• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

Mirë se vini zoti President! në Shqipëri

July 3, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York/

Presidenti Clinton, presidenti që ka bërë më shumë udhëtime jashtë shtetit, vizitonë në ditën e pavarësisë së SHBA, edhe Tiranën.

NEW YORK-TIRANE : Vizita e Presidentit Clinton në Tiranë sot, me rastin e 4 Korrikut. Është, një vizitë në interesin tonë kombëtar, që t’i bëjmë një mirëseardhje të ngrohtë Bill Klintonit sot pikërisht më 4 korrik, ku ai ka zgjedhur të vizitojë Tiranën, kryeqytetin e vendit tonë. Me presidentin Clinton natyrisht që : “Ne kemi nevojë për të më shumë se ai ka për ne.”

Ai është president i shtetit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë. Më shumë se pasuri dhe fuqi ushtarake, Shtetet e Bashkuara kanë fituar me të drejtë rolin e “policit” dhe “gjykatësit” botëror.

Shumica e kombeve, edhe nëse nuk e thonë hapur këtë, janë dakord se gjatë çdo mandatit të Presidentit, Amerika ka qenë e drejtë dhe e kujdeshme në marrëdhëniet e saj me vendet e tjera. Përfshirë, ne shqiptarve këtë e ka dëshmuar dy her me dy vendime historike : më 1920 Presidenti Willson frenoi copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e paqes! Kur, nisi edhe kthesa e madhe, që erdhi pas notës amerikane në mars të 1920. Dhe , viti 1999, SHBA, ehe NATO-s, ndërhyn ushtarakisht që Kosova të fitonte lirinë.

Në krye të prezantimit të saj, në senatin amerikan, para miratimit të mandatet të saj në Shqipëri, Ambasadorja amerikane, Juri Kim,(dhjetor 2019) përmendi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i dhanë Shqipërisë, duke penguar ndarjen e territoreve të saj në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

E përmendi, jo pa qëllim!

“E vërteta, që deri më sot nuk e kemi ditur apo nuk e kemi thënë, thotë se në vitet 1918-1920, Presidenti amerikan Udru Uillson (Woodrow Wilson) dhe Qeveria Amerikane, jo vetëm e kanë mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi i territoreve, por kanë pasur në planet e tyre edhe përcaktimin përfundimtar të saktë të kufijëve, me qëllim që të bashkojnë, aq sa është e mundur, të gjithë shqiptarët, të shtrirë kudo, rreth trungut kryesor, me qëllim final realizimin e një shteti të unifikuar.”

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka thënë në Prishtinë, gjatë vizitës së tij( 12 qershor 2019) se ndjehej i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”. Deri sa ai u prit si hero në qendër të Prishtinës në manifestimin me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, që Kosova e kremton si ditë të lirisë 12 qershorin.

Clinton: “Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas fundit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se çka ka qenë qëllimi kryesor që ka arsyetuar përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë dite thash diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë por vetëm qytetaret qe ishin ne gjimnaz atë ditë dhe qytetarët tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen. Njëzet vite më vonë mendoj se keni bërë një punë të mrekullueshme të arritjes së paqes dhe e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është të shihet se çka do të bëhet më tutje”, tha presidenti Clinton.

Clinton tha se “gjithmonë do të jetë nderi më i madh në jetë të qëndroj në Kosovë, të lirë”.

Aq qartë e saktë janë hedhur në letër këto analiza dhe raporte, dne këto dy ngjarje historike, saqë edhe sot, në kohët moderne, ato e kanë ruajtur vlerën. Madje formulime e fjali të tëra, të përdorura 100 vite më parë, vazhdojnë të përdoren nga politikanët amerikanë si qendrime konstante, serioze, të politikës së tyre sa u përket raporteve mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje të saj.

Po si ndodhi që krerët shtetit më të madh të Botës të investoheshin kaq shumë për një popullsi prej më pak se 7/8 milion shqiptarësh, në Ballkan, historia e të cilëve, me përjashtim të kohërave të Skënderbeut, nuk i kishte kapërcyer ndonjëherë kufijtë ballkanikë?

Përgjigjen e saj do ta mësojmë në atë se çfarë gjurmësh janë lënë pas në dokumentacionin historik, për të shpjeguar këtë afeksion të habitshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Do ta e gjejmë në 1919 me Presidentin Uillson, dhe e shikojmë edhe në ndërhyrjen e SHBA me Naton, në 1999, dy vizitat e Presidentit Clinton, në Kosovë. Si dhe sot në Tiranë, – 4 korrik ! Dita e Pavarësisë së. Ditën që Amerika do të festojë ditëlindjen e saj të 247-të, pasi u arrit pavarësia nga Britania e Madhe pas Luftës Revolucionare. Etërit themelues e nënshkruan këtë deklaratë më 4 korrik 1776.

Por, edhe vizitën e gjashtëmbëdhjetë vjetve më parë. Vizitës historike të Presidenti i 43-të George W. Bush në Tiranë, vizitën e presidentit të parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që vizitoi Shqipërinë, pikërisht më 10 qershor të vitit 2007 me bashkëshorten e tij, Laura Bush.

Në “gjuhën” gazetareske, Presidenti Clinton, është presidenti që ka bërë më shumë udhëtime jashtë shtetit –

Lista e udhëtimeve presidenciale ndërkombëtare të bëra nga Bill Clinton:

Në Shtetet e Bashkuara ka një shprehje se “Zyra e Sekretarit të Shtetit, është në “bisht” të aeroplanit, duke ju referuar gjithmonë udhëtimeve jashtë Amerikës, (over sea) të çdo secretari shteti. Mirëpo, po t’i referohemi mbi 60 udhëtimeve të Presidenti Clinton, del se ai ka bërë më shumë se dy sekretarët e tij të shtetit, Warren Christopher dhe Medeline Albright.

Kjo është një listë e udhëtimeve presidenciale ndërkombëtare të bëra nga Bill Clinton, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara. E cila na treino se Bill Clinton bëri 59 udhëtime ndërkombëtare në 72 vende të ndryshme (përveç vizitës në Bregun Perëndimor dhe Gazën) gjatë presidencës së tij, e cila filloi më 20 janar 1993 dhe përfundoi më 20 janar 2001.

Ndërkohë që Ish presidenti amerikan Bill Clinton, po vizitonë Tiranën më 4 korrik. Është, ish Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara i cili shërbeu nga vitet 1993-2001 dhe mbërrin në Shqipëri pikërisht në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Bill Clintoni gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999.

Clinton vizitoi gjashtë kontinente: Afrikë, Azi, Australi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut. Ai mori një rol aktiv në Ballkan, ku punoi për të promovuar paqen dhe stabilitetin në dhe rreth ish-Jugosllavisë, dhe në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, ku punoi për të promovuar paqen midis Izraelit dhe Palestinezëve, si dhe me qeveritë, të kombeve fqinje.

Numri i vizitave për çdo vend ku ka udhëtuar Presidenti Clinton janë:

Një vizitë në Argjentinë, Australi, Austri, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Botsvana, Brazil, Brunei, Bullgari, Kili, Kinë (Hong Kong), Kolumbi, Kosta Rika, Kroaci, Republikën Çeke, Danimarkë, El Salvador, Finlandë, Gana, Greqia, Guatemala, Haiti, Hondurasi, Hungaria, India, Indonezia, Kuvajti, Letonia, Maqedonia, Maroku, Holanda, Zelanda e Re, Nikaragua, Nigeria, Norvegjia, Omani, Pakistani, Autoriteti Palestinez (Bregu Perëndimor dhe Gaza), Portugalia, Rumania, Ruanda, Arabia Saudite, Senegali, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Siria, Tanzania, Tajlanda, Turqia, Uganda, Vatikani, Venezuela, Vietnami dhe në Kosovë(kampin Bondstil).

Vendet me më shumë se një vizitë:

Dy vizita në Belgjikë, Jordani, Meksikë, Filipine, Poloni dhe Spanjë, dhe Kosovë, një si president dhe një si ish president

Tri vizita në Bosnje dhe Hercegovinë, Irlandë, Korenë e Jugut dhe Ukrainë

Katër vizita në Egjipt dhe Izrael

Pesë vizita në Kanada, Francë, Japoni, Rusi dhe Zvicër

Gjashtë vizita në Gjermani

Shtatë vizita në Mbretërinë e Bashkuar

Tetë vizita në Itali

Filed Under: Politike

“Rozafati” dhe “Gjergj Kastrioti” përfaqësuan denjësisht shqiptarët e Amerikës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Një punë e shkëlqyer prej vitesh prej koreografëve Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh) dhe Joli Agolli Paparisto

July 3, 2023 by s p

Filed Under: Kulture

“Welcome Mr.President”, Tirana mikpret Presidentin e 42-të Amerikës Bill Clinton

July 3, 2023 by s p

Filed Under: Kronike

145 VJETORI I PROGRAMIT POLITIK TË  LIDHJES SHQIPTARE SË PRIZRENIT TË 2 KORRIKUT 1878

July 1, 2023 by s p

PERG. NDUE  BACAJ

Me gjithë perpjekjet e e patrioteve pjesmarrës në kuvendin e Prizrenit insinuatat e performances se ky kuvend është një organizim në sherbim të perandorisë osmane kishin gjurmë të “thella”, të cilat filluan të “fshihen” vetem me daten 30 qershor kur në Prizren  arriten delegatet e Shkodrës ; Selim Begu-Gjyrezi , Jusuf agë Sokoli , Tahir Begu-Bushati , Shan  Deda , Hodo beg Sokoli , Jusuf efendi Podgorica, Çun  Mula-bajrakatr i Hotit, Smajl  Martini –bajrakatr i Grudes , Baca  Kurti –vojvodë i Grudes , Ujk  Gila –bajraktar i Selces (Kelmend) , Marash  Dashi – bajraktar i Shkrelit , Dodë  Preçi – bajraktar i Kastratit , Gjel  Vuksani –Vojvod i Kastratit , Zyber (Zymer) Selmani – bajraktari i Reçit… Mark  Lula –bajraktar i Shales , Mark Kola- bajraktar i Shoshit , Gjekë (Gjetë) Gega –vojvodë i Shllakut , Prengë Bibë Doda – Mirditë e tjer.. (Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë, fq.57 –perg. nga Stefanaq  Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978 + Xhafer  Belegu ,”LIDHJA E PRIZRENIT –Tirane 1939). Vlenë të kujtohet se nga burime të tjera “thuhet” se nga Malësia e Madhe muaren pjesë në Lidhjen e Prizrenit edhe Dedë Gjon Luli- vojvod i Hotit, Gjokë Doda– Pjetroshan , Prel Toma – Jeran (Kastrat) etjerë…  

Patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta, në kryevepren e tij “Lahuta e Malësisë” këto insinuata të performances “turkomane” në mes delegatëve i paraqet mrekullisht në këngën e nëntë me titull “Lidhja e Prizrenit”, nën fjalën e patriotit të shquar Mark Lulës , bajraktarit të Shalës, pjesmarrës aktiv në Lidhjen e Prizrenit  nga e cila mendova të citoj: 

Kam shkue jetën si bishë malit,
zbathë e zdeshë edhe pa ngranë,
por as Mbretit, por as Krajlit,
tungjateta s’i kam thanë.
Un kam ruejtë gjuhen shqiptare;
un kam mbajte doke e kanu,
e as për pare, as për timare
gjak e t’Parë s’i kam mohue’.
Prandej, Shkjau me pasë për t’mësy
e me dalë këndej kah Shqipnia,
( si po thonë, se ka vu sy)
ka me u ndeshë, po, n’armë të mia,
n’armë te Lekeve të Dukagjinit,
që, me ndihmë të Perendisë,
kanë m’ia thye pleqninë Berlinit,
kanë m’ia pshtue lirinë Shqipnisë.
Por pse m’thue me u vra me Shkja ;
tue pasë mbrendë na Anadollakun,
që kurr t’keqen s’ma ka da,
që kurr qafet s’ma hoq lakun,
që edhe zemren ma ka tha,
e m’ka mbytë ai tatë e nanë,
e shnjerzue m’ka grue e motër,
e s’ m’ ka lanë me u rritë djalë n’votër?
M’ka korrë arën e punueme,  

m’ka marrë tokën e trsh’gueme,
e tue m’ba kanun paçavër,
m’ka marrë qetë, po, për nën lavër
m’ka marrë lopët, po, me gjithë viça,
m’ka marrë delet me gji’ ogiça,
m’ka marrë dhên e m’ka marrë dhiz,
m’ka tha vathë e m’ka tha mriz ;
edhe sot m’ka vu leçi,
mos me folë n’gjuhë t’Parëve t’mi ;
e ma mban gjunin mbi bark,
e ma rjepë shpinën me çark
si mo’ Zot, ma keq për mua,
ndër thoj t’tij qi kam qillue?…
Po, a pse Turqit e Anadollit,
duenë të tallen këtij trollit,
na m’ia vu pushkën Nikollit?
Jo, për Zotin- kjoftë levdue!
se un Monov nuk kam qillue,
që me dalë e me leftue,
perse Krajli a perse Mbreti
duenë të m’mbajnë mue rob nën veti ; 
un luftoj veç për liri,
për erz tem e për Shqipni:
se un t’huej’n  zot s’e due n’shpi,
s’due të njoh as Krajl as Mbret,
mbret Shqiptari asht n’vend te vet.-
Të lumte goja, bajraktar,
Ali Pasha, i trim bujar,
merr e i thotë  t’parit të Shalës
se ti lak s’i bake fjalës.
Se ti folke n’log t’kuvendit,
si po e lypte e mira e vendit.
Për Shqiptarë si jemi na
Turke e Shkja te dy janë nja…. (At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, kënga e nëntë, . fq.109-111, botim tretë, Romë 1991).  

Pas pjesmarrjes të plotë apo më sakt më të plotë të perfaqesuesve të planifikuar në ketë Kuvend u arrit miratimi i një Programi politik dhe ushtarak nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që synonte të ruajnë tërsinë e tokave shqiptare  nga coptimi i shovinistëve fqinjë, si dhe një autonomi substanciale me trajta mvehtësie nga pushtuesi 400 vjeçar turko-osman. Për të “freskuar” sado pak diçka nga kujtesa se çfarë ishte ky program i cili u miratua me daten 02 korrik 1878, me rastin 145 vjetorit të këtij programi politik të miratuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit mendova t’a citoj si vijon :

PRIZREN, 2 KORRIK 1878 

Program i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , që synon të ruaj tërsinë e tokave shqiptare , duke mos lejuar coptimin e tyre nga shtetet shoviniste fqinje. Lidhjs merr masa për organizimin e ushtrisë dhe dislokimin e saj në rast lufte.

Mbasi e gjithë Shqipëria Veriore e beslidhur…për të shpëtuar atdheun nga gjendja e vështirë e sotme zgjodhi Prizrenin si seli qendrore të Lidhjes dhe mbasi deputetët e sanxhakëve të Prizrenit, Dibres, Manastirit, Shkupit, Prishtinës dhe Novipazarit u mblodhen këtu në bazë të nenit 3 të vendimit të marrë për këtë rast, që lejon shprehimisht pranimin në Lidhje dhe të sanxhakëve dhe rretheve të tjera , po u dorzojmë deputetëve të ardhur këtu nga Shkodra një ekzemplar të Vendimeve dhe të Urdhëresës ku disponohet: 

1.Nuk duam të pranojmë tjetër qeveri , perveç asaj të Portes së Lartë.

2.Po qe se kerkesa  jonë , drejtuar Portës  së Lartë dhe Kongresit (Berlinit) , që Serbia dhe Mali i Zi  të zbrazin viset e okupuara prej tyre nuk do të merret parasysh , ne të gjithë do të rrokim armët per çlirimin e tyre .

3.Po qe se trupat tona nisen në luftë , ne do ti permbahemi dispozitave  të Vendimeve dhe Urdhëreses.

4.E gjithë fuqia  jonë e armatosur do të ndahet në pesë korpuse ; keto do të perqendrohen në Shkoder , Shkup , Kosovë , Novipazar dhe Hercegovinë , nga një (korpus) në secilen.

5.Trupat që do të mobilizohen në Shkoder, do të sulmojnë Malin e Zi. Oficeret dhe flamurtaret e tyre do të zgjidhen prej popullit.

6.Perveç trupave  të veta  per në Guci do të dergohen 2000 burra  prej kontigjentit  të Gjakoves  dhe në Beranë  1000 burra prej Pejet.

7.Novipazari do të dergojë per në Kolashin  1000 burra prej trupave të tij.

8.Per Bjelopoljen do të majftojnë kontigjenti i mobilizuar prej banorëve vendas.

9.Per në Priepolje , Çajnicë ,Tashlixhë dhe Foçë , perveç kontigjentëve të tyre , do të dislokohen 2000 burra prej korpusit të Novipazarit.

10.Per mbrojtjen e vijës Gaçkë-Trebinjë , perveç trupave që do të japë  Hercegovina, do të dergohen 10.000 burra prej Sarajevet . Të gjitha  keto së bashku  do të formojnë korpusin e Hercegovines.

11.Trupat që do të mblidhen nga Shkupi , Kosova , dhe Novipazari do të sulmojnë Serbinë në perputhje  me udhëzimet tona.

12.Kur armiku do të kërcenojnë ndonjë prej vendeve  të sipertreguara  do të lajmrohen nga komandanti i pergjithshëm  të gjithë komandantet e tjerë. Sulmi kundër armikut  do të fillojnë  atëherë prej të gjitha  anëve njëherësh.

13. Në qoftë se , në rast  lufte me Malin e Zi, Serbia mbetet neutrale , do të dergohet në ndihmë një  korpus  nga trupat e caktuar perkundër Serbisë , per të vepruar  në Mal të Zi , dhe anasjelltas , një kontigjent  i caktuar perkundër Malit Zi do tu shkojnë në ndihmë trupave që veprojnë kundër Serbisë.

14.Në qoftë se duhet të luftohet kundër të dyve , Serbisë dhe Malit të Zi , atëherë , trupat e mobilizuara  perkundër të dyve do të zhvillojnë  luftën në mënyren e sipërshenuar dhe burrëria e qendresa nuk do ti lënë gjë mangët frymës së marrëveshjes dhe betimit tonë.  

20 qershor – 2korrik 1878  

(HHStA., PA., Kosullata e Shkodrës, shtojcë e bashkëngjitur informacionit të konsullit austro-hungarez  në Shkodër LIpih, 13 korrik 1878, informacion nr. 64 ; AIH, dosja A- VI- 10, f.  77-78. Orgjinali turqisht mungon. Përkthyer nga varianti gjermanisht.  Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave …Instituti i Histiorisë, fq.55-57 –perg. nga Stefanaq  Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978 + Xhafer  Belegu ,”LIDHJA E PRIZRENIT –Tirane 1939). 

Siç shihet nga pikat e programit , Lidhja nuk arrinë të shkëputet plotësisht nga mendimet e disa delegatëve që e kishin vështirë të delnin nga ngrehina turke-osmane të cilës ia kishin pa hajrin, edhe pse shpesh në kurriz të shumicës të shqiptarëve që donin lirinë e jo robërinë… Në program kërkohej autonomi nën pretektoratin e pushtuesit 400 vjeçar e jo pavarësi të plotë nga Stambolli, (siç kishin kërkuar fqinjët tanë shoven me kohë). Sidoqoftë ky program kishte brenda perveç mendimit imponues të disa turkomanëve edhe rrethanat që ua impononte koha shqiptarëve të pushtuar nga perandoria turke-osmane, dhe të rrethuar nga fqinjët shoven që kerkonin të grabisnin sa më shumë troje etnike shqiptare, fatkeqësisht edhe me perkrahjen e disa shteteve europiane nën influencen e Rusisë… Gjithsesi ky program si dhe programet dhe organizimet e tjera të Lidhjes, treguan se  Lidhja e Prizrenit tashma ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit e cila u “ngjitë” në nivelin e një qeverie me një organizim mbarëkombëtar në mbrojtje të lirisë, identitetit dhe trojeve etnike shqiptare. 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

VIKTOR STRATOBËRDHA, 13 MUAJ KINEAST

July 1, 2023 by s p

Rreth librit me të njetin titull të përgatitur nga regjisori i njohur Kristaq Dhamo

Nga Skifter Këlliçi

Një ditë vere të vitit 2010,  në shtëipnë time në Boston, ku jetoj dhe punoj prej 24 vitesh, më erdhi me postë një libër që ma dërgonte miku im, regjisori i njohur Kristaq Dhamo, që jetonte aso kohe në Nju Jork, pranë së bijës së bashku me të shoqen Dhorkën, historiane e arteve. Libri i shkruar prej tij, titullohej “Viktor Stratobërdha, 13 muaj kineast”. Qe një e papritur shumë e këndshme, sepse, siç do të rrëfej më poshtë, ruaja edhe unë disa kujtime për Viktorin, këtë  kineast të talentuar, mbi  supet e të cilit  për disa dekada rëndoi pesha mizore e diktaturës komunisto-enveriste me internime dhe burgime. Duke shfletuar librin të pajisur me foto edhe nga veprimtaria krijuese aq e pakët e tij në fushën e kinematografisë,  m’ u fanitën disa kujtime të pakta, por kuptimplote që lidhen  me takimet që kisha pasur edhe unë me të gjatë kohës që Viktori kishte qenë  dënuar në Berat në vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur unë punoja arsimtar në atë qytet, dhe për të cilat do të rrëfej më poshtë së bashku me përshtypjet e mia për këtë libër.

 … Një pasdite, aty nga fillimi  vitit 1953, unë atëherë 15-vjeçar, me fëmijë të tjerë mësuam se nga Bashkimi Sovjetik kishte ardhur një grup kineasësh dhe aktorësh sovjetikë, për të xhiruar  skena të filmit ”Skëndërbeu”, ku luanin e dhe aktorë shqiptarë. Ne kishim kurreshtje të shihnim, sidomos aktorin e madh gjeorgjian Akaki Horava, të cilin e kishim parë në filmin sovjetik “Gjergj Sakadze”, një hero i Gjeorgjisë së  Mesjetës, që do të luante rolin e Gjergj Kastriotit tonë.

 Mësuam se pjesëtarët e grupit  bujtnin në hotel “Dajti”, prandaj një pasdite u sulëm andej. Patëm fat, sepse, ndërkohë, pamë disa prej aktorëve  që bisedonin në sheshin e vogël të  këtij hotel. Njohëm edhe Horavën, ose më mirë një burrë i ri që i shoqëronte aktorët na tregoi se cili ishte Horava , sepse ai nuk kishte as mjekërr, as mburojë dhe shpatë, siç e kishim parë në film.  Madje burri i ri , diç i tha  Horavës, që u kthye nga ne dhe na përshëndeti me bujari.

Mësuam se ky burrë ishte Viktor Stratobërdha dhe  punonte me    regjisorin  e madh  madh Jutkjeviç, emrin e të cilit e kishim parë dhe në filma të tjerë sovjetikë. Me fjalë të tjera, mësuam se ai ishte ndihmës i tij  në filmin “Skënderbeu”.

 Ky  ishte takimi   imi I parë me Viktorin, emri i të do të bëhej i njohur  vetëm me tre filma  të tjerë dokumentarë dhe asgjë më shumë, sepse pas Konferencës famëkeqe të  Tiranës në prill të viti 1956, ai së bashku me Nesti Zoton, atëherë drejtor i Konostudios “Shqipëria e  Re” dhe  me rreth 200 intelektualë të tjerë, ish-partizanë komunistë, drejtues institucionesh të rëndësishmë të larta partiake dhe shtetërore, specialistë në fusha të ndryshme, gazetarë profesorë, u   dënuan drejtpërdrejt nga diktatori Enver Hoxha, sepse  me guxim dhe çiltërsi, siç do të vë në dukje më poshtë, ngritën zërin kundër udhëheqjes së Partisë së Punës, e cila  po shkëputej  nga masat e gjera të popullit, që  po varfërohej gjithnjë dhe më shumë.

   Duke lexuar librin e mësipërm të Kristaq Dhamos, mësojmë së një ndër ta ishte dhe Viktor Stratobërdha, i cili, nga ish-partizan, u bë komunist, shkoi tërë entuziazëm në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë regjisor filmi, u kthye po me atë entuziazëm që andej pas  gjashtë  vitesh studimi me regjisorë nga më të njohurit edhe në botë, Pudovkin, Dovzhenko, Rom, Gerasimov, Jutkjeviç, i cili, ndonëse nuk ishte delegat në këtë konferencë, mbështeti hapur diskutimet  e mësipërme, ashtu siç i kishte mbështëtur edhe në mbledhjen e organizatës së Partisë së Kinostudios, dhe shprehet kështu në faqet e librit: “Konferenca e Tiranës ishte përplasja e parë e të gjithë ish-partizanëve komunistë, idealistë me një realitet që kishte zhgënjyer ëndrrat tona rinore, që na bënë të dilnim malit për çlirimin e Shqipërisë. Aty të gjithë ata që nuk donin që të merreshin nëpër këmbë synimet e larta të luftës së tyre liridashëse dhe demokratike, i bënë atentatin e parë kultit të individit, polarizimit të jetës, dogmatizmit dhe sektarizmit enverist”.

Ndër viktimat e para që ndëshkoi Enver Hoxha pas kësaj konference, ishte edhe Viktor Startobërdha, edhe  sepse pas   punimeve të saj  tërë dufi ishte shprehur një kolegu komunist me fjalët:”Atje ia thyen hundët Enver Hoxhës”. I përjashtuar nga partia,  dëbohet  nga Konostudioja dhe degdiset  …drejtor  i së së vetmes kinemaje  të Beratit. “Ma merr mendja se  duhet të jetë një rast i veçantë dhe unikal në rruzullin tokësor, që një regjisor, duke qenë mendërisht  dhe fizikisht tepër në regull, të ketë një jetëgjatësi kaq të shkurtër, – vë në dukje Stratobërdha në një letër dërguar Kristaq Dhamos më 21.12.1998, kur ndodhej i mërguar në  Greqi, ecila është përfshirë në libër .- Vetëm në një diktaturë si  kjo jona dhe që bota nuk arrin ta kuptojë, ndodhin të tilla fenomene”.

Mesditë  vere e  vitit 1960. Gazetar prej dy vitesh në Radio Tirana së bashku me Petro Kitën, atëherë nëndrejtor i saj, ndodhem në Berat. Ai për një konferencë politike dhe unë për një reportazh. Dhe ja, pas drekës, kur  ndodhemi në një kafene, shohim të na afrohet një burrë  ende i ri. Takohet me me Petro Kitën. Mezi e njoh. Eshtë Viktor Stratobërdha. (Ishte koha kur diktatura  komuniste nuk i kishte shtrënguar dhe më shumë burgjitë, prandaj dhe ata biseduan përzemërsisht, doemos pa përmendur Konferencën e Tiranës, pas së cilës  ishte kritikuar nga lart edhe Petroja, si anëtar liberal  i Byrosë së Partisë së Radios  që kishte miratuar  diskutimin  e rreptë të  gazetarit Niazi Demi në këtë konferencë) .

 Pastaj Viktori na tregoi edhe kinemanë që që kishte shndërruar në një sallë të këndshme. Asnjë fjalë midis tyre për atë… konferencën e nëmur as edhe, siç u mor vesh vite më vonë, për pyetjen më të tmerrshme që i kishte sugjeruar ai Nesti Zotos që ta përfshinte në diskutimn e tij në konferencë: ”A ka dijeni K.Q. për varfërinë  në vend dhe cili është shkaku i kësaj varfërie?”.  Me kaq  u ndamë nga ai.

  Tri  vite më pas Viktori arrin të bëhet regjisor i Estradës së Beratit, që nga e dobëtat nën drejtimin e tij, u bë nga më të  mirat e vendit. ”C’mund të kishte ndodhur? Rehabilitim,? Zbutje e  vijës së Partisë? Keqardhje? Asnjera. Gjithçka në vazhdën e politikës sënjohur të  “shtrëngimit dhe lirimit paksa të vidave,” – vë në dukje Kristaq Dhamo në librin e tij. 

Por, ndërkohë që pritet që  të mbarojë afati i dëbimit të tij nga Berati dhe të rikthimit në Kinostudio, Viktorit i komunikohet nga Komiteti i Partisë së Beratit një pesëvjeçar tjetër  qëndrimi  në këtë qytet. Ka një arsye. Në një nga shfaqjet  më të sukseshme të Estradës së Beratit, ai ka vënë në skenë një skeç të marrë ng a Estrada e Elbasanit, ku angazhimet e bujshme të fundvitit që nuk realizohen, kthehen në parodi. Por Viktori shton nje detaj shumë të mprehtë: Angazhimet janë materializuara në  një arkivol që e mbajnë në supe katër aktorë, të shoqëruar nga një marsh funebër. Për më tepër  që  ato ditë Berati ishte nderuar me Flamurin e Garave të ashtuquajtura Socialiste, ku në fakt të dhënat, si gjithnjë, ishin të fryra, ndryshe  nga   të vërtetat. “Drejtuesit e partisë së rrethit të Beratit, – shkruan Kristaq Dhamo në librin e tij, – e cilësuan këtë skeç si denigrim të qëllimshëm të ’’sukseseve socialiste”. Dhe si pasojë këtu fillon edhe kalvari i gjatë i punëve të krahut në gurore, pyjore, ndërtim, ndërmarrje bujqësore”.  Me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, edhe mua në vitin 1966 më emëruan arsimtar në Berat. Dhe në këtë qytet, që atëherë kishte  vetëm një rrugë-shetitore, ishte e pamundur që një ditë të mos takoja edhe Viktor Stratobërdhën. Ndodhi krejt rastësisht. Një ditë dimri të vitit 1967, në kinemanë e Beratit, ku ai  vite më parë kishte qenë drejtor, po shfaqej filmi “Skënderbeu” në të cilin, siç përmenda më sipër, kishte qenë ndihmës i regjisorit  sovjetik Jutkjeviç. Filmi shfaqej vetëm nëpër rrethe, dhe jo në Tiranë, sepse ishte prodhim …sovjetik, ndonëse ishte realizuar në vitin 1952-53 në periudhën staliniste dhe ndihmës regjisor…Viktor Stratobërdha. Paradoks qesharak!…

Me të mbaruar filmi, tek po dilnim nga kinemaja, befas u ndodha bri tij. Pandeha se nuk do të më njihte. Por dy shokë të tij që e shoqëronin, e kujtuan kush isha. Më mbante mend. Bëmë një bisedë të shkurtër, por kur mendova të ndahesha, dy shokët që nga pamja e jashtme dukeshin punëtorë me të cilët punonte, më ftuan të gjerbnim kafe bashkë me të. Pranova. 

Më tha se me kishte ndjekur emisione letrare të Radios që përgatitja unë dhe më pyeti nëse po shkruaja ndonje libër. Iu përgjigja se pas disa muajsh do të botohej një vëllim imi me tregime. Më uroi të shkruaja më pas një skenar filmi, siç ndodhi vite më vonë.

Pata dhe raste të tjera të bisedoja me Viktorin, që, me sa mbaj mend, ishte martuar me një vajzë nga nje derë e fisme beratase, por “e prekur”. Sidoqoftë, ndjeja një farë shqetësimi që këto takime, të cilat dëshiroja t’i kisha më të shpeshta, ata të partisë në Berat nuk do t’i shihnin me sy të mirë.

 Por ndodhi diçka që më shqetësoi dhe më shumë. Zakonisht drekën e haja në restorantin  “Berati”, ku  drekonin edhe shefi i  Deges së  Punëve të Bredshme me zëvendësin e tij,  të dy të ardhur nga Tirana, që në biseda  me mua  më dukeshin të çiltër. Dhe ja pas disa ditësh zevendësshefi me të ciin ndodhesha vetëm në një tryezë të restorantit, më tha me zë të ulët që  të kisha kujdes për dy gjëra: T’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën dhe të mbaja sa më ulët volumin e Radios  në dhomën ku banoja, kur dëgjoja lajme dhe muzikë nga RAI. 

“Më ka  ardhur dhe më  ka takuar enkas filani në zyrë,-  vazhdoi ai dhe përmendi emrin e një ish-oficeri pensionist që banonte  në hyrjen përballë  hyrjes ku banoja unë  dhe më ka raportuar se ti dëgjon atë ” Radion  e degjeneruar italiane”. Veç kësaj më ka thënë se ti takohesh edhe  armikun Viktor Stratobërdha, madje ka qëlluar edhe para pallatit ku banoja. Prandaj edhe një herë, ki kujdes”. 

Kështu që nga ajo ditë unë nuk munda ta takoja më Viktorin, aq më shumë se ai u caktua të punonte në një  gurore larg Beratit, nga ku kthehej shumë vonë në shtëpi. Veç kësaj, unë nga fundi i vitit vitin 1969 u riktheva në Radio dhe pastaj në Televizion dhe nuk pata më rast të takohesha me të.

 Mirëpo, në vitin 1972, kur nisi një pranverë e vogël në artin dhe kulturën tonë, si pasojë e zbutjes të së ashtuquajturës “luftë e klasave”, (për shembull, Festivali i  11-të i Këngës  në RTVSH),  mora vesh se, pa pritur, Viktorin e  kishin emëruar sërishmi regjisor në Estradën e Beratit. Gjykova me shokë se tashmë kishin marrë fund hallet dhe dertet e tij. Por kjo zgjati pak kohë, sepse pas Plenumit të 4-të KQ të Partisë, siç dihet, Enver Hoxha nisi një kryqzatë në lëmim e kulturës dhe artit , pastaj  kundër kuadrove të lartë të ushtrisë, ekonomisë, që solli si pasojë që Viktor Stratobërdha në vitin 1975, pas një mbledhjeje demaskuese si armik I popullit,   të arrestohej dhe të dënohej me 10 vjet burgim për… agjitacion dhe propagandë.

“Lirohem nga burgu pas nëntë vjetësh, – shkruan ai në letrën drejtuar  Kristaq Dhamos, që kam cituar më lart. – Pas kryerjes së dënimit, jetë eremiti. Në ngjarjet e hyrjes nëpër ambasada, (korrik 1990), nuk munda të çaja. Isha i vonuar. Në 91-shin marr arratinë    për ku të dalë, por nuk më eci. As me tragetet e marsit.  Atëherë, më këmbë për  në Greqi”.

  Në vitin 1992, kur po shkruaja “Historinë e Radio-Televizionit Shqiptar, (1938-1990), botuar në vitin 2004,  u njoha në Arkivin e Shtetit me dosjen e Konferencës së Tiranës, (4-8 prill 1956), me rreth 400 faqe të shaptilografuara, ku përfshiheshin të gjitha dikutimet e delegatëve pjesëmarrës në këtë konferencë, shumica dërmuese e të cilëve kritikuan ashpër udhëheqjen e partisëdhe shtetit për probleme që janë trajtuar më lart në këtë shkrim.

   Mbi bazën e këtyre diskutimeve aq tronditëse, në shkurt të vitit 1995 në  një gazetë të përditshme  botova një dosier prej rreth 20 faqesh, që pati  jehonë të  madhe . Dhe kjo, sepse ishte hera e parë që tregohej publikisht dhe me fakte  e vërteta tragjedia  e kësaj konference, e cilësuar nga Enver Hoxha si “komplot i përgatitur nga Ambasada Jugollave në Tiranë dhe agjentët e saj renegatë, armiq  të partisë dhe popullit”. Dhe ja, disa javë më vonë më ndali në rrugë një i panjohur. Pandeha se do të më pyeste për ngjarje dhe rezultatë sportive, siç  na ndodhte jo rallë  neve komentatorëve radiotelevizivë të futbollit. Por jo. Ai më tha: ” Ke shumë të fala nga Viktor Stratobërdha, i cili  është emigrant si unë  në Greqi. Të kujton me shumë mall dhe të përgëzon për dosierin aq të goditur për Konferencën e Tiranës. Të përgëzon edhe për dy filmat e Xhanfise  Kekos dhe  Gëzim   Erebarës me skenarët e tu  që ka parë në kanalet shqiptare. Kur të vijë ndonjëherë  në Shqipëri, ka shumë dëshirë  të të takojë.”  Por kjo  mjerisht nuk ndodhi…Në vitin 1999, u zhvendosa dhe unë me familien në Amerikë. Nuk dija si të lidhesha me të. Dhe ja, në maj të vitit 2000,  pasi  ishte vendosur   si emigrant politik në   Kanada,  mora vesh me shumë keqardhje se Viktor Stratobërdha ishte shuar përgjithnjë. ç’përkim i çuditshëm! Kishte lindur në maj të vitit 1925 dhe ishte ndarë nga jeta në maj të 75 viteve më pas.  

“Do të kishte qenë një nga figurat më të më mëdha  të kinematografisë sonë,- më thoshte Kristaq Dhamo në biseda telefonike, ai në Nju Jork dhe unë në Bostoni, në të cilat bisedonim  kryesisht për kinematografinë. – Por do të shkruaj për të”.

Dhë kështu  ndodhi.  Kristaqi shkroi për të një libër të vogël, por me vlera të mëdha, të shoqëruar me intervista të botuara në gazeta dhe revista, kushtuar atij, si dhe  përshtypje, së pari nga e bija, F lutura,psikologe dhe  të shkrimtarëve dhe artistëve që e kishin njohur nga afër, Dionis Bubani,  Arian  Myrto, Xhovani Shyti… Shkroi si artisti për  artistin,  i shtyrë dhe frymëzuar nga dashuria dhe respekti për ato  që Viktor  Stratobërdha  kishte mundur  të bënte  vetëm për  13 muaj  regjisor, siç e ka titulluar librin e tij. Në gusht të vitit të kaluar edhe   Kristaq Dhamo u nda  nga jeta, por në  moshën 89-vjeçare,  veç të tjerash, besoj,  edhe me kënaqësinë që  pas filmave të tij  mbresëlënës ,  na la   dhe një libër shumë  domethënës në bibliotekën e kinematografisë shqiptare, për Viktor Stratobërdën.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Skifter Këlliçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT