• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

SHËN TEREZA, NËNA JONË QË JE NË QIELL …LUTU PËR NE !

September 5, 2023 by s p

Frano Kulli/

Shejnjta Mari, nëna e tenzot lutu për ne mëkatnorët (Santa Maria, madre di dio prega per noi peccatori)….kështu fillon njëra prej lutjeve më të përshpirtëshme të besimtarëve, në të gjithë botën katolike, një ritual i ri dhe i lashtë i tyre. Mëkatarët (e kush ndër të gjallët e kësaj bote nuk është mëkatar) i kërkojnë nënës së Hyjit, nënës së Zotit që të ndërmjetësojë tek i biri për të na i falur mëkatet. Atje lart, në botën e qiellit , tash e 17 vjet kemi edhe ne shqiptarët shejtneshen tonë, që lutet për ne…

Kurse tek shtatorja e saj në Shkodër, Leopold Shkreli, një besimtar fort i përshpitshëm e qytetar i përshembullt çon ditë për ditë një tubë lule të freskëta. Si një ndërlidhje e përshpirtëshme me botën e qiellit, por edhe si një mesazh paqe e mirësie për ne bashkëqytetarët e bashkëkombasit e Saj.

Sot (5 shtator) bëhen 26 vjet që Ajo është në jetën e pasosur të qiellit. Në të djeshmen e shtatë vjetëve më parë, më 4 shtator 2016, E lumja Nënë Tereza, e shpallur Shenjtënesha më e re e Kishës Katolike dhe e njerëzimit mbarë, u shfaq në Sheshin “San Pietro” në Romë, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës.

Ajo erdhi në këtë ditë të lume si “dërgatë” e Kongregatës (Urdhrit) së Misionarëve të Bamirësisë. Një urdhër i krijuar prej saj dhe i miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës. Më pas, Urdhri miratohet edhe nga “Propagada Fide” në Romë dhe kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë në Kalkuta të Indisë.

Por edhe anembanë botës, me prezencën e saj. Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie, në të cilat gëlojnë më se 4000 motrat me uniformën bardhekaltër të kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues).

Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala, ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Bashkëpunimi ynë me të na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës kroniken e përndritshme pranë Nënës së Lume… (Atë Sebastian Vazhakala M.C., “Jetë me Nënë Terezën, Miqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2008)

“Atë Sebastiani, njëri nga 6 vetët që mbante arkëmortin me kurmin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, më 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës”, shkruan Visar Zhiti në parathënien e librit.

Më pas… Më pas, kështu deri në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbesën e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkund gjindshëm (kudondodhur). Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojën e përjetshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve, për më të varfrit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet.

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe … Se gjërat e mëdha i bën tjetërkush…- kjo ishte motoja e jetës shërbestare në tokë e Nënë Terezës.

Kur Nënë Tereza kishte fituar çmimin “Nobel të Paqes”, siç rrëfen Don Lushi Gjergji, dëshmitari fatlum i ngjarjes së madhe: më 10 dhjetor 1979, ora 9:30, në Oslo, i bën një vizitë mbretit Otavo V i Suedisë. Pas përshëndetjes dhe një bisede të shkurtë, Nënë Tereza e pyeti mbretin: “Madhëri, a do të jeni i pranishëm sot në ceremoninë e prezantimit të Çmimit Nobel?”.

– Unë do të vija me dëshirë, por unë jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së njerëzve, prandaj nuk dua që edhe sot të ndodhë kjo. Sot është dita jote… Nuk dua që të jem në qendër të vëmendjes!, i përgjigjet mbreti.

-Madhëri! Mos ngurroni të vini, – i thotë Nënë Tereza, – në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti!… Dhe për befasinë e të gjithëve, sidomos të organizatorëve pas shpjegimit të saj dhe ftesës, kështu të arsyetuar të saj, mbreti ishte i pranishëm në ceremoni.

Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë, asnjëherë, për asnjë çast të vetëm. Vjen gjithashtu pas veprave të përditshme e të përorëshme, duke ua kushtuar gjithçka të përshpirtshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve.

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin qi Pagja e Tij të vijnë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë boten. Lutuni shumë për fukaratë e mij-dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”

M.Teresa Bojaxhiu

Letra, siç shihet, është shkruar prej M. Teresa Bojaxhiu në Oslo me 10.12. ‘79 dhe i drejtohet një prifti të ri asokohe, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova aty, don Lush Gjergji. Firmosur me mbiemrin e familjes, pohimi dëshmues autentik i shqiptarësisë së saj. Prej këtij rasti, po para këtij e përherë, ishte Don Lushi që e ruajti si pjesë të një testamenti biografik të saj dhe, me botimet e shumta të bëra ndër vite për Nënën, ai është ndërkohë biografi i parë më i mirë shqiptar i Shenjtës sonë…

Sipas ritualit kanonik, shenjtërimi i saj vjen pas shpalljes E lume njëzet vjet më parë, (2003) si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e saj të imta.

Aty, në sheshin “San Pietro”, asohere ishim edhe ne bashkëkombës të saj, shqiptarë të ngadoardhur. Dhe u ndjemë ngrohtë, shumë ngrohtë nën mbulojën e shenjtërisë së saj. Si edhe të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Terezë, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë.

E ne lutemi për Ty – Shenjtnesha jonë.

Filed Under: Kulture

SHQIPTARJA E SHENJTE, SOT 7 VITE

September 5, 2023 by s p

Albert Vataj/

Nënë Tereza, “Gruaja që kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt!”

Më 4 shtator 2016 Nënë Tereza u shpall shenjtore. 7 vjet pas kësaj ngjarjeje, bota vijon të pyesë: “E kush është kjo grua?”…. Kësaj pyetje po përpiqemi t’i japin përgjigje në tre vjetorin e shenjtërimit të Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të famshme të gjakut shqiptar që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt.

“E kush ishte kjo grua?”….”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?” – pati pyetur e vijon të pyesë bota. Kush ishte kjo grua, që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.

Po ishte ende gjallë.

Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari bardh e blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja. Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje, aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.

Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.

Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.

“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.

“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.

“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.

Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.

Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.

Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!

Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik.

Mos ta lëmë të shkojë kot!

May be a black-and-white image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

1010

Filed Under: ESSE

Festivali i Kishës Zoja Pajtore në Michigan një emblemë e vlerave kombëtare

September 5, 2023 by s p

Rafael Floqi/

Një traditë gati 30 vjeçare e krijuar në kushte të tjera e në rrethana të tëjera, përsëritet e përsëritet tashmë në Southfield të Miçiganit, në periferi të qytetit Detroit, që nga koha kur i ndjeri Dom Prenk Ndrevashaj dhe një grup besimtarësh katolikë themeluan Kishën Zonja Pajtore e Shqiptarëve, e cila u shndërrua në vite jo thjesht në një objekt kulti, por në një institucion të rëndësishëm të ruajtjes së kulturës dhe traditave shqiptare.

Gjatë tre ditevë në prag të Ditës së Punes ne datat 2, 3 dhe 4 Shtator, Këshilli i Kishës mban festivalin tradicional tre ditor, i cili çdo vit lartëson si vlerat fetare dhe ato kombëtare. Në një mjedis të zbukuruar këndshëm, i përtëritur në mjediset e jashtme të Kishës i përshëndet në mënyrë mjaft serioze të gjithë të pranishmit. Duken ndryshimet janë shtuar tendat është zgjedhuar mjedisi, lodrat me fryrje për luajtur fëmijët, i përshëndesin vogëlushët e kudo në këtë mjedis që frymon kuq e zi. Krahas guzhinës me aroma shijesh gatimesh e pijesh kombëtare tendat e shitësve ambulantë të që gjejnë gjithnjë kohën dhe objektet për të na kujtuar atdheun, flamurin tonë kombëtar vendlindjen tonë.

A mjafton një shqiponjë apo një bluzë T-shirt a pëlqehet ajo nga ta rinjtë. Po janë mjaft të pëlqyeshme dhe blihen thotë një djalosh që ka krijuar një biznes të tillë në New York, dhe ka ardhur për të shitur këtu. Dy vajza të reja që kanë filluar një prodhim shtëpijak ëmbëlsirash, po e lançojmë punën e tyre pikërisht këtu. Ka dhe bisneze të tjera shqiptare që nga paketa TV over IP AlbTV apo piktori pasionant invalid Ndue Gjelaj u sjell blerësve piktura dhe riprodhime të tablove me heroin tonë kombëtar. Tabloja origjinale “frymëzimi” , paraqet Fishtën dhe Marash Ucin, frymëzimin dhe lajtmotivin e poemës Lahuta e Malcisë. Sa domethënie sa atmosferë ka në atë tablo. Ndoshta mund të pranohet një sugjerim se do të ishe më mirë që dhe bizneset sponsorizues të ishin të pranishëm më shumë në njerën nga këto ditë të festivalit që t’i kushtohej vetëm atyre atyre, dita e parë e vestivalit do të ishte domethënëse.

Kulmi i festivalit ishte ditën e dielë, kjo është dita e hapjes zyrtare të festivalit, të gjithë sidomos prindërit e fëmijeve të grupeve artistike mirëpresin parakalimin e grupeve artistike të fëmijëve. Një atmosferë pritje ndjehet në ajër tek organizatorët, të cilët si Ndrec Mirdita janë të kudondodhur në përgatitjet e fundit e sigurojnë që çdo gjë të jetë në vendin e dukur.

Kisha e Zonjës Pajtore të Shqiptarëve, me meshtar Dom Ndue Gjergji, i cili kohët e fundit plotësoi 50 vjetorin e Meshtarisë, është rritur së bashku me komunitetin dhe ka përjetuar ndryshimet që i ka kaluar ky komunitet. Ajo është e themeluar fillimisht me besimtarë kryesisht nga Mali i Zi dhe nga Kosova, sot, rreth 70 për qind e komunitetit të saj janë nga Shqipëria, të cilët tek kisha kanë gjetur një mbështetje të madhe për t’i ndihmuar në ambjentimin në Shtetet e Bashkuara.

Festa është kthyer tashmë dhe një banderolë gëzimi dhe të ruajtjes të vlerave kombëtare edhe nga grupet e ndryshme të fëmijëve që marring pjesë. Procesioni fillon që nga Qendra kulturore e kishës drejt tek Sheshi i Festivalit, duke shpalosur flamujt kombëtare shqiptarë dhe amerikanë.

Kjo traditë lindi me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku u shoqërua me 100 flamuj, dhe qysh aso kohe vazhdon edhe sot. Turma shoqërohet nga kamerat e televizioneve dhe disa dhjetëra prindër “kamaramanë amatorë “ që shaqërojnë gjithë adhurim femijet e tyre të veshur, me rroba kombëtare. Një mjedis i mbushur me ngjyrat më të bukura të kostumeve kombëtare, një lutje dhe nderim e për shpirtje tek shtatorja e Shenjtes “Nëna Terezë” është gjithmonë fillimi.

Po ditën e diel famulia nderoi me një meshë figurën e shquar të kombit shqiptar shenjten e katolike nënën e botës e bijën e shtëpisë Nënë Terezën. Lavdia e saj i kalon kufitë e një meshe. Do të lypset që në vitet në vazhdim për t’i dhënë larmi kësaj feste të organizohej ndonjë një simpozium i veçantë për Nënë Terezën, figura e së cilës sa më shumë kalon koha aq më e madhe po dhe aq më e mistershme në pasionin e saj për Krishtin mbetet. Dhe me bamirësinë e saj ajo mbëthen në vetvete një nga cilësitë thelbësore të kombit shqiptar.

Ne valvitjen e atyre flamujve ne ndiejme se shpirti i shqiptarit vlon. Duket pak se amaneti i themeluesit te kishës “Pajtorja e Shqiptarëve” Dom Prenk Ndrevashaj, prift dhe poet, duket sikur flasin dhe për virtytet dhe shërbesat e tij dhe të dishepullit të tij të denjë, Dom Ndue Gjergjit nga Kosova, një njeri përkushtuar dhe zemërmadh, i buzëqeshur si vëlla i Shenjtes Nënë Tereza.

Mes të tjerash Kisha “Pajtorja e shqiptarëve” në Detroit, përmbledh në vetevete dhe kalvarin e kishës shqiptare, martirizimin e saj deri në mrekullinë e kësaj dite feste sot. Festivalet dhe grupet folklorike që organizon, etj, dhe portretizuan si ikona të gjalla në fytyrat e këtyre femijëve që gezojnë. Pastaj si një festival fëmijësh duket se një dorë e çuditshme i bashkon bashkë dhe ato buzeqeshje prindësh që me celularët e tyre marrin mbresat nga interpretimi i femijëve.

Programi Artistik Folklorik filloi me intonimin e hymneve kombëtare e vazhdoi me programmin me pjesëmarrjen e grupeve të valleve “Illyrianet” i Kishës Zoja Pajtore ,-Grupi “Gjergj Kastrioti” i Kishes Shen Palit, -Grupi i valles “Shqiponjat e Vogla” nga Toronto -Grupi i valles “Rapsha në Mërgim”me tre valle të reja si valltarja profesioniste Elvana Dedvukaj dhe grupi i saj.

Grypi i Valleve Ilyrianet soli motive me valle të veriut është një grup relativisht pranë kësaj kishte fëmijë të të gjithë moshave, por qe mjaft mbresëlënës për profesionizmin e treguar ishte Grupi Shqiponjat e vogla” që solli para shikuesve dhe fansve të tyre ( Prindërve të ardhur nga Toronto), motive arbëreshe sikur të ishin në Jugun e Italisë. Vajza si Yje dhe djem mjaft të shkathët krijuan nja tablo mjaft interesante me veshjet e tyre. Qysh në fillim më ranë në sy veshjet e tyre dhe veçova një vajzë me veshje tiranase me dimiq. A ky është “fuston Tirone” i thashë Ramazanit , i cili ma pohoi gabimin duke e quajtur fustan.

Ta dini se nuk ka grupe artistike të fëmijëve pa përkushtimin entusiazmin e pasionin e nënave të tyre. Ka në sytë e nënave të tyre shumë gëzim, ka dhe një si farë shpagim pendese që vjen pikërisht nga interpretimi i shpenguar dhe i arrirë i atyre vogëlushëve, një si farë pendese të prindërve që janë larguar nga Atdheu që vallet e fëmijëve e shpagojnë atdhedashurinë e tyre. Ishte interesant fakti se nënat e Grupit Shqiponjat e vogla, që kish ardhur tok me bijtë e bijat e tyre nga Toronto ishin fanset me të zjarrta të festivalit jo vetëm për fëmijët e tyre, por për të gjithë grupet e fëmijët që vallëzonin.

Eshtë e vështirë të gjurmosh brenda gëzimit të këtyre fëmijëve dhe shqetësimin e përkushtimit të koreografëve si Joli Paparisto, Anton Juncaj dhe Ramazan Këllezin i cili si mik përshëndeti të pranishmit për mundësinë e krijuar në këtë aktivitet, gjë që nuk e kanë arrirur në këtë formë në Kanada.

Pastaj qershia mbi tortë në fund zërat piskame të femijëve malësore -Albana Gojçaj 8 vjeç , -Valon Gjolaj 10 vjec , -Misi Gojçaj 6- vjeçare deshmon se tradita nuk vdes. Nëna e Misit, nënë si nënat, më kërkoi një video profesionale të këngës së vajzës së saj të veshur me xhubletën e bukur e të lashtë. “Kush i ka bërë rricat kështu i thashë , dhe ajo më përmendi emrin e një gruaje malësore.” Nuk ka kostum kombtar “pa lukun” përkatës jo jo nuk ka.

Duhet ta kuptojmë se nuk është anakronizëm interpretimi folklorik, por ashtu si Gjuha Shqipe është hallkë lidhje me trojet shqiptare dhe për fëmijët të lindur në mërgim. Raporti me dëshirës dhe mundësive që krijojen në një vend të huaj ndihen ne aksenti apo në mungesat e intonacionit të moderatorëve Viktoria Dedivanaj, dhe Steve Lucaj, ku herë shqipja ja kalonte anglishtes dhe herë anglishtja ja kalonte shqipes por duhen vleresuar për punën plot dëshirë e pasion. Të mos harrojmë që jemi në Amerikë dhe këta të rinj kanë lindur këtu, Muzikanti Albert Abedini bëri një shoqërim dinjitoz të të gjithë koncertit natyrisht dhe daullexhiu.

Festivali Shqiptar pranë Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan organizohet prej 30 vitesh. “Mirënjohje fëmijëve, prindërve, organizatorëve për punën e palodhur, mbështetësve tanë e falënderime të madhit Zot që bënë të kishim një Festival spektakolar këtë vit. Çdo vit e më mirë, çdo vit e më bukur. Lavdi Zotit për njerëzit e shkëlqyer të komunitetit tonë në Michigan” tha në fjalën e tij përshëndëtëse Dom Ndue Gjergji.

Ky festival tre ditor është kthyer tashmë në një traditë të padiskutueshme promovimi vlerash kombëtare e komunitare, qysh nga koncerti i fëmijëve, tek ushqimet karakteristike shqiptare, tek muzika e grupeve shqiptare bashkoi me qindra shqiptarë në Michigan në tre ditë të shpalosjes të vlerave kombtare. Natyrisht në këtë mes një përshëndetje e ngrohtë është edhe për të gjithë ata që mundësuan një aktivitet të tillë drejtuesit e festivalit dhe të Këshillit të Kishës.

E ndësa gëzimi vazhdon me këngetarët i mbledhin gjithë të rinjtë shqiptarë në valle. Duket si “një valle e madhe pa nuse” më thoshte një mik, megjithatë nga kjo valle na vijnë nuset, se të rinjtë njihet e takohen me njeri- tjetrin, dhe kështui mund të ruhet identiteti i ynë në këtë dhe të bekuar. në fakt dashuria shqiptare s’ka si është digjitale.

Diku një një fushë pas festivalit një grup fëmijësh 12 -13 vjecarë luajnë futboll amerikan. Festa e Punës është dhe fillimi i kambpionatit të Futbollit, kjo tregon se këta fëmijë për jetëojnë një realitet të dyzuar shqiptar dhe amerikan. Na duhet t’i kenë të dyja por kurrë të mos harrojnë të parin.

Fotot: Rafael Floqi

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafael Floqi

Familja e Marjan Cubit organizoi festën e Shenjtores Nënë Tereza

September 5, 2023 by s p

New York, 3 Shtator 2023- Marjan Cubi me familje, miq, veprimtarë të çështjes kombëtare e dashamirë organizoi për të gjashtin vit festën e Nënë Terezës, një traditë familjare dhe fetare në nderim të Shenjtores shqiptare. Në këtë festë familjarë, miq, vatranë dhe patriotë të dalluar bashkohen çdo vit në shenjë nderimi dhe respekti për figurën e Nënë Terezës, shembullin e saj, shërbimin që i dha botës dhe mbi të gjitha përfaqësimin e vlerave më të larta të kombit shqiptar. Një festë sa fetare por edhe patriotike që familja Cubi e organizon me fisnikëri e bujari çdo vit. Fjalën kryesore e mbajti kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili u ndal te figura e shenjtores shqiptare Nënë Tereza në lartësimin e kombit tonë, vlerësoi kontributin e Marjan Cubit për komunitetin, çështjen kombëtare, Kishën Katolike e Vatrën për 42 vite pa u ndalur dhe u fokusua te vazhdimësia e familjes Cubi në Vatër, ku Ilir Cubi vazhdon me dinjitet e krenari rrugën e babait të tij Marjan Cubit. Ilir Cubi e mbështet Vatrën që nga vitet 90-të. Në ditët e sotme është ndër protagonistët kryesorë që i shërben me pasion e devotshmëri Vatrës e Diellit. Kjo festë tradicionale komunitare ka rëndësi të veçantë pasi Nënë Tereza bën çdo shqiptar krenar me përkatësinë e saj kombëtare, me atë që i ofroi botës, me dashurinë e saj, përkushtimin e saj, përshpirtshmërinë e saj, devotshmërinë e saj dhe thjeshtësinë e saj. Nënë Tereza bashkon vlerat shqiptare me vlerat më të larta universale.

Filed Under: Vatra

Presidentja Osmani në Tiranë: Mos lejojmë Vuçiqin të zbatoj planin e Putinit në Ballkanin Perëndimor

September 4, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite dyditore në Shqipëri me ftesë të Presidentit Bajram Begaj. ka thënë përsëri se Serbia synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë. Në konferencën për media me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, Presidentja Osmani tha se Beogradi zyrtar po provokon vazhdimisht tensione në pjesën veriore të Kosovës, të ngjashme me provokimet e Moskës në rajonin e Donbasit, në Ukrainë, në vitin 2014. “Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës.”

Duke renditur aktivitetet e paligjshme dhe kriminale të Serbisë në armatime e trajnime në Veri të Kosovës, Presidentja e Kosovës e quajti atë “një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku,” për të parandaluar çfarëdo veprimesh destabilizuese në rajon. “Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

Presidentja Osmani e cila do të ketë takim me Kryeministrin Rama i minimizoi mospajtimet mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet në pjesën veriore të Kosovës. Ajo e quajti atë si përplasje të momentit që “është tejkaluar”.

“Jam e bindur që çdo diskutim i momentit që mund të ketë çuar në mospajtime tashmë është tejkaluar. Qëllimi ynë është i përbashkët: Kosova sovrane dhe e pavarur. Unë angazhohem në arritjen e këtij qëllimi, për tejkalimin e çdo mospajtimi të momentit”, tha Presidentja Osmani.

Të martën, Osmani do të vizitojë Beratin, ku do të nderohet me titullin “Patroni i Kalasë’’, nderim qe u jepet personaliteteve të larta që kontribuojnë në dobi të qytetit.

Presidentja e Kosovës do jetë në Bruksel në datën 7 shtator. Aty do të ketë takime në zyrat qendrore të NATO-s ku do të raportojë për situatën dhe masat e sigurisë në Kosovë. NATO e ka forcuar prezencën e KFOR-it në muajin maj pasi bojkotimi i zgjedhjeve në komuna me shumicë serbe solli sulme të serbëve ndaj kryebashkiakëve shqiptarë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT