• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

Pse nuk jep Lajçaku dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit?

September 21, 2023 by s p

Shaban Murati*/

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në datën 18 shtator 2023, pas bisedimeve në Bruksel me presidentin e Serbisë Vuçiç, të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i BE Lajçak, deklaroi në konferencë shtypi se “Më 14 shtator pati njё pozicionim tё qartё tё ndërmjetësit kundër Kosovës nё përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu, ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj që nuk mund të shtrembërohem në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësinë, në plotninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Andaj, kjo duhet diskutuar me Bashkimin Evropian për emisarin evropian. Kjo mënyrë aspak neutrale dhe korrekte e ndërmjetësimit”.

Kemi një qendrim zyrtar të kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili refuzon zyrtarisht veprimet e njëanëshme dhe të papranueshme të ndërmjetësuesit ndërkombëtar Lajcak, i cili jo vetëm favorizon Serbinë në dialog, por edhe arrin deri në atë gradë të filoserbizmit sa që shtrembëron dokumenta dhe fakte diplomatike, sikur të ishte anëtar i delegacionit zyrtar të Serbisë. Ky deformacion konkret i Lajçakut, në shkelje të mandatit të BE dhe të OKB për ndërmjetësimin në dialogun Kosovë-Serbi, e nxjerrë atë automatikisht jashtë loje si arbitër dhe ndërmjetësues ndërkombëtar. Manipulimet banale të Lajçakur për të paraqitur në bisedimet propozimet e vjetra rivendikuese serbe dhe interesat e Serbisë si propozime të BE janë një intrigë diplomatike bizantine, që fyen misionin ndërmjetësues të BE, si dhe vetë emrin e BE.

Skualifikimi zyrtar i arbitrit të BE nga njera palë e ndeshjes do të mjaftonte që ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lajçak të tërhiqej menjëherë nga posti i tij dhe të jepte dorëheqjen e parevokueshme, nëse dëshiron të jetë në përputhje me normat, rregullat dhe praktikën ndërkombëtare të ndërmjetësimit, dhe nëse ka vërtet integritet diplomatik, profesional dhe moral. Logjika më e thjeshtë kërkon dorëheqjen nga ai post, kur nuk gëzon besimin e të dy palëve, sepse kokëngjeshja për të ndejtur në atë post don të thotë se ai ndërmjetës punon për dështimin e bisedimeve midis dy palëve. Të gjitha manualet diplomatike ndërkombëtare për procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar paraqesin si kusht “sine qua non” besimin që duhet të gëzojë ndermjetësi ndërkombëar te të dy palët në konflikt dhe i referohen thënies së poetit skocez George Macdonalds, që theksonte “të jesh i besuar është kompliment më i madh se sa të jesh i dashuruar”. Manuali i njohur diplomatik “Udhëzime të etikës për ndërmjetësuesit” nënvizon se “Një ndërmjetësues duhet të dorëhiqet nga procesi i ndërmjetësimit nëse nuk është i aftë të mbetet i paanëshëm”. Edhe manuai i OKB i viti 2010 “Manual për ndërmjetësuesit: Këshilla nga përfaqësuesit dhe të dërguarit e posaçëm të OKB” thekson kushtin e paanëshmërisë së ndërmjetësuesit dhe detyrën e tij për doreheqje nëse nuk e ruan atë paanëshmëri. Historia dhe kronika diplomatike janë të mbushura me shembuj të shumtë që tregojnë se ndërmjetësues ndërkombëtarë janë tërhequr menjëherë nga posti, kur njera palë e konfliktit ka shprehur mosbesim dhe refuzim ndaj ndëmjetësuesit. Ka ndodhur shpesh sidomos me diplomacinë e nivelit të lartë të OKB, e cila ka një praktikë të gjatë dhe të pasur të ndërmjetësimit ndërkombëtar. Në vitin 2015 i dërguari i posaçëm i OKB për Liqenet e Mëdha në Afrikë dhe ndërmjetësues i OKB për konfliktin politik në Burundi, diplomati Said Djinnit, dha dorëheqjen kur njera palë e konfliktit e akuzoi atë për paragjykime dhe anëshmëri në favor të palës tjetër

Të japësh dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit, kur të refuzon njera ose tjetra palë e konfliktit, don të thotë në rradhë të parë të kesh integritet diplomatik, profesional dhe moral. Duket se këto cilësi ekzistenciale i mungojnë ndërmjetësuesit të BE Lajçak, përderisa jo vetëm nuk po dorëhiqet, por po nxjerr edhe bashkëqytetarin e vet sllovak Stano të sulmojë kryeministrin e Prishtinës. Kemi një mentalitet tipik komunis të stilit sovjetik, të cilin duket Laçakut ia ka mësuar shkolla diplomatike ruse, ku e lauruan dhe e graduan. Nuk mendoj se është i drejtë nxitimi i disa përfaqësuesve të diplomacisë europiane dhe atlantike për të marrë në mbrojtje apriori Lajçakun për rastin në fjalë, sepse nuk është as diplomatike, as jurdike dhe as morale të merret në mbrojtje një arbiter, që e ka shitur ndeshjen diplomatike, pavarësisht se ai është treguar “i palodhur” duke vrapuar nëpër fushë. Apologjetët e Lajçakut mund edhe ta marrin atë në drejtimin e ministrive të tyre të jashtëme, por nuk e justifikojnë dot që një arbitër i komprometuar të vazhdojë të jetë ndërmjetësues ndërkombëtar.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është brenda së drejtës së tii të ankimit, të cilën e njeh edhe e drejta ndërkombëtare për procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Nëse njera palë e konfliktit konstaton se në procesin e bisedimeve ndërmjetësuesi nuk po ruan paanëshmërinë e domosdoshme dhe po favorizon palën tjetër, ai ushtron të drejtën juridike të ankimit dhe të refuzimit të ndërmjetësit përkatës. Lobet serbe në PrishtInë dhe në Tiranë, që me profanizëm diplomatik shpërthyen në fushata histerike kundër së drejtës juridike të kryeministrit të Kosovës për ankim zyrtar ndaj ndërmjetësuesit të gabuar, jo vetëm nuk kuptojnë realitetet diplomatike, por nxituan të dalin në funksionin e ngarkuar nga sponsorizimet serbe dhe ruse.

Në një situatë të tillë të stanjacionit dhe të keqësimit të kurbës së dialogut për faj të ndërmjetësuesit, së pari ndërmjetësuesi ndërkombëtar në bisedimet e Brukselit Kosovë-Serbi, Lajçak, duhet të dorëhiqet, sepse ka humbur kredibilitetin diplomatik dhe politik të njerës palë të konfliktit. Së dyti, vetë organi ndërkombëtar, që ka emëruar atë ndërmjetës të pabesueshëm, duhet ta marrë në shqyrtim menjëherë situatën në fjalë dhe ta tërheqë diplomatin sllovak në fjalë. Me të drejtë dhe pa kompleksin i inferioritetit, (sëmundje kronike e diplomacisë shqiptare), kryeministri i Kosovës bëri të ditur në konferencën e tij të shtypit se qeveria e tij do ta shtrojë me BE çeshtjen e emisarit ndërmjetësues.

Duhet theksuar se qeveria e Kosovës është treguar mjaft e duruar me sjelljen filoserbe të ndërmjetësuesit Lajçak, i cili qysh në fillim kur u emërua në atë post në vitin 2020 e deri tani punoi për Serbinë dhe vetëm i ka sorollatur bisedimet Serbi-Kosovë në rrotullimin në vend pa zgjidhje dhe të përshtatjes vetem me qëllimet dhe planet e Serbisë. Performanca e tij skandaloze diplomatike proserbe në procesin e ndërmjetësimit më ka detyruar që qysh në 24 shkurt të vitit 2021, një vit pas emërimit të Lajçakut dhe në prag të riemërimit të tij nga BE në mars 2021, t’i drejtohem me thirrje publike Prishtinës dhe Tiranës që të kërkojnë nga BE largimin e tij nga posti i ndërmjetësit për shkak të paaftësisë së tij për të ruajtur paanëshmërinë e detyrueshme të ndërmjetësimit të bisedimeve. As Prishtina dhe as Tirana nuk e vlerësuan si duhet dhe nuk bënë perçapjet e nevojshme diplomatike dhe Lajçak e thelloi kursin e tij proserb në bisedimet, derisa u arrit në situatën e tanshme të padurueshme të manipulimit të tij diplomatik proserb dhe kur zyrtarisht qeveria e Kosovës e denoncoi ndërmjetësimin e tij.

Në fakt Lajçak ishte person i papërshtatshëm qysh kur emërua, sepse ai njihej si një filorus konseguent dhe i cili jo rastësisht zhvillonte konsultime me ambasadorët e Rusisë për bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, ku lëshonte herë pas here tezat ruse. Është për t’u habitur se si nuk reflektoi BE as në 15 shkurt 2023 kur Ministria e Jashtëme e Polonisë përjashtoi nga shërbimi diplomatik të gjithë diplomatët e saj, që ishin diplomuar në institutin e marrëdhënieve ndërkombëtare të MPJ të Rusisë, MGIMO, që dihet se drejtohet nga shërbimi sekret rus. Nëse Polonia, një shtet i madh dhe i rëndësishëm i BE dhe i NATO-s, i largon me shpejtësi diplomatët e saj të MGIMO-s, si e mban BE në një post aq të lartë diplomatik si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Lajcakun e lauruar dhe madje doktor honoris causa i MGIMO-s? Në BE duhet ta dinë se kur Lajçak ishte ministër i jashtëm i Sllovakisë në vitin 2014 të agresionit të parë ushtarak rus në Ukrainë, ai në mënyrë sfiduese ndaj BE bëri vizitë zyrtare në Moskë në maj 2014, dy muaj pasi Rusia kishte pushtuar dhe aneksuar Krimenë. A e dinë në BE që Lajçak deri tani nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin e dytë ushtarak të Rusisë në Ukrainë të vitit 2022 dhe nuk e ka dënuar asnjëherë me emër presidentin agresor Putin të shtetit agresor rus.

Në rast se Lajçak nuk dorëhiqet dhe nëse BE nuk e tërheq atë nga posti i ndërmjetësit të diskredituar, atëhere vijmë në konkluzionin e dhimbshëm se BE po ndjek ndaj Kosovës konceptin arrogant të “diplomacisë së maces së ngordhur” për të detyruar Kosovën të pranojë ndaj Serbisë lëshimet e sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial. Nëse vazhdohet me këtë skenar me protagonist Lajçakun, është e natyrëshme që të mendohet se ndikimi i lobit rus në nivelet më të larta të diplomacisë së BE është shumë i fortë.

Në diplomaci asgjë nuk është e rastësishme dhe nuk ishte e tillë as caktimi i përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtëme të BE Borrell dhe i përfaqësuesit të posaçëm të BE për Ballkanin Lajçak nga dy shtete të BE, që nuk e njohin Kosovën. Dikush nga shtetet vendimarrëse në BE ishte interesuar që filoserbizimi i atyre dy shteteve të intononte edhe bisedimet Serbi-Kosovë. Paradoksi i filoserbizmit të Lajçakut në bisedimet e 14 shtatorit arriti kulmin, kur ai harron dhe injoron zbatimin e planit franko-gjerman të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe shkel me dy këmbët marrëveshjet e BE të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe të Ohrit të 18 marsit 2023, duke vendosur si kusht në tryezë vetëm zbatimin e kërkesave serbe.

Kemi një shembul të paprecedent në historinë e diplomacisë europiane, ku përfaqësues të lartë të saj po prodhojnë një rast juridik dhe diplomatik sui generis, duke deformuar rolin, misionin dhe kodin diplomatik dhe etik të procesit të ndërmjetësimit ndërkombëtar. Në këtë situatë kur diplomacia e BE dhe vetë BE janë vënë në pozitë të vështirë, është e nevojshme dhe urgjente që vetë ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lajçak, nëse i ka ka mbetur ndonjë fije integriteti diplomatik, profesional dhe moral, duhet të japë dorëheqjen nga posti i tij.

*“Mjeshtër i Madh” në diplomaci.

Filed Under: Komente

Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të

September 21, 2023 by s p

President Joe Biden and First Lady Jill Biden participate in a photo line with leaders attending the United Nations General Assembly, Tuesday, September 19, 2023, at the Metropolitan Museum of Art in New York City. (Official White House Photo by Adam Schultz)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të.

Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

Filed Under: Opinion

Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës

September 21, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në tryezën ​me temën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij Kryetari Konjufca tha se sot gjuha e urrejtjes është një fenomen global i cili po sfidon secilin shtet të botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit demokratik. Ai tha se Kosova si shtet i ri dhe demokratik është duke u përballur me përhapje të hovshme të gjuhës që nxit urrejtje dhe që cenon dinjitetin njerëzor dhe integritetin e tij.

Me këtë rast kreu i Kuvendit potencoi se ka raste kur edhe politikanët nuk kanë arritur te jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes.

“Konsideroj se përgjegjësia bie mbi çdo përfaqësues politik, që jo vetëm ta dënojmë gjuhën e cila nxit urrejtje, por edhe t’i ftojmë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që kemi në mendime, në qëndrime dhe në përfaqësimin e vlerave të ndryshme”, tha kryetari Konjufca.

Edhe pse Kosova sipas kryetarit Konjufca në përgjithësi ka legjislacion të avancuar në këtë drejtim, përvoja e deritashme ka dëshmuar nevojën për t’i përforcuar mekanizmat.

“Kuvendi i Kosovës aktualisht është në procedurë të hartimit të Kodit të Etikës, dhe do t’u ndihmojë përfaqësuesve të popullit në krijimin e praktikave demokratike të komunikimit, në mënyrë që ato të jenë me të kontrolluara, më të standardizuara dhe të mos lejojnë përdorimin e shprehjeve të tilla, që më vjen keq që ndonjëherë do të mund t’i keni dëgjuar edhe në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh kryetari Glauk Konjufca.

Kryetari Konjufca u bëri thirrje të gjitha shtyllave të shtetit që bashkërisht të krijojnë klimë të përshtatshme për secilin qytetar të Kosovës e sidomos për ata që kanë qenë viktima të gjuhës së urrejtjes, që t’u ofrohet mundësia e raportimit sa më të shpejtë të rasteve në organet e drejtësisë.

Në lidhje me këtë temë në tryezë foli edhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Avokati i Popullit Naim Qelaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Filed Under: Rajon

KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR

September 21, 2023 by s p

Artan Nati/

Kërkimi i faljes dhe dhënia e faljes janë pjesë përbërëse e çdo zgjidhjeje afatgjatë të një konflikti të vështirë. Pa to, është e pamundur të arrihet pajtimi dhe paqja e qëndrueshme. Shtypësit që kryen shkelje të të drejtave të njeriut dhe mizori të tjera duhet të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe të kërkojnë falje. Një falje duhet të jetë e sinqertë dhe të pasqyrojë keqardhjen e vërtetë për veprimet e kaluara. Një kërkim falje mund të jetë ende i rëndësishëm nëse bëhet nga dikush që është pasardhës i asaj klase që ka kryer krimet apo abuzimet, diçka që Presidenti William Clinton e kuptoi kur kërkoi falje për skllavërinë, edhe pse ajo kishte marrë fund pothuajse një shekull para se ai të lindte.

Shoqëria jonë nuk e ka kaluar një proçes të tillë prandaj dhe kemi disa probleme serioze që reflektohen edhe në politikë e në jetën tonë të përditëshme dhe sa më shpejt t’i evidentojmë dhe të përpiqemi të zgjidhim këtë nyje gordiane të politikës dhe kulturës shqiptare, më i shpejtë do të jetë integrimi ynë kulturor e politik me Europën e bashkuar.

Debati më i madh që konstatohet tek ne ështe se: A duhet të kërkojnë të falur (apologji) përfaqësuesit apo pasardhësit e regjimit komunist dhe pastaj të bashkëpunojmë me ta, apo të persekutuarit mund të falin persekutonjësit e tyre dhe të bashkëpunojmë për interesin e vendit dhe integrimin e tij. Besoj se çështja nuk është kaq e thjeshtë sa duket dhe eksperienca botërore mund të na vijë në ndihmë.

Duke pranuar gabimin, ju i jepni vlefshmëri dhimbjes së një individi ose tragjedisë së një popullsie të tërë. Në skenën globale, krerët e shteteve dhe institucionet fetare si Kisha Katolike shpesh kanë kërkuar falje publike. Ndonjëherë, duket sikur i nënshtrohesh një debati global gjithnjë në rritje që kërkonte njohjen e së kaluarës, dhe ndonjëherë dukej si një gjest nxitës i momentit. “Përballë humnerës së historisë gjermane dhe barrës së miliona njerëzve që ishin vrarë, unë bëra atë që ne njerëzit bëjmë kur fjalët na mungojnë”, kështu shprehej Brandt në kujtimet e tij. Ai u ul në gjunjë si një mëkatar, duke iu referuar traditës së krishterë. Ai u lut që gjermanët të faleshin. Willy Brandt, një socialdemokrat që kishte qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve, po lutej për falje për popullin e tij. Por a ishte i planifikuar gjesti? “Jo, nuk ishte,” këmbënguli Brandt. Ndihmësit e mi të afërt ishin jo më pak të befasuar se sa gazetarët dhe fotografët që qëndronin pranë meje. Edhe qeveria polake u befasua. Deri në atë moment konsideroheshin gjithmonë si “gjermanët e këqij”. Ata shiheshin si “revanshistë dhe luftënxitës” dhe pastaj papritmas ishte një kancelar gjerman, i cili u gjunjëzua duke sinjalizuar një hapje ndaj faljes.

Dhe në këtë mënyrë , politika e Brandt ishte një moment historik në rrugën e vështirë të pajtimit midis Lindjes dhe Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Ishte, pikënisja e zhvillimeve që fillimisht çuan në revolucionet paqësore në Poloni dhe Gjermaninë Lindore, më pas në ribashkimin e Gjermanisë dhe më në fund në një partneritet të vërtetë: “Partneriteti midis Gjermanisë dhe Polonisë në një Evropë të bashkuar”.

Kur gabojmë me dikë që njohim, qoftë edhe pa dashje, në përgjithësi pritet të kërkojmë falje. Personi që lëndojmë ndjen të drejtën për te falur dhe shprehjen e keqardhjes . Ne, nga ana tjetër, përpiqemi të përmirësojmë situatën duke thënë: “Më fal” dhe ndoshta duke bërë dëmshpërblim.

Por kur ne veprojmë si udhëheqës, rrethanat janë të ndryshme. Udhëheqësit janë përgjegjës jo vetëm për sjelljen e tyre, por edhe për atë të ndjekësve të tyre, të cilët mund të jenë në qindra, mijëra apo edhe miliona. Pyetja e parë, pra, është, kush është saktësisht pala fajtore? Shkalla e dëmtimit është gjithashtu një problem. Kur një udhëheqës ndihet i detyruar të kërkojë falje (apologji), veçanërisht për një shkelje në të cilën janë përfshirë ndjekësit, dëmi i shkaktuar ka të ngjarë të jetë serioz, i përhapur dhe i qëndrueshëm.Meqenëse udhëheqësit flasin për vete, si dhe për ndjekësit e tyre, faljet e tyre kanë implikime të gjera. Akti i kërkimit të faljes kryhet jo thjesht në nivel individi por edhe në nivel institucioni. Nuk është vetëm personale, por edhe politike. Është një performancë në të cilën çdo shprehje ka rëndësi dhe çdo fjalë bëhet pjesë e të dhënave publike. A duhet të falin ish të persekutuarit politik ish persekutonjësit e tyre dhe pasardhësit e tyre? “Falja (e fajtorit) është mbi të gjitha një zgjedhje personale, një vendim i zemrës për të shkuar kundër instinktit natyror për ta kthyer të keqen me të keqe.” thoshte Papa Gjon Pali II. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se falja nuk e shfajëson persekutonjësin. Falja e çliron viktimën. Duke thënë të gjitha këto mendoj se po kthehemi përsëri në pyetjen fillestare. Mendoj se kërkesa për falje duhet të bëhet më parë nga pasardhësit e atij brezi që kreu krime dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë duhet të kërkojnë falje publike ashtu si edhe Bill Clinton dhe të ulen në gjunjë si kancelari gjerman përpara gjithë shtresës së persekutuarëve. Gjithashtu është domosdoshmëri që të konkretizohen me ndërtimin e disa muzeve si burgu i Spaçit si dhe realizimin e filmave dhe dokumentarëve për përjetësimin e këtyre ngjarjeve sepse siç thotë filozofi George Santayana “Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Filed Under: Sociale Tagged With: artan nati

Censura studimore dhe politika në një kontent historik

September 21, 2023 by s p

Nga Dr. Fatjona R. Lubonja Ed.D.

Edukim/Neuro-Shkence/Behavior/

Duke ju referuar studimeve historike dhe dokumentave të arkivës së shtetit shqiptar, përgjate viteve 1960-1990 në Shqipëri, studiuesit Shqiptarë janë censuruar përsa i përket studimeve në fushën e shëndetsisë, arsimit, dhe shumë degë studimore të tjera. Si rredhojë, mungesa e studimeve në data studimore kundrejt ç’rregullimeve mendore gjatë shumë viteve historikisht ka thelluar hendekun e kuptimit dhe edukimit të shoqërisë kundrejt ç’rregullimeve të ndryshme mendore.

Në ketë artikull citoj në materiale që legjitizon fshehtësinë dhe ndalimin e studimit dhe marjes së një informacioni të tillë. Ky legjislacion është ruajtur me fanatizëm për shumë vite në historinë e vendit, gjë që ka sjell pasoja në mangësitë dhe mundësitë e studimeve si nga studiues shqiptar ashtu dhe specialist huaj. Si pasojë shumë informacione dhe situata të individëve me ç’rregullime të trurit nuk janë publikuar apo kuptuar nga shoqëria në përgjithësi. Kjo ka bërë të thellohet edhe më shumë ndër vite vakumi i edukimin mbi ç’rregullimet të trurit. Pasoja këto që kanë lënë gjurmë edhe në periudhat e mëvonshme në vendosjen e kulturës së studimeve indipendente afatgjate (qualitative & quantitative) në përgjithsi dhe atyre të problemeve mendore në veçanti.

Duke u bazuar në studime historike të bëra nga studiues Amerikan vihet re një mangesi në fushën e informacionit studimor (në kontent historik para viteve 1990) kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Sipas studiuesit Dr. Kiev (1968; Cornell & Columbia University, USA) në studimet e tij për problemet mendore gjatë viteve të “Luftës se Ftohtë”, Shqipëria ishte vendi i vetëm komunist në Ballkan apo i “Grupi Lindor” që nuk pranonte asnjë mënyrë komunikimi dhe i vetmi vend që studuesit nuk kishin patur mundësi të mblidhnin informacion ose të kishin ndonjë kontakt me studiues të vendit në këtë fushë. Megjithëse studiuesit kishin dërguar mesazhe zyrtare në organet përfaqësuese dhe specialistët e spitaleve apo qëndrave universitare, nuk kishin arritur të mernin asnjë kontakt apo përgjigje. Sipas dokumenteve historike nuk kishte të dhëna publike në lidhje me fëmijët me aftësi të kufizuara apo me probleme mendore, dhe nëse mund të gjeje ndonjë raport ishte vetëm nën udhëzimet e qeverisë së asaj periudhe. Nuk kishte hulumtime të jashtme (hulumtues jo-shqiptarë) ose hulumtime të shqyrtuara me studiues shqiptarë dhe të huaj në lidhje me fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale apo problemet mendore.

Përse Shqipëria veçohej nga të gjitha vëndet antare të “Grupit të Lindjes”?

Përgjigja e kësaj dileme e ka origjinën tek urdhëri i “Këshillit të Ministrave” që i përkiste asaj kohe. Ky urdher ishte i fuqizuar jo vetëm në ligjislaturën e vëndit por edhe në Arkivën e Shtetit Shqiptar nën “Rregulloren mbi shfrytëzimin e materialeve documentare arkivore të RPSH nga studiuesit e huaj” me datë të vendimit të “Këshillit të Ministrave” 18.6.1969. Në këto ligje Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave te Shtetit duhet të bashkëpunonte me “institucione të tjera përkatese me qëllim që të ruhen dhe mbrohen interesat e vëndit” dhe asnjë botim apo shkrim nuk mund të bëhej “pa marë autorizimin zyrtar”(DPASH, 1969). Ky ligj (Ministrija e Punëve të Brëndshme, 1961), ka bërë të pamundur bashkpunimin e studiuesve të huaj të kryejnë studime në Shqipëri por gjithashtu ka çensuruar edhe studiuesit Shqiptarë. Si rredhojë, mungesa e studimeve të lira (pa censurën e shtetit) në data studimore kundrejt ç’rregullimeve mendore gjatë shumë viteve historikisht ka thelluar hendekun e kuptimit dhe edukimit të shoqërisë kundrejt ç’rregullimeve të ndryshme mendore, gjë që transmetohet në shoqëri, familje dhe institucionet edukuese edhe në periudhën e metejshme.

*Fatjona R. Lubonja është autore dhe studiuese, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në “Columbia University” në New York, dhe është specializuar në Harvard University. #fatjonalubonja

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Fatjona Lubonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT