në dritën e këtyre ngjarjeve,faktori politik maqedonas shkon më tej duke e vënë në qendër të ligjeve kushtetuese(ndryshimet), ku në marrëveshje me Bullgarinë për çështjen e pakicës bullgare dhe të ,,gjuhës maqedonase,, (sic!) dhe të identitetit të këtij shteti i sajuar nga boshti pansllavist në Beograd ,Moskë dhe Athinë, të avancohet në shtetformues(sic!).

Ndryshimet e Kushtetutës në RVM-së çfarë do të marrin shqiptarët si popull i dytë shumicë (lexo:40 përqind të përberjes kombëtare të referencës zyrtare të Samitit NATO në Çikago(2015), a do të avancohet çështja kombëtare me shenjën e barazisë shtetformues apo do të mbetët në logon e ligjeve kushtetuese pakicë me shenjën dalluese me pakicat tjera?

Për aktualitetin e ndryshimit të Kushtetutës, faktori politik shqiptar, bota kademike, unversitare dhe shoqëria civile në hapësirën etnike në RVM-së duhet të rreshtohen në vijën e unifikimit dhe, pa asnjë hezitim të kërkojnë hisën e vet në preambulën e ndryshimit të Kushtetutës në këtë vend, në shkallë të barazisë kombëtare si shtetformues e jo pakicë kombëtare.

Thirrje nga Amerika: Shqiptarët si popull i dytë shumicë të avancohen në shtetformues në RVM-së!

Çikago,1 prill të motit 2023

Filed Under: Emigracion

THE UNITED STATES DAILY (1926) / SHQIPËRIA, VENDI I NJËZET E NJË QË PRANON TË HEQË TARIFAT E VIZAVE PËR TURISTËT AMERIKANË

April 3, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Prill 2023

“The United States Daily” ka botuar, të hënën e 10 majit 1926, në faqen n°13, një shkrim rreth marrëveshjes amerikano-shqiptare mbi heqjen asokohe të tarifave të vizave, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria pranon të heqë tarifat e vizave për amerikanët

(Turistët)

Burimi : The United States Daily, e hënë, 10 maj 1926, f.13
Burimi : The United States Daily, e hënë, 10 maj 1926, f.13

Turistët amerikanë tashmë mund të hyjnë në Mbretërinë e Shqipërisë pa paguar asnjë tarifë vize, pasi Departamenti i Shtetit njoftoi më 8 maj se ishte lidhur një marrëveshje reciproke për këtë qëllim. Shqipëria është vendi i njëzet e një që pranon të heqë tarifat e vizave për pasaportat amerikane në këmbim të një marrëveshjeje të ngjashme të ofruar nga SHBA për pasaportat e shqiptarëve jo-emigrantë. Teksti i plotë i njoftimit është si më poshtë :

“Në përputhje me Aktin e 25 Shkurtit 1925 dhe Urdhrin Ekzekutiv të 15 majit 1925, ministri amerikan në Tiranë, z. Charles C. Hart, ka lidhur një marrëveshje reciproke me Qeverinë e Shqipërisë, që hyn në fuqi më 1 qershor 1926, për heqjen e tarifave për vizat joemigruese dhe aplikimet përkatëse.”

Filed Under: Histori

“Liria Ka Emër” falënderon qytetarët që marshuan për drejtësi: UÇK na bashkon!

April 3, 2023 by s p

Prishtinë, 2 prill – Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë falënderuar të gjithë qytetarët që në mënyrë masive i janë përgjigjur thirrjes për të marshuar për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.Tasholli tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime që ka krijuar kombi ynë, prandaj sot po marshohet kundër ndryshimit të historisë.“Ju falënderoj nga zemra që i jeni bashkuar thirrjes sonë për drejtësi. UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët. Është vlera më sublime që kemi krijuar si komb. Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marrshojmë për drejtësi. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimarë e faqebardhë”, theksoi Tasholli.Ndërsa, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.“Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënes Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falenderoj nga zemra që jeni me ne sot. UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të bucojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha ajo.Hoxha kujtoi prillin e 24 viteve më parë kur qytetarët e Prishtinës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, për t’u kthyer pas disa muajsh në Kosovën e lirë, pas fitores së luftës së UÇK-së.“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shëndrruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar clirimin dhe pavarësinë. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha.E këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se nuk ka dyshim që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë.“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi kreu i PDK-së.Ai ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.“Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.Flaka Fazlia, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlia tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë Çlirimtare dhe bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm.“UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale, por një organizatë clirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive, e kthyen në zë të fuqishëm, të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në vecanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”, tha ajo.Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.“Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. Në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, nuk janë emra të përveçëm, por janë historia jonë, të cilën nuk do ta lejojmë të rishkruhet”, tha Guri.Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë liria jonë dhe do ta kalojnë edhe këtë sfidë.“Rrofshin të rënët tanë. Rroftë ky popull. Ne po duam drejteësi për lirinë. Kemi luftuar për liri dhe nuk po e gëzojmë”, tha Qerkini.Simboli i grave të Krushës dhe gjithë grave të forta shqiptare, Fahrije Hoti u shpreh e indinjuar që sot para gjykatës po dalin çlirimtarët e vendit, e jo ata që kryen krime në Kosovë.“Jam sot bashkë me ju që të kërkojmë drejtësi për luftëtarët e lirisë. Jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Edhe bashkëshorti im është ende i pagjetur. Në vend të kriminelëve, sot, fatkeqësisht, para gjykatës po dalim çlirimtarët e vendit tonë”, theksoi Fahrije Hoti

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT