Nga: Besim Muhadri/
Librat e kujtimeve janë libra interesantë dhe të rëndësishëm për shumë arsye. Ata ngërthejnë brenda vetvetes histori të ndryshme, të cilat në njëfarë forme janë edhe histori dhe përjetime individuale të personit që i shkruan këto kujtime, mirëpo, krahas kujtimeve dhe përjetimeve personale, ato mund të ngërthejnë brenda vetvetes edhe histori dhe fate kolektive të një rrethi të caktuar, të një familje por edhe të një kolektiviteti të caktuar. Në librin me kujtime të Eli Dervishdanës, të titulluar “Retrospektivë pikëllimi” dhe me nëntitullin: Kur vriten vëllezërit, vdesin motrat, janë të gjitha këto elemente që përmendëm. Duke u nisur nga tragjeditë e njëpasnjëshme të familjes Dervishdana, të ndodhur që nga vite të hershme e për të kulmuar me tragjedinë e marsit të vitit 1999, kur forcat kriminale serbe pushkatuan kryefamiljarin babën Zejnel bashkë me bijtë dhe shumë të tjerë që ndodheshin në teqenë e tij në ditën tragjike, Eli Dervishdana arrin të na jep një libër dokumentar në të cilën shpaloset, në mënyrë shumë të përpiktë dhe me përkushtim, historia familjare dhe ajo kombëtare, njëkohësisht.
Tema e trajtuar në këtë libër, përmes kujtimesh dhe kthimit në retrospektivë, në një periudhë njëvjeçare, madje në formë ditari, i jep autores mjaft kohë dhe hapësirë që të shpalosë ngjarje, histori dhe aspekte të tjera që ndërlidhen me të, me familjen dhe me qytetin e saj, Gjakovën, por edhe Kosovën. Kujtimet e saj Eli i ndërton përmes rrëfimeve që i bën vajzës së saj kureshtare, Zërinës, për të ditur për mësuar nga e ëma për të gjitha ato që kishin ndodhur.
Libri i i Eli Dervishdanës, “Retrospektivë pikëllimi”, është libri tragjedisë familjare dhe kolektive, libri i dhimbjes dhe i krenarisë, por edhe libri i kujtesës individuale dhe kolektive, libri i adhurimit ndaj Zotit, Njeriut dhe Atdheut.
Me këtë libër kujtimesh, në mënyrë retroaktive, Eli Dervishdana i kthehet historisë dhe tragjedisë familjare, duke na përshkruar ngjarje dhe data historike kombëtare, të cilat ndërlidhen me anëtarët e saj të familjes, qoftë e lindjen e tyre, qoftë me rënien e tyre, si heronj të atdheu, që u sakrifikuan për një ditë më të mirë, siç është liria e Atdheut.
Në librin e saj Eli arrin të përjetësojë figurën e Babait, Babës Zejnel, këtij burri të shquar të Atdheut e të Fesë, shpirti i të cilit udhëton në kujtimet e trishta por krenare, duke përçuar misionin e shenjtë në rrugën e pavdekësisë e të kujtesës kolektive.
Ajo përjetëson figurat e vëllezërve të saj Nesemiut, Fahriu, Eminit, në portretet e të cilëve shohim burrërinë, mençurinë, trimërinë dhe sakrificën për më sublimen. Ata janë shembulli i frymëzimit të brezave për një ditë më të mirë.
Por Eli na flet edhe për Nënë Madhen, nënën e saj, shembulli i Gruas së fortë dhe burrnore, shtyllë e familjes dhe më shumë, që krahas burrit të saj, Babës Zejnel Dervishdana, na del një nga personazhet më të fuqishme, duke mbetur shembulli i sakrificës, i mirësisë dhe i dashurisë së madhe për familjen edhe atëherë kur ajo (familja) ndodhet në zgripin e ekzistencës së saj, të zhbërjes së saj, qoftë në aspektin fizik, qoftë në aspektin psikik, pas gjithë asaj tragjedie të ndodhur.
Eli Dervishdana, përmes një rrëfimi interesant, të ndërtuar me një sintaksë të shkëlqyer, na dhuron një libër që do të lexohet me kujdes dhe me interes nga të gjitha shtresat e lexuesve. Në libër ajo na vë në situata të vështira emocionale, prej të cilave është vështirë të kalohet pa derdhur lot mërzie dhe dhembjeje. Ajo na bën për vete me ato rrëfime shumë të sakta, saktësia e të cilave qëndron në atë se rrëfimtari është protagonist i drejtpërdrejtë. Autorja e librit, Eli Dervishdana, flet edhe për veten, për familjen e ngushtë të saj, ndërsa vajza e saj, Zërina, që vjen në një moment delikat të jetës së autores. Zërina është simboli i kthimit të shpresës së humbur dhe i dashurisë së venitur, pas tragjedive të mëdha.
Autorja, përveç anëtarëve të familjes, na flet edhe për shumë njerëz të vendlindjes së saj, të cilët në momente të vështira të historisë, kontribuuan kush sa mundi e diti për lirinë e Kosovës. Aty është rinia gjakovare, djem e vajza, të cilët në ngjarjet e viteve historike 1981, 1990, 1998, 1999, ishin të kyçur në aktivitete dhe aksione që tronditën themelet e Jugosllavisë e të Serbisë gjenocidale. Në libër ajo i jep me emra, saktë dhe bukur, që do t’ia kishin lakmi edhe shumë historianë, poetë e romancierë me shumë përvojë.
Po të zbërthenim më shumë përmbajtjen e librit atëherë kama frikë se libri do të humbte interesimin e lexuesit për të lexuar, prandaj po ndalem vetëm me kaq, i bindur se libri do të lexohet dhe rilexohet. Po ashtu jam i bindur se do të ketë edhe reagime estetike, në aspektin më pozitiv, nga kompetentët e letërsisë dhe të publicistikës. Ndonëse Eli Dervishdna po del me librin e saj të parë, mendoj se po na ofron diçka që ia vlen, diçka që e ka përpunuar për shumë vite brenda memories së saj. Mirëpo në të shihet edhe talenti i pakontesueshëm i saj në të shkruar.
Urojmë që Eli në të ardhmen të na sjell gjëra më të lumtura të jetës së saj, sepse jeta është e gjatë, ndoshta me e gjatë se sa e mendojmë, dhe se dëshpërimet, dhembjet e arsyeshme, në të ardhmen t’i lënë vend jetës së lumtur, sepse vetëm në këtë mënyrë shpirtrat e atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe lumturinë tonë dhe të Atdheut, do të ndihen më të qetë, atje në botën e tyre të pavdekshme.
Elin e përgëzojmë për këtë dhuratë ka të vlertë dhe kaq të nevojshme që po na sjell në këtë kohë kur Kosova ende po përjeton gjëra të cilat duhet të ishin tejkaluar shumë kohë më parë.