• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

“FLAMURI I ARBËRIT” I JERONIM DE RADËS – REVISTA ARBËRESHE E PARA NË GJUHËN SHQIPE

July 31, 2023 by s p

Pa ndërhyrje nga, “kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi”,

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Para se të marrë fund muaji Korrik, 2023, desha të kujtoj, një përvjetor, shkurtimisht, por historikisht me rëndësi për kulturën dhe gjuhën shqipe në përgjithsësi, por sidomos për historinë e gazetarisë shqiptare në përgjithësi, për gazetarinë në gjuhën shqipe: 140-vjetorin e botimit të së përkohëshmes – revistës Arbëreshe, “Flamuri i Arbërit” — botuar nga i madhi Jeronim De Rada (1814-1903), me 20 Prill të vitit 1883 në Cosenza të Italisë.  Por, botimi i revistës së parë, të përkohëshmes mujore, “Flamuri i Arbërit”, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në Prill të vitit 1883, nuk ishte i vetmi hap me rëndësi — nga pikëpamja e historisë së gazetarisë shqiptare — i De Radës, ndonëse nja 30-vjetë më parë, në vitin 1848, ai kishte botuar edhe gazetën e parë shqiptare, “L’Albanese d’Italia”.  

Revistën, “Flamuri i Arbërit”, të Jeronim De Radës, Prof. Dr. Hamit Boriçi e ka cilësuar atë si organin e parë të shtypi shqiptar që është marrë me Shqipërinë dhe me çështjet shqiptare, në kohën e lëvizjeve kombëtare në trojet shqiptare.  Ndonëse u paraqit dhe nisi të botohej si fletore shoqërore, kulturore, folklorike, letrare e gjuhësore, ajo sipas tij, shpejt i kapërceu këto caqe. Krahas problemeve tė gjuhës dhe të kulturës shqipe, revista “Flamuri i Arbërit”, trajtoi gjerësisht edhe çështje të politikës kombëtare, duke evokuar ngjarjet e Lidhjes sė Prizrenit. Vetë De Rada shkroi njė varg artikujsh, si atë me titull “Ç’i duhet Shqipërisë?”, botuar me vijim në disa numra. Në të parashtrohen njė varg idesh politike me karakter programor, si domosdoshmëria dhe legjimiteti i luftës për bashkimin administrativ të Shqipërisë në një vilajet të vetëm, ku të përfshihej “gegëria, toskëria dhe viset shqiptare në Maqedoni”.  De Rada ka shkuar edhe mė tej, duke propaganduar idenė e njė shteti shqiptar, organizuar mbi parime të drejta kombëtare e demokratike, sipas Profesorit Hamit Boriçi.

Ndërsa në një biografi të hollësishme të De Radës, përmbledhur nga Ernest Koliqi dhe botuar në një numër të veçantë të revistës “Shejzat” të vitit 1964, kushtuar 150-vjetorit të lindjes De Radës – shënohet se në vitin 1845, Jeronim de Rada ka takuar në Napoli Demetrio Kamardën, një “shqiptar i vërtetë me mend e me zemër”, me të cilin thuhet se takohej shpesh për të biseduar, “rreth ringjalljes shqisore e morale të kombit të përbashkët, ma i vorfnuemi ndër atdhena të njerëzvet”. Përveç veprave të shumta, përfshirë “Milosaon” dhe botime mbi historinë shqiptare, De Rada fillon në vitin 1848, botimin e “L’Albanese d’Italia”, që konsiderohet si fletorja e parë shqiptare dhe në vitin 1883, “Flamurtarin e Arbërit” që konsiderohet si revista e parë shqiptare. De Rada pjesë aktive në lëvizjet për ringjalljen e Italisë, por me dështimin e tyre, ai kthehet në vendlindjen e tij Maki, një fshat prej “600 frymësh, pa gjyqtar, pa kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi.”

Ashtu, “I lirë e pa frej” nga vendlinja e tij, Jeronim de Rada i kushtohet me gazetarinë e tij, zbatimit të porosisë së Gjergj Kastriotit -Skenderbe, amanet që Heroi i Kombit Shqiptar dhe Shpëtimtari i Evropës, u kishte lenë Arbëreshve dhe të gjithë shqiptarëve kudo dhe brez pas brezi – atëherë dhe sot – për të ruajtur gjuhën kulturën dhe traditat.

Prandaj, 140-vjetori i botimit të revistës mujore, “Flamuri iArbërit” nga Jeronim De Rada është një rast për të kujtuar jo vetëm Jeronim de Radën por edhe të gjithë Arbëreshët e Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet, në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare, ndërkohë që me gazetarinë e kohës, kanë përhapur idenë e lirisë dhe të demokracisë edhe për shqiptarët në Shqipëri dhe në trojet e tyre anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. De Rada e bëri këtë në mënyrën më efektive për kohën që jetoi ai, por edhe për sot – me fjalën e lirë të gazetarisë, ashtu siç është shprehur edhe ai, pa ndërhyrje nga, “… kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi”, duke iu referuar vendlindjes së tij në Makje Macchia Albanese, lagje e Shën Mitrit, në provincën e Cosenzës, të Italisë.

Ky mesazh i Jeronim De Radës, para pothuaj një shekull e gjysëm, për ushtrimin e fjalës së lirë, “pa frej sundimi”, edhe nga gazetaria shqiptare sot, është një amanet për ne nga Jeronim De Rada, i cili sipas Ernest Koliqit, është një porosi edhe sot për ne “Shqiptarët që morëm në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th. pasqyrimin e Shqipërisë së lirë”. Si rrjedhim, ka shkruar Koliqi, ne “duhet t’i jemi mirënjohës Poetit të Makjit, por edhe të nji gjuhe e gjaku, që nen qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”. Ndërsa përfundon duke thënë se, “Nëpër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbëreshët e Italisë, kryen at vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar, që i Nalti Perëndi u përcaktoi atyre, kur në një stinë duhije e tmeri, lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në një vis të huaj, me ikona fetare e me hire shqiptare.”

Për fat të keq, ashtu si në kohën pas vdekjes së Skenderbeut, një shumicë e shqiptarëve sot gjithnjë kanë në mend largimin nga Atdheu, mërgimin për në dhena të huaja duke synuar brigje dhe vende të huaja. Fatkeqësisht, siç ka shkruar edhe Eqrem Vlora, “Çdo popull duhet të paguajë tagrin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e paguajmë këtë tagrin: Herë në mundime të brendshme, herë me vështirsinat që na shkakton moskuptimi i jashtëm. Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim… Mos kuptimet e të huajve na kanë ndaluar ose vonuar zhvillimin e plotë të idealeve kombëtare.   Dikush na ka kujdesur, dikush na ka pasur besim e dikush nuk na ka druajtur. Me dashje ose pa dashje, të gjithë na kanë dëmtuar! Duhet të flasim haptazi, se kështu sigurisht nuk e kanë ëndërruar De Rada edhe shokët e tij, zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare!”, ka shkruar Eqrem Vlora me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Arbëreshit të njohur.

Ëndërra e Jeronim De Radës, të cilën ai e ka shprehur si gazetar, si shkrimtar, poet dhe avokat, ka qenë ideja e themelimit të një shteti shqiptar, bazuar në parime njerëzore dhe në të drejtat kombëtare të lirisë dhe demokracisë, “I lirë e pa frej sundimi”, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, si popull e si individë. 140-vjet pas themelimit të revistës së parë mujore shqiptare, “Flamuri i Arbërit” nga De Rada, Kombi shqiptar, për fat të keq, duket sikur e ka humbur rrugën në oborr, sa i përket idesë së krijimit të një shteti të lirë e demokratik, ashtu siç e endërronte Jeronim De Rada.

Besoj se përmendorja më e mirë e shqiptarëve për Jeronim De Radën sot do të ishte themelimi i një shteti vërtetë i lirë e demokratik, me standardet e botës së sotëme. Për ndryshe, nuk besoj se shqiptarët mund t’ia shlyejnë borxhet që kanë ndaj tij, ndërsa kam drojë se as ai nuk do ua fali shqiptarëve –popullit me vendbanimin më të lashtë në kontinentin evropian — mos pasjen e një Shqipërie të qytetëruar, të lirë e demokratike, krah për krah, me popujt e tjerë të Evropës.  

Frank Shkreli

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

A po rrezikon Kosova ta përsëris pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

July 31, 2023 by s p

XHYLIJE IBRAHIMI/

Premtimi për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise – premtimi është premtim). Nga përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta përmbushësh”. Këtë thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939. Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922.
Shqiptarët, të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje, vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë. Zyrtarët amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme, posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit.
Gjithashtu, ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes.

Njëra prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nën kontrollin e ekspertëve amerikanë. Periudha 1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet e forcave demokratike. Favorizimi i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë të ftohen dukshëm.

Amerikanët mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe Kryqit të Kuq. Në këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me SHBA-të. Pas në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte emëruar ambasador në Uashington.
Në vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi.

Por, SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej nga Italia fashiste.
Fajtore për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut. Më 10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.
Këtë kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar sidomos qeverinë aktuale në Kosovë mbi rrezikun e provokimit të një zemërim tjetër të madh amerikan ndaj shqiptarëve, një shekull më vonë, edhe pse arsyet mund të jenë tjera.

Roli i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj. Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i bëjmë me më shumë diplomaci. Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika nuk mund të barazohet me asnjë shtet tjetër, në raport me interesat shqiptare. Shpresojmë për ditë më të mira.

(Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare&diplomacisë)

Filed Under: Rajon

Imagjinatë

July 31, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Asnjë njeri, sado i zoti, nuk është shfaqur. Ata janë të rrallë edhe në historinë e botës. Konkursi vazhdon.

Ka oratorë, politikanë dhe njerëz elokuentë, me mijëra; por folësi i vërtetë nuk e ka hapur ende gojën për të treguar se është i aftë të zgjidhë pyetjet shumë të shqetësuara të ditës, siç është shpërbërja e kombit.

E duam elokuencën për hir të saj, dhe jo për ndonjë të vërtetë që mund të thotë, apo ndonjë heroizëm që mund të frymëzojë.

Njerëzit në përgjithësi, politikanët, nuk i kanë mësuar ende vlerat krahasuese të tregtisë së lirë, bashkimit dhe ndershmërisë. Këto janë të domosdoshme për një komb, krijojnë atmosferën. Për ndryshe ajri bëhet mbytës, nuk ka zgjuarsi, as talent, as dëshirë për t’u kapur me çështje relativisht praktike, të përulura. Njeriu përtërihet, por vesh robën nga trupi i të vdekurit dhe e quan këtë, “traditë”.

Nëse do t’ia vishnin zgjuarsisë fjalëpakë vizionit tonë, Shqipëria do të kishte përfundiuar tranzicionin, për të cilin as nuk flitet më; dhe nuk do të mbajë me fanatizëm renditjen në fund të botës, thuajse në të gjithë aspektet.

Njerëzit do t’u bindeshin me gëzim atyre që dinë dhe mund të bënin më të mirën e mundshme. Por as dinë dhe as nuk mund të bëjnë më mirë – janë të papastër. Qeveria nuk mund të ketë asnjë të drejtë mbi personin dhe pronën e tjetrit. Po të kishte fuqi, është si agresioni ndaj nje vendi tjetër. Përparim nga një diktaturë absolute në autokraci. Edhe filozofi kinez ishte mjaft i mençur për ta konsideruar individin si bazën e perandorisë. A është demokracia e mirëfilltë, përmirësimi i fundit i mundshëm në qeveri? A nuk është e mundur të hidhet një hap më tej drejt njohjes dhe organizimit të të drejtave? Nuk do të ketë kurrë një shtet vërtet të lirë derisa të arrijë ta njohë individin si një fuqi më të lartë dhe të pavarur, nga i cili rrjedh gjithë fuqia dhe autoriteti i shtetit. Unë e kënaq veten duke imagjinuar një shtet që mund të përballojë të jetë i drejtë për të gjithë njerëzit dhe ta trajtojë si një fqinj të barabartë me veten. Një shtet që jepte këtë lloj fruti dhe e linte të binte sapo të piqej, do të përgatiste rrugën për një shtet akoma më të përsosur, të cilin e kam imagjinuar, por ende nuk e kam prekur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

THE JEWISH POST (1937) / QEVERIA SHQIPTARE NJEH ZYRTARISHT KOMUNITETIN HEBRE NË VEND – NË VLORË FILLOI NDËRTIMI I SINAGOGËS SË PARË.

July 31, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Korrik 2023

“The Jewish Post” ka botuar, të premten e 9 prillit 1937, në ballinë, një shkrim rreth njohjes zyrtare të komunitetit hebre asokohe nga qeveria shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hebrenjtë shqiptarë do të hapin sinagogën e parë

Nga Jewish Telegraphic Agency

Burimi : The Jewish Post, e premte, 9 prill 1937, ballinë
Burimi : The Jewish Post, e premte, 9 prill 1937, ballinë

Tiranë, Shqipëri – Komuniteti i parë hebre në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga qeveria javën e kaluar. Ai përfshin dhjetë familje hebreje në Vlorë – numri më i madh në të gjithë vendin.

E gjithë popullsia hebreje e Shqipërisë përbëhet nga 35 familje.

Pas regjistrimit zyrtar të komunitetit hebre, në Vlorë filloi ndërtimi i sinagogës së parë të ndërtuar në vend pas grumbullimit të 350 napolonëve ari.

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja

TRAGJEDIA E BALLKANIT – ideologjia serbomadhe

July 31, 2023 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli/

Ideologët serbomëdhenj, idenë e krijimit të Serbisë së Madhe e bazonin në kriteret, si:

– Në kriterin e shenjtë historik;

– Në kriterin e gjuhës;

– Në kriterin fetar;

– Në kriterin “e superioritetit” të kombit serb apo në shkallën qytetëruese “më të lartë” të serbëve përballë popujve të caktuar të Ballkanit.

Sipas etërve të idesë së Serbisë së Madhe, serbët na qenkan popull historik. 

Sipas ideologëve serbomëdhenj: 

– E kujt gjuha, i atij territori;

– E kujt feja, i atij territori.

Bazuar në kriteret e sipërthëna, malazezët janë serbë, për arsye se gjuha që flasin është serbishtja, ndërsa besimi i tyre është feja ortodokse. Boshnjakët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame. Gjuha që flasin ata është serbishtja. Kroatët janë serbë të fesë katolike. Gjuha që flasin ata është dialekti shtokav i serbishtes. Maqedonasit janë serbë ngase në mesjetë, Maqedonia ka qenë në përbërje të perandorisë së Dushanit.

Me të mohuar kombësinë malazeze, boshnjake, kroate dhe maqedonase, serbomëdhenjtë mohojnë ekzistimin e shteteve kombëtare të tyre – Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Maqedoninë. 

Pretendimeve ekspansioniste të serbëve ndaj Kroacisë dhe Ballkanit, inteligjencia kroate u ka bërë ballë gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga fillimi i shekullit XIX deri më sot. Midis këtyre dy popujve mbizotëron një armiqësi historike. 

Sipas serbëve, krijimin e Serbisë së Madhe e kanë penguar, dikur dhe sot: Berlini, Vjena, Vatikani, CIA dhe agjenti i Vjenës dhe i Vatikanit – Josip Broz Tito.

*   *   *

Shënim: Pas fitores së Lidhjes Ballkanike (Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi) kundër Turqisë në Luftën I Ballkanike (1912), midis tyre filloi konflikti për Maqedoninë. Serbia dhe Greqia u bashkuan kundër Bullgarisë. Lufta midis tyre filloi në qershor të vitit 1913. Aleatët (Serbia dhe Greqia), të cilëve iu bashkuan edhe Rumania dhe Turqia, shpejt e mundën Bullgarinë. Maqedonia nuk u bë e pavarur, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit (!913). Më tepër se gjysma e vendit i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut). Pjesën më të madhe të asaj që mbeti, e mori Serbia (Maqedonia e Vardarit). Bullgarisë iu la diç më shumë se një e dhjeta (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria e humbi edhe Dobruzhën jugore e cila i takoi Rumanisë, por asaj iu lejua ta mbajë një pjesë të Trakisë, duke fituar kësisoj dalje në Detin Egje.           

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e parë (1918-1941) – Krijimi i Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (MSKS) – Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia realizoi maksimumin e programit kombëtar. Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve – të sapokrijuar, ia bashkëngjiti Malin e Zi dhe rajonet e Austro-Hungarisë, përfshi edhe Bosnjën – me mbizotërimin e serbëve. Me krijimin e Mbretërisë së SKS, populli serb për herëte parënë historinë e tij moderne, u fut në një shtet të vetëm. Me fjalë të tjera, të gjithë serbët në një shtet. Politikanët serb, mbretërinë e sapoformuar e shihnin si një Serbi të zgjeruar. Serbët konsideroheshin popull shtetformues dhe krijues kryesorë të Jugosllavisë, ndërsa “qëndrimi i tyre prej nikoqiri ndaj shtetit” u glorifikua apo u zmadhua. Zbatimi i politikës serbomadhe nënkuptonte një qeveri të fortë të centralizuar për tërë kombin.

Duke përdorur taktikën e frikësimit policor dhe të kurdisjes së zgjedhjeve, Nikolla Pashiqi* (Nikola Pashić, 1845-1926) e zvogëloi rëndësinë e opozitës në kuvend. Kjo i mundësonte që pushtetin ta centralizojë apo ta qendërzojë në duart e serbëve. Rregullimi i Mbretërisë së SKS-së si një shtet unitar dhe centralist me dominim serb, kishte shumë kundërshtarë, si: “zelenashët”, ithtarë të mbretit të shembur Nikolla Petroviç të Malit të Zi; Partia Fshatare Kroate, e cila kërkonte autonomi për Kroacinë; Organizata Revolucionare Maqedonase e Brendshme (VMRO), e cila luftonte për pavarësinë e Maqedonisë; Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”*, e cila luftonte për shkëputjen e trojeve shqiptare (Kosovës, Maqedonisë perëndimore dhe të pjesëve të caktuara të Sanxhakut); Partia Komuniste e Jugosllavisë, e cila luftonte kundër hegjemonisë serbomadhe dhe për rregullimin e Jugosllavisë mbi baza republikash në kuadër të një federate të përbashkët.  

Shënim: Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi nuk kaloi lehtë. Mbreti i dëbuar Nikolla I Petroviq Njegosh (Nikola I Petrović Njegoš, 1841-1921) u çua kundër këtij vendimi. Vdiq në emigrim. U varros në kishën ruse në Sanremo (San Remo) të Italisë. Në Mal të Zi kishte të tillë të cilët bashkimin e konsideronin si akt jolegjitim. Këta quheshin “zelenashë” (green). Sipas disa studiuesve, këta ishin nacionalistë malazezë dhe luftonin kundër agresionit serbomadh ndaj Malit të Zi. 

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918. Më 7 nëntor 1918 u vendos në Shkodër. Udhëhiqej nga atdhetarët, si: Bajram Curri,  Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, demokratizimi i tij, çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, që ishin shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. 

Kritika komuniste e hegjemonisë serbomadhe – Krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, Internacionalja Komuniste e cilësoi vetëm si zgjerim territorial të Serbisë pas luftës imperialiste, ndërsa vetë Mbretërinë – si “ perandori të vogël” serbe. Komunistët jugosllavë konsideronin se Mbretëria e SKS-së është shtet në të cilin klasa sunduese e një kombi i shtyp kombet e tjera. Politikën hegjemoniste të borgjezisë serbomadhe, ata e konsideronin shtyllë të kundërrevolucionit ballkanik dhe pengesë kryesore për krijimin e federatës ballkanike. Partia Komuniste e Jugosllavisë konsideronte se shkaku kryesor i kundërthënieve kombëtare në Jugosllavi është trashëgimia koloniale e politikës së borgjezisë serbe nga luftërat ballkanike në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë si dhe politika hegjemoniste e saj në shtetin e ri. Partia Komuniste e Jugosllavisë, detyrën e vet e shihte në luftën e vendosur kundër shtypjes kombëtare dhe për vetëvendosjen e popujve. 

Në Rezolutën e PKJ-së të datës 25 nëntor 1924 thuhet: “Është detyrë e Partisë që me organizatat e masave punonjëse të kombeve të shtypura të zhvillojë luftëra të përbashkëta për të drejtën e shkëputjes, përkatësisht t’u ndihmojë lëvizjeve të kombeve të shtypura për t’i formuar shtetet e pavarura, si të Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ashtu edhe për çlirimin e shqiptarëve”.                         

PKJ thotë: “E vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes kombëtare në Ballkan është krijimi i Republikës Federative Ballkanike. Por, kah mesi i viteve ’30 të shekullit XX, PKJ thotë: “Jugosllavia mund të ekzistojë, me kusht që të rregullohet mbi baza federative”. 

*   *   *

Atentati në Kuvendin Popullor të Mbretërisë së Jugosllavisë në Beograd – Më 20 qershor 1928, në sallën e Kuvendit Popullor në Beograd, ndodhi një masakër. Deputeti serb nga Mali i Zi, i radhëve të Partisë Popullore Radikale, Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886 – 16 gusht 1944) nxori prej xhepit revolen e tipit „parabellum“ dhe qiti mbi deputetët kroatë. U vranë vend Gjuro Basariçek (Đuro Basariček, 1884 – 20 qershor 1928) dhe Pavlle Radiq (Pavle Radić, 1880 – 20 qershor 1928). Kryetari i Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871 – 8 gusht 1928) – u plagos. Pas një muaj e gjysmë, vdiq prej plagëve të marra. U plagosën Ivan Grangja (Ivan Granđa, 1879 – 31 mars 1953) dhe juristi, Dr. Ivan Pernar (1889 – 2 prill 1967). Atentatori Punisha Rçiq u arrestua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1944, me të hyrë partizanët në Beograd – e pushkatuan.         

*   *   *

Koncepti i Klubit Kulturor Serb – Ka qenë organizatë politike serbomadhe. Është themeluar në vitin 1937 në Mbretërinë e Jugosllavisë. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e Klubit paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, d.m.th. të çetnikëve. Kryetar i Klubit ishte Sllobodan Jovanoviqi (Slobodan Jovanović, Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Ky ka studiuar drejtësinë në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1891, studimet i vazhdoi në Paris. Profesor në Universitetin e Beogradit. Në vitet 1942-1943 ka qenë kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë – në Londër.      

Shteti i përbashkët jugosllav ishte jofunksional. Kjo solli ringjalljen shkallëzore të idesë serbomadhe. Ndër politikanët serbë u forcua bindja se me idenë e bashkimin – kanë gabuar, ndaj duhet krijuar Serbinë e Madhe. Për ta zgjidhur çështjen kombëtare serbe, shpesh është propozuar “amputimi i Kroacisë”, në kufij të reduktuar, të cilës do t’i merreshin “viset serbe”. Në mars të vitit 1928, deputeti i radikalëve Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886-1944), atentatori famëkeq ndaj Stjepan Radiqit (Stjepan Radić, 1871-1928), në seancën e Kuvendit Popullor kërkoi që shteti të rregullohet ndryshe, të riemërohet dhe të quhet Serbi e Madhe. 

Klubi Kulturor Serb thotë: “Gabimet e bëra pas bashkimit, duhet t’i përmirësojmë”. 

Sipas serbomëdhenjve, “çështja kombëtare serbe” në Mbretërinë e Jugosllavisë ka mbetur e pazgjidhur. Për këtë arsye një grup intelektualësh serbë formojnë Klubin Kulturor Serb. Synimi i tij është të riafirmojë idenë serbomadhe”. Krahinën e Bosnjës (Bosanska Krajina), Klubi Kulturor Serb e quante “pararojë e Beogradit”. Rajoni i Bosnjës dhe Hercegovinës duhet i tëri të hyjë në njësinë territoriale serbe të ardhshme. Klubi Kulturor Serb punonte me përkushtim për shkëputjen e Sremit nga përbërja e Banovinës (Guvernës) Kroate (rrethet Dal, Vinkovci dhe Vukovar), duke shtuar se Dalmacia nuk është kroate. Është potencuar karakteri serb i Maqedonisë dhe i Kosovës. Të gjitha këto rajone apo troje i konsideronte toka serbe dhe në to zhvillonte veprime propagandistike të gjera.

Në vitin 1937, sekretari i Klubit Kulturor Serb në Beograd, docent i Fakultetit Filozofik në Beograd, Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990), u dërgoi organeve shtetërore dokument sekret me titull “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta). Dokumenti ka të bëjë me “zgjidhjen e çështjes shqiptare”, përkatësisht me “dëbimin e paramenduar, sistematik dhe energjik” të shqiptarëve nga Jugosllavia dhe me asimilimin e atyre që do të mbesin. Për shpërnguljen sa më masive të popullatës shqiptare, Çubrilloviqi propozon metoda të trysnisë shtetërore: largime nga puna,  burgosje, dhunë, frikësime, korruptime, dërgim të njësive paraushtarake dhe djegie të vendbanimeve. 

Shënim: Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990) ishte historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit.                               

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Luftën II Botërore – Ideologjia serbomadhe mor hov gjatë Luftës II Botërore. Sipas historiografisë serbe, eliminimi i serbëve në Shtetin e Pavarur Kroat (të krijuar gjatë luftës), ka qenë pjesë e politikës shtetërore zyrtare. Sipas serbëve, ky eliminim i ka pasur të gjitha elementet e gjenocidit. Rrjedhimisht, ekzistimi i serbëve në një shtet shumëkombësh, është i pamundur. Në vend të rimëkëmbjes së Jugosllavisë, rezultati i luftës  duhet të jetë shteti serbomadh. Idetë e këtilla u paraqitën në mënyrë më eksplicite në memorandumin apo elaboratin “Serbia homogjene” të ideologut të çetnikëve, Stevan Moleviq* (Stevan Moljević, 1887-1959). Në artikull janë përcaktuar kufijtë e ardhshëm të Serbisë së Madhe. Në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit XX, këta kufij do të njihen si “Vija e Sheshelit”. 

Moleviqi shkruan: “Gabimi kryesor në rregullimin tonë shtetëror ka qenë se në vitin 1918 nuk u përcaktuan kufijtë e Serbisë. Ky gabim duhet të përmirësohet, o sot o kurrë. Këta kufij duhet të përcaktohen sot dhe ata duhet ta përfshijnë tërë rajonin etnik ku jetojnë serbët, me dalje të lira në det, për të gjitha zonat që ndodhen pranë detit”. 

Memorandumi i sipërthënë i Moleviqit u botua më 30 qershor 1941. Aty mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë. Ai ngulte këmbë që të shënohen qartas të gjitha tokat serbe dhe ato, në pikëpamje etnike, të bëhen homogjene. 

Lëvizja çetnike (emërtimi zyrtar: Ushtria Jugosllave në Atdhe) udhëhiqej nga ideologjia serbomadhe. Ajo synonte krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe. Homogjenia e dëshiruar e Serbisë çetnike arrihej me mjete të pastrimit etnik dhe me gjenocid.                   

         Komandanti i çetnikëve, gjenerali Drazha Mihajlloviq* (Draža Mihailović, ), më 20 dhjetor 1941, shkruan dhe bën thirrje: “Të krijohet Jugosllavia e madhe dhe në të Serbia e madhe, etnikisht e pastër, në kufijtë e Serbisë-Malit të Zi-Bosnjës e Hercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës. Të luftohet që të përfshihen në jetën tonë shtetërore të gjitha territoret që ende ndodhen nën italianë dhe gjermanë (Trieste-Gorica-Istra dhe Korushka) si dhe Bullgaria, Shqipëria veriore me Shkodrën. Territore shtetëror të pastrohet nga të gjitha pakicat kombëtare dhe nga elementet jokombëtare. Të krijohen kufij të përbashkët midis Serbisë dhe malit të Zi, si dhe Serbisë e Sllovenisë, duke pastruar Sanxhakun nga popullata myslimane, ndërsa Bosnjën – nga popullata myslimane dhe katolike… Në viset e pastruara prej pakicave kombëtare dhe prej elementeve jokombëtare, të vendosen malazeztë (vijnë parasysh familjet e varfra…). Në janar dhe në shkurt 1943, ushtria çetnike (Ushtria Jugosllave në Atdhe) ndërmori operacione të gjera gjenocidi dhe pastrimi etnik në Bosnjën lindore dhe në Sanxhak, me ç’rast janë vrarë mijëra civilë myslimanë, gra, pleq dhe fëmijë. 

Në Kongresin e Shën Savës të mbajtur në vitin 1944, çetnikët vendosën që Jugosllavia e pasluftës të jetë monarki me tri njësi federale: sllovene, kroate dhe serbomadhe. Në kuadër të Serbisë do të përfshiheshin Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe një pjesë e madhe e Kroacisë. Me fitoren e partizanëve, planet e çetnikëve dështuan. Fitoi koncepti i Jugosllavisë federative.                         

Shënim: Stevan Moleviq (1887-1959) ka qenë jurist serb. Drejtësinë e ka kryer në Zagreb. Një prej ideologëve me peshë të ideologjisë serbomadhe dhe të lëvizjes së çetnikëve. Kryeredaktor i revistës çetnike “Ravna Gora”; gjatë Luftës II Botërore, anëtar i Komandës supreme çetnike dhe këshilltar politik i Drazha Mihailloviqit. Në shator të viti 1945, në ”Procesin e Beogradit” kundër Drazha Mihailloviqit, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq më 15 nëntor 1959 në burgun e Sremska Mitrovicës (Mitrovicë e Sremit). Në memorandumin dhe elaboratin “Serbia homogjene” mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë.

Dragolub Mihajlloviq – Drazha (1993-1946) – gjeneral i Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Jugosllavisë, udhëheqës i çetnikëve serbë. Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore, oficer i ushtrisë serbe në Mbretërinë e Serbisë. Në vitin 1945, në “Procesin e Beogradit”*, pushteti komunist e dënoi me vdekje për tradhti të lartë dhe për krime lufte. U pushkatua dhe u varros në lokacion sekret. Më 14 maj 2015, Gjykata e Lartë në Beograd mori vendim për rehabilitimin gjyqësor të tij. Me këtë e anuloi aktgjykimin e nxjerrë më 15 korrik 1946. Vendimi i Gjykatës u përshëndet nga Vojisllav Shesheli (Vojislav Šešelj, 1954- ) dhe të tjerë. Në Kroaci, rehabilitimi i tij u dënua ashpër. Është dekoruar në Serbi (në kohën e Mbretërisë së Serbisë), por edhe prej shteteve të tjera. Është mbajtës i “Përkujtimores Shqiptare” (Albanska spomenica).

“Procesi i Beogradit” – Emërtimi zyrtar i procesit është: “Gjykimi i Dragolub-Drazha Mihailloviqit dhe i kolaboracionistëve të tjerë për tradhti dhe krime lufte të kryera në hapësirën e Jugosllavisë gjatë luftës (1941-1945). Procesi u mbajt në Beograd prej datës 10 qershor deri më 15 korrik 1946. Të akuzuar ishin 24 vetë, shumica pjesëtarë të ushtrisë çetnike serbe. Dhjetë prej tyre u gjykuan në mungesë. Të pranishëm ishin 60 gazetarë të huaj. Procesi i ngjante “Procesit të Nyrnbergut” (nëntor 1945 – 1 tetor 1946).   

*  *   *

Serbia e Madhe e Millan Nediqit – Ky projekt nënkupton rikonstruktimin e  “Serbisë së Plotë” (SveSrbije) në hartën e Jugosllavisë së pushtuar gjatë Luftës II Botërore. Kryetari i Qeverisë së Serbisë, të pushtuar, gjenerali Millan Nediq (Milan Nedić, 1877 – Beograd, 4 shkurt 1946) propozoi krijimin e Serbisë së Madhe të cilën e quajti “Krejt Serbia / Serbi e Plotë” (SveSrbija). Projekti parashikonte bashkimin e Serbisë dhe të Malit të Zi në kufijtë e tyre të atëhershme të luftës, si dhe bashkëngjitjen e pjesëve të caktuara të Shtetit të Pavarur Kroat të banuara me serbë. Në vitin 1943, Nediqi ia ka paraqitur projektin Adolf Hitlerit (1889-1945), por ky e ka refuzuar. Sipas studiuesve kroatë, ky politikan serb ishte “bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë; udhëhoqi qeveri marionete dhe ishte kolaboracionist”. Sipas komunikatës zyrtare të pushtetit komunist, “më 4 shkurt 1946, Nediqi bëri vetëvrasje gjatë procesit hetimor”.

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e dytë – Me fitoren e partizanëve në Luftën II Botërore, në përputhje me vendimet e Mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë) të mbajtur më 29 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, u ripërtëri shteti i Jugosllavisë mbi parime republikash dhe mbi parime federative. U parashikua që popujt sllavë të jugut (serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit dhe malazeztë) të jetojnë në republikat kushtetuese me të drejta të barabarta. Malazezëve, maqedonasve, më vonë edhe myslimanëve (të BH-së), iu njoh e drejta për kombe të veta. Me Kushtetutën e RSF të Jugosllavisë të vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina u bënë pjesë konstitutive të federatës. Për ideologjinë serbomadhe s’kishte vend. Për këtë arsye, ajo u zhvillua jashtë Jugosllavisë, kryesisht ndër çetnikët në emigracion. 

Në Jugosllavinë e parë, Serbia i kishte në kuadër të vet: Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën. Me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ-së), përkatësisht me Kushtetutën e vitit 1974, ato u bënë republika më vete, përkatësisht njësi federative.     

Shënim: Pas Luftës II Botërore, pater patriae (babai i kombit), akademiku Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić, 1921-2014) deklaron: „Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.             

*   *   *

Marrëveshja Pavelliq – Stojadinoviq e viti 1954 – Ishte një marrëveshje e pasluftës në emigracion midis udhëheqësit të ustashëve dhe ish-kreut të Shtetit të Pavarur Kroat – Ante Pavelliq (Ante Pavelić, 1889 – Madrid, 1959) dhe politikanit serb Millan Stojadiniviq (Milan Stojadinović, 1888 – Buenos-Aires, 1961). Marrëveshja u nënshkrua kah fundi i vitit 1954 në Buenos-Aires. Ajo parashikonte shkatërrimin e RPF të Jugosllavisë (RPFJ) dhe krijimin e tre shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë. Emigracioni serb dhe ai kroat nuk e njihnin legjitimitetin e regjimit të Titos në Jugosllavi. Kjo marrëveshje serbo-kroate duhej të zëvendësonte Marrëveshjen e vjetruar Cvetkoviq-Maçek* të viti 1939, me të cilën e formua Banovina (Guverna) e Kroacisë. 

Marrëveshja Pavelliq-Stojadinoviq parashikonte ndarjen e Bosnjës. Bosanska Kraina do t’i takonte Kroacisë, ndërsa pjesa më e madhe e Bosnjës qendrore me Bosnjën lindore, Hercegovina lindore dhe Dalmacia jugore – do t’i takonin Serbisë. Kundër kësaj marrëveshjeje  reaguan ashpër: emigracioni kroat, emigracioni serb si dhe regjimi i Titos në Jugosllavi. Pavelliqi dhe Stojadinoviqi, prej qarqeve politike serbe dhe kroate në emigracion, u shpallën tradhtarë kombi. Regjimi jugosllav ndërkaq, e injoroi rëndësinë e marrëveshjes si një “llogari pa hanxhiun”, duke shtuar se Pavelliqi dhe Stojadinoviqi tanimë nuk e përfaqësojnë askënd.             

      Disa studiues, këtë marrëveshje e konsiderojnë si bazë për të cilën Sllobodan Millosheviqi* dhe Franjo Tugjmani* do të bisedojnë pas 35 vjetëve në Karagjorgjevë. 

Shënim: 

Millan Stojadinoviqi studioi drejtësinë në Beograd. I vazhdoi studimet në Munih (München) dhe në Berlin. Doktoroi në Beograd. Profesor universiteti. Ishte i Partisë Popullore Radikale. Në vitet 1935-1939, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë. 

   Dragisha Cvetkoviq (Dragiša Cvetkoviq, 1893 – Paris, 1969) – politikan serb; u shkollua në Beograd; është i Partisë Popullore Radikale; kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1939-1941. 

Vlladko Maçek (Vladko Maček, 1879 – Uashington, 1964) – jurist dhe politikan kroat.

Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević, 1941 – 2006) – kryetar i Serbisë në vitet 1989-1997; kryetar i RF të Jugosllavisë në vitet 1997-2000. Nga Gjykata Ndërkombëtare, u fajësua për krime kundër njerëzimit. Vdiq në burgun Sheveningen të Hagës.      

Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) – historian kroat, anëtar i Akademisë Kroate të Shkencave dhe të Arteve; më 1960 e mori gradën e gjeneralmajorit. Më 1961, me kërkesën e vet, e la shërbimin në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Më 1967 përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. E pensionojnë. Më 1972, i cilësuar si nacionalist kroat, u dënua me dy vjet heqje lirie. Pas nëntë muajve u lirua. Më 1981 përsëri u dënua. Tani me tre vjet heqje lirie, por më 1983 u lirua “për shkaqe shëndetësore”. Më 1984 e rikthyen në burg, por sërish e liruan “për përkeqësim të gjendjes shëndetësore”. Në vitet 1990-1999, kryetar i parë i Republikës së Kroacisë – sovrane dhe të pavarur.       

Filed Under: ESSE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT