• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

NË THELLËSI TË KOMPOZICIONIT ABSTRAKT

August 24, 2023 by s p

Resul Jusufi është artist i gjithanëshëm:regjisor,aktor dhe piktor i cili mbi dy dekada e më shumë krijon në artët pamore në veçanti në pikturë. Është pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive, grupore dhe personale në Austri dhe në disa vende të Europës. Sikurse çdo piktor që ka talentin dhe dëshirën për të krijuar dhe i lirë për tu orientuar në drejtimët e ndryshme të artit ku mundësitë janë të shumëta për tu orientuar kah tematika, gjuha, teknika stili e ka gjetë vehtën më së miri në pikturën abstrakte bashkëkohore moderne. Duke bërë një vështrim më të kujdesshëm pikturave të tij shofim se autori ka krijuar një eksperiencë pune me vlera të qëndrueshme në hap me rrjedhat e artit bashkëkohor dhe vazhdon të krijoj po me të njëjtin stil dhe ritëm. Piktori qëllimishtë i shmangët figuracionit konkret për të hulumtuar më shumë në vorbullën e mistershme të kohës që në një mënyrë e arrinë thelbin brënda kompozicionit gjeometrik duke i inkorporuar disa forma konturale të njerëzëve në lëvizje të transformuara në tërësinë e kompozicionit abstrakt që shiquesin e bënë edhe më kurreshtar për ta kërkuar domethënjën e veprave. Brënda kompozicionit dominojnë ngjyrat harmonike kryesishtë me nijansa të ftohta ku sipas çastit brënda tyre i vendos disa shënja gjeometrike si katror dhe trekëndsha me disa shënja brënda tyre të mbuluara me ngjyra të ngrohta më të dukshme ku e ruan baraspeshën duke i dhënë veprës gjallëri. Përveç formave abstrakte kryesishtë gjeometrike në pikturë i vendos disa shkronja dhe numëra, duke krijuar rreshta në të katër anët pastaj vija të kualiteteve të ndryshme për ti dhënë më shumë kuptim veprës pa e lëkundur statikën e kompozicionit. Potezat e lirë i ka të veçantë që paraqesin një siguri në shprehjën ekspresive për të hyrë shkallë,shkallë në thellësi të mistershme me synim për ti zbutë ashpërsitë e këndeve gjeometrike me shprehje të mesme ekspresive për ta begatuar veprën me elemente gjegjësishtë me vlera artistike. Në pikturat e tij shofim se vazhdimishtë është kërkues duke hyrë më thellë në filozofinë e abstrakcionit. Përveç kombinimit dhe shtresimit të ngjyrave mbi to i tërhjek disa vja me kahje të ndryshme duke krijuar hapësira elipsore për të treguar së në këtë kompozicion abstrakt ka lëvizje dinamike.Duke marrë në konsiderat kohën dhe vendin ku jeton ai e gjënë mënyrën për ti vendos disa elemente shtesë që mund të tregojnë etninë dhe prejardhjën e tij. Edhe pse para neve na dalin si vepra të kompletuara abstrakte ato i kanë veçoritë dalluese artistike me motive dhe shprehje origjinale ekspresive-impresive ku me këtë mund ta identifikojmë autorin. Duke marrë për bazë punën e artistit tani të afirmuar mund të konstatoj se pikturat e tij janë vlerësuar nga kritika profesionale dhe janë mirëpritë nga opinioni artistik. Resul Jusufi është kurator i përzgjedhur nga disa galeri, edhe kur e merr këtë dëtyrë asesi nuk largohët nga pikturimi. Si kurator i veprave të artistëve me orientime dhe qasje të ndryshme përzgjedhjën e bënë sipas kritereve standarde të njohura në artët pamore. Pikturat e Resul Jusufit gjindën në pronësi të galerive dhe të kolekcionistëve të ndryshëm.Si dukët piktori ka edhe më shumë motiv për të pikturuar ku tani është në vazhdën e krijimit të veprave të reja artistike.

Musa Prelvukaj piktor, grafik dhe kritik arti.

Filed Under: Kulture

I burgosuri i Himarës dhe i ngujuari i Mitrovicës 

August 24, 2023 by s p

Zgjedhjet lokale në Himarë rizgjuan një konflikt të vjetër me Greqinë, në një kohë kur fqinjësia midis dy vendeve shënonte ditët e saj më të mira. Shkak u bë arrestimi i F. Belerit, sipas organeve ligjzbatuese “për vjedhje votash”, i cili, dy ditë më pas del fitues me 19 vota mbi rivalin e tij minoritar Jorgo Goro. Ndërkohë në Finiq dhe Dropull me një komunitet homogjenë minoritarësh gjithçka shkoi për bukuri. Pra, në të tri bashkitë garojnë minoritarë, të cilët e ndajnë fitoren mes tyre, pse Beleri qënka preferencial, jo vetëm i qeverisë greke, por dhe i opozitësh shqiptare? (Në Greqi pati arrestime për vjedhje votash.) Shprehja që i mvishet hoxhës: thoni si them unë e mos bëni si bëj unë, me sa duket nuk vlen për Janullatosin. Se këta e kanë ndryshe: kërcen prifti nga belaja. (Fredi Beleri nuk është Sokrati, që piu helmin, edhe pse dënimi i filozofit ishte i padrejtë.) “Vorioepirioti” me origjinë nga një fshat i Tepelenës, sikurse thuhet, pretendon të kthehet në një misionar i “helenizimit” në trojet shqiptare?! (Edhe ne Kalabri ka kryetarë bashkish arbëreshë, mos duhet t`i albanizojmë teritoret e Italisë?) Po sa me qejf i kanë këta: që vrasin, që vjedhin, që shpifin, dava spiunësh, kolaboracionistësh, mercenarësh e bedelësh, mish për topat e liderëve?! Pikërisht këtë “të katranosurin” gjetën ta konturojnë si hero?! (Në vendin ku lindi demokracia, të vjen keq që: politikanët grekë shfaqen më ballkanas nga të tjerët. Marrinat e tyre e çuan shtetin grek në prag falimenti, sikurse me juntën ushtrake i vunë një njollë turpi demokracisë. Pale me ligjin e shpifur të luftës me Shqipërinë. Me arrestimin e ekstremistëve të “Agimit të Artë”, kujtuam se figura të errëta si F. Beleri apo Kacidhasi i ndjerë nuk do të shfaqeshin më?! U gabuam. Por, më i zhgënjyer ka të ngjarë të jetë kryeminisri shqiptar, të cilin homologu grek e hoqi nga lista.) 

Ndërsa në Kosovë zgjedhjet e pjesëshme bojkotohen nga shumica serbe dhe kandidati i VV me 519 vota, E. Atiq, rri i ngujuar në godinën e komunës, ruajtuar nga policë. Do mbroj shtetin e Kosovës, u thotë Kurti ndërkombëtarëve, të cilët e krijuan këtë shtet, duke korrigjuar dhe një gabim tragjik të etërve të tyre. Kryeministri kosovar fillimisht kishte përballë falangat e Vuçiçit, por, traun ia vuri Amerikës dhe Evropës, sikurse ia kishte vënë dhe Shqipërisë kohë më parë. Për rrjedhojë: Kosova përjashtohet nga pjesëmarrja stërvitore “Defender Europe”. Njëherësh i vihen dhe saksione ekonomike. Me këtë ndëshkim të paralajmëruar, Kurti, ia shtoi fuqinë mbrojtëse dhe ekonomike Kosovës apo ia dobësoi asaj? Më pas gjithë zemëratën ndaj Vuçiçit e transferoi në Tiranë tek Edi Rama. Kjo sjellje ndoshta i shkon për hosh dhe kryeminstrit grek. Tek kosovarët nuk njeh Kosovën tek shqiptarët nuk njeh kryeministrin e saj. Në momentin që në Mitrovicë tensionet vaken, natyrisht me ndërhyrjen e të huajëve, rindizet Himara dhe të ftuar nderi në Greqi janë ata, që ndezën Mitrovicën: Vuçiçi dhe Albin Kurti. Grupit sigurisht që do t`i bashkohej dhe Meta, nëse do ishte akoma në karrigen e presidentit, ndërsa presidenti aktual Begaj e refuzoi ftesën diversioniste të kryeministrit grek. “President klloun” do ta quanin Gjenerali lolot mediatikë, sikurse në të shkuarën po ky soji ironizonte ish presidentin e ndjerë, Bujar Nishani, si “kapter ushtrie”. Harrojnë se i talluri të tall.

Himara ka për të qenë avazi i politikës tipike ballkanase të grekërve, sa herë që: do u interesoi të ushtrojnë presion ndaj Tiranës zyrtare, qoftë kjo e kohës së Hoxhës, Berishës apo Ramës, edhe pse me kalimin e viteve u ka rënë takati kundrejt një Shqipërie, që sa vjen dhe fuqizohet. Pse Athina zyrtare është kaq shumë e sëkëlldisur nga një figurë e errët si Fredi Beleri, që, nëse do respektohej ligji i dekriminalizimit nga Celibashi, ai nuk duhej të kandidonte?! Një me rekorde kriminale si ky, Kurti, do e arrestonte në Mitrovicë, natyrisht, nëse nuk do ia zhduknin dosjen. Si Himara dhe Mitrovica kanë për të qenë gozhda e Nastradinit për qarqet shovene greke dhe serbe. Grekërit do vazhdojnë të mbajnë ligjin e “gjendjes së luftës me Shqipërinë”, sikurse dhe serbët do vazhdojnë të ushtrojnë mentalitetin e luftës, edhe pse e humbën atë. Përherë serbët dhe grekët kanë qenë në sinkron, kur i pari gllabëronte teritore në veri dhe i dyti i turrej jugut. Natyrisht dhe me bekimin e kishës. Subkoshienca shoviniste, grabitqare u është kthyer në ves, si e si të bëjnë të tyren gjënë e tjetrit. Natyrisht që serbët janë më të zemëruar, se Amerika dhe Europa ua shkëputi Kosovën, ndërsa grekërit kanë telashe me pasuritë e çamëve, por, Çamërinë, me gjasa, s`ua luan kush. “Rasti i Belerit po trajtohet nga SPAK, sepse ka të bëjë me krimet zgjedhore. Por më bën përshtypje një gjë, ka pasur një akuzë zyrtare dhe për çështjen e masakrës së Peshkëpisë dhe dosja është mbyllur para një viti. Arsyeja mbylljes ishte, sepse Greqia nuk iu përgjigj asnjëherë letër porosisë. Është zhdukur dosja e z. Beleri në Gjykatën e Tiranës, në arshivën e saj. Drejtësia apo ofiqarët e Greqisë para se të kërcënojnë integrimin e Shqipërisë duhet t’i drejtohen gjyqësorit të tyre për të kthyer përgjigje autoriteteve shqiptare. E ftoj SPAK-un në këtë rast të hetojë, se si u zhduk dosja e z. Beleri nga arkiva e Gjykatës së Tiranës”, deklaroi Shpëtim Idrizi i komunitetit çam, ndërkohë që patriotët e klonuar u bën përkrahës të zellshëm të njeriut me një të shkuar të errët. Ndër ta dhe pinjollët e Bllokut. Fatos Lubonja, kur ishte rasti i Kacidhasit reagoi hapur: “Mos urreni grekërit, por Ramën!”. Ndërsa Andi Bushati e quan Fredi Belerin një viktimë të Edi Ramës. Ky është patriotizmi, që etërit e tyre paskan kultivuar tek bijët e nipërit, ndërsa ne që adhuronin artin antik grekë na shihnin me dyshim? Kujtoj Iljaz Ahmetin, që u dënua në Konferencën e Tiranës pse kundërshtoi privilegjet e “kastës së kuqe”, të Bllokut, me të cilin takoheshim shpesh, kur ai doli nga burgu, ngaqë pallatet i kishim pranë. “Unë kam qenë antizogist, do më thoshte një ditë, por, kur udhëtoja me tren në Itali një fashist më shau mbretin, ia vesh me grusht.” Nuk mund të mos më kujtohej dhe letra që, Pjetër Arbnori, i dërgonte nënës së tij nga burgu. “Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan.” Këta lloji lëvizin edhe sot në dëm të Shqipërisë, me ofiqe dhe nëpër bordero. Patrioti im nga Lushnja, shkrimtari Gazment Kapllani, shumë i njohur në median greke, për ngjarjen në fjalë do shprehej: “Kryebashkiakët e qyteteve kryesore greke (Athinë, Selanik etj.) shkuan në Shqipëri duke organizuar një tubim kundër Shtetit dhe drejtësisë shqiptare dhe në mbështetje të kandidatit të Himarës, kryebashkiakut Fredi Beleri, i paditur për blerje votash. E paprecedentë në Evropë edhe gjatë periudhës së errët mes luftrave të viteve ’30”. Të paprecedentët nuk mund të merren si etalon të demokracisë, edhe pse origjina e saj është tek fqinjët tanë, me të cilët na bashkon Homeri, Eskili, Sokrati, Marko Boçari, arvanitasit dhe çamët, mijëra emigrantë që jetojnë dhe punojnë atje. Në Përmet ka një pikë doganore e quajtur Tri Urat, në kuptimin simbolik: edhe në kohërat më të errëta Urat ka qenë përherë të hapura midis dy popujve tanë. Refuzimi i ndihmës së zjarrfikësve shqiptarë nga qeveria e Athinës dëshmon se zjarrllëku i “zemërimit të Mitsotakit” digjka më shumë. Edhe Akili do ta kishte zili…       

                                       Fatbardh Amursi 

Filed Under: Rajon

Shënimi i Ditës Kombëtare të Ukrainës dhe 18-mujorit të sulmit në shkallë të plotë nga Rusia

August 24, 2023 by s p

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri M. Hovenier/

Shpresoj që sot keni rastin të kaloni pranë Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Nëse po, do të shihni një parullë të madhe të ekspozuar në vend të dukshëm. Në të thjesht shkruan: „Të bashkuar me Ukrainën”.

Kjo sepse pikërisht 32 vjet më parë, Ukraina rivendosi pavarësinë e saj gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Bashkësia ndërkombëtare nxitoi për të njohur dhe mirëpritur Ukrainën në komunitetin në rritje të demokracive, duke parë që vendi premtonte mundësi për një botë të ardhshme në paqe.

Për fat të keq, Kremlini vazhdimisht ka penguar përpjekjet për të mbajtur paqen në rajon duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Ukrainës, që çuan në pushtimin dhe okupimin e Krimesë dhe Donbasit në vitin 2014 dhe kulmuan me luftën e gjithmbarshme dhe brutale kundër Ukrainës që filloi në shkurt të vitit 2022.

Përderisa e urojmë Ukrainën për këtë ditë historike, njëkohësisht e theksojmë përkrahjen tonë të palëkundur ndaj saj për të mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Muajin e kaluar, presidenti Bajden tha: „Përkushtimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të zbehet. Ne jemi për liri sot, do të jemi për liri nesër dhe për aq kohë sa duhet”. Thënë thjesht: Pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë i Ukrainës nga presidenti Putin është veprim që kërcënon paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të tërë Evropës dhe më gjerë.

Gjatë dy dekadave të kaluara, Rusia i ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhje të shumta në vendet e tjera, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur furnizimin me gaz si vegël politike dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.

Hiç më larg se muajin e shkuar, Rusia njëanshëm u tërhoq nga Nisma për Drithëra e Detit të Zi, që mundësoi eksportin në tregjet globale të përafërsisht 33 milion tonëve me drithëra. Më shumë se gjysma e asaj sasie të drithërave dhe 2/3 të grurit të eksportuar ishin dërguar në vendet në zhvillim.

Disa ditë më vonë, çmimi global i drithërave u ngrit për 17 për qind, kurse Rusia njoftoi për eksporte rekorde të drithërave. Kremlini e manipuloi tregun për të nxjerrë çmim të lartë për vete në dëm të më të pambrojturve të botës e njëkohësisht i shtoi sulmet ndaj porteve dhe drithërave të Ukrainës.

Populli i Kosovës ka treguar solidaritet dhe partneritet të jashtëzakonshëm në mbështetje të Ukrainës. E kuptojmë sa i rëndësishëm është kontributi juaj për këtë përpjekje të përbashkët globale për të kundërshtuar fuqishëm agresionin, për të mbështetur demokracinë dhe për t’iu kundërvënë përpjekjet e Putinit për të rrëzuar rendin botëror përderisa synojmë të arrijmë një Evropë „të plotë, të lirë dhe në paqe”.

Solidariteti i Kosovës është i rëndësishëm dhe ka pasur ndikim. E kam thënë edhe më parë: çështjet për çka dhe me kë qëndron Kosova kanë rëndësi. Populli i Kosovës është pjesë përbërëse e përpjekjes globale për të kundërshtuar sfidën brutale të Putinit ndaj një vendi të pavarur dhe sovran. Përderisa së bashku e shënojmë Ditën Kombëtare të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe partnerët tanë vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën sot dhe çdo ditë tjetër në përkrahjen tonë për vlerat demokratike dhe sigurinë evropiane.

Filed Under: Analiza

Kryeministri Kurti priti në takim anëtarët e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

August 24, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Shefi i Stafit, Luan Dalipi mirëpriti në kryeministri Joseph DioGuardi, Kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, anëtarë të bordit dhe anëtarë tjerë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ky takim vjen pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të “Murit të Nderit” nga Fondacioni Shqiptaro-Amerkan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael, që u zhvillua gjatë ditës së sotme.

Duke iu uruar mirëseardhje në vendin tonë, kryeministri Kurti, tha se është i gëzuar dhe i nderuar që së bashku sot përuruan në Parkun e Qytetit “Murin e Nderit”, përmes së cilit po shënohet, nderohet dhe përkujtohet akti heroik i shpëtimit të hebrenjve. Në këtë takim kryeministri Kurti, nënvizoi se tashmë po bëhen 33 vjet kur përfaqësuesit amerikanë, Bob Dole, Tom Lantos si dhe Joe DioGuardi, arritën në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje Kosovës, luftës saj çlirimtare dhe thirrjeve të popullit për liri, demokraci dhe republikë.

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi, u shpreh se me ”Murin e Nderit” të inauguruar sot po ndërtohet një urë mes popullit hebre dhe popullit të Kosovës. Ndërkaq, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley duke dhënë mbështetjen për Kosovën, falënderoi kryeministrin dhe shtetin e Kosovës që e bëri të munduar që ”Muri i Nderit” të bëhet realitet.

Me të pranishmit u bisedua edhe rreth gjendjes aktuale politike ku edhe i njoftoi më gjerësisht për situatën politike në vend dhe për progresin, arritjet dhe reformat gjatë qeverisjes së deritanishme, si dhe për mbështetjen e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për Qeverinë dhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Filed Under: Opinion

Një reportazh mbushur me plot aktivitet me Z. Mëhill Velaj, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan në USA

August 24, 2023 by s p

Bekim Kelmendi

{profesor dhe poet}/

Kishte një javë që miku im Vilson Culaj, një poet, romansier, e mbi të gjitha një mik i imi, më tha se a mund ta shoqëroj deri në Aeroportin e Rinasit:” Nënë Tereza “ në Tiranë që të prisnim së bashku mikun e tij dhe mikun tim virtual Mëhill Velaj, Kryetar i Shoqatës së Shkrimatrëve Shqiptaro-Amerikan e që do të vinte me datë 21.017.2023. Fiks në orën 11.00 Kuptohet se përgjigjia ime ishte një po, pa e menduar fare. Fakti që do të dilja për ta marrë një njeri me një bagazh kaq të madh letraro-artistik, dhe një patriot të shquar, doemos që ishte i mirëpritur nga ana ime. Tashmë kisha edhe një arsye më shumë meqë isha edhe recenzent i romanit të tij të fundit:” Në kërkim të Mimozës” . Padyshim që doja ta takoja dhe të njiheshim me të. Zaten shkëmbimi i përvojave sjellë gjithnjë prurje të reja letraro-artistike.

Rrugëtimin e bëmë së bashku me mikun tim dhe gradualisht iu afruam aeroportit që mbanë emrin e të madhes, të pakrahasueshmes, shqiptares humaniste Shën Tereza{ Gongje Bojaxhi} . Aty para bustit të saj, në oborrin e aeroportit ndaluam dhe pimë nga një kafe dhe një pije freskuese derisa prisnim aterimin e aeroplnait me të cilin udhëtonte Mëhill Velaj. Sapo aeroplani ateroi, ai shpejtë kaloi edhe kontrollën rutinore dhe ne e takuam. Ishte një takim i ngrohtë, vëllazëror, ashtu si dinë të japin vetëm njerëzit e mëdhenjë por shumë modest. Pastaj vazhduam rrugëtimin tonë për në Dardaninë e lashtë e historike. Kaluam Krahinën e Kurbinit, pastaj Krahinën e Mirditës dhe iu afruam Dardanisë gjegjësisht luginës së Anadrinisë. Ky udhëtim bëhej shumë i lehtë me humorin e hollë dhe edukues të Mëhill Velajt, dhe të qeshurat tona që skishin të ndalur. Më në fund Arritëm në qytetin e Klinës ku sapo mori një makinë me qera, na njoftoi se nëse ne jemi dakort, ai me kënaqësinë më të madhe do të na ftonte në të gjitha aktivitetet kulturore që e kishin ftuar nëpër Dardani dhe një në Krahinën e Kurbinit, gjegjësisht në Qytetitn e Laçit. Ne i premtuam se për aq sa kemi kohë nuk do ta refuzojmë ofertën e tij.

U ndamë me bindjen që shumë shpejtë do të takohemi dhe pikërisht me 22.07.2023 takimi i radhës ishte në Pallatin e kulturës Jehona e Dukagjinit në qytetin e Klinës, vend ky ku do të promovohej libri i kujtimeve për veprimtarin :” Rrustem Tafë Bojaj” një personalitet i respektuar i kohës i shkruar nga Prof, Dr, Asllan Krasniqi , njëherit ish mik i Mëhill Velajt. Në këtë aktivitet shihej dhe vërehej reflektimi i tij që kishte tek të pranishmit, pothuajse të gjithë e njihnin dhe secili prej tyre i zgjaste dorën duke i uruar mirëseardhje.

Ndërkohë tashmë kishte filluar Festivali Tradicional:” Camping Fest” që mbahet çdo vit në qytetin e Klinës nën Protektoratin e Kryetarit të Komunës Dr, Zenun Elezaj. Kuptohet se Mëhill Velaj kishte marrë edhe ftesën nga drejtuesi i Festivalit Z. Alban Gashi por edhe nga zyra e kryetarit të komunës. Nata e parë të Festivalit u hap me Ekspozitë pikturash dhe në mbrëmje filloi ora letrare, në shtëpinë e bukur Muze në fshatin Ujmirë. Fjalën e mori fillimisht Kryetari i Komunës së Klinës Z, Zenun Elezaj i cili i përgëzoi organizatorët dhe poashtu i falenderoi pjesmarrësit për kontributin e tyre, pastaj kuptohet nën moderimin e shkëlqyer të Vilson Culajt u shpallën fituesit e pikturave më të mira, dhe më vonë filloi ora Letrare. Në këto momente ora filloi duke respektuar hierarkinë e moshës por edhe të rangut. Fillimisht foli Prend Buzhala një kritik i mirëfilltë, romansier, poet, thjeshtë njeri shumëdimensional dhe menjëherë pas tij fjalën e kishte Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Z. Mëhill Velaj. Ai fillimisht i përshpëndeti edhe në emër të Shoqatës Panshqiptare :” Vatra” dhe në emër të editorit të gazetës :”Dielli”, e edhe falenderoi të parin e komunës së Klinës për kontributin e tij, pastaj organizatorët dhe kuptohet të zotin e shtëpisë muze në Ujmirë. Tek atëherë ai filloi dhe e recitoi një poezi me aq pasion duke na sjellë një freski të vargjeve lirike.

Pasi recituan të gjithë dhe pasi u kryen të gjitha formalitetet, Z. Mëhill Velaj u prit ngrohtësisht në tavolinën e Camping Fest nga organizatorët, poetët, dhe i pari i Komunës së Klinës Z. Zenun Elezaj, me të cilin biseduan gjerë e gjatë për një bashkëpunim mes shoqatash në të ardhmen. Darka sikur skishte fund dhe vallet e kënga na shoqëronin në çdo çast. Njohje të reja, takime e bisedime për artin kishte nga të gjithë. Natën vonë u ndamë secili prej nesh me një përshtypje të mirë për një organizim tejet impozant.

Tashmë i kishte ardhur radha një feste tjetër. Ah kjo festë doemos që të ngërthen në vete, të mbanë pezull, të bën të ndjehesh krenar, të bën që nëpër damarët të rrjedhë gjaku me vlug. Pra festa e Plisit. Ishte vendosur që pjesa e dytë do të mbahej në Odën e Junikut me datën një gusht. Normalisht që edhe në këtë festë të Plisit organizuar nga i madhi ideator Ismet Krasniqi Lala dhe nga LKSHM e Klubi Letrar;’’ Martin Camaj’ me kryetar Bashkim Halilaj. Në Odën e Junikut Z. Mëhill Velaj u prit ashtu si i ka hije dhe me repsektin që i takonte. Takime e biseda e shkëmbime idesh kishte në mes shoqatave dhe detyrimisht Mëhill Velaj ishte në epiqendrën e këtyre takimeve. Ai foli me dashamirësi për organizatorët dhe për plisin si simbolin më të lashtë shqiptarë dhe i falenderoi organizatorët që nuk po e harrojnë, dhe në ditë të veçanta e bartin me nder e krenari. Paoshtu ai propozoi krejtë spontanisht që plisi të mbahej edhe nëpër të gjitha festat tona kombëtare. Pse jo ta kishim e ta bartnim me krenari. Një propozim i tillë kuptohet që u prit me një duartrokitje vëllazërore.

Në këtë aktivitet zoti Velaj u takua edhe me bashkëvendasin tim Z. Bashkim Halilaj, Kryetar i Klubit Letrar:” Martin Camaj’’ në Krahinën e Bavarisë në Gjermani . Të dy ranë të një mendje, që tani e tutje do të bashkëpunonin më intensivisht në mes shoqatash. Pas ndarjes nga aktiviteti tradicional i Ditës së Plisit Z. Mëhill Velaj na njoftoi se, me datën tre gusht jemi të ftuar nga Kryetari i Klubit Letrar:” Martin Camaj” Z. Bashkim Halilaj që të marrim pjesë në promvimin e librave të poetëve mërgimtar në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, në orën 12.00, ndërsa orën letrare do ta mbajnë pasdite në orën 18.00 në Kishën e Shën Abrahamit në fshatin e LLapushnikut në Komunën e Drenasit.

Rrugëtimin për në Bibliotekën Kombëtare ku do të mbahej promovimi i mëse dhjetë veprave të autorëve të ndryshëm mërgimtar e bëmë së bashku me Mëhill Velajn dhe Hysen Berishën. Prap një njohje e re për Mëhillin i cili me plot dashamirësi e afroi vëllazërisht poetin dhe romansierin Hysen Berisha, mërgimtar në Norvegji, autor i mëse 12 veprave.

Bisedat ishin nga më të ndryshmet, po më së shumti në bisedat e tij zinin vend prurjet e reja letrare, përshtatja e tyre me kohën dhe vlera e tyre artistiko-letrare. Në Prishtinë arritëm me kohë gjitmonë falë Mëhillit i cili respektonte me korrektësi çdo orar dhe takim. Në promovimin e veprave të atorëve mërgimtar, doemos që vend në panel zunë Bashkim Halilaj, Kryetar i Klubit Letrar:” Martin Camaj” në Bavari të Gjermanisë , z. Mëhill Velaj , Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan në SHBA , Mentor Thaçi moderator dhe Sylë Bajrami dhe Hyrije Isufi.

Në fjalën e rastit Z. Mëhill Velaj foli për të arriturat e shoqatës së tyre në Amerikë, për anëtarët e asaj shoqate që fatbardhësisht tre prej tyre ishin të pranishëm në sallë, Znj. Rita Salihu, Znj, Merita Prenga,dhe Z. Shpend Gjocaj. Pra Mëhill Velaj përfaqësohej denjësisht edhe në këtë event kaq madhor me tre anëtar tjerë të shoqatës të cilët kishin marr librat me veti dhe i promovuan. Me një fjalë them se ngado që shkova dhe e shoqërova Mëhill Velajn pash një karakter të fortë prej malësori, një dyzinë miqsh që e respektonin, një moral dhe qëndrim prej një burri fisnik i cili me veprimet e tij nuk urrente askënd, nuk ofendonte askënd, bënte miq aty për aty dhe çfarë ishte më kryesorja, këshillat e tij të vinin aq me ëmbëlsi sa nuk mund ti mendoje ndryshe.

Nga Biblioteka Kombëtare vazhduam rrugës për në zonën e Drenicës gjegjësisht në Fshatin Llapushnik te një kodrinë e shkretë, e cila pas ndërtimit të Kishës Katolike e që u pagëzua me emrin Kisha e: “Shën Abrahamit” tashmë ajo është bërë një kodrinë që detyrimisht të bën që të kthesh kokën instiktivisht për të parë atë bukuri. Në oborrin e kishës hymë me gëzim kur pamë që në muralet atje nën këmbanë shkruhej thënia e të madhit At Gjergj Fishta:” Për Atme e Fe”

Zemrat na u freskuan nga flladi i sallës së kishës dhe nga pamja e flamurit tonë kombëtar mbi altar. Poashtu nga salla e mbushur plot krijues mërgimtar dhe vendor. Edhe këtu njohjet ishin reciproke, kishte njerëz që se kishin parë qëmoti Mëhill Velajn, poashtu kishte të atillë që donin ta njihnin për herë të parë. E kështu me radhë. Thënë të drejtën, ndjehesha krenar dhe i lumtur që i përkisja këtij karvani njerëzish intelektual dhe tepër miqësor.

Në orën letrare recituan të gjithë, u dhanë edhe shpërblime për poezitë më të mira. Mëhill Velaj u tregua modest dhe vetëm doli e i përshëndeti të pranishmit në emër të shoqatës që ai përfaqësonte dhe në emrin e tij personal. Nga këtu u ndamë tejet të kënaqur edhe me një përshtypje tejet të mirë.

Nesër do të nisemi herët për në Kurbin na tha në dalje të dyerve të Kishës së Llapushnikut. Po tani ku dhe pse? E pyetëm ne. Nesër me bacin nesër e merrni vesh, na tha neve shoqëruesve.Unë dhe Vilsoni vetëm shikuam njëri-tjetrin dhe qeshëm. Na u kujtua fjala:” U kry bac” dhe prap qeshëm. Duhet të nisemi që menatë që të mos na presin miqtë, është rrugë e gjatë dhe dua të jem korrekt. Sikur fliste mes miqsh që i kishte njohur vite më parë. E kush mund ti refuzonte fjalën bacit Mëhill. Aq më tepër që kur u përmend Kurbini, ne ishim pothuajse gati që të niseshim në çast.

Një udhëtim për në Kurbin-Laç

Në promovimin e librit:” Ndjesitë e mia” të poetes Merita Lala-Prenga

Tashmë ishte bërë më shumë se një javë që Z. Mëhill Velaj e njihja personalisht falë mikut tonë të përbashkët Vislon Culaj. Kuptohet se në mënyrë virtuale, ishim miq këtu e një vit më parë.

Që në ditën e parë kur u takuam, më bëri përshtypje sjellja e tij me njerëzit përreth, me miqtë e tij dhe të gjithë ata që i njihte. Pas disa aktiviteteve nëpër trevat e Republikës së Kosovës, Mëhill Velaj na propozoi që të bëjmë një udhëtim dhe të marrim pjesë në një promovim libri në krahinën e Kurbinit, gjegjësisht në qytetin e Laçit, në Promovimin e librit me titull:” Ndjesitë e mia” të anëtares së shoqatës që ai e drejtonte, Znj. Merita Lala-Prenga me qëndrim në New York-SHBA.

Nisja do të bëhej me datë 28 korrik në orën gjashtë të mëngjesit, në mënyrë që të arrinim me kohë dhe udhëtimi ynë të shkonte pa probleme në trafik, meqë ishte mesi i sezonës turistike. Unë dhe Vilson Culaj ende se kishim të qartë se ku dhe për kë po shkonim, vetëm se e dinim që do të jemi shoqërues të Mëhill Velajt. Me ne ishte edhe veprimtari Anton Antoni nga fshati Gllogjan i Lugut të Baranit. Kuptohet se e dinim që ky promovim do të ishte fitimprurës dhe tejet i duhur për të marrë pjesë, sepse ftesat e Mëhillit dilnin në mënyrë impozante, ftesa që të lumturonin.

Rrugëtimin e bëmë me makinën me qera që e kishte marrë Mëhilli dhe rolin e shoferit ma besoi mua meqë i dija mirë ato treva. Nga Qyteti i Klinës, kaluam mes për mes rrafshit të Anadrinisë, në njërën anë na shoqëronin vreshtat e panumërta të banorëve të kësaj ane, ndërsa në anën tjetër arat e punuara dhe të mbjellura me zarzavate të ndryshme sezonale. Një fushë e mrekullueshme dhe e punuar shumë mirë. Normalisht me këtë vrojtim dhe me këto pamje mbreslënëse, nuk na mungonte dhe humori i hollë i Mëhillit, i cili tërë kohën na mbante në disponim. Kjo zaten vjen si dëshirë e mërgimtarit që të çmallet me vendin dhe gjakun e tij në çdo sekondë sa të jetë në atdhe. Papritmas makina sikur ndalon hovin e saj në shenjë respekti të Shtëpisë Muze të Ukshin Hotit, njeriut ideator të shtetit të dytë Shqiptar, dhe pak më tutje sikur ndalon e tëra pranë 66 varreve pa eshtra të të masakruarve të Krushës së Vogël gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe kokat tona instiktivisht kthehen nga varret mbi kodrinë, përderisa buzët tona pëshpërisin lutjet e nënave që i duan eshtrat e familjarëve të tyre, të kthehen e ti varrosin në atë kodrinë me 66 varre bosh. Në kufirin shqiptaro-shqiptar Mëhilli sikur nuk u përmend dhe disi u vrenjt, pavarësisht që policia kufitare nuk na kërkuan gjë, atë prap se prap e brengoste një gjë e tillë. Megjithatë nuk shkoi gjatë dhe u përmend prap me batutat dhe historitë e tij duke na bërë rrugën shumë më të shkurtër se sa ishte në të vërtetë.

Secili prej nesh donim të merrnim më shumë material prej tij, një njeri me përvojën e tij normalisht që ishte nder e kënaqësi ta kishim në këtë udhëtim.

Kaluam kufirin dhe fshatrat përreth autostradës, dielli sapo kishte filluar tashmë të zbriste nëpër faqet e malit të Gjallicës dhe me rrezet e tij, tashmë ndriçonte fushat e krahinës së Lumës dhe qytetin e Kukësit.

Rruga gjarpërore na dërgonte drejtë së panjohurës për ne, por për Mhillin ishte ndryshe meqë ishte i vetmi që e njihte autoren në fjalë.

Kaluam Kukësin dhe urën mbi Drinin e Zi dhe vazhduam ashtu duke qeshur e duke pyetur kush më pak e kush më shumë, për ato që na preokuponin të gjithëve. Pak para se ti afroheshim tunelit të Kalimashit duhej ndaluar aty te taksa rrugore. -Ja edhe një plaçkë që po na bëhet të gjithëve tha njëri nga udhëtarët. -Sikur këto para të shkonin në destinacionin e duhur do të propozoja ti shtonim edhe nga pesë euro tjera, tha Mëhilli. Pasi paguam taksën u futëm në Tunelin e Kalimashit të gjatë 5800 metra, vetëm me humor dhe aspak politikë. Pas tunelit tashmë rrugëtimin do ta bënim përskaj Lumit Fan. Lum ky që mori emrin e një fisi Mirditor. Pas disa minutash na ipet një dalje nga autostrada ku shkruante fshati Orosh. Këtu pastaj u ndez biseda, meqenëse unë këtë fshat e kisha vizituar disa herë, filluam duke treguar historitë mirditore që si kryeqendër kishin Oroshin. Kulla e Oroshit, Princi i Oroshit, Taksa e Gjakut që paguhej në Orosh e shumçka tjetër. Bjeshkë të paana, bukuri natyrore të rralla në të parë të rrugës. Ndalesat që i bënim nëpër pikat e karburantin që për mrekulli janë komplekse hoteliere dhe me një shërbim të mrekullueshëm, na mahnisnin dhe na bënin me krah që të arrinim sa më parë në Kurbin. Dal nga dal kaluan autostradën Rruga e Kombit, gjersa përpara nesh në anën e majtë shtrihej ende i qetë qyteti i Rrëshenit. Më tutje rruga ishte e mire, por me një korsi gjë që duhej pasur kujdes më të shtuar. Kaluam edhe Qytetin e Rubikut dhe tashmë pothuajse ishim futur në Krahinën e Kurbinit. Në qytetin e Milotit ndaheshin rrugët, njëra shkonte për Lezhë dhe Shkodër dhe tjetra për Laç dhe Tiranë. Ne morëm rrugën e Tiranës, dolëm nga rruga kryesore, aty ku na jepte sinjalizimi për Laç. Para nesh tashmë shpërfaqej qyteti kurbinas Laçi dhe mbi të si një kurorë e artë dukej Kisha e Shën Ndout, e njohur si Kisha e Laçit. Vend i shenjtë pelegrinazhi për secilin shqiptar pa dallim feje.

Në Laç policia e trafikut na orientoi për te Pallati i Kulturës:” Kokë Malçi “ ku do të mbahej promivimi i librit, i autores Merita Lala-Prenga.

Aty u njoftuam me shumë miq të Mëhill Velajt, dhe sapo ndërruam disa biseda u futëm brenda në sallën e pallatit. Pallati ishte i ndërtuar që në kohën e monizmit dhe kishte po ato përmasa e stil komunist, por tashmë ai nuk funksiononte me atë kriter e regjim monist. Në hyrje kishin dalë të afërm dhe njerëz të artit dhe na pritën me një dashamirësi.

Fiks në orën dhjetë filloi promovimi i librit me poezi të poetes Merita Lala Prenga, { Anëtare e SHSHSHA} Në panel ishin Mëhill Velaj, Kryetar i Shoqatës së Shkrimarëve Shqiptaro-Amerikan , Merita Lala Prenga autore e librit dhe anëtare e shoqatës në fjalë, dhe Imer Hysa shkrimtar nga Kurbini.

Salla ishte e mbushur me intelektual të zonës dhe me familjar, e miq të autores në fjalë. Promovimin e udhëhiqte Martin Dedaj, dhe përcillej nga RTVSH.

Kuptohet se fjala e parë i takonte Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Z. Mëhill Velaj. Fjalimi i tij ishte tejet vëllazëror, e nga ana kritike tejet i duhur për librin dhe autoren.

Nga: Mëhill VELAJ

LIBRI I MALLIT PËR VENDLINDJEN SFIDËN JETËSORE DHE PLAGËVE TË HESHTURA

Reflektim për librin poetik: “Ndjesitë e mija” të

Autores Merita Prenga

Të nderuar të pranishëm!

Që në fillim dua të theksoj se jo vetëm unë por edhe komuniteti artistik në NEW York ia njeh vlerat poetike, njerëzore e familjare zonjës Merita Prenga, andaj ndjeva obligim, që në perceptimet e mia ti shkruaj disa rreshta për këtë grua të hekurt.

Libri poetik i Merita Prengës ngjan me një mozaik përjetimesh, që fijen e kanë të zgjatur tek malli për vendlindjen, veshur me flakën e mallëngjimeve, të cilat si një furtunë ngacmojnë ndjenjat e poetes e cila si një lloj fortese në kohë, ligjëron poetikisht për jetën e ndarë në dysh dhe plagën e prindërve, të cilët me duart në gjoks presin bijtë e tyre të kthehen nga kurbeti. Ja si shprehet poetja, “Sytë me lot e mbushur plot pikëllim/… Fshana sa dhe bjeshka ka jehue”

Mbi këtë pirg vuajtjesh, ballafaqimesh e përjetimesh, deri në molisje për shkak të dilemave, dualizmave e destruktivitetit njerëzor, poetja Prenga prap ngadhnjen mbi këtë fushë të errët dhe me tone optimiste i këndon jetës, kitarës, luleve në kopsht, shpresës dhe dashurisë, e cila sipas poetes është fuqia shëruese për njerëzimin.. Zhytur në thellësi me ndjenjën e saj poetike, Merita ligjëron bukur për New York-un, mallin e atdheut, murin e kujtesës dhe thirrjen e mesazhit poetik, që të jemi vetvetja, edhe pse kaosi babilonik modern kërcënon fshehurazi përmes indiferentizmit ndarjen familjare e kombëtare.

Poetja Prenga ka intuitën që të shohë edhe përtej shikimit, sepse falë përvojës së jetës, ajo tani është shndërruar në udhëheqëse të shpirtit, prandaj ka vendosur që në udhëtimet e saj të jetës të mos ketë më lot as brengë, por veprim dhe përjetim, dashuri dhe optimizëm. Prandaj, ajo i dedikon poezi shoqeve, lulës së saj të bukur, buzeqeshjes plot hire të zemrës, dhe ka vendosur të shpëtojë nga loti dhe të shijojë jetën, artin, poezinë, optimizmin dhe ngadhënjimin shpirtëror. Poezitë e Meritës, janë një mesazh filantropik për dashurinë shpirtërore, kujtesën e përfshirë dhe magjinë e një vashe e cila përjetësisht ndjen frymën prindërore në gjakun e saj, ku e lartëson këtë poete shpirtërisht dhe me rrënjë në gjurmët e atdheut, familjes, gjakut e traditës, që kurrë nuk e pranon tjetërsimin shpirtëror as atë kombëtar. Ajo është lulja e Kurbinit që kurrë nuk pranon që petalet e saj të rigjallërohen nga toka e huaj, por nga ajri, fryma, idealet dhe uji i tokës që e rriti. Pritja dhe kthimi për poeten janë plagë e përhershme, andaj çdo ditë e ushqen endrrën lirike për të ushqyer edhe njëherë shpirtin e saj me ylberin e rinisë.

Rrafshi poetik lirik i saj ka një transparencë, dedikim dhe origjinalitet, sepse poetes nuk i pëlqejnë maskat në dashuri, por shijimi i së madhërishmes, duke e konceptuar dashurinë si një dhuratë e Zotit, jo censurë e mentaliteteve të ngurta e arkaike. Ja si shprehet poetja e zhveshur tërësisht nga hedonizmi i shekullit, “Një pjesë të jetës pas e lem’/ Tu u sosur nga nata në ditë/ Dalëngadalë e ditë-përditë.” Kjo qasje intuitive poetike e veçon nga krijuesit e tjerë duke e veshur me politekst nivelin e saj artistik, letrar e poetik.

Poetja Prenga është detektore e mirë e destruktivitetit njerëzor, andaj reflekton poetikisht si një shkop goditës përmes poezive si; “Në endrrat e mia”, “Hije e zezë”, “Moment”, “Ziliqare” etj. Andaj, jeton për veten, shoqet e njëmendta, familjen, jetën pozitive e gjallëruar, por edhe atë artistike. Nuk mungojnë as poezitë veshur me polenin e melankolisë si;”Flutura e lënduar”, “Vetmia”, “Nuk ta heq merzinë pija”, “Xhembat dhe trëndafili”, “Lulet dhe shiu”, “Për ty”, “Të kërkoj”, “Çast”, “Buzëqesh edhe ti”, “Mallë për ty”, “Fjalë zemre”, “Zëri yt”, etj, por mbi të gjitha poetja Prenga prap se prap mban në duar spektrin e fatit të saj pa u lëkundur fare. Ky stoicizëm shpirtëror, sigurisht, buron nga gjenet e saj Malbadhëse dhe Kurbinit heroik dhe si një baladë rrjedhin, barten e tingëllojnë bukur këto poez, në veshët e sytë e lexuesve të kultivuar dhe me shije aristike e poetike.

Poezia e “Dionisit” është një elegji e thellë shpirtërore, e cila e lartëson nivelin poetik të zonjës Merita Prenga. Ajo nuk është nihiliste në buqetën e saj poetike, sepse brenda saj buron një gurrë optimizmi shoqëruar me kujtesën dhe durimin që dhemb deri në palcë. Aj o di të ëshkruajë poezi dedikuese “luleve të saja”, sigurisht fëmijëve që e motivojnë deri në palcë për mos ta ndaluar shtegun e jetës dhe atë të poezisë. Nuk mungojnë në këtë libër as poezitë me motive satirike e shpotitese për realitetin tonë me maska, por të kalitura mirë poetikisht si; “Hipokrizi dashurie”. Por mbi të gjitha, në këtë libër dominojnë poezitë me taban optimist, shqyrtuese për jetën, përvojat empirike, realitetin objektiv të kësaj bote, mallin, dualizmat e jetës dhe gjakimit për një jetë më të bukur.

Vetmia për poeten është një plagë që e tundon çdo ditë, por ajo shpresat i ka vendosur në krah të buzëqeshjes dhe përjetimit, sa mistik po aq realistik. Poezia “I embëli i nanit”, dedikuar nipit Evan, shpreh fuqinë rigjallëruese të gruas dhe luftën e mbijeteses në breza të Eves gjallonjëse, e cila përthith nga koha dhe brezat magjinë e dashurisë sublime familjare. Poetja e ka të varur në çepalla amanetin e gjuhës dhe dashurisë për bashkëshortin dhe familjen e saj, por mbi të gjitha në ato erërat “furtuna poetike”, që ti ligjerojnë jetës e botës për dhimbjet e dashuritë e fshehura, që një grua e hekurt di t’ia rrëfej botës…

Uroj që Laçi, Kurbini dhe diaspora në SHBA të krenohen në të ardhmen me letrarinë që krijoni ju dhe talentin poetik që na ofroni çdo ditë në këto kohë të kota të shekullit që fle vetëm mbi ligjet e inercionit materialist.

Suksese në sfidat dhe projektet e ardhshme, dhe frymëmarrje kreative për të shkruar dhe shpërndarë sa më shumë bukurinë e poezisë shqiptare në botë, poete Merita PRENGA.

Në maturimin dhe promocionin e krijimtarisë poetike të Merita Prengës, ka ndikimin e vet puna plot pasion dhe profesionalizëm e gazetarit dhe publicsitit Martin Dedaj, dhe redaktores e poetes me perspektivë, studentes së talentuar, vajzës milotase Armanda Veseli.

Mëhill Velaj

Kurbin 28.07, 2023

Pas pas përfundimit të prezantimi të vështrimit kritik mbi librin e autores, disa poezi u recituan nga dy vasha të reja dhe më pas iu dha fjala redaktorit të librit Imer Hysa.

Poashtu për të na nderuar na u dha fjala edhe neve që vinim nga larg, pra nga Qyteti i Klinës dhe i Rahovecit. Fillimisht iu dha fjala veprimtarit Anton Antoni i cili foli me admirim për gjakun tonë këndej kufiri, e tek pastaj m’u dha fjala edhe mua në cilësinë e një poeti dhe profesori të gjuhës shqipe. Meqenëse autoren dhe veprat e saj nuk i kisha lexuar dhe ishte hera e parë që ballafaqohesha me to, unë fola më shumë për Kurbinin dhe historinë e tij ndër shekuj. Fola për Baladën e Kurbinit e cila ngërthen në vete një nga tragjeditë më të trishta të Historisë Kombëtare Shqiptare, jo shumë të largët që na erdhi nga pushtuesit Otoman. Poashtu fola për Kurbinin e Papa Klementit{ Gjon Albanit} duke e lidhur një vijë lineare meqë unë jam Kelmendas, e që i bie se jam kushëriri i tij. Fola edhe për mikpritjen kurbinase bërë vëllezërve e motrave dardane në kohën e luftës së fundit në Kosovë. Poashtu meqë mu dha rasti recitova një poezi të At Gjergj Fishtës. Pastaj iu dha fjala edhe mikut tim poetit romansierit Vilson Culaj i cili foli për sagën e librit dhe mënyrën e ecejakjeve të veprave që po shkruhen tani. Vilsoni e falenderoi për ftesën autoren, e falenderoi edhe Mëhill Velajn dhe të gjithë të pranishmit me një dashamirësi dhe afri vëllazërore. Fjalë këto që miku im di shumë mirë ti lidhë dhe ti paraqes para mase me një karizëm dhe pamje prej fisniku.

Pas nesh e morën fjalën të njohur të autores në fjalë dhe që të gjithë ishin të entuziasmuar dhe me plot dashamirësi flisnin për të. Nga të gjithë ata që morën fjalën më së shumti më bëri përshtypje fjala e mësueses së parë dhe e poetes Znj. Mara Prenga, dhe fjala e shoqeve të ngushta të autores, që kishin ardhur njëra nga Greqia Znj. Drita Ndreca Gjoni, nga Italia Znj. Valbona Çoba dhe Znj. Fatbardha Prenga nga Fushë-Kruja. Folën edhe të tjerë si Mëhill Luli Nënprefekt i Kurbinit{ kështilltar i Kryeministrit Edi Rama}, mësuesja Dalina Luca, Ndue Gjergji, Filip Saka, poashtu në skenë doli këngëtari kurbinas Kurt Lika me një këngë që na emocionoi të gjithëve. Pas tij recituan: Kevin Lala dhe Ilaria Tota. Pas promovimit normalisht që pritej njohja nga afër me familjarët e autores Merita Lala-Prenga dhe me miqësinë e saj. Na bëri prshtypje edhe figura e nënës së autores Merita Prenga. Ajo tërë kohën na ndenji përballë duke na mbajtur me biseda e me mikpritjen e nënave tona shqiptare, një grua që e sfidonte moshën e saj të shtyrë me një pamje të një malsëoreje tipike. I gjithë ky udhëtim dhe ky promovim nuk do të mbyllej pa një gosti miqësore nga të afërmit e poetes Meritë dhe nomalisht aty u shkëmbyen numra telefonash njohje me gjak, me rrjete sociale për miqësi të reja, me një fjalë u bëmë të gjithë miq dhe vëllezër e motra, nga një mikpritje kaq e madhe e kurbinasve tanë kush nuk do të ndjehej mirë. Drekën na e servirën në Luginën e Patokut në një restoran tejet të bukur. Tavolina na u shtrua me të gjitha të mirat. Hëngrëm, qeshëm, debatuam, treguam historira të ndryshme. Zbrazëm barkun siç thonë poetët. Kënduam dhe festuam promovimin e librit të tretë me poezi të poetes Meritë Lala-Prenga. Si gjithëherë çdo gjëje i vjen fundi, edhe takimit tonë i erdhi fundi. Ne u ndamë nga ata kurbinas aq miqësor dhe filluam prap rrugën tonë gjarpërore nëpër bjeshkët Mirditore në Rrugën e Kombit. Ndaluam në daljen e rrugës për Burrel dhe meqë kishim ende kohë vizituam liqenin dhe hodrocentralin ndërtuar në shtratin e Lumit Mat, dhe kaluam nëpër urën lëvizëse shumë të bukur që e përshkon atë liqe. Aty e pimë nga një espresso dhe u freskuam me ujë burimi. Pastaj filluam rrugëtimin tonë për në vendlindje. Tashmë muzgu kishte rënë dhen terri i natës kishte mbuluar bukuritë e atyre bjeshkëve kryeneqe për armiqtë e shumtë ngaqë nuk i pushtuan kurrë si të plota, e që tani vetëm aty këtu shihej ndonjë dritë ndezur, dhe ato të makinave që na binin përballë. Kushedi sa kujtime bartnim me vete, kushedi sa e si do të rridhnin ngjarjet tani e tutje, doemos më nuk ishim ata që ishim në mëngjes, tashmë kishim edhe një dyzinë miqsh që zumë në Kurbin.

Qytezat që shtrihen përreth Rrugës së Kombit tashmë vetëm nga dritat e shumta dalloheshin. Me radhë i kaluam të gjithë, madje edhe qytetin e Kukësit dhe erdhëm prap në kufirin Shqiptaro-shqiptar. Të njëtat gjëra rutinore dhe pas disa minutash na u shfaqën dritat vezulluese të kryeqytetit mbarëshqiptar Prizreni. Ndaluam për një kafe në periferi të tij dhe rruga tashmë bëhej si në heshtje. Më në fund udhëtimi ynë përfundoi duke u ndarë secili prej nesh me mbresat më të mira të morëm në krahinën e kurbinit. Me një fjalë, të shoqërosh Z. Mëhill Velaj nëpër aktivitetet e shumta artistiko-letrare, nëpër tërë trevat tona, duhet të kesh parasysh dy gjëra konkrete. E para, të mbash shënim për çdo aktivitet artistiko-letrar, sepse detyrimisht të duhen pastaj, ngase kanë shumë vlera, dhe e dyta duhet të kesh kujdes në të folur, në veshje, në qëndrim, dhe maturi të mendimit të fjalës së lirë. Këto janë disa kritere që duhet ti kesh kur ecën me Mëhill Velajn, sepse je duke ecur me vigan që shemb çdo armiqësi, e duke zënë miq të rinj. Një falenderim për tërë këtë aktivitet kulturor e artistiko-letrar shkon për të gjithë ata që e bënë Mëhill Velajn pjesë të tyre, dhe falenderimi i dytë shkon për Z. Mëhill Velaj që më bëri mik dhe më ftoi që të marr pjesë në të gjitha aktivitetet ku ai ishte i pranishëm.

Bekim Kelmendi,

Gusht 2023

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT