• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Si sot 115 vjet më parë çeli punimet Kongresi i Manastirit 

November 14, 2023 by s p

Bledi Filipi/

U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:”… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.”- Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.

Vendosja e një alfabeti të vetëm e mbylli odisenë e alfabeteve të shqipes. Ky njësim i shërbeu “si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne”. (Kostallari 1973:54)

Ky alfabet në krahasim me të kaluarën i afroi aq shumë dy variantet letrare në shkrim, saqë nga albanologët më të shquar të kohës u vlerësua si një hap i barabartë me vendosjen e një drejtshkrimi të njëjtë. (Pedersen, “Yll’i i Mëngjezit” 1917/2:235)

Por ky përfundim i studiuesve të shqipes do t’i shkonte për shtat të shkuarës, pasi rrugëtimi i drejtshkrimit të shqipes do të vazhdonte edhe disa dhjetëvjeçarë pas Kongresit të Manastirit.

Unifikimi i alfabetit do të hapte rrugën drejt standardizimit të gjuhës shqipe, dhe pikërisht fillon me Komisinë Letrare të Shkodrës ( 1916-1917), e cila arriti të bënte një kodifikim të konvergjencës gjuhësore. ( Kostallari, 1973:55)

Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë tjetër – ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit(rreth vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati njëfarë përhapjeje. (HLSh, 1957:15)

Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe  Naum Veqilharxhi(Naum Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja.  Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.

Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) – lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa(1825-1892) – veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot;Hasan Tahsini (1811-1881) – atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë;Jani Vreto (1822-1900) – atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) – dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).

Në fillim të vitit 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri (1850-1904), i bazuar në parimin “një tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin latin,duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare. (

Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.

KONGRESI I MANASTIRIT (1908).

 Kongres kombëtar, i mbajtur në Manastir prej 1422.11.1908, për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në atë etapë, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe , njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. Për ta përmbushur këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan të shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908). Menjëherë pas kësaj, klubi Bashkimi i Manastirit u bë nismëtar për thirrjen e një kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si edhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore e politike kombëtare. Kongresi zgjodhi nga gjiri i tij një komision prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë Gj. Fishta (kryetar), L. Gurakuqi, S. Peci, Mithat Frashëri, Sh. Kolonja, Dh. Buda, N. Mjeda, Gj. Qiriazi, B. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka. Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Por në fund Komisioni dhe K. vendosën që të lejohej përdorimi si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër Shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në 7 shkronja. Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh alfabeti i krijuar nga K. fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap shumë i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe. 

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan takime të veçanta e mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën probleme të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Sh. Kolonja, për ta paraqitur në parlament në emër të Shqiptarëve. Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë.     ( FE II 2009 )

Filed Under: Analiza

EMIGRANTËT, KRYEMINISTRI SHQIPTAR RAMA: “DO TË BASHKËRENDOHET GJITHSHKA NGA ITALIA. PSE? ASNJËRI NUK MË KA KRITIKUAR

November 14, 2023 by s p

Nga LEONARD BERBERI – “Corriere della Sera”, 11 Nëndor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika

Më shumë se sa kundërveprimet e opozitave të tij e kanë befasuar e bezdisur vërtetë kritikat e PD (italiane) kryeministrin shqiptar, që për Corriere della Sera, jep ndonjë hollësi më shumë mbi marrëveshjen.

Simbas zëvendës-sekretarit Fazzolari emigrantët mund të qëndrojnë  në qëndrat në Shqipëri deri në 18 muaj. Është kështu?

  Marrëveshja parashikon që emigrantët të qëndrojnë në qëndrat e mikpritjes “me qëllimin e vetëm të shqyrtohen proçedurat e kufirit apo të riatdhesimit, të parashikuara nga normativat italiane dhe evropiane dhe për kohën ngushtësisht të detyrueshme”. Në rastet kur nuk është e drejta e qëndrimit në strukturat, Italia i zhvendos menjëherë emigrantët nga territori shqiptar”.

A ka rrezik që ndërmjet emigrantëve të ketë terroristë?

“Nuk ka arsye të kihet frikë. Duhet vetëm të kemi vullnetin  e kujdesin të kryejmë këtë zotim  në respektin e dinjitetit njerëzor e të rregullave të vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët që përfshijnë edhe kontrollin nga agjensitë e Sigurisë të dy Vëndeve.

A nuk ke frikë që Italia të braktisë të ikurit tek juve?

“Përgjigja është në marrëveshjen. Periudha e qëndrimit në territorin shqiptar nuk mund të jetë më e madhe se sa ajo më e larta e lejuar nga normativa italiane në atë lëndë. Autoritetet italiane, në përfundim të proçedurave të zhvilluara  në përputhje me ligjëshmërinë e tyre, do të marrin masa t’i largojnë”.

Kush do të vijë në Shqipëri? Në fillim dukej se bëhej fjalë vetëm për burrat.

“Për burrat” ka folur ai që i ka përcjellë mediave në mënyrë të shtrëmbër atë që ka pohuar Meloni në konferencën e shtypit. Kryeministreja ka nënvizuar se të miturit e gratë shtatzëna nuk hyjnë  në kategoritë e atyre njerëzve që do të strehohen  në qëndrat e pritjes në Shqipëri.

A jeni kontaktuar nga Vënde të tjera evropianë mbas marrëveshjes me Italinë?

Jo e nuk do të jemi të hapur kundrejt këtyre kërkesave të mundëshme, ashtu si nuk ishim të hapur më parë se sa Italia të na e kërkonte. Romës nuk mund t’i thonim jo sepse                                                                                                                                               kemi një borxh mirënjohjeje që nuk mund t’a shlyejmë kurrë, por që duhet të mos e harrojmë kurrë”.

Çështjet e lidhura me kërkesën e strehimit do të mbarështohen nga avokatë italianë që do të vijnë në Shqipëri?         

“Ky veprim do të jetë 100 % përgjegjësi e pjesës italiane në çdo vështrim.

Njëra nga Opozitat shqiptare thotë se nuk është kushtetuese t’i lëshohet një pjesë e tokës një Shteti tjetër.   

“Ligjet tona mbi këtë pikë janë të qarta: marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët e ardhëshme”.

Ish kryeministri Sali Berisha ka thënë në Corriere  se druan ksenofobi e protesta kundër italianëve. Si i përgjigjesh?

“Nuk i përgjigjem kurrë në gjuhë të huaj opozitës në Shqipëri, ndërsa fjalët e politikanit si ai, i papëlqyer nga SHBA, për “korrupsionin e rëndë që ka ndërlikuar familjen e tij e ka minuar demokracinë” në Vendin tonë nuk i komentoj as edhe në shqip. Fatmirësisht shqiptarët e dijnë mirë se çfarë do të thotë emigracion e mikpritje  kundrejt atij që ka nevojë”.

Ju ardhi keq për kundërveprimin e PD italiane?

“Kam mbetur i befasuar. Kanë të drejtë të kundërshtojnë e të kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka arsye të venë në mes socializmin dhe qeverinë shqiptare. Qeveritë shkojnë e vijnë, ndërpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty të lidhur pazgjidhshmërisht në ditët e mira e të këqia”.

Çfarë i kundërshton PD italiane në lidhje me kundërveprimin e saj dhe dukurinë emigratore?

Asgjë! Askush n’Evropë nuk mund të thotë se ka zgjidhje ideale e funksionale në të njëjtën kohë. Deri sa Evropa nuk do të ketë një zgjidhje të pranuar nga të gjithë – edhe në zbatimet e përditëshme – kjo do të mbetet një histori luftërash e lojrash politike të Shteteve antarë”.

A keni patur kundërveprime, qoftë edhe jo zyrtare nga PSE?

“Jo, asnjë kundërveprim”.

Duket se keni një marrëdhënie të veçantë me disa kryeministra të Italisë si Renzi e Meloni. Më pak me të tjerë, për shëmbull me Draghin. Pse kështu?

“Gaboheni, por nuk është faji i juaj: Draghi ka fatin të jetojë pa social, e kështu juve nuk keni patur mundësinë të dini se edhe marrëdhënia ime me të është e veçantë.  Për të qënë të qartë: njëri nga privilegjet më të mëdha që kam patur ka qënë kur Mario më ka kërkuar t’i drejtohesha atij me emër. Ai është një monument i gjallë”.

Mbas kaqë zhurme jeni ende i bindur në këtë marrëveshje me Italinë?

“Zhurma” si këto , siç me të drejtë i quani ju, nuk më shqetësojnë aspak”.

“Corriere della Sera”, 11 Nëndor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

Philadelphia humbi imam të mirë, Shqiptaria fitoi intelektual aktiv

November 13, 2023 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Në kuadër të ndërmarrjeve kapitale të shtëpisë botuese “LogosA”, këtë verë u botua kompleti i veprave të Tahir Kolgjinit (1903-1988) në tetë vëllime që përfshijnë veprat e tij gjuhësore e historike, si dhe korrespodencën e tij të pasur me figurat e kohës, si dhe një vëllim i pasur me dokumente të organeve të Sigurimit që përcjellin aktivitetin e tij në mërgim. Vërtet, emri i Tahir Kolgjinit, që u lidh me Kosovën prej vitit 1941 deri më 1944, përmendej me rezervë në Universitetin e Prishtinës si emigrant në Turqi, derisa kolegu akademik Feti Mehdiu e theu frikën dhe u takua disa herë me Tahir Kolgjinin në Turqi dhe na solli me 1978 librin e tij “Esad pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” që na ofroi një version tjetër të kësaj figure që u trajtua ndryshe në historiografinë zyrtare.

Ndonëse me vonesë, tani kemi në dorë të gjitha veprat letrare e historike të Tahir Kolgjinit, si dhe burime të pasura qoftë private ose shtetërore të kohës (organet e Sigurimit) që na ndihmojnë që të njohim më ndryshe Tahir Kolgjinin si nacionalist i kohës që luftoi për bashkimin kombëtar, e si intelektual i kohës që dëshmohet jo vetëm me veprat e tij gjuhësore/historike, por edhe me korrespodencën e tij me figura të kohës si Mustafa Kruja e të tjerë. Vërtet, vëllimi i 7-të që përmban korrespodencën e tij që përfshin nja 530 faqe, ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell shumë risi pasi që atje kishte hapësirë të shprehej më ndryshe, më lirë e më me guxim ndaj temave, ngjarjeve e figurave të kohës. Gati dy të tretat e këtij vëllimi përfshijnë korrespodencën e tij me politikanin dhe intelektualin e kohës Mustafa Kruja (1887-1958), i cili veç me botimin e veprave të tij (Tiranë 2014) u pa se ç’njeri ishte. Në këtë korrespodencë shihej niveli i tyre, ngase secili fliste disa gjuhë dhe merrej me disa disiplina shkencore, duke diskutuar tema të ndryshme. Gati një e treta e këtij vëllimi përmban korrespodencën e tyre në gjuhën osmane, që del tani për herë të parë në gjuhën shqipe me përshtatje profesionale. Megjithatë, për një botim tjetër do të ishte mirë të botohen këtu edhe letrat që i kanë akademik Feti Mehdiu në Prishtinë dhe Eqrem Kryeziu në Prizren me dorën e Tahir Kolgjinit në saje të lidhjeve që kishin mes vete. Në këtë vëllim shihet interesimi i vazhdueshëm i Tahir Kolgjinit për Kosovën e për gjendjen e shqiptarëve pas vitit 1945, ndaj do të ishte me interes të botohen këto letra të i kanë F. Mediu dhe E. Kryeziu.

Naga Luma në Kosovë>

Tahir Kolgjini u lind më 1903 në Lusën të Lumës, ku kreu mësimet fillestare në vendlindje, kurse më 1913 kaloi me familje në Stamboll, ku mbeti për ta vazhduar shkollën fillore e pastaj Medresenë e Lartë (Dar al-Hilafa al-Alija) gjatë 1915-1924. Kjo medrese dallohej me program të pasur gjuhësor (turqisht, arabisht e persisht), disiplina të ndryshme fetare, historike e juridike, kështu me diplomë të kësaj medreseje u punësua gjatë viteve 1924-1928 si mësues e si imam e më vonë në gjyq, kurse më 1939, prefekt i Kukësit. Viti 1941 sjell risi me shkatërrimin e Jugosllavisë dhe emërimin e tij prefekt të Prizrenit, kur merr pjesë në formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943, kurse në fillim të vitit 1944 emërohet drejtor i përgjithshëm i Policisë në Shqipëri e më në fund në gusht 1944 emërohet prefekt i Shkodrës. Atje mbeti deri në nëntor të vitit 1944, kur largohet me kapedanin e Mirditës, Gjon Mark Gjoni, për në Vjenë e më pas në Itali si refugjat politik deri më 1948. Më 1946 merr pjesë në formimin e Bllokut Kombëtar Independent në Romë, i cili do të dallohej me qasje më pozitive me Grupin Kosovar në krye me Xhafer Devën. Kushtet në kampet e refugjatëve në Itali, ku strehoheshin politikanët dhe ushtarakët shqiptarë antikomunistë, ishin shumë të rënda, ndaj filluan të shpërndaheshin në shtete të ndryshme në Perëndim (SHBA, Kanada etj.) dhe në Lindje (Turqi, Siri dhe Egjipt). Në këtë kontekst, T. Kolgjini bën disa përpjekje dhe në fund shkon në Turqi më 1948 dhe vendoset atje me shumë bashkatdhetarë deri në vdekje, më 1988.

Nga imami potencial në intelektual aktiv

Për aktivitetin e tij si intelektual në katër dekada të jetës në mërgim (1948-1988) dëshmojnë veprat gjuhësore-historike që dolën tani në këtë komplet. Megjithatë, vëllimi i 7-të që përmbledh korrespodencën e tij të pasur ndriçon shumë detaje në lidhje me personalitetin e tij, përkatësisht me vështirësitë e jetesës në Turqi për shkak të gjendjes në vend gjatë asaj kohe, por që nuk e largonin fare nga angazhimi i tij për çështjen kombëtare, siç del qartë në veprat e tij dhe në shumë letra me figura të kohës, ku shprehet më lirshëm për çështje të ndjeshme që kanë të bëjnë me formimin e tij dhe me qëndrimet e tij ndaj çështjeve të ndryshme që qarkullonin në mërgim gjatë asaj kohe. Do të ndalemi vetëm në disa shembuj.

Në letrën e parë të shkruar në Romë më 2 mars 1948, drejtuar politikanit dhe intelektualit shqiptar Mustafa Kruja me qëndrim atëkohë në Aleksanderi, Tahir Kolgjini shpreh hallin e tij ose dilemën për vendin e preferuar për qëndrim pasi kushtet në kampet e refugjatëve në Romë ishin të vështira. Ndonëse kishte paraqitur kërkesën në Ambasadën e Turqisë në Romë për vizë emigrimi për në Tuqi, ai preferonte të kalonte në Kajro që u bë atëherë qendër e opozitës antikomuniste në krye me Mbretin Zog, që gëzonte shumë përkrahje të mbretit me orgjinë shqiptare Faruku I. Duke ditur mirë arabishten dhe turqishten, ai shprehte dëshirën për të shkuar në Kajro ku mund të punonte diçka dhe të jetë në atë vend që vlonte atëherë me aktivitete për bashkimin e opozitës antikomuniste.

Në këtë kontekst, partia e legalitetit, Blloku Kombëtar Independent ishte më e hapur për fatin e Kosovës në krahasim me Ballin Kombëtar, i cili u përqendrua më shumë në Shqipërinë e vitit 1913, ndaj Tahir Kolgjini shprehet me simpati ndaj Xhafer Devës që përfaqësonte interesat e Kosovës me “Grupin Kosovar” duke insistuar që Kosova të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje të çështjes kombëtare. Këtë simpati ndaj Xhafer Devës e shpreh T. Kolgjini në një letër drejtuar Mustafa Krujes më 5 maj 1948, duke thënë: “Ne jemi ma afër tij, edhe për parimet, edhe kah mendimet e këndvështrimet”.

Vetë Tahir Kolgjini, i cili ishte i lidhur me Kosovën në periudhën kohore 1941-1944, pasi që kalon në Turqi më 1948 e deri në vdekje tregon kujdes të posaçëm ndaj Kosovës në saje të burimeve të ndryshme që kishte në Turqi. Në shumë letra i tregon M. Krujës dhe në detaje përshkruan gjendjen e shqiptarëve pas 1945-s. Gëzohet shumë për konsolidimin e shqiptarëve në Kosovë, për përhapjen e arsimit dhe për perspektivën e shqiptarëve atje, saqë shumë familje serbe filluan të shpërnguleshin për në Serbi duke pranuar realitetin e ri në Kosovë. Mirëpo më 1955-1956 në korrespodenca del tani një pamje tjetër e Kosovës, me presione e tortura serbe për të frenuar optimizmin që e kishte deri atëherë T.Kolgjini. Megjithatë, përsëri i kthehet optimizmi duke përmendur numrin e nxënësve në Kosovë dhe numrin e studentëve shqiptarë që studionin në Sarajevë, Beograd e Zagreb, që do të kontribuonin më vonë në zhvillimin e Kosovës.

Në lidhje me Kosovën, në një letër drejtuar M. Krujes më 30 gusht 1950, ai tregon për Kongresin Mysliman Shqiptar që e organizoi në Prizren më 1943. Ai me këtë rast i tregon motivimin për mbajtjen e këtij kongresi duke sqaruar se ai beson në laicizëm (e përdor këtu në frëngjisht) që do të përkthente kështu: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë. Kjo ka rendësi për një njeri të formuar si klerik mysliman në Stamboll, por mbi të gjitha ruante frymën kombëtare, ndaj shprehej aq herët me këto pikëpamje në mesin e klerikëve myslimanë në Kosovë, të cilët ishin të mbyllur prej zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve 1920 deri më 1941”.

Në korrespodenca të viteve 1952-1953 kemi disa letra intime me M. Krujën që kanë të bëjnë me iniciativë që dështoi në fund, por që do të mund të ndryshonte shumë jetën dhe aktivitetin e Tahir Kolgjinit. Kështu, në letrën e datës 15 gusht 1952, ai i tregon për një ftesë që e kishte marrë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në qytetin amerikan Philadelphia për të mbajtur xhaminë e re që u themelua atëherë. Vërtetë, T. Kolgjini kishte kryer në Stamboll Medresenë e Lartë gjatë 1915-1924 që e lejonte të punonte si imam e vaiz, një profesion që ushtronte për më shumë se dy vjet në Lumë gjatë 1925-1927. Mirëpo Komuniteti iu drejtua atëherë imam Vehbi Ismailit në Detroit për ndihmë, pasi që vetë kishte ardhur nga Kajroja më 1949, për ta lehtësuar ardhjen e Tahir Kolgjinit me familje në SHBA. T. Kolgjini pranoi me dëshirë këtë ofertë, pasi që ai përfaqësonte atë qëndrim që përkon me parimin bazë amerikan (sekularizmin) dhe pasi që SHBA-ja bëhej atëherë bazë e rëndësishme e opozitës shqiptare antikomuniste.

Mirëpo imam Vehbi Ismaili kërkoi atëherë një certifikatë që dëshmonte punën e tij si imam për dy vjet. Kjo u arrit lehtë pasi që Kolgjini punonte atëherë si iman nën juridiksionin e myftiut të Shkodrës, Salih Myftija, i cili gjendej atëherë në Aleksandri afër M. Krujës. Kështu, S.Muftija ia dërgoi T. Kolgjinit certifikatën e kërkuar, por më vonë doli se autoritetet amerikane kërkonin se certifikata për ushtrimin e profesionit të imamit të përfshijë kohën gjatë paraqitjes për vizë. Kështu, Tahir Kolgjini kishte dy opsione: të merrej përsëri me këtë profesion (imam) nja dy vjet në Turqi, ose të heqë dorë. Ai preferoi opsionin e dytë, përkundër faktit se në Turqi nuk e kishte lehtë të jetonte e të punonte. Mirëpo koha tregoi se Philedelphia e humbi një imam të mirë, por shqiptaria fitoi një intelektual aktiv duke marrë parasysh veprat e tij gjuhësore-kombëtare që tani po dalin të gjitha në këtë komplet.

Filed Under: Reportazh

KUR FAIK KONICA I SHPREHTE SIMPATINË PËR SHPENDËT SHKRIMTARIT GUILLAUME APOLLINAIRE (LETRA ORIGJINALE E 18 QERSHORIT 1904)

November 13, 2023 by s p


Faik Konica (1875 – 1942) — Guillaume Apollinaire (1880 – 1918)
Faik Konica (1875 – 1942) — Guillaume Apollinaire (1880 – 1918)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Nëntor 2023

Në veprën “Guillaume Apollinaire. Correspondance. I Lettres reçues. XI K-La.”, gjejmë një letër të Faik Konicës drejtuar shkrimtarit francez me 18 qershor 1904, në të cilën atdhetari shqiptar ndër të tjera i shpreh simpatinë për shpendët. Këtë letër, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lincoln Cottage,

Garfield Road,

Chingford, (Essex)

18 qershor 1904.

Mik i shtrenjtë,

Kanë kaluar tri ditë që kur e vendosa këtë letër në tavolinë me qëllim që t’ju shkruaj. Më në fund vendosa të kapërcej dembelizmin tim. — Pikërisht ditën që u larguat, ne e lëshuam John-in — për të cilin jeni mjaft i mirë të pyesni — në një kaçubë (pyll). Pardje na sollën një mëllenjë ende shumë të re, të befasuar në fole, një zog të vogël më në fund, dhe një foshnjë simpatike : duke marrë në zotërim kafazin, që është mbretëria e tij, princi i ri mori emrin e John II. Fatkeqësisht, mbretërimi i tij zgjati vetëm një ditë : e varrosëm sot në mëngjes, të mbushur me një trishtim të sinqertë. — Për sa i përket Fritz-it, ai ishte dukshëm i ndjeshëm ndaj largimit tuaj, sepse, i vendosur përballë jush gjatë ngrënies, ishte mësuar me fytyrën tuaj dhe pa dyshim edhe më shumë me zërin tuaj : imagjinoni që brenda dy ditëve që pasuan largimin tuaj, ai nuk këndoi, madje as kërceu; qëndrimi i tij i zymtë përfundoi vetëm në ditën e tretë. Pulat dhe gjeli ndihen mrekullisht. — Gruaja ime më kërkon t’ju dërgoj përshëndetjet e saj dhe falënderimet e saj më të përzemërta që keni menduar për tenxheren e qumështit të Parisit, e cila duhet të jetë pjesë e koleksionit të saj. Lëndinat vazhdojnë të jenë të njollosura nga sorra të gjalla, dhe karavidhe të gatuara… Ecin, ecin, ecin dhe të nesërmen janë aty për të filluar sërish : është “kthimi i përjetshëm” i Niçes. — Faleminderit që menduat për librat për të cilët folëm. Tamilishtja është një nga gjuhët dravidiane, një grup gjuhësor me të cilin nuk jam marrë, studimet e mia janë kufizuar në gjuhët indiane të cilat janë të grupuara rreth sanskritishtes; Megjithatë, një libër Tamil mund të më interesojë rastësisht. Sa i përket Petronius-it, duhet ta lëmë, sepse së shpejti do të shfaqet edicioni gjerman. Përveç kësaj, sigurisht, do të më thoni se sa keni paguar për këto libra, sepse nuk do të doja t’ju lejoja që t’i blinit për mua. — Më ka pëlqyer shumë Schinderhannes dhe më duket gjithnjë e më interesant “The Rotting Enchanter”; i plotë, do të formojë një libër kurioz. Artikulli mbi “Katolicizmin e Baudelaire” është sugjerues dhe i punuar mirë. — Po punoj fort për “Albania-n”: dua të kompensoj kohën e humbur dhe madje të botoj disa numra paraprakisht; kështu që do të kem kohë të lirë gjatë qëndrimit tuaj këtu. Ju nuk do të harroni të sillni ndonjë roman në zhanrin tashmë historik të “Girodias”.

Përzemërsisht,

F. B. Konica

Filed Under: Interviste

Raportet e Sami Frashërit me sulltan Abdylhamidin II

November 13, 2023 by s p

Prof.As.Dr. Hasan Bello/

Sipas historianëve dhe studiuesve të ndryshëm Sami Frashëri është një nga intelektualët më prodhimtarë të Perandorisë Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai njihet si autorë i një sërë veprash leksikografike, historike dhe publicistike, të cilat përbëjnë një korpus me vlerë të jashtëzakonshme.

Sami Frashëri është gjithashtu një nga ideologët kryesorë të nacionalizmit shqiptar.

Por cilat ishin raportet e tij me sulltan Abdylhamidin II? Si ishin marrëdhëniet mes njërit prejt intelektualëve më të njohur të perandorisë dhe drejtuesit më jetëgjatë të saj?

Pas përfundimit të arsimit të mesëm në Janinë, në vitin 1871 Samiu së bashku me të vëllanë Naim Frashërin u zhvendosën në Stamboll ku filloi punë në Zyrën e Shtypit. Në këtë institucion Samiu u njoh dhe zuri miqësi me emra të njohur të elitës intelektuale osmane, si: Namik Kemalin dhe Ebuzija Teufikun. Këta të fundit ishin dy nga drejtuesit e “osmanëve të rinj” (pararendës të lëvizjes xhonturke). Për këtë arsye, ai do të përfshihet në rrymën e cila kërkonte modernizimin e perandorisë.

Krahas përkthimeve nga gjuha frënge, në vitin 1872 Samiu botoi romanin e parë modern në gjuhën osmane “Dashuria e Talatit për Fitnetin” (Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât), i cili shumë shpejt do ta bëj të njohur në rrethet letrare të Stambollit. Gjatë kësaj kohe ai botoi një sërë shkrimesh për gazetat më me emër të perandorisë, duke u afirmuar edhe si publicist. Më 1877 ai u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut, ku qëndroi për 5 muaj. Gjatë luftës Ruso-Turke shërbeu si kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pasi u kthye në Stamboll, më 1878 u bë kryeredaktor i gazetës “Interpreti i Lindjes” (“Tercümân-ı Șark”).

Nga tetori i vitit 1879 Samiu ishte drejtues i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”, e cila hartonte libra dhe tekste shkollore për shqiptarët. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai ishte një nga drejtuesit dhe truri i “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare”.

Sipas disa burimeve, sulltan Abdylhamidi II e vlerësonte jashtzakonisht Sami Frashërin si intelektual. Prandaj duke njohur kapacitetin e tij në fushën e letrave, ai e këshilloi atë të hartonte disa fjalorë. Kjo do të bëhet shkak që për një periudhë relativisht të shkurtër Samiu të botonte një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882; një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884; një fjalor të gjuhës arabe më 1898; një fjalor turqisht-turqisht (1899-1901) i cili është i pari i këtij lloji dhe ka ndikuar për lindjen e nacionalizmit turk; dhe enciklopedinë gjashtëvëllimëshe Kamus al Alam.

Por krahas kësaj pune intelektuale, Sami Frashëri kishte edhe një detyrë të lartë shtetërore. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, ai u caktua si sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti gjersa ndërroi jetë. Pa këtë detyrë, e cila i siguronte të ardhura të mira për të vijuar punën e tij në fushën e dijes dhe mbrojtje politike nga lobet antishqiptare brenda perandorisë, ai do ta kishte të pamundur. Nuk ishte rastësi që edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri detyrën si drejtor i censurës në Ministrinë e Arsimit do ta shfrytëzoi për interesat e kombit shqiptar. Kjo nuk mund të bëhej pa një tolerancë të “heshtur” të drejtuesve kryesorë.

Për ta kuptuar më mirë sesi funksionojnë perandoritë duhet të kemi parasysh dy gjëra: e para se në to ka lobe të ndryshme, të cilat përpiqen për realizimin e aspiratave etnike, fetare dhe kulturore (si shqiptarët me Sami e Naim Frashërin apo lobi grek, serb apo armen në Perandorinë Osmane) dhe, e dyta se në to ekzistojnë subjekte me identitet të dy apo trefishtë, të cilat drejtuesit e perandorisë i mbështesin, në varësi të interesave të tyre politike.

May be an image of 1 person and newsroom

Like

Comment

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT