• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Të gjithë ta votojmë Korab Rashiti për deputet në Parlamentin e Zvicrës!

October 14, 2023 by s p

Të nderuar bashkatdhetarë, të mos e lëshojmë fatin e mirë, ta votojmë kandidatin e merituar për deputet në parlamentin e Zvicrës, z.Korab Rashiti, një personalitet i përgaditur me plot kuptimin e fjalës. Korabi është deputet i Kantonit të Bernit, por po shpresojmë shumë, se me datë 22, do ta marrim lajmin e shumëpritur, se do ta kemi edhe deputet në parlamentin e shtetit të Zvicrës. Të mos harrojmë, nëpër shtëpitë tuaja përmes postës kanë ardhur fletat e votimit, prandaj, të votojmë dhe ta nisim votën për Korabin tonë.

Ta kemi parasysh si të votojmë;

Lista 1

UDC, Numri 01180

2X Korab Rashiti

Zürich, 13 tetor

Kur kanë mbetur edhe pak ditë, ose saktësisht nëntë ditë, kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Zvicër edhe pse fletëvotimet janë shpërndarë ditë më parë nëpër shtëpitë tuaja dhe votat tuaja mundeni ti dërgoni përmes postës. Gjithandej kemi kandidatë shqiptarë të ndarë në disa parti, por ajo që na ka ra në sy dhe do të duhej të jetë në parlament nga kantoni i Bernit është z.Korab Rashiti, që jeton dhe vepron në kryeqytetin e Zvicrës në Bernin e bukur, në Bernin që dikur mbushej përplot e përplot me bashkatdhetarë në protestat e njohura kundër regjimit të egër të Serbisë dhe për ato protesta raportonte e shkruante nëpër mediat e asaj kohe, babai i tij, gazetari, publicisti i mirënjohur, z.Ismet Rashiti. Z.Rashiti e njohim të gjithë, veprimtarë i pashoq, ku kësaj here nuk do të ndalemi për te, sepse na duhet shumë e shumë që të shkruajmë, po ia lëjmë një kohe tjetër dhe që padyshim edhe djali i tij Korabi, do të jetë shembull i mirë, apo një zë i fuqishëm në parlamentin e shtetit mikë të kombit tonë, Zvicrës. Personalitet i përgaditur edhe me edukatë familjare e kombëtare. Në periudhën e z.Ismet Rashiti, ose në ate kohë të art veprimtarësh të të gjitha trevave shqiptare, pak kujt i ka shkuar mendja, se një ditë, do të vije dita që të votojmë ne shqiptarët për një deputet shqiptarë edhe ate në parlamentin e Zvicrës. Siç e dijmë ishin kohëra të rënda, para pavarësisë së Kosovës, gjatë luftës dhe tani është krejt ndryshe. Gjeneratat e reja, po arsimohen në shtetin helevetikë dhe mundësitë e tyre janë të mëdha të veprimit në fusha të ndryshme të dijes e deri te drejtimi në politikë. Është fat i madh, që po jetojmë në Zvicër dhe na ka hapur dyert e bashkëpunimit ky shtet pa dallim, ngjyrje, kombi apo feje, me rëndësi të njohim e zbatojmë ligjin e shtetit pritës, pra Zvicrës. Jo rastësisht, Zvicra njihet edhe si atdheu ynë i dytë. Sivjet si asnjëherë më parë, thuajse në të gjitha kantonet kemi kandidatë shqiptarë të shpërndarë në parti të ndryshme, që duan votën edhe të bashkatdhetarëve tanë, për të siguruar një vend në parlament. Është shumë e rëndësishme edhe vota e bashkatdhetarëve tanë, sepse siç shkruhej e përmendej, është një numër i madh, që jetojnë e veprojnë në Zvicër, diku përmendej 200.000 e diku edhe 300.000, por saktësisht ende nuk është e ditur. Shenjat janë të mira, duke parë edhe vet, se gjithandej dëgjohej gjuha shqipe dhe të ndalemi edhe në kombëtaren e Zvicrës se sa futbollistë me prejardhje shqiptare kemi. Prandaj ka ardhur koha, që edhe në parlament të kemi bashkëkombas, brezin e ri, që po shkollohet në Zvicër. Përmes pak fjalëve të këtij shkrimi, ia përkujtoj të gjithë bashkëkombasve tanë, të të gjitha trevave shqiptare, që jetojnë në Bern e me rrethinë, që ta votojnë, Korab Rashiti, i cili në zgjedhiet e datës 22 tetor 2023, do të jetë kandidat për deputet i partisë UDC – Unioni Demokratik i Qendrës.

Ta kemi parasysh;

Lista 1

UDC, Numri 01180

2X Korab Rashiti

Të nderuar bashkatdhetarë, Korab Rashiti është i lindur në Zvicër. Me origjinë është nga fshati Sllatinë e Poshtme e Vitisë. Ka punuar si asistent i drejtorit të përgjithshëm të hekurudhave në Zvicër dhe më pastaj si menaxher i kualitetit dhe sigurisë në punë. Është i qetë, shumë i matur dhe i përpiktë. Me politikë ka filluar të merrej para pesë viteve, si anëtar i partisë së Unionit Demokratik të Qendrës, (UDC). Para dy viteve është zgjedhur deputet i Kantonit të Bernit, ku është edhe sot duke e ushtruar këtë detyrë. Shpresojmë shumë, se bashkatdhetarët tanë, do t`ia japin votën në zgiedhjet parlamentare të Zvicrës, që po afrohen dhe me datë 22 tetor, ta marrim lajmin e mirë e historikë, se bashkëkombasi ynë do të jetë deputet në parlamentin e Zvicrës. Suksese dhe mirëpresim lajmin e mirë, se Korab Rashiti, fitoi votat e nevojshme, që të jetë deputet në parlamentin e Zvicrës. Suksese Korabit dhe gjithë kandidatëve të tjerë shqiptarë, që garojnë nëpër parti të ndryshme nëpër kantonet e tjera të Zvicrës. / Dashnim HEBIBI

Filed Under: Fejton

In Memoriam Bilal Xhaferri

October 14, 2023 by s p

Naum Prifti/

Shkrimtarin e talentuar Bilal Xhaferri (2 nëntor 1935 – 14 tetor 1986) e ndoqën fatkeqësitë dhe mjerisht vdiq i ri sikur të ishte pjesëtar i një liste fatlume të autorëve që vdekja i rrëmbeu herët si Migjeni, Qemal Stafa, Kristaq Tutulani, pa përmendur gjithë ata që u kositën nga plumbat dhe burgimet e gjata të regjimi komunist, si Nelaj e Bloshmi, apo të tjerë që u etiketuan si kundërshtarë të metodës së realizmit socialist. Partia-shtet i dënonte artistët, shkrimtarët dhe dijetarët, sa herë vërente te veprat e tyre shenja disidente, apo kritika të tërthorta për sistemin e kuq në fuqi. Ndërsa në Bashkimin Sovjetik edhe në Kinë, lavdërohej teoria e njëqind luleve, në realitet demokracitë popullore i përndiqnin me egërsi intelektualët dhe artistët që etiketoheshin antimarksistë. Zhdanovizmi, siç u quajt, kritika publike denigruese për autorët dhe veprat e tyre nga partia dhe fanatikët partiakë ishte shfaqja më tipike e presionit shtetëror për ta mbajtur letërsinë, artet dhe shkencën në binarët marksistë. Censura e rreptë e partisë lindi dhe lulëzoi nën diktaturën e Stalinit, por rrugën e kishte piketuar Lenini, me artikullin famëkeq të botuar më 1916 “Letërsia e partisë”, ku shtjellohej sesi letërsia dhe artet të bëheshin shërbestare të platformës politike dhe zgjatim i krahut të propagandës ideologjike. Pas fitores së Revolucionit të Tetorit, Lenini e jetësoi platformën e tij në program. Komunistët shqiptarë e kopjonin me zell të madh përvojën e Bashkimit Sovjetik dhe utilizonin me fanatizëm të gjitha mekanizmat e diktaturës së partisë – shtet.

Njohja me Bilal Xhaferrin

Si redaktor te revista “Ylli” (1964-1965) ku mbuloja sektorin e prozës, kisha detyrë t’i sugjeroja kolegjiumit çdo muaj një tregim origjinal të denjë për t’u botuar. Nuk ishte e lehtë sepse tregime të mira vinin rrallë në redaksi. Duhet t’u vardisesha autorëve të njohur për t’u shkëputur ndonjë tregim, pa patur shumë garanci se do ta mbanin fjalën. Madje edhe për tregimet e përkthyera duheshin gjetur krijime që t’u përshtateshin kritereve ideologjike. Për autorët klasikë ishte krijuar një lloj pakti sipas të cilit ata botoheshin me raste përvjetorësh të rrumbullakët të lindjes ose vdekjes. Në redaksinë e revistës “Ylli” vinin krijimet e letrarëve te rinj ose amatorë, që shpresonin të debutonin në faqet e revistës. Në përgjithësi dorëshkrimet e tyre të pa daktilografuara ishin mjaft të vështira edhe për t’u lexuar. Si rregull, ne duhet t’i përgjigjeshim çdo bashkëpunëtori me shkrim. Poezitë i shqyrtonte, i përzgjidhte dhe i redaktonte me kujdes e durim poeti Vehbi Skënderi. Pas një përvoje katër-pesë vjeçare, e kisha bërë zakon t’i grumbulloja dhe t’i lexoja dërgesat javën e fundit të muajit, mbasi rrallë herë kisha gjetur në to ndonjë krijim proze me vlerë. I lexoja të gjitha tregimet e grumbulluara dhe u përgjigjesha autorëve me një letër standarte. “Tregimin tuaj e morëm dhe e lexuam me kujdes. Krijimi ka dobësi artistike dhe nuk e arrin nivelin e botimit. Ju falënderojmë për bashkëpunimin. Presim krijime te tjera”. Vetëkuptohej se ishte letër shabllone, por formaliteti ishte pjesë e detyrës sonë si redaktorë.

Një ditë posta solli një zarf, i cili më tërhoqi vëmendjen për peshën e tij. Në zarf, emri dhe mbiemri i dërguesit, Bilal Xhaferri, krejt i panjohur për mua dhe në rreshtin tjetër numri i repartit ushtarak. E hapa zarfin dhe gjeta rreth njëzet faqe, për fat të mirë të daktilografuara. Për arsye të profilit të revistës dhe hapësirës së kufizuar që i kushtohej letërsisë artistike, “Ylli” nuk botonte tregime më të gjata se 10-12 faqe. Kështu e lashë mënjanë zarfin, aq më tepër se për atë muaj e kisha siguruar tregimin për botim. Për ditë me radhë sa herë hapja sirtarin për të stivuar tregimet e tjera që vinin në redaksi, e shihja me bezdi novelën me 23 faqe, dërguar nga një ushtar. Sado i mërzitshëm të ishte leximi dhe sado orë të donte, nisa t’i marr me radhë tregimet duke ruajtur adresën për përgjigjet standarde të redaksisë. Sërish tregimin e daktilografuar e kisha lënë për në fund, dhe kur arrita tek ai e mora në dorë duke ndjerë keqardhje për kohën që do humbja me të. Lexova faqen e parë, pastaj të dytën ku jepej përshkrimi i një udhëtimi me kamion. Kur arrita te faqja e tretë gjeta një pasazh fantastik dhe thashë me mend: “Ky është talent!” E mbarova leximin me kënaqësi, i befasuar dhe i entuziazmuar nga zbulimi i një pene të talentuar. Në vend të një letre formale me stampën e redaksisë më shkrepi në kokë t’i shkruaja letër personale. E përgëzova për tregimin dhe shpreha besimin se me talentin e tij ai do të gjente vend në fushën e letërsisë. E sqarova se tregimi i kalonte numrin e faqeve që lejonte revista por nëse më jepte leje ta shkurtoja tek – tuk, do të botohej numrin tjetër. E lusja të më takonte, sapo t’i binte rasti të vinte në Tiranë.

Pas dy-tri javësh në dhomën e redaktorëve hyri një djalë me uniformë ushtari dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin. Kishte trup mesatar, thuajse imcak, me sy bojë qielli, flokë të verdhë, me fytyrë të pjekur nga dielli, ku binte në sy hunda e kuqe pak e rrjepur. Sa e pashë me rroba ushtari u kujtova. “Bilal Xhaferri?” e pyeta. “Po, erdha sipas letrës që më dërguat”, mu përgjigj. E luta të ulej dhe të priste pak, sa të përcillja bashkëpunëtorin me të cilin isha duke biseduar. Por pas tij erdhi edhe një letrar tjetër dhe mu desh të humbja pak kohë edhe me të. Së fundi, i kumtova Bilalit se isha krejt i lirë. “E mendoja pak më ndryshe punën e redaktorit. Paske punë të mërzitshme”, qenë fjalët e para të Bilalit. “Nuk kemi përditë kësi ngarkese. Sot qëlloi që erdhën njëri pas tjetrit”, e sqarova. I thashë se tregimi “Në rrugë” më kishte pëlqyer shumë dhe më vinte keq që duhej shkurtuar për arsye vendi. Redaktimin ma besoi me fjalët “Shkurtoje sa të duash”. I thashë se mund ta botonte të plotë në një vëllim dhe për lexuesit do ishte njësoj sikur ta kishte ripunuar. Meqë po vinte ora dy dhe orari zyrtar po mbaronte, e ftova të dilnim së bashku. E pyeta nëse dëshironte të hanim diku jashtë, apo të shkonim në shtëpi. “Si të duash”, qe përgjigjja e tij, por s’ka pse të harxhohesh për mua”. “Sipas traditës, më mirë në shtëpi, veç nuk e di se ç’kemi për drekë…” – i thashë. “S’ka rëndësi”, ma ktheu ai me mirënjohje. Nga biseda rrugës mësova se ishte ushtar në një repart pune. Meqë e dija reputacionin e atij vendi nuk e zgjata më tej, që të mos e lëndoja. Mësova se kishte punuar disa vjet në një kantier ndërtimi në Laç, si hekur thyes, apo hekurkthyes dhe se pas tetëvjeçares kishte vazhduar shkollën e mesme natën. Më tha se pasioni i tij ishte letërsia dhe se lexonte shumë çdo gjë që i binte në dorë.

Pastaj më tha se tregimet e mia i pëlqenin për vërtetësinë dhe lirizmin, dhe komentoi se e habiste freskia që gjente në to. “Në asnjë tregim ti nuk përsërit veten, por sjell gjithmonë diçka të re”. Këtë kompliment nuk e kisha dëgjuar nga askush tjetër dhe më ka mbetur në mendje. Temat e bisedës sonë të parë ishin të kufizuara, sikur të tatonim terrenin e njëri tjetrit.

Djali i Ballistit

E takova disa herë kur punonte për asfaltimin e rrugëve, apo për mirëmbajtjen e tyre. Nuk e di nëse nuk e kishin pranuar në kantierin e Laçit, ku ishte para se të shkonte ushtar, apo nuk kishte dashur vetë të rikthehej atje. “Pse ky trajtim?” e pyeta. “Se e kam patur babain ballist dhe ai u vra duke luftuar kundër partizanëve, kur unë isha tre vjeç. A mund të ndikoj një trevjeçar mbi babanë?”. E ashtuquajtura lufta e klasave fshikullonte edhe më rreptësi ata që aspironin të konfirmoheshin në fushat humane. Atëherë ambiciozët, ziliqarët, hasetçinjtë, dështakët, suleshin me tërbim mbi të pafajshmit, të lindur e të rritur në atë pushtet që i denigronte.

Poet dhe Tregimtar i Talentuar

Bilal Xhaferri kishte fituar simpatinë e disa rretheve letrare dhe publicistike. Gazeta “Zëri i Rinisë”, ku kishte disa dashamirës të tij, i botonte tregimet e poezitë, qoftë edhe për ta ndihmuar materialisht me anë të honorarëve të vegjël. Disa herë arriti të merrte edhe leje krijuese nga Lidhja. Ballkise Halili, gazetare te “Zëri i Popullit”, e admironte dhe e përkrahte duke e konsideruar si përfaqësuesin më të talentuar të Çamërisë. Vëllimi i tij me tregime “Tokë e Lashtë, Njerëz të Rinj” u prit si një eveniment letrar nga lexuesit. Një prej tregimeve titulluar “Purpuranti” bënte fjalë për një bashkëluftëtar të Skënderbeut që kthehej nga lufta krenar, pa fituar as pasuri, as trofe. Ai e preferonte epokën e Skënderbeut të cilës do t’i kthehej më vonë me romanin “Krastakraus” si ekskursion historik për t’i ikur realitetit të zymtë, të cilin ai e njihte aq mirë.

Për temën e emancipimit të grave, ai kishte tjetër këndvështrim. Më la shije të hidhur vërejtja e tij se femrat s’kishin fituar asgjë nga emancipimi në shoqëri, përkundrazi ato ishin dyfish të skllavëruara, brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Gëzimi jetëshkurtër i autorit për botimin e vëllimit me poezi nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” u pasua nga një goditje tronditëse. Libri nuk u shpërnda dhe të gjitha kopjet u dërguan në fabrikën e letrës në Lushnje për t’u grirë e për t’u kthyer letër ambalazhi ose karton. Dy pole të skajshme të fatit të librit. Kisha lexuar disa nga poezitë e tij të botuara në gazetë. Njëra prej tyre më kishte mbetur në mend për përshkrimin e tragjedisë së të ikurve çamë nga shtëpitë e tyre dhe vendlindja në 1945. Në vargjet e Bilal Xhaferrit, ata iknin nëpër natë në dritën e flakadanëve të shtëpive të djegura dhe plumbat që u vinin pas u tregonin drejtimin nga duhet të merrnin arratinë. Nuk mund ta them me siguri nëse tema e tragjedisë çame si një temë tabu për vitet 1960 ishte shkaku i fatit të vëllimit me poezi.

Goditja e Pamëshirshme nga Fadil Paçrami

Në Klubin e Shkrimtarëve Fadil Paçrami, në vend ta kundërshtonte me argumente diskutimin kritik të Bilal Xhaferrit për vlerat e romanit të Ismail Kadaresë, e spostoi problemin në sferën politike, duke e bombarduar diskutantin si birin e një ballisti, si armik të maskuar, dhe i kërkoi ta linte sallën menjëherë. Nën vështrimet keqardhëse të shokëve të tij, Bilal Xhaferri doli nga klubi. Diskutantët e tjerë e kuptuan se aty duheshin thënë vetëm lavdërime dhe mbledhja u mbyll me disa diskutime të vakëta. Sipas mendimit të disa shokëve të mi, që ishin pjesëtar të takimit, Bilal Xhaferri bëri gabim taktik pasi u nxitua të diskutonte menjëherë pas referuesit. Diskutantë të tjere që kishin vërejtje më të forta se ai për romanin, e mbyllën gojën pas incidentit me Bilalin. Për emancipimin ai kishte rezervat e tij, ca më shumë për atë që servirte Kadareja si çlirim nga zakonet e prapambetura. Fadil Paçrami po turfullonte duke dëgjuar kritika që nuk i priste e që mund t’i jepnin drejtim të padëshiruar mbledhjes. Ai u ngrit në këmbë dhe duke drejtuar gishtin nga Bilal Xhaferri, u tha pjesëmarrësve: “E dini kush është ky që foli keq për romanin? Ky është Bilal Xhaferri, të cilit ne i kemi vrarë të atin se ishte armik, ballist. Për ty nuk ka vend në këtë sallë dhe që tani kërkoj të dalësh jashtë. Jashtë!” ulëriti Fadili. Salla u nemit. Qetë-qetë Bilal Xhaferri u largua i përcjellë nga vështrimet mëshiruese të shokëve të tij dhe ato plot urrejtje të partiakëve. Nga ai moment jeta u bë edhe më e vështirë për Bilalin. E pushuan nga puna te “Rruga Ura” dhe i bënë presion të punonte në fermë. Ai nuk pranoi se s’kishte asnjë lidhje me fermën. Banonte te e motra në Shkozet përkohësisht, ngaqë ende s’e kishte strehuar asnjë nga ndërmarrjet ku ishte punësuar. Laku po ngushtohej çdo ditë dhe s’i mbeti tjetër alternativë, veçse të arratisej me rrezik koke. Për t’i shpëtuar situatës që mund të shkonte drejt dënimit dhe burgosjes, ai gjeti rastin në ditët e festave përkujtimore të verës të mbajtura në fshatin Mërkat të Sarandës të arratisej në Greqi bashkë me kushëririn e tij.

Thashethemet e Kohës

Miqtë, dashamirësit dhe shokët e Bilalit mendonin se shkaktar për arratisjen ishte Fadil Paçrami dhe presioni i egër i tij mbi autoritet e Durrësit për ta dënuar. Mungesa e informacionit në Shqipëri i shtynte njerëzit të besonin lajmet që shkonin “vesh-më-vesh”. U fol se Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, qortoi rëndë komandantin e postës së kufirit të Mërkatit dhe ushtarët, duke u thënë se kapnin lepujt, ndërsa luanët u iknin, duke aluduar për Bilal Xhaferrin. Për sistemin ai si njeri i letrave ishte i rrezikshëm mbasi shkrimet e tij do të dëmtonin imazhin e Shqipërisë në botën e jashtme. Më ra rasti të lexoja në gazetën e rezervuar “Dielli” reportazhin e tij tronditës për internimin e një familje nga Shkozeti. Plaçkat e nxjerra në oborr, fëmijë që qanin dhe kamioni që priste t’i transportonte, në orët e muzgut pranë ujërave të detit Adriatik ishin skenat më tronditëse që kisha lexuar për tragjedinë e të internuarve nga regjimi komunist. Për Bilalin, këto krijime buronin nga përjetime personale dhe skena reale që i kish dëshmuar vetë. U fol se Bilal Xhaferri i dërgoi letër Ramiz Alisë, ku i shkruante se mori rrugën e arratisjes nga atdheu kundër vullnetit të tij, i detyruar nga autoritetet lokale që e lanë pa asnjë mjet jetese dhe nga rreziku se do ta burgosnin pa shkas. Pastaj u përfol se Fadil Paçrami ushtroi presion mbi prokurorinë e Durrësit, që të urdhëronte arrestimin e Bilal Xhaferrit. Ato lloj urdhrash ata i merrnin nga instanca të tjera, kryesisht nga Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë së Durrësit. U hapën fjalë se Bilal Xhaferrin e vrau një nga njerëzit e sigurimit, ndërsa po zbriste nga aeroplani në një aeroport pa emër, sikurse më tha Bedri Myftari, një shoku i tij.

Kur erdha në Amerikë u interesova për të dhe mësova se Bilal Xhaferri vdiq në një spital të Çikagos më 14 tetor 1986, pasi kishte pasur një operacion për heqjen e një mase tumori në kokë. Epikriza e tij mund të lexohet në arkivin e spitalit për këdo që interesohet të dijë me hollësi shkakun e vdekjes. A ka vepruar dora e Sigurimit jashtë shtetit? Sigurisht që po, por një pjesë të legjendave i përhapnin vetë punonjësit e sigurimit për të ngjallur frikë e panik te bashkatdhetarët në diasporë.

“Krahu i Shqiponjës” në Amerikë

Të rrallë janë ata emigrantë politikë që kanë mundur të çajnë aq shpejt rrugën e suksesit si Bilal Xhaferri. Në SHBA ai botoi revistën “Krahu i Shqiponjës” në Çikago, me 17 vjet jetëgjatësi, nga viti 1969 deri më 1986. Prirja patriotike dhe antikomuniste e revistës tërhoqi mjaft lexues. Bilali shkruante një pjesë të artikujve, redaktonte shkrimet e tjera, korrektonte bocat, e shtypte dhe e shpërndante vetë. Ishte një punë që kërkonte mund, dije, përkushtim, dhe ai ia doli mbanë me sukses. Koleksionisti i njohur i shtypit shqiptar në Amerikë, z. Idriz Lamaj, e ka ruajtur dhe më pas ia ka dhuruar Vatrës koleksionin prej 39 numrave si dhe numrin e 40-të të revistës përgatitur për botim nga Bilali. Z. Lamaj shprehet se nuk ka pasur organ tjetër përpara dhe pas revistës “Krahu i Shqiponjës” që të ketë paraqitur studime, hulumtime dhe ese historike mbi Çamërinë dhe çështjen çame si ato të publikuara në faqet e saj. Projekti i Bilal Xhaferrit të përkthente vetë në anglisht romanin “Krastakraus” dhe ta botonte në Amerikë nuk u kurorëzua me sukses.

Kthimi në Atdhe – Eklipsimi i Fundit

Eshtrat e tij u kthyen në atdhe me përkujdesjen e miqve të Bilal Xhaferrit.në kohën kur ishte Ministër i Kulturës, Teodor Laço. Fati edhe këtë herë nuk e favorizoi sepse në të njëjtën kohë u kthyen në atdhe eshtrat e kolosit të kulturës shqiptare, Faik Konicës. Për fat të keq, Bilal Xhaferri u eklipsua nga Konica. Ndërsa Konicës iu bënë nderimet e rastit me ceremoni madhështore në Boston, Bilal Xhaferri u zhvarros në Çikago dhe eshtrat e tij u transportuan në aeroport, pa tubime dhe seanca përkujtimore. Miku i tij, Shefki Husa u kujdesua për gjithçka. Ai meriton nderime për evidentimin e figurës së Bilal Xhaferrit, për botimin e revistës me të njëjtin emër “Krahu i Shqipnjës”, si përlindje e veprës së tij në atdhe dhe për krijimin e Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”. Ajo ka riboutuar dhe botuar trashëgiminë letrare të Bilal Xhaferrit, midis tyre vëllimin me vjersha për Çamërinë dhe romanin “Krastakraus”.

Jam i bindur se një ditë krijimtaria e larmishme letrare e Bilat Xhaferrit do të gjurmohet me kujdes e do të studiohet për të zbuluar vlerat e saj, duke i dhënë mundësi lexuesit të njohë shpirtin dhe mendjen e këtij shkrimtari të talentuar me fat tragjik.

Filed Under: LETERSI

LIRIA DHE UNË

October 14, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

-Ese-

Në mendjen time fjala liri qëndron si një flamur i ngulur në majën më të lartë të botës, Everest.

Kur babain e shokut tim në vitet e shkollës e burgosën me nenin famëkeq 55, përjetova një luftë të madhe me turmat, zhvilluar brenda vetvetes, ku zëri i brendëshëm, që i ngjante tingujve metalikë pa emocion dhe pa ndryshim intonacioni të një kukulle kineze me kurdisje, ishin ato me sloganet e tyre të thëna pa ndërgjegje.

I frikësuar nga mungesa e lirisë së mendimit, e mbroja me tërbim atë dhe dyzimi se më kuptonin në këtë luftë, më ndiqte si hije mëngjesi.

Liria e turmës trupëzohej në vringëllima armësh shoqëruar me këputje kokash, nëse nuk do të ishe një hallkë e zinxhirit të tyre, më dukej se ata e bastisnin lirinë, sikur zhvillonin pogrome kundër saj, që të na trysnonin ta braktisnim atë edhe në mendim, pasi mjaftonin spektaklet e lirisë nën grushte proletarësh e vështrime kritike të buzëqeshura diktatorësh e nëndiktatorësh në festa histerike.

Liria në mendimin e tyre ishtë një e përdalë, që degjeneronte rininë dhe popullin e lumtur!!

Po unë sikur i ngjaj një salmoni, që ekziston vetëm në lëvizjen kundër rrymës…

Kjo është një pikpamje në stilin e mendimit filozofik të John Lock, që thotë se -Liria natyrore e njeriut është të jetë i lirë nga çdo fuqi superiore në tokë dhe të mos jetë nën vullnetin ose autoritetin legjislativ të njeriut!-

Ne kemi lexuar për lirinë, e ëndërronim atë, festojmë ditën e lirisë dhe shpresojmë për liri, por çfarë konceptojmë me të?

Liria është një gjendje shpirtërore, një e drejtë të bësh zgjedhje, të jesh vetvetja, fuqia për të folur dhe vepruar për atë që mendon, një ngasje antikonformiste brenda vetes, rimishërim i teorive që nga Platoni e deri tek Fromm…

Liria është edhe sovranitet e pavarësi në kuptimin e saj për një komb, liria është…

A është liria e pakufizuar?

Nëse jo, pse e quajmë liri dhe jo me një emër tjetër?

Kush i cakton kufijtë e lirisë dhe formën e saj?

Po liria në diktaturë, a ka kuptim ekzistencial?

Asnjë vlerë nuk është më e ngarkuar me kuptimin sesa ajo e lirisë, na mëson Sokrati.

Ty të pëlqente Çelentano dhe ata të akuzonin si armik të Partisë për kaq gjë…

Bibla… opium për popullin.

Ti nuk ishe i lirë të lexoje “Çifutja e Toledos”!!

Një roje i vobektë edhe mendërisht, me pasthirrma të shkarravitura akuzoi një inxhinier për devijim nga vija e Partisë se mbante… pantallona me xhepa pllakë!!

Kur isha buzë detit shikoja në horizont dhe nuk i thoja askujt se unë fantazoja për botën matanë tij.

Italia… ata nuk jetonin të lirë, po nën prangat skllavëruese të kapitalit!!

Çfarë marrëzish prodhon histerizmi i turmave nën diktaturat!!

Pse pushteti komunist kishte shumë frikë nga liria, sa besonte më shumë tek njerëzit e pashkollë dhe jo tek ata që mbaronin shkollat e tij?

Ai që urren veten e tij nuk është i përulur, citoj Emil Cioran. A e urreja veten pse kisha lindur në një vend diktatorial?

Në një vend që shkëlqejnë bajonetat dhe tunden grushte diktatorësh në ajër para turmave të ekzaltuara dhe të manipuluara prej tyre, nuk ka kurrë liri.

Liria e mendimit dhe e shprehjes është dinjiteti individual i inkuadruar në një shoqëri të lirë dhe të barabartë.

Diktaturat kanë liri kombëtare, si vende sovrane, por jo liritë politike dhe ato individuale.

ARKËMORTI I LIRISË JANË DIKTATURAT!i

A ishin athinasit e lashtë, vendi ku lindi demokracia dhe liria si koncept i sotëm, qytetarë më të lirë se sa qytetarët e sotëm në botën demokratike?

Po shteti dhe ligji janë përcjellës të lirisë?

Jo rrallë herë, kur kam medituar për lirinë, në horizont më është shfaqur piktura “Liria në barrikadë” e Eugen Delacroix, një imazh i fuqishëm dhe ikonik, që shërben si simbol i lirisë dhe vetë liria si gjaku i demokracisë.

Kur isha fëmijë edukatoret e kopështit na detyronin të flinim gjumë pas dreke. Nuk e harroj, se ishte një gjë që nuk e doja.

Po sot pyes pse të mos më “burgosnin” me liri dhe unë të mund të zgjidhja me dëshirë gjumin?

E vuaja atë pjesë, po aq sa vuaja edhe më vonë, kur vazhdoja shkollën, një orar të çuditshëm në shtëpi të vendosur asokohe masivisht si një rregull ortodoks, që ora 22.30 duhej të ishte ora e gjumit me detyrim!!

Fikja e dritës elektrike krijonte një ankth të lehtë, i cili kishte të bënte me mungesën e lirisë.

Në orët e vona asokohe dëgjoja programet e radios, ku jepej zakonisht muzikë klasike.

Vetëm pse fikej drita dhe radio, fillova ta doja atë muzikë dhe se Mozart, Beethoven, Jozef Hajden, Bach e të tjerë u bënë idhuj për mua, jo se i kuptoja saktë, po sepse më ndalohej ti dëgjoja.

Kështu lindi adhurimi për muzikën klasike.

A derivon në një lloj dashurie të verbër, dëshira jonë për gjërat që na privohen nga mungesa e lirisë?

Ishin kohët kur uvertura “Egmont” e Bethoveen ishte më e preferuara për mua, më mbushte me frymë lirie, një kompozim i dramës me të njëjtin emër si titull i mendjes më të ndritur sipas Einstein, Johann Wolfgang von Goethe.

Historia e Egmont është një kumt për lirinë dhe çlirimin kombëtar, por edhe për një hero që vdes për kauzën e tij. Në shekullin e 16-të, Konti i Egmont ishte një fisnik holandez që udhëhoqi rezistencën flamande kundër sundimit spanjoll të Holandës. Atij iu pre koka në tregun e Brukselit në vitin 1568.

Nga adhurimi për muzikën klasike më lindi dëshira që të mësoja të luaja në piano, po kurrë nuk ma plotësuan këtë dëshirë dhe as më pyeti ndokush, duke më detyruar të zgjidhja kursin e shahut nga alternativat e pakta që na ofruan në pallatin e pionierëve!

A mos janë hobet tona dëshira të munguara nga fëmijëria e hershme, si rezultat i mungesës së lirisë së zgjedhjes sonë personale?

A është liria e munguar një derivat i fenomeneve të caktuara shoqërore, që vijnë nga pamundësia jonë në zgjedhje?

A do të isha sot një shkrimtar apo filozof i mirë nëse do të studioja në degët e fakultetit që doja në atë kohë të diktaturës komuniste?

Në kohën e studimeve universitare shikoja me një lloj zilie, për lirshmërinë që kishin, disa studentë dhe studente kryesisht nga Tirana, (i quanim të jashtëm).

Ata ishin të rrëmujshëm, me instikte që i lejonin të krijonin një portret të lumtur, qeshnin me të madhe, ndryshe nga unë, që më dukej se e qeshura ishte një kujtim i largët në këtë lloj ngjyre si e atyre, ata ishin si James Steerforth, (romani “David Copperfield” i Dickens), ku mund të “gjuanin” gjithmonë një “Emily” nga rrethet, ndërsa “Ham Peggotty” do të ishim ne, studentët e rretheve…

Edhe këtu liria, (liria e studentëve ekzistonte realisht në një madhësi segmenti të këtij spektri), ishte me vlera të ndryshme dhe ngjyra të caktuara mbi bazën gjeografiko-politike.

NË MOZAIKUN E LIRISË ASKUSH NUK ËSHTË GURALEC MË I BUKUR SE TY!

Ëndrra për të qënë tiranas, që nënkuptonte një lloj lirie specifike dhe standarti më i lartë qytetar, nuk realizohej në diktaturë pa makinacione meskine që sot nuk mendohen…

Filmi “Milja e gjelbër” është nga më të dashurit për mua dhe kjo ka të bëjë me konceptin tim të lirisë. John Coffey, luajtur nga Michael Clarke Duncan, ishte i dënuar me vdekje nga një gabim i drejtësisë. Njeriu më i mirë që kam njohur si personazh filmash nuk ishte i lirë, ai u shkrumbua në kariken elektrike për një krim të pakryer dhe edhe aty nuk u ekzekutua me protokollin e burgut…

A është liria një vrasëse shpirtrash njerëzorë me papërgjegjshmërinë e tejkalimin në ushtrimin e saj?

Një inxhinier gjeolog, Kadri Rama, u dënua me burgim në kohën e diktaturës. Kur i kërkuan të bënte studimin e brezit gjeologjik të Beratit, nuk pranoi pa qënë i lirë.

E liruan nga burgu dhe punoi me përkushtim për çfarë i kërkuan!

Në romanin “Këpuca e aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti, ndodh e kundërta, pushteti i diktaturës e fut artistin në qeli për të shkruar artin me partishmërinë e tyre, duke i hequr lirinë defakto në kohën e krijimtarisë.

Cili është raporti i produktit intelektual, si vlerë numerike, kur njeriu është i lirë me atë kur nuk është i lirë ?

Baruch Spinoza, një filozof i famshëm nacionalist hebre holandez, që ndikohej nga Rene Descartes, Thomas Hobbes, apo Machiavelli, bëri dallimin midis vullnetit të lirë që është një iluzion dhe lirisë që mund të arrihet.

Në kohën e Rilindjes Europiane njerëzit nuk ishin aq të lirë sa ne sot e, individi nuk kishte shumë zgjedhje se si ta jetonte jetën e tij.

Gjatë Rilindjes në shekujt 15 dhe 16, kur qytetet e mëdha ofruan më shumë resurse shoqërore dhe më shumë zgjedhje e pasuri materiale për qytetarët, ndryshuan mënyrat dhe raportet e njeriut me realitetin e tij dhe punën.

Njerëzit ishin të lirë të ripërcaktonin veten, të fillonin një biznes, të fitonin të ardhura financiare dhe të përparonin në pozitën e tyre në shoqëri.

Qytetarët u mësuan me liri që nuk e kishin pasur kurrë më parë.

Roli i Vatikanit ndryshoi kur Papët lejuan artin dhe artistët e rilindjes si Michelangelo, Raffaello, Botticelli e të tjerë të zbukuronin ambientet e tij dhe tavanin e Sistine Chapell, e ndërtuar nga Papa Sixtus IV në vitet 1477-1480.

Era e lirisë dhe e ndryshimit në Rilindjen Europiane përfshiu mendimin dhe sistemin politiko-filozofik edhe me bekimin e tyre.

LIRIA NJEH VETËM DITËN E LINDJES!

Po sot, shekuj pas Rilindjes europiane?

Unë besoj Stephen Hawking dhe jo Albert Einstein në mendimin që ata kanë për ekzistencën e zotit.

Më intrigon gjithmonë pyetja se kush është më i lirë në mendimet e tij, nëse do të nisemi nga parimet e John Locke, një ateist apo një besimtar?

A ka kundërshti përballja mes lirisë dhe fesë?

A është frika ndaj së panjohurës vrasëse e lirisë?

Po Liria është një madhësi variable me kalimin e kohës, apo një koefiçent empirik sikurse Pi-grek?

Nëse do të përsëritim sot eksperimentin e Platonit me Mitin e famshëm të shpellës së tij, a do të ndryshojë sjellja e njeriut me atë të kohës së Platonit?

Po slogani i përbotshëm i revolucionit francez “Liberte, egalite, fraternite” a qëndron i pandryshuar, apo ka evoluar në përkufizime të detajuara?

Çfarë është liria në limit, e duam apo kemi frikë nga tepria e saj?

Në kohët e sotme liderë të fuqive me peshë kanë grumbulluar pushtet më shumë sesa duhet në duart e veta. Duket sikur perandoritë e vjetra kërkojnë hegjemoninë e dikurshme me kostume të reja.

Kështu Putini, Erdogani, e ndonjë tjetër.

Interesant është Benjamin Netanyah në këtë histori me “ligjin e arsyeshmërisë”, ku gjykatës supreme të Izraelit ju hoq kompetenca për të shpallur të paarsyeshme vendimet e qeverisë…

Liria është e brishtë dhe me oshilacione të dukshme kur pushteti ekzekutiv ka fuqi të mëdha, është i pakontrollueshëm dhe në një disekuilibër humori të drejtuesit kryesor të tij.

Në një rast, në Tunizi u rrëzua si president i vendit Habib Bourguiba me një grusht shteti kushtetues për shkak të shëndetit të keq mendor.

A ka mekanizma real që ndalojnë krijimin e diktatorëve të rinj e, kush do ti vajisë ata?

TË GJITHË MONUMENTET MUND TË RRËZOHEN NJË DITË PËR ARSYE NGA MË TË PAMENDUARAT!

I VETMI QË NA BASHKON ËSHTË MONUMENTI I LIRISË!

Teoria e Erich Fromm-it për gjendjen njerëzore fillon me idenë se vetë liria ndonjëherë mund të jetë shkaku i frikës dhe ankthit, duke na detyruar të gjejmë mënyra për të “shpëtuar nga liria”. Autoritarizmi, destruktiviteti dhe konformiteti automatik janë, sipas Fromm, tre mënyra se si ne përpiqemi të përballemi me lirinë që kemi frikë.

Në poezinë time “Pa frymë” shkruaj…

Smogu i lirisë më ka nxirrë lëkurën e shpirtit,

dëbora e Marsit lan rrugët,

por aortën time nuk e arrin…

Është apoteoza e lirisë së munguar…

Çfarë është jeta pa liri, apo me liri të diskutueshme?

Edhe një jetë tjetër po të kem, flamuri në Everest është përsëri i Lirisë, zhdukja e frikës nga ajo, forcimi i besimit se qeveritë janë shërbëtorë të popujve dhe jo padronët e tyre do të jenë si faksimile në atë flamur.

Le të jemi ëndrra e gjallë e shpirtrave të vdekur për liri.

“Bastija” është akoma e paçliruar plotësisht…

Filed Under: Ekonomi

JO ZGJEDHJE PA SIGURIMIN E KUFIJVE ME SERBINË; LISTA SERBE TË MOS CERTIFIKOHET MË!

October 14, 2023 by s p

Meliza Haradinaj-Stublla/

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Vuçiqi dhe Lista kriminale Serbe ka humbur të drejtën dhe peshën e deklaratave në emër të serbëve të Kosovës, të cilët as nuk i përfaqësojnë më, e as nuk besoj se tash e tutje do të mund të certifikoheshin të marrin pjesë në zgjedhje. Institucionet zgjedhore të shtetit të Kosovës nuk do të duhej të certifikojnë asnjëherë më partinë Lista serbe e as lidershipin e saj në ndonjë parti me emër tjetër.

Për më tepër, në komunat veriore ende ekziston rreziku i përsëritjes së krimit të agresionit të 24 shtatorit të organizuar nga aparati shtetëror serb dhe të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe bandat e saj kriminale në veri – andaj nuk ka kushte për zgjedhje ende.

Kosova tash e tutje do të duhej të insistojë në rendin kronologjik e logjik të veprimeve për të krijuar parakushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e territorit të saj – së pari duke siguruar kufijtë e saj shtetërorë përmes funksionalizimit të 6 pikave kufitare me Serbinë (marrëveshja e IBM-it), pastaj sigurimi i lirisë së lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës duke hapur për qarkullim të përgjithshëm Urën e Ibrit, dhe poashtu ç’armatosjen dhe shuarjen e bandave kriminale që veprojnë atje. Pa këto tri parakushte – nuk ka logjikë të mbahen zgjedhjet sa për sy e faqe – të cilat nuk do t’a përmirësonin gjendjen, por do t’i rilegjitimonin kriminelët në institucione dhe pozita vendimmarrëse.

Është poashtu shumë shqetësuese se ne ende nuk kemi parë bashkësinë ndërkombëtare dhe NATO-n duke dënuar dhe kategorizuar sulmin e 24 shtatorit si krim agresioni i Serbisë ndaj Kosovës – dhe dyshoj se i gjithë hetimi dhe klasifikimi ndërkombëtar i ngjarjes po bëhet nën trysninë e mosrrezikimit të dialogut (tashmë të dështuar). Institucionet tona do të duhej të punojnë pa rreshtur për të bindur SHBA-të të marrin lidershipin e dialogut Kosovë – Serbi, dhe të përmbyllin përfundimisht këtë çështje me një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme me njohjen në qendër – siç ka qenë para planit franko-gjerman.

Filed Under: Rajon

Vatra si aset i çmuar i kombit shqiptar

October 14, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Personalisht jam një individ që kam vetëm pesë vjet si anëtar i Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, por gjatë këtyre pesë viteve kam patur kënaqësinë dhe privilegjin që t’i bashkohem kësaj organizate padiskutim më e vjetra dhe më me shumë vlera kombëtare se të gjithë organizatat e tjera të cilat veprojnë në komunitetin Shqiptar në SHBA dhe në Kanada.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” ka ndjekur me vëmëndje, përgjegjësi dhe shqetësim të thellë situatën dhe zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor dhe në të gjitha rastet ka qënë e vëmendshme për të reaguar, bashkëpunuar dhe asistuar qeveritë përkatëse duke lobuar kudo në institucionet Amerikane me të gjitha mundësitë e saj.

Thënë kjo sa më lartë, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” i ka bërë dhe do të vazhdojë të mbështesë çështjen kombëtare duke ndjekur shembullin e drejtuesve të saj të ndritur Faik Konica dhe Fan Noli. Pra e gjithë veprimtaria e saj duhet vlerësuar, mbështetur dhe vlerësuar si një aset i vlefshëm kombëtar në diasporë.

Vitet e fundit, kemi parë që kryetari i saj z. Elmi Berisha dhe drejtuesit e tjerë të lartë të saj kanë intensifikuar punën e tyre për të rritur numrin, cilësinë e anëtarësisë dhe aktivitetet e saj jashtë Amerikës, të cilat kulmuan me vizitën e delegacionit të saj në Republikën e Kosovës, një aktivitet gjithëpërfshirës ku i gjithë lidershipi i Kosovës që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Kryetari i Bashkisë Prishtinë dhe institucionet akademike shprehën dëshirën për rritjen e bashkëpunimit institucional me ‘Vatrën’.

Fatkeqësish prej një periudhe dy vjeçare kemi parë, dëgjuar dhe lexuar veprime dhe shkrime të cilat jo vetëm që nuk i bëjnë mirë ‘Vatrës’ por po ulin dinjitetin e institucionit të saj dhe të vetë personave të cilët mendojnë se mund ta trajtojnë atë si plaçkë ose gënjejnë veten se mund ta marrin atë me dhunë në vendin e demokracisë botërore. Dhe për më tepër kjo bëhet qesharake, kur në ‘punët’ e ‘Vatrës’ futen edhe individë të diskretituar në New York dhe Shqipëri të cilët përveç vjedhjes së fondeve nëpërmjet mashtrimit nuk i lidh asnjë tjetër me çështjen kombëtare Shqiptare.

Të mendosh sot në vitin 2023, se mund të ‘rrëmbesh’ me forcë një institucion të zgjedhur në mënyrë demokratike në mes të New Yorkut, tregon se personat që bëjnë thirrje për veprime të tilla ose janë në gjendje të rënduar psikologjike, janë delirantë, nuk jetojnë me realitetin ose kanë ngelur prapa me kohën në qytetin, fshatin ose katundin e Shqipërisë të viteve 1960 nga e kanë prejardhjen, ku sejcili e gjente zgjidhjen sipas dëshirës së tij.

Vatra nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet pa dinjitet nga një grup njerëzish të pamoralshëm, të cilët në vend të kontributit po i mëshojnë përçarjes, sharjeve, fyerjeve dhe veprimeve të pamoralshme të cilat përveç ‘Vatrës’, po i diskretiton edhe ata përfundimisht. Askush nuk mund dhe nuk do ta shfrytëzojë asnjëherë ‘Vatrën’ për prestigj, madhështi dhe inatet personale, aq më tepër personat ‘donkishoteskë’ tashmë të diskretituar në diasporë që skanë asnjë lidhje me ‘Vatrën’ dhe ju gënjen mendja se i pyet njeri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan demiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT