• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

NJERËZ  PA FAT

September 14, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Katërmbëdhjetë vjeçe ishte Nora, kur e futën në punë si ndihmëskameriere. 

  • Plot i ke shtatë klasë, – tha i ati. – Do të futesh në punë, boll të ushqyem ne! Vajza nuk u ndje. Kishte plot të tjera si ajo që e linin shkollën, të detyruara për të ndihmuar familjen. I vetmi merak ishte Sadiku, një djalë i lagjes ngjitur, që punonte në ndërmarrjen e peshkimit. Çdo herë që dilte nga shtëpia, vajza e shikonte te kryqëzimi i rrugëve me vështrimin nga ajo. 
  • Mirëmëngjes! – përshëndeste djali duke u munduar t’i tërhiqte vëmendjen. Përgjigjja nga vajza vinte sakaq, por gjithmonë duke e parë shkarazi. Sapo djali mundohej të thoshte diçka më tepër, Nora, largohej me të shpejt. 
  • Nora, unë ty të dua, – mori një ditë guximin Sadiku, duke iu marrë fryma. Aq ishte dhe koha për të thënë “mirëmëngjes’’. Ajo qëndroi dhe ngriti sytë. 
  • Të dua seriozisht, të kam dashur qysh fëmijë, – guxoi sërish me një frymë, i çliruar tashmë nga një siklet i madh. Vajza u largua pa përgjigje por afër shtëpisë ktheu kokën duke buzëqeshur, shenjë kjo që ai e mori si shpresë. Më vonë kishin ndërruar letra, ku i shprehnin ndjenjat njëri-tjetrit. Dalja në punë e Norës ndikoi që takimet e tyre të ishin më të shpeshta. Dy vjet më vonë, në periferinë e qytetit, atje ku fillonte një pyll i bukur me pisha, larg syrit të njerëzve, ku ishte vendi i zakonshëm i takimit, Nora, tepër e mërzitur i tha: 
  • Sadik! Kam ngelur shtatzënë.  

Ajo ishte plot gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe djali njëzetedy. Ai u habit sikur përpara të kishte një vajzë të huaj dhe jo të dashurën e vet, të cilën e donte me shpirt. 

  • Nuk e shikon që jam trokë, e s’kam ku të fus kokën?! Jemi nëntë frymë në dy dhoma pallati. Pastaj ti e di që kam dhe dy vëllezër më të rritur, beqarë. Kësaj i thonë: miun se nxë vrima e do të marrë edhe fshesën me vete, – i bërtiti vajzës. Nora u trondit edhe pse e priste një kundërveprim të ashpër nga ana e tij. Nuk kishte dashur ajo, po ku mbahej Sadiku! I ishte bërë kurban, duke iu lutur që “ta bënin”. Kishin dy vjet, tashmë, që bënin dashuri çdo herë që takoheshin. Cili ishte faji i saj? Përse bërtiste sikur të ishte armik dhe jo i dashuri, që i kishte premtuar një jetë më të mirë? 
  • Abortoje! Do të kemi plot fëmijë të tjerë por ja, sa të mëkëmbemi një çikë e të vëmë ca para mënjanë… – Nisi ta merrte me të mirë, kur pa që vajza filloi të dridhej e tëra.
  • Unë këtë fëmijë do ta mbaj. Ai është i yti dhe nuk e abortoj sikur bota të kthehet përmbys! U zunë keq, po Norës as që i shkonte mendja për abort. U takuan dhe nja dy herë të tjera, duke mbrojtur secili mendimin e vet. Pas bisedës së fundit Sadiku u zhduk nga qarkullimi. Flinte në anije e nuk dilte në tokë. Kur ua zuri në gojë atyre të shtëpisë se donte një vajzë, se që e kishte lënë shtatzënë, nuk guxonte t’ua thoshte, i ati një burrë serioz, ia preu shkurt: 
  • Jemi nëntë vetë që jetojmë në dy dhoma. Ke dy vëllezër më të rritur. S’ke mbushur as 22 vjeç e dashke të martohesh. Prit njëherë, prit….Kur Sadiku kërkoi të sqarohej pas bisedës me prindërit, Nora i kishte thënë:
  • Ti, Sadik, ke qenë e do të mbetesh frikacak. Nuk kam për të të kërkuar asgjë. Dua që, pasi të lind, ta njohësh atësinë e fëmijës. Nuk e dija që do të ngelesha shtatzanë dhe as që e doja. Por tani që ndodhi nuk mund ta heq fëmijën. Ti nuk mund ta kuptosh atë që ndjej unë, se je mashkull. Ishin ndarë secili në të vetën. Nora mori në sy gjithçka. Nuk tregoi atësinë e fëmijës sepse nuk donte që ta detyronte të dashurin të martohej me të, kur zemra nuk ia ndjente. Vajzat që ngeleshin shtatzënë pa u martuar i transferonin në një qytet tjetër për të lindur. Rregulli e kërkonte që Nora ta dorëzonte të porsalindurin në ‘’Shtëpinë e Fëmijës’’ por ajo nuk pranoi të firmoste. 

-Është fëmija im dhe e ka një baba. Nëse ai e mohoi, këtë nuk mund ta bëj edhe unë. I marr përsipër të gjitha pasojat. Nuk kam bërë asnjë turp! Sadiku e mori vesh lindjen e fëmijës dhe, sipas fjalës së dhënë duhet të njihte atësinë. Por as këtë nuk e bëri. Gjithë pasuria e tij ishte një krevat portativ në anije dhe rrobat e trupit. Rrogën në krye të pesëmbëdhjetë ditëve e dorëzonte tek i ati dhe mbante aq sa i jepte ai. Kaluan kështu me gjysma lajmesh, e fjalësh plot tetë vjet. Sadiku e dinte që Nora punonte në një lokal si kameriere, por asnjëherë nuk shkoi ta takonte. Një ditë të zakonshme regjimi ra. Komunistët u larguan nga pushteti dhe Sadiku me katër shokë të tij u gdhinë pronarë të anijes. Nora u largua nga internimi dhe u kthye në qytetin e saj me vajzën e vogël. Mori shtëpi me qira dhe filloi punë në njërin nga lokalet e shumta afër portit. Kurrë nuk komunikoi me ish të dashurin ndonëse në thellësi të zemrës ndjente se ende e donte. Për të zënë një të dashur të ri as që bëhej fjalë. Lidhja e vetme që kishte pasur e bënte të acarohej kur binte fjala për meshkujt.

  • Sadik, ka ardhur Nora në qytet. Është me gjithë një vajzë të vogël që duhet të jetë e jotja. S’e ke idenë sa të ngjan, – i tha një ditë shoku i vet, që nuk ishte i vetmi që e dinte historinë e tyre.
  • Nuk mundem t’i dal përpara. Edhe të më pështyjë është pak. Nuk ngjitet më buka e thyer. Kanë kaluar shtatë vjet e kusur. Ku më njeh mua vajza? Pastaj kush e di çfarë i ka thënë dhe e ëma, – psherëtiu Sadiku, duke e quajtur atë muhabet të mbyllur. 
  • Po ti shko njëherë, – ngulmoi shoku. Nuk i ktheu përgjigje, por me vete mendoi: Frikacak ngele gjithë jetën o derëzi! Po shko, ore, takoje tët bijë! Shoku kishte të drejtë. Vajza i ngjante aq shumë por trupin dhe ecjen e lehtë në majë të gishtave e kishte si të nënës së vet. Dukej menjëherë që ishte fëmijë e rritur me kujdes. Pamja e Norës e la pa fjalë. Iu duk shumë më e bukur se kur e kishte njohur. Nuk kishte më atë trupin e hajthëm si shtojzovalle, e pamjen e një vajzukeje por të një gruaje që gjithsesi rrezatonte mirësi e bukuri. Pa i thënë gjë ish të dashurës, një ditë u gjend në shkollën e vajzës.
  • Moj Adjona, po sa e bukur je moj! Hajde te xhaxhi Sadiku, se të ka shumë xhan, – Ato pak fjalë mezi i nxorri, se lotët e mbytën dhe nuk mund të thoshte asnjë fjalë tjetër. 
  • Është babai yt, – i tha Nora së bijës, kur kjo i tha se ç’kishte ngjarë. 
  • Po atëherë përse nuk jeton me ne? 
  • Pyete vetë! Kurrë nuk e shau ish të dashurin, kurrë nuk nxorri një fjalë të keqe për të. Të bijës i kishte thënë që ka ikur shumë larg me punë dhe nuk dihet se kur kthehet. Nuk mund ta falte për atë që ndodhi, por dhe veten nuk e mendonte dot në krahët e një tjetri. 
  • Mos e bëj për mua, bëje për çupën, – i lutej Sadiku çdo ditë Norës. – Me ty nuk më lan as oqeani e jo deti, por nuk kam reshtur së dashuri asnjë minutë. Më fal, se ja, kështu jam unë: frikacak e i pavendosur. Por kam ndryshuar. Do të ndryshojë edhe më. Keni për ta parë, ti dhe vajza.

Norës iu bë e pamundur jeta në qytet. Në çdo cep të tij i shfaqej Sadiku, që e ndiqte si hije, pa guxuar t’i afrohej. Një ditë u gjendën ballë për ballë. Ishin jo më larg se një pëllëmbë nga njëri-tjetri. Norës, që kishte vite pa e parë nga aq afër, iu duk i dobësuar dhe i lodhur. E tronditur ktheu kokën anash dhe qau. Djali e kapi me të dy duart butë dhe e pa në sy. Dalloi në fytyrën e saj të trishtuar, diku në cepin e syve  buzëqeshjen shndritëse dhe vezullimin e syve si dikur. I prekur, u ul në gjunjë, i mori dorën dhe ia puthi, gjest ky i pandodhur ndonjëherë midis tyre. Nora e kapi nga supet dhe e ngriti ngadalë, kur pa, që ai as kishte ndërmend të lëvizte apo të fliste.  

  • Po e bëj për vajzën, – i tha, – se ti nuk e meriton.
  • Do ta shohim, – iu përgjigj pa thënë asnjë fjalë më tepër. Por me vete bëri një betim, se do të bënte gjithçka për lumturinë e gruas dhe të vajzës. Me anijen, ku tashmë ishte bashkëpronar, merrnin karburant në shtetin fqinjë dhe e shisnin në qytet. Fitimet nuk ishin të vogla. U mëkëmb ekonomikisht. Zuri me qira një shtëpi të bollshme dhe mori me vete Norën dhe të bijën. Për dasmë nuk ishte kohë por as Nora nuk e zuri në gojë një gjë të tillë. Ajo që ndihej më mirë ishte vajza, tashmë plot tetë vjeçe. Në shkollë nuk e shanin më nën zë dhe ai epiteti i shpifur “kopile” ishte harruar. Nuk pranonte kurrsesi që në takimin mujor me prindër në shkollë, të vinte e ëma. Donte të atin, të cilit i përgjërohej çdo herë të mos mungonte. Sadiku, mezi i mbante lotët kur shikonte që e bija e tërhiqte nga mënga e xhaketës, duke e çuar të takonte çdo mësues, madje edhe pastrueset. Vetë ai, shkollën nuk e kishte dashur ndonjëherë. 
  • Edhe ato shtatë klasë me shkelma i kam bërë, se më detyronte im atë, – thoshte me të qeshur. 
  • Është babi im, është babi im, – i jehonte në vesh cicërima e së bijës netët e vështira pa hënë, kur i kapte furtuna në Kanalin e Otrantos, dhe dallgët ngriheshin mullar. Tashmë kishte lenë kontrabandën e naftës dhe merrej me transport klandestinësh. Të joshur nga fitimi, filluan të transportonin njerëz gjithë farë llojesh, drogë e armë. Anijen e peshkimit e shitën dhe blenë gomone të shpejtë e mjaft praktike për transport. Sapo shkarkonin mallin në bregun përballë, vendosnin me pilotin kursin, ndiznin motorrët dhe pa këmbyer një fjalë e ndalonin gomonen që fluturonte mbi ujëra në bregun tjetër, ku e prisnin gruaja dhe vajza e vogël. 
  • Një pjatë supë nga dora jote e kalon edhe restorantin më luksoz, – i thoshte së shoqes, kur e shihte duke gatuar. I pëlqente kur ajo shtronte mbulesën, pecetat, lugët e pirunjtë gjithë kujdes. I kishte munguar ajo tavolinë qysh fëmijë. Më shumë mbante mend të kishte ngrenë ushqimin në këmbë sesa ulur. Kurse tani…
  • Lere punën se do të na marrësh në qafë! Nuk kemi ç’i duam paratë, kur je çdo herë me qefin në kokë. Po merrni në qafë njerëz, – i thoshte Nora, kur dëgjonte se ç’thuhej lart e poshtë për skafistët.
  • Nuk jam si ata. Ne bëjmë vetëm transportin, nuk na duhet të tjerat. Qafsha ty! –  e gënjente sy më sy. 
  • Të shohim dhe ne dy ditë të bardha, – i drejtohej gruas në netët kur deti ishte i dallgëzuar e nuk mund të lundrohej. Nga i pabrekë e i pastrehë tashmë kishte një shtëpi të vetën, të mobiluar, vajza kishte dhomë të veçantë dhe së shpejti, do të blinte makinë me kilometër zero.
  • Ja dhe nja tri-katër rrugë sa të bëjmë ca lekë për t’i pasur mënjanë se nuk i dihet. Mos të vuajmë më si atëherë… Dua që jeta e Adjonës të jetë e bukur, – i thoshte Norës, kur ajo i lutej që ta linte atë lloj pune. 
  • Ja, kjo është rruga e fundit. Ke për ta parë që këtë herë do ta mbaj fjalën. Do të kemi aq para sa të blej një barkë të vogël peshkimi. Peshk ka sa të duash dhe unë di të gjuaj,- i tha atë natë Norës, që ia la ndërresat mbi divan. Rrinte larg duke u shmangur të mos e prekte, madje as ta shihte në sy.
  • Shkon ters po i takove njerëzit e familjes para nisjes edhe sikur të përshëndetesh me kokë apo të të thonë ‘’rruga e mbarë’’ ose “mirë ardhësh”. Ndryshe është e sigurt që diçka shumë e keqe do të ndodh gjatë lundrimit! – thoshin me bindje skafistët. Sadiku erdhi të merrte fenerin e dorës, që për dreq e kishte harruar. Në këto raste që ishin shumë të rralla, hapte derën, merrte ç’i duhej dhe dilte pa u përshëndetur me të shoqen. Kur ai largohej ajo ngrihej, dilte jashtë, shikonte një copë herë të mirë nga deti, kthehej, kyçte derën, i hidhte një sy vajzës që flinte, e puthte dhe shkonte edhe vetë të shtrihej. Ky rit kishte tre vjet që vazhdonte. I shoqi po dilte tinëz si zakonisht pa i folur, kur e bija iu hodh në krah. 
  • Ku do të shkosh kaq vonë o ba? Vetëm do të na lësh mua me mamin? Nuk e dinte e përkëdhelura e babit, që ai e bënte atë veprim gjithë javën. Kur ajo zgjohej mëngjeseve dhe ndodhte që ai nuk ishte kthyer, e ëma e qetësonte, duke i thënë se babi ka dalë herët për punë. Sadiku nuk duroi, e përqafoi dhe e puthi fort të bijën. 
  • Sot është kohë e mirë për peshkim se hëna del vonë dhe deti është i qetë. Në mëngjes, sa të dalë gjumi, hajde në dhomën tonë. Të premtoj se do të jem aty. Po u vonova do të vij të të marr në shkollë. Po akulloren? – pyeti duke e kapur nga faqet. 
  • Akulloren e dua me lajthi, – cicëriu vajza, duke e kapur batutën në ajër. 
  • Ah, mezi do ta pres mëngjesin, – tha e bija, kur u shtri në krevat. E zuri gjumi me buzëqeshjen prej engjëlli, duke pritur mëngjesin, babin dhe atë akulloren me lajthi. S`ëmës, që besonte fort, si i shoqi, bestytnitë për nisjen e skafeve iu drodh zemra, kur pa të shoqin të përqafohej me të bijën. 
  • Budallallëqe janë. Fjalë koti. E ç`lidhje ka një përqafim babë-bijë me detin e trazuar, defektet në motor, policinë apo rojën bregdetare? 

U shtri, por gjumi nuk e zuri deri në mëngjes. Filloi të kalonte në mendje të gjitha fatkeqësitë e ndodhura në det vitet e fundit: Vërtetohej në të gjitha rastet se dikush nga ekuipazhi ishte përshëndetur me gruan, dashnoren, me të afërmit para nisjes ose në rrugë i kishte uruar rrugë të mbarë. 

  • Hajt se rrëmojnë e rrëmojnë njerëzit derisa e gjejnë shkakun edhe kur ai nuk ekziston, – anonte mendja e gruas në favor të jetës.
  • Po pse erdhi? – pyeste përsëri veten. Pse nuk ndenji edhe ca në bilardo ose në klub me shokët e të vinte më vonë?

Ende pa zbardhur doli nga shtëpia. Deti vazhdonte të ishte i qetë. Hëna jo e plotë, që sapo kishte nxjerrë sqepin mbi kodrinat e qytetit i jepte një ngjyrë të zbehtë verdhacuke  sipërfaqes stërmadhe të ujit. 

  • Po kjo ngjyrë si fytyra e një të vdekuri, që ka marrë deti sot ç`të jetë vallë? – pyeti veten. Nuk i pëlqeu ajo ngjyrë e verdhë limoni… 

Tutje mbi ishullin e vetmuar ravijëzohej një re e zezë që lëvizte ngadalë drejt perëndimit, duke gëlltitur yjet që po shuheshin. Re të tilla ishin paralajmëruese të stuhive, por me kohë ajo u zhduk në qiellin që po merrte blunë e zakonshme. Pas pak nisi një puhizë e lehtë dhe era e jodit të guduliste flegrat e hundës. Ditë më të mirë për lundrim nuk mund të kishte. 

  • Po fle deti sot, po fle, – mendoi me shpirtin e lehtësuar. E ç’mund të ndodhte atë natë të qetë, me atë çerek hënëze të vonuar?
  • Se mos ka marrë pak shpirtëra deri sot kjo lubi në barkun e saj. Mbase është ngopur o zot! – foli me zë, duke parë edhe një herë sipërfaqen e ujit që nga e verdhë ishte kthyer në të florinjtë. Detin e kishte dashur ngaherë, jo vetëm se aty në bregun e tij ishte rritur dhe kishte mijëra kujtime, por edhe sepse peshkimi i kishte shërbyer familjes së saj si burim të ardhurash. Kur filloi transporti i klandestinëve ndryshoi mendim. Shpesh e përfytyronte si  përbindësh, që kur zemërohej, ngrinte valët sa një shtëpi, duke gëlltitur në barkun e vet anijet e vogla ngarkuar me burra, gra, djem e vajza. Kur yjet e fundit u shuan një e nga një dhe dita vendosi sundimin e saj të përkohshëm, diku larg u dëgjua uturima e motorëve të skafit, që vetëm veshi i njeriut të stërvitur mund t’i kapte.
  • Po kthehen si duket! E ç’qe gjithë ai merak i kotë, moj budallaqe! E gdhive në këmbë pa fjetur kot së koti, – iu drejtua vetes, duke buzëqeshur, e çliruar plotësisht nga ankthi i natës së gjatë. Kryqëzoi duart para gjoksit ende vajzëror, mori frymë thellë dhe u fut brenda.

        Dukej një agim i mrekullueshëm pas gjithë atij ankthi. Bëri dush, u fshi, parfumosi pjesët intime dhe u pa para pasqyrës. Supet e lakuara, gjoksi i plotë, i fortë, me thithkat e zgjatuara, barku i sheshtë, petë si i një adoleshenteje, kofshët e derdhura, vithet e kërcyera rrumbullake, për të cilat dikur bëheshin kurban djemtë e Skelës, fytyra e bukur por pakëz e lodhur, buzët e plota mishtore, e bën të kujtohej se ishte ende e re, e bukur dhe plot dëshira. U ndje mirë nga ajo që pa në pasqyrë, hodhi mbi trupin lakuriq një robdëshambër të hollë, u shtri mbi krevat, duke ëndërruar të shoqin me atë trup të fortë detari gjithë muskuj, me aromën e kripës së detit përzier me atë të jodit e të algave, që i pëlqente aq shumë dhe e dehte para se i shoqi ta prekte, pëshpëriti: Sot është një mëngjes për dashuri…

Sadiku, nuk u kthye atë mëngjes, as atë ditë, as të nesërmen, as të pasnesërmen, as atë muaj e as atë vit. Kishin mbërritur shëndoshë e mirë në bregun tjetër, zbarkuan njerëzit, ndezën motorrët në maksimum, bashkë me pilotin dhe me shoqëruesin, ishin drejtuar andej nga erdhën. Lajmi u vërtetua nga pohimet e të gjithë klandestinëve, që kishin mbërritur në bregun tjetër. Në netë të tilla, e shumta në orën katër të mëngjesit skafistët ishin në shtëpi. Nora, i tha së bijës që gjatë natës kishte shpërthyer stuhia dhe i ati me disa peshkatarë të tjerë ishin strehuar në një ishull grek dhe do të ktheheshin sapo deti të qetësohej. Zemra që i ndolli keq atë natë, qysh në nisje, dukej sikur do t’i kërcente nga gjoksi e do të dilte jashtë. Kaluan disa ditë dhe e kuptoi se të pakta do të ishin shpresat që ai të ishte gjallë. 

  • Ç’të gjeti moj fatzezë? – i drejtohej çdo ditë vetes. – Mirë se me të keqen je mësuar, por ç’t’u desh që u martove? Vetë ke bërë si ke bërë, me burrë dhe pa burrë, por kësaj kërthinje si do t’ia bësh? Isha aq rehat me veten dhe vajzën… – mendone hera-herës. Atëherë e dinte që nuk kishte burrë dhe e kishte të fjetur mendjen që çdo gjë do ta bënte vet. Po tani? Rojat bregdetare në të dy anët e kufirit patrulluan ditë me rradhë por nuk gjetën asnjë shenjë. Fillimisht Ada, e pyeste çdo ditë t`ëmën pastaj rrallë e më rrallë. Dikur ashtu e menduar, gjë e pazakontë për moshën e saj të njomë i pëshpëriti Norës:
  • Ma, o ma! Babi na braktisi sërish, ë? Po unë them se ai do të kthehet. Ke për ta parë! Gruaja u gjend shumë ngushtë. Nga mund t’i kishte lindur ajo pyetje që nuk kishte fare lidhje me të vërtetën? Nuk mendonte kurrë se në Skelën e vjetër, mbushur me baraka llamarine, pluhur e pocaqi, ku rakia, konjaku e fërneti pihej jo me gota por me shishe e kazanë, dikush do t’i thoshte të vërtetën vajzës. Këpucarë, mekanikë, peshkatarë, kamerierë, berberë e karrocierë, e përkëdhelnin, e përqafonin dhe i thoshin pothuaj të njëjtat fjalë:
  • Ende nuk të është kthyer babi? Mos u mërzit zemra e vogël se do të vijë. Dikush gjithë dashamirësi i dhuronte dhe ndonjë lek për ta shpenzuar.
  • Më mirë kështu, – mendonte Nora. – Le të mbajë shpresë se i ati do të kthehet një ditë, sa të rritet e të forcohet. Pastaj, sigurisht do t’ia them të vërtetën. Dalëngadalë ngjarja e Sadikut kaloi në plan të dytë. Pa u mbushur muaji ndodhi diçka tjetër, edhe më e tmerrshme. Një skaf me pesëdhjetë veta në bord, mori flakë sapo kaloi Kanalin e Otrantos. Vetëm tetë veta mundën të shpëtonin. Një sy i kujdesshëm vinte re se numri i grave dhe vajzave, veshur me të zeza, në qytet dhe në rrethina po rritej në mënyrë jo të zakontë. Kjo nënkuptonte që deti vazhdonte të merrte e të merrte jetë njerëzish. Krahas guaskave dhe leshterikëve, pas stuhive, në breg gjendesh hera-herës ndonjë kufomë njeriu. Në rrjetat e peshkatarëve mbushur  me peshk, ndodhte të gjendej dhe trupi i ndonjë fatkeqi. Lajmi në këto raste përhapej me shpejtësi deri në rrugicat e ngushta të periferisë së qytetit. Nëna dhe gra të reja, kredhur në të zeza vraponin atje ku flitej se deti kishte nxjerrë kufomën. Në dy raste që Nora shkoi, kufomat e shpërbëra e të fryra nga uji nuk ngjasonin fare me atë të të shoqit.
  • Zot! – mendonte. Si do ta kaloj gjithë jetën kështu, me një burrë as të gjallë, as të vdekur?

Më shumë i besonte një varianti që pëshpëritej nën zë. Thuhej se njëri prej anëtarëve të ekuipazhit që kishte shuma të mëdha lekësh borxh, kishte vrarë dy shokët dhe me gomonen e trastën me lekë të fituara atë natë ia kishte mbathur në Spanjën e largët. Fjalët vinin prej andej nga thuhej se ai jetonte, si ato letrat e nizamëve dikur, të rralla, pa zhurmë por të mbushura plot lot, dhimbje dhe vdekje. Për skelarët tashmë ajo ishte një grua e ve si shumë të tjera, që ua kishte marrë burrat deti. Me ndihmën e miqve të të shoqit, Nora, arriti të ngrinte diku një barakë, duke e përdorur si Bar-Kafe. Një pjesë të parave ia dhanë shokët e Sadikut dhe as që ia hodhën në sy. Kur Nora u tha se do t’ua kthente borxhin pasi të mëkëmbej pak financiarisht, ia prenë shkurt se paratë ishin të të shoqit që ua kishte dhënë borxh dikur.

  • Ku i dihet? – mendoi. -Ndoshta është e vërtetë, se ai i shkreti ishte i keq për veten, pa për të tjerët nuk kursehej.

Dikur, në një natë të gjatë dimri, ashtu gjysmë zgjuar e pa veten në krye të kortezhit që përcillnin të shoqin e vdekur, mbyllur në arkivol, drejt varrezave të qytetit. Pastaj iu bë se ishte në shtëpi, ku priste njerëzit për ngushëllimet. I doli gjumi por çuditërisht u ndje e lehtësuar. U ngrit, hodhi krahëve një pallto të vjetër të të shoqit dhe doli jashtë. Dy hapa larg ishte deti. Nuk mund ta shikonte, aq e thellë ishte errësira që kishte pllakosur. Qielli ishte i zi blozë dhe në të nuk dukej qoftë dhe një yll i vetëm. Gjithsesi e ndjente që deti ishte aty pranë si përherë. Dukej sikur sapo ishte zgjuar nga gjumi. Filloi të luante, duke shtyrë ato dallgëzat e vogla, që llapashiteshin e shkumonin në kreshtat e vogla të tyre, derisa shuheshin mbi rërën gri.  

Solli në mendje gjithë ato gra e nëna, që kishin pasur fatin e saj, që kishin humbur njerëzit e dashur në det. Të gjallët që kishin lënë pas e ishin pasuruar me paratë e tyre, jetonin në vila e kishin filluar biznese, madje u kishin ngritur dhe varre madhështorë, rrethuar me kangjella e lule. Më të shumtët kishin mbetur trokë e nuk mundnin t’u ndërtonin një varr të thjeshtë. Këta ishin dy herë të mjerë: nga varfëria që ishte bërë pjesëtare e familjes dhe zija e përjetshme për birin, burrin apo vëllanë e humbur në atë betejë absurde për t’u pasuruar… 

-Eh, kështu janë të gjithë në këtë qytet! Nuk ka njeri pa halle në këtë botë e halli hallit nuk i ngjan. Sikur të ishte pak më ndryshe! Por si duket ky do të jetë fati ynë, gjithë jetën, nën frikën e të nesërmes së pasigurt. Ta kem mirë atë vajzë sa të rritet, e t’i bëj yzmetin dyqanit… Ra në paqe me veten, duke pranuar përfundimisht që ashtu ishte shkruar fati i saj. Hyri brenda, mbylli derën me dryn, kaloi në dhomën e së bijës dhe e puthi siç bënte gjithmonë. Larg, shumë larg, thellë nga mjegulla e zezë sterrë dëgjoi zhurmën e njohur të motorrëve të skafit. I dukej sikur vinin nga një botë tjetër e panjohur.

  • Po kthehen. Ndoshta të gjithë që kanë shkuar po kthehen shëndosh e mirë, e nuk kanë fatin e burrit tim! – mendoi. Si duket e keqja nuk do të ndalej. Veç fatkeqësive dhe avarive në det, kishte filluar lufta midis grupeve, që drejtonin trafikun dhe çdo javë do të kishte të vrarë e të plagosur madje djem ende të mitur. Ishte si një mallkim që po pllakoste qytetin. Por kjo nuk kishte të bënte me fatin e saj tashmë vejushë, me një fëmijë për të rritur. Hapi pak perden e dritares, zakon i vjetër ky, që kur i shoqi ishte gjallë.  Dalëngadalë hapsira qiellore e pa anë, po ngjyhej me një të kuqe të purpurtë e që vende- vende kishte ngjyrën e gjakut. Disa re, që rrekeshin midis ngjyrës së errët që po ikte dhe të kuqes që po zotëronte gjithandej, filluan të lëviznin drejt faqeve të kodrinave përballë. Po lindte një ditë e re, me pak gjasa për të qenë e bukur.

Filed Under: ESSE

Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane e Teksasit do hapë shkolla shqipe në qytetet Austin, San Antonio dhe Houston

September 14, 2023 by s p

AACC Texas/

Të dielën, më 10 shtator 2023, në mbledhjën e radhës të Bordit Drejtues të Komunitetit Shqiptar Amerikan në Dallas/Fort Worth, TX në mënyrë unanime mori vendim për hapjen e degëve të Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane të Teksasit në të gjitha qytetet kryesore si Austin, San Antonio dhe Houston. Po ashtu, ju njoftojmë se në kuadër të këtyre degëve të Qendrës tonë për herë të parë do të hapen Shkollat Shqipe në Austin, San Antonio dhe Houston, ku mesimi i gjuhës shqipe do të mësohet brenda Qendrave të Komunitetit Shqiptar ne secilin qytet. Fëmijët tanë në Austin, San Antonio dhe Houston do të kenë mundësinë e njejtë të mësojnë gjuhën tonë të shenjtë shqipe sikur se fëmijët në Dallas/Fort Worth.

Kjo iniciativë e Kryesisë dhe Bordit Drejtues për herë të parë në historinë e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe jo vetëm, do të bashkojë të gjithë Komunitetin Shqiptar Amerikan në shtetin e Tekasit në një organizatë të vetme. Në këtë menyrë bashkëkombasit tonë nga të gjitha qytetet e Teksasit do kanë mudësinë ti ndajnë në mes tyre përvojat dhe ekperiencat e tyre në fushën e arsimit, kulturës, artit, lobimit, financave, ekonimisë, dhe jo vetem.

Ftojmë të gjithë bashkëkombësit tanë në Austin, San Antonio dhe Houston që janë të interesuar të japin kontributin e tyre në këtë iniciativete.

Na prift e mbara!

Ju faleminderit,

Kryesia dhe Bordi Drejtues i AACC Texas

Filed Under: Opinion

“Sistemi politik zgjedhor amerikan”

September 14, 2023 by s p

“Sistemi politik zgjedhor amerikan”.

Filed Under: Vatra

“Dëgjoni zërat tanë”

September 14, 2023 by s p

“Dëgjoni zërat tanë”.

Filed Under: Komunitet

Parathënie dhe pasthënie e librit “Amerika në Pasqyrë” me autor studiuesin dhe publiçistin shqiptaro amerikanë Klajd Kapinova

September 14, 2023 by s p

Tomë Mrijaj, New York*/

Kur autori Klajd Kapinova, më dërgoi dorëshkrimin e ri: “Amerika në pasqyrë” dhe pasi u njoha me të, mendova se një libër i tillë është i domosdoshëm për lexuesit shqiptarë kudo që ndodhen. 

Në realitet, pasqyrat kanë lidhje jetike me zhvillimin tonë dhe ndjenjën e vetvetes. Shumë prej tyre (njerëzve) ka të ngjarë të kalojnë gjithë jetën e tyre, pa parë kurrë reflektimet e tyre historike.

Në shoqërinë perëndimore dhe më gjerë, pra, njerëzit, që duken shumë shpesh në pasqyrë konsiderohen përgjithësisht të kotë ose krenarë. E njëjta gjë ndodh edhe me politikat negative apo pozitive të qeverive, të cilat në shumë raste nuk e shikojnë vetën në pasqyrë, pra historinë e tyre ndër shekuj, për të parë dhe bërë bilancin pozitiv dhe negative të evolucionit të tyre në shumë drejtime.

Dihet, se shqiptaro-amerikanët e kanë prejardhjen e tyre nga territoret me një popullsi etnike shqiptare në Ballkan, atje ku ata kanë lindur dhe rritur. 

Qysh nga koha kur vendosen emigrantët e parë këtu (Wayne County – MI,  Pennsylvania, Boston – Mass.) dhe u zhvendosen për vende pune dhe banimi me të mira, në pjesë apo territore të tjera të shtetit apo sërisht shtetëve e qytetëve të tjera të SHBA-së, informacioni apo hulumtimet për historinë e tyre ka qenë i pakët dhe shpesh edhe jo i saktë. 

Kështu sipas hulumtimeve të autorit Klajd Kapinova në librin e tij të ri, mësojmë se nuk është realisht Kol Kristofori, shqiptari i parë që shkel në tokën amerikane, por ai është i treti: “Shtetasi i parë shqiptar kalimtar, që u vendos si emigrant në Amerikë në vitin 1876, ishte nga Korça, emri i të cilit nuk dihet, i cili më pas, për arsye të panjohura ndërroi destinacion (vendbanim dhe shtetësi), duke shkuar në shtetin spanishtfolës të Argjentinës, në Amerikën e Jugut. 

Shqiptari i dytë, që shkeli tokën e bekuar të Amerikës, në nëntor të vitit 1877, ishte kleriku katolik, personaliteti i shquar i botës shqiptare Abati i Mirditës imzot Prend Doçi, i cili nuk erdhi këtu si emigrant ekonomik apo politik. 

Ai kishte ardhur si misionar-prift katolik. Në vitin 1877, ai u dergua (transferua) si misionar shpirtëror katolik përtej Oqeanit Atlantik, falë ndërhyrjes direkte të Profesorit të shquar të Teologjisë dhe Filozofisë, (pranë Propagandës Fide) Eminenca e Tij Cardinal Giovanni Simeoni. 

Ai e kishte mik meshtarin dhe abatin shqiptar, të cilin për t’a fshehur nga kërcënimet e vazhdueshme të Perandorisë Otomane, u dërgua menjëherë në Bregun Perëndimor të Amerikës, në ishullin kanadez Newfoundland, në territorin ameirkan ose më saktë në Qarkun Wayne (Wayne County (Warren-Dearborn), Detroit, Michigan, US), i cili asokohe dhe sot është qarku me besimtarë katolik më i populluar në shtetin amerikan të Miçiganit, Pensilvania (Pennsylvania) dhe territory kanadez New Brunswick (Nouveau-Brunswick), ku shërbeu si misionar për katër vjet, deri në vitin 1881. Prelati ynë jetoi edhe në Kanada, duke qenë asokohe shqiptari i parë, që shkeli këtë territor si misionar katolik.

Shqiptari i tretë, që shkeli këtu ishte Kolë (Nikolas) Kristofori nga fshati Katund i Korçës, i cili arriti këtu në vitin 1878. Për Kolën, fatkeqsisht nuk ka shumë informacion, se kur lindi dhe ndërroi jetë, ku banoi dhe cilat ishin punët, që ai bënte, për të mbijetuar në dheun e huaj deri sa bëhet pop ose prift ortodoks. Ai është emigranti i parë shqiptarë, që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet, sipas dokumentëve asokohe të zyrës së emigracionit amerikanë… 

… Sipas një broshure të vogët me disa faqe (libërth), me autor shqiptaro-amerikanin Konstandin Demo (me parathënie nga peshkopi orthodoks imzot Fan Stlian Noli (1882-1965) dhe përkthyer në anglisht nga prof. Peter Prifti (1924-2010), shohim se ai jep aty disa të dhëna interesante mbi historikun e emigracionit shqiptar në Amerikë.

Ai pasi pershkruan organizmin dhe programin e komunistëve amerikanë, rrëfen se: “Në vitin 1956, mbështetja për pushtimin sovjetik të Hungarisë dhe zbulimi i krimeve të Jozef Stalinit në fjalimin e fshehtë të Nikita Hrushovit, në Kongresin e 20-të të Partisë Sovjetike, çoi në dezertime masive nga CPUSA.”

Edhe pse komunistët mbajtën poste drejtuese në disa organizata kundër Luftës së Vietnamit, gjatë viteve 1960-1970, ata ushtruan pak ndikim në lëvizjen punëtore të SHBA-së. 

Kundërshtimi i saj ndaj Planit Marshall dhe Doktrinës Truman dështoi të fitonte tërheqje dhe kandidati i tij i miratuar Henry A. Wallace i Partisë Progresive nuk performoi keq në zgjedhjet presidenciale të vitit 1948.

Në të vërtetë, jeta na ka treguar se ide të tilla, me garniturë të pasur dhe të shumëllojshme boshe marksiste dhe anarkiste, fshehin shpesh herë synime ideologjikë primitive karakteristikë origjinale për sistemet komuniste, të cilat shpesh herë shoqërohen me aksione të dendura kriminale (sikurse ndodhi në verën e vitit 2020, kur ato dogjën SHBA-në), mbasi drejtuesit e institucioneve fatkeqsisht duan me çdo kusht vetëm ruajtjen dhe sundimin e fuqishëm të kolltukut të rehatshëm të pushtetit të përhershëm…

Historia e Amerikës, fillon me migrimin e njerëzve në këto zona nga kontinenti i largët i Azisë, gjatë kulmit të epokës akullnajaore. Këto grupe, përgjithësisht besohet se kanë qenë të izoluar nga njerëzit e Botës së Vjetër deri në ardhjen e evropianëve në shekullin X nga Islanda e udhëhequr nga Leif Erikson, dhe më pas në vitin 1492 me udhëtimet e famshme zbuluese të lundërtarit epokal italo-spanjol Kristofor Kolombi (Christopher Columbus).

Paraardhësit e popujve indigjenë të sotëm amerikanë, ishin paleo-indianët. Mësohet, se ata ishin gjuetarë-mbledhës, që asokohe migruan në drejtim të Amerikës së Veriut. Popujt e vegjël për mbijetesë, ndoqën megafaunën si bizonët, mamuthët (tani i zhdukur) dhe karibut, etj. 

Sipas historianëve të lashtësisë, mendohet se grupe njerëzish mund të kenë udhëtuar gjithashtu në drejtim të Amerikës së Veriut, përgjatë bregut verior të Oqeanit Paqësor.

Libri në fjalë, shpaloset fuqishëm si një panoramë e disa temave aktuale të rëndësishme të historisë së SHBA-së, të cilat autori falë hulumtive disa vjeçare dhe njohurive të reja bashkohore të zhvillimeve politike këtu, duke e gërshetuar pendën me përvojën e vet si gazetar dhe studiues i komunitetit shqiptaro-amerikanë, ka trajtuar me shumë përkushtim dhe kujdes lidhjet e ngjarjeve të së shkruarës me ditët tona. 

Pas udhëtimeve të Kristofor Kolombit në vitin e famshëm 1492, ekspeditat koloniale spanjolle dhe më vonë portugeze, angleze, franceze dhe holandeze arritën në Botën e Re, duke pushtuar dhe vendosur tokat e zbuluara në rrugën e ndryshimit, gjë që çoi shekull mbas shekulli në një transformim të shpejtë të peizazhit kulturorë dhe fizik në Amerikë. 

Nga historia mësojmë, se Mbretëria e Spanjës, kolonizoi pjesën më të madhe të Amerikës së sotme Jugperëndimore, Floridën e portokalleve dhe Karaibet ekzotike deri në skajin jugor të Amerikës së Jugut, kurse Portugalia, u vendos në atë që është kryesisht Brazili i sotëm, ndërsa Anglia (si zotëruese e deteve dhe e 92% e kolonive të botës), asokohe krijoi koloni në bregun lindor amerikan, si dhe në bregdetin e Paqësorit të Veriut dhe në pjesën e Kanadasë. 

Nga ana e tjetër, sërisht Franca egoiste u vendos me forcën e armëve si koloni në Quebec dhe pjesë të tjera të Kanadasë Lindore dhe gjithashtu pretendoi një zonë në atë që sot quhet si pjesa Qendrore e Shteteve të Bashkuara, ndërsa shteti tjetër kolonizator europian Holanda e tulipanëve, u vendos në New Netherland (qendra administrative New Amsterdam, sot njihet si New York), disa ishuj të Karaibeve (Amerika Qendrore) dhe pjesën tjetër të Amerikës së Jugut dhe Veriore.

Si epilog, si akt i fundit, kolonizimi total evropian i Amerikës, nga ana e tjetër çoi në rrafshim total në fillim të kulturave etnike vendase të grupeve të ndryshme të indianëve amerikanë (Native America) dhe me pas shekull mbas shekulli e brez pas brezi filloj ringritjen e re të kulturave, qytetërimeve dhe përfundimisht nisi krijimi nga e para të shteteve të reja, të cilat rezultuan dora-dorës nga shkrirja e traditave, popujve dhe institucioneve miks: vendase amerikane, evropiane dhe afrikane.

Transformimi apo evoluimi i shpejtë i larushisë së kulturave të shumëllojshme amerikane, përmes kolonizimit, është i shfaqur me gjurmët e saj të dukshme si në arkitekturë, fe, gastronomi, veshje, arte dhe veçanërisht në gjuhë, ku më të përhapurit dhe më të përfolur sot janë gjuhët e tilla si: spanjishtja, anglishtja dhe portugalishtja.

Periudha koloniale katastrofike për popujt fatkeq të pushtuar, zgjati afërsisht tre shekuj (shekulli XVI-XIX), kur Brazili dhe kombet më të mëdha amerikano-hispanike shpallën pavarësinë nga kolonizatorët europianë. 

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fituan pavarësinë nga Britania e Madhe shumë më herët, në vitin 1776, ndërsa shteti fqinj verior Kanadaja, fitoi pavarësinë ligjore në vitin 1931.

Për botën shqiptare të interesuar për jetën dhe zhvillimet e shpejta amerikane, në një këndvështrim të ri, vepra e re shkrimore e dalë në qarkullim është e mirëseradhur, për të ditur realisht sa më shumë për kontinentin e Amerikës së Veriut dje dhe sot, dhe në veçanti për evolucionin e historisë pa retushime pozitive dhe negative të SHBA-së, e cila njihet sot fatmirësisht si kampione e zhvillimeve përparimtare dhe demokracisë botërore në shumë drejtime. 

Por, nga ana e tjetër, gjithsesi kjo nuk do të thotë se gjithçka këtu ecën si vaj, mbasi si kudo në shtetet e ndryshme të botës, edhe në SHBA, historia zbulon se kemi ngritjet dhe uljet, të shoqëruar shpesh me bilancë humbjesh dhe fitoresh. 

Shoqëria dhe politika jonë amerikane, janë thellësisht të ndara sipas linjave politike, gjeografike dhe ekonomike, ku gjerat janë përkeqësuar më shumë pas vitit 2021 dhe në vijim sot.

Nëse tani kemi frikë nga ndarja sociale dhe kulturore, ne nuk mund të harrojmë se kombi ynë u rikthye e unifikua me bashkim, pas një Lufte të tmerrshme Civile, disa shekuj më parë, e cila si luftë gjaksore dhe vllavrasëse krijoi më shumë se 600,000 viktima amerikanë. 

Kujtojmë, se kombi amerikan, ishte gjithashtu thellësisht i ndarë në vitet 1970 mbi çështjen apo skandalin e madh politik të Watergate, që përfundoi me dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon, në vitin 1974. 

Edhe pse ky është libri i parë i kësaj natyre, autori arriti të dëshmohet si një hulumtues dhe studiues i zellshëm, me një aftësi të veçantë të vëzhgimit dhe një bazë të madhe faktografike historike, duke përdorur një gjuhë të pastër dhe të kuptueshme për çdo lexues.

Leximi dhe rileximi i një vepre, është veprim pasionant, sepse ngjall dhe rikujton të kaluarën, duke e mbajtur të fortë e të lidhur me historinë e vet, duke i nxjerrë në shesh apo pasqyrë të vërtetat historike dhe gjetjen e rrugëve për të shpëtuar çka është e mundshme ose për të ruajtur dhe gjetur atë që ka mbetur, për të kujtuar të kaluarën dhe të ardhmen që besojmë. 

Dhe në mbyllje

Historia e ishujve Filipine dhe pushtimin nga SHBA; Amerika si polic i botës dhe 400 ndërhyrje ushtarake të saj; Manovrat politike të Barack Hysen Obamës, për të fituar Çmimin Nobel për Paqe (2009); Bilioneri Elon Musk dhe shkaktarët e luftës mes sllavo-ortodoksve Rusi-Ukrainë; BLM si gënjeshtra më e madhe; Pse NATO dhe regjimi Biden kërkon të hyj në luftë me Rusinë supërfuqi!?; Një vështrim pozitiv mbi kongresmenen e pamposhtur republikane Marjorie Taylor Greene; Si u rrit pasuria e Anthony Faucit në miliona dollarë; Zgjedhjet në Shqipëri (2023), si kopje e modelit të votimeve manipulative presidenciale nëntor 2020 në SHBA etj. 

*Botuar me shkurtime.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT