• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

MENDIME NË QELQ – POEZI NGA OREST ÇIPA

June 7, 2023 by s p

MENDIME NË QELQ/

Malli grish …

Pikon,

Gjakon,

Zjarr gjiri!!

Gulçimë e pazë e gjoksit tim,

Mbushu me frymë!

Nëpër deje,

Gurgulloje ofshin urtësisht,

Skalite lotin !

Kripës së oqeanit shtoja kaltërsinë

Dallgën shkumoja!

Se ti,

Lundër e lidhur fort ndër mua,

Kurr nuk do të ikësh prej aty!

Ndaj ,

Krehi me sqimë edhe ligështitë,

Heshtjen qeshe!

Mos u gënje!!!

Qielli gjëmon,

Pulëbardhat hedhin valle në erë

Nuk vajtojnë!

Ndaj, me grusht shkunde kraharorin,

Zgjohu !

Syt e zemrës ende kanë dritë

Ngjyrat shquaj!

Mendimet përplasi në qelqin e dritares…

E bëji copë-copë!

Unë jam po ai …

“I MBYTUR”

S’durova më,

I flaka tutje,

Doja ti mbysja,

Ato çaste të zjarrta kujtimesh…

Të treteshin,

Pa zhurmë, pa dëshmitar,

Në këtë ditë-ikje..

Në fund të oqeanit,

T’i përpinte dallga,

Doja ..

Ta shuaja zjarrin me ujë!

Kur nata mbërriu,

Ndryshe ndodhi.

Prej syrit tim dole

Në pika loti,

Më e pikuar se kurrë..

Me e kripur se kurrë …

Si oqean më mbyte!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Orest Cipa

Prurje të reja në historinë e komunitetit dhe të ardhmen e tij si “familje e madhe shqiptare” nga Festivali i Usterit

June 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Nga datat dy deri katër qershor Festivali shqiptar i Usterit me jetëgjatësi 40 vjeçare ruajti traditën e respektuar por solli edhe risi e projekte afatgjate për historinë e bashkësisë shqiptare këtu edhe përtej oqeanit Atlantik. Ceremonia e inagurimit të rrugës Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ardhja e mysafirëve arbëreshë dhe pasurimi i pavionit shqiptar për muzeun e historisë së Usterit përbëjnë tri nga veçoritë më të spikatura të tij. Ndonëse festivali mbahet në këtë qytezë, historikisht pjesëmarrësit vijnë nga shtete e vende larg e afër. Tenda e madhe në oborrin e Kishës Ortodokse Shqiptare Fjetja e Shën Mërisë rrethakohej me flamujt e banderolat e bizneseve shqiptare që mbështetën veprimtarinë. Kisha, si organizatore me përvojë të gjatë në mbledhjen e fondeve, është amvisë e mirë e vendorëve dhe mysafirëve, siç shihej tek manifestimi i trashëgimisë shqiptare duke nisur nga menyja artizanale e gastronomike deri te programi i larmishëm artistik. Lidhja me grupin arbëresh ishte një homazh për heroin kombëtar, për të cilën djemtë e Kishës së Shën Mërisë si mikpritës ishin veçanërisht të kënaqur.

Frank Zdruli, me origjinë nga Korça, dhe Presidenti i kësaj shoqate, i ardhur në Massachusetts në vitet e adoleshencës e vlerëson shumë ruajtjen e traditës, riteve dhe gjuhës shqipe. “Në rolin drejtues si President i Djemve të Shën Marisë, ndihma dhe dhurata jonë me e vlefshme për Festivalin dhe për gjithë shqiptarët ështe padyshim inagurimi i emërimit të nderit rrugës Salisbury në emër të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way. Akoma më mbresëlënëse është prania e pasardhësit të familjes Kastrioti Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta në këtë ditë historike dhe ceremoniale. Do ta kujtoj për jetë pasi ashtu si 6 shekuj më parë na i bashkon përsëri heroi ynë kombëtar dy komunitetet shqiptare më të vjetra larguar ndër dy kontinentet në 555 vjetorin përkujtimor të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.”

Banor i Usterit prej një kohe të gjatë, Frank vetë ka marrë pjesë në festivalin shqiptar në fillim si valltar. Ai mban mend se fillimisht programi i valleve ishte nismë e grupit të parë që u krijua në Boston me Dhimitraq Demirin dhe AANO (Albanian American National Organization). Pas dhjetë vjetëve, në 2007, kur ai erdhi me familjen në Uster, Frank Zdruli u bë pjesë e grupit organizativ të kishës dhe prej atëherë ai dhe Greg Steffon kanë qenë bashkëkryetarë të shtatë festivaleve në Uster.

Këtë vit Frank dhe Greg ia kaluan “stafetën” organizatorëve të rinj. Zdruli thotë se përvoja e tij tani mund të shërbejë për të këshilluar dhe ndihmuar në ruajtjen e traditave të bashkësisë shqiptare duke u përqendruar më shumë te brezat e rinj. “Rritja e nivelit të Festivalit por edhe e komunitetit shqiptar në vazhdimësi kërkon edhe ndarjen e detyrave në rolet e drejtuesve të tjerë. Tani eksperienca jonë e fituar duhet të vihet në funksion të këshillimit të ekipit të ri drejtues dhe fokusimi jonë si drejtues duhet të jetë tek forcimi i komunitetit në një solidifikim të brezit të ri që rritet në Uster,” thotë Frank.

Frank Zdruli e vlerëson pasurimin dhe dokumentimin e historisë së bashkësisë shqiptare për muzeun e qytetit si pjesë me rëndësi e trashëgimisë sonë. Një nismë e tillë e cila është e inkuadruar në festival është gjithashtu një projekti në vazhdimësi e sipër, nën kujdesin dhe e koordinuar nga qendra shqiptare pranë Politeknikumit të Usterit. Frank thotë se “së bashku me kolegun tim Gregory Steffon energjitë tona tashmë janë vënë në ecurinë e projektit afatgjatë që kemi ndërmarrë me Muzeumin Historic të Worcester dhe Albanian Project Center të WPI për të dixhitalizuar historinë e komunitetit shqiptar si pjesë e historisë.”

Dielli e ndoqi festivalin që nga dita e hapjes dhe në vazhdim. Ndonëse në ditët e fundjavës, moti ishte me reshje dhe temperaturat e ulëta, pjesëmarrësit ishin të shumtë. Në mbyllje i pyetëm mysafirët arbëreshë për mbresat nga Festivali i Usterit. Ata thanë se bashkësia këtu i kishte pritur krahëhapur dhe se “ishin ndjerë pjesëtarë të familjes së madhe shqiptare” përtej Atlantikut.

Dje, të ftuar në Katedralen ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ata me zonjat e tyre u pritën nga anëtarë të bordit të Kishës, pjesëtarë të shoqatave e aktivistë të komunitetit. Kryebashkiaku Rosario Petta dhe gazetari Loris Castriota Skanderbegh e ripërforcuan “lidhjen vëllazërore” në një vend që ka domethënie të shumëfishta historike “për të gjithë që kanë gjak shqiptari,” thanë ata.

Foto: nga e majta, Petrit Alibeaj, Sami Ajdini, Erik Hoxha, Mark Kosmo, Brunilda Sota, Rafaela Prifti, Giusepina, David Kosta, Rosario Petta, Dhimiter Demiri, Frank Zdruli, Loris Castriota Skanderbegh, Grazia Vietri, Elisabeta Cani, Enertila (Eni) Kosta, Naum Prendo, Evans Liolin,

Ulur: Neka Doko, Feride Istogu Gillesberg, Erand Sojli, Adriaktik (Adriano) Hila, Luljeta (Gulia) Batelli, Klojdan Pepi

Foto: Flamuri historik i Shën Gjergjit në Fondin e trashëgimisë kulturore Fan Noli, Kryebashkiaku Rosario Petta, gazetari Loris Castriota Skanderbegh, Neka Doko, Përgjegjëse e Bibliotekës memoriale Fan Noli

Foto nga Festivali

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

FAN NOLI DHE FRYMA E TIJ NË JETËN TONË

June 7, 2023 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Republika e Kosovës/

Të nderuar drejtues dhe pjesëmarrës të këtij takimi!

Jemi takuar sot në këtë aktivitet për të shënuar një përvjetor të Degës së Federatës Vatra dhe për të kujtuar njërin prej apostujve të saj Fan Nolin!

Të ishe fanolist dje

Në këtë rast dua të them disa fjalë për frymën e Fan Nolit dje dhe për frymën e Fan Nolit sot.

Fan Noli është shkrimtari, intelektuali, krijuesi, përkthyesi, politikani e politologu, rreth të cilit shqiptarët janë bashkuar shumë herë, shumë kohë dhe shumë breza, sepse prej veprës së tij kemi pasur çka të vjelim e të bisedojmë për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptarë.

A është e rastit që Fan Noli i ka pasur jo vetëm bashkëkohësit e tij, po edhe fanolisët e brezave të mëvonshëm. E pra, historianët e popullit shqiptar, na kanë folur shumë për fanolistët e viteve ’20 e ’30, madje jo vetëm shkrimtarë, të cilët janë përpjekur ta emitojnë me krijimtarinë letrare dhe përkthimet e tyre, jo vetëm me pikëpamjet politike e ideologjike po edhe me heroizmat e me vdekjen për atdhe; historianët e popullit shqiptarë na kanë folur edhe për fanolistët e antifanolistët e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kjo do të thotë për fanolistët e përkushtuar ndaj veprës së tij dhe prirjet artistike e politike të studimit të saj; për prirjen shkencore të studimit të gjuhës dhe vlerave estetike të saj, si dhe për prirjet politike të ngjyrosjes ideologjike të saj; historianët, kulturologët dhe sociologët sigurisht një ditë do të flasin edhe për fanolistët e kohës sonë.

Në historinë e popullit shqiptar e të kulturës së tij, janë disa personalitet, biografia jetësore, biografia intelektuale dhe vepra e të cilëve e ka pasuruar përmbajtjen shpirtërore të popullit shqiptar në paqe, e ka ndihmuar popullin shqiptar në kohë luftërash dhe ka ndihmuar madje në kapërcyell të kalimit nga një periudhë në tjetrën. Në këtë rrjedhë, i kemi bërë luftërat për liri me këngët për Skënderbeun dhe skëndebegianët e të gjitha kohëve, kemi shtegtuar në periudhat e mëdha të Përlindjes Kombëtare me veprat e apostullit të saj Naim Frashërit e të bashkëkohësve të tij; kemi kapërcyer shtegun më të vështirë të historisë së këtij mijëvjeçari në fillim të shekullit XX, me bëmat e babait të shtetit kombëtar Ismail Qemali dhe ridimensionimin kulturor, intelektual e politik të diskursit të komunikimit tonë me Europën dhe Amerikën, të cilën e kanë bërë Fan Noli, Faik Konica e bashkëkohësit e tyre; jemi përballur me shtypjen e re sllave në ish-Jugosllavi duke u mbajtur, duke nderuar, duke u identifikuar e duke pasur në mendje sakrificën personale të Adem Demaçit etj.

Për mësuesit tanë në Kosovë e ish-Jugosllavi, për edukatorët tanë, ateistë të periudhës së komunizmit, të cilët ligjëronin Fan Nolin në shkollë a në Universitet, nuk ishte e mjaftueshme të ishe besimtar që i faleshe zotit. T’i besoje Perëndisë, ligjëronin ata, do të thotë, të punoje për gjuhën dhe atdheun, që Zoti pastaj ta shpërblente si vlerë të nderimit dhe besimit për të; për mësuesit tanë, të besoje Perëndinë do të thoshte t’i shërbeje kombit dhe institucionit fetar autoqefal të themeluar prej tij, prej Fan Nolit.

A është e rastit që edukatorët, mësuesit tanë ateistë të periudhës komuniste, të cilët nuk e shquanin shumë institucionit fetar të formimit të Konstantin Kristoforidhit; të cilët kalonin nën zë emrin e institucionit fetar të formimit fillestar të Naim Frashërit; të cilët e heshtnin institucionin fetar të formimit e besimit të Ndre Mjedës; në rastin e Nolit, e shquanin largvajtshëm dhe madje gjenin strehë në institucionin fetar autoqefalist të Kishës Ortodokse Shqiptare, të themeluar prej tij.

Të ishe fanolist në fund të shekullit të kaluar dmth të kishe guximin qytetar dhe intelektual që t’ia grisje maskën e së keqes, pushtetit, politikanit, akademikut, shkrimtarit e klerikut serb, maqedonas e malazez, ashtu sikur bënin Profesor Rexhep Qosja në Kosovë, Profesor Agim Vinca në Maqedoni dhe Profesor Nail Draga në Mal të Zi.

Të jesh fanolist sot

Të jesh fanolist sot do të thotë të jesh krijues, që më parë se sa t’i artikulosh idetë, temat, mendimet a konceptet në veprën fetare, letrare, politike, kulturore a shkencore, duhet të krijosh neologjizmat, fjalët vetjake, termat shkencorë, mbi strukturën fjalëformuese e kuptimore të gjuhës shqipe, aq të munguara në komunikimin shkencor, politik e kulturor sot; të jesh nolian sot do të thotë të jesh i pakompromis në identifikimin e saktë të shqetësimeve ditore dhe t’ia çjerrësh maskën politikanit, deputetit, qeveritarit dhe uzurpatorëve të institucioneve shtetërore, arsimore, shkencore e kulturore, aq të pranishme në jetën tonë kombëtare sot; të jesh fanolist sot do të thotë të jesh i vendosur në përzgjedhjen dhe sjelljen e vlerave universale për kulturën e popullit tënd, aq të munguara në institucionet shkencore e akademike sot; të jesh fanolist sot, do të thotë të jesh i vendosur deri në shenjtëri për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në jetën tonë, pra, të besosh dhe të jesh i bindur deri në idealizëm se e vërteta dhe vetëm e vërteta e sjell fundin e lumtur të çdo gjëje: madje, të jetës dhe të vdekjes!

Të jesh fanolist sot, do të thotë të respektosh qytetërimin, trashëgiminë, besimet fetare, Lindore e Perëndimore në jetën e popullit shqiptar, e kjo do të thotë të mos e shohësh fqinjin si mysliman, katolik a ortodoks, po si shqiptar të një përkatësie, të cilën ai e ka zgjedhur brenda zemrës së tij. Të jesh nolian, në të vërtetë, do të thotë t’i japësh kuptimin kombëtar institucionit fetar në të cilin i lutesh Perëndisë, pa ndjerë nevojën që të kalosh në tjetrin për të ridimensionuar imazhin kombëtar, intelektual e kulturor vetjak.

Të jesh fanolist sot, do të thotë të mos ndalesh një jetë të tërë, së hulumtuari e studiuari veprën e Fan Nolit, sikur bëri Nash Jorgaqi dhe të vazhdosh atë rrugë sikur bën sot studiuesi Sevdai Kastrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botuesi e studiuesi Mehmet Gëzhilli në Shqipëri.

Të nderosh Nolin sot, do të thotë të botosh veprën e plotë, sa më të plotë të tij, ashtu sikur vepron fanolisti nga Tirana, Z. Mehmet Gëzhilli, duke botuar jo vetëm krijimtarinë letrare, mendimin shkencor, publicistikën, përkthimet etj., po edhe literaturën kishtare, në një kohë që edhe botuesit shumë herë më të mëdhenj se ai, kujdesen të botojnë prej tij vetëm një pjesë të Albumit, Historinë e Skënderbeut dhe shumë shumë ndonjë përkthim të Shekspirit për nevoja të lekturës shkollore.

Të jesh sot fryma e Fan Nolit do të thotë të mbrosh me dije dhe me kulturë shkencore e intelektuale Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, duke botuar liturgjinë noliane kishtare dhe ta vesh në funksion të secilës Kishë dhe lutësve të saj, ashtu sikur vepron editori Mehmet Gëzhilli në Tiranë.

Të nderosh dhe të risjellësh sot mendimin politik, shkencor e letrar të Fan Nolit në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë të punosh me dekada për të përgatitur Bibliografinë shteruese të tij, duke e vendosur deri edhe në Bibliotekën e Harvardit, ashtu sikur punoi e punon studiuesi e editori nga Tirana, Mehmet Gëzhilli.

Të jesh bartës i Frymës fanoliste sot, sot do të thotë të nderosh e respektosh demokracinë planetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë ta mbash në tavolinën e punës e ta nderosh Kushtetutën Amerikane dhe ta mbash në tavolinën e punës e ta respektosh Kushtetutën e shtetit tënd. E kjo do të thotë, ta mbash në njërën dorë Biblën a Kuranin dhe në dorën tjetër Kushtetutën dhe shpatën. Besoj, të tillë ishin fanolistët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, për të cilët vite më parë pata shkruar: Nëse moshatarët e tyre në trojet etnike ishin rritur dhe përgatitur për luftë duke lexuar Biblën a Kuranin dhe duke u vetëdijësuar për lirinë si mision njerëzor para varrit të Çerçiz Topullit e Adem Jasharit, luftëtarët e batalionit “Atlantiku” ishin rritur duke mbajtur në dorë edhe Deklaratën e të Drejtave Universale dhe duke u frymëzuar nga Shtatorja e Lirisë, e cila bashkonte konceptin për lirinë kolektive, krenarinë kombëtare dhe botën humane të tyre. E kjo do të thotë se luftëtarët shqiptarë që erdhën nga Amerika në Luftën e Kosovës ishin pasardhës edhe të frymës së Fan Nolit dhe vargjeve të tij paradigmatike “Mbahu, Nëno, mos kij frikë / Se kë djemtë n’Amerikë”.

A mjafton kjo që ta përmbyllim fjalën tonë me konstatimin se, Fan Noli me bëmat e tij në fillim të shekullit XX dhe me veprën e tij në fund të shekullit XX, e ka kryer misionin e tij kombëtar, politik, krijues, klerikal dhe human në jetën e popullit shqiptar.

Duke shkruar për Balzakun, Viktor Hygo, pati thënë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vet piedestalin e tyre, e ardhmja ngarkohet të vendosë statujën”. Fan Noli ishte i tillë. Krijoi piedestalin e tij mbi në kontinente, por statujën e kemi borxh ta vendosim edhe ne, brezi ynë.

Le të jetë kjo fryma e tij, vepra e tij dhe lavdia e tij, e cila na ka bashkuar edhe sonte!

Prishtinë, 3 qershor 2023

* Në “10-vjetori i Degës së Federatës VATRA Queens NY”, SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. dr. Begzad Baliu

SHBA, Kosova dhe Ballkani jashtë interesave pansllaviste

June 7, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Para 79 viteve SHBA-të bashkë me aleatë e saj evropian, zbarkuan në Normandi të Francës për ti mbrojtur vlerat evropiane nga fashizmi dhe depërtimi i Ushtrisë se Kuqe ruse, e cila kishte përparuar kundrejt ushtrisë fashistë gjermanë duke sjell një ideologji moniste-diktatoriale, Komunizmin, që për fat të keq këtë indologji komuniste e përqafuan shumë shtet të Evropës lindore.

Po të merrej në konsideratë plani i kryeministrit Çerçill nga ana e amerikanëve, që zbarkimi ushtarakë i forcave aleate të behej në Ballkan duke përfshi edhe Shqipërinë, me të cilën gjë do ti ndalej hovi i Ushtrisë së Kuqe ruse dhe indologjisë së saj komuniste, duke pretenduar për të depërtuar deri në Gjibraltar.

Kjo për shqiptaret do të ishte me siguri shumë më mirë. Ushtria e Kuqe do të ishte ndaluar pa hyrë në vijën që ata pretendonin nga Poloni deri në ngushticën e Bosforit.

Për Britaniket pas fashizmit rrezik i vlerave evropianë ishte BRSS dhe ideologjia e saj komuniste, që për fatin e keq edhe shqiptaret do të sundohen nga kjo indologji komuniste për gjysme shekulli.

Nga kjo kohë ushtria e SHBA -ve do të jetë rojë dhe siguri për botën perëndimorë, po ashtu për fatin tonë të mirë, në fund të shekullit të XX-të, SHBA-të do të ndërhyjnë edhe në Ballkan, duke e nxjerr Kosovën jashtë interesave strategjike pansllaviste, duke e shndërruar në një shtet të pavarur dhe sovran.

Filed Under: Histori Tagged With: Lulzim Nika

ROSINANTI

June 7, 2023 by s p

Processed with VSCO with a10 preset

Muç Xhepa/

Pranë shtëpisë së Çiftes, tashmë të grabitur nga “Çlirimtari”, kishte ndaluar karroca plehrambledhëse. Karrocieri përpiqej të ngrinte lart, jashtë kafazit të hekurt, lyer me jeshile të errët, koshin e teneqesë të mbushur deri në majë me mbeturina, që kundërmonin ngordhësirë. Ndalova. I moshuari e lëshoi koshin, lidhi duart prapa dhe u përpoq të drejtonte kurrizin. Ndjeu dhimbje. Filloi të lutej: “Perëndi mos më turpëro!”.

Në kampin shfarosës të Bedenit, Ibrahimi kishte ditë që punonte i zhytur në llucë. Urdhri ishte i prerë: vetëm me të brendshme! Brekë. Këmbët i ishin bërë copë nga shushunjat. La lopatën brenda në barkë dhe ndoqi të dënuarit e tjerë. Kampi ishte vendosur në faqen e një kodre, që shikonte kënetën e Bedenit në Kavajë. Në brigadë punonin njëzet e nëntë priftërinj. Të tërë me bindje të thella për Krijuesin. Njeriut të Perëndisë pranë tij i shkau këmba. Ra në pellg me llucë. Iu afrua togeri. Drurin që mbante në dorë e ngriti lart.

– Hë, derr i fëlliqur! Ngrihu!

E goditi me forcë në shpatull. Njeriu i Perëndisë nxori klithmë dhimbjeje.

– Thuaj, hë, Krishti është reaksionar!

– Jo, biri im! Krishti është mbret!

Përbindëshi ngriti shkopin. Ibrahimi i zuri dorën.

– Ore qelbësirë, ore armik, guxon dhe mbron një mashtrues!

Arriti ta shkëpusë dorën dhe e goditi me tërë forcën Ibrahimin. Ky, i fuqishëm prej natyre, e zuri nga gryka. Togerit i dolën të bardhat e syve jashtë. Ndërhynë dy priftërinj të tjerë, që e shpëtuan djallin nga vdekja.

Ibrahim Biçaku ishte kthyer nga Vjena. Kishte mbaruar dy fakultete: Akademinë Tregtare të Vjenës për Agronomi dhe atë të Shkencave Politike. I pasionuar pas gjuhëve të huaja, zotëronte gjermanishten, italishten, turqishten dhe anglishten. Djali i vetëm i Aqif Pashë Elbasanit, që më 26 nëntor 1912 kishte ngritur flamurin kombëtar në Elbasan, pas vdekjes së babait kishte filluar të merrej me administrimin e pronave të familjes. Midis tyre, fabrikën e prodhimit të cigareve në Tiranë dhe kafe-librarinë “Flora”. Miku i tij, Bahri Omari, e kishte ftuar për kafe.

– Ibrahim, vëllai i gruas është kthyer nga Franca. Sillet rrotull pa punë. Nuk ka dhënë sikur edhe një provim të vetëm në universitet. E merr me mend se çfarë shkalle inteligjence ka.

– Të kuptoj. E vendos administrator te fabrika e cigareve “Elbasani”.

– Jo, jo miku im. Të falënderoj shumë! Do t’më bëje nder të madh ta punësoje te “Flora”. Të pastronte tryezat.

Të nesërmen, te dera e “Florës”, me beretë të vënë në anë, u shfaq njeriu që do t’i bënte gjëmën një kombi të tërë. I buzëqeshi kamerieres, një vajze të bukur, nga një familje e thjeshtë tiranase. Ajo kërkoi t’i shërbejë. Ai tundi kokën e bëri përpara. Si në shtëpi të vet. Vajza e ndoqi.

– Jam shefi yt.

Ia nguli sytë te gjoksi, që kishte filluar të çelte dy gonxhe të bukura trëndafili. Vajza u skuq.

– Hë, si të dukem? – e pyeti dhe ia hodhi shikimin te këmbët e drejta dhe të mbushura. – Dëgjo, merr shkallën në qoshe dhe ngjitu lart, të vësh sipas ngjyrës së kopertinës librat e raftit të fundit.

Kamerierja u hutua. Nguroi. S’e kish bërë më parë një punë të tillë. Kujdesej dikush tjetër për librat. Priti që shefi i ri të ndërronte mendje.

– Ja, se t’i sjell unë.

Mbështeti shkallën në raftin e fundit. Ndërsa vajza ngjitej e turpëruar, ai kundronte i eksituar bukuritë që shfaqeshin pas çdo lëvizjeje.

Kalin, kockë e lëkurë, dukej se këmbët do ta linin në çdo moment. Mizat, që i ishin vërsulur, përpiqej t’i largonte me bishtin që lëkundej pa arritur tek to.

– Zoti Biçaku, më lër të të ndihmoj.

U afrova. Ai shikonte i përhumbur. Fare pak njerëz e përshëndesnin. Frika ishte e madhe. Kishte bërë burg të gjatë. Burrel. Forcat komuniste, “Çlirimtarët”, e kishin arrestuar më 6 dhjetor 1944, në Shkodër. Në gjyqin special të zhvilluar tek ish-kinema “Kosova”, i drejtuar nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, nën udhëzimet e të riut me beretë që kishte punësuar, u dënua me vdekje. E shpëtoi një peticion i nënshkruar nga populli i Elbasanit: “Rrjedh nga një familje patriotike dhe bamirëse. S’ka pasur kurrë qëllim të veprojë kundër popullit të tij…”, shkruhej në të.

E zumë koshin nga anët. Plehrat që derdheshin në karrocë të merrnin frymën. Më falënderoi. Kërkoi t’i dërgoja të fala gjyshit dhe u largua në këmbë, me trupin e kërrusur nga torturat në burg. Kali e ndiqte, ashtu çalë-çalë, sikur ta dinte që duhej ta ndihmonte dhe mbronte njeriun e mirë nga poshtërsia e “Çlirimtarëve”.

Te kryqëzimi i bulevardit më prisnin dy miqtë e mi, Arzeni dhe Iliri. E kishin ndjekur skenën.

– Xhepë, bëre mirë që e ndihmove, – tha Ilir Buzo dhe më rrahu krahët. Iliri rridhte nga një familje antikomuniste. Dajën e kishte të dënuar në burgun e tmerrshëm të Spaçit.

– Se çka diçka prej Rosinanti… Kali… – tha me zë të ulët Arzen Kashari, student i shkëlqyer i mjekësisë, por që e kishte shumë për zemër letërsinë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Muç Xhepa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT