• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Ahmet Zogu, meritat si burrë shteti, anatema politike dhe denigrimi i historisë

October 9, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

“Bota e ka kuptuar se nëse Bijtë e Shqiponjës lihen në paqe ata mund të ndërtojnë një shtet. Zotërinj, dalshim faqebardhë në sytë e historisë”. Ishin këto fjalët që Ahmet Zogu shqiptoi me një solemnitet ngjethës më 1 Shtator 1928, ditën e betimit si Mbret i Shqiptarëve.

Ahmet Zogu u lind më 8 tetor 1895, në Burgajet të Matit. Ai mbamendet ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë. Karriera e tij politike nis me atë të Ministrit të Brendshëm (30 janar, 1920-14 nëntor, 1920), vazhdon me atë të Kryeministërit të Shqipërisë (1922-1924), Presidentit (1925 – 1928) dhe Mbretit, 1 shtator 1928 – de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa de jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë.

Ahmet Zogu për pesëdhjetë vjet me radhë është konsideruar tradhtar nga ideologjia komuniste, kështu që sigurisht ky mbetet një problem i madh për historianët. Për një personalitet të madh, siç është Zogu kërkohet nga studiuesit që të njohim mirë periudhën historike dhe jo ngjarje ose raste të veçanta. Dihet që Zogu në një opinion të gjerë gjykohet që në ’39-n nuk bëri rezistencë Italisë dhe iku, apo kjo tjetra që u ngjit në pushtet nëpërmjet jugosllavëve. Si fakte janë të vërteta dhe e para dhe e dyta. Por këto nuk përbëjnë shkaqet themelore për të vlerësuar një personaliet. Shqipëria në ’24-n që e mori Zogu ishte një Shqipëri tjetër nga ajo që e la në ’39-n. Nuk duhet harruar se ai vinte në pushtet nga periudha e Rilindjes Kombëtare. Ministrat e Kabinetit janë pionierë të Rilindjes Kombëtare.

Në atë kohë Shqipëria luftonte kundër pushtuesit osman dhe kundër tij ishin të gjithë popujt e Ballkanit. Kjo sillte edhe nevojën për unitet dhe marrëdhënie diplomatike mes popujve të Ballkanit në luftën kundër Turqisë. Bashkëpunimi midis figurave më rëndësishme të kohës me shtetet e Ballkanit bëhej për nevoja të armatimit të popullsisë, për nevoja të zhvillimit të luftës, të përkrahjes kundër pushtuesve osmanë. Këto janë krejt të natyrshme në historinë e një vendi. Nga ana tjetër dihet që vendet e Ballkanit kanë shprehur edhe interesat e veta… Pra në të gjitha qeverisjet këto kanë qenë lidhje për arsye dhe interesa të ndërsjella. Marrëdhëniet me ta e shoqëruan gjatë gjithë periudhës së vet. Po kështu e shoqëruan edhe Zogun këto marrëdhënie, pavarësisht se ai kur mori pushtetin u lidh me italianët. Kjo lidhje ndikoi që Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

Për Zogun ishte e lehtë të gjente përkrahje tek italianët. Në fillim kjo gjë solli zhvillim, por në fakt ngjarjet morën një rrjedhë negative kur italianët pushtuan Shqipërinë dhe kjo ndodhi për shkak të ministrit të jashtëm italian, dhëndrit të Musolinit, kontit Çiano, që faktikisht pushtoi edhe vendin. Nuk kishte mbështetje nga monarkia zogiste Italia për këtë pushtim. Duçja kishte planet e veta. Gjithçka që erdhi më vonë lidhet me ngjarjet që ndodhën në Ballkan dhe politikat aventurore të Duçes.

Megjithatë, Zogu krijoi një situatë të trazuar politike në atë kohë edhe brenda vendit. Kryengritjet popullore i shtypi me dhunë. Kur Ahmet Zogu rimori pushtetin, gjithë kundërshtarët e tij ikën, u arratisën, pavarësisht rolit të tyre në Shqipëri, ata ishin figura të rëndësishme politike.

Kundërshtarët e tij kishin marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe ishin të pambrojtur. Por duhet të them që Zogu pavarësisht kësaj, kur mori pushtetin u bëri edhe një herë thirrje kundërshtarëve të vet që të kthehen në Shqipëri. Sigurisht ai tha që të kthehen e të punojnë për Shqipërinë, jo për të qenë në pushtet. Bashkëpunëtorët e Zogut, i thanë “Ç’është kjo politikë?!”. Zogu tha se “Të gjithë këta njerëz që i kemi jashtë shtetit janë pa ekonomi dhe do të bëhen të gjithë pre e agjenturave të huaja, që mund të sjellin më shumë dëm nga jashtë”. Ishte një qëndrim shumë i mençur për një burrë shteti. Ai donte të hiqte rrezikun nga jashtë që i vinte Shqipërisë nga këta eksponentë që do të viheshin në shërbim të interesave kundër të huajve. Dhe në atë kohë një pjesë e madhe janë kthyer. Zogu arriti përfundimisht të kthej pas vetes dhe kundërshtarë të mëdhenj, siç ishte Noli. Gjatë Luftës së Dytë Botërore për çështjet që kishte Shqipëria në atë kohë, Noli u bë një mbështetës për rishikimin edhe njëherë të pushtetit të Zogut në Shqipëri me një miratim mbarëkombëtar.

Megjithatë gjatë ushtrimit të pushtetit të tij, Zogu ngjalli zemërim në popull, persekutoi aktivistët politikë, mësuesit, patriotët, etj. Këto janë të dokumentuara. Kjo ishte periudha kur iu bënë shumë akuza për vrasje, si për Luigj Gurakuqin e disa patriotë të tjerë.

Periudha e qeverisjes së Zogut lidhej me kërkesën për reforma në gjithë vendin. Por kishte një problem shumë të komplikuar. Në jug ishte një aktivizim shumë më i madh politik dhe shoqëror. Veriu nga vinte Zogu ishte akoma i mbyllur dhe ai pati kundërshtarë edhe në Veri. Zogu ka kërkuar të bëjë edhe reformën agrare. Ajo nuk u realizua, dështoi, por ishte tendencë që të mos ekzistonte feudalizmi edhe pse kishte vetë ai kishte prejardhje feudale. Zogu ishte me idenë që të mos përqendroheshin në pak njerëz tokat, pronat e mëdha.

Moment shumë i dyshimtë është vrasja e Luigj Gurakuqit, por edhe ajo e Avni Rustemit. Hidhet një dyshim, sepse Gurakuqi ishte kundërshtar i Zogut, dhe në atë kohë vrasjet politike ishin ngjarje të një natyre normale. Edhe për të vrarë Zogun është tentuar. Ka pasur njerëz kundër tij për ta ekzekutuar dhe Zogu ia ka thyer vrasësit kundërshtarit, duke i shpërblyer më shumë, pra duke paguar përsëri vrasjen. Vrasja e Luigj Gurakuqit në opinionin e kohës u trajtua si ekzekutim nga kundërshtarët e Zogut, pavarësisht se nuk doli në gjyq me fakte.

Ahmet Zogu ishte padyshim një burrë shteti. Momentet gri në veprimtarinë e tij politike nuk mungojnë.

Një pjesë e konsiderueshme e jetës së tij do të shkonte në lëngimin e ekzilit. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pareshtura si Mbret në Ekzil, Zogu do të shpresonte një rikthim të tij në Shqipëri, ku nuk do të mund të vinte dot. Zemërthyer dhe në lëngim ai u shua me 9 Prill 1961 në Suresnes pranë Parisit. Ai mbeti një emër për të cilin flitet kaq shumë dhe po kaq shumë keqkuptohet. Por nuk duhet harruar ajo që ai bëri, Shqipëria që ai gjeti dhe Shqipëria që ai la. Historia dhe faktet dëshmojnë se kush ishte ai në të vërtet, cili ishte roli i tij në ndërtimin e shtetit, ku gaboi dhe çfarë mund të bënte ai më mirë. Atëkohjen e mbretërimit të tij u ndërmorën shumë reforma transformuese, i miratua Statuti Themeltar i 1928. Gjithashtu u miratuan; kodi civil, ai tregtar, etj. U miratuan ligje të tilla si për reformën agrare, heqjen e ferexhesë, etj duke aboluar Ligjin Islamik e duke e zëvendësuar me kodin civil të mbështetur tek ai zviceran siç kishte bërë dhe Mustafa Kemal Atatürk me Turqinë. Mbreti Zog nxiti ndërtimet botore në vend, rritjen e mirëqenies, zhvillimin e tregtisë, balancim të bilanceve tregtare, shkollimin e brezit të ri, përgatitjen e inteligjencies në universitetet perëndimore.

Me gjithë dritëhijet politike, Ahmet Zogu mbetet një nga personazhet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare. Ai, si pakkush tjetër në klasën politike shqiptare ka ditur të jetë edhe tolerant dhe bashkëpunues kur ja lipste interesi i vatanit. Ikën dhe erdhën, shumë politikanë, por ai meriton emrin Burrë Shteti.

Ditët e fundit të Mbretit të shqiptarëve

Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Ahmet Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”. Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Zogu, ALBERT VATAJ

Opinion: Sulmi i Hamasit, 11 shtatori i Izraelit

October 9, 2023 by s p

Ka shumë gjëra që Izraeli ka bërë gabim. Por asgjë nuk e justifikon atë që Hamasi sapo ka kryer. Siç kanë theksuar shumë njerëz të ditur, ajo që ka bërë Hamasi është qartësisht një akt terrorizmi, pavarësisht përkufizimit tuaj.

Përgatiti Rafael Floqi

Miliona izraelitë u zgjuan të shtunën nga tingujt e shpërthimeve dhe tingujt e sirenave të urgjencës. Grupi palestinez Hamas kishte nisur një sulm të paprecedent në vend disa orë pas 50 vjetorit të asaj që izraelitët e quajnë Lufta e Yom Kipurit dhe vendet arabe e quajnë Lufta e 6 Tetorit. Menjëherë u bë e qartë se sulmi shumë i organizuar nga toka, ajri dhe deti do të kthehej në një tërbim terrorist. Hamasi i mbështetur nga Irani, i cili ka sunduar Rripin e Gazës qysh nga viti 2006, duke forcuar kontrollin e tij në vitin 2007 kur dëboi rivalët e tij palestinezë Fatah në një luftë të shkurtër të brendshme, lëshoi mijëra raketa ndërsa operativët e tij depërtuan në territorin izraelit duke përdorur motoçikleta, kamionë, paragliderë (parashuta me motor)dhe skafe.

Brenda Izraelit, ata ndoqën ushtarët dhe civilët, madje postuan video në mediat sociale, pasi bota pa prova se si ata synonin, gjuanin dhe brutalizonin izraelitët e të gjitha moshave. Shumë u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza dhe u tërhoqën zvarrë nëpër rrugë. Ka shumë gjëra që Izraeli ka bërë gabim. Por asgjë nuk e justifikon atë që Hamasi sapo ka kryer. Siç kanë theksuar shumë njerëz të ditur, ajo që ka bërë Hamasi është qartësisht një akt terrorizmi, pavarësisht nga përkufizimi juaj. Pak izraelitëve u mungon ironia se Gaza, territori nga i cili u tërhoq në 2005, është baza e nisjes për sulme të tilla vdekjeprurëse. Izraeli dhe Egjipti, fqinjët e Gazës, kanë vendosur një bllokadë të territorit. Por nuk ka asnjë okupim të Gazës, e cila tani është në duart e Hamasit, një grup terrorist i shkëputur nga Vëllazëria Myslimane, me një statut që e detyron atë të shkatërrojë Izraelin.

Të shtunën, izraelitët u grumbulluan nga frika ndërsa u përhap lajmi se persona të armatosur rëndë të Hamasit po bredhin në jug të vendit, duke vrarë pa dallim burra e gra dhe duke rrëmbyer të rritur e fëmijë, duke çuar shumë prej tyre në Gaza. Hidhen raketa drejt Izraelit nga Rripi i Gazës, të shtunën, 7 tetor 2023. Raketat u hodhën ndërsa Hamasi njoftoi një operacion të ri kundër Izraelit. CNN dhe të tjerët vërtetuan shumë nga videot. Në njërën, të vendosur nga CNN në një lagje të Gazës, persona të armatosur hapin bagazhin e një makine dhe nxjerrin një grua të tmerruar – zbathur, me kyçet e kyçeve të lidhura me kabllo pas shpine – dhe e zhvendosin në sediljen e pasme. Në një video tjetër, të vendosur në jug të Izraelit, pranë Gazës, shihen militantët e Hamasit duke marrë robër izraelitët. Mediat sociale janë kthyer në një shfaqje horror terrori dhe ligësie, me imazhe të trupave të vdekur dhe grave dhe fëmijëve të frikësuar, disa prej tyre tashmë në robëri. Kanali 12 i Izraelit foli me izraelitët në komunitetet ku ata thanë se militantët e Hamasit po përpiqeshin të hynin në shtëpitë e tyre. Në raport, një burrë në një kibuc në jug të Izraelit, një komunitet bujqësor, tha se gruaja dhe fëmijët e tij u zhdukën dhe ai gjurmoi telefonin e saj te Khan Younis, në Gaza. Nuk kishte asnjë përgjigje për thirrjet e tij, dhe ai tha se kishte frikë se gruaja dhe fëmijët e tij ishin marrë peng. Në qytetin kufitar të Sderot, një objektiv i shpeshtë i raketave të Hamasit gjatë viteve, një fotograf i Associated Press kapi trupat e të paktën gjashtë personave, të cilët u vranë ndërsa qëndronin nën një nga strehimoret e përforcuara të autobusëve. Deri të dielën në dreke , me raketa që plagosën civilë deri në veri deri në Tel Aviv, media izraelite raportoi të paktën 600 të vdekur dhe më shumë se 2000 të plagosur, me një numër të panjohur të marrë peng dhe robër lufte.

Është një nga ditët më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit dhe një dështim i sigurisë që të kujton si fatkeqësinë e 11 shtatorit ashtu edhe atë të Izraelit të vitit 1973. Ndërsa Izraeli u përpoq të ndalonte sulmet e Hamasit dhe nisi sulme hakmarrëse ajrore mbi objektivat në Gaza, viktimat filluan të rriteshin edhe mes palestinezëve. Të paktën 232 palestinezë janë vrarë dhe 1697 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Sulmet ajrore izraelite shënjestruan edhe zyrat e Hamasit në qytetin e Gazës. Pas paralajmërimit se do të qëllonte, siç bën zakonisht, Izraeli rrafshoi një 14-katëshndërtesë. Si gjithmonë, civilët palestinezë do të paguajnë një çmim të rëndë dhe tragjik.

Udhëheqësit e Hamasit thonë se janë “gati për skenarin më të keq”, plotësisht të vetëdijshëm për atë që ata shpalosën qëllimisht.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të qartë kur u tha izraelitëve se vendi ishte në luftë. Kur kjo të përfundojë, Netanyahu dhe zyrtarët e lartë izraelitë të sigurisë do të duhet të llogarisin me dështimin mahnitës të inteligjencës dhe përgatitjeve bazë mbrojtëse. Kjo fatkeqësi po ndodh në një kohë të pwrçarjve të thella politike në Izrael. Do të vijë koha për akuza dhe pasojat politike të këtij dështimi do të jenë të rënda. Por prioriteti është diku tjetër tani. Benny Gantz, një gjeneral në pension dhe një nga liderët e opozitës, deklaroi, në atë që ai tha se ishte një mesazh për Iranin, “I gjithë populli i Izraelit është i bashkuar… Nuk ka koalicion dhe opozitë tani”.

Për momentin, Izraeli po përballet me kërcënimin e menjëhershëm. Dhe së shpejti, Izraeli padyshim do të përballet me një dënim të zbehur, siç ndodh gjithmonë. Deri më tani, Izraeli ka marrë mbështetje solide nga shumë anë. Presidenti Joe Biden foli me Netanyahun, duke ofruar mbështetjen dhe ndihmën e SHBA. Izraeli, tha Biden, ka të drejtë të mbrohet, duke përsëritur se “mbështetja e Amerikës për sigurinë e Izraelit është e fortë dhe e palëkundur”.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen “pa mëdyshje” e dënoi sulmin si “terrorizëm në formën e tij më të neveritshme”. Presidenti francez Emmanuel Macron tha “Unë dënoj fuqishëm sulmet aktuale terroriste”, duke ofruar solidaritetin e tij. Kancelari gjerman Olaf Scholtz tha se vendi i tij “qëndron në krah të Izraelit”. Kryeministri holandez lëshoi një deklaratë duke thënë se ai “dënon pa mëdyshje këtë dhunë terroriste dhe mbështet plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”. Kryeministri indian Narendra Modi u shpreh i tronditur, duke u zotuar për “solidaritet me Izraelin”.

Ministri i Jashtëm i Brazilit, duke bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shprehu “solidaritetin e tij me popullin izraelit”, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për dhunë, “veçanërisht kundër civilëve”. Ukraina deklaroi “mbështetjen e saj për Izraelin në të drejtën e tij për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”. Mbështetja për Izraelin, megjithatë, vështirë se ishte unanime.

Si Irani, sponsori kryesor i Hamasit, ashtu edhe Hezbollahu, një tjetër organizatë terroriste e lidhur me Iranin, e angazhuar për shkatërrimin e Izraelit, vlerësuan Hamasin. Dhe Katari, ndërsa bëri thirrje për de-përshkallëzimin dhe përmbajtjen maksimale, tha se “e mban Izraelin përgjegjës të vetëm për përshkallëzimin e vazhdueshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të popullit palestinez”.

Arabia Saudite, e cila ka negociuar një marrëveshje të mundshme diplomatike me Izraelin, bëri thirrje gjithashtu për përmbajtje dhe një “ndalim të menjëhershëm të përshkallëzimit midis dy palëve”, por gjithashtu dukej se fajësonte Izraelin, megjithëse më pak drejtpërdrejt se Katari, duke përmendur “të përsëriturat” të mbretërisë, paralajmërime për rreziqet e shpërthimit të situatës…”

Emiratet e Bashkuara Arabe, xhevahiri i kurorës së Marrëveshjes së Abrahamit, bëri thirrje për “përmbajtje maksimale dhe një armëpushim të menjëhershëm”.

Mediat sociale, natyrisht, ishin plot me aktivistë anti-izraelit, tashmë të përgatitur për atë që vjen më pas. Meqenëse nata pason ditën, Izraeli do të hakmerret dhe miliona në mbarë botën do të fajësojnë Izraelin – dhe hebrenjtë – duke injoruar atë që ndodhi këtë të shtunë të përgjakshme.

Konflikti izraelito-palestinez është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Por nuk mund të mohohet se ajo që ndodhi të shtunën ishte një akt terrorizmi, një akt që meriton dënim të qartë dhe të qartë dhe nga gjithë shqiptarët, miq të popullit hebre.

Filed Under: Kronike Tagged With: Rafael Floqi

Tirona e farketuar në gazin e shpirtit patriotik të Xhemal Farkës

October 9, 2023 by s p

Marjana Bulku/

Ajo flet parreshtur për rrënjët e familjes, ka rrëmuar nëpër arkiva, shtypin e kohës ,ka dëgjuar historitë e babait , miqve të familjes dhe nuk heziton të zbulojë misterin me të cilin veshi koha e errët e diktaturës zërat dinjitozë që ia kundërshtuan gabimet asaj.

“Po sikur të ishin dëgjuar?!

Po sikur të ishin marrë parasysh kritikat e mendimtarëve të edukuar në perëndim?!

Po sikur të mos ishin dënuar, denigruar dhe mohuar intelektualët e edukuar me patriotizëm e atdhedashuri , ata që intelektualizmin e tyre nuk ia imponuan askujt por e ofruan atë me shkrime e reflektime, qëndrime dhe akte dinjiteti…

Mbase nuk do të kishte kaq shumë viktima e heronj ky komb fatkeq që vret herë pas here pjellën e vet.”

Pikërisht kështu pyes veten e mendoj teksa bashkëbisedoj me Zenita Farkën një studjuese mjaft e veçantë që e rritur mes historive dinjitoze të familjes së saj të cilat diktatura jua preu jetën në mes ,ka arritur të publikojë një vepër mjaft domethënëse kushtuar xhaxhait të saj Xhemal

Farkës me titull “Tirona n’gaz”.

Ajo ka sistemuar shkrimet origjinale të shtypit të kohës( 1936-1937-1938) të cilat vijnë me dialektin e Tironës, problematikat e kohës , humorin e hollë.

Jo pak herë ndesh në këtë botim një frymë aktuale që vjen si pasojë e stilit vizionar të gazetarit poliglot Xhemal Farka.

Profili i intelektualit të edukuar në perëndim, njohës i disa gjuhëve të huaja(anglisht,frengjisht, italisht,arabisht,)autor dhe publicist ,veprimtar , mik i disa prej figurave emblematike të historisë tonë të paplotë si Lef Nosi, Musine Kokalari ,Mirash Ivanaj , etj , etj do të duhej ta kishte të hapur udhën për ti shërbyer me dinjitet vendit të vet por jo e kundërta do të ishte e vërtetë. Pushkatimi pas shpine lë pa varr trupin, por edhe kujtimin dhe veprën e tij .

Pushkatimi pas shpine varros veprën emrin, idealet e një të riu,por edhe ëndrrat e shumë të rinjve që e dëshironin rikthimin e një atdheu të burgosur.

Ky publikim i studiueses unike e plot vullnet Zenita Farka zhvarrosi profilin e një të riu , gazetar, esseist, përkthyes duke kthyer në përmendore të pavdekshme vitet e panjohura 30 në Shqipërinë e iluminuar të kohës ku nuk mungonin dijetarët, intelektualët dhe patriotët që pak vite më vonë do ti shfaroste diktatura komuniste.

Nëpër faqet e këtij libri pashë themelet e forta të familjes që vlerat i ka universale. Ato nuk i varros dot asnjë lloj diktaturë.

Ato janë gjithmonë prezente herë të fshehura por gjithmonë të gjalla diku në aktet e panjohura të Ibrahim Farkës , intelektual e veprimtar në SHBA, figurë që duhet të ridimensionohet nga të gjithë ne shqiptaro-amerikanët e vjetër dhe të rinj, rifrymohen në vullnetin e pashembullt të çdo familjari që e ndjen si detyrim që e shkuara të mos vdesë e sidomos kur ajo ka rrënjë e fryte në qytetêrimin dhe civilizimin tonë .

“ Tirona n ‘ gaz” është një përmbledhje ku alternohen kërkimet dhe hulumtimet, fototeka e larmishme e kohës e ku lexohet fisnikëria e familjes Farka, miqësitë me individualitete të kohës , reflektimet e studiuesve dhe bashkëkohësve dhe mbi të gjitha përpikmëria dhe saktësia e rishkrimit në përputhshmëri të plotë me arkivat dhe organet e kohës çka e sjell veprën sot njësoj me regjistrin gjuhësor të kohës kur ajo u shkrua dhe duke na bërë të besojmë se historia jonë ende vuan nga të pathënat e saj që presim të shkruhen e rishkruhen në besnikëri me faktet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku

At Artur Liolini përcillet me nderim dhe dhimbje nga shqiptarët e Amerikës

October 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Përcjellja me nderime e At Artur Liolinit sot nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston iu kushtua “shërbestarit të Zotit dhe të komunitetit’ që mbeti i tillë deri në fund të jetës së tij. At Arturi “ e mishëronte fjalën e Perëndisë në jetën e përditshme shërbestare” sic tha Peshkopi Nikodhim në meshën e liturgjisë mbajtur për të.

Figurë e njohur dhe e respektuar e Kishës Ortodokse dhe komunitetit shqiptaro-amerikane, At Artur (Liolin) mbante titullin e Kancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë nga viti 1975, vetëm pesë vjet pasi ishte dorëzuar prift. Në 2020 atij ju dha tituli Emeritus nga Kryepeshkopata Shqiptare për nderim të 50 viteve përkushtimi ndaj kishës. Gjatë viteve të shërbimit, At Arturi u kujdes per gjallërimin shpirtëror dhe veprimtaritë e komunitetit shqiptar. I apasionuar pas studimeve teologjike, ai respektohej për erudicionin dhe shpirtin e tij humanist.

Prindërit e tij kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Boboshtica e Korçës dhe familja Liolin jetonte në Nju Jork në fillimet e shekullit 20. I ati ishte mik i afërt me Fan Nolin, krijuesit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqiperisë, Fan Noli, dhe fëmijët adhurues të tij.

Anëtarëve të familjes Liolin, të bashkëshortes Margarita, vajzave, djalit, vëllait Jimmy, ju shprehën ngushëllime anëtarë të komunitetit, shumë përfaqësues të shoqatave, aktivistë e besimtarë. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra u vendos një kurorë me lule pranë trupit të At Liolinit në Kishën e Shën Gjergjit me anë të delegacionit të përbërë nga kryetari Elmi Berisha, Kryetari i Nderit Agim Rexhaj, Arkëtari Besim Malota, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti dhe Petrit Alibeaj nga Bostoni. Në fjalën e tij kryetari Elmi Berisha shprehu keqardhjen e vatranëve për ndarjen nga jeta të At Arturit si një “humbje shumë e thellë për të gjithë ne sepse mbi supet e tij ai ka mbajtur një trashëgimi, një kulturë, një ndjenjë shpirtërore dhe njerëzore që është përcjellë nga vetë Fan Noli.”

Pas përfundimit të liturgjisë, procesioni i makinave shkoi për në varrezat Forest Hills. Mbi trupin e tij u thanë lutjet e Peshkopit Nikodhim. Pjesëmarrësit u ftuan ta nderojnë duke e përcjellë me një lule mbi arkivol nën tinguj muzike të përzgjedhura nga vetë At Liolini. Ai pushon pak hapa më tej vendpushimit të fundit të Fan Nolit.

Filed Under: Politike

Bruno Selimaj bashkon komunitetin Shqiptaro-Amerikan dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Nju Jork  

October 7, 2023 by s p

A group of men standing together

Description automatically generated

Nju Jork:  Në restorantin “Club A Steak House” që gjendet në mes të Manhatanit, pronari i saj, Bruno Selimaj me familje festoi të mërkurën e kësaj jave, 45-vjetorin e suksesit të tij në Amerikë. Dhjetra bashkëatdhetarë, anëtarë të familjes së tij, filantropë, biznesmenë të suksesshëm, aktivistë të dalluar, artistë, gazetarë e klientë të tij amerikanë, festuan së bashku këtë jubile suksesi në një takim të organizuar nga Familja Selimaj në 45-vjetorin e suksesit të Bruno Selimaj në Amerikë – themelimit të restaurantit të tij, “Club A Steak House” aty në qendër të Nju Jorkut.

A person in a suit and tie

Description automatically generated

     Pronari i restorantit, Bruno Selimaj, “Club A Steak House”


Bruno Selimaj, është një histori suksesi në Amerikë, i emigrantëve të vjetër shqiptarë, pjesës së atyre, shqiptarëve që u larguan nga vendi, për t’i shërbyer atdheut të tyre, nga mërgimi në rrëzimin e sundimit sllavo-komunist dhe në çlirimin e Kosovës. Bruno Selimaj lindi dhe u rrit në një fshat të vogël në kufirin verior shqiptar në trevat shqiptare nën Malin e Zi — Plavë e Guci, ku filloi jetën e tij si fermer i thjeshtë, qysh në fëmijëri. Por, në moshën 18-vjeçare me prindërit e tij, ai nisi një udhëtim për në Amerikë, në kërkim të një jete të re. Jetë të cilën, ashtu si edhe e kishte ëndërruar e gjeti këtu në SHBA. Bruno me të mbërritur në Amerikë, në fillim të viteve 1970, dhe pa asnjë njohuri të gjuhës anglisht, thuhet se ai bindi një mik të ngushtë që t’i siguronte një punë në njërin prej restoranteve të famshëm  të Nju Jorkut. Pasi punoi në disa restorante gjatë disa viteve në Nju Jork dhe pasi mblodhi një shumë parash për hapaje e një restoranti, dhe në proces duke fituar edhe një përvojë në sektorin e kulinarisë, Bruno Selimaj, ishte bërë një nga “kapitenët” e restoranteve më të njohur të Nju Jorkut, duke plotësuar nevojat e klientëve — në  restorante të tilla të famëshme – edhe yjeve të Holivudit si Sofia Loren, Elizabeth Taylor dhe Telly Savalis, ndër të tjerë.

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Disa pjesëmarrës aktivistë të vjetër të komunitetit Ilir Rusi, Fadil Berisha, Avni Mustafaj, Agim Rexha, Lumi Hadri, Afërdita Boga dhe Viki Shkreli

Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan  

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

A group of men holding wine glasses

Description automatically generatedAutori me disa kolegë në atë pritje, nga e djathta aktivistët e njohur të komunitetit, Richard Lukaj, Harry Bajraktari e Cafo Boga

Në pritjen (4 tetor) me rastin e 45-vjetorit të Restorantit të biznismenit dhe aktivistit shqiptaro-amerikan, Bruno Selimaj në Manhattan të Nju Jorkut. Restoranti i tij ka shërbyer edhe si qendër takimesh dhe bisedimesh të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me zyrtarët më të lartë amerikanë, por jo vetëm, gjatë luftës në Kosovë por edhe më vonë.  Restoranti ishte gjithashtu edhe qendër për mbledhje fondesh për lobim dhe për ndihma për Kosovën gjatë asaj periudhe të vështirë për Kosovën dhe për shqiptarët anë embanë trojeve të veta në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1980-90-ave. Të ftuar ishin shumë prej pjesëmarrësve shqiptaro-amerikanë, aktivistë të çeshtjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, të cilët atë mbrëmje tepër miqësore shqiptare, kujtuan ato takime të dekadave më parë, dhe atë periudhë të artë për angazhimin  historic të komunitetit shqiptaro-amerikan, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Të pranishëm ishin edhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Nju Jork.

A group of people in a room

Description automatically generatedDisa nga pjesëmarrsit në darkën e 45-vjetorit të restorantit “Club A Steak House”, të Bruno Selimaj në Manhattan, Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: Bruno Selimaj, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT