Akad. Kopi Kyçyku/
Po nis udhën drejt lexuesit një libër i shkruar me mirënjohje e përkushtim ndaj njërit prej tipareve më të hershëm e më domethënës të shqiptarisë: bashkëjetesa fetare. I sprovuar vazhdimisht dhe nga të gjitha anët, jo rrallë edhe nga brenda, shpirti shqiptar ka zgjedhur të pasurohet e ta shtojë forcën e vet përmes mbrojtjes së mirëkuptimit fetar, që është më tepër se tolerancë apo mjet propagande. Ndoshta ngaqë Poradeci dhe rrethinat e tij kanë qënë gjithmonë mes një bukurie të pangatërrueshme dhe historisë plot befasira, poradecarët janë kuptuar, janë dashur e kanë bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës pa marrë parasysh dallimet mes traditave fetare.
Të krishterë e myslimanë, duke nderuar secili fenë e vet, kanë mbarështuar paqen që sjell vetëm begati (gjer edhe kur kjo është më tepër shpirtërore), duke ditur e duke përcjellë brez pas brezi bindjen se çdo traditë fetare bëhet e plotë sa më fuqimisht i shërben mbarëvajtjes së një kombi. Si shumica e shqiptarëve të kudondodhur, poradecarët kanë zbatuar kaherë, pa bujë, kredon „Fe e atdhe – Atdhe e fe”.
Muharrem Xhydollari, ky djalë i mënçur e i përkushtuar i Poradecit, demokrat i mirëfilltë, pinjoll i një dere të madhe atdhetarësh të shkolluar e të kulluar, durues deri në palcë i përndjekjes së egër të diktaturës, duke bartur në kujtesë e në shpirt çdo arritje të shpirtit poradecar, brenda e jashtë vendit, ka shkruar një libër-dëshmi, shkencor, paçka se autori nuk ka pretendime shkencore. Të dhënat i ka mbledhur nga pleq e të rinj poradecarë, për vite me radhë, si bleta nektarin. Personazhet e tij janë sa të panjohur për lexuesin e gjerë, aq edhe të gjallë e bindës. Një histori e tërë vjen drejt lexuesit me stilin rrëfimtar të Poradecit, me ëmbëlsi lasgushiane e kuteliane. Ata që tregojnë ngjarje dhe japin shembuj emocionues nga bashkëjetesa fetare shumëshekullore e Poradecit dhe e rrethinave të tij flasin thjesht dhe nuk interpretojnë ngaqë mirëkuptimi bën pjesë rrënjësore në jetën e tyre të përditshme, sikurse ushqimi, puna, gëzimet e hidhërimet.
Nëpër faqet e librit kalojnë figura madhore të trevave poradecare, legjenda të gjalla të atdhetarisë, guximit, vetmohimit për hir të shqiptarisë, por edhe të mënçurisë, humorit, mirësisë. Disa nga ngjarjet që përshkruhen kanë vlerë universale dhe uroj që të bëhen të njohura edhe për popuj të tjerë, përfshi banorët e Përtej Oqeanit, – ku autori ka ndërtuar një jetë të re me mund, djersë e ndershmëri, duke iu përshtatur mrekullisht kushteve dhe mendësive të atjeshme, – që t’i shtohen trashëgimisë botërore të humanizmit e mirëkuptimit.
Mendoj se disa nga vlerat e librit janë krenaria e thellë dhe e pabujë për këtë bashkëjetesë të mirëfilltë, që vijon edhe sot e kësaj dite, malli ndaj botës së përhershme poradecare e shqiptare, thjeshtësia e rrëfimit (që e shndërron edhe vetë autorin në një zë dëshmues, sikur të na flasë nga kohëra të tjera) dhe qartësia e kumtit.
Shqiptaría mbetet e tillë për sa kohë paqja (e cila në besimin e krishterë cilësohet si „katër herë më e rëndësishme sesa e drejta”) sigurohet nga bijtë e saj që, me çdo veprim e fjalë të tyren ia bëjnë jetën më të natyrshme njëri-tjetrit, si qëmoti.
Dihet se tema e besimeve fetare dhe e marrëdhënieve ndërmjet tyre është rrahur nga një numur i madh autorësh, duke filluar me studiues të apasionuar e duke vazhduar me praktikantë të zellshëm të kulteve të ndryshme. Pa dyshim secili ka sjellë ndihmesë në një shkallë apo në një tjetër. Ajo që tërheq vëmendjen në librin e Muharrem Xhydollarit është para së gjithash këndvështrimi i freskët, përzgjedhja dhe përdorimi me sens mase e me vërtetësi i fakteve thelbësore, çka i jep mundësi lexuesit të informohet saktë me material dobiprurës.
Uroj nga zemra që ky libër-xhevahir të bëhet sa më shpejt pjesë e kujtesës, mendësisë dhe të jetuarit për lexuesit shqiptarë e të huaj që duan të dinë se mrekullitë si mirëkuptimi fetar janë të mundshme edhe në periudha plot tjetërsime e sprova globale.
Dy fjalë për librin ”Poradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare” i Muharrem Xhydollarit