• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

DETROIT: KREMTOHET ME HIJESHI 75 VJETORI I SHOQATËS AANO MBAHET KONVENTA    

August 16, 2023 by s p

Reportazh nga Rafael Floqi/

Një ceremoni madhështore e organizuar bukur e me sqimë nga Kapitulli i Detroitit mblodhi në Konventën Jubilare të AANO, Albanian American National Organization ( Organizatës Kombëtare Shqiptaro- Amerikane) në kuadër të 75-vjetorit të krijimit të saj, në Down Town Detroit, nga data 3-6 gusht 2023, në hotelin Fort Pontchartrain, ku u organizuan një seri veprimtarish sa edukative kulturore dhe patriotike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga gjithë degët e saj në SHBA dhe Kanada. Pjesëmarrësit ishin bashkatdhetarë të diasporës historike, por edhe të asaj të re, që erdhën në këtë event për në një praktikë pune dhe argëtimi mjaft interesante që ngërthente në vetvete experiencën dhe kulturën amerikane me shijen dhe me patriotizmin kuq e zi të gjenit shqiptar.

“Qëllimet tona kryesore janë të ruajmë trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën tonë dhe të promovojmë edukimin e mëtejshëm të të rinjve tanë përmes Fondit tonë të Bursave. Duke mbështetur këto synime, ne po pasurojmë dhe përjetësojmë të ardhmen e komuniteteve tona shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara. Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane u shërben komuniteteve shqiptare të Amerikës së Veriut qysh nga viti 1946,” na thotë organizatorja kryesore dhe drejtuesja e kapitullit të Detroitit të A.A.N.O, Julia Black.

Julia bashkë me motrën e saj Aleksandra, me familjet e tyre e me anëtarët e Kapitullit të Detroitit së bashku me miq amerikanë, ishin shpirti i organizimit të kësaj konvente, me një numër aktivitetesh argëtuese dhe edukuese, sa për më të moshuarit aq dhe për brezin e rij, që nga muzika e deri tek aktivitetet turistike informative e zbavitëse, nga mësimi i valleve deri tek konkursi i bukurisë i Mbretëreshës së AANO, nga vizitat në muzeume, si fabrika e vjetër e Fordit në Detroit e deri tek vizitat në kantinat e verës, nga mbrëmjet me muzikë popullore të shoqëruar nga Grupi i këngëtares Ermira Babaliu, e deri tek grupi valleve të të rinjve të sapokthyer nga Festivali i Gjirokastrës, i drejtuar me profesionalizëm dhe përkushtim nga koreografia Joli Paparisto , duke përfunduar tek një përshëndetje për AANO në tabelën e rezultateve të ndeshjes së bejsbollit të Tigers me Red Sox of Boston. 

Pra, punë organizim dhe zbavitje që rrallë e shohim në eventet e komunitetit. Por pa harruar kryesoren, qëllimin- mbledhjen e fondit të bursave për gati 10 studentë cilësorë si dhe veprimtaritë organizative të drejtimit, si dhe mbrëmjen gala të 75 -vjetorit të shoqëruar me shpërndarjen e titujve vlerësues, për tre figura të rëndësishme të komunitetit në Michigan. Gjithçka e përcaktuar deri në momentin e fundit deri në detaje me orare të caktuara. (Megjithëse ne shqiptarët, punën e të qenit fiks në orar në gëzime e kemi huq, për të cilin mund të qortojmë bukur veten.)

“Organizata jonë është krijuar menjëherë pas luftës së dytë botërore, kur Shqipëria sa po kishte rënë në komunizëm dhe një pjesë e diasporës historike kishte dëshirë të festonte dhe ruante çdo vlerë shqiptare, por nuk dëshironte të involvohej në politikën e ditës dhe në partitë politike të kohës, na rrëfen një nga veteranët e AANO-s, Lui Fundo.” Qëllimi ishte t’i mbanim shqiptarët bashkë, e të bashkuar të ruanim gjuhën dhe vlerat tona. Gjatë luftës së Kosovës shqiptarët ishin mjaft të bashkuar. Tani jo dhe aq, shton me shqetësim dhe vetëqortim ai. Ne duhet të mësojmë nga komunitetet e tjera si nga komuniteti armen për shembull” .  

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, themeluesit vizionarë të AANO krijuan një organizatë që do të ofronte një mbledhje vjetore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Qëllimi i tyre ishte të festonin dhe përjetësonin trashëgiminë tonë të dashur shqiptare, duke siguruar gjallërinë dhe vazhdimësinë e saj, përmes brezave të ardhshëm që mos asimiloheshin në Amerikë. Një nga aspektet e shquara të AANO-s është pikërisht, natyra e saj jo-fetare dhe jopolitike, duke përqafuar dhe festuar të gjithë shqiptarët që banojnë në Amerikë

Për ata që duan të dinë më shumë për veprimtarinë treçerek shekullore të ANNO-s, po citoj nga buletin gjashtëmujor i shoqatës Trumbeta disa reshta nga statuti  “Ne, si shtetas amerikanë dhe kanadezë, me origjinë shqiptare e të tjerë të interesuar për shqiptaro-amerikanët, me dëshirën për të formuar dhe përjetësuar një federatë dhe promovojë objektivat dhe parimet e saj; për të realizuar një kuptim të përsosur dhe harmonikm mes nesh dhe të tjerëve, për të promovuar kauzën e qytetarisë së mirë në vend në të cilën jetojmë; për të nxitur frymën e miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit të mirë” Rëndësia e kulturës etnike në Shtetet e Bashkuara është e shumanshme dhe luan një rol të rëndësishëm në formësimin e identitetit të kombit, strukturës sociale dhe zhvillimit të përgjithshëm. Këtu janë disa aspekte kryesore të rëndësisë së tij:    

“The Meltin Pot”-kazani shkrirës

SHBA-të shpesh përmenden si një “tenxhere shkrirjeje” për shkak të shtresave të pasura të kulturave etnike. Këto kultura kontribuojnë në diversitetin e kombit dhe promovojnë një mjedis ku njerëzit me prejardhje të ndryshme mund të bashkëjetojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Ky diversitet pasuron peizazhet sociale, ekonomike dhe kulturore të vendit.  Kulturat etnike kontribuojnë në një skenë kulturore të gjallë dhe dinamike. Muzika, arti, letërsia, kuzhina, festivalet dhe traditat nga grupe të ndryshme etnike i shtojnë thellësi dhe pasuri shoqërisë amerikane, duke u ofruar njerëzve mundësi për të përjetuar dhe vlerësuar një gamë të gjerë të shprehjeve kulturore.

 Për shumë individë, kultura e tyre etnike është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë së tyre personale. Ruajtja dhe festimi i rrënjëve kulturore të dikujt mund të nxisë një ndjenjë përkatësie dhe lidhjeje, si me trashëgiminë e tyre stërgjyshore ashtu edhe me komunitetin më të madh amerikan, kjo ndodh me AANO. 

Ndërsa kulturat etnike festojnë trashëgiminë individuale, ato gjithashtu ofrojnë një mjet për njerëzit që të bashkohen dhe të formojnë komunitete bazuar në vlerat, përvojat dhe prejardhjen e përbashkët. Këto komunitete mund të ofrojnë mbështetje sociale, të nxisin ndjenjën e përkatësisë dhe të kontribuojnë në kohezionin e përgjithshëm social. 

Kujtova këtë arsyetim kur lexova dedikimin e Julias për babain e saj amerikan William Black, i cili e kish lejuar ndihmuar dhe nxitur ne ruajtjen e kulturës kombëtare. Në thelb, rëndësia e kulturës etnike në SHBA qëndron në aftësinë e saj për të nxitur diversitetin, për të pasuruar peizazhin kulturor të kombit, për të promovuar mirëkuptimin dhe unitetin dhe për të kontribuar në rritjen sociale, ekonomike dhe individuale. Është një pjesë themelore e asaj që i bën Shtetet e Bashkuara një shoqëri unike dhe dinamike.

Për mua si gazetar televiziv që nuk ka lënë eveniment të komunitetit shqiptar pa ndjekur, kjo përvojë, ka qenë veprimtaria e organizuar më bukur e më me kulturë sa kombëtare aq dhe amerikane. Ndaj nuk ishte e habitshme që madje edhe juria e bukurisë p.sh përbëhej nga miq dhe një gjykatës amerikan miq të Julias, dhe drejtuesi i konkursit të bukurisë krahas Julias dukej që ishte një profesionist italian i njohur.  E gjitha përvojë qe e zhytur në një mjedis tipik amerikan. 

Koncepti i “tenxhere shkrirjes” në Shtetet e Bashkuara i referohet idesë së një shoqërie të larmishme në të cilën njerëz me prejardhje të ndryshme kulturore, etnike dhe kombëtare mblidhen së bashku, përziejnë identitetet dhe traditat e tyre unike dhe në fund krijojnë një amerikan të ri dhe të unifikuar. Kjo metaforë ‘ Meltin pot’ nënkupton që, ashtu si metale të ndryshme shkrihen së bashku për të krijuar një lidhje homogjene, ashtu dhe kulturat dhe popujt e ndryshëm të Shteteve të Bashkuara përzihen së bashku për të formuar një komb koheziv dhe të bashkuar.

Termi “tenxhere shkrirje” fitoi rëndësi në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, pasi Shtetet e Bashkuara përjetuan një valë imigrimi nga një gamë e gjerë vendesh. Shpesh përdorej për të përshkruar procesin e asimilimit, ku emigrantët dhe pasardhësit e tyre pritej të adoptonin zakonet, vlerat dhe gjuhën amerikane, duke lënë pas shumë aspekte të kulturave të tyre origjinale. Ky koncept lidhej me besimin se Shtetet e Bashkuara ishin një tokë e mundësive ku njerëzit mund të vinin për të ndjekur një jetë më të mirë dhe për të kontribuar në zhvillimin e një identiteti të ri kombëtar.

     “Amerika nuk është si një batanije – një copë leckë e pandërprerë, e njëjta ngjyrë, e njëjta strukturë, e njëjta madhësi. Amerika është më shumë si një jorgan – shumë arna, shumë copa, shumë ngjyra, shumë madhësi, të gjitha të endura dhe të mbajtura së bashku. Nga një fije e përbashkët.” -pat thënë rev . Jesse Jackson. Por duke integruar shqiptarët duhet të mos humbin identitetin e tyre baza e të cilit është gjuha e kultura dhe sa më vonë të ndodhë kjo aq më mirë. 

Pse në DownTown ?

Me vendndodhje qendrore në rrethin financiar me qasje të lehtë me Detroit People Mover dhe tramvaj QLINE, hoteli hotelin Fort Pontchartrain bashkëkohor në sitin historik të Fort Pontchartrain ndodhet disa hapa nga Qendra e Konventave në Huntington Place dhe biznese të rëndësishme si Selia e General Motors. Jo larg në këmbë nga Detroit RiverWalk, Little Caesars Arena, Ford Field, Comerica Park, Fox Theatre Një komoditet i nivelit tjetër në një nga 367 dhomat dhe suitat e miqve të pajisura ishte epiqendra e mbledhjeve takimeve apo festimi te eventeve me salla me 32,000 metra katror me hapësirë mbresëlënëse. Kjo duket më shumë si një guidë turistike.

Në një bisedë paraprake Julia dhe Alex, parashtruan një program të gjerë ambicioz që përshinte qysh nga udhëtimet me anije natën në lumin e Detroitit mes Detroitit dhe Winsdor të Kanadasë me drita e dy qyteteve në dy anët dhe muzikën shqiptare në bord. Eventi ishte si një apetizer i asaj që do të vinte më vonë në ditët në vazhdim.   AANO  ditën e premte organizoi disa aktivitete kryesore, vizita në grup, por dy ishin ngjarjet kryesore të asaj dite, simpoziumi i orës 5: 30 me përvojat dhe profesionet e veçanta, gjë që tregon se si shqiptarët involvohen dhe janë pjesë përbërëse në mos pararojë të jetës sociale amerikane. Sipas njërës nga organizatoret Alex Black, simpoziumi ishte i suksesshëm dhe të pranishmit e vlerësuan mjaft atë. 

 Z Ilir Bardha, i tha ALBTVUSA se “këto evente shërbejnë për të rritur me shume interesin e komunitetit shqiptaro amerikan dhe lidhjet mes tyre dhe si një shembull për rininë sotme”. Iliri krahas së tjerash, është involvuar si producent i disa filmave me sukses në jetën e shqiptarëve në Michigan, por ajo që i tërhoqi me shume te pranishmit ishte konkursi i bukurisë mbretëresha e AANO-s.

Një rol mbretëreshe vetëm për zonjusha 

Në këtë peagant ku morën pjese 5 zonjusha pas një përzgjedhje nga juria profesioniste u vlerësua si mbretëresha e bukurisë shqiptare zj. Allonja Willson. Dhe shoqëruesja e pare Elisa Alushi nga Detroitit. Fituesja do të marrë 500 dollarë dhe do të jetë mbretëresha e ANNO për eventet ardhshme. Të gjithë miset duhet të jenë 17-27 vjeç, të pamartuara dhe me origjinë shqiptare, të gatshme për të udhëtuar,  Konkurruesve iu bene disa pyetje ne lidhje me origjinën dhe kulturën shqiptare te cilave ato ju përgjigjën plot maturi. Julia Black dhe Karolina Chako ishin organizatorët e këtij eventi, i cili u shoqërua nga muzika e këngëtares Ermira Babaliu. 

Kurora ju dorëzua asaj nga ish mbretëresha për 4 vjet zj. Klea Gjonaj. E cila e përshëndeti eventin.  “ Me kënaqësi të pamasë ju mirëpres të gjithëve në Konventën Jubilare të 75-të dhe në konkursin e Mbretëreshës së Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane në Detroit, Michigan”. 

ANNO  sponsorizon këtë konkurs bukurie si pjesë e programit të saj.  Mbretëresha e parë u kurorëzua më 1949 në Westchester, MS ajo ishte Gloria Lambert Kesler nga Westchesteri që u quajt Mbretëresha e Shqiptarëve e qysh prej asaj kohe 24 vajza të reja e kanë mbajtur kurorën e mbretëreshës ndër to edhe vajza e mikut tim drejtorit të TV Gani Vila, Blerina Vila Lumaj.

Shqiptarizëm -integritet, nder, krenari, dhe mikpritje 

Siç është tani zakoni çdo ceremoni këtu në Amerikë si për të thënë se jemi disi të dyzuar shqiptaro-amerikanë apo amerikano- shqiptar , fillon me himnet , gjithkush me dorë në zemër. Dhe unë sa herë kujtoj atë esenë e Kadaresë për himnin , “se zoti vetë e tha me gojë , që kombet shuhen për mbi dhe, por Shqipëria do të rrojë se për të luftojmë ne. Por ja një befasi interesante, kësaj here kishte dhe një himn tjetër “ O Canada…”  Po pse ? 

Në sallën e mbushur plot e përplot mbi gati një mijë pjesëmarrës shqiptarë nga të gjitha shtetet dhe nga Kanadaja, shqiptarë të emigracionit të vjetër të shekullit të shkuar, shumica dalloheshin nga emrat disi të amerikanizuar e ndonjë fjalë, që zor e përtypin në shqipen e sotme por me një zemër kuq e zi, si unë si ti… dhe shqiptarë të emigracionit pas viteve 90-të, një përzierje e natyrshme dhe e dëshirueshme.

Fjalën e hapjes e mbajti Julia Black e cila tha se : “Kapitulli i Detroitit dhe organizata Kombëtare e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë këtë event. I jam mirënjohës bordit Kombëtar; komiteti i konventës së kapitullit të Detroitit, si dhe komuniteti i Detroitit në tërësi; dhe veçanërisht anëtarët e familjes sime për punën dhe mbështetjen tuaj të palodhur në këtë ngjarje, shpresoj vërtet që të gjithë të kenë shijuar në maksimum këtë qytet të madh të rinovuar dhe mundësitë e shumta që i kemi dhënë të gjithëve për të bërë gjëra jashtë eventit kryesor. 

Që çdo gjë të zgjasë 75 vjet është një arritje, e lëre më një organizim i nisur në vitet 1940 nga emigrantë të sapoardhur. Ata e nisën dhe i dhanë themelin që duhej për të na lënë ta çonim përpara… Mendoj se kam përvojën unike të shërbimit në bordin kombëtar fjalë për fjalë për 30 vjet rresht pa ndërprerje në një cilësi apo në një tjetër që kur Andrew Tanacea, i cili ishte President erdhi në Detroit dhe rifilloi kapitullin e Detroitit dhe më betoi në bordin e  guvernatorëve, ndërsa unë asokohe isha në kolegj dhe ne fjalë për fjalë, organizuam Kongresin e parë të kapitullit të rinovuar të Detroitit në 1993, shumë pak pasi u betuam! 

Janë pothuajse të gjithë këtu sot 30 vjet më vonë, disa prej tyre tani me fëmijë, që ndihmuan në kongresin e këtij viti! Unë kam shërbyer si nënkryetare kombëtar dhe kam qenë presidente kombëtar gjatë tre dekadave të ndryshme, por kurrë nuk kam qenë më krenare për një ngjarje si kjo. Kjo është për shkak të jetëgjatësisë së kësaj organizate, dhe përkushtimit që pashë njerëzit të bënin që të dëshironin të përjetësonin diçka që filloi për një arsye kaq të mirë, thjesht për të përjetësuar kulturën shqiptare dhe për të ruajtur trashëgiminë dhe për të lejuar që shqiptarët të takohen nga i gjithë vendi, duke ndihmuar edhe në edukimin e tyre. Ishte një kauzë kaq fisnike dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sa më larg të largohemi nga vendi ku e nisëm, aq më e vështirë, për shkak të interesave dhe mundësive konkurruese, por aq më e rëndësishme është ruajtja e organizatave dhe aktiviteteve si kjo, në mënyrë që brezat e ardhshëm të ekspozohen dhe të përjetësojnë të njëjtat atribute më të mahnitshme. të “shqiptarizmit” -integritet, nder, krenari, dhe mikpritje të patejkalueshme!“ E përfundoi fjalën e hapjes Julia Black

Ndërsa në përshëndetjen e saj Johana Fundos, presidentja e ANNO-s, theksoi se” ky është një moment historik i jashtëzakonshëm për AANO (Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane) dhe unë jam thellësisht i privilegjuar të shërbej si presidente e kësaj organizate të nderuar që ka sjellë gëzim dhe përmbushje të pamasë në jetën time.  …Kjo konventë ka një rëndësi të veçantë, pasi shumë pak organizata mund të mburren me një trashëgimi kaq të qëndrueshme sa ekzistenca e jashtëzakonshme 75 vjeçare e AANO. Një jetëgjatësi dhe sukses i tillë nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e palëkundur të secilit prej jush, anëtarëve tanë të nderuar dhe të komunitetit më të gjerë shqiptar”.  

Znj. Black falënderoi sponsorit Form G Tech Co. dhe pronarin e saj Jimmy Lumani, i cili është sponsori ynë i platinit tha ajo; Primoprint dhe pronarin e saj Xhenis Levack Smith, i cili është sponsori ynë Jubilar i revistës komemorative; sponsori i bronzit Ekrem Bardha, si dhe La Strada dhe pronari i saj Zharko Palushaj, sponsori tjetër ynë i bronzit. 

Gjithashtu u shpreh se dëshiroj të përgëzoj tre fituesit e çmimeve jashtëzakonisht të merituara të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane të këtij viti, z. Shkëlqim “Jimmy” Lumani, i cili po merr Çmimin e Shërbimit në Komunitet; Mark Gojçajn që po merr çmimin “Shqiptari i vitit; dhe çmimin e madh për të nderuarin 90 e sa vjeçarin z Ekrem Bardha për Çmimin e arritjeve jetësore”.  .

400 bursa në 75 vjet

Fondi i Bursave AANO zë një vend qendror brenda organizatës sonë dhe ka qenë thelbësor në fuqizimin e brezit të ardhshëm të studiuesve shqiptaro-amerikanë. Që nga fillimi i tij në 1955, fondi ka dhënë 400 bursa mbresëlënëse. Procesi i përzgjedhjes është i mundimshëm, pasi marrim aplikime të shumta nga studentë të jashtëzakonshëm. 

Këtë vit, tha znj. Black  ne jemi krenarë të njohim dhe përgëzojmë dhjetë individë të shquar të cilëve u janë dhënë çmimet e bursave. Vlera totale e bursave të dhëna këtë vit ka arritur një moment historik të paprecedentë prej $ 20,000. 

Znj. Eftalea Bitta, drejtuese  e fundit të bursave foli për procedurën e heshtur të mbledhjes së donacioneve për bursa dhe një intervistë të veçantë me ne, na foli edhe për kapitullin e Çikagos dhe dy miqtë e saj dy aktorët e mëdhenj John dhe Jimmy Belushi. Kjo zonjë e gjallë imcake që mbante emrin e gjyshes sime, që se njoha që dukej sikur kishte dalë nga libër historie ishte dëshmia e gjallë e diasporës shqiptare të Çikagos dhe e mbijetesës së saj . 

Marrësit e Bursave, nga emrat dukeshin që i përkisnin gjithë shtresave kohore të diasporës:  Ledion Hoti, Naze Islamaj, Saranda Rolet, Ora Kalaj, Isabela Kostallari, Daniel Shkëmbi, Abraham Haxhi, Deana Nare, Arian Qoshi dhe Adea Selmani  do të merrnin secili nga një fond prej 2 mijë dollarësh.

E pranishme në takim ishte dhe ambasadorja e Shqipërisë znj. Floreta Faber, e cila përshëndeti me këtë rast, ajo njoftoi largimin pas tetë  vjetësh shërbimi në fund të muajit,  dhe gjatë intervistës më tha, se ka punuar plot ketë vite për forcimin e diasporës e lobimit, gjersa kemi krijuar caucus shqiptar me gati 20 senatorë e kongresmen në bashkëpunim me diasporën. Ajo më dha në konfidencë se ishte hera e parë sillte dhe fëmijët në evente si ky, por ky ishte i fundit  dhe se ata po ktheheshin në Shqipëri.  E urova atë mikeshë të vjetër, që e njihja që nga ditët  e Universitetit tim në Shkodër për punën e saj mjaft aktive…

Tre çmime, te merituar për tre miq të nderuar

Ditën e shtune u mbajt Ceremonia e 75 vjetorit te AANO dhe u ndanë çmimet e konventës e cilat vlerësoi me çmim tre personalitete nga Michigani,  biznesmenin  Shkëlqim Lumani për veprimtarinë e tij te gjere bamirëse, po ashtu u vlerësua dhe Z. Mark Gjokaj për veprimtarinë e tij te gjere ne organizimin e veprimtarive ne Komunitetin dhe shqiptar dhe së fundi për veprimtarinë e tij te gjatë ne favor të çështjes shqiptare z Ekrem Bardha, të cilin ndër të tjera znj. Black e vlerësoi edhe si autor librash, për memuaret e tij. Që kur përmendi këta emra thashë me vete se AANO ia kish qëlluar, pasi të tre ata ishin të njohurit e mi, që mirë i njihja mirë veprimtarinë dhe punën … 

Shkëlqim “Jimmy” Lumani është fitues i Çmimit të Shërbimit Komunitar të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane për vitin 2023. Z. Lumani është një biznesmen i vetëpunësuar që punëson shumë shqiptarë në kompaninë e tij në Troy, Michigan. Ai ka mbi njëqind të punësuar mbi shtatëdhjetë e pesë për qind e të cilëve janë shqiptarë. Fëmijët e të gjithë punonjësve të tij morën ndihmë arsimore. Z. Lumani ka ndihmuar shumë bashkëqytetarë shqiptarë, veçanërisht studentët. Ai aktualisht është duke punuar në një program trajnimi shkëmbimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Z. Lumani ishte i rëndësishëm në krijimin e Fondacionit Lumani. Fondacioni Lumani është një organizatë jofitimprurëse 501c3 që rrit cilësinë e mundësive arsimore për komunitetin tonë. Që nga fillimi i tij në vitin 2015, Fondacioni Lumani ka ofruar më shumë se 500,000 dollarë mbështetje për mbi 100 studentë që ndjekin një diplomë bachelor. Fokusi i tyre është fuqizimi i të rinjve të rritur dhe ndihma për t’u siguruar që ata të marrin ndihmën që u nevojitet për të arritur një arsimim. Fondacioni Lumani mbështet studentët dhe ofron burime shtesë për të krijuar mundësitë më të mira arsimore në dispozicion. Komuniteti ynë përfiton shumë nga puna e mirë e z. Lumani, shumë prej të cilave ndodh edhe në prapaskenë. Ai është një filantrop që ka kontribuar në shumë organizata komunitare. Ai gjithashtu ka ofruar sponsorizim financiar për shqiptarët që marrin vizat studentore Fl për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të tyre dhe ka ofruar mundësi punësimi. Ne si organizatë jemi shumë të lumtur t’ia dhurojmë këtë çmim zotit Lumani, për të cilin ai është shumë i merituar , tha drejtuesja e seancës . 

Z Lumani theksoi nëpërmjet disa anekdotave jetësore, se kur erdhi në SHBA filloi Universitetin e Wayne , por pronari ku punonte nuk e la për arsye pune të vijonte shkollën ditën, dhe ky ishte një nga motivet që pas dy vitesh ai nisi kompaninë e tij. Z, Lumani rrëfeu  për një student internist të inxhinierisë mekanike dhe nënën e tij, e cila bënte tri punë për të paguar për shkollën e të birit, se edhe unë duhet të bëja diçka. A nënvizoi faktin se ai vet mund të ketë dhënë më shumë fonde se kjo organizatë , por puna e tyre është me e rëndësishme se e imja pasi unë jap nga paratë e mia kurse ata i mbledhin nga të gjithë njerëzit nga të gjithë shqiptarët nga e gjithë Amerika. 

Mark P. Gjokaj është fituesi tjetër i merituar i çmimit Shqiptar i Vitit i Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane sivjet, i cili ka kaluar jo vetëm këtë vit, por edhe shumë dekada përpara se të përpiqet të krijojë rrugët për të promovuar traditat e pasura të shqiptarëve. Ai ka qenë për një kohë të gjatë drejtues dhe krijues i organizatave dhe programeve dhe ka marrë përsipër role avokuese ndër vite duke u shfaqur në televizion dhe radio në lidhje me avancimin e të drejtave të njeriut për shqiptarët. Z. Gjokaj ka punuar për të rritur kulturën shqiptare në shumë mënyra. Ai e ka bërë këtë përmes Kishës Katolike të Palit në Rochester duke krijuar festivalin vjetor shqiptar. Festivali është rritur për t’u ndjekur nga mbi 7,000 njerëz në vit dhe ka vazhduar për 23 vjet rresht. Ai gjithashtu ka promovuar dhe rritur kampionatin shqiptar të golfit në eventin mahnitës që është sot. Z. Gjokaj ka qenë bashkëthemelues i shoqatës  Knights of Columbus të e para në botën shqiptar , me shoqatën Gjergj Fishta. Më pas ai punoi me ekipin Fishta për lehtësimin e tërmeteve në Shqipëri. Në vitet 1990 ai themeloi Shoqërinë Kulturore Amerikane. Ai gjithashtu punoi për promovimin dhe shpërndarjen e dokumentarit Gjergj Kastrioti. Z. Gjokaj ka botuar revistën periodike “Arbri”. Ai gjithashtu filloi “Albanian Fin and Field” për të promovuar traditat e natyrës dhe konservimin. Ai gjithashtu themeloi Shoqërinë Kulturore Shqiptare Amerikane si dhe bashkë themeloi Kalorësit e parë Shqiptarë të Kolombit në botë.

Marku ka punuar gjithashtu me Sekretaren e Shtetit të Miçiganit, Candace Miller, për të koordinuar përpjekjet për përkthimin e testeve të DMV Driver nga anglishtja në shqip. Ai ka mbajtur edhe leksione në shkollat e Macomb-it për të promovuar kulturën shqiptare. Ai ishte gjithashtu anëtar i ekipit të parë shqiptar që mori pjesë në garën “Tough Mudder” që u kronika në Macomb Daily. Për këto arsye dhe shumë të tjera, Organizata Kombëtare Shqiptare është e nderuar që Marku të marrë këtë çmim që ai e meriton.! “ Në falënderimin e tij Marku theksoi që njeriu në jetë duhet të lërë gjurmën e tij, jo për tu dukur por për t’i dhënë kuptim jetës.”   

Duke prezantuar z Ekrem Bardha,  znj. Black tha: “Ju të gjithë e njihni Ekremin .Z. Bardha ka qenë gjithashtu shumë aktiv në shumë çështje të drejtësisë sociale që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe të drejtat e njeriut. Ai ka dëshmuar në Kongres për abuzimet me të cilat përballen shqiptarët etnikë në Jugosllavi. Z. Bardha ka takuar personalisht shtatë presidentë të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në çështje të ndryshme që ndeshen në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitin 2018, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ai mori Medaljen Jubilare Presidenciale të Dekadës së Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Z. Bardha ka qenë një filantrop prej kohësh duke ndihmuar kauza të shumta gjatë gjithë jetës së tij. Për këto arsye, Z. Bardha i bashkohet radhëve të fituesve tanë të nderuar të arritjeve të jetës dhe merr këtë çmim që Organizata Kombëtare Shqiptare është krenare të prezantojë. !”

Z Bardha në fjalën e tij përshëndetëse theksoi porosinë e tij  të vazhdueshme që “diaspora ashtu dhe politika shqiptare duhet të mësojë dhe të shohë nga politika amerikane, e të qëndrojë larg gjuhës së urrejtjes”. Kjo është porosia e një shqiptari që e ka bërë të tijën në jetën e tij 90 e ca vjeçare porosinë e presidentit Kenedi.  Mos pyet se çfarë mund të bëjë Atdheu për ty por se çfarë mund të bësh ti për Atdheun. ( Por fatkeqësisht vitet e fundit të politikës amerikane nuk janë ato të Klintonit apo Bushit të vjetër).

Jeta e Zotit Bardha tashmë është një libër i hapur i veprimtarisë së tij  dhe Libri i tij i Dytë  Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora, është një arritje edhe në fushën e memuaristikës dhe rolit të diasporës shqiptare për çështjen kombëtare e pavarësinë e Kosovës. Kurrë të mos e harrojmë kujton Ekremi, se pa diasporën e Amerikës dhe aktivitetin e saj nuk do të kishim sot Kosovë të pavarur” Dëshmia më e mirë e asaj është ai libër. “Kam një ëndërr, nuk di nëse do t’ja mbërrij ose jo, Shqipërinë etnike, që një ditë të bashkohet Shqipëria me Kosovën”. Kjo është ëndrra e shqiptarit më të madh të Amerikës, për nga rëndësia, mençuria dhe kontributi rreshtohet me Fan Nolin dhe shqiptarët martirë të mbarë shqiptarisë. Është i vetmi shqiptar që ka dëshmuar në Kongresin Amerikan për të bindur administratën amerikane për krijimin e shtetit të Kosovës.

Ja pse festimi i 75-vjetorit të AANO-s është një moment historik është një dëshmi e përkushtimit dhe vizionit të palëkundur të individëve të panumërt që kanë punuar me vetëmohim drejt fuqizimit të komunitetit tonë, duke nxitur një trashëgimi të përsosmërisë. Ky si një rast që jo vetëm njeh historinë dhe arritjet e pasura të shqiptarëve, por edhe paralajmëron një të ardhme të mbushur me madhështi.

Rroftë Shqipëria! Rroftë AANO! Gëzuar! 

Disa organizata shqiptaro-amerikane përfshihen në nisma bamirëse dhe humanitare, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Shqipëri apo pjesë të tjera të botës. Këto përfshijnë mbledhjen e fondeve për shkaqe që lidhen me kujdesin shëndetësor, arsimin, ndihmën ndaj fatkeqësive dhe më shumë. Organizatat shqiptaro-amerikane mund të krijojnë programe arsimore, bursa dhe burime për të nxitur mësimin e historisë, kulturës dhe gjuhës shqiptare tek brezi i ri për vite me radhë.

Koha e jetesës se kësaj shoqate, apo të Vatrës tregon se ne shqiptarët tani kemi shtresimet e emigracionit tonë. Vëllai i gjyshes time e la shtëpinë në moshën 12 vjeçare dhe se pa më motrën e tij më të madhe që e rriti. Kushërinjtë e mi që u lindën në Amerikë, e ruajtën gjuhën dhe shqiponjën në gji, si Viktor Çako, gruaja e tij, kushërira e parë e babait, ka ardhur sot në këtë takim. Se kisha parë atë qysh nga pandemia, bashkë me Stivin nga Minesota dhe Karolina Çakon këtu, fëmijët tanë janë gjenerata e katërt. A do të vijnë ata apo fëmijët e tyre përsëri tok me fëmijët e mi për 100 vjetorin? Po do të vijnë…

Nuk duhet të harrojmë se jetëgjatësia e kësaj organizate, dhe përkushtimit që pashë njerëzit që dëshironin të përjetësonin diçka, që filloi për një arsye kaq të mirë, vazhdonte, thjesht për të përjetësuar kulturën shqiptare dhe për të ruajtur trashëgiminë tonë dhe për të lejuar që shqiptarët nga e gjithë SHBA të takohen, duke ndihmuar edhe në edukimin e bijve të tyre. Ndaj  kështu shpjegohet nga kjo kauzë kaq fisnike dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. 

Duhet pak kohë dhe për punë organizative të dielën më 6 Gusht u mbajt Sesioni i Përgjithshëm i Hapur dhe Zgjedhjet ndërsa paradite dhe u ndoq një ndeshje e Tigers, ku në tabelat e rezultateve përshëndetej  puna e AANO-s. Çka tregon se komuniteti ynë i ardhur nga 5 vende të Ballkanit kishte ruajtur identitetin e vet të lidhur me identitetin e amerikan. Një përshëndetje dinjitoze për shqiptarët, në një stadium të mbushur me amerikanë, krenari por dhe meditim, duhet të ruajmë gjuhën e nënës…  

Sa më larg të largohemi nga vendi ku e nisëm jetën, aq më e vështirë, për shkak të interesave dhe mundësive konkurruese, por aq më e rëndësishme është ruajtja e organizatave dhe aktiviteteve si ky, që është një mënyrë që brezat e ardhshëm, të ekspozohen dhe të përjetësojnë të njëjtat atribute më të mahnitshme, të “shqiptarizmit” -integritetin, nderin, krenarinë, dhe mikpritjen të patejkalueshme. Fjalë që vazhdojnë të më jehojnë në mendje dhe zemër! 

Lavdi AANO!.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafael Floqi

ROSE WILDER LANE NË KËRKIM TË XHUBLETËS

August 16, 2023 by s p

Prof.Myrvete&Begzad Baliu/

Tregim

Krejt papritmas u ndërpre muzika dhe valltaret mezi u ndalën duke ngatërruar këmbët. Pastaj, po kaq papritmas shpërtheu një këngë tjetër me zërin që kumbonte fort. Gratë që ishin në valle, në vend se të vazhdonin, ngrinë me krahët gjysmë të ngritur lartë dhe ngulën shikimin nga dera.

Papritmas u ngrit nga tavolina e parë dhe shkoi përpara vetëm një zonjë e veshur krejt ndryshe. Ndërsa, të tjerat po i drejtonin telefonat në drejtim të hyrjes në sallë, ajo mbante në dorë një aparat të madh dhe si të dalë mode.

Nusja, babai dhe nëna, të kapur për krahët e njëri-tjetrit po hynin brenda duke mbajtur hapin me kujdes, ndërsa zonja e panjohur, në vend se të rrinte e të fotografonte nga tavolina e parë, ku ishte ulur, u afrua, u përkul poshtë e lartë, djathtas e majtas, para e prapa, për të mos thënë “u shkarravit disa herë para vajzës e prindërve të saj”, sikur do të shprehej Gjyla e Alisë.

-Kush është kjo grua?, – e pyeti Zyla, Bardhën me kërshëri, e cila si nikoqire e dasmës sillej sa djathtas sa majtas, duke parë sytë e secilës, nëse kërkonin gjë.

– Është një grua amerikane, quhet Rose, është mike e prindërve, – tha Bardha duke zgjatur kokën drejt saj.

– Aha, – tha Zyla, duke mbajtur frymën me habi, – kam lexuar një vepër të saj, me titull “Majat e Shalës”.

Bardha nuk ja pohoi me kokë, por e bëri të kuptonte se e dëgjoi.

Po hynte ‘treshja’, që të hapte dasmën. Babai, i veshur me sako, këmishë të bardhë, kravatë të kuqe e plis të bardhë në kokë, ecte duke matur hapin që të mos i dilte i madh; nëna e veshur me një fustanellë, ecte duke u përpjekur që me fustanin e saj dukshëm më të gjerë se të vajzës, të mos merrte hapësirë dhe të linte të bijën nën hije; dhe në mes nusja, e veshur me xhubletën e qëndisur ndoshta më shumë se një shekull më parë. E kishte blerë gjyshi i babait të saj, tregtar i viteve ’20.

Babai i saj thoshte se atë botë gjyshi i tij, tregtar ndërmjet Shkodrës e Gjilanit, e kishte njohur një grua amerikane në Shkodër, që quhej Rose Wilder Lane, por që në bisedat e tij me miqtë e quante Razë. E vlerësonte shumë dhe thoshte, që ajo, si grua e mençur që ishte, i kishte folur për shkollën, politikën, tregtinë dhe madje edhe për këtë fustan, të cilin e quante xhubletë dhe që qëndisej brez pas brezi ndër shqiptarët prej më shumë se 2500 vjetësh. Ajo edhe e kishte nxitur që ta blinte për gruan e tij, Tushën, me gjithë çmimin e lartë që kishte. E kishte blerë, pavarësisht se me ato para mund të sillte nga tregu i Shkodrës në tregun e Gjilanit a të Shkupit, sheqer, krip, kafe e gaz me bollëk.

Miqtë e tij madje tregonin me humor se si ai, me Razën, kishte dashur të shkonte në Amerikë dhe të kthehej me një vapor të mbushur me misër, sheqer, gaz, kafe, stofra për gratë etj., po kur ishte kujtuar që Kosova nuk ka deti dhe nuk kishte ku të ankorohej, kishte hequr dorë nga udhëtimi!

– Fustanet tona po ngjajnë në lecka, pranë fustanit me peshë të Erës, – tha Liza në vesh të Dijës, duke mbajtur sytë në xhubletën e saj.

Tashmë ishte krijuar rrethi i valltarëve dhe në mes po vallëzonte nusja. Xhubleta e saj bashkonte të gjitha ngjyrat dhe të gjitha modelet e mundshme të fustaneve të të gjitha grave, nga ato me fustan të zi si futa deri te ato me fustan ngjyrash ylberi a të bardhë si bora.

Dasma, me kenë e valle zgjati mbi katër orë. Nusja ndërroi tri herë fustanin, nga xhubleta deri te ‘lecka’, por të pranishmit vazhdonin ta komentonin xhubletën. Pastaj u shtrua dreka dhe tregimet për xhubletën ishin të gjata e të habitshme, ndërsa në qendër të rrëfimit përsëri Rose, Raza e gjyshit.

– Erës po i shkonte shumë bukur xhubleta, – tha Rose. – Ngjante në një Nimfë deti, në një Zanë mali, sikur thoni ju shqiptarët. Ky fustan, si asnjë tjetër, dëshmon për karakterin mesdhetar të shqiptarëve, ndërsa mënyra se si është ruajtur xhubleta, dëshmon edhe historinë kontinentale të këtij populli. Tek ecte me atë fustan, që ngjanë kaq shumë në një kambanë, më kujtonte udhëtimin e misionarëve të krishterimit nga Mesdheu drejt Europës.

– E vërtetë, – ndërhyri gati krejt koti, e sa për të thënë që ishte aty, Gjyla e Alisë, e bindur se po e plotësonte mendimin e Roses. – Thonë që rrugës nga Shkodra deri në shtëpinë e tij, gjyshi i babait të saj e kishte sjellë xhubletën të mbushur me misër italian. Në shtëpi, gruaja e tij, Tusha, në vend se ta mbante në arkën e rrobave të nusërisë, e mbushte me fasule dhe e linte në një kënd të hambarit, që të mos e vërenin dhe merrnin xhandarët serbë.

– Besoj se këtu qëndron edhe fshehtësia e saj, te simbolika e kambanës në trupin e gruas, -vazhdoi përsëri me zë më të lartë Rose. -Nuk janë burrat që realizuan misione të mëdha, po gratë. Shpesh burrat në emër të paqes ecnin me Biblën në dorë, por pas tyre vinin burrat e shpatës, ndërsa gratë ishin ato që e bënë të përjetshme simbolikën e këtij misioni. Gratë shqiptare misionin e kambanës e kanë dëshmuar prej mija vjetësh. Lexoni mitet indoeuropiane (mitin e djalit gjarpër, mitin e buklës, thyerjen e rrugës nga dasmorët, rrëmbimin e nuses, bullat dhe bullanin), lexojeni atë që quhet letërsi helene, por që në të vërtetë është letërsi e miteve mesdhetare me shumë fabula të hapësirës shqiptare dhe do të shihni rolin e gruas shqiptare.

– Bardha, a jemi ftuar në dasmë apo në ligjëratat e Rose Wilder Lane, – ndërhyri përsëri Zyla. – Ku janë këngëtarët t’ia marrim valles?

– Nuk jam Rose Wilder Lane, – shpejtoi të prezantohej me një pamje autoritare fotografja nga frika se tingulli i instrumenteve do t’ia bënte të padëgjueshme fjalën. – Unë jam Rose Merfi. Erdha në dasmë nga një shoqatë shqiptaro-amerikane që mban emrin e Rose Wilder Lane. Ajo e ka vizituar Shqipërinë e Veriut në vitet ’20. Erdha në këtë dasmë, si mike e prindërve të Erës, të shoh nëse xhubleta e blerë në vitet ’20 në Shkodër, nga gjyshi i babait të saj është ruajtur edhe pas çlirimit të Kosovës, ndërkohë që shtëpia e vjetër në fshat është djegur në vitin 1999.

Prishtinë, 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Begzad Baliu

PSE JO, REPUBLIKA E DARDANISË!?

August 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

“Një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”. Kështu e ka cilësuar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, njoftimin e ditëve të fundit të një ekipi të përbërë nga arkeologë të Kosovës dhe francezë, I cili po bën hulumtime arkelogjike në Ulpianë, nja 10-kilometra larg nga Prishtina.

Grupi i arkeologëve që përbëhet nga francezi Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha nga Kosova, gjatë hulumtimeve të kryera shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda.  Ai e përshkruan këtë qytet si një qytet Dardan, në krahinën e Dardanisë. Qyteti dhe kisha, të themeluar nga paraardhësi i tij, Diokleciani në fillim të shekullit IV. Ekspertët thonë se mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë ndërsa dëshmon afërsinë e perandorit Justinian ndaj provincës së origjinës së tij. Kisha e atjeshme, paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm të saj, thuhet në njoftimet për media.

Me të drejtë ky zbulim me rëndësi historike dhe identike për shqiptarët ka tërhequr vëmendjen dhe interesimin e autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe disa përfaqsuesve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë”, është shprehur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.  “Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët. Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, është shprehur e para e shtetit të Kosovës, Zonja Osmani, në lidhje me zbulimet arkeologjike të ditëve të fundit në Ulpianë, pasi vizitoi hapësirat e hulumtimve arkeologjike jo shumë larg Prishtinës.

Ndërkaq, edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas njoftimit për zbulimin e mbishkrimit monumental në qytetin Ulpianë, ndërsa ka thënë për media se ky zbulim dëshmon lidhjet e Perandorit Justinian me vendin e origjinës së tij — Dardaninë.  Punën e sukseshme arkeogjike në Ulpianë të ekipit të lartë-përmendur, Kryeministri Kurti e lavdëroi këtë zbulim si një dëshmi e bashkpunimit të suksesshëm ndërkombëtar — midis arkeologëve nga Kosova dhe Franca, ka shkruar në portalin e tij, Kryeministri Kurti.

Jo se kjo histori nuk dihej. Dihej dhe mbrohej nga historian dhe eskpertëtë huaj dhe vendas gjatë dekadave të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme. Për fat të mirë, zbulimet e këtyre ekspertëve në të kauarën si veprat dhe botimet historike të tyre – përfshir Profesor Dr. Zef Mirditën, babain e Dardanisë Antike — Frank Shkreli/ Ndërroi jetë Apostulli i Dardanisë | Gazeta Telegraf, tani po vërtetohen dhe po dokumentohen nga zbulimet e fundit, të ekspertëve shqiptarë të Kosovës në bashkpunim me ekspertët e huaj.

Ndonëse zbulimi arkeologjik i ditëve të fundit në Ulpianë është shumë i rëndësishëm, sipas ekspertëve, nuk besoj që ky të jetë më i rëndësishmi as më i fundit. Janë bërë dhe po bëhen hulumtime anë e mbanë trojeve dardane — Frank Shkreli: Këtu i thonë Dardani, o bir! | Gazeta Telegraf — të cilat, më në fund, po tregojnë dhe dëshmojnë para botës, se – megjithë propagandën serbo-greke dhe kundërshtimeve  të tyre  — më në fund po rpovohet historikisht dhe shkencërisht nga grupe eskepertësh me përvojë e reputacion, se trojet shqiptare kanë qenë dhe janë dardane dhe se ajo krahinë është quajtur Dardani. Prandaj, si përfundim, ashtu duhet të quhet edhe sot, me qëllim për t’a çuar në vend të VËRTETËN historike, njëherë e përgjithmonë: Republikën e Dardanisë me flamurin e saj shtetëror, propozuar nga i ndjeri President Dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2001. Pse jo? 

 “Ajo është nje kërkesë e gjithë popullit dhe nuk mund ta injoroj askush”. (Ibrahim Rugova).

Frank Shkreli

Ibrahim Rugova - Memories of a War

                      “Oh moj Dardani antike, gjuje vellon e lashtësisë,
                      Rrok lahutën ti kreshnike, për babain e Pavarësisë!

                                                 DARDANIAMay be an image of grave stone, monument and text

May be an image of 10 people, people standing, shovel and text

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ekipin e arkeologëve në Ulpianë

May be an image of 10 people and souvlakia


Perandori Justiniani i I-rë ose Justiniani i Madh i lindur në Dardani – Perandori gjigand ilir që drejtoi Romën e Bizantin, që rishkroi, Kodin Civil Romak dhe vuri gurëthemelin e ligjësisë moderne. Njëri prej perandorëve të historisë që cilësohet si një prej perandorëve më të mëdhenj të historisë romake e bizantine. Justiniani i I-rë, sipas historianëve, ka Ilirizuar kastën perandorake dhe i ka dhënë Ilirisë një status të veçantë dhe më të privilegjuar se rajonet e tjera, nën jurisdiksionin e tij administrative-perandorak.Mosaic of Flavius Justinian dressed in a royal purple chlamys and jeweled stemma

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Fitore Mamaqi, sopranoja që jetoi një jetë të nxjerrë nga faqet e një romani

August 15, 2023 by s p

Aleksandër Ikonomidhi Sulioti/

Për të gjithë ata që jetuan periudhën socialiste të Shqipërisë, dihet se jeta e artistëve në të kaluarën nuk ishte e lehtë dhe gjithsesi nuk ngjante aspak me jetën e artistëve të pjesës tjetër të Evropës Lindore, por as me jetën e artistëve të sotëm. Dallimet janë të mëdha dhe karakteristike, deri në atë pikë sa të huajt dhe brezat e sotëm e kanë shumë të vështirë t’i kuptojnë. Shembull karakteristik i kësaj veçorie është rrugëtimi artistik i sopranos lirike të TKOB, Fitore Mamaqi. Një rrugëtim artistik që të kujton më shumë rrëfimin novelist apo përshkrimin kinematografik të një këngëtareje që herë flirtoj me majën dhe herë me ngërçet e regjimit.

Jo pa arsye zgjodha ti jap titullin kësaj biografie artistike « Një jetë e nxjerrë nga faqet e një romani», pasi nëse dikush studion me kujdes detajet e jetës së Fitores dhe hedhë dritë mbi karrierën e saj artistike, befas do të mendojë se gjeti një skenar ideal për një film kinematografik që përshkruan me pak rreshta fytyrën e shëmtuar të diktaturës si dhe lavdinë që publiku u jep bujarisht këngëtarëve.

Fitore Mamaqi ka lindur në Tiranë më 24 nëntor 1949 në një familje me histori të rëndësishme të Shqipërisë së pasluftës. Angazhimi i saj me muzikën filloi që në moshë shumë të vogël kur prindërit e dërguan të studionte për violinë tek Liceu Artistik i Tiranës, pranë pr. Atlie Tolës. Vetë Fitorja më ka pranuar se si violiniste nuk ishte veçanërisht e zellshme në mësim, por gjithsesi ia doli t’i përfundonte studimet me nota shumë të mira. Por hyrja e saj në rrugën e kantos ishte më shumë çështje rastësie sesa ëndrra e një vajze të vogël për të pushtuar skenat lirike.

Në moshë 9-vjeçare kur sapo kishte filluar të merrte stimujt e parë muzikor të violinës, Fitorja qëndroi me një shoqe të saj në një sallë boshe tek Liceu i Vjetër deri vonë. Për fat të mirë në sallën përballë, ndodhej Marie Kraja e cila po i jepte mësim kantoje një studenteje. Dy vajzat e vogla po dëgjonin me shumë kureshtje mësimin nga salla tjetër, kur për një çast Fitorja riprodhoi një notë akute që ndërpreu mësimin e Marie Krajës. Papritmas dera u hap dhe u dëgjua zëri i Zonjës Kraja që pyeti e habitur “kush e bëri këtë?”. Dy nxënëset e vogla, të frikësuara se kishin bërë një gabim të madh, vrapuan për t’u fshehur, por sërish për fat të mirë, Zonja Kraja i kishte dhënë urdhër studentes të saj që t’i kërkonte dhe t’i gjente “autorët e notës akute”. Pas disa “hetimesh” nxënësja e talentuar u gjet dhe u çua para Marie Krajes. Mësuesja e madhe e lirikës kur e pa, i buzëqeshi dhe duke i shtrënguar dorën, i tha: “Kur të bëhesh 16 vjeç, do të vish të më gjesh dhe një ditë do të bëhesh këngëtare”. Dhe kështu ndodhi, me përjashtim që deri atëherë Maria me Fitoren nuk u takuan asnjëherë.

Kështu kaluan vitet, derisa adoleshentes Fitore Mamaqi iu kërkua të zgjidhte se cilën rrugë do të ndiqte në studimet universitare. Përsëri, studimet për kanto nuk ishin ndër opsionet e saj të para, ende e mundonte dilema e studimeve të larta për violinë apo diçka tjetër. U desh ndërmjetësimi i shoqes së saj adashe, Fitore Mingomataj, e cila e nxiti të konkuronin së bashku në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për kanto. Por ditën që konkuroi para komisionit në të cilin ndodhej edhe i madhi Çesk Zadeja, Fitoren befas e pushtoi një turp i pashpjegueshëm dhe kështu u detyrua të interpretojë me kurriz të kthyer. Rezultati ishte i sigurt, duke fituar me unanimitet të plotë nga komisioni të drejtën për studim.

Në vitin 1967 vetëm pak kohe para se të fillonte studimet në vitit e parë të Kantos, ajo u zgjodh të shkonte në Kinë si violiniste me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky ish dhe shkaku që ajo nisi studimet me vonesë, pasi u kthye në Tiranë në dhjetor të atij viti. Ashtu siç pritej, ajo studioi pranë Marie Krajës. Që në vitin e parë, ajo bashkëpunoi me personalitete të mëdha të kohës si Çesk Zadeja, Tish Dija dhe Lluk Kaçaj. Në vitin e fundit të studimeve, përgatit dhe debuton me shumë sukses në rolin e Mimisë nga Opera “Bohema” e Puçinit, jo shumë kohë pas premierës së vitit 1971. Ky ishte një nga rastet e pakta në historinë e ILA, në mos i vetmi, ku një studente mbronte diplomën në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit. Rezultati ishte perfekt dhe me përfundimin e diplomës emërohet soliste në TKOB në vitin 1972.

Në nëntor të vitit 1973, në prag të Festivalit të 12-të të Radiotelevizionit, kompozitori i madh Çesk Ζadeja do t’i kërkojë Fitores të këndojë këngën që kish shkruar enkas për vokalin e saj “Fshati im i bardhë” dhe si për çudi ajo do ta refuzojë me mirësjellje. Dhe në këtë pikë vlen të theksohet se Fitore Μamaqi është një ndër të vetmet soliste të TKOB të asaj kohe që refuzoi të dilte në skenën e festivalit të madh. Ajo gjithmonë besonte se festivali i këngës së politizuar nuk ishte për temperamentin dhe vokalin e saj, prandaj zgjodhi t’i qëndrojë besnike muzikës klasike duke injoruar rreziqet që mund t’i sillte një vendim i tillë në popullaritetin e saj.

Në maj të vitit 1974 do të konkurrojë në Anketat Muzikore të Radio Tiranës me këngën “Sa hije të ka pushka” të kantautorit Avni Mula, të cilën do ta interpretojë në duet me Ibrahim Tukiçin dhe pak më vonë do të nisë turnetë në të gjithë Shqipërinë. Një shembull tipik që është ngulitur në kujtimet e muzikdashësve më të vjetër është ai turneu i famshëm në qytetin e Sarandës. Thuhet se trupa e TKOB kishte mbërritur në qytet me autobus që në mëngjes, por Fitore Mamaqi njëkohësisht duhej të përfundonte edhe një tjetër koncert në Tiranë, prandaj mbërriti pasdite me vonesë. Faktorë të ndryshëm të kohës, rrëfejnë se ajo u detyrua menjëherë që nga automjeti të performonte direkt në skenë këngën “Le Coeur et le main” (shqip Dora dhe Zemra) të cilën madje e risolli e para si pas variantit të Tefta Tashkos. Më pas me pianistin Johan Botka regjistroi në Radio Tirana edhe disa kryevepra të repertorit botëror operistik nga Bohema e Puçinit , nga Capuleti e Montecchi e Belinit, nga Madama Butterfly e Puccinit, si dhe disa serenata nga Schuberti dhe Strausi.

Viti 1974 daton me kulmin e karrierës së saj, pasi do të bëhet një nga këngëtaret më të njohura të kohës, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së saj si soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, pranë Agim Krajkës. Nga njëra anë, koncertet e veçanta që jepte Ansambli i shtetit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në fshatra të thella e në vende pune, dhe nga ana tjetër, këngët popullore që interpretoi me mënyrën e saj unike, ngritën në kulm popullaritetin e Fitore Mamaqit. Kështu në 1975 vendosi të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Popullore dhe Qytetare të Tiranës me një krijim të kompozitorit shkodran Tonin Rrota, por kënga e destinuar për të do ti jepej një tjetër këngëtareje. Megjithatë, do të pasojnë dy turne shumë të fuqishme në Turqi dhe në Rumani me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ku dhe do të shpalosë më tej potencialin e saj interpretues. Në Rumani, Fitorja me Zeliha Sinën ishin dy solistet kryesore, që tronditën publikun rumun. Atje Fitorja këndoi një këngë rumune, të cilën ia kishte mësuar vetëm dy orë para shfaqjes shoqëruesja rumune me origjine shqiptare. Interpretimi mbresëlënës bëri publikun rumun të mos ndalonte duartrokitjet dhe brohoritjet në teatër për afro 15 minuta. Lajmi u transmetua mënjëherë edhe nga radiotelevizioni shqiptar. Këngë popullore që ajo vulosi me interpretimin e saj, janë: “Ο moj bukuroshe”, “Kur më del në derë”, “si mi ke sytë, ke vetullat” etj.

Në shkurt 1975, vihet në skenë opera “Komisari” e Nilolla Zoraqit ku interpreton me çiltërsi rolin e Almës, sidomos në aktin e dytë me Memon, por tregon edhe forcë dramatike në prologun e operës në skenën me Spiro Qendron. Pak më vonë realizon një figurë të freskët në rolin e Mrikës në operën “Mrika” të Prenk Jakovës. Por Shtatori i vitit 1975 do të ishte viti që emri brilant i Fitore Mamaqit do të hynte në shënjestër të regjimit, pasi xhaxhai i saj Dashnor Mamaqi akuzohet si “element armik i Partisë dhe pushtetit popullor”, duke sjellë pasoja veçanërisht të rënda”. Lëkundja graduale e rrjedhës së saj artistike sapo kishte filluar.

Situata e re që u formua në skenën politike të vendit do të kishte së pari një ndikim të menjëhershëm në gjendjen emocionale të sopranos dhe së dyti, një fërkim gradual në karrierën e saj të mëvonshme. Edhe pse në këto rrethana, Fitorja dallohet për një interpretim shumë të mirë të Lules në operën “Zgjimi” të Tonin Harapit në shkurt të vitit 1976. Një vit më vonë do të marrë pjesë me Orkestrën e Ansamblit Kombëtar në Festivalin e Këngës Popullore me një këngë të re, të kompozuar nga Limoz Dizdari dhe me tekst të Fatmir Gjatës, që titullohej “ Që nga shekujt vijmë ne”. Në vitin 1978 do ta takojmë sërish në Anketat e marsit të Radio Tiranës me një këngë që quhej “Mësuesja në një ditë pranvere”. Gjithashtu në vitin 1978 ajo shënon sukses të madh në TKOB edhe në rolin e Olimpisë në operën “Lulja e kujtimit” të Kristo Konos. Në 1979 pason interpretimi i saj i papërsëritshëm në rolin e Rosinës në “Berberin e Seviljes” së Rossinit, pranë Ramiz Kovaçit, Gjergj Suliotit, Pëllumb Katroshit etj.

Në vitet 1980, mund të themi se figura e Fitοre Mamaqit pëson një “rënie” të ndjeshme. Në këtë përfundim arrihet duke studiuar materialet e kohës, ku vërehet lehtësisht se emri i saj nuk figuron më, as në premierat e shfaqjeve dhe as në operat shqiptare të asaj periudhe. Madje edhe pjesëmarrjet e saj të shumta në ngjarjet artistike të kohës reduktohen. Kjo është edhe periudha që ajo do të kalojë si pedagoge e jashtme në Liceun Artistik të Tiranës për një kohë të shkurtër. Në TKOB do e gjejmë përsëri në rolin e Almës nga opera “Komisari”, por edhe në një shfaqje me opera të ndryshme në vitin 1982, ku do interpretojë Violetën në aktin e trete të “Traviates” së Verdit . Në vitin 1985 bën një interpretim të lavdërueshëm serish në Rolin e Rozinës nga “Berberi i Seviljes”. Një figurë interesante është edhe Lola nga Opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit në vitin 1988, për t‘u pasuar nga një tjetër arritje të madhe në rolin e Desdemonës nga akti i katërt i Operës “Otello” të Verdit me Gjergj Suliotin, që do të shënojë edhe rolin e saj të fundit.

Në vitin 1993 Fitore Mamaqi do të tërhiqet nga TKOB për shumë arsye të ndryshme, duke mbyllur një nga rrugëtimet artistike më të diskutueshme që ka njohur skena vendase ndonjëherë. Megjithatë, jeta aventureske e një shpirti artistik që shkëlqeu shumë herët në Shqipëri nuk pushoi atje. Irma Libohova, këngëtarja e mirënjohur shqiptare do ta prezantonte atë me një botë tjetër muzikore, të cilën as nuk mund ta imagjinonte ndonjëherë në fillimet e saj. Veprimtaria e saj artistike ndryshon totalisht, pasi për më shumë se një dekadë, Fitorja do të shkëlqente në një botë të re muzikore, atë të performancës live në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, duke zbuluar misionet e shumta që fsheh shpirti artistik në hije.

Viti 2001 do të ishte viti që Fitore Mamaqi dhe familja e saj do të emigronin në Nju Jork të SHBA-ve ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Aty, e palodhur dhe krenare, siç kishte qenë gjatë gjithë jetës së saj, Fitorja do të hapte një cikël të ri artistik pranë pianistes së mirënjohur Mira Gjoni me dhjetëra koncerte për Shqiptarët e diasporës. Në vijim realizoi disa koncerte me muzikë të lehtë pranë muzikantit Edi Xhani dhe në vitin 2018 vendosi të tërhiqej nga aktiviteti muzikor, duke ruajtur gjithmonë shpirtin e palëkundur artistik.

Kjo është rruga artistike që shënoi sopranoja lirike Fitore Mamaqi. Një rrugë që herë i ngjan romanit, herë filmit artistik dhe herë një drame të ftohtë. Pikërisht për mua kjo ish edhe arsyeja kryesore që më bëri të shkruaj disa rreshta për këtë këngëtare. Ajo vetë asnjëherë nuk ka dashur të japë intervista, të hedhë dritë mbi jetën e saj dhe të nxjerrë në pah karrierën e saj artistike. Fitore Mamaqi është pushtuar gjithmonë nga një modesti të veçantë si në sukseset e saj, ashtu edhe në vështirësitë që haste. I dërgoj gjithë respektin dhe dashurinë time dhe i uroj që të vazhdojë të jetojë jetën, ashtu siç e jetoi gjithmonë “si një jetë të nxjerrë nga faqet e një romani”

Filed Under: Sofra Poetike

Kryeministri Kurti takoi ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”

August 15, 2023 by s p

Prishtinë, 15 gusht 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm.

Projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”. Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro. Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike. Përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT