• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

SHQIPTARËT NË MAQEDONINË E VERIUT NË PRAG TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE, 2023

August 9, 2023 by s p

Emir Kurtishi

Jurist/

Aktualisht Republika e Maqedonisë së Veriut numëron XXXVI amendamente kushtetuese që nga miratimi i Kushtetutës së saj të parë nga viti 1991 deri më 2019. Për shembull, Kushtetuta e SHBA-së që nga miratimi i saj në vitin 1787 e deri më sot, numëron XXVII amendamente kushtetuese. Ky fakt flet se etërit themelues të SHBA-së, kanë pasur vizion të qartë rreth funksionimit të shtetit të ardhshëm, për dallim nga hartuesit e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut në përbërjen e së cilës kishte profesorë nga secili drejtim vetëm konstitucionalist, jo. Me vetë faktin se ata ishin me ngarkesa nacionale, kjo gjë u reflektua edhe në tekstin kushtetues, ku sot e kësaj dite shqiptarët që në fillim të Kushtetutës, diskriminohen.

Ndryshimet e radhës kushtetuese, vijnë si pasojë e nënshkrimit të protokollit, përkatësisht marrëveshjes mes dy shteteve, pra Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve dhe heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve me BE-në. Këto ndryshime i referohen përfshirjes së pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së, si një ndër kushtet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjithmonë kam shprehur rezervë dhe e kam theksuar dilemën dhe skepticizmin tim në lidhje me këto ndryshime kushtetuese që do të ndodhin ditëve në vazhdim, shkaku i rrethanave politike, por edhe juridike që gjendet shteti ynë, aq më tepër që këto ndryshime duhet të fillojnë më 18 gusht të këtij viti dhe do të zgjasin dhjetë ditë pune, me mundësinë që të njëjtat të shtyhen deri në arritjen e shumicës prej 2/3 të votave të deputetëve në Kuvendin e RMV-së apo ndryshe, shprehur në numra që të miratohen ndryshimet kushtetuese, duhet të votojnë 80 deputetë, që pushteti aktual, nuk i ka.

Nëse pyetem në lidhje me këto ndryshime kushtetuese edhe unë para së gjithash, si qytetarë i këtij shteti që pres se do të bëhet ndonjëherë mirë, jam për integrimin apo për futjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së, paçka se aty nuk do të futen vetëm bullgarët, por edhe kroatët, hebrenjtë, sllovenët dhe egjiptianët, duke ndjekur modelin kroat të Preambulës së Kushtetutës ku përfshihen 22 pakica etnike, duke i përfshirë edhe maqedonasit. Por, esenca e krejt këtij tregimi të bukur konsiston diku tjetër. Bindja se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, gjithçka do të jetë rozë në vendin tonë, shpreh më shumë se naivitet politik. Në regjistrimin e fundit të mbajtur në Maqedoninë e Veriut, bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë, në RMV janë deklaruar 3.504 bullgarë, me tendencë që ky numër të shumëfishohet me përshirjen e tyre në Preambulë, duke ua njohur të gjitha të drejtat e barabarta që i kanë pakicat etnike në RMV-së, duke përfshirë edhe nenin 7 të Kushtetutës së RMV-së, për gjuhën zyrtare. Ndonjëherë më dhimbet ky shtet, sepse ka përjetuar padrejtësi të mëdha në arenën ndërkombëtare, mirëpo ndodh ajo që shpeshherë e përmend populli: duke dashur t’i ndreq vetullat i vërbon dhe sytë. Duke dashur Maqedonia e Veriut ta imponojë tregimin e vet përpara botës se gjithmonë shqiptarët janë faktor destabilizimi brenda shtetit, për kamuflimin e paaftësisë së tyre për të qeverisuar dhe për të mbuluar krimet e tyre, ky shpërqëndrim i vëmendjes, shpeshherë ju ka dalur i suksesshëm. Mirëpo, gjithmonë “peshku i madh” në detin e madh, arrinë që t’i vendos vetë rregullat e lojës. Kështu, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk arriti që tregimin e vet mbi zaptimin e antikitektit t’ia shesë botës si diçka të tyren. Greqia që në fillim ia theu “hundët” me kontestimin e emrit të saj deri në zgjidhjen përfundimtare me të ashtuquajturën “Marrëveshja e Prespës”. Pra, për fajin politik të etërve të saj, Maqedonia e Veriut po i paguan gabimet dhe do t’i paguajë në vazhdimësi derisa të qartësohet fati i saj në konstelacionin gjeografik të hartës botërore. Thënia latine se çka fillon shtrembër nga fillimi nuk mund të drejtohet me kalimin e kohës, shpërfaq vërtetësinë dhe realitetin juridik dhe politik të RMV-së. Nëse do të duhej të shpreheshim me fjalorë të biologjisë, Maqedonia e Veriut për nga funksionimi i saj, do t’i ngjante organizmit njëqelizor, amebës. Ajo i plotëson apetitet e gjithkujt, por vetëm të qytetarëve të saj shqiptarë, asnjëherë. Ky rigjiditet i shprehur në kohë në raport me shqiptarët i ka kushtuar shtrenjtë në botën jashta saj. Absurditeti më i madh në konstelacionin politik në vendin tonë ndër vite, ka ardhur nga partitë politike shqiptare që pavarësisht fuqisë së tyre politike, askush deri më sot nuk ka arritur ta kanalizojë dhe ta institucionalizojë drejt dhe mirëfilli çështjen shqiptare. Si pasojë e tyre, ne sot quhemi populli 20%. Që të jetë absurditeti edhe më i madh, gjoja në emër të “integrimeve” partia politike më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, sakrifikon mandatet e saja për ta shpëtuar këtë proces euro-integrues me çdo kusht me realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Sikur ta bënin të njëjtën për përfshirjen e gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare dhe heqjen e 20%, do të meritonin respektin e të gjithë shqiptarëve, pse jo anembanë botës. Por, kur e mendon se ndryshimet kushtetuese nuk bëhen çdo ditë dhe pse të mos zgjerohej spektri me ndryshimin e amendamentit V apo nenit 7 të Kushtetutës, që i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare, në një moment ideal kur të gjitha partitë politike në RMV kanë arritur në konsensusin se e njëjta nuk përbën problem për heqjen e “20%”, të vjen plasja kur e mendon se edhe kësaj here në një Qeveri ku shumicë janë shqiptarë dhe është propozuese e këtyre ndryshimeve, aspak nuk e diskutoi, “shqipja” varet në litarin e altarit në emër të procesve euro-integruese. Por, të tillët kanë harruar se për arritjen e ndryshimeve kushtetuese, ka mbaruar filmi i shfaqur në vitin 2018. Rrethanat e atëhershme politike ishin të atilla që lehtë u arrit numri i 80-të deputetëve, kurse sot me këtë opozitë maqedonase që “nuk po bjen” në “karemin” e Qeverisë, vihet në pikëpyetje ky proces dhe në fund do të ngel vetëm turpi i atyre që e ndërmorrën këtë përgjegjësi të madhe shtetërore me kredibilitet të harxhuar moral. Në raste të këtilla edhe kashta në mes të detit është shpresë për të mbijetuar, por fabulave të bukura të La Fontenit, po ju vjen fundi.

Filed Under: Komente

E Ç’DO TË THEMI PËR KASEM TREBESHINËN?

August 9, 2023 by s p

Nga VISAR ZHITI/

Kështu kisha pyetur një ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?

Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani që bëhen 6 vjet që s’është më?

Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

…po sjell shkrimin e atëhershëm, të më shumë se një dekade më parë, të botuar në disa media brenda dhe jashtë vendit, me një titull të ri:

DIMË QË DIKTURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes. Një ditë pas datëlindjes së 85-të të Kasëm Trebeshinës ç’do të themi për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shkruarin, por sa më shumë të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe credo, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, uri e frikëra të ndryshme, por dhe një hetues, gardian, e gjykatës, por edhe dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.

Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit, ndërkaq ende nuk janë botuar shumica e dorëshkrimeve të Trebeshinës, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve të librave të tij, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira e mosbotimit.

2.

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me asketizëm dhe që ndryshon ngadalë, fat i mbylljes rrënuese dhe i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie, për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve dhe flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit, aty i mbillte nëpër turpin e vet dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij qysh në fillim e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën shtetërore dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndje fitimtar, por humbës, ama, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën.

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere: “Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë. (Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demçi, kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën e tij, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj medtode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë të vërtetë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin admiruesit e tij. Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

Megjithëse i padëshirueshëm për ne, madje dhe i pakuptimtë, na duket se ka mbetur një konflikt që shfaqet herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotura me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare. Do të doja të ndalesha pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur, që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për të trembur dhe torturuar njeri-tjetrin dhe të gjithën. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonit ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letërsisë shqipe, iluzioneve të saj, harrimeve dhe gabimeve. Shpresoj të jetë kështu.

Trebeshinën s’e la vendi ta botojë veprën dhe tani pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letërsisë, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, gati 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, që të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, jo vetëm ne, që e lexojmë, por edhe ata që e krijojnë. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme. Sa më larg zilive të burgut dhe jashtëburgut, të lavdisë dhunuese, sepse që të dyja, edhe burgu edhe lavdija nuk janë letërsi, por një pjesë e vogël e lëndës për letërsi. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë guximin qytetar dhe ndërgjegjen e shëndoshë kolektive.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

Qeveria e Kosovës financon tekste mësimore në gjuhën shqipe për Luginën e Preshevës

August 9, 2023 by s p

PRISHTINË, 9 Gusht 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka ndarë 254,562.30 € për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për vitin shkollor 2023-2024.

“Edhe vitin e kaluar kemi ndarë mjete financiare në qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare”, thekson Qeveria e Kosovës në një komunikatë të dërguar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, sot ka zhvilluar mbledhjen e 154-të, ku ka plotësuar dhe ndryshuar Programin Legjislativ për vitin 2023. Axhendës së plotësuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës i shtohen katër projektligje të reja, ndërksa afati i miratimit në qeveri shtyhet për 13 projektligje.

Mes tjerash, Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. “Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë numrin e anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes saj, fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar punët sociale, kurse Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Ekonomisë, duke u nisur nga rëndësia e punës së tyre karshi qytetarëve, i janë shtuar kompetencat”, thekson komunikata.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Kurti është shprehur: “Fillimisht le t’i urojmë së bashku mirëseardhje anëtarit tonë më të ri të kabinetit, kolegut tonë të ri, Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Punë të mbarë. E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë”.

Filed Under: Kronike

Aleatë të Trojës

August 9, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ushtria trojane e udhëhequr nga mbreti i tyre Priam, kishte ndihmë nga një listë e gjatë aleatesh. Mes tyre ishin Licianët, në brigjet e Anadollit jugperëndimor. Në Iliadën e Homerit, kontigjenti Lician drejtohej nga dy luftëtarë të nderuar, Sarpedon dhe Glauk.

Sarpedoni luftoi në anën e trojanëve, me kushëririn e tij Glauku, dhe ishte një nga aleatët dhe heronjtë më të mëdhenj të Trojës. Në Iliadë, Sarpedoni qortoi Hektorin, se ai ua la të gjitha luftimet e vështira aleatëve dhe jo vetë trojanëve, dhe theksoi se licianët nuk kishin asnjë arsye për të luftuar grekët, por për shkak se ishte një aleat besnik i Trojës, do të luftonte gjithsesi. Kur trojanët sulmuan murin prej druri të ndërtuar nga grekët, Sarpedoni dhe Gauku udhëhoqën njerëzit e tyre në ballë të betejës dhe bënë që Ajaksi dhe Teucer të zhvendosnin vëmendjen nga sulmi i Hektorit. Ky sulm i lejoi Hektorit të depërtonte në mbrojtjen greke.

Pikërisht para këtij aksioni Sarpedoni mbajti një fjalim për “obligimin fisnik” ndaj Glaukut, duke deklaruar se ata kishin qenë mbretërit më të nderuar, prandaj tani duhet të luftonin më së shumti për të provuar se e meritonin këtë nder. Ndërsa po përgatitej të hynte në betejë, ai i tha Glaukut se së bashku do të shkonin drejt lavdisë. Nëse do të kishin sukses, lavdia do të ishte e tyre. Nëse jo, lavdia e atij që i ndaloi do të ishte më e madhe.

Kur Patrokli hyri në betejë me armaturën e Akilit, Sarpedoni e takoi atë në luftim. Zeusi debatoi me veten nëse duhej t’i kursente jetën djalit të tij edhe pse ishte i destinuar të vdiste nga dora e Patrokliut. Hera i kujtoi se bijtë e perëndive të tjera po luftonin dhe ishin të destinuar të vdisnin gjithashtu. Nëse Zeusi do ta kursente djalin e tij Sarpedon, një perëndi tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë. Prandaj e la të vdiste ndërsa luftonte me Patroklin, por jo përpara se Sarpedoni të vriste kalin e Akilit. Gjatë luftës, Zeusi dërgoi një shi me pika të përgjakshme mbi kokat e Trojanëve duke shprehur pikëllimin për vdekjen e afërt të djalit të tij. Kur Sarpedoni ra, i plagosur për vdekje, ai i bëri thirrje Glaukut që t’i shpëtonte trupin. Patrokli e tërhoqi shtizën që i kishte ngulur Sarpedonit dhe shpirti i tij shkoi me të.

Një luftë e dhunshme pasoi mbi trupin e mbretit të rënë. Grekët ia dolën të merrnin armaturën e Sarpedonit (që më vonë u dha si çmim në lojërat e funeralit për Patroklin), por Zeusi i kërkoi Phoebus Apollonit të shpëtonte kufomën. Apolloni e mori kufomën dhe e pastroi, më pas e dërgoi në Gjumë (Hypnos) dhe Vdekje (Thanatos), i cili e mori përsëri në Lycia për nderime funerali.

Sipas Homerit, mbreti trojan Priam kishte luftuar me Amazonat në rininë e tij në Frigji. Shkrimtarët e mëvonshëm të antikitetit i gjetën Amazonat gjeografikisht në Anadoll dhe filluan një traditë epike ku heronjtë, si Herakliu dhe Tezeu, luftuan me luftëtaret e Amazonës.

Të guximshme dhe jashtëzakonisht të pavarura, Amazonat, të komanduara nga mbretëresha e tyre, ndërmorën rregullisht ekspedita të gjera ushtarake në skajet e largëta të botës, nga Skithia në Traki, Ballkan të sotëm, Azi të Vogël dhe Ishujt Egje, duke arritur deri në Egjipt.

Përveç bastisjeve ushtarake, Amazonat shoqërohen gjithashtu me themelimin e tempujve dhe krijimin e qyteteve të shumta antike, si Efes, Cyme, Smyrna, Sinope, Myrina, Magnesia dhe Pygela.

Zbulimet arkeologjike të vendeve të varrimit të luftëtareve femra, në stepat euroaziatike sugjerojnë se kulturat e kuajve të Scythëve dhe Hititëve nxitën krijimin e mitit të grave Amazone.

Në vitin 2019, pranë Voronezhit të Rusisë u gjet një varr me breza të shumtë të luftëtareve femra skithe, të armatosura dhe me mburoja ari.

Photo by: quora.com

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi

NUK KA KAUZË SERBE – AJO ËSHTË E RREJSHME

August 9, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Serbia nuk ka synuar që për serbët jashtë saj të sigurohen të drejta kombëtare. Ajo ka synuar që territoret në fqinjësi, të banuara me serbë, t’ia bashkëngjitë vetes. Si rrjedhojë, midis Serbisë që ka synuar zgjerim dhe fqinjëve të saj që kanë luftuar për mbrojtje kufijsh, ka pasur luftëra të vazhdueshme.

Synimi i Serbisë ka qenë dhe mbetet dalja në Adriatik, por kjo s’ka për të ndodhur kurrë.

*   *   *

Më 1 dhjetor 1918 u formua Mbretëria e Serbëve, e Kroatëve dhe e Sllovenëve. Prej  vitit 1929 u quajt Mbretëri e Jugosllavisë. Në kuadër të Serbisë u përfshinë: Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Vojvodina dhe Kosova. Më vonë, shteti i sipërthënë u quajt “krijim i Versajës”, “krijim artificial”, “burg i popujve”. Në shtetin e lartpërmendur, njiheshin vetëm tre popuj: serbët, kroatët dhe sllovenët. Kombësia e boshnjakëve, e malazezëve, e maqedonasve, e shqiptarëve – nuk njihej. Në Vojvodinë kishte qindra mijë hungarezë dhe qindra mijë gjermanë. Qëllimi i Serbisë ishte i qartë – asimilimi. Kur ishte fjala për shqiptarët në këtë mbretëri sllavësh të jugut, qëllimi i Serbisë ishte – dëbimi i shqiptarëve për në Turqi. Për këtë flet edhe elaborati i Vasa Çubrilloviqit “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta, 1937). Për këtë flet edhe Marrëveshja midis Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Turqisë e datës 11 korrik 1938 që parashikonte shpërnguljen e 40 mijë familjeve shqiptare (rreth 200 mijë vetë) për në Turqi. Në periudhën 1952-1965, për në Turqi janë shpërngulur 452.371 shqiptarë. 

Lufta II Botërore bëri të mundur shpërbërjen e Jugosllavisë së Versajës. Jugosllavia e pas Luftës II Botërore apo RSFJ-ja u quajt Jugosllavi e Titos apo Jugosllavi e AVNOJ-it. Ky shtet kishte gjashtë republika dhe dy krahina. Me Kushtetutën e viti 1974, dy krahinat – Kosova dhe Vojvodina u bënë pjesë përbërëse të federatës jugosllave.

Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës thoshin se janë boshnjakë. Këtë pretendim të tyre Serbia e kundërshtoi. Sipas Beogradit, përpos myslimanëve, në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë edhe serbë dhe kroatë. Rrjedhimisht, myslimanët e BH-së nuk kanë të drejtë ta përvetësojnë emrin boshnjak si emër kombësie të vet. Sipas akademikëve serbë, “gjuhë boshnjake nuk ekziston. Myslimanët në BH flasin serbisht. Bosnja dhe Hercegovina, nuk është veçse term gjeografik, ndaj nuk mund të ketë komb boshnjak. Myslimanët në BH nuk mund të jenë mbartës të shtetësisë, për arsye se aty ka serbë dhe kroatë”. Për t’u mos identifikuar me serbët apo me kroatët, myslimanët e BH-së, prej vitit 1968, termin “mysliman” e përdorën në vend të kombësisë. Sipas regjistrimit të viti 1971 në BH, 39.6 % e popullsisë u deklaruan “mysliman” në kuptimin e kombësisë. 

Shënim: Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, të Sanxhakut dhe të Malit të Zi etj, sot e quajnë veten “boshnjakë”, ndërsa gjuhën që e flasin e quajnë “gjuhë boshnjake”.

*   *   *

Në vitin 1986, akademikët serbë nxorën një memorandum, që njihet si “Memorandum i ASShA-së”. Në këtë dokument, akademikët serbë thonë se “serbët në Jugosllavinë e Titos janë të pabarabartë me popujt e tjerë të saj, ndaj nevojiten ndryshime rrënjësore të shtetit”.       

*   *   *

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Serbia tentoi ta shfuqizojë Kushtetutën e vitit 1974 dhe ta rikthejë politikën unitariste, centraliste dhe etatistë të kohës së Mbretërisë Jugosllave. Tentoi t’i suprimojë edhe autonomitë e dy krahinave autonome. Tentoi ta rikthejë hegjemoninë dhe dominimin e vet mbi Jugosllavinë si në kohën e mbretërisë serbo-sllave.

Politika hegjemoniste dhe ekspansioniste serbomadhe e fundit të viteve ’80 dhe e fillimit të viteve ’90, u mbështet: nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, nga Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, nga Kisha Ortodokse Serbe. E ashtuquajtura Armatë Popullore e Jugosllavisë (APJ) u vu nën kontrollin serb. Policia serbe u vu nën kontrollin e politikës. Mediumet po ashtu. Fjala e lirë u shua plotësisht. Shoqërisë serbe iu imponua njëmendimi politik dhe ideologjik. Shoqëria serbe u homogjenizua. Shteti serb ishte në duart e nacional-socialistëve, të radikalëve dhe të çetnikëve. Kush mendonte ndryshe etiketohej si tradhtar. Në skenë ishte një politikë klerofashiste. 

Ishte kjo një kauzë serbe e rrejshme. 

Në krahasim me Slloveninë dhe me Kroacinë, Serbia ngecte, por jo se i ishte bërë padrejtësi. Ngecte ngase nuk ishte në shkallën e tyre të zhvillimit, as ekonomik, as intelektual. Ngecte ngase synonte territore dhe jo zhvillim ekonomik dhe tekniko-teknologjik. Parapëlqente që të tjerët të punojnë për të, ndërsa ajo të komandojë.     

Politikës klerofashiste, nacional-socialiste, radikale dhe çetnike i dolën para për t’i bërë ballë: kroatët, sllovenët dhe shqiptarët. Madje ka që thonë se shpartallimi i RSF të Jugosllavisë filloi në mars dhe në prill të vitit 1981, me demonstratat e shqiptarëve në Kosovë që u reflektuan edhe ndër shqiptarët në viset e tjera në Jugosllavisë. 

Si rezultat i agresionit serb ndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, Jugosllavia apo RSFJ-ja – u shpërbë. Prej amalgamës së saj u krijuan shtetet e pavarura, si: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova. Serbia mbeti vetë, me Vojvodinën që gëzon një kuazi autonomi.  

*   *   *

Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, sot e kësaj dite nuk është distancuar nga  Memorandumi i vet i vitit 1986. Nga ky farë memorandumi nuk është distancuar as klasa politike serbe. Pothuajse askush në Serbi që posedon forcë ndikuese.

Ide të reja në skenën politike serbe u përpoq të sjellë Zoran Gjingjiqi (Zoran Đinđić, 1952-2003). 

Shënim: Zoran Gjingjiqi diplomoi në vitin 1974 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Doktoroi në vitin 1979 në Universitetin e Konstancës (Konstanz) në Gjermani, me tezën “Problemet për themelimin e teorisë kritike në shoqëri”. Mentor e kishte filozofin gjerman, njërin ndër më të shquarit në botë, Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, 1929- ). Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Në vitin 2001 u zgjodh kryeministër i Serbisë. Në vitin 1999, javorja amerikane “Times” e përfshiu Gjingjiqin në listën prestigjioze të 14 politikanëve më me peshë të Evropës të mijëvjeçarit të tretë. E ka marrë çmimin prestigjioz gjerman “Bambi” në lëmin e politikës,  për vitin 2000. Në gusht të vitit 2002, për kontribut në zhvillimin e demokracisë në Serbi, iu dha në Pragë çmimi “Fondacioni Polak”. Ky çmim jepej çdo vit për kontribut në zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike në Evropën Qendrore dhe Lindore. U vra në atentat më 12 mars 2003, para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë. Në varrimin e tij morën pjesë qindra mijë njerëz. Se kush qëndronte pas vrasjes, nuk ishte vështirë të dihej.  

*   *   *

Brezi i ri i akademikëve serbë duhet të distancohen nga idetë dhe nga ideologjitë e paraardhësve të tyre. Të distancohen, ngase bien ndesh apo janë në kolizion me parimet demokratike të kohës. Integrimi në familjen perëndimore paraqet mundësi për popujt e rajonit për t’i kapërcyer mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të sotmet. Serbia synon ta mbajë rajonin si në kohën e bellum omnium in omnes, kur Ballkani ka qenë fuçi baruti.

Ideologjia kombëtare serbe sot është në kohën e etërve serbomëdhenj të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, si: Ilia Garashanin (1812-1874), Vuk Karaxhiq (1787-1864), Jovan Cvijiq (1865-1927), Vlladan Gjorgjeviq (1844-1930), Vasa Çubrilloviq (1897-1990), Dobrica Qosiq (1921-2014). 

Politika kombëtare serbe sot është ajo e shtetarëve serbë të shekullit XIX dhe të shekullit XX, si: e Karagjorgjeviqëve, e Obrenoviqëve, e Nikolla Pashiqit (1845-1926), e Aleksandar Rankoviqit (1909-1983), e Sllobodan Millosheviqit (1941-2006), e çetnikëve, e Voisllav Sheshelit (1954- ), e pjellës politike të Sheshelit – Aleksandar Vuçiqit (1970- ). 

Dy shekuj, asnjë ndryshim dhe asnjë transformim ideologjik dhe politik të Serbisë. Të sipërthënët, plot dy shekuj flasin për njëfarë kauze serbe, për të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe. S’ka kauzë serbe, s’ka çështje kombëtare serbe. Kauza serbe nuk është veçse hegjemoni, ekspansion dhe dominim mbi popujt e tjerë të rajonit. 

Nuk është rastësi që sot në Serbi nuk ka opozitë politike. Opozita serbe është po aq retrograde dhe anakronike sa edhe pushteti i Aleksandar Vuçiqit. Shteti në të cilin s’ka opozitë politike, është antidemokratik. Shteti i tillë udhëhiqet në mënyrë autoritare dhe autokratike. Në atë shtet, zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore, nuk janë veçse farsë. E tillë është Serbia. Një Serbi e tillë nuk ka vend në BE. Ajo duhet të ndryshohet, të reformohet, të transformohet, të heqë dorë nga ideologjia edhe nga politika e shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX. 

Brezat e rinj të akademikëve serbë duhet të nxjerrin një memorandum tjetër në të cilin do të distancoheshin nga ai i vitit 1986. Serbia është e vogël për të qenë e madhe. Një Serbi e vogël nuk mund të ketë nën thundrën e saj: gjysmën e territorit të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, Vojvodinë ku kanë banuar qindra mijë hungarezë, Sanxhakun të banuar me boshnjakë. Ëndërr e madhe e njeriut të vogël. 

Serbët janë popull arrogant, megaloman, mendjemadh. Megalomania e tyre është pjellë e sundimit të tyre mbi popujt e tjerë të Jugosllavisë, që nga viti 1912, përkatësisht 1918 deri në shpërbërjen e saj, në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Çdo megalomani ngërthen në vete naivitet dhe injorancë. 

Serbët nuk marrin mësim prej Fuqive të Mëdha të kontinentit të vjetër. Ato kishin luftuar ndër vete, por në gjysmën e dytë të shekullit XX kishin ardhur në përfundim se luftën për territore duhet zëvendësuar me njohje të ndërsjellë dhe me bashkëpunim ekonomik, në funksion të zhvillimit të përbashkët dhe të përgjithshëm. Ato kishin ardhur në përfundim se lufta për territore has në qëndresën e palës tjetër. Çështja zhytet dhe sillet në një rreth vicioz që s’ka të sosur. Është një luftë e kushtueshme, shumë viktima. 

*   *   *

Vuçiqi në Kosovë nuk kërkon asociacion, kurrfarë asociacioni. Ai kërkon territor, kërkon entitet serb, kërkon shtet brenda shtetit, kërkon republikë serbe në Kosovë, si ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës, që e udhëheq Millorad Dodiku (1959- ), i padëshiruar në ShBA. Pas nja-dy vetëve, serbët do të bënin çmos që këtë farë republike t’ia bashkëngjitnin Serbisë. Ata janë mjeshtër të inskenimeve, të mashtrimeve, të gënjeshtrave, të propagandës. 

Midis Lindjes dhe Perëndimit, Serbia hiqet sikur është asnjanëse, sikur qëndron në ekuidistancë. E vërteta është se ajo nuk ri në dy karrige. Ri në njërën sosh, në atë ruse.        

*   *   *

Perëndimi s’ka bërë sa duhet, për të mos thënë s’ka punuar fare për demokratizmin e Serbisë. Serbia sot, është ajo e kohës së Millosheviqit. Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi erdhën në fuqi dishepujt e tij dhe të Voisllav Sheshelit – Vuçiqi dhe bashkëmendimtarët e tij. 

Politika serbe sot është në kundërshti të plotë me filozofinë politike të BE-së. Në vend të ndryshimit të kufijve, BE-ja sugjeron respektimin e të drejtave të bashkësive etnike brenda shteteve ku ata banojnë. 

Serbia e Vuçiqit, punë tjetër s’ka përpos të armatoset nga Rusia dhe nga Kina, të ndjekë politikën e forcës dhe të kanoset me ushtri. Vuçiqi nuk do marrëveshje me Kosovën, nuk e njeh pavarësinë e saj, nuk e njeh sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Për çfarë bisedimesh Brukseli flitet kur Serbia sot e kësaj dite, me kushtetutën e saj, Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë. Vuçiqi dhe pjesëtarët e pushtetit të tij, me të marrë pushtetin, betohen se do ta ruajnë Serbinë, me Kosovën si pjesë të saj.

Uashingtoni, Berlini dhe Parisi duhej t’i kishin thënë Serbisë: “Hiq dorë nga idetë panserbe. Ndryshe do të mbetesh e veçuar, d.m.th. e izoluar!” Pas Luftës II Botërore, Gjermania tha: “Sot e tutje, lufta në Evropë, kurrë s’ka për të filluar nga trualli gjerman”. Një betim të tillë, Serbia s’e ka bërë dot, ndonëse në vitet ’90 të shekullit XX shkaktoi luftëra, që nga Sllovenia deri në Kosovë. Luftëra të përcjella me krime lufte dhe gjenocid. Uashingtoni, nuk mund ta çojë mirë, edhe me Kosovën, edhe me armikun historik të saj – Serbinë. E keqja e rajonit – Serbia, nuk mund të disiplinohet dhe të transformohet duke e ledhatuar dhe duke e përkëdhelur. Duke investuar në të, dhjetëra miliardë ero apo dollarë. Ushqeje sorrën të t’i nxjerrë sytë. Vuçiqi s’ka si ndryshon. Ai që shkon në dasmën e djalit të Sheshelit, nuk ndryshon dot. Ujku nuk zbutet. As e ndërron huqin. 

Nuk është Vuçiqi ai që mund ta çojë Serbinë në familjen evropiane. Ç’i duhet Perëndimit një Serbi e udhëhequr nga një Vuçiq, nga një Tomisllav Nikoliq (1952- ), nga një Voisllav Koshtunica (1944- ), nga një Ivica Daçiq (1966- ), nga një Aleksandar Vulin (1972- )?! Nga Vuçiqi, mik i ngushtë i Millorad Dodikut, i Putinit, i Moskës. Vuçiqi që s’i vuri sanksione Moskës, që e ka shuar në Serbi fjalën e lirë, mendimin ndryshe, lirinë e shprehjes, që i ka vënë nën kontroll mediumet, që udhëheq në mënyrë autoritare dhe autokratike, tiranike, despotike dhe diktatoriale, që brenda Evropës ka krijuar një Serbi totalitare. Dhe Uashingtoni, Berlini e Parisi – heshtin, i mbyllin sytë! Ku e merr forcën një Serbi e vogël të ndeshet me gjithë këtë Perëndim?! Dihet ku – në Moskë, te Vladimir Putini (1952- ). Serbia vlon prej grupeve parapolitike që e marrin veten për parti apo lëvizje politike kombëtare. Këto farë grupesh militante nuk janë veçse hordhi të egra barbare, të ekstremit të djathtë. Është tragjedi për një shtet dhe për një shoqëri evropiane të mos ketë në hapësirën e vet forca racionale që i jetësojnë parimet demokratike. I mjerë është ai popull, politikën e të cilit e determinojnë dhe e imponojnë priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe. Serbi, je katandisur si mos më keq!      

Serbia sot, si dikur, është irracionale. Ajo vazhdon të mbetet në anën e kundërt të historisë. Një akademik, një intelektual, një shkrimtar, një filozof serb s’e ngriti zërin e protestës t’i thotë ndal Vuçiqit dhe zogorisë së tij.   

Kosova është shtet ku mbizotëron rendi, rregulli, ligji, ku luftohet korrupsioni, ku pakicat kombëtare i gëzojnë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend tjetër të BE-së. Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq?! Beogradi i mban peng serbët e Kosovës, manipulon me ta, nuk i lë të integrohen në shoqërinë kosovare dhe në institucionet e shtetit të Kosovës.

Serbi, merr shembull nga Kosova. Mësoje prej saj mësimin e rëndë të demokracisë!

Prof.Xhelal Zejneli

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT