• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Oriental apo Oksidental? Mentaliteti i udhëheqësve tanë politikë sipas Fan Nolit dhe Krist Malokit 

August 14, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues             

C:\Users\Admin\Desktop\Fan-S.-Noli rouge.jpg
C:\Users\Admin\Desktop\Kmaloki.jpg

Në një prej artikujve të saj më kuptimplotë, të botuar në “The Washington Post” historjania dhe gazetarja penëhollë Anne Applebaum shkruan: “Jetojmë në një kohë dhe kulturë të atillë ku ngjarjet dhe idetë e rëndësishme injorohen”.Një e vërtetë e dhimbshme për të cilën në fakt s’ke sesi të mos reflektosh. Por të reflektosh, për një popull i cili nuk e ka parë ende me sy diellin e Intelektit, siç do shprehej diku Branko Merxhani është “një punë fillozofësh” për ne shqiptarët, me pak fjalë një vërë në ujë, një përpjekje e kotë teorike e pa kurrëfarë dobie e cila nuk sjell asgjë të mirë në jetë.(Çuditërisht, një përkufizim të tillë “për atë që fillozofon” e ruan ende në ditët tona edhe Fjalori i Akademisë së Shkencave).Por një komb i cili nuk beson tek fuqia e Ideve për të transformuar realitetin e tij kolektiv dhe që nuk përfiton prej nektarit të mendimit të mentarëve të vet më brilantë e meriton plotësisht që të sundohet prej demagogëve, autokratëve dhe diktatorëve (siç ka ndodhur dhe do të vazhdoj të ndodhë).

Porosinë dy shekullore të Hajnes “Kushtojuni rëndësi fuqisë së ideve dhe mendimtarëve tuaj” nuk ke sesi të mos e zbatosh kur ke në mesin tënd një plejadë mendimtarësh të cilët në kohë e hapësira të ndryshme kanë bërë një anatomi të shkëlqyer të Psyche-s, Botëkuptimit dhe Problematikave shqetësuese të Kombit, problematika të cilat vazhdojnë të na përndjekin si Stihi Mitike edhe në kohën tonë.Sot për të analizuar njërën prej këtyre problematikave do të ndalem tek dy prej tyre, Fan Noli dhe Krist Maloki. 

Të shqetësuar nga problematika e Mentalitetit të Shqiptarëve dhe drejtimi i vizionit të tyre, të dy mendimtarët në fjalë e rimarrin këtë çështje të shpalosur më parë nga Ideologët e Rilindjes Kombëtare dhe e shtrojnë më tej për diskutim.Për Ideologët e Rilindjes, mentaliteti i shqiptarëve dhe Krerëve të tyre është padyshim Oriental ndaj duhet punuar fort për ta drejtuar dhe ekspozuar Kombin ndaj dritës së Perëndimit.Këtu është me vënd që ti kujtojmë Lexuesit tonë vargjet e Naimit:          

                                                   Jak’o dit’e uruar

                                                   që lind nga perëndon,

                                                   At’ anë e ke ndrituar

                                                   e ne pse na harron.

Si dishepull i kësaj Fryme, Ismail Qemali “Babai i Shtetit të Parë Modern Shqiptar” do ta drejtonte vendin kah Vizioni Perëndimor, e më specifikisht nga Britania e Madhe, një vend ky me traditë demokratike 800 vjeçare dhe një prej demokracive më të vjetra evropiane.Por teksa vizioni është diçka e cila mund të çohet lehtësisht si pikësynim dhe të shtypet në letër me 5 minuta pune në makinë shkrimi, mentaliteti është diçka e cila nuk mund të ndryshohet me një të rënë të lapsit dhe “Et voila!” Flakja tej e fesit të kuq, shallvareve “alla turka” apo xhybesë dhe zëvëndësimi i tyre me kapelën “alla frënga”, kravatën-kryq dhe redingotat e Inglezit nuk e bënë Shqiptarin automatikisht “Oksidental”.5 shekuj sundimi Osman dhe gati 7 shekuj sundimi Bizantin kishte shtresëzuar në botëkuptimin e tij mëndësinë, karakteristikat dhe veset më të këqija të Perandorive respektive.Një prej tyre do të ishte padyshim Mentaliteti Oriental i Arhondit (Zotit të Madh) dhe Bejlerbeut. 

Ismail Qemali, i cili ishte edhe vet pjesë e Parisë së Bejlerbejve, do ta vuante mbi kurrizin e tij këtë mentalitet gjatë kohës në krye të qeverisë jetëshkurtër të Vlorës.Mentaliteti i mësipërm nuk e njeh nocionin e Publikes por vetëm atë të Domenit Vetiak dhe të pushtetit personal apo familjar të Beut dhe të Oxhakut të tij.Shteti, nqs ka një të tillë funksional përfytyrohet si një ngastër e madhe toke në të cilën Beu ka pjesën, rolin dhe autoritetin e tij si I Pari i Vendit.Një prej shkaqeve për dështimin e Qeverisë së Vidit dhe më vonë asaj të Fan Nolit për moskryerjen e një sërë reformash do të ishte pikërisht ky mentalitet; mentalitet i trashëguar edhe nga I Pari i Zogollëve, nga “Shoqëria e të Trembëdhjetëve” të Byrosë Politike të PPSH-së apo edhe nga liderët politikë të pas 90-tës dhe Parvenu-ja e tyre. Neo-Bejlerët e kohës tonë jo vetëm që janë si një pikë e vetme uji në mëndësi me paraardhësit e tyre por i imitojnë gjithashtu edhe në dukje (Vishen me salltanete të larta, duan ndërtesa dhe maja kullash të larta për të banuar, punuar apo rrufitur kafenë e ditës, poltrona të larta për të ulur menderet e tyre të rënda apo edhe makina të larta për të udhëtuar apo për tu englendisur).

Një tjetër derivat i mentalitetit të Arhondit dhe Bejlerbeut është edhe ai i Kolltukofagisë. E cekur fillimisht si fenomen tek revista “Albania” e Faik Konicës, me termin në fjalë ajo do të shfaqej për herë të parë në librin “Krimet e Politikës” të Terenc Toçit të botuar në vitin 1922, për të cilën dhe kemi shkruar më parë (Shih: https://gazetadielli.com/anatomia-e-destruktivitetit-te-politikes-shqiptare-1922-2022-sipas-terenc-tocit/ ) dhe do të vijonte më pas me fjalimin parlamentar brilant të Fan Nolit “Shakaxhiu i Përparimit dhe Pesë Anarkitë” në vitin 1923 dhe në artikullin “Oriental apo Okcidental” të Krist Malokit të botuar në “Hyllin e Dritës” në vitin 1937.Po ku konsiston ky mentalitet, lind pyetja?!

Imzot Noli, i cili me “Shakaxhinj Përparimi” na e lëviz në tru me shpejtësinë e neutronit këtë “Erë Reformatorësh Perëndimorë” nga Zogu tek Rama (1922-2023), kujdeset që të na i përcjell me tone Manikeiste dhe Biologjiste fenomenin në fjalë. Ja sesi shprehet Ai: “Këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë përfyten e përleshen për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit.Këtu kemi Idealin e Kolltukofagëve; krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.” 

Kolltukofagia, e cila ka të bëj në vetvete me uzurpimin dhe moslëshimin e pozicioneve kyçe në shtet, administratën publike, sektorët strategjikë, parti, etj është e ndërlidhur edhe me një mëndësi tjetër tipike orientale; Akraballëkun, dmth “Përkrahja që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme” (Shih: Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i Akademisë së Shkencave).Kjo e fundit, e ulur këmbëkryq jo vetëm në Pushtetin Qëndror dhe atë Lokal por në çdo Institucion tjetër të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe ato të Edukimit.

 Për kolltukofagun, ideal jete është deviza: “Amaç, araçları meşru kılar” (Qëllimi justifikon mjetin).Profesor Krist Maloki, një fenomenolog i stërvitur dhe njohës i mirë i këtij mentaliteti e përshkruan atë si më poshtë: “Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma; për t’i sigurue vetes këto të mira ai përdor çdo mjet; bâhet, kur e don nevoja, edhe Patriot e Tradhëtar, Monarkist e Bolshevik, Përparimtar e Reaksionar…e bile edhe shok i fortë me të tjerë.Vendi ku majmet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për të.Jo sepse e don por sepse e shfrytëzon.Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbjeje dhe skrupulli.”

Për Kolltukofaginë, të cilës në politikë k/analistët i kanë vënë së fundmi edhe termin përkëdhelës “Kryetarokraci” (Shih: Mentaliteti i Arhondit dhe Bejlerbeut), Bejlerët e Mëdhenj fron-uzurpues të Shek.XXI janë të gatshëm që të marrin madje edhe hunjtë si në Mesjetë për mbrojtjen e saj, të të kërcënojnë me jetë apo edhe të blejnë duke ta vuvosur gojën me një shuk dollarësh (nëse janë gdhirë me humor të mirë në ditën e shënuar).Ligji nuk është çfarë thotë Kushtetuta, Statuti, Neni apo Pika në fjalë por çfarë do I Madhi.Dhe çfarë do I Madhi, bëhet! Diçka e cila na kujton paksa Thrasimakun e “Republikës” 2500 vjet më parë, i cili pohon se “Drejtësia dhe Ligjet janë gjithmonë në avantazhin e më të Fortit.”

Një pikë tjetër tek e cila do të ndalem në këtë artikull dhe që Profesor Maloki e cek edhe më sipër është Mentaliteti i Llokmës dhe Ryshfetit. Orientali, për aq kohë sa është në krye të karriges e sheh pozicionin e tij politik dhe administrativ “si një lopë të majme Egjipti, të cilën “ta mjelë” në maksimum sa here që ja kërkon interesi vetiak. Dhe në fakt ai që bëhet kurban prej këtij mentaliteti është gjithmonë Atdheu.Sa më lart në krye të kolltukut Orientali, aq më e madhe edhe llokma e ryshfeti që ai ha.Kështu psh, nuk është e rastësisshme që sipas kësaj logjike të kemi raste të njohura e të panjohura abuzimi Kryebashkiakësh 20 përqindsh, Ministrash-Mamuthë tenderash e madje edhe Zv.Kryeministrash e Kryeministrash; të gjithë flamurtarë pretendues të Liberalizmit dhe Oksidentalizmit në dukje por në thelb zemërushqyer me idealet më të errëta të Orientit.Të ndodhur përballë faktit dhe të ekspozuar gjatë këtyre 30 e kusur vitesh demokraci ndaj kësaj mëndësie piramidale, në Popull është rikthyer sërish në qarkullim pikëpyetja e vjetër Osmane: “Sa është haraçi i të Madhit?!”

Pra, a janë Oriental apo Oksidental liderët tanë?!

Kushdo që i ka shquar karakteristikat e mësipërme në persona konkretë përtej së Majtës e së Djathtës e ka marr tashmë një përgjigje.

                                                                                                                             © Melsen Kafilaj

Filed Under: Politike Tagged With: Melsen Kafilaj

ALBANOLOGE AGNIA DESNICKAJA NË DRITËN E PLOTË TË VEPRËS SË SAJ

August 14, 2023 by s p

Shkruan: Prof. Begzad Baliu/

Megjithëse dija shqiptare për kontributin e Agnia V. Desnickajes në fushë të albanologjisë përgjithësisht ka qenë mjaft e njohur, dekadën e fundit vepra e saj jo njëherë qe bërë objekt i një shikimi nga një objektiv tjetër ekstrashkencor, me të cilin bëhej përpjekje që figura e saj të ndërtohej ndryshe dhe brenda strukturave politike dhe ideologjike të kohës.

Në një çast të rrënimit të sistemit totalitar, tranzicionin e të cilit po e kalonim me vështirësi, nuk ishte e rastit që të kërkoheshin fajet madje edhe nga ata albanolog të lindjes, të cilët gjithë jetën ia kishin kushtuar albanologjisë, kur për të sjellë rezultate të reja e kur për të përfaqësuar rezultate e saj në rrethet e tyre shkencore. Desnickaja është një nga ata studiues që ka kryer misionin e parë dhe të dytë.

Vepra “Bibliografia e Desnickajes”, e cila vitin e kaluar u botua në Sank Petersburg, në Filialin e Institutit të Gjuhësisë të Akademisë Ruse të Shkencave, besoj ka sjellë një pasqyrë të pasur dhe të rëndësishme për kontributin e saj në fushë të albanologjisë në veçanti dhe në fushë të rezultateve të saj për gjuhësinë në përgjithësi.

Libri hapet me “Kronologjinë e jetës 1912-1992, në të cilën është paraqitur në mënyrë kronologjike gjithë aktiviteti i saj i pasur jetësor dhe shkencor.

Në vazhdim, po në mënyrë kronologjike, në një kapitull më vete, i bëhet një vështrim gjithë veprës së saj jetësore, arsimore, kulturore dhe shkencore. Desnickaja ka lindur më 23 gusht 1912. Ishte bijë mësuesi. Studioi në Gjimnazin e Leningradit. Më 1935 mbrojti temën e kandidates së shkencave në fushë të gjermanistikës, ndërsa në vitin 1946 mbrojti disertacionin në fushë të indoeuropeistikës. Kërkimet e saj të gjysmës së pare të shekullit XX, apo deri në momentin kur u njoh më përafërt me gjuhën dhe kulturën shqiptare, të kujtojnë rrugët prej nga kanë hyrë në studimet shqi¬ptare edhe disa nga emrat e mëdhenj të historisë së albanologjisë: Hahni, Majeri, Jokli, Pederseni etj. Pra, nuk është linja politike, rrugë përmes të cilës Desnickaja hyri në studimet shqiptare. Më parë se sa të studionte albanologjinë, ajo, sikur edhe albanologët më të mëdhenj të dy shekujve të fundit, kishte fituar një dije të gjerë në fushë të indoeuropeistikës, ndërsa ballkanistika ishte një prej temave të shpeshta referuese.

Më vitin 1946 ajo viziton Shqipërinë. Ndonëse dija e saj për gjuhën shqipe dhe shqiptarët nuk mungonte, si duket ky ishte momenti vendimtar për orientimin e saj përfundimtar drejt kërkimeve, studimeve dhe paraqitjes së rezultateve të reja në fushë të albanologjisë. Dhjetë vjet më vonë ajo mban leksione për gjuhën dhe letërsinë shqiptare në Leningrad. Në të njëjtën kohë, deri në fund të jetës, vazhdon të bëjë kërkime në dy drejtime: në gjermanistikë, kontributi i të cilës është trajtuar në një studim më vete (f. 51-73) dhe në albanologji (gjuhësi, folklor dhe letërsi).

Në fushë të gjuhësisë ajo ka shkruar pjesën më të madhe të studimeve, veprave dhe njëkohësisht ka bërë kërkime me interes për vetë studimet historike dhe bashkëkohore, duke e vënë dialektologjinë në krye të vendit. Është e kuptueshme prandaj, pse disa nga artikujt dhe veprat e saj janë botuar jo vetëm në gjuhën ruse por edhe në gjuhën shqipe, si: Mbi strukturën morfologjike të gjuhës shqipe, Gjuha shqipe dhe dialektet e saj (vepër që për një kohë të gjatë ka qenë vepër e obliguar universitare në Tiranë dhe në Prishtinë), Koinea mbidialektore gege e veriut në gjuhën shqipe, Mbi kushtet paraprake të formimit të gjuhës letrare shqipe, Mbi brendinë historike të konceptit “dialekt”, Historia e një fjale (lat. bucca – shqip bukë), Çështje të dialektologjisë historike të gjuhës shqipe, Disa mendime rreth problemeve linguistike të kanunit, Disa arsyetime rreth problemit të unitetit linguistik ballkanik, Disa mendime mbi rolin e faktorit fonologjik në procesin e formimit të fleksionit nominal të shqipes, Kuptimi i kategorisë së admirativit në shqipen etj.

Një interesim dukshëm të përkushtuar për studimet shqiptare Desnickaja ka dhënë në fushë të folklorit, duke prekur pikat më të ndjeshme të kësaj lënde madje jo vetëm për albanologjinë por edhe për marrëdhëniet e saj me kulturat tjera të Ballkanit, si: Mbi lidhjet boshnjako-shqiptare në lëmin e poezisë epike, Folklorismi në letërsinë e arbëreshëve të Italisë në kohën e Rilindjes.

Edhe në fushë të letërsisë, ajo ka shënuar disa rezultate. Përveç veprës për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ajo ka shkruar disa studime të cilat njëkohësisht i ka lexuar në konferenca shkencore dhe i janë botuar edhe në gjuhën shqipe, si: Naimi në visarin e përbashkët artistik të të gjithë popujve, Disa mendime mbi krijimtarinë poetike të Naim Frashërit, Mbi stilin poetik të Jeronim de Radës etj.

E shikuar në tërësinë e saj, brenda një sinteze të zgjeruar, vepra e Desnickajës ndahet në: a) ballkanistikë dhe albanistikë, b) histori e gjuhës dhe c. indoeuropeistikë.

Rezultatet e saj, në shumë fusha të dijes gjuhësore Desnickaja i ka lexuar dhe i ka diskutuar në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare: Bukuresht, Bolonjë, Berlin, Milano etj.

Po kështu është paraqitur edhe me kumtesa nga albanologjia. Herën e parë duke e trajtuar gjuhësinë shqiptare në kuadër të konferencave ndërkombëtare në lidhje me gjuhët ballkanike: Sofje, Bukuresht, Pragë, Varshavë, Beograd, Kievë, Ohër etj., herën tjetër duke lexuar kumtesa brenda forumeve kombëtare të albanologjisë dhe më në fund duke i lexuar ato në shumë konferenca shkencore të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cila në mënyrë të rregullt për më se 30 vjet është organizuar në Prishtinë, e ku Desnickaja ishte mjaft aktive.

Vendin më të rëndësishëm zë Bibliografia kronologjike e kontributeve të Desnickajes, së cilës iu referuam në shënimet mësipërme. Ajo hapet me vitin 1934 dhe mbyllet me vitin 2002, pra dhjet vjet pas vdekjes.

Pjesë më vete është paraqitja kronologjike e pjesëmarrjes së Desnickajes në tubimet shkencore ndërko¬mbëtare. Kronika hapet me vizitën e saj Shqipërisë dhe vazhdon me vizitat shkencore e kulturore të saj në Sofje, Amsterdam, Bukuresht, Berlin, Paris, Pragë, Milano, Bergen, Jenë, Edinburg, Bolonjë, Varshavë, Shkup, Prishtinë, Beograd, Vjenë, Moskë, Laipcigë, Ohër, Palermo, Bamberg, Paderbor, Paris etj. Në të gjitha këto qytete, kryesisht në kryeqytete, ajo shkon për të vizituar në kuadër të aktiviteteve të përgjithshme gjinore, për të mbajtur ligjërata e leksione, për të marrë pjesë në konferenca shkencore etj., ku gjuha shqipe, historia e kultura e popullit shqiptar zënë vend, qoftë si lëndë e krahasuar, qoftë si studim bazë.

Në kuadër të prezantimit sa më të plotë të kontri¬buteve të Desnickajes në këtë vepër është bërë përpjekje që ajo të pasqyrohet edhe si kronologji e punës së saj brenda fushave të interesimit të saj, duke pasur parasysh gjithnjë botimin e parë. Si për nga numri ashtu edhe për nga sasia kryet e vendit zënë studimet albanologjike e në kuadër të saj edhe ato ballkanistike njësitë 1-77, studimet gjuhësore, njësitë 78-110; hyrje në studimet indoeuropiane, njësitë 111-148; leksionet e kurseve, njësitë 149-158 dhe recensione e të tjera, njësitë 159-190. Fjala është për një tipologji të lëndës, përmes të cilës do të mund të bëheshin komente interesante dhe me interes për kontributin e Desnickajes në të gjitha fushat e theksuara më lartë. Ndryshe nga Krono¬logjia e botimeve dhe ribotimeve të saj, pasqyra e botimit të veprës së saj sipas fushave të interesimit: ballkanistikë, albanistikë, indoeuro¬pei¬stikë, etj., shoqërohet edhe me elemente të tjera pranë secilës njësi.

Vepra mbyllet me një literaturë të pasur të autorëve që kanë shkruar për Desnickajen.

Le të besojmë se kjo vepër ka sjellë një pasqyrë të plotë të kontributit të Desnickajes në fushë të gjuhësisë, me theks në studimet shqiptare dhe mendimi për vendin e saj në studimet albanologjike, më nuk ka pse të merret ad hoc prej artikujve të rastit. Kjo vepër dëshmon se Desnickaja hyn në rrethin e atyre studiuesve të shquar të albanologjisë që e kanë ngritur me nder ndërtesën e madhe të studimeve shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Begzad Baliu

NË FESTËN E DY VËLLEZËRVE SHQIPTARË…

August 14, 2023 by s p

NGA EDA AGAJ ZHITI/

Festë e bukur plot me dritë, me muzikë qiellore, me njerëz të shumtë, të veshur për kremtim dhe shqipja, gjuha amë që dëgjohej kaq ëmbël…

Në Chicago, në kishën “Saint Francis Xavier” në Wilmette, në meshën e shenjtë, të celebruar nga Shkëlqesia e Tij, Ipeshkvi Mark Bartosic, dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Arbër dhe Ilir Bejleri, dhe disa të rinj të tjerë, vajza dhe djem si drita morën sakramentin e Përforcimit, duke plotësuar hyrjen në jeten e krishterë nëpërmjet Eukaristisë së Shenjtë.

Ishin të ulur në rreshtat e para, vezullonte ngjyra e bardhë e fustaneve dhe kravatat e djemve si degë të pemëve të shpresës.

Diakoni Lekē Brisku, i pari diakon shqiptar në Illinois, nuni i dy vëllezërve shqiptarë, i shoqëroi me dorën në sup tek Ipeshkvi Bartosic, por do t’i shoqërojë e ndihmojë dhe në rritjen e tyre në besim.

Me fantazinë time e zmadhoja atë krah, e bëja të të gjithë shqiptarëve në supet e njëri-tjetrit Vëllazërisht.

Të gjithë ishin të gëzuar si në festë. Të emocionuar bashkë me dy vëllezërit e bukur me kaçurrelat mbi ballë, Arbi & Iliri, dhe të rinjve të tjerë, që po merrnin sakramentin, ishin dhe prindërit, Dhurata dhe Beni dhe ata që kishin fëmijët aty, kumbarët, fisi, shokët dhe shoqet, edhe ne, të ftuarit…

Unë guxova dhe u kërkova leje t’ju puthja kaçurrelat vëllezërve, pata një imazh si nënë.

Mes të tjerash në homelinë aq të bukur Imzot Bartosic tha se në kishë ne vijmë jo për të bêrê veten, por për të zbuluar veten…

Zbulimi i vetes gjithnjë të çon tek përsosja e virtyteve, mendova. E si të mos gëzohesh, kur sheh familjet shqiptare bashkë, të begata, të qeshura, të integruara në atdheun e ri në SHBA. Atdheu është familje e madhe…Ndërkaq u bashkoheshim dhe ne urimeve për Arbin dhe Ilirin dhe të rinjve të tjerë, Zoti i mbushtë me hire dhe dëshmofshin praninë e Zotit me jetēn e tyre!

Kemi nevojë për besimin, për frymën e dashurisë, për atë fuqi që të shohim atdheun të gëzuar si në festë. Por duhet përkushtim, dashuri aktive siç na mëson Shenjtja jonë Nënë Tereza.

Dolëm nga kisha, fëmijët në rrugë dukeshin si me flatra, e ardhmja e tyre fillon tani…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eda Agaj Zhiti

Dom Ndue Gjergji, njeriu i Zotit dhe i popullit

August 12, 2023 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës Dielli, Dom Ndue Gjergjit i shpreh nderimin më të thellë e respektin më të veçantë për punën pastorale, angazhimin patriotik, aktivizimin qytetar e kontributin e çmuar për komunitetin shqiptar në Detroit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj dhe njoh nga afër vlerat e kontributin e njeriut të bekuar të Zotit e të popullit, Dom Ndue Gjergjin që 3 dekada më parë. Përgjatë gjithë jetës së tij Dom Ndoja ka qenë model i thjeshtësisë, urtësisë, modestisë, mençurisë e mbi të gjitha paqes. Kontributi i tij do të respektohet gjithmonë prej komunitetit shqiptar. Ai ka meritë të veçantë në organizimin e shqiptarëve në Detroit, në ruajtjen e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. Dom Ndue Gjergji ishte shumë afër komunitetit, rritjes dhe zhvillimit të tij. Roli e kontributi i tij i gjithanshëm do të mbeten përgjithmonë në memorien e komunitetit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI do ti jenë falënderues bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë.

Dom Ndue Gjergji në gjithë veprimtarinë e tij ishte model i njeriut, model i shërbëtorit të Zotit e grigjës së Perëndisë. Me propozim të Vatrës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta e dekoroi Dom Ndue Gjergjin me Urdhërin e Lartë “Nënë Tereza” për shërbimin, përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të shquar. Pesë dekada në shërbim të komunitetit shqiptar dhe Zotit të shenjtë, është nder, krenari dhe lavdi për secilin nga ne.

Nderim dhe mirënjohje për veprën, trashëgiminë dhe shërbimin që Dom Ndue Gjergji bëri për pesë dekada për të gjithë ne.

Filed Under: Politike

SHKUPI I HASAN PRISHTINËS DHE “ZVICRA E BALLKANIT”

August 12, 2023 by s p

Nga Skender ASANI/

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Gjeopolitika ruse e shek. 19 është bazuar në shtrirjen e ndikimit në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane nëpërmjet tre projekteve të mëdha: Greqia e Madhe (Megaloidea), Bullgaria eMadhe (Shën Stefani) dhe Serbia e Madhe (Naçërtanija). Kjo gjeopolitikë asnjëherë nuk i shuajti aspiratat e saja, ndonëse intensiteti i saj pësoi ngritje dhe rënie, varësisht nga rrethanat historike nëpër të cilat kalonin pjesët e caktuara të Europës.

Nëpërmjet këtyre projekteve, Rusia, në njërën anë, synonte të eliminonte dy perandori, Prerandorinë Otomane dhe atë Austro-Hungareze, dhe në anën tjetër, popujve të vegjël (shqiptarëve, maqedonasve etj.) synonte t’ua reduktonte hapësirën etnike-territoriale…

Edhe pse asnjëherë nuk u arrit të vendoset një bashkëpunim i mirëfillt kulturor e politik i rilindasve shqiptarë dhe maqedonas, ata megjithatë me idetë e tyre iluministe propagonin një Ballkan të lirë ku gjithë popujt do të gëzonin të drejtat e barabarta, pa patur nevojë që të cënojnë lirinë e tjetrit. Prandaj jo rastësisht në kohën e Rilindjes së popujve ballkanik kishte lindur edhe ideja e projektuar në formulën “Maqedonia-Zvicra eBallkanit”, e cila do neutralizonte projektet shkatrrimtare ruse.

Ideatorët e kësaj formule iluministe kishin pikëpamje shumë demokratike, për arsye se lirinë e popujve të tyre nuk e bazonin mbi robërinë e popujve të tjerë dhe kishin orentim perendimor.

Fatkeqësësht idetë e tilla iluministe nuk gjetën terren të përshtatshëm zbatimi, për shkak të Krizës Lindore, si pasojë e luftës ruso-turke, ku Rusia gjunjëzoi Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojë e detyroi të nënshkruaj Marrëveshjen e Shën Stefanit.

Për të parandaluar rrezikun e mëtejm, Evropa organizoi Kongresin e Berlinit (1878) në mbrojtje të kufijve të jashtëm të Perandorisë Osmane.

Por, aspiratat ruse për të dominuar në Ballkan nuk rreshtën dhe ato kulmuan me luftërat ballkanike, ku Serbia dhe Greqia sërish u zgjeruan në dëm të territoreve të poujve të tjerë. Ky hegjemonizëm serb dhe grek u vulos në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913 ,kurse në Konferencën e Versajes (1919) u konfirmua shuarja e dy perandorive: Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze dhe mbi gërmadhat e saj u ngrit projekti rus mbi Ballkanin.

Rilindja Kombëtare Shqiptare kontribuoi në ndërgjegjësimin politik e kulturor të shqiptarëve, por edhe në krijimin e platformave ideologjike për zbrapsjen e projekteve shoveniste ballkanike të sponzorizuara nga Rusia. Në kuadër të këtij ndërgjegjësimi ideologët dhe patriotët shqiptarë, të koordinuar nga Hasan Prishtina, punuan në parandalimin e ekspansionit të Aleancës Ballkanike, duke marshuar drejt Shkupit më 12 gush 1912, të cilin e çliruan dhe vendosën rend dhe qetësi disaditëshe. Me këtë, kryengritësit shqiptarë syninin t’i bënin presion Portës së Lartë që të pranojë kërkesën për Autonomi, në mënyrë që të mos i jepej shkas Alenacës Ballkanike për luftë të përgjithshme.

Ngjarjet pastaj rrodhën sipas dinamikës së njohur dhe shqiptarët sërish ngelën të fragmentuar në pikëpamje të organizimit shtetëror, deri në vitin 1999 kur rrethanat u ndryshuan në favor të krijimit të parakushteve për një Kosovë të lirë, e cila do të shpallet shtet i pavarur më 17 shkurt 2008.

Zhvillimet në Ballkan kanë ndjekur dy linja veprimi, sa i përket preferencave gjeopolitke. Njëra linjë ka mbështetur fuqishëm frymën evropiane në politikat shtetndërtuese, kurse linja tjetër ka qenë pre e ndikimit rus. Si pasojë e këtij ndikimi edhe hapësira e ish Jugosllavisë kaloi nëpër turbulenca të shumta që u shpërfaqën në formë të konflikkteve e trazirave të ndryshme. Këto turbulenca u manifestuan menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit (1989), që rezultoi me shpërbërjene Bashkimit Sovjetik. Për ta kompensuar humbjen që pësoi nga kjo shpërbërje, Rusia frymëzoi forcat nacionaliste në ish Jugosllavi, sidomos në Serbi, që të rikthejë në skenë aspiratat hegjemoniste, duke vënë në lëvizje ish APJ-në, e cila u vu në shërbim të plotë të politikave ekspansioniste të Beogradit, gjoja në mbrojtje të tërësisë së plotë territoriale tël ish-Federatës Jugosllave. Fillimi viteve nëntëdhjetë, përpos krijimit të shteteve të reja, ishte i mbushur plot me skena lufte e gjenocidi, kurse trajtat më të tmerrshme të këtyre skenave u shfaqën në Bosnjë dhe në Kosovë.

Të gjitha këto zhvillime nuk mbetën pa u reflektuar edhe në Maqedoni, para dhe pas pavarësimit të saj, ndonëse këtu nuk pati zhvillime dramatike si në ish-republikat tjera jugosllave. Sikundër dihet, pas pavarësimit të Maqedonisë, lidershipi i saj ende kishte dilema nga duhej të shkonte shteti i ri, andaj inicuan referndumin, i cili linte të hapur mundësinë e ribashkimit me ish-Federatën Jugosllave (me Serbinë). Në fakt ky ishte një kurth i politikës ruse për ta nda Maqedoninë, ndërkohë që kjo e fundit kaloi nëpër një proces të ri kushtëzimesh nga jashtë (emri, kisha, historia nacionale) , të cilat e vështirësuan dukshëm atë në integrimin euro-atlantik.

Deri në vitin 2001 lidershipi maqedonas udhëhoqi politikë pro-ruse, e cila shpiente në prishjen e kohezionit të brendshëm social e etnik dhe ishte kundër statusit që garantonte barazinë e shqiptarëve. Por me rezistencën e vitit 2001, shqiptarët kontribuuan në amortizimin e ndikimit rus në Maqedoni duke e orientuar shtetin drejt vlerave euro-atlantike. Kjo u arrit përmes Marrëveshjes së Ohrit që u reflektua në ndryshimet kushtetuese që pasuan.

MO përfundimisht e shkëputi Maqedoninë nga ndikimi rus dhe e përforcoi kursin euro-atlantik.

MO e parandaloi konfliktin ndëretnik dhe përkufizimin territotorial mbi baza etnike.

Pasoi Marrëveshja e Prespës, që ia hapi dyert anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Me tejkalimin e problemeve të hapura me Bullgarinë që do të pasojnë me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia definitivisht evropianizohet dhe shkëputet nga fryma dhe ndikimi rus.

Gjatë procesit të shtendërtimit të Maqedonisë, shqiptarët janë treguar faktor stabiliteti, dhe ruajtës të paqes ballkanike, duke investuar politikisht në dy kauza të mëdha: BE dhe NATO. Këto kauza kishin edhe kosto mbi rejtingun e partive politike në elektoratin shqiptar, por lidershipi shqiptar tregoi maturi dhe pjekuri duke favorizuar evropianizimin e Maqedonisë, si parakusht edhe për barazi të plotë nacionale të shqiptarëve.

Në opinionin maqedonas jo rrallë qarkullojnë zëra se me ndryshimet e paralajmëruara kshtetuese gjoja do të zbehet identiteti nacional i maqedonasve. Në fakt këto ndryshime do ta fuqizojnë edhe më tepër këtë identitet dhe kjo u konfirmua edhe nga Bundestagu Gjerman i cili përmes një rezolute të pasaçme njohu tiparet dhe veçantitë e identitetit nacional maqedonas. Pritet që shumë shpejt me një qëndrim të ngjashëm do të del edhe Kongresi Amerikan, me çka edhe ndërkombëtarisht jepet garancë se identiteti nacional i maqedonasve është i pacënueshëm nga çfarëdo lloj ndryshimi kushtetues që mund të ndodhë.

Ata që kundështojnë ndryshimet kushtetuese, janë për ruajtjen e status-quos, duke mos pranuar realitetin e ri në të cilin u zhvillua ideniteti maqedonas, për të cilin ishin angazhuar edhe rilindasit e këtij populli. Mospranimi i realitetit të ri e konfronton identitetin maqedonas me historinë në të cilin u krijua dhe zhvillua ky komb, prandaj të gjithë ata që kundështojnë këtë realitet janë edhe kundër bashkëjetesës me shqiptarët dhe kundër faktorizimit të tyre në shtet.

Ndryshimet kushtetuese nuk kanë alternativë tjetër, sepse ato e hapin procesin evropianizues të Maqedonisë dhe largimin definitiv të ndikimit rus. Kjo gjithsesi do të ndikonte pozitivisht edhe në tejkalimin e problemeve në Bosnjë dhe në Kosovë, me çka Maqedonia mund të bëhet model për tejkalimin e problemeve të hapura me fqinjët si dhe një faktor stabilizues për rajonin.

Në anën tjetër, shqiptarët duke njohur Maqedoninë e Veriut si shtet dhe identitetin e ri maqedonas, po i rikthehen formulës së dikurshme të Rilindjes: “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit”, një formulë kjo efikase për parandalim i ideve destabilizuese në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni, të cilat po shfaqen në skenën politike përmes të majtës ekstreme dhe frymës fetare në subjekte të caktuara politike.

Forca ndikuese e faktorit politik shqiptar gjithmonë ka qenë pengesë e qarqeve që kanë stimuluar deatomizimin e këtij faktori, duke nxjerrë nga mënga grupime partiake të cilat përmes shkërmoqjes së elektoratit shqiptar i bëjnë një shërbim kolosal rrymave politike proruse në Maqedoninë e Veriut.

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT