• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

Rezoluta 648 e Kongresit riafirmon partneritetin e Amerikës dhe Kosovës – mbështet njohjen e saj

September 9, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Në Seancën e Parë të Kongresit 118 u paraqit Rezoluta 648 për Riafirmimin e Partneritetit të Ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.

Rezoluta e prezantuar nga Kongresisti i Nju Jorkut Torres, deputetet Slotkin dhe McClain të Miçiganit në katër shtator parashtron qëndrimet dhe arritjet në shumë fusha të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe rrjedhimisht e quan “të arsyeshme vazhdimësinë e partneritetit të ngushtë të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës dhe se edhe më tutje Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin njohjen e Kosovës si shtet sovran, të pavarur, demokratik, multietnik brenda kufijve të njohur të saj.”

Përmbajtja e rezolutës bën renditjen e arritjeve, bashkëpunimit dhe synimeve afatgjata dhe frytdhënëse për vendet tona në të mirë të interesave afatgjata kombëtare amerikane për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor dhe integrim të mëtejshëm të rajonit në bashkësinë e shteteve demokratike Euro-Atlantike. Rezoluta i referohet njohjes nga ana e Shteteve të Bashkuara e pavarësisë së Republikës së Kosovës në 18 shkurt 2008 dhe zotimit për të qenë edhe më tej një mik i afërt dhe partner i saj, duke cilësuar se “marrëdhënia e Amerikës me Kosovën mbështetet në të njëjtat vlera dhe institucione demokratike, raportet njerëzore, të drejtat e njeriut, dhe orientimi drejt paqes ndërkombëtare e sigurisë, dhe fuqizimit ekonomik. Në vazhdim, teksti vë në dukje se lidhja Amerikë Kosovë ka kultivuar bashkëpunime të vlefshme në shumë fusha përfshirë sigurinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Për sa i takon fushës ushtarake, aty thuhet se “Garda Kombëtare e Ajoa (Iowa) nëpërmjet Programit të Partneritetit Ndërshtetëror, koordinohet me Forcën e Sigurisë së Kosovës (KSF) veç forcave amerikane të inkuadruara në NATO si pjesë e KFOR-it në të mirë të sigurisë rajonale dhe bashkëveprimit. Në lidhje me investimet përmendet nënshkrimi i kontratës pesëvjeçare midis Korporatës Sfida Mijëvjeçare dhe Republika e Kosovës për $202 miljonë dollarë vitin e kaluar për të zgjeruar dhe përmirësuar sektorin e energjisë në Kosovë për ta bërë atë më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës, dhe më ekonomik, “Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 1 miliardë dollarë në ndihma për Kosovën që nga koha e pavarësisë,” shkruhet në Rezolutë. Nga ana e vet, Amerika vlerëson ndihmën e Kosovës me refugjatët afganë në vitin 2021. Kosova është vendi më pro amerikan në Evropë me 81 për qind të popullsisë në favor të Shteteve të Bashkuara. Amerika ka luajtur rol kyç në mbështetje të aspiratave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO etj. dhe “do të vazhdojë të jetë nxitëse për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur krahas me integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.

Rezoluta 648 e prezantuar nga anëtarët e Kongresit Torres, Slotkin dhe McClain i është përcjell Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. https://www.congress.gov/…/house-resolution/648/text…

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

Shkolla shqipe në Wesseling dhe Brühl pjesëmarrës në “Fest der Nationen” në Frechen!

September 9, 2023 by s p

Etleva Gërbi Mançe/

Dielli ndriçoi, ne shkëlqyem!

Një falënderim për të gjitha nxënëset dhe angazhimin e prindërve të Frechenit, familjet Rafuna dhe Rama, në veçanti Nicole dhe komunitetit shqiptar të Frechenit, që edhe pse nuk janë pjesë e shkollës shqipe kontribuan sot me ne!

Një falënderim për prinderit dhe nxënëset e shkollës shqipe Wesseling dhe Brühl, familjes Gashi, Alili, Kastrati, Bakolli dhe Suzanes që u bënë pjesë e këtij aktiviteti!

Një extra falenderim për nxënëset Erblina, Diona, Sumea dhe Flutra nga Euskirchen, që morën një rrugë jo të shkurtër për të qenë pjesë e jona, në veçanti Lavdije T Bytyqi dhe Mevlude Syla, faleminderit nga zemra!

Një BRAVO për nënat që e mbushen tavolinën me ushqime tradicionale dhe një super bravo për nxënësen e shkollës shqipe Olgeniten, që kishte gatuar trilecen më të mirë në botë!

Kështu u mbledhshim përherë dhe kudo!

Filed Under: Emigracion

Vëllezërit Lucaj dhe shoqëria Trieshjane grumbulluan fonde për rrugën e Gozdecit

September 9, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Restorantin Tesoro D’Italia 160 Marble Avenue Pleasantville NY, 10750, vëllezërit e nderuar Lucaj, Tony Dedivani shtruan një darkë me shoqërinë Trieshjane. Qëllimi i këtij tubimi ishte sa patriotik po aqe dhe njerëzor. Të ndihmosh Atdheun në nevojë dhe familjen është një nga detyrat më të bukura dhe më prekëse. Vëllezërit Lucaj nuk e kanë për herë të parë për tubime të tilla.

Fushata ishte për ngritjen e fondeve për ndërtimin e rrugës së Gozdecit, pasi Gozdeci eshtë i vetmi fshat në Malesi të Madhe pa rrugë automobilistike.

Fshati Gozdec është afër zonës së Trieshit i cili është shumë i dëgjuar për kishën e saj më të vjetër në Budëz, por deri në shekullin e 17-të ishte në gërmadha. Pjetër Bogdani shkruan në vitin 1672 se famullia nuk kishte prift dhe kishte nevojë për misionarë dhe mësues shkolle. Kisha e Trieshit në atë periudhë kishte një regjistër që nga viti 1753, data më e hershme e konfirmuar e përdorimit të ndërtesës. Informacioni për famullinë e Trieshit në vitin 1745 është gjithashtu informacioni më i hershëm i saktë mbi figurat e popullsisë së fisit. Asokohe kishte 84 familje me 580 besimtarë katolikë.

Zakonet funerale të Trieshit si ato të Malësisë në përgjithësi përfshijnë vajtimin (gjamën) të të ndjerit në mënyrë kolektive nga një grup burrash (gjamatarë).

Bujaria dhe urtësia e vëllezërve Lucaj bënë që të shtronin darkën për të pranishmit dhe me respekt vëllazëror mblodhën fonde në këtë nismë bamirësie.

Vellezerit Lucaj janë dalluar për fushtata për ngritjen e fondeve, si për kanndidat për kongresist, senator apo politikanë të dryshëm.

Familja Lucaj, është një familje e njohur e Trieshit, për çështjen kombëtare. Gjyshi i tyre është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhrin “Kalorsi i Skëndërbeut”.

Në restorantin e tyre kane drekuar gjithashtu Presidenti Clinton, Hillary Clinton dhe shkrimari i famshëm amerikan James Patterson.

Në këtë tubim për mbledhje fondesh morën pjesë aktivistë të mirënjohur në Komunitet si gazetari i shquar i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikan z. Mhill Velaj, Zeke Kalaj një donator i vecantë i komunitetit, Shaqir Gjokaj kryetar i Shoqatës “Malësia e Madhe”, Vase Ulaj, Nikoll Juncaj, Prend Qeta, Kole Cacaj etj.

Me plot dashamirësi dhe kulturë mori pjesë dhe Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. e perfaqësuar denjësisht nga z. Faton Zogiani anëtar i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës. Z. Zogiani në fjalën e tij tha se udhët e Atdheut duhen rregulluar dhe në emër të shoqatës do të japim një shumë simbolike që dhe vëllezërit tanë të kenë mundësi të jetojnë si gjithë të tjerët. Unë e cmoj shumë patriotizmin tuaj dhe si student i Kosovës e kam ndjerë nga afër solidarizimin vëllazëror të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona dhe globit, përfshire dhe Malësinë e Madhe. Ne e pranuam me shumë dëshirë këtë ftesë pasi është një bamirësi që duhet ta bëjmë për Atdheun tonë.

Ne kemi grumbulluar një shumë simbolike dhe urojmë që ajo rrugë të shtrohet si dhe cdo pëllëmbë tokë shqiptare të begatohet. Nga Shoqata “Skënderbej” kishin ardhur anëtaret e saj si Faton Zogiani, Elisa Qehaja, Esat Seci, Lulzim Nika, Doris Zefi, Selim Kortoci, Fatbardha Xama, Hysenim Xama, simpatizanët si Prek Nilaj dhe Ndok Nilaj, pra një grup i konsiderueshëm.

Tubime të tilla nga njerëz atdhetarë e shtojnë dhe më shumë përparimin e Kombit si dhe unitetin midis shqiptarëve.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kozeta Keze Zylo

Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu nderon Ali Pashë Tepelenën

September 9, 2023 by s p

SONY DSC

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot në një ditë shtatori me gumëzhitje nxënësish në oborret amerikane, kishja një ndjesi të mrekullueshme, tejet frymëzuese kur në mëngjesin rutinë pashë foton e hedhur nga 

znj. Shqipe Biba pranë monumentit madhështor të Ali Pashë Tepelenës.  

Para meje u shfaqën madhërishëm Pashallëku i Janinës, i Jugut ku sundimtari Ali Pashë Tepelena që i vuri kufirin tek thana Perandorisë më të madhe botërore në atë kohë Sulltanit, po aq dhe Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu që bashkë me Ibrahim Rugovën dhe UCK-në i thanë stop gjenocidit serb dhe hitlerit të ballkanit sllobodan milloshevic.  

Historitë ngjajnë ndaj dhe shkruhen dhe bëhen frymëzim.  Si shqiptare aktive në Diasporë, por mbi të gjitha si qytetare e lindur në Tepelenë m’u ngazëllye shpirti, kur pashë një President të Kosovës pranë Ali Pashë Tepelenës shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike, zonja Nezafete Sejdiu, znj. Shqipe Biba aktivistja e shquar e Kombit, themeluesja e Organizatës “Motrat Qiriazi”, dhe bashkëshorti i saj z. Safet Biba një tjetër atdhetar i flaktë.  

Pra sot ne Tepelenë, pranë monumentit të Ali Pashë Tepelenës nderuan një ndër figurat më të rëndësishme kombëtare, Burri i ndritur i Kombit prof. Dr. Sejdiu bashkë me familjen e tij atdhetare.

Ndërsa pashë foton si një vullkan i fuqishëm më erdhën plot ngjarje historike, por e pamundur të ndahesha nga kënga labe që e kam në indet e shpirtit kur i këndojnë Aliut si psh grupi i Fterrës në Sarandë si: 

Ali Pasha i kalave,

Që mbete nëpër legjenda,

E kish rritur balli i grave,

Hankua nga Tepelena.

Burri shqiptar i Kosovës erdhi pa bujë në Tepelenë, thjesht, plot dashuri dhe respekt për historinë kombëtare.  Natyrshëm po ta dija do ta kishim mirëpritur Presidentin Sejdiu ashtu siç respekton populli i Tepelenës, do i kishin dhuruar lule nxënësit, sepse ka një jetë në auditoriume, do ishte mirëpritur nga Bashkia e Tepelenës si President i Kosovës pas Ibrahim Rugovës Gandit të shqiptarëve.  Qershia mbi tortë do të ishte një këngë labe që aq shumë këndohet në festa, dasma, sidomos kur e intepreton super artisti Ylli Baka, por po aq këndshëm më vjen dhe zëri shoqërues i Shqipes si: 

Koka në Stamboll, 

Trupi në Janinë, 

Të shtrinë Ali Pasha, 

O Pasha të shtrinë.

Se një varr i vetëm,

S’ta nxë dot lavdinë,

Të shtrinë Ali Pasha,

O Pasha të shtrinë.

Ja aty pranë Sundimtarit të Janinës, që e ruajti me nder e lavdi (që sot mjerisht është në duart e Greqisë), erdhi Presidenti Sejdiu.  Ali Pashë Tepelena që i ka sytë nga Beçishti, vendlindja e tij dhe e të parëve, Hysot, duket sikur kundron Vjosën lumin më të egër në Europë si dhe urën e famshme të Beçishtit, erdhi pranë tij një atdhetar që luftoi për mbrojtjen e Kosovës.  Ali Pashë Tepelena luftoi kundër hordhive turke, donte të bashkonte principatat shqiptare, por e pamundur, ndërkohë dhe presidenti Sejdiu gjithmonë ka thënë se zgjedhja ideale për Kosovën do të ishte bashkimi me Shqipërinë.  Formula ime sot, nesër edhe pasnesër është që: Zgjedhja ideale për shqiptarët do të ishte bashkimi.  

Kam pasur fatin ta takoj në zyrën presidenciale që në vitin e parë të Lirisë në Kosovë, më 2008, kur Presidenti Sejdiu ishte në detyrë.  

Takimi me Presidentin e shtetit më të ri në botë, z.Fatmir Sejdiu, ishte një takim i përzemërt, miqësor, një takim që i shprehnim mirënjohjen dhe dashurinë e pakufishme për Kosovën, popullin e saj, dhe burrin e madh të Kombit shqiptar, Ibrahim Rugovën.

Mbi oxhakun përballë zyrës, shndrisnin dy simbolet e Kombit shqiptar: Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza!

Presidenti Sejdiu është shumë i vlerësuar dhe respektuar në bazë të meritave të tij.

Arizona State University (ASU) promovoi për herë të parë ndarjen e Çmimit: 

“Distinguished Global Leadership” (Lidership Global i Dalluar) duke e dhënë këtë çmim për Presidentin e Republikës së Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiun. 

Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike, historike dhe juridike kushtetuese. Është autor librash të veçantë nga këto fusha.

Dr.Fatmir Sejdiu punoi si profesor në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.

Prof. Dr. Fatmir Sejdiu ka lindur, më 23 Tetor 1952 në Pakashticë të Podujevës.  

Presidenti Sejdiu rrezaton një kulturë të lartë komunikimi, të imponon një respekt të veçantë.

Presidentja e tanishme e Kosovës znj. Vjosa Osmani ka qenë shefe e kabinetit të Presidentit Sejdiu.

I kam lexuar shkrimet, dëgjuar nëpër intervista, por ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje ka qenë modestia me kokën plot.  Kemi shumë se ç’të mësojmë nga këto figura të shquara kombëtare.

Ne kemi qenë shumë të nderuar si TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që kur festuam 13 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një koncert artistik në Online në kohë pandemie ai përshëndeti nga Kosova.  Ndërsa mbesa e tij, nxënëse pranë kësaj shkolle Yllza e bukur dhe e mençur intepretoi poezinë e shkruar nga gjyshi.

Presidenti Sejdiu së bashku me familjen e tij, erdhi si Shqiponjë nga Kosova në Tepelenë, në Jugun e vendit, erdhi dhe nderoi Ali Pashe Tepelenën për të cilin kanë shkruar shkrimtarë të shquar botërorë si Hygoi që e krahason me Napolon Bonapartin.

Në ‘Kujtime’ Ismail Bej Vlora shkruan “Pas një qëndrese burrërore Ali Pashës, Luani i Janinës, iu pre koka”. Në Enciklopedinë e tij Sami Frashëri thotë:  “Mençuria, zgjuarsia, shkathtësia, aftësia politike dhe shpirtmadhësia e Ali Tepelenës kanë habitur Europën. 

Ai i tha Sulltanit “Ndal se Shqipëria ka Zot.” 

Noli na thotë: “T’u shenjtërofshin kockat o Ali, se vetëm ti dije si t’u përgjigjeshe shqiptarëve të cilëve u pëlqen mëndja e tyre”.

Ndersa Faik Konica nje korife tjetër i letrave shqipe për Ali Pasha Tepelenën 

në shkrimin titulluar “Ali Pasha i Tepelenës”, në shkurt 1902 në gazetën “Albania”, duke qortuar shqiptarët që shanin Ali Pashën, thekson:

“E pse të zemërohemi me zaptijet e mjerë që nuk e kanë kuptuar Ali Pashën? Për të njohur mirë jetën dhe punët e Ali Pashës duhen studjuar nja dhjetë libra inglisht, nja pesë a gjashtë greqisht dhe nja tre a katër frëngjisht, të cilat flasin për të… Vetëm një gjë duam t’u themi këtyre poturakëve: – Nuk themi se ju jeni shqiptarë të liq, por për emër të Perëndisë pse doni të gjykoni punëra që s’i dini?!”

“…Eshtë turp, në një kohë ku kombi shqipëtar zuri të pendohet për pa-udhësit’ e shkuara, në një kohë ku armiqtë tanë na bërtasin për ditë në faqe t’Evropës se kurrë nukë jemi përpiekur për lirimin t’onë, është turp, thom të ndodhen njerëz të lindur Shqipëtarë qi përpiqen të pakësojnë fytyrat  qi i dhanë çkëlqim Shqipërisë, në vënt që të përpiqen  të rëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.

Është vërtet se, kur mendohem se ç’farë Shqipëtarë jan’ ata qi duan të mbulojnë me këlbaza emërin e luanit qi i vuri spatën Turqërisë, shpejt ngushëllohemi…”

Prane kalasë së Ali Pashë Tepelenës erdhi dhe u përul shkrimtari botëror Lord Byron.

Studiuesja e shquar dhe profesore ne NUY, Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur e quan Aliun “Bonaparti Mysliman”.

Po e mbyll shkrimin tim duke ju shprehur mirënjohjen nga thellësia e zemrës, si shqiptare, tepelenase dhe si anëtare aktive e Diasporës në Amerikë!

Faleminderit Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu!

Faleminderit zonja Shqipe Biba, Shqipe që punon dhe fluturon e lirë për Kombin!

8 Shtator, 2023

Staten Island, New York 

Filed Under: Politike

Një dëshmi e bukur dhe plot vlera për shqiptarinë

September 9, 2023 by s p

Akad. Kopi Kyçyku/

Po nis udhën drejt lexuesit një libër i shkruar me mirënjohje e përkushtim ndaj njërit prej tipareve më të hershëm e më domethënës të shqiptarisë: bashkëjetesa fetare. I sprovuar vazhdimisht dhe nga të gjitha anët, jo rrallë edhe nga brenda, shpirti shqiptar ka zgjedhur të pasurohet e ta shtojë forcën e vet përmes mbrojtjes së mirëkuptimit fetar, që është më tepër se tolerancë apo mjet propagande. Ndoshta ngaqë Poradeci dhe rrethinat e tij kanë qënë gjithmonë mes një bukurie të pangatërrueshme dhe historisë plot befasira, poradecarët janë kuptuar, janë dashur e kanë bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës pa marrë parasysh dallimet mes traditave fetare. 

Të krishterë e myslimanë, duke nderuar secili fenë e vet, kanë mbarështuar paqen që sjell vetëm begati (gjer edhe kur kjo është më tepër shpirtërore), duke ditur e duke përcjellë brez pas brezi bindjen se çdo traditë fetare bëhet e plotë sa më fuqimisht i shërben mbarëvajtjes së një kombi. Si shumica e shqiptarëve të kudondodhur, poradecarët kanë zbatuar kaherë, pa bujë, kredon „Fe e atdhe – Atdhe e fe”. 

Muharrem Xhydollari, ky djalë i mënçur e i përkushtuar i Poradecit, demokrat i mirëfilltë, pinjoll i një dere të madhe atdhetarësh të shkolluar e të kulluar, durues deri në palcë i përndjekjes së egër të diktaturës, duke bartur në kujtesë e në shpirt çdo arritje të shpirtit poradecar, brenda e jashtë vendit, ka shkruar një libër-dëshmi, shkencor, paçka se autori nuk ka pretendime shkencore. Të dhënat i ka mbledhur nga pleq e të rinj poradecarë, për vite me radhë, si bleta nektarin. Personazhet e tij janë sa të panjohur për lexuesin e gjerë, aq edhe të gjallë e bindës. Një histori e tërë vjen drejt lexuesit me stilin rrëfimtar të Poradecit, me ëmbëlsi lasgushiane e kuteliane. Ata që tregojnë ngjarje dhe japin shembuj emocionues nga bashkëjetesa fetare shumëshekullore e Poradecit dhe e rrethinave të tij flasin thjesht dhe nuk interpretojnë ngaqë mirëkuptimi bën pjesë rrënjësore në jetën e tyre të përditshme, sikurse ushqimi, puna, gëzimet e hidhërimet. 

Nëpër faqet e librit kalojnë figura madhore të trevave poradecare, legjenda të gjalla të atdhetarisë, guximit, vetmohimit për hir të shqiptarisë, por edhe të mënçurisë, humorit, mirësisë. Disa nga ngjarjet që përshkruhen kanë vlerë universale dhe uroj që të bëhen të njohura edhe për popuj të tjerë, përfshi banorët e Përtej Oqeanit, – ku autori ka ndërtuar një jetë të re me mund, djersë e ndershmëri, duke iu përshtatur mrekullisht kushteve dhe mendësive të atjeshme, – që t’i shtohen trashëgimisë botërore të humanizmit e mirëkuptimit.

Mendoj se disa nga vlerat e librit janë krenaria e thellë dhe e pabujë për këtë bashkëjetesë të mirëfilltë, që vijon edhe sot e kësaj dite, malli ndaj botës së përhershme poradecare e shqiptare, thjeshtësia e rrëfimit (që e shndërron edhe vetë autorin në një zë dëshmues, sikur të na flasë nga kohëra të tjera) dhe qartësia e kumtit. 

Shqiptaría mbetet e tillë për sa kohë paqja (e cila në besimin e krishterë cilësohet si „katër herë më e rëndësishme sesa e drejta”) sigurohet nga bijtë e saj që, me çdo veprim e fjalë të tyren ia bëjnë jetën më të natyrshme njëri-tjetrit, si qëmoti.  

Dihet se tema e besimeve fetare dhe e marrëdhënieve ndërmjet tyre është rrahur nga një numur i madh autorësh, duke filluar me studiues të apasionuar e duke vazhduar me praktikantë të zellshëm të kulteve të ndryshme. Pa dyshim secili ka sjellë ndihmesë në një shkallë apo në një tjetër. Ajo që tërheq vëmendjen në librin e Muharrem Xhydollarit është para së gjithash këndvështrimi i freskët, përzgjedhja dhe përdorimi me sens mase e me vërtetësi i fakteve thelbësore, çka i jep mundësi lexuesit të informohet saktë me material dobiprurës.    

Uroj nga zemra që ky libër-xhevahir të bëhet sa më shpejt pjesë e kujtesës, mendësisë dhe të jetuarit për lexuesit shqiptarë e të huaj që duan të dinë se mrekullitë si mirëkuptimi fetar janë të mundshme edhe në periudha plot tjetërsime e sprova globale.

Dy fjalë për librin ”Poradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare” i Muharrem Xhydollarit

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT