• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GREQI

November 30, 2023 by s p

Boralda Petromilo Papajani, mësuese e gjuhës shqipe në Athinë, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Athinë, Greqi, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Boralda Petromilo Papajani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË

Kursi pranë organizatës ”Jeta” në Athinë zhvillon këtu e katër vite mësimin e gjuhës shqipe, ҫdo të shtunë pasdite 2 orë. Vështirësitë janë kanë qenë të ndryshme si në aspektin e krijimit të klasave me fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe në aspektin e vazhdimësisë së ofrimit të kursit të gjuhës shqipe, jo vetëm në formën e kurseve që ofrohen nga shoqatat shqiptare në Athinë, por edhe kurset e gjuhës shqipe që organizohen si pjesë e aktiviteteve për fëmijët e emigrantëve në shkollat e sistemit parauniversitar. Kemi punuar me institucionet shtetërore në Athinë, kemi punuar me prindërit që të sjellin fëmijët, si dhe me fëmijët. Me fëmijët kemi punuar si në aspektin metodik për të organizuar orën e mësimit që të ishte tërheqëse, por dhe me qëllimin e krijimit të dashurisë për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Kemi punuar me shumë përkushtim e këmbëngulje dhe mendoj se ja kemi arritur gjatë këtyre 4 viteve. Kemi hapur katër klasa dhe numri i nxënësve ka arritur në 60 fëmijë të moshave nga 5 vjeҫ deri në 18 vjeҫ. Me shumë krenari e them sivjet mësimin e zhvillojmë në mjediset e një shkolle publike.

KATËR MËSUESE SHQIPTARE NË NDIHMË TË FËMIJËVE SHQIPTARË

Thënë sa më sipër, mësimi e zhvillojmë në mjediset e shkollës publike ndërkulturore, në një nga zonat më të frekuentura në Athinë, në Omonia. Jemi 4 mësuese vullnetare. Kurikula përfshin tema mësimore të mësimit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe. Kurikula që ne përdorim është e ҫertifikuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri e cila rregullisht na dërgon tekstet me të cilat ne punojmë me fëmijët.

LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË GREQI NË MBËSHTETJE TË MËSIMIT SHQIP

Do të doja ta filloja me rezultatin e një pune shumëvjeҫare, aspak të lehtë, por me krenari them që sot ne organizojmë kursin e gjuhës në një shkollë publike. Këtu dua të përshëndes ngrohtësisht dhe me shumë respekt, drejtoreshën e shkollës që na ka mirëpritur dhe na mbështet. Ka marrë vetë nismën për të komunikuar me prindërit e fëmijëve shqiptarë në shkollë dhe i ka ftuar e orientuar të frekuentojnë kursin e gjuhës shqipe. Kemi punuar në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës për t’i ndërgjegjësuar fëmijët dhe prindërit që mësimi i gjuhës amtare, ndjenja e kombësisë dhe identitetit shqiptar duhet parë si një vlerë për zhvillimin psikosocial të fëmijëve shqiptarë. Gjithashtu, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi na ka dhënë një mbështetjet të madhe në të gjithë këtë proces. Jam e informuar për eksperienca të hershme në shumë vende të tjera europiane që politikat e tyre janë të orientuara për të përfshirë në kurikulat e shkollës, gjuhën amtare për të gjithë fëmijët me origjinë të huaj. Kjo momentalisht nuk ndodh në Greqi. Po punohet shumë fort dhe me institucionet shqiptare dhe greke dhe me grupe pune për të aplikuar legjislacionin që lidhet me të drejtat e njeriut me të drejtën e mësimit të gjuhës amtare. Por kjo është ende në fazën e përpjekjeve individuale të mësuesve vullnetarë dhe të shoqatave të emigrantëve shqiptarë. Dëgjoj shpesh herë për vullnetarizmin si koncept, por realisht, gjithë kjo punë shumëvjeҫare që kemi bërë të gjithë ne si mësues të gjuhës shqipe, ka në thelb punë vullnetare, në një vend si Greqia, ku secili prej nesh (mësuesit) duhet të punojmë për të siguruar jetesën tonë dhe të familjeve tona. Sakrificë shumë e madhe e jona, e familjeve, e fëmijëve tanë për një pasion, për një dashuri të fortë të tashëguar nga prindërit tanë, për vendin, për gjuhën, për identitetin shqiptar.

ORGANIZATA “JETA” DHE ARSIMI SHQIP

Organizata “Jeta” është një organizatë dedikuar  gruas  shqiptare në emigracion që mbështet të drejtat e grave emigrante. Por një nga projektet e saj ambicioze dhe patriotike është pikërisht organizimi i kurseve të gjuhës shqipe me mësuesit vullnetarë. Për 3 vite rresht, kjo organizatë ofroi mjediset e saj për organizimin e këtyre kurseve. Vetëdija shqiptare dhe ndjenjat patriotike mes emigrantëve janë shumë të forta dhe kjo reflektohet me kontributin e secilit në qëllimin e përbashkët.

NJË SFIDË QË MBETET…

Mësimdhënia përmes teknologjisë nuk është e lehtë. Ndoshta e veshtirë për t’u aplikuar në kushtet e mënyrën si operojmë. Kurikula jonë aktuale nuk është konceptuar për t’u përshtatur me teknologjinë. Megjithëse në periudhën e Covidit ne kemi përdorur shumë platforma online për të vazhduar kursin e gjuhës por vetem kaq.  

MËSIMI SHQIP RRIT PATRIOTIZMIN TE FËMIJËT

Fëmijët në emigracion janë fëmijë  me dy gjuhë. Gjuha greke, me të cilën janë në kontakt në shumicën e kohës së tyre me shoket, në shkollë, në jetën e përditshme dhe gjuha amtare të cilën mund ta përdorin vetëm në mjedise familjare. Për ne është shumë i njohur dhe fenomeni që prindërit shqiptarë nuk komunikojnë me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin se mund të ketë prindër që nuk duan të komunikojnë shqip, por një pjesë e mirë e tyre që sot janë prindër kanë ardhur në Greqi në moshë të re dhe nuk e njohin mire gjuhën shqipe. Mesimi i gjuhes shqipe sigurisht që ka patur efekt tek këta fëmijë, tek ndjenja e tyre e patriotizmit se që nga momenti që ata vinë, bëjnë cdo gjë për të mos e harruar gjuhën, se janë shumë të ngarkuar. Prindërit e tyre  që në  moshën 6 vjeçe i  çojnë fëmijet e tyre në shumë aktivitete, megjithëse janë shumë të ngarkuar me jetën e përditshme, vijne çdo të shtunë për të mësuar gjuhën e tyre të bukur shqipe.

KUSH ËSHTË MËSUESE BORALDA PETROMILO PAPAJANI?

Kam mbaruar studimet e larta në Universitetin e  Tiranës  dega Gjuhe -Letersi. Kam  ardhur në Athinë përpara 30 vitesh. Jam nënë e dy fëmijëve. Kam njohur diplomen time këtu në Athinë. Jam anëtare e Lidhjes se Mësuesve  dhe anëtare  në kryesinë e Lidhjes. Gjithashtu, jam regjistruar në regjistrin e QBD-së së mësuesve të diasporës. Jam mësuese vullnetare  me dëshiren qe kam për t’u mesuar vogelushëve gjuhën e tyre të bukur shqipe, gjuhen e prinderve te tyre. Në misionin tonë si mësues vullnetarë qendron përkushtimi dhe dashuria për mësimdhënien e gjuhës shqipe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Me ceremoni solemne shqiptarët e ngritën flamurin kuqezi në Bashkinë e Filadelfia

November 30, 2023 by s p

 Festimi i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit gjithmonë ngjallë entuziazëm e sjellë shumë energji pozitive në tërë botën shqitare. I tillë ishte edhe ky pervjetor i 111-të i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në Philadelphia u organizua një veprimtari madhështore, ngritja me ceremoni e flamurit kuqezi në sheshin e bashkisë. Për komunitetin shqiptaro – amerikan të Philadelphias me rrethinë kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbolet tona kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit kuqezi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias.

Edhe këtë vit, në datën 28 nëntor, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë. Edhe pse ishte një ditë e ftohtë, numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni, gati i tërë sheshi ishte mbushur me bashkatdhetarë të gëzuar, të veshur me rrobat më të bukura, disa edhe me veshje kombëtare. i tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. I tërë sheshi ishte zbukuruar me flamuj të shumtë shqiptarë e amerikanë. Për shkak të ndërtimeve në sheshin para ndërtesës ku u bë ngritja e flamurit, ceremonia vazhdoi në mjediset e mbrendshme të Municipal Services Building. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Dritan Matraku, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe pastaj i tha disa fjalë për rëndësinë e kësaj feste, kësaj Dite të Madhe, Dite të Shenjtë për kombin tonë. Fjalën e rastit e mbajti anëtari i Këshillit Drejtues të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Ilaz Shehu. Edhe z, Shehu në fjalën e tij e theksoi rëndësinë historike të kësaj Dite të Madhe, rrugëtimin historik të popullit tonë, përpjekjet shekullore për liri e pavarësi, ndihmën e Amerikës dhënë Shqipërisë e Kosovës si dhe rolin e bashkësisë shqiptaro – amerikane në zhvillimin e Amerikës dhe të qytetit të Philadelphia. Sot Shqipëria është një shtet demokratik, anëtare e NATO-s. Ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphia përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative) të Philadelphia,  e cila fillimisht shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet përsëri në mesin e komunitetit shqiptar për të festuar Festën Kombëtare të shqiptarëve. Zonja Hess u shpreh me shumë fjalë mirënjohëse për rolin e shqiptarëve në zhvillimin e qytetit të Philadelphia, duke theksuar se ata sjellin dinamizëm, energji, vlera familjare e njerëzore. Pastaj ajo i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Dritan Matraku, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphia, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare dhe e shpallte 28 Nëntorin si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe anëtari i Këshillit Bashkiak, z. Michael Driscol, i cili uroi për festën dhe i porositi shqiptarët që duke u inkuadruar në jetën amerikane të mos i harrojnë gjuhën e traditat e tyre kombëtare. Philadelphia është qytet që i mbështet dhe i ndihmonë emigrantët, sepse edhe familja e tij dikur kishte emigruar nga Irlanda. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve, përshëndeti zonjusha Tiffany Chang, e cila shprehu gatishmërinë e zyrës së saj për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. Edhe ajo pati fjalë të mira për komunitetin tonë, sidomos për përpjekjet tona për ta renovuar godinën tonë të re, që është një objekt me vlera historike të dorës së parë. Në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe ish- kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, z. Avdullah Domi dhe Katie Katro, gazetare në kanalin 6, stacion lokal i rrjetit televiziv, abc. Pastaj në sallë jehoi kënga dhe vallja shqiptare nga të gjitha trojet tona etnike. Koha ishte e shkurtër për shqiptarët e entuziazmuar, por do ta vazhdojme përsëri në vitin tjetër.

Philadelphia, më 28 nëntor, 2023

Sadik Elshani është ish- kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Filed Under: Kronike

“Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999”

November 30, 2023 by s p

Prof.dr.Lush Culaj/

Ndarja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, ishte zanafilla e problemit kombëtar. Këtu filluan përpjekjet për çlirim në trevat e pushtuara. Në Paqen e Versajës, doktrina e Uilsonit (Wilsonit) shprehte në thelb qëndrimin amerikan kundër konceptit evropian të ekuilibrit të forcës dhe imoralitetit të zbatimit të realpolitikës. Uilsoni (Wilsoni) dhe Amerika ishin për një rend të ri botëror të dominuar nga demokracia, nga sigurimi kolektiv dhe e drejta e popujve për vetëvendosje. Noli kishte biseduar para konferencës me presidentin Uilson, duke i folur për pavarësinë e Shqipërisë. Uilsoni i kishte thënë: “Unë do ta kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes dhe unë do ta përdor zërin tim në të mirë të Shqipërisë’’.

SHBA dhe Anglia gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore aktivitetin e tyre në viset shqiptare e zhvilluan përmes misioneve të tyre ushtarake e civile. Ruzvelti e mbivlerësonte mundësinë e ndikimit të Britanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, duke i kërkuar asaj të merrte përsipër mbrojtjen dhe rindërtimin e Evropës. Si gjatë luftës edhe pas saj, amerikanët dhe anglezët kishin afërsi diplomatike në politikën e jashtme. Që nga ajo periudhë, edhe çështja e Jugosllavisë, të krijuar, komuniste e në kuadër të saj edhe çështja e shqiptarëve në Jugosllavi, ishin në fokusin e diplomacisë amerikane.

Libri fillon me dokumentet që përshkruajnë zhvillimet politike ne Jugosllavi dhe Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, me theks të veçantë për Kosovën, që edhe pse ishte e bashkuar me Shqipërinë, pas përfundimit të luftës, u aneksua nga jugosllavët., Qeveria e Tiranës nuk kishte reaguar për gjendjen e rëndë dhe dhunën që ushtronin jugosllavët kundër shqiptarëve të Kosovës. Ndikimi dhe pesha reale e këtij vendi të madh në vendimmarrjet më të rëndësishme të botës do të ndihej me vonë, e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore.

Trajtimit të kësaj diplomacie nga aspekti i dokumentacionit arkivor, iu qas me sukses studiuesi Lulzim Nika. Përmbledhja dokumentare “Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999” është rezultat i punës disavjeçare të tij në arkivat e SHBA-së. Dokumentet e hulumtuara, të grumbulluara dhe sistemuara në këtë vëllim, botohen për herë të parë të plota dhe pasqyrojnë një periudhë të re të Kosovës, e cila fare pak është ndriçuar, e sidomos qëndrimi i diplomacisë amerikane në raport me Kosovën. Ato përbëhen nga raportet e ndryshme të Departamentit Amerikan të Shtetit (U.S. Departament of State), të konsullatave apo nënkosullatave.

Plenumi i Brioneve ishte në fokus të Shërbimit Intelegjent Amerikan dhe u cilësua si lufte e ashpër në mes fraksioneve politike në Partinë Komuniste Jugosllave, mes Titos dhe nacionalizmit serb, që përfaqësohej nga Aleksander Rankoviqi. Këto vendime u reflektuan edhe në Kosovë, në liberalizimin e jetës politike dhe kulturore të shqiptarëve ne Kosovë, dhe avancimi i autonomisë së Kosovës deri në kushtetutën e vitit 1974.

Libri, në mënyrë të sinkronizuar, vazhdon me dokumente të arkivit të presidentit R. Regan për zhvillimet politike të viteve ’80, me ç’rast shqiptarët e Kosovës demonstruan për barazimin e statusit politik të Kosovës me republikë. Në këtë libër janë edhe dokumentet, të cilat dëshmojnë për vizitën e Leka Zogut në Uashington.Në libër janë edhe shumë dokumente të rëndësisë së veçantë për zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta, ku pasqyrohet interesimi i vazhdueshëm i qeverisë amerikane për Kosovën dhe zhvillimet politike të kohës. Biseda e presidentit Xhorxh Bush me presidentin jugusllav, dëshmon për interesimin e veçantë të Shtëpisë së Bardhë, duke kërkuar kthimin e autonomisë se vitit 1974 për Kosovën dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Duke kuptuar se çështja e Konferencës të Rambujesë, në fakt, ishte çështje fillestare e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe duke e parë ecurinë e ngjarjeve në terren, edhe faktori shqiptar reagoi konform sugjerimeve të miqve ndërkombëtarë, në përgjithësi, e sidomos amerikan, në veçanti. Ky reagim i dha impulse pozitive procesit në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Çdo përpjekje për trajtim diplomatik, në rrafshin teorik apo historik, kërkohet të bëhet duke e pasur gjithnjë të qartë ndikimin e politikës së forcës, të së drejtës ndërkombëtare dhe të diplomacisë. Gjersa politika vepron paqësisht ose me forcë, sikurse edhe e drejta ndërkombëtare që imponon zgjidhje paqësisht ose me forcë, diplomacia është art i negociatave dhe instrument i zgjidhjeve paqësore të problemeve, ose i parandalimit të tyre. Në këtë kontekst, studiuesi Nika, përmes dokumenteve, fakton veprimtarinë e lëvizjes paqësore, e prirë nga presidenti historik Ibrahim Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjës së Kosovës, duke konkluduar se ajo kishte luajtur një rol të rëndësishëm.

Autori, shumë dokumente të shërbimeve sekrete amerikane, do t’ua sjellë lexuesve dhe studiuesve të rinj, që do të jenë të një rëndësie të veçantë, duke e ditur rolin vendimtar të qeverisë amerikane për ndalimin e makinerisë ushtarake serbe. Dokumentet janë të përzgjedhura me mjeshtri nga studiuesi Nika, duke e pasur përherë në fokus çështjen e Kosovës dhe rolin vendimtar të SHBA-së në zgjidhjen e krizës jugosllave në përgjithësi, dhe atë të Kosovës, në veçanti.

Dokumentet janë mbështetur kryesisht në trajtimin dhe shtjellimin e materialeve nga dora e parë, pra burime arkivore (letra, dokumente, akte, marrëveshje shtypi etj). Për autorin, shfrytëzimi i materialeve të shumta burimore nga arkivat e SHBA-së, ishte ndihmesë e madhe që përmes dokumentacionit të godasë cakun. Materiali pasqyron mjaft qartë edhe rolin e kongresmenëve dhe senatorëve përmes letrave drejtuar Shtëpisë të Bardhë, me ç’rast shprehnin shqetësimet për situatën e rëndë në Kosovë dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi. Gjithsesi pasqyrohet edhe kontributi i palodhshëm i lobit shqiptaro-amerikan.

Dokumentet e përgatitura me pedantëri nga Nika, konstatojnë se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës, të UÇK-së, për dalje nga okupimi, kanë qenë të pamjaftueshme për sukses, prandaj ishte si domosdoshmëri e diplomacisë amerikane të vinte në shërbim të këtij qëllimi, forcat ushtarake të NATO-s. Në kuadër të kësaj, për studiuesin, sulmet e NATO-s, të kryesuara nga SHBA-ja dhe roli i presidentit Bill Klinton ishin të një rëndësie të veçantë. Gjithnjë, mbështetur në dokumentacion, Nika konkludon më të drejtë se Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjës së ish-Jugosllavisë, e jo si ndërhyrje e faktorit ndërkombëtar vetëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Me të drejtë, mund të konstatojmë se ky vëllim dokumentesh nuk është një libër i thjeshtë, por një përmbledhje faktografish historiko-shkencore për njohjen e së vërtetës së diplomacisë amerikane në raport me Kosovën.

Botimi, i cili vlerësohet për forcën e argumenteve, si dhe besnikërinë e dokumenteve, është një kontribut dhe si i tillë do të duhej të ishte në funksion të dijes historike dhe diplomatike. Në rrafshin metodologjik, lexuesi ka para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, dhe e përbëjnë boshtin e kësaj përmbledhje dokumentare. Nika në këtë vëllim dokumentesh ka qëllim mjaft të qartë, duke spikatur në të gjitha drejtimet e kjo përputhet më përpjekjet diplomatike amerikane në ato vite të mëdha të përcaktimit të fatit të Kosovës. Presidenti Uilson dhe SHBA-të, për përpjekjet e tyre për ta ndihmuar çështjen shqiptare mbeten në memorien e shqiptarëve. Për këtë ka mjaft dëshmi.

Nga e tërë kjo mund të përfundojmë se diplomacia është më e pasur me faktografi të re, ndërsa historianët, dhe të gjithë lexuesit, te kjo përmbledhje dokumentare gjejnë ngjarje dhe momenteve diplomatike të panjohura më parë.

Filed Under: Rajon

PORTUGALIA SHTET MIK I KOSOVËS DHE SHQIPTARËVE, SHËN NËNË TEREZA  “NJË URË QË NA LIDHË”

November 30, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë e kanë zanafillën kur Aleanca Euro-Atlantike Perëndimore vendosi të sulmonte Serbinë në Mars të vitit 1999, atëherë kur Portugalia si vend anëtar i NATO-s ndihmoi në sulmet ajrore kundër Serbisë dhe më vonë Lisbona dërgoi trupa ushtarake si pjesë e forcave të Nato-s, për ruajtjen e paqës në Kosovë. Marrëdhëniet midis dy vendeve u zyrtarizuan pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt, 2008, kur Portugalia njohu, zyrtarisht, shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës në Tetor të vitit 2008 – njëra prej shteteve të para që bëri një gjë të tillë.  

Në vijim, Lisbona ka vazhduar të tregojë interesimin e saj miqësor për Republikën e Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar, sidomos gjatë mandateve të saja si kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian, në periudha kritike për të ardhmen e Kosovës – sidomos gjatë fazës së bisedimeve përfundimtare në vitin 2007, që çuan më në fund në bashkrendimin e qëndrimeve evropiane për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, në Shkurt të vitit 2008.

Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lisbonë, lidhjet miqësore midis dy vendeve janë çimentuar gjatë viteve: rreth 7000-ushtarë portugezë kanë shërbyer në Kosovë, përfshirë një numër të konsideruar zyrtarësh e diplomatësh në misionet europiane dhe ndërkombëtare. Ky numër i madh dinamik po afirmon gjithnjë e më tepër lidhjet dhe marrëdhëniet dypalëshe duke u shënërruar kështu në një urë ndërnjerëzore, kulturore dhe ekonomike bashkëpunimi. Këto janë, njëherësh, edhe themelet e marrëdhënieve tona të së ardhmës, thuhet në portalin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Portugali.  Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Prishtinës dhe Lisbonës pasqyrohen edhe nga vizitat e nivelit të lartë midfis dy vendeve, përfshirë vizitën e 16 Nëntorit, 2023 – e dyta vizitë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali – vizita e parë e Presidentes Osmani në Libonë ishte në Tetor, 2021.

Vizita e dytë zyrtare dy javë më parë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali, ishte një provë tjetër e lidhjeve dhe një partneriteti të veçant midis Prishtinës dhe Lisbonës – një pasqyzrim i një thellimi të këtyre marrëdhënieve të forta e miqësore diplomatiko-politike, midis dy vendeve.  Portugalia, si një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në favor të çeshtjeve në interes të Republikës së Kosovës, në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar, përtej Evropës.

Në kuadër të vizitës në Portugali, dy javë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi lartë marrëdhëniet e përgjithëshme midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë, duke thenë se “potenciali i këtyre raporteve, në fusha të ndryshme, është i jashtëzakonshëm”.  E para e Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së fundit në Lisbonë, është takuar me udhëheqsit më të lartë të Portugalisë, përfshir Kryeministrin António Costa. Presidentja e Kosovës u prit edhe nga Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa.  “Kosova dhe Portugalia kanë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme, të bazuara në vlera të përbashkëta”, është shprehur ajo për vizitën e zhvilluar dy javë më parë në Portugali. Vizita e Presidentes Osmani përkoi me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë, për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqës dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani në takimin me Presidentin portugez.

Zonja Osmani vizitoi Lisbonën me ftesë të Web Summit, e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve të Kosovës në fushën e ICT-së, ku edhe mbajti një fjalim – një takim ky i nivelit të lartë që në këtë fushë konsiderohet si një ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. “Teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithë përfshirjen, diversitetin dhe etikën, në çdo hap të këtij rrugëtimi transformative”, është shprehur Zonja Osmani.

  Ndërkaq, në kuadër të vizitës në Portugali — në një provë të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale – presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas përuruan shtatoren e Shën Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonë.  “Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlos Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Nëna Tereza.  Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët. Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani me rastin e përurimit të Shtatoressë së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë.

Pa dyshim se edhe vendosja e statujës së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë, në këtë moment të historisë, në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë — është një vlerë e shtuar në marrëdhëniet kulturore — por jo vetëm — dhe tepër miqësore midis këtyre dy vendeve mike dhe një dëshmi e qartë i një marrëdhënjeje të mrekullueshme në rritje e sipër midis Prishtinës dhe Lisbonës.

Frank Shkreli

May be an image of 2 people, monument and text that says 'Madre Teresa'Presidentja Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shënjtores Shqiptare Shën Nënë Tereza

   May be an image of 1 person “Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët.” Vjosa Osmani

      4  Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa

1
1

Në 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ishte kënaqësi të takoj sërish Presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa.  Një shtet jashtëzakonisht miqësor me të cilin na afron angazhimi i përbashkët për paq;, stabilitet dhe progres të vazhdueshëm, ka thënë Presidentja Osmani.

3
May be an image of 18 people

Foto-Kujtim para statujës së Shën Nenë Terezes Shqiptare në Lisnonë të Portugalisë

May be an image of television, crowd and text that says 'websummıt -'

      Presidentja Osmani duke marrë pjesë në WEBSUMMIT-in në Lisbonë.

Filed Under: Opinion

GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE

November 30, 2023 by s p

Valdete Dida Cenalia/

Zemra e mban njeriun, si flamuri kuq e zi që na përfaqëson të gjithëve ne, në mbarë kombin shqiptar kudo që ndodhemi nëpër botë. Kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër në botë i ka të shenjta datat historike, datat që lidhin shekujt, idealet dhe krenarinë kombëtare. Kombi shqiptar ka nje datë që na bën bashkë të gjithëve, pa dallim krahine e feje ashtu siç bëri dhe The Albanian Alliance of New Jersey (që drejtohet nga Alban Gaba) në këtë ditë madhështore të 28 Nëntorit. Në këtë ditë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443 në prani të fisnikëve shqiptare të Krujës, ngriti flamurin në kështjellën legjendare të Krujës, në trojet Arbërore me shqiponjën dykrenare. Më 28 Nëntor 1912 ora 14 plaku mjekërbardhe, Ismail Qemali në prani të delegatëve të të gjithave krahinave të kombit shqiptar valviti flamurin e Skënderbeut me shqiponjën dykrenare. Ai flamur u rikthye në trojet e veta, edhe pse të emigruar erdhi si shqiponjë e pamposhtur për të dëshmuar se përfaqëson kombin fisnik e të lashtë që në genin e tij nuk kishte as grabitjen e trojeve. Të mbushen sytë me lot, ndjehesh shumë krenare kur ti dëgjon emrin Shqipëri dhe Shqiptar. Kur Ekzekutivi i Qarkut Bergen James Tedesco shprehet se shqiptarët janë një popull i fortë, i pasur me shumë kulturë. Të mbushet shpirti, kur kryetarja e Bashkisë së Fairview Nju Xhersi, Violetta Berisha flet aq bukur shqip për këtë ditë të Flamurit, për kulturën, traditat dhe atë çfarë na simbolizon ne më së shumti, zgjuarsinë. Zgjuarsia dhe mprehtësia e Violettës shpalosi në pak minuta se kush ishin dhe janë shqiptarët, si shqiptarët e kanë ruajtur kulturën, gjuhën dhe traditat, ku dhe vetë familja e saj ka festuar çdo vit Festën e Flamurit edhe pse larg vendlindjes, jemi rritur me ngjyrat e këtij flamuri kuq e zi. Jam krenare që jam shqiptare! Gëzuar, Festën e Flamurit shqiptarë, kudo që ndodheni! Para ngritjes së flamurit Arjana Fetahu Gaba recitoi një nga poezitë e saj:

”Rrënjët i kemi Kastriot” Rrënjët kemi Kastriot

mbushur sheshi kuq e zi,

Ne faqe ca lot më ranë,

Nuk është dhimbje por dashuri,

Të shikoj vëllain me vëllanë.

Në zemër na vlon gjaku i Arbrit,

Jemi bijtë e Shqipërisë,

Me kostum veshur malësori,

Dridhet teli i çiftelisë.

Po shoh Vlorën, shoh Tiranën,

Shoh Kosovë e Çamëri,

Bie lahuta, gjëmon toka,

Vdesim ne për Shqipëri.

Po shoh Strugën dhe Preshevën,

Dibra, Shkodra që janë nji,

Kështu të jemi grusht bashkuar,

Rreth flamurit kuq e zi.

Në Nju Jork u mblodh Shqiptari,

Rrënjët kemi Kastriot,

O flamur valëvitu qiellit,

Të të njohë e gjithë kjo botë.

Filed Under: Reportazh

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT