Rafaela Prifti/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite dyditore në Shqipëri me ftesë të Presidentit Bajram Begaj. ka thënë përsëri se Serbia synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë. Në konferencën për media me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, Presidentja Osmani tha se Beogradi zyrtar po provokon vazhdimisht tensione në pjesën veriore të Kosovës, të ngjashme me provokimet e Moskës në rajonin e Donbasit, në Ukrainë, në vitin 2014. “Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës.”
Duke renditur aktivitetet e paligjshme dhe kriminale të Serbisë në armatime e trajnime në Veri të Kosovës, Presidentja e Kosovës e quajti atë “një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku,” për të parandaluar çfarëdo veprimesh destabilizuese në rajon. “Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.
Presidentja Osmani e cila do të ketë takim me Kryeministrin Rama i minimizoi mospajtimet mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet në pjesën veriore të Kosovës. Ajo e quajti atë si përplasje të momentit që “është tejkaluar”.
“Jam e bindur që çdo diskutim i momentit që mund të ketë çuar në mospajtime tashmë është tejkaluar. Qëllimi ynë është i përbashkët: Kosova sovrane dhe e pavarur. Unë angazhohem në arritjen e këtij qëllimi, për tejkalimin e çdo mospajtimi të momentit”, tha Presidentja Osmani.
Të martën, Osmani do të vizitojë Beratin, ku do të nderohet me titullin “Patroni i Kalasë’’, nderim qe u jepet personaliteteve të larta që kontribuojnë në dobi të qytetit.
Presidentja e Kosovës do jetë në Bruksel në datën 7 shtator. Aty do të ketë takime në zyrat qendrore të NATO-s ku do të raportojë për situatën dhe masat e sigurisë në Kosovë. NATO e ka forcuar prezencën e KFOR-it në muajin maj pasi bojkotimi i zgjedhjeve në komuna me shumicë serbe solli sulme të serbëve ndaj kryebashkiakëve shqiptarë.