• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

LIRIA QË NUK DUA

October 10, 2023 by s p

Gjergj Hani/

Kam menduar gjithmonë se kam qenë njeri i lirë. Mendoja se isha i lirë edhe mes telave të burgut. Në të vërtetë nuk paskam qënë kurrë i tillë.

Nuk I kisha parë kurrë kufijtë që kufizonin lirinë time. As kisha ndjerë peshën e rëndë të këtyre kufijve. Paskan qënë gjithmonë pjesë e imja, ashtu sic janë sytë, apo dora e këmba; gjendje natyrale e qënies. Gjë e cila të shtyn të mos mendosh për to.

U desh Gaz Bardhi dhe takëmi tij që të kuptoja se nuk jam i lirë. Mbeta pa fjalë përballë lirisë së tyre që nuk njeh kufij. Liri gjithpërfshirse kjo, që anullon cdo limit. Qofshin ata identitarë, politik apo moral. Liria e tyre është aq e madhe, sa do të ishte universale po të mos kufizohesh vetëm nga një insikt; ai i konservimit të species.

Përballë lirisë së tyre pa horizont, e pa një pikë referimi, kuptova se jam i destinuar të vdes i burgosur. Jo brënda telash me gjëmba fizikë, por brenda ca kufijve të padukshëm por të rëndë. Kufij të trashëguar, e një pjesë të ndërtuar nga gjykimi, eksperienca e identiteti. Kufij të lindur nga ajo cka jam, e të shumfishuar nga ajo cka s’dua të jem. Kufij që përbuzin lirinë e skllavit që shkon në pafundësinë e interesit.

Përballë lirisë pa fund të hicit, kam zgjedhur e do të zgjedh gjithmonë robërinë e identitetit, prangat e moralit e burgun e vetëdijes.

Filed Under: Sociale

Historia shqiptare si dilemë ekzistenciale*

October 10, 2023 by s p

Nga Lazër Stani/

E çliruar nga diktati i skemës së realizmit socialist dhe aparatçikët e sistemit të censorëve, letërsia shqipe e këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve, në përpjekje për të refuzuar turpin e kompromisit të vet me regjimin dhe ideologjinë e tij, si një refuzim ndaj vetvetes dhe asaj që konceptohet si traditë, zgjodhi dy rrugë për rimbëkëmbjen e vet: një grup autorësh në moshë relativisht te re rendën pas shkollave moderniste letrare, me shpresë se kështu do të afirmonin vetveten ndryshe, duke mohuar çdo lidhje me realitetin shqiptar;

grupi i tjetër ndoshta më i paktë në numër iu ri kthye realitetit të mohuar, duke përshkruar me nota të ashpra e dramatike. Ky grupim autorësh krijoi një lloj realizmi tjetër, realizmin demokratik, që në vetëvete ishte realizmi socialist i kthyer me kokëposhtë.

Në të shumtën e rasteve të dyja tendencat u përcollën me dështime, sepse letërsia në asnjë rast nuk është një makinë që herë ngitet në krahun e majtë e hërë në të djathtin, dhe as një biçikletë cirku me të cilin mund të prodhohet një spektakel ekzotik.

Në këtë koas të vlerave dhe brenda kësaj çoroditjeje ekperimentale dhe konceptuale, herë pas here autorë të veçantë arritën të krijojnë vepra letrare të mbresëlënëse, në poezi dhe prozë, duke shfaqur sëcili një individualitet të vetin, shpesh larg syve të publikut dhe të medias, por gjithësesi tërheqës e befasues dhe njëkohësisht sfidues për një kohë, kur pak kush e ka mendjen te letersia.

Dhe një ndër befasitë e bukura të këtyre kohëve, ka qenë leximi i romanit të Gëzim Ziles ”Ismaili, një histori shqiptare”, një libër që përveçse e kam lexuar me një frymë, më ka futur ne mendime për një kohë të gjatë.

“Ismaili” i Gëzim Ziles, është një libër që lexohet me një frymë, është rrëfim për jetën njerëzore në njërën prej momenteve më të brishta dhe formuese të saj, rrëfim për kapërcyellin ndarjes nga fëmijëria dhe ardhjen nervoze të rinisë së parë, një histori e rrëfyer rrjedhshëm, me një gjuhë të pastër e të pasur, plot densitet dhe tension dhe mbi të gjitha është një histori e mirëfilltë shqiptare.

Ismaili, përsonazhi kryesor i këtij libri, është një fëmijë shqiptar si shumë të tjerë, energjik dhe i etur për aventurë, guximtar dhe inteligjent, kureshtar dhe i pabindur, nxënës i pasionuar dhe fëmijë i rrugës. Ai është plot jetë, trupi nuk i zë vend dhe mendja e tij ka një fantazi të papërballueshme, por gjithçka zhvillohet brenda një territori të kufizuar, jo thjeshtë në hapësirë fizike, por në mundësi dhe liri.

Dhe mbi të gjitha, në këtë hapësirë ku çdo dëshirë shtypët nga një “Jo” ose “Mos” kërcënues, shtrihet hija e një dhunës, që nuk është thjeshtë vizorja e mesuesit apo një pëllëmbë e babait, por një e keqe shumë më e madhe që qendron në sfond si një re e zezë, e gatshme të gëlltitë sëcilin veç e veç ose të gjithë së bashku. Kjo hije dhune që gjithnjë ndihet e pranishme si sfond, që në fund të fundit është një dhumë shtetërore e padukshme, por njësoj kërcënuese dhe e frikshme, i ka tkurrur të mëdhenjtë, i ka bërë ata të heshtur dhe fjalëpakë, ndërsa fëmijët i ka privuar nga dashuria e prindërve dhe mundësia për të gëzuar një fëmijëri normale.

Ismaili, nuk është as më i mirë e as më i keq se të tjerët, sepse në fund të fundit, edhe ata që do të bëhen, vjedhës, vrasës, kontrabandistë, kriminelë, të gjithë kanë lindur fëmijë dhe njeriu, siç shkruante Balzaku, “nuk lind as i mirë dhe as i keq. Ai lind me instikte dhe aftësi”.

Ismaili është njëri nga këta fëmijë që, siç e përshkruan autori, “me një çantë të vogël prej rrobe të qepur nga e ëma, Labikja dhe pantallonat e shkurtëra dalëboje, nisej çdo mengjes për në shkollë, i ndjekur nga shokët e shumtë që nuk i ndaheshin. Nuk ishte veshur asnjëherë në jetën e tij prej 12 vjeçari pantallona të gjata”.

Që në faqet e para të libri Ismaili na shfaqet si një fëmijë lidër, që gëzon besimin e të tjerëve, për guximin, ndërshmërinë, shpirtin e aventurës dhe vendosmërinë, tipare të një karaketri të fortë në formim, të një arketipi të lirë, që edhe pse konfrontohet me dhunën e vazhdueshme nuk nënshtrohet, po udhëhiqet nga impulset e tij të brendshme që e nxisin për aventura, mbrapshti, kokëshkrepje që për ambjentin janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme.

Po kaq të pafajshëm dhe aventurierë, duken edhe bashkëmoshatarët e tij Ristua, Gjoshja, Lalani, Fatriu, por edhe vajza që i shkaktoi emocionin dhe hutimin e parë instinktit të tij prej mashkulli, Tatjana, çapkënja e hedhur e mospërfillëse.

Edhe pse paguan vazhdimisht për aventurat e tij prej vagabondi të vogël dhe pa të keq, ai asnjëherë nuk nënshtrohet, përkundrazi një aventurë, si futja e hardhurcave në çantën e bukuroshes Tatjana, ndiqet nga një aventurë tjetër, si grabitja e pjeshkëve të fermës, apo grabitja e ndonjë fruti në kopshtijet e lagjes, atje ku pleq të sertë e të xhindosur ishin të gatshëm të hakmerreshin me një dhunë shtazarake.

Por Ismaili në vetvete nuk është i keq, nuk është i padrejtë dhe mbi të gjitha nuk ndërton marrdhënie të dyshimta me moshatarët. Kjo e bën atë të dallueshem prej të tjerëve, një rast të vecantë, që herë e bën ta quajnë vagabond, e herë ta shikojën si një fëmijë të dalë duarsh, që herët e vonë do ta pagujë me shpinën dhe kokën e vet.

Autori nuk ndalët të bëjë analiza të momenteve psikologjikë të zhvillimit të përsonazhit, por ai vetëm rrëfen ngjarjet, duke ia lënë lexuesit të receptojë dhe të interpretojë, sepse siç shkruan Keith Çestertoni shkrimtari i mirë gjithmonë na rrëfen të vërtetën rreth heroit të tij. Por nga kjo e vërtetë e rrëfyer pa paragjykime ne gjejmë një Ismail, i cili duke jetuar në një realitet të vrazhdë përballet me dilema të thella, që në shumë momente e bëjnë ekzistencën e tij dramatike: është momenti kur ai nga një histori në tjetrën mëson të vërtetën e hidhur të jetës, brutalitetin dhe egersinë e saj, pabesitë dhe marrëzitë, pasionet dhe epshet, çthurjet dhe degradimin, kompromiset e vogla dhe dinakëritë, që të mbledhura së bashku krijojnë sfondin mbytës të qytetit ku atij i ka takuar të jetojë.

Por energjik dhe plot jetë siç është Ismaili, nuk ka kohë të dëshpërohet. Ai kalon nga një aventurë te tjera me një guxim prej të marri, i gatshëm të ndeshet çdo ditë me rrezikun për të sfiduar atë që është e ndaluar, atë që qendron prapa çdo kufiri të vendosur dhunshëm. Dhe në këtë klimë shtypjeje dhe dhune, zgjohet edhe ndjenja e hakmarrjes, kur Ismaili në prag të burrërimit, vendos t’i vërë zjarrin gjithë lagjes “për inat të prindërve që i rrihnin fëmijët, për çdo të keqe që ata bënin” Dhe pas këtij akti aventuresk vjen edhe akti e parë të burrërimit, kur Ismaili shpall kërcënueshëm vendimin e tij të parë prej burri: “Nuk dua të më prekë më njeri më dorë”.

Me këtë frazë dramatike mbyllet edhe ky roman i Gëzim Ziles, një roman që të fut në mendime të thella.

Sigurisht që për frymën totalitare dhe të dhunshme të një shoqërie dhe për traumat që ajo krijon të anëtarët e saj është shkruar shumë. Moris Dryon pati shkruar se një shoqëri nuk mund të jetë e lumtur kur disa nga anëtarët e saj vuajnë. Për shkrimtarin kjo vuajtje nuk është statistikë, ajo është fati ose më mirë të thuash, fataliteti i një individi të vetëm.

Duke lexuar romanin, njëkohësisht lexuesi ndërmerr një udhëtim eksplorues brenda një shoqërie, që është tipike për qytetet shqiptarë të viteve pesëdhjetë. Nëpërmjet leximit ne njihemi me fatin kolektiv të një shoqërie mbi të cilën shtypja dhe varfëria thellohen çdo ditë dhe ku aknthi i mbijetesës, anntkthi i ekzistences, e shton edhe më shumë shtypjen e vet. Kjo i ka çuar drejt ndrydhjes totale edhe ndjenjat më të thella njerëzore, siç është dashuria e prindit për fëmijën.

Një prind, siç është rasti i Kasemit, babait të Ismailit, që robtohet në punë për të siguruar mbijetesën e familjes, nuk ka kohë të japë dashuri, jo pse ai nuk e ka këtë ndjenjë brenda vetes, por sepese kjo ndjenjë është e rrezikshme. Femijet e rritur me lirinë që jep dashuria, do të përfundojnë në individë të rrezikuar në të ardhmen.

Për të siguruar mbijetesën, që është instinkti bazë i çdo qenieje të gjallë, ai duhet të rritet i privuar nga kjo liri e dashurisë, sepse vetëm kështu individi i ardhshëm do të jetë i modeluar sipas rregullave të kohës.

Kjo logjikë e imponuar nga rrethanat dhe mentaliteti i një shoqërie koncervatie, ku liria ka munguar pothuajse gjithmonë, e ka bërë baballarët të ashpër dhe brutalë me fëmijët. Kjo është edhe linja kryesore e konfliktit Ismail-Baballarë, ose fëmijë prindër, që në rastin e Ismailit nuk arrin të gëlltitet dhe provokon rebelimin e vazhdueshem ndaj rregullave dhe kufizimeve të kohës.

Në tërësinë e vet romani i Gëzim Ziles, “Ismaili, një histori shqiptare”, është një veper provokuese për dilemat më të thella që ekzistojnë brenda qenies sonë, për udhëkryqet që vazhdimisht na shfaqen në jetë, dhe në në secilin rast vuajmë pasigurinë e zgjedhjes, por edhe për trishtimin dhe vuajtjen e udhëkkryqit të katër rrugëve qorre, prej nga nuk ka rrugëdalje.

Me gjuhën e tij të pasur më shumë nënshtresa kuptimore dhe i rrëfyer me një stil narrativ të gjallë e plot jetë , ky libër arrin të zgjojë brenda nesh histroinë e secilit, e cila në vetëvete na ndjek gjatë gjithë jetës dhe na shtyn të arsyetojmë mbi ekzistencën tonë.

I shkruar me një dashuri të thellë për Vlorën, për Skelën, njerëzit e saj, për detin dhe për dhembjen njerëzore, romani i Gëzim Ziles, varfërohet duke u interpretuar. Bukuria, thellësia, dashuria dhe ndjenja e tjera njerëzore, bëhën të pranishme dhe përceptohen vetëm duke e lexuar këtë libër, kaq të freskët dhe të vertetë, sa menjëherë na bëhet pjesë e historisë sonë shpirtërore.

*Romani, “Ismaili, një histori shqiptare” i Gëzim Ziles.

Ne foto shkrimtari: Gezim Zilja

Filed Under: ESSE

Blegtoria si degë ekonomike dikur ishte jetike për Sharrin

October 10, 2023 by s p

Mr.sci. Valent Qafleshi/

Në këtë studim do të trajtojmë, veprimtarinë bujqësore e blegtorale, në trevën e Opojës, në veçanti blegtorinë në bjeshkët e Sharrit.

Ashtu si bujqësia, edhe blegtoria si veprimtari ekonomike janë ndër më të vjetrat jo vetëm në trevën e Opojës por edhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Ne në këtë punim do të merremi vetë me veprimtarin blegtore.

Veprimtaria blegtorale dikur ishte jetike për opojanët dhe goranët e komunës së Dragashit, e cila veprimtari u zhvillua kryesisht në bjeshkët e Sharrit, sepse atje edhe ekzistonin kushtet e përshtatshme për këtë degë ekonomike. Jeta larg qyteteve dhe vendbanimeve të mëdha fushore krijonte kushte më të mira për një jetesë jo edhe aq të lehtë. Bjeshka dhe kullotat, jeta në stane gjatë ditëve të verës, krahas punës dhe mundimeve, këtyre banorëve u mundësonte edhe kënaqësi. Klima shumë e përshtatshme dhe kullosat e atyre viseve malore për disa muaj vere i bënin të lumtur këta banorë që dinin ta organizojnë këtë mënyrë jetese. Dimrat e gjatë dhe me shumë borë, blegtorët e kësaj pjese të popullatës shqiptare, i detyronte të bënin jetë nomade, që me bagëtitë e tyre në vjeshtë ta lënin vendlindjen dhe të niseshin për në vende me klimë më të butë, ata me bagëtinë e tyre zbrisni jo vetëm në Tetovë e Veles të Maqedonisë por edhe deri në Greqi, ku do të kalonin dimrin, prej nga, pranvera do t’i kthente përsëri.

Në botën shqiptare por edhe për Opojën është e njohur gojëdhëna për plakën e cila mezi priti të vijë prilli, për të dalë në stan. Kjo gojëdhënë që për plakën dhe bagëtinë e saj, u shndërrua edhe në legjendë, është prezent në shumë vendbanime, të viseve shqiptare veriore. Edhe sot, kur kah fillimi i pranverës bën mot i keq që shpeshherë shoqërohet me borë, erë shi e fërfallëzë, thuhet se është “koha e plakave” ose “plakat”, që ndërlidhet me plakën e vetmuar e cila me bagëtinë e saj nuk e priti kohën e përshtatshme për të dalë në bjeshkë por meqë bënte mot i mirë dhe po shkrihej bora, doli në stan kah fundi i Marsit. Ky veprim i ngutshëm i plakës si duket e ofendoi Marsin, muajin i cili në bjeshkë llogaritet dimër i vërtetë. I nënçmuar nga një plakë që nuk e respektoi fuqinë e tij, kërkoi tri ditë hua nga Prilli për ta zgjatur jetën e vet dhe ta mbysë plakën me gjithë dhentë. Kështu iu drejtua Marsi vëllait të vet Prillit: “Ore Mars bre vlla, mi jep nja tre ditë uha, ta mbyti plakën me krejt xhi ka. Në këtë rast, prilli ia dha këto ditë marsit dhe ky e mbyti plakën, ndërsa dhentë ia shndërroi në gurë, i ngriu ato.

Bjeshkët e Sharrit që shtriheshin nga Maja e Lubotenit deri në atë të Korabit, llogariten si më të përshtatshme për bagëti. Kullosat e bollshme, burimet e shumta dhe klima e përshtatshme për muajt e verës, krijonin kushte të mrekullueshme për ruajtjen e dhenve dhe të kafshëve tjera që ishin pjesë e jetës së opojanëve.

Për këtë veprimtari sa të vështirë aq edhe të dashur,

këngëtari popullor i krijoi lirikat ndër më të bukurat. Kënga e

Fushës (rrafshnaltës) së Korabit llogaritet ndër më të mirat e këtij

lloji të lirikës popullore. Në shumë këngë tjera kjo temë u këndua

dhe këndohet edhe sot.

Stani shtëpia e dytë e bariut në bjeshkë

Emri stan ka kuptimin – kasolle, vend me kotarin për bagëtinë dhe bulmetin, aty kanë jetuar barinjtë me familjet e tyre, sidomos gjatë ditëve të pranverës së vonë dhe stinës së verës.

Dikur në Opojë familjet e pasura, të cilat kanë pasur tufa delesh gjatë pranverës së vonë dilnin me bagëtinë e tyre (dele dhe lopë)në bjeshkët e Sharrit, në të shumtën e rasteve, në stan dilte një pjesë e familjes, ndërsa pjesa tjetër jetonte në katund për tu marr me bujqësi ngase bujqësia dhe blegtoria ishin të lidhur ngushtë njëra me tjetrën.

Në stan shpesh jetonin burrat e disa familjeve të cilët i bashkonin tufat e tyre të deleve dhe i ruanin së bashku bagëtinë, po ashtu edhe bulmetin së bashku e përgatitnin dhe fitimin e ndanin sipas numrit të bagëtisë që kishin në bjeshkë.

Në stanet ku dilej në mënyrë kolektive, jeta ishte shumë e organizuar, kishte punë për të gjithë, nga fëmijët e deri te më të moshuarit. Që nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje vonë, secili merrej me punën që mund ta bënte më së miri. Fëmijët zakonisht i ngisnin dhentë për t’i mjelë e më të mëdhenjtë i milnin. Disa fëmijë tjerë i ruanin vjetët, e disa i ruanin dhentë topalle. Fëmijët gjithashtu luanin me qentë dhe këlyshët. Gratë bënin bulmetin.

Madhësia e objektit të stanit, varej nga numri i anëtarëve të familjes ndërsa kotari nga numri i bagëtisë.

Meqë bulmeti përgatitej brenda në stan, në një pjesë të tij ku ishin renditur edhe enë të ndryshme, pjesa tjetër shërbente për qëndrim ditor ose për të fjetur.

Stanet më të mëdhenj, bëheshin në katër anët me mur guri dhe me dy dyer përballë njëra tjetrës, nga të cilat njëra ishte kryesorja ndërsa tjetra lidhej me kotarin ose saktësisht me stregën ku mileshin dhentë.

Kulmi i stanit ndërtohej me drunj dhe mbulohej me kashtën e duajve të theknit. Nga dy anët e murit renditeshin drunjtë që quhen kepra që takoheshin njëri me tjetrin në kulmin e stanit. Mbi keprat vertikale shtroheshin pallëzinat, drunë më të hollë që lidheshin me keprat me sixhim ose lektyrë prej kashte, ose edhe gozhdoheshin.

Stanet më të vegjël janë të ndërtuar me gardh në vend të murit. Të dy anët e gardhit lyhen me baltë soe vishen me duaj të kashtës së thekrës.

Në vjeshtën e vonshme, kur thahet bari barinjtë me familje ose grup burrash të disa tufave zbresin nëpër fusha ose fshatra.

Filed Under: Ekonomi

Kurti: Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan

October 10, 2023 by s p

V.Th. RTKlive/

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një interviste për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka folur rreth sulmit terrorist që u krye në Banjskë me 24 shtator.

“Është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të profesionistëve serbë që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia. Të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, kanë ardhur nga Serbia, dhe për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë. Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në livadhet e Pasuljanskit, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, Milan Radojiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë.

“Të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radojiçiqit nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës.

Kurti sulmin terrorist e ka quajtur skenar për gjakderdhje në Kosovë. Derisa arrestimin e pastaj lirimin e Milan Radoiçiqin e ka krahasuar me marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë.

“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar, domethënë, do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje. Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radojiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Slloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka deklaruar Kurti për Pobjeda.

Me këtë sulm Kurti ka thënë se Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan, ku entiteti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet “Bjellorusia e vogël”.

“Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan, ku entiteti i RS në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet “Bjellorusia e vogël”. Në vitet 1990, Vuçiq mbrojti idenë e një “Serbie të madhe”, të cilën ai tani, duke ndjekur shembullin e “botës ruse”, e quan “bota serbe”. Sot Serbia përsëri ëndërron për një Serbi të madhe; ka pretendime për një pjesë të territorit të shtetit të BeH, dëshiron ta kthejë Malin e Zi në Ukrainë, të na vjedhë veriun e Kosovës. Ajo këmbëngul për një marrëdhënie me fqinjët e saj të ngjashme me marrëdhëniet e Moskës me Ukrainën dhe Bjellorusinë, që nënkupton ose një kontroll të caktuar të qeverisë qendrore ose kontroll të një pjese të caktuar të territorit të vendit fqinj. Prandaj fqinjësia e Serbisë paraqet rrezik sigurie për ne”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës mban kontakte të rregullta me SHBA-në dhe shtetet tjera anëtare të BE-së, veçanërisht për kërcënimin e fundit serioz nga Serbia.

E patë që reagimi i SHBA-së ndaj agresionit të Serbisë ishte i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm. Së fundmi i kam kërkuar Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, Jake Sullivan, që të rrisë mbështetjen për Kosovën kundër planeve të luftës të Serbisë. Kosova gjithmonë mbështetet në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe ne jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Prandaj dyfishuam buxhetin vjetor për mbrojtjen e Kosovës dhe e rritëm numrin e ushtarëve për 80 për qind. Na duhet një ushtri e pajisur mirë, e cila do ta mbrojë Kosovën me sukses. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO – është mirëqenia dhe kontributi ynë për sigurinë e rajonit”, ka deklaruar Kurti.

Filed Under: Rajon

Columbus Day – Nderim për Kontributet në Emër të Kombit

October 10, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Pavarësisht se çfarë qëndrimi mund të keni për Ditën e Kolombit, historia, faktet, miratimi i festës në rang kombëtar dhe kundërshtitë që e shoqërojnë atë janë të lidhura me Epokën e Zbulimeve (Age of Exploration) dhe me historinë e popujve banorë të vendit, të cilat janë pjesë të rëndësishme të botëkuptimit amerikan.

Dita e Kolombit në Shtetet e Bashkuara përkujton zbarkimim e zbuluesit Kristofor Kolombi në tokën amerikane në 1492. Në formë jo zyrtare është festuar në disa qytete dhe shtete qysh në shekullin 18. U zyrtarizua si festë federale në vitin 1937.

Festa ishte një formë nderimi për zbulimet e Kolombit por edhe për komunitetin dhe trashëgiminë italiane ameikane. Por gjatë gjithë historisë, kjo ditë dhe personi që mban të njëjtin emër kanë ngjallur shumë debate dhe kundërargumente. Dalja e të dhënave se zbuluesit e parë evropianë në Amerikën e Veriut kanë qenë popujt Nors nga periudha e Mesjetës së Hershme ka hedhur poshtë edhe disa teza të kaluara për zbulimet e Kolombit, veç pasojave dhe eliminimit të fiseve indiane vendase. Duke filluar nga vitet 1970 janë propozuar disa alternativa për festën. Një prej tyre Dita e Popujve Indigjenë festohet në shumë qytete anë e mbanë Amerikës.

Proklamata presidenciale për ditën e sotme thotë se guximi dhe karakteri i italiano ameikanëve reflektojnë por edhe ndihmojnë përkufizimit se kush jemi ne si komb. Së pari, në shpalljen e Shtëpisë së Bardhë përmendet viti 1891, masakrimi i 11 italianëve, një akt që tronditi vendin dhe prej të cilit Presidenti Benjamin Harrison lëshoi deklaratën e parë me këtë emërtim në 1892. “Nga shumë njerëz, e para Ditë e Kolombit konsiderohej një formë nderimi për ata që humbën jetën por njëkohësisht edhe ngadhënjim i shpresës, mundësive dhe aftësive të veçanta të cilat komuniteti italian-amerikan i ka dhënë në shërbim të vendit përpara se të krijohej Republika. “Ka kaluar më shumë se një shekull qysh atëherë dhe ne mblidhemi për Ditën e Kolombit me të njëjtën frymë, në nderim të italiano-amerikanëve, duart e të cilëve ndërtuan vendin dhe zemrat e të cilëve mbajtën brenda tyre ëndrrën amerikane,” shkruhet në Deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Më tej, duke përmendur udhëtimin e Kolombit nga Porti spanjoll Palos de la Frontera në emër të Mbretëeshës Isabella I dhe Mbretit Ferdinand II, njoftimi e quan atë “burim krenarie” për komunitetin italian amerikan, dhe e lidh me historitë që ata dëgjonin kur ishin fëmijë për paraardhësit e tyre që kapërcenim oqeanin me anije druri apo të gjyshërve që emigronin me shpresë për një jetë të re. “Këto janë historitë e atyre që lënë pas gjithçka kanë njohur e dashur në kërkim të mundësive në Shtetet e Bashkuara,” vazhdon deklarata e cila në këtë pikë inkuadron temën e nxehtë dhe të vështirë të emigracionit.

Për ta lidhur të kaluarën me të tashmen, në njoftim përmenden kontributet e profesionistëve të shkëlqyer italianë amerikanë në të gjitha disiplinat dhe në botën e artit e kulturës në Amerikë, si edhe roli i rëndësishëm i diasporës në forcimin e marrëdhënieve me Italinë, aleate e Shteteve të Bashkuara dhe vend anëtar në NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

Së fundi, njoftimi i referohet idesë bosht që u vu në themelet e kombit: barazia, dhe krijimi nga i madhërishmi me të drejta të patjetërsueshme. “Edhe pse ideja nuk është arritur në forma të plota, frymëzimi që e mban gjallë atë nuk na ka lënë ta braktisim. Sot, përkulemi me nderimi përpara italiano-amerikanëve që nuk e braktisën parimin tonë themeltar,” thuhet në Deklaratën e sotme.

Në përkujtim të udhëtimit historike të Kolombit 531 vjet më parë, e hëna e dytë e muajit Tetor është Dita e Kolombit me dekret të Kongresit. “Në shenjë nderimi të historisë së larmishme dhe respekt ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për kombin, flamujt amerikan do të valëviten nga ndërtesat qeveritare,” përfundon Deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT