• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

LUKË KAÇAJ, YLLI  VEZULLUES  SHQIPTAR I  QIELLIT BOTËROR TË BELKANTOS ! 

September 7, 2023 by s p

(In memoriam me rastin e 22 vjetorit të vdekjes, 2001-7 shtator 2023). 

Foto e Lukë Kaçajt në moshë të re

Nga  NDUE  BACAJ

Nëse Malesia e Madhe është krenare per bijët e saj ndër shekuj, me Lukë Kaçajn , Malesia dhe Shqiperia  jo vetem krenohen ,por edhe  krahasohen (denjesisht) me vende e popuj ku linden artistë të mëdhenjë me permasa boterore…Malesori prej Bajzet  Lukë Kaçaj është një nga baset më të shquar të Belkantos të shekullit 20-të. Ai  ka qënë  dhe mbetet ylli plot shklelqim në konstelacionin qiellor të zerave që nuk shuhen kurrë.. Lukë Kaçaj me zerin dhe interpretimin e veprave më të mëdha të autoreve dhe muzikes botërore ngriti lartë në qiell emrin dhe famen e Malesisë , Shqiperisë dhe të tijin , gjëra që nuk munden dhe as nuk do të mundin kurrë t’ja grabisin toksoret.. 

Lukë  Kaçaj ka lindur me 01 dhjetor të vitit 1926 ,në Bajzë të Kastratit , në familjen “KAÇAJ” (Zyra e arkives gj.c.Malesi e Madhe,regj.247 ,fl.47/39). Feminia e tij e parë kishte qenë  mjaft e larmishme dhe interesante , pasi ishte rritur jo vetem nën kujdesin e familjes tij patriotike dhe të shquar per hijeshi e ndesha e mirë ,por edhe nën influencen e LOGJEVE të mrekullueshme të Bajzes Kastratit,  me një traditë civilizuese të lidhur me emrin e Shpelles së Frashnit apo Kishes-Famulli të Bajzes , të njohura këto kombetarisht dhe ndërkombëtarisht. Këtu kënga kishte jehonë si askund tjetër, këtu bukuria e femrës… e veshur me kostum kombëtar, ku shëndriste mbi të gjitha xhubleta iliro-shqiptare mbi katërmijë vjeçare, merrte një kuptim civilizues madhështor. Femra (apo “missi”) që përzgjidhej si më e bukura (nga një “juri” popullore) i thuhej , KA  DA  TE  SHPELLA  E  FRASHNIT. Kjo përzgjidhje e bukurisë ngjason si dy pika uji me misset e ditëve tona… Është ky ambient me tradita të hershme  artistike , ku  artisti i ardhëshem  Lukë Kaçaj  do të degjonte thirrjen e zemres e shpirtit se zëri i tij po të kultivohej do të mrekullonte skenat e botës… Kënget e tija të para të shoqruara me tingujt e fyellit ,zymares e lahutes ja degjuan malet , kodrat dhe fushat e gjelbruara ku kullosnin tufat e bagetive… Ja vlersuan , duartrokiten dhe inkurajuan shoket e tij të feminis ,por edhe më të rriturit e djelminisë . Lukë Kaçaj-t Zoti perveç zërit i kishte falë edhe fizikun ,që i ngjante një lisi të gjatë ,të bukur e të rritur harmonishem..Por mbi të gjitha keto cilesi i kishte të komanduara nga një mendje intiligjente me një edukim patriotik të udhehequra ndër shekuj nga  binomin jetëdhenes Fe  e Atdhe… Keto cilesi të Lukës (që në vogeli) kishin rënë edhe në syrin e familjareve , të cilet në moshen 8 vjeçare e dergojnë në Liceun “Ilirikum” të Franceskanëve në Shkoder. Në Ilirikum  mjeshtrat e medhenjë të muzikes  at Filip Mazreku e at Martin Gjoka nuk e kishin të vështirë të zbulonin basin e ardhëshem ,kengetarin e mahnitshem të Belkantos shqiptare e botërore Lukë Kaçaj-n,të cilin menjëherë (në vitin 1932) e pranuan në korin e mrekullueshem të Ilirikumi-t. Lukë Kaçaj në Ilirikum mësoi edhe gjuhet latinisht , greqisht dhe italisht ,gjuhë në të cilat recitonte në orgjinal pjesë nga “Bukoliket” e “Gjeorgjiket” e Virgjilit , nga “Iliada” e “Odisea” të Homerit etjer.. Në këtë “vater” kulture e dije Europerendimore së bashku me bajzjanin  Lukë Kaçaj u formuan edhe të medhenjët e muzikes shqiptare ; Çesk  Zadeja  , Tish Daija  , Tonin Harapi , Simon  Gjoni ,Tonin Rrota , Preng  Jakova , Zef Gruda  e tjer…Ketu  Luka u njohë edhe me veprat e pavdekshme të korifenjë të muzikes botërore si ;  Vivaldi ,  Hendeli , Moxarti , Beth’hoveni , Rossini , Verdi e më gjërë.. Pas vitit 1945 ,kur në pushtet u instaluan  komunistet (me duhem lindore) shkatërruan edhe këtë vater plot dije e afsh atdhedashurie me kahje perendimore ,Luka (si edhe të tjer e vazhduan shkollim e tyre  në liceun “Jordan  Misja”, ku vijojë edhe rritja e talentit tij.. Duke degjuar e parë zërin dhe interpretin e jashtëzakonshem që demostronte Lukë Kaçaj  autoritetet artistike të kohes  arrijnë që  t’a  dergojnë per studime  në konservatorin “ÇAJKOVSKI” të Moskes.  Dhe mjeshtrat shqiptarë të kesaj kohe , vertet nuk ishin gabuar ,pasi  Lukë Kaçaj që student vlersohet nga profesoret e ketij konservatori me famë botërore , jo vetem si studenti dhe interpreti më i mirë i belkantos , por si Shaljapini i ardhëshem , (pra basi më i mirë i të gjitha kohrave në Rusi e më Gjërë). Ishte kjo performancë gjeniale e Lukë Kaçaj-t, që kishte bindur regjizorin e filmit “Skenderbeu” (viti 1953) t’a  perzgjedhë Luken per të interpretuar rolin e rapsodit të verber-t ,që siç dihet Luka e realizoj ketë rol  në menyrë të shkelqyer, ku kenga dhe zëri i tij edhe sot mrekullon sa herë që shihet filmi “Skenderbeu”..Lukë Kaçaj pas perfundimit me rezultate të shkelqyera të konservatorit “ÇAJKOVSKI” ,shfaqë  magjinë e një “ylli” vokal që i kalonte kufinjët kombetarë , me një performancë në rritje  nderkombetare… Talenti i basit Lukë Kaçaj-t në  Shqiperi ishte i pakrahasueshem. Teatri i operas  dhe baletit në Tiranë kishte një yll mbi yjet e tjer të belkantos shqiptare. Nje studiues i asaj kohe do të shkruante se “magjia” e zërit dhe interpertimit të Lukë Kaçaj-t  hapi një epokë të re në muziken shqiptare.. Lista e roleve  interpertuese  të ketij basi të mahnitshem është e gjatë dhe plotë suksese  ,por ne po shenojmë vetem “disa”..:  Në vitin 1956 -mjeku Gravril në operan “Traviata”  të Verdit , në vitin 1957 -mbreti Rëne në operan “Jolanda “ të Çajkovskit , në vitin 1958 -don Bazilio-n në operan “Berberi i Seviljes” të Rosinit (që ishte edhe roli më i dashur i Lukës ,që e luajti mbi 100 herë në Shqiperi e jashtë saj..). Në vitin 1959 -daja Gjin në operan “Mrika” të Prengë Jakoves , në vitin 1960 –babi i Drites në operan “Pranvera” të Tish Daisë , në vitin 1961 –ungji Bonzo në operan “Madam Baterflaj” të Puçinit ,ku po ketë vit interperton –murgun endacak…në operan “Boris Godunov” të Musorgskij-t , në vitin 1963 -filozofi Kolen  në operan “Bohema” të Puçinit , në vitin 1964 -prifti Nurabad në operan “Peshkataret e Perlave” të Bizesë  ,në vitin 1965 –Sparafuçile në operan “Rigoleto” të Verdit , në vitin 1970 në rolin e plakut në filmin “Perse bie kjo daulle”e tjer.. Sukseset e mahnitshmen (me jehonë nderkombetare) të ketij basi të madh , në ato vite u “detyrua” t’i  pasqyrojnë edhe shtypi i kontrolluar i komunisteve  shqiptarë më në krye “Zerin e Popullit” ,e cila me daten 12 dhjetor 1958 , ndër të tjera do të shkruante , se basi shqiptarë Lukë Kaçaj me interpretimin e rolit të Don Baziljos nga opera “Berberi i Seviljes”  të Rosinit ,në “Balshoj Teater” të Moskes ka lënë pershtypje se nuk ka ndryshim nga i madhi Shaljapin dhe kengetari i shquar Çesjeviç…”. Të gjitha rolet e  sipercituara ,por edhe të tjera Lukë Kaçaj i interpertoi në skenat shqiptare dhe ato me famë botërore ,si në (ish) Bashkimin Sovjetik , Gjermani (Lindore) ,Hungari ,Bullgari , Poloni ,(ish) Çekosllavaki  e vende të tjera… Vlen të theksohet se Lukë Kaçaj rolet e tij në skenat e teatrove  më të njohura të kohes me në krye teatrin…”Balshoj” i interpertoi  në pesë gjuhë të ndryshme të cilat jo vetem i zotronte ,por i bënte më të tingellueshme e kuptueshme me zërin e tij të shkelqyer me intonacione “qiellore”.. Sukseset e basit të mahnitshem  Lukë Kaçaj vazhdojnë të njohin vetem ngjitje deri në vitin 1966 , kur per “aresye” qarkullimi e largojnë nga skena  duke emeruar pedagog në Institutin e lartë të arteve. Me ketë veprim pushteti i djallit të kuq duket se i kishte bërë hesapet me hanxhitë e tij , dhe priste  reagimin ku do të “gabonte” basi i madh Lukë Kaçaj (pasi dihej pasioni i  Lukës per skenen). Hanxhinjët i rrinin afer Lukes dhe e provokonin me vijë sjellje ,dhe per çdo fjalë që i vidhnin ferkonin duart dhe “ngrinin” zërin e tyre të fikur e çjerrë nga jehona e zërit  të Malësorit kastratas Lukë Kaçaj , i cili së bashku me zërin e tij kishte sjellur në Tiranë dhe Europë edhe oshtimen e bjeshkeve legjendare ,ku ishte ruajtur më mirë se askund tjeter fara Europerendimore e shqiptarisë… Lukë Kaçaj deri në vitin 1973 arriti të mbijetoi , madje si pedagog nxorri shumë mjeshtra të muzikes e kënges…Por kjo nuk mjaftonte…Luken Kaçajn Partia (Punes) e donte “kurban”…Dhe “kurban” e beri pikrisht  me 28 maj të vitin 1973 ,kur e arrestuan publikisht në institutin e arteve ku punonte…Akuza të rënda e monstruoze; armik i partisë dhe pushtetit.. Konkretisht Luka akuzohej se ishte simpatizant i Gjergj Fishtes ,vargjet e të cilit i “kendonte” herë pas here , se kishte simpati per boten perendimore per të cilen agjitonte “shpesh”, e deri akuzohej per tradhti ndaj atdheut… Sigurisht keto “argumenta”  i kishin mbledhur hanxhinjët e sigurimit të shtetit komunist , ku fatkeqesisht ndonjë hanxhi kishte qënë edhe koleg  “i vogel”  i Lukës madh..Vlen të kujtohet sa absurde tingellonte  akuza per “tradhti” , pasi Lukë Kaçaj gjatë turneve të tij neper Europë kishte pasur mjaft oferta që të mos kthehej më në Shqiperi ,por të shkonte e jetonte në vendet (perendimore) me demokraci të vertet. Atje zëri dhe talenti i tij jo vetem do të vlersoheshin dhe siguronin një karierë brilante  ,por do ta mbulonin me para e pasuri. Luka  si  një nacionalist i edukuar e kulluar i kishte hellur poshtë keto oferta pa as më të voglin tundim..Ruajna Zot..! ndersa akuzohej kot per këto.. Në vitin  1978 Lukë Kaçaj lirohet nga burgu i vogel dhe del në një burg tjeter të madh , që ishte i detyruar të siguronte  buken e gojes me punë  të renda e të rendomta ,(por edhe i survejuar nga spiunet e sigurimit të shtetit komunist) ,deri sa e nxjerrin në pension.. Luka duke biseduar me një mikun e tij muzikolog (Loro Saten) ,do të pyeste : Perse ky helm e vrerë ndaj meje ? Dhe miku i shquar i tij do t’i pergjigjej me fjalet domethenese: “Lisat e mëdhenjë i rrah era…”

Në keto vite të trishta e të zymta Lukë Kaçaj-t i vdes edhe gruaja e tij (v.1988) , Ana e dashur e besnike ,me të cilen nuk kishin pasur femijë.. Demokracisë dhe pluralizmit artisti i madh Lukë Kaçaj  ju gëzua pa masë , por tashma më shumë moralisht  e shpirterisht , sepse fizikisht ishte i lodhur edhe pse  i pamposhtur…Lukë Kaçaj në vitet e demokracisë u perpoq për të realizuar një pjesë të ëndërrave të tija  të mbetura pergjysem . Ai u mundua të interpretoi e inçizoi disa nga rolet dhe kenget e tij …Ato janë perlat autentike të një gjeniu të belkantos shqiptare e botërore ,ato janë pasuria më e madhe që Lukë Kaçaj ka investuar në thesarin e artit e kultures sonë  dje ,sot e neser… Në vitet e demokracisë që Luka jetoi levizi kryesisht neper Europen perendimore , ku takoi disa nga koleget ,shoket e miqt e tij , por ata në vendet e tyre kishin pasur një fat krejt tjeter . Ata ishin vlersuar ,madje edhe kishin berë pasuri e prokopi me artin e tyre , edhe pse disa nga ata kishin qenë dallueshem më pak të talentuar per zërin dhe aftesit e tyre… Me këtë “rast” po kujtojmë vetem një takim të Lukë Kaçaj-t ( në 1991) me shokun e tij të konservatorit të Moskes ,basin bullgar Kolja Giaurov ,që italianet e quanin mbreti i basëve.. Kolja kur ishte student  me Luken në Moskë asnjëherë nuk kendonte mbasi kendonte Luka … Por basi bullgar kishte vijuar në Itali e më gjërë karieren e tij brilante ,(dhe ishte martuar me sopranon e shquar italiane Mirela  Freni). Ato ditë kur Luka takoi mikun e tij bullgar në Itali ,shfaqej opera  “Bohem” e  Puçinit. Kolja me bashkeshorten kishin dy role kryesore ; Kolja rolin e filozofit Kolen dhe Mirela rolin e heroines Mimi . Në teater ishte i ftuar i veçant i ketyre artisteve , Lukë Kaçaj. Kur perfundoi opera me shumë sukses  dhe publiku po duartrokiste ,dy artistet e mëdhenjë (Kolja e Mirela) u drejtuan nga  lozha e porositur ku rrinte Luka ,dhe me një gjest domethenes i trgojnë publikut per mikun e tyre.. Duartrokitjet e nxehta të publikut italjan tashma ishin per basin e madh shqiptarë Lukë Kaçaj , i cili ketë momemnt e perjeton me emocione e lotë…(Lukë Kaçaj ,kolosi i belkantos ,perg. nga Gjergj Denelli ,fq.21-22). Mua si autor i këtij portreti të vogël para madhshtisë së tij më ka mbetur i pashlyer takimi im me të madhin e perjetshëm Lukë Kaçaj në një mbremje në vitin 1995 , kur ish Bashkia Koplik (kryetar i të cilës atëherë ishte i ndjeri Perlat Ramçaj , dhe sekretar i këshillit të bashkisë isha unë) , organizoi per nderë të grupit folklorik të Malësisë  Madhe që kishte fituar çmimin e parë në festivalin floklorik kombëtar të zhvilluar atëherë në Berat . Në ketë mbremje festive ishte i ftuar edhe Luk Kaçaj , i cili edhe pse në moshen rreth 70 vjeçare , plus vuajtje e burgut komunist e tjer , kendoi (live) per të pranishmit kengen e të verbërit që ai e kishte kenduar në filmin Skenderbeu rreth ketër dekada më pare. Zëri i tij atë mbrëmje kumboi  si një zë qiellor , duke treguar se thuajse nuk kishte asnjë ndryshim , ishte zë kumbues , zë i embël e  melodioz , zë i fuqishëm cili na  mahniti dhe pa e kuptuar  na  mori me vehte… Gjë që tregoi se vuajtjet , privimet e persekucioni komunist nuk kishin mundur  t’i marrin atë çfar i kishte dhuruar Zoti ketij artisti të madh… Gjatë viteve të pluralizmit e demokracisë Lukë Kaçaj u nderua e vlersua me tituj nderi nga pushteti lokal (Qytetar Nderi i Komunes Kastrat) e tjer , ndersa  Institucioni i  Presidentit të Republikes  i jep Lukës (pas vdekjes) titullin më të lartë “Nderi  i  Kombit”… “. Një titull disi të “vonuar” ja jep edhe Bashkia  Malesisë Madhe  “Qytetar  Nderi” (me 26 gusht 2018)… Megjithatë Bashkia e ka pasur dhe e ka rastin per të Nderuar Lukë Kaçajn “Nderi i Kombit”  , duke i venë të pakten emrin e tij ndonjë institucioni arsimor , kulturor  e artistik të Bashkisë Malesia e Madhe .  O por se harrova ka disa shkolla në Malësi që mbajnë emra ose analfabetë komunist ose të vrarët e persekutuarit e tyre , ndersa pallat kulture ,  qender kulturore  apo shtëpi kulture  bashkia Malesi e Madhe nuk ka fare deri tani… Gjithsesi per të mbyllur këtë  portret të vogel para veprës së ndritur të artistit të madh Lukë Kaçaj , vlejnë fjalet e shkrimtarit e studiuesit shkodranë Alfred  Çapaliku, i cili shkruante : “Luka i kaloi vitet e fundit (të jetes) si një YLLË  që digjet duke lënë gjurmë në qiellin tonë…”. Me 7 shtator të vitit 2001  kolosi i belkantos  shqiptare  e boterore  do të mbyllte sytë pergjithmon nga kjo jetë , të ciles i dha gjithshka dhe i mori thuajse asgjë.. Lukë Kaçaj  është perjetsisht ylli vezullues i qiellit të belkantos shqiptare e botërore , drita e të cilit nuk do të zbehet kurrë…

Filed Under: Kulture

Presidentja Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik

September 7, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 33 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.

“Kushtetuta e Kaçanikut, simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë, mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë.

“Delegatet dhe delegatët e atëhershëm meritojnë respektin më të lartë, sepse me guximin e tyre, aktin më të lartë juridik e shndërruan në njërin nga hapat më të rëndësishëm të konsolidimit të identitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Sipas Presidentes Osmani Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë.

“Dita e Kushtetutës së Kaçanikut , duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe nxitje për t`i përmbushur parimet e Kushtetutës sonë, sikurse edhe mbrojtjes e afirmimit të vlerave për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare”, ka thënë Presidentja Osmani.

Filed Under: Opinion

LIBRI I KUJTESËS INDIVIDUALE DHE KOLEKTIVE

September 7, 2023 by s p

Nga: Besim Muhadri/

Librat e kujtimeve janë libra interesantë dhe të rëndësishëm për shumë arsye. Ata ngërthejnë brenda vetvetes histori të ndryshme, të cilat në njëfarë forme janë edhe histori dhe përjetime individuale të personit që i shkruan këto kujtime, mirëpo, krahas kujtimeve dhe përjetimeve personale, ato mund të ngërthejnë brenda vetvetes edhe histori dhe fate kolektive të një rrethi të caktuar, të një familje por edhe të një kolektiviteti të caktuar. Në librin me kujtime të Eli Dervishdanës, të titulluar “Retrospektivë pikëllimi” dhe me nëntitullin: Kur vriten vëllezërit, vdesin motrat, janë të gjitha këto elemente që përmendëm. Duke u nisur nga tragjeditë e njëpasnjëshme të familjes Dervishdana, të ndodhur që nga vite të hershme e për të kulmuar me tragjedinë e marsit të vitit 1999, kur forcat kriminale serbe pushkatuan kryefamiljarin babën Zejnel bashkë me bijtë dhe shumë të tjerë që ndodheshin në teqenë e tij në ditën tragjike, Eli Dervishdana arrin të na jep një libër dokumentar në të cilën shpaloset, në mënyrë shumë të përpiktë dhe me përkushtim, historia familjare dhe ajo kombëtare, njëkohësisht.

Tema e trajtuar në këtë libër, përmes kujtimesh dhe kthimit në retrospektivë, në një periudhë njëvjeçare, madje në formë ditari, i jep autores mjaft kohë dhe hapësirë që të shpalosë ngjarje, histori dhe aspekte të tjera që ndërlidhen me të, me familjen dhe me qytetin e saj, Gjakovën, por edhe Kosovën. Kujtimet e saj Eli i ndërton përmes rrëfimeve që i bën vajzës së saj kureshtare, Zërinës, për të ditur për mësuar nga e ëma për të gjitha ato që kishin ndodhur.

Libri i i Eli Dervishdanës, “Retrospektivë pikëllimi”, është libri tragjedisë familjare dhe kolektive, libri i dhimbjes dhe i krenarisë, por edhe libri i kujtesës individuale dhe kolektive, libri i adhurimit ndaj Zotit, Njeriut dhe Atdheut.

Me këtë libër kujtimesh, në mënyrë retroaktive, Eli Dervishdana i kthehet historisë dhe tragjedisë familjare, duke na përshkruar ngjarje dhe data historike kombëtare, të cilat ndërlidhen me anëtarët e saj të familjes, qoftë e lindjen e tyre, qoftë me rënien e tyre, si heronj të atdheu, që u sakrifikuan për një ditë më të mirë, siç është liria e Atdheut.

Në librin e saj Eli arrin të përjetësojë figurën e Babait, Babës Zejnel, këtij burri të shquar të Atdheut e të Fesë, shpirti i të cilit udhëton në kujtimet e trishta por krenare, duke përçuar misionin e shenjtë në rrugën e pavdekësisë e të kujtesës kolektive.

Ajo përjetëson figurat e vëllezërve të saj Nesemiut, Fahriu, Eminit, në portretet e të cilëve shohim burrërinë, mençurinë, trimërinë dhe sakrificën për më sublimen. Ata janë shembulli i frymëzimit të brezave për një ditë më të mirë.

Por Eli na flet edhe për Nënë Madhen, nënën e saj, shembulli i Gruas së fortë dhe burrnore, shtyllë e familjes dhe më shumë, që krahas burrit të saj, Babës Zejnel Dervishdana, na del një nga personazhet më të fuqishme, duke mbetur shembulli i sakrificës, i mirësisë dhe i dashurisë së madhe për familjen edhe atëherë kur ajo (familja) ndodhet në zgripin e ekzistencës së saj, të zhbërjes së saj, qoftë në aspektin fizik, qoftë në aspektin psikik, pas gjithë asaj tragjedie të ndodhur.

Eli Dervishdana, përmes një rrëfimi interesant, të ndërtuar me një sintaksë të shkëlqyer, na dhuron një libër që do të lexohet me kujdes dhe me interes nga të gjitha shtresat e lexuesve. Në libër ajo na vë në situata të vështira emocionale, prej të cilave është vështirë të kalohet pa derdhur lot mërzie dhe dhembjeje. Ajo na bën për vete me ato rrëfime shumë të sakta, saktësia e të cilave qëndron në atë se rrëfimtari është protagonist i drejtpërdrejtë. Autorja e librit, Eli Dervishdana, flet edhe për veten, për familjen e ngushtë të saj, ndërsa vajza e saj, Zërina, që vjen në një moment delikat të jetës së autores. Zërina është simboli i kthimit të shpresës së humbur dhe i dashurisë së venitur, pas tragjedive të mëdha.

Autorja, përveç anëtarëve të familjes, na flet edhe për shumë njerëz të vendlindjes së saj, të cilët në momente të vështira të historisë, kontribuuan kush sa mundi e diti për lirinë e Kosovës. Aty është rinia gjakovare, djem e vajza, të cilët në ngjarjet e viteve historike 1981, 1990, 1998, 1999, ishin të kyçur në aktivitete dhe aksione që tronditën themelet e Jugosllavisë e të Serbisë gjenocidale. Në libër ajo i jep me emra, saktë dhe bukur, që do t’ia kishin lakmi edhe shumë historianë, poetë e romancierë me shumë përvojë.

Po të zbërthenim më shumë përmbajtjen e librit atëherë kama frikë se libri do të humbte interesimin e lexuesit për të lexuar, prandaj po ndalem vetëm me kaq, i bindur se libri do të lexohet dhe rilexohet. Po ashtu jam i bindur se do të ketë edhe reagime estetike, në aspektin më pozitiv, nga kompetentët e letërsisë dhe të publicistikës. Ndonëse Eli Dervishdna po del me librin e saj të parë, mendoj se po na ofron diçka që ia vlen, diçka që e ka përpunuar për shumë vite brenda memories së saj. Mirëpo në të shihet edhe talenti i pakontesueshëm i saj në të shkruar.

Urojmë që Eli në të ardhmen të na sjell gjëra më të lumtura të jetës së saj, sepse jeta është e gjatë, ndoshta me e gjatë se sa e mendojmë, dhe se dëshpërimet, dhembjet e arsyeshme, në të ardhmen t’i lënë vend jetës së lumtur, sepse vetëm në këtë mënyrë shpirtrat e atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe lumturinë tonë dhe të Atdheut, do të ndihen më të qetë, atje në botën e tyre të pavdekshme.

Elin e përgëzojmë për këtë dhuratë ka të vlertë dhe kaq të nevojshme që po na sjell në këtë kohë kur Kosova ende po përjeton gjëra të cilat duhet të ishin tejkaluar shumë kohë më parë.

Filed Under: Komente

Për 33 vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të 7 shtatorit 1990

September 7, 2023 by s p

Albin Kurti/

Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, autori i saj, Profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre: ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulen e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu. Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu. Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi.

Mirëpo për ta miratuar këtë kushtetutë, duhej caktuar koha, duhej gjetur vendi i duhur si dhe duhej krijuar rrethanat e përshtatshme, duke llogaritur veçanërisht regjimin shtypës policor serb në Kosovë atë kohë. Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim.

Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte. Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë.

Delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rakën, të cilët pastaj i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës. Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.

Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit. Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës.

Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë.

Në kujtim të përpjekjeve të asaj gjenerate që për herë të parë e shpalli Kosovën republikë. Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 “Kosova Republikë” u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.

May be an image of 5 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Politike

KADRI UJKAJ DHE SHKODRA E FILLIMIT TË SHEKULLIT XXI

September 7, 2023 by s p

Shkruan: Prof. dr. Begzad Baliu/

Në vitin 2001 me një grup studiuesish nga Kosova po merrja pjesë në Konferencën “Seminari Ndërkombëtar Shkodra në Shekuj”. Pas një komunikimi të ndërsjellë me studiues, shkrimtarë dhe publicistë e intelektualë, kryesisht të Shqiprisë Veriore (Profesor Jup Kastratin, Profesor Ahmet Osjen, Skënder Drinin, Profesor Tomor Osmani, Mentor Qukun, Profesor David Lukën, Profesor Kolec Topallin, shkrimtarin Fadil Krajën, shkrimtarin e publicistin Nikollë Spathari, juristin Dashamir Uruçi, shkrimtarët Fadil Kraja e Skënder Temali etj.), veprat e disa prej të cilëve në Kosovë ishin bërë të njohura madje që në vitet ’70, tani ishte rasti të njiheshim dhe të bisedonim edhe me një numër studiuesish, shkrimtarësh dhe intelektualësh, të cilët në rrethana të reja, të një periudhe të vrazhdë postkomuniste, përpiqeshin të mbijetonin ndërmjet Shkodrës dhe Tiranës dhe madje ndëmjet Shkodrës dhe periferisë epike të Shqipërisë Veriore.

Duke marrë pjesë në seancat e shumta dhe shumëdimensionale të “Seminarit”, të cilat mbaheshin në amfiteatrot e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke diskutuar në takimet organizative që mbaheshin në ambientet e Muzeut të Shkodrës dhe madje në kafiteritë përreth, kishim rastin të takonim një brez të mesëm dhe të ri studiuesish, shkrimtarësh e publicistësh shkodranë, në mesin e të cilëve shquheshin edhe gjuhëtari i doktoruar në Austri, Profesori Petrit Kotrri, shkrimtari i një sensi tipik postmodern Ridvan Dibra, kritiku dhe publicisti Kadri Ujkaj, të cilët në jetën universitare, shkencore, kulturore dhe krijuese të Shkodrës e më tej, sillnin përmbajte të reja shkollash europiane, dhunti indivuduale dhe frymë bashkëkohore komunikimi.

Duke përcjellë sesionet shkencore të “Seminarit Shkodra në Shekuj”, me sytë e një asistenti të Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke marrë pjesë në organizimin e tij dhe kur e kur duke marrë pjesë në diskutimet diturake, veç tjerash në këtë “Seminar” kisha krijuar një ide më të plotë: për skrupulozitetin enciklopedik të Profesor Jup Kastratit, individualiteti dhe vepra e të cilit nuk tundej as nga ndryshimet ideologjike as nga ndryshimet politike; për diskutimet e zjarrta dhe refuzuese të Profesor David Lukës, të cilën e kaluara ideologjike e kishte ndrydhur tepër shumë dhe tani me jetën, me veprën dhe me diskutimet e përditshme sikur përpiqej ta përplotësonte në të gjitha përmasat; për shërbestarin tipik të shkollës austriake Profesorin Petrit Kotrri, i cili me sjelljen dhe me pamjen e tij, me fjalësin e paktë dhe me dorën e ngrohtë, dinte ta ndihmonte secilin dhe t’i ngrohte ambientet e ftohta, e kur e kur të vrazhdta të këtyre institucioneve; për diskutimin prej pastori për çështje të gjuhës të Profesor Kolec Topallit; për bukurinë qiellore dhe kulturën intelektuale të Esmeralda Uruçit, që aq bukur bashkoheshin në ligjërimin shkencor të saj; për zemërgjerësinë e paskajshme të drejtorit të Muzeut të Shkodrës, Mentor Quku, që me fjalën dhe bëmat e tij prej dhuntari e mbushte atmosferën e “Seminarit” me shkëlqim dhe buzagaz …

Në ambientet universitare, shkencore dhe kulturore të Shkodrës së vitit 2001 më kishte rënë në sy edhe një studiues, publicist a krijues, nuk e kisha të qartë fillimisht, ndërsa po kaq të paqartë ma bënte komunikimi i nxituar me të. Prej pamjes së tij, në të vërtetë prej shikimit zhbirues të tij, që ngjante në zogun e përqëndruar grabitqar, prej fjalësit sa etnografik aq edhe filozofik të tij, prej komunikimit të rrëmbyeshëm të tij, me të cilin sa hapte tema individuale po kaq insistonte të mbyllte ide dhe konstatime universale, më bënte të mendoja për të kaluarën e tij të trazuar dhe të ‘rrethuar’ në zonat epike të Malësisë së Madhe prej nga vinte dhe për përpjekejtet e tij që të zinte vend në rrethin e intelektualëve e të studiuesve në ambientet urbane të Shkodrës a të Tiranës, ku pretendonte.

Që ditën e parë ma pati dhuruar një vepër, një botim mjaft cilësor për kushtet e atëhershme të botimeve tona, për të cilën filloi të më fliste gjerë e gjatë, sado ende nuk e dija as e kisha idenë për objetin e studimit. Vetëm më vonë e kuptove se fjala ishte për veprën ”Ky krushk i qytetërimit të madh”, me objekt studimi veprën letrare të Kadaresë. I thash menjëherë se veprën do të filloj së lexuari që në mbrëmje në hotel, por ai në vend të falënderimit të zakonshëm, sikur u vu në siklet, se nuk do ta kuptoja qëllimin e saj, prandaj më shpjegoi edhe një varg synimesh të tij e m’i interpretoi një listë citatesh të filozofëve që kishte marrë në ndihmë të shpjegimit të koncepteve të tija. Në margjinat e shpjegimeve të tij për veprën i thash se e kisha një ves të keq: filmat, përmbajtjet e të cilëve i dija që më parë, vështirë i shikoja deri në fund, por kjo nuk më ndihmoi që t’i përmbyllte shpjegimet e tij prej mësimdhënësi, një ves të cilin jeta prej ligjëruesi në Universitet shpesh më ka bërë të kujtoj se po e “përvetësoj” edhe unë.

Prej vitit 2001 e deri më tash, studiuesin, kritikun, gazetarin dhe eseistin Kadri Ujkaj, e kam takuar shumë herë dhe prej këtij viti kam lexuar shumë vepra e shumë artikuj të tij nga përditshmëria jonë. Në të vërtetë, prej vitit 2001 kam mësuar shumë nga jeta e tij mjaft e trazuar, nga jeta dhe krijimtaria e jashtëzakonisht e angazhuar, nga përvoja e pasur prej gazetari dhe prej intelektuali, që jetës shkencore, kritikës, gazetarisë dhe publicistikës i ka dhënë veçantitë dalluese të tij. Për dy dekada me radhë nga penda e tij, pas librit të parë të botuar në vitin 2000 dhe të dhuruar në vitin 2001, kam lexuar edhe veprat të tjera me karakter publicistik, shkencor, kritik dhe estetik: Kryqëzimi modern i gjenive (“Onufri”, Tiranë, 2001), Kurthi i fjalës (“Idromeno”, 2003), Lukë Kaçaj (“Mokra” Tiranë, 2003), Korifenjtë në krizën e dritëhijeve (Medaur” Tiranë, 2007), Kur dashurohemi me kultkoniunkturën… (”Rozafat”, Shkodër, 2007), Kriza si dehje nga entuziazmi modern (“Rozafat”, Shkodër, 2014), Kush jemi…, ku po shkojmë (“Fiorentia”, 2017), si dhe studime të tjera, prej të cilave më parë se sa të ndryshoja mendimin, e kam përplotësuar atë shumanshëm me tema, qasje, ide dhe diskutime tipike të penës së tij.

Duke lexuar tekstet eseistike të Kadri Ujkajt në radhë të parë më ka bërë përshtypje natyra metodologjike e tyre, përkatësisht modeli i kërkimit dhe qëndrimi kritik ndaj problemit. Duke lexuar esetë, studimet dhe artikujt kur kritik e kur me ton polemizues nuk është vështirë të mos e vësh re një prirje të tij që objektin e temave të mëdha ta pasurojë me referenca universale, por duke reflektuar gjithnjë unin e tij, ndërsa objektin e temave të vogla ta universalizoj mbi bazat e një filozofie unike dhe gjithëkohore. A është ky një prej parimeve themelore të tij pse temat e mëdha të mendimit të sotëm shkencor (letërsia, kritika, Tirana, Shkodra, Migjeni, Koliqi, Qosja, Kadare, Agolli, poezia, kultura), më parë se sa të bëhen objekt trajtimi bëhen objekt diskutimi i mendimit kritik, përkatësisht objekt i shqyrtimit të thellë e krahasues të literaturës së gjertanishme. E kjo do të thotë, më parë se sa të bëhen objekt trajtimi e vlerësimi bëhen objekt i çlirimit folklorik të gjertanishëm. Për filozofinë e studiuesit Kadri Ujkaj temat e mëdha shqiptare që në fillim duhet të çlirohen prej mitizimeve dhe individualizimeve të kushtëzuara klanore dhe krahinore, një dëshmi kjo e përgjegjësisë tipike e studiuesit të përkushtuar ndaj mendimit kritik dhe gazetarit me përgjegjësi publike.

Mbi këto parime, me këtë gjuhë dhe me këtë individualitet, veç tjerash Kadri Ujkaj ka shkruar artikuj, ese, kritika, analiza dhe madje sinteza shkencore për Migjenin, të cilin e quan Korifeu i kohёs sё njeriut, ndërsa anatemuesit e tij i quan peng të injorancës së tyre; për Ismail Kadarenë, tek i cili sheh krijuesin postmodern; për Profesor Ahmet Osjen, të cilin e cilëson Emblemë të gjallë të Malësisë së Madhe; për Profesor Rexhep Qosjen, tek i cili identifikonte rilindësin e fundit, polemistin më elekuent të kohës sonë, si shenjën ogurmirë të kthimit vlerave identitare; për gjuhën poetike, në trajtesën sintetike dhe filozofike për kritikun letrar, gjuhën poetike dhe gjuhën e shpirtit etj.

Duke lexuar persiatjet, esetë dhe artikujt kritikë e polemizues të Kadri Ujkajt, shkruar sidomos dy dekadat e fundit, ne shohim me kërshëri trajtesat sociologjike të bashkëkohësit të tij Moikom Zeqos, të shkruara që nga vitet ’90, si dhe trajtesat historiko-letrare e sociologjike të Profesor Rexhep Qosjes të shkruara nga vitet ’70 e këndej. Diskutimi i tij i gjithanshëm, natyra filozofike dhe kritike e interpretimit të dukurive dhe fenomenve letrare e kulturore, kanë bërë që lexuesit të gjejnë në këto vepra dhe artikuj të Kadri Ujkajt mendimin brilant të studiuesit me prirje individuale kërkimi.

I përkushtuar ndaj parimësisë më parë se sa prej interesave vetjake, Kadri Ujkaj ka shkruar me të njëjtin përkushtim, si në veprat e tij me karakter sintetik a me karakter monografik ashtu edhe në artikujt e shkurtër problematik. Kjo ka bërë që duke shkruar për çështje të natyrës aktuale shoqërore të jetë shumë i përkushtuar ndaj fakteve historike dhe gjuhës së përdorur, ndërsa duke shkruar për tema të mëdha historiko-letrare dhe filozofike të jetë i përkushtuar sa më shumë ndaj mendimit kritik, paradigmat historike dhe nocionet shkencore.

Le të jenë këto vetëm disa prej arsyeve pse studiuesi, kritiku, gazetari dhe publicisti Kadri Ujkaj, në rrethet shkencore dhe në rrjedhat letrare e publicistike të hapësirës shqiptare ka zënë me kohë vendin e tij të veçantë.

Diskutimi mbi veprat dhe artikujt veç e veç, këtu, sigurisht do të na rikthente në vitin 2001.

Një rastësi apo një realitet!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT