• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / PSE SHQIPTARËT NUK LUFTOJNË KUNDËR SERBËVE – PËRGJIGJJA E ISA BOLETINIT

October 18, 2023 by s p


Isa Boletini (1864 – 1916)
Isa Boletini (1864 – 1916)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Tetor 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, përgjigjen e Isa Boletinit mbi arsyet se pse asokohe shqiptarët nuk kishin reaguar menjëherë ndaj pushtuesit serb, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Pse shqiptarët nuk luftojnë kundër serbëve

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 12 prill 1913, ballinë
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 12 prill 1913, ballinë

Vjenë 11, prill. Agjencia shqiptare publikoi si më poshtë deklaratat e Isa Boletinit, i cili erdhi në Vjenë nga Roma së bashku me Ismail Qemalin :

“Në Evropë përgjithësisht u habitën pse ne nuk e kundërshtuam pushtimin serb me armë në dorë. Arsyet janë këto : Lufta e vazhduar për dy vjet kundër xhonturqve na kishte lodhur. Xhonturqit na çarmatosën dhe na shkretuan fshatrat. Kur filloi lufta, serbët dhe malazezët na dërguan negociatorë, të cilët na siguruan se edhe aleatët ballkanikë do të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë tonë. Ne besuam në ta, por ndërsa ishim të pafuqishëm, na sulmuan, shumë nga njerëzit tanë u vranë dhe ajo që mbeti nga prona jonë u shkatërrua dhe u vodh. Nuk mund të besoj se Evropa dëshiron t’i braktisë Serbisë qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Vilajetin e Kosovës; nuk do të ishte as në interesin e Evropës. Ne luftuam kundër sulltanit, tani do të luftojmë edhe kundër serbëve për të shpenguar veten nga këta shtypës.”

Filed Under: Emigracion

Nënë Tereza Nobeliste: Unë jam shqiptare…

October 18, 2023 by s p

-Për ngjarjen e madhe për shqiptarët e botën të 17 Tetorit 1979 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante: U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA-LAUREATE/

-“Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare…” Fjalët e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë, të shënuara në Rilindja, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë  Behlul Jashari

PRISHTINË, 17 Tetor 2023/ Ngjarja e madhe për shqiptarët e botën ndodhi para 44 vitesh – në 17 Tetor 1979. “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 Tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

 Në 10 Dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në Rilindja, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 Shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).                                                                                                                             

***

 Fjalimi i Nënë Terezës në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe – (teksti i plotë shqip dhe video)

http://www.drita.info/opinion/fjalimi-i-nene-terezes-ne-ceremonine-e-dorezimit-te-cmimit-nobel-per-paqe/

Filed Under: Vatra

Intervistë me arvanitasin e Lidhjes arvanitase  1980 Jorgo Miha

October 18, 2023 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe pranë bibliotekës A. Bellusci Frascineto\ Cosenza\ Kalbari /

Athinë, 28 shtator 2023 

Nisem nga stacioni metro  “Viktoria” i Athinës për të arritur në zonën Naztiotissa ku kisha lënë takim  me njërin prej arvanitasve të “Lidhjes së arvanitasve, Marko Bocari” krijur rreth viteve 1970,  Zotin Jorgo Mihas. Ishte një ditë me diell. Më duhet të kaloj rrerth 11 stacione që të arrijë në pikën e takimit. Mihas është  pjese e atyre arvanitasve  të rrethuar nga deti, dhe janë si ato sirena, ku herë pas here, mjafton një anije në det të hapur dhe ato dalin, të mahnisin sapo nisin e flasin atë gjuhë të lashtë sa vetë njerëzimi, ku  as pushtuesit, as i huaji, as poltika,as miq dhe armiq qofshin ata nuk arritën ti shuanin, dhe me gjithë  pengesat që hasën arrijnë të sillnin deri në ditët e sotme dëshmin që jemi vëllezër të të njejtit gjak. 

Këta  arvanitas  janë në kozmo, janë pranë Olimpit, janë në toponimet e hershme, janë pranë  krojeve të kristalta ku dimri ndonjëherë është i egër e vera zhuritëse, ata janë me këmbët në valët e detit, atje ku perëndesha e Herës  zbut bubullimat. Ata janë janë tek ato vashat e Epirti të bekuara si gjeraqina që mbathin kostumet e tyre të artë, apo  të mahnitura shoqërojnë me vështrimet e tyre  krenare vallen e Osman Takës. 

Në këto troje, nën qiell vetëtimat flokë kuqe firmosin mbi gurët e bardhë epitafet e shekujve me fjalët shqipe. 

Diku një pulëbardhë, pak më tutje e në thëllësi të maleve një shqiponjë që luan me rrezet e diellit lindor. 

Sot edhe pse në liqenin e akullt arbëror nuk ka jetë dhe ngjyrat janë mbuluar nga një bardhësi alabastre, nuk mund të fshehesh Diellin, e nuk mund të mashtrosh kodin e gjakut.  

Treni ndalon  dhe nisemi  në drejtim të  vendndodhjes së takimit që më la Z. Mihas. Isha  e shoqëruar nga një njohëse e botës arvanitase  Zhuljeta Zavalani dhe gjuhës greke e cila do të më ndihmonte për ndonjë paqartësi që mund të kishim. 

Takimi ishte rreth orës 11. Si zakonisht paraqaitem 10 minuta përpara, por nuk mendova se edhe nga krahu tjetër do të kishin po të njëjtën prioritet orarin.

Nuk bëjë as dy hapa dhe ulur ishte arvanitasi Jorgo Miha. 

Ai, ngrihet  butë butë në këmbë, ashtu si e kemi zakon ne shqiptarët duke venë dorën pranë zemrës dhe me një buzëqeshje ku mirësia dhe gëzimi shkrihen, na përqafon krahë hapur.

 Ulemi, pyesim njëri tjetrin se si jemi me shëndet, si janë familjarët  dhe  menjëherë më thotë: “Antonio Bellusci  si  është. Ai “Pafsania e Arvanitasve” ose më mirë të them ai është “Pafsania e arbërorëve të Greqisë”,siç i quan ai arvanitasit\ arbërorët e Greqisë. Edhe unë mendoj  se “Arvanitas” nuk është termi i duhur që na përket, sepse ky term na u dha si një term përçmues. 

Ne jem Arbërorë të Greqisë. 

Të paktën familja ime është  këtu që prej pesë shekujve. Ne nuk jem as vlleh, as turq, ne jemi autokton në këto troje. Kur isha i vogël kujoj që i gjith fshati im fliste  arvanitiki, gjuhën arbërore, edhe fshatrat përqark, miqtë e mi flisnin po të njëjtën gjuhë. 

Fatkeqësisht politika, nacionalizmi i sëmurë kanë penguar dhe deri kanë mohuar këtë popull 

Qeveria Greke deklaron se arbëroret-arvanitë nuk ekzistojnë, dhe ne  zyrtarisht në Greqi nuk njihemi. Nuk njihemi me kushtetutë dhe kur nuk njihesh me ligj nuk ka edhe si të mbrojë. E para e punës është të njihemi si popullsi  me të drejtën e gjuhës dhe  në pushtet. Nuk njihemi por egzistojmë, sepse egziston historia,toponimet e vjetra,  egzistojmë në folklor,në poezitë gojore lirike dhe epike. Priftërinjë nuk mbështesin çështjen e gjuhës arbërore, ata propagandonin që gjuha shqipe arvanitikia ishte gjuha e djallit.  

Deri nga vitet 1970 fëmijët, të rinjë, flasin në mënyrë shumë të qartë gjuhën arbërore\ shqipe.

Ndërgjegjësimi  për të krijuar  “Lidhjen Arvanitase” 1970

Kur shkuam nëpër universitete, pamë se pothuajse masa më e madhe e studentëve që vinin edhe nga fshatrat  për qark  njihnin arvanitikinë dhe flisnin arvanitikinë , dhe kështu filluam të kuptonim se sa e rëndësishme ishte gjuha jonë. 

Ata  që nuk janë autokton arvanitas ne i quajmë SKLIR, që do të thotë “skla”, “sklav” dhe emërtonim me këtë term popullsin greke jo arvanitase. 

Po ndërgjegjësoheshim për origjinën tonë. 

Në vitin 1970  një grup intelektualësh  me në krye inxhinierin Jorgo Maruga krijuan degën “ Lidhja e Arvanitasve”. Maruga ishte një arvanitas i denjë. Ai kishte i lindur në Patra, hulmtues i botës arvanitase i cili  ishte i interesuar për problemet historike dhe etnografike të popullit arvanitas. 

Mouruga  ishte aq i zoti sa jo vetëm fliste arvanitiki, por kishte mësuar në mënyre  autodidakt të shkruante  gjuhën standarte shqipe,si dhe ta fliste në mënyrën më të përsosur. 

Në vitin 1976  themelohet revista mujore“Dialogoi”, e cila dilte një herë në muaj. Jetëgjësia e saj ishtë vetëm 8 vjet. Maruga, shumë i ri rreth të  50 ndërron jetë në 1985 gjatë në operacioni apandesit. As vetë nuk dimë se si iku. 

Lidhja Arvanitase në vazhdim 

Në vitin 1980, me disa intelektualë të tjerë  vazhduam të çonim përpara“Lidhja Arvanitase”, dhe krijuam  shoqatën te cilën e emëruam“Marko Boçiari”. Organin e saj e titullum ”Besa”

Numëri i saj i parë u publikua  në 1983 në Athinë, ndërsa i fundit numëri 34 në vitin 1995. 

Kjo shoqëri u themelua nga unë (Inxhinieri dhe prof  Jorgo Mihas), Avokati Vangjeli Ljapi,  avokati Aristidhi Kollja, K.Kristou, J.Gerou e N.Souliotis. Shoqatën tonë arbërore e mbështesnin edhe historianin arbëror Kosta Biris, mjeku shkencor Jorgo Haxhisotiriou, si dhe, Gjona Paidousi,  Jani Gjikas,Maria Mihail Dede etje.

Ishin vite optimizmi, ku filluam të ndërgjegjësoheshim. Të mbanim lidhje me Shqipërinë deri deiku dhe me vëllezërit arbëresh  nëpërmjet Prof At Antonio Belluscit me revesitën e tij “Lidhja” dhe u krijuan ura midis Arvanitasve dhe Arbërshëve. Ishim faqet e të njëjtit libër siç shkruar Prof A, Bellusci në librin e tij Kërkime në Helladë.  

Gjithmonë kërkuam  që problemet tona ti nxirrnim në pahë, po ashtu edhe prioritetet tona.

Sipas një rendi ato i rradhitëm kështu: 

  • Ti kërkojmë qeverisë Greke që ne arvanitasit  të njihemi si popull me kushtetutë.

Ndërsa puna jonë konsiston në sensibilizimin e popullit arvanitase në: 

Mos të fshehim, origjinën dhe gjuhën.

Të njohim historinë tonë.

Të mbledhim material të folklorit tonë.

Të mësohet gjuha shqipe dhe të publikohen sa më shumë libra. 

Konfermojme  se shqiptarët janë mëse dy milionë njerëz. Të gjithë këta arbërorë kanë  ndërgjegjen shqiptare, edhe pse fatkeqësisht shumë kanë humbur gjuhën  e janë shpërndarë në Athinë, në Patra, në Selanik.

 T-iu heqësh arbërorve të drejtën për të mësuar gjuhën  është  krimi më i madh që i bëhet demokracisë. Në shoqaten tonë Arbërorët e Greqisë kërkojmë që të organizohen mësime të gjuhë shqipe për të mëdhenjë e për të vegjël. 

Pse të vazhdojmë të jemi të padukshëm edhe sot në 2023 kur flitet shumë për demokracinë dhe mbi të gjithë për një Greqi ku lindi demokracia, ku ne që jemi autokton e ndihemi të padukshëm? 

Çfarë kërkon Europa sot  prej atyre vendeve të cilat kërkojnë të bëhen pjese  e saj? Konkretisht, pyes çfarë i kërkon Europa prej Shqipërisë që ajo të bëhet pjesë e BE? Kushtet themelore të saj janë:

a(Kërkojnë siguresën, b)Të respektojnë të drejtat e pakicës minoritare. 

Greqia këtë kriterin e dytë  nuk e ka marrë fare parasysh dhe nuk e njeh me kushtetutë.

Përse Greqisë nuk ja kanë kërkuar këtë kusht?

Për shtetin Grek o je grek o je i huaj. 

Pakica kombëtare nuk egziston.

Kjo është për të ardhur keq, por akoma më e trishtueshme është kur mendon se  shumica e anarëve të qeverisë  në pushtet sot kanë rrënjë arvanitase.  

Midis shqiptarëve dhe ne arvanitasve kemi bërë një nga gabimet më trashanike.

Gabojmë në termat se si vetquhemi. 

Ne arvanitasit, jemi arbërore. Ju shqiptarët, quheni shqiptar, për Italianin jeni Albanesi, për shtetet e huaja po ashtu. Ne  na thërrisni arvanitas, ashtu si na quajnë grekët, por edhe vet quhemi arvanitas. Nëse  nëse ne të gjithë  do të quheshim“arbëror  Ilir”nuk do të kishim këto probleme. Nuk do të kishim as problem territoresh  siç kanë arbërorët të shpërndarë sot. Shpresh gabimet do ti kërkojmë tek vetja. Krijojmë përçarje edhe vet , gjë e cila na bënë dhe na ka bërë të jemi individualistë. 

Shoqëria Eteria Pellazgjikon Arvanitikon  

Kohët e fundit ne arvanitasit kemi ngritur një shoqatë  ku bëjë pjesë dhe unë (Jorgo Miha. Është  një organizatë,  e ngjashme me “Lidhjen arvanitese”, që mendohet të quhet  “Etrit e Pellazgjisë arbërore”. 

Askush nuk na njeh me termin Arbëror, i cili duhet të jetë i tillë, por dhe shumica në shoqatë kërkojnë ta mbajmë këtë term “Arvaniti” sepse kështu na njohin. Në këtë “Lidhje” tani për tani aderojmë rreth 50 veta, por kam shpresë që numri rritet. Këto shoqata ndihmojnë që mos të shtukemi si farë. 

Bëjmë atë që mund të bëjmë dhe kërkojmë sesnibilizim. 

Jorgo Mihas  është Autor i katër veprave

Jorgo Mihas ka lindur në 20 Korrik 1946. Studimet i ka kryer në Inxhinjeri mekanike dhe në të njëjtën kohë ka punuar edhe si profesor. 

  •  “To Martino”. Ky libër flet për një katund arvanitas Martino\Muzaka , dhe është fshati ku u lind  Jorgo Mihas,  tashmë i ndarë në katër fshatra të tjerë. Autori në këtë libër nxjerrë fakte nga koha e hershme, toponime e dokumenta familjare që vërtetojnë autoktoninë e këtij fshati arvanitase.  
  • Libri i dytë është “ Arvanitikia” në këtë libër gjenden toponime, familje, si dhe  fakte historike. Ky libër gjendet pothuajse në të gjitha biblotekat e shkollave të mesme.  
  • Libri i tretë  titullohet :“ 1821 i arvanitasve”. Ky libër flet për rolin e arvanitasve në revolucionin Grek, ku  90 %  e heronjëve ishin me origjinë arvanitase.   

 “E vërteta dhe Gënjeshtra mbi arvanitasit”

Në kët libër ai rradhitë të gjitha katundet  arvanitase, një punë kolosale prej 40 vjetësh kërkime dhe hulumtime. Ky libër del së shpejti. 

Cilat janë mbiemrat më të dëgjuar tek arvanitasit\ arbërorë të Helladës?

Buzos,Burradhas, Brekullaqi,Besos,Buas,Blezas(bletët), Barkas, Boxho, Bathas, Maras, Muriqi, Malerdha(erdhaprej malit), Lebesi,Lugos, Lekas. Ka shumë e shumë të tjerë.

Shprehje më të hershme 

  • Të madhin dhe gomarin të shohësh, mos ia lë ngarkesën 
  • Ku pështyn shumë tunelt lumë 
  • Barku plot nuk kërcen  dot, Barku fir nuk ecën dotë 

Shprehje frazeologjike e hershme 

Bau kau,  kuptimi i së clës është (e ka ballin si kau)

Muajt e vitit

Ne arvanitasit muajt e vitit i quajmë të tillë: Jenar, Shkurt, Mars, prill, Maji, Theristi(ther, pres)\(Qershor, Alonar(kur shihn grurin me kalë)\Korrik, Gusht, Triiti\Shtator

Shënmitër\Tetor, Vjeshta\Nëntor Shëndre\ Dimri

Konsulli shqiptar në  Greqi  indiferent ndaj arvanitasve  

Më rastisi një herë- thotë Jorgo Mihas- që  nëpërmjet miqëve të njohur  të pija kafe me konsullin e Shqipërisë në Greqi, i cili pyeti për mua kush isha. Nuk mi njihte, por nuk u trishtova sepse ndodh, por u shqetësova shumë kur  nuk dinte asgjë për lidhjen arvanitase dhe aq më keq më shqetësoi fakti që Konsulli grek  në Shqipëri më njihte, sepse ishte njohur me shkrimet e mia.   

Jorgo Mihas, Kosova dhe pavarësia e saj 

Unë ( Jorgo Mihas) se bashku me Aristidh Kolljen dhe  disa pjestarë  nga shoqata Marko Boçari mbrojtëm dhe mbështetëm çështjen e Kosovës. U bashkuam me arbëreshin Antonio Bellusci i cili na sensibilizonte për çdo takim me  Legën amerikane të Dioguardit. Zëdhënisn tonë kishim Aristidhin Kolja  i cili ishte edhe njohës i mirë i historisë  i cili shkonte në çdo kanal televiziv dhe fliste për popullin Dardan që ishin aty më herët se sa krishti vet.  Nuk po zgjatem  mbi këtë temë  por dua të theksoj që ne si lidhje arvanitase si edhe unë personalisht dhamë ndihmesën tpnë për këtë çështje dhe jam i lumtur për këtë fakt.

Tani është çështja jonë. Camëria, arvanitasit\ arbërorët e Helladës nuk yihen në gojë fare nga shteti shqiptar. Është e çuditshme se si nuk kanë asnjë rrugë me emrin” Arvanitas” Unë kurrë nuk kam dëgjuar ndonjëherë  emerr rruge as me “ Arbërorët e Helladës”. Keni parë ndonjë  staujë të Kollokotronit apo Marko Boçarit  në një lulishte apo parkë ti Tiranës apo qytete të tjera? 

Keni parë ndonjë teatër si edhe të një qyteze të vogël të marri emrin e  artistes Irene leleku\ Papas që  edeh pse me vonesë, por ka deklaruar me krenari që është  me rrënjë arbërore arvanitase. 

Si nuk ka qoftë edhe një bust të Aleksandrit të madh, që  historia botërore i njeh rrënjët ilirë të nënës së tij. Janë pikërisht këto gjëra të vogëla që përfundojmë në asimilim apo në hymbje të rrënjëve.

Ora po shënonte rreth 14 e 30. Nuk po ndjenim kohën që rrithte. Nuk mundëm të pini mas kafetë që qëndronin mbi tavolinë. Për një moment vura re ata sy të tij të lodhur por që mbartnin  një rreze e cila përputhej me optimizmnin tim,  ndoshta ajo rreze  ishte shpresa që arbërorët e Greqisë të ndihen autokton në tokën e tyre, të flasin gjuhën e tyre të deklarojnë gjuhën e tyre e të rishkruajnë historinë e tyre shumë shekullore. Ka ardhur koha që vendi ku lindi demokracia të rimarrë identitetin e saj. Kjo nuk është utopi, kjo është demokraci!  

Përshëndetemi duke lenë takim për promovimin e librit të tij të fundit. 

E falenderoj nga zemra Z .Jorgo Miha  për punën e tij të palodhur, por edhe si një  arbëror fisnik në deje. 

Në datën 6 tetor largohem nga Greqia

Përshkoj Loutraki,  Kuvara, Mesologji,Lefkada, Preveza, etje,  ndjej të njëjtat emozione kur udhetova  për herë të parë në këato troje e sinkronizuar në sintoninë e  memorjes, rrefimeve, dhe  epopesë sentimentale si dhe  të atyre udhëtime ku shpesh me rrëfen etnologut At Bellusci. Nndjeva jehonën e Mitit, pëshpërimin e legjendave, butësinë e kulturës, forcën e historisë, dhe shpirti rrëmbeu furishëm flatrat dhe me hare nisi t’i sodiste. 

E zhytur në vorbullën e atyre svastikave  kozmike,ndieja një energji që më përketë. Ndoshta sepse  gjyshi im ( babi i time ti) hodhi hapat e para në këto troje, e në këtë tokë prehen kockat e gjyshit të babit  tim, ardhur nga Kolonja të cilët e therën pa mëshirë grekrit  sikur të ishin bisha. 

Kjo zbaticë  më çon edhe  tek Camëria, ku bukuria dhe tragjedia e saj i ndan vetëm një pe i hollë.  U rrita në një gjytezë Ballsh ku kishte një mëhallë e tërë nga Camëria.

Ndërsa sodis, si flatërza më pikëzonin “Petkat e të parëve tanë”,  shkrirë nën “tinguj-e Moresë”. Ajo “More” që u pëshpërit me shekuj në sheshet e Arbëreshe, dhe  këndohet  edhe sot në festat arbëreshe sa arkadike, aq edhe stoike, ndërsa Çamëria vazhdon e lënë në harresë, për mos të thënë që duket sikur ka mbetur vetëm  si shprehje gjeografike.  

Foto në vijim Arvanitasi Jorgo Miahas dhe Ornela Radovicka 

Filed Under: Interviste

RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

October 18, 2023 by s p

Adil FETAHU/

Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike

Duke vërejtur dobësimin e Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi, të nxitura nga Rusia, lidhën aleancë për ta sulmuar Turqinë e ndarë tokat që do t’i pushtonin. Mali Zi, edhepse i fundit iu bashkua aleancës, ishte i pari që i shpalli luftë dhe sulmoi Turqinë, duke filluar kështu Luftën e Parë Ballkanike..
Sipas kronikës së At Justin Rrotës, botuar në librin e tij: Ditët e fundit të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Lufta e Parë Ballkanike ka filluar më 8 tetor 1912, kur Mali Zi i shpalli luftë Turqisë dhe menjëherë, të nesërmen sulmoi Tuzin dhe dogji fshatrat shqiptare rreth kufirit, por mësymjen më të madhe e ndërmori më 11 tetor, duke u përpjekur të marrin majën e Taraboshit, si pikë strategjike për ta sulmuar pastaj qytetin e Shkodrës. Forcat e ushtrisë turke ishin përgatitur e barrikaduar mirë për rezistencë, ashtu që nuk e lejuan ushtrinë malazeze të depërtojë. Sipas të dhënave zyrtare turke, thuhet se në atë betejën e parë u vranë 800 ushtarë malazezë, ndërsa nga forcat turke u vranë 27 veta, turqë e shqiptarë, ndër të cilët edhe majori Sadedin Beu, i cili komandonte forcat e regjimentit në atë sektor të mbrojtjes.
Në kronikat serbe e malazeze jepen data tjera për shpalljen dhe fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Oficeri i ushtrisë malazeze, Radule Simov Brajaçiq, i cili ka qenë komandant i një njësia të ushtrisë malazeze, në Memoaret e tij, thotë se krajli i Malit të Zi i shpalli luftë Turqisë më 25 shtator 1912, ndërsa mësymjen e parë e ka ndërmarrë më 1 tetor, në një sulm të përgjithshëm në Vraninë, Shipçani e Tuz.
Operacionet ushtarake për ta pushtuar Shkodrën zhvilloheshin herë pas herë, në fronte të ndryshme, ashtu që rrethimi i qytetit ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Gjatë atij rrethimi, qyteti goditej me topa e mitraloza, digjeshin e rrënoheshin objektet dhe vriteshin njerëz. Ka pasur bombardime të qytetit edhe nga aviacioni i Serbisë, që thuhet se kishte angazhuar katër avionë për pushtimin e Shqipërisë.
Për pushtimin e Shkodrës Mali Zi kishte angazhuar 25000 luftëtarë për rrethimin dhe sulmin e Shkodrës, nga tri anë, ndërsa forcat mbrojtëse numëronin 5000 ushtarë të rregullt dhe 10.000 shqiptarë vullnetarë e të mobilizuar, nën komandën e Hasan Riza Beut, i cili kishte ardhur në Shkodër në vitin 1911, si vali dhe kryekomandant i ushtrisë..
Forcave malazeze iu ndihmonin edhe 30.000 ushtarë serbë, të cilët kishin depërtuar në jug të Shkodrës, deri në Shëngjin e Tiranë.
Me qenë se forcat e Aleancës sllave kishin korrë fitore në frontet tjera kundër ushtrisë turke, më 3 dhjetor 1912 ishte nënshkruar armëpushimi midis tyre dhe Turqisë, por Mali Zi, edhepse ishte pjesë e aleancës, nuk e përfilli armëpushimin, veçse vazhdoi rrethimin dhe bombardimet e kohëpaskohshme, me qëllim që ta merrte Shkodrën me rrethinë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor vendosi të formohet Shqipëria autonome, në të cilën përfshihej edhe Shkodra. Por Mali Zi nuk përfillte as vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonte ta mbajë të rrethuar dhe herë pas herë ta bombardojë qytetin dhe të mësyjë depërtimin e mbrojtjes.
Esat Pashë Toptani, që kishte ardhur nga Durrësi me 25 000 redifë të tij, jo dhe aqë të disiplinuar e të vendosur për luftë, ishte emëruar zëvendës-komandanti i Hasan Riza Pashës, gjatë kohës së armëpushimit kishte zhvilluar bisedime të fshehta me malazezët, për t’ua dorëzuar Shkodrën, me kusht që ta ndihmojnë ta merr qeverisjen e Shqipërisë.
Më 30 janar 1913, vritet në një atentat kryekomandanti i forcave të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pasha.

Kush ishte dhe i u vra Hasan Riza Pasha

Hasan Riza Pasha ishte lindur në Bagdad (më 1871), kur i ati i tij kishte qenë vali i Bagdatit. Hasani kishte kryer shkollat ushtarake në Stamboll dhe specializimet në Berlin (Gjermani). Ishte ndër oficerët më në zë të ushtrisë turke, prandaj që në moshën 28 vjeçare kishte arritur gradën kolonel. Sulltani Abdylhamidi e çmonte zotësinë e Hasan Rizait dhe e kishte emëruar pashë dhe gjeneral ushtrie. Pas Hyrjetit, qeveria e xhonturqve e degradoi nga grada e gjeneralit në gradën e kolonelit, por kjo nuk e dëshproi oficerin trim. Në vitin 1911 ishte dërguar në Shkodër komandant i një divizioni të ushtrisë, ndërsa në mars të vitit 1912 ishte emërur vali dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Vilajetit të Shkodrës.
Elementi katolik e konsideronte Turqinë armikun kryesor, shekullor, fetar, kombëtar e kulturor, prandaj nuk e përkrahte ushtrinë turke në mbrojtjen e Shkodrës. Bile, një pjesë e mirë ishin radhitur në anën e malazezëve, sidomos asi që ishin arratisur në Mal të Zi nga ekspeditat e Turgut Shefqet Pashës. Hasan Riza Pasha bëri përpjekje dhe deri diku arriti përkrahjen e këtij elementi për ta ndihmuar mbrojtjen e Shkodrës. Ishte në marrëdhënie të mira miqësore me At Gjergj Fishtën, përmes të cilit kërkonte përkrahjen e klerit katolik. Elementi katolik ishte kundër zëvendësimit të një pushtuesi (turk) me një pushtues tjetër (sllav), prandaj pranonte ta ndihmonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës, me kusht që ajo luftë të ishte për pavarësinë e Shqipërisë, me Shkodrën kryeqytet, dhe që Flamuri shqiptar të ngritej në Kalanë e qytetit. Pashai pranoi dhe premtoi se ‘’që nesër Flamuri shqiptar do të valvitej në Kala’’, por kjo nuk ndodhi, sepse duhej pritur pëlqimin nga Stambolli.
Fishta e quante kryekomandantin: ‘’Fatosi turk i Luftës Ballkanike’’, ndërsa një nga krerët katolik thoshte: ‘’Sikur ta lejonte qeveria turke Hasan Riza Pashën të jetë princ i Shqipërisë’.
Me propozimin e Hasan Riza Pashës, Sulltani e kishte dekorua At Gjergj Fishtën me një medalje të vlefshme. Aq shumë ishin miqësuar mes vete Hasan Riza Pasha me At Gjergj Fishtën, sa që komandanti turk kishte kërkuar nga Fishta të shkruante vargjet (shqip) të marshit që do ta këndonin ushtarët shqiptarë në parakalimet e tyre, gjë që Fishta edhe e bëri duke shkruar këto vargje:
Prej kah lenë e merr hana Të parët tanë burra çelikut
M’u çue shekulli kundër nesh, Bota mbarë sot i nderon,
Djelmë kreshnikë na bani nana Ata i binin anmikut
Vetëm na u dalim ndesh. Si rrufeja kur veton.

Më 30 janar 1913, Esat Pashai dhe At Gjergj Fishta ishin takuar në shtëpinë e Esadit, për të diskutuar për situatën dhe planet e luftës si çështje më aktuale. Dërgojnë agjutantin e Esadit, ta ftojnë Hasan R.Pashën në ato bisedime. Duke u këthye natën nëpër terr nga shtëpia e Esadit, tre veta bëjnë atentat mbi kryekomandantin, dhe pas 5 orëve vdiq në shtëpinë e vet. Detaje të shumta shkruan At Justin Rrota në librin e tij …Rrethimi i qytetit, për vrasjen, amanetet dhe vorrosjen. Në vorrimin e Hasan Riza Pashës morën pjesë mijëra shkodranë, në mesin e të cilëve edhe shumë prelatë katolikë. At Gjergj Fishta kishte mbajtur një fjalim prekës për të ndjerin.
Në kronikat serbe dhe ato malazeze, thuhet se pashai u vra më 13, diku më 14 dhe diku më 17 janar, por e vërteta është se ai u vra më 30 janar, datë të cilën e saktëson At Justin Rrota, dhe po atë datë e vërtetojnë dy gjeneralë të ushtrisë turke, në librin e tyre të botuar në vitin 1933. Ata dy gjeneralë turqë kishin qenë në shtabin e Hasan Riza Pashës, me gradë kapiten të klasit të I-rë, gjatë tërë kohës së rrethimit të Shkodrës.
Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komandën mbi ushtrinë turke e shqiptare në Shkodër e mori vet Esad Pasha, i cili ishte zëvendës i komandantit të vrarë.
*
Rrethimi, bombardimi shkatërrimi i Shkodrës nga forcat malazeze e serbe, dhe vuajtjet e varfërimi i popullsisë me krizën (zinë) e bukës, me të vrarë e të plagosur të shumtë, mungesë të kushteve për kujdesin ndaj të plagosurve, mungesën e druve a qymyrit për furrat e bukës vazhdoi edhe tre muaj.
Për vuatjet e popullit gjatë atij rrethimi e bombardimi më se 6 muaj, kanë shkruar edhe gazetarë e misionarë të huaj, ndër të cilët edhe Edit Durham. Por, kronikën më të plotë e më të saktë për rrethimin e Shkodrës, luftimet e zhvilluara, viktimat e luftës dhe krizën e bukës, e ka dhënë At Justin Rrota në librin e tij: ‘’Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase Rrethimi i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër, 2020.
***
Më 22-23 prill 1913, në Doganën e Shkodrës, pas bisedës së përfaqësuesve të pushtetit turk, në mesin e të cilëve ishte edhe Esad Pasha, si komandant i ushtrisë, nga njëra anë, dhe palës malazeze të prirë na princi Danillo, kryekomandant i ushtrisë malazeze, e gjenerali Vukotiq dhe ministri Pllamenac, nga ana tjetër, u arrit marrëveshja e dorëzimit të Shkodrës forcave malazeze. Kushtet e dorëzimit të Shkodrës i diktori princi Danillo, të formuluara si marrëveshje. Teksti i marrëveshjes së dorëzimit të Kështjellës dhe qytetit së Shkodrës, ka këtë përmbajtje:
Të gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë, kështu edhe çdo klasë rezervistash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e veta, si edhe ushqimet e municionet.
Ashtu edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshirojnë, edhe ata munden me shkue mbrapa ushtarëve, tue bartë me veti armët e teshat e veta e gjithçka që duan.
Nuk ka për t’ju ba kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë tagret personale atyne myslimanëve, që gjinden mbrenda ledhave të qytetit. As nuk ka për të prekë kush kurrnjenin asish që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtë punë nuk kanë ba tjetër veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të posaçme mund të jenë të sigurt, si populli mysliman, si edhe ai i krishterë, se nuk ka për t’i prekë kush në fe, ashtu edhe në punë nderi a të zakoneve të veta kombëtare.
Repartet e ushtrisë në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, pos petkash të shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shrojet, kazanat etj,; me nji fjalë, gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka mund të ngarkojë, kërkush s’u thotë gja. Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në paçin nevojë edhe qerre, kuaj e çka t’u duhet, për me bartë.
Të gjithë zyrtarët, civilë e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët, të cilëve u ka anda me iu vue mbrapa ushtarëve, munden gjithsa duen; s’u pret kush rrugën.
Ushtria, kur të bajë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej nji gjenerali e prej disa oficerash të Malit të Zi.
Robët e luftës, serbët, kanë për t’iu dorëze kryekomandantit të ushtrisë malazeze.
Në dash nënshtetasve të zanë rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me dorëzani, se kemi për t’i ra mbrapa shërimit të tyne. Prandej, u japim lejen të rrijnë në Shkodër të gjithë ata që të jenë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë turqë, edhe me u ndalë, deri sa ta shohin të rrugës. Me të mbaruemën punë si mjekët si të mjekuemit, të gjithë edhe këta kanë për të kenë përcjellë deri në kufi, me shpenzimet e shtetit malazias.
Të gjitha aktet e dokumentat ushtarake autoritetet turke janë të lira t’i marrin me vete. Pos këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojshme kryekomandantit të ushtrisë turke.
Prap, edhe të gjitha pushkët automatike (mitralozat), si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha municionet përkatëse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.
Të gjitha shkresoritë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë e mund t’i barti me vete.
U jepet një amnisti e falje e përgjithtë atyne që gjatë luftës u munduen në çdo mënyrë me iu gjete qeverisë otomane, me spiunazhe a ndryshe.
Gjithashtu janë të falun edhe ata nënshtetas malazezë, të cilët, a pse t’ikun prej vendit të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrenda në Shkodër, dhe morën armët e luftuen krahpërkrah me ushtrinë otomane kundra nesh.
Po kje se kanë nevojë ndonji gja për rrugë ushtria, Mali Zi për deri ku të mundet, ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.
Kryekomandanti i ushtrisë së Shkodrës, ka për t’ia lëshue ushtrisë së Malit të Zi Kështjellën e qytetit, ponjashtu të paprekun, sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam njato mjete komunikacionit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne në kohën e rrethimit.
Më 23 prill 1913, ora 8 paradite kanë për të fillua me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët dhe llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në dorëzim nesër paradite, njandej kah ora 11. Fushën e Shtojit, këtë ka për ta marrë në dorëzim Mali Zi në orën 3 mbas mjesditet.
Shkodër, 9-10 prill 1329
22-23 prill 1913
Zavendës valiut e komandant Kryekomandanti i ushtrisë së
i armatës së Shkodrës, gjeneral Malit të Zi, Princi trashëgimtar
shtrie, nënshkrue, ESAD nënshkrue, DANIL
***
Siç shihet nga përmbajtja e Marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës, kushtet e shtruara nuk ishin shumë të ashpra ose armiqësore, por të shtrueme me korrektësi, me bujari e burrëri (shih pikat: 3, 7, 8, 9, 11 e 12), gjë që rritë dyshimin se ishin rezultat i tradhtisë.
Më 25 prill, princi Danillo në ballë të rreshtit të ushtarëve, hyni zyrtarisht në Kështjellë, ku e nguli flamurin e vet, duke thënë: ’’Flamur i dashur, ti që na kushtove aq shtrejtë, ti që kje la me gjakun e sa bijvet tu, rrnofsh e kjofsh. Ty unë tash po të nguli, e këtu ke për të mbetë përgjithmonë…’’.
Por, gëzimi i malazezëve, as flamuri i tyre në Rozafat nuk zgjati as dy javë të plota, pasiqë Fuqitë e Mëdha i detyruan ta lëshojnë Shkodrën, ku u vendosën forca ndërkombëtare, të cilat do ta qeverisën qytetin deri në mars të vitit 1914, kur bashkësia ndërkombëtare e dërgoi princ Vidin për ta qeverisur Shqipërinë, i cili poashtu nuk e pati gjatë qeverisjen, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Duke ditur se do të detyrohen ta lëshojnë Shkodrën, ushtria malazeze nuk la gjë pa plaçkitur, rrënuar e djegur, sidomos në pjesën myslimane të popullsisë së qytetit dhe të fshatrave. E dogji edhe Pazarin e Shkodrës, që ishte pazari më i mirë në Evropën lindore.
Kështu përfundoi rrethimi i Shkodrës, me viktima të shumta nga të dy palët, por derisa viktimat e turko-shqiptare ishin në mbrojtje të vendit, viktimat serbo-malazeze shkuan huq. Malazezët edhe sot konsiderojnë se Serbia i tradhtoi, i la vetëm pasi u tërhoq nga fronti sipas kërkesës së fuqive të mëdha.

Photo by: https://sq.wikipedia.org/wiki/Rrethimi_i_Shkodr%C3%ABs_%281912-13%29

Filed Under: Histori

Patriotët Adrian Kostaqi dhe Vilgert Kosova vizituan Vatrën

October 18, 2023 by s p

Dielli/

New York, 17 Tetor 2023 – Patriotët Adrian Kostaqi dhe Vilgert Kosova vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Të shoqëruar nga vatranët veprimtarë të çështjes kombëtare z.Anton Raja dhe z.Kujtim Funiqi, miqtë u njohën nëpërmjet Editorit të Diellit rreth historisë së themelimit të Federatës Vatra, gazetës Dielli, historisë së emigracionit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhëniet shekullore shqiptaro-amerikane nën udhëheqjen dhe rolin e padiskutueshëm të Federatës Vatra. Miqtë Kostaqi e Kosova, shprehën respekt dhe vlerësim për historinë dhe punën e jashtëzakonshme të Vatrës dhe apeluan që çdo shqiptaro-amerikan duhet ta mbështesë e përkrahë Vatrën në misionin e saj patriotik, kulturor dhe komunitar. “Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të angazhohen fuqishëm në përkrahje të Vatrës. Historia e kombit tonë është pashmangshmërisht e lidhur me Vatrën. Vetëm nëpërmjet vëllazërisë, bashkëpunimit dhe unifikimit do të ecim përpara si shoqëri, shtete e komb” tha ndër të tjera z.Adrian Kostaqi.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT